Filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ edhe në gjashtë festivale të rëndësishme

Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmijë’ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, film ky që trajton raportin e rrënuar familjar mes babës autoritar dhe djaloshit të mitur me emrin Moni, është përzgjedhur në programet zyrtare edhe të gjashtë festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare.

Kështu, nga data 4 deri më 7 gusht filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ do të shfaqet në festivalin bregdetar të Italisë Cortosplash Film Festival i cili mbahet në Nova Siri të Italisë, për të vazhduar në festivalin e njohur amerikan Accolade Global Film Competition i cili mbahet në La Jola të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga data 1 deri më 5 shtator, pastaj nga data 21 deri më 24 shtator do të shfaqet në festivalin prestigjioz European Film Festival i cili mbahet në qytetin turistik Nidden të Lithuanisë , nga data 23 – 30 shtator do të shfaqet në Sose International Film Festival i cili mbahet në kryeqytetin e Armenisë – Yerevan, kurse nga data 5- 10 tetor, do të shfaqet në njërin ndër festivalet më të njohura të filmit të shkurtër, pikërisht në edicionin e 15-të jubilar, në Festival of Mediterranean Short Film Tangier në Marok.
Është me rëndësi edhe përzgjedhja e filmit ‘Përjetësisht Fëmijë’ në listën e shkurtër të programit garues të festivalit të madh Short of the Year i cili organizohet nga platforma e njohur ndërkombëtare Promofest në Madrid të Spanjës.
Filmin ‘Përjetësisht Fëmijë’ gjatë muajve të vjeshtës e presin edhe shumë evente tjera. Deri më tani, filmi është përzgjedhur nga 22 festivale ndërkombëtare dhe ka fituar pesë çmime të ndryshme.
Në rolin kryesor të këtij filmi paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhje Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.
Drejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli. Kompozitor Naim Krasniqi. / KultPlus.com

Rolling Stones, pas 12 vitesh po punojnë për një album të ri

Grupi i njohur muzikor “The Rolling Stones” do të kthehet përsëri në studio regjistrimi për një album të ri, 12 vjet pas “A Bigger Bang”.

Lajmi u bë i ditur nga Keith Richards gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në You Tube. “Kthimi ynë në studio do të ndodhë shumë, shumë shpejt. Do të incizojmë materiale dhe do të shohim në çfarë drejtimi do të shkojmë”.
Grupi historik ka publikuar vitin e kaluar albumin me covera “Blue & Lonesome”.
Ndoshta suksesi i “Blue & Lonesome” (vendi i parë në klasifikimet britanike dhe i katërti në SHBA) ka qenë shkas për gjetjen e entuziazmit dhe e ka shtyrë Rolling Stones sërish në studio.
“Nuk e prisnim një reagim të tillë, na gjeti pak të surprizuar, mendonim se ishte diçka që duhej bërë dhe nuk e prisnim një pritje të tillë”, tha Richards për daljen e albumit “Blue & Lonesome.
Albumi i ri është i 34 i një karriere të gjatë, e filluar në mënyrë diskografike në 1964. / KultPlus.com

Përmes filmave të ‘Albania Beauty’, diaspora zbarkoi në kryeqytet (FOTO)

Në kinemanë e hapur në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, mbrëmë ishte një atmosferë jo e zakonshme. Shumë qytetarë ishin mbledhur për të parë pesë filmat e artistëve shqiptarë nga diaspora, që do t’i sillte në edicionin e tretë me radhë, projeksioni filmik ‘Albanian Beauty’, i cili realizohet në kuadër të ‘Muajit të diasporës, shkruan KultPlus.

Realizimi i këtij projeksioni artistik është mbështetur nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës, ku mbrëmë i pranishëm ishte edhe vetë ministri i kësaj ministrie, Valon Murati, i cili bëri hapjen e ‘Albanian Beauty’ 2017, dhe ftoi të gjithë të pranishmit të shijojnë filmat.

“Është kënaqësi që sot jemi këtu në edicionin e tretë të “Albanian Beauty”, një festival modest por shumë domethënës dhe përmbajtjesor, që sjellë filmbërsit tanë nga diaspora. Është kënaqësi që edhe këtë vit po e vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe besoj që do ta vazhdojmë edhe më tutje. Besoj se sonte do ta kemi një natë të bukur me këta pesë filma të shkurtër. Ju dëshiroj të gjithëve një natë të këndshme dhe të kënaqemi me filmat nga diaspora”, ka thënë ministri i Ministrisë së Diasporës, Valon Murati.

Me fillim prej orës 21:00, për 106 minuta, publiku pati mundësi të shohë pesë filmat e metrazhit të shkurtër, të autorëve shqiptarë të cilët jetojnë nëpër botë dhe të cilët në arenën ndërkombëtare përfaqësojnë kulturën shqiptare. Filmi i parë që u prezantua nga projeksioni ‘Albanian Beauty’ ishte ‘Qirak’ i autorit Jeton Troni, i cili trajton keqtrajtimin ndaj fëmijëve dhe të sëmurëve mendorë, por që në fund publikut i jep një fund të lumtur. I dyti film që erdhi në kuadër të këtij projeksioni, ishte ‘Një pikë gjaku’ i regjisorit Bekim Guri, me të cilin pas shfaqjes së filmit, KultPlus ka realizuar një bisedë rreth filmit.

Filmi ‘Një Pikë Gjaku’ i cili është duke marrë pjesë edhe në ‘International Human Rights Film Festival’ në Shqipëri, sjellë historinë e një familje shqiptare, e cila ballafaqohet me traditën dhe modernen. Prek tema si martesën e dhunshme, virgjinitetin si një tregues të moralit në shoqërinë tonë, dhunën seksuale brenda familjes.

‘Kjo është hera ime e dytë që unë marrë pjesë në ‘Albanian Beauty’. Vitin e kaluar kam marrë pjesë me filmin ‘Heshtje’. Ndihem mirë kur prezantoj punën time në Kosovë, sepse takon njerëz të profesionit, kolegë e familjarë. Reagimet nga publiku janë të ndryshme, por kritikat ndaj punës sime kryesisht kanë qenë të mira, sepse filmat e mi kanë të bëjnë me vendin tonë, dhe njerëzit këtu i kuptojnë, sepse kanë të bëjnë me fenomene të shoqërisë sonë’, ka thënë regjisori i ‘Një Pikë Gjaku’, Bekim Guri.

Bekim Guri i cili vjen nga fshati Nikaj në Kaçanik dhe jeton në Gjermani, ka treguar se qëllimi i tij në filmat që bënë, çdoherë ka qenë trajtimi i temave tabu të shoqërisë sonë. Ai për KultPlus ka treguar se si ka ardhur deri te ideja e filmit ‘Një Pikë Gjaku’, i cili deri më tani është prezantuar në 30 festivale dhe ka fituar tre çmime.

‘Ideja e filmit ‘Një Pikë Gjaku’ ka ardhur duke dëgjuar histori për zakonet, traditat e vendit tonë të cilat çdoherë më kanë bërë përshtypje. Në këtë film kam dashur të paraqes gjininë mashkullore në vendin tonë, mentalitetin e tyre, dëshirën e tyre për udhëheqje, për të cenuar lirinë familjarëve të tyre’, ka thënë Bekim Guri.

Filmat tjerë që solli edicioni i tretë i projeksionit artistik ‘Albanian Beauty’ ishin edhe filmat ‘Toka’ me autor Ibër Deari, ‘Smajl’ i autores Zymryte Hoxhaj & Philipp Majer dhe ‘Head’ e Fisnik Maxhuni dhe Alain Guillebeau.
Organizatori i ‘Albanina Beauty’ Afrim Muçaj, pasi u shfaqën filmat u shpreh shumë i kënaqur me realizimin e këtij projeksioni, pjesëmarrjen e publikut, si dhe prezencën e disa prej regjisorëve të filmave të cilët u shfaqën.
‘Ka qenë një punë e madhe, ka një muaj e gjysmë që kemi punuar për të realizuar këtë natë, unë si organizator i këtij projekti jam shumë i lumtur dhe mendoj dhe besoj që kemi arrit të bëjmë një punë shumë të mirë, por ia kemi dalë edhe me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës. Përshtypjet e para se kemi arrit me i marrë deri tash kanë qenë shumë të mira, kanë qenë shumë falënderuese ndaj neve që i kemi sjellë këta filma sonte këtu në kinemanë e hapur’, ka thënë Afrim Muçaj për KultPlus.

Edhe ministri i Ministrisë së Diasporës në Republikën e Kosovës, Valon Murati u nda shumë i kënaqur me realizmin e projeksionit artistik ‘Albanian Beauty’. I pyetur nga KultPlus se a do të vazhdojnë të përkrahin edhe viteve tjera realizmin e këtij projeksioni ai tha se do të vazhdojnë dhe kjo ngjarje tashmë është bërë tradicionale edhe për ministrinë që i udhëheq dhe ndoshta në të ardhmen ky projeksion do të zgjerohet dhe do të shndërrohet edhe në festival.

‘Filmat ishin goxha të mirë. Kjo realisht është një dëshmi e larushisë së diasporës sonë. Edhe qëllimi i aktiviteteve të tilla është për të prezantua diasporën edhe tërë kompleksitetin e saj. Çdoherë e më shumë shqiptarët kudo që po jetojnë, po krijojnë vlera në art, kulturë, politikë, biznes, arsim, jetë akademike, sport etj. Tashmë është duke bërë edhe tradicional ky projeksion, po shpresoj që të vazhdoj dhe ndoshta do të bëhen përpjekje që viteve të tjera të kthehet në festival pse jo. Qytetarët tanë kanë nevojë të shohin më shumë diasporën tonë, krijimet e njerëzve tanë atje por edhe artistët tanë në diasporë kanë nevojë që ti shfaqin krijimet në atdheun e tyre, ka thënë për fund ministri Valon Murati./ Gentianë Morina /KultPlus.com

Ato që nuk i keni ditur për Mbretëreshën e Anglisë

Një pjesë e njerëzve e dinë që ajo ka një koleksion shumë të bukur me kapela, por për jetën e saj dinë shumë pak. “Business Insider” jep listën e fakteve personale që i përkasin mbretëreshës dhe që shumë pak i njohin”.

E para i përket shkollimit të saj: Elizabeta nuk e ka frekuentuar asnjëherë shkollën, thuhet në shkrimin që e transmeton MAPO. Kur ishte fëmijë dhe e quanin Lilibet, ka marrë mësime private në shtëpi. E njëjta gjë edhe me motrën e saj më të vogël, Margaret.
Ka festuar mes turmës në fund të luftës
Ndërsa ishin të reja, Elizabeta dhe Margaret morën lejen e prindërve për t’iu bashkuar turmës që festonte në Londër fundin e Luftës së Dytë Botërore. Mbretëresha e kujton herë pas here atë natë, si një kujtim shumë i bukur i jetës së saj. Kjo ngjarje është treguar dhe në filmin “Një natë me mbretëreshën”, drejtuar nga Julian Jarrold më 2016-n.
Kurora me gurë të çmuar është thyer në ditën e dasmës
Në ditën e dasmës me princin Filip, kurora me gurë të çmuar që kishte vënë Elisabeta, u thye. Por argjendari u thirr menjëherë dhe e riparoi në kohë kurorën.
Është kushërira e bashkëshortit të saj Filip
Mbretëresha dhe bashkëshorti i saj Filip janë kushërinj të tretë. Elizabeta është pasardhëse e mbretëreshës Vittoria nga ana e të atit, ndërsa Filipi nga ana e mamasë.
Feston dy ditëlindje
Data e vërtetë e ditëlindjes është 21 prilli, por nuk festohet në mënyrë zyrtare deri më 11 qershor. Mbretërit që kanë lindur në muajt e ftohtë, sipas traditës, e festojnë ditëlindjen kur kushtet e motit janë më të favorshme për të bërë parada.
Sundim rekord
Elizabeta ka sunduar aq gjatë sa katër britanikë në pesë akoma nuk kishin lindur kur ajo është ngjitur në fron. Është bërë mbretëreshë fill pas vdekjes së të atit, më 1952-shin. Sot, 90 vjeçe, është sunduesja më jetëgjatë në botë.
14 kryeministra britanikë dhe 13 presidentë amerikanë
Gjatë 65 viteve të mbretërimit të saj, Elisabeta ka njohur 14 kryeministra britanikë dhe 13 presidentë amerikanë.
260 udhëtime jashtë shtetit
Qëkur është bërë mbretëreshë, Elizabeta ka bërë rreth 260 udhëtime jashtë shtetit si një përfaqësuese e mbretërisë.
Nuk është e pasur
Edhe pse me një trashëgimi të madhe mbretërore, Elisabeta II është shumë larg të qenët një ndër personat më të pasur të mbretërisë. Pasuria e saj personale arrin në 340 milionë sterlina.
Paguan taksat, edhe pse nuk i takon
Mbretëresha nuk duhet të paguajë taksa, por ka zgjedhur ta bëjë këtë vullnetarisht që më 1993-shin.
Një gotë shampanjë përpara se të shkojë në shtrat
Një sekret i mbretëreshës që këtë vit feston 91-vjetorin e saj? Një gotë shampanjë çdo natë përpara se të shkojë të flejë.
Besnike e së njëjtës ngjyrë manikyri
Që më 1989-n, mbretëresha përdor të njëjtën ngjyrë manikyri. Një rozë e lehtë delikate që nuk është aspak e kushtueshme.
As pasaportë, as patentë
Edhe pse një kalorëse shumë e aftë, mbretëresha nuk e ka marrë asnjëherë patentën. Të njëjtën gjë dhe me pasaportën. Kjo, sepse ajo nuk e ka të nevojshme.
Është denoncuar se nuk vinte rripin e sigurimit
Më 21 qershor 2017, policia e Yorkshire ka marrë një telefonatë nga një numër emergjence 999, ku donin të padisnin mbretëreshën, sepse ajo po udhëtonte pa lidhur rripin e sigurimit.
Një çantë për të çuar mesazhe të koduara
Mbretëresha përdor një çantë për t’u çuar mesazhe të koduara asistentëve të vet. Kjo është zbuluar kohët e fundit nga “Telegraph” i Londrës: kur Elizabeta vendos çantën mbi tavolinë, dëshiron që takimi të mbarojë për të paktën dhe pesë minuta. Nëse e ul në tokë, do të thotë se nuk dëshiron të rrijë në këtë bisedë të mërzitshme.
Asnjë mbiemër
Mbretëresha nuk ka një mbiemër.
Nuk mund të ndiqet penalisht dhe nuk mund të dëshmojë
Mbretëresha Elizabetë nuk mund të ndiqet penalisht dhe nuk është e detyruar të dëshmojë në gjyq. Natyrisht Elizabeta nuk abuzon me fuqitë e saj: “Edhe pse procedurat civile dhe penale nuk mund të ushtrohen kundër sovranit, lexohet në web-in e familjes mbretërore – mbretëresha është e kujdesshme për të siguruar që të gjitha aktivitetet e saj të kryhen në përputhje të plotë me ligjin”./ KultPlus.com

Fyelli

Poezi e shkruar nga Naim Frashëri.

Pa dëgjo fyellin ç’thotë
Tregon mërgimet e shkreta,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalë të vërteta.
Që kur se më kanë ndarë
Nga shok’ e nga miqësija,
Gra e burra kanë qarë
Nga ngashërimet e mija!
Krahërore e kam çpuar
E kam bëre vrima vrima,
Dhe kam qar’ e kam rënkuar
Me mijëra psherëtima!
Dhe me botën e gëzuar
Bëhem shok edhe marr pjesë,
Dhe me njerës të helmuar
Bënem mik me besa-besë.
Puna si do që të bjerë
Unë qanj me mallëngjime,
Më çdo vënt e kur-do-herë
Psherëtin zëmëra ime!
Gjithë bota më dëgjojnë
Po së jashtëmi më shohin,
Dëshirën s’m’a kupëtojnë
Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohim.
Njerëzit me mua rrinë,
Unë qanj’ e mallëngjehem,
Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë
Andaj kurrë s’përdëllehem.
Gjith’ ata që janë ndarë
Fyellit shokë ju bënë,
Shkallët’ e tij disa farë,
Na shkalluan mëndjen tënë.
Rrëmet i njerëzisë!
Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
Që i ra kallamit mjerë!
I ra qiellit e ndriti,
I ra zëmrësë e nxehu,
I ra verës e buçiti,
I ra shpirtit, dhe e dehu.
I dha erë trëndafilit
I dha dritë bukurisë,
I dha këngëtë bilbilit,
I dha shije gjithësisë.
Ay zjar i ra në qiej,
Edhe duke përvëluar,
U bënë kaq yj e diej,
Që i mba Zoti ndër duar,
Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
Që ka ngehur gjithësinë,
Hoth një shkëndijë në jetë,
Dhe bëri soje njerinë.
More zjar i bekuar!
Unë me ty jam përzjerë,
Pa jam tretur e kulluar,
Po të kam shpirt, mos më lerë. / KultPlus.com

Yjet e ‘Despacito’ akuzojnë presidentin venezuelas se ua përdori këngën për përfitime

Këngëtarët e hitit global ”Despacito” kanë sulmuar presidentin e Venezuelës, duke e akuzuar atë për përdorimin e këngës së tyre për përfitime politike.

Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro, paraqiti një version të përpunuar të ”Despacito”, gjatë shfaqjes së tij televizive javore të dielën, transmeton Klan Kosova.

Tekstet e ripunuara promovuan planet e tij për një asamble të re qytetare të diskutueshme, e cila do të zgjidhet të dielën për të rishkruar kushtetutën.

Yjet e Porto Rico Luis Fonsi dhe Daddy Yankee e kanë quajtur atë një zemërim.

Presidenti u pa që fluturoi së bashku me remix, pasi audienca e tij vallëzonte.

“Thirrja jonë në Asamblenë Kushtetuese vetëm kërkon të bashkojë vendin … Despacito!” Shkoni tekstet e reja, ka pohuar ai. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës bashkëpunim kulturor me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë

Bashkëpunimi kulturor me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë ishte temë boshte e takimit të sotëm ndërmjet Besart Vllahinjës, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe Marten Menger, Sekretar i Parë në Ambasadë.

“Ndërmjet tjerash, nga ana jonë u shtrua edhe dimensioni i thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona në interes të publikut. Në këtë kuptim, u prezantua iniciativa jonë për hartimin e strategjisë për ndërtimin dhe ngritjen e qëndrueshmërisë financiare të Institucioneve Publike dhe atyre të Pavarura të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre në Komunën e Prishtinës”, ka thënë Vllahinja, duke treguar tutje se nga partnerët synohet që të ofrohet mbështetje konkrete me modele të suksesshme të cilat janë komplementare me strategjinë në fjalë si dhe afirmimi i ekspertizës nga ekspertë gjermanë për strategjinë.
Takimi u pasurua edhe me planet për organizimet e tjera të përbashkëta kulturore në kryeqytet, përfshirë këtu edhe shënimin e 10 vjetorit të ndërtimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet vendeve tona. / KultPlus.com

Kush është kryeministri shqiptar që vdiq nga overdoza e kokainës dhe Enver Hoxha e la pa varr

Iliaz Bej Vrioni, ishte një nga patriotët dhe politikanët më të mëdhenj të historisë së Shqipërisë në fillim të shekullit XX.

Iliaz Bej Vrioni u lind në Berat më 1882 dhe vdiq në Paris, Francë më 17 mars 1932. Ai ishte djali i Mehmet Ali Pashë Vrionit, patriotit të shquar shqiptar, nën-kryetarit të Lidhjes së Prizrenit dhe babai i përktheysit të shquar Jusuf Vrioni.
Po kush ishte Iliaz Bej Vrioni?
Iliaz Bej Vrioni, ish një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar së bashku me Sami Bej Vrionin. Shërbeu tre here si Kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris, Francë. Shërbeu gjithashtu për një kohë shumë të gjatë si Deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Iliaz Beu ish gjithashtu kryetari i delegacionit të Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës.
Ai njihet për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie ndërkombëtare, është dekoruar nga Republika Franceze në vitet 1920 me urdhërin e lartë Grand Officier de la Légion d’Honneur.
Në vitin 1946, regjimi dikatorial do të zhvarroste eshtrat e ish Kryeministrit Iliaz Bej Vrioni për t’i hedhur ato në lumin Osum të Beratit. Eshtrat e Iliaz Bej Vrionit vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë ende këtë personalitet të vyer të kombit shqiptar pa varr.
Në librin e tij, gazetari Roland Qafoku tregon të fshehtat e kryeministrit të pestë të shtetit shqiptar, Iljaz Vrioni, i cili dyshohet se vdiq nga mbidoza e kokainës. Ja çfarë shkruhet në libër për Vrionin
“Historitë e tejkalimit të alkoolit me Iljaz Vrionin ishin kthyer në histori normale në Tiranën e atyre viteve. Pietro Kuaroni përshkruan këtë gjendje: “Ai pinte gotë pas gote, pothuaj me gërnje dhe pas pak fytyra e tij u bë baltë, goja iu var, qepallat plumb, ai ishte krejtësisht i dehur. E tillë ishte drama e Iljaz Beut: pija mbyllte brenda tek ai një lloj tërbimi. Dhe ai e duronte keq alkoolin, kalonte orë të tëra duke përsëritur të njëjtat gjëra me atë këmbënguljen ngacmuese të të dehurve: e pamundur të merrje leje për të dalë, biseda kthehej në një kalvar”, transmeton lapsi.al.
E gjitha kjo u ngjante krizave: ai pinte ditë të tëra pa ndërprerje. Fillonte sërish në mëngjes për t’iu dorëzuar ekseseve të pasdarkes në mbrëmje. Pastaj, befas, bëhej esëll, rrinte dy apo tri ditë mbyllur në shtëpi ku e dëgjonim të grindej. Shërohej si nga një sëmundje: përsëri i qartë, i gëzuar, simpatik, gjer në rifillimin e afërt. Por transferimi i Iljaz Vrionit në Paris në detyrën e ministrit kishte edhe një gjë më shumë.
Historiani amerikan, Bernd Fisher, e çon më tej degradimin me mbidozat të ish-kryeministrit. Sipas tij, jo vetëm alkooli, por edhe kokaina ishin ato që i dhanë një goditje në zemër Iljaz Vrionit. Asgjë nuk mundën të bënin mjekët e spitalit “Sain Clus” në Paris për ta rikthyer në jetë. Ai vdiq më 17 mars 1938”- shkruan Qafoku në librin “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”.
Marrë nga Wikipedia dhe libri “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, shkruan Konica.al./ KultPlus.com

DokuFest sonte në Tiranë

DokuFest sonte në Tiranë do të shfaq një përzgjedhje të filmave nga programi i pasur i këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Duke nisur me ‘Stacion’ nga regjisori i ri Leart Rama. Ky film paraqet malet e larta të Liqenit të Fierzës, në dy anët e saj dhe në mes një anije e vogël që prish qetësinë therëse të kësaj pjese të vogël të botës.
‘The girl chewing Gum’ nga John Smith, UK. Filmi sjellë një zë komandues që shfaqet për të drejtuar veprimin në një rrugë të ngarkuar të Londrës.
‘Project X’ nga Laura Poitras & Henrik Moltke, SHBA/ USA. Projekti X shpalos punimet e brendshme të një rrokaqielli pa dritare në Manhatan.
‘Balloonfest’ me regji të Nathan Truesdell, SHBA/ USA. Klivlendi përpiqet të tejkalojë nofkën e tij, “Gabimi pranë liqenit” duke e lansuar një grumbull balonash.
‘The External World’ nga David O’Reilly, Gjermani, Irlandë. Në një botë që duket qesharake por ende shumë të zymtë, një djalë mëson të luajë në piano.
‘Best of luck with the wall’ me regji të Josh Begley, SHBA/ USA. Filmi sjell një udhëtim të animuar përgjatë kufirit SHBA-Meksiko, e qëndisur nga 200,000 imazhe satelitore.
‘Lunch time’ regjia Alireza Ghasemi, Iran. Një 16 vjeçare ka ardhur në spital për të identifikuar trupin e nënës së saj.
Këta janë filmat të cilët DokuFest, do i shpalos në kryeqytetin shqiptar sonte më 25 korrik me fillim nga ora 20:00 në Sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë./ KultPlus.com

“Në damarët e shqiptarëve rrjedh gjak pellazg”

Në revistën franceze, « L’Année géographique : revue annuelle des voyages de terre et de mer ainsi que des explorations, missions, relations et publications diverses relatives aux sciences géographiques et ethnographiques », botuar në 1872 nga shtëpia botuese « L. Hachette et Cie (Paris) » gjejmë, në faqen n° 327, shkrimin e arkeologut të njohur francez, Albert Dumont, i cili gjendej në Shqipëri gjatë verës po të atij viti.

Aurenc Bebja-Francë

Si përshkruhen shqiptarët në këtë shkrim ? Në vijim do të gjeni rrëfimet brilante, të revistës dhe të autorit, mbi popullin tonë, të sjella në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Rrëfimi i revistës mbi shqiptarët nëpërmjet udhëtimit të arkeologut francez në Shqipëri :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
« Shqipëria, ku në të cilën Z. Albert Dumont ka hyrë nëpërmjet Shkodrës, e vendos atë në qendër të vëzhgimeve të reja. Në Dalmaci, autori studion kryesisht vendin, ndërsa në Shqipëri popullin. Shqiptari – « Skypétar » siç i quan ai vetë – është një popull i virgjër, pothuajse primitiv, i cili nuk ka ngjashmëri me evropianin (me perëndimorin). I familjarizuar me antikitetin helenik, Z. Dumont, është habitur çdo moment nga kostumi, zakonet, traditat apo analogjitë shqiptare, të cilat i kujtojnë atij Grekët e kohëve Homerike. Shqiptarët banojnë në trojet që dikur ishin të Pellazgëve. Ka shumë mundësi që një pjesë e gjakut të këtyre banorëve të lashtë (e kësaj rrace parësore) rrjedh ende në damarët e shqiptarëve. »

Rrëfimi i arkeologut francez për shqiptarët :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
« Shqiptari dallohet përsosmërisht ; koka e tij e vogël, hunda e hollë, syri i mprehtë, i çelur si bajame, qafa e gjatë, trupi i dobët, këmbët e gjata dhe të forta, ai na kujton Grekët e lashtë, ashtu siç e gjejmë në skulpturën arkaike prej mermeri të Egjinës. Edhe kostumi (veshja) i tij vë në pah kujtimet e antikitetit. Fustanella e bardhë na kujton tunikën me pala deri në rrip, ndërsa gjunjakët (tirqit) e gjatë që mbështjellin këmbët deri në gjunjë janë mbrojtësit e kërcinjëve të epokës heroike. Kostumi nuk është i gjerë dhe i fryrë si në epokën e bukur greke ; por dallojmë, në vazot e stilit të vjetër që, (Në 1870, Ministria franceze e Arsimit publik i ka dhënë për mision autorit të studiojë vazot e pikturuara greke dhe të zbulojë prejardhjen e tyre), Helenët e dikurshëm nuk kanë pasur zakonet e bashkëkohorëve të Perikliut. Pikërisht, shpjegimi i kostumeve më të vjetra helenike duhet kërkuar në Shqipëri. »/ KultPlus.com

Gloria Victis (Lavdi Humbësve)…

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim
Zaret e bardhë të fateve tona
Ne i hedhim para – dhe vazhdojmë
T’i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush.
Të tjerët vetëm fitojnë,
Ndërsa ne jemi populli humbës

I humbjeve të mëdha. Zemra jonë
Eshtë një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës,
Dhe gabojmë, nuk e njohim
Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
Eshtë prej lënde të brymtë trishtimi,
Të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,
Ata s’humbasin kurrë, sepse
Kurrë nuk gabojnë.
Ndërsa ne gabojmë – ashtu siç dimë vetëm ne!
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit
Të humbjeve të mëdha. Sepse ne
– po vetëm ne!-
Jemi të vërtetë.

Rolet artistike ku shkëlqeu Maylinda Kosumoviq (FOTO)

Një ndër aktoret më aktive në vend, Majlinda Kasumoviq edhe sot eksperimenton në mes të teatrit dhe filmit.

Pjesë e trupës rezidente në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Majlinda ka disa role të cilat e kanë bërë të njohur dhe të dashur për publikun artdashës në Kosovë.

Kur flasim për teatër, një rol i rëndësishëm është ai në shfaqjen “Bordel Ballkan” ku Majlinda luan një ndër rolet kryesore, provokative dhe ndoshta brenda një teksti që nuk është lehtë i kapshëm për publikun. Gati një stil mjuzikëll, Majlinda duhet edhe të këndojë, të çirret me zërin e saj të fuqishëm, si pjesë e kësaj shfaqje ku ka plot aktorë dhe ku Majlinda ka disa veshje të ndryshme në situata të ndryshme.

Performanca e saj në filmin “Lost Exile”, si Hana, po ashtu i ka dhënë pikë karrierës së Majlindës. Nën regjinë e Fisnik Maxhunit, loja e Majlindës është tmerrësisht e mirë dhe ka bërë që filmi të shëtitet në festival të ndryshme, në disa prej të cilave ka dalë me triumf. Hana takohet me Emirin, Majlinda gjithmonë në kulmin e emocioneve të një gruaje e cila e humb rrugën e saj, fatin e mirë, për një destinacion që nuk është asnjëherë i sigurt.

Në shfaqjen “Nana dhe fëmija”, Majlinda luan krahas aktores së madhe Melihate Qena. Plot emocion, Majlinda tregon performancë të mirë e veshur në të kaltër, herë duke torturuar veten e herë personazhet tjera, dhe djalin e dashur të nënës, shtyllën e familjes. Në një shfaqje ku trajtohen aborti e braktisja e fëmijëve, Majlinda gjithmonë provon të shkëlqejë përtej tmerrit që ofron shpirti i aktorit. / KultPlus.com

Së shpejti në gjuhën spanjolle, Dritëro Agolli e Rexhep Qosja

Para disa ditësh KultPlus shkroi mbi Jose Carlos Rodrigo Breto, një studiues spanjoll i cili ka shkruar tezën e tij me rreth 1 mijë faqe rreth Kadaresë.

Jose Carlos Rodrigo Breto megjithatë nuk do të ndalet. Në një intervistë për Achtung Mag ai ka treguar se Kadare e ka stimuluar që ai ta eksplorojë më shumë letërsinë shqipe, dhe është njoftuar kësisoj me punët e autorëve të cilët nuk janë të përkthyer në spanjisht dhe në gjuhën kastiliane.

“Autori që në fakt i afrohet më së shumti gjenialitetit të Ismail Kadaresë është Fatos Kongoli. Nga ky autor rekomandoj librin “Jeta në një kuti shkrepësesh”. Për ta kuptuar Shqipërinë moderne duhet lexuar librat e këtij autori” tregon Jose Carlos Rodrigo Breto.
Ai tregon se i pëlqejnë edhe veprat e Bashkim Shehut, Ornela Vorpsit, Mitrush Kutelit, ndërsa thotë se ka autorë shqiptarë të cilët do të duhej të përktheheshin në gjuhën kastiliane, spanjolle.
“Petro Marko, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Esad Mekuli, Helena Kadare, Xhevahir Spahiu, Rexhep Qosja, janë autorë që duhet të përkthehen më shumë, e nëse janë të përkthyer duhet të shpeshtohet kjo lidhje me Shqipërinë me anë të letërsisë. Edhe unë do të angazhohem në përkthime aq sa kam mundësi por edhe letrarët tjerë duhet të veprojnë si unë” tregon më tutje studiuesi spanjoll, ekspert i Kadaresë dhe romaneve të tij. / KultPlus.com

Termokiss merr pjesë në ekspozitën me renome botërore Documenta 14

Qendra e revitalizuar në Prishtinë Termokiss, përveç se po e gjallëron qytetin me aktivitete të ndryshme shoqërore e kulturore, gjithashtu po i jep mundësi të rinjve që jenë pjesë e ngjarjeve të mëdha botërore.

Documenta është një nga ngjarjet artistike më të mëdha në botë, ku artistë të mëdhenj si Pablo Picasso e Wassily Kandinsky i kanë ekspozuar veprat e tyre. Ajo mbahet një herë në pesë vite në Kassel të Gjermanisë, e sivjet plot artistë kosovarë si Sokol Beqiri e Lala Meredith-Vula janë pjesëmarrës, së bashku me punë kuratoriale nga Erzen Shkololli.

Këtyre artistëve tash iu bashkangjitën edhe dhjetë anëtarë të komunitetit Termokiss, të cilët nga 2 deri me 16 gusht do të jenë pjesë e projektit “Title on the spot”, në bashkëpunim me qendra të tjera shoqërore si Toestand (Zvicër), Happy Positiv (Zvicër), Soshenko 33 (Ukrainë) e qendra të tjera të ngjashme në Gjermani.

Ata do ta ndërtojnë një “fshat kolektiv të ideve”, themeli i të cilit bazohet në metodat e përbashkëta të produktivitetit, bashkëpunimit dhe transparencës, e me fokus të veçantë tek “procesi i krijimit”. Produkti final me formë të panjohur, definohet dhe ndriçohet prej punës dhe ideve të përbashkëta të këtij komuniteti të përkohshëm. / KultPlus.com

Interesim i madh për të vizituar këmbanaren e Katedrales Nënë Tereza në kryeqytet

Ekziston një interesim i madh i qytetarëve për të vizituar Katedralen Nënë Tereza në kryeqytet.

Për shkak të kërkesave të njëpasnjëshme të vizitorëve gjatë kohës së verës, për të vizituar katedralen Nënë Tereza në kryeqytet, gjegjësisht këmbanaren, Katedralja ka zgjatur orarin për vizitorë.
Nga sot, e hënë, 24 korrik, gjatë tërë muajit gusht e deri në fillim të shtatorit, orari i vizitave në këmbanare, do të jetë deri në ora 21:00.
Hapja bëhet në ora 08:00 të mëngjesit e zgjatë deri në ora 21:00.
Ky orar vlen për gjitha ditët e javës, përveç të dielave që paradite do të jetë e mbyllur, për shkak të meshës. / KultPlus.com

Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë, akti i solidaritetit me anë të fotografive (FOTO)

Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë konsiderohet si një prej periudhave më të bardha të historisë shqiptare.

Hasmëritë disavjeçare morën fund me një procedurë të tillë ku u desh të përzihej dashuria, dhembshuria, solidariteti dhe mbijetesa.
Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait. Shumë nga ata që falën, thonë se vepruan mirë që e ndërprenë hasmërinë.
Tubimi në Verrat e Llukës do të mbetet si momenti bashkimit më të madh të shqiptarëve të Kosovës.

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.
Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si kral i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar u zgjodh Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun.
Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ia ofroi Anton Çetës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.
Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çetën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin, falshin për hatrin e atdheut.

Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë. / KultPlus.com

Shpallet i hapur Festivali Green 2017 në Mitrovicë

Organizata 7Arte për të shtatën herë me rradhë organizon Festivalin “GREEN”, me çrast përgjatë kësaj jave, në lokacione të ndryshme të Mitrovicës do të organizojë aktivitete të ndryshme social-kulturore.

Festivali GREEN synon të ngrisë vetëdijen dhe të sensibilizojë opinionin kosovar për përkujdesje më të madhe ndaj mjedisit si dhe të krijojë një ambient sa më të relaksuar për të gjithë qytetarët e rajonit.
Agjenda e programit:
Këtij manifestimi kulturor i paraprijnë aktivitete të shumta socialo-kulturore e mjedisore, si:
• Me 23 Korrik 2017, organizata 7Arte dhe GAIA do të ndërmarrin një aksion ambientalist dhe artistik në liqenin artificial të Mitrovicës.
• Nga data 24-27 Korrik do të organizohen katër sallone diskutimi nën temat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
• Po ashtu, në sheshin “Isa Boletini” do të organizohet Panairi i Gjelbër dhe Artezanaleve, ku biznese të vogla e të mesme, organizata e iniciativa familjare nga të gjitha komunitetet nga Mitrovica Veriore dhe Jugore do të promovojnë produktet dhe krijimtarinë e tyre.
• Me 25-27 Korrik, në orët e mbrëmjes në foajenë e Muzeut të Qytetit – Mitrovicë Jugore, për tre net me rradhë do të shfaqen filma artistik, dokumentar dhe animacion, si dhe në lokalin SOHO – Mitrovicë Veriore.
• Nga data 28-30 Korrik, Festivali GREEN do të vazhdojë me performanca muzikore, me ç’rast artistë të zhanreve të ndryshme do të performojë në dy skena, atë në sheshin e qytetit me muzikë nga zhanri hip-hop, rok dhe xhaz, si dhe në skenën tek Liqeni i Ibrit, do të performohet muzikë elektronike nga DJ të ndryshëm nga Kosova. Në këtë hapësirë do të organizohet edhe Kampi i Gjelbër për akomodim i cili do organizohet nga Shoqata e Bjeshkatarëve të Mitrovicës, si dhe do të përbyllet me shfaqje të filmave animacion nën përkujdesjen e partnerëve nga Anibar.
Festivali GREEN realizohet nga “7Arte” dhe LITWO, ndërsa është mbështur nga: GIZ, Programi YES, Zyra e BE-së në Kosovë, Komuna e Mitrovicës, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit, si dhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. / KultPlus.com

Shefikat Narazani, mësuesja që la Turqinë për gjuhën shqipe

Nga Hyqmet Zane

Ajo kalonte kalldrëmeve të rrugicave të qytetit mbuluar me perçe dhe të gjithë kthenin kokën me kureshti: “Është ajo, mësuese Shefikati, po shkon tek shkolla, është shumë e mirë”.

Nuk është rastësi që një grua, edhe pse me perçe, për shkak të rrethanave të kohës, të bëhej një mësuese e nderuar në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Edukimi atdhetar që kishte marrë në familjen e saj mësuesja Shefikat Narazani, bëri që të linte Turqinë, atdheun e saj të dytë dhe të vinte në Shqipëri, në Elbasani e saj të dashur.

Ishin vite obskurantizmi dhe fanatizmi njëkohësisht që diktonin jetën e një vëndi për shkak edhe të rrethanave historike që sundonin në Shqipërinë e coptuar. Falë atij akti madhor të 1 dhjetorit 1909, Elbasani do të hynte në historinë mbarëkombëtare si kryeqyteti i arsimit shqiptar. Atë kohë, kur gjithçka fliste me gjuhën e injorancës, në Elbasan, veç burrave ka patur edhe gra që dinin shkrim e këndim me alfabetin e Stambollit.

Nderim për mësuesen nga Mynevere Zaimi

Duke bashkëbiseduar me mësuesen e nderuar, veterane të arsimit por edhe të luftës, Mynevere Zaimi, ajo jo vetëm që i mban mend ato çaste të rëndësishme në jetën e saj, si dhe të gjithë shqiptarëve, por edhe sot i përjeton mrekullisht me një logjikë të ftohtë ato ndjesi që i lanë mbresa të mëdha. Zysh Myneveri, siç e thërrasin të gjithë në qytet, nuk mund të rri pa përmendur emrat e mësuesve të para shqiptare në Elbasan si Alemshah Dylgjeri, Hajrie Saraçi (Zaimi), Fadile Çeka (Dedej), gruaja e “Mësuesit të popullit” Salih Çeka, Zeqine Krasta, e të tjerë që zhvilluan për hapjen e shkrimit e leximit të gjuhës shqipe përmes mbledhjeve të grave bektashiane, në qytetin që tashmë njihet për nivelin intelektual të bektashizmit shqiptar.

Shefeikati përballë obskurantizmit
Në këto rrethana erdhi dhe punoi edhe Shefikat Narazani, duke u bërë pjesë e këtyre grave naimjane. Shpirtin e bardhë të kësaj mësueseje të bukur në gjithçka, e shqëruan, po aq sa edhe e ndihmuan edhe mësuese të mrekullueshme elbasanase si Prashqevi Gignasi, Urani Kushi, Agni Todri (Papajani), Afërdita Josifi, i nderuari inspektor i arsimit Baki Sinella e të tjerë në ato vite, kur Mbretëria Shqiptare kishte nisur udhën e vet të ndryshimeve.

Mësuese Myneveri, kjo grua shkrimtare dhe e pasionuar në profesionin e mësuesisë, edhe pse në një moshë 82 vjeçare, ndjehet borxhlie para nderimit të mësuesve dhe mësueseve të saj, kur shprehet se “Shefikat Narazani ishte një mësuese e shkollës së grave, njohur me emrin “Ruzhdie”, të ndërtuar nga Abdurrahim Aga Zaimi, që sot fatkeqsisht nuk ekziston më. Ishte guxim i madh që një grua me perçe të zezë t’u jepte mësim në shkollë vajzave elbasanase, duke u ndriçuar botën që do të vinte. Unë, – kujton Myneveri, – isha e vogël 5-6 vjeç dhe në klasën ku unë vajta për të marrë pjesë në mësim si harriçe në buzë të parmakut të dritares e shqetësoja Zonjën mësuese, Shefikat Narazani, duke përsëritur alfabetin dhe duke ja prishur mësimin, por ajo asnjëherë nuk u mërzit me mua. Ajo ishte një engjëll i bukur që ligjëronte fjalët e saj dhe nuk jepte mësim ashtu kot. Në orët e këngës që më jepte mësuese Shefikati, mësova që në atë moshë vargjet e Hymnit të Flamurit, të Lahutës së Malësisë, vargjet e Mjedës e të Shirokës. Pas nënës sime të shtrenjtë që ishte edhe mësuesja ime e parë e letërsisë, vinte Shefikati. Pasioni i saj për gjuhën e bukur shqipe bëri që ta mësonte atë si Fan Noli, sepse u rrit në Turqi dhe, si naimjane që ishte, i vuri vetes detyrën që të përhapte mësimin e gjuhës shqipe te gratë muslimane të Elbasanit, edhe pse duke mbajtur perçe”. Për opinionin elbasanas që e njeh mirë panteonin e vlerave të këtij qyteti, nuk janë të panjohura personalitetet që i dhanë dritë, që e bënë kryeqytet të arsimit dhe të kulturës.

Mësuesja përballë diktaturës
Por ajo që përjetoi Shefikat Narazani është e parrëfyer, kur mendon se pjesa tjetër e jetës së kësaj mësuese pas vitit 1945 u bë një ferr i vërtetë. Gjatë viteve të komunizmit kjo grua u përball dhe u përplas me ashpërsinë e një diktature. Si mësuese që rrezatonte mirësi, ajo shkonte nga një fshat në tjetrin në zonën e Peqinit bashkë me vajzën e saj Eglantina Liçe, duke humbur edhe atë të drejtë njerëzore që duhet të kishte një pensioniste. Mbeti pa pension, duke jetuar me dhëndrin e saj, Nevzat Liçe, që regjimi stalinist e interrnoi për rreth 20 vjet në fshatin Xibrakë të Belshit. Pikërisht kjo grua, mësuesja e nderuar e shkollës së gocave “Ruzhdije”, e shkollës “ Naim Frashëri”, e shkollës Ushtrimore, më të mirave dhe më të arrirave të kohës, u bë viktimë e paditurisë.

Jeta plot dinjitet e një mësueseje
Shefikat Narazani (Sefa) lindi në Elbasan në vitin 1898 në një familje të mesme qytetare dhe intelektuale dhe vdiq më 26 nëntor 1972. Që e vogël kishte dëshirë të mësonte dhe t’u shkollonte. Por në atë kohë shumë pak ishin ato që vazhdonin shkollë dhe aq më tepër një femër me besim musliman. Në moshën 9 vjeç ajo shkoi në Turqi bashkë me nënën dhe vëllain e saj. Atje ndejti 10 vjet, ku edhe iu dha mundësia të vazhdonte shkollën e Stambollit. U kthye në Shqipëri shumë e gëzuar dhe me qëllim që këtë dituri t’ua jepte motrave elbasanase që ishin shumë inteligjente, por edhe fanatike. Në këtë qytet, nën shoqërinë e arsimtareve të qytetit ajo më në fund, me gjithë pengesat e kohës, u emërua mësuese. Për një grua me perçe si Shefikati nuk ishte e lehtë që të arrinte të bindte edhe burrin e saj, Xhaferr Sefa, si një njeri me shkollë që ishte të vinin në Shqipëri dhe ajo të ishte një mësuese e devotshme. Pikërisht kjo cilësi e kësaj mësuese ra në sy të mësuesve me emër në Elbasan si Fadil Gurmani, Hysen Çaushi etj. që e vlerësuan mësuesen e re për thjeshtësinë, për sjelljen dhe dinjitetitn që tregonte. Vlerësim ky që rridhte nga fakti se vetëm Shefikat Narazani ishte muslimania mësuese, ndërsa të tjerat, të gjitha ishin ortodokse si Agnia, Prashqevia, Urania, Alipia, etj, etj.

Autoritetin e një mësuese dinjitoze Shefikati e tregoi edhe në Tiranë në shkollën “Kosova” dhe “Kongresi i Lushnjes”, duke arritur simpatinë e qytetit, duke punuar në shtëpi veçmas me nxënës të varfër që nuk kishin mundësi të vazhdonin shkollën. Edhe kurset kundër analfabetizmit u bënë pjesë e punës së kësaj mësueseje në shkollën e natës. Por Enver Hoxha e internoi Shefikatin, vajzën dhe burrin e saj për 20 vjet rresht. / KultPlus.com

Alfredo Cramerotti: Të jesh kurator për mua është një mënyrë e përkujdesjes së botës

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës – Arta Bunjaku – Agani, ishte ajo që hapi këtë edicion të Ekspozitës dhe Çmimit Ndërkombëtar të Fotografisë ‘Gjon Mili’, duke bërë një prezantim të kuratorit të sivjetmë dhe krijimtarisë së tij në fushën e fotografisë, shkruan KultPlus.

‘Kuratori i eksopozitës së çmimit ‘Gjon Mili’ në të cilin tashmë është përmbyllur konkursi, është Alfredo Cramerotti, cili ka ardhur këtu që të ndajë me ju përvojën e tij si kurator, shkrimtar, publicist, organizator i ngjarjeve të ndryshme, jo vetëm të artit vizual, por edhe të disiplinave të tjera të artit’, ka thënë drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, përcjellë KultPlus.
Bunjaku – Agani, ka treguar edhe për arsyet se pse pikërisht Cramerotti, është përzgjedhur si kurator i edicionit të 15-të të ekspozitës dhe Çmimit Ndërkombëtar të Fotografisë ‘Gjon Mili’ 2017.

“Karriera e tij sillet rreth ndërthurjes së disiplinave të ndryshme të artit. Poashtu një arsye tjetër se pse Alfredo është rekomanduar dhe është përzgjedhur si kurator i ‘Gjon Milit’ të sivjetmë është se ndër të tjera ai është profesor hulumtues në Universitetin e Uellsit, ku ai bën hulumtime për fotografinë dhe ndikimin e erës digjitale në realizimin e fotografisë, çka është edhe tema e ‘Gjon Milit’ të sivjetmë’, ka thënë drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Kuratori Alfredo Cramerotti u shpreh shumë i lumtur që është në Kosovë dhe se është zgjedhur kurator i këtij edicioni.

‘Kjo është hera ime e parë që jam në Prishtinë dhe po më vjen mirë që po takoj njerëz të ri. Jam i lumtur që jam këtu dhe më ka pëlqyer shumë fakti që jam përzgjedhur si kurator i kësaj ekspozite dhe ideja të bëj disa nga veprat e mia bashkë në një vend dhe ti prezantoj përpara jush’, u shpreh kuratori Cramerotti.

Për një orë rresht në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Alfredo Cramerotti, shpalosi punën e tij në fushën e fotografisë, të cilën e kishte ndarë në tetë pjesë, shembuj. Alfredi poashtu tregon se çka do të thotë për të kurimi.

‘Unë i kam bërë gati për prezantim gjithësej tetë shembuj të veprave të mia, shpresoj që të kem arritur të përbledhë në mënyrën e duhur. Për mua kurimi nuk është vetëm një ekzibicion, por është një mënyrë e përkujdesjes së botës’, ka thënë Alfredo Cramerotti.

Krejt në fund kuratori i edicionit të sivjetmë të ekspozitës dhe Çmimit Ndërkombëtar të Fotografisë ‘Gjon Mili’ 2017, tha se ka dëshirë të njohë sa më shumë artistë nga Kosova dhe të krijojë një lidhje me Kosovën.

“Kjo është hera ime e parë në Kosovë edhe pse për një kohë kam qenë Ballkan, kam qenë disa herë në Shqipëri ku kam njohur shumë artistë. Edhe tash që jam në Kosovë kam njohur artistë dhe dua ende të njoh. Të njihem me artistë të rinj është pjesë e punës sime kështu që kudo që shkoj përveç punës, përkujdesem që të njoh sa më shumë artistë të atij vendi, kuratorë, njerëz të institucioneve, artistë nga galeritë komerciale dhe jokomerciale, pra përkujdesem që të krijoj një lidhje me vendin ku unë shkoj për të prezantuar punën time’, ka thënë në fund të prezantimit të tij Cramerotti. /KultPlus.com

Bekim Fehmiu, me gondolë nëpër Venezia (VIDEO)

Një incizim i rrallë e sjellë aktorin shqiptar Bekim Fehmiu në gondolë duke shëtitur nëpër ujërat e Venezias, qytetit të bukur italian.

Dikur Venediku, tash Venezia, e ka pritur mirë Bekim Fehmiun.

Bekimi shëtit nëpër gondolë duke shëtitur para se të futej në Palazzo del Cinema. Videoja është realizuar nga LuceCinecitta, ndërsa atyre ditëve në këtë qytet po mbahej Mostra internazionale di musica leggera – një organizim muzikor që u mbajt deri në vitin 1981. / KultPlus.com
http://www.dailymotion.com/video/x16vmlo

Linkin Park për vdekjen e Benningtonit: Do të na mungosh shumë

Grupi i famshëm amerikan, Linkin Park, ka lëshuar një njoftim për herë të parë që nga vdekja e liderit të grupit Chester Bennington javën e shkuar.

Bennington bëri vetëvrasje të enjten në moshën 41-vjeçare.

Bendi, që ka qenë në turne, dhe që dy javë më parë mbante koncerte në Britani të Madhe ka shkruar se më kurrë asnjëri prej anëtarëve nuk do të ketë jetën e plotë, pa Chesterin.

“Ke prekur shumë jetë, ndoshta edhe më shumë se që e ke paramenduar. Në ditët e fundit, kemi parë shumë dashuri dhe përkrahje, publike dhe private nga e gjithë bota. Talinda dhe familja e vlerësojnë këtë dhe duan që bota të dijë se ishe burri më i mirë, djali dhe babai. Familja nuk do të jetë kurrë më e plotë pa ty”, thuhet në njoftim.

“Mungesa jote lë hapësirë që nuk do të përmbushet kurrë – zëri i egër, ambicioz, kreativ, i llojllojshëm në dhomë do të na mungojë. Po përpiqemi t’ia kujtojmë vetes se të morën djajtë nga ne si pjesë të marrëveshjes. Dashuria për të bërë dhe performuar muzikë nuk mund të shuhet. Teksa nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e ardhmja, e dimë se jetët tona ishin më të mira falë teje. Faleminderit për dhuratën. Të duam dhe do të na mungosh shumë”, thuhet më tej në letrën e grupit.

Pjesa e mbetur e turit të Linkin Park është anuluar.

Grupi tani përbëhet nga Mike Shinoda, Brad Delson, Joe Hahn, Dave Farrell dhe Rob Bourdon. Linkin Park kishte bërë bujë në vitin 2000 me albumin “Hybrid Theory”. / KultPlus.com

Libri ‘Mallkimi i priftërshave të Ilirisë’ i Mira Meksit botohet në italisht

Sapo ka dalë në qarkullim në libraritë italiane, mes të cilave La Feltrinelli, romani i Mira Meksit Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë me titullin La maledizione delle sacerdotesse d’Illiria përkthyer nga shqipja në italisht nga përkthyesit Shpëtim Doda dhe Valentina Notaro. Romani është botuar nga Salento Books, në kolanën Nadir-Besa, dhe shoqërohet nga pasthënia e autores.

Në kopertinën e romanit shkruhet: “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është një roman i parezistueshëm historik, në të cilin historia, legjenda dhe miti bashkohen për t’i dhënë zë njërës prej periudhave më pak të dokumentuara historikisht…”.

Ndërsa për autoren shkruhet: “Mira Meksi, shkrimtare dhe përkthyese shqiptare, përfaqëson një nga zërat më të rëndësishëm dhe më të fuqishëm në panoramën letrare të periudhës pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës”.

Romani Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë u botua për herë të parë në shqip nga Botimet Toena në vitin 2014, ku në edicionin e 17-të të Panairit të Librit në Tiranë, njohu rekord shitjesh. Lexuesi i këtij romani të rrallë historik u rrit edhe më shumë pas ribotimit të tij të ripunuar nga autorja në vitin 2015 sërish nga Botimet Toena. Në vitin 2015 romani u nderua me çmimin Rexhai Surroi të Kosovës për letërsinë, si romani më i mirë i shkruar në gjuhën shqipe, botuar në vitin 2014. Në ceremoninë e marrjes së këtij çmimi në Prishtinë, Mira Meksi u shpreh ndër të tjera:

“… Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, roman mbi Ilirinë dhe mbretëreshën e saj Teutën, simbol dhe shenjë identitare për ne shqiptarët, është ndërtuar dhe shkruar në çdo kaptinë, në çdo syth dhe në çdo fjalë të tij nën udhëheqjen e dy parimeve: së pari, nën udhëheqjen e nevojës për një rizgjim dhe përforcim të kujtesës dhe ndërgjegjes historike kombëtare, aq i domosdoshëm në kohët e globalizmit, që sa vjen dhe po njeh një shtrirje me ritme galopante; së dyti, nga parimi se historia nuk përfshin në vetvete vetëm një repertor ngjarjesh dhe jetimesh, por edhe një repertor përjetimesh – përjetimet gjatë ngjarjeve dhe përjetimet pas ngjarjeve, me bindjen e palëkundur se pikërisht këto përjetime janë tërë ajo çka formëson ajthin e kujtesës dhe ndërgjegjes historike të një populli”. / KultPlus.com

Duke lexuar librin e Roland Spahiut “Gjenocidi i Hirtë”- Aforizma për një shoqëri që synojmë

Aforizmat janë një lloj sinteze, esencë që del pas sitjes së të menduarit, shoshitjes së fakteve, për dhe kundër, që e pason leximin, studimin, reflektimin. Roland Spahiu është i preokupuar shumë , mendon dhe shoshit nëpërmjet kundrimit kritik të fenomeneve nga më të ndryshmet që përthekojnë realitetin dhe botën shpirtërore . Ky krijim nëpërmjet të të menduarit kritik siç thotë ai në fillim të librit ka për qëllim “ të shërbejë për tejkalimin e tymnajës së moskuptimit … e për “arritjen e së mirës “. Autori pranon ekzistimin e “së keqes ‘’ , ajo pranohet si fakt që e shqetëson atë , po Rolandi synon që t`i kundërvihet të keqes me vlerat e së mirës. Pra autori i kundërvihet së “keqes” me fuqinë e mendimit kritik që promovon të mirën dhe energjinë pozitive. Ai këtë e bën me “Aforizmet” e tij të titulluara “ Gjenocidi i hirtë“. Për një të ri që ka përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm studimet në ekonomi, këtu në Riinvest, që një ditë, në fillimet e studimeve të tij, në vitin e parë të studimeve, erdhi në zyrën time dhe më prezantoi një lakore që shprehte ndërvarësinë midis dijes dhe zhvillimit, një sintezë dhe abstraksion interesant , që nuk mund të them se nuk me befasoi, duke me lënë disi pa tekst, sepse nuk dija se si ta marrë .

Në dukje të parë mund të merrej edhe si improvizim po edhe si mendim tejet i thellë. Tash pas këtij libri ndoshta mund ta kuptoj më mirë atë përqasje. Në njërën nga aforizmat e tij Rolandi thotë “ Universitetet e kohës duhet të japin dituri për të qenë në kërkim të ideve, ndërsa duhet të jenë në kërkim të ideve për të dhënë dituri”! ose “ Nëqoftse nuk mendoni, jeni të rrezikuar që të tjerët të mendojnë në vend tuajin, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Dhe kjo është një nga varfëritë më kolosale njerëzore.”… “ Nëse mësojmë si të mendojmë , mësojmë edhe si të jetojmë“ …”Çështja e diturisë është ta mbajë njerëzimin gjallë‘… ‘ Shkenca nuk duhet të flasë më tepër se sa që di”… “Liroje veten për të kuptuar se kush je, por duke e liruar mos e shfreno veten sepse atëherë kupton kush nuk je” ; “Injoranca është gjenocid i bardhë“ dhe të përmbyll këto citime të aforizmave me diçka për çfarë duhet të mendojmë ne që dalim para studentëve : “Mësimdhënës : edukoni me mendje . Nëse nuk mjafton edukimi me mendje, edukoni me shpirt. Nëse nuk mjafton edukoni me zemër. Nëse nuk mjafton, edukoni me vepra . Nëse nuk mjafton as kjo dhe ju nuk brengoseni thellë , distancohuni nga mësimdhënia”!

Këto mendime të Rolandit i zgjodha për t`i cituar këtu para jush sepse janë të drejtpërdrejta, sepse ma shpjegojnë tani lakoren që ma solli në zyrë atë ditë të hershme dimri me diell, duke i përzgjedhur midis shumë të tjerave që të bëjnë të medosh thellë për mendimin depërtues dhe reflektues të Roland Spahiut. Shumë mendime të tjera meritojnë të lexohen ngadalë për tu thelluar në to dhe gjetur porosinë e tyre, me të cilat porosi Rolandi dëshiron t`i bëjë njerëzit “qenie njerëzore“ misioni i të cilave duhet të jetë që këtë botë ta bëjnë një botë më të mirë. Themeluesi i “Kibernetikës’, Norbert Wiener ( 1948), që me librin e tij “ Cybernetics, or control and communication in the animals and machine” kishte revolucinarizur qasjen e mendimit njerëzor duke u shndërruar në një nxitës të zhvillimeve të reja në shkencë e teknologji, që sollën tek përdorimi sintetik i gjithë asaj që kishte arritur mendimi njerëzor deri atëherë. Kjo prodhoi një sinergji mahnitëse e cila në vitet pasuese solli kompjuterët, teknologjitë telekomunikuese dhe inteligjencën artificiale, dhe duke e promovuar dijen dhe informatën si faktor shumë më të rëndësishëm zhvillimi se sa materien e energjinë. Kjo rëndësi e informatës për feeback e komunikim (veprim kthyes, informatë kthyese mbi rezultatet e sistemit me qëllim të mësuarjes dhe përsosjes së funksionimit të sistemeve) ishte edhe një nga idetë nisëse të kësaj shkence atëherë të re. Wiener kishte promovuar idenë se arritjet e mendimit njerëzor kanë ardhë në një stad kur mund të sajojnë sisteme (teknike, sisteme organizative e edhe sociale) duke përdorë analogjinë e qenieve të gjalla, pra duke mësuar nga parritshmëria e Krijuesit Absolut, që përdorin mekanizmin e përsosur kontrollues e rregullues qe ne e njohim sot si “feed back”.

Por në vitet e mëvonshme , diku në vitet 60’ të shekullit të kaluar Wiener në librin e tij “Kibernetika dhe shoqëria “ ( 1964), kishte filluar të brengosej , për pasojat edhe sociale e edhe etike se ku mund ta shpijnë njerëzimin këto zhvillime nëse keqpërdoren nga njerëzit që nuk i dinë kufijtë e vet, ndaj ai po pledonte me një kërkesë : “ Human use of human beings”, pra për diçka si përdorimi i njerëzishëm i mendjes njerëzore. Ndërsa Rolandi diku në librin e tij tërheq vërejtjen se “ Vrasjen nuk e bëri të lehtë teknologjia, por injoranca” dhe pastaj edhe ai preokupohet me këtë rrezik dhe thotë “ Në këtë shekull do të kodohemi ashtu apo kështu. Çfarë ju mbetet të bëni është kodet t`i bëni më relative kushtimisht dhe, të zgjidhni ato më të përshtatshmet për natyrën e njeriut”… dhe pastaj “Njerëzit në vend të njeri- tjetrit duhet të vrasin egon e tyre”…

Këto kohet e fundit , thuaja ne secilin takim që kemi pasë bashkë Rolandin më ka thënë një brengë të tij të madhe : Tek ne lexohet pak, sidomos te rinjtë lexojnë pak…Dhe këtë, vlerën e leximit e pasqyrojnë edhe “aforizmet e tij”, dhe jo vetëm leximi por, mendimi kritik, nxjerrja e më të mirës nga leximi, kuptimi i të lexuarit , që tek ne po pasqyrohet me dobësi deri në dhembje e kjo buron nga degradimi i nivelit të shkollimit tek ne, ( PISA 2016). Ai thotë se “ Leximi është një prekje e ditur!” dhe pak më vonë sajon edhe vargjet “ Lexo i thashë; I mbylli sytë dhe lexoi, kur i mbylli sytë , me tha Leximi ka shumë mënyra”! Le të na frymëzojë edhe ky libër e një Alumni tonë, Roland Spahiut ‘ që këtu në Riinvest ta promovojnë dashurinë ndaj leximit, të mësojmë se si të lexojmë dhe nga leximi se si të mësojmë nëpërmjet mendimit kritik.
Dhe diçka që duhet të shohim si një rrugë për përmirësimin e situatës tek ne, që del nga mendimi kritik, pas të cilit duhet domosdo të pasojë angazhimi civil, për ta bërë shoqërinë më të mirë sepse, Rolandi e thotë edhe këtë në librin e tij : “Politikanët i lazdruam më tepër se sa fëmijët!”! Faleminderit Roland për këto mendime të mrekullueshme , te prezantuara në një libër jo të zakonshëm por shumë të nevojshëm për shoqërinë tonë. /KultPlus.com