E kundërshtuan komunizmin, gjashtë vajzat nga Mirdita u vranë për këto arsye

Me mijëra shqiptarë u ekzekutuan nga sistemi i egër i komunizmit për faktin se dolën kundër diktaturës.
Ky regjim, nuk kurseu as femrat, ku të shumta janë ato gra dhe vajza që u vranë apo torturuan barbarisht për një veprim që për regjimin e egër ishte i papranueshëm.

Janë 6 femra nga Mirdita që kanë lënë gjurmë pasi u vranë nga komunizmit. Faji i tyre ishte sepse nuk donin komunizmin.

Marie Tuçi

Prejardhja e saj ishte nga dera e Gjomarkajve, Kapedanë të Mirditës. Ajo u lind në vitin 1928 dhe e vetmja si femër arrestohet në reprezaljet e vitit 1949.
Ishte e shkolluar në shkollat e Motrave Stigmatine në Shkodër, ka punuar si mësuese në Fan. Torturohet nga hetuesit xhelatë dhe prej mundimeve vdes në hetuesi në vitin 1950, e futur në një thes me një mace të egër.

Bardhe Cub Marku

Ajo lindi në Kaçinar të Mirditës në vitin 1927. Studioi në shkollën e Motrave Stigmatine në Shkodër. Vdiq nga torturat e shumta në burgun e Shkodrës në vitin 1947.

Liza Moli
Lindi në Kaçinarë, Mirditë po aty mori mësimet e para. Sigurimi i Shtetit i rrethuan shtëpinë. Për të shpëtuar miqtë që kishte në banesë, ajo me një pistoletë në dorë u hapi rrugën dhe i shpëtoi që të iknin.
Ajo u vra në moshën 20-vjeçare bashkë me babin e saj nga komunizmi. Më pas i dogjën edhe shtëpinë.

Bardhe Bushkola
Ajo lindi në Selitë të Mirditës. Për të mbrojtur jetën e vëllait të saj del para grykave të armëve të forcave të ndjekjes dhe vdes nga plumbat.
Ishte vetëm 16 vjeçe kur e mbylli jetën e saj të re me një akt heroik të dashurisë së motrës për vëllain.

Gjela Llesh Biba
Ishte nëna e tre fëmijëve që për të shpëtuar dhe nderin e shtëpisë, vritet me gjithë bashkëshortin nga Sigurimsat në Bukmirë, Mirditë në vitin 1947.

Dila Karaçi
Ajo lindi në Orosh të Mirditës dhe u martua në Thirrë të Fanit. Kur i kërkuan që të dilte vullnetare për të punuar në hekurudhë, ajo kundërshtoi.
Pas shumë kërcënimeve, familja e saj pranoi të largohet, por ajo tha se do të vetëvritet.
Të nesërmen kur shkuan për ta marrë për në aksion, e gjetën të varur në një pemë në oborrin e shtëpisë. Ishte vetëm 22-vjeçe. / KultPlus.com

‘Anibar’ me program të fuqishëm vazhdoi edhe ditën e katërt të tij

Në Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit ‘Anibar’, i cili aktivitetet e tij është duke i shtrirë në disa lokacione të ndryshme, dita aty fillon me katër workshopa ku punimet kanë filluar t’i marrin format e tyre përfundimtare, përcjellë KultPlus.

E mbas workshopave në orën 12:00 Tomas Volda në korridorin e kino “Jusuf Gërvalla” bëri një performacë artistike me një kukull e cila vizatonte njerëzit të cilët kalonin aty.

Në të njëjtën kohë në Kino u shfaq programi special: New Talents Visegrad kurse në teatrin ‘Istref Begolli’ u mbajt programi Kids3.

Në galerinë e arteve në Pejë, Maros Brojo mbajti ligjërata për jurinë e studentëve me temë vlerësimin e filmave të animuar.

Coffee and Talks këtë herë mirëpriti Lora D’Addazio drejtoreshë e “Juliette” film i cili u shfaq në Kino Liqenin në orën 20:30 një ditë përpara.

Më pas dita vazhdoi me “Grandel, Grandel, Grandel” nga Malcolm Turner një film i metrazhit të gjatë i cili u shfaq në orën 14:00 në kino ‘Jusuf Gervalla’. Ndërkohë në Galerinë e Arteve vazhduan leksionet për historinë e animacionit të Evropës Lindore nga Olga dhe Michal Bobroëski. Në orën 16:00 në Teatrin ‘Istref Begolli’ vazhdoi programi Teen2 kurse në Kino ‘Jusuf Gervalla’ u shfaq një program special: Best of fest Anca.

Ndërsa në orën 18:00 u mbajt Paneli i dytë i këtij edicioni me temën: Reclaim the City!, në Galerinë e arteve në Pejë, me Panelistët: Njomza Dragusha (Termokiss), Lulzim Hoti (7Arte), Malbora Krajku (Lumbardhi). Në orën 20:30 Student Program 2 u shfaq te Kino Liqenin kurse te Kino Kubat në ora 22:00 u mbajt International Program 3. Në Anibar Parties performuan Treesome dhe Dj Learta Lila.

Gjithashtu ditën e katërt ministrja e kulturës Vlora Dumoshi, së bashku me kryetarin e komunës së Pejës Gzmend Muhaxheri vizituan ekspozitën e Georges Schwizgebel në Galerinë e arteve të Pejës. / KultPlus.com

Ministrja Vlora Dumoshi mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit ‘Anibar’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, vizitoi ekspozitën e Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit “Anibar” në Galerinë e Arteve në Pejë, me ç’rast ajo u prit nga drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja dhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Po ashtu, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi vizitoi edhe Kinemanë “Jusuf Gërvalla” dhe nga organizatorët e Festivalit u njoftua në lidhje me punën e tyre rreth Festivalit.

Ministrja Dumoshi u shpreh e kënaqur me entuziazmin e të rinjve kreativ, dhe u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të ndihmojë jetën kulturore të Kosovës duke krijuar kushte më të mira dhe duke e subvencionuar atë.

Ndërsa drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja e falënderoi ministren për vizitën dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Luis Fons emërohet ambasador i turizmit falë ‘Despacito’

Luis Fons, këngëtari i “Despacito”, është emëruar si ambasadori i turizmit në Puerto Rico.

39-vjeçari, i cili ka lindur në kryeqytetin e këtij vendi, shkroi këngën në bashkëpunim me reperin Daddy Yankee. Ky projekt muzikor ka kryesuar klasifikimet muzikore në 45 vende, ndërsa një “remix” i këngës me Justin Bieber u shndërrua në këngën e parë në gjuhën spanjolle, që mbizotëroi klasifikimin e “Billboard Hot 100”.

Pas këtij suksesi të madh, guvernatori i Puerto Ricos, Ricardo Rossello ka dhënë lajmin se Fonsi do të punojnë në kompaninë e turizmit për të promovuar vendin. Puerto Rico ka pasur një shpërthim të turizmit këtë vit, falë kësaj kënge. / KultPlus.com

Blerim Grubi me koncert në festivalin ‘Vera e Ohrit’

Festivali “Vera e Ohrit”, i cili këtë vit po zhvillon edicionin e tij të 57-të me radhë, dëshmon se ekzistenca e tij përgjatë gjithë këtyre viteve vjen falë vlera që prezanton dhe traditës së madhe, shkruan KultPlus.

Ohri, qyteti antik me liqenin magjik blu, një qytet me një histori kulturore të shënuar me vlerat e qytetërimit të lashtë, edhe në këtë edicion të festivalit ka mirëpritur artistë të mëdhenj vendor e ndërkombëtarë të cilët me performancat e tyre po mahnitin publikun.

Pjesë e këtij festivali prestigjioz ndërkombëtarë, ku kanë luajtur emra të mëdhenj të jetës muzikore, do të jetë edhe violisti shqiptar Blerim Grubi i cili në këtë koncert do të performojë bashkë me pianisten Marija Vrskova.

Dy instrumentistët do të prezantohen në këtë koncert me vepra të kompozitorëve romantik si F.Schubert dhe R.Shumann.

Koncerti do të mbahet më datë 19 gusht, në ora 20:30 në katedralen “Shën Sofia” në Maqedoni.

Koncerti do të transmetohet live nga organizatori i festivalit në Facebook, live stream në faqen e Ohrid Summer festival, në ora 20:30. / KultPlus.com

Justin Bieber publikon këngën e re ‘Friends’ (VIDEO)

Justin Bieber ka publikuar projektin e tij më të ri. Kënga titullohet “Friends” dhe tashmë është pritur mirë nga adhuruesit e këngëtarit në mbarë botën.

Menjëherë pas publikimit kënga është listuar lart në iTunes, ajo tashmë është kënga e dytë më e preferuar, pas këngës ‘Despacito’. / KultPlus.com

Fjalimi i mrekullueshëm i Albert Kamy në ceremoninë e pranimit të Çmimit Nobel

Fjalimi i Albert Kamy gjatë pranimit të Çmimit Nobel në godinën e Bashkisë në Stokholm më 10 dhjetor 1957, ishte thjeshtë i mrekullueshëm.

Me këtë nderim me të cilin Akademia juaj më ka nderuar me aq bujari, mirënjohja ime ka qenë e thellë, veçanërisht kur marr parasysh shkallën me të cilën ky shpërblim ka tejkaluar meritat e mia personale.
Çdo njeri, dhe për arsyet më të forta, çdo artist, dëshiron që të njihet. Kështu edhe unë. Por nuk kam qenë në gjendje të mësoj vendimin tuaj pa e krahasuar me jehonën e asaj çfarë jam në të vërtetë.

Një burrë i ri, i pasur vetëm me dyshimet e tij dhe punën akoma në progres, i mësuar me të jetuarit në vetminë e punës apo në tërheqjet e miqësisë: si mund të mos e ndjejë ai një lloj paniku kur dëgjon dekretin që e transporton atë papritmas, vetëm dhe i reduktuar në vetvete, drejt qendrës së një drite të ndezur?

Dhe me çfarë ndjenjash do ta pranonte ai këtë nder në një kohë kur shkrimtarë të tjerë në Evropë, ndër ta më të mëdhenjtë, dënohen në heshtje, dhe madje në një kohë kur vendi i lindjes së tij po përjeton një mjerim të pafundmë?

E ndjeva shokim dhe tronditje të brendshme. Me qëllim që të rifitoja paqen që kam pasur, shkurt, për t’u marrë me një pasuri shumë bujare.

Dhe meqë nuk mund të jetoj në të thjesht duke qëndruar në peshën e arritjes sime, nuk kam gjetur asgjë që të më mbështesë, por atë që më ka mbështetur gjatë gjithë jetës sime, madje në rrethanat më të kundërta: ideja që kam unë për artin tim dhe rolin e shkrimtarit.

Me lini vetëm që t’ju them, me një frymë mirënjohjeje dhe miqësie, sa më thjeshtë të mundem, se cila është ideja e kësaj.

Për veten time, unë nuk mund të jetoj pa artin tim. Por nuk e kam vënë kurrë sipër gjithçkaje ,nëse, nga ana tjetër, kam nevojë për të, është sepse ai nuk mund të ndahet nga vetja ime, dhe më lejon të jetoj, kështu siç jam, në të njëjtin nivel.

Është një mjet që nxit numrin më të madh të njerëzve duke u ofruar atyre një foto të privilegjuar të kënaqësive dhe vuajtjeve të zakonshme.

E detyron artistin që ta mbledhë veten; e nënshtron atë me të vërtetën më të përulur dhe universale. Dhe shpesh ai që ka zgjedhur fatin e artistit sepse e ndjeu se ishte ndryshe shpejt kupton se ai nuk mundet të mbajë as artin dhe as diferencën e tij vetëm nëse e pranon se është si të tjerët.

Artisti e fton veten tek të tjerët, në mes të bukurisë të cilën nuk mundet që ta arrijë pa to, ai nuk mundet ta largojë veten prej tyre. Kjo është arsyeja pse artistët e vërtetë nuk gënjejnë asgjë: janë të detyruar të kuptojnë në vend që të gjykojnë.

Dhe nëse duhet të mbajnë anë në këtë botë, ata mbase mund të mbajnë anë vetëm nga shoqëria në të cilën, sipas fjalëve të mëdha të Nietzsches, jo gjykuesi por krijuesi do të udhëheqë, sido që të jetë, një punëtor apo intelektual.

Në të njëjtën mënyrë, roli i shkrimtarit nuk është i lirë nga detyrat e vështira. Me përkufizim ai nuk mundet ta vendose veten sot në shërbim të atyre që bëjnë histori; ai është në shërbim të atyre që e vuajnë atë. Përndryshe, ai do të jetë i vetëm dhe i veçuar nga arti i tij. Jo të gjitha ushtritë e tiranisë me milionat e ushtarëve do ta lirojnë atë nga izolimi, madje dhe veçanërisht nëse ai bie në hap me ta.

Por qetësia e një të burgosuri të panjohur, i braktisur për poshtërime nga ana tjetër e botës, mjafton për ta nxjerrë shkrimtarin nga burgu i tij, së paku kurdo, në mes të privilegjeve të lirisë, ai ia del jo që ajo qetësi të mos harrohet, dhe ta transmetojë atë me qëllim që t’i japë frymë nëpërmjet veprave të artit të tij.

Askush prej nesh nuk është aq i përsosur për një detyrë të tillë. Por në të gjitha rrethanat e jetës, në errësirë apo famë të përkohshme, i hedhur në pranga të tiranisë apo për një kohë i lirë për t’u shprehur, shkrimtari mundet të fitojë zemrat e komunitetit të gjallë të cilat do ta justifikojnë atë, me kushtin e vetëm që ai do të pranojë deri në skaje të aftësisë së tij dy detyrat që përbëjnë madhështinë e artizanatit të tij: shërbimi ndaj të vërtetës dhe shërbimi ndaj lirisë.

Sepse detyra e tij është të bashkojë numrin e madh të mundshëm të njerëzve, arti i tij nuk duhet të komprometojë me gënjeshtra dhe servilizëm të cilat, kurdo që të zotërojnë, edukojnë vetminë.
Sidoqë të jetë dobësia jonë personale, fisnikëria e punës sonë gjithmonë do të rrënjoset në dy angazhime, të vështira për t’u përballuar: refuzimi për të gënjyer për diçka që di dikush dhe rezistenca ndaj presioni.

Për më shumë se 20 vite të një historie të çmendur, i humbur pa shpresë sikur të gjithë njerëzit e brezit tim në grindjet e kohës, jam mbështetur nga një gjë: nga ndjenja e fshehur se të shkruash sot ishte një nder sepse ky aktivitet ishte një përkushtim – dhe një përkushtim jo vetëm për të shkruar.
Specifikisht, në pamje të fuqive të mia dhe gjendjes së qenies time, ishte një angazhim për t’u mbajtur, bashkë me të gjithë ata që po përjetonin të njëjtën histori, mizorinë dhe shpresën që ndanim.
Këta njerëz, që lindën në fillimin e viteve të Luftës së Parë Botërore, të cilët ishin njëzetë kur Hitleri erdhi në fuqi dhe gjyqet e para revolucionare po fillonin, të cilët atëherë u ballafaquan me përfundimin e arsimimit të tyre me Luftën Civile Spanjolle, Luftën e Dytë Botërore, botën e kampeve të përqendruara, një Evropë torturash dhe burgjesh – këta njerëz duhet të mbajnë sot djemtë e tyre dhe të krijonin veprat e tyre në një botë të kërcënuar nga shkatërrimet nukleare.

Askush, mendoj, nuk mund t’u kërkojë që të jenë optimistë. Dhe madje mendoj se duhet të kuptojmë – pa pushuar së luftuari- gabimin e atyre të cilët në një teprim të dëshpëruar kanë pohuar të drejtën e tyre për të çnderuar dhe kanë nxituar në një epokë nihiliste. Por fakti mbetet se shumica prej nesh, në vendin tim dhe në Evropë, e kanë refuzuar nihilizmin dhe kanë marrë pjesë në një kërkim për legjitimitet.

Ata duhej të krijonin për veten e tyre një art të të jetuarit në kohët e një katastrofe me qëllim që të lindin për herë të dytë dhe të luftojnë hapur kundër instinktit të vdekjes në punë dhe në historinë tonë.

Ndjenjat dyfishe të secilit brez kërkuan që të reformojnë botën. E imja e di që nuk do ta reformojë, por puna e saj mund të jetë edhe më e madhe. Ajo konsiston në parandalimin e shkatërrimit të botës nga vetë ajo.

Trashëgimtar i një historie të korruptuar, në të cilën janë përzier revolucionet e rëna, teknologjia e çmendur, perënditë e vdekura dhe teknologjitë e konsumuara, ku fuqitë mediokër që mund të shkatërrojnë të gjithën ende nuk dinë si ta bindin, ku inteligjenca është përulur të bëhet shërbëtor i urrejtjes dhe shtypjes, kësaj gjenerate duke filluar nga mohimet e veta, i është dashur të ristabilizojë, brenda dhe jashtë, pak nga ajo e cila përbën dinjitetin e jetës dhe vdekjes.

Në një botë të kërcënuar nga shpërbërja, në të cilën hetuesit tanë të mëdhenj rrezikojnë të krijojnë përgjithmonë mbretërinë e vdekjes, në një racë të çmendur kundër orës, sigurojnë ndër kombe një paqe e cila nuk është skllavëruese, ripajtohen ndaj punës dhe kulturës së re, dhe të ribëjnë me të gjithë njerëzimin Arkën e Besëlidhjes.

Nuk është e sigurt se ky brez do të jetë gjithmonë në gjendje të përmbushë këtë detyrë të pamasë, por tashmë ai po rritet në çdo vend të botës për të dyfishuar sfidën e të vërtetës, lirisë dhe, nëse është e nevojshme, e di se si të vdesë për të, pa urrejtje. Kurdo që të gjendet, meriton të përshëndetet dhe të inkurajohen, veçanërisht aty ku po sakrifikon vetveten.

Në çdo event, disa nga miratimi juaj i plotë, është ndaj këtij brezi të cilin duhet të dua ta pasoj me nderin të cilin ju sapo ma dhatë.

Në të njëjtën kohë, pasi të përvijohet fisnikëria dhe artizanati i shkrimtarit, duhet t’i jap vendin e duhur. Ai nuk ka pretendime të tjera përveç atyre të cilat ndan me shokët e tij në ushtri: të pambrojtur, por kokëfortë, të padrejtë, por të pasionuar për drejtësi, duke bërë punën e tij pa turp apo krenari për të gjithë, duke mos dashur për t’u ndarë ndërmjet dhimbjes dhe së bukurës, dhe së fundmi të përkushtuar për të nxjerrë nga ekzistenca e tij e dyfishtë krijimet që ai përpiqet tmerrësisht t’i ngrejë në lëvizjen shkatërruese të historisë. Kush mbi të gjitha këto mund të presë nga ai zgjidhje konkrete dhe morale të larta?

E vërteta është e mistershme, e pakapshme, gjithmonë për t’u pushtuar.

Liria është e rrezikshme, aq e vështirë për të jetuar me të ashtu siç është ajo e gëzuar. Ne duhet të marshojmë drejt këtyre qëllimeve, me dhimbje por me vendosmëri, e sigurt përpara dështimeve tona për një rrugë kaq të gjatë.

Çfarë shkrimtari do të dëshironte që tani e tutje, me ndërgjegje të mirë, të guxonte të ngrinte veten si një predikues i virtytit? Për veten time, duhet të theksoj edhe një herë se unë nuk jam nga ky lloj. Nuk kam qenë kurrë i aftë që të braktis dritën, kënaqësinë e qenies, dhe lirinë në të cilën jam rritur.
Por edhe pse kjo nostalgji shpreh shumë nga gabimet dhe fajet e mija, padyshim më ka ndihmuar në të kuptuarit më mirë të punës sime. Akoma po më ndihmon për të mbështetur pa e vënë në dyshim të gjithë ato njerëz të heshtur të cilët e durojnë jetën e krijuar për ta në botë vetëm nëpërmjet kujtesës se rikthimit dhe lumturisë falas.

Kështu i reduktuar në atë që unë jam vërtetë, ndaj kufizimeve dhe borxheve dhe po ashtu ndaj besimit tim, ndihem më i lirë, në përfundim, për të komentuar shkallën dhe bujarinë e nderit që më keni dhënë, më i lirë gjithashtu që t’ju them se do ta pranoj atë si një homazh për të gjithë ata të cilët, duke ndarë të njëjtën luftë, nuk kanë marrë asnjë privilegj, por në të kundërt e kanë njohur mjerimin dhe përndjekjen.

Më mbetet që t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime dhe ta bëj para jush publike, si një shenjë personale të mirënjohjes sime, premtimin e njëjtë dhe të lashtë të besnikërisë të cilin çdo artist i vërtetë ia përsërit vetes në heshtje çdo ditë.

Para fjalimit, B. Karlgren, anëtar i Akademisë Mbretërore të Shkencave, iu drejtua shkrimtarit francez:

Z. Kamy…

– Si student i historisë dhe i letërsisë, unë ju drejtohem juve fillimisht. Unë nuk kam ambicien dhe guximin për të shqiptuar gjykim mbi karakterin apo rëndësinë e punës suaj – kritikë më kompetent se unë kanë hedhur dritë të mjaftueshme mbi të. Por më lejoni t’ju siguroj që ne marrim kënaqësi të thellë nga faktin se po dëshmojmë dhënien e nëntë të një çmimi Nobel në Letërsi për një Francez.

Veçanërisht në kohën tonë, me tendencën e saj për të drejtuar vëmendje intelektuale, admirim dhe imitim ndaj atyre kombeve që kanë –nga virtyti i burimeve të tyre materiale të panumërta – të bëhet protagoniste, megjithatë, mbetet në Suedi dhe gjetkë, një elitë mjaft e madhe që nuk fal, por gjithnjë është e ndërgjegjshme për faktin se në kulturën perëndimore fryma franceze për shekuj ka luajtur një rol mbizotërues dhe kryesues dhe vazhdon ta bëjë këtë.

Në shkrimet tuaja ne gjejmë në një shkallë të lartë manifestimin e qartësisë dhe dritës, depërtimit dhe hollësisë, artit të paimitueshëm të pandarë në gjuhën tuaj letrare, të cilën secili prej nesh e admiron dhe dëshiron ngrohtësisht. Ne ju përshëndesim si një përfaqësues i vërtetë i atij frymëzimi të mrekullueshëm francez. »

Marrë nga Leksionet e Nobelit, Letërsi 1901-1967, redaktor Horst Frenz, Kombania Botuese Elsivier, Amsterdam, 1969. /KultPlus.com

Kësaj radhe ‘DiasporaFlet n’Prishtinë’

‘DiasporaFlet nëpër Kosovë’ vjen me takimin përmbyllës për këtë edicion i cili do të mbahet në Prishtinë e ku do të diskutohet rreth mundësive të bashkëpunimit në mes të profesionistëve të diasporës dhe të rinjëve në vendin tonë, përcjellë KultPlus.

Më datë 18 gusht, në orën 18:00 në lokalin MIQT Pub do të mbahet takimi “DiasporaFlet n’Prishtinë”, me folësit e ftuar: Aneta Mihali Xhiku dhe Mikra Krasniqi, të cilët do të ndajnë me ju përvojën e tyre dhe do të diskutojnë rreth përfshirjes së diasporës në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.

Që nga emigrimi me familje në SHBA, para dy dekadave, Aneta Mihali Xhiku ka punuar në arsim si mësuese shkencash, në fushën ligjore si menaxhere e të drejtës intelektuale, si dhe u angazhua me Departamentin e Shtetit Amerikan si dhe kontribuoi në agjenci të ndryshme si përkthyese e gjuhës shqipe. Në viti 2005, ajo bashkëthemeloi dhe drejtoi shkollën e parë shqipe “Mësonjëtorja” në zonën e Washington DC dhe qysh atëherë ka organizuar aktivitete të shumta me komunitetin shqiptar në Amerikë. E sapokthyer në atdhe, Aneta ka nisur të punoj në Shqipëri e Kosovë me projekte zhvillimi. Gjithashtu, ajo u angazhua edhe në fushën e shkrimeve.

Ndërsa, Mikra Krasniqi është ekonomist në departamentin ekonomik të qeverisë së shtetit të Maryland-it në SHBA. Në këtë pozitë, Mikra është i ngarkuar me menaxhimin dhe drejtimin e një sërë projektesh rreth ekonomisë së rajonit dhe me gjerë. Para se të angazhohej në qeveri, Krasniqi kishte shpenzuar mbi 8 vite në sektorin privat dhe në fushën e zhvillimit ndërkombëtar në organizata si: Banka Botërore, Korporata Ndërkombëtare Financiare, Oda Ekonomike Amerikane në Washington DC, etj. Studimet universitare e postuniversitare i përfundoi në universitetin George Mason dhe Universitetin e Harvard-it në Boston. Përmes këtyre takimeve, Germin synon që ta ndryshojë bindjen e njëanshme për diasporën, si dhe të afroj të rinjët nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale në mes të të rinjve të moshave të ndryshme dhe profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë.

Këto takime kanë për qëllim të njoftojnë nga afër të rinjët nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale në mes të të rinjve dhe profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë. / KultPlus.com

Emina Çunmulaj në veshje kombëtare (FOTO)

Modelja shqiptare e cila karrierën e saj e zhvillon në SHBA, Emina Çunmulaj, gjithmonë në mënyra të ndryshme tregon se sa krenare është me origjinën e saj, shkruan KultPlus.

Ushqimet tradicionale shqiptare, muzika folklorike dhe veshjet kombëtare asnjëherë nuk mungojnë te Emina.

Kësaj radhe modelja e njohur ka postuar disa fotografi me veshje tradicionale shqiptare.

Kështu, duke dëshmuar edhe njëherë se sa shumë dashuri ka për vendin e saj dhe sa me xheloyi e i ruan traditat shqiptare. / KultPlus.com



Misteri i varrit të Skënderbeut, si qëndron e vërteta

Rreth 545 vjet nga vdekja ende i panjohur fati i eshtrave të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut?! Në vazhdim të debatit mbi enigmën e eshtrave të Skënderbeut, botuar një ditë më parë, referuar një raporti të ’68 të mbajtur nga Enver Hoxha ku flitet se një prift (i paidentifikuar) ka gjetur një kafkë që bën fjalë të jetë e heroit kombëtare, mohohet.

Cilat janë hipotezat që qarkullojnë sot nëpër bibliotekat tona, si dhe teza e fshehtë e vitit 1968, lënë në harresë pas konferencës së dytë të Studimeve Albanologjike; a është Kisha e Shën Kollit vendvarrimi i heroit, mbi të cilën më vonë u ndërtua një xhami?!
Megjithëse Skënderbeu vdiq dhe u varros në Lezhë në 17 janar të vitit 1468, akoma vazhdojnë polemikat shkencore për vendndodhjen e vendvarrimit të tij. Disa studiues theksojnë se Katedralja e Shën Kollit, vendi ku u varros Heroi ynë Kombëtar, ndodhet aty ku është ngritur memoriali i tij, në qytetin e Lezhës.

Të tjerë theksojnë se Kisha e Shën Kollit ndodhej dikur në kalanë që ngrihej mbi këtë qytet. Por si qëndron e vërteta? Le të shohim një nga argumentimet midis të dy tezave.

Figura e Gjergj Kastriotit, Heroit tonë Kombëtar, është jo vetëm ajo e protagonistit kryesor të historisë së Shqipërisë, por edhe e simbolit kryesor të vetëdijes sonë kombëtare. Duke e vështruar nga kjo pikëpamje, ajo është bërë në të kaluarën dhe do të jetë edhe për të ardhmen, një nga temat më të preferuara dhe të lakuara, të cilat do të vazhdojnë të trajtohen nga historia jonë si dhe ajo e huaj.
Objekti i këtij shkrimi të sotëm është “shikimi” dhe saktësimi i të dhënave mbi vendvarrimin e Skënderbeut, duke iu referuar biografit të tij të parë, Barletit, prej të cilit janë përfituar burimet më të rëndësishme të jetës së heroit.

Po a duhet besuar Barleti në të gjitha ato që thotë?! Apo të dhënat e tij duhet parë me skepticizëm, apo kanë nevojë për interpretim, siç pretendojnë apo veprojnë edhe një pjesë e historianëve.
Deri më sot, kur disponojmë vetëm alternativat që na jep Barleti apo Biemi (Anonimi i Tivarit), veprat e tyre do të mbeten akoma “monumente”, të cilat i ka bërë të tilla edhe koha, gjatë së cilës ajo ato kanë marrë vlerë.

Por fati i keq i historisë sonë kombëtare është tek mungesa e një dokumentacioni të gjerë, gjë që na detyron si gjithmonë të punojmë me hipoteza dhe arsyetime, të cilat shpesh nuk janë aspak bindëse, jo vetëm për studiuesit, por edhe për auditorin e gjerë.

Ndërkohë po rendisim me radhë formulimet e teksteve që qarkullojnë bibliotekat tona si dhe hipotezat e disa prej studiuesve të sotëm më në zë. Fillimisht po i referohemi njërit prej teksteve shkollore që ka shërbyer në shkollat tona përpara disa vjetësh:
“Pas largimit të trupave osmane për të shqyrtuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej vendi nga rrënimet dhe problemet e fundit që kishte shkaktuar lufta e viteve 1466-1467, Skënderbeu thirri në Janar të vitit 1468 një kuvend të ri të princërve shqiptarë. I sëmurë pa pritur, pas disa ditësh qëndrimi në shtrat Skënderbeu vdiq në Lezhë më 17 janar 1468.

I mbuluar me lavdi ai u varros në katedralen e Shën Kollit të Lezhës, në atë vend ku ai kishte themeluar Besëlidhjen Shqiptare” (Historia e Popullit Shqiptar. Tiranë 2005. Maket). Ndërkohë që edhe biografi i parë i Skënderbeut, Barleti, në librin e tij “Historia e Skënderbeut” na jep këtë pasazh:“Turqit dhe Barbarët duke u bërë zotër të qytetit të Lisos, gjetën dhe nxorën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut. Te eshtrat dhe varri i tij u mblodhën që të gjithë kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishe fatbardhë, shumë i lumtur ai që do të siguronte për vete një copëz prej tyre, të cilën e qepnin dhe e zbukuronin një palë me argjend, një palë me ar dhe e varnin në qafë, si ndonjë gjë hyjnore, të shenjtë dhe vendimtare për fatin e tyre dhe e nderonin me respekt shumë të madh, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vete ato thërrmija do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pat edhe gëzoi sa qe gjallë vetë Skënderbeu”.

Ndërsa historiografia e huaj e pohon Barletin në këtë pikë, duke mos dyshuar tek të dhënat që ai jep, megjithëse tek historia e tij këto të dhëna dokumentare janë të pakta. Kështu, pas vdekjes së Skënderbeut, Shqipëria u “zhyt” në terrin e pushtimit turk, i cili dalëngadalë e izoloi atë nga ajo lidhjet tradicionale që ekzistonin me perëndimin. Ndërsa në vendin tonë brezat e shqiptarëve e mbajtën të gjallë figurën e tij me anë të traditës gojore si këngë, legjenda, e gojëdhëna, perëndimi e bëri atë të pavdekshëm nëpërmjet biografisë së Marin Barletit “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, e cila u botua në Romë në vitin 1510.

Deri në vitin 1750 kjo vepër u ribotua 21 herë (Historia e Popullit Shqiptar, Tirane. 2002. Toena. f. 487), duke e përfshirë në “gjeografinë” e saj vende të tilla si Italia, Gjermania, Spanja, Anglia, Franca, Portugalia, Polonia etj.

Ishte pikërisht kjo vepër ajo që frymëzoi shumë shkrimtarë, poetë, dramaturgë, përkthyes e historianë, që të merreshin me figurën e Skënderbeut, duke krijuar vepra të tilla që i do ti shërbenin më vonë kulturës shqiptare. Ajo shërbeu si bazë për shumë përshtatje, vepra publicistike dhe letrare të historisë së Skënderbeut në vende të ndryshme. Megjithatë miti mbi dhunimin e varrit të tij mbeti fakt për kujtesën e Evropës.

Prej saj mund të veçojmë përkthimin dhe adoptimin që biografisë së Barletit, i bëri abati francez Zhak de Lavardin. Në vitin 1573 ky autor e botoi veprën e tij në Paris me titullin “Histoire de Georgis Castriotis Syrnome Scanderbeg, Roy de l’Albanie”. Duke e pranuar faktin që na jep Barleti, ja seç shkruan ai për vendvarrimin dhe fatin e eshtrave të “Heroit”.

“Trupi i tij u varros në Lezhë në Katedralen e Shën Nikollës, sipas zakonit të stërgjyshërve të tij, varrimi u bë me një ceremoni plot zi dhe dhimbje të pamatë nga kapedanët dhe ushtarët e princave fisnikë aleatë të tij. Askush nuk e kishte menduar se në Shqipëri në ato vende të krishtërimit do të derdheshin aq shumë lot. Kockat e tij të futura nën dhe u prehën në paqe gjer ditën kur në Epir erdhi Muhameti II, katër vite më pas turqit të cilët pushtuan qytetin e Lezhës, kërkuan të etur trupin e Skënderbeut, duke ja shkulur kockat e tij. Kockat e atij njeriu që dikur me ti dëgjuar emrin merrnin arratinë, tani i rrëmbenin si diçka të shenjtë. Ata vërsuleshin drejt skeletit dhe i lumtur ish ai që i prekte e akoma më shumë, ai që i varte ato si hajmali, pra si diçka përrallore…….”.

Por e çuditshmja ndodh në botimet tona zyrtare. Ato pranojnë se Heroi ynë kombëtar vdiq dhe u varros në Lezhë në katedralen e Shën Kollit, por nuk e pohojnë në të gjitha rastet se turqit e dhunuan varrin e tij. Kjo gjë shihet jo vetëm në tekstet tona shkollore të cilat për hir të së vërtetës nuk e trajtojnë gjerësisht këtë gjë, siç ndodh edhe në botime më të rëndësishme, siç është botimi i fundit, i Historisë së Popullit Shqiptar, bërë nga Akademia e Shkencave Republikës së Shqipërisë. Ja se ç’ thuhet në faqet e këtij libri, lidhur me këtë problem: “Pas disa ditësh, në 17 janar 1468, në Lezhë pushoi së rrahuri zemra e tij. Lajmi i vdekjes së Skënderbeut shkaktoi një pikëllim të rëndë e të papërshkruar në mbarë popullin shqiptar. Me vdekjen e tij, theksohej ato ditë në senatin e Venedikut, – arbrit kanë rënë në një ngashërim dhe tronditje të madhe.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u varros në katedralen e Shën Kollit të Lezhës, po në atë vend ku ai themeloi besëlidhjen e tij” (Akademia e Shkencave. Historia e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002. Toena. f. 399).

Ndërkohë që Fjalori Enciklopedik Shqiptar, një botim i kohës së komunizmit, i vitit 1985, në faqen 85, tek rubrika e tij e titulluar “Lezha”, pohon se varri i heroit u shkatërrua dhe u dhunua nga osmanët.

Megjithatë nuk mungojnë edhe mendimet ndryshe mbi vendodhjen e varrit të Skënderbeut. Po kështu një pjesë historianësh shqiptarë, nuk e pranojnë tezën se memoriali i sotëm i heroit është vendvarrimi i tij dhe kisha rrënojë e tij është kisha katedrale e Shën Kollit.
Nga ana tjetër, ata theksojnë se kisha katedrale e Shën Kollit ndodhej në kalanë e Lezhës dhe aty u varros dikur heroi.

Por ishte dikur arkeologu Frano Prendi, njeriu që kreu gërmimet në ish xhaminë Selimie. Studimet e tij përfaqësojnë sot tezën se varri i Skënderbeut ndodhej aty ku është ngritur memoriali i sotëm, thekson në faqen 242 tek “Kuvendi II i Studimeve Albanologjike, Vol I, Tiranë 1969”, se: “Xhamia e kështjellës nuk të jep përshtypjen të jetë ngritur mbi ndonjë kishë, mbasi mungojnë elementët përbërës të saj, por edhe po të rezultojë nga ndonjë studim i hollësishëm se ajo duhet të ketë qenë ndërtuar mbi mbeturinat e ndonjë faltoreje, prapë se prapë, përmasat e vogla, nuk na tregojnë ndonjë kishë katedrale, siç është ajo ku u varros Skënderbeu”. Pra, studimet e Prendit, të bazuara nga gërmimet e kryera në Lezhë, e kundërshtojnë, tezën që thekson se varri i Skënderbeut ndodhej në kala. Ato nënvizojnë se xhamia e kalasë së Lezhës, nuk ka përmasa të mëdha edhe sikur ajo të ishte ndërtuar mbi rrënojën e një kishe.

Po kështu edhe përshkrimi i studimit të kësaj xhamie, i bërë nga Prof. Aleksandër Meksi na jep një ide më të plotë rreth këtij problemi. Midis të tjerave Prof. Meksi shkruan: “…Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve dhe hajati i shtuar më vonë në pjesën veriore. Salla e lutjeve është drejtkëndëshe në plan me përmasa të planit 8.90 m x 7.60 m….Për nga niveli i ndërtimit kuptohet që xhamia është ngritur me nxitim…Ndërtimi i saj duhet lidhur me rindërtimin e kalasë së Lezhës nga turqit….që është kryer në vitin 1521-1522” (Aleksandër Meksi, Arkitektura e Xhamive të Shqipërisë, shek. XV-XIX, Uegen, Tiranë, 2007, f. 130-131).

Ndërkohë del se ish-katedralja e Shën Kollit nuk ka qenë asnjëherë në kalanë e Lezhës, ku është gjetur rrënoja e një xhamie të vogël, e cila nuk është ndërtuar siç ka ndodhur rëndom nga turqit, që pas pushtimit të vendeve të besimit kristian i konvertonin kishat në xhami.
Por teza më interesante për varrin e Skënderbeut është ajo e vitit 1968, e studiuesit Dhosi Liperi. Ajo u publikua në Janar të vitit 1968 në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike të zhvilluar në Tirane, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Por çuditërisht teza e tij se varri i Skënderbeut u transferua më parë në një vendvarrim të dytë, të fshehtë nuk gjeti mbështetjen dhe interesin e studiuesve dhe historianëve, e kështu mbeti në harresë. E titulluar “Varri dhe shpata e Skënderbeut sipas legjendave popullore”, kumtesa përmblidhte mjaft dëshmi të drejtpërdrejta të mbledhura nga autori në krahinat e Zadrimës, Matit, Krujës dhe Mirditës. Çuditërisht të gjitha gojëdhënat e popullit tregonin se turqit asnjëherë nuk e gjetën varrin e vërtetë të Skënderbeut.
“Tuba muhabet me pleçt e vjetër, këta thojshin se kur erdh ushtria turke dhe zaptoi Lezhjen, kërkuen vorrin e Skanderbegut e çilën treqind vorre për me gjet eshtrat e Skanderbegut, por vorrin e tij s’mujtën me e xhetë vorri i Skanderbegut asht i pa çilë. E kanë mëshefë shqiptarët thojshit pleçt e vjetër të Zadrimës”. E treguar me origjinalitet nga Hil Kola nga fshati Gramsh i Lezhës, në shtator të vitit 1964, kjo gojëdhanë së bashku me shumë të tjera e shtynë Dhosi Liperin që të nxirrte përfundimin se, pas vdekjes së Skënderbeut bashkëluftëtarët e tij përhapën parrullën se turqit e prishën varrin e heroit, por eshtrat nuk i gjetën brenda, sepse ato ishin tërhequr fshehurazi prej tyre më parë, për t’u vendosur në një varr të ri, i cili fatkeqësisht nuk u gjend më.

Interesant është edhe fakti se në xhaminë e Lezhës në vitet e Luftës së Parë Botërore janë gërmuar dhe hapur varre për të gjetur atë të Skënderbeut, nga reparte të specializuara të ushtrive pushtuese Malazeze, Serbe, Austro-Hungareze dhe Italiane. Ja seç citon përsëri tek e njëjta kumtesë, Dhosi Liperi, kur na jep dëshminë e një tjetër burri nga Lezha.

I intervistuar në shtator 1964, Nikoll Lleshi, nga fshati Ishull Lezhë midis të tjerëve thotë: “Masi iku Austria dhe Italia, unë me shokë të tjerë kërkojshim të gjenim, në oborr të xhamisë vorrin e Skënderbegut. Edhe zbuluem disa vorre për me shti në ta myslimanë, që vdisnin e i varrosnin aty. U thojshim: “Baba jot asht i mirë, pra hapjani vorrin këyu, pranë xhamisë”. Ata hapshin vorrin e na shfshin, tuj pas për qëllim se mos takojmë në vorrin e Skënderbegut, por nuk xhetëm xha. Janë çelun kështu si do pesë gjer gjashtë vorre, se nuk lite hoxha me shti ma në oborr të xhamisë” (Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike. Vëll III. Tiranë 1969. F 341-342).

Ky fakt na bën të dyshojmë sidomos për austriakët, të cilët njihen jo vetëm për seriozitetin dhe skrupulozitetin e studimeve Albanologjike, por edhe për suksesin e madh në zbulimet arkeologjike në Shqipëri gjatë viteve 1916-1918. Duket se ata kishin informacione paraprake (ndoshta veneciane apo raguziane), se varri i Skënderbeut nuk ishte gjetur nga turqit dhe për këtë gjë u angazhuan duke gërmuar në Lezhë. Dihet që në vitin 1815 Kongresi i Vjenës i dha nën zotërim Austrisë, Venecian dhe Dalmacinë bashkë me Raguzën (Dubrovnikun). Kështu bashkë me sovranitetin e Venedikut, austriakët shtinë në dorë edhe arkivat e tij, të cilat akoma nuk janë ndriçuar për historinë e kësaj epoke. Ndoshta dëshira e austriakëve ishte që përkrenares dhe shpatës së “Heroit” t’i bashkangjisnin në Vjenë edhe eshtrat e tij, të cilat shpresonin ti gjenin këtu. Por këtu del edhe një fakt tjetër. Për se të huajt me ekipet e tyre të specializuara nuk gërmuan në kalanë e Lezhës por në qytetin e saj.

Përgjigja është e thjeshtë! Kalaja e Lezhës, e cila formën përfundimtare të saj e mori si kala mesjetare diku në shekujt XI-XII (Gjerak Karaiskaj. 5000 Vjet Fortifikime në Shqipëri. Tiranë 1981. Fq 129), po ta vëresh me vëmendje del se ka një sipërfaqe të vogël.
Dhe në një kështjellë të vogël garnizoni nuk mund të ndërtohej një katedrale e madhe. Kështu kasha e Shën Kollit gjendej në qytetin e Lezhës dhe jo në kala. Edhe arkeologët kanë vërtetuar të njëjtën gjë. Këtë e ka dëshmuar arkeologu Frano Prendi, të cilin e cituam më sipër.

Por le të shohim edhe disa nga dëshmitë e njërëzve që vizituan Lezhën gjatë shekullit të XIX-të. Ja sesi e përshkruan kështjellën e saj, Hekardi, kur e vizitoi atë në vitet 1851-1856: “Aty të rrethuara nga rrënojat, gjenden tre shtëpi të ndërtuara nga turqit për të strehuar garnizonin, i cili në kohën kur unë e vizitova kalanë, përbëhej nga katër ushtarë vendas dhe një artilier. Tre topa të vegjël bronzi jashtë përdorimit përbëjnë të gjithë armatimin. Disa çisterna që dikur shërbenin për të mbledhur ujin e shiut që përdorej nga banorët dhe ushtarët, janë të ndërtuara me art dhe të ruajtura mjaft mirë. Mbi harqet që ende mbahen në këmbë, të vetmit që kanë mbetur nga pallati i feudalëve të vjëtër, sheh tre emblema të vjetra mermeri (Hyacinthe Hecquard. Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë. Tiranë. Plejad 2008. Fq 73). Pra, kjo hapësirë që përshkruan Hekardi ishte aq e “madhe” sa mund të ndërtoheshin disa shtëpi, një pallat qendër-rezidence dhe disa objekte ndihmëse. Edhe arkitekti dhe restauratori i njohur i monumenteve të kulturës Koço Zheku, në librin e tij “Lisi në Shekuj”, botuar në Tiranë në vitin 1988, në faqen 109, pohon në bazë të studimeve të kryera këtu, se turqit ndërtuan në kala një oborr të fortifikuar, sarajet dhe një xhami. Edhe në kushtet e sotme fotot e bëra nga ajri tregojnë sesa hapësirë të vogël mbulon kalaja e Lezhës.

Ndërkohë le të kthehemi përsëri tek dëshmitë e udhëtarëve të huaj të shekullit të XIX, rreth atyre që kanë parë në kalanë e Lezhës. Le ta vazhdojmë me Hekardin aty ku e lamë përgjysëm. Ja seç thotë më tej ai: “…nga ato që kanë mbetur nga pallati i feudalëve të vjetër, sheh tre emblema të vjetra mermeri, në njërën prej të cilave mund të dallosh ende një grua dhe një burrë, me kokën e rrethuar me një brerore dhe me një kryq grek mes tyre, në të dytën shihet një luan i ngritur mbi të dy këmbët e pasme dhe në të tretën një shqiponjë me krahë të shpalosur, që shtrëngon në kthetrat e saj një gjarpër, emblem e cila siç thonë gjendej në armaturën e kastriotëve” (H. Hecquard. Po aty. F 73). Pra, vetëm këto objekte pa në kala, konsulli francez Hekard. Po kështu edhe një tjetër përfaqsues i huaj konsullor, Theodor Ipen, i cili e vizitoi kalanë e Lezhës në vitet e fundit ët shekullit XIX, e përshkruan kështu atë:- “Në kala hyhet nëpërmjet portës që sheh nga lindja. Para saj ndodhet një grumbull varresh ku janë varrosur pjesëtarë të familjeve të bejlerëve të Lezhës si dhe një tyrbe e një shenjtori myslyman të harruar” (Theodor Ipen. Shqipëria e Vjetër. Tiranë. KeB. 2002. Fq 208). Ndërsa pak më poshtë në faqen 209, Ipeni thekson se: “Mesin e hapësirës së brendëshme të kështjellës e zënë rrënojat e një xhamie. Ajo është pa çati dhe me mure pjesërisht të rrënuara”. Pikërisht tek kjo xhami Ipeni ngre hipotezën e gabuar dhe apriori, pa u bazuar në fakte se, sipas rregullit që, turqit, kishat i kthenin në xhami dhe se këtu duhet të ketë qenë kisha e Shën Kollit ku është varrosur Skënderbeu. Aludimin e tij të pasaktë ai e hedh vetë poshtë, kur në faqen 210, tek i njëjti libër thotë në ligjëratë të drejtë se: “Tek kjo xhami nuk është gjetur asnjë shenjë që të tregojë se aty gjendet varri i Skënderbeut” (Th. Ipen. Po aty fq 210). Të dhënat kontradiktore të Ipenit nuk janë gjë tjetër veçse dëshira e udhëtarëve të huaj të shekullit të XIX, përshkrimet e të cilëve ishin jo vetëm sipërfaqsore dhe romantike por kishin edhe një dozë të theksuar amatorizmi. Megjithëse ata i shkruan përshtypjet e tyre të udhëtimit jo me qëllimin që ato të bëheshin më vonë dëshmi të debateve shkencore dhe si të tilla duhen parë me shumë skepticizëm dhe rezerva.

Le të shohim disa të tjera. Të tilla janë edhe dëshmitë e piktorit anglez Eduard Lir gjatë vizitës në Lezhë bën këtë përshkrim të cilin e gjejmë tek libri i tij “Ditar Udhëtimesh”, botuar së fundmi në shqip. “Rreth orës katër arrij në Alessio, fshati i mjeruar që përfaqson tani Lisusin e lashtë, shumë rrënoja të të cilit (si Akrolisi i lashtë) ende shihen përqark dhe në majë të kodrës së njohur, që ngrihet mbi rrugët me dyqane që përbëjnë pjesën kryesore të qytetit të sotëm.

Pjesa tjetër e Lezhës përbëhet nga shtëpi të rrethuara me kopshte, buzë drinit (ku jeton kryesisht një popullatë e krishterë) ose nga rezidencat periferike të muhedanëve në faqe të kodrës. Në majë të kodrës është një xhami, dhe legjenda thotë se këtu, nën rrënojat e një kishe të krishterë, prehen eshtrat e Skënderbeut (Eduard Lear Në Shqipëri. Ditar udhëtimesh 1848-1849. Tirane 2008. Plejad. Fq. 97).
Kështu, duket tashmë sesa të besueshme janë dëshmitë e Lirit, i cili duke mos patur interesa për historinë, jo vetëm që nuk shkoi ti shihte vetë rrënojat e kalasë, por na tregon atë që dëgjoi nga sinjor Xhyzepja, një Italian që shërbente në Lezhë dhe e strehoi këtu.

Pra, lexusi i nxjerr vetë përfundimet tashmë. Gjithsesi, Shën Kolli nuk ndodhej në kala por në qytet. Për këtë besoj se nuk mund ta vëmë në dyshim Barletin kur thotë se “Skënderbeu u varros në qytetin e Lezhës në kishën më të madhe të Shën Kollit” (M. Barleti. Historia e Skënderbeut. Tiranë 1967. Fq 494). Pra, “humanisti” nuk thotë se ajo ndodhej në kala.

Edhe Sami Frashëri, eruditi më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në veprën e tij enciklopedike “Fjalor i Përgjithshëm i Historisë dhe i Gjeografisë”, botuar në Stamboll në vitin 1889, në zërin Lezha, shkruan se: “Ajo kishte ndërtesa të bukura dhe fortifikime, ishte mjaft e madhe dhe e lulëzuar. Nga pesë kishat e mëdha të asaj kohe, njëra u shdërrua në xhami dhe pastaj u rrënua. Thuhet se në rrethet e kësaj është varrosur Skënderbeu, megjithatë varri nuk gjendet kurrkund” (Sami Frashëri. Vepra II. Tiranë 1988. Fq 352).

Ndërkohë dëshmia më e fortë që e hedh poshtë plotësisht tezën së Skënderbeu u varros në kalanë e Lezhës, është shkrimi i Prenk Doçit, “Topografia e Lezhës”, e botuar në dt. 30 shtator të vitit 1885, në gazetën e De Radës, “Fiamuri i Arbërit”. Në të autori i cili i bën një përshkrim të gjerë qytetit, historisë, kalasë, popullatës dhe rrethinave të Lezhës, nuk na thotë azgjë për një fakt të tillë. Dhe të mos harrojmë që shkrimi i përket vitit 1885.

Midis të tjerave për kalanë e Lezhës, Prenk Doçi, shkruan: “Kalaja e Lezhës, si vend strategjik, nuk gjendet në asnjë krahinë të Shqipërisë së sipërme. Muret e kalasë janë me gurë katërcepash, me shkëmbinj shumë të medhenj që duken sin ë natyrë. Dy kulla katërqoshëshe ruajnë hyrjen për në kala. Dallohet vendi i sarajeve. Dalon tre pllaka prej mermeri. Në të parën shihet një fytyrë burridhe një fytyrë gruaje me një brerore në krye me shkronja greqishte. Mbi të dytën shihet një luan i hedhur përpjetë dhe mbi të tretën duket një shqipe krahëhapur me një gjarpër të mbërthyer me thonjtë e këmbëve. Autoritet turke dyshojnë shumë për shqiptarët që vizitojnë shpesh këtë kala, edhe pse ajo është e rrënuar” (Jeronim De Rada. Fiamuri i Arbërit. Përgatitur nga Ahmet Kondo. Tiranë 1967. Fq 115).

Gjatë sulmeve mbi Lezhën të viteve 1478 dhe 1501 turqit e dogjën kishën Katedrale të Shën Kollit. Në vitin 1580 karakatina e kishës që konsiderohej nga vendasit si vend i shenjtë u shndërrua nga pushtuesit në xhami me emrin “Selime”. Farlati na citon kardinalin Alciati, i cili thekson në shënimet e tij se kisha ekzistonte deri në vitin 1575 (Daniele Farlati, Ilyricum Sacrum, VII f 323). Një dëshmi tjetër na pohon se turqit prishën edhe varrezat e dikurshme të kishës duke i hedhur eshtrat e varreve në lumin Drin që ndodhej aty pranë (Harvat Glasnik XXI, Dok 83). Pra, ajo që thuhet se turqit u përpoqën të zhduknin plotësisht kujtimin e Skënderbeut mund të jetë e vërtetë. Ndërkohë që peshkopi i Lezhës B. Orsini, thekson në vitin 1628, se turqit 40 vjet më parë, diku në vitin 1580 vunë dorë mbi kishën duke e shdërruar atë në xhami, por shpejt hoqën dorë sepse tre hoxhallarë kishin rënë nga minarja dhe kishin vdekur (I. Zamputi. Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore dhe të mesme, në shekullin e XVII, Vëll I, 1610-1634. Tiranë 1963. Fq 401). Këtu bëhet fjalë për kishën e shën Kollit apo Kishën e Madhe, siç e quan Barleti, e cila u shdërrua në xhaminë e mëvonshme Selimie.
Deri në vitin 1967 xhamia ishte në pronësi të Komunitetit Myslyman Shqiptar. Me ndalimin që shteti komunist u bëri besimeve fetare dhe sekuestrimin e pronave të këtyre enteve, ky objekt kulti i kaloi në administrim Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tirane, i cili e mori nën kujdestari. Kështu, duke u bazuar tek dokumentacioni historik nisën gërmimet arkeologjike të cilat i kreu arkeologu Frano Prendi. Në vitin 1967 u zbulua se xhamia ishte ndërtuar mbi themelet e një kishe, ku me gërmimet e mëtejshme u arrit të zbuloheshin edhe disa pjesë afreskesh, në pjesën e poshtëme të mureve, si dhe një gropë në brendësi të saj. Duke i mbështetur tek fakti se kishat ishin edhe mauzoleume të njerëzve të shquar, kjo gropë u supozua si varri i grabitur nga turqit i Skënderbeut.

Pas shumë përpjekjesh, arkeologët dhe restauratorët, bënë që kisha të shndërrohej sa ishte e mundur në gjendjen e vitit 1501, kur u dogj nga turqit. Mbi të u ndërtua në vitin 1981, memoriali me pamjen të cilën ka edhe sot.

Duhet theksuar se Memoriali i varrit të sotëm të Skënderbeut, të krijon diçka nga atmosfera e dikurshme e shekullit të XV. Brenda kishës në absidën e saj është vendosur një bust i Skënderbeut, punuar nga skulptori Odise Paskali. Në qendër të sallës së saj, pranë altarit ndodhet një pllakë graniti, mbi të cilën janë vendosur kopjet e shpatës dhe prekrenares së Skënderbeut. Në të dy muret e kishës janë fiksuar një varg mburojash dekorative që tregojnë betejat e Skënderbeut. Pranë tyre dy pjesë të shkatërruara afreskesh na kujtojnë funksionin e dikurshëm fetar të kësaj faltoreje.
Sot është e vërtetuar plotësisht se Skënderbeu vdiq në Lezhë në 17 Janar 1468 dhe se rreth saj, Barleti thotë se atë e kapën një palë ethe të forta, të cilat nuk ishin veçse ato malarike, nga e cila vuante e gjithë Ultësira e Adriatikut. Kjo tezë e cila ka qenë e vetmja deri disa vite me parë ka nisur të vihet në dyshim tashmë nëpërmjet botimeve të reja historike mbi jetën e Heroit.
Megjithëse këto janë probleme që do ti zgjidhë më vonë historografia. Ndërsa ne na intrigon fakti se përse Skënderbeut u varros në Lezhë dhe jo në Krujë apo diku gjetkë. Barleti thekson se ai u varros sipas zakonit të stërgjyshërve të tij. Por cili ishte ky zakon? Këtu mendoj se duhet të ndalemi dhe të bëjmë një analogji me zakonet dhe traditën e varrimit të shekullit të XV. Ne sot kemi disa dëshmi nga tradita e varrimit të Kastriotëve. Njëra prej tyre është ajo mbi varrin të vëllait të Skënderbeut, Reposhit, varrosur në manastirin e Hilandarit, në Malin e Shenjtë në Greqi. Varri ndodhet brenda katedrales, nën nartekstin (portikun), në murin verior (K. Balli-L. Gliozheni; Mali i Shenjtë-Mikrokozmosi i Botës Bizantine. Tempulli. Korçë 2001. Fq 157).

Kështu, mund të themi se si, zotër feudalë Kastriotët janë varrosur brenda kishave për të cilat janë kujdesur ose kanë patur lidhje me to. Kjo gjë ka ndodhur edhe me motrën e Skënderbeut Marën, të shoqen e tij Donikën, si dhe djalin e tij Gjonin. Gjerësisht me këtë problem është marrë Prof. Valter Shtylla, i cili tek shkrimi i tij “Familja e Kastriotëve. Monumentet Flasin”, botuar në dt 6. 12. 2008 në Gazetën Standard, thekson se, Donika e shoqja e Skënderbeut mund të jetë varrosur në portikun e manastirit mbretëror të San Trinidadit në Valencia të Spanjës. Gjithashtu në Napoli, në portikun e kishës së Santa Maria la Nova, është varrosur nipi i Skënderbeut, Kostandini, djali i të birit të tij, Gjonit. Po kështu, Mara, e motra e heroit, e martuar me princin e Malit të Zi, Stefan Cernojeviçin, është varrosur brenda kishës së Shën Marisë, në manastirin-mauzole të Cërnojeviçëve që ndodhet në ishullin e Komit, në liqenin e Shkodrës.

Gjithashtu edhe një nga gojëdhanat që qarkullon edhe sot në vendorigjinën e Kastriotëve, në Mat, flet se e Vojsava, e ëma e Heroit, është varrosur në kishën e Shtjefnit (Shën Stefanit). E publikuar nga Dilaver Kurti ajo klasifikohet ndër burimet e rëndësishme gojore për familjen e Kastriotëve (Dilaver Kurti. Trashëgime Iliro-Arbërore. DeaS. Tiranë 1999. Fq 312).
Pra, nga renditja e këtyre fakteve dhe dëshmive, del se edhe Skënderbeu nuk mund të ketë bërë përjashtim nga tradita e familjes dhe sipas shumë gjasave, ai mund të jetë varrosur në brendësi të kishës-katedrale të Shën Kollit. Me këtë llogjikë ecën arkeologët, kur hodhën idenë se gropa bosh që u gjet brenda kishës rrënojë të memorialit të sotëm, mund të ishte pikërisht ajo ku mund të ketë qenë varrosur Heroi. Të paktën kjo është hipoteza që qëndron më afër të vërtetës. Ndërkohë që dihet se kishat kanë shërbyer edhe si mauzoleume për njerë të shquar. Shembuj të tillë kemi edhe në Shqipëri, duke nisur nga kishat paleokristiane për të vazhduar deri tek ato të mëvonshmet, në vitet 1800. Mund të përmendim kishat e manastireve të Shën Marisë së Zvërnecit, Apolonisë, Ardenicës, apo të disa të tjerave.

Figura e Skënderbeut ishte shumë e respektuar nga shqiptarët dhe vendvarrimi i tij patjetër që u kthye në një vend pelegrinazhi. Kjo mund ti shërbente fare mirë Republikës së Shën Markut, e cila pas vdekjes së Skënderbeut mori përsipër luftën me osmanët në këtë rajon të Ballkanit Perëndimor.

Eshtë e çuditshme se dëshmia e Barletit që varri i tij u grabit nuk gjen asnjë bazë mbështetje, sepse deri më sot nuk është gjetur asnjë eshtër e trupit të tij, e cila mund të ishte e ruajtur si hajmali nga ushtarët turq, që i grabitën duke i copëtuar ato. Dihet dhe njihet mistifikimi i objekteve të tilla të cilat me kalimin e kohës marrin vkera gjithnjë e më të mëdha. Si ka mundësi që të mos jetë ruajtur as edhe një copë e tillë, kur deri në vitin 1945, kur u sekustruan pronat e aristokracisë së vjetër shqiptare, në koleksionet e shtëpive të tyre u gjendën sende dhe objekte shumë më të vjetra dhe me shumë vlerë. Por për rastin tonë çuditërisht nuk ekziston asnjë dëshmi e tillë, d.m.th. ka gjasa që varri i heroit mund të mos jetë dhunuar nga turqit. Po përse Barleti na jep një dëshmi të tillë. Mos ndoshta ka ndodhur edhe kështu. Skëderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij e kishin parashikuar që varri mund të dhunohej në të ardhmen prej turqve, prandaj eshtrat mund të jenë tërhequr nga varri për tu vendosur në një varr të ri. Kjo mund të jetë bërë më vonë nga dikush, për të cilin mund të ngremë vetëm hipoteza. Ishte Venediku, Kisha, familja apo nga një pjesë e vogël e atyre bashkëluftëtarëve që kishin mbetur gjallë. Ndoshta kujtesa popullore që na jep një tjetër variant ka të drejtë në këtë rast. Por çthonë burimet osmane në këtë rast. Reth kësaj temë kemi dëshmitë e disa autorëve sit ë Ibn Kemalit, Hoxha Sadedinit, Idris Bitlisi, Tursuni, etj (Lufta Shqiptaro Turke në shekullin XV. Burime Osmane. Tiranë 1968). Dëshmitë e tyre konsistojnë me braktisjen e qytetit të Lezhës nga Venediku dhe banorët gjatë fushatës turke të vitit 1479 për pushtimin e Shkodrës. Ja seç thotë midis të tjerave Ibn Kemali në librin e shtatë të veprës së tij Historitë e Dinastisë Osmane, shkëputur nga vëllimi i mësipërm. “Kur ushtira ngadhënjimtare u vendos plot madhështi rrëzë mureve dhe kur zgjati dorën drejt fustanit të fitores, atëherë të pabindurve të Leshit (Lezhës), u iku gjaku nga nga frika, fytyrat e tyre mbetën të thata sin ë afreskat e kishave…më në fund ata panë se krahinat përreth u pushtuan nga ushtria vërshuese si Nili dhe e rrëmbyeshme si përrenjtë e maleve dhe se kështjella e tyre mbeti si ishull brenda këtij deti që përmbyt botën.

Ata e kuptuan mirë se Leshi me përleshje dhe me luftë do tu ikte nga duart e tyre dhe po most ë largoheshin me kohë për të shpëtuar kokën, atëherë anija e trupave të tyre do të mbytej në vorbullën e luftës. Ku rata e pnë që nuk mund të qëndronin më në tokë, preferuan që të arratisen nga ana e detit. Në mbrëmje ata i vunë zjarrin të gjithë kalasë dhe dogjën krejtësisht gjithçka kishte brenda…Ata me duart e veta e dogjën vendin e tyre dhe me veprimet e tyre tiranike shkatërruan çdo gjë” (Lufta Shqiptaro Turke në Shekullin e XV. Burime Osmane. Tiranë 1968. Fq 223). Pra kronisti turk që midis të tjerëve e përshkruan në mënyrën më të hollësishme pushtimin e Lezhës nga turqit-osmanë,, përmend se Venediku dhe shqiptarët e dogjën dhe e shkatërruan kështjellën e Lezhës përpara se ajo të pushtohej nga osmanët. Ai dhe të tjerë kronistë turq, nuk na jep njoftime për varrin e grabitur të Skënderbeut nga osmanët. Ja seç thotë Ibn Kemali pak më poshtë: “ Kryengritësit që gjendeshin brenda kështjellës së Leshit dhe kufomat e të vrarëve u dogjën krejtësisht. Tymi i tyre pushtoi horizontin dhe ngjeu kupën e qiellit. Në këtë mënyrë ushtria e zjarrtë e pushtoi edhe këtë kala me luftë. Ajo u shdërrua në pirgje dheu. Këtë rajon e pastruan nga ndyrësirat e paganëve me anë të ujit dhe shpatave me ngjyrë të përhimtë. Ata u kthyen në Shkodër, të pasuruar, fitimtarë dhe me shumë plaçka” (po aty, fq 226).

Kështu dëshmia e kronistit turk rrëzon jo vetëm dëshminë e Barletit për grabitjen e varrit të Skënderbeut por edhe tezën e Kristo Frashërit se memoriali i tij ruhej në kështjellën e Lezhës deri në shekullin e XIX. Duket se Dhosi Liperi mund të ketë patur të drejtë kur ndërtoi hipotezën e tij se: eshtrat e heroit u tërhoqën nga shqiptarët përpara se Lezha të pushtohej nga turqit-osmanë. Këtë gjë e përforcon përsëri kronisti turk i cili tek i njëjti burim thekson: “banorët zbritën dhe hipën në galerat që qëndronin të gatshme pranë mureve të kështjellës. Në kështjellë nuk mbetën as gra dhe fëmijë, as të rinj dhe pleq të gjithë së bashku me plaçkat e tyre mbushën anijet. Gjithë natën deri në mëngjes ata ngarkuan anijet dhe boshatisën brendinë e këshjtellës…Ata emigruan nga atdheu” (po aty, fq 223-224). Këtë largim të banorëve, studiuesi Koço Zheku, tek i njëjti libër që cituam më sipër na e përshkruan kështu: “Në të vërtetë kështjella dhe gjithçka që ishte brenda saj u dogjën nga qytetarët, para se të arrinte ushtria turke për ta pushtuar atë. Pas shkatërrimit të kështjellës populli braktisi qytetin dhe u largua me barka nëpër lumë në drejtim të detit të hapur (fq 108)….qyteti dhe gjithçka që ishte Brenda tij u dogj e u shkatërrua nga vetë ata që e kishin ndërtuar, nga banorët e tij. Prandaj këtë herë shkatërrimi ishte rrënjësor, në mënyrë që azgjë të mos i shërbente armikut” (K. Zheku. Lisi në Shekuj. Fq 109). Këtë fat ndoshta e pati edhe kisha e Shën Kollit (marrë në Koha Jonë).

Raimonda Bulku dhe Yllka Mujo bashkohen në skenë pas 40 vitesh

40 vjet më parë, ato kanë qenë në Juglindje të Shqipërisë për të interpretuar në filmin që të gjithë e njohin.

Tani, Yllka Mujo dhe Rajmonda Bulku, disa kilometra larg Pogradecit ku u xhirua Zonja nga Qyteti, janë sërish bashkë në një projekt artistik.

I ka ritakuar komedia “8 Femrat” e regjisores Driada Dervishi që do të hapë Festivalin Mbarëshqiptar të Komedisë në Korçë.

“Për herë të parë në skenën e re të Teatrit Korçë do të bëhen bashkë disa nga aktoret më të mira të skenës shqiptare. Yllka Mujo, Olta Daku, Zamira Kita, Rajmonda Bulku, Merita Çoçoli si dhe brezi i ri i aktoreve që do ta vazhdojnë traditën e teatrit të mirë Klodjana Keco, Blerta Belliu, Ilda Pepi e Paola Kodra. Nën regjinë e Driada Dervishit komedia 8 FEMRAT do të hapë sezonin e ri teatror si dhe Festivalin Mbarëshqiptar të Komedisë KokoFest 2017!”, shkruan Teatri i Korçës.

Shfaqja “8 Femrat” do të vijë më pas edhe në Teatrin Kombëtar dhe në Teatrin e Durrësit, ku Driada Dervishi është regjisore.

Fillon kampi “Dizajni dhe Natyra” me mbi 40 të rinj nga Kosova

Sot fillon kampi ‘Dizajni dhe Natyra’ me 40 të rinj nga e gjithë Kosova, të cilët për një javë do të qëndrojnë në Qendrën Rekreative të Gërmisë, ku përmes aktiviteteve të ndryshme socializuese dhe edukative ata do të zhvillojnë projekte të punës vullnetare të cilat do t’i implementojnë në komunat e tyre.

“Përmes projekteve të zhvilluara gjatë kampit ‘Dizajni dhe Natyra’, këta të rinj synojnë të përmirësojnë hapësirat publike të gjelbra në Kosovë. Ky kamp organizohet nga organizata kosovare për talent dhe arsim – TOKA dhe ka për qëllim të promovojë vullnetarizmin edukativ në Kosovë si dhe të nxisë qytetarinë aktive përmes punës vullnetare”, thuhet në kumtesë.

Kampi organizohet me mbështetjen e fondacionit ‘Unë e du Kosovënʼ, organizatës botërore për mjedis ʼWWF Adriaʼ dhe Komunës së Prishtinës.

Partnerët të cilët do të jenë pjesë e organizimeve gjatë kampit janë organizata VORAE ʼVoice of Roma, Ashkali and Egyptiansʼ, komuniteti ʼTermokissʼ dhe studio e arkitekturës ʼArchitecture for Humansʼ.

Kampi do të mbahet gjatë javës 18-24 gusht 2017. / KultPlus.com

Ornela Kapetani shpallet aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Aktorja shqiptare Ornela Kapetani ka marrë çmimin e aktores më të mirë në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Ornela është aktore në filmin “Dita zë fill” nga Gentian Koçi. Çmimi aktores i është ndarë sonte ndërsa vlen gjithsej 2500 euro, shkruan KultPlus.

Ky konsiderohet sukses i madh, që një shqiptare të marrë çmimin për aktoren më të mirë në një festival si ky i Sarajevës. Ornela është aktore shqiptare e dëshmuar tanimë, me role në “Hostage”, “Correction” dhe me rolin e Letës në filmin me të cilin fitoi sonte çmim në Sarajevë.

Sonte janë ndarë çmimet e Festivalit të Filmit në Sarajevë. Filmi më i mirë u shpall “SCARY MOTHER / SASHISHI DEDA” me regji nga Ana Urushadze. Şerban Pavlu morri çmimin për aktorin më të mirë, ndërsa EMANUEL PÂRVU u shpall regjisori më i mirë. / KultPlus.com

Tri këngëtare shqiptare dhe këngët që kanë të njëjtin titull – “Shko” (VIDEO)

Një fjalë që tingëllon keq kur thuhet në jetën e përditshme, e shumë më keq nëse thuhet në dashuri, fjala “Shko” si e tillë nuk duhet e keqe për tekstshkruesit shqiptarë.

Madje, tri këngëtare shqiptare kanë këngë që mbajnë të njëjtin titull. Të tria këngët i takojnë një pop-kulture më të vjetër, secila e realizuar gati dhjetë vite më përpara.


Adelina Thaqi – SHKO
Një prej këngëve më të mira të Adelinës ndër vite është kënga “Shko”. E vjetër më shumë se një dekadë, refreni i saj nuk është aspak i ri për gjeneratën që është rritur me këtë këngë dhe këtë këngëtare. Adelina në këtë kohë do të ishte në kulmin e karrierës së saj ndërsa kënga “Shko” është padyshim një melodi e veçantë e Adelinës.


Eliza Hoxha – SHKO
Eliza Hoxha i tha fjalët “Shko” kur e solli këtë këngë në Festivalin Kënga Magjike para disa vitesh. Kënga ka marrë pëlqimin e shqiptarëve asokohe kur edhe e pozicionoi mirë Elizën brenda këtij festivali. Kënga është realizuar në vitin 2008.


Adelina Ismaili – SHKO
Tjetra Adelinë që nuk e thotë me shumë gëzim fjalën “Shko” është edhe Adelina Ismaili. Kënga “Shko” e Adelinës është ndoshta himni i saj, balada më e mirë e realizuar nga ajo dhe madje së cilës i është bashkangjitur një videoklip ku Adelina e vajton shqiptimin e kësaj fraze ndaj dashurisë së saj.

Unë realisht ju kam tradhëtu

Poezi e shkruar nga Arbër Selmani.

Unë realisht ju kam tradhëtu
Ty, të dy juve, të treve, të trijave
Me të njëjtën guhë kam kry punë.
Unë e kam pasur të njëjtën këmishë
Në të tri herat që jam betuar për herë të parë
Kam tradhtu e ju m`keni zhveshë.

Nëse kjo s`ju bën për të vjellë
Ju kam bërë ta ndieni eutanazinë
Të treve juve, të trijave, të njëjtat lavde ua kam kriju.

Jeni ndierë mbretër, princesha
E truri im ka luejtë me ato pak neurone që keni
E keni besuar dashurinë, keni marrë shuplakë për uni.
Nuk e di pse pritët dicka tjetër
Kur si të gjithë ju, sarkazmën e kam përfunduar që në fillore
Pak kripë, pak mëlmesa, tradhëti e afsh lavireje.
Mbaskrye, mbasqafe, mbasprapanice
Ju kam tradhëtu e bile tuj keshë
I cjerrtë deri sa më kanë lëshuar qimet e trupit.
Ju kam tradhëtu e ju kam knaqë
Ju të trijave, ju të treve plehëra miopike
Ju kam bë me mjaullitë, gjashtë ego i kam shkatërruar.

Kolltuku i agonisë së Molierit (FOTO)

Luan Rama

Shumë vite më parë, kur aktori franko-shqiptar Rexhep Mitrovica interpretonte « Hamletin » në teatrin e Komedisë Franceze ku ishte « pensionaire », pra titull që pak aktorë e kishin në Francë, ne një nga pushimet e tragjedisë, në « Galerinë e Busteve », bashkë me një mikun tim shqiptar iu drejtova cepit ku ndodhej një kolltuk. Tjetri u habit që shkova drejt atij kolltuku të veçuar, të vjetër, aty këtu i ngrënë nga koha duke mbajtur kështu gjurmët e shekujve të kaluar.

– Ky është kolltuku ku interpretonte Molieri në shfaqjen e fundit të tij, kolltuku ku dhe nisi agonia e tij, – i thashë.

Ishte vërtet diçka emocionuese të gjendeshe para atij kolltuku, që dëshmonte jo vetëm se ishte një kolltuk i një aktori dhe komediani të madh por edhe pse, meqë Molier ishte përpëlitur aty per të mbaruar gjer në fund shfaqjen e “I sëmuri imagjinar” (“Le Malade imaginaire”), ai kolltuk ishte kthyer në një lloj simboli i përpjekjeve të mëdha që bën një artist i skenës, ku jeta e tij është e ngjizur dhe në simbiozë të jashtëzakonshme me teatrin, skenën, publikun. Pas pushimit ne u kthyem përsëri në sallë, por ishte e vështirë të shkëputeshe nga ato emocione që të krijonte ai kolltuk.

Ç’kishte ndodhur me Molierin atë mbrëmje të 17 shkurtit të vitit 1673, kur i drobitur nga puna e madhe me teatrin, aktrimin, organizimin dhe drejtimin e trupit, ai e kishte tejet të vështirë, madje të pamundur interpretimin në skenë, në një kohë që turbekulozi që po e brente prej shumë kohësh dukej se tani po i jepte goditjen fatale. Shumë prej miqve të tij, madje dhe gruaja e tij Armande, aktore gjithashtu, iu lutën ta ndërprente shfaqjen e pjesës dhe të prisnin përmirësimin e tij, por ai u kishte thënë: «Si të mos luaj?… Po puntorët e skenës, njerëzit e teatrit, ato pesëdhjetë familje që presin paratë që të ushqehen dhe të kenë bukën e gojës, ku ti lë?… Jo, e pamundur… shkojmë, sot do të luajë, sido që të jetë!”

Në këtë kohë, Jean Poquelin, i lindur më 1622 në Paris dhe i quajtur më pas Molier, ishte në kulmin e gjenisë së tij dhe një nga artistët favoritë të mbretit Louis XIV, me të cilin njihej mirë dhe shumë herë i thirrur nga ai, për të interpretuar në Versajë apo në Saint-Germain-en-Lai, shfaqjet e tij. Biri i një tapicieri, i dashuruar që në adoleshencë me botën magjike të teatrit, Molier kishte arritur pas interpretimesh të shumta të krijonte më në fund trupën e tij. Komeditë e tij si “Shkolla e grave”, “Mizantropi” dhe veçanërisht “Tartufi” kishin gjetur një pritje të jashtëzakonshme edhe pse “Tartufi” disa herë ishte ndaluar nga çenzura, por më në fund “Mbreti Diell” (Le Roi Soleil) siç e quanin në këtë kohë, e kishte lejuar atë. Krahas mbretit ishin dhe princat Conti dhe Condé, ata që e mbështetën në karrierën e tij artistike, të mbushur me shumë ngjarje, veçanërisht me dashuritë e tij me të gjitha aktoret e trupës së tij teatrale. Molier ishte një burrë i adhurueshëm, xhentil, gazmor, romantic dhe një aktor i magjishëm që rrallë mund t’i rezistoje hireve të tij.

Atë pasdite, Molierin e kishin marrë me karrocë dhe e kishin çuar drejt teatrit, skenës. Nuk do të interpretonte në këmbë, meqë fuqitë po e linin dhe ai kërkoi tii vinin kolltukun ku rrinte në lozhën e tij, atë kolltuk lëkure ku përgatiste makiazhin dhe përgatitej të hynte në skenë. Perdet ishin mbyllur dhe që para ngritjes së tyre në skenë, Molier u ul dhe do të thoshte tekstin e tij. Ngado në Paris por dhe të huaj që kalonin nga Parisi, kërkonin të shikonin gjeniun e teatrit francez por dhe komedianin e guximshëm, ku në temat e tij sociale bënte kritika të ashpra veçanërisht ndaj aristokracisë, klerikëve si dhe veseve të vet njeriut, kopracëve, hipokritëve, xhambazëve, ziliqarëve, mashtruesve, horrave…. Kështu shfaqja e asaj mbrëmje filloi dhe pas tri pjesëve të para, ku Molieri me vështirësi vazhdonte të thoshte tekstin e tij, aty nga fundi, ai po ndjente gjithnjë e më shumë vështirësi në diksionin dhe fjalët, pasi shpesh, goja i mbushej me gjak dhe vështirë ta çonte interpretimin deri në fund. Madje një çast ai kishte mbetur si i ngrirë me sytë e ngulitur në hapësirë, ku partneret prisnin tekstin e tij por ai veç heshti. Atëherë sufleri përpiqej t’i kujtonte fjalët pa ditur se në ç’gjendjet të tmerrshme ndodhej aktori i famshëm. E megjithatë, pas një pauze të gjatë, më në fund ai foli. Ishin frazat e tij të fundit dhe pas pak shfaqja mbaroi. Molieri, pështetur në shpinën e kolltukut, gjithnjë me gjakun që i mblidhej në gojë dhe që duhej ta gëlltiste, pështeti kokën të prehej. Donte të flinte, ndërkohë që duartrokitjet e pareshtura dhe thirrjet që i bënin për të dalë në skenë, gradualisht filluan të zbeheshin gjersa më në fund u shuan. Ishte një lloj paqeje sikur të kishte krahët e ëngjëllit dhe të ngjitej në qiell, edhe pse gjithnjë dyshonte në ekzistencën e Zotit. Askush nga spektatorit nuk mund ta imagjinonte se aktori i tyre i parapëlqyer i 30 pjesëve teatrale, në moshën 51 vjeçare, ishte në agoninë e tij, atje, para syve të tyre, duke interpretuar gjer në forcat e fundit të trupit dhe të shpirtit.

Pas shfaqjes, kur perdet ranë, njerëzit e tij dhe Armanda nxituan ta marrin dhe ta çojnë menjëherë drejt shtëpisë aty pranë. E ngjitën në dhomë dhe e shtrinë, por ai gjithnjë pështynte gjak, gjersa një moment, shkulma e gjakut e mbyti dhe e la pa frymë. Molieri po vdiste dhe me sy të hapët ai po shikonte tashmë veç një errësirë dhe shandanët e artë të skenës.

Që nga ajo kohë, me ngritjen e teatrit të ri «La Comedie Française», kolltuku i Molierit është aty, dëshmi e një kohe dhe e një arti që nuk venitetet dhe pse shekujt shkojnë, ndërkohë që shtëpia e tij është gjithnjë aty pesëdhjetë metra më tutje, në Rue Rchelieu, ku ndodhet dhe busti i tij. Dritaret e shtëpisë Molière shohin ende dritaret ku vdiq një tjetër gjigand i madh i mendimit francez, filozofi Diderot.

Një kolltuk, një teatër, një jetë pasionante, e ethshme dhe vepra me të cilën të gjithë ne jemi mësuar ta ndjekim në skenë. Artistët vazhdojnë të jetojnë përtej vdekjes së tyre veç perms artit!

Vlora Çitaku, në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit kishte të vendosur shqiponjë (FOTO)

Debati i ashpër në mes Vlora Çitakut dhe Ivica Dacicit, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit ka marrë vëmendjen e medieve të vendit por edhe atyre të rajonit, shkruan KultPlus.

Përpos fjalëve që ka thënë Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në Washington Dc ka pasë edhe një aksesor mjaft simbolik të vendosur në anën e majtë të saj, një shqiponjë, pikërisht për t’iu përgjigjur edhe në anën vizuele dilemës së Dacicit për kombësinë e Çitakut, e cila e ka sugjeruar Dacicin që të lexojë historinë./ KultPlus.com

Pranvera Badivuku, gruaja e pesë Okarinave të Arta

Pranvera Badivuku është kompozitorja e parë kosovare pas Sevime Gjinalit.

Pesë Okarina të Arta, çmimet më të larta të Akordeve të Kosovës, pjesëmarrëse në Zambakun e Prizrenit, udhëtare muzikore në Sarajevë, Shkup e Shkodër, Pranvera Badivuku është një grua historike në fushën e saj.
Gjatë jetës së saj ajo ka realizuar rreth 150 kompozime të zhanreve të ndryshme, nga fëmijët e deri te zhanri popullor dhe muzika e lehtë.

https://www.youtube.com/watch?v=ZGAAiaqu-4o

Liliana Çavollit ajo ia ka dhuruar këngën “Të dua qyteti im”, për Pejën, që u këndua me emocion nga këngëtarja e njohur.

Okarinën e Parë ajo e morri me Esat Bicurrin, me këngën “Eja, eja, e bardha verë”. Okarina e dytë vjen në vitin 1974, prapë me një këngë që e këndon i madhi Esat Bicurri.
Në Akordet e Kosovës të vitit 1983 ajo merr dy shpërblime – njërin për këngën “20 vjet të festivalit” dhe tjetrin për këngën “Je kujtimi më i vetëm” kënduar nga Sebahate Bërlajolli. Në vitin 1984 ajo merr Okarinën e Pestë, me
këngë për fëmijë.

https://www.youtube.com/watch?v=K-PILXGs8d4

“Më tepër kompozoj kur jam vetëm. Ndonjëherë ndoshta edhe duke larë ndonjë pjatë, më vjen melodia, nëse e kam tekstin, mjafton një motiv i përshtatshëm, e pastaj ajo zhvillohet” tregon Pranvera Badivuku kur i flet Sanije Gashit në intervistën e saj botuar më pas në libër. / KultPlus.com

Të jesh grua, të jesh dy herë njeri

Nga: Brigela Demaj

Jo pak kanë shkruar mbi njeriun dhe peshën e ekzistencës në harqe të ndryshme kohore e periudha të ndryshme historike, mbi çka do të thotë të jesh njeri; të hash, të pish e të flesh me vetëdijen se të nesërmen do të zgjohesh prapë njeri, në të njëjtin kontekst, të njëjtin sistem, të njëjtin vend, me të njëjtën peshë mbi supe, me të njejtën dhimbje në krahëror, me të njëjtën dilemë; a do t’ia dalësh dot në botë.

Dhe kjo, jo si formë e një depresioni ekzistencialist, por si ndjenjë e mendim të cilit i qaset çdokush, të paktën një herë në jetë. Por, a ka dëshiruar realisht dikush të pasqyrojë e të përkthejë në fjalë dramën e jetës së qenies grua?

Të kërkoj për referenca nuk është qëllimi im, dhe as të akuzoj për të kundërtën, siç me të drejtë mund ta bëja, por po ngre një pyetje tjetër përmes të parës: A arrijnë shkronjat të mbërthejnë e përçojne dhimbjen njerëzore të një gruaje? A e nxënë në të vërtetë disa fletë të bardha këtë britmë tragjike të gruas, të qenies?

Të shkruash mbi gratë dhe për gratë, akoma sot, konsiderohet shpenzim energjie dhe kohe i kotë, nga ato shkrime që bëjnë vajzat e periferive, të mbyllura në kullën e tyre prej Hirusheje në fshat, mendim i cili përforcohet dhe më, nëse këto shkrime janë të sinqerta e paraqesin pa mëshirë mediokritetin e përditshmërisë së gruas. Në fakt, nuk janë shkrimet ato që janë mediokre, mediokër është realiteti në të cilin kontribuojnë pikërisht ata që ndajnë këtë mendim mbi këto shkrime.

Këtë e thotë pikërisht njëra nga ato, një nga vajzat e periferive të një qyteti të vogël verior, të një vendi të vogël ballkanas, e cila, më lejoni t’u them, ka zbuluar me kohë se turpi u përket atyre që ndërtojnë realitete të turpshme, e jo atyre që i dëshmojnë. Përkundrazi, të dëshmosh është, me shumë mundësi, detyrim moral ndaj vetes, botës, dhe atyre të cilëve do t’ua trashëgosh këtë botë.

Të jesh grua do të thotë të jesh dy herë njeri. Të vuash dy herë, të përpëlitesh në dhimbjen e ekzistencës dyfish, të ndjesh se mizoria e botës të ka ty në shënjestër të parën. Të jesh grua do të thotë të pozicionohesh përherë në mbrojtje, të kesh përherë dikë ndaj të cilit të rebelohesh, të durosh vetëdijen mbytëse se liria për ty është përjetësisht utopike. Të jesh grua do të thotë të të ngarkojnë me barrën e rëndë të dy dramave njëkohësisht; atë të qenit njeri, dhe atë të qenit grua.

Çdo gjë është ndryshe kur je grua. Çdo gjë e cila mund të të falë ndjesinë e të qenit e lumtur që je, që ekziston..si flladi i freskët i një mbasditeje vere, është aty për të të kujtuar historinë e një bote të uzurpuar nga të tjerët, e një bote që nuk të përket. Kur je grua, stinët shkojnë dhe vijnë për të shenjuar lumturinë e atyre që zotërojnë stinët, tokën, oqeanin, deri dhe jetët e njerëzve. Të jesh grua, dhe e vetëdijshme që je grua, do të thotë të mbytesh çdo ditë në vetëdijen tënde, të qash çdo ditë për lirinë.. lirinë që mirëpret dhe lëkund ëndërrimtare në prehrin e vet ata, të tjerët. Të jesh grua do të thotë të presesh dhe të përcjellësh nga kjo botë gra te cilave u falet një grimcë nga ajo… dhe u këshillohet të falenderojnë për të, e ti të vuash për çdo grimcë bote të dhuruar kaq poshtërsisht, të ndjesh nën lëkurë dhimbjen e heshtur të të ngjashmeve me ty.

Kur je grua, gjithcka që teë përket është e të tjerëve, vetë qenia jote nuk është e jotja, dhe padroni është dikush me të cilin duhet të bashkëjetosh. Të jesh grua do të thotë të shikosh shkëlqimin dhe rënien e dhjetëra teokracive, pa dëshmuar asnjëherë shkëlqimin tënd. Gjithçka është ndryshe kur je grua. Të jesh grua do të thotë të jesh dy herë njeri.

Ti je ndryshe!

Poezi e shkruar nga Izmir Todaj.

Ti je ndryshe!
Krenare dhe e pabindur!
E gatshme të më çosh në djall sa herë të duash,
Dhe të rikthehesh sërisht, sikur asgjë t’mos ketë ndodhur,
E unë, të të them, “Më fal”.
Ti je motivi përse e dua jetën!
Sinomim i krejt gjërave të çmuara;
Zgjuarsisë, thjeshtësisë, bukurisë…
Marrosja ime mban emrin tënd,
Ashtu siç mban emrin tënd edhe dashuria ime!
I gatshëm të duroj çdo plagë që më dhuron.
I gatshëm të të mbroj, si Hektori Trojën, ndonëse do ta kem të vështirë; Ti je tepër e madhe për zemrën time, o dashuri,
Tepër e fortë,
E papërballueshme!
Por unë do të luftoj deri në fund, deri në inekzistencë…
Dhe ndoshta do të ta mbroj “Trojën” time.
E nëse fundi vjen, në frymën e fundit do të shqiptoj emrin tënd prej çuni, o “çun” me tipare të dashurueshme femërore!
Do ta thërras me zë të lartë emrin tënd, në çdo udhë ku kemba ime do të shkelë,
Do t’i shkruaj inicialet në çdo bankë ku do të ulem,
Në çdo pemë në natyrë,
Në çdo avion prej letre…
E në mundsha, edhe në rè!
Ti je dhe do të mbetesh gjithmonë,
Dashuria ime, shoqja dhe shoku im,
Shpirti im binjak,
Bashkudhëtarja ime në këtë jetë…
Ti, heroina ime!
– Izmir Todaj, Lushnjë: 10 gusht 2017.

Nexhmije Pagarusha: Kur e dëgjoj Inva Mulën nuk mund të vij në vete!

Nexhmije Pagarusha është ndoshta personazhi shqiptar për të cilën është shkruar aq shumë e vetë ajo nuk dëshiron të intervistohet në këto vitet e fundit.

Pagarusha, zëri i kristaltë i shqiptarëve, në një intervistë me Sanije Gashin për librin e saj “Ecje nëpër kujtesë – tregime jete të grave me karrierë” tregon se si u krahasua me këngëtaren e madhe Maria Kallas dhe se si gjithmonë e ka dashuruar zërin e Inva Mulës.

“Kur e dëgjoj Inva Mulën, nuk mund të vij në vete. Kam kënduar shumë evergreen dhe të gjitha në shqip…. Këta të Radio Kosovës kanë mbledhur shumë këngë të mia. Ndoshta pse tani kam kohë ti analizoj, natyrisht, gjej aty-këtu të mos më pëlqejë ndonjë takt, ose se do të mund ta këndoja ndryshe etj. I dëgjoj me kënaqësi, por nganjëherë mërzitem, thjesht, nuk mund ti dëgjoj fare” tregon Bilbili i Këngës Shqipe kur flet me Sanije Gashin, shkruan KultPlus.

Pagarusha ka një karrierë edhe në performimin e klasikëve si Verdi e Betoveni, incizime të cilat kanë humbur dhe prandaj nuk na e kanë lënë neve trashëgimi ta dëgjojmë Nexhmijen në ajkën e muzikës në përgjithësi, në muzikën klasike.
Megjithatë, opera është edhe sot e pranishme në notat e bukura të këngëve që i ka kënduar ndër vite Nexhmija. Kush mund ta mohojë se kënga “Baresha” nuk është një provë se Nexhmija ishte këngëtare madje edhe operistike, një artiste e denjë e notave dramatike muzikore?
Ajo tregon se si dirigjenti Oliver Ristiq, para rreth 40-të vitesh, e krahasonte Nexhmijen me Maria Kallasin – këngëtaren e madhe të operës.

“Ku je Kallasova (Maria Kallas), e mua më vinte turp, ulja kokën e kaloja. Dhe një ditë ishte ide e tij që ta bënim një koncert me muzikë klasike… Na angazhoi mua, soprano, Qazim Dushkun e ndjerë, bariton, Mile Jovanoviqin dhe Jordan Nikoliqin, tenorë” vazhdon tregimin Nexhmije Pagarusha, këngëtarja e madhe shqiptare.

Në këtë koncert, i cili me gjasë nuk i ka shpëtuar incizimeve ose nuk është incizuar kurrë, Nexhmija këndoi “Ah perfido” nga Betoveni, pjesë nga “Traviata” bashkë me Jordanin dhe “Madame Butterfly”. / KultPlus.com

Dita e tretë e ‘Anibar’ e mbushur me aktivitetet të ndryshme

Dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ‘Anibar’, i cili këtë vit po zhvillon edicionin e tij të tetë, ka vazhduar dje e mbushur me plot aktivitet, shkruan KultPlus.

Kjo ditë filloj përsëri me Workshope të cilat filluan në orën 10:00 e për të vazhduar deri në orën 16:00.

Në orën 12:00 në kino ‘Jusuf Gërvalla’ u shfaq filmi i metrazhit të gjatë ‘Sheep and Wolves’ ku flitet për një vend të largët magjik, në një fshat të vogël piktoresk të pozicionuar në mes fushave të gjelbëruara dhe kodrave të larta ku jetonte një kope e shkujdesme e deleve. Por jeta e tyre e qetë dhe pa stres ndërpritet kur një tufë ujqish zhvendosen afër një përroske të afërt. Në të njëjtën kohë në Teatrin ‘Istref Begolli’ u mbajt Kids Program 2.

Në orën 13:00 në Exit Bar u mbajt Meet the Filmmakers: Vladimir Kanic director of “Only Lover leave to Die” (Screening: Balkan Competition, Tuesday the 15th, 20:30, Lake Cinema)

Në orën 14:00 në teatrin ‘Istref Begolli’ u mbajt programi Junior Oscar me mbështetjen e IPKO Foundation, program i cili shënon të gjashtin vit, e Anibari e koordinon për të dytin vit me radhë. Ky program ka për qëllim t’i zhvillojë shkathtësitë kreative, inovative të punës grupore të nxënësve të shkollave fillore të Kosovës, të cilët gjatë vitit bëjnë filma të shkurtër dhe i dërgojnë në ‘Anibar’ ku juria i përzgjedh filmat fitues.

Ndërkohë në kinon ‘Jusuf Gervalla’ u mbajt programi special: Frame Order Retrospective.

Galerina e Arteve mirëpriti ligjëratën e parë në lidhje me historinë e animacionit të Europës Lindore. Ligjërata: Tëins that construct production and create perception: propaganda and censorship. Case study: comparative overview of animated propaganda film from USSR and USA of Cold War era (films of Ivan Ivanov-Vano, John Sutherland and others).

Në orën 16:00 në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ u shfaq filmi i metrazhit të gjatë: The Red Turtle, në të bëhej fjalë për një burrë i cili ka ngecur në një ishull të braktisur dhe takohet me një breshkë të kuqe, e cila i ndryshon jetën.

Në orën 18:00 vazhdoi të mbahet paneli i dytë për ketë edicion me temën: Commons in times of adversity at Peja Gallery me panelists: Modest Gashi (Peja Municipality), Flaka Xërxa (architect, Universitety of Prishtina), Rozafa Basha (architect, Universitety of Prishtina) Moderator: Hajrulla Çeku (EC Ma Ndryshe).

20:30 është ora kur u shfaqet programi Student Cometition në kino Liqeni. Ndërsa në kino Kubat u shfaq International Program 2 në ora 22:00.

E mbyllja e ditës së tretë ishte me tingujt e bukur të muzikës së Eugent Bushpepes dhe DJ Alban Muja. / KultPlus.com

8 thënie inspiruese nga Steven Spielberg

Kemi shumë për të mësuar nga njeriu i cili qëndron prapa filmave tuaj më të preferuar klasikë si Jaws, E.T dhe Jurassic Park. Me imagjinatën dhe aftësinë e tij për të sjellë në jetë idetë e tij më të mëdha, njeriu i dashur i Hollywood, Steven Spielberg është një shembull për të gjithë.

Pasioni i tij, kreativiteti dhe motivimi tregojnë se gjithçka është e mundur. Nga një moshë e re, ai ishte gati për famë kinematografike.

Pasi u largua nga kolegji kur iu ofrua një mundësi në Universal Studios, Spielberg shtroi rrugën e tij drejt suksesit. Mirëpo, pas shumë vitesh si mogul i filmave dhe duke rritur shtatë fëmijë, Spielberg vendosi të kthehej në shkollë për t’iu dhënë shembull fëmijëve. Në moshën 55-vjeçare, ai diplomoi nga kolegji.

Shembuj të këtillë tregojnë se si gjenitë e filmave nuk na inspirojnë vetëm në ekran, por edhe jashtë ekranit. Dhe kemi shumë për të mësuar nga ai.

Shikoni këto tetë thënie nga njëri prej udhëheqësve më inspirues të Hollywood.

Për suksesin
“Jeta është një varg i fuqishëm dhe i gjatë i momenteve të cilat definojnë karakterin tuaj’’.

Për pasionin
“Dëgjoni atë zë i cili ju thotë se mund të bëni diçka. Asgjë nuk definon karakterin tuaj më shumë se ai’’.

Për motivimin
“Mos u largoni nga ajo e cila është e dhimbshme. Kontrollojeni atë. Sfidojeni atë.

Për udhëheqjen
“Puna juaj është të krijoni një botë e cila zgjat përgjithmonë’’.

Për të ardhmen
“Mënyra se si e krijoni një të ardhme më të mirë është duke studiuar të kaluarën’’.

Për fuqizimin
“Në momentet tuaja definuese, mos lejoni që gjendja juaj morale të luhatet nga komoditeti ose përshtatshmëria. Të qëndruarit në karakterin tuaj kërkon shumë guxim’’.

Për mënyrën e të menduarit
“Zëvendësoni frikën me kuriozitet’’.

Për ndryshimin
“Të gjithë ne, çdo vit, jemi persona të ndryshëm. Nuk mendoj se jemi personi i njëjtë gjithë jetën’’. / KultPlus.com

Në Gjirokastër zbulohet pusi 300 vjeçar

Një pus mesjetar 17 metra i thellë u zbulua në dyshemenë e godinës qendrore të Qafës së Pazarit të Gjirokastrës, e njohur ndryshe edhe si 6 këndëshi.

Kastriot Dhrami, i cili administron prej vitesh godinën si njësi për shitjen e suvenirëve, vendosi të kryejë disa sistemime dhe modifikime të brendshme, por ndërhyrja evidentoi pusin për të cilin ishte dëgjuar të flitej nga të moshuarit.

“Kisha dëgjuar për këtë pus që para 30 vitesh, por nuk e dija ku ishte me saktësi. Pusi do të bëhet i dukshëm dhe do të vëmë ndriçim. Është një vlerë e shtuar për qytetin, jo vetëm për pazarin. Është diçka e veçantë”, thotë Dhrami.

Pusi mendohet të jetë ndërtuar para ndërtimit të pazarit, çka do të thotë më shumë se 300 vjet më parë dhe paraqitet në gjendje shumë të mirë. Niveli i ujit që dikur përdorej për tu pirë është deri në lartësinë 5 metra.

Vepra e rrallë ka filluar të befasojë vizitorët, ndërsa i ka shtuar një tjetër atraksion turistik pazarit karakteristik të Gjirokastrës. Banorët e vjetër të qytetit flasin për të paktën 7 puse në pazarin e qytetit si dhe për një sistem të sofistikuar furnizimi me ujë të lidhur me ujësjellësin e Ali Pashës, por kjo ende nuk është faktuar. / KultPlus.com