Berati prapë në listën e qyteteve më të bukura në Evropë

Kryeministri Edi Rama ka postuar mëngjesin e sotëm në “Facebook”, një shkrim të britanikes Telegraph që e ka renditur Beratin të dytin në listën e 30 qyteteve më të bukura në Europë.

Në shkrim veçohet lagja e vjetër e Beratit, Mangalemi, e cila është një Trashëgimi Botërore e Unesco-s.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull të një prej mediave më të mëdha britanike, që e ka renditur Beratin të dytin në listën e 30 qyteteve më të bukura në Europë duke veçuar se: “Mangalem, lagjia e vjetër e qytetit të Beratit, ndodhet në brigjet e lumit Osum dhe është një Trashëgimi Botërore e Unesco-s. Në kohët mesjetare Berati ishte një qytet kufitar i Perandorisë Bizantine, siç dëshmon dhe kalaja e tij”, shkruan kryeministri Rama në postimin e tij.

Pos Beratit, në listë janë përfshirë edhe Kilkenny në Irlandë, Rovinj në Kroaci, qyteti Soglio në Zvicër dhe qytete tjera nga Qipro, Suedia e Sllovakia. / KultPlus.com

Uta është inspirimi

Shkruan: Driada Matoshi

E dua natyrën. Më shumë se çdo gjë tjetër. E di që edhe ti e do. Ndalu e mendo: sa herë të ka shkuar mendja me ik nga aty ku je, e me humb diku në mal?

“Kishim shku në Gërmi nesër… Jam lodh prej këtij pluhuri… Sa shumë më kish pëlqye me e pasë një kasolle të vogël diku në periferi…!?”, janë shprehjet më të shpeshta që i kam dëgjuar kohëve të fundit, që më kanë shtyrë të mendoj më shumë për t’u larguar nga rutina urbane.

Pse nevoja me u lidh më tepër me natyrën po bëhet çdo ditë e më e madhe? Çka po na mungon? Pse po ndihemi kaq të zbrazët? Dhe, pse jemi zhytur në dembellëk sa përtojmë të dalim nga kjo amulli psikike e fizike?

Prej lodhjes së vazhdueshme e kisha përshtypjen se trupi po më zvogëlohet, sikur po bën përpjekje të futet në thellësi të tokës. S’ke si ndihesh ndryshe kur rutina e ushtrimeve të domosdoshme fizike nuk ekziston fare, kur ushqimin që konsumon nuk është i mirë (plus e ha jo me rregull), gjumi është i parregullt e numri e cigareve e alkoolit në rritje… Qëndrimi i gjatë në karrige, parametrat shqetësuese të papastërtisë së ajrit, ushqimi i kontaminuar, shkëputja totale e marrëdhënieve me natyrën, mungesa e lëvizjeve… janë e përditshmëria jonë!

Lodhja e shpeshtë e humbja e energjisë janë shenjat e para që trupi i jep kur kërkon vëmendje. Kështu të paktën ka ndodhur me mua. Këtë “alarm” e perceptova si shkëndijë për ndryshim. Hapi i parë: e lash cigaren; i dyti: dola në vrapim. Pas tri javësh vërejta se ndihem më mirë. Nuk doja t’i kthehesha më rutinës së vjetër. Lëvizja, ushtrimet fizike, përmirësimi i qarkullimit të gjakut ma kanë kthjell edhe trurin.

Ndryshimet e mira për veten e për rrethin i bën këmbëngulja. E, frymëzim të madh për të vazhduar tutje është Uta Ibrahimi, shoqja ime e fëmijërisë. Ajo më nxiti në ngjitjen time të parë, në majën e Rudokës të vargmaleve të Sharrit. Me neve ishin plot të tjerë, kush më shumë e kush më pak entuziast në ngjitjen e majave.

Në pikë të vapës, ishim në mbi 2,500 metra lartësi. Kur arritëm te liqen i Shumanit, i ngritëm tendat për kamping, joga e vështrim të yjeve e të Hënës me teleskop. Sa më lartë ngjitesha, sa më shumë lodhesha, aq më shumë këndellesha dhe merrja frymë më lehtë.

Në vargmalet e Sharrit has në stanet e barinjve që rrinë aty deri në tetor. Rrugës mund t’i takosh ata, në këmbë apo në kalë, duke pasuruar edhe më shumë panoramën dhe koloritin magjik të Sharrit. Sytë sikur pushojnë, e burimet e freskëta ta flladitin më shumë trupin e shpirtin.

E kisha një libër me vete. Në një kapitull të tij flitej për kohën reale dhe atë imagjinare në letërsi; se si në atë hapësirën kohore imagjinare, që e krijon autori, personazhet kthehen prapa në kohë, vizitojnë të ardhmen apo edhe e injorojnë konceptin kohë; se si vetëm ata mund ta gëzojnë lirinë që njerëzve prej mishi e gjaku u mohohet. Mendova me veti: nëse vërtetë do të zhdukësh për pak lidhjen tënde me kohën, me oraret, me detyrat, me qëllimet, me përgjegjësitë ditore, e me ia dorëzua veten natyrës duke qenë tamam vetja jote… nisu për në mal. Menjëherë. Lë të të ngjajë vetja me Oskarin e Gunter Grassit i cili vendos të mos plaket, ta mund kohën e ta sfidojë vdekjen!

Arsyeja e mos lëvizjes nuk është plakja, por plakja është pasojë e mos lëvizjes. Shembullin më të mirë e kisha në Sharr, mes njerëzve të grupit të ngjitjes. E pyeta njërin sa vjeç është. Ai burrë me dukjen dhe energjinë e një 25-vjeqari, që shumicën e kohës printe në ecje, më ktheu qetë: 52! Takova edhe nga ata që rrugën e bënin më me shumë vështirësi, por që entuziazmi për të arritur deri në majë nuk u mungonte. Të gjithë ne e sfidonim veten dhe relativitetin e kohës në lartësi.

Ndalesat për pushim i shfrytëzonin në maksimum. Uta kujdesej për secilin, jo vetëm me ofrimin e ndihmës me pajisjet, por edhe me fjalë motivuese. Pasi u ngjitëm në mbi dymijë metra lartësi, bota rreth e rrotull nesh u bë e vogël. Nga ana e majtë e horizontit ishte Korabi shkëmbor, Gjallica e Koretniku përball nesh, në veri Pashtriku… Secili nga ne përfitonte nga pamja që na rrethonte, duke u zhytur thellë në meditim e duke u çliruar nga energjitë e dëmshme.

“Me raste shpejtojeni hapin, me qëllim që t’ia ndryshoni ritmin zemrës, për të hapur kanalet e qarkullimit. Kur të keni mundësi, hiqini këpucët dhe mbani kontakt të drejtpërdrejte me tokën, që ta arrini procesin e tokëzimit – proces esencial për të rikuperuar energjitë trupore”, këshillonte Uta.

Një Zot e di se sa kohë ka kaluar që nga tokëzimi im i fundit. Ndoshta 15 vite kam që nuk jam lidhur drejtpërdrejt me tokën e natyrën, me momentin kur bëhesh i vetëdijshëm për potencialin e trupit dhe mendjen dhe për atë se çka ti mund t’u ofrosh të tjerëve.

Duke ecur, duke marrë informacione për jetën e shëndetshme, e duke planifikuaar aktivitete të tjera, e gjetëm vetën në majë të Rudokës. Është ndjesi e fuqishme dhe emocion i veçantë të qëndrosh në lartësi të tillë e ta shohësh të vogël krejt poshtë, si një maketë, Tetovën e shtrirë buzë vargmaleve të Sharrit.

Qytetin e ruanin retë e bardha, që lëviznin me ritëm të ngadaltë e organik, e shndërroheshin si në figura kafshësh. Të gjithave ua ngjisnim nga një emër. Retë pastaj ngadalë e linin të lirë Diellin, që na vinte pranë – më i bukur e më i ngrohtë se kurrë.

Rudoka është e magjishme. Por, akoma me i magjishëm është momenti kur njeriu e kupton se është shndërruar në inspirim për njerëzit e tjerë. Ndihem e realizuar me këtë ndërmarrje. Ndihem mirë që e kisha pranë Utën, që na shtyn t’i kthehemi natyrës, jetës së shëndetshme, ushqimit të mirë, e gjërave bazë për të cilat ka nevojë trupi e mendja jonë.

Uta më inspiroi që të ngjitem në Rudokë. Gjithçka e mirë dhe pozitivë për mua, nisi mu aty. Provojeni edhe ju.

Vampiri i ‘Twilight’, merr rolin e psikopatit (VIDEO)

Ka qenë një vampir bukurosh apo zbutës elefantësh në role të ndryshme, por si në filmin e tij të ri nuk e kemi parë kurrë.

Robert Pattinson luan rolin e një psikopati te quajtur Connie në trillerin kriminal “Good Time”.
Personazhi i tij është i obsesionuar për lirimin e vëllait problematik nga burgu pas një tentative të dështuar për vjedhje.

Filmi ndjek Odisenë e Connie-t përgjatë një nate të mbushur me fatkeqësi.

“Good Time”, që do të fillojë të shfaqet në kinematë amerikane nga e premtja, është xhiruar kryesisht me kamera dore në rrugët e Kuinsit në Nju Jork.

I mësuar me sete luksoze xhirimi këtë herë Pattinson është detyruar të flejë në një kolibe qensh për të pushuar pas xhirimeve të lodhshme.

“Ritmet e xhirimit ishin shumë të lodhshme dhe duhej të ishe gjithë kohës gati. Nuk mund të kumbisnim asnjë minutë”, thotë ai.

Megjithatë sakrificat e aktorit që u be i famshëm për rolin e vampirit Eduard Cullen në sagën Twilight duket se po shpërblehen. Në Rottentomatos.com trileri ka marre vlerësimet maksimale nga kritika./ KultPlus.com

Pse Shkodra duhej të bëhej kryeqytet i Shqipërisë (FOTO)

Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar, të dielën e 8 marsit 1914, në faqen nr. 2, telegramin e shkodranëve drejtuar Princ Vidit me qëllim që qyteti i tyre (djep i historisë, kulturës dhe traditës shqiptare) të bëhej kryeqendra e Shqipërisë.

Çfarë përmban më konkretisht ky telegram, si e kanë justifikuar këtë kërkesë shkodranët dhe kush e ka firmosur? Në vijim do të gjeni dokumentin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

“Ne kemi marrë nga Shkodra telegramin më poshtë:

Sot, të bashkuar në mënyrë spontane në qytetin tonë prej 30 000 banorësh të Shkodrës, të zonave dhe maleve përreth dhe duke pasur parasysh vetëm interesin dhe të mirën e kombit dhe të shtetit shqiptar, zhvilluam një takim për të kërkuar që Shkodra të bëhet kryeqytet i Shqipërisë. Pasi dëgjuam fjalimet e oratorëve të ndryshëm, ne kemi vendosur njohjen e plotë të Princ Vidit si mbret të Shqipërisë, i cili sapo është zgjedhur nga Evropa dhe kurorëzuar mbret nga populli shqiptar.

Ne i urojmë mirëseardhjen mbretit tonë në tokën shqiptare, i ofrojmë atij shërbimet e shqiptarëve besnikë dhe të virtytshëm, i betohemi për nënshtrim, bindje dhe besnikëri.

Në emër të banorëve të Shkodrës, të zonave malore të Malsisë, Mirditës, Dukagjinit, të një pjese të Kosovës, të zonave përreth Shkodrës e deri në dalje të detit, që përbëjnë pjesën më të rëndësishme të Shqipërisë, kërkojmë që Shkodra të bëhet kryeqytet i shtetit tonë për arsyet në vijim:

Qyteti, i famshëm dhe historik kujtimesh dhe luftëtarësh të vjetër shqiptarë, është më i forti, më i madhi, më i bukuri dhe më i shëndetshmi nga të gjitha qytetet e Shqipërisë aktuale. Shkodra është qyteti i vetëm në Shqipëri që ka ndërtesat më të nevojshme për sovranin, për zyrat e shtetit, për ushtrinë kombëtare, për ministrat dhe konsujt e huaj, për ministritë e qeverisë, etj. Në mënyrë spontane, ajo vë këto ndërtesa në dispozicionin e shtetit, pa qenë nevoja që ky i fundit të shpenzojë miliona për ndërtimin e godinave të cilat janë të domosdoshme.

Shkodra, me të cilën janë të lidhura të gjitha malet e Shqipërisë luftëtare, është strategjikisht qyteti më i madh i Shqipërisë, rrethimi i fundit i saj e ka dëshmuar si qytetin më të famshëm në botë për forcën dhe rezistencën luftarake, sepse ajo rezistoi më shumë se çdo qytet tjetër dhe nuk ra me forcën e armëve në duart e armikut.

Shkodra, kryeqytet i Shqipërisë, e fortifikuar ashtu siç duhet, ushtarakisht dhe strategjikisht, do të jetë, me liqenin, lumenjtë dhe kodrat që e rrethojnë, aq e fortë sa asnjë ushtri e madhe nuk do të mund ta pushtojë, qoftë edhe pas shtatë vjetësh rrethim, ashtu si nuk mundën ta merrnin, pas shtatë muajsh, ushtritë e dy vendeve ballkanike.

E gjithë Shqipëria është sot dhe do të jetë gjithmonë katër herë më e lehtë për t’u pushtuar, nga kushdo, se qyteti i Shkodrës, i mbështetur dhe i përkrahur nga besnikëria e të gjithë shqiptarëve.
Shkodra, nëse nuk bëhet kryeqytet, do të jetë në rrezik për t’u shkëputur nga atdheu. Me qytetin e Shkodrës, do të shkëputen të gjitha zonat përreth, të cilat me të formojnë pjesën kryesore të Shqipërisë.

Natyrisht, ndarja dhe shkatërrimi i të gjithë atdheut tonë është në dyshim. Kryesisht, për këtë arsye, Shkodra dhe banorët e saj të bashkuar u bëjnë thirrje qyteteve të Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës, të gjithave krahinave shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve që e duan atdheun e tyre që të jenë mbështetës të kësaj kërkese.

Prandaj, ajo i lutet Madhërisë së Tij Mbretit të shqiptarëve dhe të kombit shqiptar që të marrë parasysh në mënyrë favorshme këtë kërkesë.

Rroftë mbreti i shqiptarëve ! Rroftë Shqipëria e pavarur ! Rroftë Shkodra kryeqytet!

Ky telegram është nënshkruar (firmosur) nga komiteti organizues, i cili përfshin Kryepeshkopin, Kryetarin e Komunës dhe parësinë e Shkodrës”. / KultPlus.com

‘Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa’ sjellë një rrëfim dashurie të baronit hungarez dhe sekretarit shqiptar

Sarandë Selimi

‘Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa’. Krejt kjo nisi nga një fotografi e Bayazid Elmas Dodës dhe Franz Baron Nopcsës, të cilën e gjeti skenaristi dhe regjisori i këtij dokumentari – Visar Vishka. Ajo fotografi e tërhoqi jashtë mase, gjë që e shtyu të nisë hulumtimin rreth këtyre dy personazheve për të nxjerrë vetëm një skenar e më pastaj atë skenar ta bëjë film fiction. Gjërat nuk rrodhën kështu, sepse Visar Vishka, mblodhi aq shumë material saqë mesditën e së enjtës atë material – filmin dokumentar 107 minutësh e shfaqi para audiencës së Festivalit të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest, pikërisht në ditën e fundit të shfaqjes së filmave të kategorisë kombëtare.

Një rrëfim që asnjëherë nuk të lejon të ikësh. Nisë duke treguar për jetën e shkencëtarit Franz Baron Nopcsa, i cili ishte i apasionuar pas kombit shqiptar, gjë që e bëri të udhëtojë e ta studiojë më shumë këtë komb dhe këtë vend. Një njeri i zgjuar si ai, takoi bashkëudhëtarin e tij, sekretarin dhe dashnorin Bayazid Elmas Dodën, të cilin e mori pas vetes edhe atëherë kur vendosi t’i jap fund jetës së tij. Aventurë pas aventure tregohet përgjatë 107 minutave nga shkencëtarë të tjerë që janë pjesë e këtij dokumentari. Një ndër ta që dinte më së shumëti për jetën e këtyre dy njerëzve ishte edhe Robert Elsie. Ky dokumentar nuk mbaroi vetëm me jetën e dy të dashuruarve që ishin qift homoseksual që nuk e lanë asnjëherë njëri tjetrin vetëm. Aty tregohej pak nga jeta e Ismail Qemailit dhe djalit të tij e pak nga shumëçka që e karakterizonte kombin shqiptarë asokohe -para një shekulli.

Për krejt këtë punë të mahnitshme, Visar Vishka ka punuar përgjatë pesë viteve, e krejt kjo për arsye të buxhetit. Por edhe kjo pritje ishte e mirë, pasi pikërisht për shkak të kësaj, Vishka u bë zbuluesi i varrezave të Dodës dhe Nopcsës.

“Kam punuar rreth pesë vite për këtë projekt. Ishte një krizë në gjithë botën dhe lëshoheshin pak para nga të gjitha fondet, pasi xhirimet ishin jashtë Maqedonisë dhe më duheshin ato. Ishte pak palidhje ta quaj ashtu të dalësh nga filmi dhe të hysh prapë por një gjë e mirë që ishte nga kjo është se zbulova varrezat e tyre. Ka pasur shumë gjëra të reja që patën dalur e edhe montazhi më mori goxha kohë për shkak të materialit, dhe duhej ta gjeja mënyrën si ta tregoj këtë rrëfim sepse duhej të kombinoja shumë gjëra”, pohoi para të pranishmëve dhe para jurisë së filmave të kategorisë kombëtare krijuesi i dokumentarit – Visar Vishka.

Aventurat e Dodës dhe Nopcsës, përfunduan atëherë kur Nopcsa, shkruan një letër ku tregon për vetëvrajsen e tij dhe vrasjen e Dodës. Nopcsa për pak edhe të bëhet Mbret i Shqipërisë, nga një person i thjeshtë vjenez.
“E bëra këtë vrasje, pasi që Doda nuk do të kishte mundur të jetojë pa mua. Do t’i dhimbte shumë”, thuhej në letrën e Nopcsës.

Nopcsa vrau fillimisht Dodën, një shqiptar të ri e të zot, teksa ishte në gjumë e më pastaj edhe veten me një plumb në gojë, plumb ky i cili përveç kafkës së tij shpoi edhe ulësen.
Por thuhej se nuk ishte arsyeja që Nopcsa vrau Dodën, pasi ky i fundit nuk mund të jetojë pa të. Në këtë dokumentar thuhet se Nopcsa vrau Dodën, pasi që Bayazid Elmas Doda e tradhtoi atë me një djalë tjetër. Ishte shkak i xhelozisë.

Jo vetëm jeta e dashurisë së tyre u tregua përmes këtij dokumentari. Edhe shumë zbulime të tyre nëpër vendet shqiptare u paraqitën përmes imazheve që kishte gjetur Vishka.
“Nuk ka qenë asnjëherë ideja që të bëj film, ideja ishte që të bëj hulumtim dhe ta krijoj një skenar për film. Mirëpo në fund kur pashë materialet dhe pashë montazhin e parë 2 orë e gjysmë kishte shumë material dhe ishte fiks për film. Kur e shfaqa premierë të mbyllur mbetën të mahnitur filmbërësit që ishin, duke thënë që ky është film në vete”, u shpreh regjisori Visar Vishka, i cili me këtë film dokumentar është në garën kombëtare të filmave në këtë edicion të DokuFest.

Me këtë film përmbyllet shfaqja e filmave të kategorisë kombëtare në Dokufest, festival ky i cili edhe këtë rrugëtim e ka drejt fundit./ KultPlus.com

“Last man in Aleppo” në Dokufest, paratë e biletave do të shkojnë në ndihmë të Manolja Kabashit

Po vazhdon udhëtimi i 16-të me radhë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest.

“Last man in Aleppo” shfaqet në këtë edicion të DokuFest, së bashku me një mision human.

Të gjitha të hollat e grumbulluara gjatë shfaqjes së filmit do të shkojnë në ndihmë të Manolja Kabashin, e cila vuan nga leukemia.

“Ju ftojmë të bashkoheni në këtë nismë të DokuFest XVI të shtunën, me 12 Gusht në duke filluar nga ora 14:00 në Lumbardh, për të dhënë kontibutin tuaj dhe për të shijuar shfaqjen e filmit fitues të çmimit të madh të Jurisë së “Sundance” për Dokumentarin e vitit 2017”, shkruan në njoftimin e festivalit.

Ndryshe, festivali do të zgjas deri më 12 gusht (e shtunë), ku edhe do të ndahen çmimet kryesore.

“Shpirti shqiptar”, muzika shqipe para 50 milion shikuesve në mbarë botën (VIDEO)

Me datë 1 janar të vitit 2015-të, për herë të parë në koncertin e madh të Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës erdhën motive shqiptare.

Kjo falë Shkëlzen Dolit, artistit të njohur shqiptar që bën pjesë në këtë formacion dhe që është krenaria të gjithë shqiptarëve. Muzika shqipe u performua nga Filarmonia e Vjenës ndërsa emocioni i shpirtit shqiptar u ndoq nga mbi 50 milion shikues.

90-të shtete të botës patën mundësinë të njoftoheshin me shpirtin shqiptar, me videon “Albanian Soul” ku performon edhe violinist Shkëlzen Doli.

Videoja edhe sot është e famshme në internet dhe u mundëson qytetarëve të botës të njoftohen me muzikën shqipe.
Shkëlzen Doli, në anën tjetër, muajin tjetër vjen në Tiranë me një koncert të madh ku do të rikthehet pas shumë kohësh. / KultPlus.com

Publikohet kënga më e re e Rita Orës (VIDEO)

Është lansuar para disa orëve kënga më e re e Rita Orës.

Rita kësaj here ka bashkëpunuar me DJ e njohur Avicii, për të sjellë Lonely Together. Kënga nuk ka videoklip, për momentin vjen vetëm si audio dhe në pak orë ka marrë rreth 300 mijë shikime në Youtube.

Avicii së fundmi ka realizuar disa këngë të ndryshme që vijnë si bashkëpunime me artistë të njohur ndërkombëtarë. / KultPlus.com

Memorial në kampin e Tepelenës, përkujtohen të ekzekutuarit nga komunizmi

30 gushti, shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Në Shqipëri, rreth 6,000 vetë humbën jetën gjatë komunizmit, ekzekutuar me apo pa gjyq farse, vdekur në burgje apo nga kushtet çnjerëzore, por varret e tyre nuk shënoheshin dhe nuk ju tregoheshin familjareve.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka vendosur që të promovojë idenë e një memoriali në kampin famëkeq të Tepelenës, ku humbën varret e qindra personave, sidomos fëmijë.

Ky aktivitet do të organizohet me datë 30 Gusht në Tepelenë, dhe AIDSSH fton qytetarë të interesuar, të mbijetuar dhe familjarë të tyre, për të përkujtuar vite vuajtjesh, jetët e humbura, dhe varre ende te pagjetura të qindra fëmijëve, vdekur nga uria e sëmundjet.

Sipas njoftimit, aty do të prezantohet një maket i memorialit, që do të përbëhet nga “Pylli i Fëmijëve”, rindërtimi i një prej barakave sipas modelit të vizatuar nga i mbijetuari Leke Pervizi, si dhe ide të tjera plotësuese.

Maketi është projektuar nga Gjon Radovani, familjar i një prej të mbijetuarve si dhe arkitekt me eksperiencë ndërkombëtare. Grupi i punës së AIDSSH kryesohet nga Simon Mirakaj, i mbijetuar i këtij kampi. / KultPlus.com

Mos e ngucni Kadarenë!

Të paçim, Kadare, për inat të palo-shqiptarëve, të cilët, fatkeqësisht, nuk janë pak!

Jemi “akomoduar” tmerrsisht në sharje, linçime dhe përçmime. Deviza jonë shumë e rekomanduar: «Shaj, shaj dhe shaj sa të mundesh. Kujdes kë po shan, sepse duhet shkuar për “qejf “ trendeve dhe shenjave të hapura që faktorit shqiptar mos t`i kthehet vendi i merituar në historinë evropiane.
Ne ishim aty, por “shqiptarët, bashkatdhetarët e mi, e kishin humbur Evropën në dy raste tragjike, në shek e 15-të, sikur edhe të tjerët në Ballkan, që ranë ndër okupimin ottoman; dhe së dyti, pas luftës së dytë botërore në kthetrat e komunizmit” – sigurisht që po. Por: “Anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditës, si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. – Fan Noli”

Vagabondët e kombit, duke i gjuajtur vlerat, ligjet e vazhdimësisë dhe obligimet e tij ndaj vetvetes, mundohen të jetojnë jetën e tyre me përcaktimet e tyre dhe kështu është vazhdimisht në grindje me rregullat që na i imponon e vërteta. Të gjitha këto e çojnë në rrugën e kundërshtimit dhe merr pamjen dhe sjelljen e anarkistit dhe na del si një bredhës (endacak, vagabond) intelektual… me bredhje shkrimesh dhe futjen një terren mendor të cilin (nuk) e njohin. Humbje, dhe, më vonë, ikje nga vetvetja.

Nëse Skënderbeun e “përgatitim” për historinë serbe, me Kadarenë duam diçka tjetër më të rëndë.
Diplomati Shaban Murati shumë haptas e thotë: “E majta (e Shqipërisë fxh) ishte në Komitetin Qendror, e djathta na erdhi nga Komiteti qendror”. Rreziku i “patriotëve” të rinj të “demokracisë” shqiptare është shumë i madh, sepse po flasin ata që (ndoshta) janë “Udhëzime” të Katovicës (xh ).

Ç`keni, or miq, me Kadarenë?
“Ilir Demalia kërkon të shesë ngjarjet e ambasadave, duket, i ka kthyer në biznes. Ambasadat ishin një skenar me regji Ramiz Alinë, në role kryesore Berishën, në role të tjera të rëndësishme të gjithë liderët e djathtë, në role sekondare, janë “arnautët” që kapën megafonat, mes demonstruesve, apo dhe në VOA dhe Deutsche Welle, të cilat u bënë njësh me RTSH-në. Në radion gjermane programi për shqiptarët bëhej nga nipi i Eleni Madint, ish-veterane e luftës dhe drejtuese e institucioneve politike, drejtore në fabrikë, etj. Fola për hallën, se nuk ia njoh të atin. Mjafton sot të lexojmë tek intervista që Ilva Tare i bën ambasadorit të parë amerikan Christophor Hill, ndër të tjera, ai shprehet: “Ishte e vështirë për Ramiz Alinë se ne do ta ndihmonim, që po ata njerëz që qeverisën në diktaturë, do të qeverisnin dhe demokracinë”. Pra ky vend u kthye në një skenë teatri dhe ne bëjmë mirë të merremi me çështje me te rëndësishme se mesazhi që na sjell Demalia, “heroi”i ambasadave, që konsumonte minutashin e VOA-s me fjalime boshe dhe pa asnjë nivel. Tashmë duket se Perestrojka është në aktin e fundit dhe duket se kërkon të zhdukë dhe çdo gjurme nga demonstrimi i ligësisë së tyre në diktaturë. Kadare ka përshkruar me vërtetësi këtë marrëdhënie, si një dëshmi me autentike të asaj kohe. Kjo është dhe arsyeja se përse hapen tema të tilla denigruese të figurës së autorit, që janë fundja fare të parëndësishme- shkruan një mik i imi.

Miku tjetër shprehet: “ Lëreni rehat Kadarenë, mos i lehni si qeni diellit! Vepra e tij ka vulosur përjetësinë e tij! Mos u beni qesharakë! Bravo miku I’m, kështu është, se këta që lehin janë të obliguar të hapin tema të tilla denigruese të figurës se autorit, që janë fundja fare të parëndësishme”.

Miku tjetër i të vërtetës shkruan: “Është interesante se si në postime të tjera, nga njerëz të tjerë, gjithmonë mbi Kadarenë, shihet kjo dëshirë e zjarrtë e turmës për linçim. Aq më tepër që ky perversitet ka si iniciatorë njerëz që nuk kanë lexuar një faqe nga vepra e tij, dhe për më shumë, i gjithi ky “sulm moral” ndërmerret në vendin me drejtësinë me imorale në botë, apo perceptimin popullor apo individual më të mbrapshtë mbi drejtësinë.. Radha atëherë përballë viktimës, si edhe sot, ishte e gjatë – vetëm për t’u ulur në bankën e akuzuesit dhe ne karrigen e gjykatësit, kurrkush nuk bëhej palë me të dobëtin apo avokati i tij. Hipokrizia e këtij populli shkon me tej.

Dhe në fund të ditës kjo turmë e kompleksuar dhe e mbytur në të përmjerrat dhe ligështinë e kësaj hipokrizie orientale e ka një fajtor: Ismail Kadarenë». Sa bukur e shkruar!

« Ju, Zotëri, jeni i tokës së shqipeve! Ju i lëvizni shekujt duke e shkruar DAULLET E SHIUT, dhe e shihni Gjergj Kastriotin, i quajtur Skënderbe, princin e Shqipërisë dhe të Epirit, në fikjen morale dhe ushtarake të dy sulltanëve »-thoshte për Kadarenë M. ALAIN PLANTEY (Président de l’Institut, Président de l’Académie).
« Ju, Zotëri, e keni treguar se sa e fuqishme është etika dhe politika nga mesazhi letrar, i cili pushon në guximin dhe talentin tuaj. Vendi juaj është në mesin tonë » – u tha atë mbrëmje. Pra, vendi i Shqipërisë dhe i Kadaresë është në Evropë.

Sharjet ndaj Kadaresë bëhen nga vagabondët intelektualë, duke kundërshtuar të definohen apo të identifikohen, ata i ndërrojnë qëndrimet sipas baticave dhe zbaticave të rrethanave, duke e pranuar një nevojë të imponuar me arsyetimet në emër të taktikave dhe strategjive të mbikohës.

Kjo praktikë e denigrimit të figurave të larta shqiptare, sa gënjeshtare aq edhe e rrezikshme, është një shprehje e përtacisë së intelektualit dhe mangësi e imagjinacionit për pasojat.

Krimbaçët na i mbushin mediat e të gjitha llojeve dhe të gjitha krahinave shqiptare se duhet menduar ndryshe për Kadarenë. Dhe përse ndryshe? Sepse ashtu e do “bossi” i fshehur diku dhe i cili e gërryen vazhdimisht ndërgjegjen dhe vetëdijen tonë, ashtu dhe ashtu të paformuar si duhet.

Rita Ora dominon veshjen më të mirë në VARIETY (FOTO)

Rita Ora ka shkëlqyer me veshjen e saj në një organizim të VARIETY.

Ajo është dalluar nga të tjerët me satenin e përdorur në gardërobë, një veshje gati gati në stil pizhamesh relaksuese.

Rita së fundmi ka paralajmëruar dy bashkëpunime të fuqishme, njëri prej tyre me Charlie XCX.

Tregimet e refugjatëve dhe racizmi modern u shpalosën në ekranin e DokuFest

Sarandë Selimi
‘Sans le Kosovo’, ‘Ethnophobia’, ‘The Remigrant’ dhe ‘ATA’ ishin katër filmat e mbrëmjes së gjashtë të edicionit të 16-të të DokuFest, i cili nisi të premten me 4 gusht. Ky festival i njohur si më i madhi në rajon, po vazhdon çdo ditë të sjellë premiera rajonale e botërore përmes programeve të tij të ndryshme. Filmat që u shfaqën të mërkurën mbrëma, i takojnë kategorisë kombëtare, me dy regjisorë nga Shqipëria e dy nga Kosova. Duartrokitje e audiencës që ishin në një numër shumë të madh nuk munguan ndërsa erdhën shumë tema interesante duke nisur nga rrëfimi personal e deri tek trillimi që duket gjithmonë bukur në pamje vizuale.

Dea Gjinovci sjellë rrëfimin e babait të saj përmes ‘Sans le Kosovo’
Ajo udhëtoi me të atin i cili ishte larguar në moshën 19 vjeç nga shtëpia e tij për në mërgim, duke mos u kthyer as atëherë kur më të dashurit e tij kishin ‘nevojë’ për të. Familja e tij u vra në luftën e fundit në Kosovë e krejt çka ai gjeti kur u kthye ishin vetëm varret e tyre. Përmes dhembjes së shpirtit, Dea Gjinovci solli babain e saj në ekranin e madh të Doku Plato.
“Është e rëndësishme ta shfaqi këtë film këtu sepse është eksperiencë intime, po ashtu edhe për distancën. Aq shumë njerëz e kanë braktisur Kosovën për arsye të ndryshme dhe unë doja ta eksploroja atë kohë dhe gjeneratën tjetër që janë larguar nga Kosova, të cilët po mundohen të rindërtojnë ato lidhje”, pohoi Dea, e cila e pati më të lehtë komunikimin me audiencën në gjuhën angleze.
Ajo vazhdoi tutje të tregonte se ka qenë shumë e rëndësishme për të ta tregojë historinë e babait të saj, sepse edhe pasi që e kishte lënë Kosovën, ai edhe më tutje ka qenë i dashuruar në të.
“Ka edhe aq shumë dhimbje e vuajtje që e kanë detyruar të dalë në azil, për shkak të asaj çfarë kishte ndodhur në vend. Prandaj ky film ka për qëllim që t’i rindërtojë ato lidhje. Kam lindur në Gjenevë, por jam shpërngulur në Londër në moshën 15 vjeçare. Mendoj se nuk është e njëjtë të migrosh tani, në krahasim se si ishte para 40 vitesh. Në atë kohë nuk ka pasur telefonë për të kontaktuar me familjen është dashur të dërgojë letra”, u shpreh regjisorja Gjinovci.



‘Ethnophobia’ përmes filmit të animuar

Gjëra të krijuara nga plastelina, në një film të animuar 14 minutësh i morrën fiks katër vite punë regjisorit Joan Zhonga. Racizmi ishte ajo çka e karakterizoi këtë film, i cili shumë qartë tregon një anë e cila është ende shumë aktuale tek të gjithë njerëzit në botë. Joan Zhonga, përveç që trajton një temë shumë serioze me anë të filmit të animuar, ky projekt i tij në Kino Plato u përcoll edhe me buzëqeshje nga audienca, pasi që, ‘personazhet’ e krijuara nga Zhonga ishin shumë karakteristik e me plot ngjyra gjersa një stuhi bie mbi ta dhe i bën gjithë të njëjtë.

Nga ajo kohë të gjithë e shohin se janë të njëjtë, vetëm ngjyrat i dallojnë.
“Rëndësi ka që është një film shqiptar. Edhe ju e kuptoni së sa kohë ka marrë, pra janë 2 vite xhirim, dhe gati 4 vite për përfundim, pra 4 vite për 14 minuta. Titulli është ‘Ethnophobia’, zgjodha një fjalë ndërkombëtare që kuptohet edhe në shqip. Atë që doja të thoja është se racizmi në 20 vitet e fundit është bërë një plagë për gjithë botën, dhe problem i madh që krijohet te kjo është se shohim te tjetri gjërat që na ndajnë e jo ato që na bashkojnë. Doja të kapja këtë temë dhe nuk ishte aq e thjeshtë që në këtë teknikë të shtjelloja këtë temë”, u shpreh regjisori Joan Zhonga, i cili përmes tre ngjyrave bazë të pikturës gjeti çelësin e zhvillimit të filmit.

‘The Remigrant’ solli për herë të parë Astrit Alihajdarin në rolin e regjisorit
Erdhi premierë botërore mbrëmë në DokuFest. Edhe kasta e aktorëve ishin aty, gjë që e madhështoi edhe më shumë këtë premierë. Astrit Alihajdari i cili deri mbrëmë në audiencën shqipfolëse është njohur si aktor, erdhi si regjisor i një filmi 18 minutësh duke shpalosur temën e migrimit. Një familje kthehet nga Diaspora me fëmiun e tyre të vetëm – Besnikun (Florist Bajgora).
Ky film solli në rolet e tjera Leze Qenën, Ilire Vincën dhe Veton Osmanin. ‘The Remigrant’, flet për shumë tema në të njëjtën kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve.
“Nuk është rrëfim direkt personal por mund të themi që pak më prek dhe mua. Ma merr mendja që nuk ka familje në Kosovë që nuk ballafaqohet me këtë temë. Është ndryshe kur shkon diku jashë nëse vendosë vullnetarisht, e ndryshe kur je i detyruar. Ka qenë mundësi e mirë që ti trajtoj edhe temat e tjera që i pamë dhe po e shoh që nuk është e lehtë të bëhet film por jam munduar që t’i fus të gjitha ato që më preokupojnë”, theksoi Alihajdari .
Ky është filmi i parë ku Alihajdari vjen si skenarist dhe regjisor.

‘ATA’ sjellë jetën e Adit dhe Sonit, barinjë të vegjël
Flmi i Emiljo Leka, film 27 minutësh solli jetën e dy fëmijëve të vegjël, njëri 12 vjeç e tjetri 9 vjeç. Soni merrte tinëzisht cigare nga i ati për t’ia dërguar Adit, që ky i fundit t’i tregonte atij se çfarë është kompjuteri, Ipadi e teknologjitë tjera që fëmijët sot i kanë. Ata dy nuk i kishin. Shihnin një gjuetar teksta gjuante lepuj dhe ëndërronin të bëheshin si ai. Tregimi nuk përfundon këtu. Gjuetari vret babain e Sonit pa qëllim, gjersa ai thurte tokën deri aty ku prekte pjesën e babait të Adit.
Emiljo Leka nuk qe i pranishëm mbrëmjen e së mërkurës që të flasë më shumë për filmin, por padyshim që edhe ky film u duartrokit shumë nga publiku, sidomos loja e dy fëmijëve të vegjël.

Aktori Ilir Tafa, këtë vit në dy filma në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Aktori shqiptar Ilir Tafa po vazhdon me sukseset e tij në kinematografi.

Prej kohësh jashtë Kosovës, Tafa do të jetë këtë vit i pranishëm në Festivalin prestigjioz të Filmit në Sarajevë me lojën e tij aktoriale në dy projekte.
Krahas Vanesa Glodos, Tafa vjen në filmin “Invisible” me regji nga Amra Mehiq, koproduksion mes Bosnjës dhe Hungarisë.

Filmi fokusohet në lojën e aktorit Tafa, i cili i dëshpëruar me jetën ndërmerr diçka që ndryshon rrjedhën e gjërave.

Në anën tjetër, vetë aktori ka treguar se projekti i dytë ku ai luan e i cili do të shfaqet në Sarajevë është “Zhaba” nga regjisori Elmir Jukic, shkruan KultPlus.

“Filmi ‘Invisible’ i regjisores Amra Mehic do të shfaqet me datën 12.08.2017, dhe ”Zhaba”i regjisorit Elmir Jukic me datën 14.08.2017” ka treguar vetë aktori në rrjetin social Facebook.
Festivali i Filmit në Sarajevë këtë vit hapet me 11 gusht, nesër mbrëma, e zgjatë deri me 18 gusht.
Tafa është aktor tanimë i dëshmuar sidomos në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.

Çmimi i “Aktorit më të mirë”, iu nda nga Festivali i Filmit në Gjilan, para disa vitesh. / KultPlus.com

Velipoja, plazhi i veriut ku relaksohen rreth 70 mijë pushues (FOTO)

Velipoja është një qendër turistike mjaft e këndshme, me peisazh të larmishëm dhe me det të pastër. Pushuesit janë kryesisht nga zona e Shkodrës dhe rrethinat e saj, por ka edhe nga rrethet e tjera të vendit.

Por, pushuesit me te shumte ne plazhin e Velipojës jane qytetarë nga Kosova që janë të përvitshëm në këtë plazh.
Investimet dhe shërbimi cilësor kanë bërë që në bregdetin e Velipojës të jene rreth 70 mijë pushues ditorë, kryesish në fundjavë.

Edhe infrastruktura rrugore që lidh veriun e vendit me këtë plazh ka ndikuar pozitivisht.

Pushues nga Kosova shfrytëzojnë edhe linjën e trageteve përmes Komanit për të mbërritur e pushuar në këtë plazh.

Velipoja u ofron pushuesve mundësinë për të kaluar pushime në një vijë bregdetare me ujë të pastër dhe me rërë të imët, por jo vetëm kaq, pasi plazhi është i pasur me vlera unike natyrore si, ranishtja e madhe me gjatësi 14 km rërë të imët dhe të pastër, qe quhet nga banorët “râna e dermanit” për vetitë e saja kuruese. Plazhi ripërtërihet çdo vit nga baticat dhe zbaticat.

Rëra e bregut dhe të gjithë ranishtes ka përqindjen më të lartë të jodit në bregdetin shqiptar.

Plazhi rrethohet nga pylli me drurë të lartë pishe e drurë të tjerë halorë e fletore, me shkurre përherë të blerta, lugina plot me bimësi ujore, duna etj.

Fshati bregdetar, ranishtja e madhe dhe qendra turistike, shtrihen në jugperëndim të Shkodrës dhe relievi është gati tërësisht fushor.

Velipoja po kthehet në një qendër të rëndësishme të turizmit shqiptar. / KultPlus.com

Me dashtë nuk asht me pasë

Poezi e shkruar nga Eli Krasniqi. Eli është socio-antropologe, shkrimtare dhe aktiviste.

Me dashtë nuk asht me pasë
Mjafton me e ditë që dy copa qielli
Shohin, vështrojnë dhimbën njerzore,
Durojnë, falen, privohen, falin
As nuk flasin për netët e (sh)qetësisë
Veç zemrën jashtë e gdhendin e gurin brenda
e mekojnë.
Me dashtë asht mos me u shfaqë, veç me heshtë
Zvarrë zvarrë netve si bubrreci në tokën e zezë,
pa hetueshem lindjen e diellit me ndjekë,
për me i pa dy copa kaltrie që vështrojnë,
që reshin, qeshin, vransohen.
Me dashtë asht veç me ndje, nji prani n’ajr
Kur gjithçka përreth n’kristale drite e shndërron.

Heroina shqiptare Ganimete Tërbeshi, e guximshmja kundër fashizmit

Një gjakovare e cila luftoi fashistët, Ganimete Tërbeshi është kryefjala e medieve serbe në nëntor të vitit 1973.

Kur në Jabuka zbulohet memoriali i heroinave, mes tyre është edhe Tërbeshi. E rritur në një familje në Gjakovë, vëllai i saj vritet nga italianët në vitin 1943. Këtu ajo betohet se do të luftojë kundër fashistëve deri në frymën e fundit.

Në shtëpinë e saj në Gjakovë ishte një nga selitë më serioze të partizanëve.

Mediet serbe në vitin 1973 shkruajnë se si Ganimete Tërbeshi arrestohet në Pejë në vitin 1944, më pas transferohet në Prishtinë. Një shkrim në Yugopapir me titullin “Heronjtë e rinj të Jugosllavisë” e tregon edhe jetën e Ganimetes. Ajo është në mesin e heronjve tjerë si Lepa Radiq, Zlata Malakovska e Vera Miscevic.

“Le ta di mirë armiku se po përzihet me shqiptarët” ishte një prej thënieve të saj, Ganimetes e cila nuk e tradhtoi asnjëherë gjakun e saj. Ajo ishte vetëm 17-të vjeçare kur humbi jetën. / KultPlus.com

Portreti i Jennifer Lawrence vjen i pikturuar nga John Currin në përvjetorin e ‘Vouge’ (FOTO)

Aktorja e njohur amerikane, fituesja e çmimit ‘Oscar’ Jennifer Lawrence është zgjedhur për të qenë figura e kopertinës së revistës ‘Vogue’ për muajin shtator, në rastin e 125 vjetorit të revistës prestigjioze, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe figurën e Jennifer Lawrence, do ta shohim në një pikturë të cilën e ka punuar piktori i famshëm John Currin, i cili njihet për pikturat e tij me përmbajtje erotike.

Pavarësish erotizmit të tij, piktura e Jennifer Lawrence, për edicioni festiv të revistës ‘Vogue’ është më i përmbajtur.

‘Të jem në një situatë ku duhet të krijosh kopertinën për një revistë kaq të famshme, është pak frikësuese. Patjetër duhet të duket si ajo’, ka thënë John Currin. / KultPlus.com

Filmi “Enklava”, ku luan Çun Lajçi, do të shfaqet në gjithë Gjermaninë

Filmi “Enklava”, me regji të Goran Radovanoviq, do të shfaqet në gjithë Gjermaninë, shkruan
KultPlus.

Në këtë film që flet për jetën e vështirë të serbëve në Kosovë, luan edhe aktori kosovar Çun Lajçi.
Poashtu ky film numëron një numër të madh të çmimeve ndërkombëtare.

Për prezantimin e këtij filmi në gjithë Gjermaninë ka njoftuar faqja zyrtare e Qendrës së Filmit të Serbisë. /KultPlus.com

John Bailey presidenti i ri i ‘Oscar’

Organizata profesionale ndërkombëtare ‘The Academy of Motion Picture Arts and Sciences’, e cila ndanë çmimet më të rëndësishme në fushën e artit si ‘Oscar’, ka emëruar presidentin e ri, shkruan Kult Plus.

Kinematografi i njohur amerikan John Bailey, u votua nga 54 anëtarët e bordit dhe u zgjodh president i kësaj akademie për mandat njëvjeçar, duke mposhtur aktoren e njohur amerikane Laura Dern.
Emërimi i John Bailey për president të akademisë së Oscar, zgjoi komente tek publiku, pasi ai nuk ka fituar asnjëherë çmimin Oscar në karrierën e tij filmike.

Për katër mandate njëvjeçare me radhë, president i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, ishte Cherly Boone Isaacs, e cila ishte edhe presidentja e parë me ngjyrë në Oscar dhe femra e tretë në historinë 90 vjeçare të kësaj Akademie. /KultPlus.com

Miley Cyrus në shtator sjellë albumin e ri

Këngëtarja e famshme amerikane, Miley Cyrus, pas dy vitesh që nga albumi i saj i fundit, në shtator të këtij viti sjellë albumin e saj më të ri, shkruan KultPlus.

Lajmin për albumin e ri e bëri të ditur vet këngëtarja dhe tekstshkruesja e njohur, Miley Cyrus, në një intervistë të realizuar së fundmi me revistën ‘Harper’s Bazaar’, ku tha se albumi të cilin do ta lansojë me 29 shtator është shumë ndryshe nga albumi i saj i fundit nga viti 2015 me titull ‘Miley Cyrus & Her Dead Petz’.

“Unë tani ndihem shumë më ndryshe se sa ai person që kam qenë në atë kohë. Tani dua që edhe njerëzit të shohin se kush jam unë tash. Nuk po them se në kohën kur e kam sjellë albumin e pestë nuk kam qenë vetvetja, por se kam ndryshuar shumë”, ka thënë Miley.

Dy muaj më parë Miley Cyrus publikoi me videoklip edhe singlin e saj ‘Malibu’, me të cilin ka marrë afër 250 milionë klikime në YouTube. /KultPlus.com

Paraqitje mbresëlënëse e ‘Shotës’ në Plovdiv

Nga data 1 deri më 5 gusht, në Plovdiv të Bullgarisë është mbajtur edicioni i 23-të i festivalit ndërkombëtar të Folklorit “Plovdiv 2017”. Në këtë festival, ku merrnin pjesë nëntë ansamble, nga nëntë vende të ndryshme të botës, ansambli “Shota” ka mbajtur 8 koncerte dhe 5 defile të përbashkëta me trupat pjesëmarrëse, përcjellë KultPlus.

Organizatori kishte paraparë, për çdo ditë, defile nëpër qendrën e qytetit të Plovdivit dhe programe në sheshin kryesor të qytetit “Stefan Stambolov” si dhe në amfiteatrin Antik të Plovdivit. Gjithashtu të gjitha ansamblet, të ndara në dy grupe kanë realizuar në datat 2 dhe 3 gusht vizitë në qytezën Peshtera, ku përveç vizitës së muzeut të pasur të qytetit, kanë realizuar nga një defile dhe program 30 minutash.

Në ditën e parë të festivalit, ansamblin e ka vizituar ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba, i shoqëruar nga sekretari i dytë i ambasadës Bujar Desku. Po ashtu, Kallaba me bashkëpunëtorë ka përcjellë programet e Ansamblit në sheshin “S. Stambollov” dhe hapjen zyrtare të Festivalit në Amfiteatrin Antik të Pllovdivit. Në një bisedë të ngrohtë me drejtuesit dhe anëtarët e Ansamblit, Kallaba është shprehur se Ansambli “Shota” është ambasadori më i mirë i kulturës sonë në botë si dhe është shprehur se ky aset kombëtar duhet të shfrytëzohet edhe më tepër në sferën e “diplomacisë kulturore”.

Përveç shfaqjeve, drejtuesit e ansamblit, drejtori Shefqet Gjocaj dhe udhëheqësi artistik Ylber Asllanaj kanë bërë vizita edhe në komunën e Plovdivit dhe Peshtera-s. Drejtori Gjocaj, gjatë takimeve me autoritetet e Plovdivit dhe para audiencës prej mbi 5000 shikuesve në përmbyllje të festivalit, ka përgëzuar organizatorët për festivalin shumë të suksesshëm si dhe i ka dëshiruar suksese komunës së Plovdivit në organizimin më të madh që do ta ketë për dy vite, kur në vitin 2019 do të jetë “Kryeqytet Evropian i Kulturës – Plovdiv 2019”. Gjithashtu drejtuesit e Ansamblit kanë realizuar takime dhe kanë këmbyer dhurata me të gjitha trupat pjesëmarrëse të Festivalit.

Duhet përmendur gjithashtu se nga vet përkrahja e publikut të shumtë bullgar por edhe nga komplimentet e shumta të organizatorëve dhe ansambleve pjesëmarrëse, paraqitjet e Ansamblit “Shota” janë vlerësuar si mbresëlënëse. Pothuajse nuk ka pasur asnjë sekondë gjatë paraqitjeve të Ansamblit tonë në skenë apo ne defile që nuk janë përcjellë me duartrokitje dhe ovacione. E kur kjo vije nga një publik shumë i kultivuar në fushën e kulturës dhe folklorit, atëherë vërtetë na bën të ndjehemi mirë dhe krenar, me të gjithë trupën tonë. / KultPlus.com

Artisti çek krijon portrete çeliku me anë të flakës (FOTO)

Ladislav Vlna, një piktor metalurgjik, nga Republika Çeke – Praga, përdorë një teknikë unike në pikturat e tij. Vlna ngjyrosë me anë të zjarrit, duke e ngrohë çelikun në temperatura të larta, kështu ai arrin të krijojë ngjyra të ndryshme në veprat e tij, përcjellë KultPlus.

Artisti 40-vjeçar, fillon me pikturimin e një drafti mbi një sipërfaqe çeliku dhe pastaj gdhend, mpreh dhe ngjyros imazhin themelor dhe krejt në fund me anë të flakës krijon ngjyrën përfundimtare, çka u jep veruarve të tij një pamje shumë unike, shkruan ‘Reuters’, përcjellë KultPlus.

‘Unë po pikturoj duke përdorur zjarrin në vend të një brushe pikturimi. Me anë të zjarrit unë arrij t’i nxjerrë ngjyrat nga brendësia e çelikut’, ka thënë Ladislav Vlna për ‘Reuters’.

Pamja e secilës pikturë ndikohet nga drita që reflektohet në sipërfaqen e metalit në të cilin është punuar.

‘Piktura e vendosur në të njëjtin vend duket e ndryshe në mëngjes dhe në mbrëmje, në varësi të ndryshimit të dritës”, tha krijuesi i këtyre veprave artistike.

Artisti çek, Ladislav Vlna ka kaluar 15 vite duke përsosur teknikën e tij të veçantë. Një pikturë e tillë atij i merr një javë kohë. Ladislav Vlna i shet veprat e tij unike me çmim deri në 8 mijë euro. /KultPlus.com

Vlora Nikçi dhe Armend Baloku, ‘Çifti i hapur’ në New York

Jeta Zymberi

Aktorët Vlora Nikçi dhe Armend Baloku, të cilët janë të njohur për rolet e tyre sidomos në teatër, por ku nuk kanë munguar edhe ato në film, tashmë do të jenë me shfaqje në New York, shkruan KultPlus.
‘Producers Club Theatre’, ka bërë bashkë aktorët edhe në një shfaqje, pas asaj “Lojë martese”, ku çifti luajti bashkë.

Me tekst të Dario Fo dhe Franca Rame, shfaqja “The open couple” apo “Çifti i hapur”, do të jetësohet në skenë nga këta dy artistë kosovarë të cilët jetën po e bëjnë në mes të Kosovës dhe Amerikës.
“Ne vazhdimisht jemi në mes të Kosovës dhe New Yorkut. Mund të themi se shoqëri të madhe tani ne kemi krijuar edhe në New York. Fatmirësisht njerëzit që i njohim janë tërësisht të kyçur në jetën amerikane, dhe stili apo sistemi amerikan është i tillë që të bënë të përparosh po që se jeni këmbëngulës. Në New York kemi hasur në mbështetje të vazhdueshme të komunitetit shqiptaro- amerikan, sa herë që kanë dëgjuar emrin tonë. Duket se ju kemi lënë përshtypje. Mbështetje kemi pasur dhe kemi nga personalitete të veçanta shqiptare dhe amerikane, të cilët i kemi miq dhe mbajmë kontakte të rregullta me ta”, kanë treguar çifti Vlora dhe Armendi për KultPlus.

Shfaqja është në proces e sipër dhe janë pikërisht këta dy aktorë të cilët po bëjnë edhe idenë e shfaqjes. Lidhja e tyre bashkëshortore i ka ndihmuar në realizim.

“Jemi ne ata që po e krijojmë idenë e përgjithshme se nga duhet të ec shfaqja. Arsyeja pse ne jemi duke interpretuar është se në këto tekste ku raporti është në mes të bashkëshorteve, do të ishte përparësi në rast se aktorët që interpretojnë janë në lidhje. Përvoja personale po qe se del në jetën e skenës, atëherë mendojmë se realizmi do të jetë më i theksuar”, kanë treguar aktorët të cilët janë në prova çdo ditë, por përkundër stresit, vullneti i tyre ekziston.

“Kemi shumë punë dhe pak jemi të stresuar, por megjithatë vullneti ekziston, pa të cilin teatri shqiptar do të ishte e pamundur të ekzistonte. Po shpenzojmë shumë energji, por qëllimi është i mirë, andaj ja vlen lodhja”, theksuan ata.

Kjo është hera e dyte që Vlora dhe Armendi po interpretojnë në këtë teatër. Më herët ata ishin prezantuar me shfaqjen “Lojë Martese” nga Edward Albee.

“Vlen të theksohet se të interpretosh në New York është kënaqësi e jashtëzakonshme, ku çdo mbrëmje shfaqen mbi 500 shfaqje teatrore. Është kënaqësi të jesh një ndër to. Brodway është një lagje që emri i është dëgjuar në katër anët e botës, andaj të jesh pjesë e njërës nga skenat e Manhatanit, i bie që po shijon atmosferën teatrore njujorkeze”, kanë thënë tutje ata.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 31 gusht në ‘Producers Club Theatre’, për të vazhduar me reprizat më datë 1, 2 dhe 3 shtator në ora 20:00. Ekziston mundësia që kjo shfaqje të vijë edhe në Kosovë.
Një mbështetje serioze për këtë shfaqje ka ardhur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, Link NY Realty me pronar Valon Nikçi, si dhe AAAF (Albanian American Arts Fund) të cilët kanë hapur çdo derë që ju është nevojitur artistëve për realizimin e kësaj shfaqje. / KultPlus.com

Marie Curie, gruaja e parë që fitoi çmimin Nobel

Marie Curie u nderua me çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1903 dhe me çmimin Nobel në Kimi në vitin 1911. Në këtë fotografi e cila është realizuar në vitin 1908 shihet Marie Curie me dy vajzat e saj Eva dhe Irene.

Edhe vajza më e madhe e Maries Irène ia kushtoi jetën shkencës. Irene Joliot-Curie u nderua me çmimin Nobel në Kimi 1935, ndërsa Eva ishte pianiste, gazetare dhe diplomate. Ajo ka qenë drejtoreshë e Fondit të Fëmijëve në organizatën e Kombeve të Bashkuara UNICEF, organizatë kjo e cila në vitin 1965 u nderua me çmimin NobelPeacePrix.

Foto: Koleksione të Përgjithshme. Biblioteka ‘Wellcome’, Londër. / KultPlus.com