Ka vdekur ylli i xhazit Walter Becker

Walter Becker, bashkë-themelues dhe kitarist i grupit amerikan ‘Steely Dan’, ka vdekur në moshën 67-vjeçare. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në faqen e tij të internetit, derisa shkaqet rreth vdekjes së tij nuk janë bërë të ditura.

Becker anuloi koncertet e grupit në korrik për t’u rimëkëmbur nga një gjendje e papërcaktuar, tha në atë kohë shoku i grupit Donald Fagen.

Grupi i xhazit ka shitur më shumë se 40 milionë albume dhe u fut në “Hall of Fame” për Rock and Roll në vitin 2001.

“Walter është rikuperuar dhe shpresojmë se ai do të jetë mirë shumë shpejt”, tha Fagen për revistën Billboard në fillim të këtij muaji, transmeton KosovaPress.

“Ai ishte cinik në lidhje me natyrën njerëzore, duke përfshirë edhe veten e tij, dhe histerikisht argëtues”, tha ai.

“Kam ndërmend të vazhdoj muzikën që kemi krijuar së bashku për sa kohë që mundem me grupin Steely Dan”, kishte shtuar Fagen.

Becker dhe Fagen filluan të punonin së bashku në muzikë si studentë në Nju Jork./ KultPlus.com

Natën me lanë të vetmume

Poezi e shkruar nga Brikene Ceraja

Kam dëshirë me vdekë me diell
Me mbarim të hanës me u ngritë
M’i shiju të ëmblat e natës.

E ditën e diellit me lanë të vetmume
Të zhveshurit me petkun e njëjtë
Le të ulurijnë nëpër rrugica.

Kam dëshirë me u fundos në ëndërr
E me shiju.

Me fillim të diellit me u zgju
Me ëmbëlsu të vramën ditë
Petkun e zi me ia hjekë

Të veshurit me u zhveshë
Ne, Ju, me shiju petkun e zi me diell
E natën me lanë te vetmume.

Mira Meksi, një rekuiem për gjyqtaren Fildes Hafizi

MIRA MEKSI – REKUIEM PËR FILDES HAFIZIN

​I vrasin, por ato nuk mbrohen

Fillimshekulli i ri shpërtheu një tërbim dhune të paparë ndonjëherë kundër gruas. Dhe kundër këtij tërbimi të pashembullt, tërë planeti ka ndezur llambat e kuqe në një alarm botëror: SOS, jeta e grave më në rrezik se kurrë ndonjëherë!

Gjuha e statistikave është gati e pabesueshme: në vitin 2008, në rang botëror mbi 187 gra të vdekura nga dhuna në familje, që i bie që çdo dy ditë të ketë vdekur një grua. Organizata e Kombeve të Bashkuara zbulon faqe botës fakte të shumëfrikshme: në çdo pesë gra, njëra dhunohet. Ndërkohë që realiteti në Shqipëri është akoma edhe më i egër: flitet për dhunim të një gruaje në çdo 4 gra. Në USA, një e treta e grave të vrara janë viktimë e partnerëve, ndërkohë që në Afrikën e Jugut regjistrohet çdo gjashtë orë një vrasje në familje, shumica gra. Në Sao Paolo të Brazilit, një grua dhunohet çdo 15 sek. Mediat mbarëbotërore dhe organizatat apo federatat e solidaritetit dhe mbrojtjes së gruas janë përfshirë në një fushatë të gjerë sensibilizuese për dhunën ndaj grave; kryetarët e shteteve kërkojnë me forcën e ligjit të ndalojnë këtë furi shkatërruese që ka tronditur nga themelet shoqërinë njerëzore. Në fjalimet e fundit Sarkozy ngre zërin: “Të thyhet ligji i heshtjes dhe të denoncohet dhuna ndaj grave”. Ndërsa Parlamenti evropian ka kërkuar masa më të forta për të luftuar këtë plagë të vështirë të shoqërisë…
Në një nga emisionet më të shikuara të kanalit francez France 2, Ça se discute (Për këtë ia vlen të flitet), drejtuar nga legjendari Jean-Luc-Delarue, ku flitej për këtë temë, u tha se “ Frikshëm, shtëpia është bërë sot një vend më i rrezikshëm se rruga” dhe se vetë gratë nuk denoncojnë, nuk vetëmbrohen… askush nuk i mbron sigurshëm, as shteti, as ligji, as shoqëria… mbetet t’i mbrojnë veç Erinitë, por edhe këto, me sa duket, janë të përgjumura…”
Pothuaj nuk u besova veshëve! Erinitë, shpirtrat femërorë hakmarrës, që përndjekin sidomos krimin në familje dhe vrasësit e gruas! Gjëma duhet të ishte vërtet e madhe që njerëzit, qoftë edhe metaforikisht, po i drejtoheshin për ndihmë Mitologjisë! Ndihmë për të mbrojtur qeniet njerëzore që, mbi të gjitha, nuk dinin të vetëmbroheshin, apo nuk donin ta bënin këtë, dhe as mbroheshin, të paktën duke denoncuar dhunuesit e tyre… M’u ndërmendën dhjetra vrasje të grave nga bashkëshortët, apo të dashurit e tyre, këto pesëmbëdhjetë vitet e fundit në Shqipëri; pothuaj në asnjë rast, mjekësia ligjore nuk ka konstatuar mbi trupin e tyre të pajetë shenja të vetëmbrojtjes, shenja të përleshjes, luftës për të mbrojtur jetën; duket sikur i janë dorëzuar pa asnjë kusht vdekjes nga dora e atyre që kanë dashuruar, sikur i janë blatuar një vendimi të epërm, sikur… E pabesueshme!

Shkrimtar i njohur spanjoll Javier Marías, ka një teori të vetën për këtë; në një ese të tij me titull “Ajo që e patën dashur aq shumë”, thotë: “Kur lexoj në shtyp për vrasje të grave nga bashkëshortët, të dashurit apo mëtonjësit e tyre, ose nga ata që ishin të tillë, por që nuk heqin dot dorë së qeni, më shfaqet imazhi i aktores Shelley Ëinters, sepse ka luajtur, të paktën nja tri herë rolin e viktimës, në tri filma të jashtëzakonshëm, që kanë mbetur në kujtesë. Porse shoqërimi bëhet edhe për një detaj: një nga gjërat që bie më shumë në sy në rastet e dhunës familjare apo gjysmë familjare kundër grave është se, – lexojmë, – se këto rrallëherë luftojnë kundër agresorit, madje, as kur ai i vret. Një lloj ficcion-i alla Dostoievskij, për të sjellë ndërmend një libër si “Kujtime nga nëntoka”, që do të thotë shprehimisht, një histori që formësohet dhe gjallon në shtresat primitive të nënvetëdijes dhe një instinkti atavik, që tashmë ka përftuar përmasa kolektive dhe mbarëshoqërore, pavarësisht “triumfit të qytetërimit” të trumbetuar me të madhe.

Përpiqen të ikin apo mbulohen kotësisht me duar, kërkojnë ndihmë apo ka raste që përgjërohen për mëshirë, porse pothuaj asnjëherë nuk përleshen, dhe as rreken të mbrohen duke goditur. Shpjegimi se e dinë që s’kanë forcën fizike të mashkullit, dhe se beteja ka për të qenë e humbur, nuk është mbushamendase, sepse, edhe duke e ditur se nuk ka shpresë për të dobëtin në atë që quhej dikur “ndeshje e pabarabartë”, instinkti i vetëmbrojtjes e shpie çdo njeri të mbrohet me thonj dhe me dhëmbë. Dhe kjo metaforë i shkon së mbari shpesh, sepse shumë gra nuk kanë veçse këto, thonjtë dhe dhëmbët e tyre. Gjithsesi, skena më e spikatur që lidhet me sa më sipër, është ajo e filmit The Night of the Hunter (1955) Nata e Gjuetarit, e Charles Laughton-it. Burri (luajtur nga Robert Mitchum-i i paharrueshëm), përgatitet të vrasë të shoqen (Shelley Ëinters) një natë me hënë në dhomën bashkëshortore. Dhe ajo e pret e shtrirë në shtrat, me duart të kryqëzuara mbi gjoks, si e nënshtruar ndaj një Zoti të fyer, thika e të cilit ngrihet dhe bie mbi të. Me historinë e filmit është bërë dhe një CD me zërin e jashtëzakonshëm të vetë Laughton-it; në lidhje me skenën e vrasjes, teksti i recituar më 1955 shpreh dyshimn e thellë që ka Shelley Ëinters një çast përpara vdekjes: “Jo”, mendon ajo, “nuk mund të ndodhë, Zoti nuk ka për ta lejuar.”. Dhe më pas, teksti shton: “And she ëho had loved so ëell and so unëisely…”, që do të thotë: “Dhe ajo që e pat dashur aq shumë, shihe tani si dergjet përfund thellësive të kthjellëta të lumit”.
“Nuk di”, vijon Marías-i, “shpesh mendoj se shumica e kësaj gjinie kanë në shpirt një lloj optimizmi vdekjeprurës, i cili i bën që edhe përpara shenjave më të këqia dhe frikërave më të mëdha, të mendojnë si Shelley Ëinters: ‘Nuk mund të ndodhë që të më vrasë njeriu që aq shumë e kam dashur dhe që vazhdoj ta dua, pavarësisht të gjithave’. Shpesh pyes veten nëse shumë gra vuajnë nga një vështirësi e çuditshme për të mos dashur më atë, të cilit vendosën dikur t’i jepnin ditët e tyre një e nga një, derisa i dhanë edhe jetën.”

Sipas Marias-it pra, viktimat nuk e besojnë që njeriu që kanë dashur dhe që, ndoshta ( a me siguri), vazhdojnë ta duan, do të shkojë gjer aty sa t’u marrë jetën. Pa dyshim, kjo logjikë e tij nuk është e pabazuar; por unë ia lejoj vetes të shkoj më larg, dhe për ta përligjur këtë udhë, po marr në ndihmë, njëlloj si Marias-i filmin, letërsinë dhe personazhet që e gjallojnë, — një nga vrasjet më tronditëse të saj është, pa dyshim, vrasja e Desdemonës nga Otellua, në tragjedinë e Shakespeare-it; por ca më mirë më vjen në ndihmë ndërmendja e operës me të njëjtin titull të Verdit: Violinat. Otello hyn dhe sodit të shoqen e përgjumur që është më e bukur se kurrë. Ai hesht dhe vazhdon ta sodisë ; përmban një lëvizje tërbimi, pastaj avitet te shtrati dhe e përqafon tri herë, sa ajo zgjohet. «Qui e la ?» pyet ajo përpara se ta shquajë. Otello e vështron dhe e akuzon përnjëherë për tradhti bashkëshortore. Ajo proteston, por tmerrohet kur Otello i thotë që do ta vrasë. Të paktën të shpëtojë shpirtin, këmëbnul ai, duke pohuar fajin e ndyrë që ka kryer. Ajo e mohon dhe kërkon të thërrasin Kassion që të shfajësohen. Kur Otello i rrëfen që ai ka vdekur ( gënjeshtër në të vërtetë) ajo bie e dërrmuar: Desdemona e di që s’do mundet më ta bindë të shoqin për pafajësinëe saj. “Pianger l’osi?!” ( guxon dhe ta qash?!) ulëret Otelloja dhe hidhet mbi të. Desdemona i lutet dhe i përgjërohet, por ai e mbyt nën një crescendo të tmerrshme kordash. Ajo lëshon një klithmë agonie zemërçjerrëse, e cila shuhet nga buçima e llahtarrshme e orkestrës që luan ‘tutta forza’, dhe stuhia qetësohet pak e nga pak. Otello vështron trupin e së shoqes ‘calma come la tomba’ ( të qetë si varri). Papritmash, dikush troket në portë, është Emilia, shëbëtorja e Desdemonës, e cila pikas me një tmerr të parrëfyer formën e bardhë të nderë përmbi shtrat, e cila me fillin e fundit të zërit thotë disa fjalë. Në këtë akt të fundmë të dashurisë, Desdemona shfajëson të shoqin, pretendon se ka vrarë veten dhe vdes.
Pra Desdemona jo vetëm e beson se i shoqi do ta vrasë, porse dhe e parandjen, e di, pasi përpara se të bjerë në shtrat thotë një lutje për jetën e saj. Duke qenë e pafaj, nuk përpiqet të ikë, të arratiset apo qoftë edhe të mbrohet fizikisht duke thirrur për ndihmë, apo duke u përleshur vetë me dhëmbë e thonjë nga instikti i vetmbrojtjes, — ajo veç kundërshton akuzat dhe i përgjërohet të shoqit t’i falë jetën. Dhe kulmi fare, duke vdekur, shfajëson të shoqin vrasës…

Sidoqë të ndodhë, mendoj, ka një çast kur viktima kupton dhe beson se po vdes nga dora e njeriut të dashur, por sërish nuk lufton kundër tij, sepse lufta kundër tij — është rrebelim, thyerje e tërë kodeve të dashurisë, — do të thotë ta humbasë, dhe ndoshta duket absurde, por ajo prapëlqen të vdesë se sa të jetojë pa njeriun që dashuron.Tronditëse janë fjalët e asaj gruas së re nga fshatrat e Prrenjasit që i mbijetoi goditjeve me thikë të të shoqit, të cilin e arrestoi policia, dhe që nuk rreshtte së thëni: “ Po ç’më duhet mua jeta pa të!”
Mbetet të them si fjalë të fundit, atë që shkruan Javier Marias-i në fund të esesë së tij: “Sidoqoftë, asnjë Zot s’duhet ta lejojë këtë!” Por, nëse Zoti e lejon këtë: I mbrojtshin Erinitë!

Shkëlzen Doli: Unë jam shqiptar, dhe nuk krenohem me asgjë tjetër përveç kombit tim

Pak ditë kanë mbetur nga koncerti i pagëzuar ‘Shkëlzen Doli – Albanian Soul’, i cili do të mbahet më 23 shtator në Sheshin ‘Skënderbej’. Kësisoj ky koncert rikthen sërish para publikut shqiptar violinistin e njohur Shkëlzen Doli, i cili pritet të mbledhë rreth vetës shumë bashkëkombës të tij në kryeqytetin shqiptar.

Tashmë biletat janë në shitje dhe artisti Doli, vazhdon të jetë aktiv në rrjetin social Facebook, jo vetëm duke ftuar shqiptarët të jenë pjesë e këtij koncerti, por edhe duke treguar se me këtë projekt ai donë të bëjë diçka krejtësisht ndryshe, ai thekson se donë ta promovoj muzikën shqiptare të të gjitha trevave dhe poashtu përmes kësaj donë të jetë sa më afër çdo bashkatdhetari të tij.

“Unë kam filluar të luaj në violinë që fëmijë, dhe asnjëherë nuk kam ndalur, nuk mund të jetoj pa muzikë ajo më jep, frymëzim, energji, dhe forcë. Mundohem që këtë energji t’a përçoj dhe tek publiku çdo herë. Duke qenë anëtar i Filarmonisë së Vjenës në përgjithësi koncertet që zhvillojmë me Filarmoninë janë klasike. Me projektin “Albanian Soul” dua të bëj diçka krejtësisht të ndryshme, dua promovimin e muzikës shqiptare të të gjithë trevave dhe dua të jem sa më afër çdo bashkatdhetari tim. Qëllimi im është që muzika Shqiptare me larmishërinë e saj të promovohet kudo në botë. Nëse do ta realizoj këtë mision timin kjo do të jetë dhe kënaqësia më e madhe, dhe arritja me e madhe e karrierës time”, ka shkruar Doli, duke vazhduar të thotë se me mbështetjen e bashkatdhetarëve të tij do të ia dalë që muzika autoktone e kombit shqiptar të jetë në skenat botërore.

Shkëlzen Doli, përveç projektit që do ta realizoj shumë shpejt, ka përmendur edhe Koncertin e Vjenës të datës 1 janar 2015-të. Ai ka thënë që nga karriera e tij momenti më i veçantë do të ngelet ai kolazh i realizuar me muzikë shqiptare pikërisht në Koncertin e Vjenës.

“Nga karriera ime momenti më i veçantë padyshim është kolazhi i realizuar me muzikën shqiptare në Koncertin e Vjenës në datë 1 Janar 2015. Jam shumë i lumtur që ai kolazh u duartrokit gjatë, u transmetua në 200 televizione në botë, dhe vazhdon të mbetet në memorien e publikut Vjenez ende, si një ndër materialet më të mira të interpretuara ndër vite në koncertin më të famshëm në botë. Muzika Shqiptare është një thesar i çmuar, dhe unë në çdo koncert që realizoj kudo në botë, gjithmonë kam interpretuar pjesë nga muzika jonë. Unë jam Shqiptar, dhe nuk krenohem me asgjë tjetër përveç kombit tim”, ka theksuar Shkëlzen Doli, mjeshtri i violinës i cili me performancat e tij dërgon nga një copë shqiptari në mbarë botën./ KultPlus.com

Muzeu i Bankës së Shqipërisë, destinacion të ri për vizitorët shqiptarë e të huaj

Gjatë muajit shtator, Banka e Shqipërisë do të prezantojë disa objekte etnografike, pjesë e koleksionit të saj, me qëllim promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar.

Faqja e muajit shtator paraqet tre mbajtëse baruti (vezme) dhe një vajnicë, të përdorura kryesisht në jug të Shqipërisë

Këto objekte janë punuar në aliazhe metalesh nga argjendarët e qytetit të Janinës, në shek. XIX.

Që prej hapjes së tij më 30 tetor 2015, Muzeu i Bankës së Shqipërisë është kthyer tashmë në një destinacion të ri për vizitorët shqiptarë e të huaj. I vendosur brenda ndërtesës së bankës qendrore në sheshin kryesor të kryeqytetit, Muzeu i Bankës së Shqipërisë është konceptuar si një ndërthurje midismuzeales dhe didaktikes. Ai është kthyer në një qendër edukimi të historisë monetare e financiare të vendit që nga lashtësia e deri në ditët e sotme.

Muzeu është vizituar nga të gjitha grupmoshat, përfshirë shumë fëmijë shkollash, studentë, punonjës institucionesh dhe qytetarë, të cilët kanë pasur mundësinë të mësojnë më shumë mbi të gjitha aspektet e parasë dhe të ekonomisë, si dhe të kuptojnë më mirë funksionin e Bankës Qendrore.(Shkruan ATSH)/ KultPlus.com

Festa e Shenjtëreshës Shqiptare

5 shtatori, i përçdovjetshëm, në Kosovë, është festa e Shenjtëreshës Shqiptare, që pashmangshmërisht lidhet me Tempullin e Saj, i ndërtuar në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja e kushtuar personit të saj të shenjtë, është ‘vizatuar’ të jetë Katedra e Mësimit; një vendtakim i dashurisë për ata që dashurinë e kanë mision të jetës, një vendmësim për ata që ajo u ka munguar e u mungon akoma. Do të jetë Katedër e Nënës së urtë, Nënë Lokes plotë dashuri, duar të mëshirshme e përqafim pranimi. Do të jetë Katedër për bijtë e bijat e saja që i do pamasë, me atë dashuri me të cilën qe mbrumur jeta e saj. Do të jetë Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër.

Nga Don Fatmir KOLIQI*

Gonxhe Bojaxhiu, bija e Dranës dhe e Kolës, e njohur për një gjysmë shekulli si Nënë Tereza, tashmë shenjtëreshë, “njihet” nga të gjithë, ndërsa personi i saj ka marrë përmasa botërore. Me shenjtërinë e saj magnetike, thjeshtësinë prekëse, dashurinë ledhatuese, njerëzinë shumëdimensonale, ajo është bërë ikona e kohës sonë. Kjo grua, “patulake gjigante”, është person që gjithnjë tërheq e grish për ta njohur atë gjithnjë e më shumë. Arsyeja qëndron te e përhershmja cilësi e saj: personi dhe jeta e saj e hirshëm me veshje hyjnore.
Gjithnjë, para 5 shtatorit, që është festa liturgjike e asaj, kjo tërheqje bëhet edhe më e fuqishme, thuajse e parezistueshme: shndërrohet në grishje për ta ritakuar, për të mësuar prej saj dhe për ta imituar personin e saj.

5 shtatori, është festa e Shenjtëreshës Shqiptare.

5 shtatori, është dita e lindjes së saj për përjetësi, si dhe festa jonë për Nënën. Pjesëmarrja në këtë festë nuk duhet të jetë vetëm ditë pushimi e shlodhje fizike, porse mbi të gjitha, një ditë e shenjtë në kuptimin e plotë të fjalës, ditë e ripërtëritjes, freskisë shpirtërore, për të përjetuar e mishëruar atë që Nëna e ka jetuar me mendje e me zemër, me vepra e me gjeste, gjatë jetës së saj tokësore. Me një fjalë: është festë për të frymuar shpirtin terezian.

5 shtatori, është edhe një ditë ndërkombëtare e bamirësisë e shpallur nga Kombet e Bashkuara, dhe nga Parlamenti i Kosovës, e inspiruar nga Nëna jonë Tereze dhe e identifikuar me të. Ne, populli i saj, e përjetojmë këtë ditë feste për ta bërë ditën tonë të dashurisë dhe të bamirësisë: ditë për vlerat e brumit të identitetit tonë, që i kanë dhanë shpirt qenies sonë mijëravjeçare.

5 shtatori, është një ditë feste për ta njohur Shenjtëreshën, për ta takuar Nënë Terezën dhe për t’u inspiruar prej personit të saj. Të njohësh, në kuptimin biblik – të krishterë, është e barasvlershme me: të pranosh, të identifikohesh, të përthithësh shpirtin veprues të saj. Me fjalë të tjera: ta mishërosh shpirtin terezian. Kjo, jo vetëm pse është një bijë e krishterimit tonë të lashtë, vlerë e kombit tonë, por sepse ajo është vlerë e tejkohshme për çdonjërin prej nesh. Ajo, është figura e një bote që njerëzimi e ëndërron. Sepse ajo është si gurrë e pashtershme, nga i cili buron uji i kulluar e i freskët, që shuan etjen shpirtërore në çdo stinë. Ajo, përfaqëson vlerat për të cilat ndjejmë etje dhe uri të përhershme. Së fundmi, pikërisht sepse personi i saj është derdhje e ngjeshur e një bote të pathënë, të ngujuar ndër shekuj, e pa shfaqur tek vëllezërit tanë dhe motrat tona, për shkak të “këmishave të ngushta e frymëzënëse” që i janë ofruar e imponuar. Ajo, është liria jonë e kërkuar, dashuria jonë e parealizuar dhe paqja jonë e pa përjetuar.

5 shtatori, i përçdovjetshëm, në Kosovë, pashmangshmërisht lidhet me tempullin e Shën Nënë Terezës që është ndërtuar në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja kushtuar personit të saj të shenjtë, është ‘vizatuar’ të jetë Katedra e Mësimit; një vendtakim i dashurisë për ata që dashurinë e kanë mision të jetës, një vendmësim për ata që ajo u ka munguar e u mungon akoma. Do të jetë Katedër e Nënës së urtë, Nënë Lokes plotë dashuri, duar të mëshirshme e përqafim pranimi. Do të jetë Katedër për bijtë e bijat e saja që i do pamasë, me atë dashuri me të cilën qe mbrumur jeta e saj. Do të jetë Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër.

5 shtatori, është festë për Gruan e tejkohshme.

5 shtatori, është festë e lutjes së shqiptarëve drejtuar Shenjtëreshës së tyre.

Na mëso, o Shenjtëresha jonë, ta duami njëri-tjetrin me atë fuqi dashurie që ti e deshe çdo njeri, ata të varfër ndër më të varfër, të mënjanuarit, të lënët, të përjashtuarit… të padashurit. Ne, bijtë e të bijat e tua, kemi nevojë për përvojën dhe fuqinë tendë, sepse s’mund të rrojmë pa e dashur të afërmin tonë, vëllanë dhe motrën, me të cilët ndajmë jetën e përditshme.

*Autori është Famullitar i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë

Artistja e qashtër e raporteve të strukturave

Majlinda përgjatë viteve ka mrekulluar me të gjithë strukturën koloristike të kompozicioneve, e mbi të gjitha guximin për të mos e përsëritur vetveten ndërkohë duke sjellë bashkëkohësi si në aspektin figurativ apo koloristik. Arti i Majlindës të grish, por pa të diktuar. Ai të kërkon kohën e duhur, që të mos ndjesh hapësirë, por për t’u bërë pak nga pak natyrshëm pjesë e tij.

Nga Ben Andoni

Përballja e qenies me artin pamor ruan gjithnjë një hapësirë, që disa e interpretojnë si një hon, kurse të tjerët si shtangësi. Kështu ndodh, pasi kuptimi i artit abstrakt s’është kurrsesi i lehtë. Majlinda Kelmendi me artin e saj nuk të grish dot t’i qasesh pa kushte veprës së vet, nëse nuk ke një mëndje të hapur e mbi të gjitha fantazi. Arti i Kelmendit përmbledh një strukturë, ku koloristika e zgjedhur dhe bashkësia e detajeve, të kuruara me një kujdes skrupuloz jo thjesht të ftojnë për të qëndruar në këtë art, por edhe për të ndihur të abstragosh i lirë dhe t’i afrohesh nënvetëdijes së saj. Formësime detajesh, përdredhje projeksionesh, idera të ndryshme, që vinë përmes thyerjeve imazhesh, pjesë instrumentesh muzikorë, kërkime të ndryshme. Një tërësi elementësh që tregojnë shqetësimin e madh të autores dhe luftën e saj të brendshme për të mposhtur dyshimet për hedhjen e subjekteve. Por pa tension. Një lloj paqësie koloristike nga ku ajo fillimisht ka gjetur paqen disi të trazuar fillimisht me veten e saj. Veçse jo kudo. Në punët e tjera, shikon një artiste që është vazhdimisht në kërkim të përmirësimit të krijimtarisë së vet, por gjithmonë përmes anës pikturike. Në momentin që shprehet, Majlinda ka trandur brenda vetes forca, ka ekuilibruar tendenca për t’u shpërfaqur me të gjithë sinqeritetin e vet artistik. I gjithë ky tension e shikon pastaj në krijimin e saj, ku nënvetëdija e dikton intuitën që autorja të mbetet në trajta e linja të ndryshme, ku gjen vend i gjithë spektri i pranueshëm i ngjyrave të saj. Është interesat fakti i përhedhjes së subjekteve përmes kërkimit të ngjyrave të hapura, që dallohen falë kontrasteve në punimet e saj me ngjyrat e tjera. E gjithë kjo suspansë, gjatë të cilit shikuesi rreket të kuptojë i ngulur te puna e saj, jep mesazhin më të qartë të artistes, luftën e madhe që ka bërë në art për të njohur vetveten dhe dëshirën e pafundme që të mos ndalet në një vend.

Majlinda di të ruajë me shumë profesionalitet raportet e strukturave brenda për brenda formave pamore, kurse një lloj pastërtie e punës së saj të përcjell kah burimit të saj kompozicional.

Për fat, vetë Arti Abstrakt të dhuron lirinë për të eksploruar qartë veprat e bëra prej artistit dhe për të përcaktuar kuptimin, porse ky proces i pandalë meditimi të kërkon nga ana tjetër edhe një punë intensive personale, që të ndihë edhe përvojën e një shikuesi ballë një vepre të tillë arti.

Ashtu si mund të merret lehtë me mënd: kuptimi i artit abstrakt nuk është aq i lehtë, pasi shpesh artistët e tij gjenden para paragjykimeve të atyre që nuk e perceptojnë. Kjo, ndodh shpesh, por përgjigja më e mirë e dyshuesve është se artistët e këtij arti janë vizatues të mrekullueshëm dhe vrojtues shumë të hollë, që krijojnë përvoja vizuale, të cilat nuk shprishen dot qoftë edhe prej peshës së arsyeshme të objekteve.

Dhe, në rastin e Majlinda Kelmendit, pesha e këtij arti është më e madhe sepse pak njerëz mund të shquajnë realisht peshën e objekteve të njohura, që ajo i bën subjekte të natyrshme të perceptimeve të saj. Për atë s’ka shqetësim, nëse puna e madhe për të gjetur kuptimin e asaj që e ngërthen dhe që të çon deri në format më primare të artit në vetvete, nuk perceptohet menjëherë. Sfida e saj mbetet te përshfaqja e qetë e nënvetëdijes, e cila paraqitet e çlirët në këto punime, bashkuar me të gjithë elementët e tjerë të cilat të përcjellin direkt e te origjina e vërtetë e punës. Kritika e specializuar sheh si shumë interesante rrekjen e saj koloristike, gjetjet lëndore që formojnë raportet e formave dhe mbijetojnë mbi telajo që përbëjnë realisht edhe shëmbëlltyra jete por edhe copëza që kristalizojnë si duhet botën e plotësuar të artistes, e cila tashmë ka arritur jo thjesht pjekuri, por edhe e ka përmirësuar dora-dorës artin e saj.

Majlinda përgjatë viteve ka mrekulluar me të gjithë strukturën koloristike të kompozicioneve, e mbi të gjitha guximin për të mos e përsëritur vetveten ndërkohë duke sjellë bashkëkohësi si në aspektin figurativ apo koloristik.

Pikaso, në kohën e tij, e tërhiqte vëmendjen në një pikë, duke e shpjeguar rebusin e kuptimit në art. Arti, sipas tij, nuk mund të shpjegohet kurrsesi në mënyrë direkte me fjalë, pasi ndikimi i tij tek njerëzit mbetej aq personal, ndërsa flet me pjesët joverbale të ekzistencës sonë. Prandaj, arti mbetet një përvojë dhe një ekstrakt jete. Më saktë një sintezë pikturike, që artistë si Majlinda Kelmendi të grishin ta perceptosh me ngjyrat, format, materialet, sipërfaqen dhe të gjithë elementet ndërveprues, që e përbëjnë si unitet. Arti i Majlindës të grish, por pa të diktuar. Ai të kërkon kohën e duhur, që të mos ndjesh hapësirë, por për t’u bërë pak nga pak natyrshëm pjesë e tij.

Çunmulaj me veshje interesante në ‘Burning Man 2017’ (FOTO)

Modelja e mirënjohur shqiptare, Emina Çunmulaj është duke marrë pjesë qe disa ditë në festivalin e njohur të artit dhe muzikës “Burning Man 2017”, i cili po mbahet në shkretëtirën e Nevadës, SHBA.

Ajo, përmes disa postimeve në profilin e saj në Instagram, është parë se po merr pjesë në këtë festival, transmeton Koha.net. Çunmulaj është parë me veshje shumë interesante.

Festivali “Burning Man 2017”, i cili po mbahet qe nëntë ditë dhe do të vazhdojë edhe nesër, raportohet se po marrin pjesë rreth 70,000 njerëz.
Për më tepër shikoni fotografitë./ KultPlus.com

Until we meet again 🌪 #burningman #burningman2017

A post shared by eminacunmulaj (@eminacunmulaj) on

Burn 🔱

A post shared by eminacunmulaj (@eminacunmulaj) on

Shqipëria me masterplan për zhvillimin e potencialit turistik në Alpet shqiptare

Një plan për Alpet synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar të këtij rajoni për 15 vitet në vazhdim. Qëllimi kryesor është që Alpet shqiptare të hyjnë në një cikël të ri të zhvillimit të turizmit duke pasur një qasje më të ekuilibruar sa i takon zhvillimit dhe shfrytëzimit të asaj çfarë natyra i ka dhuruar këtij rajoni.

Me bukurinë e tyre, ndërthurjen në harmoni mes maleve, luginave, liqeneve, lumenjve, ujëvarave e burimeve të tjera natyrore, Alpet shqiptare lënë pa frymë këdo që i sheh për herë të parë. Shumë turistë të huaj nuk ngurrojnë t’i etiketojnë ato ndër më të bukurat në botë.

Zona e Veriut të Shqipëri po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vitet e fundit, por kjo rrezikon që të nxisë një zhvillim të shfrenuar dhe të pastudiuar, ashtu siç ndodhi me bregdetin vite më parë, duke shkatërruar këtë pasuri natyrore.

Për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe një turizëm që i përgjigjet “lartësisë” së vetë Alpeve, një Masterplan dhe Studim Fizibilitetit për projekte infrastrukturore në zonën e Alpeve është iniciuar nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Mbështetja financiare për këtë projekt ka ardhur nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Ky projekt do të pasohet nga një program investimesh kapitale që do të kryhen me bashkëfinancimin e Qeverisë Shqiptare dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës.

Përmes këtij masterplani do të kryhet një studim i thelluar i mundësive për nxitjen e mëtejshme të turizmit në zonën e Alpeve, planifikimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe investime në përmirësimin e infrastrukturës publike në koordinim me biznesin e komunitetet vendore.

Në një intervistë për ‘monitor’, Benet Beci, drejtor ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit pohon se masterplani synon zhvillimin e potencialit turistik të të gjithë rajonit dhe shfrytëzimin e tij në mënyrë të qëndrueshme e në harmoni me natyrën me qëllim që të gjenerohet rritje ekonomike afatgjatë për banorët e zonës dhe pse jo edhe për ekonominë kombëtare.

Numri i turistëve në rajonin e Alpeve (vizitorë që qëndrojnë të paktën një natë në territor) në vitin 2016 ishte 67,000, ndërkohë që kjo shifër pritet të shumëfishohet përgjatë 15 viteve të ardhshme./ KultPlus.com

Artistët kosovarë që takuan Titon

Artistët e Kosovës në takim me Josip Broz Titon në Hotelin Grand në vitin 1979.

Në fotografi shihen: Ikona e muzikës shqipe Nexhmije Pagarusha, këngëtarja Liljana Qavolli, aktorja Melihate Ajeti, këngëtari Gazmend Pallaska, këngëtari Sabri Fejzullahu…

Kjo fotografi është marrë nga Muzeu i Historisë së Jugosllavisë./ KultPlus.com

Kur Evropa është raciste: problemi që dy artistë e sjellin në Prizren (VIDEO)

Familjet rome në mbarë Evropën kanë tregimet e tyre të dhimbjes. Racizmi është i gjallë dhe në formë të mirë, fatkeqësisht, në shumë shtete.

Dy artistë kanë vendosur që racizmin në një formë indirekte ta sjellin në Prizren. Hulumtimi i tyre disavjeçar tregon se edhe shoqëritë më të formuara në Evropë, diku në periferitë e tyre kanë shtypur romët dhe kulturën e tyre.

Në Autostrada Biennale – një Bienale arti që po mbahet në Prizren dhe i ka dhënë një ngjyrim tjetër qytetit të bukur pikturë, artistët Rena Rädle dhe Vladan Jeremić vijnë me instalacionin “Housing Question” – Pyetje e Strehimit.

Instalimi Pyetja e Strehimit përshkruan realitetin e punëtorëve emigrantë romë dhe të tjerëve të pasigurt, nëpërmjet tri studimeve të rasteve, në qytete të ndryshme evropiane: Beograd, Helsinki dhe Romë. Kjo reflekton në mënyrë kritike çështjen e akumulimit të kapitalit, të arritur përmes shpronësimit të tokës dhe ekspozon lidhjen e këtyre proceseve në racizëm. Dy video të integruara në instalim, Belleville dhe Gazela, rezultuan nga protestat e familjeve rome, pas dëbimit të detyruar dhe shkatërrimit të shtëpive të tyre nga qeveria e qytetit dhe për hir të punimeve ndërtimore të lidhura me manifestimin sportiv Universiade 2009 në Beograd.

E nëse mendojmë se një shoqëri si Helsinki është më pak raciste, kjo nuk vlen edhe pas hulumtimit të artistëve. Pas rishqyrtimit dhe prishjes së detyruar të një vendbanimi rom në Helsinki, në vitin 2011, Rädle & Jeremić i ftoi aktivistët, politikanët dhe teoricienët të marrin pjesë në një diskutim publik mbi mundësinë e ndërtimit të një rrjeti trans-urban të “hoteleve për punëtorët e pasigurt” në qytetet evropiane, si dhe një sërë propozimesh për vendosjen e parimeve të përgjithshme për zgjidhjet e strehimit lokal, që do të realizoheshin në Helsinki dhe në vende të tjera në Evropë. Videoja Axhenda e Strehimit paraqet parimet kryesore, lidhur me çështjen në fjalë.
Katër videot dhe Instalacioni vijnë në Prizren në kuadër të Autostrada Biennale.

““E kemi zgjedhur këtë temë sepse mendojmë që është një çështje aktuale në Evropë. Ne mendojmë që puna jonë duhet të merret me zhvillimet aktuale në Evropë. Qe nga vitit 2000 kemi hulumtuar këtë çështje dhe në Autostrada Biennale kemi prezantuar rezultatet e këtij hulumtimi”, thotë Jeremic. për KultPlus.

Dyshja janë artistë praktika artistike e të cilëve përfshin vizatimin, tekstin, fotografinë, instalimin dhe videon, shkruan KultPlus.
Video Pyetja(Çështja) e Strehimit, thekson vazhdimësinë e politikave raciste ndaj romëve, duke e vendosur fjalimin e tyre në mjedisin e njohur historik të qytetit dhe vendeve në Romë, si Casilina 700 dhe 900, ku vendbanimet janë shkatërruar dhe banorët e tyre janë zhvendosur në kontejnerë.

“Për ne, kur flasim për çështjen e drejtësisë sociale në raport me komunitetin rom, mendojmë që është shumë me rëndësi që të ndajmë ndërlidhjen mes varfërisë dhe standardit të ulët jetësor nga çështja kulturore. Një nga pikat problematike për popullatën rome dhe zgjedhjen e problemit të banimit, është se në përgjithësi problemet e romëve interpretohen si çështje e kulturës apo traditave rome. Ne duam të tregojmë që kjo është qasje e gabuar dhe se kjo është një çështje politike. Nëse flasim për segregim hapësinor ne po kërkojmë një zgjidhje për banim” pohon artistja Rena Rädle.

Artistja thotë se ndihet e kënaqur që rezultati i një pune disavjeçare po shpaloset në Prizren, në Kosovë.
“Përshtypjet për Autostrada Biennale janë fantastike. Më pëlqen shumë të jem në Prizren, është një nga qytetet më të bukura në Ballkan” tregon artistja.

Dyshja artistike jetojnë dhe punojnë në Beograd, Serbi. Që nga viti 2002 ata kanë zhvilluar një praktikë të përbashkët artistike, që shqyrton hapësirën e mbivendosjes ndërmjet artit dhe politikës. Projektet e tyre përfshijnë ndërhyrje artistike dhe angazhim në debatet dhe luftërat aktuale publike, bashkëpunimin ndërdisiplinor dhe shpërndarjen përmes medieve të ndryshme. / KultPlus.com

Festivali i Kapelave (FOTO)

Mijëra persona morën pjesë në Festivalin e Kapelave që organizohet në Dorset të Anglisë.

Dizajne shumë të çuditshme u panë në këtë edicion të tetë të këtij festivali, mes të cilëve edhe një kapelë me proshutë dhe vezë të skuqur, transmeton TCH.

Eventi shoqërohet me muzikë, demonstrime dhe konkurse të ndryshme./ KultPlus.com


Pëllumb Xhufi: Arkivat e Venedikut hedhin poshtë klishetë historike shoviniste për identitetin e arbërve të jugut

“Çamëria në mënyrë të veçantë furnizonte me grurë jo vetëm Korfuzin përballë por dhe vetë Venedikun dhe Raguzën, vinin anije që merrnin grurin e Çamërisë dhe që përballonin nevojat për ushqim jo vetëm të popullsisë por të ushtrive veneciane që ndodheshin në këto vende”

“Arbërit e Jonit”, libri më i fundit i Pëllumb Xhufit, trajton disa tema delikate të historisë kombëtare. Është politika ajo që ka futur duart në histori, ndërsa kërkimet shkencore të historianit të njohur në arkivat e Venedikut e të Spanjës hedhin poshtë shumë pretendime politike e teza nacionaliste të grekëve e më gjerë.

“Kjo në këndin jugperëndimor të Shqipërisë për të cilin nuk ka një studim nuk kishte deri tani, natyrisht ndodhi që unë gjeta dhe një fond dokumentash të pabotuara, shumë interesante në arkivat e Venedikut dhe ato të Spanjës”, thotw Xhufi, shkruan shqiptarja.com.

“Unë gjykoj që jashtë çdo gjykimi politik, ky është një libër shkencor, në radhë të parë,i mbështetur fort në dokumenta dhe unë citoj gjerësisht dokumentat dhe në gjuhën origjinale të tyre të cilat futen dhe një çikë në debatin e sotëm politik për Himarën, për Çamërinë. Kjo zonë, Shqipëria e poshtme siç e quanin të huajt në atë kohë. Ka qenë një zonë etnikisht shqiptare. Ka qenë një nga zonat me një ngjeshje të madhe ngjarjesh historike por ka qenë edhe një zonë ku ka lulëzuar një kulturë e veçantë”, pohon ai.

Xhufi deklaron se arkivat e Venedikut janë një minierë ari, prej të cilave hidhen poshtë klishetë historike shoviniste për identitetin e arbërve të jugut, ku më konfliktualja është çështja e çamëve. Në këto arkiva zbulohet se çamët janë arbër autoktonë dhe të regjistruar si zotërues të pronave e pasurive të mëdha.

“Në arkivat e Venedikut të cilat janë një minierë, kanë shumë rëndësi dokumentet arkivore, cilat janë? Problemi ishte i marrë në pikpampje etnike, padyshim del himarjotët janë shqiptarë madje ndër shqiptarët më të mirë më të angazhuar në qëndresën anti-osmane dhe shqiptarët që kanë ruajtur lidhjet që kishte Shqipëria para pushtimit osman me perëndimin, në radhë të parë me mbretërinë e Napolit dhe me republikën e Venedikut, ky është një konkluzion, Çamëria për shembull del qartazi e banuar, dokumentat na japin edhe banorët e fshatrave të veçantë të Çamërisë.

Përcaktohen si shqiptarë, dokumentat veneciane dhe ato spanjolle dhe jepet si të thuash një konfirmim historik i pakundërshtueshëm për këtë aspekt, për aspektin etnik. Ky dokumentacion më ka dhënë mua të trajtoj edhe probleme tjera, si për shembull të trajtoj problemet ekonomike por Shqipëria ka qenë e lulëzuar, Çamëria në mënyrë të veçantë furnizonte me grurë jo vetëm Korfuzin përballë por dhe vetë Venedikun dhe Raguzën, vinin anije që merrnin grurin e Çamërisë dhe që përballonin nevojat për ushqim jo vetëm të popullsisë por të ushtrive veneciane që ndodheshin në këto vende”, u shpreh Xhufi./ KultPlus.com

Një letër emocionuese e Quasimodos për nënën e tij

SALVATORE QUASIMODO – LETËR NËNËS
Përktheu Beti Njuma

«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten,
flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga,
pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen;
nuk jam i trishtuar në Veri: nuk jam
në paqë me veten, por prej kërkujt falje nuk pres, të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit. E di që je ligsht, që jeton
si tërë nënat e poetëve, e varfër
dhe e drejtë sa duhet në dashurinë
për bijtë e largët.
Sot jam unë që të shkruaj.» – Më në fund, do thuash, dy fjalë
nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër
e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht
ndonjë ditë dikund do ta vrasin. – “Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion
të vdekur
trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle,
në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot laraska,
kripë dhe eukaliptus. Por tash të t’falenderoj,
këtë dua, për qesëndinë që mbolle në buzët e mia, të shtruar si e jotja.
Ajo buzëqeshje më shpëtoi nga vaji dhe dhimbjet.
Dhe s’prish punë nëse tani për ty derdh ndonjë lot, për krejt ata që si ty presin, dhe s’dinë çfarë. Ah, vdekje fisnike, mos e prek sahatin në kuzhinë që tiktakon mbi mur,
tërë fëmijëria ime shkoi mbi smaltin e fushës së saj, mbi ato lule të vizatuara: mos i prek duart, zemrën e pleqve. Po ndofta dikush përgjigjet? O vdekje prej mëshirës,
vdekje turpi. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime.”

WSJ shkruan për Gjirokastrën

Për të pasionuarit pas arkitekturës, ky qytet ballkanik është sekreti i ruajtur më mirë. Një kapsulë e vërtetë kohore e Perandorisë Osmane, qyteti shqiptar i Gjirokastrës mund të jetë qyteti më intrigues për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë.

Nga Cathryn Drake

Gjirokastra, në jug të Shqipërisë, mund të mos jetë destinacioni i parë që të vjen në mendje nëse vendos të bësh një udhëtim në Europë këtë fund-verë. Por ky qytet kodrinor prej 66,000 banorësh është jashtëzakonisht tërheqës dhe me çmime të përballueshme, si dhe dy orë me makinë larg nga plazhet e bukura të bregdetit shqiptar. Ende nuk jeni të bindur? Një kapsulë e vërtetë kohore, Gjirokastra shërbeu si qendër tregtare për rreth 500 vjet nën Perandorinë Osmane (1385-1912) dhe si skenë për një “Game of Thrones” të vërtetë. Vendosni aty një kështjellë mesjetare, një bunker nëntokësor të epokës komuniste dhe një “avioni spiunësh” të SHBA-së, dhe Gjirokastra mund të jetë vërtetë qyteti më i vogël intrigues për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë.

Gjatë fundjavës që kalova në Gjirokastër, qëndrova në Shtëpinë Babameto që ndodhet mu nën kalanë e madhe gotike. Megjithëse strehimi është i thjeshtë (madje edhe dhomat private kanë tualete të përbashkët), struktura është komplet e kundërta. Një shtëpi-kullë osmane e shekullit të XIX, me rreshta elegantë dritaresh dhe ambiente të brendshëm të ngrohta prej druri, Babameto është një nga restaurimet e shumta historike të ndërmarra në dekadën e fundit nga Fondacioni jofitimprurës Gjirokastra.

Pas mbërritjes sime në Babemeto, takova drejtorin ekzekutiv të fondacionit, Sadi Petrela, dhe soditëm panoramën përtej mureve të kopshtit: pallate përrallore në kodrat përreth, një minare e shekullit të 18-të që rri pezull mbi çatitë prej argjile dhe, më tutje, kreshtat malore. Fondacioni ka qenë në krye të mbi 50 projekteve, përfshirë rehabilitimin e rrugëve me kalldrëm dhe restaurimin e pazarit në Qytetin e Vjetër, të quajtur “Qyteti prej Guri” falë qindra ndërtesave të gurta. Projekti më i madh mund të jetë Shtëpia Zekate, një rezidencë e vitit 1811, tani një muze. Ndërsa unë dhe z. Petrela ecnim drejt Zekates, në anën tjetër të qytetit, ai u ndie i detyruar, sipas zakonit vendor, të bisedonte me këdo që njihte – pothuajse të gjithë. Vura re pak turistë të huaj gjatë vizitës sime në Gjirokastër. Pas disa ditësh, gratë që qëndronin në pragun e shtëpive dhe burrat që pinin kafe turke në kafene më përshëndesin sikur të isha vendase.

Shtëpia e Zekateve fillimisht i përkiste një zyrtari të lartë të kryekomandantit Ali Pasha. Ali Pasha pushtoi Gjirokastrën dhe e bëri atë një fortesë kundër regjimit osman. E ndërtuar gjatë kësaj kohe trazirash civile dhe banditizmit të pamëshirshëm, Zekati u ndërtua si një kështjellë, me mure të trasha guri, dyert të rënda të përforcuara dhe dritaret të vogla. Në lagjet e banuara, në katet e sipërme të shtëpive ndodhet salloni i pritjes me divanë të ulët ngjitur pas murit, tavanet e lartë prej druri të gdhendur dhe një oxhak madhështor i stolisur me motive lulesh që përsëriten në afresket e murit. Pasi u kthyem me z. Petrela në Zekate, u ulëm për kafe me Zekatët, çiftin e moshuar që ka trashëguar dhe menaxhon shtëpinë. “Ndërtesa e vogël ku ata jetojnë tani ishte dikur për shërbëtorët”, thotë Petrela. Pasi regjimi komunist shtetëzoi rezidencën, familja Zekate u varfërua.

Faktikisht, komunistët morën shumë ndërtesa historike në Gjirokastër; pas rënies së regjimit, në vitin 1991, të gjitha ndërtesat iu kthyen familjeve që i kishin zotëruar ato. Fondacioni nuk po punon vetëm për t’u kthyer këtyre ndërtesave lavdinë e tyre të mëparshme. Pjesë e çdo projekti është një plan biznesi që shpreson të rikthejë në atdhe anëtarët e familjeve, shumë prej të cilëve janë larguar për të kërkuar punë jashtë vendit. Shtëpia Babameto, për shembull, do t’i dorëzohet pronarëve vitin e ardhshëm, pasi ajo gjeneron të ardhura të mjaftueshme si hotel për të paguar kostot e rinovimit. “Ne dëshirojmë t’u tregojmë pronarëve se këto shtëpi mund të prodhojnë para dhe se ata mund të kenë një të ardhme premtuese”, thotë z. Petrela.

Edhe e kaluara Komuniste e Gjirokastrës po ruhet.

Të nesërmen, z. Petrela më ftoi të vizitoja Muzeun e Luftës së Ftohtë, i cili u hap në 2014 pas betejave të ndryshme burokratike. Muzeu përfshin një bunker me labirinte të ndërtuar në fshehtësi në vitet 1970 dhe i zbuluar vetëm dekada më vonë. Ky rrjet i ngushtë tunelesh ndërlidh rreth 80 dhoma, të cilat ende janë të etiketuara me funksionet e tyre zyrtare dhe të mbushura me mobilie metalike të ndryshkura.

Evolucioni i kalasë së madhe që ngrihet mbi bunker mishëron peripecitë e historisë ballkanike. Ali Pasha dhe Mbreti Zog, sundimtari shqiptar në fillim të shekullit të 20-të, e zgjeruan strukturën gjatë mbretërimit të tyre dhe e përdornin atë si burg, ashtu sikurse nazistët dhe komunistët, të cilët gjithashtu e përdorën atë si dhoma torture deri në vitin 1963. Tani, e transformuar në Muzeun Kombëtar të Armatimeve, ajo strehon një koleksion mbresëlënës të artilerisë së Luftës së Dytë Botërore, përfshirë një aeroplan të spiunazhit amerikan të kapur në vitin 1957. “Kur e ndërtuam muzeun në kala, u akuzuam nga qeveria për korrupsion dhe se ishim nostalgjikë të komunizmit “, thotë Petrela. “Por kjo është padyshim një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë.”

Kalaja shërben gjithashtu si një hapësirë festive. Në mbrëmjen që u gjeta aty, në skenën e jashtme u organizua një koncert i grupit të tunxhit Fanfara Tirana dhe i këngëtarit popullor Hysni Zela – një fuzion i ritmeve të sinkronizuara të Ballkanit të shoqëruar nga klarineta. Unë iu bashkova valles në rreth që nisi spontanisht mes publikut të të rinjve, dhe ia dola mjaft mirë.

Valëvitja e perdes me dantella më përshëndeti teksa zgjohesha në shtëpinë Babameto të nesërmen në mëngjes. Teksa shihja ndërtesat osmane që spikasnin në kodra, më erdhi në mendje një fragment i shkruar në vitin 1933 nga shkrimtari britanik i udhëtimeve Patrick Leigh Fermor. Gjirokastra, shkruante ai, është “njëkohësisht tepër e vjetër dhe krejt e re dhe fare e panjohur”. Pothuajse 100 vjet më vonë, përshkrimi i tij është ende i vërtetë. WSJ.com/ KultPlus.com

Sonte përfundon edicioni i shtatë i Etno Fest

Sonte mbahet ceremonia e natës përmbyllëse e festivalit Etno Fest, ku edhe do ndahen çmimet për fituesit.

Ky është vikendi i katër i edicionit të shtatë të festivalit Etno Fest, ku është ofruar një program mjaft cilësor.

Sipas agjendës në ora 18:30, do të mbahet performanca dhe instalacione skenike në temë të veshjes se Hasit, të Malësisë së Madhe dhe Malësisë së Prizrenit, pastaj nga ora 19: 30, “Baca Shaqe & Jazz Trio” Program muzikor nga Shaqir Hoti, Visar Kuci, Ilir Bajri, Enes Bajramliqi. Kurse, në ora 21:00, bëhet shpallja e fituesve të festivalit për të vazhduar me Etno Nejën me Nyzafete Shalën dhe grupin “Melodia e vjetër”./ KultPlus.com

Një vit nga koncerti madhështor në Vatikan

Himni për Nënë Terezën u këndua para një viti në Vatikan.

Shenjtërimit të Nënë Terezës, i ka paraprirë një koncert madhështor, organizuar nga Dijana Toska e mbështetur nga Qeveria e Kosovës më 3 shtator të vitit që shkoj. Në Bazilikën papale të San Paolos, në Selinë e Shenjtë janë mbledhur për të interpretuar zërat më të njohur shqiptarë në skenën ndërkombëtare. Lorik Cana dhe Rita Ora kanë çelur koncertin në nder të humanistes shqiptare, me një prezantim të shkurtër për të pranishmit. Inva Mula u ngjit e para në skenë, me himnin e Nënë Terezës, “ Valsi Hyjnor”.

Të tjerë artistë që performuan në Bazilikën San Paolo ishin Shkëlzen Doli, Saimir Pirgu, Rita Ora, Ermonela Jaho, Lumi Veseli e Andi Bajgora ./ KultPlus.com

Orhan Pamuk: Ç’është dashuria?

1 – Më dhemb barku, por jo nga ndonjë e keqe që kam ngrënë
2 – Pres
3 – Nuk mund të lexoj libër
4 – Në kinema, kur të gjithë fillojnë e qeshin, mua më duket vetja si një “i shkretë” dhe rri aty brenda jo për të parë filmin, por për të kaluar kohën
5 – Kam shumë frikë se të gjithë do mësojnë se sa “i shkretë” jam
6 – Vazhdimisht mendoj vetëm një gjë
7 – Nevrikosem me të gjithë për shkak se të gjithë nuk janë njësoj si unë
8 – Në filmin që po xhiroj në imagjinatën time, ne po martohemi
9 – Tavani që është mbi krevatin tim qenka kështu, kordoni i llampës qenka kaq i çuditshëm dhe unë nuk i paskam vënë re më parë
10 – Askush nuk mund të më ndihmojë
11 – Nevrikosem shumë me të gjithë që flasin duke qeshur për këto tema
12 – Nuk punoj dot si më parë
13 – Gjatë vakteve ha vetëm ëmbëlsirat dhe darkave pi alkool
14 – Nevrikosem me veten time se përse nuk jam si të gjithë
15 – Më paska ikur puçra që kasha në këmbë
16 – Të ishte verë, hyja në det dhe, ndoshta, më bënte mirë
17 – Dua të jem vetëm
18 – Këto që thashë mos ia tregoni askujt, nuk dua aspak t’i dinë njerëzit. Po sikur t’i dinte ajo do të kishte ndonjë përfitim? Nëse nuk do të kishte, më mirë të mos dijë gjë fare
19 – Jam shumë i shkretë, por ajo që ka rëndësi nuk është kjo.

Ç’është dashuria?
Dashuria është dorëzimi. Dashuria është shkaku i dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është një muzikë. Dashuria dhe shpirti fisnik janë e njëjta gjë. Dashuria është poezia e trishtimit. Dashuria është vështrimi i shpirtit të thyer në pasqyrë. Dashuria është kalimtare. Dashuria është të mos thuash kurrë që jam penduar. Dashuria është kristalizim. Dashuria është të japësh. Dashuria është ndarja e një çamçakëzi. Dashuria kurrë nuk vihet re. Dashuria është një fjalë boshe. Dashuria është të takosh Zotin. Dashuria është një dhimbje. Dashuria është të jesh sy më sy engjëllin. Dashuria është tek lotët. Dashuria është pritja në kokë të telefonit. Dashuria është një botë e tërë. Dashuria është kapja dorë për dore në kinema. Dashuria është një dehje. Dashuria është një bishë. Dashuria është një verbëri. Dashuria është të dëgjosh zërin e zemrës. Dashuria është një qetësi e shenjtë. Dashuria bëhet temë nëpër këngë. Dashuria i bën mirë fytyrës. Dashuria është malli ndaj një personi që do ta përqafosh fort dhe të duash të rrish me të. Është të dëshirosh se duke përqafuar atë harron gjithçka në botën e jashtme. Është malli i njeriut për të gjetur strehë të sigurt për shpirtin e tij. / KultPlus.com /

Era Istrefi publikon prapaskena nga projekti me French Montanën

Era Istrefi po vjen me një projekt të ri muzikor. Ky projekt i cili fillimisht u paralajmëruar për datën 25 gusht, tashmë është gati.

“No I love Yous” titullohet kënga e cila po vjen në bashkëpunim me artistin e famshëm botëror French Montana.

Era përmes një postimi në Instagram, ka treguar që gjithçka është gati dhe pritja shumë shpejt do të marrë fund.

Ajo ka postuar një imazh gjatë xhirimeve, ku nga ajo që shihet Era metët në stilin e saj, e veçantë dhe tërheqëse si gjithmonë. / KultPlus.com

Dëftim

Poezi e shkruar nga Sibel Halimi.

Në shkallët e fëmijërisë sime
Miliona grimca të ardhmes
S’ka fshesë t’i fshijë

Fidanet e tua, babi- të mijat janë
Imazh i pajetuar i rinisë
Të mbëltuara në alegorinë e Platonit
Të rinuara në broçkullat e Sokratit

Fundi që veshur kam
Ëndrra jote është
E mora vesh babi sot
tek pash detin në fytyrën time qullë
Tek pashë kodrat hije mbi kokë
Imazhi yt mu dëftua në pafundësi

Vrulli që ma jepje çdo natë
Për të sotmen
Pas shumë moteve ndrinë si flakada
Seç m’u kujtove – baba

Kur shtroja batanijen
Kur në filxhanë shumëngjyrësh
gjurmë fati kërkoja
Kur kafenë e zezë katran
E pinim për një ditë të bardhë

Atë fytyrë kurrë më s’e shohë
S’mund, s’arrij
Bredh rrugëve
Dënes si fëmijë
Vrapoj
S’lozë
Përhumbem
Në përjetësi
Babi,
Ma ndiz zjarrin
T’i trembim hijet alegorike
Se vdekja jote është dritë për mu’
A po e ndjenë, sa shumë të du’

50 fakte që nuk i dinit nga jeta e Ismail Qemalit

Se kush është Ismail Qemali edhe një vogëlush 6-vjeçar e ka në majë të gjuhës përgjigjen: Plaku që ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë. Problemi është se po aq sa ky vogëlush, është një pjesë e madhe e popullsisë së Shqipërisë që dinë vetëm kaq për plakun flokëbardhë që kreu aktin më të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Ka një takëm njerëzisht që dinë më shumë.

Ca të tjerë që dinë edhe pak më shumë. Edhe Ismail Qemali ka lindur më 16 tetor, në tekstet e historisë ditëlindja e tij njihet 24 janari, pikërisht për këtë arsye edhe dje u festua 168 vjetori i lindjes së tij. Përse i zhdukën ditëlindjen më 16 tetor, pse përkonte me atë të Enver Hoxhës. Cili është arsimi i tij. Cilat ishin detyrat e tij më të larta në hierarkinë e Perandorisë Osmane e si ngriti në Stamboll klubin për pavarësinë shqiptare dhe si u internua nga pushteti turk.

Përse sulltani e emëroi këshilltar të tij. Si u emërua Vali në Libi, por ai nuk shkoi Tripoli, por në Paris, nga ku nisi punën për pavarësinë e Shqipërisë. Historia e 28 Nëntorit, me kë shkoi në Vlorë dhe përse shkoi në Vlorë. Cilin flamur ngriti dhe historia e dokumentit themeltar që u falsifikua. Një histori plot lavdi dhe kontradikta të një jete, që, siç vetë Ismail Qemali e ka thënë në fjalimin e 28 Nëntorit, Zoti donte që të ishte i pari shqiptar që ngriti flamurin.

1. Ismail Qemali, në fakt quhej Ismail bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”, por asnjëherë asnjë historian dhe personalitet nuk e ka shpjeguar këtë ndryshim.

2. Ismail Qemali ishte një nga personazhet më të rëndësishme të familjes së njohur Vlora, një familje e pasur dhe me shumë tradita, dhe që ka nxjerrë shumë personazhe të rëndësishëm në jetën politike shqiptare.

3. Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare, Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë, duke mos u shkruar në asnjë libër historie. Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844. Në fakt ajo është më 16 tetor 1844.

4. Ismail Qemali jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 2628 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë po mesatare. Ismail Qemali mbante një veshje të kohës, me kostum të kohës, kravatë e kohës, flokë të thinjur të krehur me kujdes dhe me një mjekër të bardhë të krehur edhe atë. Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele.

5. Ismail Qemali gjatë gjithë jetës së vet jetoi në këto shtete: Shqipëri, Greqi, Turqi, Itali,
Bullgari, Siri dhe për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër dhe Gjermani.

6. Ismail Qemali u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe pas një karrierë të konsiderueshme në administratën turke. U arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe.

7. Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.

8. Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.

9. Në asnjë rrethanë dhe në asnjë situatë, ai nuk e përdori këtë moment sublim për të përfituar dhe marrë vlerësime. Madje, në fjalimin e tij ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ai është shprehur, se, siç e donte Zoti që të ishte i pari të ngrinte flamurin e pavarësisë, ashtu të bëhej edhe hero i parë i shtetit shqiptar.

10. Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë.

11. Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin e kuq me dy krena shqiponjash, një flamur që deri më sot na vjen në tre variante. I pari, se këtë e qëndisi një Marigo, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit, atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA varianti i tretë i Eqrem bej Vlorës, sipas të cilit ia dha ai flamurin që ia kishte falur Aleadro Kasstriota burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.

12. Në vlerësimet e punës që i kanë bërë drejtuesit e administratës turke për Ismail Qemalin janë shënuar këto fjalë: Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetari i parë i shtetit shqiptar.

13. Ismail Qemali e nisi karrierën e vet politike si përkthyes në Ministrinë e Jashtme të Turqisë Osmane në vitin 1860. Detyra e dytë në administratë e Ismail Qemalit ishte në vitin 1868, drejtor i Sekretariatit në Zyrën Juridike në Sofje të Bullgarisë, që në atë kohë ishte pjesë e Turqisë Osmane.

14. Ismail Qemali më pas mori detyrën e nënprefektit të rajonit të Rusçuk, një detyrë që e mbajti për pesë vjet. Në vitin 1873, ai jep dorëheqjen dhe largohet nga ajo detyrë.

15. Ismail Qemali u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Turqisë në vitin 1876, një detyrë që e ndihmoi shumë të njihte diplomacinë turke nga brenda, por edhe atë të huaj. Në këtë detyrë qëndroi për një vit.

16. Në vitin 1877, ai pëson një dënim në karrierën e tij, pikërisht për aktivitetin e tij patriotik ndaj Shqipërisë. Me arsyetimin se kërkoi autonominë e Shqipërisë, ai internohet për shtatë vjet në Kytahja të Anadollit. Por presioni i një pjesë të administratës turke, por edhe të patriotëve shqiptarë, bëri që sulltan Avdylhamiti t’i hiqte internimin dhe ta emëronte madje Vali në Bollu të Turqisë.

17. Ismail Qemali emërohet Vali në Siri, një detyrë shumë e lartë në atë kohë dhe për më tepër që bëhej fjalë për një krahinë që më vonë mori edhe ajo pavarësinë si shtet i pavarur. Këtë detyrë e mbajti deri në 28 qershor të vitit 1892.

18. Për punë të mirë Ismail Qemali arriti të bëhej deri këshilltar personal i sulltan Avdylhamitit, në momentin kur Perandoria Osmane ishte në fund të saj. Një detyrë që e mbajti nga viti 1892 deri në vitin 1900. Kjo e ndihmoi atë ta njihte nga brenda perandorinë.

19. Nga e gjithë detyra e tij si këshilltar i Sulltanit, mbahet mend se Ismail Qemali ishte ai që i propozoi atij ndërtimin e një hekurudhe që niste në Durrës dhe mbaronte në Stamboll. Një vepër që nuk u ndërtua as në atë kohë dhe vazhdon të mos jetë e ndërtuar edhe sot.

20. Më 1 maj të vitit 1900, sulltan Avdylhamiti për punë dhe cilësi të mira e emëron Vali i Përgjithshëm i Libisë, një detyrë mjaft e lartë e asaj kohe. Por Ismail Qemali u nis për në Tripoli, por rrugës kthehet dhe shkon në Paris, Londër e gjetkë, për të punuar për çështjen shqiptare.

21. Më 1908, me ndihmën e shqiptarëve të veriut të Maqedonisë, Ismail Qemali zgjidhet deputet i rrethit të Beratit, por në fakt ishte përfaqësues i gjithë Shqipërisë. Gjatë kohës që Ismail Qemali ishte deputet në Parlamentin e parë të Turqisë moderne, ai pati një peshë të konsiderueshme. Fjalimet e Ismail Qemalit në Kuvend kanë qenë nga më oratoriket dhe më me mendim, duke nxitur kundërshtarët ta sulmojnë pa të drejtë.

22. Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871, pikërisht në zemër të Turqisë osmane, se paraqiti tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe pse punonte si pjesë e administratës osmane, mori pjesë në një mbledhje të rilindësve shqiptarë në Stamboll për të krijuar alfabetin shqip.

23. Në vitin 1865 Ismail Qemali nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisë, duke krijuar për këtë çështje një klub në kryeqendrën e perandorisë, Stamboll, bashkë me Konstandin Kristoforidhin.

24. Shërbimi i sigurisë së administratës turke zbuloi se gjatë kohës që Ismail Qemali punonte për Turqinë, kishte hartuar një dokument për projektin e një Shqipërie të pavarur. Ky ishte edhe një nga shkaqet më të mëdha të përndjekjes që u ndërmor ndaj atij.

25. Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka në fakt një variant eksplicit të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime.

26. Dyshimi më i madh mendohet të jetë se ai është helmuar në ushqim nga qarqe greke dhe italiane antishqiptare, që e shikonin Ismail Qemalin si një personalitet me influencë të madhe për çështjen shqiptare.

27. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.

28. Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij, dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932.

29. Varrimi i dytë është bërë me urdhër posaçërisht të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë. Zogu dhe partia e asaj kohe i kanë bërë nderimet më të mëdha trupit të Ismail Qemalit, duke ia vendosur eshtrat në varrin që është edhe sot në Vlorë.

30. Ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të Ismail Qemalit është cilësuar si një nga ceremonitë më të mëdha që ka organizuar Ahmet Zogu gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në pushtet. Ai i ka bërë nderimet më të mëdha atij që u quajt babai i kombit.

31. Ismail Qemali është nga ata personalitete politike dhe shtetërore që ka shkruar kujtimet e veta. Por kujtimet e tij nuk janë botuar asnjëherë të plota dhe kjo është çudia që e ka shoqëruar çdo gjë në jetën e tij.

32. Akuza më e madhe që është hedhur ndaj Ismail Qemalit, është ajo se ai ideoi pas pavarësisë ndarjen e Shqipërisë në kantone një model si Zvicra. Por sipas njerëzve që e hodhën këtë akuzë, kjo do të bënte që fqinjët ta kishin më të lehtë ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.

33. Për herë të parë gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar diskutohet që të hiqet emri i Ismail Qemalit nga një institucion. Ky skandal ndodhi pikërisht kur rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, propozoi që emri i Ismail Qemalit t’i hiqej Universitetit të Vlorës. Propozim ky që ngjalli një reagim mjaft të ashpër si nga politika, media, intelektualët dhe publiku.

34. Pasardhësit më aktivë të Ismail Qemalit në ditët e sotme janë Darling Vlora, Nedim Vlora dhe Ariana Vlora. Ndërsa shumica e pasardhësve të tjerë kanë vdekur, kurse pjesa tjetër është në emigracion prej shumë vitesh.

35. Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Qemali që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë, më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armë mbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u bë me turbekuloz dhe vdiq në moshën 55-vjeçare.

36. Ismail Vlora dhe Xhevdet Vlora ishin dy nipërit e Ismail Qemalit. Ata ishin poliglotë që punuan për bukën e gojës. Dy nipërit e Ismail Qemalit nuk pranuan të bashkëpunonin me regjimin komunist dhe në këtë mënyrë u detyruan të punonin nëpër fshatra të ndryshëm me punë krahu.

37. Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë, pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek nga krahina e Edërnesë.

38. Ismail Qemali u detyrua ta rrëmbente gruan e dytë për arsye se ligjet e ndalonim martesën e një myslimani me një ortodokse. Siç shkruan në kujtimet e veta Ismail Qemali, me këshillën e vjehrrit e rrëmbeu nusen e ardhshme, ndërsa martesa u njoh zyrtarisht në 1886-n, ai ishte 23 vjeç.

39. Nga martesa e dytë Ismail Qemali pati 9 fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej.

40. Fjalimi i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912, Vlorë, zgjati rreth pesë minuta. Fjalimi përmbante 450 fjalë dhe u ndërpre disa herë nga thirrjet e njerëzve që ishin mbledhur në sheshin e qytetit. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit është në momentin që ai nxjerr flamurin dhe e valëvit atë në ajër dhe thotë “Rroftë Shqipëria e Lirë!”.

41. Fjalimi i Ismail Qemalit në Shpalljen e Pavarësisë u lexua i gjithi në gjuhën shqipe. Në të përmendet Shpallja e Pavarësisë, lufta e Skënderbeut, vuajtjet e shqiptarëve dhe së fundi, një lutje drejtuar Zotit që të mbrojë shqiptarët dhe Shqipërinë e Lirë.

42. Fjalia më e veçantë e fjalimit të Ismail Qemalit në Vlorë është: “Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”.

43. Vendimi i parë i Ismail Qemalit pas firmosjes së deklaratës së Pavarësisë dhe marrjes së detyrës si kryeministër, është dërgimi i lajmit në të gjitha qarqet e vendit dhe dërgimi i telegrameve në shtetet e mëdha për njohjen e pavarësisë.

44. Ismail Qemali është djali i Mahmut bej Vlorës që disa herë u ndëshkua nga Porta e Lartë dhe i Hadije Hanëmit nga familja e njohur Alizoti e Gjirokastrës. Ismail Qemali kishte një motër dhe një vëlla më të vogël, Sulejmanin. Sulejmani vdiq gjatë internimit që iu bë familjes nga turqit në Selanik, rreth vitit 1871.

45. Kopja e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, e publikuar në vitin 2007, mendohet se i përket Lef Nosit, i cili në qeverinë e parë shqiptare ishte ministër i Postë-Telegrafës. Teksti shqip i Deklaratës së Pavarësisë përbëhet vetëm prej katër rreshtash dhe janë ato ku thuhet: “Shqipëria të jetë më vete, e lirë dhe e mosvarme”. Më pas vijojnë dy rreshta në turqishten e vjetër.

46. Nga teksti dhe proklamata e Pavarësisë, nga regjimi komunist janë hequr mjaft emra nga firmëtarët e pavarësisë. Por në proklamatë janë hequr edhe disa pasazhe.

47. Kabineti i qeverisë së Vlorës përbëhej nga 10 anëtarë. Kryeministër – Ismail Qemali, Zëvendëskryeministër – Nikoll Kaçorri, Ministër i Jashtëm – Myfit Libohova, i Luftës – Mehmet Pashë Dërralla, i Drejtësisë – Petro Poga, i Arsimit – Luigj Gurakuqi, i Financave – Abdi Toptani, i Bujqësisë – Pandeli Cale, i Post Telegrafit – Lef Nosi.

48. Deri më sot nuk ekziston asnjë fotografi nga momenti i Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ende nuk dihen shkaqet sepse ajo foto mungon. Ndërkohë që fotografia që paraqet ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali nuk i përket datës 28 Nëntor 1912, por datës 1 dhjetor 1912.

49. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nuk u njoh që më 28 Nëntor të vitit 1912 nga Evropa. Pavarësia e Shqipërisë nga shtetet evropiane u njoh vetëm në vitin 1913, gjithashtu në këtë vit u njoh edhe Ismail Qemali si kryeministër i Shqipërisë.

50. Ismail Qemali e shpalli Pavarësinë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë akt hyn Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi. / KultPlus.com

Rita me performancë të fuqishme për Grenfell Tower (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka bërë një performancë të fuqishme në mbrëmjen e bamirësisë të organizuar për viktimat e Grenfell Towerit.

Rita, 26-vjeçare, performoi në stadiumin Loftus Road të Londrës, në të cilin u zhvillua një ndeshje bamirësie.

80 persona humbën jetën dhe 70 të tjerë janë plagosur nga zjarri i madh që përfshiu tërë objektin e Grenfell Towerit më 14 qershor. / KultPlus.com

Alkent Pozhegu thyen rekordin Guinnes me portretin e Rita Orës (FOTO)

Rekordi për Mozaikun më të madh me fara tashmë i takon artistit Alkent Pozhegu, shkruan KultPlus.

Gjithçka filloi në Palestrën e Sportit ‘Shani Nushi’ në Gjakovë. Aty, artisti filloi të ndërtojë Mozaikun më të madh me fara. Tentimi i tij i radhës që të futet në Librin e Rekordeve Guinness ishte me figurën e një shqiptareje që e njeh tërë bota, me figurën e këngëtares shqiptare Rita Ora. Tashmë, Alkent Pozhegut i është konfirmuar që ka thyer rekordin Guinness, shkruan KultPlus.

Pozhegu ka përdorë 2 ton drithëra për realizimin e portretit të këngëtares shqiptare Rita Ora, portret ky që është realizuar me synim për rekordin Guinness World Records dhe që tashmë ky punim është pjesë e rekordeve.

Mozaiku i cili shfaq imazhin e Rita Orës është 300 m² dhe është arritur duke përdorur misër, grurë, farë luledielli dhe fasule.

Për Alkent Pozhegun, ky është rekordi i dytë në Guinnes pas atij në vitin 2014 ku ai punoj një tjetër mozaik nga drithërat. Ky mozaik kishte dimensionet 20×25 m, me një hapësire 500 metra katrorë.

Mozaiku sportiv për librin e Guinnessit, i gjithi është ndërtuar nga drithërat (misër, oriz dhe grurë), në tentimin për të thyer rekordin aktual 400 m2 i cili u vendos në Indi dhe kështu ja doli.

Për këtë punim ai ka përdorur 2500 kilogramë drithëra për të krijuar emrat e dy futbollistëve – Messi dhe Ronaldo. Në mozaik janë edhe simbolet e klubeve Real Madrid dhe Barcelona. / KultPlus.com

‘Sot është e shtunë edhe për ata që vuajnë e s’janë të lumtur’

Poezi e shkruar nga Jamarbër Marko.

Sot është e shtunë…
Për mua dhe për ty
Për të gjithë.
Për të gjithë ata
Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që janë mërzitur
Për ata që nuk dinë të jetojnë.
Është e shtunë edhe për ata
Që nuk janë më.
Sot është e shtunë
Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë
Për lodrat që u luajtën
Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që nuk e dinë këtë gjë
Që vuajnë e s’janë të lumtur.
Vetëm sot është e shtunë,
E dëgjova në rrugë
Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë
Edhe sikur askush të mos e kujtojë…
Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur,
Por për madhështinë e një dite
Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë
Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër
Si kjo e sotmja
Dhe dikush mund të thotë
Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë,
Se asnjëherë, asnjë ditë
Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh
Jetën e madhe përpara një bluze
Të thjeshtë dite
Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot
Që u përsërit aq shumë
Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot
Me lehtësinë e atyre që jetojnë
Të mbështjellë nga e shtuna
Që si letër karamelesh
Bie mbi butësinë e vjetër.
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër
Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo
Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër
Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi
Për t’ua bërë më njerëzore,
Për t’ua larguar sadopak nga pesha e kohës,
Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune
Ndaloi lozonjare dhe tha:
Sot është e shtunë
Kur filluam të kuptojmë
Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë
Për të larguar diku drejt pafundësisë
Nyjen e vërtetë,
Që lëkundet me përkëdheli
Brenda thellë së shtunës
Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë
Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim
Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim
Për të bërë një hap
Në botën e vogël të njerëzve.