Sheshi Skënderbe dekorohet me flamuj

6 maji ditëlindja e Skënderbeut shënohet edhe në Prishtinë, përmes një simbolike dekorohet sheshi Skënderbe me flamuj nga Komisioni Qeveritar për Vitin Mbarë-Kombëtar Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.

Komisioni Qeveritar për Vitin Mbarë-Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në krye me Jahja Llukën, dekoruan sot sheshin Skënderbe në Prishtinë, me flamuj të portretit të Skënderbeut dhe me flamuj që mbajnë llogon e Vitit Mbarëkombëtar për të shënuar 613 vjetorin e lindjes s’ë heroit tonë.

Sipas z.Lluka kjo simbolikë ka një mesazh të rëndësishëm për shkak se kultura, traditat dhe historia jonë viteve të fundit kanë qenë në shënjestër të sulmeve nga qarqe të ndryshme të cilat nuk ia duan të mirën shqiptarëve në Ballkan.

Monica Bellucci akuzohet për mosdeklarim të pasurisë

Që pas ndarjes nga ish-bashkëshorti i saj, aktorin Vincent Cassel, e bukura Monica Bellucci është shfaqur shumë pak, duke bërë një jetë të qetë, larg vëmedjes mediatike. Por, ashtu si dhe shumica a njerëzve të famshëm edhe Bellucci po përballet me problemet fiskale.

Aktorja me orgjinë italiane akuzohet nga autoritetet franceze se nuk ka deklaruar dy llogari dhe një shtëpi që ka në Francë, transmeton tch. Autoritetet zvicerane ndërkohë kanë thënë se Bellucci është pronare e një shoqërie offshore në Ishujt Vergin.

Edhe më parë aktorja franceze ka qenë nën akuzë nga shteti francez për një rezidencë në Britaninë e Madhe, kohë kur jo ishte ende e lidhur me Vincent Cassel.

Filmat ‘Martesa’ dhe ‘T’padashtun’ fitojnë çmime në Los Angelos

Filmi “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit ka arritur të fitojë çmimin “Filmi i Parë më i Mirë” në festivalin e filmit në Los Angelos.

Filmi “Martesa” paraqet një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese.

Skenarin e filmit e kanë realizuar Blerta Zeqiri dhe Kreshnik Berisha, ndërsa në tri personazhet kryesore luajnë: Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu.

Ndryshe, në festivalin e filmit në Los Angelos edhe filmi ”T’padashtun” i regjisorit kosovar, Edon Rizvanolli ka fituar çmimin “Audience Award Feature”. / KultPlus.com

Një thesar me vlera dhe domethënie

Lindita AHMETI

Marrë nga recensioni i katalogut të ekspozitës që do të hapet më 10 maj në Maqedoni në Galeirne “Marko Cepenkov”, nga piktori Agron Saliu. Aty do të paraqiten 50 portrete të realizuar gjatë këtij viti.

Dy fjalë mbi krijimtarinë e piktorit Agron Saliu. Agron Saliu, një emër tashmë i njohur i pikturës shqiptare, (i lindur në Tetovë në vitin 1984 ku e kreu shkollën fillore e të mesme dhe studimet universitare në klasën e profesor Ilirian Beqirit) po e shton opusin e tij krijues me piktura të reja që po prezantohen në ekspozitën e tij të shtatëmbëdhjetë.

Portretet e tij prej ekspozite në ekspozitë dëshmojnë për mundësitë e mëdha krijuese të këtij piktori të ri, i cili tashmë e ka formuar dhe i ka vënë vulë shprehjes së tij artistike. Talenti i Agron Saliut është vënë re që në fillim të punës krijuese, kurse pjekuria e tij artistike doli në shesh fuqishëm në ekspozitën e gjashtëmbëdhjetë në të cilën u paraqitën disa portrete të arrira të një numri të personaliteteve shqiptare.

Në qendër të interesimit të krijimtarisë së Agronit është njeriu me karakteristikat dhe finesat shpirtërore të cilat pasqyrohen në fytyrë dhe ku, përmes syve, mimikave dhe shenjave reflektohet bota e brendshme njerëzore. Nuk bën ta anashkalojmë këtu një nuancë “të padukshme” të pikturës së Agronit, theksimin, e do të kisha thënë edhe “nënvizimin” dhe zmadhimin e atyre dhembjeve të brendshme të cilat krijuesit “i lexojnë” në sy, në vetulla e në pjesë të tjera të fytyrës. Të bëra me dorën e mjeshtrit, ato përcjellin shqetësimin te shikuesi dhe e bëjnë të dukshme atë botë me një lirizëm që na vendos para ndërlikueshmërisë së jetës me humnera, me hije, me drama dhe me të papritura të pakëndshme.

Duke hulumtuar këtë botë piktori jo vetëm që i rrok tiparet karakteristike të personazheve të pikturës së tij, por e përmbush edhe një boshllëk të madh që e kemi pasur në kulturën tonë, përkatësisht e pasuron kulturën tonë me portrete. Këtu do t’i mbetemi borxh publikut nëse nuk themi se si Agroni askush nuk i është përkushtuar me këtë energji dhe, do të thosha, edhe me këtë “fanatizëm” portretit, me të gjitha ato cikërrima e vështirësi që i kërkon krijimtaria e këtij zhanri.
Muza e mban piktorin vendosmërisht këtu, te portreti. Aty ky autor e kërkon dhe e gjen revoltën e njeriut të kësaj toke, me të cilin thuajse bisedon për realitetet e hidhura ku ka kaluar dhe kalon ditë për ditë.

Në këto raporte ku kërkohet emocioni i brendshëm përmes të cilit reflektohet dhe sheshohet e vërteta, Agron Saliu në të vërtetë me krijimtarinë e tij ambicioze e bën një mozaik të rrallë me detaje të jetës së popullit të vet, i cili fatkeqësisht gjatë kohë kalon nëpër shtegun e pasigurisë.

Pikturat e Agron Saliut e kanë edhe një “fshehtësi”. Ato i rrokin dhe i përjetësojnë ato reaksione shpirtërore të cilat nuk i sheh, nuk i vëren, syri i kalimtarit të rëndomtë. Brushës së Agronit nuk i shpëtojnë pa u realizuar mirë dritat, hijet dhe ngjyrat karatersitike. Dhe, veçmas errësira, të cilat na ndjekin si fat. Paraqitjet e vetmisë së thellë, të frikës, ballafaqimit me tmerrin, por edhe të rezignacionit e indiferencës përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të krijimtarisë së Agronit, e cila, kam përshtypje se mban barrën krijuese të këtij piktori aq produktiv. Në to janë përmbledhur të gjitha ato gjëra që i quajmë vlera dhe domethënie i tërë opusi krijues i Agron Saliut thuajse ka një fusnotë që thotë: kushtuar popullit tim. / KultPlus.com

Ndue Ukaj, mbi dramën Lazër Stani dhe Luljeta Lleshanaku

Ndue Ukaj

Lazer Stani, publikoi sot në profilin e tij në Facebook, vendimin, me të cilin ai u detyrua të largohej nga puna, me motivacionin se është fejuar me Luljeta Lleshanakun, mbesën e armiqve të betuar të popullit dhe të partisë. Nga perspektiva e sotme, duket e paimagjinueshëm, që një vendim i tillë, të jetë nënshkruar vetëm pak orë para rënies së komunizmit, por ja që faktet e dëshmojnë një gjë të tillë.

Ky vendim, i nënshkruar nga Lisen Bashkurti – një i ashtuquajtur diplomat e pedagog- në grahmat e fundit të diktaturës komuniste, tregon më së miri forcën tërbuese të këtij regjimi të çmendur.

Në fakt, shoqëria shqiptare, deri me tani, asgjë nuk ka mësuar nga e kaluara. Ajo ende lëngon nga plagë te saj, ndërkohë që figurat që dhunuan liritë e tjerëve dhe i shërbyen të keqes, vazhdojnë të jenë në pozicione të forta publike.
Ky është krim i dyfishtë, ndaj atyre të cilëve u bënë keq, por më shumë ndaj të ardhmes së shqiptarëve.
Komunistët shqiptarë, asnjëherë nuk janë rrëfyer përpara historisë për krimet makabre që kanë bërë kundër shqiptarëve. Përkundrazi, ata kanë tentuar të retushojnë të kaluarën e tyre të pistë, dhe të shtiren si demokratë e liberalë.

Publiku i gjerë, si dikur në Athinë, më shumë iu ka besuar atyre që kanë folë rreth tregimit për gomarin, sesa atyre që kanë folë për liri të njëmend, të vërtetat politike, historike dhe kulturore.
A mund të mësojmë gjë nga ky rast?
Lazër Stani dhe Luljeta Lleshanaku, janë dy shkrimtarë përfaqësues të letërsisë shqipe, të përkorë dhe të shkëlqyeshëm në punën e tyre letrare.
Rasti i tyre, edhe njëherë na tregon sa e madhe ishte urrejtja e komunistëve shqiptarë ndaj tjerëve që s’ishin si ta. Dhe po ashtu, na tregon sa pak mund të presim nga mbetjet e tij.

Shqiptarët, deri me tani kanë qenë nxënës të këqij të historisë, sepse nuk kanë mësuar asgjë nga ajo.

Shqiptarët e kudondodhur sot janë përpara një krize të thellë morale, kulturore e politike, prandaj duhet të rrëfehen përpara historisë, në mënyrë që breznisë që vjen mos t’i lënë kaq shumë urrejtje dhe kaq pak dashuri.

Dihet, pa u çliruar nga e keqja, nuk ka liri të njëmend, progres dhe mirëqenie.
Si pasojë e paaftësisë dhe pazotësisë për t’u çliruar nga e keqja, shqiptarët vazhdojnë të qeverisen dhe të përfaqësohen nga ata që mbrojnë doktrinat neosmane dhe neokomuniste. Natyrisht, si kameleonë që janë, në kohën sotme, ata janë mveshur me petkun e demokracisë dhe të vlerave perëndimore.

Ambasadori Minxhozi dhe Jahja Lluka diskutojnë për ngjarjet e Vitit të Skënderbeut

Ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi dhe Kryetari i Komisionit Qeveritar për vitin Mbarë-kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu Jahja Lluka, mbajtën takim ku diskutuan për ngjarjet të cilat do të zhvillohen nën kuadër të vitit të Skënderbeut.

Në veçanti u diskutua për shënimin 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila pritet t’i mbledhë gjithë krerët shqiptar nga tri shtete Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, poashtu përfaqësues të tjerë shqiptarë nga Mali i Zi, Presheva dhe viset tjera të Ballkanit dhe diaspora.

Ambasadori Minxhozi u shpreh i hapur për bashkëpunim në mes të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.
Sipas Minxhozi ky vit përcjellë një mesazh të fuqishëm për kulturën, historinë dhe kombin shqiptarë.
Ndërsa Kryetari i Komisionit Qeveritar për vitin Mbarë-kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu – Jahja Lluka, theksoi se Komisioni të cilin ai e udhëheq tashmë ka filluar me shumë aktivitete të cilat përcjellen në disa fusha e si qëllim esencial kanë promovimin e kulturës dhe historisë shqiptareduke mos lënë që gjeneratat e reja të harrojnë vuajtjet nëpër të cilat kemi kaluar si komb.

Veç agjendës e cila ka filluar të zbatohet me eventet e saj Minxhozi propozoi që në Kalanë ne Prizrenit të mbahet një koncert me grupe të ndryshme të muzikës me zhanre që nga folklori deri te rock-u, e që do të promovonin promovonin shumëllojshmërinë e muzikës sonë të bukur, poashtu koncerti të vazhdojë të mbahet për çdo vit ku do të mblidhte rininë shqiptare nga të gjitha trojet.

Lluka u shpreh i hapur për bashkëpunim duke vlerësuar kështu gadishmërinë e Minxhozit.

Mos të harrojmë që këto aktivitete kulturore do të nxisin bashkëpunim të mëtejmë të qeverive shqiptare e që shënjojnë një kthesë pozitive për opinionin e gjerë. / KultPlus.com

Erdhlezeti Festival nesër i sjellë Prishtinës atmosferë

Me mesazhin “MUZIKA ËSHTË GJUHA JONË!”, Erdhlezeti Festival 2018 mbahet me 6 Maj, prej orës 12:00 deri në orën 23:00, në platonë përpara librarisë/kafes Dit’ e Nat’.

Sivjet, lista e performuesve përbëhet nga grupe muzikore tejet unike nga Kosova, Slovenia, e Hungaria.

Për vitin e 5-të me rradhë, Festivali Erdhlezeti i paralajmëron artistët që do performojnë në qendër të Prishtinës me 6 Maj për të festuar Shën Gjergjin, duke i kujtuar Kosovarët edhe njëherë që vera është fare pranë.

Erdhlezeti është festival i muzikës që sjellë tinguj nga e gjithë bota në kryeqytet, e i jep rast publikut që ta shuajë etjën për shfaqje të veçanta muzikore pak para se të shpërthejë periudha kaotike e verës.

Festa e Erdhlezetit fillon në terrasën e Dit’ e Nat’ me Ashikët e Gjakovës, një grup jo-tipik i burrave Gjakovar që këndojnë vetëm në hapësira të mbyllura, rreth sofrës, me plot meze në tavolinë.

Ashikët e hapin festivalin me disa nga këngët më autentike të repertoarit tradicional të muzikës Gjakovare e Shkodrane.

Erdhlezeti ka lindur në Dit’ e Nat’, me idenë që muzika ka fuqinë t’i bashkojë njerëzit. Për të kaluar vëmendjen tek bina kryesore, sivjet festivali ka formuar “bendin e shtëpisë”.

Erdhlezeti All Stars vjen me plot këngëtarë e artistë nga zemra e kryeqytetit – me disa surpriza marramendëse që do të publikohen në ditën e festivalit.

Festa vazhdon me Nesesari Kakalulu, një grup Slloven, i krijuar nga dëshira e flaktë e anëtarëve për të eksploruar ritmet e muzikës afrikane. Afrobeat-i i Nesesari Kakalulu e detyron dëgjuesin të vallëzojë me çdo kusht.

Dhe për fund, fokusi shkon te performanca kryesore e natës. Besh o droM është një kolektiv muzikor Hungarez i përbërë prej 8 muzicientëve, të apasionuar për kombinime të instrumenteve e tingujve nga më të ndryshmet. Muzika e tyre inspirohet nga folku Rom nga Evropa Lindore, tingujt e klarinetit të Mesdheut, si dhe ritmeve perkusive nga Lindja e Mesme. Besh o droM, me shumë mjeshtëri, i kombinon të gjitha këto në skenë me një shfaqje energjetike e cila e kapë cilëndo publikë.

Me një repertoar të ngjeshur e të përzgjedhur me kujdes, Erdhlezeti shfrytëzon muzikën si mjet të integrimit shoqëror, duke i mbledhur të gjithë Kosovarët që ta festojnë ikjën e dimrit, e ardhjën e verës.

Biletat gjithë-ditore për Erdhlezeti 2018 mund t’i bleni me çmim promocional prej 3€ në Dit’ e Nat’, Soma, Miqt Pub, Taverna Tirona, dhe Bon Vivant, ndërsa në javën e fundit para festivalit biletat do të kushtojnë 5€.

Këtë vit Erdhlezeti Festival mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, Originals, Birra Peja, Semitronix Hotel, Frutti, Dit’ e Nat’, White Tree, Miqt Music, e Taverna Tirona.

Kthimi në vete

Ragip SYLAJ

Po kthehem nga sëmundina
E nga ëndrra e çmendur për lirinë
Po kthehem nga mundimtorja
Në këngën e etjes për dashurinë

Po kthehem nga honet e mallkimit
Ku u degdisa –
Nga shkretëtira e shpresës
Nga malet e dendura me (p)lisa

Po kthehem nga udhëkryqe ankthi
Te vetja për të gjetur paqen e shenjtë
Po kthehem nga mjegullat e delirit
Për ta gjetur t’vërtetën e shtrenjtë

Po kthehem nga vërshimet e urrejtjes
Nga erërat rrënuese te kullat e ndejtjes
Po kthehem nga pllajat e thatësisë së mendimit
Nga të gjitha tronditjet e rrënimit

Po kthehem nga kënetat e mëdyshjes
Nga bimësia që lëshoi rrënjë në pabesi
Po kthehem nga tirania nënshtruese
Në truallin e lirisë me disa pakënaqësi

Po kthehem nga netët e zeza të harrimit
Po vij në mëngjeset e bardha të zgjimit
(R
23. I. 2018)

‘Nana ime të dua shumë’, kur djali i dërgonte mesazh Tinka Kurtit

Aktorja e madhe Tinka Kurti është në zi, pasi në muajin shkurt u nda nga jeta djali i saj i vetëm, i cili jetonte me familjen në Kanada.

Kur e madhja Tinka Kurti festonte 85-vjetorin e lindjes, në një aktivitet të zhvilluar më datë 17 dhjetor në Shkodër në teatrin “Migjeni”, djali i saj Zef Kurti i dërgonte një video-mesazh surprizë të ëmës, ku i thoshte:

“Nana ime të dua shumë!” Me të dëgjuar këto fjalë, Tinka shpërtheu në lot.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë

Pablo Neruda

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.
Të shkruaj, për shembull “Nata është plot me yje blu
Që fërgëllojnë drithërueshëm atje larg.”
Era e natës vërtitet nëpër qiell dhe këndon.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.
Unë e kam dashur atë dhe ndonjëherë edhe ajo më ka dashur.
Në netë si kjo unë e mbaja atë në krahët e mi.
Unë e puthja atë pafundësisht nën qiellin e paskaj.
Unë e kam dashur atë dhe ndonjëherë edhe ajo më ka dashur.
Si të mos i duash sytë e saj aq të mëdhenj.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.
Të mendosh se nuk do ta kem më. Të ndjesh se e kam humbur përgjithnjë.
Si mund të mos i duash sytë e saj aq të mëdhenj.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.
Të ndjej natën e paskajme, edhe më e paskajmë në mungesë të asaj.
Dhe vargu bie në shpirtin tim si vesa mbi bar.

Pak rëndësi ka që dashuria ime nuk arriti ta mbante atë pranë meje.
Nata është plot e përplot me yje dhe ajo nuk është me mua.
Kjo është e gjitha. Thellë nëpër natë dikush këndon. Larg meje.
Shpirti im nuk pajtohet kurrë me humbjen e saj.
Shikimi im e kërkon atë, a thua se e merr përdore dhe ma sjell.
Zemra ime e kërkon atë dhe ajo prapë nuk është me mua.
E njëjta natë është që përndrit të njëjtët lisa.
Ne të atëhershmit nuk jemi më ata që ishim dikur.

Unë nuk e dua më, kjo është e vërtetë, po sa shumë e kam dashur.
Zëri im rendte nëpër erë për të prekur veshët e saj.
E një tjetri. E një tjetri do të jetë ajo. Siç ishte para puthjeve të mia.
Zëri i saj, trupi i saj burime drite. Sytë e saj të paanë.

Unë vërtetë nuk e dua më atë, por ndoshta e dua përsëri.
Dashuria është kaq e shkurtër dhe harresa është kaq e gjatë.
Ngaqë në netë si kjo unë e mbaja atë në krahët e mi
Shpirti im nuk gjen paqe pse e humbi atë.
Qofshin këto dhimbjet e fundit që m’i shkakton ajo,
Dhe këto qofshin vargjet e fundit që i shkruaj për të.

Përktheu: Elida Buçpapa

Fjalët e mira të Dua Lipës për Rita Orën (VIDEO)

Një video në internet e tregon Dua Lipën duke folur për këngëtaren Rita Ora.

Është folur shumë se Dua dhe Rita nuk kanë fort simpati për njëra – tjetrën, por kjo video tregon fjalët e Duas për Ritën. Videoja ka mundësi të jetë bërë kohë më parë.

Dua thotë se e ka ëndërr të ketë një karrierë si Rita, dhe madje flet shumë mirë gjuhën shqipe.

Fotografët e parë në Shqipëri, në rrëfimin e Robert Elsies

Robert Elsie i kushtoi jetën historisë dhe studimit të Shqipërisë.

Një ndër temat që ai ka prekur ka qënë dhe ajo e udhëtarëve të huaj që e njohën herët këtë vend. Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni në vjeshtë të vitit 1863, albanologu Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869) u shoqërua nga fotografi austriak Jozef Sekeli (Josef Székely, rreth 1838- 1901), i cili thuhet se ka bërë ndër fotografitë më të hershme të Shqipërisë.

Koleksioni i tij përfshin 50 fotografi, me pamje të Shkodrës, të Prizrenit, të Ohrit dhe të Manastirit. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë ishte dukuri e zakonshme për udhëtarët, shkencëtarët dhe albanologët në Shqipëri të merrnin në aparat fotografik me vete për të fotografuar vendin. Ky material, jo gjithmonë fotografi me cilësi të lartë, u shfrytëzua për të ilustruar librat e tyre për Shqipërinë.

Disa koleksione nuk u botuan kurrë, dhe mbeten tani – një shekull më vonë – për t’u zbuluar. Historia e fotografisë vendase në këtë rajon të Evropës juglindore, d.m.th. të fotografëve nga rajoni vetë, lidhet në mënyrë të veçantë me dy koleksione me famë. Fototeka Marubi në Shkodër përfshin rreth 150.000 fotografi, shumë prej tyre me një rëndësi të dukshme historike, artistike dhe kulturore. U përpilua nga tre breza fotografësh. Pjetër Marubi (Pietro Marubbi, 1834-1903) ishte piktor dhe fotograf italian i cili, si përkrahës e Garibaldit, u detyruan të ikte nga Piaçenca të Italisë për arsye politike dhe gjeti strehim në Shkodër rreth vitit 1850. Aty, themeloi dyqanin Foto Marubi me disa aparatë fotografikë që i kishte sjellë me vete. Fotografitë më të vjetra të koleksionit janë nga vitet 1858-1859. Disa foto të Marubit u botuan në revistat The London Illustrated Neës, La Guerra d’Oriente dhe L’Illustration. Marubi u ndihmua nga djali Rrok Kodheli (1862-1881) dhe nga vëllai i tij, Kel Kodheli (1870-1940), i cili më vonë, pas vdekjes së Pjetrit, e mori në trashëgim firmën familjare dhe u bë i njohur si Kel Marubi.

Keli mësoi të përdorte efekte të posaçme dhe të përpunonte negativat. Gjithashtu filloi të fotografonte jashtë studios me aparate më bashkëkohore. Lidhur ngusht me familjen Marubi ishte fotografi dhe piktori Kolë Idromeno (1860-1939) i Shkodrës. Me mbështetjen e Pjetër Marubit, prej të cilit mësoi artin e fotografisë, ai shkoi në Venedik në vitin 1875 për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. Ai nuk arriti të përfundonte mësimin dhe e braktisi Akademinë pas gjashtë muajve, mirëpo mbeti në Venedik dhe punoi disa vjet si ndihmës i një piktori venecian, për të kthyer në Shqipëri në vitin 1878. Në vitin 1883, Idromeno hapi një fotostudio me aparatë fotografikë të marrë nga shoqata Pathé në Francë.

Në vitin 1912, importoi për herë të parë në Shqipëri aparate filmike dhe shfaqi filme. Në gusht të atij viti, firmosi një kontratë me shoqatën Josef Strauber në Austri për të krijuar atë që mund të quhet kinemaja e parë në Shqipëri. Brezi i tretë i fotografëve Marubi ishte djali i Kelit, Gegë Marubi (1907-1984). Ai studioi në Lion të Francës në 1923- 1927 pranë shkollës së parë të fotografisë dhe të kinemasë të themeluar nga vëllezërit Lymier, dhe punoi në Shkodër si fotograf nga viti 1928-1940. Ishte i pari në familje që përdori celuloid në vend të pllakave prej xhami. Fotostudio Marubi kap dhe dokumenton historinë e Shqipërisë së Veriut që prej Lidhjes së Prizrenit e mëtej. Përfshin fotografi të mahnitshme të udhëheqësve të fiseve të veriut, të kryengritjeve të malësorëve, të jetës qytetare në Shkodër dhe të ngjarjeve publike të ndryshme.

Vetëm pak fotografi janë botuar deri tani. Që prej vitit 1994, me mbështetjen e UNESCO-s, bëhen përpjekje për të shpëtuar koleksionin dhe për ta bërë të njohur. Koleksioni tjetër i njohur i fotografisë dhe të cinematografisë ballkanike ështe ai i vëllezërve Manakis në Maqedoni. Janaki Manakis (1878-1954) dhe vëllai Milton Manakis (1882-1964) lindën në fshatin Avdela afër Grevenës, tani në veri të Greqisë, dhe ishin me prejardhje vllahe (aromune). Nga 1898-1904 kishin një dyqan fotografik në Janinë dhe në vitin 1905 u vendosën në Manastir, tani në Republikën e Maqedonisë, ku hapën Studion për Artin Fotografik. Janaki dhe Milton Manakis bënë më shumë se 17.300 fotografi në 120 vende të ndryshme. Në vitin 1905 realizuan edhe filmin e parë në Ballkan.

Në Shqipëri janë edhe koleksionet e Shan Picit (me rreth 70.000 fotografi), të Dedë Jakovës (me rreth 50.000 fotografi) dhe të Raboshtës, të gjitha të lidhura ngushtë me shkollën e Marubit në Shkodër. Koleksione të tjera të rëndësishme të fotografisë së hershme ndodhen në Korçë. Ndër ato janë veprat e Petro Dhimitrit (1861-1946), i cili filloi si fotograf bredhacak në vitet 1890; të Kristaq Sulidhit, i cili mësoi profesionin në Greqi; dhe të Vani Burdës të Bukureshtit i cili hapi një fotostudio në Korçë në vitet 1920. Me një interes të veçantë është vepra e Kristaq Sotirit (1883-1970) të Korçës, student i Sulidhit, i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara në 1902-1903 dhe punoi fotograf në Nju Jork dhe Los Anxheles.

Në vitin 1923 u kthye në Korçë dhe, bashkë me piktorin e njohur korçar Vangjush Mio (1891-1957), hapi fotostudion Sotiri, të njohur në juglindjen e Shqipërisë. Janë ruajtur rreth 14.000 fotografi të këtij koleksioni. Mund të përmenden edhe Ymer Bali i Tiranës, Mandi Koçi (1912-1982) i Voskopojës, Jani Ristani i rrethit të Gjirokastrës, Misto Cici i Pogradecit dhe Xhimitiku i Beratit. Megjithëse nuk lidhet drejtpërsëdrejti me Shqipërinë, nuk duhet harruar në historinë e fotografisë shqiptare edhe emri i Gjon Milit (1904-1984), i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923, studioi në Institutin e Teknologjisë të Masaçusec-it (Massachussetts Institute of Technology) dhe u bë i famshëm si fotograf për revista të njohura amerikane si Life dhe Fortune. GAZETA SHQIP

Ermal Meta realizon provën e parë në Eurovizion (VIDEO)

Sonte provën e tij të parë në skenën e Eurovizionit e ka pasur edhe shqiptari tjetër, Ermal Meta.

Duke qenë se këtë vit në Eurovizion marrin pjesë tre shqiptarë për tri shtete të ndryshme, Ermali sonte bëri provën e parë për Italinë.

Ermali e këndon këngën “Non Mi Avete Fatto Niente” bashkë me Fabrizio Moro.

Pasi Italia jep vit për vit para për tu mbajtur Eurovizioni, këngëtarët nga ky shtet çdo vit shkojnë drejt në finale.

Ermali me datë 12 maj do të këndojë në finalen e Eurovizionit, këngë kjo në gjuhën italiane dhe fituese e Sanremo 2018. / KultPlus.com

jeta luen roza rozina

Poezi nga Entela Tabaku

jeta luen roza rozina
sa ia mëson rrethin
ke mbërritë diku tjetër
aty loja ka ritëm të ri
e vallja qarkohet
ndryshe
e sa ia mëson hapat
roza rozina diku tjetër
e ka prej atyne që e luejnë
sjellu sjellu
vendnumëro
e të tjerë që e hedhin
larg
hap më hap
dhe rrumbullak
po ti e din tashma
unë jam filli
dhe byyy-ja
loja fillon dhe mbaron
me mu

Rexhep Hoti priti në takim disa përfaqësues të kulturës nga Komuna e Bujanocit

Sot zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, priti në takim drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, i shoqëruar nga koordinatori i Shtëpisë së Kulturës, Nevzad Lutfiu.

Në takim u diskutua rreth përkrahjes dhe mbështetjes për artistët e rinj nga Kosova Lindore, e sidomos në promovimin e vlerave artistike për komunitetin shqiptar në këtë komunë.

Përfaqësuesit nga Bujanoci kërkuan nga institucionet kosovare, gjegjësisht nga Ministria e Kulturës, që të mbështesë aktivitetet kulturore, si dhe të rritet bashkëpunimi në fushën e kulturës.

Në fund, u kërkua që Komuna e Bujanocit të vizitohet nga krerët e institucionit të MKRS-së dhe të rritet kontakti e komunikimi nga Kosova me këtë komunë. / KultPlus.com

Prova finale e shqiptares Eleni Foureira në Eurovizion (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira sot ka realizuar provën gjenerale në skenën e Eurovizionit.

Para se të këndojë në Eurovizion ajo ka bërë provën e fundit, dhe duket më e freskët se asnjëherë.

Kënga e saj ritmike mban titullin “Fuego” dhe do të performohet në gjysmëfinalen e parë të Eurovizionit, në ditën kur këndon edhe këngëtari shqiptar Eugent Bushpepa.

Kjo poshtë është performanca apo prova e dytë e Elenit në Eurovizion.

Filmi ‘Martesa’ në konkurrencë zyrtare në Transilvania International Film Festival

Filmi “Martesa” i regjisores Blerta Zeqiri do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtare në Transilvania International Film Festival në Rumani.

Filmi do të jetë një nga konkurrentët në edicionin e 17-të të festivalit që do të nisë me 25 maj në Cluj Napoca në Rumani.

Krahas filmit kosovar në këtë konkurrencë janë edhe “Touch me Not” nga Adina Pintilie dhe “Charleston” nga Andrei Cretulescu, dy filma fitues në Berlinale.

Festivali do të përfundojë me 3 qershor, shkruan KultPlus.

Filmi “Martesa” mbetet ndër produksionet filmike më të mira të viteve të fundit në Kosovë. Aktorët Genc Salihu, Alban Ukaj dhe Adriana Matoshi – në rolet kryesore, kanë bërë të pamundurën që në fund projekti filmik të dalë sa më mirë.

Filmi thumbon temën e një trekëndëshi dashurie, ndërsa preket me temën e komunitetit LGBT.

Me datë 2 qershor do të shpallen edhe fituesit e festivalit, nga juria e përbërë nga Stephane Foenkinos, Dagur Kari dhe Rebecca Lenkiewicz. / KultPlus.com

Rita Ora, Bebe Rexha, Charli XCX dhe Cardi B sjellin këngën ‘Girls’

Rita Ora, Bebe Rexha ,Charli XCX dhe Cardi B janë bërë së bashku për të sjellë këngën “Girls”, përcjellë KultPlus.

Këtë e kanë bërë të ditur vet këngëtaret të cilat e kanë ndarë lajmin me fansat e tyre përmes rrjeteve sociale.

Kënga pritet të dal më 11 maj. / KultPlus.com

Çmimi i një nate në suitën e Titos në Grand Hotel

Ish-presidenti Jugosllav, Josip Borz – Tito sot mbushi 38 vjet që nga vdekja e tij mirëpo para se të vdiste ai kishte vizituar kryeqytetin e Prishtinës dhe kishte qënduar në “Grand Hotel Prishtina”.
Suita e tij ishte më luksoze e cila në atë kohë mbante një çmimin mjaftë luksoz.

Ndërsa sot kjo suitën në Grand Hotel Prishtina kushton me çmim prej vetëm 200 euro, teksa në këtë hotel më e shtrenjta është 400 euro, kanë thënë punonjës të Grand Hotel për Insajderin.

Tito kishte vizituar dy herë Kosovën. Të parën e pati shumë të shkurtë në stacionin e trenit në Mitrovicë dhe të dytën në vitin 1979.

Në vizitën e dytë të tij, Tito kishte ardhur me aeroplan në Aeroportin e Kosovës i ndërtuar 14 vite më parë, më 1965.
Presidentit jugosllav, Josip Broz Tito vdiq më 4 maj të vitit 1980 në orën 15:05 në Qendrën Klinike në Lubjanë si rezultat i gangrenës.
Në emër të tij ishin emëruar tetë qytete në cilën republikë dhe dhe krahinë autonome

Tito Velenje (Slloveni), Titova Korenica (Kroaci), Titov Drvar (Bosnja dhe Hercegovina), Titograd (Mali i Zi), Tito Užice (Serbi), Titov Veles (Maqedoni), Titova Mitrovicë (Kosovë), Titov Vrbas (Vojvodinë). /Insajderi.com

Kumbaro kështu ju ka thënë fëmijëve të saj: Unë jam me origjinë myslimane, babai ortodoks, ju jeni të lirë të zgjidhni besimin tuaj

Mirela Kumbaro

“Unë jam në origjinat e mia myslimane, babai juaj është ortodoks, ju jeni të lirë të zgjidhni besimin tuaj si ta ndjeni dhe kur të doni, rëndësi ka të jemi bashkë ” u jam përgjigjur fëmijëve të mi sa herë që më bënin pyetje për fenë kur gëzonim nga një familje në tjetrën çdo sebep festiv në ditë të Bajramit apo të Krishtlindjeve a Pashkëve.

“Nuk duhet shumë art, e as fjalë shumë të kërkuara për të vërtetuar se njerëzit e Zotit duhet të tolerojnë njëri-tjetrin. Do të shtoja dhe më tepër: do të shtoja se duhet t’i konsiderojmë të gjithë njerëzit si vëllezër. Po si? Si na qenka vëlla turku? Vëlla kinezi, hebreu apo tajlandezi? Po, pa pikë dyshimi: a nuk jemi të gjithë fëmijë të një ati, krijesa të të njëjtit Zot?” Këtë thirrje do të bënte, pas Erazmit të Roterdamit e Xhon Lokut, dhe Volteri më 1763-n, duke parë që Europa e krishterë e kishte të vështirë të hapte dyer për qytetërimet dhe besimet e tjera, duke parë se ndër shekuj fanatizmi fetar kishte derdhur lumenj gjaku.

Sot më shumë se kurrë kjo thirrje e Volterit është këmbanë për Europën që po përjeton shekullin e ri të lëvizjeve masive, në kohën që emigracioni nga vendet myslimane në luftë, i kanë zënë në befasi vendet perëndimore me një qytetërim të lashtë dhe besim fetar të ngulitur. Kavafis e kishte parashikuar shumë më herët që “barbarë”, “të huaj” nuk do të kishte më.

Ne vetë jemi tashmë barbarët, të huajt e këtij shekulli të lëvizshëm. I huaji që jeton ndryshe prej nesh, që mendon ndryshe prej nesh e që beson ndryshe prej nesh, është tashmë komshiu ynë, kolegu ynë, bashkëudhëtari ynë. E në përballjen me të huajin të ndryshëm për nga besimi në fe, për fat shqiptarët e kanë pasur një traditë dhe nuk gjenden të papërgatitur. Edhe pse vendi më i izoluar i botës për gati pesëdhjetë vjet, vendi i vetëm që i shpalli luftë Zotit dhe ktheu idealet në perëndi, përsëri farën e besimit në të mirën, farën e besimit te njëri-tjetri, farën e bashkëjetesës me të ndryshmin prej nesh e ruajtëm si të shenjtë dhe ky është mësimi më i mirë që mund t’i japim botës. Shumë historianë, studiues kanë ngulmuar të gjejnë rrënjët e kësaj harmonie fetare të ngulitur herët në këtë vënd. Dhe shkaqet e arsyet mund të jenë nga më të ndryshme: në fund të fundit furtuna e historisë me luftrat e copëtimet, imponimet e besimit prej pushtuesve padyshim ka lënë gjurmët e veta. Por e rëndësishme është që te shqiptarët nuk u kultivua fara e urrejtjes për sivëllanë, komshiun, të afërmin që besonte ndryshe. Rreziku i shuarjes, copëtimit dhe asgjesimit të një kombi të vogël, të një gjuhe të rrallë e bëri të ndërgjegjshëm shqiptarin shumë herët se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Pa këtë fe të parë të gjitha të tjerat do të ndjeheshin të rrezikuara.

Për shqiptarët ishte më i rëndësishëm arsimimi, ruajtja e gjuhës shqipe se ndarja në besime. Pikërisht pra te domosdoshmëria e mbijetesës së kombit e të gjuhës shqipe, duhet kërkuar dhe arsyeja më e qenësishme e një harmonie fetare mes shqiptarëve.

Sot vetëm në një unazë të ngushtë qark sheshit të Tiranës ngrihen Xhamia muze e Ethem Beut, si gur themeltar dhe i qytetit të vjetër, Kisha e fisme Katolike pak metra më tutje, Kisha e bukur ortodokse që krijon trekëndëshin barabrinjës dhe Kryegjyshata e bektashinjve në kodrinë. Si një tavolinë e rrumbullakët ku të gjithë ndjehen njëlloj të respektuar dhe të nderuar.
Shqiptarët kanë gëzuar bashkërisht festat e besimeve të ndryshme: Krishtlindjet, Pashkët, Bajramin, Ramazanin apo Nevruzin, kanë lidhur kryshqi, miqësi e kanë krijuar familje duke vënë parësore dashurinë për njeriun pa dallim feje. Ky do të ishte mesazhi më i mirë për të cilën ka nevojë sot bota e qytetëruar: parësore është dashuria për njeriun.

Po kjo e mirë e trashëguar nga të parët tanë është gjithnjë e brishtë si vazo argjile, nëse nuk e ruajmë, nëse nuk e përmirësojmë, ekziston gjithnjë rreziku për tu thyer. Fanatizmi fetar vazhdon të shkaktojë viktima edhe sot në kohërat modern ku informacioni dhe dija nuk mungojnë. Rreziku është gjithnjë te porta.

Ndaj dhe ju përgëzoj për nismën për një konferencë për tolerancën fetare. Nuk mjafton anjëherë të flitet, të komunikohen mesazhe të qarta, të diskutohen dhe të debatohen mendime.
Çdo shmangie për njohje është burim rreziku për keqkuptime. Çdo paragjykim për cilindo besim është vatër për ndezje flakësh urrejtjeje, çdo etiketim i gabuar është start për konflikte. Gjendja në lindjen e mesme, luftrat e vazhdueshme e terrorizmi i përhapur që abuzon me emrin e fesë dhe besimit, është një dëshmi se rinia e sotme ka nevojë për më tepër ndriçim dhe dialog, pa iu trembur përplasjes së mendimeve. Nuk mjafton vetëm informimi statistikor rreth vrasjeve, shpesh deformues i shkaqeve të qenësishme, nevojitet të kuptohet qartë, të njihemi me historinë e gjithësecilit, për t’u bindur se rruga e vetme e mundshme për të dalë nga kjo “luftë e tretë fragmentare”, rruga e vetme për të shmangur urrejtjen, diskriminimin, dhunën është toleranca.

Do ta mbyllje me porositë që Papa Françesku u dha të rinjve në vizitën e tij historike në Tiranë në shtator 2014 pjesë e të cilës pata fatin e jashtëzakonshëm të jem, ku shembulli i tolerancës fetare ishte dhe kryefjala: “Thuajini PO kulturës së takimit e të solidaritetit, PO bukurisë së pandashme nga e mira e nga e vërteta, PO jetës së shkrirë për ideale të mëdha, por besnike dhe në gjërat e vogla. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë e një botë më të mirë”./KultPlus.com

8 dhe 9 maji sjellin në vëmendje Trashëgiminë e Kosovës

Cilat janë faqet kryesore arkeologjike të Kosovës? Si jetuan gratë dhe burrat në civilizimin e mëparshëm? Pse duhet të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore?Janë disa nga pyetjet të cilat do të gjejnë përgjigje më 8 maj, shkruan KultPlus.

Ky diskutim do të bëhet në kuadër të organizimeve për të shënuar Ditën e Evropës dhe për të shënuar poashtu Vitin Evropian të Trashëgimisë Kulturore.

“Me rastin e Ditës së Evropës dhe Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, organizojnë një konferencë mbi temën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë”, thuhet në njoftimin paralajmërues të kësaj ngjarje që do të mbahet më 8 maj në orën 17:00 në Aleancën Franceze të Prishtinës.

Milot Berisha, arkeolog dhe kryetar i faqes arkeologjike të Ulpianës, do të diskutojë mbi temën e lartcekur me Drejtorin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha dhe Drejtorin e Kulturës së Komunës së Prishtinës, Yll Rugova. Konferenca do të zhvillohet në dy gjuhë, në shqip dhe frëngjisht.
Ndërsa më 9 Maji Ambasada e Francës dhe Aleanca Franceze e Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizojnë: transport falas me autobusë vajtje-ardhje për në « Parkun Arkeologjik të Ulpianës.
Orari I nisjeve është si më poshtë:
Nisja nga stacioni (vend-ndalimi për autobusë) të Neëborni!
1. Nisja e parë ora 9:00
2. Nisja e dytë ora 11:00
3. Nisja e tretë ora 13:00
Në dispozicion të vizitorëve do të ketë guide nga Milot Berisha, arkeolog dhe përgjegjës për Parkun Arkeologjik “Ulpiana”. Po ashtu edhe këtu transporti dhe guida ofrohen falas. /KultPlus.com

Të martën vjen premiera e filmit mbi zemrën e kaltër të Evropës (VIDEO)

Premiera e filmit Blue Heart, filmi i cili dokumenton betejën për të shpëtuar “Zemrën e kaltër të Evropës”, do të shfaqet në Kino ABC më 10 maj në ora 18:30, shkruan KultPlus.

Blue Heart dokumenton betejën për lumin më të madh në Evropë-Vjosa e Shqipërisë-përpjekjet për të shpëtuar Rreqebullin e rrezikuar të Ballkanit në Maqedoni dhe gratë e Krushqices, Bosnje dhe Herzegovinës, të cilët po mbajnë një protestë 24-orëshe për një muaj, për të mbrojtur burimin e vetëm të ujit të freskët të komunitetit.

“Më shumë se 3,000 diga dhe diversione të hidrocentraleve janë të propozuara ose po ndërtohen në lumenjtë e fundit të Evropës në Ballkan dhe do të shkaktojnë dëme të pakthyeshme për lumenjtë, kafshët e egra dhe komunitetet lokale”, thuhet në njoftim.

Para filmit do të jetë një hyrje dhe bisedë e shkurtër nga Ellen Frank-Lajqi nga ERA group për Hidrocentralet në Kosovë. Dhe pas filmit, do të ketë një panel diskutimi me panelistët: Fatos Lajci (ERA), Dajana Berisha (FIQ) dhe Behare Bajraktari (RTK).

Filmi është transmetuar në anglisht me intervista në gjuhën shqipe dhe boshnjake / maqedonase, me titra shqip. Hyrja do të jetë falas ndërsa donacionet për të mbështetur fushatën për të ndaluar hidrocentralet e paqëndrueshme në Kosovë mund të bëhen në ngjarje ose drejtpërdrejtë në ERA: Për më shumë:
https://www.facebook.com/events/163558120979169/
Ambientalistët ka kohë që së bashku me banorët po kërkojnë shpalljen e një parku kombëtar përgjatë luginës së Lumit Vjosa me synimin për të penguar planet për projekte hidroenergjetike mbi lum. Madje për këtë ka filluar edhe fushata “Të shpëtojmë zemrën e kaltërt të Evropës, lumejtë e Ballkanit”. Fushata përqendrohet në një zonë që shtrihet nga Sllovenia e deri nhttps://www.youtube.com/watch?v=LadlBg9bmfgë Shqipëri ku janë planifikuar të ndërtohen mbi 570 hidrocentrale./KultPlus.com