“ReMusica 17” me fokus tek kompozitorët vendor e me shtrirje në segmente të reja

Gili Hoxhaj

Duke e ruajtur fizionominë e saj, të bazuar në gërshetimin e muzikës së re me atë të epokave të tjera, ato të barokut, klasicizmit dhe të romantizmit, ReMusica veçse po e vazhdon këtë traditë për të 17-in vit me radhë. Në këtë edicion ky festival synon shtrirje edhe më të madhe, duke u zgjeruar edhe në disa fusha të tjera të artit por edhe duke synuar diversifikimin e mëtejmë të publikut.

Producenti ekzekutiv i Festivalit, Viktor Berishaj tha se përveç netëve koncertale këtë vit kanë synuar të sjellin një program atraktiv dhe mjaft të gjerë, duke synuar përmes festivalit edukim, emancipim, ngritjen e kapaciteteve dhe të sjellin bashkëpunim me ReMusicen me departamentin e teknologjisë.

Ky festival që sonte do të filloi mbrëmjen e parë koncertale, publikut të Prishtinës do t’i sjellë tingujt e kitaristit të mirënjohur kosovar, Petrit Çekut i cili do të paraqitet në duo me violinistin virtual belg Marc Bouchkov.

Çeku sot në konferencën për media u shpreh i lumtur që sonte do të performoi në hapjen e ReMusices, veçmas me violinistin Bouchkovin dhe me programin që e kanë zgjedhur. Më tutje ai prezantoi edhe kapacitetin artistik që ka violinist belg, me të cilin do të hapin sot festivalin.

“Sot do të interpretoi me Marc Bouchkovin, një mik dhe bashkëpunëtor shumë i mirë, jashtëzakonisht inspirues, muzikant gjenial i cili i përket një familje që është si familje “mbretërore”, e botës së violinës dhe kjo vërehet edhe në traditën e tij por edhe ai ka një karizëm dhe muzikalitet të cilin rrallë e kam parë në botë”, u shpreh Çeku.

Ai tha se programi që e kanë përpiluar është shumë i përshtatshëm për të dy instrumentet, ku fillojmë me Paganin, një virtuoz mjaft i madh i violinës i cili ka qenë edhe kitarist njëkohësisht, ai zakonisht ka thënë që ai është “Zot” i violinës por që kitara është “Zot” i tij. Më pas ai u shpreh se do të sjellin vallen romune të Bela Bartok me elementet emocionues që i ka dhe tha se është i kënaqur që sonte do të luaj tri këngë të përpunuara nga Rafet Rudi.

Drejtoresha artistike e Festivalit “ReMusica”, para mediave shpalosi pasqyrën e programit që do të sjellë këtë vit edicioni i 17-të i Remusices. Ajo tha se si çdoherë tjetër edhe këtë vit “ReMusica” do të ketë në fokus kompozitorët kosovar, të cilët do të jenë të pranishëm në çdo koncert.

“Këtë vit me shumë kënaqësi e fillojmë koncertin me kitaristin Petrit Çeku, i cili do të mbaj koncertin me violinistin Marc Bouchkov. Më pas do të vazhdojmë me koncertin tjetër në të njëjtin vend në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare me një ansambël jashtëzakonisht interesant “proModern” të cilët vijnë nga Polonia dhe vijnë me një projekt të quajtur “Shakespired”, me të cilin kanë fituar mjaft çmime në Poloni. Do të jetë një koncert me sonetet e Shekspirit të gërshetuar me muzikën sot, kjo është një prej koncerteve që e pasqyron shumë bukur fizionominë e festivalit tonë duke sjellë vepra të vjetra të gërshetuara me vepra të reja”, u shpreh Rudi.

Ajo tutje tregoi se këtij festivali nuk do t’i mungojnë as artistët vendor, madje ajo tregoi se do t’i sjellin dy koncerte të tilla “Nata shqiptare”, e cila është ndërtuar në atë formë që të prezantohen veprat e autorëve shqiptar dhe është një bashkëpunim me Festivalin Ballkanik të Tiranës. Ky festival do të përmbyllet me koncertin në bashkëpunim me Korin.

“Po ashtu këtë vit kemi edhe 95-vjetorin e Rexho Mulliqit dhe 60-vjetorin e Mendi Mengjiqit dhe natyrisht që veprat e tyre do të jenë prezentë në gjithë rrjedhën e festivalit dhe jemi shumë të lumtur për kë të”, tha Rudi.

Këtë vit ReMusica krahas koncerteve të mbrëmjes me emrat më të spikatur të skenës ndërkombëtare do të sjellë për publikun segmente te reja:

ReMusica Edukative – Koncerte familjare – më afër me muzikën, artistin, repertoarin/kompozitorët, instrumentin. ReMusica N’shesh – në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, koncerte dhe muzikë për të gjithë. ReMusica VIRTUAL (project në bashkëpunim me Zombie Soup) 3D VIRTUAL REALITY CONCERT experience.

Po ashtu “ReMusica” këtë vit do të sjellë edhe Konferencën Ndërkombëtare “Perspektiva Ballkanike dhe Europiane”, ku të ftuar do të jenë udhëheqës të institucioneve kulturore, Festivaleve nga Rajoni dhe Europa.

Po ashtu edhe gjatë ditës së sotme kanë filluar aktivitetet në Sheshin “Zahir Pajaziti”, si pjesë e programit “ReMusica n’shesh”, duke i shërbyer publikut muzikë klasike.

Më poshtë e gjeni programin e plotë të edicionit të 17-të të Festivalit “ReMusica”.
_________
E diel / Sunday 27 MAJ
11:30 Sheshi “Zahir Pajaziti”
ReMusica N’shesh

Hapja / Opening of ReMusica Festival 2018
20:00 Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare

PETRIT ÇEKU kitarë / guitar
MARC BOUCHKOV violinë / violin
_________

E hënë / Monday 28 MAJ
10:00 Hotel Prishtina
Konferenca Ndërkombëtare “Festivalet: Perspektiva Ballkanike dhe Europiane”

11:30 Sheshi “Zahir Pajaziti”
ReMusica N’shesh: Grup vocal iso-polifoni ”Bilbili”

20:00 Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare
SHAKESPIRED
proMODERN sekstet vokal / contemporary vocal sextet
_________
E martë / Tuesday 29 MAJ
10:30 Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare

ReMusica Edukative: Profili i kontratenorit
Safet Berisha, kontratenor

20:00 Salla e Kuqe / Red Hall
ORKESTRA E FILHARMONISË SË KOSOVËS / KOSOVO PHILHARMONIC ORCHESTRA (koncert në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës)

Marc BOUCHKOV violinë / violin
Toshio YANAGISAWA dirigjent / conductor
_________
E mërkurë / Wednesday 30 MAJ
10:30 Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare

ReMusica Edukative: Instrumentet frymore
Trio Sonore: Meriton Ferizi, fagot/bassoon| Lejla Beqiri, flaut/flute|Pellumb Vula, klarinet/clarinet | Albin Abazi obo/oboe

11:30 Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare
ReMusica Junior: Udhëtim tingullor
Donika Rudi, spacializuese

20:00 Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare
NATA AKUSMATIKE / ACOUSMATIC NIGHT
Koncert autorial Donika RUDI
Donika RUDI Spacializuese/spacializer
_________
E enjte / Thursday 31 MAJ
11:30 Sheshi “ZahirPajaziti”

ReMusicaN’shesh: Siparantum Choir

20:00 Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare
NATA SHQIPTARE
Kompozitorë dhe Interpretë shqiptarë

I Vepra pianistike dhe kamertale
Klevis Gjergji, piano
Trio Sonore

II All about wind … instruments!
Kuintet pianistik: Meriton Ferizi, fagot/bassoon|Pëllumb Vula, klarinet/clarinet|
Lejla Beqiri, flaut/flute| Bledar Bujupi, kornë / corno
Albin Abazi, obo/oboe| Melos Buza, piano

III Vepra korale
SIPARANTUM CHOIR, dirigjent/conductor Memli Kelmendi
_________
E premte / Friday 1 QERSHOR
20:00 Kisha Katolike “Shën Ndou”

PRISHTINA BAROQUE NIGHT
Safet Berisha, kontratenor/countertenor | Kaltrina Miftari, soprano|
Donika Rushiti mezzosopran | Shaban Behramaj, bas
AdorelHaxhiaj, violoncelo/cello |Artemida Qarri, piano
_________
E shtunë / Saturday 2 QERSHOR
20:00 Kisha Katolike “ShënNdou”

KORI I FILHARMONISË SË KOSOVËS / Kosovo Philharmonic Choir
Rafet RUDI dirigjent/conductor

Virgjil Muçi fiton çmimin Kadare 2018

Virgjil Muçi është fituesit i çmimit Kadare 2018, i cili jepet çdo vit nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës.

Muçi u vlerësua me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave” me motivacionin “Për mënyrën sesi ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”.

Virgjil Muçi u lind në Tiranë më 18 gusht 1956. Veprimtaria e tij letrare e artistike është tejet e gjerë dhe e larmishme. Autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari që zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë dhe, së fundi, edhe në lëmin e kritikës letrare. Kontributi i tij është i ndjeshëm edhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm, si: Sontag, Lindgren, Bukowski, Albahari, Kagan, Edgar, Rothschild, Dickens, Christie, Candito, Salleo etj. Gjithashtu ai është aktiv edhe në shtypin e përditshëm e atë periodik me shkrime kryesisht nga fusha e kulturës./ KultPlus.com

FemArt kujtoi Elizabeth Swados, “Vajza me ndjenjën e mrekullueshme” (VIDEO)

Alberina Haxhijaj

“Vajza me ndjenjën e mrekullueshme”, kështu u titullua mbrëmja artistike kushtuar Elizabeth Swados, e cila u mbajt në kuadër të edicionit të 6-të të FemArt-it. Madje ky festival bëri edhe hapjen me performancë “Trojanet”, që bazohet në produksionin origjinal të Teatrit Eksperimental ‘La MaMa’ të ‘Trojaneve’, krijuar nga Elizabeth Swados si dhe nga Andrei Serban e Ellen Stewart në vitin 1974, shkruan KultPlus.

Për të kujtuar dhe për të shpalosur detaje nga jeta e Elizabeth Swados, në Prishtinë diskutuan miqtë e saj: George Drance, Kim Ima, Onni Johnson, Sara Galassini dhe Bill Ruyle.

George Drance, tregoi se ai ka punuar me Elizabeth Swados (Lizën) në shfaqjen Medeaku ka luajtur Jasonin, një shfaqje për të cilën ai ka qenë i tmerruar por pikërisht Liza e ka ndihmuar duke i vënë re pengesat që ai kishte dhe duke e ndihmuar që ti tejkalonte.

Ndërsa Kim Ima atë e takoi për herë të parë në vitin 1996 kur filloi që të punojë në projektin “Trojanet” gjersa thekson Liza nuk është se e ka njoftuar me një botë të re por e ka bërë që ta shoh jetën përmes ritmit, tingujve dhe muzikës. Edhe Onni Johnson, e takoi atë në audicion për shfaqjen “Trojanet” duke e përshkruar atë si një grua të vogël dhe të imtë por më një zë vullkanik.

Sara Galassini tha se nuk i kujtohet saktësisht se kur e ka takuar atë por mendon se e kam takuar kur fillimisht është bashkuar me botën e “La MaMa” edhe pse edhe para se ta takonte atë bota e saj e muzikës ishte pjesë e saj.

Gjersa Bill Ruyle tha se për herë të parë ka takuar Lizin në momentin parë që e ka takuar një shoqe në metro e cila i ka treguar se është duke punuar me një kompozitore të cilës po i nevojitet një perkusionist dhe këtu ai ka marrë edhe punën e tij të parë si instrumentist. Ai miqësinë e tij me Lizini e quan stuhi të fuqishme ku janë grindur shumë mirëpo edhe e kanë dëgjuar dhe respektuar njëri-tjetrin duke e konsideruar vetëm mirënjohës që e ka takuar këtë kompozitore dhe muzikante e cila ka lënë gjurmë në muzikë.

Elizabeth Swados ka pasur një marrëdhënie unike me tingujt duke i dëgjuar, ripërpunuar dhe duke i kompozuar. “Trojanet” është kulminacioni i shumë viteve eksperience me tinguj dhe gjuhë antike në bashkëpunim me regjisorë të ndryshëm. Kështu në Teatrin Dodona u performua një pjesë nga kjo shfaqje.

Tutje Onni Johnson zbuloi historinë prapa emrin ‘Vajza me ndjenjën e mrekullueshme’.

“Kur ka lindur djali im Liza më ka dhuruar një kopje të librit ‘Vajza me ndjenjën e mrekullueshme’, libër i posa publikuar që është libër për fëmijë mirëpo që zbulon shpirtin fëmijëror edhe tek të rriturit”, u shpreh ajo ndërsa tutje Kim Ima zbuloi detaje për “The Runaways”.

“The Runaways është një muzikël i cili është shkruar, kompozuar nga Liza e cila po ashtu ka bërë edhe regjinë. Ajo i është kushtuar fëmijëve të cilët e kanë lënë shtëpitë dhe kanë jetuar nëpër rrugë të qytetit. Historitë në të këtë shfaqje janë marrë nga fëmijët që kanë jetuar në rrugë e që Lizë i ka marrë dhe ka punuar me ta nëpër punëtori të ndryshme”, u shpreh Kim Ima.

Elizabeth Swados po ashtu ka kompozuar edhe këngë duke përfshirë edhe këngë të tilla si “Gruaja e Ibrahamit”, të cilën e performuan për të pranishmit Onni Johnson, Sara Galassini dhe Bill Ruyle. Ajo po ashtu ka shkruar libra, opera, poezi të tilla si “Mia 62” apo “In the Airport” të cilat edhe u lexuan.

Është nominuar katër herë për Tony Awards, ka vdekur në moshën 64. Filmi i animuar “My Depression: A Picture Book”, bazuar në jetën e saj ka qenë pjesë e Tribeca film Festival në vitin 2014, e shumë e shumë gjëra të tjera të cilat u shpalosën në kuadër të Festivalit FemArt./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=2hesDOnnO0I

Era Istrefit i rrezikohet performanca në hapjen e Kampionatin Botëror

Këngëtarja kosovare, Era Istrefi do të jetë zëri i këtij Botërori, teksa së bashku me Will Smith dhe Nichy Jem do të këndojnë këngën “Live it up”.

Kjo përfshirje e Erës në këngën zyrtare të Botërorit, ka bërë krenar gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, por kur duket se gjërat ishin duke shkuar mirë, Era ka hasur pengesën e parë.

Era, rrezikon të humbas performancën në hapjen e Botërorit, për shkak të vizës në Rusi. Vitin e kaluar, Era Istrefi ishte ndër artistet ndërkombëtare të ftuara në një prej organizimeve më të mëdha të muzikës në kontinent, festivali Europa Plus. Por, fatkeqësisht, nuk mundi të ngjitej në skenën e Moskës krah artistëve të tjera si Dua Lipa, Bebe Rexha, apo Arilena Ara, për shkak se nuk siguroi dot vizën.

Në pikëpyetje mbetet edhe performanca në Botëror. Lajmi e konfirmoi edhe mamaja e këngëtares shqiptare, e cila deklaroi se vajza e saj duhet të kthehet në Shqipëri për tu marrë me vizën ruse.

“Tani duhet të merremi me vizën e Rusisë. Erës i duhet të kthehet në Shqipëri dhe në Kosovë për t’u marrë me to”, u shpreh mamaja e këngëtares shkruan panorama./ KultPlus.com

Christine Coleman solli shfaqjen që rrëzon shtëpinë prej letrës sepse Ti Udhëheqë

Alberina Haxhijaj

Dita e dytë e edicionit të 6-të të FemArt-it ka vazhduar dje që të ketë në qendër moton e saj “Ti udhëheqë”, mesazh i cili u gërshetua shumë bukur me shfaqjen e baletit “Shtëpia e saj prej letre” nga Christine Coleman, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Shtëpia e saj prej letre” kërkon fuqizimin e grave ndërsa sjellë historinë e një gruaje e cila ka krijuar një strehë të rehatshme për veten gjersa përballet me bashkëshortin e saj i cili vazhdon ti thotë fjalët: Ti nuk mundesh!!!

Kjo shfaqje në fokus ka jetën e një gruaje e cila fillon të çmendet gjersa burri i saj fillon që ta largojë nga përgjegjësit që ajo tashmë i ka.

– Nuk mund të shkruash në ditar, nuk mund të lexosh më, nuk mund të kujdesesh për fëmijën tonë, madje e di çfarë tani mundesh vetëm të qëndrosh këtu, në këtë dhomë. – i thotë ai asaj.

Përsëritje e këtyre fjalëve nga ana e bashkëshortit bënë që kjo grua të fillojë të humb identitetin e saj dhe të besoj se fjalët që ai po i thotë janë të vërteta. Por ngjarja nuk përfundon kështu ajo vendos që ta marr në dorën fatin e saj, u shpreh Christine Coleman.

“Mendova që do të ishte shumë interesante të luaja rolin e një të çmendure dhe do të ishte interesante që pikërisht këtë pjesë ta sjellë në FemArt. Mendoj se ne si gra kemi tendenca që të shohim jetën përmes vështirësive, ndërsa burrat përmes mundësive dhe kjo sepse na është thënë se ne nuk mund të bëjmë të gjitha gjërat prandaj ne duhet që të përpiqemi më shumë”, tha ajo për KultPlus.

Mirëpo balerina Christine Coleman arriti që të tregon forcën e saj duke shpërfaqur edhe forcën e gruas që ajo paraqiste në Teatrin Dodona, grua me të cilën mund të lidhej shumë lehtë publiku i pranishëm, e sidomos ata të cilët e kanë dëgjuar në jetën e tyre fjalën: Ti nuk mundesh!

“Ishte një bashkëpunim shumë i mirë së bashku me Skender Shkodrën i cili më ndërtoi shtëpinë prej letre dhe me May Lee Hollis e cila e ka bërë filmin. Një bashkëpunim i cili përmes kësaj shtëpi sjellë barrierat të cilat ndryshojnë në mendjen e personazhit. Pjesa e çmendurisë është bërë e parë dhe pastaj ajo ku jam e lumtur pasi që pikërisht kjo pjesë është më e vështirë sepse nuk ka konflikt dhe ndonjëherë mund të reflektoj e mërzitshme të publikun”, u shpreh ajo.

Christine Coleman është e njohur për trajtimin e temave sociale në punën e saj, duke përfshirë edhe shfaqjet e dhëna në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në rolin e koreografes. Ajo për KultPlus tha se mendon që është mision i jetës së saj fuqizimi i grave si mësuese, koreografe apo edhe si balerinë.

“Mendoj që është shumë e rëndësishme që të edukojmë njerëzit dhe ti ndihmojmë ata që të shohin mundësit dhe aftësitë e tyre, sa larg mund të shkojnë nga ajo që kanë menduar në fillim. Mendoj se kjo pjesë ka qenë e veçantë po ashtu pasi që zakonisht jam koreografe dhe jo balerinë. Ishte një pjesë shumë e rëndësishme dhe kur e pash publikun, sidomos gratë, i thash vetës shpresoj që të ndihen të fuqishme sepse unë më të vërtetë ashtu po ndihem. Ndjehesha sikur energjinë time po ua transmetoj atyre dhe ishte një shfaqje shumë e veçantë pikërisht për këtë shkëmbimin me publikun”, përfundoi ajo.

Sot është dita e tretë e FemArt-it dhe KultPlus do vazhdojë të ju mbajë të informuar mbi aktivitetet e kësaj dite dhe të tjerave në vazhdim./ KultPlus.com

21 vite pa Azem Shkrelin

Sot mbushen plotë 21 vite nga vdekja e poetit të madh Azem Shkreli.

Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Azem Shkreli lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit. Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër.

Azem Shkreli vdiq në pranverën e vitit 1997./ KultPlus.com

Sot fillon “Prishtina Lexon”

Festivali “Prishtina Lexon” këtë vit po vjen me plot aktivitete që synojnë të nxisin dhe kultivojnë kulturën e leximit te të gjitha grupmoshat.

Komuna e Prishtinës së bashku me organizatat joqeveritare organizojnë festivalin e leximit “Prishtina Lexon”, festival ky që synon ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e leximit tek nxënësit dhe e gjithë shoqëria. Në edicionin e sivjetmë festa do të zgjasë 7 ditë dhe përfshinë të gjitha moshat.

Në organizim marrin pjesë 8 organizata joqeveritare që merren kryesisht me lexim, dije, filozofi dhe aktivitete rinore. Kjo është hera e parë që krahas Komunës së Prishtinës, organizatat e shoqërisë civile e përbëjnë pjesën kryesore të programit, që fillon me 28 maj dhe përfundon me 3 qershor. Në këtë edicion, Prishtina Lexon do të shtrihet në tërë Prishtinën dhe jo vetëm në sheshin kryesor.

Aktivitetet e para fillojnë të hënën gjatë ditës, nëpër shkollat e Prishtinës, për nxënësit e klasave VI deri në IX nga organizata TOKA. Aktiviteti i radhës, në po të njëjtën ditë, është “Nata e letërsisë dhe poetikës”, që njëherësh shënon hapjen e festivalit, do të mbahet në Degën “Përkujtimore” (Taukbashçe) të Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në ora 20:30, nga ETEA, Termokiss dhe TOKA. Festivali “Prishtina Lexon”, që nga viti 2014, është iniciativë e Komunës së Prishtinës me qëllim të promovimit të leximit, nxitjes dhe kultivimit të kulturës së leximit te fëmijët. Për dallim prej viteve të kaluara, edicioni i pestë i “Prishtina Lexon”, po vjen me format më të ndryshëm duke u fokusuar në aktivitetet e mbajtura së bashku me organizatat joqeveritare, si: ETEA, TOKA, Termokiss, SOS Fshati i Fëmijeve, Virtual Sophists, KYC dhe Alliance Française.

Në anën tjetër në këtë partneritet u përfshinë edhe institucionet edukativo-arsimore, si: Biblioteka “Hivzi Sulejmani” me të gjitha degët e saj, Qendra Kulturore e Fëmijeve, shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës, Xixëllonjat, Evolution Dance, etj. Si rrjedhoje e këtij bashkepunimi të gjere “Prishtina Lexon” këtë vit do të zgjatë shtatë ditë me aktivitete të shumta, por me e veçanta është se këtë vit aktivitetet i dedikohen fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, duke potencuar idenë e përbashkët se libri i përket të gjitha grupmoshave. Po ashtu, në këtë edicion “Prishtina Lexon” do të shtrihet në tërë Komunën e Prishtinës, pra duke përfshirë edhe fshatrat. Hapja zyrtare e “Prishtina Lexon” bëhet me datë 28 maj 2018 në degën përkujtimore të Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për shkak të simbolikës që kjo pronë e ka. Prona e shkrimtarit Hivzi Sulejmani u la me testament për t’u shndërruar në shtëpi të dijes – bibliotekë.

“Prandaj, ju njoftojmë se, me fillim të javës, të hënën në mbrëmje në ora 20:30, e hapim Festivalin “Prishtina Lexon” në oborrin e shtëpisë së librit, me diskutime miqësore për letërsinë, me lexime të veprave të krijuesve letrarë, e krejt këto, nën përcjelljen e tingujve të muzikës së mirë. Mos harro, mbledhe krejt dashninë gjatë vikendit, ruaje të hënën gjatë ditës dhe eja shpërndaje atë në mbrëmje. Veçse jo të tërën, e hëna është vetëm fillimi”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

‘Trojanet’ e hapë fuqishëm edicionin e 6-të të Festivalit FemArt

Alberina Haxhijaj

FemArt ka filluar edicionin e tij të 6-të mbrëmë, me një shfaqje jashtëzakonisht të bukur dhe të fuqishme e cila ka ardhur si bashkëpunim në mes të Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis dhe Teatrit Amerikan nga qyteti i New Yorkut – “La Mama”.

Publiku i cili dëshiroi që të ndiqte hapjen e edicionit të 6-të të FemArti i ra rreth e përqark Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” për të përcjellë shfaqjen “Trojanet”, që bëri hapjen e këtij festivali.

Shfaqja bazohet në tekstin e Euripidit, e që shpalosë fatin e grave të Trojës pasi që qyteti i tyre është pushtuar, burrat janë vranë dhe anëtarët e familjeve të mbetura do të merren si skllevër, shkruan KultPlus.

Shkruar 2500 vite më parë, temat e saj- lufta, dhuna ndaj grave dhe fëmijëve, gjenocidi- vazhdojnë që të jenë aktuale në botë. Për këtë arsye kjo shfaqje i ka vënë vetes synim që të shfaqet nëpër vende ku së fundi ka pasur luftëra apo konflikte, duke përdorur teatrin si një mjet për të adresuar çështje bashkëkohore.

Shfaqja bazohet në produksionin origjinal të Teatrit Eksperimental ‘La Mama’ të ‘Trojaneve’, krijuar nga Andrei Serban, Elizabeth Swados dhe Great Repertory Company Jones nga Ellen Stewart në vitin 1974.

Shfaqja fokusohet në historinë e katër grave trojane, mbretëresha Hecuba, resë së saj Andromache (fëmija e së cilës vritet pasi që është djalë), Kasandra, vajza e mbretëreshës dhe Hela e Trojës, të cilën njerëzit e fajësojnë për fillimin e luftës. Secilës grua i jepet një hyrje spektakulare në shfaqje ku ato reagojnë ndryshe dhe sipas mënyrës së tyre ndaj rrethanave tragjike.

“Trojanet” në verzionin e ‘La MaMa’ nuk performohet në gjuhën angleze apo në ndonjë gjuhë tjetër. Përkundrazi teksti është një përzierje e gjuhëve të vjetra si greqisht, latinisht, Nahuatl dhe Navajo, fjalë të shpikura dhe fjalë të marra nga gjuhët e vendeve ku shfaqja është shfaqur më parë. E tashmë në të janë përfshirë edhe pjesë nga kultura shqiptare.

Aktorja Ilire Vinca tha për KultPlus se pikërisht elementi i gjuhës bën që kjo shfaqje të jetë universale, pasi gjuha e shfaqjes iu përket të gjithëve dhe askujt njëkohësisht.

“Shfaqja ka pjesë edhe tonat të cilat ne i kemi shtuar si për shembull një këngë e jugut të cilën e këndoj gjatë shfaqjes, të një pjese funerali. Mirëpo, ajo që është interesante është se projekti nuk ka vetëm profesionistë në të por edhe jo profesionistë, aktorë të rinj, studentë të posa diplomuar nga tre komunitete në Kosovë të cilët e flasin një gjuhë universale dhe një tregim i cili çdo herë e ka në fokus njeriun, dhe për njeriun”, u shpreh ajo për KultPlus.

Kjo shfaqje është dhënë në më shumë se tridhjetë vende anembanë Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Për interpretuesit, muzikantët dhe audiencat gjatë viteve, ajo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. E tillë është bërë edhe për aktorët pjesëmarrës nga Kosova duke përfshirë edhe aktoren Aurita Agushi.

“Kjo ka qenë njëra prej eksperiencave më të mira për mua dhe që kam me e kujtu gjatë pasi në këtë shfaqje luaj bashkë me dy vajzat e mia Gloriozën dhe Heliantën. Pjesa më e mirë e saj është se kjo shfaqje e merr publikun me vete në të katër anët e bibliotekës dhe publiku çdo herë është në pritje se çfarë do ndodhë në cepin tjetër të Bibliotekës”, tha Agushi për KultPlus.

Shfaqja kërkon që publiku të lëvizë me aktorët në hapësirën e lojës. Kjo qasje nga Andrei Serban bën që publiku të jetë pjesëmarrës dhe dëshmitar, jo vetëm spektator. Përdorimi i kombinuar i gjuhëve të hershme, muzikës, këngës dhe lëvizjes është imponues dhe tërheqës. Historia bëhet universale dhe ekziston hapësirë për tregime dhe histori individuale të çdo personi dhe komuniteti për të hyrë dhe për t’u lidhur me shfaqjen.

Interaktiviteti me publikun ka qenë sfidues edhe për aktorët.

“Kjo shfaqje për mua ka qenë një shkollë ne vete dhe mendoj që është shumë mirë që FemArt është hapur me këtë shfaqje pasi aty trajtohet edhe tema e grave trojane. Tema është e ndjeshme dhe gjatë provave gjithmonë kemi ushtru duke e paramenduar publikun, duke mos qenë të sigurt se sa publik ka me pas dhe sonte pati shumë publik dhe jemi munduar që të adaptohemi, që publiku ta përjetojnë sa më afër ngjarjen”, tha aktorja Danjela Markaj për KultPlus.

Temat e luftës së Trojës – lufta, gjenocidi, fati i grave dhe fëmijëve në luftë, si dhe efektet mbi ata që kapen në betejat e pafundme për pushtet – vazhdojnë të rezonojnë në botë, tha Onmi Johnson për KultPlus.

“Jemi të lumtur që kemi arritur që të sjellim një shfaqje të balancuar në mes të aktorëve shqiptarë, serb dhe muzikantëve romë. Njerëzit kanë thënë se nuk mund të keni artistë nga Serbia dhe nga Kosova në të njëjtën shfaqje, por mundesh. Madje ashtu si thotë edhe Ellen Stewart, arti tejkalon politikën. Më vjen shumë mirë që shfaqja u pëlqye dhe kishte një numër të jashtëzakonshëm të publikut”, u shpreh për KultPlus Johnson.

Kjo shfaqje është vënë në jetë nga ekipi i Projektit ‘Trojanet’: Maud Dinand, George Drance, Kim Ima, Onni Johnson, Bill Ruyle, Sara Galassini. Aktorët/et: Aurita Agushi, Anisa Ismaili, Branislav Stanković, Daniela Markaj, Donika Ahmeti, Edlir Gashi, Fisnik Sykaj, Fjolla Hana, Ilire Vinca, Jelena Orlović, Kushtrim Qerimi, Marija Velić, Mikel Markaj, Mina Nikolić, Qendresa Kajtazi, Rajmonda Ahmetaj, Skender Podvorica, Stefan Đordević, Stefan Stojanović, Tamara Trajković si dhe muzika nga Skenderi dhe Mërgimi. / KultPlus.com

Himni i Kampionatit arrin mbi 5 milionë klikime

Këngëtarja nga Kosova e cila do të performojë në Kampionatin Botëror, Era Istrefi ka njoftuar se kënga ka aritur 5 milionë klikime për një ditë.

“Live it Up mori 5 milionë klikime për një ditë. Kjo është krejt falë jush, nuk mund t’ju falënderoj mjaftueshëm për gjithë dashurinë dhe përkrahjen. Faleminderit. Nuk më pritet “Kupa Botërore”, ka shkruar Istrefi.

Por kujtojmë se kënga tani ka nisur të rritë klikimet në kanalin Youtube.

Era Istrefi performon “Live it Up” në duet me Will Smith dhe Nicky Jam./ KultPlus.com

Një kosovar në Kiev të Ukrainës, me flamurin kombëtar (FOTO)

Bekim Gega ka bërë mijëra kilometra rrugë për të qenë pranë skuadrës së zemrës, Liverpoolit, në ndeshjen me të rëndësishme të dekadës së fundit. Tifozi kosovar bashkë me djalin e tij po shijojnë atmosferën nga Kievi ne mesin e tifozëve të Liverpoolit.

Gega është prezantuar si shqipe në Ukrainë pasi që mbanë në duar flamurin kombëtar. Prania e tij bëri që edhe vetë ukrainasit të pozonin krah flamurit shqiptar.

Ndryshe, Bekim Gega njihet si një nga tifozët më besnik të skuadrës së tij duke qenë i pranishëm në stadiume të ndryshme evropiane për të përkrahur skuadrën e zemrës./Indeksonline/

Bebe Rexha mëson asistentin e saj të flas shqip (VIDEO)

Bebe Rexha është artistja me prejardhje shqiptare që ka arritur famë ndërkombëtare.

Këngëtarja është shumë aktive me projekte të reja muzikore dhe me koncerte në mbarë botën, shkruan lajmi.net.

Në shumë raste, Bebe ka treguar publikisht se është krenare me prejardhjen e saj, madje në rrjete sociale në postimet që bën nuk mungojnë flamujt kuq e zi.

Së fundi, ajo ka postuar një video në të cilën shfaqet duke filmuar asistentin e saj, i cili flet shqip.

“Kuq e zi” janë fjalët që përmenden disa herë nga Bebe Rexha dhe asistenti i saj, ndërsa këngëtarja përsërit “po e thua për mrekulli”.

https://www.youtube.com/watch?v=NtfOz1uEb1o&feature=youtu.be

Dua Lipa hap ceremoninë e finales së Champions League (VIDEO)

Dua Lipa me performancë të jashtëzakonshme në hapjen e Champions League

Këngëtarja nga Kosova, Dua Lipa ka mahnitur me performancën e saj të jashtëzakonshme në hapjen e finales së Champions League.

Njerëz nga mbarë bota janë mbledhur për të parë këtë ngjarje të madhe sportive. Dua Lipa ka hapur këtë event të madh derisa zëri i saj ka jehuar me një performancë të mrekullueshme në Kiev të Ukrainës.

KultPlus ju sjellë disa fotografi nga performanca e saj atje.

Reshitaj nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Akademinë Kulturore Evropiane

Pjesëmarrjen e saj në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës së Bienalës në Venecia, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, e konkretizoi me nënshkrimin e një memorandum bashkëpunimi me Akademinë Kulturore Evropiane në Venecia – Itali.

Ky memorandum parasheh bashkëpunim në shkëmbimin e informacioneve mbi projektet dhe iniciativat lokale dhe ndërkombëtare që lidhen me fushat e artit, dizajnit, arkitekturës, edukimit dhe promovimit të talenteve të rinj në industritë krijuese.

Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi Reshitaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm pjesëmarrjen e Kosovës në Bienale dhe nënshkrimin e këtij memorandumi duke thënë se ky memorandum do të mundësojë mbajtjen e kurseve dhe marrjen e njohurive të studentëve kosovarë në këtë akademi elite në Evropë.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbështetur financiarisht ekipin e Kosovës, studentët kosovarë në pjesëmarrjen dhe prezantimin e veprave të tyre në ekspozitën e Bienales së Venecias, ekspozitë kjo me kontribute të përbashkëta të studentëve të arkitekturës, fëmijëve me probleme autizmi, nën logon e bashkëjetesës në mjediset urbane.

Dua Lipa me familje, provat e saj të fundit para performancës sonte (VIDEO)

Dua Lipa po realizon provat e fundit disa orë para se të performojë në hapjen e finales së Champions League.

Ajo është fotografuar me vëllain dhe babain e saj në Kiev të Ukrainës, ndërsa po qarkullojnë video nga provat gjenerale të saj në stadiumin olimpik të Kievit.

Në Gjakovë po synohet numër më i madh i turistëve, vjet e vizituan 10 mijë vetë

Kulla e Abdullah Pashë Drenit, Xhamia e Hadum Agës, Teqeja e Bektashinjve, Hani i Haraqisë, Muzeu Etnografik, Çarshia e Madhe janë vetëm disa nga monumentet kulturore e historike që i shtojnë bukurinë qytetit të Gjakovës.

Gjakova si një qytet me një histori të lashtë shumë shekullore prej të cilës kanë mbetur edhe shumë objekte e artefakte që tregojnë për jetën që u zhvillua në këtë qytet, vetëm në vitin 2017, është vizituar nga mbi 10 mijë turistë nga vende të ndryshme.

Kështu ka bërë të ditur për Kosovapress udhëheqësi i Zyrës së Informacionit Turistik në Gjakovë, Kujtim Rrahmani sipas të cilit kjo komunë krahas turizmit kulturor e ka të zhvilluar edhe turizmin natyror.

“Sipas disa statistikave jo zyrtare që i kemi është 8 mijë deri në 10 mijë veta këtu përfshihen turistët në përgjithësi që e vizitojnë Gjakovën dhe rrethinën e Gjakovës. Këto statistika i kemi marr prej kufirit dhe disa elementeve tjera… Më së shumti Gjakova është tek turizmi kulturor, aty e ka bazamentin kryesor sepse duke e llogaritur trashëgiminë që e ka vetë brenda qytetit, turizmi kulturor është turizmi bazik që zhvillohet në Gjakovë, mirëpo nuk mund të them që edhe turizmi natyror nuk është i zhvilluar sepse i kemi disa pika interesante turistike të turizmit natyror ku mund ta përmendi Radoniqin, edhe pse është një vend që është ujëmbledhës për furnizim të qytetarëve, por edhe ajo pjesë shfrytëzohet për një lloj turizmi… Pjesa tjetër është tek Ura e Drinit që janë edhe garat kryesore që mbahen që janë gara të veçanta, por edhe Shkukëza është pjesë e parkut rekreativ ku e shfrytëzojnë qytetarët dhe turistët e huaj”, u shpreh Rrahmani.

Rrahmani duke i përmendur disa nga monumentet që turistët mund t’i vizitojnë në qytetin e Gjakovës, tha se turizmi në këtë komunë është duke lulëzuar dita ditës.

E me qëllim që ky qytet i lashtë të jetë më atraktiv për vizitorët, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se janë duke punuar në projekte kulturore që do kenë impakt në turizmin e kësaj komune.

“Do t’i kemi edhe dy ose tri teatro çoftë të hapura apo të mbyllura, po punojmë edhe me shoqërinë civile që edhe ata të involvohen qoftë në promovimin e çarshisë së vjetër me ngjarjet që ndodhin atje, kemi edhe disa plane edhe deri në fund të vitit. Do të thotë tani jemi në ramazan pastaj bajrami do të kemi ngjarje dhe atëherë, do ketë ngjarje edhe para fundit të vitit për vitin e ri për kërshëndella, po promovojmë me i lidh në mes vete që në Gjakovë me ndodh një lëvizje permanente sa i përket ngjarjeve kulturore që ndërlidhen me turizmin… Sot në mëngjes kemi bisedua për një projekt në lumin Erenik e cila është një ide më e vjetër nuk është ide e imja, por është e mirë dhe unë nuk kam nevojë me ndryshua diçka në shije”, ka thënë Gjini.

Se qyteti i Gjakovës do të ketë risi kulturore e tha edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë, Saranda Hyseni, e cila u shpreh se hendikep më të madh ka buxhetin e vogël që dedikohet për këtë sektor.

Ndryshe, në bazë të defterit të vitit 1571, Gjakova ishte ende fshat, i cili në gjysmën e dytë të shek. XVII, u zhvillua në qytet, ku lulëzonte zejtaria, tregtia, ekonomia.

Berati pret të ketë më shumë se 100 mijë turistë këtë vit

Projeksioni është që këtë vit në Berat të kalohen shifrat e 100 mijë turistëve, dhe kjo do të thotë më shumë punësim dhe zhvillim ekonomik.

Në një takim në Berat, ku u prezantuan projektet e reja për qarkun, Rama theksoi se, “potenciali i jashtëzakonshëm ekonomik që ka kjo zonë për shkak të trashëgimisë kulturore dhe bukurive natyrore u çlirua me programin e Rilindjes Urbane”.

“Një shtëpi që kushtonte mesatarisht 8-10 mijë euro në zonën historike, sot kushton 65-75 mijë euro, një rritje e jashtëzakonshme e vlerës së pasurive të patundshme si rezultat i rritjes së kërkesës për ta vënë në shfrytëzim këtë potencial”, tha Rama.

Rama tha se ka një transformim të rëndësishëm në gjithë zonën që po sjell rritje eksponenciale të numrit të turistëve.

“Nga 13 mijë turistë që numëroheshin në vitin 2013, vitin e shkuar kishim 74 mijë turistë, ndërsa këtë vit projeksioni është që të kalojë shifrat e 100 mijë turistëve. Kjo do të thotë më shumë ekonomi, biznes dhe mundësi punësimi dhe më shumë investime, jo vetëm nga ana e sektorit privat, por edhe nga ana e qeverisë dhe bashkive”, tha Rama.

Dëshmi e rritjes së numrit të turistëve në Berat, sipas Ramës, është edhe numri i biletave të shitura në muzeun Onufri, ku ka 7-fishim të shitjes së biletave.

“Po kështu po të shikojmë numrin e bujtinave dhe hoteleve kemi dyfishim. Kishim 34 dhe sot kemi rreth 60 bujtina dhe hotele. Jemi në kushtet, kur po përjetojmë një proces transformimi të rëndësishëm, që do të sjellë një fuqizim të rëndësishëm ekonomik dhe rritje të punësimit përmes sipërmarrjes individuale në qytet apo në fshat”, tha Rama. / KultPlus.com

Ndahen çmimet e Bienales së Arkitekturës në Venecia

Janë ndarë kësisoj çmimet e Bienales së Venecias.

Frank Barkow, Sofia Von Ellrichshausen, Kate Goodwin, Patricia Patkau dhe Pier Paolo Tamburelli si pjesë e jurisë kanë zgjedhur fitues Zvicrën si Pavijonin më të mirë në Bienalen e Arkitekturës.

Britania e Madhe ka marrë një mirënjohje speciale. Pjesëmarrësi më i mirë në ekspozitën ndërkombëtare u shpall Eduardo de Moura.

Bienalja e Arkitekturës në Venecia të Italisë u hap ditë më parë ndërsa Pavijonet shtetërore janë hapur përgjatë kësaj jave, me inspirime dhe me fokuse të ndryshme artistike.
Pavijoni i Zvicrës ka ndërtuar banesa me qera në Venecia, kësisoj duke u fokusuar në dizajnin interior të pronësive me qera.

Pajisje të ndryshme minimale janë pjesë e hapësirës së bardhë nëpër rrugëtimin e këtij Pavijoni.

Kujtojmë se Kosova këtë vit merr pjesë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia ndërsa KultPlus ka raportuar këtyre ditëve mbi zhvillimet shqiptare atje. / KultPlus.com

Ekspozitë me veprat e Kolec Topallit

Ekspozita përkujtimore “Kolec Topalli (1938–2018)” vjen si një homazh kushtuar akademikut, gjuhëtarit dhe studiuesit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Kjo ekspozitë me veprat e studimet e tij vjen për publikun e gjerë dhe lexuesit e Bibliotekës Kombëtare si një vëmendje e veçantë kushtuar kontributit dhe personalitetit të tij të jashtëzakonshëm shkencor të akademik.

Duke lënë pas një trashëgimi të vyer në kulturën shqiptare akademik Kolec Topalli është autor i shumë vepra të rëndësishme studimore mbi gjuhën shqipe, monografi, përmbledhje studimesh dhe vepra kolektive si “Theksi në gjuhën shqipe” (1995); “Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe” (1996); “Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes”(1998); “Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe” (2000); “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2007); “Sonantet e gjuhës shqipe” (2001); “Mbylltoret e gjuhës shqipe” (2002); “Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe” (2003); “Dukuritë fonetike të sistemin bashtingëllor të gjuhës shqipe” (2004); “Bazat e fonetikës historike të gjuhës shqipe” (2005); “Ricerche sulla storia dell’accento in Albanese” (2007); “Evolucioni historik i përemrave të shqipes” (2008); “Sistemi rasor i emrave të shqipes” (2009); “Nyjat e shqipes” (2009); “Sistemi foljor i gjuhës shqipe” (2010); “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011); “Bazat e gramatikës historike të gjuhës shqipe” (2011) si dhe botimi i tij më i fundit “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” botuar në vitin 2017).

Ai gjithashtu ka qenë edhe redaktor dhe recensues i një sërë veprash të rëndësishme studimore si “Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe” i Benedikt Demës; “Vepra të zgjedhura” të Selman Rizës; “Shqipja në etapën e sotme : politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit : aktet e konferencës shkencore, Durrës, 15-17 dhjetor 2010”; “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe” i studiueses Anila Omari; “Fonetikë akustike : analizë e sistemit fonologjik” i Aljula Jubanit; “Komisia letrare shqipe në Shkodër (1916-1918) dhe Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (1879), Shoqëria “Bashkimi” (1899), Shoqëria “Agimi” (1901)” dhe “Shekulli i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër : (1916-1918) : 100 vjet të rrugëtimit të saj” të autorit Tomor Osmani; etj..

‘Statuja’ e Edi Ramës në Sheshin Skënderbej, drogë e para

Në protestën që opozita do të mbajë këtë të shtunë kanë nisur të vendosen edhe pankartat e para.

Pasi nëpër makina ishin vendosur “po vijmë Pasha” në Sheshin Skënderbej është shfaqur statuja e Drejtësisë me portretin e Edi Ramës, që simbolizon kapjen politike të drejtësisë për t’i shërbyer krimit dhe korrupsionit, shkruan opinion.al

Statujën e Drejtësisë 3 metra të lartë e mbajnë 10 të rinj të maskuar si Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, Moisiu Habilaj për të treguar se Drejtësia është vënë në shërbim të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe qeverisë së lidhur me të.

Në anën tjetër disa të rinj kanë prezantuar tek Ministria e Brendshme një hartë kanabisi të familjeve politiko-mafioze.

Harta e familjeve politiko mafioze është një instalacion për të simboliziar qeverinë e Edi Ramës në 5 vitet e fundit. Për herë të parë, gjatë qeverisë së Ramës Shqipëria mori kudo në Perëndim imazhin e një vendi që, me mbeshtetjen e qeverisë, prodhon dhe trafikon vetëm kanabis dhe krim, duke u cilësuar gjerësisht në botë si Kanabistan.

FIFA pret që himni me Era Istrefin t’i bashkojë tifozët

Kosova e Shqipëria nuk do të jenë pjesë e botërorit të futbollit “Rusia 2018”, por prani shqiptare gjithsesi do të ketë gjatë ngjarjes së madhe sportive që mbahet prej 14 qershor deri më 15 korrik.

Pos futbollistëve shqiptarë që luajnë në përfaqësuese të tjera, Kosova e Shqipëria do të jenë pjesë e pandashme e botërorit edhe falë këngës zyrtare të botërorit, përkatësisht himnit të tij. Ai këndohet nga Nicky Jam në bashkëpunim me Will Smith dhe këngëtaren e njohur kosovare, Era Istrefi, shkruan sot Koha Ditore.

FIFA të premten ka bërë publik versionin “audio” të këngës. “Live It Up” quhet kënga, që sipas FIFA-s do të ndihmojë që të definohet botërori i futbollit “Rusia 2018”. Himni zyrtar është prodhuar nga DJ dhe autori i këngëve, Diplo, dhe pason “Waka Waka” të Shakiras, që ishte kënga zyrtare e botërorit të vitit 2010 dhe atë “We Are One (Ole Ola)” e Pitbull, që ishte kënga zyrtare e botërorit të kaluar.

“Kënga premton të mbushë stadiumet përreth Rusisë me atmosferë të gjallë dhe të bëjë tifozët e bashkuar”, ka shkruar FIFA në njoftimin për publikimin e këngës.

Kënga zyrtare e botërorit do të interpretohet para finales së 15 korrikut në stadiumin “Luzhniki” për të ngrohur 80 mijë tifozët në këtë stadium në Moskë dhe rreth një miliard njerëzit që do ta përcjellin finalen përmes televizorëve. Videospoti i këngës zyrtare do të bëhet publik më 7 qershor, ka njoftuar FIFA.

Tradita e këngës zyrtare të botërorit ka nisur prej vitit 1966. Prej atëherë kënga zyrtare është bërë gjithnjë e më e rëndësishme. Zakonisht ajo shndërrohet në një hit.

“Të jem pjesë e këngës zyrtare të Botërorit të FIFA-s është një përvojë e pabesueshme dhe shumë emocionuese. Të punoj përkrah artistëve të talentuar si Diplo, Will Smith dhe Nicky Jam, për të cilët kam admirim të madh, ishte e shkëlqyeshme dhe shumë argëtuese. Unë jam fanse e madhe e futbollit po ashtu dhe mezi po pres që Kupa Botërore të nisë”, ka thënë Era Istrefi për sajtin e FIFA-s.

Dashuri për Elsën

Louis Aragon

Jam xheloz për çdo pikë shi
që me puthje më shëmbëllen
më bëjnë të ndjej xhelozi
sytë e gjithçkaje që shkëlqen

Kur e zë jam xheloz për bletën
për pasqyrën ku ajo shihet
për harrimin për kujtesën
dhe për gjumin ku kridhet

Për trotuarin që ajo zgjedh
për erën që e fshik me duar
në ëndërr gjumin ma vjedh
xhelozia ime që rri zgjuar

Jam xheloz për një këngë një ofsh
për një hukamë e një rënkim
për zymbylat jam xheloz
për një parfum për një kujtim

Jam xheloz për statujat në shesh
tunduese me ata sy zgavra
jam xheloz kur ajo hesht
për fletën e bardhë që ka përpara

Për një qeshje a një lëvdatë
dimrit për një drithmë të lehtë
për një fustan që vesh në shtat
pranverës për drurët e blertë

Jam xheloz kur i pëlqen zjarri
për një degë që e ndjek prapa
për krehërin në flokët ngjyrë ari
në ag më bën xheloz mesnata

për gjithçka që ka për zemër
për zumrudët që stolisin
ah, nata e ligë nata shemër
më hijet e saj ma mer shpirtin

Çdo stinë ndjej xhelozi
më ngulen njëmijë gozhdë
jam xheloz gjer në marrëzi
jam xheloz si një qen xheloz

Kur vonohet një grimë herë
jam xheloz për botën mbarë
gjestet e saj janë mister
jam xheloz për çdo kitarë.

Shqiptaret e famshme bëhen bashkë, të lumtura që përfaqësojnë Kosovën

Kosovare Asllani është takuar sot me këngëtaren Rita Ora në kuadër të një kampanje të UEFA-së.

Përmes një postimi në Facebook, futbollistja e njohur ka thënë se janë të lumtura që përfaqësojnë Kosovën përmes profesionit të tyre.

Asllani ka shfrytëzuar këtë takim për t’ia dhuruar Ritës fanellën me emrin e saj.