Kalaja e Lëkurësit, monument me vlera historike dhe kulturore

Kalaja e Lëkurësit, e ndodhur midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, në një pozicion dominues mbi gjirin e Sarandës dhe qafën e Gjashtës, përballë Manastirit të Dyzet Shenjtorëve është një atraksion i veçantë i turizmit në qytetin bregdetar.

Mendohet që ndërtimi i saj është bërë nga Sulltan Sulejmani në vitin 1537, kur sulmoi Korfuzin dhe ishte i domosdoshëm kontrolli i skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint.

Sipas kolonelit anglez W. M. Leake, në fillimin e shek. XIX kalaja kontrollonte skelën detare të Sarandës. Planimetria e fortesës është katrore me përmasa 42 x 44 m, me dy kulla të rrumbullakëta në veriperëndim dhe juglindje si dhe një kullë drejtkëndëshe në murin perëndimor.

Lartësia e mureve arrin deri në 6.5 m, ndërsa trashësia varion nga 1.7 deri 1.9 m. Hyrja me hark që shërben për hyrjen në kala ndodhet nga lindja. Parapeti i mureve është rreth 1.7 m i lartë dhe është i pajisur me frëngji.

Restaurimet e kryera në muret e saj, në anën e majtë të hyrjes zbuluan ambientet e një kishe të vogël post bizantine me piktura murale të shek. XVII-XVIII.

Përreth fortifikimit ndodhen rrënojat e fshatit Lëkurës të përmendur që në regjistrimet e para osmane, por arkeologu italian L. M. Ugolini që i vizitoi ato në fillimet e shek. XX, i daton strukturat në periudhën bizantine. Në defterin e sanxhakut të Delvinës në vitin 1583, fshati regjistrohet me 80 shtëpi, të cilat nxirrnin rreth 20 luftëtarë.

W. M. Leake thotë se fshati ishte ndërtuar nga Ali Pasha, por padyshim kjo është një periudhë ripopullimi e cila përputhet me restaurimin e kalasë nga Veziri i Janinës.
Nga fshati ruhen ende mbi sipërfaqe rrënojat e banesave, oborret e tyre, bodrumet, rrënoja kullash e ndërtesa me karakter religjioz.

Aktualisht e gjithë sipërfaqja e rrënojave të fshatit Lëkurës përfshihet në zonën e mbrojtur të kalasë. Për të shkuar drejt kalasë së Lëkurësit duhet ndjekur rruga nga qafa e Gjashtës drejt kreshtës së kodrës së Lëkurësit.

Kalaja e Lëkurësit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 30 maj 1970. /k.s/ KultPlus.com

I ruajti për 60 vite, flokët e Marilyn Monroe shiten me çmim marramendës

             

Një pjesë e flokëve të Marliyn Monroe do të shiten për 16.500 Dollarë. Kanë kaluar 60 vite pasi janë prerë nga aktorja. Flokët janë ruajtur nga parukjeri i Monroe, i cili nga që viti 1958 e derisa bukuroshja ndërroi jetë, është kujdesur për imazhin e saj.

Kenneth Battelle, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2013, mësohet se ka koleksionuar rreth 35 variacione, sa herë që aktorja vendoste të ndryshonte stilin e flokëve. Sipas mediave, parukjeri disa prej tufave të flokëve ja ka dhuruar miqve të tij më të ngushtë.

Ai i kishte vendosur flokët në një kornizë xhami të projektuar posaçërisht për to. Korniza mban datën 14 Qershor 1959 dhe në xham është i shënuar numri i telefonit i Battelle. Bashkëngjitur është një tjetër kornizë me imazhin e biondes seksi, e cila do ti dhurohet blerësit. /KultPlus.com

Madonna pritet që të performojë në Eurovizion 2019

Tema e këtij viti në Eurovizion ka të bëjë me të pasurit guxim për të ëndërruar dhe pikërisht transmetuesi i sivjetshëm KAN po synon sa më lartë që po mundet. Pasi që Justin Timberlake performoi në skenën e Eurovizionit në vitin 2016, ata shpresojnë që një yll tjetër global do paraqitet këtë vit.

Sipas raporteve më të fundit në mediat izraelite, Madona është këngëtarja e cila është ne negociata me KAN për disa muaj. Ndonëse Madonna pranoi të performonte në Eurovizion i cili këtë vit do të mbahet në Tel Aviv, kushtet financiare po pengojnë që një kontratë të nënshkruhet. Mirëpo siç është bërë e ditur KAN dëshiron të ketë një yll ndërkombëtar në skenën e Eurovizionit gjatë finales së madhe. Disa nga emrat tjerë që u përmendën në raporte përfshijnë Coldplay dhe Elton John.

Por Ynet raporton se KAN ka mbajtur bisedime me ikonën e muzikës, Madonnën në mënyrë që performanca e saj të jetë kryesorja në Eurovizion 2019./ KutlPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=qqIIW7nxBgc

Ndahet nga jeta legjenda e Broadway

Aktorja dhe këngëtarja e famshme Carol Channing është ndarë nga jeta mëngjesin e së martës në shtëpinë e saj në Rancho Mirage, Kaliforni.

Legjenda e Broadway vdiq në moshën 97-vjeçare për shkaqe natyrore, transmeton tch.

Channing fitoi zemrat e publikut me hijeshinë dhe sharmin e saj. Ajo luajti në filmat e famshëm si ‘Hello Dolly’ dhe ‘Gentlemen Prefer Blondes’.

Aktorja e ndjerë solli disa nga rolet më të njohura të Broadway-t gjatë viteve ’40, ’50 dhe ’60.

E njohur si Dolly, Lorelei, Muzzy apo vetëm Carol, Channing ishte një talent që magjeps çdo audiencë.

Ajo ishte vajza e redaktorit të shquar George Channing dhe Adelaide. Channing u lind më 31 janar 1921 në Seattle, por u rrit në San Francisko./KultPlus.com

Festivali ‘Flaka e Janarit’ heq nga aktiviteti shtyllën ‘Film-Foto Flaka’

Komuna e Gjilanit organizon  edicionin e 28-të të manifestimit tradicional kulturor “Flaka e Janarit” që mbahet në nderim të heronjëve, dëshmorëve e martirëve të kombit.

Manifestimi zakonisht nis me homazhe tek varrezat dhe lapidarët e dëshmorëve duke vazhduar pastaj me aktivitetet të tjera sikurse arti pamor, skenik, letrat dhe ai muzikor, të cilët cilësohen si katër shtyllat kryesore të Flakës së Janarit.

Festivali i filmit të shkurtër “Film-Flaka” dhe festivali i fotografisë “Foto-Flaka” këtë vit nuk do të marrë pjese në manifestimin e “Flakës së Janarit”.

Regjisori Burim Baftiu në një intervistë në Rtk ka thënë se prej fillimit të angazhimit  të “Foto-Flim Flaka” ka hasur në shumë vështirësi ani pse qytetarët kanë pasur shumë interesim për filmat shqip.

“Dy vitet e para ka shku më vështirësi mirëpo pa ndonjë arsye normale Komuna e Gjilanit ka vendosur që të mos organizojë “Foto-Film Flaka”, drama shqipe dhe interesimi i qytetarëve  ka mbushur sallat për 3 vite. “Foto-Film Flaka” ka marrë një përmasë të madhe interesimi”, ka thënë regjisori Baftiu.

Si arsye Komuna e Gjilanit është shprehur se dëshiron të rikthehet tek katër shtyllat tradicionale gjë që “Foto-Film Flaka” nuk  konsiderohet si pjesë e asaj shtylle.

“Foto-Film Flaka” sipas Baftiut qëllim kryesor ka plotësimin e hapësirës dhe jo konkurrencën ne festival.

Festivali “Flaka e Janarit” zgjat tri javë ku grumbullon një numër të madh artdashës./KultPlus.com

Afresku i kishës së “Shën Mërisë” në Berat drejt restaurimit

Afresku i kishës së “Shën Mërisë” në Sinjë, Berat do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve pas shqyrtimit dhe diskutimit në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës miratoi projektin e konservimit dhe restaurimit të afreskut në pikturën murale të Kishës së Shën Mërisë, Sinjë.

Projekti u hartua nga specialistët e sektorit të artit pranë DRKK-Berat dhe ndërhyrja konsiston në konsolidimin e shtresës së suvasë me murin, konsolidimi i bordurave me llaç, konsolidimin e shtresës së pelikulit me shtresën përgatitore dhe pastrimi i depozitimeve të blozave dhe kripërave që ndodhen në afresk.

Kisha e ”Shën Mërisë” mendohet të jetë ndërtuar në shekullin XI-XII, kur pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave–shpellë, periudhë e cila shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla, duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithë hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor.

Arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje. Hapësira e brendshme e kishës është e vogël dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor. Mendohet të jetë një kishë heremitësh./ Ballkanweb/ KultPlus.com

Era Istrefi do të performojë në ceremoninë hapëse të “Kupës së Botës për Femra 2019”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Era Istrefi, po kthehet në emrin më të pëlqyer për të performuar në ngjarjet sportive.

Ajo ishte pjesë e “Botërorit 2018” së bashku me aktorin e njohur Will Smith dhe këngëtarin e famshëm Nicky Jam, ndërsa këtë herë do udhëtojë drejt Parisit.

FIFA kanë konfirmuar se Istrefi do të bëjë ceremoninë e hapjes së “Kupës së Botës për Femra 2019” në Paris.

Ende nuk është konfirmuar kjo gjë nga Era Istrefi. /KultPlus.com

Të ruash gjurmët e shtegut të përgjakur në Reçak

Gili Hoxhaj

Mëngjesin e 15 janarit 1999, banorët e Reçakut e përshkruajnë me mjegull e shumë të ftohtë. Egzon Bilalli nuk e mban mend,  por bisedat e shumta që ka zhvilluar me gjyshin e të afërmit e tjerë kanë bërë që ai të di saktësisht se ku ka qenë i shtrirë secili trup i vrarë. Ishte veç nëntëmuajsh kur forcat serbe ia kishin masakruar xhaxhain.

I rritur me rrëfimet e masakrës, thotë se nuk është e lehtë për të dhe banorët e tjerë që sa herë që kalojnë pragun e derës t’i kthejnë sytë tek vendi ku kanë humbur më të dashurit. Qysh kur ishin kthyer nga Maqedonia në Reçak, gjyshi i tij Hasan Bilalli kishte filluar të ngjyroste me të kuqe vendet e mbuluara me gjakun e të vrarëve në masakrën e Reçakut, të cilët me dhunë ishin dërguar për në rrugicën  që të çon tek “Kodra e Bebushit”.

Ngjitja për atje, as sot përmes shkallëve nuk është e lehtë ndërsa sa më shumë që largohesh nga fshati për në kodër, duket sikur dhimbja e këtij shtegu është kufizuar në muret e shtëpive që lë prapa.

Fotot: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Egzon Bilalli së bashku me kushërinjtë kujdesen që këto ditë të  pastrojnë sado pak shkallët që të bëjnë më të lehtë kalimin e vizitorëve atje. Duket qartë që kjo rrugë nuk ka qenë krejt e pashkelur këto ditë, pasi që lehtë hetohen gjurmët e këpucëve  të atyre që kanë shkuar për të parë “Kodrën e Bebushit”, aty ku qëndruan të shtrirë trupat e vrarë  të civilëve shqiptarë.

Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Fshatit akoma i mungon një tabelë që tregon se ku gjendet kjo kodër dhe shpesh Egzoni dhe banorët e tjetër marrin rolin e ciceronit e ngjiten bashkë me vizitorët për atje, gjatë rrugës ndajnë me ta edhe kujtimet e rrëfimet që i kanë përcjellë për dy dekada me rresht.

Egzon Bilalli Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Gjyshi i Egzonit, Hasan Bilalli ka vdekur para katër vitesh, por u ka lënë amanet ta vazhdojnë këtë traditë të ngjyrosjes me të kuqe aty ku janë masakruar viktimat, si mënyrë e ruajtjes së plagëve të këtij fshati.

“Gjyshi këtë e ka bërë që të na kujtojë neve se çfarë ka ndodhur dhe t’u tregojë të gjithë atyre që vijnë se çfarë ka ndodhur këtu. Ndoshta s’kemi mundur t’i ruajmë shenjat krejtësisht, por 80-90% e tyre janë aty”, tregon Bilalli.

Banorët e fshatit tregojnë që në këtë muaj e kanë të vështirë edhe t’i përkthejnë në fjalë ndjenjat e tyre. Disa prej tyre thonë se ky muaj ua rëndon edhe shumë kujtimet e 15 janarit. Arife Bilalli nuk mund ta nis fjalinë e dytë pasi e përfundon të parën, duket sikur forca e fjalës e braktis lehtë.

“15 janarin e kujtojmë si para 20 vitesh, gjaku i tyre ka vlerë shumë, bjen shi dhe kurrë nuk e lagë, as bora nuk e ngrin”, me këtë fjali e përmbyll fjalën e saj gjyshja e Egzonit, Arife Bilalli e cila që nga 15 janari i 1999-ës vuan vrasjen e djalit të saj, Lutfi Bilalli (41 vjeçar).

Arife Bilalli pranë varrit të birit, Lutfi Bilalli ( Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com)

Egzon Bilalli thotë se në çdo shikim të dhomës e heton dëshpërimin që ngjallë muaji i pari i vitit tek banorët. Traumat nuk janë zbehur edhe pse me dhimbjen e kujtimet e këtij muaj ata përballen tash e 20 vite. Banorët janë munduar ta tejkalojnë vetë këtu, duke gjetur strehë ngushëllimi tek njëri-tjetri. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që Egzoni ka zgjedhur që të studiojë psikologjinë.

“Banorët këtu tregojnë se kur vjen kjo ditë, ata s’mund të flenë. Kur fillon të flasësh me ta  fillojnë të tregojnë gjithçka që ndjejnë. Mundohem të bëjë biseda të lira me ta, mundohem tu them që ta shprehin sa më shumë veten”, tregon Egzoni.

Egzon Bilalli thotë se shumë nga familjarët e tij mëngjeset e janarit i gjejnë pa asnjë orë gjumë.

“I ndalin punët komplet. Një javë para 15 janarit dhe një javë pas 15 janarit vetëm i kujtojnë familjarët që nuk i kanë më dhe flasin vetëm për atë kohë”, tregon Bilalli.

Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Masakra e Reçakut cilësohet si pikë kthese për historinë e Kosovës, pasi që pamjet nga atje zgjuan ndërgjegjen ndërkombëtare për krimet që po ndodhnin në Kosovë. William Walker, shef i misionit të OSBE-së, mëngjesin e 16 janarit kishte marrë rrugën për në Reçak, ku kishte parë trupat e masakruar të banorëve të këtij fshati. Walker, pasi kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës, e kishte përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.

Deklaratës së tij i pasoi edhe reagimi i presidenti të ShBA-së Bill Clinton i cili masakrën e  Reçakut, e cilësoi si një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës.

Në emër të Bashkimit Evropian kishte reaguar edhe Ministri  i Jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer.

“Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullsisë civile”, ishte shprehur Fischer.

Pak më larg memorialit e varrezave të 45 të vrarëve nga Masakra e Reçakut gjendet edhe shtatorja e diplomatit amerikan WilliamWalker, ndërsa gjaketa që mbante veshur më 16 janar të vitit 1999 gjendet në Muzeun Kombëtar të Kosovës si pjesë e ekspozitës së përhershme që është hapur për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com

‘Disa arsye pse Drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës duhet të jap dorëheqje’

Armend Smajli / Facebook

Disa arsye pse Drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës duhet të jap dorëheqje:

• Udhëheqësi Artistik aktual është plagjiator! Ai, përmes një vendimi të dërguar nga Ministra e Kulturës është njoftuar se shfaqja, nën regjinë e tij ndalohët për reprizim, pas konstatimit se është plagjiaturë. Udhëheqësi Artistik nuk është i pastër moralisht dhe ligjërisht!
• Udhëheqësi Artistik, përvec një dite të vitit kur miratohen tekstet, nuk brengoset më për rrugëtimin, motivimin, nevojat e sfidat e ndryshme artistike që lindin gjatë procesit të krijimtarisë. Pos kësaj, ai nuk udhëheq mirëmbajtjën kreative të shfaqjeve dhe repertorit!
• Udhëheqësi Artistik i TKK, në vazhdimësi përqesh dhe përbuz shumë prej teksteve dhe shfaqjeve që inskenohën, me pretekstin se nuk i ka përzgjedhur ai. Si duket ende pa e kuptuar që pikërisht kjo është përgjegjësia e tij kryesore! Kjo i bie që ky drejtor artistik bën favore e kompromise. Pra, është i kompromituar!
• Udhëheqësi Artistik i TKK, gjatë mandatit të tij, deri më tani asnjëherë nuk ka marrë masa dhe përgjegjësi kur shumë repriza të shfaqjeve të caktuara devijojnë nga autorësia e regjisorëve. Udhëheqësi Artistik nuk kryen detyrat e tij! Pra, është i papërgjegjshëm!
• Udhëheqësi Artistik i TKK, gjatë mandatit të tij nuk ka ndërrmarë asnjë iniciativë për të respektuar, qoftë dhe një artist, me rastin e pensionimit. Ai nuk ka nderuar, përmes asnjë forme asnjë artist të teatrit që ka ndërruar jetë. Ai nuk respekton njerëzit që ishin dhe janë trashegimi e këtij institucioni që nga themelimi i tij! Pra, nuk është artist dhe është mosmirënjohës!
• Udhëheqësi Artistik i TKK u shmanget gjitheherë paraqitjeve publike. Asnjēherë nuk flet publikisht për politikat artistike të teatrit apo arsyet e perzgjedhjëve të teksteve respektive!
• Udhëheqësi Artistik i TKK, ka kallëzim penal në policinë e Kosovës, sepse gjatë kësaj periudhe sa është drejtor ai ka sulmuar fizikisht/rrahur një aktor brenda objektit të Teatrit. Ky aktor prej asaj dite nuk e ushtron aktivitetin e tij në Teatër. Pra, udhëheqësi Artistik është bërë i dhunshëm dhe ka shkelur ligjin!
•Mungesa e ambicieve, vizionit, kreativitetit dhe mos përmbushja e përgjegjësive artistike qe i takojnë, kanë bërë që drejtori artistik aktual të mos gëzojë as më të voglin autoritet e kredibilitet për detyrēn qe mbanē!

Drejtorin artistik aktual e pritēm mjaft, disa vite. Por ja ku jemi, ne situatën ku nuk mund ta mbyllim njërin sy sepse asnjë nga këto veprime nuk mund të mbrohën e as të demantohēn!

Prandaj, duke ju shmangur çdo gjykimi personal, unë i kërkojë publikisht drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të bëjë një gjë të ndershme. Të ofrojë dorëheqjen e tij! Në të kundërtën, Këshilli Drejtues i TKK ka obligim ta shkarkojë para përfundimit të mandatit të tij, sepse mosshkarkimi dhe mos penalizimi i ketyre veprimeve do të krijojē precedent për të gjithë ata/ato qe do të vijnë në këtē pozitë shumë të rëndēsishme për skenën tonë kulturore!

Kjo pozitë artistike duhët të udhëhiqet fillimisht nga një individ i pastërt ligjërisht, e pastaj nga një individ që është serioz, kredibil, ambicioz, i përgjegjëshëm, artist, intelektual dhe me dinjitet!

Ministri Italian Enzo Milanesi viziton Qendrën COD në Tiranë

Ministri Italian i Punëve të Jashtme, Enzo Moavero Milanesi, vizitoi këtyre ditëve Qendrën COD në Tiranë, ku me rastin e festimeve kombëtare të Shqipërisë dhe mbylljes së Vitit Kombëtar të Skënderbeut është ekspozuar Harta Detare e 1455 nga Bartolomeo Pareto, në sajë të bashkëpunimit me Bibliotekën Qendrore Kombëtare të Romës.

Ministri Moavero Milanesi i dorëzoi personalisht qendrës COD një kopje të Hartës Detare.

“Letër fëmijës që nuk u lind kurrë”, premierë në fundjavë në skenën e Teatrit Eksperimental

Shfaqja “Letër fëmijës, që nuk u lind kurrë” me autore Oriana Fallaci vjen këto ditë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Premiera në datën 19 janar është punuar për në skenën teatrore nga Ina Gjonçi dhe Endri Çela. Kjo pjesë që vjen premierë do të interpretohet në skenë nga aktorja  e njohur Ina Gjonçi. Këto ditë janari aktorja po zhvillon provat për të sjellë premierën në skenë, që do të vijojë dhe net të tjera për publikun të shfaqet pas datave 19 dhe 20 janar në sallën Goethe të TKES.Pak ditë para premierës aktorja Ina Gjonçi tregon se pse e zgjodhi këtë vepër, që sipas saj nis dhe nga një njeri i drejtpërdrejtë. “E kam punuar edhe për të qenë pjesë e Akademisë së Arteve ndaj atëherë më solli fat. Uroj dhe tani. Çfarë më ka ngacmuar? Fallacin përgjithësisht e urrejnë. E urrejnë edhe në vendlindjen e saj Itali, aq sa u largua e jetoi në Amerike. E urrejnë aq sa i uronin kancerin nga i cili edhe vdiq. E urrejnë edhe pse parashikoi çfarë do ndodhte me Islamin sot. E meqenëse unë, njerëzit e drejtpërdrejtë i dua, ja …u puqa me të”, tregon aktorja.

Sipas aktores Ina Gjonçi kjo vepër përcjell mesazhe, dhe ndonëse flitet për vdekjen drama përcjell dashurinë. “Drama përcjell dashurinë. Ndonëse flitet edhe për vdekjen. Dyshimet e një gruaje për të sjellë apo jo në jetë një fëmijë në një botë kaq të pasigurt. E rrëfimi i saj, është përshkrimi i kësaj bote. Ajo ia lë në dorë fëmijës nëse zgjedh të jetojë apo jo, në formën më maksimale të lirisë. Sot gjithnjë e më shumë numri i lindjeve po bie. Jo vetëm nga pasiguria. Por edhe sepse shumë gra zgjedhin karrierën e për këtë shpesh dënohen. Çfarë është mëmësia pra? E drejtë apo detyrim?”, vijon aktorja. Për ta sjellë në skenë këtë herë aktorja ka bashkëpunuar me regjisorin Endri Çela, punë që e vlerëson. “Nuk është regji imja. Kam shumë respekt për regjisorët për ta quajtur regji. Plus kam pasur edhe ndihmën e mikut tim regjisorit Endri Çela. Është një punë imja, më shumë se regji imja. E këtë nuk e them për modesti të tepruar, që në fakt është mendjemadhësia më e madhe”, vijon aktorja.

Teksti i autores

Në vitin 1975, shefi i saj, drejtori i gazetës “Europeo”, i kërkoi Fallacit një shkrim mbi abortin. Gazetarja u kthye pas gjashtë muajsh me tekstin e librit “Letër fëmijës, që nuk u lind kurrë”. Shefi nuk ja fali “mosbindjen”, bota fitoi një nga tekstet më të drejtpërdrejtë mbi gruan, dashurinë dhe jetën. “Ndihem e çorientuar. Unë nuk jetoj me babanë tënd. E nëse do ta dish nuk më vjen keq fare. Ndonëse rri shpesh e shoh atë derën aty, nga e cila iku sikur nuk kishim për t’i thënë asgjë njeri tjetrit. Një grua, me pikëpyetje e dilema, bashkëbisedon me krijesën e saj, duke zbuluar kështu, të vërtetat më të mëdha mbi dashurinë, dhimbjen, e jetën. Teksti i Fallacit shndërrohet me tekstin e çdo gruaje”, shkruan tetari për këtë pjesë monodramë në skenë. Por për ta sjellë në skenën e teatrit aktorja tregon se e “sponsorizon” publiku që do ta ndjekë. “ Shfaqja ime e vockël, mbështetet nga unë. Në sensin, që nuk kam aplikuar askund dhe pritshmëritë janë, që publiku ta zgjedhë, ndonëse “konkurron” me shfaqje me buxhete të mëdha. Doja të ndaja një tekst me publikun e nuk e mendova më gjatë. Uroj vetëm që ky “bast” imi, të rezultojë fatlum. Pra shfaqjen e “sponsorizon” publiku”, përfundon aktorja e njohur Ina Gjonçi. Me aktivitetin e  saj në teatër deri tani aktorja ka sjellë në skenë role të ndryshme.

Julia Vrapi / Sot.al / KultPlus.com

Hyzer Emini, burri që ende e sheh pamjen e të masakruarve në Reçak

Gili Hoxhaj

Për 20 vite me radhë, masakra e Reçakut rifreskon dhimbjen e banorëve të fshatit. Çdo janar është i kobshëm, e çdo fillimvit rikthen janarin mizor të 99-tës. Dyert e oborreve të shtëpive të këtij fshati qëndrojnë të mbështetura për muri, rrinë të hapura për vizitorët që vijnë për t’i nderuar familjet atje. Flamuri kombëtar është i vendosur në disa prej këtyre shtëpive, e diku pranë tij rri edhe flamuri amerikan.

Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Përveç vizitave nga larg, këto ditë edhe fshatarët vizitojnë njëri-tjetrin e mundohen ta zvogëlojnë dhimbjen e përbashkët duke kujtuar më të dashurit që u vranë në 15 janarin e vitit 1999. Nëse dhimbja mund të jetë më e vogël se kaq…

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999 , ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e Policisë Speciale militare dhe paramilitare serbe, të shoqëruara edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6:30, forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura Pishat, Gështenjat, Rrasa e Çallakut dhe nga Çesta përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Rrethimi i hekurt e kishte bërë të pamundur largimin e banorëve nga fshati, të cilët me dhunë ishin dërguar në rrugicën e “Gropës së Bebushit”, ku kishin mbetur të masakruar.

Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Të shumtë janë ata që gjatë ditës së sotme vizituan memorialin e viktimave. Zyrtarë të lartë shtetëror e banorë nga vende të ndryshme të Kosovës erdhën e u përkulën pranë këtij memoriali dhe pranë varreve të 44 trupave të masakruar. Aty mungon vetëm trupi i Sahide Metushit, së cilës banorët deri vonë ia kishin lënë varrin hapur me shpresën se eshtrat e saj do të zënë vend pranë trupave të tjerë. Eshtrat e saj nuk u gjetën kurrë, andaj varrin e saj e kanë mbuluar me dhe.

Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Burrat më të vjetër të këtij fshati ishin rreshtuar pranë memorialit të viktimave. Presin të gjithë ata që kanë ardhur për të nderuar dhimbjen e tyre. Me njërën dorë të vendosur në zemër, ata përshëndesin fytyra që i kanë parë dhe ato që s’i kanë parë më herët. Mes këtyre burrave është edhe Hyzer Emini, tanimë 88 vjeçar. Shikimi i tij drejt trupave të masakruar mëngjesin e 15 janarit është bërë një imazh që tregon për atë që ndodhi në Reçak në vitin 1999. Akoma i ka të freskëta disa nga kujtime që i shpalosë përgjatë rrëfimit të tij.

“Atë ditë kemi vazhduar rrugën pas Walkerit, e ndiqnim pas. Kur jemi dalë në breg, në rrugë kishin qenë të gjithë shtrirë. Walker ka qenë me neve dhe gjatë tërë kohës fotografojke. Të gjithë që ishin aty i njohsha, të gjithë ishin të shtrirë në rrugë. Ish shtirë me e pa trupin pa krye”, tregon Emini për KultPlus.

Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Hyzer Emini qëndron i ulur në xhaminë prej së cilës i kishin përcjellë trupat e masakruar për te varrezat. E viziton shpesh këtë xhami, për të cilën thotë se me 11 shkurt të vitit 1999 kishte qenë e mbushur deri në hapësirën më të vogël me arkivolet e trupave të masakruar. “Kur i kemi marrë për t’i dërguar tek varrezat na kanë ndihmuar edhe nga Shtimja nga Drenica e vende të tjera për t’i dërguar atje”, rrëfen Emini.

Hyzer Emini, për shkak të moshës nuk e ka edhe shumë të lehtë ta bëjë rrugën deri tek memoriali. Përkundër të ftohtit, ai qëndroi goxha gjatë aty ndërsa theksonte se po pret ta takojë William Walker. E kishte takuar pothuajse çdo herë që kishte ardhur këtu. Në xhepin e brendshëm të xhaketës së tij ruan një fletore të vogël, aty ka dhe ca dokumente personale e në mes fletëve e ruan një fotografi me William Walkerin. E mban kudo me vete dhe shumë pranë trupit të tij.

Hyzer Emini/ Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Lufta e bërë në Reçak, e cila kulmoi me Masakrën e Reçakut, u bë lajm i botës me anë të fotografive por edhe zërit të diplomatit amerikan William Walker. Mëngjesin e 16 janarit, ai kishte marrë rrugën për në Reçak ku së bashku me mediat kishte dokumentuar pamjet e trupave të shtrirë të viktimave që ishin masakruar nga forcat serbe një ditë më parë. Ato pamje u bënë pasqyrë e krimeve serbe që po ndodhnin në Kosovë.

Walker, pasi kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës, e kishte përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.

“Besoj sinqerisht se incidenti i Reçakut, për arsye të ndryshme ka çuar në ndërhyrjen e NATO-s, lirinë dhe pavarësinë. Ka pasur faktorë të ndryshëm në atë që ka ndodhur, por pas disa viteve të informatave dhe dëshmisë që Sllobodan Millosheviq po trajtonte popullatën shqiptare në mënyrë barbare është mundësuar ndërhyrja e NATO-s”, kishte thënë Walker vitin e kaluar.

Smajl Dalipi është një tjetër banor i këtij fshati i cili thotë se ajo që kishte ndodhur në Reçak dy dekada më parë, i kishte lënë për disa ditë pa ngrënë dhe pa fjetur. “Tri ditë nuk kemi hëngër bukë”, tregon Dalipi.

Edhe ai e ka të freskët takimin me Walkerin një ditë pas masakrës dhe e ruan si personazhin më të rëndësishëm për fshatin, dhe gjithë vendin.

“Walkerit duhet t’ia dimë të gjithë. Një njeri bjen e shpëton një shtet. Çdo shqiptar e ka orientimin e tij, disa e kanë kishën, disa xhaminë e disa tyrben por ne duhet të kthehemi kah Amerika që të falemi”, shprehet Dalipi për KultPlus.

Smajl Dalipi/ Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Hyzer Emini thotë për KultPlus se ngjarjen e Reçakut duhet ta trashëgojnë ndër breza dhe ta ruajnë gjatë, kujtimin e përjetimeve të asaj dite.

“Kurrë s’ka me humb gjaku i tyre, unë i kam bërë gati 90 vjet tani por sa të jetojnë njerëzit, emri i këtij katuni dhe i këtyne njerëzve nuk ka me humbë, brez pas brezi do të ruhet emri i tyre” ngulmon Hyzer Emini. “Masakra e Reçakut është e shkruar rreth e rreth botës”, përfundon ai.

Sot në Reçak përmes aktiviteteve të ndryshme dhe homazheve është përkujtuar 20 vjetori i Masakrës së Reçakut. / KultPlus.com

Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Sot shënohet 155 vjetori i lindjes së Isa Boletinit

Më 15 janar 1864 lindi Isa Boletini, luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar, Hero i Popullit. Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit në betejën e Slivovës kundër forcave osmane.

Ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe synimeve grabitqare të Serbisë dhe Malit të Zi. Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Në vitin 1908 përkrahu revolucionin xhonturk, por iu kundërvu politikës antishqiptare të Xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908-1912.

Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë.

Kompjuterët e harruar të Bashkimit Sovjetik

Sot një pjesë e mirë e atyre që kanë kompjuterë ose laptopë, kanë harruar se si dukeshin dikur kompjuterët e vjetër dhe me dizajne të ndryshme.

Normalisht, në pjesë të ndryshme të botës prodhoheshin kompjuterë të dizajneve të ndryshme dhe shtetet e botës konkurronin që të prodhonin kompjuterët më të mirë, e më të avancuar me teknologjinë.

Microsha (ca. 1987)

Gjithmonë kanë qenë të veçantë kompjuterët e sovjetëve. Tetris, MERA MC, Microsha, Agate-4 ishin lloje të ndryshme të komputerëve në Bllokun Sovjetik, kur ishte shumë e shtrenjtë blerja e një kompjuteri personal, sidomos të këtyre llojeve. / KultPlus.com

Tetris on EC 5300
BK 0010-01
EC 1841

‘O shqipëtarë, as nder, as turp, as gjak s’kini..’

Faik Konica
Vajtim për robëri të shqiptarëvet

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

F.K. – 1901

Grevës i bashkohet edhe Universiteti i Prishtinës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë vendim që të bashkohet në grevën e thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

UP-ja thotë se ky qëndrim unanim ka dalë pas takimit të zhvilluar sot në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, ku morën pjesë menaxhmenti i lartë i Universitetit, dekanët e njësive akademike dhe përfaqësues nga SBASHK-u.

“Në këtë takim, dekanët njoftuan që si pasojë e grevës, në të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës janë pezulluar në mënyrë të tërësishme të gjitha proceset administrative dhe akademike. Situata e krijuar ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek palët brenda dhe jashtë Universitetit, të cilat kërkojnë ekzekutimin e kërkesave të tyre, në veçanti të kërkesave të adresuara në mënyrë emergjente”, thuhet në njoftimin e UP-së.

“Duke shpresuar që në një afat të shkurtër kohor do të arrihet zgjidhja e duhur për situatën e krijuar, UP apelon tek palët e përfshira që të mundësojnë daljen nga kjo bllokadë dhe të vijohet me mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe administrativ në institucionet arsimore”, theksohet në komunikatën e UP-së.

Anibar hap thirrjen për punëtorinë ‘Kuzhina tradicionale e Kosovës – Hyrje në një kulturë’

Anibar hap thirrjen për pjesmarrës në punëtorinë e animacionit: Kuzhina tradicionale e Kosovës – Hyrje në një kulturë!

Nëse keni interesim për animacion, kulturë dhe ushqimin tradicional, atëherë bashkohuni në punëtorinë pesë ditore në Kinema “Jusuf Gervalla”.

Kjo punëtori organizohet në kuadër të projektit të Anibar “Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe ngritja e dialogut ndërmjet komuniteteve” i cili projekt është i mbështetur nga UNDP Kosovo.

Për më shumë informata rreth aplikimit klikoni linkun e mëposhtëm!

http://anibar.org/sq/workshop-registration-traditional-cuisine-of-kosovo-a-gateway-into-a-culture/

Të gjithë të interesuarit e moshës 16-30 inkurajohen të aplikojnë!

Pjesëmarrësit jashtë Pejës do t’i kenë shpenzimet dhe akomodimin e mbuluar gjatë kohëzgjatjes së punëtorisë. Punëtoria do të fillojë më 25 janar dhe do të vazhdojë deri më 29 janar, 2019.

Për të plotësuar aplikacionin ju lutemi klikoni këtu.

Të gjitha aplikacionet duhet të plotësohen dhe të dorëzohen deri më 20 janar 2019 për t’u konsideruar si pjesmarrës i kësaj punëtorie./ KultPlus.com

Ambasadori O’Connell: Sot kujtojmë për një moment viktimat e Reçakut

Në 20-të vjetorin e Masakrës së Reçakut, sot kujtojnë të gjithë shqiptarët për këtë masakër që tronditi botën.

Ambasadori Ruairi O’Connell, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, sot ka shkruar në rrjetin social solidarizimin e tij me rastin e kësaj dite të kombshme.

“Today I join with people across Kosovo to remember, for a moment, the victims of the killings at Reçak, and all victims from the past thirty years. Peace in the Balkans depends on justice for them and their families”

“Sot bashkohem me popullin e Kosovës për të kujtuar, për një moment, viktimat në Reçak, dhe të gjitha viktimat në tridhjetë vitet e fundit. Paqja në Ballkan varet prej drejtësisë për këto viktima dhe për familjet e tyre”

Kështu ka shkruar O’Connell në rrjetin social Facebook.

Pasha natën e vorrit

Bajram Mjeku

Nanë. Nga Prishtina u nisa me trenin e orës 7:50
se si më guduliste treni derisa notonte mbi shina,
më zuri gjumi si moti kur më përkundje në djep.

Përgjumshëm zbrita i vetmuar në stacion.
Zot i madh sa e rëndë është vetmia,
e frikshme si varka e vetmuar mbi liqen,
prandaj nuk betoheshe kot; pasha natën e vorrit
betimi ishte vula jote, besimi yt i shenjtë.

Derisa avitesha ngat vorrit tënd
e këpucët më kërcisnin mbi borën e ngrirë,
i lumi Zot dërgoi një trumbë zogjsh
cicërimat e tyre mbi pemët ku pushon,
me grimca ofshamësh krijuan një baladë.

Kësaj radhe të solla vetëm trëndafila
i doje shumë, po në dimër s’ka lule xheneti
fol veç një herë siç flet nana me djalin
dëshmitar midis nesh është veç Zoti.

Pikëllimin e vara mbi degën e lisit
lotët e tij vrujshëm qirinj akulli u bënë
pastaj ra heshtja mortore e pushuan zogjt
pushuan dhimbjet, fjollat e borës, pushoi gjithçka
çdo gjë mori pamjen e natës pa hënë.

Nanë. Erdhi koha të kthehem me trenin e orës 13:45.
Ti bëje shëtitjen e zakonshme në kopshtin e xhenetit
midis krojeve ujëftohtë e trëndafilave të bardhë
pasha natën e vorrit e shpirtin tënd të shenjtë,
te vorri yt unë prapë kam me ardhë. /KultPlus.com

Prishtinë, janar ‘19

Rrëfehet e pathëna e masakrës së Reçakut për djalin që kërkonte kokën e prerë të të atit

Jeton Zenuni sot është një doktor, por vite më parë, rrethanat e luftës e çuan të ishte shumë pranë gazetarit. Përkthyes me korrespondentë të huaj, krah Wolkerit, atij iu dha rasti te prekte nga afër realitete lufte, ndër to dhe masakrën e Reçakut. Në një rrëfim për tesheshi.com, ai përcjellë fragmente nga ajo çfarë i panë sytë 19 vjet më parë…

Intervistoi: Ermir Hoxha

Ç ’rrethanë iu çoi që të jeni përkthyes të gazetarëve të huaj në atë kohë në Kosovë?

Ishte një takim krejt i rastësishëm me disa gazetarë të huaj një mbrëmje, në një prej kafiterive të Prishtinës. Ndërsa po flisnim për ngjarjet aktuale në Kosovë, njëri prej tyre më tha se po kërkonte një të ri që njihte mirë gjuhën angleze dhe serbokroate, dhe që kishte guximin ta shoqëronte atë në vatra të luftës nëpër gjithë territorin e Kosovës. Pranova ofertën e cila për mua ishte edhe një sfidë njëkohësisht, dhe të nesërmen në mëngjes u nisëm për në Shalë të Bajgores, ku UÇK kishte arrestuar dhe po mbante tetë ushtarë serbë. Kjo ishte dita e parë e punës sime me gazetarë të huaj, e cila do të zgjaste deri në ditën kur filluan bombardimet e NATO-s.

Çfarë përbënte interesin më të madh të tyre rreth realitetit të asaj kohe në Kosovë?

Ata ishin kryesisht të interesuar të përcjellin luftimet frontale që zhvilloheshin në vendin e ngjarjes. Pushteti serb i Millosheviqit po përdorte një makineri të paparë propagandistike me qëllim që t’i servonte opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar versionin e tij të shtrembëruar të realitetit në Kosovë. Në fakt ishte propaganda mediatike serbe gjatë viteve të ’90-ta, që i parapriu luftës. Kjo ishte arsyeja përse agjencitë më të mëdha mediatike si CNN, BBC, dhe të tjera filluan të zbarkojnë në Kosovë, në mënyrë që të pasqyrojnë zhvillimet më për së afërmi dhe në mënyrë reale dhe të paanshme. Krahas luftimeve në terren, mediat ishin të interesuar edhe për intervista me fytyra publike, ushtarake, politike dhe civile, pastaj reportazhe me kategori të ndryshme sociale dhe kulturore, e kështu me radhë.

A ndodhte të kërcënoheshit në punën tuaj, pra gazetar e përkthyes, nga elementë serbë, policorë apo ushtarakë?

Kërcënimet dhe frikësimet ishin pjesë e përditshme e punës sonë. Ato ishin më tepër të natyrës psikologjike dhe kishin për qëllim të na shmangnin nga detyra që kryenim. Në anën tjetër, për shkak se forcat pjesëmarrëse në luftë nga dy taborët e kundërta ndodheshin shumë afër njëra-tjetrës, kishte raste kur policia apo ushtria serbe përdornin të gjitha mënyrat e mundshme të presionit për të na detyruar t’i tregonim pozicionet e UÇK-së. Kishte edhe situata dramatike, të cilat kur i kujtoj tash në retrospektivë më bëjnë të qeshin. Ta zëmë, kishte raste kur ndonjë gazetar i huaj, i cili nga dëshira për t’u treguar sa më miqësor me pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe, i përshëndeste ata në gjuhën shqipe me ‘Mirëdita!’, ose anasjelltas i përshëndeste forcat e UÇK-së në gjuhën serbe. Në përgjithësi, situata bëhej e pashpresë në rastet kur hasnim në forcat paramilitare, të cilët nën ndikimin e alkoolit dhe drogave të ndryshme ishin të rrezikshëm dhe skajshmërisht të paparashikueshëm ndaj nesh.

Dhe tani vijmë tek rasti i masakrës së Reçakut. Si u ndodhët aty?

Në fakt, bashkë me gazetarin amerikan Philip Smucker ishim duke u kthyer nga rrafshi i Dukagjinit, ku po përcillnim luftimet që po zhvilloheshin në atë zonë. Derisa po i afroheshim Prishtinës, ai mori një telefonatë, nga ku kuptoi se në afërsi të Shtimes po zhvilloheshin luftime mes forcave serbe dhe atyre të UÇK-së. Në vend se të hynim në Prishtinë, ne vazhduam rrugën për në Shtime. Aty hasëm në një qytet fantazmë. Nuk shihej as një njeri i vetëm. Pasi bëmë disa xhiro nëpër qytet, vendosëm të kthehemi në Prishtinë. Ne nuk e kishim idenë se përtej kodrës që ndante qytetin e Shtimes me fshatin Reçak, sapo ishte kryer masakra makabre që do të shënonte fillimin e një historie të re për Kosovën. Këtë e kuptuam më vonë në mbrëmje kur arritëm në Prishtinë. Të nesërmen herët në mëngjes morëm rrugën përsëri për në Reçak.

Ç ‘ndjetë kur u ballafaquan me atë skenë makabre trupash të pajetë?

Kufoma e parë në të cilën hasëm ishte e një të moshuari, të cilit i mungonte koka. Kufoma e dytë ishte e një vajze e re, e cila qëndronte e shtrirë në një dhomë në shtëpinë e saj. Ishte goditur me plumb në zemër. Më tutje pamë gjashtë kufoma burrash në të gjashtëdhjetat, të paarmatosur dhe në rroba civile. Pak më tutje pamë edhe tri kufoma në një kodrinë. Më tutje disa kufoma të rinjsh të hedhur njëri mbi tjetrin, të gjithë të qëlluar në mes të ballit. Dhe tamam mendonim se përfundoi turma e kufomave, na shfaqej një luginë e re e vdekjes me tre a katër në një vend dhe disa tjerë tutje…

Po gazetari apo gazetarët që shoqëronit, si u ndjenë?

Gazetarët e luftës zakonisht janë gjakftohtë, kryejnë punën me profesionalizëm dhe nuk jepen lehtë nga emocionet, por atë ditë vërtetë pashë tmerrin në sytë e tyre. Dukeshin të tronditur. Ata merrnin shënime, bënin foto, regjistronin çdo skenë deri në detajet më të vogla.

Duhet të keni qenë dhe pranëWilliam Walker . A pëshpëriste ai diçka teksa shikonte atë skenë makabre?

Wolker dukej i qetë teksa po ecte përskaj kufomave. I shikonte një nga një secilën kufomë. Nuk e tha asnjë fjalë aty për aty. Kemi zbritur ngadalë te rruga ku ishin veturat e parkuara. Dhjetëra gazetarë qëndronin përballë Wolkerit. “Kjo është masakër mbi popullsinë civile”, tha ai.

Cilat ishin më pas përjetimet e të huajve pas asaj çfarë panë?

Të gjithë pa përjashtim erdhën në konstatimin se shumica e viktimave janë vrarë nga afërsia, të gjithë civilë, madje me rroba bujqish, dhe të paarmatosur. Të gjithë gazetarët po raportonin njëzëri agjencive më prestigjioze në botë: “Sot në Reçak ka ndodhur një masakër!” Gazetarët dhe stafi vendor që punon për agjencitë e huaja qanin atë ditë pa përjashtim. Ishte një skenë krejtësisht ndryshe për ne, pavarësisht se kishim parë edhe masakra tjera më parë.

A pati presione të ardhura nga serbët për të mos e raportuar rastin, apo për të dhënë tjetër version?

Policia dhe ushtria serbe në fakt, gjatë 48 orëve të ardhshme kishin një mision të ri në Reçak, atë të nxjerrjes së kufomave dhe zhdukjes së gjurmëve të krimit. Në ndërkohë, kufomat ishin vendosur në xhaminë e fshatit, me qëllim të kryerjes së ceremonisë së varrimit. UÇK-ja po bënte rezistencë për të penguar forcat serbe në tentativën e tyre për të nxjerrë kufomat, ndërkohë që ne stafi vendor dhe gazetarët e huaj kishim mbetur në mes të zjarreve brenda në xhami. Qëndrimi në xhami bashkë me kufomat deri në një kohë armëpushimi, kur forcat e OSBE-së na nxorën nga fshati, ishin prej momenteve më të vështira që kisha përjetuar në jetë.

A ishte vërtet masakra e Reçakut pika e zgjimit ndërkombëtar ndaj asaj çfarë po ndodhte në Kosovë?

Kjo masakër shërbeu si një pikë kthese për vetëdijesimin e opinionit vendor e ndërkombëtar për krimet e tmerrshme që po ndodhnin në Kosovë, duke ndikuar edhe në këndelljen e mekanizmave ndërkombëtarë për të intervenuar në Kosovë. Masakra të tilla si kjo e më të rënda kishin ndodhur edhe më herët në vende të tjera të Kosovës, por shumica dërmuese e tyre kishin mbetur në heshtje, pasi që nuk e patën fatin të pasqyrohen nga mediat ndërkombëtare, edhe pse kishte dëshmi, kishte viktima të shumta, kishte dëshmitarë e të mbijetuar.

Pas dy ditësh, misioni i OSBE-së me në krye ambasadorin Wolker me urdhër të Millosheviçit u detyrua ta lëshojë Kosovën. Atë ditë së bashku me gazetarët e huaj e përcollëm ambasadorin Wolker deri te kufiri me Maqedoninë. Duke u kthyer nga Hani i Elezit gazetarët e huaj filluan të shprehin keqardhje për ne, popullatën e Kosovës, sepse e kuptuan se një luftë e përgjakshme po pritej të fillonte në shkallë të plotë, megjithëse nuk ishin të sigurtë se sa do të zgjaste dhe në çfarë përmasa do të zhvillohej ajo, duke marrë parasysh kujtimet e freskëta nga lufta në Bosnë.

A ka diçka ende të pathënë nga ajo masakër të cilën ju mund ta dini, ndërsa opinion jo?

Nuk e di nëse është përmendur më herët nga ndokush më parë, por mua edhe sot e kësaj dite më ndjek pas fytyra e të riut nga Reçaku i cili po kërkonte kokën e të atit të tij, të cilën ia kishin prerë forcat serbe, me gjasë me sopatë. Sa herë ringjallen kujtimet e Reçakut, më duket se dëgjoj zërin kumbues të këtij të riu: “Më duhet ta gjej kokën e tim atë që ta varrosi të tërin, siç e donë traditat dhe zakonet tona”. /tesheshi.com/KultPlus.com

New York Times shkruan për djalin nga Zhegra e Gjilanit, ai është super i famshëm si mjeshtër i orëve

New York Times i ka kushtuar një artikull të veçantë gjeneratës së re të orëndreqësve. Këtë artikull ata e kanë filluar me shqiptarin Rexhep Rexhepi, përcjellë KultPlus. 

Rexhepi është orëndreqësi i cili u shpall edhe fitues në nëntor të vitit të kaluar për ora të meshkujve në Grand Prix d’Horlogerie të Gjenevës.

New York Times ka shkruar se edhe pse Rexhepi mund të mos ketë trashëguar një biznes të tillë, ai në moshën 31 vjeçare, është një kandidat i duhur në radhën e orëndreqësve të talentuar e që janë të përkushtuar ndaj kësaj zejtarie tradicionale.

Rrugëtimi i Rexhep Rexhepit pasqyron vështirësitë e tij personale dhe përkushtimin e tij në këtë fushë. I lindur në vitin 1987 në Zhegër, Kosovë, Rexhepi u largua në vitin 1999 nga Kosova, vendi i shkatërruar nga lufta për në Zvicër. Ai hyri në një program mësimi në Patek Philippe dhe më vonë punoi për BNB Concept, dhe për orëndreqësin zviceran François-Paul Journe.

Në vitin 2012, në ditëlindjen e tij të 25-të, Rexhepi hapi punëtorinë e vet në zonën e Qytetit të Vjetër të Gjenevës, duke përdorur 100,000 franga zvicerane nga kursimet e tij. Në fillim, ai prodhoi kryesisht prototipa për markat e tjera ndërsa në vitin 2015, ai filloi të fokusohet në zhvillimin e AkriviA.

AkriviA tani punëson gjashtë ortarë, duke përfshirë edhe vëllain e vogël të  Rexhepit dhe prodhon rreth 30 orë në vit. Në kohën e robotikës, vizioni i Rexhepi fokusohet në punëdore dhe inspirohet nga epoka klasike e shekullit të 18-të.

“Ne mbrojmë vlerat tradicionale që po humbasin sot”, ka thënë Rexhepi. “Mund të jemi të rinj, por ne mbështetemi në traditën për të ecur përpara”, thekson ai duke treguar se realizimi i një orë i merr edhe deri në 8 muaj punë. / KultPlus.com

Gra studioni, është mjaft çliruese të mos varesh nga një burrë

Në atë kohë po punoja në shërbimin shëndetësor publik. Ajo ishte 18 vjeçe dhe erdhi në konsultimin endokrinologjik sepse nuk mund të mbetej shtatzënë. Nuk mora shumë kohë për të zbuluar shkakun e infertilitetit të saj, kështu që lehtësisht përcaktova diagnozën. Megjithatë, ajo që duhet të ishte një konsultim rutinë dukej si një sfidë e madhe: Duhet të kuptoja pse vajza donte të kishte një fëmijë me çdo kusht.

Ajo më tregoi historinë e saj të trishtë: “Doktor, u largova nga shtëpia në moshën 13 vjeçare. U arratisa. Njerku im ishte duke abuzuar me mua dhe motrën time më të vogël. Madje nëna ime e dinte dhe nuk reagonte. Kështu që unë shkova të jetoj tek halla. Por halla ime nuk interesohej shumë për mua. Në moshën 15 vjeç, takova të dashurin tim dhe më propozoi të jetojmë së bashku. Ne kemi 3 vjet së bashku dhe dëshirojmë të kemi një fëmijë”.

Mund ta injoroja historinë e saj, t’i jepja rezultatet e analizave, këshillat e mia mjekësore dhe të përfundoja takimin. Por nuk mundesha. Kujtimi i gjyshit tim, i cili më tha “Mëso për të ditur”, ishte një zile në kokën time: më duhej t’i tregoja vajzës që kishte shumë gjëra të tjera për të jetuar para se të bëhej nënë.

Në një mënyrë të qetë dhe duke u përpjekur për t’i treguar asaj një tjetër realitet, unë i sugjerova që ajo të priste pak kohë për të mbetur shtatzënë. I thashë se mund të bënte një kurs teknik apo edhe një kolegj. Rastet e shembujve që njihja: të rinj që punonin gjatë ditës dhe studionin natën për të përfunduar shkollën.

Për t’i dhënë asaj një nxitje të mëtejshme, i thashë se ajo mund të studionte me partnerin e saj për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme dhe më vonë të bëhej me familje.

“Oh, doktor, ai nuk do që unë të punoj. Ai kujdeset për mua. Ëndrra ime është të përmbushë ëndrrën e tij që të jetë një baba.” Hoqa dorë. Si mund ta bindja dikë që jetonte në një realitet kaq të ndryshëm nga imi?

U rrita duke ndërtuar pavarësinë ditë pas dite, por kurrë nuk më mungoi përkrahja emocionale dhe financiare. Unë kurrë nuk kam qenë i uritur dhe as nuk më është dashur të punojë për të paguar studimet e mia. Unë u shqetësova kur fola me atë vajzë. Kur shkoi, kujtoja shumë gra të tjera që më kishin besuar marrëdhëniet e tyre të pakënaqura.

Disa të martuara me burra të burgosur, por që nuk u larguan sepse ishin financiarisht të varura prej tyre. Nga ana tjetër, pavarësia e një gruaje nuk është gjithmonë çështje parash. Për shumë njerëz, ajo që i mban ato është varësia emocionale: frika për të qenë përsëri të lumtur, frika e divorcit, fëmijët, turpi i përballjes me një martesë të dështuar.

Unë kam një mike, burri i së cilës vendoste madje dhe ngjyrën e rrobave dhe këpucëve: ajo ishte një grua bezh. Unë kurrë nuk e harroj atë që ajo më tha, duke qeshur e lumtur, pasi u divorcova: “Bleva një palë këpucë të kuqe!”.

Përgatiti: Brikela Daci |Revistapsikologji.com -Burimi / www.giornodopogiorno.org/ KultPlus.com

Majlinda Kelmendi hap ekspozitën e saj personale në Romë

Të mërkurën Muzeu ‘Laboratori i Artit Bashkëkohor’ në Universitetin Sapieza në Romë do të hapë ekspozitën personale të artistës Majlinda Kelmendi, shkruan KultPlus.

Kelmendi është artiste e njohur e artit e cila është e vlerësuar ndërkombëtarisht. Ajo ka ekspozuar punën e saj në vende të te ndryshme ndërkombëtare Italia, Austria, Gjermania, Hungaria, Portugalia, Belgjika, Spanja, Polonia, Texas / SHBA, Republika Çeke, Bullgaria, Mali i Zi, duke marrë çmime të rëndësishme dhe mirënjohje.

Ne ceremoni do të jenë prezent Ambasadoria e Republikës së Kosovës në Itali Alma Lama, Presidenti i Fondacionit Sapienza-Romë Antonello Folco Biagini dhe Drejtori i MLAC Claudio Zambianchi.

Kjo ngjarje është ne patronazh të Ambasadës se Kosovës në Itali, Fondacionin Sapienza Rome dhe Universiteti Sapienza të Romës.

Majlinda Kelmendi (e lindur më 4 tetor 1966 në Tiranë, Shqipëri) është gjithashtu themeluese e Galerisë ExpoArt40 dhe drejtore artistik nga viti 2008 e këtej në – Projektin Multimedial International Net-Rrjet. Studimet Universitare: Akademia e Arteve të Bukura, Tiranë, Shqipëri nga 1986 deri në vitin 1990. Studime pasuniversitare: Magjistre e Arteve –Fakulteti Arteve të Bukura në Prishtinë prej vitit 1999 deri në vitin 2000. Aktualisht: Profesor në Universitetin e Prishtinës – Fakultetin e Arteve të Bukura (nga viti 2000), Departamentin e Artit Konceptual dhe mediave të reja.

Ekspozita do të qëndroj e hapur 16 janari deri më 31 janar 2019 ./ KultPlus.com

Të mërkurën Muzeu ‘Laboratori i Artit Bashkëkohor’ në Universitetin Sapieza në Romë do të hapë ekspozitën personale të artistës Majlinda Kelmendi, shkruan KultPlus.

Vajza nga Reçaku: Unë jam brezi që na ka rënë hise ta vazhdojmë jetën duke luftuar për ekzistencë

Nerxhivane Bilalli
Raçak

Ishte 15 janari i ftohtë i vitit 1999, koha kur Reçaku u ngroh me gjakun e shqiptarëve civil të pafajshëm e ndër ta edhe disa familjarë të mi, nga masakra e ushtarëve të Serbisë.

Kjo masakër do të trondiste vetë Wiliam Wolker-in dhe botën dhe duke dalë si dëshmi e gjallë e krimeve serbe në civilët e pafajshëm shqiptarë në Kosovë.

Unë isha atë kohë vec fëmijë që të bëhem një dëshmitare e dorës së parë të këtij gjenocidi, por akoma e ndjej në krahëror peshën e vuajtjeve të familjes sime. Vuajtje kjo që akoma vazhdoj ta kem nga ngjarjet dhe sfidat e që 20 vjet pas luftës.

Sot, vuajtjet Recakut po ia shton edhe zbrazja masive nga të rinjtë, nga papunësia, pa perspektiva dhe korrupsioni, ku drejt kësaj rruge po më shtynë edhe mua si një e diplomuar që 5 vite dhe e papunë. Jam një aplikuese e rregullt për punë, por assesi një e pranuar, pasi për një gjë të tillë duhet vetëm korrupsion.

Por kjo nuk është tema për të cilën dua të flasë. Thonë se pas luftës, jeta vazhdon me të mirat dhe të këqijat e saj. Jeta e përditshme nuk është luftë me armë, por është luftë për të mbetur gjallë, për të bërë punë të ndryshme, për t’u shkolluar, për të krijuar familje dhe për të rritur ata që vazhdojnë rrugën e brezave para nesh.

Do të thotë, unë jam brezi që na ka rënë hise ta vazhdojmë jetën duke luftuar për ekzistencë, duke u përpjekur të bëjmë shkollë, duke u kujdesur për ata që kishin nevojë në familje dhe më gjerë. Pra, unë i takoj atij brezi të rinisë së Raçakut, që jeta na ka vënë barrë të gjitha këto peripeci, pa marrë parasysh kemi pasur apo nuk kemi pasur mundësi.

Po bëhen pesë vjet që unë jam e diplomuar. Si gjithë brezi im, kam mbaruar studimet universitare, mirëpo që pesë vjet nuk është e mundur të gjejë punë. Të gjithë të diturit e botës kanë thënë se njeriu si qenie shoqërore nuk mund të realizohet plotësisht pa punë. Pra, pa pavarësinë ekonomike. Kurse unë dhe brezi im, edhe sot e gjithë ditën, njëzet vjet pas masakrës së Raçakut dhe pesë vjet pas përfundimit të studimeve, ende jemi barrë e jetës ekonomike të familjes.

Derisa zhvillohej Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që kishin marrë armët në Raçak ishin thuajse të gjithë të rinj dhe të reja.

Çka ka ndodhur me Raçakun dhe të rinjtë e tij pas njëzet vjetësh?

Është ngritur Kompleksi përkujtimor për viktimat dhe të rënët e Raçakut, por ai po rrënohet çdo ditë e më shumë. Sepse, nëse komuna apo kush duhet të kujdeset për vendet ku janë krijuar shenjat e lirisë sonë, nuk ka mundësi të punësojë një punëtorë që do të mirëmbante Kompleksin përkujtimor, është e kuptueshme se ai shkatërrohet ngadalë, siç në të vërtetë po shkatërrohet. Kjo ngjarje tragjike dhe krenare e Raçakut kujtohet vetëm një herë në vit, më 15 janar, ditën kur ka ndodhur masakra. Pas kësaj dite çdo gjë vazhdon me të vjetrën. Nëse pas kësaj dite e viziton Raçakun, e sheh se nuk ka më rini. Ata kanë marrë rrugët e botës në sy, sepse askush nuk kujdeset për punësimin e tyre. Kot mbaron fakultetin, kot kryen profesione të ndryshme, kot bën përpjekje të gjesh ndonjë vend pune sa për ekzistencë. Edhe kur ndonjëherë mund të hapet ndonjë konkurs për ndonjë vend pune, gjasat për të gjetur punë janë shumë, shumë të vogla. Kur interesohesh dhe pyet pse nuk jam pranuar, zyrtarë të ndryshëm të thonë, se vendi i punës është plotësuar me një minoritar. Prandaj, në këtë pamundësi për të siguruar ekzistencën me punën tënde, të rinjtë e Raçakut kanë marrë botën në sy, me letra e pa letra, me ryshfet, apo pa të, me para të dhëna në dorë, apo pa to. Me rëndësi është se ata më nuk janë në Raçak. Sot, pasi kryhet dita e përkujtimit të masakrës së Raçakut, pasi të shpërndahen ata që kanë ardhur për të na vizituar, e sheh se Raçaku ka mbetur i heshtur sepse mungon gjallëria e at gjallëri normal që e bëjn rinia. Ata kanë ikur nga vendlindja, sepse edhe pas diplomimit në ndonjë universitet, nuk gjen askund punë.

Do të thotë, nëse e shohim jetën e këtyre njëzet vjetëve realisht, në Raçak nuk ka investuar askush, përveç në ndërtimin e Kompleksit përkujtimor. Prandaj që të mos bëhemi barrë e familjeve tona, rinia  kanë marrë udhët e europës për të siguruar ekzistencën e tyre jetësore.

Duke ju kërkuar ndjesë që solla këto shqetësime para jush, ju kujtoj edhe një herë se jeta e njeriut nuk e ka vetëm një ditë, siç është dita e 15 janarit kur përkujtohet masakra e Raçakut. Jeta e të rinjve të Raçakut, nuk ka kuptim vetëm me një ditë përkujtimore, ajo është jetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, vetëm kur krijohen mundësitë që secili të realizohet si pjesëtar i shoqërisë me punën dhe djersën e vet. /KultPlus.com

Raçak, më 15 janar 2019