“Skanderbeg, Princi i Epirit”, promovohet në Slloveni

Libri në gjuhën shqipe “Skanderbeg Princi i Epirit” është promovuar në Koper të Sllovenisë.

Veprimtarinë e mbajtur në mjediset e Qendrës Kulturore Shqiptare “Kulla e Koperit”, organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Iliria”, e çeli Heset Ahmeti, kryetar i Shoqatës.

Ndërsa për librin folën dy përkthyesit e tij, Albert Gjoka dhe Frida Vokopola Gjoka.
Libri sillet në gjuhën shqipe nga origjinali në gjuhën e vjetër italiane “Commentario de le Cose de Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, Principe di Epyrio”, i vitit 1544.

Më pas për të pranishmit përmes një diskutimi të hapur u prezantuan të dhëna, fakte e tregues rreth figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbështetur në dokumente të shekujve më parë.

Në veprimtari merrnin pjesë anëtarë të Shoqatës ‘Iliria”, Koper, shoqatës shqiptare “Ecim së Bashku” me kryetare Mardena Kelmendi, Trieste, Itali, veprimtarja e njohur shqiptare Vitore Stefa Leka, studjuesi slloven Peter Štoka, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi, etj.

Gjatë veprimtarisë u prezantuan edhe dy libra të tjerë në gjuhën shqipe të autorëve Frida Vokopola Gjoka dhe Albert Gjoka, “Gjuha e Albanëve ose Shqipëtarëve” dhe “Historia dhe Gjuha e Shqiptarëve dhe Vllehëve”.

Po ashtu, u shpërndanë edhe kalendare të përgatitur nga Zyra e Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe libër për heroin kombëtar të përshtatur për fëmijë.ata/ KultPlus.com


Po të mos kishe ekzistuar

Poezi e shkruar nga Sokrat Habilaj.

Po të mos kishe ekzistuar më parë,
Unë do të të krijoja vet patjetër.
Shpesh kam bërë plane si i marrë,
Duke të skicuar portretin në letër.

Do të merrja borxh pjesë nga hëna,
Një pasqyrë burimi ku krihet ylli.
Një pikëz vese ku freskohet ëndrra,
Një cicërimë zogu që del nga pylli.

Dy kokrra ullinj që ndrijnë nën fletë,
Thëngjij që digjen me gjuhë flake.
Çfarë s’do të merrja të të krijoja vet,
Nuk mundet ta lija botën gjysmake.

Do të ulesha të shihja ndanë udhës,
Nurin e borxheve, shkrirë të tëra.
Pastaj do të puthja në cepin e buzës,
Dhe do të ikja të krijoj të tjera gjëra.

Ti del para meje, tej pas çdo kthese,
Bota u krijua, më thua ti djallëzisht.
Nëse guxon, të bësh sytë e një tjetre,
Humbas në çast, të më bësh sërisht.

Thuajini asaj se unë nuk jam më ai studenti i drojtur e i varfër, tashmë jam bërë avokat, tani më mungon vetëm ajo

“Dy letra”- Anton Chekhov

I dashur dhe i shtrenjti, xhaxhai im, Anisim Petroviç! 

Tani ishte tek unë bashkëfshatari Juaj, Kuroshejevi, dhe më tha, mes të tjerash, se këto ditë qenka kthyer nga jashtë shtetit, me familjen e tij, fqinji Juaj, Murdasheviçi. Ky lajm më befasoi së tepërmi, ngaqë përflitej se Murdasheviçët nuk do të ktheheshin më këtu. I dashuri dhe i shtrenjti im xhaxha! Në qoftë se e doni sadopak nipin tuaj të vogël, çapni, ju lutem, te Murdasheviçët dhe pyesni se si i ka punët bija e tij, për shpirt, Mashjenka. Po ju rrëfej një të fshehtë fort të çmuar të shpirtit. Vetëm Juve mund t’jua besoj. Unë e dua Mashnjekën, e dua marrëzisht, më shumë se jetën! E pra, gjashtë vjet ndarje nuk e kanë cënuar aspak dashurinë time ndaj saj. Gjallë është dhe shëndoshë e mirë? Shkruamëni, se në ç’gjendje e gjetët, dhe pyeteni nëse më kujton dhe më do si më parë. A mund t’i dërgoj ndonjë letër? Mësoni gjithë sa të mundeni, i dashur, dhe më shkruani hollësisht.
Thuajini asaj se unë nuk jam më ai studenti i drojtur e i varfër… Tashmë jam bërë avokat, kam përvojë, para… Me një fjalë, për një lumturi të plotë, tani më mungon vetëm ajo… vetëm ajo!
Në pritje të një përgjigjeje sa më të shpejtë, të përqafoj.
Vladimir Greçnjevi

Përgjigja:
I dashur nipi im, Vollodja!
Me të marrë letrën tënde, ditën tjetër e mbajta frymën te Murdasheviçi. Burrë për së mbari, s’ke ç’i thua! Vërtet ishe plakur e thinjur jashtë shtetit, por nuk e kishte harruar mikun e tij të vjetër, aq sa kur hyra, u hodh në këmbë e më përqafoi dhe, pasi më kqyri gjatë, më tha me zë të ëmbël e mëdyshas: “Sikur s’po të njoh”. Kur i përmenda emrin, më përqafoi sërish e më tha: “Tani po, më kujtohesh”. Shpirt njeriu. Meqë ishte rasti, pimë e hëngrëm diçka e ndenjëm një copë herë bashkë. Më shpjegoi me shembuj dhe mënyra të ndryshme jetën që kishte bërë jashtë dhe më hutoi fare me përshkrimet lojacake të moralit të ngatërruar të gjermanëve. Shkenca e gjermanëve, sipas tij, ka shkuar tepër larg. Më tregoi një tablo të blerë gjatë një udhëtimi në Itali, ku qe zografisur një person i seksit femër, me një veshje të çuditshme, pa pikë lezeti. E takova edhe Mashjenkën. Kish veshur një fustan të shtrenjtë ngjyrërozë, me ca lajle-lule që kushtojnë një djall e gjysmë. Ty të mbante mend fare mirë, madje iu mbushën sytë me lot kur pyeti për ty. Pret letër nga ti dhe të falenderon për kujtimet dhe ndjenjat. Të shkruan se tashmë ke goxha përvojë dhe para. Në më dëgjofsh mua, ruaji paratë, shpirt, dhe mbahu denjësisht, siç të ka hije. Dhe unë qesh i ri një herë e një kohë dhe e pata tepruar me zullumin me dashuriçat, ama u dhashë fund shpejt, dhe s’jam penduar. Me kaq, të uroj e të bekoj gjithë të mirat.
Xhaxhai dhe dashamirësi yt, Anisim Greçnjevi.

P.S. Ti shkruan disi turbullt, por në mënyrë tërheqëse dhe bukur. Ua tregova letrën tënde të gjithë fqinjëve. Pasi e lexuan, ata të quajtën gati-gati shkrimtar, madje i biri i atë Grigorit, Vladimiri, propozoi që ta botonim në gazetë. Ia tregova edhe Mashjenkës, edhe të shoqit të saj, gjermanit Urmaher, me të cilin Mashjenka është martuar vitin e shkuar. Gjermani e lexoi dhe të lavdëroi. Tani letrën tënde ia tregoj dhe ia lexoj kujtdo që takoj. Më shkruaj prapë. Havjari i Murdasheviçit ishte aq i shijshëm, sa të lije thonjtë./filozofia.al

Takim me Basri Çapriqin përmes poezisë

Jeta Zymberi

Zëri i një shkrimtari e fjala e tij, merr jehonë pothuajse gjithmonë në brezat e ardhshëm më tepër se në kohën kur jeton e vepron vetë shkrimtari. Por, për shkrimtarin Basri Çapriqi ndodhi që fjala e tij të jehojë edhe gjatë kohës sa ai ishte prezent në këtë jetë. Këtë ndoshta e bëri fuqia e tij e fjalës, veçantia si poet e njeri, karakteri i tij i thuktë dhe prezenca e tij nëpër gjenerata të ndryshme si një profesor që të gjithë e deshën, shkruan KultPlus.

Për gjeneratat e ardhshme, të cilët fjalën e Çapriqit do ta dëgjojnë, por rastin ta takojnë nuk do e  kenë fatkeqësisht, fjala e tij e stolisur padyshim që do të depërtojë te ta, por janë me fat të madh ata që patën rastin ta takojnë e të dëgjojnë zërin e tij teksa lexonte poezitë me një mjeshtëri të paparë, me ndjenjë e një emocion të papërshkruar, si rrallë kush.

Të tjerët që ishin prezentë në sallat ku ai lexonte, e ndjenin vetën të vegjël para tij. Ky ishte profesor Çapriqi, mjeshtri i fjalës, kritiku dhe profesori i nderuar.

Ishte kohe e ftoftë, kështu si sot, kur para një viti Çapriqi u largua nga kjo botë, për të bërë edhe më të acartë kohen për familjarët, miqtë, studentët e njerëzit përreth. Ai na la por jo duarthatë. Veprat e tij do të mbesin në mesin tonë e do të përcillen tek gjeneratat e reja për të përçuar në çdo kohë frymën e këtij poeti kaq të dashur e të pazëvendësuar.

Për të kujtuar fjalën e tij, PEN Qendra e Kosovës organizoi sot homazh poetik në shenjë të njëvjetorit të ikjes në amshim të poetit brilant dhe profesorit tonë të rëndësishëm, Basri Çapriqi.

Familjarë, miq e studentë sot u takuan në Teatrin Kombëtar të Kosovës të gjithë për një arsye, për të kujtuar profesor Çapriqin. U mendua që asnjë kumtesë e asnjë fjalim nuk mund të jepte të plotë portretin e këtij poeti të veçantë më shumë se sa vetë poezia e tij. Andaj disa poezi të përzgjedhura u lexuan nga aktorët profesionistë, si Teuta Krasniqi, Rozi Kryeziu, Shpëtim Selmani dhe Faris Berisha.

Ndonëse aktorët u mundua që të sillnin frymën e Çapriqit në mesin e të pranishmëve, kjo gjë dukej paksa e pamundur, veçantia e tij sidomos në interpretimin e poezive shkonte përtej asaj që dëgjuam sot.



Në hapje të këtij homazhi poetik për Basri Çapriqin, u tha që “Shkrimtari rron aq sa kujtohet nga të tjerët. Mosha biologjike është pakrahasimisht e vogël përballë kohës që shkrimtari mund të qëndrojë në kujtesën e njerëzve dhe lexuesve të tij. Takim i veprës së tij me lexues që nuk janë të moshës së tij biologjike, veçmas me lexues që do të lindin pas vdekjes së tij biologjike është takim i vërtetë. Vetëm atëherë vepra e një shkrimtari bën jetën e saj të njëmendtë. Kështu që, ndajmë bindjen tonë të plotë se vepra poetike e Basri Çapriqit do ta arrijë këtë takim të shumëdashur për secilin krijues dhe do të jetë në duart dhe në mendjen e lexuesve që janë sot dhe do të vijnë nesër.”

Poezia “Përkryerja e shiut” ishte ajo që hapi këtë homazh poetik, për të vazhduar tutje me poezitë si: “Dritaren lërë hapur”, Ti duhej të vdisje edhe më herët”, “Liria”, “Frutat bizare”, e shumë të tjera.

Krejt për fund u lexuan edhe dy poezi shumë të veçanta kushtuar autorit të ndjerë nga dy miqtë e tij poet, Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota . Leximi i këtyre poezive emocionoi publikun e në veçanti autorët. Madje Bashota pas krejt kësaj në një fjalë për KultPlus nuk mund t’i mbante lotët për mikun e ndjerë.

“Çapriqi ishte i veçantë në jetë dhe në vepër, poet, kritik, profesor, një personalitet i rëndësishëm i kulturës shqiptare, vepra e të cilit çmohet si një vepër e rëndësishme sidomos në fushën e poezisë. Çapriqi ka treguar një pasqyritet të veçantë në poezinë bashkëkohore shqipe, qoftë me ligjërimin poetik, qoftë me figurat por edhe me temat që ka trajtuar në poezitë e tij. Na mungon çdo çast dhe mungesa e tij është duke u nderuar dhe kujtuar me aktivitete të tilla si sot”, u shpreh Bashota pë r KultPlus, duke vazhduar tutje të  tregojë  sa shumë  kujtime ndanë  me të .  

“Kemi shumë kujtime bashkë sepse nga viti 78 jemi bashkë, plot 40 vite, kam qenë në zyre me të, në ligjëratë e gjithandej. Unë e kam botuar këtë vit një libër kushtuar Çapriqit dhe poezia e parë është “S’ke me dalë nga parajsa”, poezi që i kushtohet veprës dhe jetës së tij”, tregoi tutje miku i pandashëm i Çapriqit.

Për mungesën e madhe që poeti i ndjerë  i ka lë në  vendit tonë , ka folur edhe Ibrahim Berisha.

“Sot në  një  vjetorin e vdekjen ne e kuptojmë se sa shumë mungon Basriu, jo vetëm si poet, por edhe si një personalitet publik, natyrisht ajo që  na bë në të jemi krenarë është pikërisht vepra e tij, poezia veçmas dhe puna që ka bërë  rreth 40 vjet në kultivimin e një ambienti dhe atmosfere kulturore në hapësirën shqiptare. Ishte një organizim i mirë sepse poezia e tij doli ashtu siç ai do të  kishte dëshirë, e lexuar por edhe e përjetuar si një  frymë  thjesht artistike, por gjatë leximit u kuptua se sa të  qëndrueshme dhe të përjetshme janë këto poezi”, u shpreh Ibrahim Berisha për KultPlus.

Një vit i vështirë dhe i rëndë pa mikun, ka qenë edhe për Osman Gashin.

“Kemi qenë shokë të pandashëm, jemi takuar ditëve të punës gjithmonë, kemi debatuar për gjithçka, andaj është një periudhë e rëndë  për të gjithë miqtë e tij, kolegët dhe krijuesit, sidoqoftë  trashëgimia e profesorit Çapriqi është shumë e vlefshme. Ajo që ne duhet të bëjmë është që të ju themi të rinjve që trashëgimia letrare dhe shkencore e profesorit Basri është një prej dhuratave të çmueshme që ka lënë ai për brezat e rinj”, u shpreh Gashi për KultPlus, ku vazhdoi të  tregoj edhe disa prej vlerave të  profesorit.

“Profesori Basri ka pasur tri vitet e fundit të jetë së tij të mundimshme shumë, unë e mbaj mend si një njeri që nuk është ankuar asnjëherë. Ne si shoqëri nuk e kemi ditur saktë as diagnozën, as procedurat e mundimshme që i ka bërë, sepse ai i ka kursyer miqtë e tij prej mundimeve të veta shumë të mëdha. Kjo është një prej vlerave të veçanta të tij. Basriu ka qenë  njëri për të gjithë”, u shpreh krejt për fund Gashi.

Homazhi poetik për Basri Çapriqin përfundoi duke përçuar mesazhin që  vepra e tij duhet lexuar dhe vlerësuar përcjellë  gjeneratave të  reja si një  vlerë  e çmuar e letërsisë . /KultPlus.com

MKRS shprehet e lumtur që filmi ‘Në mes’ është pjesë e Berlinales

Pas bërjes të ditur nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘Berlinale’, se filmi nga Kosova “Në mes” i autorit Samir Karahoda, do të jetë pjesëmarrës në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e konsideron këtë një sukses të radhës për filmin kosovar.

Ky vlerësim vjen pasi që është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që konsiderohet njëri nga festivalet më prestigjioz të filmit në Botë.

Ministri Kujtim Gashi, pjesëmarrjen për herë të parë të një filmi nga Kosova në Festivalin e Filmit në Berlin të Gjermanisë, e vlerëson si një sukses të jashtëzakonshëm dhe një arritje tjetër kulturore për Kosovën në përgjithësi në arenën ndërkombëtare.

“Filmi ‘Në mes’ i autorit Samir Karahoda është përkrahur nga Ministria e Kulturës, nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës, dhe jemi shumë të lumtur për këtë sukses, pasi që orientimi i buxhetit në përkrahje të prodhimit filmik po shpërblehet”, tha mes tjerash ministri Gashi.

“Dua t’i falënderoj dhe shpreh mirënjohjen të gjithëve që kanë dhënë kontribut në këtë film, duke filluar që prej autorit të filmit, stafit teknik, aktorëve e QKK-së për angazhimin e tyre, që të kemi këtë produkt”, vazhdoi tutje ministri duke shtuar se uron që filmi “Në mes” të kthehet nga Berlini me çmim.

Ministri Gashi premtoi se buxheti dhe përkrahja e MKRS-së për QKK-në dhe prodhimin e filmit do të rritet në vazhdimësi, sepse përmes filmit dhe funksionin që ka ai, përçohet mesazh pozitiv për Kosovën jashtë vendit si dhe përmes rolit të filmit mund të kemi emancipim edhe më të madh.

Autori i filmit Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij merr pjesë në Berlinale. Ai tha: “Përzemërsisht dua të falënderoj secilin protagonist pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur si dhe ekipin të cilët u përkushtuan dhe kontribuuan me zemër në formimin e kësaj vepre.”

Filmi i cili është prodhim autentik i Kosovës, trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

Rita Ora, fytyra e kampanjës të “ESCADA-s”

Një tjetër lajm i mirë ka ardhur për Rita Orën.

Sapo u publikua lajmi se këngëtarja me prejardhje kosovare, është bërë fytyra e re e kampanjës reklamuese të markës së njohur të modës, “ESCADA”, shkruan koha.net.

Në uebfaqen e kësaj kompanie shkruhet se, Rita e portretizon saktë shpirtin e “ESCADA”-së të një femre të fuqishme dhe lozonjare por e cila është përgjegjëse për të ardhmen e saj.

Në 20 vjetorin e vdekjes së Shani Pallaskës: Portreti i artistit në rini

Selman Jusufi

Të ngjitesh në skenë. Të bëshë grimin. Të ngjallësh personazhin. Të jetosh në mes të dekoreve dhe perdeve. Të ulesh në proskenium. Të marrësh frymë thellë. Ta dëgjosh zërin e natës. Të jetosh jetën e huaj. Ta bartësh mbi supe kalvarin. Ta shikosh në sy Ferrin dhe Parajsën njëkohësisht. Të jesh i ekzaltuar, i emocionuar, i lodhur nga jeta e heroit në skenë. Të zgjohesh nga ankthi dhe ëndrra. Ta bëshë copë e grimë vetminë e Hamletit në pasqyrë. Pastaj ta prekësh iluzionin pas perdeve pa ngjyrë dhe dritë. Ta ushtrosh trupin dhe shpirtin terë jetën, para publikut në një sallë që të duartroket…

Aktori i ngjan Pegazit. Jeta e tij është dëshirë dhe nostalgji për ngritje. Për ecje kah majat e skenës. Është pirg Obelisku. Instikt dhe dhunti. Skena është jetë kulti. Lutje. Gjuhë mistike e vetmisë. Teatri është themeli i shtëpisë së imagjinuar. Rekuizitë e elementeve sakrale në një bodrum…

Një ditë ai ikë nga jeta reale. Ikë nga heronjtë e tij. Nga personazhet. Nga myku në garderobë. Nga zhurma në skenë. Natën pa hënë, tinëz ikë, duke i flakur në fund të garderobës kostumet e grisura përplot pluhur shekullor. Duke lënë tekstin, rekuizitat, pëshpëritësin, autorin, regjisorin, kostumografin, skenografin, dhe njëqind të tjerë…

Shani Pallaska ishte aktor dhe doajen. Ishte princ i skenës. E jetoi jetën në heshtje dhe kreacion. Foli vetëm pesëdhjetë vite në skenë. Bëri jetë të pagabuar skenike. Ishte zë antik i një simfonie. I lindur me talent dhe vokacion të rrallë. Timbër dhe fah të Aleksandër Moisiut. Bashkëkohanik i tij. Lojtar si ai…

Myku në garderobë dhe gjuha mistike e vetmisë

Bardi i Teatrit të Kosovës, aktori Shani Pallaska, për pesëdhjetë vjet me radhë nuk zbriti nga skena jonë teatrore. Madje as kohët e fundit, para luftës dhe para vdekjes, kur lodhja shpirtërore dhe fizike kolektive peshonte rëndë mbi çdo njeri. Ai s’ju dorëzue stuhisë për asnjë çast, duke mbyllur kështu rrethin artistik të karrierës së tij të shkëlqyeshme prej artisti dhe duke shënuar qartë fillimin, rritën dhe zhvillimin e tempullit të kulturës sonë.

Shani Pallaska hyri në këtë tempull me 1946. Hyri si autodidakt dhe si tetëmbëdhjetëvjeçar. Në të vërtetë, ai ishte themelues i institucionit tonë të parë teatror. Hyri si entuziast atëbotë dhe shkoi si mbret i skenës, i cili padyshim në historinë e Teatrit Shqiptar do të mbetet ndër aktorët më të mirë të shekullit XX.

Shaniu ishte i seleksionuar nga natyra me talentin e rrallë që kishte. Dhe kjo dhunti e talentit të tij që nga roli i parë e deri te ai i fundit janë role që karakterizohen me një vrull dhe mjeshtëri aktoreske të rrallë. Zhvillimi dhe sukseset më të mëdha të Teatrit të Kosovës janë të lidhura me punën dhe emrin e tij, pra mund të thuhet se ai ishte edhe arkitekt i kësaj skene. Në galerinë e qindra roleve të tij, të cilat i realizoi me aq përkushtim që nga Shekspiri, Kadareja, Beketi dhe sidomos nga dramaturgjia kombëtare të cilën e afirmoi me aq sukses. “Erveheja” ishte zbulim, ndërsa Godoja i tij në shfaqjen e Beketit “Duke pritur Godonë” ishte versioni i rolit më të mirë në Evropë në vitin 1970.

Testamenti artistik: Ushtrimi i trupit dhe i shpirtit

Shani Pallaska jetoi shtatëdhjetë e një vjet. Në skenë kaloi gjysmë shekulli. Ai ishte një epokë e tërë e aktrimit për skenën shqiptare.

Regjisori Fadil Hysaj i cili bashkëpunoi me të, shprehet: Aktroi role të mëdha dhe të vogla. Luajti në shfaqje të mëdha dhe në të vogla. Për të ishte me rëndësi të ishte në skenë. Vetëm jeta jashtë skene për Shani Pallaskën nuk kishte kuptim. Në një hapësirë të zhbrazët, të quajtur skenë, dekada me radhë Shaniu krijoi dhe ngjalli personazhe përmes të cilave ndezi emocione të fuqishme te spektatorët, duke iu plasuar atyre mesazhe sublime me magjinë e aktrimit teatror.

Gjysmë shekulli më parë, Shani Pallaska së bashku me një grup entuziastësh si Muharrem Qena, Katerina Josipi, Meribane Shala, Matej Serreçi, Hyrije Hana e të tjerë,  formuan Teatrin Popullor të Kosovës. Gjatë karrierës brilante dhe të gjatë në këtë skenë, Shaniu u imponua me lojën e tij, të një stili të veçantë të aktrimit, i cili me kohë u përvetësue nga shumica e aktorëve të tjerë si stil kolektiv i aktrimit.

Shani Pallaska u bë i njohur për publikun me shfaqjen “Besa” të Sami Frashërit që në vitin 1951. Pastaj, publiku ynë duke i përcjellë me dashuri të veçantë shfaqjet e ardhshme, filloi ta mësojë rrugën për në teatër. Me shfaqjen “Erveheja”, edhe publiku por edhe aktorët arrijnë pjekurinë artistike, ndërsa Shaniu me rolin e tij në këtë shfaqje sëndërton një stil të veçantë të aktrimit të cilin do ta kultivojë pastaj edhe me tepër në shfaqjet “Duke pritur Godonë” të Beketit, në “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, e në dhjetëra shfaqje dhe autorë të tjerë.

Gjuha skenike me të cilën ai iu qasej personazheve të tij ishte një lloj testamenti i veçantë artistik. Shaniu në të gjitha rolet e tij demonstroi një mjeshtri të rrallë të aktrimit, me një gamë të gjerë të arsenalit shprehimor aktoresk që përbëhej prej intonacionesh e ngjyrimesh vokale të cilat të shprehura herë si psherëtima e herë si shpërthime eruptive, aktrimit të tij i jepnin një peshë të një tragjedie antike. Ai i ndërtonte karakteret e personazheve të tij duke kombinuar me sukses grimasat dhe gjestet e imëta me maska dhe gjeste të mëdha, që dinin të përshkonin terë skenën. Loja e tij ngërthente mrekullisht nuanca të holla psikologjike të gërshetuara me grotesken, tragjiken dhe komiken. Dhe të gjitha këto arrinte t’i harmonizonte çuditërisht me një terësi organike e cila rrezatonte nga ai energji të cilën e disponojnë vetëm aktorët e mëdhenj të skenës, përfundon regjisori Hysaj.

Mileti dhe telalli me tupan

Në një intervistë me dramaturgun Haqif Mulliqin për revistën “Theatri” në vitin 1995, i pyetur për shfaqjet e para të Teatrit të atëhershëm Popullor, se si i ka pritur publiku atëbotë, Shaniu përgjigjet: “Paj, ç’të them… Më kujtohet kur shkuam për të shfaqur një pjesë diku në një fshat të Ferizajt. Kur arritëm në fshat rreth nesh ngarendën fëmijët, e besa kishte edhe të rritur në mesin e tyre. Njëri prej tyre na pyeti:  “Hej, a jeni ju cirku, a?”. Ne u thamë: “Po, cirku jemi”, dhe i ftuam që të vijnë në mbrëmje që ta shikojnë “cirkun”.

Ndërkaq, kur shkuam në Zhegër të Gjilanit, në shesh të fshatit doli telalli me tupan dhe nisi të thërrasë: “O milet, nëse doni të shihni seri, ejani sonte në mejtepin e xhamisë!”.

Më kujtohet kur në një manifestim ne e fituam shpërblimin kolektiv, i cili kishte vlerën prej 50 mijë dinarëve të asaj kohe. Mirëpo, fati e deshi që shefi i kontabilitetit, sapo u kthyem së andejmi, i vodhi ato para dhe iku në Kanada…

Sa i përket shkollimit, Shaniu në të njejtën intervistë përgjigjet: “Unë në fillim kisha planifikuar që të shkoja diku në shkollim të zërit, pra të studioja muzikën. Të gjithë rreth meje mendonin se posedoja një zë të bukur. Por, me angazhimin tim në teatër, Xhavit Nimani i cili në atë kohë ishte përgjegjës për arsim dhe kulturë në Kosovë, më tha: “Ose rri në teatër e puno si aktor, ose do të dërgoj që të punosh si mësues diku në ndonjë katund të përtej bjeshkëve”. Natyrisht që unë në mes të parës dhe të dytës u përcaktova për teatër dhe për aktrim, por e di se më me dëshirë do të shkoja për ta shkolluar zërin. E dija se teatri ishte aty dhe se në të do të mund të kthehesha kur të doja, por në akademi nuk shkohet çdo ditë”.

Gjenerali…” shfaqja e përmasave kombëtare

Duke folur për repertorin teatror, Shaniu shton se në fillim në teatër kishte fare pak publik, por me ardhjen e “Besës” së Sami Frashërit në skenë gradualisht nisi të krijohej publiku shqiptar i cili kërkonte edhe një biletë më tepër. Ndërkaq, për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë,  në të cilin gjithashtu ai luante rolin kryesor, vlerëson se kjo ishte një ngjarje kulturore e përmasave kombëtare. Ndërsa për periudhën e mëvonshme të krizës teatrore e cila filloi me aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë, Shaniu përveç tjerash shprehet: “Do të thosha se kështu ka ndodhur edhe dekulturimi i shikuesit tonë, në veçanti duke i imponuar atij skeçet e Lecit, Cimës apo edhe të ndonjë tjetri… Por, çështja është se në rrethanat në të cilat jetojmë është absolutisht e pamundur që të bëhet çfarëdoqoftë në mbrojtjen e vlerave të mirëfillta. Kjo bëhet me sistem, ndërsa fatkeqësisht, një sistem të tillë ne nuk e posedojmë…”. Në vazhdim të kësaj interviste për revistën “Theatri”, i pyetur nga autori i saj për shfaqjet e ndaluara dhe konkretisht për “Krushqit janë të ngrirë” të Kadaresë në regji të Selman Jusufit dhe Pirro Manit në vitin 1993, dhe për përjetimin e tij, ai shton: “Shikoni, unë nuk e kam përjetuar burgun, ashtu siç e përjetuan të tjerët, por mendoj se për aktorin është po aq përdhunuese kur ia ndalojnë shfaqjen, kur ia vrasin personazhin të cilit ia ka falur trupin dhe gjakun… Më kujtohet para dy vjetësh kur në TPK u ndalua shfaqja “Krushqit janë të ngrirë”. Nuk di a më besoni se sa tmerrshëm e kam përjetuar këtë. Ata, madje nuk na lanë as të hyjmë në teatër, duke na kërcënuar. U ktheva në shtëpi, u mbylla në dhomë dhe deri në mëngjes nuk kam fjetur. Terë natën, nuk e di sa e sa herë, në vete e kam përseritur tekstin tim… Kisha nevojë ta bëja këtë… Pas kësaj ndalese kisha përshtypjen se unë do ta harroj këtë rol. Se ata do të më futen në kokë dhe do ta shlyejnë atë edhe nga koka ime. Andaj instikti më shtyente që ta përsërisja tekstin vazhdimisht…”.

Shani Pallaska padyshim ishte aktori që la gjurmë të thella në aktrim skenik dhe filmik në Kosovë. Aktrimi i tij ishte total dhe unik. Ndërsa për skenën tonë, për një gjysmë shekulli, ishte shenjë mbrojtëse dhe emblemë.

Samir Karahoda dërgon Kosovën në Berlinale me filmin NË MES

Sot përmes komunikatës për shtyp Festivali Ndërkombëtar i Filmit BERLINALE njoftoj për pjesëmarrjen e filmit NË MES të autorit Samir Karahoda në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”.

Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë.

Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njejta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

Autori i filmit Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor është vlerësuar nga ky festival prestigjioz: “Nuk e di si ta përshkruaj ndjenjën dhe gëzimin për vlerësimin e filmit nga një festival siç është Berlinalja, sidomos kur bëhet fjalë për film debutues. Përzemërisht dua të falenderoj secilin protagonist pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur si dhe ekipin të cilët u përkushtuan dhe kontribuan me zemër në formimin e kësaj vepre.” theksoi autori Karahoda. NË MES është inspiruar nga projekti fotografik “Vëllezërit Kosovar” në të cilin Karahoda ka punuar në vitin 2011.

Filmi është prodhim autentik i Kosovës, si me mbështetje ashtu edhe në produksion. Producenti i filmit Eroll Bilibani theksoj që ky fakt edhe njëherë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë Kosovare: “Të jesh pjesë e një projekti kaq kreativ dhe të punosh me një ekip kaq profesional është me të vërtet nder dhe privilegj. Edhe pse filmi në fazën fillestare ishte paraparë në formë eksperimentale, Samiri përmes gjuhës filmike me mjeshtri ka arritur t’a pasqyroj kontekstin antropologjik, shoqëror dhe arkitektural të një fenomeni të përhapur në Kosovë.” theksoj producenti Bilibani.

Filmi është prodhim i SK Pictures, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës dhe DokuFest.

Regjia dhe Drejtor i Fotografisë: Samir Karahoda, Producent: Eroll Bilibani, Montazhi: Enis Saraçi, Dizajner Zëri: Memli Kelmendi, Xhirues Zëri: Gëzim Rama dhe Dizajnere Grafike: Nita Salihu Hoxha.

Premiera e filmit në Berlinale do të jetë me 12 Shkurt!

Lansohet traileri i ri i “frikshëm” i ‘Game of Thrones’ (VIDEO)

Jon, Sansa e Arya shihen në trailerin e ri të ‘frikshëm’ të sezonit të tetë e të fundit të serialit ‘Game of Thrones’.

Sezoni i ri e i fundit i serialit shumë të pëlqyer ‘Game of Thrones’ do të ketë premierën më 15 prill, ka konfirmuar shtëpia prodhuese e saj, HBO, transmeton koha.net.

I krijuar nga dirigjuesi David Nutter, në trajlerin i ri të ‘Game of Thrones’, shihen tre pretagonistët e sezonit të fundit, Jon Snow, Sansa e Arya Stark në një dhomë të mbushur me statuja të udhëheqësve e familjarëve të tyre në shtëpinë Winterfell.

I adaptuar nga nobelet e George RR Martin, seriali ‘Game of Thrones’ ka arritur një sukses të madh për shtëpinë filmike HBO, duke arritur audiencën më të madhe internacionale ndonjëherë e duke fituar disa çmime që nga lansimi i tij, në 2011-ën. /KultPlus.com

Grevë në shkolla, veterani i UÇK-së i gatshëm të marr detyrën e mësimdhënësit pa pagesë

Sipas vendimit të SBASHK-ut, nesër pritet të fillojë greva e përgjithshme në arsim dhe ajo është paralajmëruar të zgjas deri në plotësimin e kushteve të kërkuara nga ta.

Pas këtij vendimi, një veteran i UÇK-së i cili është magjistër i shkencave juridike, Milazim Elashani është shprehur i gatshëm të marr detyrën e mësimdhënësit në ndonjë shkollë pa pagesë.

Sipas tij, ai ka një punë dhe një pagë me të cilën e mbanë familjen, prandaj do ishte i gatshëm që në ndërrimin e dytë të punonte pa pagesë si mësimdhënës.

Elashani mendon se paga prej 450 euro për mësimdhënësit nuk është edhe aq e vogël, prandaj është mirë t’i përvishen punës e të sjellin rezultate, e pastaj të rriten pagat gradualisht.

Ky është postimi i Elshanit:

I nderuar kryeministër i Kosovës z. Ramush Haradinaj dhe z. Shyqeri Bytyqi ministër i Arsimit.

Une Milazim Elshani magjistër i Shkencave Juridike, vullnetarisht e marr detyrën e mësimdhënësit ne ndonje shkolle pa pagese. Une kam nje pune qe e kryej per pagese, e ajo me mjafton ta mbaje familjen, prandaj ndrrimin e dyte mund ta kryej si mesimdhenes pa pagese, Paga 450€ per mesimdhenes nuk eshte ndoshta aq e mire, por as e vogel jo, prandaj ti kapemi punes e te sjellim rezultate ne çdo sfere, e pastaj edhe pagat rriten gradualisht.

Para se me kerku rritje pagash, keta zoteri duhet te mendojne se, aty ku japin mesim ka nxenes qe vjen ne shkolle me gjyse opinge dhe me barkun bosh.

Para se me kerku rritje pagash, keta zotri duhet te mendojne se, dy muaj e gjysme i kane pushim verore, e 15-te dite pushim dimerore, krejt keto me pagese.

Para se me kerku rritje pagash,keta zotri duhet te kerkojne sigurim shendetesore per vete, siguri ne pune, kushte te mira per arsim, rregulla dhe kushte tjera, keto te bejne krenar qe je dikushi, e jo paga.

Para se me kerku rritje pagash , keta zotri duhet me mendu se, njerez te profilit te tyre edukativo-arsimore ka pa pune mjaft, besa edhe nuk kane shprese se do te punesohen ndonjehere, me deshiren me te madhe Ata neser ja fillojne punes.

Para se me kerku rritje pagash, keta zotri duhet ta dine se, testi PISA eshte negativ, e per kete jeni fajtore edhe ju.

Punoni o burra e gra, djem e vajza, qe ta forcojme njehere kete cop shtet qe me gjak e djerse e kemi fitu, a po e shihni se i madh e vogel, vendor e te huaj, ju kane gju ketij vendi e po dojne me hanger sa ma shpejte qe munden.

Ju beje thirrje te gjitha strukturave arsimore, sindikatave e drejtorive e deri te ministria, qe ti japin fund greves ende te pa filluar, por ju beje thirrje edhe atyre qe e dojne me te vertet kete vend, qe te reflektojne, ose t,ju hapin rruge vullnetareve per kete pune./Indeksonline/KultPlus.com

Nuk mbyllem dot

Poezi nga Fatos Arapi


S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë. /KultPlus.com

Mision i pazakontë nga ekipet mjekësore, shpëtohet alpinistja 31-vjeçare (VIDEO)

Një alpiniste u shpëtua nga mali i Çikës në Llogara nga ekipet e shpëtimit të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë.

Alpinistja 31-vjeçare pësoi një traumë kranike, VLC të fytyrës dhe traumë të baçinit pas një aksidenti në mal. Në një terren tejet të vështirë dhe nga një mision i pazakontë, ekipi i urgjencës arriti të shpëtonte 31 vjeçaren alpiniste dhe u bë i mundur dërgimi i saj në Spitalin e Traumës në Tiranë ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social, Ogerta Manastirliu shprehet se  ky ishte një mision të pazakontë shpëtimi. “Menjëherë sapo mora njoftimin për dëmtimin e një vajze në Malin e Çikës, organizuam dhe nisëm misionin e shpëtimit nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Një mision të pazakontë shpëtimi, në një terren të vështirë. ‪Shërim të shpejtë vajzës. Krenare për punën heroike të ekipit të Urgjencës!”, deklaron ministrja.

Edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka reaguar lidhur me këtë operacion heroik. “Respekt dhe vlerësim të pafundëm për profesionalizmin e njësisë shëndetësore të Bazës Ajrore Farkë, të cilët sfiduan terrenin e vështirë dhe shpëtuan një alpiniste 31-vjeçare, të dëmtuar gjatë stërvitjes në malin e Çikës në Llogora”, deklaron Xhaçka. /a.g /KultPlus.com

Erdogani kundër artistëve, birrës dhe Moxartit

Erdogan ka dalë kundër artistëve, pasi nuk duron asnjë kritikë, as kur ajo vjen prej artistëve me bindje konservatore. Kundëgoditjet bëhen të ashpra, kur atij i duhet të heqë vëmendjen e opinionit nga problemet politike.

Armiqësia e fundit verbale tingëllon zbavitëse. Artisti 72 vjeçar, Rutkay Aziz i rekomandoi Recep Tayyip Erdoganit që: “Presidenti i shtetit duhet të dëgjojë një herë Moxartin dhe Bethovenin. Mbase do t’i bënte mirë.”

Dhe meqenëse presidenti refuzon pirjen e alkoolit, gazetari Yilmaz Özdil shkruajti në editorialin e tij për gazetën nacionalisto- kemaliste “Sözcü”: “Sikur Tayyip Erdogan të pinte vetëm një birrë, Turqia do i kishte punët sot shumë më mirë.”

Për këto dy rekomandime, Erdogani reagoi ditën e martë (8.01)pa humor në fjalimin e mbajtur para deputetëve të AKP: “Të detyrosh të pijë birrë dhe të dëgjojë Moxartin presidentin e shtetit, karakteri dhe qëndrimi i të cilit janë të qarta, nuk është gjë tjetër veç epitomi e fashizmit.”

Erdogan: “Epitomi e fashizmit”

Rutkay Aziz reagoi në televizionin turk Arti TV, që transmeton në ekzil, nga Këlni. Ai tha se nuk i dha asnjë këshillë Erdoganit. “Mua më thanë se Erdogani do të shkojë në një koncert të pianistit me famë botërore, Fazil Say. Dhe më pyetën çfarë mund të them për këtë? Unë iu përgjegja: Kjo do ishte shumë mirë. Atje ai do të dëgjojë Moxartin dhe Bethovenin. Kjo do t’i bënte mirë.”

Aziz nuk mund ta kuptojë pse Erdogani e quan fashist: „Nuk mund të kuptohet çfarë ka të bëjë kjo me fashizmin. Jam unë fashist apo është Mozarti fashist? Nëse është ky i fundit, atëherë unë them se Moxarti duhet mbrojtur në emër të njerëzimit.” Azizi thotë se rasti për të është i mbyllur. Për DW ai tha se: „Unë i kam vënë pikë kësaj historie dhe nuk dua të flas më për të.”

Hetime për “fyerje” dhe “nxitje të situatës”

Aktorja Deniz Çakir u kthye në objekt sulmesh të Erdoganit, pasi hapi një beteje fjalësh për gratë me perçe. Gazetat e afërta me qeverinë raportuan për këtë. Presidenti i shtetit akuzoi Çakirin se i ka kërkuar grave që mbulojnë kokën me shami të shkojnë në Arabinë Saudite. Edhe një herë Erdogani kujtohet se:„ky është fashizëm i gjallë. Kjo është ideologjia e Partisë Republikane CHP”. Partia socialdemokrate dhe kemaliste CHP, është partia më e madhe opozitare në Turqi.

Prokuroria është duke zhvilluar hetime kundër Deniz Çakirit për „fyerje”. Ekziston mundësia që rasti të ketë qenë i ndryshëm nga ajo që Erdogani dhe prokuroria pretendojnë të jetë. Në twitter Çakiri thotë se „ajo që i prezantohet publikut nuk ka të bëjë me të vërtetën.”

Skena kulturore u trondit edhe me një rast tjetër një javë më parë. 76 vjeçari Müjdat Gezen dhe 78 vjeçari Metin Akpinar janë dy aktorë legjendë në Turqi. Filmat e tyre dhe shfaqjet teatrale vlerësohen edhe nga të majtët edhe nga konservatorët. Ata të dy janë distancuar nga politika aktuale qeveritare. Në stacionin televiziv opozitar Halk TV ata kanë kritikuar Erdoganin. Erdogani i quajti ata të dy „aktorë që do të donin të ishin aktorë”.

Aktorët kërkojnë më shumë demokraci

Por Müjdat Gezen dhe Metin Akpinar nuk janë vetëm duke u vënë në lojë nga presidenti. Kundër tyre po zhvillohen hetime me akuzën: „Fyerje e presidentit të shtetit, kërcënime me puç dhe vrasje.”

Pas marrjes në pyetje dy aktorët u lanë fillimisht të lirë me kusht. Ata nuk lejohet të dalin nga Turqia, prandaj pasaportat e tyre u mbajtën nga autoritetet dhe një herë në javë ata duhet të paraqiten në polici. Prokuroria prezantoi këtë javë një raport hetimor për „nxitjen e një kryengritjeje të armatosur kundër qeverisë së Republikës së Turqisë.”

“Nxitje e një kryengritjeje të armatosur?” Çfarë kanë bërë dy aktorët?

“Rruga e vetme me të cilën ne mund të kapërcejmë polarizimin dhe kaosin, është demokracia”, kjo ishte çfarë tha Akpinar në emisionin “Volksarena”. “Nëse ne nuk jemi në gjendje të dalim nga kjo situatë, atëherë ne do të na ndodhë e njëjta gjë si në fashizëm. Udhëheqësi varet prej këmbe, ose helmohet në burg.”

Edhe kolegu i tij Gezen jo vetëm që pati bërë thirrje për revoltë, por kritikoi edhe Erdoganin: „Ai shan këdo që i del përpara, ngre vazhdimisht gishtin dhe thotë se duhet kuptuar ku është kufiri. Unë të them ty, Recep Tayyip Erdogan, se dashuria jonë për atdheun nuk duhet vënë në provë. Ti duhet ta dish ku e ke vendin.”

Erdogan reagoi në mënyrë edhe më agresive. Pse i sulmon ai kaq shumë artistët, ndërkohë që vendi është duke jetuar kohë të trazuara politike dhe ekonomike dhe me shumë probleme, që janë shumë më të rëndësishme se sa kritika ndaj skenës kulturore?

Gülfem Saydan Sanver ka marrë çmimin Pollie për konsultime politike nga Shoqata amerikane për konsultime politike (American Association of Political Consultants). Për të përgjigja për këtë pyetje ka të bëjë me zgjedhjet komunale që pritet të zhvillohen në mars.

Erdogani shfrytëzon polarizimin

Në të kaluarën Erdogan është përpjekur në të gjitha fushatat elektorale që të verë veten në qendër të çdo lloj diskutimi, shpjegon Sanver. “Nëse shohim rezultatet e zgjedhjeve të fundit shohim se polarizimi i shoqërisë që nxitet nga Erdogani, i sjell atij dobi. Goditja publike e artistëve është pjesë e kësaj strategjie.”

Erdogan krijon përshtypjen se rrethet konservatore të shoqërisë janë të kërcënuara. Ai mundohet nga njëra anë që zgjedhësit e tij të bashkohen me njeri tjetrin dhe nga ana tjetër që të pengohet opozita të dërgojë mesazhet e saj në popull. “Përveç kësaj Erdogan kërkon të mbulojë pasojat e krizës ekonomike”, thotë Sanver. “Ai është i vetëdijshëm se atmosfera e frikës i sjell dobi qeverisë aktuale. Sepse një shoqëri që ka frikë, përkrah gjithnjë sistemin ekzistues. Fjalët e ashpra dhe hetimet kundër artistëve lëshojnë mesazhin se kritika ndaj qeverisë ka çmim të lartë.”/DW/KultPlus.com

Shqipëria në Enciklopedinë e përgjithshme polake të vitit 1859

Shqipëria është një provincë në Turqinë evropiane dhe ka një sipërfaqe prej rreth 700 milje katrore [rreth 75.000 km 2, 1 milje katrore tokësore maksimale atëhere përbënte 106,19 km 2 – L.Z.]. Në veri kufizohet me Malin e Zi, Bosnjën dhe Serbinë, në lindje me Maqedoninë dhe Thesalinë, në jug me mbretërinë e Greqisë dhe në perëndim me Detin Jon dhe Detin Adriatik. Jo shumë larg kufirit lindor ngrihen majat e maleve Bora-Dag dhe Pindit, prej të cilëve, i pari është pjesë e vargmaleve Çar-Dabu.

Më tej, në drejtim të perëndimit, paralelisht vazhdojnë vargmalet e Kandavaskit që, nga njera anë formohen me vargje kodrash të ulëta, ndërsa nga ana tjetër me tarasa të thepisura që bien poshtë drejt bregut të detit. Ato formojnë këneta dhe laguna që kundërmojnë një aromë fort të keqe. Pjesën jugore të Pindit e rrethojnë lugina të thella, ndërkohë që krahët e tyre perëndimore humbasin në malet e egër dhe kaotikë të Shqipërisë së poshtme, domethënë Epirit, të cilat arrijnë lartësinë e 4-5 këmbëve [rreth 1.200-2.000 metra-L.Z.]. Lumenjtë më të rëndësishëm të Shqipërisë janë Buna, Drini, Shkumbini, Vjosa, Ahroni, Arta dhe pjesa e sipërme e lumit Aspropatamos. Liqenet më me emër janë ai i Shkodrës, Ohrit dhe Janinës.

Një klimë e mrekullueshme e lehtë midis maleve të afërt dhe detit, i fton banorët për të punuar tokën, por fatkeqësisht kudo ajo është e abandonuar. Në pjesën veriore të vendit, i gjithë prodhimi i drithi përbëhet nga misri. Në pjesë të tjera prodhohet orizi dhe tërshëra, ndërsa kudo në mal, më shumë merren me rritjen e derrave. Sasia më e madhe dhe ajo e llojeve të ndryshme të prodhimeve bujqësore, gjëndet në Epir, ku në lugina ka prodhime të bollëshme të manave, ka platancione me ullinj dhe fruta të ndryshme, ndërmjet të tjerave edhe platacione me vreshta dhe me misër. Shpatet e maleve të padeportueshëm, janë të mbuluara me pyje. Madje, akoma më poshtë jugut, mund të prodhohrn edhe fruta tropikale, si dhe orizi dhe pambuku, në rast se nuk do të egzistonte plogështia e banorëve vendas.

Në numër banorët e Shqipërisë janë 1.900.000 vetë dhe përbëjnë një popull të veçantë që quhen albanezë ose arnautë, ndërsa në gjuhën e vendit ata quhen shqiptarë, që do të thotë banorë të maleve. Ata janë pasarrdhës të Ilirëve të lashtë, të përzier me grekë dhe me sllavë dhe nuk duhen ngatëruar me albanezët që banojnë në Detin Kaspik. Ata janë fise të forta malësore dhe plot energji, akoma gjysëm të ashpra si në luftime, ashtuedhe në plaçkitje dhe në vjedhje, të cilën madje e vlerësojnë edhe si virtut, prandaj e dhe veten e quajnë si rrëmbyes. Ndonjëherë banorët e bregdetit ndezin edhe zjarre të mëdhenj për të tërhequr anijet që të zbarkojnë në vende të caktuara, nga ku pastaj i plaçkitin. Megjithatë, në përgjithësi shqiptarët janë të varfër.

Gratë shqiptare karakterizohen nga një punë e gjallë dhe e lodhshme, sepse pothuajse i gjithë artizanati ndodhet në duart e tyre.

Shqiptari është i hapur ndaj mikut, por i fshehtë dhe i rezervuar ndaj armikut. Karakteri zotërues i tij është gjakmarrja, i cili shpesh transformohet në një hakmarrje të përjetshme.

Pothuajse gjithë banorët e këtushëm, dikur kanë qenë të krishterë, por, pas vdekjes të princit të fundit të tyre, heroit Skënderbe dhe okupimit të vendit prej Turqisë, pjesa më e madhe e popullsisë kaloi në fenë myslimane.

2

Në jug, në luginat e thepisura të Aheronit, banon një fis luftarak dhe trim, i përmendur për luftën plot rezistencë kundër Ali Pashës. Në veri, midis lumit Drin dhe detit, është selia shekullore e Mirditorëve luftarakë të besimit katolik, të cilët, deri tani, kanë mbrojtur me shpatë në dorë besimin e tyre.

Shqipëria ndahet në pashallëkun e Janinës, Elbasanit dhe Shkodrës. Qytetet më të rëndësishme të saj janë: Durrësi, Vlora, Parga, Shkodra, Elbasani, Berati, Arta, Prizreni, Ohri dhe Janina.

Të dhëna më të plota dhe më të sakta për Shqipërinë dhe banorët e saj jep Cypryjan Robert (për një kohë zëvendësi i një farë Mickeviçi në katedrën e liteaturës sllave në Collège de France), në veprën e tij: “Les sllaves de la Turquie”. (2 vëllime, Paris 1844).

Të lashtët me emrin Albania kanë quajtur edhe krahinën aziatike që shtrihet midis Iberyjgit dhe Detit Kaspik, aty ku sot ndodhet Shirvani dhe Dagestani (Përktheu nga origjinali: Leonard Zissi). /KultPlus.com

Agron Shala zgjedhet aktori më i mirë në festivalin Cineuphoria Film Awards

Aktori kosovar Agron Shala, del të jetë fitues në një prej festivaleve të njohura siç është Cineuphoria Film Awards, shkruan KultPlus.

Në këtë festival, aktori kosovar është zgjedhur si aktori më i mirë në film të shkurtër për rolin e tij në filmin ‘Forgive Me’ të regjisorit, Besim Ugzmajli.

Lajmin e ka bërë të ditur regjisori Ugzmajli, teksa ka uruar aktorin për këtë çmim dhe ka treguar rëndësinë e këtij çmimi.

“Aktori më i mirë në film të shkurtër Cineuphoria Film Awards për Agron Shala, shumë urime!!! Për të kuptuar rëndësinë e këtij çmimi, duhet të përmendim faktin se në kategorinë për aktori më të mirë në film të gjatë ka fituar aktori Rami Malek nga Bohemian Rhapsody.
Ndërsa filmi Forgive me ka qenë i nominuar për regjinë dhe filmin më të mirë të shkurtër, ndërsa në kategorinë e filmit të gjatë ka fituar Alfonso Cuarón me filmin Roma”, ka shkruar Ugzmajli.

Ndryshe filmi “Forgive Me” deri më tani është prezantuar në disa festivale shumë të rëndësishme në botë.

Filmi Forgive me (Më fal), është realizuar në vitin 2018 me vetëfinancimin e producentëve Besim Ugzmajli dhe Agron Shala, ndërsa aktorët në këtë film janë: Agron Shala, Semira Latifi, Igballe Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca.

Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Bujari e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta./ KultPlus.com

“The Washington Post”: Në Shqipëri, te tradita antike dhe plazhet e bukura

Vendi ynë vlerësohet e rekomandohet si vendi i traditave antike, plazheve të bukura dhe të lira mesdhetare, kulturës e historisë nga prestigjiozja “The Washington Post” në një artikull kushtuar Shqipërisë.

Mes magjisë së vendit bregdetar dhe lashtësisë, “The Washington Post” nënvizon fort mikpritjen që ka mbetur e pandryshuar nga kohët.

MIRËMËNGJES, dhe me këtë artikull të shkruar bukur nga “The Washington Post” dedikuar Shqipërisë dhe atraksioneve të jashtëzakonshme turistike të saj, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama duke publikuar artikullin e plotë kushtuar vendit tonë.

”Në vijë të drejtë – siç e konfirmon edhe Google – bregdeti ishte vetëm çështje miljesh larg. Një udhëtim i lehtë me makinë dhe ne do të ndiheshim mirë në Mesdhe. Në vend të kësaj, makina lëvizte përgjatë rrugëve të papastra duke ndaluar nga ndonjë dhi e vetmuar apo karrocë, ndërsa shoferi buzëqeshte nga reagimi ynë.

Papritmas temperaturat u ulën, ndërkohë që filluam ngjitjen në malet e mbështjella nga mjegulla, me maja të veshura që dukej se fusnin hundën në re. Përshëndetje, harta Google?! Makina ngadalësoi shpejtësinë, ndërsa kalonim bletërritësit, të cilët shisnin kavanoza me mjaltë në anë të rrugës. Dhe më pas vazhdojmë nën retë e dendura dhe detin që shkëlqen nga poshtë. Duke bërë gjeste triumfuese, shoferi e ndaloi makinën në një vend me pamje të bukur. Dolëm nga makina për ta shijuar.

Unë dhe ime motër ishim në kërkim të një destinacioni mesdhetar për një pushim të shkurtër veror. Kriteri i vetëm? Jo pushime në një vend të rrahur nga era, por një aventurë që do të mundësonte shumë plazhe të bukura, not në det të hapur dhe kulturë.

Albania, apo Shqipëria siç e quajnë vendasit, ka turistë të shumtë. Ndërsa dreka për dy vetë në Korfuzin e afërt, një destinacion popullor pushimi në Greqi, mund të kushtonte fare mirë 60 dollarë, në Shqipëri hëngrëm drekë si për festë për më pak se 20 dollarë.

Dhe më vonë kishim ato udhëtime epike – krejtësisht të papritura në një vend me përmasat e Merilendit. Do të mësonim se Qafa e Llogorasë, ku ishim tani, është një nga rrugët e shtruara më të larta të Europës – një udhëtim emocionues nëpër kushte të ndryshme klimaterike – nga nxehtësia e peizazheve mesdhetare deri te mjegulla dhe pyjet me gjelbërim të përhershëm. Më poshtë, ne mund të shihnim një brez të rërës të bardhë në bregun e detit Jon. Këto plazhe të pazhvilluara në formën e gjysmëhënës janë disa nga gjërat më të bukura që mund të gjeni në një hapësirë të kaltër.

Jashtë, gjinkallat gumëzhinin dhe aroma e rigonit të pjekur nga dielli përhapej në makinën tonë. Ne zbritëm nga retë në Rivierën Shqiptare. Një varg si perlë e qyteteve bregdetare shtrihej në jug drejt kufirit grek. Shqiptarët mund të jenë një grup njerëzish i dashuruar me muzikën elektronike të klubit që i tund klubet e plazhit deri në orët e vona.

Edhe nëse nuk je një buf nate, mund të gjesh kënaqësi përgjatë këtij shtrati idilik të vijës bregdetare. Ne e gjetëm atë në Qeparo, një fshat i përgjumur, i rrethuar midis maleve dhe detit. Ne u bashkuam me pushuesit shqiptarë vendas në shezlongët e plazhit (pesë dollarë në ditë) dhe pamë të gjitha ujërat ku – sipas legjendës së shkëlqyer të Homerit – Odiseja doli në breg në Korfuz.

Pas rënies

Por, më lejoni t’ju rrëfej për Shqipërinë, “vendin e shqiponjave”, një vend me legjenda të vjetra dhe personazhe përfshirë një trim luftëtar të shekullit XV, Skënderbeun, një mbret i shekullit XX, i quajtur Zog dhe një diktator komunist, Enver Hoxha, i cili vulosi kufijtë e vendit për 40 vjet, ndërsa ngriti bunkerë betoni në çdo cep të vendit. (Ndoshta, ai nuk ishte paranojak, Hoxha thuhet se u mbijetoi 50 tentativave për atentat.) Kur regjimi i tij komunist ra në vitet ’90, qytetarët ikën masivisht nga vendi. Sot, Shqipëria është një vend me tradita të lashta të përziera me ambicie moderne.

Nga plazhi në Qeparo, ne lidhim çantat e shpinës për një ngjitje në kodrat që duket se kanë përqafuar vijën bregdetare të detit Jon. Ne ndalemi me ngurrim në rrugën që ndahet në dysh. Një treshe zotërinjsh të moshuar, ulur jashtë në një kafene, na nxisin, duke bërë me gisht përpjetë. Duke shprehur falënderimet tona, ne fillojmë ngjitjen që do të na çojë në peizazhin e egër me diell të Mesdheut, këngën e vazhdueshme të gjinkallave që ndërpritet vetëm nga thirrjet e një bariu. Era sjell aromën e livandos, nenexhikut dhe lulemines; zhurma e largët e këmbanës së kishës së fshatit dëgjohet nëpër luginë. Dhe pastaj fshati i vjetër i Qeparoit afrohet: një bastion shekullor prej guri që kapet në një majë kodre, deti që shkëlqen shumë më poshtë.

Këtu, ndërsa kalojmë përmes rrugicave, nën hijen e hardhive, kalojnë disa zonja të moshuara të veshura tradicionalisht me të zeza. Qyteti “i ri” i Qeparoit është vendosur në bregdet shumë më poshtë, por ky fshat i vjetër, i harruar, ende ekziston në gjithë lavdinë e tij të lashtë. Zukatja e bletëve, ”fluturimet” e rrobave nga telat ku janë nderur, lulet e trëndafilave bëjnë kontrast me muret e lyera… Ne kemi ecur në kohë.

Ne tronditemi përsëri ndërsa shohim një makinë të parkuar, të pikturuar si një flamur i madh, i kuq, shqiptar, me krahët e shqiponjës së zezë të shtrirë në të gjithë kofanon e makinës. Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbeu mbajti një flamur të një shqiponje me dy koka në betejë kundër osmanëve në shekullin XV. Flamuri i shqiponjës është një simbol i krenarisë kombëtare. Vetë vendi është krejtësisht unik; gjuha shqipe nuk është e lidhur me gjuhët sllave ose gjuhët romane që rrjedhin nga latinishtja dhe zë degën e vet të familjes indoeuropiane. Një nga vendet më të vogla në botë, Shqipëria nuk ishte pjesë e Jugosllavisë së Titos.1 nga 3  

Më vonë atë pasdite, ne marrim një tjetër mësim historik për mirësjelljen e menaxherit ortodoks grek të një restoranti përpara detit. Në restorantin ”Barbarossa”, shumë elegant, shërbehen ushqime deti të shijshme dhe pjata tradicionale si spinaq me erëza.

Familja e menaxherit u largua nga Shqipëria pas rënies së regjimit komunist dhe ai mori zanatin e kuzhinierit duke punuar në ishullin grek të Parosit.

“A e dini lidhjen e Shqipërisë me Enean? Ne shqiptarët dëshirojmë të gjejmë figurat tona historike nga Antikiteti”, shpjegon ai me një buzëqeshje duke na ofruar një pjatë bujare me shalqin për ëmbëlsirë. Qyteti i lashtë i Butrintit, në Shqipërinë e Jugut, u themelua nga trojanët, të cilët ikën pas rënies së Trojës. Siç përshkruhet te “Eneida” e Virgjilit, Butrinti u ndërtua për t’u dukur si një miniTrojë.

Disa ditë më vonë, ne e gjejmë veten duke ecur ngadalë mbi rrënojat arkeologjike të Butrintit, që në vitin 1992 u shpall Trashëgimi e UNESCO-s. Duke datuar që nga shekulli XIII përpara Krishtit, Butrinti është një vend me bukuri të pashoqe, një park natyror i pyllëzuar, i mbushur me ekualipte dhe që laget nga baticat e detit. Madje, edhe turmat e vizitorëve njëditorë që marrin anijet nga Korfuzi nuk mund ta zvogëlojnë misticizmin e tij. Aty ka rrugë të ndërtuara nga helenët, një teatër dhe banjo romake, një bazilikë të madhe nga periudha e hershme kristiane (shekulli VI) dhe një kështjellë veneciane të shekullit XIV.

Pas disa orësh në vapën e mesditës, ne freskohemi në qytetin e afërt të Ksamilit, ku çdo centimetër i bregdetit të tij është i mbushur me lokale plazhi. Prej këtu ju mund të notoni drejt tre ishujve të vegjël, që pluskojnë në Mesdhe, pas komardareve të mëdha në formën e kuajve njëbrirësh dhe varkave me pedale.

Mikpritja dhe folklori

Një vështrim i shpejtë te librat e autorit shqiptar, Ismail Kadare, i cili fitoi për herë të parë çmimin ndërkombëtar ”Man Booker International Prize”, në vitin 2005, është një zhytje në folklor, traditë dhe shprehje të çuditshme si – ”dhi e zgjebosur dhe bishtin përpjetë” – për të mos përmendur gjakmarrjen dhe krenarinë mashkullore. Kadare bën referenca të shumta me Kanunin e Lekë Dukagjinit, kodin antik të ligjeve shqiptare të bazuara mbi nderin dhe mikpritjen.

”Shtëpia jonë i takon Zotit dhe mikut”, thotë një sentencë e vjetër.

Kjo mikpritje manifestohet në Berat, i njohur si ”qyteti i një mbi një dritareve”, një trashëgimi e mrekullueshme e Perandorisë Otomane, që ndodhet në qendër të Shqipërisë. I njohur si Trashëgimi e UNESCO-s, Berati është i njohur për shtëpitë e tij të bardha të stilit otoman, që i ngjiten një faqe kodre mbi lumin Osum. Qyteti ra nën kontrollin e turqve osmanë në vitin 1450, por kështjella e tij daton që nga shekulli IV përpara Krishtit. Ndërthurja kulturore është e dukshme në ansamblin e kishave bizantine dhe xhamive.

Kur mbërritëm në hotelin ”Mangalemi”, që drejtohet nga një familje, i ndërtuar mbi një shtëpi të madhe të shekullit XVIII, ne u pritëm me pije dhe buzëqeshje, pikërisht si motoja e re e turizmit shqiptar ”Buzëqeshje nga Shqipëria!” (”Smile from Albania!”). Hotel ”Mangalemi” ofron një pritje të ngrohtë, pa përmendur një restorant dhe një tarracë panoramike të jashtëzakonshme, vetëm për 45 dollarë nata.

Si për të provuar se mikpritja është ligj në këtë vend, më vonë ne ngecëm në një restorant që gjendej brenda shtëpisë së një djali që quhej Lili. Ai na shoqëroi në një tavolinë në kopshtin e shtëpisë, ndërkohë që bashkëshortja e tij përgatiste specialitete tradicionale si byrek me spinaq dhe fërgesë, për t’u ”shpëlarë” me verën e prodhuar nga babai i tij. Ne nuk parashikuam as gotat me raki të fortë që Lili na dha pasi hëngrëm.

Përpara se të iknim për në Korfuz, ne qëndruam në Sarandë, resorti popullor i pushimeve dhe një pikë kyçe e bregdetit jugor të Shqipërisë. Me të mbërritur, na u shfaq një pamje e vrullshme ndërtimesh të larta mbi plazh. Por, ky port ka një atmosferë fantastike. Në pikë të mëngjesit, sarandjotët notonin përgjatë bregut pa çarë kokën për trafikun e anijeve. Çadra të shumta shumëngjyrëshe ndodhen në rërën me guralecë, ndërkohë që restorantet që ofrojnë ushqime të shijshme gumëzhijnë.

Në mbrëmje, një turmë e zhurmshme na çon drejt ballkoneve për të parë se çpo ndodh. Duke vëzhguar me kujdes nga shëtitorja përgjatë bregut, ne pamë një paradë njerëzish – gjyshër, fëmijë, adoleshentë të dashuruar – duke bredhur ngadalë pranë detit, ndërkohë që dritat e verës veniteshin në errësirë. Në Shqipëri, ”xhiroja”, apo shëtitja e mbrëmjes, është një ritual i shenjtë dhe aktivitet rekreativ.

Mallkuar qoftë gjakmarrja historike. Si mund të rrimë ne pa e pëlqyer një vend, koha e lirë e të cilit është thjesht një shëtitje në mbrëmje? Ne zbritëm shkallët për t’u bashkuar me ta”. https://www.washingtonpost.com/lifestyle/travel/in-albania-age-old-traditions-and-mediterranean-beaches-on-the-cheap/2019/01/10/9a744ca2-0d1e-11e9-831f-3aa2c2be4cbd_story.html?fbclid=IwAR1ELiH_SeasRWX9a-ipvFKldMz_ZEv4i33pRmYbl_tM8p_phBeal3l2wBI&noredirect=on&utm_term=.8d335c01ba2f

Maroon 5 do të udhëheqë spektaklin në “Super Bowl”

Pas disa muajsh spekulimesh është konfirmuar se Maroon 5 do të udhëheqë spektaklin ndërmjet pushimit të dy pjesëve në “Super Bowl”.

Derisa mysafirë do të jenë edhe Travis Scott e Big Boi, përcjell Koha.net shkrimin e Daily Mail.

Spektakli do të jepet në stadiumin “Mercedes Benz” të Atlantas.

Zgjedhja e parë e NFL-së ishte Rihanna, megjithatë ajo raportohet se ka refuzuar të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme sportive në SHBA.

“Super Bowl” i 53-të do të zhvillohet të dielën, më 3 shkurt. /KultPlus.com

#SBLIII pic.twitter.com/dWKJQDS9ap— Maroon 5 (@maroon5) 13 January 2019

Kur Konica këshillonte Princ Wiedin të ruhej nga intrigantët në Shqipëri

 

Periudha e qeverisjes së Wiedit në Shqipëri (7 mars – 3 shtator 1914) u mbizotërua nga kontradikta të mëdha të brendshme dhe të jashtme. Konfliktet e brendshme buronin nga heterogjeniteti fetar i popullsisë shqiptare, politikat personale të figurave politike dhe po ashtu edhe nga tentativa e instalimit në Shqipëri të një pushteti ksenokrat. Rivalitetet dhe interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha gjatë Konferencës së Ambasadorëve, para së gjithash të Austro-Hungarisë dhe Italisë, e kishin kthyer Shqipërinë në një “kukull loje”. Këtë gjë e dëshmon edhe përzgjedhja e një figure të panjohur gjermane në krye të shtetit të ri shqiptar, siç ishte Wilhelm zu Wied.

Kushtet dhe situata në të cilën Fuqitë e Mëdha vendosën të krijojnë Shqipërinë ishin shumë më të pafavorshme sesa në vendet e tjera të Ballkanit. Zhvillimi i vonuar social-ekonomik i vendit, niveli i lartë i analfabetizmit, heterogjeniteti fetar, një elitë shqiptare e brumosur me mentalitet turk, mungesa e infrastrukturës dhe prapambetja e shoqërisë shqiptare si edhe konfliktet e armatosura me vendet fqinjë e vështirësonin ngritjen e shtetit shqiptar.

Kandidaturat e paraqitura nga Austria dhe Italia për fronin shqiptar ishin të shumta. Edhe patriotët shqiptarë ishin fillimisht të ndarë mes tyre se cili duhej të ishte mbreti i tyre i ardhshëm.

Një nga mbështetësit e Wiedit ishte edhe Faik Konica. Sipas tij, Wiedi krijonte një përshtypje korrekte, por ajo që për atë dhe shumë të tjerë nuk kuptohej ishte ngadalësia që ai vepronte gjatë përgatitjes për të ardhur në Shqipëri. Ndër të tjera, Konica shprehej në një intervistë të dhënë në gazetën “Freie Prese” më 27 janar 1914 se: “[…] Popullit shqiptar i pëlqen Princ Wiedi, si pasojë e cilësive të tij si ushtarak. Le të shpresojmë që, këto cilësi, nuk do të mposhten nga pasiguria dhe hezitimet e një diplomati”.

Wilhelm zu Wied lindi më 26 Mars 1876 në Neu Wied. Më 3 qershor 1897, në moshën 21-vjeçare, ai nisi karrierën ushtarake si nëntoger në regjimentin e III-të të kalorësisë së Gardës Prusiane, në Potsdam. Ky regjiment ishte i njohur për numrin e tij të madh të oficerëve me origjinë nga familjet e larta aristokrate gjermane. Madje edhe vetë Perandori Wilhelm II kishte shërbyer në të.

Wiedi u përshtat shumë shpejt në jetën ushtarake. Ai gëzonte respektin e shokëve dhe vartësve të tij. Po ashtu edhe në jetën civile, ai shfaqej i matur, i kujdesshëm dhe shquhej për drejtësinë e tij.

Më 30 nëntor 1906 u martua me Princeshën Sophie von Schönburg-Waldenburg (Sofi fon Shënburg-Valdenburg). Martesa dhe detyrat e tij në regjiment, nuk e penguan atë të përgatitej dhe të kalonte me sukses provimin e pranimit në Akademinë e Luftës. Më 19 Dhjetor 1907, Wiedi mori gradën e togerit dhe më 20 Mars 1911 gradën e kapitenit. Në Potsdam lindën edhe dy trashëgimtarët e familjes Marie Eleonore (Mari Eleonore) dhe Carol Viktor (Karl Viktor).

Pas përfundimit me sukses së Akademisë së Luftës në Berlin, e cila zgjati tre vjet, Wied-i u kthye përsëri në regjimentin e tij. Pak kohë më vonë, pasi u gradua kapiten, ai u emërua në Shtabin e Përgjithshëm në Berlin.

Pas disa vitesh shërbimi në Shtabin e Përgjithshëm, ai u kthye përsëri në Potsdam si “Rittmeister” (kapiten i kavalerisë) dhe u emërua komandanti i një skuadroni në po të njëjtin regjiment që kishte qenë dikur. Propozimi për të marrë kurorën e Shqipërisë e gjeti Wied-in në këtë detyrë.

Gjatë ceremonisë së largimit nga regjimenti, Wiedit ju dha grada “Major à la suite”. Kjo do të thoshte që Wiedit i lejohej të vishte uniformën ushtarake, por që nuk ishte më pjesë organike e repartit të tij. Më tepër ky ishte një titull nderi që jepej për aristokracinë gjermane, të cilët, në raste të caktuara, pas largimit nga shërbimi aktiv, u lejohej të vishnin uniformën e tyre.

Konica shkoi në Potsdam [Berlin] në fundvitin 1913 për t’u takuar me Wiedin dhe për ta këshilluar personalisht atë për detyrën e vështirë që ai kishte marrë përsipër. Çfarë e këshillonte ai Wiedin dhe si e vlerësonte Konica Shqipërinë e viteve 1913, del qartë në Kujtesën që ai i dërgoi Wied-it më 9 dhjetor 1913 nga Potsdami, të cilën po e botojmë të plotë:

Kujtesë

Për Lartësinë e tij, Princin Wilhelm zu Wied,

Nga Faik Konica, në Potsdam [Berlin] më 9 dhjetor 1913

Lartësia juaj, Princi Wilhelm zu Wied,

Që prej momentit që u përzgjodhët sovran i Shqipërisë nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, të gjithë patriotët shqiptarë janë gati për t’ju shërbyer me besnikëri e për t’ju ndihmuar në realizimin e detyrës së lavdishme të konsolidimit dhe zhvillimit të kombit shqiptar. Së pari, është shumë e nevojshme që, familja mbretërore, të bëhet e njohur në popull dhe sovranit t’i jepet një autoritet moral që nxit respektin dhe bindjen [përuljen] e popullit ndaj tij. Populli shqiptar, si një nga popujt më monarkikë të Ballkanit, ka tashmë besim të plotë te sovrani i tij i ardhshëm dhe e pret ardhjen e tij si Udhëheqës i domosdoshëm e shpëtimtar, i cili do të dijë ta drejtojë atë [popullin] në rrugën e duhur.

Por, suksesi i kësaj dinastie të re do të varet nga realizimi i idealeve që populli ka krijuar për këtë Princ, gjë që mund të përmblidhet me disa fjalë.

Nëse gjatë regjimit turk triumfuan më të shkathtët e më të shpejtët, me regjimin e ri, populli shpreson se do të jetë koha e njerëzve të ndershëm dhe të drejtë. Princi do të bënte mirë të vendoste sinqeritetin në themel të qeverisjes së tij. Pa diskutim, duhet të lihen mënjanë e të largohen gjithë intrigantët që nuk janë të aftë t’i futen punës. Këta njerëz, në vend që të përpiqen për zgjidhjen e problemeve të mëdha të kombit, preferojnë të fshihen në prapaskenat e oborrit mbretëror dhe në momentet e vështira, janë të parët që dezertojnë dhe rendin drejt padronëve të rinj. Favorizimi duhet të zhduket një herë e mirë nga Shqipëria.

Të njohësh njerëzit, ashtu si janë realisht dhe jo si mundohen ta shfaqin veten te miqtë apo armiqtë e tyre, përmbush gjysmën e asaj që anglezët e quajnë “King craft”, ose arti i të mbretëruarit. Dhe gjysma tjetër e këtij arti përkon në zgjedhjen e burrave të zotë e të drejtë dhe që bota i njeh si të tillë.

Analfabetët, hajdutët, vrasësit dhe tradhtarët duhen mënjanuar nga shërbimi publik. Kjo vërejtje duket e padobishme, por për fat të keq është e nevojshme. Në mesin e funksionarëve dhe xhandarëve të qeverisë provizore që vuan sot Shqipëria, pjesa e tyre më e madhe nuk di të shkruajë dhe të lexojë. Pothuajse të gjithë janë hajdutë ose vrasës të njohur dhe madje, disa prej tyre, janë kundërshtarë të ashpër të mëmëdheut shqiptar. Mbajtja e tyre në pushtet, ndërkohë që në Shqipëri ka elementë të arsimuar, të ndershëm dhe patriotë të gatshëm për t’i shërbyer atdheut, do të çonte drejt një katastrofe të madhe. Një studim i detajuar mbi lëvizjen tonë kombëtare gjatë këtyre 18 viteve të fundit, duke përfshirë në të qoftë personat që kanë luajtur një rol të rëndësishëm për atdheun, qoftë spiunët e administratës turke, është më se i nevojshëm për të krijuar një ide të saktë mbi karakteret e shqiptarëve.

Është e rëndësishme të mos harrojmë 2 fakte:

– së pari, vetëm në sajë të nacionalistëve, të cilët arritën të zgjojnë ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe të krijojnë një lëvizje pavarësie duke e paguar këtë me mijëra sakrifica, u bë e mundur që Austria të mbrojë përpara Evropës tezën e ekzistencës së një kombi shqiptar;

– së dyti, zgjedhja e princ Wied-it u bë e mundur nëpërmjet veprimtarisë aktive të përditshme të nacionalistëve, në gazeta, takime si dhe në kongresin e njohur të Triestes të marsit 1913, të cilët mbrojtën dhe forcuan parimin se, princi i zgjedhur, duhej të ishte evropian dhe i krishterë. Pra, populli pret që të jenë nacionalistët ata që gëzojnë vlerësimin dhe besimin e sovranit dhe jo turqit e vjetër apo të rinj.

Tre pika kryesore vihen re në programin e nacionalistëve:

1. Gjuha shqipe si e vetmja gjuhë zyrtare në administratën e vendit.

2. Qeverisja e vendit nga parlamenti.

3. Garantimi i lirisë absolute të shtypit.

Çështja e parë nuk ka nevojë të mbrohet, kuptohet vetvetiu.

Ndërsa për çështjen e dytë, mund t’i trembemi faktit se, Austria dhe Italia, edhe pse nisur nga qëllime të mira, mund të japin këshilla të gabuara, të bazuara në frikën e rremë se në Shqipëri nuk ekziston një opinion publik; dhe për rrjedhojë mund të krijohet një qeverisje despotike. Sigurisht, këto do të ishin këshilla të mjerueshme, por njëkohësisht dhe shumë të rrezikshme. Absolutisht që Shqipëria ka nevojë për drejtësi dhe vendosmëri në qeverisje dhe jo për despotizëm. Është e vërtetë që, gjatë viteve të para të qeverisjes, një senat, ose asamble këshillimore, i emëruar nga Princi, por i përzgjedhur me kujdes, mund të zëvendësojë dhe të krijojë kushtet për ngritjen e një regjimi parlamentar. Me të gjitha defektet e njohura që mbart, kjo është e vetmja mënyrë për të kanalizuar pakënaqësitë dhe për të ofruar një garanci serioze për dinastinë.

Në lidhje me çështjen e tretë, atë të lirisë së shtypit, është për t’u patur parasysh që, çdo përpjekje për ta kufizuar këtë liri do të çonte në krijimin dhe publikimin e gazetave opozitare në kryeqytetet e disa shteteve të vogla fqinje. Kjo opozitë e organizuar tek armiqtë e Shqipërisë, do të ishte shumë herë më e rrezikshme, në krahasim me atë që do të krijohej brenda vendit, pasi kjo e fundit do të ishte më e lehtë për t’u mbajtur brenda kufijve normalë. Kuptohet që ajo [liria e shtypit] duhet të qeveriset nga një ligj serioz mbi shpifjet, siç ndodh edhe në Angli.

Nëse sovrani i merr në konsideratë këto pikëpamje, atëherë dinastia do të jetë e sigurtë dhe me një popullaritet të qëndrueshëm dhe jetëgjatë. Por, për momentin, ka disa probleme të ngutshme. Është shumë e rëndësishme që Princi të mos zbarkojë në Shqipëri pa qenë i ftuar më parë nga vendi dhe të mos vijë vetëm si një zgjedhje e Fuqive të Mëdha, pasi autoriteti i tij moral mund të vuante pasoja.

Ftesa e popullit shqiptar është e sigurtë, por në kushtet aktuale ajo mund të marrë një formë tjetër, në trajtën e një delegacioni të përzierë, me përfaqësues të gjashtë rajoneve administrative autonome, të cilat janë edhe ndarjet e përkohshme [qeveritë lokale] në Shqipëri.

Thirrja e një asambleje kombëtare për të miratuar përzgjedhjen e Fuqive të Mëdha, do të ishte e rrezikshme për shkak të karakterit anti-katolik që fatkeqësisht, shtypi dhe agjentët italianë, misionarët protestante shqiptarë dhe vetë Esat Pasha, i kanë veshur kandidaturës së Princ Wied-it. Pas pritjes që do i bëhet delegacionit gjithëpërfshirës, Princi duhet të udhëtojë për një periudhë të shkurtër në Krujë, kryeqytetin historik të Shqipërisë, për t’u prezantuar si princi mbretërues, ose më saktë mbreti i vendit, pasi populli shqiptar parapëlqen këtë titull që e mbart prej një kohe të gjatë edhe mbreti i Malit të Zi.

Për sa i përket karakterit prestigjioz, zbarkimi i princit duhet të shoqërohet me shumë shkëlqim dhe pompozitet. Eshtë shumë e domosdoshme gjithashtu, që anijet austriake dhe italiane të shoqërohen të paktën nga një luftanije angleze.

Pas një vizite 2-3 ditore në Krujë, Princi mund të zgjedhë lirshëm kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë. Për këtë, Durrësi është një qytet që i rekomandohet në mënyrë të veçantë Lartësisë Tuaj për shkak të pozicionit gjeografik qendror të tij.

Për çdo rast, nëse Princi nuk dëshiron të bëhet lojë në duart e disa intrigantëve dhe kryehajdutëve, të cilët kanë mbushur me njerëzit e tyre radhët e policisë dhe xhandarmërisë, i duhet kërkuar Fuqive të Mëdha që të vendosin në kryeqytetin e përkohshëm shqiptar një garnizon të trupave ndërkombëtare të Shkodrës. Mendoj që një batalion është i mjaftueshëm.

Pasi të gjitha këto të jenë vënë në vijë, Princi duhet të emërojë personalisht dhe individualisht disa ministra, për secilin departament. Për disa arsye, të cilat pata nderin t’i paraqes gojarisht dhe mendoj se janë të tepërta për t’i përsëritur këtu, për momentin është e pamundur të ngarkosh një njeri të vetëm për formimin e një kabinet homogjen. Emërimi i një kryeministri do të sillte shumë vështirësi. Për momentin do të ishte e preferueshme të zgjidhen ministra pa lidhje direkte me njëri-tjetrin, të kryesuar nga shefi i shtetit, siç është rasti i SHBA-së.

Në rast se kjo ide nuk ju duket praktike, atëherë mund të përzgjidhet si kryeministër pa portofol një njeri i njohur si i paanshëm, siç është pronari i madh, Omer Pashë Vrioni. Për të thuhet se është i ndershëm, por paaftësia e tij është e njohur dhe këshillat e tij në përzgjedhjen e ministrave do të ishin pa vlerë.

Nuk do t’ju kujtoj argumentet e mia në favor të përzgjedhjes së një kryeqyteti tërësisht të ri. Kjo çështje do të diskutohet në thellësi kur të vijë momenti i duhur dhe do të jetë objekt i një kujtese speciale që do të kem nderin t’i parashtroj Lartësisë Tuaj.

Berlin, 9 dhjetor 1913

Nënshkruar nga Faik Konica

Nënë e bir diplomohen për një ditë

Studimet janë shumë të rëndësishme për karrierën e secilit, dhe punën që do të bëj në të ardhmen, mirëpo jo të gjithë diplomohen me kohë, për arsye të ndryshme.

Mirëpo, për disa nuk ka rëndësi se kur fillojnë studimet e kur i mbarojnë ato, e rëndësishme të të kesh një diplomë.

E tillë është edhe Fatime El-Gafilij 48-vjeçare e cila ka diplomuar në të njejtën ditë me djalin e saj 22-vjeçar. Ajo çka është më interesntja këtu është se nëna ka arritur rezultate më të mira se biri i saj.

48-vjeçarja nga Arabia Saudite dhe i biri 22-vjeçar janë pranuar në nja nga universitet e SHBA-së dhe të dy kanë marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit, ku nëna është diplomuar në matematikë kurse i biri në inxhinierinë e naftës.

Fatime El-Gafilij ka në plan që të vazhdojë më shumë thellimet e saj në rrugën e studimeve, ajo ka në plan të vazhdojë studimet pas universitare, master dhe më pas doktoraturë, duke ndjekur gjurmët e të shoqit, i cili është diplomuar në të njëjtin universitet. /KultPlus.com

Kosova me bardhësinë e borës dhe me ngricat e politikës

Nga Nue Oroshi

Acari i dimrit ka mbuluar me borë Kosovën. Krahas këtij acari që e ka kohën kemi edhe acarin politikë. Si do i përballon Kosova këtyre dy acarëve mbetët të shihet në të ardhmen. Burazonet e heshtjës e kanë kapluar mendimin e lirë të qytetarit. Kuloarët vlojnë nga mendimet sesi do të jetë e nesërmja. Qytetarët ballafaqohen me kalimin e veshtirësive jetësore në dimrin me ngricë dhe me borë. Poetët meditojnë se çka kanë në plan për të shkruar, shkrimtarët shkruajnë e shëmbin vargjet e tyre, piktorët janë të mbyllur mbrenda galerive duke bërë ekspertizatë e tyre për portrete të  dukshme dhe të padukshme.

Në një skaj ideologët janë duke menduar për ide te reja se si do të duket skena politike e Kosovës pas dy vitesh. Secili me mendimet dhe idetë e veta mendojnë që ta dërgojnë përpara çështjet që i takojnë.Si duket vetëm lisat e gjatë dhe fushat pjellore e kanë humbur gjelbërimin sepse bardhësia e borës i ka bërë bashkë afër njëri-tjetrit hallegjinjët e shumtë. Skaj një fletore të mbushur me shpresë nxënësit e mendojnë të ardhmën e tyre kurse shumica e fëmijëve kërkojnë një perspektivë. Të rinjët dhe të rejat nuk janë fajtorë pse nuk e gjejnë perspektivën e tyre.

Ata kërkojnë që jeta t´iu mundësoj edhe atyre që të hapin një familje të re,të gjejnë dikund një vend të ri të punës. Ndryshimet politike që do të vijnë mbrenda dy vitesh në Kosovë, do të tregojnë gjithçka. Më së vështiri e kemi ne ideologët e Shqipërisë Etnike, që nuk duhet të na shkojë koha pa e realizuar qëllimin dhe vizionin e bashkimit kombëtarë në një shtet të përbashkët. Ngricat politike që e kanë kapluar Kosovën kanë lënë partitë politike pa vizion dhe pa shtegdalje. Ato sillen në një rreth viciozë pa pasurë një plan të përbashkët apo të përveçshëm se si duhet të dilet nga kriza politike. Liderët në ikje të shumicës së këtyre partive janë lodhur me vetvetën në mungesë të ideve dhe konceptëve politike se si duhet të ecët përpara.

Të vetmën brengë si duket e kanë se çka duhet folur ditën e nesërme,cilën parti apo lider politikë duhet kritikuar duke përdorur atë formulën e vjetër se mbrojtja më e mirë është sulmi. A kanë bërë ndonjë bilancë të aktiviteteve kryeministrat e qeverive tona në Kosovë për këto 20 vjet  të qeverisjës së tyre politike pavarsisht se cila parti ka qenë në krye të qeverisë se sa vende te punës kanë hapur nëpër sektore të ndryshme.

Sa investitor të huaj kanë sjellë në  Kosovë. Sa kanë qenë në gjendje të afrojnë kushte për investime për Diasporën e madhe shqiptare dhe shumë projekte tjera. Kosova me bardhësinë e borës dhe me ngricat politike do të dalë në Pranverë. Por vizioni për të ecur përpara duhet ta mundoj çdo shqiptarë të ndershëm dhe atdhetarë. Meqense politika është një art i veshtirë këtë art mundët ta kryejnë vetëm përsonalitetet që mund ta bëjnë ndryshimin dhe t´i sigurojnë Kosovës një perpektivë të mbarë. Koha e tyre po vjen. /KultPlus.com

Sot 20 vite pa aktorin Shani Pallaska


Aktori i njohur kosovar Shani Pallaska, mbetët një ndër figurat e shquara të kinematografisë shqiptare, shkruan KultPlus.

Ai ishte aktor i teatrit, filmit televiziv, dhe ekranit të madh. Ai u lind në Gjakovë më 1928, por artin e tij e përkreu në Teatrin Krahinor të Prishtinës (TKP) dhe në studion filmike Kosovafilmi.

Bashkë me aktorët Abdurrahman Shala, Istref Begolli dhe Muharrem Qena, Shaniu ishte pionier i aktrimit kosovar. Pas suksesit në Kosovë, Shaniu morri pjesë edhe në projekte filmike në pjesë tjera të ish-Jugosllavisë. Vdiq në Prishtinë më 13 janar 1999.

Filmografia:

Era e mollës (1995)

Tre vetë kapërcejn malin (1981) (TV)

Gjurmët e bardha (1980)

I ikuri (1980) (TV)

“Kur pranvera vonohet” (1980) (Mini seri televizive)

“Era e Lisi” (1979) (Mini seri televizive)

Epoka para gjyqit (1978) (Dramë televizive)

Poseta u noci (Vizite në Natë) (1978)

Duke pritur Godon (1977)

E kafshoja terrin (1977) (TV)

Crveni udar (Sulmi i Kuq) (1974)

Hleb (Bukë) (1973) (TV)

Si të vdiset (1972)

Të ngujuarit (1971) (TV)

Uka i Bjeshkëve të Nemura (1968)

Kapedan Lleshi (1960)

Atje ku nuk lind dielli (1996). /KultPlus.com

Panik në Akademinë e Arteve: Probleme me skenografinë, bie një copë hekuri nga lart

Mbrëmjen e djeshme, në sallën e Akademisë së Arteve u çel sezoni i ri i orkestrës simfonike të Radio Televizionit Shqiptar.

Rreth pesë minuta para se të niste koncerti, krejt papritur, një copë e madhe hekuri ra nga pjesa e sipërme e skenës, gjë që sigurisht përhapi panik te mbarë publiku.

Në redaksinë e Anabel.al mbërritën këto foto nga ku mund të shihni fare qartë hekurin e shkëputur dhe të rënë fare pranë vendit ku do të pozicionoheshin anëtarët e orkestrës.

Për fat të mirë, asnjëri prej tyre nuk gjendej aty pranë në momentin e ngjarjes dhe siç raportohet nga burimet tona, pavarësisht sallës së ftohtë dhe panikut të shpërndarë kudo, orkestra e luajti programin denjësisht.  /KultPlus.com

Greva në arsim që nis nesër, sipas SBASHK-ut mund të zgjasë me muaj të tërë

E hëna pritet t’i gjejë në grevë të gjithë mësimdhënësit, ndonëse është dita kur duhet të fillojë gjysmëvjetori i dytë për vitin shkollor 2018/19.

Rritje të koeficientit për të gjithë mësimdhënësit po vazhdon të kërkojë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Përfaqësues të saj, ditë më parë kanë mbajtur takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, pas ultimatumit që i kanë dhënë Qeverisë për rritje të koeficientit. E, deri në realizimin e kërkesës së tyre për ngritje të pagës, dyert e të gjitha institucioneve të arsimit do të mbesin të mbyllura, raporton KTV.

SBASHK-u thotë se greva, e cila do të fillojë të hënën, është rezultat i pagave dhe kushteve diskriminuese që kanë mësimdhënësit. Ajo, sipas saj, mund të zgjasë me muaj.

Madje, Jasharaj thotë se problemi i tyre mund të zgjidhet shumë shpejt, por nuk po ka interesim për plotësim kushtesh nga Qeveria.

Greva, Jasharaj thotë se është përkrahur nga të gjitha institucionet e arsimit, e fajin, sipas tij, për humbjen e mësimit, do ta mbajnë institucionet qeverisëse.

Mirëpo, vendimi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po merr kritika të shumta nga njohës të çështjeve të arsimit.

Një vendim i tillë, sipas tyre, po merret vetëm për interesa personale, e jo për ngritjen e cilësisë në arsim.

Rinor Qehaja thotë se kërcënimet e SBASHK-ut janë të ndërlidhura çdoherë me paga.

Mësimdhënësit, sipas tij, duhet ta shfrytëzojnë të drejtën për grevë, por jashtë orarit mësimor.

Greva, e cila do të fillojë më 14 janar, do të vazhdojë në afat të pacaktuar. /KultPlus.com

Televizioni publik gjerman me artikull të veçantë për Parkun e Gërmisë

Transmetuesi publik gjerman, ARD, ka publikuar disa fotografi të Parkut të Gërmisë në një artikull të veçantë, kushtuar këtij të fundit.

“Zhyteni vetën në një botë tjetër: Parku i Gërmisë”, është titulluar artikulli i këtij transmetuesi. Tutje, është shoqëruar fillimisht me një fotografi të centraleve elektrike të “Kosovës B” në Obiliq, duke vënë në pah edhe ndotjen që i shkakton djegia e qymyrgurit ajrit. Në artikull theksohet edhe se për shkak të kësaj, Prishtina radhitet e para në qytetet me ajrin më të ndotur në Evropë, shkruan lajmi.net.

“Kualiteti i dobët i ajrit, sidomos përgjatë muajve të dimrit, e radhit Prishtinën të paren në listën e qyteteve më të ndotura në Evropë”, shkruhet në artikull.

Në anën tjetër, ARD ka përmendur edhe Parkun e Gërmisë, në të cilin kualiteti i ajrit është dukshëm më i lartë.

Tekstit të tyre ia kanë bashkangjitur edhe disa fotografi të parkut, së bashku me pijet tradicionale siç është çaji i rusit dhe llojet e kërpudhave që rriten në këtë zonë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu/ KultPlus.com