Është e frikshme se si mund të bëhen të huaj dy persona që dikur e donin njër-tjetrin

Nga Stephanie Reeds

Është vërtetë e frikshme se si dy persona të cilët dikur ishin gjithçka për njëri-tjetrin, kaq lehtësisht mund të bëhen të huaj. Befasohem sa indiferent mund të jemi ndonjëherë.

Mbrëmë isha duke biseduar në telefon me mikeshën time, e cila sapo i ka ndarë rrugët me të dashurin e saj të cilët ishin bashkë për pesë vite. Ajo më tha se e pa atë në rrugë dhe u bë sikur nuk e njohu atë. Dhe ndërsa unë, si njeriu më i besuar i saj, e bëra më të mirën për ta kuptuar se përse ajo kishte vepruar ashtu, por nuk mundo dhe ende hamedësohem….

Si mund të jemi kaq zemërgurë? Si mundet dikush të zhvillojë një apati të tillë?

Mund të supozoj se çfarë do të thoni: Ndonjëherë jeta nuk na jep shumë zhgjidhje, ndonjëherë është për të mirën tonë, ndonjëherë jemi shumë të lënduar për ti shfaqur ndjenjat tona të vërteta, dhe ndonjëherë jemi aq të thyer sa që nuk mund ta hapim as gojën për pëshëndetje.

Por, çfarë ndodh me njerëzit të cilët nuk kanë bërë asgjë gabim?

Ne jemi të huaj, ne biem në dashuri me njëri – tjetrin. Me këta njerëz ne i provojmë disa nga përvojat më të mira në jetë. Ne i ndajmë shpresat, ëndërrat, frikërat dhe pasiguritë me këta persona. Ne e zhveshim shpirtin tonë dhe pastaj i lejojmë ata të gjejnë strehë brenda botës sonë. E gjithë bota sillet rreth asaj qënje njerëzore që na dashuron më shumë se çdo gjë tjetër në botë, dhe pastaj, një ditë, BAM! Gjithçka ndalon!

Shpirti yt vuan dhe zemra të dhemb, por ju pretendoni sikur nuk brengoseni fare!

Zemra juaj ulëron, sytë ju shëndrisin, por ju më përpara i shmangeni se sa që do ta përshëndesnit me një përshendetje miqësore.

A mundet të më tregojë dikush se ku mbeti dashuria? A mos shkoi ajo te partneri tjetër? Apo ajo u shndërrua në këtë boshllëkun brenda zemrës sonë me të cilin ne duhet të mësohemi të jetojmë?

Duket aq natyrale për neve të mësojmë të harrojmë. Ta detyrojmë veten të harrojë. Por prap, e vërteta mbetet. Ju kurr nuk pushoni së njohuri një person të cilit i’a keni hapur zemrën. Në të vërtetë ju kurrë nuk mund ta harroni mënyrën se si ju ka prekur, ose si ju ka bërë të ndiheni, pavarësisht se sa fortë përpiqeni ti shtypni ato ndjesi.

Sepse gjithmonë janë ato kujtime të cilat ju ndjekin pas. Janë gjithmonë ato fragmentet e vockëla që qëndrojnë gjithmonë dhe përgjithmonë të mbërthyera me ju. Ato copëzat e vogla që zgjatohen. Ne e dëgjojmë një këngë që na e kujtojnë atë dhe pastaj e kuptojmë që ndjenjat brenda nesh janë ende gjallë. Ndoshta edhe nuk kanë vdekur kurr, pavarësisht përpjekjeve tona të mëdha për ti futurë në një shishe dhe për ti hedhur sa më larg të mundemi.

Mjerisht, në fund gjithmonë del në pahë një gjë. Ne i ndajmë rrugët dhe pretendojmë sikur asgja s’ka ndodhur. Dhe, supozoj që për disa njerëz është shumë më e lehtë shmangia se sa ballafaqimi.

Nëse më pyesni mua, unë mendoj se ose e dashuroni dikë përgjithmonë ose nuk e keni dashur kurr në të vërtetë.

Ndoshta nuk është se ata nuk kanë më rëndësi, por sepse kemi shumë frikë se do të biem përsëri në rrethin e njejtë dhe pastaj do të lëndohemi edhe më shumë.

Nga curiousmindmagazine.com
Në shqip nga filozofia.al

Kujdes, kjo është loja e re që po rrezikon fëmijët në internet (VIDEO)

“Sfida Momo” është rikthyer sërish në “YouTube” dhe “Instagram”, dhe të gjithë prindërit kanë treguar shqetësimin e tyre për fëmijët, të cilët janë çdo ditë të ekspozuar me botën e internetit.

Kjo sfidë nisi fillimisht verën e 2018-s, ku një personazh i frymëzuar nga një film horror u kërkonte fëmijëve të bënin gjëra të rrezikshme dhe dërgonte mesazhe shqetësuese. Videot e Momo-s nxitën vdekjen e dy fëmijëve vitin e kaluar, ndërsa vazhdojnë të qarkullojnë në “YouTube” dhe “Instagram”. Këto dy të fundit ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për bllokimin e videove.

Personazhi i quajtur Momo shfaqet në mes të videove për fëmijë dhe u tregon si të lëndojnë veten apo të kryejnë vetëvrasje. 

Kukulla i inkurajon ata që të shtojnë një kontakt në mesazhet WhatsApp, pastaj i ngacmojnë ato me imazhe të dhunshme dhe i vendosin sfida të rrezikshme. Ai i inkurajon ata që të dëmtojnë veten dhe postimi i fundit u thotë atyre të vrasin veten. 

Adrola Dushi ka bërë një deklaratë lidhur me lojën vdekjeprurëse, ndërsa i bën thirrje prindërve që të kenë në kontroll atë që shohin fëmijët para celularit apo kompjuterit. Ajo këshillon që të shmangin “YouTube” nga jeta e fëmijëve.

Jam e shokuar nga çfarë po ndodh në botën e internetit. Si nënë e një djali, si hallë, si një vajzë e rritur me shumë dashuri, lus të gjithë prindërit të kenë nën kontroll programet që shohin fëmijët në YouTube, nëse do të ishte e mundur ta shmangnin fare këtë aplikacion nga jeta e fëmijëve. Të gjithë bashkë mundemi, fëmijët duhet t’i mësojmë të duan. Bota sot ka nevojë për ne, t’i tregojmë ç’mund të bëjë dashuria. Ju lutem të ripostoni dhe të bëni thirrje për bojkot… Sot jam zgjuar nga gjumi si një nënë e shqetësuar, e ardhmja e fëmijëve është përgjegjësia jonë”, shkruan në postimin e saj Adrola.  

“Kjo është e frikshme dhe shumë shqetësuese”, shkruan Emina në instastory, në të cilën ka shpërndarë një postim “Facebook-u” që tregon se ka karaktere të tjera që bëjnë të njëjtën gjë si “Momo”, personazhe si Micky Mouse, Spiderman apo Elsa.

Të gjithë ju prindër që po lexoni këtë artikull, kini kujdes. Fëmijët tuaj mund të bien pre e kësaj sfide, prandaj duhet të kontrolloni të gjitha videot që të vegjëlit tuaj shikojnë.



Steve Jobs: 1 gjë i ndan ata që arrijnë, nga ata që ëndërrojnë

“Unë kurrë nuk kam gjetur askënd që nuk donte të më ndihmonte”, thoshte Steve Jobs 22 vjet më parë.

“Nëse u kërkoja ndihmë … i telefonova Bill Hewlettit kur isha dymbëdhjetë vjeç: Përshëndetje, unë Unë jam Steve Jobs, jam dymbëdhjetë vjeç, jam nxënës në shkollë të mesme, dua të ndërtoj një numërues frekuencash, dhe unë doja të dija nëse keni ndonjë pjesë rezervë që mund të ma jepni”. Ai qeshi, dhe më dha pjesë këmbimi, dhe më ofroi një punë atë verë në Hewlett-Packard … dhe unë fluturoja”.

“Unë kurrë nuk kam parë a dëgjuar, asnjë person, që më ka thënë jo apo më ka mbyllur telefonin, kur e kam marrë. Thjesht kërkoja. Dhe kur njerëzit më kërkojnë, përpiqem t’u përgjigjem, që të shlyej atë borxh mirënjohjeje. Shumica e njerëzve kurrë nuk e ngrenë telefonin dhe të telefonojnë dhe të kërkojnë. Shumica e njerëzve kurrë nuk KERKOJNE, dhe kjo është ajo që ndan ndonjëherë njerëzit që bëjnë gjëra nga njerëzit që vetëm ëndërrojnë për to”. / Bota.al

Refuzohet punësimi i shqiptares në “Opera dhe Balet”


Për gjashtë vite me radhë e punësuar me honorarë, Sihana Jakupi ishte kornistja e katërt në orkestrën e Opera dhe Balet. Në dhjetor të vitit 2018 u shpall konkurs ku gjithsej konkurruan katër persona, përfshirë këtu edhe Sihanën.

Komisioni i Opera dhe Balet vendosi që në karrigen e Sihanës ta ulë Millovan Stamenkovskin. Sihana duke druajtur se i është bërë padrejtësi, akuzon komisionin dhe drejtorin e Operës se është ndikuar politikisht.

“Në fund, pas audicionit pranohet dikush që asnjë ditë nuk e kemi parë në atë orkestër. Është padrejtësi e madhe për dikë i cili ka kontribuar 6 vite aty me honorare pa pagesë dhe në fund të pranohet dikush i panjohur. Unë kam dërguar ankesë deri tek Opera dhe Baleti, para dy javëve dhe ende nuk kam përgjigje se përse unë nuk u pranova. Kjo duhet të jetë diçka shumë partiake, sipas informatave drejtori ka thënë që konkursi është mbyllur dhe se është vendosur nga lart “–  tha Sihana Jakupi, korniste e diplomuar.

Televizioni Alsat tentoi të vë kontakt me drejtorin e Operës dhe Baletit, Vaso Ristov por i njëjti nuk gjeti kohë që të përgjigjet për rastin e Sihanës. Kjo e fundit ka kërkuar edhe shpjegim për punësimin parashutist të Stamenkovskit në vend të saj, ndërsa nga drejtoria e Operës i është thënë se është vepruar në bazë të ligjit. Megjithatë, Sihana insiston se është bërë padrejtësi në zgjedhjen e punëtorit e jo në procedurë dhe për këtë gjë kërkon përgjegjësi.

Është çudi që ky vend u mbajt i mbyllur prej vitit 2012 kur është dashur vendi të hapet, deri në këtë kohë është çudi e madhe unë nuk mund ta pranoj atë fakt – u shpreh Sihana Jakupi, korniste e diplomuar.

Sihana ka kërkuar sqarim edhe nga Ministra e Kulturës por as nga atje nuk ka marr përgjigje. Përgjigje nga Ministria e Kulturës për këtë punësim nuk mori as Televizioni Alsat. Opera dhe Baleti numëron 213 persona të punësuar në orkestër, kor, solo dhe drejtori por në këtë listë figuron vetëm një emër shqiptarë, i cili luan në violinë.B

Shqipëria nuk është në krizë politike apo ekonomike, ajo është në krizë kulturore

A e dini se 60% e amerikanëve mendojnë se të varfërit janë përtacë e ndaj janë të varfër ndërkohë që në Evropë vetëm 26% mendojnë kështu. Nga ana tjetër 74% e Evropianëve mendojnë se njerëzit janë të varfër sepse sistemi politik e ekonomik nuk është i drejtë.  Po ashtu në Evropën Lindore, ku bën pjesë dhe Shqipëria, 80% e njerëzve mendojnë se sistemi i keq ekonomik lë njerëzit e varfër.

Sipas studimeve të shumta këto perceptime mbi realitetin ndikojnë më pas në sjelljen e firmave e individëve në ekonomi. Mënyra e të kuptuarit të botës ndikon direkt në ligjet që implementohen në parlament e në politikat rishpëndarëse që adaptohen. Kështu mund të themi se fakti që ne jemi ndër vendet me perceptimin më të lartë të prezencës së korrupsionit në vend bën që të mendosh se kushdo që është i pasur e ka arritur këtë për shkak të korrupsionit. Nga ana tjetër nëse ky besim është i vërtetë të bën të mendosh se në masë do të mbështetej politika e taksës progresive apo dhe e politikës së rishtetëzimit të shumë industrive prodhuese në miniera apo naftë.  Këto besime popullore krijohen ngadalë e ndikojnë më pas në gjithë sistemin ekonomik që ne ndërtojmë.  

Besimi se Shqipëria është një vend që nuk ofron të ardhme bën që 70% e të rinjve të duan të largohen nga vendi duke ndikuar direkt në zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë. Ndaj nëse ekonomistët e shekujve të shkuar mendonin se vendet ishin të varfra vetëm sepse kishin diferenca në kapital të akumuluar sot gjithnjë e më shumë po thuhet se një ndër arsyet përse shtetet mbeten të varfra është për shkak të institucioneve dhe kulturës që këto vende kanë.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe kulturë do të thotë:  tërësia e arritjeve të një populli dhe të gjithë njerëzit, në fushën e prodhimit dhe në zhvillimin shoqëror e mendor. 

Në këtë artikull termi kulturë përshkruan: “elementë të përbashkët si zakonet, simbolet, sistemet e botëkuptimit, si dhe objektet materiale që kanë individë që përbëjnë një grup të caktuar shoqëror. Studimi i kulturës është i rëndësishëm në analizat shoqërore, në veçanti për shkak se elementët kulturorë përcaktojnë logjikën përmes së cilës ngjarjet dhe veprimet formojnë shoqërinë dhe çojnë në ndryshime shoqërore.

Kultura ndikon në aktivitetin ekonomik të një shoqërie. Botëkuptimi apo besimi në disa vlera ndryshon dhe zgjedhjen e njerëzve sesi të përdorin burimet e tyre të shtershme. Kultura pra ndikon direkt në sjelljen e individëve dhe në utilitetin që ata marrin nga veprimet e tyre. Kështu kultura ndikon direkt në sjelljen tonë ndaj pronës publike, ndaj kërkimit e zhvillimit, ndaj bashkëpunimit apo ndaj faljes apo tejkalimit të konfliktit.

Kështu ne kemi shifrat më të ulta për sa i përket kërkim zhvillimit në vend dhe po ashtu kemi nivelin më të ulët të besimit mes njëri-tjetrit që ndikon direkt më pas në shkëmbim tregtar e në pasurim të njerëzve. Në grafikun më poshtë jepen të dhënat për marrëdhënien mes besimit dhe zhvillimit ekonomik. Ajo që vihet re është se ndër vende të ndryshme të botës vihet re një lidhje e fortë mes respektit e besimit te njeri-tjetri dhe në rritjen ekonomike. Kështu në Shqipëri vetëm 25% e popullsisë do të ishte dakord me shprehjen se mund t’i besosh shumicës së njerëzve ndërkohë në Norvegji kjo vlerë është 72%.

Besimi mes qytetarëve ndihmon në marrëdhëniet e normat sociale si dhe në institucionet qeverisëse. Në një studim të fundit të ISP në Shqipëri më shumë se 44% e deputetëve të parlamentit të Republikës së Shqipërisë mendojnë se ata nuk kanë mundësi ose hapësirat e duhura për të ndryshuar realitetin. Në shumë studime të tjera nga ana tjetër thuhet se “kapitali social” apo besimi social është një faktor kyç për të ndërmarrë reforma ekonomike, për të ndërtuar demokraci apo për të zhvilluar ekonominë.

Paradoksi/ 44% e deputetëve: Nuk kemi hapësirë për të ndryshuar Shqipërinë

Përveç ruajtjes së kulturës dhe traditave industria kulturore ka kontribut të madh në PBB. Në BE ky sektor siguron më shumë të ardhura se sa tregu i pasurive të paluajtshme apo industria tekstile.  Kjo industri ka rreth 8.3 milion njerëz të punësuar me kohë të plotë që përbën 3.8% të forcës punëtore të BE. Në BE, bizneset kulturore në vitin 2013 ishin rreth 675 000 dhe përbënin rreth 6.4% të bizneseve totale të shërbimit në vitin 2013. Franca dhe Italia janë vendet e vetme që kanë më shumë se 100 000 biznese kulturore dhe përbëjnë secila 15% të bizneseve totale kulturore të BE.

UNESCO/ Kultura një industri që krijon 2 250 miliardë dollarë

Po në Shqipëri?

Buxheti për kulturën vazhdon të mbetet në nivele qesharake, pasi vuan pasojat e mungesës së vëmendjes së qeverisë për financime. Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2016 vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht 1 për qind të PBB për argëtimin dhe kulturën, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT, Shqipëria shpenzoi vetëm 0.4% të PBB-së për në lidhje me këtë sektor. Ndryshe nga vendi ynë, i cili në mendësi e quan sektorin e arteve dhe kulturës si shpërdorues të fondeve publike, në Perëndim ku sektor thirret si “industri krijuese”, të cilës i kushtohet një vëmendje e veçantë. Një shembull për këtë janë qeveritë laburiste britanike të Tony Blair dhe Gordon Brown, të cilat e rritën financimin e arteve me 35% çdo vit, për 13 vjet me radhë.

Po ashtu ne jemi pas dhe Maqedonisë. Ndonëse me një PBB relativisht më të lartë se Maqedonia dhe Kosova, si dhe me një numër më të lartë popullsie, Shqipëria ka një buxhet shumë më të vogël për Kulturën se sa dy vendet e sipërpërmendura. Për vitin 2019 Shqipëria ka parashikuar një buxhet prej 2.1 miliardë lekë, ndërsa buxheti i Maqedonisë për ministrinë e Kulturës për vitin 2019 arrin 3.140.216.000 denarë (50 mln euro), ose rreth 6.3 miliardë lekë, apo 3 herë më i madh se ai i Shqipërisë për Kulturën.

Buxheti për kulturën i Maqedonisë 3 herë më lartë se ai i Shqipërisë


Burimi:
http://atlasi.al/%EF%BB%BFshqiperia-nuk-eshte-ne-krize-politike-apo-ekonomike-ajo-eshte-ne-krize-kulturore/?fbclid=IwAR3wpWAjObK-wLrpJoxBMUgly9YmrEOwRR8ebyCEWyAhFozAYgmpZUUMIMQ

Hana Miletić erdhi me “Materiale” në Prishtinë

Artistja kroate Hana Miletić sonte erdhi në Prishtinë për të shpalosur punën e saj në LambdaLambdaLambda.

Ekspozita e saj e titulluar “Materiale” përfshinte një punë të automatizuar dhe praktikën që ajo ndjek duke punuar me dorë. Punimet e Miletiqit ngjallin tradita dhe praktika të ndryshme të që duan të shpalosin më shumë ndjenjën e kujdesit, që përfshin prodhimin e punuar me dorë në punën e deleguar të automatizimit. Punimet  e saj përbehen nga imazhet e reparacioneve të gjetura në hapësirën publike, të cilat në të njëjtën kohë janë shenja të mungesës së mirëmbajtjes.

Artisja ka përkthyer këto shenja dhe gjeste në mes të tekstileve të punuar me dorë dhe  në mënyrë të automatizuar. Në këtë mënyrë ajo ndërton instalacione duke gërshetuar temat që shpesh nuk vijnë si të lidhura me njëra tjetrën, shkruan KultPlus.

Hana Miletić tha se është tejet e lumtur që po shpalos punën e saj në Prishtinë, ndërsa thotë meqë vjen nga Kroacia, ajo gjen shumë lidhje kulturore me Kosovën dhe ky mjedis i duket mjaft familjar.

“Megjithatë ka edhe gjëra të reja dhe jam e lumtur që kam qëndruar këto ditë këtu ku mund të shoh edhe gjëra të reja”, tha artistja Miletić.

Ajo thotë se në këtë ekspozitë veçmas ka përdorur një formë të tekstili që e përdor në një ambient shumë privat siç është shtëpia. Për KultPlus, ajo tutje tha se puna e saj bazohet në imazhe e hapësirave të riparueshme,  dhe tha se punimet e saj janë më shumë një qëndrim për gjërat që duhet të mirëmbahen dhe ndaj të cilave duhet kushtohet më shumë kujdes.

“Unë kryesisht punoj punë që përfshijnë tekstil që i prodhoj vetë dhe ndonjëherë në mënyrë të automatizuar, ndonjëherë intervenoj në këtë prodhim duke i tërhequr me dorë. Këtu po shfaq për herë të parë edhe disa punë që përmbajnë pigmente natyrale  si qepa, avokado”, tha ajo për KultPlus.

Hana Miletić e lindur në Zagreb në vitin 1982, tani vepron në Bruksel. Ajo studioi Fotografi në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura Antwerp dhe Akademinë Gerrit Rietveld, Amsterdam; ka studiuar Historinë e Artit dhe Arkeologjinë në Universitetin e Lirë të Brukselit; dhe Studimet Gjinore në Universitetin e Utrehtit. Në vitin 2018 WIELS Qendra e Artit Bashkëkohor në Bruksel paraqiti ekspozitën e saj të parë personale. Kohët e fundit ka marrë pjesë në ekspozita grupore në muzeun e artit bashkëkohor S.M.A.K, Ghent (2018-19); Metro Pictures, Nju Jork (2019); TextielMuseum, Tilburg (2018-19); Bienalja e 13-të e Sharjahut (2017) dhe Palais de Tokyo, Paris (2016). Ajo ishte banore e Jan van Eyck Academie në Maastricht në vitet 2014-15. Në vitin 2015, ajo u nderua me çmimin BOZAR në kuadër të Çmimit të Artë të Belgjikës./ KultPlus.com

Ag Apolloni sqarohet: Në Kosovë, Mesjeta nuk ka mbaruar

MESJETA NUK PASKA KALUAR
(Sqarim nga Ag Apolloni)

Për shkak të reagimeve agresive të disa kolegëve dhe për shkak të titujve bombastikë të mediave, dua të jap një sqarim. 
Kohëve të fundit kemi parë mjaft njerëz, që sapo kanë dhënë një deklaratë, kanë dalë me demantim, nga frika e sulmeve të shumta. Nuk ka nevojë ta them që unë s’do ta demantoj vetveten, për dy arsye: e para, sepse nuk jam si ata që e lëshojnë fjalën si lopa baglën; e dyta, sepse s’më frikësojnë kërcënimet. 
Deklarata ime në promovimin e sotëm të librit “Mesjeta ime”, se “Institutit të Albanologjisë i mungon vetëm minarja”, nuk është deklaratë e thatë, por është bindje e bazuar në fakte (në një rast tjetër, do t’i them të gjitha). Unë isha duke folur për konceptin “genius loci”, për mungesën e një fryme lokale dhe fryme kulturore (që janë koncepte mitike dhe filozofike me të cilët merret gjithë bota e qytetëruar), dhe thashë që vendi ynë është vend i pafrymë, tokë e shkretë, tokë e vdekur. Këtë e thashë me shumë shqetësim, sepse më dhemb kur e shoh si e kemi shkatërruar vendin tonë. Me atë rast, përmenda edhe Universitetin që s’ka arritur të krijojë frymë kulturore dhe Institutin Albanologjik që, në vend se të jetë qendër kulturore, është kthyer në çerdhe fetare. Unë nuk mendoj se duhet t’u japim frymë fetare institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore, ashtu siç nuk mendoj se duhet t’u japim ngjyrë shkencore objekteve fetare. Feja dhe shkenca, pushteti dhe institucionet fetare, janë ndarë menjëherë pas Mesjetës, por, siç po e shoh nga reagimet ofenduese (që po m’i dërgojnë miqtë), në Kosovë Mesjeta nuk ka mbaruar. Kjo do të thotë që me librin tim ia paskam qëlluar. 
Faleminderit. 
Ag Apolloni

Kur Enver Petrovci e aspironte Eurovizionin (VIDEO)

Aktori Enver Petrovci sot e ka datëlindjen, dhe mbushë plot 65 vjeç.

Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.

Ai madje ka provuar edhe të këndojë. Në fund të vitit 2014-të, në Festivalin e Fundvitit në TVSH ai morri pjesë me këngën “Të vranë bukuri”.

Ai bashkëpunoi në këtë projekt muzikor me Riza Dolakun dhe Alfred Kaçinarin, duke e performuar dhe patjetër duke aktruar në këtë festival.

Nëse do të fitonte, Petrovci do të na përfaqësonte në Eurovizion, por atë vit festivalin e fitoi Elhaida Dani.

Petrovci është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë. / KultPlus.com

Dalin në shitje biletat për Eurovision Song Contest

Sonte në ora 19:00 do të dalin në shitje biletat e para për Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion 2019.

Bileta më e lirë për ta përcjellur Eurovizionin për nga afër në sallë është 72 euro, derisa më të shtrenjtat shkojnë deri në 500 euro.

Expo Tel Aviv është hapësira ku mbahet festivali këtë vit, në Izrael, në 14,16 dhe 18 maj, kjo e fundit edhe finalja e madhe e këtij viti, i cili po përshkohet nga disa zhvillime dramatike si largimi i Ukrainës për shkak të problemeve politike me Rusinë.

Shqipëria këtë vit në Eurovizion përfaqësohet me Jonida Maliqin, derisa Kosovës i takon të presë në rend për vitet tjera meqë as këtë edicion nuk pati mundësi të debutojë.

Eurovizioni sivjet e mban edicionin e 64-të. Edhe Bullgaria sivjet është tërhequr nga gara. 41 shtete do të marrin pjesë gjithsej në këtë edicion. / KultPlus.com

Domosdoshmëria e venës

Poezi nga Qëndresa Prapashtica.

Sa kohë paska mbetë pa u shkri
në gotën e kësaj burie vene që po e pijmë ngadalë
dhe shoh disa e pranojnë këtë dehje të ngadaltë
disa e rezistojnë
(edhepse vena e jetës s’njeh rezistencë…)

ngadalë ecin edhe bijat e këtij qyteti
ngjajnë me zilet e shkollës
që sinjalizojnë orët që po shkojnë
dhe mësimet që s’po zihen…

ngadaalë, lëvizë edhe imagjinata e burrave
që pijnë kafe nëpër sheshe
kinse po shikojnë duart e nënave me karroca
dhe kinse magjepsen me këtë botë
me tepër se me atë që përjetojnë në mendjet e tyre…

e ngadaltë jam edhe unë
s’e s’më bëhet vonë
a është më e bukur shkronja “ë” apo shkronja “q”
parase me e lidhë ndonjë fjalë shoqnisht
“që” indikon interese triviale,
që duket e përshtatshme
që ngjanë me protokolle Vjeneze
në mendjen time të gatuar shqip…

druhem pse s’më bëhet vonë
për këto gjëra të ngadalta
në nji univers
të krijuar shpejt e shpejt,

o, po kush e di
pse e marrim ndonjë gjë kaq seriozisht
në kushte të dehjes
dhe të kësaj kutie paradoksale të përbashkët
ku jemi mbledhur
dhe jetojmë…

dhe ngadalë,
ngadalë
e hetojmë “që” po vdesim…

21 vjet nga beteja e Likoshanit dhe Çirezit

Sot bëhen 21 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila kishte nisur në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Çirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” ishin zhvilluar luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Në luftimet e zhvilluara kishin mbetur të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut kishin rrethuar të dy fshatrat, ku kishin ekzekutuar 24 civilë të pafajshëm.

Në rrethimin e fshatrave, armiku kishte përdorur artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke. Qysh në ditën e parë të luftimeve, armiku kishte kryer masakrat ndaj civilëve, vetëm në familjen Ahmeti kishte vrarë 11 persona.

Pas pak ditësh, më 5 mars, ushtria dhe policia serbe kishin rrethuar familjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, ku familja Jashari kishte rezistuar për 3 ditë dhe 3 net në luftimet kundër armikut.

Me luftën e Prekazit, tani më çdo gjë ishte e qartë, në Kosovë lufta për liri nuk do të kishte më të ndalur. Gjatë luftimeve deri në çlirimin e vendit, rreth 1 milion shqiptarë ishin dëbuar nga Kosova, 15 mijë ishin vrarë, 2 mijë e 400 prej tyre kishin rënë dëshmorë. Armiku kishte kryer shumë masakra, si atë në Abri, Reçak, Meje, e shumë e shumë të tjera.

Gjatë luftës ishin zhdukur rreth 5 mijë njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por ende nuk dihet për fatin e mbi njëmijë shqiptarëve të zhdukur. Në këtë periudhë kohore ishin përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare.

Gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kishin shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kishin plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj./ KultPlus.com

Thaçi i jep Medalje një emisioni që abuzon me figurën femërore për qëllime komerciale

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nderoi me “Medaljen Presidenciale të Meritave” emisionin investigativ “Fiks Fare”.

“Në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Medalja Presidenciale e Meritave i jepet programit të gazetarisë hulumtuese ‘Fiks Fare’, për kontributin e dhënë në denoncimin e dukurive negative dhe për promovimin e lirisë së shprehjes”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi priti në takim autorin dhe dy moderatorët e emisionit “Fiks Fare”.

Gjatë këtij takimi, presidenti Thaçi shprehu vlerësimin e tij për ndihmesën e emisionit “Fiks Fare” në luftën kundër korrupsionit dhe zgjidhjen e shumë problemeve për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Hashim Thaçi i jep Medalje Presidenciale emisionit ‘Fiks Fare’

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi nderoi me “Medaljen Presidenciale të Meritave” emisionin investigativ “Fiks Fare”.

“Në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Medalja Presidenciale e Meritave i jepet programit të gazetarisë hulumtuese ‘Fiks Fare’, për kontributin e dhënë në denoncimin e dukurive negative dhe për promovimin e lirisë së shprehjes”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi pati një takim me autorin dhe dy moderatorët e emisionit “Fiks Fare”, në zyrën e tij në Kosovë. Gjatë këtij takimi, presidenti Thaçi shprehu vlerësimin e tij për ndihmesën e emisionit “Fiks Fare” në luftën kundër korrupsionit dhe zgjidhjen e shumë problemeve për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Autori i këtij emisioni, Filip Çakuli u shpreh i surprizuar nga vlerësimi dhe nga përdorimi i gjuhës shqipe në motivacionin e kësaj medaljeje, shkruan BallkaniInfo.

“Kjo ishte një e papritur, meqenëse termat e propozimit dhe të medaljes është gazetari hulumtuese, ne e përdorim në Shqipëri termin investigative. Meqenëse jemi, nuk them surprizë, por po them e papritur e këndshme, që na vë më shumë detyrim të kthejmë sytë nga Kosova për problemet dhe hallet e saj. Por, ndonjëherë nuk të lënë këmborët që bien në Tiranë, të dëgjosh zilet që bien në Prishtinë. Kështu që jemi të detyruar, megjithatë, do ta korrigjojmë së shpejti. Kjo na detyron më shumë. Shumë falemnderit”, tha Filip Çakuli.

I dashuri im do të ma sillte diellin…

Teksti i këngës He was too good to me nga Nina Simone. Në shqip përkthyer nga Arbër Selmani.

Ai ishte shumë i mirë me mua
Si t`ja bëj tani pa të ?

Më qëndroi aq afër.
Tash gjithçka është rrëmujë, gjithçka është gabim pa të.

I dashuri im, sot do të ma sillte diellin
Të më bënte të buzëqeshja ishte kënaqësia e tij.

Dhe kur isha e rreptë ndaj tij, nuk më tha kurrë lamtumirë
Isha mbretëresha e tij, 
Prandaj është e natyrshme që jam keq,
Se ai më la,
Ishte shumë i mirë për të qenë i vërtetë.

Edhe hënën do të ma sillte
Nuk do ta lija kurrë, përjetë. 
Prandaj është e natyrshme që jam keq,
Se ai më la,
Shumë i mirë për të qenë i vërtetë. 

Te kalaja e Tiranës sonte vjen magjia e gramafonit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave së bashku me Kalanë e Tiranës, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës organizojnë sonte duke filluar nga ora 17:00 të Kalaja e Tiranës , ekspozitën “Magjia e Gramofonit”, shkruan KultPlus.

Më 1986 koleksionisti britanik Martin Moir i dhuroi AQSh-së mbi 18,000 pllaka gramofoni, 20 gramofonë mekanikë dhe elektrikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka (gramafoni apo vinyl). Kjo çoi në krijimin e Fonotekës së AQSh si sektor i zgjeruar. Në këtë ekspozitë paraqitet në origjinal koleksioni i fonografëve dhe gramofonëve, si dhe disa disqe gramofoni, LP dhe vinyl-e.

Përmes kësaj ekspozite AQSh shpalos një anë të panjohur të tij, pasurinë muzikore që ruan heshtazi prej 30 viteve. Pjesë e dhuratës së vitit 1986 ishin edhe disa seri revistash, si “The Monthly Letter”, “The Strand”, “Gramophone” apo botime lidhur me historinë e gramofonit dhe muzikës, disa prej të cilave do të ekspozohen pranë koleksionit të gramofonëve./ KultPlus.com

ODA nesër shënon 16 vite punë përmes premierës së shfaqjes “Graviteti”

Teatri ODA nesër do të shënoj 16 vjetorin e themelimit përmes premierës së shfaqjes “Graviteti”, shkruan KultPlus.

“Graviteti”, një shfaqje teatrore e përbërë prej skenave – kronikë të bazuara në personazhe reale, ngjarje e fenomene nga e kaluara dhe e sotmja, që të përbashkët kanë lidhjen, shpeshherë edhe të pashpjegueshme, me atdheun. Graviteti – është forca që tërheq në mënyrat më të ndryshme personazhet e këtyre kronikave. Tablo e ngjarje fiktive të “muzeut gravitacional” nisin prej Skënderbeut, Arbëreshëve, emigrantëve të parë të Shqipërisë e deri te personazhet e ditëve të sotme të mërguar apo të kthyer.

“Graviteti” ofron një eksperiencë artistike të eksplorimit të lidhjes së veçantë të shqiptarëve me atdheun, prej këndvështrimeve dhe situatave nga më të ndryshmet, ku fuqia e gravitetit arrin deri edhe në aktet më sublime njerëzore.

Tekstin e kësaj shfaqje e ka bërë Lirak Çelaj, regjinë Florent Mehmeti. Aktorët të cilët do të luajnë në këtë shfaqjes janë: Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.

Shfaqja “Graviteti” do të fillojë në ora 20:00 dhe përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

‘Siparantum’ vjen me koncertin e radhës në Pejë

Koncerti i radhës i korit Siparantum kësaj radhe do të sjell një program atraktiv  dhe plot surpriza përball artdashësve pejan.

“Vërtetë kemi përzgjedhur një program të bukur dhe atraktiv, besoj që është njëri prej programeve tona më të bukura të shfaqura ndonjëherë. Kemi punuar gjatë dhe falë vullnetit të madh të koristëve ne po vazhdojmë rrugëtimin tone të suksesshëm që për ne nuk është aspak e lehtë duke e marrë parasysh që të gjithë funksionojmë në formë vullnetare vetëm sa për të pasuruar jetën kulturore në vendin tonë”, u shpreh dirigjenti i korit Memli Kelmendi.

Në program do të paraqiten vepra të kompozitorëve të njohur botëror dhe shqiptar.

Kësaj radhe kori Siparantum vjen me bashkëpunime të shumëta, njëra prej pikave që do të interpretohet do të jetë bashkëpunimi me grupin e njohur NRG BAND dhe solistin Besnik Qaka.

“Javën e ardhshme ne udhëtojmë në kryeqendrën e muzikës korale gjegjësisht në Romë. Atje  ne do t’i shfaqim dy koncerte të cilat janë shumë të rëndësishme për ne dhe vendin tone, prandaj në mungesë të fondeve për të siguruar udhëtimin, akomodimin hyrja për në koncert do të jetë dy euro, paratë e mbledhura do të shërbejnë pikërisht për këtë udhëtim. Prandaj dua t’i ftoj të gjithë artdashësit që mos të lëshojnë një program të tillë”, u shpreh kryetari korit Fatmir Bajraktari.

Koncerti përcjellët nga pianisti Agron Shujaku dhe koncerti do të dirigjohet nga dirigjenti permanent i korit Siparantum, Memli Kelmendi.

Koncerti mbahet të shtunën me 2 mars në ora 20:00 në Kino “Jusuf Gërvalla”-Pejë. /KultPlus.com

“Vështirësitë krijojnë burra, ndërsa begatia krijon përbindësha”

0

Urtësia e mrekullueshme e Viktor Hygosë.

Nuk më intereson se çfarë bën Asambleja Kombëtare e Francës, për aq kohë nuk e bën këtë në rrugë duke frikësuar kuajt.

Ka shumë gjuhë që flasin, por shumë pak koka që mendojnë.

Bisedat e tavolinave dhe ato mes dy të dashuruarve e humbasin fokusin; ato të të dashuruarve janë mjegullnajë, ndërsa bisedat e tavolinave një tymnajë.

Muzika shpreh atë që s’mund të thuhet me fjalë, dhe që nuk mund të qëndrojë në heshtje.

Edhe nata më e errët do të përfundojë, dhe dielli do të lindë sërish.

Të duash një person tjetër, do të thotë të shohësh fytyrën e Zotit.

Disa mendime të caktuara janë përgjerime. Ka momente kur pavarësisht pozicionit të trupit, shpirti është gjunjëzuar.

Njerëzve nuk u mungon forca por vullneti.

Nëse flas, unë jam i dënuar. Nëse hesht, jam i mallkuar!

Ju më pyesni çfarë më detyron të flas? Një gjë e çuditshme:ndërgjegja ime.

E ardhmja ka disa emra. Për të dobëtin, është e pamundur; për zemërlëshuarit, është e

e panjohur; por për trimat është ideali.

Ka gjithmonë më shumë mjerim në mesin e shtresave të ulëta të shoqërisë, se sa humanizëm tek shtresat e larta.

Nuk është e lehtë të qëndrosh i heshtur, kur vetë heshtja është një gënjeshtër.

Moda ka shkaktuar më shumë dëme sesa revolucionet.

Kur një grua është duke ju folur, dëgjojeni atë që thotë me sytë e saj.

Simptoma e parë e dashurisë tek një djalë i ri është druajtja; tek një vajzë guximi.

Luftë civile? Çfarë do të thotë kjo? A ka në fakt ndonjë luftë të huaj? A nuk luftohet çdo luftë ndërmjet njerëzve, mes vëllezërish?

Kur diktatura është një fakt, revolucioni bëhet një e drejtë.

Ekzistojnë baballarë që nuk i duan fëmijët e tyre; por s’ka asnjë gjysh që nuk e adhuron nipin e tij.

Një hije është e vështirë për t’u kapur për fyti dhe përplasur në tokë.

Të zhbësh gabimet nuk është e mjaftueshme; duhet të ndryshohen edhe zakonet. Stuhia ka kaluar, por era është ende atje.

Anglia ka dy libra, Biblën dhe Shekspirin. Anglia krijoi Shekspirin, por

Bibla bëri Anglinë.

Një person me një sy është shumë më i paplotë se një njeri i verbër, pasi i pari e di se çfarë i mungon.

Të gjitha forcat në këtë botë, nuk janë aq të fuqishme sa një ide së cilës i ka ardhur koha.

Vështirësitë krijojnë burrat, ndërsa begatia monstrat.

Vetëm përmes vuajtjes, qeniet njerëzore bëhen engjëj. / www.bota.al / KultPlus.com

Ag Apolloni godet me promovimin e librit “Mesjeta”, Universitetin e quan të dështuar, Institutin Albanologjik e quan një xhami pa minare

Ky libër është një vepër autobiografik me ese narrative që nuk i referohen mesjetës së largët,  por që tregojnë se sapo kemi hyrë në një mesjetë të re. Duke parë Qeverinë si kishë mesjetare, mediet dhe rrjetet sociali si inkuzicion, ekstremistët fetar si templearët e dikurshme, intelektualin si pelegrin që kërkon të shlodhet në një vend të shenjtë, maskën si fytyrë të padenjë, skizmën si pasojë të shpërdorimit të lirisë, alegorinë si kuptim të fshehur të jetës sonë, përmes kësaj vepre,  Ag Apolloni  interpreton aktualitetin e jetës sonë.

Libri përbëhet nga 10 ese që përmbajnë tituj në gjuhën latine e që janë: Obscura, Vulgus, Doctrina, Pelegrin, Allegoria, Persona, Schisma, Templarius, Inquisitio dhe Memento. Më shumë për këta tituj bisedoi studiuesi i letërsisë Sherif Luzha,  i cili tha se në këtë libër nuk kemi të bëjmë me një mesjetë si epokë,  por me mesjetën të cilën autori e ka rikonceptualizuar dhe e ka përdorur si metaforë në rrëfimin e jetës së tij. Autori në këtë libër nuk e ka mendjen që të rrëfejë për mëkatet por për ankthet, u shpreh ai.

“Libri mesjeta ime,  herë nëpërmes fusnotave e herë brenda tekstit është i mbushur me shpjegime dhe kjo ndikon që libri të ruajë identitetin eseistik dhe në të njëjtën kohë mundëson që lexuesi ta ketë më të lehtë ti përqaset artikulimit estetik”, u shpreh ai. Sipas tij,  përveç titujve që janë në gjuhën latine autori  brenda teksti ka përdorur edhe shprehje frazeologjike në gjuhën latine të cilat përveç që afrojnë këtë libër me referenca të tjera biblike, filozofike dhe mesjetare, shërbejnë edhe si elemente për ta ravizuar parabolën e jetës personale.

Sherif Luzha

Këtë libër historiani Ylber Hysaj e quajti manifest të jetës së shkrimtarit dhe të 35 viteve ku autori përmes konceptit biblik mundohet që ta kuptojë gjysmën e jetës të ndarë në 12 kapituj të cilët ju ngjajnë 12 muajve kalendarik.

“Këta muaj mbajnë emra latinë dhe ju ngjajnë shenjave të zodiakut, ku në secili nga këto shenja,  Agu mundohet që të sheh të kaluarën dhe të tashmen duke u futur në një mallkim të ciklizmit, duke u thirrur në atë që i pëlqen, në diskursin e Ozit, i cili zbulon se në fakt, pas shekullit XX nuk vjen shekulli XXI, por shekulli XI, me të gjitha misteret dhe ekstremizmit që ai sjellë me vete”, tha ai. Sipas tij, Ag Apolloni pasi që ka ulëritur si ujku që ka hedhur shtatë shumë herët, tani vjen me një mesjetë si i pjekur, inteligjent, i urtë, provokues dhe me frikë që mos i ka kaluar gjysma e jetës dhe në këtë formë i ka kaluar edhe gjysma e trurit. Pra, sipas tij e gjitha vjen si një vet reflektim ku autori i rrëfehet vetes dhe njëkohësisht edhe lexuesit.

Ylber Hysaj

Autori i librit Ag Apolloni u shpreh se në këtë libër është marrë me pjesën e trashëgimisë gjenetike dhe ka ardhur në një përfundim se asnjë njeri nuk është vetvetja derisa është trashëgimi e brezave që ju prinë.

“Kjo na bënë që të veprojmë shpesh çuditshëm dhe kundër vullnetit tonë. Ne mundohemi të tregohemi të kulturuar dhe të shprehim atë dijen që marrim në fakultete, në shkolla në vende të caktuara,  dhe përnjëherë e shohim që dikush na qet prej kontrolli dhe na del babëgjyshi. Ai bëhet kështu më i fortë se gjithë kultura që kemi marrë ndër vite”, tha ai.

Tutje, autori Apolloni tha se libri nis me një problem që atë e ka shqetësuar që në fillimet e tij e që ishte: “A duhet ti besoj frymëzimit apo duhet që këtë frymëzim ta gjejë vetëm nëpër librat”. Duke mos qenë i sigurt se cila është rruga e duhur,  ai vet i ka zgjedhur që të dyja. Ai po ashtu theksoi se në këtë libër është marrë edhe me një koncept i cili në shqip do quhej “frymë e lokacionit”

“Sot me shumicën e njerëzve kur rri e shoh që dëshpërimi i tyre imponohet pikërisht nga kjo, mungesa e frymës së vendit. Nuk e shohin që ka frymë ky vend. Kosova është një vend i pafrymë, i vdekur, i shkretë dhe unë jam munduar që ta interpretoj këtë koncept a duhet të ikim  apo duhet të rrimë. Sa është vendi i rëndësishëm për njeriun? E kam parë që atdheu im është rruga, rrugëtimi dhe jo vendi ,derisa e kemi shkatërruar këtë frymë lokale, e cila në vendet tjera i reziston me sukses koncepteve univerzale”, tha ai. Si një vend i cili duhet marrë si shembull, ai u shpreh se është Parisi, ku fryma lokale vërehet.

“Ne kemi këtu institucione kulturore të shumta më shumë sesa që duhet. Kemi universitete më shumë sesa që duhet, por nuk kemi një vend që mund ta quajmë mbrojtës te kësaj fryme vendore. Universiteti sigurisht që ka dështuar për këtë punë. Institucionet, p.sh. këtu po shoh disa punonjës të institucionit albanologjik, këtij institucioni i mungon vetëm minarja dhe nuk është institucion shkencor. Prandaj ne nuk kemi çerdhe kulturore dhe kjo është dështuese shumë. Këtë dëshpërim unë  e kam artikuluar, para 14 viteve, në një doktrinë që nuk e kam botuar asnjëherë. Mirëpo, pasi që e lexova atë doktrinë e vërejta që atë libër më shumë se mendja e kishte krijuar gjendja dhe nuk e botova, por ky libër e sjellë në një formë një hije të asaj doktrine”, u shpreh ai.

Autori i librit “Mesjeta ime” është fitues i disa çmimeve, duke përfshirë edhe çmimin romani më i mirë i vitit (çmimi “Rexhai Surroi”) për librin “Ulurima e ujkut” si dhe drama më e mirë e vitit nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”./ KultPlus.com

“Be taken by Albania”, nis fushata ndërkombëtare për promovimin e turizmit shqiptar

“Be taken by Albania” u gjend si shprehje nga të rinjtë dhe të rejat e Federatës së Rafting Albania atëherë kur ata panë turistët që vizitonin kanionet e Osumit, dhe kur ndjenë pasthirrmat e turistëve që shihnin madhështinë e Alpeve shqiptare, kur shijuan bukurinë e Korçës, traditën e Shkodrës dhe bukuritë e agroturizmit shqiptar. Kjo është një pasthirrmë e gjithë atyre turistëve që kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë parë sa e bukur është natyra jonë”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë prezantimit të fushatës ndërkombëtare dixhitale ”Be taken by Albania”.

“Të bukurën shqiptare duam t’ia ofrojmë turizmit, duam të integrohemi në familjen e Bashkimit Europian duke i ofruar asaj bukurinë e natyrës shqiptare, energjinë tonë rinore, t’i ofrojmë ushqimet bio dhe mbi të gjitha t’i ofrojmë Europës turizmin shqiptar, mikpritjen, buzëqeshjen e të rinjve shqiptarë. Në vitin e kaluar kanë vizituar vendin tonë 1 milion turistë më shumë se një vit më parë. Për këta turistë duhet të bëjmë turizëm me traditën”, tha Klosi.

“Sot jemi në një botë tjetër turistike, ku turizmi është një kombinim i bukurisë së qyteteve me natyrën, bregdeteve të kombinuara me malin, ditët e plazhit të kombinuara me kulinarinë pra janë mundësi të arta që ne duhet t’ia ofrojmë turistëve për të pasur mundësinë që sfida jonë 10 milionë turistë të jetë e vërtetë”, theksoi ministri Klosi.

”Në verë ne do të lançojmë përsëri projektin tonë ”Smile Albania” për të ofruar 1 mijë buzëqeshje kudo në Shqipëri. Gjithashtu Samiti i Diasporës është mundësia e artë që ne t’i kërkojmë të gjithë shqiptarëve t’i ftojnë njerëzitë dhe miqtë e tyre të vizitojnë Shqipërinë për t’u rrëmbyer nga bukuritë e vendeve që ne kemi”, vijoi ai.

Klosi shtoi se Shqipëria ka shumë për të ofruar. “Kemi mikpritjen, buzëqeshjen pasi shumë gjëra kanë ndryshuar, por ne nuk e kemi ndryshuar buzëqeshjen, kemi përsëri buzëqeshjen mikpritëse, pra kemi një Shqipëri që padyshim mund të ofrojë magjinë”, tha ai.

“Turizmi është ekonomi, punësim është e ardhmja dhe ne e kemi këtë mundësi të artë, të rrëmbehemi ta bëjmë Shqipërinë turistike, ta tregojmë këtë vend siç është dhe të jemi pjesë e nismave të tilla si kjo sot. Pra, le të rrëmbehemi dhe ne nga Shqipëria, nga pasioni për të paraqitur një Shqipëri tjetër, nga buzëqeshja tradicionale e njerëzve të thjeshtë të këtij populli të mrekullueshëm”, përfundoi Klosi. /j.p/ KultPlus.com

“Vishu keq, do kujtojnë fustanin, vishu shkëlqyer dhe do mbajnë mend gruan”, Coco Chanel, 28 thënie dhe 10 fakte që nuk i dini

 

Coco Chanel i dha formë modës për gratë kudo në botë.

Falë dizenjimeve të saj inovative, veshjet e grave u shndërruan në pjesëza estetike, ndryshe nga veshjet kufizuese deri në Luftën e Parë Botërore.

Stilistja e famshme Coco Chanel karakterizohej nga një personalitet i fortë dhe karizmatik.

Fëmijërinë e kaloi në jetimore, por instinktet e saj të biznesit të kombinuara me aftësinë për të parashikuar kohërat, kanë qenë faktor për një ndikim të madh social.

Coco Chanel nxori në treg fustanin e ngushtë të zi.

Ky ishte një revolucion që fisnikëroi një ngjyrë që deri atëherë përdorej vetëm në rastet e zisë.

Nga ai moment, fustani tubino u bë shtylla e gardërobës femërore.

Gjithashtu, në sajë të ndikimit të Coco Chanel, mënyra e të veshurit u bë më komode.

AJO ISHTE E PARA QË PËRDORI PËLHURAT E BUTA E TË RRËSHQITSHME NË VEND TË ATYRE FORMALE E TË NGRIRA.

Coco Chanel njihet edhe për thëniet e saj shumë “të goditura”, 28 prej të cilave mund t’i lexoni në vijim…

1. Moda kalon, stili mbetet.

2. Nuk pendohem për asgjë në jetën time, përveçse për atë që nuk kam bërë.

3. Ka një kohë për të punuar dhe një kohë për të dashuruar, e cila nuk na lë kohë për gjë tjetër.

4. Për të qenë i pazëvendësueshëm, duhet të jesh unik.

5. Asnjë burrë nuk të bën të ndihesh e mbrojtur dhe e sigurt, sa një pallto kashmiri dhe një palë syze të zeza.

6. Moda është shpikur për të dalë jashtë mode.

7. Disa njerëz mendojnë se luksi është e kundërta e varfërisë. Nuk është ashtu. Thjesht është e kundërta e vulgaritetit.

8. Ngjyra më e mirë në botë është ajo, e cila ju rri më mirë.

9. Mos shpenzoni kohë duke goditur murin, duke shpresuar që do të transformohet në një derë.

10. Jeta ime nuk më kënaqte, kështu që e krijova atë.

11. Akti më i guximshëm është që ende të mendoni për veten tuaj.

12. Butësia nuk i përfundon punët, përveç nëse jeni një pulë, e cila bën vezë.

13. Vishuni çdo ditë, sikur do të takoni armikun tuaj më të keq!

14. Ka njerëz të cilët kanë para dhe ka njerëz të cilët janë të pasur.

15. Suksesi shpesh arrihet nga ata, të cilët nuk e dinë se dështimi është i paevitueshëm.

16. Luksi duhet të jetë i rehatshëm, përndryshe nuk është luks.

17. Një vajzë duhet të jetë 2 gjëra: kush dhe çfarë ajo dëshiron.

18. Keni vetëm një jetë; do ishte më mirë të ishit argëtues.

19. Nuk jam e re, por ndihem e re. Ditën që do të ndihem plakë, do shkoj në shtrat dhe do të rri atje. Mendoj se të jetosh është diçka e mrekullueshme.

20. Moda ka dy qëllime: rehati dhe dashuri. Bukuria vjen kur moda ia arrin qëllimit.

21. Vishuni keq dhe do mbajnë mend fustanin; vishuni shkëlqyer dhe do të mbajnë mend gruan.

22. Me qënë se gjithçka është në kokat tona, do të ishte mirë të mos i humbisnim ato.

23. Moda nuk është diçka që ekziston vetëm tek veshjet.

Ajo është në qiell, në rrugë; moda ka të bëjë me idetë, me mënyrën e jetesës, me atë që po ndodh.

24. Me shumë gjasë, nuk është e rastësishme që unë jam vetëm.

Do të ishte shumë e vështirë për një mashkull të jetojë me mua, përveç nëse ai është tmerrësisht i fortë.

Dhe nëse ai është më i fortë se unë, unë jam ajo e cila s’do të mund të jetonte me të… unë s’jam as e mençur, e as budallaqe, por mendoj se unë nuk jam një “rrjedhë e mullirit”.

25. Kam qenë në biznes, pa qenë fare biznesmene.

26. Kam dashuruar pa qenë fare një grua e bërë vetëm për dashuri.

27. Dy burrat që i kam dashur, mendoj, do të më kujtojnë mua, në tokë ose në parajsë, sepse burrat e kujtojnë gjithmonë një grua, e cila i shkakton atyre ankth dhe shqetësime.

28. Unë e kam bërë më të mirën, në lidhje me njerëzit dhe jetën, pa urdhëra, por vetëm me një shije për drejtësi”.

10 FAKTE INTERESANTE QË NUK I DINIT MË PARË RRETH CHANEL

Dihet tashmë që Chanel është një nga kompanitë më të njohura dhe të dashura të modës në botë.

Por si çdo histori tjetër intriguese, edhe historia e Chanel përman një sërë detajesh për të cilat zor të kemi dëgjuar më parë.

Suksesi i Chanel, sigurisht i dedikohet kryesisht themelueses, Coco Chanel, por mendja e saj krijuese ishte vetëm një pjesë e historisë.

Në vijim do të gjeni 10 fakte të pabesueshme për të famshmen e modës, Chanel.

1. Chanel No. 5 është parfumi më i shitur i të gjithë kohrave

Pasi u lançua parfumi në vitin 1921, u kthye në një nga aromat më ikonë të shpikura ndonjëherë.

Ishte parfumi i parë që shfaqi reklamë në Super Bowl dhe Andy Warhol e bëri të pavdekshëm më artin e tij.

Sipas të dhënave të mbledhura në vitin 2014, është parfumi më i shitur i të gjithë kohërave.

2. Chanel ishte marka e parë që krijoi radhë për blerjen e manikyrit të tij.

Në vitin 1994, një artiste e makjazhit në shfaqjen e Chanel në Paris vuri re që thonjtë e një modeleje ishin të palyer dhe ajo do të ishte pjesë e një seti fotografik.

Kështu që ia leu me një lapustil të zi.

Më pas kërkoi që dikush t’ia shkëlqente me një nuancë tjetër.

Kështu lindi edhe ngjyra e kuqe e errët e Chanel, manikyri që i bëri njerëzit të prisnin në rradhë.

3. Coco Chanel shpiku kostumin për femra.

Coco Chanel është shpesh identifikuar me femrat të veshura me pantallona dhe gjithashtu ishte stilistja e parë që i mendonte femrat të veshura me kostume.

Ajo e revolucionarizoi modën për femra, që deri asokohe konsistonte në korse shtrënguese, funde të gjera dhe detaje shumë femërore.

4. Dyqani i parë i Chanel në Paris nuk ishte një butik.

Ndërkohë që shumë mund të mendojnë që historia e Chanel filloi nga krijimi i veshjeve, në fakt dyqani i parë u hap në vitin 1910 dhe kryesisht tregtonte kapele.

Dyqani i parë i veshjeve u hap vetëm në vitin 1915.

5. Reputacioni i Coco Chanel mori spunto nga kapelet e saj të famshme në Paris.

Përpara se marka të bëhej e famshme në rang botëror, Coco Chanel e ndërtoi reputacionin e saj në sajë të kapeleve të famshme.

Të njohura si Chanel Modes, kapelet pushtuan Parisin dhe çdo shoqëri tjetër që i kishte parë të paktën një herë.

6. Katër nga Pesë butikët e parë të Chanel u mbyllën në vitin 1945 për shkak të Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1945, Chanel operonte me pesë butikë në Paris.

Fatkeqësisht, po atë vit katër u mbyllën për shkak të luftës dhe vetëm një vazhdoi të shiste parfume dhe aksesorë të cilët ishin të kërkuar nga ushtarët që kalonin.

7. Këpucët me dy ngjyra të Chanel kanë për qëllim t’i tregojnë këmbët të duken më të vogla dhe shalët më të gjata.

Këpucët me dy nuanca të Chanel janë zyrtarisht ikona të modës.

Por përpara vitit 1957, ky stil nuk ekzistonte.

Coco Chanel punoi me këpucarin Monsieur Massaro për të prodhuar këpucët ikonë të cilat u krijuan për të kryer dy qëllime: t’i bënin këmbët të dukeshin më të vogla dhe shalët më të gjata.

8. Çanta 2.55 u emërtua sipas datës kur ishte lançuar.

Çanta ikonë e kësaj marke mund të mbartë një emërtim të çuditshëm por në fakt ajo është data e lançimit të saj: Shkurt 1955.

9. Coco Chanel nuk e zotëroi kurrë plotësisht Shtëpinë e Chanel.

Partneri i saj i biznesit, Pierre Wertheimer, mundej të përballonte vetëm 10% të zotërimeve të kompanisë, por ajo kurrë nuk e zotëroi të gjithën vetë.

Tani kompania zotërohet 100% nga Alain dhe Gerard Wertheimer, pasardhës të Pierre.

10. Çanta 2.55 bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë me kalimin e viteve.

Çanta 2.55 është unike dhe në fakt vlera i rritet me kalimin e e çdo viti.

Duke qenë se produkti është shumë i kërkuar, Chanel ia rrit çmimin dhe nuk do t’ju sugjeronim të prisnit pasi më vonë nuk do të jeni në gjendje ta përballoni fare. / Kultplus.com

“Betohem, nuk kam dashur kurrë më parë në këtë mënyrë”


 

Para se Vladimir Nabokov të bëhej një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë ruse, shkrimet e tij lexoheshin vetëm nga një grua. Ajo ishte Vera. Ai ishte 24 vjeç kur e takoi për herë të parë, ndërsa ajo 21 vjeçe.

Vera do të ishte dashuria më e madhe e shkrimtarit, ajo që ende kritikët apo biografët e letërsisë së tij i referohen sa herë duan të zbërthejnë karaktere apo ngjarje në librat që Nabokov shkroi. Ai u tërhoq nga sensi i saj i humorit dhe dashuria për letërsinë.

Vera kishte shkruar poemat e para që kur ishte 19 vjeçe.

Kohë më parë janë botuar letrat e dashurisë që ata i shkruan njëri tjetrit, të cilat nxjerrin në pah dimensionin njerëzor të një prej personazheve më të dashur të letërsisë. Sot po botojmë disa pjesë prej tyre:

Në korrik të vitit 1923 vetëm disa muaj pasi ishin njohur ai i shkruan:

“Nuk kam pse ta fsheh. Ndjej që jam kaq i përfshirë nga dëshira për ty. Që në minutën e parë të takimit tonë kuptova se isha përpara një përvoje të panjohur për mua. Disa gjëra janë të vështira për t’u shprehur, dhe të heqësh shkëlqimin e mrekullueshëm të ndjesive që të japin e t’i shndërrosh në fjalë. Ju jeni kaq e dashur…

Po, unë kam nevojë për ju, për përrallën tonë. Sepse ju jeni i vetmi person me të cilin mund të flas dhe për hijen e një reje, për këngët që pëlqej apo dhe sesi një luledielli sot më buzëqeshi me gjithë petalet e saj.

Shihemi së shpejti, gëzimi im i çuditshëm, natë të qetë.”

Në nëntor duket se dashuria mes tyre është konsoliduar.

“Si mund ta shpjegoj lumturinë time, lumturinë e artë që më mbështjell sa herë jam me ty, të gjitha kujtimet, poezitë, shpërthimet e brendshme? Ose si mund të të shpjegojë, se, nuk mund të shkruaj asnjë fjalë pa e dëgjuar se si do të shqiptoni ju atë… Si mund të eci në një rrugë, apo të shoh një muzg pa e menduar se ku do të jesh, apo në do ta shohësh me sytë e mi.

Dhe e ndjej se gjithë këto ndjesi nuk mund t’i them me fjalë, as në telefon. Sepse kjo është një ndjesi e mrekullueshme të cilën mund të ta tregoj vetëm duke të shkruar…

Betohet në gjithçka të dashur për mua, se nuk kam dashur kurrë në këtë mënyrë më parë.

Me një butësi të tillë deri në pikën e fundit të lotëve, e një shkëlqim të cilin s’mund ta përshkruaj me fjalë…”

Në dhjetor ai i shkruan:

“Të dua kaq shumë. Të dua në një mënyrë të gabuar (mos mu zemëro lumturia ime)

Të dua në mënyrën e duhur. I dua dhëmbët e tua.

Të dua, dielli im, jeta ime. I dua sytë e ty, të mbyllur… bishtin e vogël të mendimeve të tua, shpirtin tënd…”/gazetashqip / KultPlus.com

Zbulime historike gjatë restaurimit të pazarit në Gjirokastër

Vetëm një copë kalldrëm, që duket se daton nga fillimi i pazarit rreth 300 vite më parë, pritet të konservohet në Gjirokastër.

Gjatë punimeve për rehabilitimin e rrjetit të kalldrëmeve në “Pazarin historik” të Gjirokastrës, ekspertët kanë rënë në gjurmët e një shtrese historike rrugësh, kalldrëmesh dhe kubesh, që mund të çonin në një rivlerësim të historisë së pazarit.

Gjetjet në thellësinë rreth 2.5 metra, çuditërisht janë mbuluar sërish pa marrë zgjidhje datimi dhe pa iu dhënë mundësi ekspozimi.

Inxhinieri zbatues për punimet, Pilo Dhame thotë se befasitë gjatë gërmimeve provojnë gojëdhënat e përcjella brez pas brezi, për një sistem të sofistikuar kolektorësh e katakombesh nën pazar.

“Kolektori historik është ruajtur dhe do të vijojë të jetë funksional me rrjetin e ri që po ndërtohet”, tha Pilo Dhame, inxhinier zbatues.

Drejtoria e Monumenteve mori vendim për rihapjen e shtresave të zbuluara për të rivlerësuar situatën.

Punimet për rehabilitimin e rrjetit të rrugëve e kanalizimeve në pazar pritet të përfundojnë në tetor. / KultPlus.com

Gjësendet personale të njeriut që shpëtoi mbi 1 mijë hebrenj do të dalin në ankand në SHBA

Disa gjësende personale të Oskar Schindler, industrialistit gjerman, që ka shpëtuar më shumë se 1000 hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, pritet të dalin në ankand.

Kompania RR, me bazë në Boston, ka thënë më 27 shkurt se gjësendet janë pronë e gruas së Schindlerit, Emilie, e cila ka vdekur më 2001.

Burri i saj ka vdekur më 1974.

Ankandi pritet të hapet më 6 mars në Boston.

Në mesin e disa gjërave është edhe ora e Schindlerit, një busull, të cilën e ka përdorur ai dhe gruaja e tij më 1945 teksa kanë qenë duke ikur nga rusët si dhe dy stilografë.

Aty është thënë se do të përfshihet edhe një medalje, që i është dhënë Schindlerit nga Qeveria gjermane më 1938, për rolin e tij si spiun gjatë pushtimit të një pjese të ish-Çekosllovakisë.

Veprimet e Schindlerit gjatë periudhës së Holokaustit kanë qenë bazë për filmin e realizuar nga Steven Spielberg më 1993, të titulluar, Lista e Schindlerit.

Ai ka qenë anëtar i Partisë Naziste, mirëpo ka shpëtuar hebrenjtë duke i punësuar ata në një mori fabrikash.

Schindler ka lindur në qytetin Svitavi, që tani gjendet në Republikën Çeke. /rel /KultPlus.com