Arkivi i Kosovës po shënon 68-vjetorin

Arkivi i Kosovës po shënon 68 vjetorin. Këtë javë, nga data 25-29 mars 2019 ka planifikuar të hap dyert e veta për publikun.

Java e arkivit të hapur organizohet për të sensibilizuar opinionin e gjerë lidhur me rëndësinë dhe punën e arkivit si institucion. Gjatë kësaj jave, publiku do të ketë mundësinë të shoh për së afërmi punën dhe aktivitetet që bëhen në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës me qëllim të ruajtjes, mbrojtjes, prezantimit dhe përgatitjes për shfrytëzim të trashëgimisë së shkruar që posedon ASHAK.

Hapja më 25 mars 2019, në orën 10:00 në objektin e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. / KultPlus.com

Kërkohet shkarkimi i zv/ministres serbe, pas statusit për bombardimet

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar lidhur me publikimin e zv/ministres serbe në Qeverinë e Kosovës, Vesna Mikiq.

“Në ditën e sotme, para 20 vitesh ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar në kuadër të kufijve të saj, është bërë qëllimisht gjenocid i planifikuar nga NATO”, shkroi ndër të tjerash zv/ministrja serbe në Qeverinë e Kosovës, Vesna Mikiq.

E pikërisht për këtë deklaratë të saj, deputetja Musliu kërkoi nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj që ta shkarkojë atë menjëherë.

Postimi i plotë:

R E A G I M
Kjo zv.Ministre nuk guxon te paguhet nga taksat tona. Kryeminister Haradinaj, shkarkoje menjeher! Boll me kemi toleruar por jo deri ne pafundesi. Ndytesirat si kjo nuk i sherbejne as serbeve te Kosoves. Le te shkoj te jetoj ne “shtetin e saj sovran”

Libri i Xhevdet Bajrës merr çmimin “Medalioni i kristaltë”

Libri “Vitet që nuk e sollën pranverën” i poetit Xhevdet Bajraj, ka marrë çmimin si libri më i mirë, në Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, shkruan Insajderi.

Libri është vlerësuar me  “Medaljonin e Kristaltë” ndërsa është botim i klubit letrar “De Rada”.

Çmimi u nda dje më 23 mars, ndërsa Xhevdet Bajraj, është një prej shkrimtarëve më të suksesshëm kosovarë.

Ndër vite ai është vlerësuar me disa çmime. Në vitin 2000 morri çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Çmimi Ndërkombëtar i Goliardos për Poezi në vitin 2004, çmimin për dramën më të mirë origjinale të shkruar në gjuhën shqipe në 2013 nga Festivali Monodrama në Vlorë. Por poezia mbetet një prej pasioneve të tij më të mëdha. Në 2015 u vlerësua edhe me një çmim, atë për poezinë më të mirë të paraqitur në Panairin Ndërkombëtar të Prishtinës./ Insajderi

‘Bileta të fatit s’ka veç për ata që dashuruan si te marrë’

Këngëtarja Altuna Sejdiu- Tuna së fundmi është kthyer me albumin e saj “Fortuna” që përmban disa këngë ritmike e balada, një pjesë e të cilave janë kompozuar nga Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku.

Mirëpo bashkëpunimi i Tunës me këta dy krijues e këngëtarë ka qenë shumë i hershëm.

KultPlus ju risjell një krijim të Tunës para më shumë së dhjetë vite. Kënga “Bileta” është një nga këngët më identifikuese të Tunës. KultPlus sot ju rikthen pikërisht këtë këngë, me të cilën Tuna është prezantuar në Top Fest-in e vitit 2007-të.

Sonte nga banesa jote shkoj

Zbathur jam që fqinjët mos ti zgjoj

Dhe në ulësen para një taksisë

Më shpëtoj një fjalë, fjal e pistë

Dashuria ka ca muaj ngec

Taximetri sonte le të ecë

s’është hera e fundit e as e parë

Që nëpërkëmbem sikur leckë

Ti je vrasës e unë një e çalë

Vetëm Zotin e pata dëshmitar

Rezervo, rezervo në harresë një dhomë

Rezervo nëse do, se kjo dashuria jonë

Për ditë të lumtura, vulën e zezë e ka

Rezervo tek hakmarrja dhomë,

Rezervo nëse do, nëpër t’kuqe ti kalo

Për ditë të lumtura, dije më bileta ska…..

Ështe i hapur ndonjë stacion, që punon 24 orë

Sporteli i fatit, ju lutem ndjesë

Më jepni pak, pakës shpresë

Ka bileta për mëkatar,

Ka bileta edhe për tradhtar

Bileta të fatit s`ka veç për ata

Që dashuruan si te marrë

Kur te arka e jetës, parkon

Çast i lumtur, ti pyet sa kushton..

Rezervo, rezervo në harresë një dhomë

Rezervo nëse do, se kjo dashuria jonë

Për ditë të lumtura, vulën e zezë e ka

Rezervo tek hakmarrja dhomë,

Rezervo nëse do, nëpër t’kuqe ti kalo

Për ditë të lumtura, dije më bileta s’ka….

më bileta s’ka, më bileta s’ka,

Nananaa nananaa nanana

oohoho nanana nananaa

Më bileta s’ka, më bileta s’ka

Rezervo, rezervo në harresë një dhomë

Rezervo, rezervo në harresë një dhomë

Rezervo, rezervo….

Për ditë të lumtura,vulën e zezë e ka

…tek hakmarrja dhomë,rezervo nëse do

nëpër t’kuqe ti kalo…

Për ditë të lumtura, dije më bileta ska

Kritikat e Valdrin Sahitit për Elvana Gjatën: 20 mijë euro merr në koncert, një çantë, një peliçe, një palë këpucë nuk i ke firmë

Dizajneri Valdrin Sahiti ishte i ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”. Ai zbuloi për herë të parë publikisht se sa para fiton këngëtarja e njohur Elvana Gjata për një koncert. Gjatë intervistës, Sahiti rrëfeu se ajo merr 20 mijë euro për një koncert të vetëm.

“Elvana është shumë e përqendruar në muzikë, në vokal dhe unë ja kam sjellë fokusin edhe tek paraqitja. E kam ndihmuar me kurimin e imazhit edhe jashtë skenës. Në fillimet tona i thashë t’i kushtonte rëndësi edhe veshjes jashtë skenës. Në një rast kur udhëtuam bashkë i thashë si s’po të vjen turp, 20 mijë euro merr në koncert, një çantë, një peliçe, një palë këpucë nuk i ke firmë. Të paktën një çantë Louis Vuitton bazike duhet ta kesh patjetër i thashë. Nuk më duhet tha, kam blerë 3 të tilla nga 50 euro online. I thashë ose merre çantën dhe bëhu njeri ose nuk punojmë më bashkë. Pastaj me vite e detyrova të blente çantën, peliçen etj”, tha Valdrini.

20 vjet më pas: Lotët ende nuk janë tharë nga mizoritë në Kosovë

Në vitin 2010 Fahrija vendosi që vetë të marrë rolin e burrave, që nuk ishin më. Ajo themeloi “Kooperativën Bujqësore Krusha”, punësoi rreth njëzet të veja lufte nga fshati. Kështu, filloi të përpunojë speca, patate, qepë dhe tranguj nga fusha rreth fshatit dhe t`i shesë ato në tregjet e regjionit. “Puna shëron”, thotë Fahrija.

“Lotët ende nuk janë tharë nga mizoritë në Kosovë”. Kështu mund të përkthehet në shqip titulli i një reportazhi të zgjeruar që ka botuar gazeta zvicerane Tagblatt (dhe e kanë marrë edhe disa gazeta tjera) në prag të 24 marsit, ditës së fillimit të sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë e në Serbi.

Gazetari ka vizituar Krushën e Madhe, njërën ndër vatrat e masakrave më të mëdha të kryera në Kosovë nga serbët ku në bashkëbisedim me gratë që kanë mbetur për të vazhduar jetën në këtë fshat të shkatërruar, ka evokuar tmerin e ndodhur 20 vite më parë, shkruan albinfo.ch. Por më shumë se kaq, ai është ndalur në jetën që bëhet në këtë fshat të mbetur pothuaj vetëm në gra, pasi që shumica e burrave dhe djemve janë vrarë nga soldateska serbe ose konsiderohen të zhdukur, sot e 20 vjet më parë.

“Para 20 vitesh NATO filloi bombardimin e trupave serbe. Ishte ky aksioni i parë humanitar luftarak i Aleancës. Me të do të duhej të përfundonin mizoritë në Kosovë, mizoritë sikur ajo në fshatin Krushë e Madhe.

Fahrije Hoti ndalon dhe e shikon bashkëbiseduesin në sy. Ajo qeshet shkurt, i heq flokët e ngjyrosura me të kuqe nga balli dhe vazhdon të rrëfejë për ditën që asaj i shkatërroi jetën. Ka qenë 25 marsi 1999, një e enjte. Ajo ishte zgjuar pak pas orës 5 dhe jashtë kishte dëgjuar të shtëna e britma njerëzish. Lufta në Kosovë po vazhdonte prej muajsh por deri në atë ditë, në fshatin e bujqve, në Krushë të Madhe, terrori nuk kishte mbërritur akoma. Fahrija e zgjon vajzën e saj trevjeçe dhe e merr në krah të birin, foshnjë tremuajshe. Para shtëpisë e takoi bashkëshortin e saj, Bashkimin. “Serbët e kanë rrethuar fshatin, fshihuni”, bërtiti ai. Pastaj iku nga aty. Ishte hera e fundit që Fahrija e pa Bashkimin.

Fahrije Hoti

Nëna e re me fëmijët e saj iku drejt malit. Gjysma e fshatit ishte grumbulluar aty ku dhe qëndroi deri në mëngjesin e nesërm. Pastaj serbët i zbuluan. Gratë u grumbulluan në xhaminë e fshatit, një pjesë  burrave u ngarkuan në një kamion ndërsa të tjerët i futën në një shtëpi të zbrazët ku shtënë me pushkë në ta. Pastaj trupat serbe ia futën zjarrin shtëpisë. 182 burra vdiqën aty. Gratë u ndoqën nga fshati. “Ikni drejt perëndimit, drejt vdekjes”, u bërtisnin atyre burrat e uniformuar, shkruan gazeta zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Fahrija eci, me ditë të tëra. Në vazhdimësi atë e parakalonin makina ushtarake serbe, prej nga ushtarët e përqeshnin, pështyenin dhe urinonin. Në rrethinën e Rugovës, gratë e Krushës së Madhe u ndaluan në një postbllok serb. Njëri nga policët ia mori djalin dhe po e mbante lart në duar. Ajo i dha atij të holla, të gjitha që i kishte. Ai i mori, e hodhi foshnjën në tokë dhe vazhdoi tutje me të vetët. Fahrija e ngriti të birin nga toka dhe vazhdoi të ecte më tej, deri në kufirin me Shqipërinë. Tre muaj ka pritur atje, derisa në qershor, lufta kishte marrë fund. Pastaj qe kthyer në fshatin e saj të shkatërruar.

Lufta, thellë në kockat e njerëzve

Sot, 49 vjeçja rri ulur pranë një tavoline në një kontainer të bardhë. Në mur janë të varura fotografitë e grave fshatare dhe certifikata në kornizë. Kontaineri është selia e kooperativës bujqësore të Fahrijes, të cilën ajo e ka themeluar para 9 vitesh, transmeton albinfo.ch. Ajo thotë se kjo ishte përpjekja e saj për të krijuar një realitet të ri. Por jashtë në fshat, këtu në perëndim të Kosovës, realiteti i vjetër vazhdon të jetë i kapshëm. Përmendoret dhe emrat e rrugëve të kujtojnë heronjtë e rënë të luftës, simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, shihen kudo. Lufta ka 20 vjet që ka përfunduar. Por ajo vazhdon të mbetet edhe sot e gjithë ditën, thellë në kockat e njerëzve.

Kur serbët masakruan familjet fshatare të Krushës së Madhe, situata në krahinën  e atëhershme të Kosovës kishte kohë që kishte dalë nga kontrolli. Nga shkurti i vitit 1998 po luftonin trupat e liderit serb, Millosheviç dhe njësitet guerile të UÇK-së. Millosheviçi dëshironte që me të gjitha mjetet të pengonte ndarjen e mëtejshme të shtetit të përgjysmuar të Jugosllavisë. UÇK ndërkaq synonte që të çlironte popullatën shumicë shqiptare të Kosovës nga kthetrat serbe, transmeton albinfo.ch. Më 24 mars 1999, para saktësisht 20 viteve, NATO nën drejtimin e SHBA-së vendosi që me “Operation Allied Forces” t`u jipte një fund mizorive luiftarake në Kosovë.

Aleanca perëndimore ndërmori hapin ekstrem: një ndërhyrje ushtarake pa mandat të OKB-së dhe pa qenë i kërëcënuar drejtpërdrejt ndonjë shtet anëtar i NATO-s. lufta e Kosovës ishte “aksioni i parë humanitar ushtarak” i NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan pati deklaruar në ditët e para të luftës se “ka kohëra kur përdorimi i dhunës në shërbim të përpjekjeve për paqe mund të jetë legjitim”. Presidenti amerikan Bill Clinton u sqaronte bashkëkombësve të vet përmes një fjalimi televiziv nga Shtëpia e Bardhë se, qëllimi i vetëm i kësaj lufte ishte dëbimi i trupave serbe nga Kosova dhe përfumimi i mizorive në krahinë.

1200 aeroplanë luftarakë nga 14 shtete kanë bërë fluturime kundër trupave të Milosheviçit. “Janë shkatërruar 650 fshatra dhe velerësohet se kanë humbur jetën 13500 njerëz nga “reshjet e bombave”. (V.J. Këtu gazeta ngatërron numrin e viktimave nga bombat, me atë të shkaktuar nga trupat dhe paramilitarët serbë, duke ia imputuar pa të drejtë, sulmeve të NATO-s!. albinfo.ch). Rreth gjysma e gjithë tokës bujqësore në Kosovë pas luftës ishte shkretëruar, një e treta e shtëpive, të pabanueshme.

Njëra ndër masakrat më të rënda të luftës

Në Krushën e Madhe pas luftës asgjë nuk ishte si më parë. 793 shtëpi ishin shndërruar në hi e pluhur. Por nuk ishin vetëm muret e rrënuara të shtëpive të tyre që po vështirësonin jetën e grave të fshatit. Ishin para së gjithash burrat e zhdukur. Kur Fahrije Hoti dhe fqinjet e saj qenë kthyer në fshatin e tyre në qershor 1999, vetëm atëherë e kishin kuptuar me të vërtetë se çfarë kishte ndodhur në muajin mars. Ato qëndronin para kodrave me trupa të karbonizuar, disa klithnin, të tjerat heshtnin, të gjitha të përhumbura e të pafuqishme. Masakra e cila ua grabiti burrat, konsiderohet si njëra ndër më të rëndat në luftën e Kosovës. Në aktakuzën kundër Millosheviçit, i cili qe detyruar të përgjigjej në Tribunalin e Hagës për rolin e tij në luftë, kësaj masakre i është kushtuar vend i veçantë.  Por Milosheviçi vdiq në qelinë e tij ende pa iu shqiptuar vendimi gjyqësor, përcjell albinfo.ch. Drejtësia nuk ka ardhur kurrë më për gratë e Krushës së Madhe.

Fahrija e mban unazën e saj martesore edhe sot në dorën e saj të majtë. Është gjëja e vetme që i ka mbetur nga i shoqi. 170 euro në muaj i merr ajo si pension, ashtu sikurse edhe 138 të vejat tjera në Krushën e Madhe. Përgjigje për atë çfarë ka ndodhur me burrin e saj, nuk ka marrë kurrë.

Fahrija thotë: “Kjo qëndron mbi mua si një hije. Nuk mund ta heq dot”.

Në vitin 2003 ajo themeloi shoqatën “Të vejat e Krushës”. Fahrija dhe gratë tjera në “Fshatin e të vejave të luftës” i vunë vetes si qëllim, t`i gjenin burrat e tyre të zhdukur. Mbështetje nuk morën pothuaj fare, kërkimi për burrat që nuk u gjetën kurrë, mbeti i pasuksesshëm.

“Puna shëron”

Për këtë arsye, në vitin 2010 Fahrija vendosi që vetë të marrë rolin e burrave, që nuk ishin më. Ajo themeloi “Kooperativën Bujqësore Krusha”, punësoi rreth njëzet të veja lufte nga fshati. Kështu, filloi të përpunojë speca, patate, qepë dhe tranguj nga fusha rreth fshatit dhe t`i shesë ato në tregjet e regjionit. “Puna shëron”, thotë Fahrija.

Sot kooperativa e saj punëson 48 veta. Këtij numri pastaj i shtohen dhjetra bujq nga regjioni të cilët i sjellin perimet e tyre në kontainerin e bardhë, ku punëtoret e Fahrijes në kazana gjigantë prodhojnë ajvar, dhe specialitete tjera, transmeton albinfo.ch. Ato punojnë në dy ndërrime, 24 orë në ditë. 600 tonelata perime i kanë përpunuar ato në vitin që shkoi. Ato furnizojnë tregjet në gjithë vendin dhe eksportojnë në Gjermani e në Zvicër.

Shumëçka sot është ndryshe, më e profesionalizuar, më e madhe se para 9 vitesh, kur Fahrija kishte themeluar kooperativën. Por një gjë ka mbetur njësoj: logoja në kavanozat e prodhimeve. Ajo tregon një grua fshati me shami të bardhë në kokë. “Në fillim ne mbanim shaminë e bardhë si shenjë solidarizimi me burrat tanë të zhdukur”, thotë Fahrija. Sot ajo u thotë klientëve se kjo është thjesht, simbol për paqen.

Fahrija është krenare se me themelimin e kooperativës, ajo ka arritur t`u japë punën dhe dinjitetin të vejave nga Krusha. I biri i saj, i cili si foshnjë qe hedhur në tokë nga polici serb, sot studion teknologjinë ushqimore në Prishtinë. Ai dëshiron ta marrë përsipër kooperativën dikur. “Por, sa të jem unë këtu, unë ngelem shefi”, thotë Fahrija dhe qeshet, përnjëherë me zë dhe me zemër.

Se çfarë ka ndodhur atëbotë në mars 1999 me burrin e saj dhe nëse ai gjendej diku në kodrën prej kufomave të karbonizuara apo qe transportuar me kamion në drejtim të lumit, këtë Fahrija nuk e di as  sot, përcjell albinfo.ch. 1666 persona në Kosovë vazhdojnë të konsiderohen si të zhdukur lufte, në mesin e të cilëve edhe 59 burra dhe djem nga ky fshat. 20 vjet pas luftës Fahrija ka hequr dorë nga kërkimi. Varri i Bashkimit në varrezën e bardhë të Krushës së Madhe mbetet bosh./ albinfo.ch

Zotërat e luftës

Poezi nga Bob Dylan.

Përkthyer nga Ben Apolloni.

Ejani ju zotëra të luftës
Ju që bëni të gjitha armët
Ju që bë aeroplanët e vdekjes
Ju që bëni bomba të mëdha
Ju që fshiheni pas mureve
Ju që fshiheni pas tavolinave
Vetëm dua që ta dini
Unë mund të shoh përmes maskave tuaja

Ju që kurrë nuk keni bërë asgjë
Pos gjërave për të shkatërruar
Ju luani me botën time
Si të ishte lodra juaj e vogël
Ju vendosët një armë në dorën time
Dhe ju fshiheni nga sytë e mi
Dhe ju ikni dhe shkoni larg
Kur plumbat e shpejtë fluturojnë

Ashtu si Juda i vjetër
Gënjeni dhe mashtroni
Lufta Botërore mund të fitohet
Doni që unë të besoj
Por unë shoh përmes syve tuaj
Dhe unë shoh përmes trurit tuaj
Ashtu si shoh nëpër ujin
Që shkon poshtë duke rrjedhë

Ju i mbushni armët
Që të terët t’i shkrepin
Pastaj ju riktheheni dhe shikoni
Kur numri i vdekjeve të bëhet i lartë
Ju fshiheni në pallatet tuaja
Derisa gjaku i të rinjve
Derdhet prej trupave të tyre
Dhe futet në baltë

Keni mbjellur frikën më të keqe
Që mund të mbillet ndonjëherë
Frikën për të sjellë fëmijë
Në këtë botë
Për kërcënimin e fëmijës tim
Të palindur dhe të paemër
Ju nuk e meritoni as gjakun
Që përshkon venat tuaja

Sa di unë
Që flas pa pritë radhë
Ju mund të thoni se unë jam i ri
Mund të thoni që boll nuk di
Por ka një gjë që unë e di
Edhe pse jam më i ri se ju
Edhe Jezusi nuk do t’ju falte kurrë
Për ato që ju bëni

Më lejoni t’ju bëj një pyetje
A janë paratë tuaja aq të vlefshme
Që të mund t’i blini faljet
A mendoni se është e mundur
Unë mendoj se ju do ta kuptoni
Kur vdekja t’jua marr taksën e saj
Të gjitha paratë që keni bërë
Ta blini shpirtin tuaj prap nuk kanë me ju dalë

Dhe unë shpresoj që ju të vdisni
Dhe vdekja juaj të vijë shpejt
Unë do të ndjek arkivolin tuaj
Në pasditen e zbehtë
Dhe unë do të shikoj ndërsa ju rrini shtrirë 
Poshtë në shtratin tuaj të vdekjes
Dhe do të qëndroj pranë varrit tuaj
Derisa të jem i sigurt se keni vdekur

Qëndresa: Është nder të jem shqiptarja e parë në Parlamentin Kantonal të Cyrihut

“Këtë datë nuk do ta harroj kurrë edhe për shkakun se lidhet me pervjetorin e sulmeve te NATO-s mbi forcat serbe në Kosovë”, thotë Qëndresa Sadriu për albinfo.ch

Pas zgjedhjes së saj deputete në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, Qëndresa Sadriu, në një prononcim ekskluziv për albinfo.ch thotë se ndihet krenare që është shqiptarja e parë e zgjedhur në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut

Në të njëjtën kohë thotë të jetë befasuar me rezultatin, ngase ka qenë në garë me politikanë shumë të njohur zviceranë nga ky kanton.

Qëndresa shprehet se ky rezultat fiton në peshë për faktin se përveç si shqiptare ajo ka fituar edhe si femër e re.

“Këtë datë nuk do ta harroj kurrë edhe për shkakun se lidhet me pervjetorin e sulmeve te NATO-s mbi forcat serbe në Kosovë”, thotë Qëndresa Sadriu për albinfo.ch.

Partia Socialdemokrate, si pjesë e së cilës ka garuar ajo, kësaj here ka marrë më shume ulëse. “Dhe kjo do të thotë se do të kemi mundësi të jetësojmë më shpejt ligjet e nevojshme në parlament”, shprehet optimiste Qëndresa.

Me këtë rast ajo përmes albinfo.ch falënderon të gjithë votuesit shqiptarë dhe të tjerë që e kanë mbështetur në zgjedhjet kantonale.

Dritarja me batanije

Poezi nga Sibel Halimi

Kam jetu në kohën 
kur ditën arsimtarin e batit e kam dëgju në klasë 
e të shtunave në ditë tregu 
tezgës së tij iu kam ofru m’ia ble mollën e kuqe

Kam jetu në kohën 
kur fustani më grimcohej nga gozhdat e bankave 
të shkollave shtëpi

Kam jetu në kohën 
kur shkrinim sheqerin dhe bënim sheqerkën tonë

Kam jetu në kohën kur tymin ia shihnim fshatit
E ne rrinim e këqyrnim seri

Kam jetu në kohën 
kur lajmin e dëgjonim nga gramafoni grunding 
Si ta prisnim lirinë

Kam jetu në kohën kur 
Me fol ishte me vra 
E me këndue elegji

Kam jetu në kohën 
kur librezat “jugobanka” ngjyrë kaltër 
Në tavolinën tonë na sjellnin mëngjesin

Kam jetu në kohën 
E dorës së zezë 
e natën dritaret i mbulonim më batanije

Kam jetu në kohën
kur lindte një fëmijë 
Njeri quhet pushkë e tjetri mallkohet

Kam jetu në kohën 
kur laheshin vetëm të dielave 
E në Shëngjergj mbushnim vaskat me lule
Me e thirrë mirësinë e me tremb të keqen

Kam jetu në kohën 
kur në vend të filmave vizatimor 
numëronim trupat të plandosur për toke
në gra, burra e fëmijë

Kam jetu në kohën 
kur koha nuk kishte orë
E hapësira kishte veç një kuptim
Arnimin e paqes

Si munden ta shikojnë n’sy një 20 vjeçar të Kosovës dhe t’ia urojnë çlirimin kur atij ia kanë dhunu fëmijërinë

Shkruan: Nezir Kraki

Para 20 viteve NATO me aleatë na dhanë çelësat e fatit tonë n’dorë.
Sa t’jemi mbi këtë tokë duhet t’iu mbesim falenderues.

20 vite rresht, ata çelësa nuk e hapen asnjë derë shprese dhe fati por (aksidentalisht dhe me dhunë) mbeten në duart e atyre që vetit ia dhanë të gjitha e popullit veç zhgënjimin.

Sa fytyra duhet t’i kenë këta uzurpatorë fati e dhunues shprese që sot t’i drejtohen të njejtit popull me urime e me kujtime?!

Si munden ta shikojnë n’sy një 20 vjeçar të Kosovës dhe t’ia urojnë çlirimin kur atij ia kanë dhunu fëmijërinë, ia kanë çoroditë adoleshencen dhe janë duke ia shkatërru rininë me gjithë ëndrrat që ka.

20 vjet banda e viedhje derisa i ranë rreth e rrotull çdo hallke të shtetit, çdo euro t’buxhetit.

Merreni me mend, 20 vjet pas çlirimit, i riu i Kosovës i ka veç dy opsione:
– përfshirjen në banda (politike)
– ikjen nga Kosova dhe nga bandat.

Na i kthena ata çelësa e thene qafen bashkë me milionat e me diplomat që as dreqit s’kanë me iu dashtë.

Gjashtëvjeçari nga Gjeorgjia fiton garën ndërkombëtare të pianos (VIDEO)

Një fëmijë nga Miltoni i Gjeorgjisë, ka fituar një konkurs ndërkombëtar për artin e tij në piano, dhe ai është vetëm gjashtëvjeçar.

Ëilliam Zhang, është fitues i vendit të parë në konkursin amerikan të “Protege International Piano and String”, duke mposhtur konkurrentët deri në moshën 56 vjeçare nga 16 vende të ndryshme, 
transmeton Klan Kosova.

Zhang filloi ta mësonte pianon në moshën katërvjeçare dhe ishte trajnuar nga profesori Raffi Besalyan.

Jashtë pianoje, Zhang pëlqen të lexojë dhe të notojë.

Më poshtë mund ta shihni performancën e tij të mrekullueshme.

Pllana kujton se si e dha lajmin për intervenimin e NATO-s

Nusret Pllana, ish prezantuesi i lajmeve në “Radio Kosova e Lirë” kujton se si e kishte kumtuar lajmin për intervenimin e NATO-s.

Zëri i tij është ende në mendjen e shqiptarëve. Veçanërisht kur e dha një lajm.

Nusret Pllana ishte ndër të parët prezantues të lajmeve që dha informacionin që Forcat Verialtlantike kishin bombarduar caqet e ushtrisë serbe.

Zëri drithërues i Radio Kosovës së Lirë, e kujton atë ditë.Në ethe e emocion tregon se si ishin përgatitur lajmet dhe edicioni i asaj dite, në bodrumin e një shtëpie në malet e Berishës

Nusreti e kolegët e tjerë të tij, fal bombardimeve të NATO-së arritën që më pas valët e radios t’i shpërndanin edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Në këtë 20 vjetor, Pllana është duke përgatitur tre filma dokumentar për të rënët për liri.

Gazetari i luftës, kishte dhënë lajmet nën uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjashtëvjeçari nga Gjeorgjia fiton garën ndërkombëtare të pianos (VIDEO)

Një fëmijë nga Miltoni i Gjeorgjisë, ka fituar një konkurs ndërkombëtar për artin e tij në piano, dhe ai është vetëm gjashtëvjeçar.

Ëilliam Zhang, është fitues i vendit të parë në konkursin amerikan të “Protege International Piano and String”, duke mposhtur konkurrentët deri në moshën 56 vjeçare nga 16 vende të ndryshme,
transmeton Klan Kosova.

Zhang filloi ta mësonte pianon në moshën katërvjeçare dhe ishte trajnuar nga profesori Raffi Besalyan.

Jashtë pianoje, Zhang pëlqen të lexojë dhe të notojë.

Më poshtë mund ta shihni performancën e tij të mrekullueshme.

Prej bjeshkës e pashë qysh digjet fshati

Poezi nga Gili Hoxhaj

Prej bjeshkës e pashë qysh digjet fshati,

qysh niset lufta

e qysh ndalet kanga.

 Qysh u shpërndanë zogjtë prej krismave

kur para syve na e vodhën pranverën.

Tu e pa tymin që dilte prej shpisë,

mu duk’ që po ma djegë fmininë e djalit,

krenarinë e burrit,

e mundin e plakut që

ma s’kollitej,  por lutej për ata që si kish pranë.

S’kisha ba kurrë kaq hapa larg shpisë,

se çdo ditë

aty e kam tymos oxhakun

për t’i dhënë ngrohtësi shpisë,

 e shije gjellës.

Atë ditë mendoja se a do t’i gjejmë të paktën themelet

e

ndoshta ata nga larg do ta paguajnë për neve biletën e kthimit.

Sa e vështirë ish me i pa ditët tua tu u djegë,

qysh hapat bahen  ma të randë

se pesha e çantave në shpinë,

e gjërave që doja t’i shpëtoja;

edhe

ajri ish ma i randë

se fëmija që e mbaja ngrykë.

Ai veç sa kish msu me ecë,

nuk i harroj

hapat e tij të parë  mbi rrugën e pasigurtë,

ato ditë kur dukej se të gjithë kishim harru qysh ecet.

S’kujtonim se kush ishim:

Shtegtarë të lirsë,

a të vdekjes.

Krejt ishim përmbledhur në një identitet,

e ashtu

rrugën e morëm bashkë,

disa i pamë të vdekur,

e disa i pamë tek vinin në jetë

pranë zjarrit të ndezur shpejt.

Aty pranë, njërit ia vunë emrin Çlirimtar e tjetrit Atdhe,

duke shpresuar se do të ktheheshim në atdheun e çliruar,

por

A do të çlirohemi ndonjëherë nga ndjesia e tmerrshme e kujtimit?


Flinim ma pak se sa që flisnim,

plaku i shpisë ndezi të fundit cigare

derisa rrudhat ia bënë shikimin më të butë,

‘do ta ndërtojmë shtëpinë e re

mbi kujtimet e vjetra’,

Në fyt më janë pllakosur fjalët

që kurrë si kam përbi:

‘Shtëpinë e ndërtojmë

por dhomat me çka t’i mbushim’.

Sinan Kajtazi rrëfen për Al Jazeeran kohën e bombardimeve: Kisha ndjenja të përziera

Sot, në shënimin e 20-të vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë e Serbi, gazetarja amerikane Valerie Plesch ka realizuar një artikull për  median ndërkombëtare Al Jazeera-n. Shkrimi me titull “20 vite nga bombardimet e NATO-s, ndjenja të përziera në Kosovë”, përfshin pesë rrëfime të ndryshme për atë kohë, shkruan KultPlus.

Në pesë rrëfimet për kohën e bombardimeve të NATO-s, artikulli përfshin edhe kujtimet e balerinit Sinan Kajtazi, i cili aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Gjatë ditës, më 24 mars ne dëgjuam në lajme se sekretari i përgjithshëm i NATO-s e  e kishte dhënë dritën gjelbër për fillimin e bombardimeve pasi nuk po arrinin të bënin një marrëveshje [me Sllobodan Millosheviçin]”, thotë fillimisht balerini Kajtazi.

Kajtazi në rrëfimin e tij tregon se ishte veç 12 vjeçar kur filluan sulmet ajrore të NATO-s, ai thotë se në atë kohë nuk kuptonte shumë gjëra dhe kishte ndjenja të përziera rreth asaj që po ndodhte.

“Isha 12 vjeç, nuk kuptova shumë gjëra, por si fëmijë, kisha ndjenja të përziera. Nuk e dija nëse duhet të ndihem i lumtur apo duhet të kem frikë, a nënkuptonte kjo diçka të keqe apo të mirë?. Ishte errët kur ata filluan të bombardonin. Me fqinjët dhe familjarët po kontaktonin përmes telefonit – thonin se është më mirë të mbuloheshin dritaret me batanije, për të fshehur dritën brenda shtëpive”, shprehet Kajtazi për Al Jazeeran, përcjell KultPlus.

Foto: Valerie Plesch

“Pas një ore, familjarët e mij thanë se është më mirë nëse shkojmë në shtëpinë e fqinjit, është më mirë nëse jemi më shumë njerëz së bashku, pra nuk morën asgjë me vete. Ishte natë, [kemi ecur] drejt shtëpisë së fqinjit tonë, që ishte rreth 200 metra nga shtëpia jonë. Gjatë mesit të rrugës, kishte një shpërthim të madh në ajër. Ne nuk e dinim se çfarë ishte, por të gjithë kishin frikë dhe ndjeheshim në panik, kështu që ne shkuam në shtëpinë e fqinjit dhe ne fjetëm të gjithë së bashku atë natë”, thotë Kajtazi.


 Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova. / KultPlus.com

Kosnett: Kosova dhe Serbia ta zbardhin fatin e të pagjeturve

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, tha se 20 vjet më parë SHBA-ja ka mbështetur intervenimin e NATO-s për t’i dhënë fund regjimit të spastrimit etnik të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore.

Në një adresim në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, ambasadori Kosnett tha se tani është koha që Kosova dhe Serbia të ndërtojnë shoqëri ku të gjitha komunitetet jetojnë bashkë në paqe dhe me dinjitet. Ai ka bërë thirje që të shtohen përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.

“Pra sot, si reflektim – unë bëj thirrje për veprim. Inkurajoj qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të garantojnë se viktimat dhe familjet e tyre – të të gjitha kombësive dhe komuniteteve – kanë qasje të plotë në informata për fatin e të zhdukurve. Si dhe bëj thirrje tek të dyja qeveritë të rrisin përpjekjet për të vendosur drejtësi për viktimat e krimeve të luftës”, tha Kosnett, përcjell rel.

Ambasadori Kosnett theksoi së në këtë 20 vjetor, duhet të përkujtohen qindra mijëra viktima të pafajshme, që lëshuan shtëpitë e tyre dhe ata që u zhdukën. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kanë vepruar për të garantuar paqe dhe stabilitet në rajon.

Data 24 mars shënon 20 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë. Fushata, që i dha fund luftës në Kosovë, zgjati 78 ditë.

Përkujtohet aktorja Adriana Abdullahu në 20 vjetorin e vrasjes

Me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së aktores ferizajase, Adriana Abdullauhu, Teatri i qytetit të Ferizajt që mbanë emrin e aktores po e kujton atë përmes disa aktiviteteve, shkruan KultPlus.

Aktivitet të kujtim të Adrianës tashmë kanë filluar me homazhe tek varrezat e qytetit, për të vazhduar me mbrëmje përkujtimore nga ora 18:00, e me pas me  shfaqjen ‘Psikoze n’4:48’, në ora 20:00.

Aktorja Adriana Abdullahu u vra më 22 mars të viti 1999 në një kafiteri në Prishtinë, në vlugun e luftës çlirimtare të viti 1999 dhe pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj objektivave ushtarake Serbe./ KultPlus.com

Bashkëbisedim me shkrimtarin dhe poetin Eqrem Basha

Në kuadër të edicionit të 19 – të, programit të Javëve të Frankofonisë në Kosovë, Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Qendrën Universitare Frankofone do të organizojë një bashkëbisedim me shkrimtarin dhe poetin e njohur Eqrem Basha, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje kulturore- letrare do të jetë prezent edhe përkthyesi i njohur i romanit “Lakorja eik’sit” Sebastian Gricourt. Ai do të flasë për qëndrimin e tij rreth letërsisë dhe eksperiencës së tij.

Bashkëbisedimi do të mbahet të hënën, më 25 mars duke filluar nga ora 14:00 në Fakultetin Filologjik të Prishtinës (Qendra Universitare Frankofone).

Gjatë muajit mars, Javët e Frankofonisë do të jenë të pasura me një shumëllojshmëri të gjerë të ngjarjeve: koncerte, konferanca, filma të metrazhit të gjatë, dhe filma të metrazhit të shkurtë, ekspozita dhe takime me artistë dhe realizator të filmave.

Të gjitha informatat mbi aktivitetet dhe vendet tregohen në programin e detajuar të cilin e keni të bashkangjitur dhe dhe në faqet e facebook-ut të Frankofonisë në Kosovë

https://www.facebook.com/francophoniekosovo/

Hyrja për të gjitha aktivitetet është falas.

Arti i të rinjve gjakovarë në shërbim të komunitetit

Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Gjakovë ka organizuar vizatimin e muraleve në dy lokacione në këtë qytet, shkruan KultPlus.

Fillimisht të rinjtë vullnetarë të kësaj organizate kanë vizatuar në repartin e pediatrisë te spitalit rajonal ‘Isa Grezda’. Beratrisa Zherka, vullnetare e kësaj organizate thotë se e tërë kjo ide ka ardhur pasi që spitalet zakonisht duken shumë të zymta dhe përmes kësaj iniciative kanë dashur ti japin pak ngjyrë të paktën këtij reparti.


Përveç Pediatrisë ku kanë vizatuar dhe ngjyrosur deri tash14 dhoma dhe korridoret, vullnetarët kanë vizatuar edhe në qytet. Murali i qytetit përçon mesazhin anti- bullizëm dhe sipas kryetarit të organizatës KVRL,  Idea Zhavellit ato kanë për qëllim t’i vetëdiesojnë të rinjtë kundër ngacmimeve janë më të pranishme në shkolla.

Zhaveli tutja ka thënë se KVRL ka për synim të  vazhdojë me aktivitete vetëdiesuese dhe në të mirë të komunitetit.
Murali kundër paragjykimit dhe ato të pediatrisë u realizuan nga anëtarët e klubeve Skye dhe KVRL-Gjakovë me implementim nga WorldVision dhe financuar nga GIZ./ KultPlus.com

‘Bajrami dhe Pashkët më 1 prill 1999 erdhën bashkë, në të njëjtën ditë lufte’

Shkruan: Tinka Kurti

Bajrami dhe Pashkët më 1 prill 1999 erdhën bashkë, në të njëjtën ditë lufte. Ne na gjetën në një dhomë barake, myslimanë e katolikë bashkë, 40 veta. Ishim strehuar aty që nga data 24 mars kur kishin filluar bombardimet e NATO-s kundër ushtrisë serbe. Mes 40 personash nuk njiheshim secili me secilin. Në ditën e nëntë të strehimit i bëmë dy lloj ushqimesh pasi kremtonim dy festa përnjëherësh dhe i bëmë të njëjtat lutje e urime. Natyrisht zëulët e në terr pasi dritaret e dhomave ishin të mbuluara me batanije. Secila shtëpi me të izoluar dukej kështu. Athua për të krijuar përshtypjen e braktisjes nga frika e hakmarrjes së forcave serbe ndaj bombardimeve të NATO-s. Ato 9 nëntë ditë kishin kaluar kryesisht me bukë e djathë të kriposur shtesë. Natën e 1 prillit kishim fjetur të veshur edhe me pallto. Gati për ikje. Mbaj mend se të nesërmen ne u detyruam ta lëshojmë Kosovën drejt Shqipërisë. Ecëm nga Gjakova në këmbë, përfshirë gjyshja ime 60 vjeçe dhe motra 4. Dy të tjerat edhe më të vogla i bartnin nëna dhe babai im.

Bombardimet ishin shpresa jonë shtesë.

Himni i Flamurit nga Eqrem Çabej


Një sprovë e hershme për Himn të Flamurit nga Eqrem Çabej. Për respekt të pjesëmarrësve të tjerë në konkursin e zhvilluar për himnin, Çabej e pati tërhequr nga gara.

EQREM ÇABEJ – HIMNI I FLAMURIT

Buzë valësh që rreh deti
Përmbi shkrepe mijvjeçare
Përmbi mal ku sundon shqipja
Edhe rrit gjini krenare,
Ku jep burri besa-besën
E ku vdes si vdiq qëmotit,
Po valon e lëshon hije
Flamuri i Kastriotit.

Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!

Te kështjell’ e bardh’ e Krujës
Rreth e qark e mbi bedena
U mblodh komb’ i fort’ i Arbrit
Rreth Shqiponjës me dy Krena.
U droth toka fort e vjetër
Kur i ranë kaq dëshmorë
Rreth flamurit të përgjakun
Si dhandurë me kunorë.

Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!

Ju Shqiptarë djemt e shqipes
Mos harroni se kush jemi.
Këtë flamur kurr të thyem,
Këtë gjak në dej që kemi,
Këtë truell që na dha Zoti,
Bani be se do t’i mbroni,
Dhe sa jet nji frym’e gjallë
Kurrëkuj s’do t’ia lëshoni.

Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe! / KultPlus.com

Fare nuk lexojmë, e aq shumë flasim dhe shesim mençuri!

Shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, në ditën e sotme thekson faktin se sa e rëndësishme është të lexohet sa më shumë e të flitet sa më pak.

“Fare nuk lexojmë , e aq shumë flasim dhe shesim mençuri! Sikur të lexonim nga një libër në vit, do vinte dita kur do e kuptonim sa shumë rrëfen heshtja dhe, sa i mençur është ai që di të dëgjojë!”, ka shkruar Mehmeti në Facebook. / KultPlus.com

Nga Shqipëria në Qipro, udhëtim përmes lirikës së re të Europës

Jan Wagner, i cili mban çmimin Georg Büchner, dhe Federico Italiano ndërmarrin një udhëtim poetik nga Shqipëria në Qipro. Grand Tour quhet antologjia më e re e lirikës bashkëkohore evropiane ku paraqitet ngatërresa shumëgjuhëshe e zërave të brezit të ri të poeteve dhe poetëve të Evropës.

Lindita Arapi nga Shqipëria, Pavle Goranović nga Mali i Zi, Nikola Madžirov nga Maqedonia, Ana Ristović nga Serbia, Adisa Bašić dhe Faruk Šehić nga Bosnia dhe Jan Ëagner lexuan në stendën Traduki nga antologjia e botuar nga Shtëpia Botuese Hanser.

Përveç Lindita Arapit në këtë antologji janë përfshirë dhe poetët e tjerë shqiptarë: Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Arian Leka, Parid Teferiçi dhe Albana Shala. Një hap shumë i mirë ky për prezantimin dhe njohjen e poezisë më të mirë bashkëkohore shqipe në gjuhën gjermane. /j.p/ KultPlus.com

Ava Max ndan me fansat prapaskenat e xhirimeve të “So am I”

Këngëtarja shqiptare Ava Max është aktualisht duke shijuar suksesin e projektit të saj muzikor më të fundit “So am I”.

Kjo këngë e ka renditur vajzën nga Shqipëria lartë në top listat britanike dhe amerikane, teksa ishte një vazhdimësi e suksesit të padiskutueshëm që pati kënga “Sweet but Psycho”.

Ava Max (Foto: Bennett Raglin/Getty Images/Guliver)

Ava Max tashmë ka filluar të bëhet një emër mjaft i ndjekur edhe në rrjetet sociale, përmes së cilave ndan me fansat imazhe të ndryshme nga jeta e përditshme dhe aktivitetet muzikore.

Së fundmi, ajo ka ndarë me ndjekësit e saj disa imazhe nga prapaskenat e xhirimeve të klipit më të fundit, duke treguar se sa mirë ia ka kaluar nën shoqërinë e produksionit dhe të statistëve.

Xhirimet e këtij klipi janë kryer në Kaliforni,teksa deri më tani kjo këngë numëron mbi 11 milionë klikime në kanalin YouTube. /Telegrafi/