‘Nuk kemi mësuar të ecim në tokë si vëllezër e motra’

Martin Luther King, Jr. ishte një amerikan klerik, aktivist dhe udhëheqës i shquar i Lëvizjes së të Drejtave Civile afrikano-amerikane.

Trashëgimia e tij kryesor ishte për të siguruar përparimin në të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, dhe ai është bërë një ikonë të drejtave të njeriut : King njihet si një martir nga dy kishave të krishtera.

KultPlus sot ju sjellë një thënie të tij.

Kemi mësuar të fluturojmë në ajër si zogj,
të notojmë deteve si peshq…
E prapë se prapë nuk kemi mësuar të ecim në tokë si vëllezër e motra.

Orhan Pamuk: Nuk dua të jetoj në SHBA dhe të qaj për fatin e Turqisë

Me rastin e botimit në Francë të këtij romani që flet për historinë e një ustai dhe një çiraku që hapnin puse ai i ka dhënë revistës “Le Point” një intervistë sa letrare po aq edhe shprehëse për gjendjen e sotme në Turqinë e Erdoganit. Lapsi.al ka përzgjedhur dhe përkthyer vetëm pjesën politike të këtij bashkëbisedimi për të marrë një vështrim të dorës së parë për gjendjen në vendin që Shqipëria e ka shpallur aleat të vetin strategjik. Dhe është vështrimi i mprehtë i Balzakut të Bosforit.

Le Point: A keni më ju po të njëjtën dëshirë që të shëtisni rrugëve të Stambollit?

Orhan Pamuk: Jo për shkak të situatës politike. Unë nuk shkoj më në restorantet e sofistikuara dhe të mbushura me njerëz. E urrej që të shoh gjithë atë turmë duke qeshur ndërkohë që nuk duhej ta bënin këtë. Unë nuk dua ti shoh ata klientë të lumtur.

Le Point: Ju keni shkruar: “Jam i zemëruar dhe shumë i zhgënjyer për mënyrën si ka ndryshuar vendi im. E keni bërë këtë pas burgosjes së gazetarit Mehmet Altan dhe vëllait të tij shkrimtar Ahmet Altan në shtator 2016. Megjithëatë shtonit se jeni optimist, a ndiheni ende kështu?

Pamuk: Jo, nuk ndihem më. Humori im nuk është si para dy vjetësh. Atëherë ishin përpara zgjedhjet, referendumi, kishte një perspektivë dhe unë përpiqesha të mbaja në jetë optimizmin tim. Sot jam i trishtuar, opozita është thyer, nuk ka alternativë. Partia më e madhe kundërshtare e Erdoganit e rivalizon atë në garën nacionaliste dhe kjo forcon edhe më shumë atmosferën e ngjeshur me nacionalizëm dhe autoritarizëm në vend. Unë jam gjithashtu tejet i zhgënjyer me qëndrimin e Europës.

Le Point: Për çfarë arsyeje?

Pamuk: Duke përjashtuar një grusht intelektualësh idealist, Europa është moskokëçarëse ndaj demokracisë në Turqi. “Ju lutem kujdesuni për Emigrantët”, vetëm këtë thonë Franca dhe Gjermania. Dhe ky është mesazhi i vetëm që u dërgojnë demokratëve turq. Ata duken shumë të kënaqur që e paguajnë me para në dorë qeverinë e ankarasë për t ju hequr qafe muslimanët e shkretë. Dhe pastaj e quajnë islamiste këtë qeveri. Po a është islamizëm që të paguhesh që Europa mos mbushet me emigrant myslimanë?

Le Point: Çfarë duhet të bëjë Europa?

Pamuk: Mos e gjykojë qeverinë e sotme apo të nesërme sipas këtij kriteri të vetëm, që është shumë egoist dhe që i lejon bashkëbiseduesit të tyre ti shantazhojë gjatë gjithë kohës.

Le Point: Erdogani ndër të tjera ka deklaruar: “Europa i’a dedikon paqen e saj aktuale sakrificave të Turqisë dhe popullit turk”…

Pamuk: Nuk mund ta kritikosh hapur qeverinë. Dy vjet më parë, përpara referendumit, gazeta më e madhe e Turqisë, Hurryet më kërkoi një intervistë se përse unë do të votoja JO, etj. Isha shumë i kënaqur për këtë deri sa kryeredaktori më mori n telefon dhe më tha se fatkeqësisht ai nuk kishte mundësi ta botonte. Unë jam një nga shkrimtarët më të rëndësishëm në vend, por unë nuk kam të drejtën të botoj në gazetën më të madhe turke. Ngushëllimi im i vetëm është se libri im i fundit ka shitur më shumë kopje sesa tirazhi i saj.

Turqit e duan shtetin e së drejtës, por ata janë të mërzitur që ai është shndërruar në arbitrar. Qeveria nuk respekton më kushtetutën. Njerëzit qëndrojnë 14 muaj në burg pa një proces të rregullt, ndërsa zëdhënësi i qeverisë gëzohet se po ndërtohen burgje të reja.

Le Point:Pse vazhdoni të qëndroni në Turqi?

Pamuk: Sepse është vendi im. Unë nuk dua të jetoj gjithë kohën në ShBA, ku jap mësim gjatë një semestri dhe pastaj të qaj aty për fatin e atdheut. Unë dua të jetoj në Turqi dhe i dashuroj njerëzit që më thonë: “qëndo këtu”. Unë dua të më rikthejnë vendin tim që nuk është vetëm vendi i atyre që janë në pushtet.

Le Point:Ruheni ende nga një truprojë?

Pamuk: Po kam një të tillë të ofruar nga qeveria. E theksoj këtë për të kuptuar se gjërat janë më të komplikuara sesa duken në sipërfaqe.

Intervistë për Le Point/Përktheu Lapsi.al

22 vjet nga tragjedia e Otrantos, familjarët kërkojnë drejtësi

Edhe pas 22 vitesh nga tragjedia e Otrantos, familjarët e viktImave përsërisin apelin për drejtësi.

Teksa përkujtuan jetët e humbura duke hedhur buqeta me lule në det, familjarët apelojnë për ndihmë nga shteti për të marrë dëmshpërblimet.

‘Duam drejtësi’ – Është kjo lutja që bëjnë familjarët e vikitmave edhe pasi kanë kaluar 22 vite nga tragjedia e Otrantos. Me lot dhe buqeta me lule hedhur në det familjarët përkujtuan edhe këtë vit 81 viktimat e tragjedisë, nga të cilët 24 të zhdukur.

Teksa kanë përsëritur thirrjet për drejtesi familjarët e viktimave kërkojnë dëmshpërblimin që nuk e kanë marrë ende edhe pse kanë kaluar plot 22 vite.

Në kanalin e Otrantos në 28 marsin e vitit 1997, jeta e 115 personave u trondit pasi anija ” Kateri Radës” që udhëtonte drejt Italisë u përplas në Detin Adriatik. 57 persona u gjetën të pajetë, 34 mbijetuan, ndërsa 24 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Hapet aplikimi për të rinjtë në programin UPSHIFT

UNICEF Innovations Lab Kosovo në partneritet me PEN organizon UPSHIFT: Social Impact Workshop, prej 19 deri më 21 prill të këtij viti, shkruan KultPlus.com

Përmes këtij programi keni mundësi të :

Zhvilloni aftësitë dhe përvojën tuaj profesionale

Zgjidhni sfidat shoqërore dhe kontribuoni në komunitetin tuaj

Mësohuni si t’i zhvilloni, planifikoni, dhe implementoni idetë tuaja

Shoqërohuni me të rinj tjerë të cilët kanë interesa dhe pasion të përbashkët për të mirën e shoqërisë

Fitoni deri në 1,000 EUR si mbështetje për t’a realizuar idenë tuaj.

Të drejtë aplikimi kanë:

Të rinjtë nga Lipjani, Shtimja dhe Graçanica;

Të rinjtë nga 15 – 24 vjeç;

Të gjitha shpenzimet gjatë tri ditëve të punëtorisë mbulohen nga organizatorët. Afati i fundit për aplikim është e Enjte, 11 prill, 2019.

Si të aplikoni:

Krijoni një ekip prej 3 – 5 anëtarë dhe kompletoni formën e aplikimit këtu:  FORMA E APLIKIMIT

Për më shumë informata: http://kosovoinnovations.org/sq/upshift/

Për të ju ndihmuar gjatë procesit të aplikimit, kontaktoni në email: [email protected] ose na telefononi në: +387 (0) 49 728 555./ KultPlus.com

I vuri flakën vetes pasi ia kthyen djemtë të vdekur nga Serbia

Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar dje Pashke Markajn nga Gjakova, një nënë e cila i vuri flakën vetës pasi iu kthyen trupat e pajetë të dy djemve të saj në luftë.

Ky delegacion që vizitoi varrin e të ndjerës Pashke Markaj, rikthyen edhe sot historinë e nënës gjakovare, që rivarrosi eshtrat e dy djemve të saj në vitin 2003, më pas dogji vetën, njofton Klan Kosova.

Postimi i plotë i VV-së:

Sot, një grup i aktivistëve nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë, i përbërë nga kryetari, Agon Batusha, deputetja Arbërie Nagavci, asambleiste, anëtarë të kryesisë, dhe aktivistë të tjerë, bënë nderime tek varri i Pashke Markajt në Korenicë.

Emri i nënës Pashke dhe historia e saj nuk janë të panjohura për qytetin tonë, por ato duhen njohur e kujtuar nga mbarë vendi. Me 27 prill 1999, në masakrën makabër të kryer nga okupatori serb në fshatrat Meje e Korenicë, ndër 374 martirët e rënë, ishin edhe dy djemtë e nënës Pashke, Gjovalini dhe Milani.

Siç ka ndodhur edhe me shumë të tjerë, ndonëse ishin vrarë, Gjovalini e Milani u cilësuan si të zhdukur deri në vitin 2003, kur trupat e tyre u kthyen dhe u rivarrosën. Pritja katër vjeçare u shndërrua në agoni shekullore për nënën Pashke. Ndonëse fija e fundit e shpresës për kthimin e tyre të gjallë nuk ishte djegur ende, ajo kishte pohuar se nuk do të jetonte më nëse djemtë nuk i kthehen të gjallë.

Me 24 maj 2003 trupat e Gjovalinit dhe Milanit veçse ishin kthyer dhe tash po rivarroseshin. Ajo fije e fundit e shpresës së nënës Pashke se ata mund të kthehen të gjallë tashmë u dogj. Vetëm tri ditë më pas, nëna Pashke i vuri flakën vetës për t’i dhënë fund jetës e dhimbjes për bijtë e saj. Sakrifica të vetëflijimit si ajo e Oso Kukës tek Lahuta e Malcis, të cilën nëna Pashke e dinte përmendësh, nuk janë të panjohura për popullin tonë.

Por, dhimbja e revolta e një nëne të cilës ia rrëmbyen, vranë, e morën peng trupat e të bijve, e ndezur në flakë, është sakrificë sublime e llojit të vetë. Nëna Pashke na bënë ta kujtojmë qëndresën e sakrificën e të gjitha grave – nënave, bashkëshorteve, motrave, e bijave, përgjatë gjithë historisë sonë.

Ajo nuk na lë të harrojmë për asnjë moment se drejtësia për secilin rast është minimumi që duhet kërkuar për dinjitetin e tyre – sepse koha e vuajtjet e tyre janë të pakthyeshme e paharrueshme. Këto histori dhe domosdoshmërinë e drejtësisë nuk mund t’i harrojmë për asnjë moment.

Ato janë të freskëta dhe duhet kujtuar sidomos në këtë kohë kur diskutohet me shumë lehtësi për kompromiset me Serbinë dhe ndarjen e Kosovës.

“Fabrika e Kukullave” si një tunel pa dritë erdhi në Teatrin “Dodona”

Skena e Teatrit “Dodona” ishte veshur me petkun e një fabrike të kukullave. Bisedat e para mes aktorëve tregojnë se bëhet fjalë për prodhimin e kukullave inteligjente, të cilat krahas shumë funksioneve të tjera dinë edhe të kritikojnë. Shfaqja “Fabrika e Kukullave” me tekst të Mentor Halitit e regji të Naser Shatrollit erdhi mbrëmë premierë për Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, shkruan KultPlus.com.

Fillimisht në skenë shfaqen Butrint Lumi (pronar i fabrikës) e Rina Krasniqi (punëtore shumëvjeçare në fabrikë). Hapësirës ku ata punojnë iu bashkohet edhe Edlir Gashi, i cili vjen nga pjesa e poshtme e skenës e këtij ambienti ia ka mësyrë për të kërkuar punë, pasi që nuk ka arritur të përmbush ëndrrën e tij për të studiuar dizajnin interier diku jashtë Kosovës. Nëpërmes këtij formati teatror – komedi e zezë, shfaqja ka synuar të eksplorojë në frymën e teatrit të absurdit të bëmat e një drejtori dhelparak – qesharak në të thëna, dramatik në të bëma, i veshur në pantallona shiz, ushqehet me të ngulmet e bilardos, i cili në vulën e hekurt të fabrikës së kukullave e fsheh diktaturën gjersa eksploron rend e ligj sa psikologjik, po kaq dhe fizik.

“Sjelljet e tij tragjikomike i ngjasojnë një diktat(ure) ori modern që ngjall nostalgji për të djeshmen tonë, përkatësisht alarmon për të sotmen servile të njeriut bashkëkohor, që është shndërruar në marionetë mashtrimi”, thuhet në njoftimin e shfaqjes.

Regjisori i shfaqjes Naser Shatrolli, tha se ndihet i lumtur që shfaqja erdhi në një ditë të veçantë që shënohet si dita teatrore kudo në botë, ndërsa falënderoi komunitetin artistik e publikun që kanë përcjellur shfaqjen. Ai tha se shfaqja është e formatit kontomperan, pra frymë e teatrit modern që jep mesazhin se ky popull nuk mund të ngelet lodër e secilit sistem.

“Nuk  është e lehtë me u përjetu, me u  kuptu dhe si të thuash të inkorporohet sepse ndërveprimi ka domen jetik. Nuk mundet ky popull të ngelet lodër e secilit sistem që vjen, nuk mundet një femër e ndershme të shndërrohet në një objekt, nuk duhet të jetë brezi rinor që në një far mënyre ta lodrojmë dhe që ta irritojmë që të marrë rrugë për tu larguar nga vendi i vet, që të hyjë në një tunel pa dritë”, tha Shatrolli për KultPlus.

Aktorja Rina Krasniqi solli rolin e Shilarës (menaxheres në Fabrikën e Kukullave), e cila ka sakrifikuar shumë nga jeta e saj për vendin e punës. Besnike shumëvjeçare e kësaj fabrike, ajo krejt në fund merr veç një premtim që nuk lidhet me punën e saj. Shefi i premton se në një të ardhme jo të afërt do ta martojë.

“Kukullat janë njëfarë metafore e njerëzve të ditëve të sotme  dhe kjo fabrikë paraqet sistemin diktatorial se si kur vjen një person i ri mundohet ta luftojë atë sistemin diktatorial të kamotshëm i cili nuk lenë me pas më shumë shpresë për atë vend”, thotë fillimisht Krasniqi.

Ajo tutje për KultPlus tha se procesi i punës ka qenë sfidues por që i ka sjellë edhe shumë kënaqësi. Ajo punon për herë të parë me Shatrollin mirëpo thotë se procesin e kanë përcjellur me energji pozitive.

“Gjatë këtyre dy muajve kemi punuar me shumë pasion, kënaqësi por edhe me shumë lodhje mirëpo ia ka vlejtur sepse premiera ka shkuar shumë mirë dhe publiku e ka pritur shumë mirë”, tha tutje Krasniqi.

Shfaqja ishte kooproduksion i Euro Ballkan Institut me Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Kompozitor: Drinor Zymberi; Skenografia: Artan Hasani & Agron Blakqori; Koreografia: Fatmir Smani;

Kostumografia: Ar Veselaj;Dizajni i dritave: Albert Gashi; Dizajni i pllakatit: Salih Lutolli (Agi); Adaptimi tekstual dhe dramatizimi: Naser Shatrolli; Bashkëpunëtore: Arjeta Miftari, Valbona Kida, Mustaf Statovci./ KultPlus.com

10 kështjellat më të bukura në Europë, në vend të dytë Kalaja e Krujës

Luftëra, rrethime, mbrojtje, karantina, fantazma, histori njerëzore dhe dashurie?

Kështjellat i kanë të gjitha!

Atëherë, nëse do të vizitonit Europën, cilën prej 10 kështjellave të fshehta do të donit të shihnit?

Ja cilat janë më të mirat, sipas “Skyscanner”.

Dracula’s Bran Castle viewed from left

1 – Kështjella Bran, Rumani

Me vendndodhje pranë Branit në Rumani, në EUropën juglindore, kjo kështjellë madhështore ngrihet në kufirin mes Vllahisë dhe Transilvanisë. Ishte e famshme për personalitetin, kontin Vlad Drakul, që frymëzoi personazhin e Bram Stokerit, Drakula.

Ndonëse konti Drakul kish lindur në Sigishoarë (Transilvani), dhe nuk ka prova historike që të ketë jetuar këtu, kjo kështjellë lidh historinë e vampirëve me emrin e tij. Bastioni i kësaj kështjelle është një mrekulli arkitekturore, pasi shkallarja e gurtë e fshehur prapa trarëve në formë rrjete merimange, të jep një efekt drite shumë të bukur, kur drita e diellit depërton mes trarëve.

Kështjella Bran është një prej destinacioneve turistike më të mëdha në Rumani, pasi legjendat me vampirë tërheqin adhurues të librave dhe historianë nga e gjithë bota, drejt kësaj kështjelle shumë të bukur. Përtej kësaj, shtëpia ku u lind Konti Drakula është sot një restorant me temë gotike, që shërben kuzhinë tradicionale rumune.

Kruja Castle

2. Kështjella e Krujës, Shqipëri

Me vendndodhje në juglindje të Europës, në qytetin e vogël të Krujës, në lartësinë 557 metra, kjo kështjellë reflekton esencën e guximit me të cilin ajo u ndërtua. Pasi u rezistoi tre rrethimeve të mëdhenj të turqve në shekullin 15, kjo kështjellë nën udhëheqjen historike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut i rezistoi pushtimit otoman me një guxim të skajshëm.

Skënderbeu është ende një figurë e nderuar në Shqipëri, i njohur për taktikat e tij ushtarake. Në një prej përpjekjeve të pasuksesshme të rrethimit nga turqit, Skënderbeu i ngatërroi turqit duke dërguar një kope dhish me qirinj që digjeshin, të cilët ua kish lidhur tek brirët. Turqit menduan që ishte një sulm. Pas kësaj, Skënderbeu kreu një kundërsulm të fuqishëm dhe i mundi turqit.

Vetëm pas vdekjes së tij, otomanët morën kështjellën dhe e kontrolluan deri në vitin 1912. Kështjella e Krujës ka një muze të mirëmbajtur i cili ka dokumentuar bëmat dhe mban sende të Skënderbeut.

3. Kështjella e Kotorit në San Giovanni, Mali i Zi

Me vendndodhje në bregun e Adriatikut në Europën juglindore, Kotori në Mal të Zi është i rrethuar nga Kroacia, Serbia, Shqipëria, dhe Bosnja.

Kjo kështjellë e bukur malore e San Giovannit që sheh shkëmbin më jugor të Kotorit, u ndërtua rreth shekullit 9 dhe ka qenë pjesë e regjimeve të ndryshëm si perandoroia bullgare, republika serbe dhe venedikase, otomanët, francezët, britanikët dhe italianët.

Në vitin 2006, Mali i Zi shpalli pavarësinë. Qyteti dhe kështjella u kanë rezistuar shumë pushtimeve dhe mbishkrimi tek porta flet shumë: “Atë që u përket të tjerëve nuk e duam, atë që është e jona nuk do e dorëzojmë kurrë”.

4. Kështjella e Carevetsit, Bullgari

Në qytetin Veliko Tarnovo të Bullgarisë, ndodhet një mrekulli arkitekturore mesjetare në një lartësi prej 206 metra – Kështjella e Carevetsit. Ishte një prej kështjellave kryesore të Perandorisë Bullgare nga 1185 deri në 1393.

Kështjella gjigande ka tre hyrje: hyrjen kryesore në perëndim, hyrjen e dytë e njohur gjithashtu si Porta Asenova në veriperëndim dhe, hyrja e tretë e njohur si Porta Frenkhisarska në jugperëndim. Frenkhisarska ruhej nga kështjella e Balduinit, e cila mori emrin e perandorit të famshëm latin, Balduini i Flandersit.

Në pjesën veriore të kështjellës, mbi lumin Jantra ekzistonte një dritare ekzekutimesh, prej ku tradhëtarët hidheshin në lumë. Më vonë, në shekullin 16 këtu u ndërtua një manastir. Pjesa qëndrore e kështjellës përbëhet nga pallati mbretëror, dy hyrje betejash dhe dy kulla betejash.

Kompleksi i pallateve përmban Kishën mbretërore, sallën e Fronit dhe dhomat mbretërore. Kështjella tërheq shumë turistë dhe gjatë netëve realizohen shfaqje të mrekullueshme me lazera.

5. Château de Commarque, Francë

Me vendndodhje në rajonin e Dordognes në jugperëndim të Francës, kjo kështjellë qëndron mbretërisht mbi një projeksion shkëmbor në luginën e lumit La Beune. Ajo u ndërtua në shekullin 12 me kërkesë të abatit të Sarlatit. Fillimisht kishte një kullë të thjeshtë prej druri, e cila u ngrit për qëllime fetare.

Megjithatë, kulla u zëvendësua më vonë nga një kullë guri teksa kështjella u zgjerua më tej për të fortifikuar vendndodhjen e saj. Château De Commarque ka mbijetuar përgjatë kohërave historike të Luftës 100 vjecare dhe luftërave fetare në Francë, një kohë kur katolikët iu kundërvunë protestantëve.

Bukuria e paprekur e pjesës që e rrethon, izolimi i kështjellës dhe historia e pasur franceze e këtij vendi është një mrekulli e vërtetë për historianët. Gjithashtu besohet se kështjella është ngritur mbi një shpellë prehistorike.

6. Kështjella e Dunluce, Irlandë

Gjendet në Irlandën Veriore dhe kjo kështjellë u ndërtua në skajet e një shkëmbi përgjatë bregdetit të Antrimit verior. Ndonëse tani e rrënuar, kjo kështjellë shërbeu si një prej strukturave më të fortifikuara për më shumë se 1000 vite, sipas ekspertëve të hsitorisë.

Për herë të parë ajo përmendet nga familja McQuillan në vitin 1513, të cilët banuan në këtë kështjellë dhe bënë disa ndërtime të tjerë përreth saj. Fillimisht kështjella kishte dy kulla të mëdha, në pjesën lindore.

Aktualisht, kështjella është nën kujdesin dhe mbrojtjen e Agjencisë Mjedisore të Irlandës së Veriut.

7. Kështjella e Charleville, Islandë

Kjo kështjellë me stil gotik ndodhet në Kontenë Offaly në Irlandë. E projektuar nga arkitekti i famshëm, Francis Johnston dhe ndërtuar nga Charles Uilliam Bury, kështjella e Charleville është një bukuri arkitekturore që ka qenë dëshmitare e fitores mbi pushtimin francez të vendit, tre herë.

Kështjella u ndërtua mes viteve 1798 dhe 1810 dhe është një dëshmi e aftësive ndërtuese të irlandezëve.

Thuhet se toka mbi të cilën u ndërtua kështjella ka qenë një manastir i lashtë, dhe një vend i shenjtë i Druidëve. Dhe ende qarkullojnë zëra për fantazma dhe ndodhi paranormale. Megjithatë, tani kështjella është e hapur për publikun, për ceremoni martesore, xhirime filmash dhe koncerte.

8. Kështjella e Edinburgut, Skoci

E ndërtuar mbi një vullkan të shuar në shekullin 9, kjo kështjellë e vjetër u ka rezistuar luftërave të panumërta, revolucioneve dhe konflikteve. Studimet arkeologjike flasin për prova të forta që e lidhin kështjellën me Epokën e Hekurit.

Kështjella ka qemerë, një labirint me tunele nëntokësorë, dhe biruca ku mbaheshin të burgosurit e luftës. Labirinti nëntokësor i tuneleve lidhet me 120 dhoma që dhe e gjithë zona njihet si Sheshi i Kurorës. Qemerët ndoshta përdoreshin si karantina gjatë epidemive vdekjeprurëse.

Në vitet 1600, Kështjella e Edinburgut shërbeu si një bazë e fortë ushtarake dhe duke patur parasysh historinë e saj me luftëra mes anglezëve dhe skocezëve, kjo kështjellë e ruan ende rëndësinë ushtarake.

9. Kështjella Predjama, Slloveni

Me vendndodhje në pjesën jugore të Europës Qendrore, Kështjella Predjama e Sllovenisë është një kështjellë e papenetrueshme 700-vjecare, në një shkëmb 123 metra. Kështjella përmban lagje të banuar, një kishë dhe një birucë.

Megjithatë, pjesa më intriguese për këtë kështjellë është ndërtimi, pasi e gjithë ndërtesa është ngritur nën një hark të formuar nga shkëmbinj, gjë që është arsyeja përse kështjella është vështirë e arritshme. Kjo mrekulli arkitekturore me stil gotik përmendet për herë të parë në vitin 1724.

Personi që e përmend është baroni hajdut legjendar Erazemi i Predjamas. Tani kështjella ruhet si një muze dhe në të gjenden sende të mrekullueshme si armë dhe piktura të një kohe të shkuar.

10. Kështjella e Chillinghamit, Angli

E famshme për dëshmitë për shfaqje fantazmash dhe ndodhi paranormale në kohët e fundit, kështjella e Chillinghamit në Northumberland të Anglisë u ndërtua rreth shekullit 12 si manastir. Ajo ishte shtëpia e Mbretit Eduardi I i cili luftoi gjeneralin e famshëm të ushtrisë skoceze, Uilliam Uallace në vitin 1298.

Duke lënë mënjanë rëndësinë historike dhe popullaritetin që ka fituar për shkak të ndodhive paranormale kohët e fundit, kjo kështjellë është e disponueshme për publikun për funksione private dhe martesa.

Aktualisht ajo zotërohet prej historianit të famshëm, Sir Humphry Uakefield, i cili është një ekspert mbi arkitekturën historike./Bota.al / KultPlus.com

15 thënie të paharrueshme nga Charles Chaplin

Sir Charles Spencer Chaplin ishte një aktor komik, kompozitor, producent, regjisor dhe shkrimtar britanik, i njohur kryesisht si simbol i humorit dhe një përfaqësues i shkëlqyer i kinemasë pa zë. Mori famë me personazhin e tij Charlot. Ka marrë disa çmime nga 1928 deri në 1972, Oskarin Hornorifik, kandidat për Paqen në çmimet Nobel në 1948.

Ja disa prej thënieve të tij më të paharrueshme:

Mëso sikur do të jetosh gjithë jetën dhe jeto sikur do të vdesësh nesër.

Mos harro kurrë të buzëqeshësh, sepse dita që nuk buzëqesh do të jetë një ditë e humbur.

Koha është autori më i mirë; gjithmonë e gjen një fund perfekt.

Jeta është e mrekullueshme, nëse nuk kini frikë.

Në fund të fundit, gjithçka është një shaka.

Nuk ka asgjë të përhershme në këtë botë të ndyrë. Madje as edhe problemet tona. 

Kur një njeri plaket, kërkon të jetojë thellësisht. Një ndjenjë e dinjitetit të trishtuar pushton shpirtin e tij dhe kjo është fatale për një komik.

 Mos prit që të të vijë radha për të folur; dëgjo me të vërtetë dhe do të jesh ndryshe.

 Ka diçka të paevitueshme si vdekja dhe kjo është jeta.

 Qesh dhe bota do të qeshë me ty; qaj dhe bota, duke të rrahur shpatullat, do të të lerë të qash. 

Numrat të shenjtërojnë; nëse vret pak je një kriminel, nëse vret mijëra je një hero.

Parë së afërmi, jeta është tragjedi, parë së largmi duket komedi.

Kuptimi i vërtetë i gjërave gjendet duke thënë të njëjtat gjëra me fjalë të tjera.  

Jam në paqe me Zotin, konflikti im është me njeriun.

Ji vetvetja dhe përpiqu të jesh i lumtur, por mbi të gjitha ji vetvetja./ KultPlus.com

Pesë karaktere brenda një shfaqje, Imer Kutllovci me premierë në Paris

Në Teatrin “Étoile du Nord” të Parisit, më 4 prill do të prezantohet premiera e shfaqjes  “J’avait un pays autrefois”, ku në mesin e aktorëve, në këtë skenë do të ngjitet edhe aktori shqiptar Imer Kutllovci, shkruan KultPlus.

Imer Kutllovci ka njoftuar për KultPlus se kjo shfaqje që do të jepet premierë më 4 prill, dhe në repertorin e këtij teatri do të jetë deri më 13 prill, kurse përpos Kutllovcit, në këtë shfaqje luajnë edhe aktorët: Nicola Vial, Constance Gay, Andrea Nistor.

Kutllovci ka shpjeguar për KultPlus se regjisori Jean Christophe Blondel e ka bazuar këtë shfaqje në “21 scène de comédie” dhe romanin “Le Roi Pot”, të shkruara gjatë Luftës së Parë Botërore nga gazetari dhe filozofi Alain (Émile Chartie).

Alain “21 scène de comédie” e kishte shkruar në frontin e Luftës së Parë Botërore, ku përshkruan shoqërinë e asaj kohe, në formë e në thellësi, ngjashëm sikur do ta përshkruante më vonë Brecht në Luftën e Dytë Botërore.

“Nga këto dy tekste, regjisori në bashkëpunim me ne aktorët ka krijuar këtë shfaqje, që flet për pushtetin me shoqërinë, dhe për faktin se cili do të duhej të jetë raporti i shoqërisë me pushtetin, por edhe fuqinë e shoqërisë që mund ta ndryshojë pushtetin.

“Është një mundësi e mirë që nëpërmjet kësaj shfaqje të zgjojmë debat mbi paqen, Evropën, pushtetin, kapitalizmin, mediet…”, ka thënë Kutllovci, i cili ka njoftuar se e njëjta shfaqje më pas do të prezantohet edhe në qytetin Rouan.

Kutllovci në këtë shfaqje paraqitet në shumë karaktere si: mbretin, kapitenin, anarkistin, pastruesin dhe një ambasador. /KultPlus.com

Afrim Ethemi shpalosi koleksionin e hartave të vjetra përmes një ekspozite

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës është bërë sot hapja e ekspozitës “Hartografia europiane dhe territoret shqiptare” e autorit Afrim Ethemi, shkruan KultPlus.

Koleksioni “Hartat e Vjetra”  i Afrim Ethemit tërheq vëmendjen ndaj kohës dhe ndryshimeve gjeografike.  Ndërsa e kaluara zhduket, zhvillohet kujtesa dhe reflektohet mbi të, shenjat zbehen por dokumentacionet tregojnë një të vërtetë të të kaluarës.

I pranishëm  në këtë ekspozitë ishte edhe ministri i Kulturës Rinis dhe Sportit, Kujtim Gashi i cili u shpreh se ekspozita të tilla me koleksione e harta nuk shohim shpesh sepse harta të tilla gjenden rrallë.

 “Ekspozita të tilla me koleksione e harta nuk shohim shpesh sepse  harta të tilla gjenden rrallë dhe janë të rralla, andaj kjo si sot që po shfaqet paraqet për mua si ministër por dhe për dikasterin që udhëheq një interesim për ti ofruar,  paraqitur, promovuar dhe pasqyruar qytetarëve vlera historike dhe kulturorë për trashëgimin e popullit shqiptarë”, është shprehur Gashi

Gjithashtu i pranishëm ishte edhe dekani i fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli i cili tha se në një shoqëri si kjo e jona që ka një traditë të varfër koleksionesh,  një koleksion i tillë është një burim i çmuar hartografik.

“Në një shoqëri si kjo e jona që ka një traditë të varfër arkivash, muzesh e koleksionesh, një koleksion kaq i veçantë me harta siç është ky koleksioni i Afim Ethemit është shumë më shumë se një koleksion privat i një koleksionuesi të pasionuar, këto harta të koleksionuara dhe të ruajtura me përkushtim nga Afrimi janë një burim i çmuar hartografik që na tregon si shihej dhe perceptohej Shqipëria dhe shqiptarët në vendet e botës perëndimore prej nga ishin hartuesit e këtyre hartave”,  tha Dugolli.

Si përfundim pak fjalë tha edhe vet autori i kësaj ekspozite Afrimi Ethemi  i cili u shpreh se këto harta pasqyrojnë kujtesën e së kaluarës për një popull i cili ende sot ballafaqohet me problemin e asaj ekzistence dhe asaj pyetje se ku kemi qenë dhe ku jemi tani dhe kush kemi qenë dhe kush jemi tani.

 “Unë me këtë koleksion nuk pretendoj që ta jap këtë shpjegim por natyrisht u ofroj mundësin të tjerëve  që ta gjejnë një  rrugë e cila do të na drejtoj apo do të na shpjegoj se kush kemi qenë dhe kush jemi”, tha autori.

Kjo ekspozitë ka pasur një rrugëtim të gjatë që nga viti 2005 kur është hapur në Prishtinë dhe ka vazhduar në Shkup në vitin 2007, në vitin e kaluar ka qenë edhe në Tiranë dhe përsëri është kthyer në Prishtinë.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 04 prill. “Hartografia europiane dhe territoret shqiptare” është organizuar nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, Fakultetit Filozofik Dega Histori dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinis dhe Sportit. / KultPlus.com

Reshat Arbana në gjendje të rëndë shëndetësore, shtrohet me urgjencë në spital

Aktori i dashur për publikun, Reshat Arbana, mësohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Arbana është shtruar ditën e djeshme me urgjencë në pavionin e Kardiologjisë në spitalin ‘Nënë Tereza’.

Gjendja e tij shëndetësore mendohet se është përkeqësuar për shkak të një sëmundjeje ishemike të zemrës, e quajtur ‘Angina Pectoris’. Deri më tani nuk ka informacione për gjendjen e aktorit 85-vjeçar.

Kujtojmë se Reshat Arbana është një nga aktorët më popullor të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga viti 1963. / KultPlus.com

Ish-refugjati nga Kosova në fshatin që i mirëpriti gjatë luftës ndërton shkollë, kopsht e ambulancë

Ish gazetari i luftës, Rexhep Shahu, ka njoftuar se Arafat Abazaj ka ndërtuar një shkollë, një kopsht dhe një ambulancë në fshatin Bardhoc të Kukësit.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se Arafat Abazaj ishte refugjat nga Kosova, i cili pas 20 viteve pas luftës ka blerë tokën dhe e ka ndërtuar dhe kompletuar shkollën fillore e kopshtin e ri në Bardhoc.

Shehu ka treguar se e vetmja kërkesë e Abazajt ishte që shkolla të ketë emrin 27 Mars, dita kur u dëbua nga serbët.

Postimi i plotë:

Dhurate mirenjohje – nje shkolle, nje kopesht, nje ambulance.

Sot me 27 mars 2019, ne 20 vjetorin e fillimit te eksodit masiv te shqiptareve te Kosoves drejt Kukesit me 27 mars 1999, nje djale nga Poslishti i Prizrenit, Arafat Abazaj pronar i kompanise ndertuese Abazaj, qe atehere ishte 18 vjec e sot 38, i ben dhurate mirenjohje per mikpritjen fshatit tim te lindjes Bardhoc te Kukesit. Dhurate jo te zakonte por nje shkolle me kopesht cerdhe e ambulance.

Arafat Abazaj beri ate qe nuk e ka bere asnje biznesmen kuksian per asnje fshat te Kukesit asnjehere ne tri dekada postkomuniste.

Arafati e ka blere token dhe e ka ndertuar dhe kompletuar shkollen fillore e kopeshtin e ri ne Bardhoc.

Natyrisht qe ishte nder ditet me emocionuese lidhur me historite e mirenjohjes e falenderimeve te shqiptareve te Kosoves ndaj atyre ne Shqiperi.

Eshte gjesti i pare kaq fisnik e madheshtor, gjest qe nuk e bejne shtetet tona por e beri nje ish i de.buar nga dh.una serbe, nje ish refugjat po deshet ta quajme keshtu, nje djale qe eshte de.buar me 27 mars 1999 dhe eshte paraqitur ne gjimnazin e Kukesit Havzi Nela me 28 mars per te vazhduar shkollimin e mesem te nderprere ne Kosove prej dhu.nes serbe.

Per mirenjohje dhurate nje shkolle! Kjo eshte gje e madhe, eshte dhurata me e bukur qe i eshte bere ndonje fshati te Shqiperise nga Kosova.

Arafati Abazaj si shume shqiptare te rajonit te Prizrenit eshte sternip ne Bardhoc, ne lagjen time Shahe tek Rizan e Osman Shahu. Ai kishte ardhe me gjithe familjen e tij sot ne kete feste te tijen e tonen. Kishte ardhe edhe baba i tij, nipi i Bardhocit, Nazmi Abazaj.

Por kryetari i Kukesit Bashkim Shehu priti me shume se kaq sot ne Bardhoc ne nje ceremoni te vleresuar me pjesemarrje te madhe. Pasi Abazin e baben e tij Nazmiun i kishin shoqeruar edhe kryetari i Prizrenit z. Mytaher Haskuka, edhe deputeti i Kuvendit te Kosoves z. Z.Haxhi Avdyli, edhe deputetja e kryetarja e Komisionit te mediave zj. Albana Vokshi edhe autoritetet e Zhurit, kryeplaku i Poslishtit edhe kryetari i qarkut Kukes edhe drejtori i arsimit Kukes e mjaft personalitete te tjera dhe i kishin dhene edhe vendasit rendesi ketij eventi te madh sic ishte ne te vertete.

Kaq mjafton sa per lajmin e sotem miqte e mi, sa per tu treguar se perjetova nje gezim te vecante, pashe shfaqjen madheshtore te mirenjohjes se familjes se Arafat Abazajt nga Prizreni per Kukesin, per fshatin tim Bardhoc. Pashe realizimin e nje projekti te hershem te ish kryetarit te komunes Terthore Rrahman Demaj, projekt qe kishte mbete sirtareve ne pritje te meshires se qeverise se Tiranes por qe e realizoi sternipi i Bardhocit, Arafat Abazaj.

Gjeste te vogla te nje dashurie te madhe, nje dhurate qe do te mbetet pergjithmone.

Dhuruesi pati vetem nje kerkese. Kjo shkolle te thirret: Shkolla 27 marsi. Ne kujtim te asaj qe nuk duhet harruar kurre. / KultPlus.com

20 vite nga vrasja e familjes Bogujevci

Sot janë mbushur plotë 20 vite nga vrasja e familjes Bogujevci nga Podujeva, shkruan KultPlus.

16 anëtarë të kësaj familje tash 20 vite më parë gjetën vdekjen nga paramilitarët serbë ndërsa e vetmja e mbijetuar është Saranda Bogujevci.

Si çdo vit tjetër edhe sot Saranda, përkujton familjarët e saj të vrarë, kësaj radhe përmes pllakës përkujtimore ku shkruhen fjalët:
“Nënë, të dashur fëmijë,
 Në Dimensionin tjetër…
Askush nuk mund t’na ndaj
JETOJMË
FLASIM
KUJTOJMË”.

Gjithashtu ajo ka publikuar edhe një fotografi familjare me mbishkrimin: Gjithmonë do të ju kujtojmë.

Saranda Bogujevci shpesh në organizime të ndryshme ka shpalosur dhimbjen e saj pasi që një pjesë e familjes së saj u vra gjatë luftës së fundit në Kosovë. Saranda ishte një nga të shpëtuarat e vrasjeve që ndodhën në Podujevë, e cila u ka shpëtuar 16 plumbave në trupin e saj, si një 13 vjeçare në kohën kur ndodhi lufta./ KultPlus.com

Analfabeti politik

Bertolt Brecht. Përkthyer nga Maksim Rakipaj

Më i keqi analfabet
është analfabeti politik.
Nuk dëgjon, nuk flet
në ngjarje politike pjesë nuk merr.

Ai nuk e di se çmimi i jetës
çmimi i fasuleve, i peshkut,
i miellit, i qirasë, i këpucëve
dhe barnave
nga vendime politike varen.

Analfabeti politik është aq kafshë,
sa shet edhe mend e fryhet si gjel
kur thotë “e urrej politikën”

Por është i trashë dhe nuk e di trapi,
se nga padija e tij politike
çfaqen kurvat, braktisja e të miturve,
grabitësit dhe më i keqi i të gjithë horrave,
që është politikani i pandershëm,
mashtrues dhe i korruptuar,
që lëpin këmbët e ndërmarrjeve kombëtare dhe atyre shumëkombëshe./ KultPlus.com

Çfarë shkruante New York Times për Shqipërinë


Ekziston një vend në Ballkan i
cili kufizohet me vetveten. Ku të
papunët më së shumti punojnë. Ku të gjithë nxitojnë për në punë,
dhe askush nuk arrin në kohë.
Aty ku tetë- orëshi i punës zgjat
12 orë. Aty ku shëndetësia është pa
pagesë ndërsa shërimi i shtrenjtë.

Ku gazetarët janë të lirë të
shkruajnë çdo gjë që ju
urdhërohet.
Ku sekretet shtetërore janë
publike.
Aty ku historia përsëritet çdo
ditë. Ku më të pasurit janë
njerëzit të cilët kurrë nuk kanë
punuar.

Aty ku përdorët valuta
e huaj. Aty ku të mençurit i
deklarojnë të çmendur, dhe të
çmendurit të aftë.
Aty ku analfabetët e shkruajnë
historinë. Aty ku ligjet janë të
paligjshme, ndërsa anarkia
gjendje normale. Aty ku jetohet
për të ardhmen sepse për të
tashmen nuk kemi të drejtë.

Aty ku çdokush e përqesh
tjetrin dhe askush askujt nuk ia
dëshiron të mirën.
Aty ku proceset gjyqësore
zgjasin më shumë se jeta. Ku
përmbytjet janë e vetmja
mënyrë për ujitje. Ku
konsiderojnë se vendi do të
përparojë më shumë nëse
stagnon gjithnjë e më tepër.

Ku normalët nuk janë të
nevojshëm, dhe punësohen të
përshtatshmit e jo të aftët.
Është në Ballkan një vend ku
me ndershmëri, sinqeritet dhe
zell kurrë nuk do të arrish
qëllimin e dëshiruar …” / KultPlus.com

Etno Fest pritet të kulmojë me nëntë shtylla të pasura programore

Festivali i Arteve dhe Kulturës tradicionale Etno Fest po vjen për të shpalosur edicionin e tij të nëntë, shkruan KultPlus.

Këtë vit, Etno Fest do të mbahet nga data 20 deri më 25 gusht në etnokompleksin e fshatit Kukaj, aty ka zënë vend gjithmonë, në mes të natyrës magjepsëse dhe atmosferës së mrekullueshme që ofron fshati.

Ky edicion do të bëj afirmimin, zhvillimin dhe promovimin e artit, kulturës dhe traditave të pasura që po tjetërsohet nga të tjerët. Këtë vit festivali do të kulmojnë me nëntë shtylla të pasura programore. Si çdo vit edhe në këtë edicion do të keni mundësi të shihni vlerat e artit dhe kulturës së mirëfilltë shqipe përmes programeve të ndryshme që ofron ky festival.

Shumë shpejt organizatorët e festivalit do të publikojnë edhe programin e pasur që pritet të shpaloset këtë edicion për publikun. / KultPlus.com

“Dasma e Lunxhërisë” e 1874-s, shfaqja e parë e dokumentuar në Shqipëri

Muzeu Historik Kombëtar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Teatrit, përkujton fillimet artistike të teatrit në Shqipëri.

Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi, e cila u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër.

Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirëfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit”.

Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: A. Z. Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros” (1906) etj.

Teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inaugurua më 17 maj të vitit 1945 në Tiranë. Teatri Popullor dhe më vonë pas viteve ’90, i njohur si Teatri Kombëtar, ka një histori gjashtëdhjetë e nëntë vjeçare me një repertor të gjerë premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios/ATSH. /KultPlus.com

Rita Ora: Një pjesë e parave prej kampanjës së “Escada”, do të shkojnë për bamirësi

Rita Ora ka pasur një vit të jashtëzakonshëm me shumë koncerte dhe projekte muzikore.

Këngëtarja shqiptare ka nxjerr në shitje albumin më të ri “Phoenix” dhe po mban koncerte të ndryshme anembanë globit.

Gjithashtu Rita po bëhet fytyrë e markave të njohura botërore të veshjeve dhe një të tillë e ka nisur me Escada.

https://www.instagram.com/p/Bvh_aM7n_K3/

Kështu së paku ka bërë të ditur artistja përmes llogarisë personale në Instagram teksa ka dhënë detaje të pakta.

Pra, jam e lumtur që kam arritur një bashkëpunimin të veçantë me Escada në NYC! Dizajni ka të bëjë me ngjyrën e preferuar të kuqe që përfaqëson pasionin dhe forcën. Një përqindje e shitjeve do t’i dhurohet partnerit tonë për bamirësie ‘Women for women UK’ që ndihmojnë gratë e mbijetuar të luftës”, ka pohuar ajo.

Ndryshe, Rita edhe këtë vit do të jetë e zënë me koncerte që do ta promovojë albumin e fundit muzikor. /Telegrafi/ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BvhxkEqH5s1/

Fillesat e studios “Marubi”, oborri si tendë takimi

Qe një oborr si gjithë të tjerët, i rrethuar me mure, me pemë e shkurre, e prej ku shihej dera dhe dritarja e shtëpisë, shkalla dhe një parmak me shkopinj. Qe një oborr edhe në kuptimin e një selie ku mund të hynin e rrinin mbreti, princi e bajraktari, por edhe një strehë për katundarin dhe lypësin. Qe një oborr që kishte avantazhin e fotografimit me dritë natyrale.

Meqë duhej të rregullohej intensiteti i dritës, ai oborr mbulohej me një cohë që zbuste dritën duke u kthyer në një tendë ku rrihej për një kohë të shkurtër. Për këtë arsye ngjante si “tenda e takimit”, një vendtakim për të gjithë, vendas e të huaj që vinin e hynin aty për të takuar veten nëpërmjet Marubit.

Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, ka vite që merret me studimin e fillesave të Marubit si studio fotografike. Ambienti ku qe vendosur, koha e saktë kur u ngrit, fotografia e parë që u shkrep e jo vetëm, sepse fotografia është një prej arteve me të cilin ne qemë të njëkohshëm me botën. Së fundmi muzeu “Marubi” ka hapur një cikël bisedat që kanë të bëjnë me dinastinë Marubi. Vendndodhja dhe aktiviteti i studios së parë fotografike të ngritur nga Pietro Marubi në Shkodër ende nuk dihet. Viti 1856 mbetet data e themelimit të studios në Shkodër. Në tekstet e botuara gjejmë të shkruar se studioja e parë e pajisur me mjete të nevojshme të kohës u ndërtua gjatë viteve 1885-1890.

Vetë Bedeni, përmes bisedës “Tenda e takimit e një oborri”, sjell kërkimin-hulumtimin e tij për Marubët. Ky hulumtim ka të bëjë me kërkimin e gjurmëve të para të vendndodhjes së studios së Pietro Marubit dhe se si ai kryente aktivitetin; ku ndodhej kjo studio, sa e madhe ishte, cilët qenë “modelët” apo klientët që fotografonte ai. Bedeni ka përzgjedhur disa fotografi, të cilat kanë një lidhje me njëra-tjetrën, për të cilat ai do të japë edhe një shpjegim. Këto takime vijnë pas punëtorisë, “Atëherë dhe tani”, që hodhi dritë mbi si pozonin personazhet e Marubit, si visheshin, çfarë mimikash kishin, çfarë detajesh të tjera vëmë re në kompozimin e imazhit. Punëtoria “Atëherë dhe tani” rimori traditën e vjetër të fotografimit në studion e Marubëve duke e risjellë atë me personazhe të kohëve tona, po aq autentike sa ata të Marubit.

GJURMË TË PAFSHIRA

Studio “Marubi” sipas studimit të Bedenit përfshinte një mjedis prej 5 x 7 m të pozicionuar në kahun verilindor. Dy të tretat e pullazit dhe e tërë fasada ishin prej xhami, me qëllim që drita të hynte në sasi të barabartë, si nga sipër ashtu edhe anëve. Xhamat mbuloheshin me perde të mëdha bezeje, që lëviznin sipas nevojës për dritë. Aparatet e para fotografike që përdorën qenë me përmasa 30 x 40 cm të markave franceze e gjermane me kasetë për dy negativë 26×31 dhe 21×27 cm. Fotografimi me këtë aparat bëhej në hije, në natyrë. Më vonë hyri në përdorim aparati me përmasat 18×24 e 13×18 cm, i mbështetur në trekëmbësha druri. Bedeni shënon se studio fotografike “Marubi” nuk prodhoi vetëm për nevojat personale apo familjare të qytetarëve. Fotografitë me interes etnografik, historik apo gjeografik ilustruan me dhjetëra vepra të autorëve të huaj për Shqipërinë, ose u botuan në trajtën e kartolinave. “Fotografitë e saj janë një pasuri të rrallë për historianët, etnografët, arkitektët, urbanistët, artistët, etj.

Grupe patriotësh, bajraktarë e kryengritës, përfaqësues të Komisionit të Kufijve, delegatë e politikanë, gra e burra me veshje qyteti, fshati e malësie, pozojnë të gjithë brenda një oborri shkodran. Krerët e Mirditës të ardhur në Shkodër me rastin e vdekjes së Bib Dodës pozojnë tek i njëjti oborr me kalldrëm e mur me gurë Kiri. Nga një kënd tjetër pozojnë dhe Marash Uci e t’bijt e Calit”, shënon ai. Më tutje vëren se gjejmë në këto dy foto të njëjtën skenë, por me kënd fotografimi të ndryshëm. Personazhet pozojnë veçmas e bashkë përballë fotografit, që me stativin e tij të fiksuar në një vend lëviz vetëm këndin e objektivit të tij në oborr. Në njërën prej fotografive, atë të parën, dritarja është thuajse në profil, ndërsa tek e dyta është në mes e përballë. “Pas dritares shikojmë derën që përsëritet në dy foto e më pas në vazhdimin e të gjithë imazheve tjera gjejmë të përsëritet cepi i një shkalle. Gjithashtu, po të futemi në brendësi të këtyre fotografive ndjejmë gjurmët e stinëve prej veshjes së njerëzve si dhe prej gjendjes, pranisë apo mungesës së gjetheve të pemëve. Por nga kjo kuptojmë që fotografi e paska përdorur këtë oborr për një kohë të gjatë duke fotografuar personazhe, të cilët i vendos herë ulur e herë në këmbë, herë mbështetur në një gurë e herë në një pod”, thotë Bedeni. Sipas tij, çdo njëra prej këtyre fotografive mbetet shumë interesante për të analizuar se si fotografi e shndërron oborrin në një skenë ku improvizon shkrepjen e fotografive të tij. Duke parë fotografitë, veç subjekteve që pozonin, njëkohësisht hedhim vështrimin rrotull oborrit. “Ndër këto imazhe të bën përshtypje fotografia e Mati Kodhelit, një ndër të rrallat e gjendura në arkivë. Ky imazh mbetet i veçantë për faktin se dallohet ndërhyrja e fotografit që kujdeset për çdo detaj. Nga sa kuptohet, poza është marrë në një ditë të ftohtë sepse pemëve u kanë rënë gjethet. Fotografi është kujdesur që gardhi ku do të pozojë personi të jetë sa më i plotë me drurë e rrënjë të marra nga diku tjetër. Por, më interesantja aty është marrëdhënia me dritën. Në të majtë shikojmë një mekanizëm ingranazhesh, e cila lart komandon një tendë që zbut dritën e fortë dhe kontrastet e vrazhda duke e kthyer atë oborr nga eksterier në interier”, ndalet Bedeni në hulumtimin e tij. Imazhet e përzgjedhura ofrojnë një version të besueshëm të kontekstit të realizimit të fotografive të para të Marubit. Ato mbase na sugjerojnë se e gjithë kjo histori fillon nga një oborr karakteristik shkodran, që ishte skena ku erdhën e pozuan subjektet e ndryshme/ Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare. / KultPlus.com

Ministrja Margariti në Vlorë: Investoni më shumë për turizmin kulturor

Turistët gjatë sezonit turistik nuk kanë mundësi zgjedhjeje vetëm bregdetin në Jug. Vlora ofron mundësi të shumta për turizmin kulturor. Për këtë, vet ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka zhvilluar një takim me operatorët turistik, të qytetit bregdetar.

Një nga kërkesat e saj ishte, që turizmi kulturor të promovohet më shumë, sepse Vlora ka monumente dhe potenciale të rëndësishme.

“Është shumë e rëndësishme, që turistët që vijnë në Vlorë në fundjavë, të kenë mundësi që të rrinë më tepër se një ditë. Këtë gjë mund që t’ua ofroni jo vetëm nëpërmjet turizmit bregdetar, por edhe turizmit kulturor”, tha
Elva Margariti, ministre e Kulturës.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë Rajonale Kombëtare të Kulturës, Orges Feimi kërkoi më shumë bashkëpunim mes operatorëve turistikë, për evidentimin e zonave historike dhe kulturore të Vlorës.

“Ne kemi krijuar një aplikacion, që mund të shkarkohet lehtësisht për të parë të gjitha monumentet e kulturës, që përfshihen në zonën e Vlorës”, tha
Orges Feimi, drejtor i DRKK.

Në fund të turit të saj, ministrja e Kulturës vizitoi nga afër edhe muret e Xhamisë së Tabakëve në Vlorë, një nga zbulimet e fundit arkeologjike në këtë qytet. /reporttv/ KultPlus.com

Familja e Avicii themelon fondacion me emrin e muzikantit

Familja e muzikantit të ndjerë, Avicii, ka njoftuar për themelimin e një fonacioni që do të mbajë emrin e DJ-it të ndjerë.

Fondacioni do të fokusohet në grumbullimin e mjeteve financiare për të ndihmuar në rritjen e vetëdijes për sëmundjet mendore dhe parandalimin e vetëvrasjes – njofton BBC.

“Tim ka dashur ta bëjë diferencën. Themelimi i këtij fondacioni me emrin e tij, është mënyra jonë për ta respektuar personalitetin dhe veprën e tij, dhe të vazhdojmë të veprojmë në frymën e tij”, thuhet në njoftimin e familjes së muzikantit.

Producenti suedez u gjet i vdekur në një dhomë hoteli në Oman në prill të vitit 2018.

Edhe pse akoma nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes, Tim Bergling (emri i vërtetë i Aviciit) një kohë të gjatë ka pasur probleme me vartësinë nga alkooli dhe droga, dhe ka luftuar me depresionin, ashtu që besohet se ai e ka vrarë veten. /Telegrafi/ KultPlus.com

‘Nji kangë rome hymn nate m’u ba’

Poezi nga Xhejlane Tërbunja

Nji kangë rome hymn nate m’u ba,
Për shkakun tand!

Andrrat po shëtiten si pa shpi , si nomadë.

Menimet si kortezh i shthurun shpërndahen nëpër natë.

Nji kangë rome, me ty po du me nda
Me u g’zu e idhnu pa dit e nesërmja çka ka
Me vallëzu me tingujt e dhimbjes dhe t’keshunave t’çorodituna,
Me ritmin e puthjes s’dehun e shikimit t’përgjumun.

Nji kangë rome hymn nate m’u ba,
Për shkakun tand!

Drita mos t’çel kurrë ma. 
Për hatrin tand!

Nji kangë rome, me ty po du me nda.
Për hatrin tem!

Shpallet konkursi për edicionin e katërt të Kosovo Slam Poetry

Ish bursistët e programit për këmbim të nxënësve të shkollave të mesme – Kennedy Lugar Youth Exchange and Study (YES), për herë të katërt me radhë, organizojnë garën për poezi slam në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Programi YES për këmbim dhe edukim menaxhohet nga Këshilli Amerikan për Edukim Ndërkombëtar dhe financohet nga Zyra për Edukim e Departamentit Shtetëror Amerikan.

Kosovo Slam Poetry është garë për poetët e moshave 15-23 vjeçare e cila ju mundëson atyre që t’i ndajnë poezitë e tyre origjinale me një publik të gjerë.

Poezia Slam apo Poezia e Folur është formë ndërkombëtarisht e njohur e poezisë përmes së cilës autorët i shprehin haptazi ndjenjat, brengat dhe përjetimet e tyre. Ish bursistët e programit YES kanë marrë iniciativë që ta themelojnë garën e përvjetshme të poezisë së folur në Kosovë në mënyrë që t’i motivojnë autorët e rinjë që të shkruajnë poezi dhe deri më sot kjo iniciativë ka zgjuar mjaft shumë interesimin e të rinjëve kreativë. Një juri profesionale në mesin e të cilëve janë të pranishëm poetët e mirënjohur bashkëkohorë të Kosovës, bën vlerësimin e tri poezive dhe performancave më të mira.

Sivjet, përkrahur nga KUSA, Kosovo Slam Poetry fton poetët e rinjë që të aplikojnë me poezitë e tyre deri më datën 10 dhjetor. Poetët e përzgjedhur nga e gjithë Kosova do të ftohen në Prishtinë në dy punëtori që t’i përgatisin poezitë e tyre për performim. Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes kësaj vegëze:

https://docs.google.com/forms/d/1GUFE6jvxzstOiADLDjpOYO_VbbLulwResOQ4qQZALPs/viewform?fbclid=IwAR045OkO2NIgryzQ11zJvhWbHyxPBzun-mckoQUg1Q-rsnT3w-eGSK-tgiM&edit_requested=true

Gara e Kosovo Slam Poetry do të mbahet me datën 27 Prill, 2019, në Auditoriumin e Venture UP (ndertesa me dritare blu)