Ministria e Kulturës shpall konkurs për ndarjen e çmimit shtetëror “Nënë Tereza”

Ministria e Kulturës në Maqedoninë e Veriut ka shpallur konkurs për ndarjen e çmimit shtetëror “Nënë Tereza”, i cili jepet për arritje në fushën e humanizmit dhe solidaritetit njerëzor, si dhe për nxitjen, avancimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimit të bashkëpunimit mes popujve, komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme.

Siç thonë nga Ministria e Kulturës individi ose grupi që do ta fitojë këtë çmim do t’i jepet diplomë dhe një shumë parash, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Shuma në para e Çmimit Shtetëror “Nënë Tereza” është pesë (5) rroga mujore mesatare në Republikën e Maqedonisë së Veriut të paguara në tri muajt e fundit të vitit rrjedhës. Çmimi Shtetëror “Nënë Tereza“ ndahet, sipas rregullit, çdo vjet. Në një vjet mund të ndahen më së shumti deri në dy çmime”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Iniciativë për ndarjen e Çmimit Shtetëror “Nënë Tereza” mund të parashtrojnë: institucionet, shoqëritë tregtare, shoqatat e qytetarëve dhe qytetarët.

“Parashtruesit e iniciativës për ndarjen e Çmimit Shtetëror duhet hollësisht ta arsyetojnë iniciativën. Në tekst duhet të përmbahen edhe: të dhënat e sakta të biografisë, adresa e saktë e vendbanimit (adresa-rruga, numri, vendi, qyteti, shteti), të dhënat për rezultatet e arritura në fushën në të cilën është arritur ajo dhe të dhënat e tjera që konsiderohen se do të kontribuojnë në vlerësim, si dhe dokumentacioni përkatës me të cilin do të konfirmohen ato”, thuhet në njoftim.

Konkursi do të zgjasë nga 1 deri më 30 prill të këtij viti./Telegrafi/
KultPlus.com

Aksidenti tragjik në Gjilan – familja Çoçaj ia falë gjakun familjes së shoferit (VIDEO)

Në ambientet e Komunës së Gjilanit familja Çoçaj nga ky qytet i ka falur gjakun familjes Avdijaj nga Peja.

Falja e gjakut u bë para një numri të madh pjesëmarrësish – ku familja Çoçaj fali gjakun e familjarit të tyre Qerim Çoçajt, i cili mbet i vdekur kur kamioni që drejtohej nga anëtari i familjes Avdijaj nga Peja humbi kontrollin dhe shkaktoi aksident të rëndë, njofton Klan Kosova.

Në mesin e atyre që morën pjesë ishte edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri i cili ishte iniciues i këtij pajtimi.

Ai ka vlerësuar lartë gjestin e faljes së familja Çoaçaj.

“Ai ka lënë familjen e mrekullueshme, sot po shohim që Qerimi qenka gjallë, kjo falje është falë pjekurisë së madhe që ka tregu i biri i tij Refiku, ky edhe ditën kritike e ka dëshmuar duke ju ftuar në varrim”, ka thënë Haziri, njofton Klan Kosova.

Haziri ka shtuar se rasti i familjes Çoçaj duhet jetë shembull që duhet ndjekur nga shumë familje tjera./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=2ONrPg2mpqY


https://www.youtube.com/watch?v=TR0DOzVoPhI

Kosova gati për Bienalen e Venedikut, pretendohet të futet në mesin e më të mirëve në Venedik

Alberina Haxhijaj

Historia prapa Pavilionit të Kosovës të titulluar “Albumi familjar” ka filluar kur artisti Alban Muja ka shfletuar albumin e tij familjar. Ai 20 vite me parë ka qenë një refugjatë i cili ka jetuar në një kohë krize. Tashmë si përfaqësues i këtij Pavilionit, përmes video-instalacionit ku në qendër janë katër personazhe, ai po rikthehet prapa në atë kohë.

Sipas komisionerës së Pavilionit Arta Aganit, ky rikthim gërshetohet me temën e Ekspozitës së Bienales së Venedikut “Të rroni në kohëra interesante”, si ekuivalent i një mallkimi të lashtë kinez në të cilin i dëshirohet dikujt që të jetoj në kohë interesante që kanë të bëjnë me pasiguri, krizë dhe jostabilitet.  E sipas saj, kjo ndërlidhet shumë me kohën në të cilën jetojmë ne sot.

“Artisti Alban Muja është një artist i cili ka një karrierë të gjatë, veprimtaria e të cilit bazohet në hulumtimin e fenomeneve shoqërore të cilat pastaj bëhen diskutim përmes storieve individuale. Shpesh Albani është vet protagonistë i këtyre storieve dhe me këtë është artisti ideal i cili do të na përfaqësojë në Bienale”, u shpreh Agani.

Në Pavilionin e Kosovës, Muja do të paraqesë një video instalacion, përmes të cilit eksploron kujtimet personale dhe kolektive të luftës në Kosovë (1998-1999).

Kuratori i Pavilionit të Kosovs Vincent Honoré, njëkohësisht edhe drejtor i ekspozitave të MOCO, Montpellier CONTEMPORAIN, u shpreh se e rëndësishme për këtë Pavilion do të jenë emocionet që do të ngjallen tek vizitorët. Sipas tij,  ndërtimi i Pavilionit do të bëhet në atë mënyrë që njerëzit të cilët do e vizitojnë do të largohen me një ndjenja emocionale dhe estetike.

“Dëshirojë që të ju sigurojë që Pavilioni i Kosovës këtë vit do të jetë në mesin e Pavilioneve më të mira në Venedik. Kemi punuar me Albanin që disa muaj dhe kemi zhvilluar një koncept i cili do të paraqes disa çështje. Do të jetë një lidhje e historisë së përgjithshme për luftën e fundit në Kosovë, me histori personale. Do të jetë një adresim bazuar në histori të vërtetat kundrejt historive artistike, do të jetë po ashtu një prezantim i arkivës personale të artistit dhe historive familjare të tij. Puna ka të bëjë me krizën, mirëpo po ashtu është për historitë personale. Puna është një video-instalacion i cili do të sjellë tre portrete, tri video të cilat do të jenë një eksperiencë emocionale”, u shpreh Vincent Honoré i cili tha se për herë të parë artisti po adreson direkt çështjen e shtetit të tij.

Është një punë shumë personale dhe shumë e rëndësishme për artistin. Me shumë mundësi do të shënojë edhe një tranzicion për artistin, në mes të asaj që ai ka bërë më herët dhe asaj që ai do të adresojë me vonë”, theksoi ai.

Projekti i Mujës fillon me një përzgjedhje fotografish të marra nga fëmijët refugjatë gjatë luftës, imazhe të cilat janë botuar në gazetat dhe faqet e lajmeve në mbarë botën dhe janë bërë sinonim me luftën, dhe emblemë e kaosit, traumave dhe dhimbjes të cilat i janë komunikuar publikut ndërkombëtar. 20 vjet më vonë, Muja ndjek gjurmët e këtyre individëve, tani të rritur. Sipas artistit Alban Muja është e rëndësishme që këto histori të ndahen me të tjerët në kë rast vizitorë e Bienalës.

“20 vite me parë edhe unë kam qenë njëri nga refugjatët i cili ka pasur një të kaluar si shumica prej njerëzve në Kosovë dhe kemi besuar që ana humane e ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovës gjatë viteve 98-99 duhet me u tregu dhe u nda me një audiencë shumë të madhe siç është ajo në Venedik. Kemi vendosur që në një mënyrë me u tregu ngjarjet para 20 viteve që kanë ndodhë nëKosovë, përmes një projekti multimedial pa dashur me e diskutu anën politike, mirëpo gjithmonë pjesën humane. Ne nuk do të themi që ndoshta nuk ka diçka që mundet me u diskut aty edhe në anën politike, por ana humane është ajo që na ka interesuar neve me e nda me publikun”, u shpreh artisti Alban Muja.

Republika e Kosovës merr pjesë në Bienalen e Venecias me një pavijon kombëtar që nga viti 2013. Prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017). Ministri i Kulturës Kujtim Gashi u shpreh se si ministër që dy vite ka rikthyer pjesëmarrjen e Kosovës në Bienale pasi që e konsideron këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për promovimin e Kosovës.

“Artistët tanë po e promovojnë shtetin tonë më së miri nëpër ngjarje kulturore dhe janë pikërisht artistët të cilët po e bëjnë punën e sektorëve të tjerë, përkatësisht të ministrive dhe të atyre që janë kompetent për të promovuar shtetin siç janë ambasadat dhe ministria e jashtme. Jam shumë i lumtur që si ministër e kam përzgjedhur një artist që është i dëshmuar dhe besoj që kemi bërë një përzgjedhje shumë të mirë”, u shpreh ai.

Hapja e Pavijonit të Kosovës në Ekspozitën e 58-të Ndërkombëtare të Artit – La Bienale di Venezia do të bëhet më 11 maj 2019. Kjo ekspozitë do të përfundojë më 24 nëntor, 2019./ KultPlus.com

Kam dëgjuar se nuk doni të mësoni

Bertolt Brecht. Përkthyer nga Faslli Haliti.

Kam dëgjuar se nuk doni të mësoni asgjë.

E qartë:  jeni milionerë.

E ardhmja juaj është e siguruar-

Ajo është para jush në dritë të plotë.

Prindërit tuaj kanë bërë aq sa këmbët tuaja

Të mos përplasen në asnjë gur

Atëherë nuk duhet të mësoni asgjë.

Mun të mbeteni kështu siç jeni.

Dhe nëse, sidoqoftë, ka disa vështirësi që nga ajo kohë,

Siç kam dëgjuar, janë të pasigurt

Ke shefat e tu që ta thonë saktësisht atë

Që duhet të bësh gjersa të jesh mirë.

Ata kanë lexuar librat e atyre

Që dinë të vërtetën

Që kanë vlerë për të gjitha kohët

Dhe recetat që të ndihmojnë gjithmonë.

Meqenëse ka kaq shumë që mendojnë për ty

Nuk duet të lëvizësh qoftë edhe një gisht.

Por nëse, s’është kështu

Atherë do të të duhet të studiosh./ KultPlus.com

“Tutori” i Mimoza Ahmetit, një ndër romanet më të pazakontë në plejadën e letërsisë bashkëkohore shqipe

Bujar Meholli

Romani Tutori i Mimoza Ahmetit, është njëri nga më interesantët në letërsinë bashkëkohore shqipe, në të cilin kemi të bëjmë me individin në qendër, që është çdoherë i rrethuar nga dëshirat e shumta për ta definuar dhe gjetur zgjedhjen e duhur në dashuri.

Mënyra se si i qaset kësaj proze autorja Ahmeti, që nis në vitin 1994 dhe përfundon në vitin 2017, është krejt e veçantë. Ajo zgjedh një rrëfim ndryshe për romanin e saj, pra, ndryshe nga rrëfimet me të cilat jemi mësuar gjer më tani. Te proza e Mimoza Ahmetit, hasim në një rrëfim, që i përngjason do të thoshim anarkisë, te i cili ndeshemi me iluzionin e prozës autoreferenciale e poashtu edhe me rrëfimin spontan që i vihet përballë, kaosit të jetës sociale e politike.

Në këtë roman, e kemi të vështirë që t’i hasim elementet e fiksionit, sepse letërsia e Ahmetit është krejt perceptive çka bën, që personazhet pjesëmarrëse qofshin nga kultura apo nga jeta e rëndomtë, të bëhen miks, duke e bërë kështu të vështirë dallimin në mes të reales dhe ireales.  

Në thelb kemi heroinën grua si personazh kryesor, rreth së cilës vërtiten ngjarjet; romani është i shkruar në veten e parë, ku heroina e tij i rrëfen të gjitha përsiatjet e saj përgjatë këtyre faqeve që të mbërthejnë.

Pasqyrimi i jetës së provincës, prej nga është ajo, bëhet me nota të gjalla, autentike, ku jepet jeta e përditshme me thjeshtësitë e saj; më pas narrativa e romanit bëhet shumë më komplekse, dhe teksti më i dendur.

Autorja Ahmeti, ngulmon në stilin e saj, si mungesë stili. Pra, stil “pa stil”. Në këtë mënyrë ajo arrin të prodhoi një prozë që të grish – me natyrën e saj sa narrative aq edhe eseistike, ku zotëron ekzistimi brenda temës.

Tutori, a mund të merret vetëm si roman dashurie, kur kihet parasysh se gruaja flirton me dy burrat e saj të dashur? Mbase edhe po! Mirëpo, te ky roman hasim dendur edhe ide të tjera, si fjala vjen këtë pasazh filozofik:

Dhe vërtet, para se shkojmë kësaj bote pyesim: a ishim ndonjëherë në të?

Dhe, ashtu siç ishim njerëz të përkohshëm, folëm vetëm gjëra të përkohshme, edhe pse zotëruam iluzionin madhështorë të përjetësisë.

Po flas si të isha njeri i vdekur. Por sigurisht si të gjithë të gjallët, ata që hyjnë në një botë të bërë prej të tjerësh.[1]

apo

Ishte njësoj si me babain tim ateist. Kur isha e vogël ai papushim më thoshte se Zoti nuk ekziston, se ishte një shpikje për të mbajtur të shtypur njerëzit.[2]

Me pikëpyetje si këto, përballemi edhe në disa raste të tjera brenda tekstit, e lirisht mund të themi se këtij romani mund t’i mveshim epitetin “roman filozofiko-erotik”.

Ndjenjat e forta erotike, nëpër faza dhe forma të ndryshme na paraqiten me një finesë të jashtëzakonshme nga Ahmeti. Shpërthimi i shqisave rinore, e gjithçka tjetër në prozën e saj ngjanë krejt natyrshëm.

Dashuria te Tutori, nuk është po e njëjta me të cilën jemi mësuar të ndeshemi në poezi e prozë tradicionale; këtu dashuria paraqitet në përmasa tjera, ajo e mbërthen individin të tërin dhe e shpie nëpër vise të çuditshme – pra, te ai prodhohen vargje të pafundme transformimesh.

Në këtë sens, është dashuria platonike ajo që shtrihet dendur në romanin e Mimoza Ahmetit, në kuadër të së cilës tregohen edhe përvojat erotike.

Siç rrëfen vetë autorja, ajo është kujdesur që në historizmin dhe jetëgjatësinë e veprave, të përfshihen egoja dhe individualiteti i saj, pa e sulmuar a diskriminuar tjetrin, pa krijuar avantazh apo revansh ndaj tjetrit, por përfshirje të tij.

Mendoj që në mënyrë gati-gati intuitive dhe të pandërgjegjshme, kohët e fundit kujdesem që uni im të ketë një dimension social, që të jetë sa më universal, sa më i gjerë”.[3]

Subjekti bashkëkohor i romanit, pra, është antihistorik, po ashtu antirrëfimtar – kështu bëhet përjashtimi i vendit dhe autorja na thirr që t’i shpëtojmë historisë.

Duke i pasë parasysh këto elemente të Tutorit, vijmë te konkluzioni se ai, në fakt largohet nga romani i madh, duke anuar kah anti-romani.

Në qendër të tij, pra, kemi gruan që është vazhdimisht në luftë me trazimin e saj të brendshëm, nga raporti që ka me dy burrat, Fjodorin, të dashurin e vërtetë dhe Leon, të dashurin imagjinar.

Si një njohëse e hatashme e psikikës femërore, Ahmeti, krijon një botë misterioze, me elemente dhe përceptime surreale, të pafundme, me lloj-lloj shqetësimesh dhe kërkimesh në personazhin e kësaj gruaje – që bëhet e rrallë në letërsinë shqipe, duke na kujtuar heroinën e romanit Dashnori të shkrimtares franceze, Margerit Dyras.

Pra siç e thamë, tendenca kryesore e këtij romani është që të jetë universal dhe i gjithëkohshëm, prandaj themi se është një ndër romanet më të pazakontë dhe më të arrirë njëkohësisht, në plejadën e letërsisë bashkëkohore shqipe.

(Autori është student në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, në nivelin e studimeve Master. Shkrimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe dhe botohet për herë të pare). / KultPlus.com



Zbulohet shpella më e gjatë në botë (Foto)

Kërkuesit izraelitë thonë se një shpellë kripe me stalaktite afër Detit të Zi është më e gjata në botë, duke thyer rekordin e deritanishëm që mbahet nga një homologe e saj në Iran.

Bëhet fjalë për një labirint kalimesh të nëndheshme në pjesën jugore të Detit të Zi, që shtrihet në më shumë se 10 km gjatësi. Kjo bën që të lihet prapa shpella “Namakdan”, në Iran, që më herët mendohej se ishte edhe më e gjata.

“Pavarësisht konfliktit politik me Iranin, ka një dëshirë për lidhje, kuriozitet të ndërsjellë dhe vlerësim po ashtu. Ka disa vende të jashtëzakonshme për t’u eksploruar atje, përfshirë pusin e dytë më të thellë vertikal në botë, që do të doja shumë ta vizitoja”, tha Yoav Negev, eksplorues shpellash.

Vëzhgimi është kryer nga Universiteti hebre i Jeruzalemit dhe një grup vullnetarësh izraelitë, bullgarë dhe ndërkombëtarë.

“Është një sistem gjigant kalimesh, platesh, njëri mbi tjetrin. Është padyshim shpella më mbresëlënëse dhe komplekse në kuptimin e tri përmasave të saj”, tha më tej Yoav Negev.

Tani, kërkuesit planifikojnë të botojnë një hartë të plotë të shpellës në një revistë shkencore, e do ta bëjnë këtë në muajt e ardhshëm. /tch/ KultPlus.com


Piramida e Luvrit mbush 30 vjet

Me një befasi të madha nga ana e artistit JR (francez identiteti i të cilit nuk njihet), do të festohet 29 marsi – 30 vjetori i Piramidës së Luvrit, veprës që në vitet e preidentit François Mitterrand shkaktoi shumë polemikash mes “antikëve” dhe “modernëve”.

E konfirmuar si simboli i Luvrit të ri, deri në inaugurimin në vitin 1989 Piramida shkaktoi një betejë të vërtetë mes ithtarëve dhe opozitarëve të krijimit të arkitektit Ieoh Ming Pei, që më pas u fut fuqishëm në imagjinatën kolektive, në letërsi dhe në kinema.

Ideja përkon me lidershipin e Mitterrandit, në fillim të viteve 1980, kur ministri i ri i Kulturës, Jack Lang, i dërgoi një letër presidentit duke i propozuar projektin për të rikrijuar “Luvrin e Madh”. /ata/ KutlPlus.com

Për të gjithë adhuruesit, rikthehen “Tom dhe Jerry”

“Tom and Jerry”do të rikthehet në ekranin e madh. Tim Story, regjisor i “Fantastic Four” të vitit 2005, do të realizojë filmin e ri rreth maces dhe miushit më të famshëm në histori.

“Warner Bros.” raportohet se ka vendosur që personazhi negativ i këtij projekti të ketë zërin e aktorit Peter Dinklage. Puna për këtë projekt do të nisë këtë vit dhe premiera e tij do të jetë më 16 prill të vitit 2021.

Në këtë film do të kemi edhe një personazhe të re me emrin Kayla, e cila do të ndihmojë Tom që të ndalojë Jerry-n që të largohet nga disa ngjarje. “Tom and Jerry” është një serial amerikan i animuar i krijuar në vitin 1940 nga William Hanna dhe Joseph Barbera.

Historitë kanë në qendër rivalitetin komik midis dy personazheve të vogla, Tom, një mace dhe Jerry, një miush dhe disa personazheve të tjera./gazetaexpres/ KutlPlus.com

Filmi “Nëntor i Ftohtë” i Ismet Sijarinës premierë botërore në Gjermani

Filmi “Nëntori i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina, do të ketë premierë edhe në Gjermani. Ky film do të shfaqet në kuadër të festivalit gjerman “goEast” në Wiesbaden nga 15 deri më 17 prill, shkruan KultPlus. Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët. Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie- Sevdije Kastrati, Montazher- Vladimir Pavlovski, Muzika- Jericho. Producent -Fatmir Spahiu dhe Arian Krasniqi./KultPlus.com

Kadri Veseli konfirmon, Eliza Hoxha i bashkohet PDK-së

Artistja Eliza Hoxha i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan KultPlus.

 Këtë lajm e ka bërë të ditur Kadri Veseli i cili është shprehur se profesionalizmi dhe dashuria e artistes për Prishtinën janë vlerë e madhe për Dekadën e Re të kësaj partie. Sipas Veselit, PDK-ja mbetet hapësirë e mirë për secilin që ka vizion.

“Mirë se erdhe në PDK, Eliza. Profesionalizmi dhe dashuria jote për Prishtinën janë vlerë e madhe në Dekadën e Re, ndërsa PDK mbetet hapësira më e mirë për secilin që ka vizion, plan dhe dëshirë për ta ndryshuar vendin. Me ty dhe të tjerët, Dega e PDK-së në Prishtinë i jep Kryeqytetit atë që po i mungon prej kohësh: vullnetin për t’ia zgjidhur problemet”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se artistja Eliza Hoxha, Zake Prelvukaj si dhe regjisorja Burbuqe Berisha ishin parë kohë me parë në një mbledhje të PDK-së mirëpo që të tirja patën mohuar për KultPlus  anëtarësimin e tyre në PDK./ KultPlus.com

‘Zambaku i Prizrenit’ fton muzikantët të marrin pjesë në edicionin e tridhjetë

Festivali ‘Zambaku i Prizrenit’ sivjet shënon edicionin e tij të tridhjetë. 

Këshilli organizativ i festivalit në fillim të këtij muaji ka hapur konkursin për këngët pjesëmarrëse në festival, i cili do të mbahet në qershor të këtij viti. Konkursi mbetet i hapur deri në fund të muajit prill.

Përmes një komunikate për media, organizatorët e festivalit i ftojnë të gjithë krijuesit dhe interpretuesit e këngës së muzikës së lehtë nga të gjitha trevat shqiptare të konkurrojnë për pjesëmarrje në këtë edicion.

“Kënga e kënduar, e orkestuar, e kompletuar në të gjithë elementët përbërëse të saj dhe e regjistruar në CD, duhet të dorëzohet me një zarf në zyret e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit (në zarf të hapur me shifër, kurse në zarf të mbyllur jipen të dhënat për autorin e muzikës, të orkestruesit dhe të tekstit).”, bëhet e ditur në komunikatë.

‘Zambaku i Prizrenit’ në historikun e tij kishte për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore përmes këngës së lehtë, si dhe ishte fryt i punës aktive të shumë aktivistëve kulturor prizrenas. Ai është themeluar nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës së lehtë si baladat, shansonet e serenatat.

Ky festival përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës së lehtë, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtar, kompozitor, poet, instrumentist, etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë./ KultPlus.com


Zbulohet fosili i ariut 700 mijë vjeçar

Ky fosil ka një vjetërsi prej 700 mijë vitesh. Është zbuluar së fundi në qytezën argjentinase të San Pedros në veri të kryeqytetit Buenos Aires. Arkeologët, thonë se mbetjet i përkasin një ariu gjigant të species Arktoterium.

Këta lloj arinjsh kanë pasur një peshë prej jo më pak se 800 kilogramësh. Sipas ekspertëve, Arktoterium ka qenë ndër më të egrit e arinjve, si të asaj periudhe ashtu edhe të kohëve të sotme.

Shkencëtarët u shfaqën të habitur nga mënyrë tepër e mirë në të cilën ishte ruajtur kafka dhe kockat e tjera për qindra mijëra vite.

Mbetjet do të qëndrojnë të ekspozuara në Muzeun e Paleontologjisë në San Pedro/Javanews./ KultPlus.com

As mbyllja e lojrave nuk do ia kthejë Kosovës fatin…

Shkruan: Nezir Kraki

As mbyllja e lojrave nuk do ia kthejë Kosovës fatin…

Sepse…këta që shesin moral e patriotizem duke mbylle lojra fati kanë vite që luajnë me fatin e Kosoves dhe të popullit të saj.

Janë ekspertë të mbylljes së fatit, jo të mbylljes së lojrave. 
•••

Përndryshe, s’ka nevojë te jemi gjeni për ta kuptu që fati fiktiv përmes lojës dhe bixhozit nuk i duhet Kosovës. Kosova ka nevojë urgjente për fat real e për shpresë.

Artisti që do ta ndërtojë murin nga djathi

Një artist i specializuar në veprat e bëra nga djathi tha se do të fillojë ndërtimin e një muri përgjatë kufirit Amerikë-Meksikë.

Cosimo Cavallaro tha se muri gjigant i djathit do të ndërtohet në Tecate të Kalifornisë, 45 metra nga kufiri i vërtetë në Tecate të Meksikës.

Ai po fillon me 200 blloqe të bëra nga djathi ‘cotija’, dhe se do i nevojiten 8.800 blloqe të tjera për të përfunduar vizionin e tij.

“Një mur i djathit është diçka që unë kam dashur të bëj për 20 vjet. Kur të arrini një pengesë ose një kufi, ju doni të zgjeroni më tej”, tha Cavallaro për HuffPost.

“Kërkesa e Trump më dha një kontekst për këtë, ndikimin emocional”.

Cavallaro do të përpiqet të kompletojë murin deri të enjten, ndërsa ndërtimin e ka nisur të hënën.

Shtëpia Muze e heroit Hasan Ramadani rrezikon të shembet

Pavarësisht vlerës që mbart, kjo shtëpi për më shumë se 20 vite është pa përkujdesje institucionale.

Shtëpia “Qëndresë”, e heroit të kombit, Hasan Ramadani ka mbetur në mëshirë të fatit, duke rrezikuar të shembet dhe të zhduken artefaktet dhe dokumentet që gjenden në të, të cilat dëshmojnë luftën e fundit.

Kjo shtëpi madje shumë shpesh është vizituar nga liderë partiakë, por askush nga ta nuk mori ndonjë iniciativë për të bërë diçka, përcjellë Indeksonline.

Brenda shtëpisë së ish-luftëtarit që ra heroikisht duke luftuar me armikun serb më 7 gusht të vitit 1994 gjenden ende gjësendet e djegura, ndërsa janë mbledhur dhe disa dokumente të rëndësishme e imazhe të heroit Ramadani.

Shtëpia “Qëndrësë”, ndodhet në Shajkoc të Podujevës, ku edhe banorët e këtij fshati shpesh kanë kërkuar përmes thirrjeve e shkrimeve në rrjete sociale nga politikanë, por edhe nga vet kryeministri Ramush Haradinaj që të intervenohet sa më shpejt në këtë objekt.

Burimi: Ndertimi.info

Rita Ora përsëri në Kosovë, ajo po vjen për një mision

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka bashkëpunuar me brendin e modës “Escada” për të ndihmuar gratë në Kosovë.

Siç shkruan “hollywoodreporter”, Rita dhe “Escada” kanë krijuar një çantë të veçantë në formë zemre e cila ka debutuar sot dhe do të kushtojë 1195 dollarë nëpër dyqanet e Escadas.

Brendi 41-vjeçar do të dhurojë 15 euro nga secila çantë që shitet për organizatën humanitare “Women for Women International” që ka synim të ndihmojë gratë viktima të luftës për të rikrijuar jetët e tyre, transmeton Koha.net.

Donacionet do të shkojnë për nismën e Orës që të ndihmojë viktimat e dhunës seksuale në Kosovë.

Rita Ora ishte largua nga Kosova në moshën njëvjeçare, ndërsa për këtë medium ka thënë se ka lidhje të forta me vendlindjen.

“Kthehem sa më shpesh që mundem, është një vend shumë i rëndësishëm për mua”, ka thënë ajo që vjet më parë u shpall ambasadore e vendit nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.

“Isha e nderuar vjet më parë me këtë titull nga ish-presidentja Atifete Jahjaga”, ka thënë ajo duke shtuar se do të kthehet në Kosovë në muajin prill për disa aksione humanitare me UNICEF-in.

NEW YORK, NEW YORK – MARCH 27: Rita Ora attends the launch of the ESCADA Heartbag by Rita Ora on March 27, 2019 in New York City. (Photo by Jamie McCarthy/Getty Images for ESCADA)

Aktori i njohur i bashkohet PDK-së

Aktori i njohur kosovar i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se aktori i njohur, Fisnik Ademi, i është bashkuar këtij subjekti politik. Ademi njëkohësisht është edhe udhëheqës i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ismaili e ka publikuar një fotografi me Ademin në Instastory, kështu duke treguar se ai zyrtarisht ka hyrë në strukturat e PDK-së.

Ademi është zgjedhur kryetar i nëndegës së PDK-së në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Përhënie

Poezi nga Mirko Gashi

Në dreq të mallkuar
me drapërin e hënës së re në rërë
mjellmën e argjendtë e kanë prerë
Mes brigjeve uji
shtatë diej fundosi
dy hëna nusërore varrosi
Mjellma e zezë
dhe ajo e bardhë
mua më kerkojnë
pas hënës së re
të zi ose të bardhë
Dhe mbaj në mend
kur hëna bashkohet
dhe hëna në det fundoset
ai do të rritet tatëpjetë baticës
Vdekja dhe jeta
shetisin dorë për dore
si binjakët që shkojnë në shkollë ujore
për të mësuar
pse vlon qumështi në gjirin e nënës
qysh zgjohet deti në prehërin e hënës
në baticë
kërkojnë fytyrat tona të humbura
e ti lule
zhvisheshe ngadalë
ata duruan të të shohin
durimi
është kufiri i menqurisë dhe çmendisë
I përngjan hënës
e nënës
ai është limani
i fundit i mirësisë
O Zot
droj
se do t’i prejnë
rrezet e Hënës
si do ta luajë atëherë
elegjinë për dëmin
në lyrën time pa tela
Hëna drapër
korrte valët e detit
Njeriun e pret korrja
ai gjuan draprin e hënës
Në krahërorin e jevgut
e krisur
hëna dënes
Njëherë marama të bëhet e mbrama
mbaron loja
do të jetë Hëna
do të ketë rreze
të mbyllet syri
të pushon goja.
Hëna lëshoi rrjetën
qyteti vazhdoi jetën
Në prehërin e hënës
sa e lumtur
më ishte jeta
edhe në shpirtin tim
tashti zbriti bleta.
E unë e hëna vajtojmë
luajmë etida
ç’u bë nisia
Ku është Atlantida
Troku i kalëfuqive
buçet
Korbat nëna
e çalë hëna
do të vyshken
burbuqet
Ji i gëzuar
mos rri me lot
sonte niset hëna e plotë
Nëpër guaca po fle gaca
sonte niset hëna e plotë.

Armend Rexhepagiqi vjen edhe me një bashkëpunim (FOTO)

Artisti i njohur shqiptar Armend Rexhepagiqi si duket po kthehet fuqishëm në skenën kosovare, pasi që një bashkëpunim me një artist tjetër pritet të prezantohet së shpejti, shkruan KultPlus.

Pas paraqitjes së tij me këngëtaren Tuna, Armend Rexhepagiqi pritet të prezantohet edhe me një bashkëpunim tjetër.

Bëhet fjalë për këngëtarin Mentor Haziri, i cili vet ka paralajmëruar që së shpejti do të vjen një bashkëpunim mes tij dhe Rexhepagiq.

Nëse bëhet fjalë për ndonjë paraqitje të përbashkët, apo për ndonjë kompozim, mbetet të shihet./KultPlus.com

DAM solli përmes Shaqir Hotit historinë e lashtë të okarinës dhe neglizhencën ndaj instrumenteve tradicionale

Alberina Haxhijaj

Sot, zhvillimi teknologjik është bërë shumë i rëndësishëm. Të ngjitur pas pajisjeve elektronike është bërë e zakonshme të shohësh njerëz gjersa kalojnë rrugës me çanta për këto pajisje. Një çantë të tillë klasike, ngjyrë të zezë, për laptop e mbanë edhe muzikanti 83 vjeçar Shaqir Hoti. Mirëpo, për dallim nga njerëzit e tjerë, në vend të laptopit, në çantë ai mbanë një copëz të  trashëgimisë muzikore të tij por edhe të Kosovës. Me dhjetëra okarina, fylla dhe madje edhe një gajde e punuar me material të xhaketës së djalit të tij, zënë vend në këtë çantë. Instrumente të cilat ai i luan shumë bukur dhe i ka realizuar vet.

Në çantën e tij, në mesin e instrumenteve frymore gjenden edhe kopje të okarinës më të vjetër të gjetur në trojet shqiptar, në Runik, instrument ky të cilin ai asnjëherë nuk e parë, pasi që u morë nga autoritet serbe gjatë pushtimit të Kosovës, mirëpo për të cilën ndjeu çdo herë një dashuri të jashtëzakonshme. Kjo dashuri e fuqishme e shtyri që të bisedonte me arkeologen Edi Shukriu, arkeologia e cila e pati në dorën e saj okarinën origjinale, në përpjeke për të mësuar më shumë sesi ishte origjinali në mënyrë që të krijonte një të tillë edhe vet. Një gjë të tillë ai e arriti pasi që ndërtoi okarinë nga argjira, druri e plastika, por edhe nga çdo material i fortë që i ra në dorë si lajthia e arra.

“Mund të them se kjo është një sëmundje, mirëpo një sëmundje e bukur. Çdo gjë që shoh dhe është e fortë mendoj sesi mund ta shndërroj në okarinë”, u shpreh Hoti duke buzëqeshur para të pranishëmve që erdhën për të dëgjuar historinë e tij sot, në “Shtatëmbëdhjetë” në kuadër të Festivalit DAM.

Shaqir Hoti është muzikant që tërë jetën ia dedikoi punimit e studimit të instrumenteve burimore, e në veçanti okarinës. Tash i pensionuar, jeton në Prishtinë dhe vazhdon të hulumtojë instrumentet tradicionale dhe të kompozojë për to. I lindur në Rogovë të Hasit të Prizrenit, (1936) në një familje me traditë në fushën e muzikës, Shaqir Hoti nuk e pat të vështirë lidhjen me instrumentet dhe muzikën. Pas ushtrimit të profesionit të mësuesit në Has, Hoti transferohet në Orkestrën e Radio Prishtinës si instrumentist profesionist, duke qenë se ai pa problem mund të interpretonte në instrumente me frymë, konkretisht në flaut dhe në ato me tela, çifteli.

“Në vendet tjera edhe në shkolla mbahet lënda ‘Instrumentet tradicionale’ kurse te ne kjo na mungon, dhe nga kjo rrjedhë edhe interesimi shumë i vogël. Kushdo që i ka dëgjuar meloditë tona dhe këngët popullore i ka vlerësuar shumë, pasi që fjalitë tona muzikore janë shumë konstruktive dhe të gjitha ato janë shoqëruar me këto instrumente, mirëpo për fakt të keq kujdesi mungon”, thekson Hoti duke vendosur mbi tavolinë punimet e tij.

Përveç çantës së veçantë që ka Hoti i njohur si Baca Shaqir, e ku mbanë me vete disa instrumente,atë shpesh mund ta shihni edhe me një bastun në dorë. Mirëpo bastuni i tij është po aq i magjishëm dhe intrigues sa është edhe puna e tij. Shkopi i gjatë i bastunit të tij shndërrohet në një fyell të cilit ai i bie pasi që ia largon dorëzën të cilin ja ka vendos për tu mbajtur për të. Krijuesi i mbi 1 mijë instrumentesh tregohet shumë kreativ me punimet e tij, ai ka krijuar edhe një okarinë në formë mollëkuqe. Madje duke eksperimentuar me këtë instrument dhe duke i shtuar vrima, këtë instrument ai e ka dërguar deri në oktavë.

“Instrumentet tona tradicionale janë duke u braktisur me të madhe pasi që njerëzit janë duke kërkuar instrumente të cilat kanë tingullin e vet, instrumente të fabrikuara dhe nuk dëshirojnë me u lodh me instrumente tona tradicionale”, shprehet Hoti. Mirëpo, sipas tij këto instrumente të vjetra popullore dhe meloditë e tyre mund të ri-aranzhohen dhe të vendosen brenda veprave të ndryshme moderne dhe me punë e dashuri, sipas tij ai gërshetim do jetë shumë i bukur.

Një modifikim të tillë e sheh si të rëndësishëm edhe festivali DAM, u shpreh muzikologia Rreze Kryeziu, e cila theksoi se përmes këtij diskutimi, festivali dëshiron që të ktheje vëmendjen tek tingujt e lashtë dhe te mënyra sesi ato mund të ndërthuren në kontekstin modern.

 “Sot kemi rastin që të njoftohemi me të vetmin instrument muzikor të gjetur në Kosovë e që është identifikues i kulturës për ne. Dëshirojë të theksoj se përveç problemeve ekonomike, politike, sociale, ne kemi edhe probleme të tjera të shumta sa i përket krijimit të një fondi të instrumentaliumit në shtetin tonë. Megjithatë, ka disa botime, hulumtues, muzikologë, historianë, arkeologë në Kosovë të cilët janë marrë me këto hulumtime dhe i kanë prezantuar dhe reprezentuar ato, mirëpo fatkeqësisht edhe ai fond i zbuluar e i promovuar nga ata mbetet akoma i debatueshëm”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, u shpreh se një nga pikat kyçe për këtë organizatë është edhe trashëgimia kulturore dhe se ata do të vazhdojnë të promovojnë punën e Bacës Shaqir, mirëpo sipas saj këtë nuk duhet ta bëjnë vetëm organizatat por institucionet. Për të është shumë e rëndësishme një gjë e tillë pasi që Shaqir Hoti është i vetmi i cili punon okarinën dhe pas largimit të tij nga kjo jetë do të shuhet edhe ky instrument.

“Trashëgimia shpirtërore, përfshirja e muzikës, artit, e të tjerë që përbëjnë edhe pasurinë me të madhe të një shoqërie në Kosovë ka mbetur akoma pa vëmendje të mjaftueshme. Disa nga praktikuesit e trashëgimisë jo materiale, shpirtërore tashëm si Baca Shaqë janë mjaftë të vjetër në moshë dhe në mungesë të tyre dhe të aftësive që ata kanë, këto instrumente edhe do të zhduken”, tha ajo duke shtuar se prandaj kanë realizuar edhe takime e punëtori me njerëz të tillë në mënyrë që kjo pjesë e trashëgimisë të bartet edhe tek brezat e rinjë dhe të mbijetojë.

Aktivitetet në kuadër të edicionit të katërmbëdhjetë të Festivalit DAM do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim./ KultPlus.com

“A star is born”, albumi më i shitur në SHBA (VIDEO)

Filmi “A star is born” që premierën e kishte në tetorin e vitit të kaluar përpos shumë çmimeve, kulmoi edhe më një “Oscar” për këngën “Shallow”.

Përveç zërit fantastik, Lady Gaga tregoi dhe aftësitë e saj në aktrim, duke e kthyer një histori të njohur në një eksperiencë të bukur dhe të ndjerë.

Nuk pati sukses vetëm filmi, por edhe këngët e tij, kryesisht me zërin e Gaga-s, por edhe të Bradley Cooper.

Ata po vijojnë suksesin në SHBA, duke e renditur “A star is born” në krye të klasifikimit, si një ndër albumet më të shitura.

Familja themelon fondacionin me emrin e Aviciit

Familja e DJ dhe producentit të ndjerë Avicii, i cili u gjet i vdekur në dhomën e tij të hotelit në Oman në prill të vitit 2018, paralajmëroi themelimin e fondacionit i cili do të emërtohet pikërisht sipas këtij muzikanti suedez, i cili vdiq tragjikisht.

Fondacioni kryesisht do të përqendrohet në mbledhjen e fondeve të cilat do të investohen për ta rritur vetëdijesimin për sëmundjet mendore dhe parandalimin e vetëvrasjeve, raporton BBC-ja.

Edhe pse ende nuk është publikuar shkaku zyrtar i vdekjes, DJ-i suedez, emri i vërtetë i të cilit është Tim Bergling, ka luftuar gjatë me abuzimin e drogave dhe me depresionin, kështu që konsiderohet se ky yll ia mori vetes jetën.

“Timi dëshironte të bënte ndryshim. Lansimi i fondacionit me emrin e tij është mënyra jonë për t’i respektuar karakterin dhe veprën e tij, dhe që të vazhdojmë të veprojmë në frymën e tij”, thotë familja e muzikantit në deklaratën për shtyp, shkruan KOHA Ditore.

Fondacioni Tim Bergling do të merret me çështje, siç janë ndryshimet klimatike dhe ruajtja e natyrës.

Miron Kotani: Këngëtare si Vaçe Zela, Parashqevi Simaku rrallë vijnë

INTERVISTA/ Flet kompozitori dhe pianisti Miron Kotani

Pianist, por dhe kompozitor. Vjen nga një familje me tradita të hershme në fushën e muzikës, pasi gjyshi i tij ka qenë klarinetist me famë së bashku me famozin Laver Bariu ndrysa babi i tij Vladimir Kotani një kompozitor me emër.

Kompozimin e parë e ka bërë qysh në bangat e shkollës, por asnjëherë nuk është vetëkënaqur me rezultatet në jetë. Për të, muzika tallava nuk përputhet me shijet personale, por gjithsecili bën zgjidhjen e vetë në jetë. Një nga ditët më të vështira në jetë, ka qenë kur në mars 1997 ai ishte i vetëm në Akademi me pedagogun e tij Thoma Gaqi.

Cila është kënga e parë që keni kompozuar?

-Ka qenë një këngë për fëmijë në në aktivitet të shkollës kur kam qenë në klasën e tetë (ish-shkolla “Kongresi i Përmetit”, sot “Servete Maçi”). Kam shumë kujtime të bukura nga ajo periudhë e viteve 1985-1992

Kemi qenë një brez fëmijësh të talentuar ku sot thuajse të gjithë (ndoshta ndër të paktët jam unë që kam zgjedhur për të qëndruar në Shqipëri), jemi të shpërndarë nëpër botë.

– Kush ju futi në rrugën e bukur të kompozimit dhe cilët ishin pedagogët dhe anëtarët e jurisë kur konkurruat?

– Në Liceun Artistik ku unë vazhdoja studimet për piano me zysh Elsa Veizin, kishim shumë pranë, më saktë përballë nesh ndodhej godina e RTSH-së, dhe gjatë pushimeve më kujtohet që shpeshherë më impresiononte kjo gjë. Më dukej një godinë e madhe dhe njerëzit e shumtë, gazetarë e punonjës të tjerë që punonin aty, më bënin shumë përshtypje dhe fillova të miqësohesha me ta, madje me një pjesë të tyre ruaj edhe sot një shoqëri prej vitesh.

Pra nën këtë klimë, Liceu nga njëra anë dhe RTSh-ja që më ftonte e më bënte për vete nga ana tjetër, njëkohësisht. E mbushur kjo dhe me një jetë koncertesh e ngjarjesh kulturore muzikore të shumta (kujtoj se periudha midis 1992-1996 ishte tepër e pasur dhe e ngjeshur me aktivitete, kjo dhe për shkak të daljes nga izolimi shumëvjeçar) më shtynë të mendoj për diçka më shumë…

jo vetëm në rolin e instrumentistit, atë të pianistit, por pse jo dhe në atë të kompozimit, e më tutje dhe në atë të botës së ekranit dhe të radios, ku për vite me radhë eksperimentova në një sërë programesh dhe emisione të shumta në disa stacione e media të ndryshme, por dhe te disa shkrimeve kritike në fushën e muzikës, gjë kjo që vinte më shumë jo vetëm nga pasioni i moshës, por dhe nga një traditë e pasur familjare në fushën e muzikës.

(Kujtoj gjyshin tim kur isha shumë i vogël që shpeshherë i binte klarinetës me Laver Bariun e famshëm, dy xhaxhallarët e mi instrumentistë-njeri i binte fizarmonikës dhe tjetri kitarist dhe sot e kësaj dite luan live nëpër skena të ndryshme, dhe në fund babain tim kompozitor Vladimir Kotanin, i njohur në vend në disa gjini të ndryshme të muzikës, por që suksesin më të madh e pati në këngët e muzikës së lehtë).

Do përmend këtu dy pedagogët e mi të nderuar të kompozicionit: të madhin Cesk Zadeja (jam krenar që dy vitet e para të Akademisë kam studiuar me babain e muzikës shqiptare duke qenë dhe studenti i tij i fundit) dhe prof.Kozma Lara, pedagogun me të cilin mbrojta diplomën me Koncertin për Piano dhe Orkestër në vitin 2000.

Edhe vitet e Akademisë 1996-2000 kanë qenë të mbushura me ngjarje ku jeta rridhte shumë shpejt. Nuk mund të rri pa përmendur klasën e kompozicionit ku studionim bashkë me Florian Luarin (ish-drejtues i orkestrës në Top Chanel dhe sot ndodhet në Paris të Francës), Saimir Çilin (kantautor i njohur),

Alban Emirin (kitarist shumë i njohur dhe pjesëtar me grupin e Elton Dedës ) e shumë emra të tjerë të njohur që sot janë avangardë në muzikën shqiptare. Me gjithë tranzicionin që kalonte Shqipëria në ato vite, ne bënim punën tonë dhe nuk mund të rri pa përmendur punën kolosale me ne, të pedagogëve të mi si : Thoma Gaqi (harmoni), Aleksandër Peci, Endri Sina (orkestracion), Hajg Zaharian, Kujtim Laro, etj…të cilët na mësuan të hidhnim bazat dhe të drejtonim saktë shijen tonë muzikore në mënyrë individuale dhe sa më profesionale.

– Kur e keni ndjerë veten ngushtë në Akademi dhe pse?

– Në Akademi kushtet ishin shumë të vështira, por kujtoj dy momente. Momenti i parë është që në ngjarjet tragjike të marsit të 97-ës kujtoj: Ishte mbasdite dhe unë ngjitem në korridorin e shkollës në orën e praktikës së harmonisë. Ishte e dhim.bshme të shikoje korridoret bosh, gjithçka bosh. Unë isha një dhe i vetëm… vetëm unë dhe shkolla….Ku për dr.eq filluan dhe ca pika shiu….Ora 5 e gjysmë, thashë me vete kjo është shkretëtirë me siguri dhe profesori s`ka për të ardhur.

Por, jo, isha gabuar. Dëgjohen disa hapa dhe ja më tej shfaqet profesori im i harmonisë, një nga pedagogët më të rregullt dhe rigoroz të Akademisë, prof.i harmonisë Thoma Gaqi, që ngjiste shkallët me një çantë në dorë. Nuk kam për ta harruar kurrë këtë moment dhe këtë ditë. Thashë me vete…!!!!! Unë dhe profesori të dy, të vetëm, në gjithë këtë ndërtesë të madhe me emrin Akademi!!! Them se ky ishte momenti sa më i vështirë, po aq edhe mbresëlënës……!!!

– Momenti i dytë ka të bëjë me anën teknike të studimit, ku dhe pse një student i rregullt, asnjëherë në ato katër vite të Akademisë nuk na u krijua mundësia të dëgjonim ndonjëherë një tingullin tonë të shkruajtur për orkestër nga studentët e kompozicionit, e kjo është njësoj si të kesh patentë, por nuk ke makinë që ta ngasësh! Këto ishin dhe dy momentet që kujtoj si më të vështirat e Akademisë.

– Pedagogët tanë të kompozicionit a ishin me nivel dhe kërkesë profesionale?

-Me gjithë periudhën tejet të vështirë ne kishim dhe kemi pedagogë brilantë dhe kompozitorë të kalibrit botëror që po çudisin dhe sot. Jo më kot dhe vetëm para pak ditësh kompozitori ynë Thoma Simaku (që sot drejton katedrën e Kompozicionit në Universitetin e Nevv Yorkut në Angli), u bë fitues i çmimit të parë ndërkombëtar në Poloni me një vepër për Orkestër simfonike ku në garë ishin plot 147 autorë nga e gjithë bota.

– Sot shkolla jonë e kompozicionit a është e niveleve europiane?
-Të them të drejtën unë kam vite që kam mbaruar dhe nuk jam në kontakt të drejtpërdrejtë, por mendoj se ai që ka vullnet dhe dëshirën e mirë, e gjen rrugën e duhur të arsimimit profesional jo vetëm te shkolla dhe bota akademike, por dhe me kontakte të drejtpërdrejta me botën jashtë si dhe privatisht.

– Cilët janë kompozitorët shqiptarë më në zë?

-Ka disa, por për mua janë: Feim Ibrahimi, Spartak Tili, Çesk Zadeja, Hajg Zaharian, Prenk Jakova,Tonin Harapi, Aleksandër Peçi, Thoma Simaku,..etj. Më falni po janë të gjithë shumë të mirë, nuk mund ti ndaj dot, lista është vërtet shumë, shumë e gjatë…

– Flitet shumë sot për festivale të ndryshme në stacione të ndryshme televizive. A janë këto festivale-koncertale në nivel më të lartë profesional se Festivali i RTSH-së?

– Festivale ka shumë, po për mua dhe që më dhemb shpirti për të është vetëm një: Festivali i Këngës në RadioTV, pra festivali i dhjetorit. Kjo është e lidhur me shumë faktorë, por më kryesorja është dhe për mua mbetet tradita.

Një gjysmë shekulli nëpër krijime të autorëve më të mirë të këngës shqipe është shumë dhe kjo është një barrë e madhe e drejtuesve dhe organizatorëve të këtij evenimenti. Është e vërtetë që vitet e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar kanë ndikimin e tyre negativ në mbarëvajtjen e tij, por them se kjo gjë është kalimtare dhe se gjërat jam i bindur që do të marrin për mirë.

– Sot flitet shumë për huazime në muzikë, sa ndikojnë këto lloj muzikash në traditën shqiptare?

Po jo vetëm huazime, por dhe ndikime të shumta ka e do të ketë, pasi çdo gjë evoluon me kohën, por kjo duhet luftuar me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj atyre personave që e kanë në dorë këtë gjë u ngelet shumë për të bërë në këtë drejtim.

Kjo është sfida e kohës. Duhen vendosur ligje dhe kritere të sakta në konkurrim, e ato të zbatohen me përpikmërinë më të madhe, gjë që ka munguar sipas këndvështrimit tim këto dy dekadat e fundit.

Në garë duhet të marrin pjesë më të mirët, si në aspektin e krijimtarisë, ashtu dhe në atë të interpretimit. Janë bërë hapa pozitive në këtë të fundit ku dhe është rritur ndjeshëm niveli i interpretimit vokal, por mbetet shumë ende për t’u bërë në krijimtari dhe në fushën e kompozimit.

– A është tallavaja një muzikë e pëlqyer dhe cila është prejardhja e saj?

-Ajo nuk është në preferencat e mia, por që ka dhe njerëz që e pëlqejnë e nuk i ndalon dot, kjo dihet. Kjo ka shumë faktorë, por rolin më negativ këtu e luan media, e kryesisht kanalet që japin muzikë. Madje shpeshherë pre e kësaj bije dhe TVSH-ja!. Nuk mund t’i lejohet një institucioni të tillë të transmetojë këngë të tilla dhe muzikë të huaj.

Kjo kërkon revolucion të të konceptuarit. Pashë para pak kohësh në këtë ekran një emision për Rahmaninovin ku dy orë mbasdite mësuam dhe për gjerat më intime të jetës së tij. Në rregull, shumë mirë. Është kompozitor i madh, dakord….Po këtu je në Shqipëri, dhe në ekranin publik kombëtar!!! S`kemi dëgjuar një emision për Çesk Zadenë, Feim Ibrahimin, Kujtim Laron, Spartak Tilin, e së fundmi Thoma Simakun….??!!!!

Lista është shumë e gjatë…Ky institucion duhet të jetë përçues i vlerave tona kombëtare në radhë të parë, e pastaj dhe atyre botërore…. Këtu i mbetet dopio-gjashta dhe institucioneve të tjera kulturore, si Ministria e Kulturës apo Drejtoritë Kulturore të Bashkive të ndryshme.

Për Tallavanë nuk mund të flas se nuk më intereson dhe s`më ka interesuar ndonjëherë.

Sot shumë këngëtarë këndojnë me CD Play-back, a ndikon kjo në uljen e cilësisë së zërit tek këngëtari?

Kjo nuk ndikon, sepse me Play-back mund të këndojnë të gjithë, madje dhe këngëtarë të mëdhenj botërorë e kanë praktikuar këtë gjë. Problemi është sa këngëtarë janë dhe pse i thonë vetes këngëtarë të gjithë …??? Për këtë dhe na shërbejnë koncerte Live, Festivalet, Koncertet…etj… Prandaj dhe e veçova Festivalin e RTSH-së nga të tjerët, se ato për mua janë inekzistente, përderisa organizohen me Play-Back

për mungesë transparence dhe të kënduarin Live-në skenë. Përfytyroni 20.000 mijë veta në stadium që në vend të ndeshjes së futbollit tu shfaqej një ritransmetim në ekran gjigand i një ndeshje të kaluar futbolli…??? A do zhgënjeheshin tifozët ?! E për fatin tonë të keq kjo gjë quhet normale në Shqipëri ku dhe TV Kombëtare e praktikojnë jo rrallë këtë fenomen.

– Cilat janë problemet e muzikës shqiptare sot?

-Individualiteti dhe origjinaliteti kombëtar. Kjo mungon ndjeshëm dhe thuajse po shkon drejt pikës zero.

-Vihet re se në treg janë me qindra këngëtarë, ka një klasifikim të mbash këtë emër të nderuar?

– Mendoj se koha është seleksionuesi më i drejtë. Sot ne themi i madhi Tonin Tërshana, apo e madhja Vaçe Zela… Unë po i shtoj dhe një: E madhja Parashqevi Simaku !!!! Pastaj ka dhe shumë emra të tjerë, por problemi është: Kush do t`i rezistojë dhe zëvendësojë ata??? Të presim. Koha do na i zbulojë !

A keni marrë pjesë dhe pikërisht në sa Festivale të RTSH?

Po. Kam marrë pjesë si kompozitor në katër Festivale në ato të Fund-vitit në edicionet 1998,1999,2001 dhe 2003 ku ka qenë dhe pjesëmarrja ime e fundit me këngën “Sytë e zemrës” interpretuar nga Anisa Dervina.

Me cilët këngëtarë ke bashkëpunuar?

Kam bashkëpunuar me disa këngëtarë të njohur, por dhe të rinj. Mbaj mend në festivalin e vitit 2001 në RTSH një këngë të interpretuar nga Anxhela Peristeri…e kështu me radhë kanë vijuar bashkëpunimet me Kozma Dushin, Luan Zhegun, Ledina Celon, Albëri Hadërgjonaj, Aurel Thellimi, Hysni Zela, Florian Luari, Josif Gjipali, Irida Pojani, Miranda Jani, Anisa Dervina, Klajdi Musabelli,….etj….

Ju pëlqen më shumë kënga popullore apo ajo e muzikës së lehtë?

Më shumë më pëlqen Muzika Popullore Shqiptare. Kemi një thesar dhe një folklor tejet të pasur. Një kompozitor profesionist ka mundësi dhe duhet të shkruajë për të gjitha gjinitë e muzikës. Por kjo gjë në Shqipëri sot për sot është shumë e vështirë, sidomos për dy gjinitë e fundit….

Që të mund të vesh në skenë një simfoni apo opera është një shpenzim i madh në kohë ashtu dhe në vlerë monetare, ku ti si individ pa përkrahjen e shtetit e ke totalisht të pamundur realizimin e tyre.

Ku e gjej veten unë?- S`e di,s`më ka vajtur ndonjëherë mendja për t`i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje..por di që deri tani kam lëvruar me sukses muzikën e filmit atë dokumentar dhe artistik (Autor i dy filmave artistikë shqiptare: “Shkallet” dhe “Një ngjarje në traget”, ku filmi i parë është nderuar dhe me çmim në Francë në një Festival Ndërkombëtar Filmi).

Gjithashtu jam autor i një Koncerti për piano dhe orkestër, i një albumi me pjesë pianistike shqiptare, i disa teatrove për fëmijë, këngë të muzikës së lehtë shqiptare për fëmijë e të rritur si dhe së fundmi jam marrë me

Orkestrimin e Simfonisë Premiere me Katër Kohë të Kompozitores Diana Ziu që do ta luajë Orkestra e RTSH-së (i uroj shumë sukses autorit) dhe me restaurimin e muzikës së Filmit “Koncert në vitin 1936” të Limoz Dizdarit një dokumentar kushtuar pikërisht shesheve të xhirimit të tij. Flm.

S’di kush e ka thënë më parë

Burr’ i mençur do ketë qenë,

Me një lule s’vjen behari,

Nuk rrinë dot Yjet pa Hënë

naishtedikur.info

Pedagogia Linda Mëniku: Keqpërdorimi i gjuhës shqipe, emergjencë kombëtare

Pedagogia e Gjuhë Shqipe, Linda Mëniku, tha se gjuha shqipe po keqpërdoret, dhe kjo situatë është në emergjencë kombëtare.

“Albanologjia duhet të jetë prioritet kombëtar, pasi vihet re një mungesë specialistësh që merren me studimin e gjuhës shqipe”, shtoi me tej pedagogia e cila ishte e ftuar në ‘Wake Up’.

Kujtojmë se para disa ditësh kryeministri Edi Rama, tha se Gjuha Shqipe do të jetë një lëndë me detyrim në të gjitha degët e universiteteve. Për futjen e Gjuhës Shqipe në universitete Rama tha duhet të zërë vendin që i takon./E.B-dritare.net