Mesazhi për Ditën Botërore të Teatrit 2019 këtë vit e sjellë Carlos Celdran

Çdo vit, Këshilli Ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar të Teatrit zgjedh një personalitet teatror të shquar për të shkruar mesazhin për Ditën Botërore të Teatrit, e cila festohet që nga viti 1962 më 27 mars në mbarë botën. Për 2019, është zgjedhur Carlos Celdran nga Kuba, dramaturg, regjisor dhe profesor. KultPlus ju sjellë këtë mesazh të përkthyer nga anglishtja nga Agon Myftari.

Carlos CELDRÁN, Cuba.

Para se t’i hapja sytë drejt teatrit, mësuesit e mi tashmë ishin atje. Ata kishin ndërtuar shtëpitë e tyre dhe qasjet e tyre poetike mbi mbetjet e jetëve të tyre. Shumica nga ta janë të panjohur, apo pothuajse nuk kujtohen: ata kanë punuar në heshtje, në përulësinë e dhomave të provave dhe në teatrot e mbushura përplot spektatorë dhe, ngadalë, pas vitësh pune dhe arritjeje të jashtëzakonshme, ata gradualisht shkuan nga këto vende dhe u zhdukën. Kur unë kuptova se fati im do të ishte t’i ndiqja hapat e tyre, unë gjithashtu kuptova se kisha trashëguar atë traditë të hidhur, unike të të jetuarit në të tashmen pa ndonjë pritje tjetër përveç se të arrish transparencën e çastit të papërsëritshëm: takimit me një tjetër në errësirën e një teatri, pa mbrojtje të mëtejme sesa vërtetësia e një gjesti, një fjale që shpërfaqet.
Atdheu im teatror qëndron në ato momente të takimit me spektatorët që vijnë në teatrot tona natë pas nate, nga këndet më të ndryshme të qytetit tim, të na shoqërojnë dhe të ndajnë disa orë, ca minuta. Jeta ime është ndërtuar nga ato momente unike kur unë pushoj së qeni vetja, të vuaj për veten, dhe rilindem dhe e kuptoj domethënien e profesionit teatror: të jetosh çaste të një të verteteje të pastër kalimtare, ku e dimë se ajo që themi dhe bëjmë, atje nën dritat e skenës, është e vërtetë dhe reflekton pjesët më të thella, më personale të vetes sonë. Vendi im teatror, imi dhe ai i aktorëve të mi, është një vend i endur nga momente të tilla, ku lëmë pas maskat, retorikën, frikën e të qenit kush jemi dhe rrokemi duarsh në errësirë.

Tradita teatrore është horizontale. Askush nuk mund të pohojë se teatri ekziston në ndonjë qendër të botës, në ndonjë qytet apo ndërtesë të privilegjuar. Teatri, siç e kam marrë, përhapet përmes një gjeografie të padukshme që bashkon jetët e atyre që e performojnë dhe mjeshtërisë teatrore në një gjest të vetëm unifikues. Të gjithë mjeshtrit e teatrit vdesin me momentet e tyre prej një qartësie e bukurie të papërsëritshme; ata të gjithë shuhen në po të njetën mënyrë, pa ndonjë tjetër epërsi që t’i ruajë ata dhe t’i bëjë të shquar. Mësuesit teatror e dinë këtë, asnjë pranim nuk është i vlefshëm kur përballet me atë siguri që është burimi i punës sonë: krijimi i çasteve të vërtetësisë, të dykuptimësisë, të fuqisë, të lirisë në mes të një pasigurie të madhe. Asgjë nuk mbijeton përveq të dhënave apo shënimeve të veprave në video dhe fotografi që do të mund ta kapte qoftë një ide të zbehtë të asaj që bënë. Sidoqoftë, ajo që do të mungojë gjithmonë nga këto të shënime është përgjigja e heshtur e publikut i cili kupton në një çast se ajo që ndodh nuk mund të përkthehet e as të gjindet jasht, se e vërteta që shpërndahet aty është një përvojë jetësore, për pak sekonda, më e tejdukshme sesa vetë jeta.

Kur e kuptova se teatri ishte një vend më vete, një territor i madh i cili mbulon gjithë botën, një vendosmëri u ngrit brenda meje, e cila ishte gjithashtu realizimi i një lirie: nuk të duhet të shkosh larg, apo të lëvizësh nga ku je, nuk duhet të vraposh e as të ecësh vetë. Publiku është kudo që ti të jesh. I ke kolegët që të duhen përkrah teje. Aty, jasht shtëpisë tëndë, ke realitetin e përditshëm të errët e të padepërtueshëm. Pastaj ti punon nga ajo palëvizshmëri e dukshme për të dizajnuar rrugëtimin më të madh nga të gjithë, ta përsërisësh Odisenë, udhëtimin e Argonautëve: je një udhëtar i palëvizshëm i cili nuk ndalet së shpejtuari dendësinë dhe ngurtësinë e botës së tij reale. Rrugëtimi yt është drejt çastit, momentit, drejt takimit të papërsëritshëm me shokët e tu. Udhëtimi yt është drejt tyre, drejt zemrës së tyre, drejt subjektivitetit të tyre. Ju udhëtoni me ta, në emocionet e tyre, në memoriet e tyre të cilat ju i ngjallni dhe mobilizoni. Udhëtimi juaj është marramendës, dhe askush nuk mund ta matë apo ta heshtë atë. Asnjeri nuk mund ta njohë atë në masën e duhur, është një udhëtim përmes imagjinatës së njerëzve tu, një farë që mbillet në tokën më të largët: ndërgjegjen qytetare, etike dhe humane të spektatorëve tu. Për shkak të kësaj, unë nuk lëviz, qëndroj në shtëpi, mes më të afërmve të mi, në qetësinë e dukshme, duke punuar ditë e natë, sepse e kam sekretin e shpejtësisë./ KultPlus.com

Mësuesi më i mirë në botë për vitin 2019, Atë Peter Tabichi

Atë Peter Tabichi, pedagog i shkencës dhe matematikës në shkollën Keriko në fshatin Pwani në Kenya, e ka fituar çmimin prestigjioz “Glogal Teacher Prize 2019”, të cilin për çdo vjet e ndanVarkey Foundation për pedagogët më të dalluar për nga metodat edukative në të gjitha kontinentet.

Atë Tabichi, prift françeskan 36 vjeçar, ka dhanë 80% të pagës së tij që të ndihmonte studentët e tij të varfër që mos të braktisin shkollën. “Shkolla dhe shkenca për këta studentë është çelësi për të ardhmen e tyre” – ishte shprehur ky mësues i ri  në Dubai gjatë pranimit të këtij çmimi, i cili ka vlerën prej $1 milion dollar.

Përkundër kushteve të vështira në të cilat jeton ky frat dhe shkolla e tij, vetëm një kompjuter, pa lidhje interneti, numri i stërmadh i nxënësve në një klasë, deri në 80 veta, nxënësit e profesorit keniot kanë fituar kompeticione të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, në mesin e të cilëve Royal of Chemistry në Britanin e Madhe.

Arritja e këtij pedagogu është edhe më e madhe kur kihet parasysh se shkolla e tij ka vetëm një kompjuter dhe raporti nxënës mësues është 58-1. Çdo i treti nxënës është jetim ose pa njërin prej prindërve, 95% jetojnë në varfëri, e disa prej tyre duhet të ecin këmbë 7km për të shkuar për çdo ditë në shkollë.

Përveç mësimdhënies në shkollë Atë Peter Tabichi ka krijuar Klubin e Paqes, i cili ka mision për të zbutur tensionet mes etnive në fshat, duke i bindur edhe prindërit e fëmijëve femra që të mos t’i martojnë në moshën e mitur, por t’i dërgojnë në shkollë për t’u përgatitur për metodat e kultivimit të kulturave të ndryshe kundër urisë, për jetë më të pavarur dhe një të ardhme më të sigurt në një botë kur dominon varfëria, konfliktet mes etnive dhe fiseve, si dhe diskriminimi i theksueshëm ndaj femrës./drita.info / KultPlus.com

Cricket sjell remixin e “Tavolina e mërzisë” nga Elvana Gjata (VIDEO)

Krijuesi i shumë hiteve, por i njohur në veçanti për krijimin e këngës “BonBon” të Era Istrefit, këngë kjo që kaloj kufijtë dhe arriti ta bëjë Erën  të njohur në botë, Donat Prelvukaj, apo i njohur si Cricket, ka sjell remixin e këngës “Tavolina e Mërzisë”, kënduar nga Elvana Gjata, shkruan KultPlus.

Ky remix është mirëpritur edhe nga vetë këngëtarja e cila e ka shpërndarë në Instagram këngën.

https://www.instagram.com/p/BvfL_mTh_nx/

Kjo këngë njëherit shënoi edhe rikthimin e Elvanës. Balada “Tavolina e Mërzisë” është realizuar nga Armend Rexhepagiqi e Aida Baraku. / KultPlus.com

Në takim me Dukeshën e Luksemburgut, Vasfije Krasniqi me veshje kombëtare

Me rastin e ditëlindjes së saj më 23 mars, Dukesha Maria Tereza  në Luksemburg, mirëpriti 50 të mbijetuar të abuzimit seksual, në mesin e të cilave ishte edhe Vasfije Krasniqi, e cila së fundi foli për tmerret që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë, si e mbijetuar nga dhunimet seksuale, shkruan KultPlus.

Vasfija bashkë me të mbijetuarit e tjerë kanë marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtarë të Dukeshës “Stand Speak Rise Up!” , ku mbrëmë është mbajtur edhe nata e parë, ndërsa sonte pritet të mbahet nata e dytë.

Kjo mbrëmje është përmbyllur me ide të ndryshme dhe me një mbrëmje gala te Filharmonia ku janë dëgjuar të mbijetuarat dhe janë nderuar për guximin e tyre.

“Jemi bashkuar këtu për të festuar fitoren e tyre”, është thënë gjatë kësaj mbrëmje.

Përveç guximit të saj për të folur edhe njëherë para botës për përjetimet e saj, Vasfije Krasniqi mbrëmë i bëri krenarë të gjithë shqiptarët ku në këtë takim u paraqit me veshje kombëtare shqiptare.

Me Vasfije Krasniqin në Luksemburg po qëndron edhe Feride Rushiti, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). /KultPlus.com  

Në Turqi përurohet sot Muzeu i Trojës

Sot në provincën e Çanakalasë në Turqi do të bëhet hapja zyrtare e Muzeut të Trojës.

Muzeu i Trojës do të hapet në qytetin antik të Trojës së lashtë prej pesë mijë vitesh, ndërsa projekti ka kushtuar rreth 75 milionë lira (mbi 12 milionë euro).

Projekti, i zgjedhur pas një konkursi të Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit, filloi në vitin 2014 dhe ka përfunduar në tetor të vitit të kaluar.

Ekspertët kanë klasifikuar dhe vendosur në vendet e reja artifaktet e transferuara nga muzeu që gjendet në qendër të provincës./ballkanweb/ KultPlus.com

Sot Dita Botërore e Teatrit

Sot edhe në Kosovë, sikurse edhe në çdo vend tjetër të botës, shënohet Dita Botërore e Teatrit.

Me këtë rast, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Teatër për vitin 2018.

Shënimi i Ditës Botërore të Teatrit është iniciuar në Kongresin e 9-të Botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror (INT) të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, ndërsa që nga viti në vijim ai shënohet me datën 27 mars, datë kjo kur është hapur sezoni i “Teatrit të Kombeve” në Paris.

Sot kjo shënohet në mënyra të ndryshme në rreth njëqind qendra të INT-së.

Instituti Ndërkombëtar Teatror është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese, shkruan koha.net

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve./ KultPlus.com

Michelle Obama shet 10 milionë kopje të librit

Libri i Michelle Obamas është në “rrugë të mbarë” për tu bërë autobiografia më popullore deri më sot, sipas botuesit të tij.

“Becoming”, botuar 5 muaj më parë, tashmë ka shitur më shumë se 10 milionë kopje, ka thënë Bertelsmann.

“Ne besojmë se ky libër do bëhet autobiografia më e suksesshme ndonjëherë,, ka thënë Thomas Rabe, shefi ekzekutiv i firmës gjermane.

Firma pagoi 60 milionë dollarë në 2017 për të drejtat e librit, së bashku me atë të ish presidentit amerikan Barak Obama.

Libri i ish presidentit nuk është botuar ende.

Sipas raporteve aktualisht libri i ish Zonës së Parë është aktualisht i 11-ti në listën e 20 biografive dhe autobiografive më të mira.

Trashëgimia kulturore e Sarandës, më pranë të rinjve

 Të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë gjithnjë e më shumë po shfaqin interes për njohjen me trashëgiminë kulturore dhe folklorin shqiptar.

“Veshjet popullore të Shqipërisë së Jugut” ishte tema e mësimit të hapur të zhvillluar sot me nxënësit e klasës së 8 B në shkollën “9 Tetori” Sarandë.

Nën kujdesin e specialistëve të sektorit të Kulturës Kombëtare Sarandë dhe mësueses Laureta Vaso nxënësit u njohën me disa nga monumentet më të rëndësishme të rajonit tonë si ”Bazilika-Sinagogë”, “Manastiri i 40 shenjtorëve”, “Kalaja e Onhezmit”, “Kalaja e Lëkursit” në bashkinë e Sarandës dhe “Manastiri i Mesopotamit”, “Manastiri i Kostarit”, “Puset e Dhrovjanit”, “Parkun Arkeologjik të Finiqit” në bashkinë e Finiqit dhe “Xhamia e Gjin Aleksit”, “ Kalaja e Delvinës”, “Kompleksi Islamik i Xhermëhallës” në bashkinë e Delvinës.

Nxënësit pasi dëgjuan me shumë interes përshkrimin nga specialistët folën dhe treguan dijet e tyre për këto monumente. /ata

Rritje befasuese e turistëve nga ky vend në Shqipëri

Numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri ka regjistruar një rritje të lehtë për muajin shkurt.

Referuar të dhënave zyrtare të Institut të Statistikave, numri i turistëve kaloi pragun e 201 mijë personave gjatë muajit të kaluar, duke u rritur me 5.8% krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shqipëria po bëhet një destinacion i preferuar për britanikët, pasi të dhënat e INSTAT e vendosin Anglinë në krye të listës si vendi që ka regjistruar hyrjet më të larta. Kështu, numri i turistëve anglezë është rritur me 27.9% krahasuar me muajin shkurt të vitit 2018, raportojnë mediat shqiptare.

Të njëjtin trend rritës kanë ndjekur edhe turistët nga Maqedonia, ku ndryshimi vjetor përllogaritet në 17% më shumë hyrje në vend së në krahasim me shkurtin e vitit 2018, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Greqia janë disa ndër vendet e tjera që kanë pasur një rritje të lehtë muajin e kaluar sa u takon hyrjeve në Shqipëria.

Ndërsa, uljen më të madhe të hyrjeve në vend e kanë pasur shqiptarët e Kosovës.

Sipas të dhënave të INSTAT,  gjatë muajit shkurt numri i vizitave nga Kosova përllogaritet në 58 498, duke u ulur me 12.5% në krahasim me shkurtin e vitit 2018.

Epigrame për pushtetarë dhe zagarë, për politikanë dhe sharlatanë

Edi Ramës
Kishe mundësi që për së gjalli,
t’i ngrije vetes përmendore,
s’e dimë nga halli a nga malli,
pse futesh shpesh në rrugë qorre?!

Monika Kryemadhit

Në Bin La Deni do qe femër,
s’do qe një lule tek livadhi,
për sinonim kam veç një emër,
zonjën Monika Kryemadhi!

LSI-së

Rrugën e saja e filloi,
si strehë e shokëve dhe e fisit,
po pak nga pak degradoi,
si varianti shqiptar i ISISIT!.

Sali Berishës

Ke qënë ti për Shqipërinë,
një ujk-një kryetradhëtar,
ta bëja unë Drejtësinë,
thjeshtë do të varja né litar!.

Lulëzim Bashës

Je kalama dhe i papjekur,
je për të lojtur me kopaçe,
të bësh të fortin je përpjekur,
po të kanë shkrirë si tollumbace!

Gazmend Bardhit

Nuk e fsheh dot idiotësinë,
dhe një enigmë je për mua,
pse je kështu-njerëzit s’e dinë,
një gjysmë burrë dhe gjysmë grua!

Jozefina Topallit

Nga ty s’ka pasur më të ndyrë,
në sharje ishe plot talente,
çudi-je bërë kaq e mirë,
sa të mendojnë si Presidente!.

Ballën do kapje ti prej zhelesh,
do vrisje me një plumb pas koke,
tani si kone përkëdhelesh,
por i rëndon ti kësaj Toke!.

Gramoz Ruçit

Ti burrërinë e ke prej famës,
një shtyllë e fortë je dhe tani,
po s’di pse urë i bëhesh Ramës,
ja miraton çdo marrëzi!

Shpëtim Idrizit

Nuk di ç’të them tamam për tyja,
se asnjëherë s’të dihet caku,
plot qesharakë ka Shqipërit,
po ti je krye qesharaku!

Partisë Socialiste

Me ty humor s’mund të bëj dot,
se do më tallte gjithé bota,
se ti ke mbetur jetë e mot,
hambari më i madh me vota!

Erion Velisë

Nuk je një djalë për t’u tallur,
këtu ke bërë një mrekulli,
të gjithë Lulashëve u’a ke kallur,
dhe do t’u’a kallësh përsëri!

Etilda Gjonajt

Ti je ministraja më brilante,
që Rama ka në qeveri,
plot dituri dhe elegante,
dhe një emblemë në drejtësi!

Agron Dukës

Nuk po të them tek Socialstja,
Kusho-të kthehesh përsëri,
shpesh të kam thënë:
“Ik nga SHQUPISHTJA”,
se ajo hale s’është për ty!.

Nga miqtë e tu që ke tani,
ende me gjak e kam këmishën,
sa nuk pëlcas-o kushëri,
kur të shoh ngjitur me Berishën!

Dritan Lelit

Rama ka bërë zgjedhjen e duhur,
dhe ti shpejt ja more dorën,
pastrove baltë edhe pluhur,
Tiranë të Dytë e ke bërë Vlorën!

Sot po të mburr se ke bërë punë,
por thellë e thellë më bren dyshimi,
Rama do shohë se të mburr unë,
edhe të heq nga konkurrimi!

Vangjush Dakos

Për ty ka shpifje të stuhishme,
qëllimi-të mos konkurosh,
se di formulën e magjishme,
përsëri Durrësin ta fitosh!

Arben Dukës

Gjithë dekoratat e vendorëve,
unë i kam marrë që ç’ke me të,
por si armik i puthadorëve,
nga Presidenca s’kam asnjë!

Plot individë si për të tallur,
ka dekoruar Njëshi i Shteti,
i krahasuar me ata,
do isha “Nderi i Planetit!”

Sajmir Tahirit

Ke mbrapa gjithë një zagari,
edhe gjithë llumin e këtushëm,
po në Tiranë e Shqipëri,
je Një i pazëvendësueshëm!

Dy vite plot Prokuroria,
me bukë në trastë të është qepur,
po trapin do të rruajnë Tyja,
se asnjë provë s’të kanë gjetur!

Erion Braçes

Nuk të kam dashur dhe s’të dua,
dikur ke qënë një shërbëtor,
mban mend se ç’turp shkrove për mua,
kur ishe kryeredaktor?!

Jo nuk i re anëse anës,
o sinonim me kokoroçin,
unë-”Kuestori i Tiranës!”,
do asgjesoja Spartak Poçin!

A.DUKA

Blerta Basholli do të udhëheqë me kulturën në Prishtinë, ky vendim vjen nga Shpend Ahmeti

Yll Rugova ishte drejtori i fundit i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, dhe si pasojë e përplasjeve politike, ky i fundit pat dhënë dorëheqje nga ky post, shkruan KultPlus.

Ka disa muaj që kjo drejtori është udhëhequr me ushtrues detyre, kurse prej sot, kjo drejtori ka udhëheqësin përkatës.

Blerta Basholli është emëruar në krye të kësaj drejtorie, për të cilën ka njoftuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Blerta Basholli njihet për punën e saj si regjisore në disa projekte filmike./KultPlus.com

‘Votuesit duhet këshilluar që të mos e shikojnë flamurin partiak, por flamurbartësin’

Shkruan: Kim Mehmeti

“Nëse vajzave duhet dhënë këshillën e njohur se, nuk duhet ta shikojnë makinën e shtrenjtë, por djalin që e drejton atë – ngaqë fëmijët nuk do i ngjajnë dhe nuk do e kenë baba veturën, por drejtuesin e saj – atëherë votuesit duhet këshilluar që të mos e shikojnë flamurin partiak, por flamurbartësin, ngaqë veprimet politike i përcakton koka e atij që e bartë shtizën, e jo flamuri që valëvitet në të!” (Kim Mehmeti)

Miradie Ramadani nga Krushë e Madhe rrëfen se si u dogjën të gjallë shqiptarët

Fshati Krushë e Madhe e Rahovecit sot shënon 20 vjet nga masakra e kryer nga forcat serbe. Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999 në këtë fshat u masakruan 243 persona përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, si dhe u dogjën 893 shtëpi

Miradie Ramadanit nga fshati Krushë e Komunës së Rahovecit, forcat serbe ia vranë burrin dhe 11 kushërinjtë. Ajo tregon se forcat serbe i detyruan fëmijët që të përshëndeteshin për herë të fundit me baballarët e tyre.

“Meshkujt i larguan nga xhamia dhe neve na vendosën aty. Na detyruan të sillemi rreth e çark për t’u përshëndetur me burrat dhe baballarët sepse na thanë që më nuk do t’i shohim. Burri im ia dha një copë të vogël bukë çikës. Ata i mshuan me pushkë dorës dhe i ra buka nga dora. Na thanë përshëndetuni për herë të fundit. Burri u tha: ‘Nuk kemi bërë asgjë për këto që po na bëni’. Ndërsa ata ia kthyen: ‘nuk i dihet’”, fillon rrëfimin për RTV Dukagjinin.

Ajo thotë se forcat serbe në Krushë i kanë djegur njerëzit e gjallë. “I kanë parë duke i hyp meshkujt e Krushës së Madhe nëpër kamiona dhe i kanë kallë me benzinë. 56 refugjatë i kanë kallë lart te xhamia, në një shtëpi”, shprehet ajo.

Më tej Miradia thotë se u detyrua që vetëm me djalin e vogël të largohet për në Gjakovë, pa e ditur se ku i ka anëtarët e tjerë të familjes.

“Në Gjakovë kam përjetuar edhe më shumë tmerr, pasi nuk e kam ditur ku i kam anëtarët e familjes tjetër. Në Gjakovë vetëm krime. Djalin e kam pasur të operuar. Doktori më tha ‘kape djalin e shko në Shqipëri’. I thashë ku të shkoj kur nuk kam askënd atje. Pas dy jave më është futur në ëndërr. Në Gjakovë ditën na lenin të pushonim ndërsa natën na hynin në shtëpia. Mu fut në ëndërr: ‘Çohu shko në Shqipëri se burrin ta kanë vrarë, ndërsa fëmijët i ke në Shqipëri’. Ne e dinim që burrin ma kanë mbytur”, shton Miradia.

Ajo rrëfen se më pas ishte nisur rrugës për në Shqipëri, ndërkaq gjatë rrugës forcat serbe e kishin keqtrajtuar shumë atë dhe djalin e saj 7 muajsh.

“Para se të futemi në Shqipëri na ndaluan përsëri. Unë meqë e kisha djalin të plagosur më ndalën të parën. Çka të ka djali më pyetën. NATO u thashë. Ashtu më tha doktori të them. Ma kapi djalin një serb dhe ma vendosi në pushkë. Dy orë e gjysmë në atë gjendje. Zoti ka dashtë që të mos shuhet kjo familje. Iu lutesha që të mos më mbysin djalin. A ki shpirt mos ma mbyt djalin, ju lutesha. Aty njëri nuk ishte serb, por boshnjak. Më tha: djalin nuk ta mbysë se më kanë sjellë me dhunë””.

Moment i rëndë ishte edhe takimi i Miradies me të bijat. “Një kushëri i burrit më tha se mi kanë gjetur çikat. Më dërguan në Rrogozhinë. Më doli para çika e vogël dhe më tha: ‘Nënë ku është baba?’. Si t’i them se babain ta ka mbytur serbi e ta ka kallë për së gjalli?! Thashë nuk e di, inshalla janë gjallë”, rrëfen Miradija. Pas takimit me të bijat, zonja Miradie ishte kthyer përsëri në fshatin Krushë ku gjithçka ishte e djegur e shkatërruar.

Lezha nuk ka muze: Historia strehohet në bodrum

Lezha është një ndër qytet më të lashta dhe me mjaft vlera historike, kulturore, arkeologjike dhe etnografike, por që shumë prej këtyre vlerave vazhdojnë të jenë të panjohura si për banorët e Qarkut të Lezhës, ashtu edhe për vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Kjo pasi shumë prej vlerave që mbart vazhdojnë të ekspozohen “bodrumeve” pa u vizituar nga askush, sepse mungon një Muze Historik Etnografik.

Paulin Zefi, Përgjegjës i Trashëgimisë Historike-Kulturore pranë Bashkisë së Lezhës shprehet se projekti është gati në pritje të miratimit dhe të financimit të tij.

Ndërkohë edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë dritë jeshile për ndërtimin e këtij muzeu ndërsa objektet do të vijojnë të jenë të mbyllura në ambientet e bibliotekës së Lezhës pa u vizituar nga askush./ top channel

Në Beograd u mbajt tubim përkujtimor për viktimat shqiptare të luftës në Kosovë

Kërkohet që shteti i Serbisë të zbulojë dhe raportojë të dhënat për personat e zhdukur gjatë luftës Organizatat joqeveritare “Iniciativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut” (YIHR), “Fondi për të Drejtën Humanitare” dhe “Gratë në të zeza” organizuan të martën në Beograd, një tubimi përkujtimor për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, trupat e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit.

Tubimi filloi në njërën ndër rrugët kryesore të Beogradit, Knez Mihajllov, për të vazhduar deri te Sheshi përpara ndërtesës së Kuvendit të Serbisë. Organizatat joqeveritare kërkojnë që shteti i Serbisë të zbulojë dhe raportojë të dhënat për personat e zhdukur gjatë konfliktit në Kosovë dhe të komunikojë të gjitha të dhënat për varrezat masive në Serbi si dhe të ngris padi ndaj krimeve të kryera dhe fshehjen e tyre. Aktivistët e shoqërisë civile në Beograd shpalosën një pankartë me emrat e shqiptarëve, trupat e vrarë të të cilëve janë gjetur në Batajnicë Gjithashtu, kërkesat janë që prokuroria për krime lufte të ndërmarrë të gjitha veprimet për të ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për krimet e kryera kundër personave me kombësi shqiptare dhe që autorët të dënohen në mënyrë adekuate. Këto organizata kërkojnë gjithashtu ndërtimin e monumenteve për viktimat në Batajnicë si dhe ndërprerjen e praktikës së kthimit të kriminelëve të luftës në institucionet e vendit.

Me këtë tubim shoqëritë civile të Serbisë, kujtojnë se popullsia civile shqiptare në Kosovë ishte e ekspozuar, përveç bombardimeve të NATO-s, edhe ndaj fushatës së krimeve të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. “Formacionet e armatosura të (Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Ushtrisë Jugosllave dhe njësitë paramilitare) kryen një numër të madh të krimeve në Kosovë, të cilat kulmuan gjatë ndërhyrjes së NATO-s. Krimi gjithashtu është transferimi i trupave të shqiptarëve të vrarë të Kosovës në varreza masive në të gjithë Serbinë. Para se të transportoheshin në Batajnicë, trupat e shqiptarëve të vrarë u varrosën në varrezat masive parësore në Kosovë”, deklaruar organizatat joqeveritare nga Serbia. Nga viti 2001 deri në ditët e sotme, në katër lokacione në territorin e Republikës së Serbisë u gjetën varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë gjatë vitit 1999, kryesisht civilë të vrarë jashtë zonave të luftës së armatosur. /REL

20 vjet nga masakra e Krushës së Madhe, familjarët ende në kërkim të të zhdukurve

Marsi i vitit 1999 për shumë kosovarë rikthen ndjenjën e gëzimit për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, por edhe për shumë të tjerë, kujtimet e tyre për më të afërmit që i humbën gjatë luftës.

Në mars të vitit 1999 ishin intensifikuar luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, që kishin filluar një vit më parë, e që synonin pavarësimin e Kosovës nga Jugosllavia e atëhershme.

Komuniteti ndërkombëtar druante nga ripërsëritja e masakrave që më herët ishin shënuar në luftën e Bosnjë e Hercegovinës, andaj aleanca veriatlantike më 24 mars të vitit 1999 vendosi që të filloj bombardimet ndaj ish-Jugosllavisë, për të “ndërprerë spastrimet etnike dhe vrasjen e civilëve shqiptarë” që kryheshin nga forcat e regjimit të Sllobodan Millosheviçit, presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë.

Por, një ditë pas fillimit të bombardimeve, fshati Krushë e Madhe që ndodhet rreth 70 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, ishte dëshmitar i njërës prej tetë masakrave më të mëdha të Kosovës, ku gjatë tre ditëve sa zgjati masakra u vranë dhe masakruan 241 persona, 64 prej të cilëve janë ende të zhdukur dhe kërkohen prej familjarëve.

Në këtë fshat, çdo mars mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore për të masakruarit.

– Të afërmit e viktimave kërkojnë që të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Një ndër viktimat ishte edhe djali i 77-vjeçarit Bajram Nalli, i cili duke folur për Anadolu Agency (AA) shprehet se vetë u bë dëshmitar i masakrimit të djalit të tij dhe dhjetëra të tjerëve.

Nalli thotë se më 24 mars të vitit 1999, forcat serbe kishin zënë rob rreth 700 persona nga fshati Krushë e Madhe, duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.

Si shkak i kësaj, Nalli thotë se gjurmët e të birit të tij kanë mbetur të pa-identifikuara, sepse trupi i tij është karbonizuar.

20 vjet pas kësaj masakre, kur ende nuk janë gjetur 64 persona nga fshati Krushë e Madhe, Nalli thotë se nuk është bërë sa duhet nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të tyre.

Edhe kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, kërkon nga institucionet vendore dhe të huaja në Kosovë të zbardhin fatin e të pagjeturve.

“Normal asnjë krushjan nuk është i kënaqur, na mungojnë edhe 64 (të zhdukur)”, tha Hoti.

Banorët e fshatit Krushë e Madhe në shenjë përkujtimi i kanë hapur varret për të gjithë të pagjeturit, por këto varre vazhdojnë të jenë të zbrazëta.

Gjithashtu, në përkujtimin e gjithsej 241 të vrarëve, janë mbjellë po aq fidanë të pishës në vendin ku supozohet se disa prej tyre u pushkatuan. Po ashtu, po bëhen gati edhe fotografitë e secilit prej 241 të rënëve për t’u vendosur në një mur afër varrezave të dëshmorëve.

– Masakra e Krushës së Madhe

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë serbe anekënd Kosovës. Gjatë këtyre ditëve gjithashtu u dogjën edhe 850 shtëpi private në këtë fshat.

NATO përfundoi fushatën e bombardimeve më 11 qershor të vitit 1999, pasi Millosheviç pranoi kushtet e tërheqjes së ushtrisë jugosllave dhe KFOR-it në Kosovë. Gati një dekadë më vonë, Kosova shpalli pavarësinë dhe u njoh nga më shumë se 100 shtete anëtare të OKB-së.

Foto: Vjollca Duraku

Sipas një studimi të përbashkët të kryer në vitin 2008 nga Qendra Ligjore Humanitare (Humanitarian Law Center), Komisioni Ndërkombëtar i Njerëzve të Humbur dhe nga Komisioni i Njerëzve të Humbur të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë u vranë 13.421 persona, respektivisht nga 1 janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Nga ky numër, thuhet në studim, 10.533 ishin shqiptarë, 2.238 serbë, 126 romë, 100 boshnjakë dhe të tjerë.

Autor: Agim Sulaj

Uran Butka zbardh masakrën e Tivarit në një libër

Libri “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” prezantohet nga studiuesi Uran Butka si homazh në përvjetorin e 64 të masakrës më të përgjakshme ndodhur në viset shqiptare nga shteti komunist jugosllav. Butka sjell fakte të reja dhe të panjohura përmes arkivave të Jugosllavisë, të Shqipërisë, Kosovës, Britanisë dhe Amerikës.

Edhe pse kanë kaluar 64 vjet nga Masakra e Tivarit që prej 25 vitesh, studiuesi dhe historiani Uran Butka i është dedikuar zbardhjes së saj, që konsiderohet si një nga më të përgjakshme kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga pushteti komunist jugosllav në vitit 1945. Në përvjetorin e 64-të, ai risjell për lexuesit fakte të reja rreth kësaj ngjarje, të cilat i ka përmbledhur ne librin “Maskra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”.

Arsyeja kryesore, sipas studiuesit, është zbardhja e të vërtetës historike se kjo masakër u projektua nga shteti jugosllav, por pati mbështetje nga shteti komunist shqiptar. Autori sjell përpos listave të viktimave që nuk janë identifikuar ende edhe dëshmi të mbijetuarve, të cilët e rrëfejnë tmerrin që jetuan asokohe. Uran Butka thotë se ka ardhur koha që të njihet kjo masakër dhe nga ana tjetër të kërkohet falje publike nga përgjegjësit.

Nga kjo masakër, bilanci i viktimave është tragjik 1000 veta u vranë në territorin shqiptar, 1560 në Tivar dhe përgjatë rrugëtimit shifrat e dokumentuar deri më sot janë 3500 njerëz të pafajshëm së bashku me numrin e konsideruar të zhdukur numri arrin deri në 4000 veta./abcnews.

“Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të filmit në Moskë

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është pranuar në selektimin zyrtar të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë (MIFF), pa qenë në garë. Ky është një sukses i madh i regjisorit Kushtrim Bekteshi, i cili me film debutant hyri në selektimin zyrtar në një festival të kategorisë A. Kjo gjë paraqet një vazhdimësi të karrierës së suksesshme të regjisorit Kushtrim Bekteshi, i cili është i njohur për sukseset vendore dhe ndërkombëtare si regjisor teatri, ku disa herë ka qenë edhe i shpërblyer me çmime.

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media&Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Permeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti. Filmi është i mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Film i Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2 dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë.

Në film është përfshirë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl  Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

Filmi është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Drejtori i fotografisë në këtë film është Almir Gjikolli, muzikën origjinale e ka kompozuar Trimor Dhomi, montazhin e ka bërë Radovan Petroviç, skenograf është Durim Neziri, kostumografe Zhaklina Krstevska dhe dizajner i zërit Darko Spasovski.

Nder i madh është edhe për Produksionin Manufaktura që me këtë film po e mbyll me sukses edhe produksionin e filmit të katërt me metrazh të gjatë. Në katër vitet e fundit Produksioni Manufaktura është pjesë vitale e tre filmave të metrazhit të gjatë, me të cilët ka arritur suksese të rëndësishme edhe atë: si producent ekzekutiv për filmin francez të metrazhit të gjatë A Fond, i cili ka arritur fitim mbi 15 milion euro; si bashkëproducent në produksionin ruso-lituano-maqedonas të filmit “Harms” – i cili ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Shangaj (festival i kategorisë A) ku ka fituar dy çmime: kamera më e mirë dhe skenari më i mirë dhe producent i filmit të tretë  “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” që po përjeton një fillim të shkëlqyer në rrugëtimin nëpër festivale.

Premiera e filmit “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” do të jetë më datën 29.03.2019 (e premte), në kinemanë Cineplexx-Shkup, me fillim në ora 19:30. Filmi se shpejti do të shfaqet edhe nëpër kinematë në Shkup dhe në qytetet e tjera të Maqedonisë./ KultPlus.com 

Jam fëmija që iu frikësua edhe bombardimeve të shpëtimit

Kreshnike Osmani

Një copëz jetë nga ditari im

Unë jam fëmija që e përjetoi vitin 1999!
Jam fëmija i turmës dhe traumave, 
Jam fëmija që i bëra gjashtëdhjetë e pesë kilometra n‘këmbë, vetëm tetë vjeçare!
Jam fëmija që i mbijetoi sulmit në një prej kullave të fshatit!
Jam fëmija që kaloi trupa t‘ vdekun n’ tokë!
Jam fëmija që i bëra dy ditë gjumë, në bankën e një prej shkollave t’ fshatit!
Jam fëmija që i pash muret e ngjyrosta në të kuqe!
Jam fëmija që e ndau kafshatën e gojës me dikë tjetër! 
Jam fëmija që dija ta mbaja qetësinë e kolonës!
Unë jam fëmija që i shpëtoi ortekut të borës, fëmija që e përjetoi acarin deri në palcë!
Jam fëmija i xhamive dhe kishave që u bënë strehim për mua.
Jam fëmija që me trupin tim ushqeheshin insektet. 
Jam fëmija që kishte frikë për babin e mamin!
Unë jam fëmija që tre muaj më m’ bajti mali, u ushqeva nga ai, u bëra shok më të!
Jam fëmija që iu frikësua edhe bombardimeve të shpëtimit!
Jam fëmija që u frikësua edhe nga ushtari i NATO-së!
Jam fëmija që një kohë të gjatë nuk qesha!
Jam fëmija i shpëtimit! 
fëmija, që kujtojnë gjithçka!
Jam fëmija i…

Jam ai fëmijë, që më bëri kjo që jam sot!/ KultPlus.com

Në Tetovë u mbajt manifestimi letrar ndërkombëtar “Shtigje Poetike”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” dhe Gjimnazi “7 Marsi” në Tetovë, me rastin e 21 marsit – Ditës Botërore të Poezisë e organizuan Edicionin e III-të me radhë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, përcjellë KultPlus.

Në këtë veprimtari kulturore u theksua se me organizimin e këtij manifestimi realizohet një nga projektet e njohura të kulturës sonë, duke përmbushur në këtë mënyrë një detyrim që artdashësve të qytetit rrëzë Sharrit t’u ofrohet sa më tepër veprimtari letrare. Organizatorët vlerësuan njëherazi se këto ngjarje ngërthejnë në vetvete simbolikën e ngritjes së përbashkët në lëmin e arsimit, shkencës, kulturës, artit, si dhe në fushën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit dhe subjekteve të ndryshme kulturore.

Edicionin e III-të të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike” e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili në fjalën e tij veçoi para auditorit se nëpërmjet poezisë, krijimeve të ndryshme artistike dhe performancës muzikore, vijnë në shprehje nxënësit, studentët, shkrimtarët dhe poetët. Duke organizuar veprimtari letrare, ne bashkërisht dëshmojmë se jemi pjesë e pandarë e zhvillimeve kulturore që organizohen gjithandej në botën e qytetëruar – shtoi ai.

“Sot i gjithë globi, në ditën e saj e nderon poezinë – gjuhën amtare të racës njerëzore. Prandaj, edhe ne në Tetovë,  jemi në unison të plotë me objektivin kryesor të UNESKO-s që 21 Marsin – Ditën Botërore të Poezisë, ditën e universit artistik, ta shndërrojmë në ditë feste të letërsisë, ku fjala e ka mundësinë e lirisë, ku artisti me imagjinatën e tij artikulon ide universale që kanë të bëjnë me artin, me atdheun, me dhembjen, me dashurinë si dhe me shumë e shumë motive të tjera. Letërsia është e vjetër po aq sa të folurit. Ajo u rrit nga nevoja e njeriut për të dhe nuk ka ndryshuar, përpos që është bërë edhe më e nevojshme. Ajo shoqërohet me bukurinë, një bashkim suprem dhe si e tillë refuzon ta shkurorëzojë artin nga jeta dhe dashurinë nga perceptimi. Fillet e poezisë janë të hershme, sikundër janë të njohur poetët që e kanë krijuar atë në të gjitha zhanret e saj”, theksoi Selam Sulejmani.

Ai po ashtu deklaroi se studiues të njohur të letërsisë thonë se poezia, sidomos ajo lirike, ka lulëzuar që në shekullin VII-V para erës së re në Greqinë e lashtë, me poetët e njohur si Alkeu, Pindari dhe Arkiloku, për të vazhduar me krijimet poetike mbresëlënëse te romakët apo edhe te persët në shekujt XII-XV, ku ndërmjet tjerëve shquhet poeti i madh Omar Khajami, i përkthyer nga Noli.

“Në shekullin XIII, shfaqen lirikë të shquar në Itali si Kavalkanti, Giani, me në krye Dante Aligierin. Periudhës së Rilindjes i përkasin emra të mëdhenj si Petrarka në Itali, Ronsardi në Francë dhe Shekspiri në Angli. Në shekujt XVIII – XIX, kemi një varg poetësh të vendeve të ndryshme që shquhen me vokacionin e tyre, poetët modernë të simbolizmit, periudhë në të cilën u botua vëllimi poetik “Lulet e së keqes” të Bodlerit dhe veprat e poetëve të tjerë.

Letërsia shqiptare, në veçanti ajo gojore është e pasur me lirika të bukura që shpeshherë kanë qenë frymëzim edhe për poetët e krijimtarisë artistike. Ne të gjithë i kemi të lexuara dhe i kemi të njohura vargjet poetike të Naim, të Pjetër Zarishit, të Filip Shirokës, të Çajupit, të Asdrenit, të De Radës, të Zef Sermbes etj. Në shekullin e kaluar, në letërsinë shqiptare paraqiten emra eminentë, si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Fan Noli, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, etj, pa i harruar edhe poetët dhe krijimet e tyre që kanë pasur dhe që vazhdojnë të kenë ndikim të jashtëzakonshëm te lexuesi shqiptar dhe jo vetëm, siç janë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Bardhyl Londo, Dhori Qiriazi, Visar Zhiti, Esad Mekuli, Ali Podrimja dhe shumë e shumë të tjerë”, theksoi në fjalën e tij kryetari i Shoqatës “Tradita”.

Në emër të Komunës së Tetovës, me fjalë rasti i përshëndeti të pranishmit Ahmed Qazimi, i cili i përgëzoi organizatorët për shënimin e Ditës Botërore të Poezisë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në projekte të tilla kulturore.

Referatin kryesor për rëndësinë e poezisë e paraqiti para të pranishmëve presidentja e Qendrës PEN nga Shqipëria, Entela Klasi, e cila me këtë rast u shpreh se ndihej e nderuar dhe lumtur që merr pjesë në këtë ngjarje letrare-artistike.

“Më lejoni të ndaj me ju të gjithë ndjenjën e gëzimit që jemi të gjithë së bashku në këtë vend, për të nderuar poezinë, artin e krijimit në edicionin e tretë, Shtigje poetike, që tashmë është shndërruar në traditën më të bukur, nga Shoqata për kulturë dhe art – Tradita, me qendër në Tetovë. Në këtë ditë, dëshmohet trashëgimia mbarëbotërore e poezisë, në gjuhët e gjithë secilit krijues, prej poetëve, krijuesve të këtij arti mistik, magjik, ku njeriu, qenia më e bukur e krijuar, rikrijon vetveten, si frymë, si lëndë, si kulturë, si identitet, pavarësisht mjedisit, kohës, kufijve, kufizimeve me të cilat udhëton, jeton nga antikiteti në modernitet. Temat për të cilat ne shkruajmë jemi ne. Me këtë dua të them se kur shkruajmë ne krijojmë qenie veten. Thënë shkurt: shkruajmë njeriun në thellësitë dhe dimensionet duke dëshmuar njeriun. Kjo nuk mund të kryhet pa gjuhën, pa gjuhën e gjithë secilit autor, sepse ne jemi lindur me gjuhë, ajo që quhet gjuha e nënës, në të cilën njeriu mendon dhe shkruan gjithçka që shqisa ka parë, gjithçka që intelekti ka përmbledhur, gjithçka që duhet thënë”, theksoi Entela Kasi.

Ajo po ashtu vuri në dukje se gjithçka që është shkruar prej etërve të letërsisë së gjuhës shqipe, nga Buzuku në Meshar, nga Pjetër Budi, nga Bogdani, nga Marin Barleti, nga Lekë Matrënga, në kohën e shkrimit të gjuhëve kombëtare në Evropën që po rilindte, ishin pikërisht këta patriarkë, etër të ndritur që përmblodhën në vepra dijen për shqiptarët, dijen kulturore, antropologjike dhe etnike.

“De Rada, Jeronimi ynë, me Këngë të Milosaos, shënjon në vepër letrare gjithçka që ndodhi me ne, vepër kjo ku dëshmohet ekzistenca e njeriut shqiptar të botës së Arbrit, në botën e madhe të letërsisë. Gjuha shqipe, e cila është një nga gjuhët e rralla dhe të vjetra të botës, ishte një gjuhë e ndaluar. Kjo dëshmohet nga arkivat që mbajnë dokumentet. Në botën e qytetëruar janë ndërtuar muze për gjuhët. Le të imagjinojmë ne një muze të gjuhëve, të gjuhës shqipe, në të cilin së paku të kishim vepra origjinale, dorëshkrime, e libra të parë kur Gutenbergu, i mundësoi formën që libri i botuar ka. Le të imagjinojmë sot muzeun si një muze të letërsisë, ku do të kishte jo vetëm emra por vepra letrare, poezi. Them poezi sepse poezia ishte e para, pastaj erdhi romani në letërsinë shqipe, po ashtu edhe në letërsinë botërore. Nëse ne jemi këtu, në manifestimin letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, në Gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nëse shohim emrat e shkruar, ne shohim një muze të krijimit. Kjo nuk është retorikë. Le të lexojmë së bashku nga Gjon Buzuku, Budi, Bogdani, Barleti, Matrënga, De Rada, Serembe, Naim Frashëri, Fishta, Imzot Fan Noli, Lasgush Poradeci, Filip Shiroka, Mitrush Kuteli, Migjeni, Abdylazis Islami, Esad Mekuli, Camaj, Jusuf Gërvalla, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Adem Demaçi, Beqir Musliu, Murat Isaku, Teki Dervishi, Resul Shabani, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Petro Marko, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Frederik Rreshpja, Havzi Nela, Musine Kokallari, Imzot Vinçens Prenushi, At Zef Pllumi, një konstelacion hyjnor në tërësinë e këtij muzeu yjesh, ne ndriçohemi nga kjo dritë. Në këtë univers letrar të poezisë dhe të letërsisë shqipe, Kadare, autoritet letrar i përmasave të letërsisë botërore, ka krijuar Shqipërinë e përjetshme, Shqipërinë historike në vepër letrare tashmë të njohur nga bota ndërkombëtare e letrave. Kjo na bën të besojmë se çfarë fuqie shprehëse paska pasur kombi e gjuha shqipe për t’i dhënë njerëzimit letërsi të shkëlqyer.

Po të ndalemi te Nëna Terezë, Shën Tereza, përsëri ne shohim një vepër të përjetësuar të sublimuar, një dëshmi humaniteti të njerëzimit, për dinjitetin e njeriut, për dashurinë për njeriun” – deklaroi mes tjerash në referatin e saj tematik Entela Kasi, presidente e Qendrës PEN nga Shqipëria.

Në Edicionin III të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike” u mbajt edhe orë letrare në të cilën morën pjesë emra të njohur poetësh dhe shkrimtarësh nga Tetova e më gjerë,  Klubi  letrar i nxënësve të Gjimnazit “7 Marsi”, u prezantua një program i pasur artistik i realizuar nga nxënësit e kësaj shkolle si dhe nga studentët e programit muzikor të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.

Për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare, Shoqata “Tradita” në këtë manifestim u ndau MIRËNJOHJE  Gjimnazit “7 Marsi” – Tetovë dhe PEN Qendrës nga Republika e Shqipërisë.

Realizimi i Edicionit III të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike’’ u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti i paraprin organizimit të disa veprimtarive të tjera – arsimore, shkencore, kulturore dhe artistike të shoqatës “Tradita” për vitin 2019. / KultPlus.com

“Mosmarrëveshja” e Kamys fillon provat në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Drama “Mosmarrëveshja” e autorit të madh Albert Kamy, kësaj radhe do të jetësohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Fata Hysenit kjo shfaqje tashmë ka filluar provat dhe pritet që deri në muajin maj gjithçka të finalizohet.

Krahas temës së dashurisë dhe mos dashurisë, regjisorja i kushton rëndësi temës së izolimit brenda shtetit. Ngjarja ndodhë në një bujtinë që është e dy grave, nënë e bijë, të cilat pranojnë klientë në bujtinën e tyre që ti vrasin dhe të ja u marrin të hollat. Mbledhja e të hollave bëhet me qëllimin që të ikin nga vendi për një jetë më të mirë.

Ekipi i aktorëve që është angazhuar për këtë projekt përbëhet nga: Kumrije Hoxha, Shpetim Selmani, Florieta Bajraktari, Armend Ballazhi dhe Fatlume Bunjaku.

Shfaqja pritet të vij premierë në muajin maj në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com