Ekspozita “Arterren”, për kulturën dhe trashëgiminë e Kosovës

Në seminarin “Përthyerje antropologjike”, që u zhvillua në Tiranë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, ishte i ftuar dhe prof. Shemsi Krasniqi, nga Departamenti i Sociologjisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Tema e këtij seminari trajtoi mënyrën e ripërfytyrimit të natyrës në kulturën tradicionale shqiptare. Në këtë kontekst, fjala ”ekokulturë” është përdorur për t’i paraqitur të gjitha ato elemente të kulturës tradicionale, si vlera, koncepte dhe përfytyrime, dije dhe shprehi, kulte dhe simbole, mite dhe legjenda, besime, festa dhe praktika rituale, të cilat në përmbajtjen e tyre, në mënyrë implicite apo eksplicite, mbartin mesazhe ekologjike dhe paraqesin bazat e një etike mjedisore.

Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit shkruan se qëllimi kryesor i studimit ishte identifikimi i elementeve të një etnoekologjie shqiptare, përkatësisht nisja e një fushe studimesh antropologjike mbi mënyrën e të kuptuarit të natyrës në kulturën tradicionale shqiptare.

Pas parashtrimit të metodologjisë së hulumtimit, Krasniqi prezantoi disa elemente të ekokulturës si ahti/afti, nëma, bekimi, betimi, metamorfoza, empatia, komunikimi, hiri, shëmbëllimi dhe shenjtërimi, elemente këto të cilat hasen si në praktikat e përditshme të jetës reale, ashtu edhe në krijimet imagjinare, në besimet popullore, në folklor, mitologji dhe në traditën orale përgjithësisht.

Në pjesën e dytë u trajtua shkurtimisht arti shkëmbor i Kosovës, me tipologjinë e simboleve dhe interpretimin e tyre. Simbolet e gravuara ose pikturuara në gurë, janë shprehje spirituale dhe intelektuale të paraardhësve tanë dhe gjurmojnë disa probleme që lidhen me qenien njerëzore e që janë universale, të gjithëkohshme dhe të kudondodhura, pavarësisht koordinatave kohore dhe hapësinore. Arti shkëmbor paraqet një simbiozë të kulturës me natyrën.

Në fund të seminarit u paraqitën gjetjet kryesore nga kërkimet shumëvjeçare në terren të prof. Krasniqit, në përcjellje të festave popullore dhe praktikave rituale të lidhura me natyrën, si pelegrinazhet në male, ritet e kalimit në gurë, festat sezonale dhe kultet e lisave të vjetër në Kosovë. Të gjitha këto tema, janë integruar reciprokisht në funksion të idesë së ekokulturës.

Në funksion të kësaj ideje u çel edhe ekspozita “Arterren” në Bibliotekën Kombëtare. Ekspozita solli fotografi të bëra gjatë punës kërkimore në terren dhe që prezantonin njerëzit, natyrën, trashëgiminë kulturore, materiale, shpirtërore dhe natyrore të Kosovës. /a.a/ /a.g/ KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Autizmit

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore. Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.

Rezoluta për Ditën Botërore të Autizmit përmban: (1) vendosjen e 2 prillit si Dita Botërore e Autizmit, (2) pjesëmarrjen e shteteve anëtare të OKB-së, (3) rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë, (4) shpërndarjen e këtij mesazhi në të gjitha organet e tjera të OKB.

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç. Megjithëse shumë fëmijë autikë nuk mund të jetojnë të pavarur në moshë të rritur, shumë prejt tyre ia dalin me sukses në këtë aspekt. Tashmë është zhvilluar një kulturë, e cila synon që autizmi të konsiderohet si një ndryshim dhe jo çrregullim. / KultPlus.com

Bllacë dhe Vërmicë 1999

Xhevdet Bajraj

Bllacë 1999

Treni ulërinte për në kufi
bora shkrihej në majat e gjinjve të grave
zjarri ngrihej në sytë e burrave

Pranë rrugës
një tufë e luleve të egra kosovare
vyshkej në dorën e këputur të vashës

Mbi copërat e mozaikut të atdheut
ecej nëpër fijen e hollë të çmendjes
ca pleq bartnin fëmijët
ca fëmijë bartnin pleqtë mbi shpinë

Kur binte shi në Bllacë
njerëzit mbështilleshin
me grahmat e vdekjes

Dielli i ferrit
lindte a perëndonte

VËRMICË 1999 / KultPlus.com

Hitleri vrau 6 milionë hebrenj, por fali vetëm 1

Diktatori nazist Adolf Hitler refuzoi të vizitonte kampet e shfarosjes dhe gjithashtu kërkoi shkatërrimin e dokumenteve që kishin të bënin me Holokaustin. Në një rast diktatori gjerman madje rrëzoi një të verbër me karrocë, i cili pritej të transportohej drejt kampeve të përqendrimit.

Në dokumentarin e ri që po bëhet për Hitlerin, thuhet se asnjëherë nuk vizitoi një kamp përqendrimi, ku gjashtë milionë hebrenj u masakruan para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe miliona të tjerë u prekën dukshëm nga vendimi i çmendur i tij.

Detajet e reja të jetës së liderit nazist kanë dalë në dritë në dokumentarin e quajtur “Private Lives”.

Aty dokumentohet fëmijëria abuzive e Hitlerit, aspiratat artistike dhe marrëdhëniet me disa gra të reja.  “Ndërsa mizoritë po kryheshin në emër të tij, ai kurrë nuk vizitoi një kamp shfarosjeje. Hitleri kurrë nuk donte të ballafaqohej me realitetin brutal të asaj që po ndodhte. Ai vetëm donte të dinte se urdhri i tij po kryhej”, tha prezantuesi Tracy Borman.

Besohet se i vetmi hebre që Hitleri shpëtoi ishte një mjek i quajtur Eduard Bloch, i cili kishte trajtuar nënën e tij për kancerin e gjirit, madje edhe duke ndihmuar atë që të emigronte në Amerikë në vitin 1940.

Dosjet tregojnë se ai hante një mëngjes të pazakontë; me dy gota qumështi të vakët, deri në 10 biskota “Leibniz” dhe një copë çokollatës, që e konsumonte në këmbë. Gratë e shumta në jetën e Hitlerit gjithashtu janë në qendër të vëmendjes, duke parë disa nga marrëdhëniet e tij më të ngushta, përfshirë këtu edhe me mbesën e tij. /tch/ KultPlus.com

NASA shpall tri dizajnet më të mira për “shtëpitë” në Hënë, Mars dhe përtej (FOTO/VIDEO)

NASA ka ndërmarrë një hap tjetër për të bërë jetën interplanetare një realitet.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, së fundmi NASA ka emëruar tre finalistët kryesorë për sfidën e saj të radhës, që ka të bëjë me dizajnimin e një “shtëpie” në Mars.

Sfida, e cila filloi në 2015, ka parë ekipet që konkurrojnë për të dizajnuar “shtëpitë” e përshtatshme për Hënë, Mars dhe pse jo edhe përtej.

Siç bëhet e ditur, për nivelin e katërt të fazës së tretë të konkursit, 11 skuadrave iu kërkua të krijonin dizajne të plota duke përdorur softuerin e modelimit dhe video të shkurtra që shpjegonin zgjedhjet e tyre.

Secili model u vlerësua për paraqitjen arkitekturore dhe estetikën, si dhe për realizueshmërinë e ndërtimit dhe qëndrueshmërinë e tyre, ndër tiparet e tjera.

Fazat e mëparshme u përqendruan në paraqitjet arkitekturore dhe teknologjitë e nevojshme për të ndërtuar komponentët e secilës dizajn.

Ekipi i SEArch + / Apis Cor me bazë në Nju Jork fitoi vendin e parë me strukturën e tyre unike, e cila është e mbushur me vrima të vogla për të lejuar futjen e dritës natyrale.

Ekipi i dytë ishte ai i grupit “Zoperhous” ndërsa i treti “Inkubatori i Marsit”, një grup inxhinierësh dhe artistësh, që treguan një dizajn modular të përbërë nga katër hapësira të dallueshme, përfshirë një për bimët në rritje.

Të tre ekipet ndanë një çmim prej 100,000 dollarë mes tyre.

Në raundin e ardhshëm, të vendosur për fillim të muajit maj, finalistët do të modelojnë dizajnet e tyre 3D, ndërsa konkurrojnë për një çmim prej 800,000 dollarë.

Konkursi është vetëm zhvillimi më i fundit në misionin e NASA-s për të dërguar njerëzit në Hënë dhe, përfundimisht, në Mars.

Ndryshe, nëntorin e kaluar, agjencia njoftoi se nëntë kompanitë amerikane kishin të drejtë për të konkurruar për kontratat 2,6 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme për të ofruar shërbime në hënë, dhe në vitin 2017, presidenti Donald Trump nënshkroi Direktivën e Politikave Hapësinore 1 për “rifokusuar programin hapësinor amerikan në eksplorime dhe zbulime njerëzore”. / KultPlus.com

Jasharaj: Në shkollat tona mësohet me shkumësa e shpuza, e na vendosin në gara të PISA-s me shtete të zhvilluara

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një intervistë për emisionin “Përballje”, ka folur rreth kompensimit të orëve mësimore të cilat janë humbur gjatë grevës në fillim të këtij viti.

Jasharaj, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se diskutimi në Parlament, në vend se të japë shpresë për një zgjidhje, ai vrau mundësinë për t’u kompensuar orët.

Ai ka thënë se ka një mashtrim në disa shkolla, pasi po mbahen dy orë mësimore e po shënohen gjashtë të tilla.

“Të gjithë e dinë, zëvendësimi edhe po të behet nuk do ta ketë efektin e orëve të rregullta”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryetari i SBASHK-ut ka shprehur shqetësimin e tij për kushtet në të cilat zhvillohet mësimi në Kosovë.

“U bënë 20 vite pas lufte kur vetëm shkollat e Kosovës në Ballkan ende mësojnë me shkumësa e shpuza dhe na vendosin në gara të PISA me shtete shumë të zhvilluara. Arsimtari ynë e ka të pamundur të arrijë dije kulminante si në Gjermani dhe shtetet tjera”, tha Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se me kushtet që ka Kosova, shumë arsimtarë janë shumë dinjitoz, por sipas tij ka edhe prej tyre që nuk punojnë mirë.

“Inspektorët lë të shkojnë le t’i shohin orët, atë arsimtar që nuk di ose nuk do të di le ta largojnë nga puna”, tha ndër të tjera Rrahman Jasharaj. /KultPlus.com

Regjisori Kastriot Çipi do ta padisë për shpifje Erion Veliajn

Regjisori Kastriot Çipi ka thënë se kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do ta padisë për shpifje.

Ai ka thënë se janë të pavërteta deklaratat e Veliajt se ky ka marrë para nga shteti për një projekt që s’e ka realizuar kurrë.

“Ka nisur një konflikt civil mes meje dhe atij që e quajnë ‘qeni i sulmit’ të Ramës. Do ta çoj në gjyq, pasi u mundua të bënte shashkën e radhës”, është shprehur Çipi në emisionin “A Show” në News24.

Çipi  i ka akuzuar për shpifje ndaj tij edhe nga mediet e afërta me Kryeministrin Edi Rama. Ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak se po kundërshton projektin për rrezimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë.

“Një sulm frontal e bënë edhe mediat e afër tij, pasi unë kam qenë një nga zërat kritikë për prishjen e Teatrit Kombëtar. Jam bërë armik i shtetit për shkak të ideve të mija”,ka thënë Çipi.

Ai i ka hedhur poshtë, me argumente të forta, “argumentet” e Ramës dhe Veliajt për shembjen e Teatrit.

Çipi ka theksuar se Rama dhe Veliaj po kërkojnë prishjen e ndërstesës së teatrit “për të vjedhur para publike”. (r.m.) / KultPlus.com

Xhaka realizon ëndrrën, takohet me aktorin indian

Ylli i Arsenalit, Granit Xhaka, më në fund ka realizuar ëndrrën e tij që të takojë aktorin e njohur indian, Shah Rukh Khan.

Vetë Xhaka kishte postuar kohë më parë fotografi me SRK-në në formë dylli, ndërsa ishte aktori që kishte shprehur dëshirën për takim edhe në jetën reale.

Tani futbollisti shqiptar është takuar në Londër me indianin.

“Preferoj të shoh performancën e SRK-së dhe shpresoj se ai e shijoi performancën e Arsenalit mbrëmë (në ndeshjen ndaj Newcastlet). Ishte nder për mua të takoj më në fund një prej aktorëve të mi të preferuar. Këtë herë në të vërtetë”, ka shkruar Xhaka në Instagram.

Dubai, krijohet parfumi më i shtrenjtë në botë

Një parfumeri në Emiratet e Bashkuara Arabe pretendon se ka krijuar parfumin më të shtrenjtë në botë.

Ai quhet ”Shamukh”, që në arabisht do të thotë “Ti meriton më sublimen”, e çmimi llogaritet në 1.295.000 dollarë për 3 litra.

Prodhuesit thonë se parfumi është rezultat i tre viteve kërkimesh dhe 494 eksperimentesh për arritjen e aromës më të mirë.

Ai vjen me një shishe kristali italian ”Murano”, e zbukuruar me një fajkua floriri, kuaj arabë, trëndafila dhe një glob, e ka dhe 3571 diamantë, që në total mbërrijnë në 38,55 karat, perla gjigante, 2,5 kilogramë floriri të pastër 18 karatësh dhe 5,9 kilogramë argjend.

Shishja e stërmadhe qëndron në një mbështjellëse lëkure gati dy metra të lartë. Krijuesit e parfumit thonë se ai ka përbërës që vijnë nga pjesë të ndryshme të botës, duke përfshirë drurin e sandalit, një lloj trëndafili turk, e një erëzë të veçantë indiane, ndërsa kafshët e paraqitura aty tregojnë historinë e Dubait.

Shishja vet për çdo rast i ka arritur deri tani dy çmime ”Guinness”, atë të shishes së parfumit me numrin më të madh të diamantëve në botë, si dhe të shishes më të lartë të komercializuar me aromë, lëvizja e së cilës kontrollohet në distancë. /a.a/j.p/ KultPlus.com

Gjiri i Dafinës në Karaburun, një mrekulli e vogël ende e pazbuluar

Gjiri i Dafinës është një prej bukurive natyrore më të veçanta që ofron gadishulli i Karaburunit. Në morinë e gjireve detare që ka ky gadishull si gjiri i Dafinës, gjiri i Anglezit, shpella e Haxhi Aliut, gjiri i Ariut etj., Karaburuni bëhet vend mjaft tërheqës në vijën bregdetare dhe më i paeksploruari.

Këto vende dhe gjire të bukur mund të vizitohen përmes udhëtimeve me mjete lundruese.  Vende të pazbuluara dhe të paekspozuara gjenden akoma në turizmin shqiptar.

Një turiste e cila e ka eksploruar gjirin e Dafinës gjatë fundjavës shprehet për këtë eksperiencë se, “nuk ju duhet të udhëtoni shumë larg për të vizituar këtë vend të mrekullueshëm të quajtur Gjiri i Dafinës i cili ndodhet në pjesën perëndimore të Parkut Natyror Karaburun”. /a.a/ j.p/ KultPlus.com

Ideal më s’ka (Kosovë)

Nezir Kraki

Kur u nisëm, t’menduam t’vërtetë,
Gjatë rrugës na bëre të dyshojmë,
N’ fund të udhëtimit na dole gënjeshtër.
Kosovë!

Ndoshta idealet tona qenë utopike,
Ndoshta shpresa na mashtroi, unë s’e di,
Di veç se ideale sot s’kemi për ty.

A të nisemi edhe një herë nga fillimi,
Kosovë? /KultPlus.com

Shitet 170 mijë euro ora e dorës së Muamar Gadafit

Një nga orët e dorës, që i përkiste ish-udhëheqësit libian, Muamar Gadafi, u shit në ankand për mbi 170 mijë euro, shtatë herë më shumë se vlera reale e saj.

Vlera origjinale, në fakt, e larë në ar të bardhë dhe 18 karat, ishte rreth 20 mijë euro. Në shiritin “Blue Tiffany” ka një mbishkrim në arabisht: “Vetëm në kohë nevoje do të gjeni lirinë”, të shoqëruar nga nënshkrimi i Gadafit./ KultPlus.com

“Shija e Kosovës” në ShBA për traditë e bashkëpunime

Studentët e artit të kulinarisë në “Iowa Central Community College” gjatë së premtes do të shërbejnë ushqim autentik kosovar për të mbledhur fonde, që do të ndihmojnë në mbështetjen e një shkëmbimi rinor midis Fort Dodge dhe qytetit simotër, Gjakovës në Kosovë.

Ngjarja për mbledhjen e fondeve, e quajtur “Shija e Kosovës”, do të mbahet për tri orë në restorantet “Willow Ridge” dhe “Golf Course”, nga ora 18:00 deri në orën 21:00.

Fort Dodge dhe Gjakova u bënë qytete simotra në dhjetor të vitit 2016. Një shkëmbim i të rinjve filloi në vitin 2017.

“Qëllimi është të ndajmë njohuritë dhe të krijojmë ndërgjegjësim për partneritetin dhe iniciativën e qytetit tonë me qytetin simotër”, ka thënë Dawn Larson, specialist i zhvillimit ekonomik të qytetit për çështje biznesore në Departamentin për Zhvillimin e Komunitetit, shkruan “Messengernews”, transmeton “Koha Ditore”. “Por gjithashtu njihemi me kulturën e Kosovës, ushqimin dhe disa nga traditat”. Biletat kushtojë 30 dollarë. Një lloj ankandi i heshtur gjithashtu do të mbahet gjatë mbrëmjes.

Gjenerali Steven H. Warnstadt nga Garda Kombëtare e Ushtrisë në Iowa do të jetë njëri nga ata që do të mbajë fjalim. Warnstadt shërbeu si zëvendësdrejtor i ekipit këshillues të NATO-s në Kosovë nga tetori i vitit 2012 deri në shtator të vitit 2013.

Fondet e mbledhura do të mbulojnë Konferencën Shtetërore, fluturimet, shpenzimet e kampeve, udhëtimet, ushqimet dhe aktivitetet në kohën kur studentët do të jenë në Kosovë.

“Shkëmbimi i të rinjve financohet vetëm nëpërmjet donacioneve dhe fondeve”, ka thënë Larson. “Rinia patjetër bëri shumë përpjekje për të identifikuar, organizuar dhe fituar fonde, por kjo ngjarje ndihmon edhe për të paguar disa shpenzime shtesë”.

Studentëve u kërkohet të kontribuojnë duke zhvilluar dhe duke marrë pjesë në veprimtari të shumta për mbledhjen e fondeve.

Sipas Larson, studentët fituan gati 2 mijë dollarë përmes ngjarjeve të ndryshme për mbledhjen e fondeve më 2018.

Disa ngjarje për mbledhjen e fondeve përfshinin projektimin dhe shitjen e bluzave për shkëmbimin e të rinjve, dizajnimin e një vendi për mbledhjen e fondeve, organizimin e ngjarjeve për mbledhjen e fondeve në restorantet lokale dhe mbajtjen e ngjarjeve të veçanta në shkolla.

Jolene Hays, këshilltare në Fort Dodge dhe Abby Stanek, specialist i programit të të rinjve në Universitetin Shtetëror të Iowas, kryesojnë komitetin e Shkëmbimit të Rinisë.

“Studentët do të kalojnë nëpër trajnime për t’i përgatitur më mirë si ambasadorë të Iowas kur ata të janë në Kosovë”, ka thënë Larson. “Konferenca shtetërore është pjesë e shkëmbimit të ardhshëm të të rinjve.”

“Kur studentët tanë janë në Kosovë, ata bashkëpunojnë me studentët e tjerë ndërkombëtarë në një projekt të shërbimit për komunitetin”, ka thënë ajo. “Dhe kur studentët e Kosovës janë këtu, ne gjithashtu planifikojmë një projekt të shërbimit për komunitetin”.

Gjatë shkëmbimit të fundit, studentët projektuan ngjarje artistike, që u aplikua në një mur jashtë Gjakovës.

“Ishte një projekt për zbukurimin e hapësirës së komunitetit që theksoi rëndësinë e shkëmbimit ndërkulturor”, ka thënë ajo, shkruan koha.net

Në Fort Dodge, studentët e Kosovës punuan me programin për komunitetin “PICA” për të përfunduar një projekt të peizazhit për Shoqërinë Humane të Paqes në Iowa.

“Kishte një sfidë me kafshët e humbura në Kosovë, kështu që ne menduam se do të ishte një iniciativë e mirë për studentët që të kuptonin dhe të merrnin me vete në Kosovë përvojën tonë në këtë aspekt”, ka thënë Larson. Të rinjtë kosovarë do të udhëtojnë në Iowa në qershor të këtij viti. Studentët e Fort Dodge do të udhëtojnë për në Kosovë në korrik./ KultPlus.com

Rona Nishliu së shpejti sjellë projektin “Në bahçe”

Këngëtarja Rona Nishliu është duke punuar në projektin e saj të ri muzikor. Këtë ajo e ka bërë të ditur përmes një postimi në Istagram ku ka njoftuar se ky projekt titullohet “Në Bahçe”, shkruan KultPlus.

Nishliu po ashtu ka njoftuar se projekti i ri do të lansohet së shpejti duke mos bërë publike datën e saktë. Një pjesë të këtij kompozimi mund ta ndiqni në videon më poshtë./KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BvuUChtFNaZ/?utm_source=ig_web_copy_link

Përfundon edicioni i 14-të i DAM festivalit, solli në Prishtinë rrymat kulturore evropiane

Edicioni i 14-të i Festivalit DAM përfundoi mbrëmë nën tingujt e muzikës së kuartetit italian”Quartetto di Cremona“. Ky edicion zgjati gjashtë netë dhe solli para publikut koncerte të ndryshme të muzikës klasike dhe eksperimentale, shkruan KultPlus.

Në mbrëmjen e fundit të këtij edicioni publiku dëgjoi pjesë të përzgjedhura nga repertori i grupit të njohur ”Quartetto di Cremona”. Për shkak të bashkëpunimit me Institutin Italian për Kulturë dhe Ambasadën Italiane, ata në fillim sollën një vepër të kompozitorit italian Giacomo Puccini. Pastaj,  Prishtinës i dhuruan një pjesë bashkëkohorë të kompozitorit Bela Bartok dhe sigurisht mbrëmjen e mbyllën me Beethovenin, kompozitor i cili është në gjakun e këtij kuarteti. Një përzgjedhje kjo e veçantë duke marrë parasysh se repertori i tyre përfshinë vepra nga periudha e Hydn-it e deri tek muzika bashkëkohore.

“Quartetto Di Cremona” për momentin janë duke e bërë ‘ciklin e Beethovenit’ në kuadër të cilit po promovojnë veprat e këtij të fundit të cilat ai i ka kompozuar për kuartet harqesh. 19 vite pas themelimit të tyre, anëtarët e këtij grupi vazhdojnë që të bëjnë muzikë së bashku nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas Cristiano Gualcoarsyeja prapa kësaj është repertori mahnitës që ekziston për një formacion të tillë.

“Ne jemi gjithmonë në një aeroplan apo në udhëtim dhe kjo sigurisht që është sfiduese, jetë e vështirë mirëpo ne bëjmë atë që na pëlqen, luajmë muzikën që e duam. Repertori për kuartet, nëse flasim për harqe është shumë i pasur. Veprat e kompozuara nga Beethoveni janë pjesët më të mira të tij, këtë e ka menduar edhe vet ai gjatë kompozimit. Pastaj kemi Shostakovich, Mozart apo Brahms. Të gjithë ata kanë dhënë maksimumin e tyre kur kanë kompozuar për kuartet, sepse këto kompozime janë shumë të vështira pasi që janë vetëm për instrumente dhe nuk ka orkestër, për këtë arsye çdo gabim sado i vogël reflekton”, tha ai për KultPlus.

Mirëpo fatin për të udhëtuar sikur grupi “Quartetto Di Cremona”  nuk e kanë edhe muzikantët e Kosovës. Gualco theksoi se zgjidhja më e mirë për të kaluar pengesën e vizave që ekziston në Kosovë,  për muzikantët mbetet muzika.

 “Muzika është mënyra më e mirë për të kaluar problemet me viza. Njoh shumë muzikant të cilët edhe më parë për shkak të ngjarjeve historike nuk kanë mundur që të dalin jashtë vendit të tyre, mirëpo me muzikë ata ia kanë arritur. Edhe unë kur kam filluar që të luajë në violinë nuk e kam ditur që në të ardhmen do të udhëtoj kaq shumë. Prandaj, për muzikantët e rinj mesazhi im do të ishte që të ushtrojnë shumë dhe të punojnë, pasi që kjo është një mundësi e mirë për të performuar edhe jashtë vendit, sepse mund të marrin ftesa të ndryshme. Pra muzika mbetet mënyra më e mirë për të depërtuar”, tha ai.

Për krijimin e një festivali të tillë duhet shumë punë e përkushtim, mirëpo kjo u arrit fal stafit të DAM festivalit të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer.

Drejtoresha ekzekutive e festivalit Rreze Kryeziu-Breznica  mbrëmë gjatë mbylljes tha se edhe përkundër vështirësive dhe sfidave që i hasin  gjatë punës, prapë ia dalin që të  sjellin më të mirën tek publiku, sepse ky festival është bërë pjesë e jetës së tyre.

”Për ne si organizatorë, ky festival është bërë pjesë e jetës sonë, më shumë sesa një punë apo një aktivitet të cilin e bëjmë, sepse është çështje profesioni. Mbështetja financiare dhe sallat mbesin dhe vazhdojnë me mbet  njëra prej problematikave kryesore të cilat ne i posedojmë prej edicionit në edicion, megjithatë mundohemi që ti tejkalojmë edhe kjo tregon se rezultati final po arrihet. Derisa i kemi 14 edicione po kuptohet që ne po i tejkalojmë sfidat  dhe shpresoj që ky motivim dhe kjo dashuri  me na mbajt tutje.” tha Kryeziu për KultPlus.

Artistët nga shumë vende të botës përgjatë këtij edicioni vijnë në Prishtinë për të shpalosur punën e tyre para publikut, dhe një gjë e tillë kërkon një pritje adekuate e cila sipas Kryeziut  është e vështirë.

“Është e vështirë sepse ne nuk arrijmë që të ju krijojmë kushte adekuate dhe do ti trajtojmë denjësisht, ashtu siç duhet të trajtohet një artist i nivelit të cilët janë artistët që parakalojnë nëpër festival. Megjithatë ne tashmë kemi krijuar një lloj rrjetëzimi edhe me festivale të tjera edhe me artistë ndërkombëtar dhe falë edhe ndihmës së tyre ky festival vazhdon që të realizohet” tha ajo.

Laramania e festivalit vjen si rezultat i shkëmbimeve kulturore, ku krahas koncerteve, shpesh herë në kuadër të festivalit vijnë edhe pedagogë si dhe mbahen edhe masterklasa duke sjellë kështu edhe në Prishtinë rrymat kulturore evropiane./ KultPlus.com

Bashmir Xhemaj sjell librin “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës”

Më 3 prill bëhet promovimi i libri “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës” i autorit Bashmir Xhemaj, në librarinë “Dukagjini”. Autori në kë libër zbardh jetën e një njeriu të zakonshëm por që jetoi historinë më të jashtëzakonshme të shqiptarëve në shekullin XX, shkruan KultPlus.

Ngjarjet në këtë libër zhvillohen nga krypersonazhi Destan Berisha, i cili pa ndonjë ditë shkollë luftoi përreth Prizrenit kundër italianëve dhe gjermanëve në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, ai largohet nga Kosova duke u strehuar në Greqi ku bën një jetë të rëndë në kampet e refugjatëve.

Në vitin 1948, ai merr kontakt me amerikanët të cilët kishin filluar përgatitjet së bashku me britanikët për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri përmes dërgimit nga deti dhe me ajri të agjenteve shqiptarë. Gjatë katër viteve sa zgjati operacioni i CIA-s në Shqipëri, Destan Berisha hyri e doli disa herë por la mbrapa të vrarë shumë shokë të tij, kështu jeta e tij merr drejtim të panjohur dhe Destani për një moment shkëput bashkëpunimin me CIA-n. 


Në këtë biografi, jeta e Destanit nuk përfundon me kaq. Aty ka edhe histori dashurie me një vajzë më të vogël në moshë se ai, epilogu i të cilës përfundon me dhimbje. E ardhmja nuk rezervon diçka të mirë për Destanin, i cili dekada më vonë, në një udhëtim të çuditshëm, arrestohet dhe burgoset në Jugosllavi duke u akuzuar si spiun i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky rast, nga zbulueset e dokumenteve të CIA-s, rezulton një prej “ngjarjeve më të mëdha sekrete mes Jugosllavisë dhe Amerikës”.

Mësoni cili politikan i lartë amerikan negocioi drejtpërdrejt me Josip Broz Titon për ta liruar Destanin? Çfarë shkruan mediat me të mëdha amerikane dhe çfarë raporti pati ai në Amerikë me Xhafer Devën dhe udhëheqës të tjerë të emigracionit shqiptar. 

Bashmir Xhemaj është një figurë aktive në jetën publike në Kosovë. Gazetar për shumë vjet në televizion, ku ka mbuluar kryesisht politikën. Xhemaj ka studiuar komunikimin politik në Universitetin e Sheffield-it, dega në Selanik. Që nga viti 2014 punon si këshilltar për Qeverinë e Kosovës, fillimisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky është libri i parë i tij./ KultPlus.com

‘Gënjeshtra ia doli të bëhet rregulli i botës’

Shtatë prej thënieve më të mira të Franc Kafkës.

Libri duhet të jetë një “sëpatë”, për detin e ngrirë që ndodhet brenda nesh.

Franc Kafka, nga një letër dërguar Oskar Pollak, 1904

Ka një sasi të pafundme shprese në Univers… por jo për ne.

Franc Kafka, nga një letër dërguar Milena Jesenskas, 1920

Disa e mohojnë ekzistencën e mjerimit, duke treguar me gisht nga Dielli; ai mohon ekzistencën e Diellit, duke treguar me gisht nga mjerimi.

Franc Kafka, nga Ditari

Gëzimi i jetës rridhte me një pasion kaq të zjarrtë nga fyti i tij, saqë për kalimtarët rastësorë, nuk ishte e lehtë që të përballonin tronditjen që u shkaktonte.

Franc Kafka, nga tregimi i tij “Artisti i Urisë”

Rri në tryezën tënde dhe dëgjo. Madje as mos dëgjo, vetëm prit. Madje as mos prit, rri krejt palëvizur dhe i vetëm. Bota do të shfaqet para teje, sepse ajo po heq maskën, ajo nuk mund të bëjë gjë tjetër, në ekstazë ajo do të dridhet në këmbët e tua.

Franc Kafka, Aforizma

“Jo”, tha prifti, “ti nuk ke pse pranon gjithçka si të vërtetë, ti duhet ta pranosh vetëm si të nevojshme”.

“Pikëpamje dëshpëruese”, tha K.

“Gënjeshtra ia doli të bëhet rregulli i botës”.

Franc Kafka, “Gjyqi”

“Mos u përkul, mos e zbut, mos u përpiq ta bësh të duket logjike: mos e ndrysho shpirtin tënd, sipas modës. Ndiq në mënyrë të pamëshirshme, fiksimet e tua më të fuqishme.

Franc Kafka / Përgatiti: www.bota.al/KultPlus.com

Në Zvicër do të mbahet festivali i parë shqiptar

Në Zvicër, do të mbahet Festivali i parë  shqiptare  “Alba Festival” , ku do të  performojnë  Ledri Vula, Kida dhe Dhurata Dora. Në këtë festival më shumë se 25,000 vizitorë priten të marrin pjesë në” Hardturm Area” në Cyrih.

Festivali do të mbahet nga data 29 deri më 30 Qershor 2019. Në festival do të marrin pjesë rreth 16 këngëtar nga Kosova dhe Shqipëria.

Ky festival pritet që të shërbej si një urëlidhëse ndërkulturore ndërmjet muzikës moderne shqiptare dhe kosovare ka treguar Adem Morina, producent ekzekutiv i “Alba Festival”.  “Ne dëshirojmë të krijojmë një përzierje unike muzikore, të Shqipërisë dhe Kosovës përmes këtij festivali i cili do të sjellë afër vizitorëve traditë dhe kulturën e pasur muzikore”, ka sqaruar ai.

/blick.ch/ KultPlus.com

Më 7 prill shfaqet drama “Na ishte se ç’na ishte një Kujtim Paçak”

Drama “Na ishte se ç’na ishte një Kujtim Paçak” do të mbahet më 7 prill në Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren. Kjo shfaqje do të trajtohet me anë të fragmenteve nga jeta e Kujtim Pacakut, shkruan KultPlus.

Shumica e lojërave skenike bazohen në fragmente të punës së tij intelektuale, si fuqi njerëzore i liderit, i tolerancës, i drejtësisë dhe më shumë i kreativitetit, që i lartëson poezitë e shkruara të tij.

“Të gjitha këto momentet do të shfaqen përmes skenave teatrale të interpretuara nga artistët dhe nga personazhi kryesor i quajtur “Kooreografi”, i cili do të tregojë kontributin e punës së Kujtim Paçakut si një intelektual në promovimin e kulturës së Komunitetit Rom madje edhe për gjithë popullin e Kosovë”, thuhet në njoftimin e shfaqjes.

Skenat e jetës së Kujtim Paçakut në punë, në teatrin rom, me oktetin rom, vizioni i tij rreth spektrit politik, shkruarja e poezive, angazhimin në shoqërinë civile dhe shoqërimi me njerëzit në jetën e përditshme janë temat qendrore të cilat do të trajtohen në dramën me karakterin in memorial.

 “Poezitë me të cilat deshifron jetën socio-ekonomike të romëve, kulturën dhe patriotizmin e romëve, po ashtu edhe historinë e romëve atë të emigrimit nga India deri në periudhën e sotme në Botën e shëndosh”, thuhet në njoftim.

Në fund drama bazohet në dy thëniet e poetit, profesorit dhe politikanit, të cilat janë: “Ne jemi të detyruar të jemi më të parët dhe pas kësaj të kemi”, dhe “Ne duam integrim pa asimilim”. Shfaqja do të fillojë nga ora 20:00, të dielën/ KultPlus.com

Të enjten diskutohet për përvetësimin e kulturës rome

Më 8 prill shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve. Kjo datë shihet si një mundësi për festimin e kulturës rome, por edhe për ngritjen e ndërgjegjësimit rreth çështjeve që i shqetësojnë rreth 15 milionë romë në mbarë botën si dhe thekson diskriminimin që ky komuntitet e përjeton në sfera të ndryshme të jetës.

Në Kosovë, kjo shënon njërën nga ditët e rralla gjatë vitit kur politikanët i përmendin apo i adresojnë komunitetin rom që jetojnë në vend. Ligjet progresive, letrat dhe dokumentet prezantohen dhe shpallen si ngjarje të suksesshme të angazhimit institucional.

Por, pamjet e lagjeve rome me foto të varfërisë së skajshme, margjinalizimi dhe dëbimet shoqërore dhe ekonomike, vënë në dyshim sa shumë prej këtyre fjalimeve të mëdha përkthehen në përfshirje, pranim dhe luftim kundër racizmit.

Ende nuk është bërë asgjë për të shënuar luftën për njohjen e kulturës, historisë dhe të drejtave të romëve — thelbi i Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Kultura e pasur, që është njëra ndër veçoritë më të rëndësishme të komunitetit rom, zakonisht reduktohet te muzika që publiku e vlerëson herë pas here.

Në diskutimin më të fundit të Hajde Folim, pyesim: A e ka humbur kuptimin Dita Ndërkombëtare e Romëve në Kosovë? A po ndodh përvetësimi i kulturës rome në Kosovë? A po e konsumon shoqëria kulturën rome, veçanërisht muzikën, e në të njëjtën kohë po lejon që po ata persona që i takojnë kësaj kulture të trajtohen si qytetarë të klasës së dytë? Si mund t’i mbajmë përgjegjëse institucionet përkatëse për mos adresimin e çështjeve që qytetarët romë i përjetojnë në mënyrë shoqërore, politike dhe ekonomike?

Ky diskutim organizohet me 4 prill, në orën 18:00, në hapësirën e K2.0 për një diskutim të hapur dhe përfshirës. Të ftuar në panel janë:
– Sakibe Jashari – Antropologe/Zyrtare e Programit ROMACTED në Këshillin e Europës
– Habit Hajredini – Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë
– Avni Mustafa – Drejtor i Roma Versitas Kosovo
– Denis Galushi – Gazetar dhe aktivist

Diskutimi do të moderohet nga gazetarja e K2.0 Dafina Halili. Ky edicion i Hajde Folim financohet nga National Endowment for Democracy./ KultPlus.com


‘Njeriu gjithmonë vdes para se të ketë lindur plotësisht’

Thënie të Erich Frommit


• Autoriteti nuk është një cilësi të cilën një person e “ka“, në kuptimin që ka për të prona apo tiparet fizike. Autoriteti ka të bëjë me një lidhje ndërpersonale në të cilën një person e shikon një tjetër nga lart si epror ndaj tij.

• Si ëndrrat edhe mitet janë komunikime të rëndësishme nga vetja tek vetja. Nëse ne nuk e kuptojmë gjuhën në të cilën janë shkruar, atëherë humbim një rast të madh të asaj që dimë dhe ia tregojmë vetes në ato orë kur nuk jemi të zënë duke manipuluar botën përtej nesh.

• Britma është një gropë e pafund që e dërmon njeriun në një përpjekje të pafund për të kënaqur nevojën pa e arritur kurrë kënaqësinë.

• Nëse një njeri dashuron një njeri tjetër dhe është indiferent ndaj të gjithë të tjerëve, dashuria e tij nuk është dashuri por një lidhje e pashkëputëshme ose një egoizëm i stërmadh.

• Nëse unë jam çfarë unë kam dhe nëse humb çfarë unë kam, atëherë kush jam unë?

• Dashuria e papjekur thotë: Unë të dua ty sepse kam nevojë për ty. Dashuria e pjekur thotë: Unë kam nevojë për ty, sepse të dua ty.

• Në dashuri ndodh paradoksi që dy qenie bëhen një dhe prapë mbeten dy.

• Aq sa dashuria është një orientim që iu referohet të gjitha objekteve dhe është e papajtueshme me çdo kufizim tek një objekt, ashtu edhe arsyeja është një cilësi njerëzore e cila duhet ta përqafojë të gjithë botën me të cilën njeriu është ballafaquar.

• Ashtu si prodhimi masiv modern kërkon standardizmin e komoditeteve, edhe procesi shoqëror kërkon standardizimin e njeriut, dhe ky standardizim është quajtur barazi.

• Dashuria shpesh nuk është gjë tjetër veç një shkëmbim i favorshëm midis dy njerëzve, të cilët arrijnë më të shumtën e asaj që presin, duke i çmuar vlerat e tyre në tregun e personalitetit.

• Dashuria është e vetmja përgjigje e shëndoshë dhe e kënaqshme ndaj problemit të ekzistencës njerëzore.

• Dashuria është bashkimi me dikë apo me diçka, jashtë vetes, me kusht që të mbahet veçanësia dhe integriteti i secilit.

• Njeriu gjithmonë vdes para se të ketë lindur plotësisht.

• Njeriu është e vetmja kafshë për të cilin ekzistenca e tij është një problem të cilin ai duhet ta zgjidhë.

• Dobësia biologjike e njeriut është kushti i kulturës njerëzore.

• Qëllimi kryesor i njeriut në jetë është ta lindë vetveten, të bëhet ai që potencialisht është. Prodhimi më i rëndësishëm i përpjekjeve të tij është personaliteti i tij.

• Krijuesit lindin përpara se të kenë vdekur.

• Dashuria e nënës është paqe. Ajo nuk duhet rrëmbyer, ajo duhet merituar. /voal/KultPlus.com

Dialog

Kujtim Paçaku.

Nënë,
Tenda na është çjerrë
Me se do ta arnojmë? 
Me një cohë qielli, bija ime…
Nënë,
Zjarri na është fikur
A thua si do të ngrohemi? 
Me rreze dielli, bija ime…
Nënë, 
Bukë s’na ka ngelë më
Me se do të ushqehemi?
Me dromca këngësh, oj bija ime…/ KultPlus.com

Agron Tufa reagon pas sulmit të ish-prokurorit të komunizmit: Po më ndodhi diçka dihet nga kush e kam

Deputeti i PS-së, ish-prokurori i komunizmit, Spartak Braho ka sulmuar shkrimtarin Agron Tufa në lidhje me punën e tij në zbardhjen e krimeve të komunizmit.

Braho kërcënoi se do të kërkonte largimin e tij si drejtor të Institutit të ish-të Përndjekurve dhe të Dënuarve Politikë.

“Akuzat e Spartak Brahos dhe mllefi i tij, nuk ka asnjë lidhje me institutin. Ne nuk kemi lidhje me asnjë forcë politike. Ne jemi një Institut që kemi mbledhur rreth vetes shumë studiues”, është shprehur Tufa.

Duke folur me studion e syri.net, Tufa është shprehur se Instituti i ish-të Përndjekurve ka një mision të shpëtimit të kujtesës të persektuarve të diktuarës.

“Sjellja e Brahos është një shantazh, një kërcënim, sepse pas Brahos fshihet Sigurimi i Shtetit me background-in e tij. Nëse më ndodh mua diçka apo familjes time ai do te jetë përgjegjës. Është një kërcënim direkt për mua”, ka thënë Tafa.

Kur kërcënimi vjen nga Spartak Braho, pasi e shkuara e tij është me Sigurimin. Unë do të vijoj detyrat e mia, pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve”, është shprehur Tufa gjatë intervistës së tij./27.al/ KultPlus.com

‘Chopin Piano Fest’ shënon edicion e 10-të me artistët më të shquar nga të gjitha edicionet

Chopin Piano Fest Prishtina këtë vit shënon edicionin e tij të 10-të. Në një intervistë për KultPlus, drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha ka treguar për risitë që do të ketë ky edicion, një rikapitulim i cili do të sjellë artistët të cilët lanë gjurmë në Prishtinë dhe në festival gjatë këtyre 10 viteve.

Alberina Haxhijaj

KultPlus: “Chopin Piano FEST Prishtina” këtë vit shënon një dekadë punë dhe angazhim për promovimin e muzikë klasike, veçanërisht instrumentistëve të pianos. Të rikthemi tek fillimi i këtij festivali dhe te fakti se sa kanë qenë të vështira këto 10 vite.

Besa Luzha: Kur e filluam edicionin e parë, thamë po e shënojmë ditëlindjen e Chopin, dhe disi me drojë filluam organizimin sepse kishte vështirësi organizative, infrastrukturore, financiare, por disi u mobilizuam dhe e organizuam edicionin e parë.

Shkoi aq bukur, e priten publiku aq mirë, sa që kjo na motivoi të vazhdojmë edhe vitin tjetër, edhe tjetrin, edhe tjetrin….

Vështirësitë për çdo vit janë ndryshuar, një vit ishte mungesa e sallës, një vit mungesa e pianos, e në një rast mungesa e financave. Por programin e kishim gjithmonë të mirë, interesant, që nxiti kuriozitetin e publikut shumë të interesuar të Prishtinës, Kosovës dhe përkrahjen e publikut që na falënderonte në çdo përfundim të festivalit për dhuratën e bukur muzikore që i kemi ofruar atyre në stinën e pranverës. Kjo ishte shtysa që ti harrojmë të gjitha pengesat dhe të përpiqemi të bëjmë punë edhe më të mirë, program edhe më të bukur, dhe më shumë masterklase, koncerte etj.

KultPlus: Ky edicion është i rëndësishëm për ju si organizatorë por edhe për publikun i cili ka 10 vite së bashku me ju, cilat do jenë risit e këtij edicioni?

Besa Luzha: Në kuptim të strukturës, mbetet formati i njëjtë, seri e koncerteve recitale pianistike me pianistë të shquar në nivel botëror, vendor, duete pianistike, mbrëmje vokalo pianistike dhe përfundimi me koncertin për piano e orkestër të realizuar në Bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës. Numri i koncerteve është rritur jashtëzakonisht shumë në këtë edicion. Kemi 16 koncerte, përpos aktiviteteve të tjera shtesë.

Po ashtu vazhdon programi i nxënësve, studentëve, dhe gara për çmimin Special Chopin Piano Fest. Kemi pasur dy fituese dhe mirëpresim fituesin e tretë me radhë.

KultPlus: Festivali veçohet për programin të cilin e sjellë, cilat janë veçantit e programit këtë vit?

Besa Luzha: Drejtoresha artistike e festivalit është më meritorja për programin e bukur dhe të pasur, Prof. Lejla Pula. Ajo vërtet ka punuar me artistë të ndryshëm për të sjellë sa më shume risi dhe nivel të lartë të performancës.

Meqë është 10 vjetori,  kemi ftuar artistët më të shquar nga të gjitha edicionet për një rikapitulim të themi, disa nuk kanë mundur të vijnë në këtë kohë për shkak të agjendës së ngarkuar, por jemi të kënaqur për ata që iu kanë përgjigjur ftesës. Ka dhe artistë të rinj që për herë të parë do të performojnë para publikut të Prishtinës.

KultPlus: Festivalet në Kosovë mund të konsiderohen një pasuri kulturore, sa është e rëndësishme kjo për Chopin Pino Fest dhe ku zë vend në promovimin kulturor ky festival?

Besa Luzha: Mendoj se festivali e ka sjellë vërtet Prishtinë në qendër të vëmendjes së ngjarjeve kulturore të rëndësishme dhe shumë artistë, organizata, tashmë e njohin vlerën që ky festival ka krijuar. Është adresë, pikë referente dhe tregon potencialin tonë kulturor, të cilin po ta mbështesin institucionet edhe më fuqishëm, do të rrisim jehonën dhe do të rritet edhe më tepër interesimi për të.

KultPlus: Mendoni se janë falënderuese institucionet për organizimin e një eventi të tillë?

Besa Luzha: Besoj se po, fakti që kemi mbështetje të vazhdueshme dhe ajo po bëhet më e sigurt, më e qëndrueshme, nuk kemi dyshim për mbështetje. Kjo siguri po na ndihmon në organizim sa më të mirë.

KultPlus: Akoma nuk kemi një sallë koncertale, sa po ndikon kjo në zhvillim e jetës kulturore, në mbajtjen e Chopin Piano FEST Prishtina dhe a e konsideroni neglizhencë të institucioneve?

Besa Luzha: Ah , plaga e vjetër. Salla, vërtet është pengesë, ne kemi gjetur alternativë për momentin duke u akomoduar në Sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, fal partneritetit tonë me Universitetin e Prishtinës, por po të kemi sallën adekuate, me piano edhe më të mirë, me më shumë ulëse, me shërbimin e biletarisë dhe gjithë infrastrukturën përcjellëse, mundi i organizimit do të ishte me i lehtë dhe oferta artistike muzikore do të ishte edhe më me vlerë dhe më interesante për publikun.

KultPlus: Kur jemi të salla koncertale, ku do të mbahet festivali sivjet?

Besa Luzha: Koncertet deri me 27 Prill do të mbahen në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare –RR. Eqrem Çabej, apo ndërtesa e ish-institutit të Historisë, ndërtesa me xhamat e kaltër. Koncerti me Filharmoninë do të mbahet në Sallën e Kuqe, ndërsa mastërklasat dhe garat për çmimin  special të Chopin-it në Fakultetin e Arteve. / KultPlus.com