Grupi i Prek Calit doli në gjyqin komunist. Ai i zhvillua në nji ndërtes dykatshe, diku në veriperendim të Gjimnazit. Unë ndoqa tri seanca, si dëshmitar okular në at se çfar dëgjova e pash ndaj Prek Calit. Në fillim të seancës nuk lejohej me marr pjesë shumë popull, mbasi komunistët kërkonin që gjyqi të zhvillohej sa ma shpejt. Prek Cali, nuk ishte vetëm i pushkës, besës, traditës etj., por edhe nji trim që me gojën e vet nxirrte fjalë të matuna, i qetë, që mohonte pa frik të gjith akuzat e rreshtume kunder tij.
“Unë jam këtu ndër të tjera, për me marr pergjegjesin e luftës kundra partizanve që u ba në Kelmend. Dhe për t’drejt tjetër nuk keni pse m’akuzoni. Kam luftue kundra shkjeve, kur deshten me na nda prej nanes Shqipni dhe kam mbrojt at çka asht e jona. Mundësi ma të madhe nuk kam pas. Vërtet jam malsor pa shkoll, por jam shqiptar. Ju m’keni marr ne bes e s’kam nevoj me ju kerkue falje. Un as Mbretit si kam kerkue falje, kur m’ka denue se isha opozitar…” / KultPlus.com
Festivali “Erdh lezeti” sot para publikut kosovar solli performanca unike e tinguj muzike nga e gjithë bota. Për rreth 9 orë, 7 bende e mbi 45 artistë vendor, rajonal dhe ndërkombëtar performuan muzikë live në festivalin i cili u mbajt në Prishtinë në rrugën para kafesë Dit’ e Nat’, shkruan KultPlus.
Ky festival këtë vit shënon edicioni e 6-të të tij i cili mbahet çdo herë me 5 maj, në të cilin festohet dita e Shën Gjergjit e cila simbolizon kalimin nga stina e dimrit në stinën e verës. Tetë muaj i janë dashur organizatorëve që të realizohet ky edicion, i cili u cilësua si edicioni më i veçantë për shkak të programit të pasur që kishte.
Ndër bendet që performuan në këtë festival ishin Dub Pistols nga Britania, Edo Maajka nga Kroacia i cili njihet si një nga reperët më të njohur të Ballkanit, The Bloody Foreigners që janë bendi kosovar që veprojnë në diasporë, Art Lokaj performues nga Kosova dhe shumë bende të tjera.
Organizatori i këtij festivali Bajram
Kafu Kinolli, tha për KultPlus që ky organizim është një festë që është
organizuar për shënimin e festës së Shën
Gjergjit dhe se institucionet i kanë përkrahur aq sa kanë mundur në organizimin
e këtij festivali.
“Kjo është një festë, një festë e mahallës, ne e quajmë si festival për shkak se njerëzit nuk janë mësuar ende që ta quajnë festë. Ky është një party i mahallës që organizohet për festen e Shën Gjergjit. Institucionet na kanë përkrahur aq sa kanë mundur, duke pasur parasysh buxhetin që ndahet për organizimet që bëhen në kulturë” tha Kinolli për KultPlus.
Me një repertoar të ngjeshur e të përzgjedhur me kujdes, Erdhlezeti shfrytëzon muzikën si mjet të integrimit shoqëror, duke i inkurajuar të gjithë Kosovarët ta festojnë Shën Gjergjin së bashku. Mirëpo përtej muzikës për adhuruesit e këtij festivali, theksimi dhe familjarizimi me kulturën rome zë po ashtu një vend të rëndësishme. Këtë e theksoi edhe Beca Luci e cila ndoqi këtë festival.
E redaktorja e portalit Kosovo2.0 Besa Luci, tha që organizimi i një
festivali të tillë, në të cilin shënohet festa Shën Gjergjit, është shumë rëndësishme
për arsye së shqiptarët mund të familjarizohen më shumë me kulturën rome.
“Është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore në të cilën marrin pjesë bende dhe artist prej vendeve të ndryshme që performojnë në Kosovë. Ajo që është me rëndësi për këtë festival është që shënohet edhe dita e Shën Gjergjit, festës së romëve, ku në këtë festival bendet performojn muzikë rome. Organizimi i një festivali të tillë është shumë me rëndësi, sidomos për shqiptarët në Kosovë që me u familjarizu më shumë më kulturën rome, pjesë e së cilës është edhe muzika, të cilën këtë festival gjatë viteve e ka bërë të veçantë”, tha Besa Luci për KultPlus.
Po ashtu ajo e cilësoj këtë festival si të veçantë edhe për faktin që në këtë ngjarje kanë marrë pjesë bende nga vende të ndryshme të botës, të cilat përmes muzikës kanë bërë shkëmbimin e kulturave të vendeve të tyre./ Gzim Mujaj / KultPlus.com/Photos by: Milica Kinolli Milović & Fisnik S. Dobreci.
Në vitet e pasluftës së Dytë Botërore shit-blerja bëhej në qytetin e Pejës. Nga Gllareva e shumë katunde përreth. Karavanet e gjatë që mbartnin drithëra udhëtonin për ditë të tëra. Në Leshan, një katund afër Bistricës, të shpeshtën e herave i ka zënë ag’ i hershëm i mëngjesit. Babgjyshi Shaban i dhënë pas këndojsve (këndesave, knusit) kishte vërejtur se në këtë katund njëri kishte ndër më të mirët, dhe vendos që t’i shkëmbej tërë pasurinë e vitit për atë k’nus (këndes)! Tërë të korrat e vitit! Dhe “ballafaqimi” me pronarin ndodhi në prani të shumë bashkëvendësve (edhe nga fshatrat Rixhevë, Zabërxhë, Çabiq). Edhe përkundër insistimit te babgjyshit që ta jap tërë pasurinë vjetore për një knus, ai nuk e shkëmben dot! Pas këtij “dështimi” e kritikuan rreptë për këtë shkëmbim humbës! “Qysh bre Shaban me dha krejt pasuninë tane për një knus!?”, i kishin thënë. Ai ja kthente me dashamirësi: “Hajt unë që mu morën mend dhe isha në gjendje t’jap tan’ t’ardhnat vjetore, po qysh ai nuk ma dha knusin!?” Katërdhjetë vjet më pas në fund të viteve 90-ta në odë të miqtë këtë rrëfim e ritregonte shumë më bukur mixha Ramadan (Ramadan Arifi i Feriz Tërdevcve)!
e. s. m.5 maj 2019 , “Kalabria” (Prishtinë)./ KultPlus.com
Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë./KultPlus.com
Babai i Rita Orës ka shpërndarë një fotografi ku shihet shtëpi e tyre në Prishtinë. Këtë fotografi ai e ka shoqëruar me një përshkrim ku thekson se për të është e rëndësishme që fëmijët e tij të vizitojnë vendlindjen e tyre, Prishtinën.
“Vera Ora, shtëpia është aty ku është edhe zemra. Ndonëse jetojmë në Londër është shumë e rëndësishëm për ne dhe fëmijët tonë/ brezat e ardhshëm që të vizitojnë qytetin tonë Prishtinën, Kosovën”, ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook./ KultPlus.com
“5 Mei Plein” është një nga ndalesat e tramit, pranë një sheshi diku në Utrecht të Holandës, ku prej vitesh ngjitem e zbres shpesh në vejevijën time mes dy atdheve të mi, njëri i imi, tjetri i tim Biri. Edhe murdrita e dhomës sonë të ndenjes, sheh mbi stacionin “5 Mei Plein”, nga ai kënd jam mësuar ta përcjell përherë me sy mëngjeseve siluetën e tim Biri kur shkonte për në shkollë, edhe në ditë të vranëta, edhe nëpër të reshta, edhe ditëve ende të pagdhira dimërore. Rrija dhe prisja deri sa sinjali i njohur i kalimit të tramit nëpër stacionin dhe zhurma familjare e metalit mbi metal, e merrte tutje me vete dashurinë time. Ritualin e këqyrjes nga dritarja e përsërisja sërish orë më vonë, kur im Bir zbriste në ndalesë në kthimin nga shkolla, nxitin te semafori, hovin te rrugina deri te ndërtesa që e përfshinte brenda saj në pak minuta, zhurma e ashensorit, krraku i portës. Shpesh, ngaqë e dija me të qindtat e sekondës kohën e nevojshme të kthimit të tij, dyert i lija hapur, si një mirëseardhje të bujshme. “Mam, kam pak uri”, thoshte dhe afronte kokën te supi që ta nanurisja nëpër flokë, si përherë, dhe lëshonte çantën e rëndë të shkollës në shesh. Ndonjëherë më niste rrugës një sms që t’ia bëja gati në kohë pjatën: pak djathë të bardhë të skuqur në mënyrën shqiptare, domatëza e rukola, dhe pak bukë.
Në krye të vitit 2018, kur shumë shpejt do t’i vinte fundi këtij rituali, kur nxënësi i shkëlqyer do të mbyllte diplomën dhe po nxitonte të ishte student, tek zgjidhte mes ftesave të shumta të universiteteve se ku dëshironte të studionte, fati i kishte rezervuar rituale të tjera klinikash, spitalesh, seancash mjekësore, shtrime e nënshtrime nëpër regjime të së pashërueshmes, pranimin e të papranueshmes, detyrimin për të mësuar prindërit se si të sillen me humbjen e tij, si të ishte i mirë deri në fund, ashtu siç kishte lindur, si të ikte me dinjitet, si ta merrte bashkë me fizikun e tij atë qenien e rrallë që ishte, dhe të linte kujtimin me po atë bojë njeriu. Një barrë që nuk e di se si e mbajti asisoj e që më mban ende në këmbë ndaj respektit të thellë ndaj tij, po aq sa dashuria.
Një mbrëmje, gjatë ditëve të rënda të pranimi të fatit, kur u përqafuam dhe qamë gjatëherë në krahët e njëri-tjetrit, në përpjekjen për të marrë përgjigje për pyetjet tona shtypëse dhe për t’i dhënë trajtë mundimit tonë shpirtëror, i thashë: “Bir, kam njohur njerëz në moshë, të cilët nuk i do njeri, sepse kurrë nuk ditën të duan njeri, që janë të vetmuar, që do të përcillen të vetmuar. Mjerë ata! Këtë çast unë mund të çoj me dhjetëra, me qindra sms, njerëzve që të njohin dhe të duan fort, dhe jam e sigurt se shumë prej tyre, kur ta mësojnë se ti po lëngon, do të marrin rrugët nëpër Europë vetëm që të jenë me ty tani. Aq shumë të duan!
Tani në dhomën e zbrazët të tij, është gjithçkaja e tij: kompjuteri i sofistikuar për të edituar filma, që e montoi vetë me pjesë të blera që të kushtonte më lirë. E la. Laptopin e shkollës të shpejtësisë së lartë. E la. Kameran, fjalën e fundit të shkencës. E la. Kindle, bashkë me “Kandidin” e Volterit, librin e fundit që po lexonte me shënimet në anë. E la. Smartfonë, që i gjurmonte dhe i ndërronte shpesh ngaqë i “vjetëroheshin”. E la. Edhe kalkolatriçja e tij e koklavitur ku zbërthente formulat e larta të ekonomisë, një nga pasionet e tij, është aty. E la. Edhe gardërobën tij me shije të parakohshme të hijshme për një tetëmbëdhjetëvjeçar. Asgjë materiale që e pati joshur dhe zotëruar mbi këtë dhé, nuk iu desh me vete. Të vetmet që mori, ishte mendja e tij brilante, zëri i butë dhe i bukur, e qeshura e patëdytë, vështrimin e trishtuar e të thellë, zemrën bujare, ethen për dije, kureshtjen e pafund ndaj botës, racionalitetin mahnitës, dhimbjen ndaj të dobëtit, mendjen e hapur, ironinë e hollë, shkujdesjen ndaj vogëlsirave, dukën e tij krenare, sqimën e hollë, natyrën e ndjeshme, politesën befasuese, maturinë tronditëse, dhe gjithçka që e bënin një njeri të virtytshëm dhe të respektuar. Unë, nëna e tij, nuk e di në do të marr me vete me lamtumirën time aq shumë sa ç’mori ai, nuk di a do të jem aq e zonja të marr aq sa ç’mori im Bir. Ai nuk zgjodhi, por ishte i tillë. Mua më duhet vetëm ta ruaj në kujtimet e mia këtë arkitekturë të rrallë njerëzore që pata fatin ta njihja, dhe pafatësinë ta humbja.
Tetëmbëdhjetë ditë para të tetëmbëdhjetave të tij, pak ditë para se im Bir të niste jetën e tij të lirë, t’ia linte fëmijërisë së tij stacionin “5 Mei Plein”, ai ndali për lamtumirën e tij të dhimbshme me ne. Ishte 5 Maji i vitit 2018. Tani nuk dal më në anë të murdritës së dhomës së ndenjes dhe as i hedh sytë kah stacioni “5 Mei Plein”, as fishkëllimën e gjarpërimit të tramit nuk e ndiej më, edhe pse ai është stacioni i përjetshëm i imi, mbase për shkak të emrit që mban. Tani jam e zënë me trafikun e kujtimeve të mia, që ma bëjnë 5 maj çdo ditë timen; ashtu mund ta ndjej ende pulsin, frymën, vështrimin, zërin dhe mendjen e qenies më të dashur që kam./ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës do të sjellë premierën e re më 9 maj në Ditën e Evropës. Për këtë premierë trupa e baletit është duke punuar me koreografin Arthur Kuggeleyn.
Premiera “Pristine Conditions”, një shfaqje
bashkëkohor, e përcjellë me elemente të lëvizjeve abstrakte, do të shfaqet më 9
maj 2019 në 20:00 në BKK.
Kjo është premiera e dytë për këtë vit e realizuar nga ky institucion, dhe e treta e realizuar me holandezin Arthur Kuggeleyn./ KultPlus.com
Në ankandin e artit që do të mbahet me 30 maj në New York, janë përzgjedhur edhe dy punë nga Lorik Sylejmani Aveny: Orange Light /Purple Heat dhe puna nga seria A.I.L. #3.
Punët e tij do të jenë në ankand në mesin e punimeve në akuatintë e litografi nga Juan Miro, pjatat e qeramikës dhe litografinë Notre Dame nga Picasso, dy gravura të Dalit, skicave të Calderit, seriografitë e Warhollit të Campbell Soup dhe Marilyn Monron e zezë, Shahktor Hatami me fotografit e The Beatles dhe Coco Chanel, flamurin amerikan të Shepard Fairyt, Robert Indianas, Rosenquist e të tjerë,
Kompania prestigjioze nga New York-u që merret me menaxhimin e veprave të artit organizon ankandin e radhës. Si e tillë ajo veprimtarinë e shtrin që 30 vite dhe njihet si qendër e cila ‘posedon historinë artistike të Nju Jorkut’. E kanë filluar punën si agjenci promovimi dhe shitjes me veprat e Rauschenbergut dhe Robert Indianas, e më vonë me Warhollin dhe Keith Herringun duke u be një ndër kompanitë e njohura botërisht.
Lorik Sylejmani ka pasur disa ekspozita personale në New York si: Hun Gallery (2005) dhe Chashama/Chelsea (2012) si dhe disa prezantime nëpër LED në Times Square dhe prezantimin e veprës Duke ecur ne anën tjeter, 30 metra të lartë në Times Squere në ndërtesën e Eagle Store (2014)./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në 20-vjetorin e vrasjes së Fehmi Aganit, ka thënë se ai me mendim të guximshëm dhe veprimtari atdhetare i dha qartësi vizionit tonë për shtet sovran.
“Në 20-vjetorin e vrasjes, kujtojmë njeriun, i cili me dijen e thellë dhe urtësinë që e shquante, u shndërrua në promotor të unitetit dhe bashkërendimit të përpjekjeve për liri. Lavdi jetës dhe veprës së veprimtarit dhe akademikut Fehmi Agani”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në kuadër të aktiviteteve të Ambasadës së Francës për të shënuar njëzet vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë dhe në bashkëpunim me Shoqatën e Profesorëve të Frëngjishtes të Kosovës, nesër do të mbahet konferenca ‘Kosova, ashtu siç e kanë ëndërruar’ shkruan KutPlus.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve do të bëhet edhe
hapja solemne e ekspozitës me fotografi të titulluar “Veronikë, njëzet vjet…”
nga Hazir Reka dukë sjell kështu reportazhe të luftës. Ekspozita hapet në ora
14:00, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe do të qëndrojë e hapur deri
më 8 maj.
Ndërsa duke filluar nga ora 18:00, do të ketë takim
me shkrimtaren Ajten Pllana dhe gazetarë të luftës. Gjithë ky organizmin vjen për ta kujtuar të
kaluarën, në shenjë respekti për ata që dhanë shumë për ketë vend.
Kjo konferencë do të mbahet nesër më datë 6 maj, duke filluar nga ora 11:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. /KultPlus.com
Zemra e një nëne është një humnerë e thellë, në fundin e të cilës do të gjesh faljen.
Një grua e njeh fytyrën e njeriut që dashuron, ashtu si marinari njeh detin e hapur.
Një bashkëshort i mirë nuk shkon kurrë të bjerë për të fjetur i pari natën dhe nuk zgjohet kurrë i fundit në mëngjes.
Lumturia e një nëne është si një rreze drite, ajo ndriçon të ardhmen, por reflektohet gjithashtu në të kaluarën, në formën e kujtimeve të bukur.
Shumica e bashkëshortëve më kujtojnë një orangutang që përpiqet t’i bjerë violinës.
Kur gratë na dashurojnë, ato na falin për gjithçka, edhe për krimet tona; kur nuk na dashurojnë, nuk na njohin meritën për asgjë, as edhe për virtytet tona.
Dashuria është poezia e shqisave.
Kur zhytemi në thellësitë e kënaqësisë, ne nxjerrim lart më shumë llum, se sa perla.
Ndoshta virtyti nuk është asgjë më shumë, se sa mirësjellja e shpirtit.
Prapa çdo pasurie të madhe, fshihet një krim i madh.
Pasioni është humaniteti universal. Pa të, feja, historia, romanca, arti do të ishin të kotë.
Një burrë është një krijesë e gjorë, krahasuar me një grua.
Vetmia është e mirë, por gjithsesi të duhet dikush, që të të thotë se vetmia është e mirë.
Mençuria është kuptimi i atyre gjërave hyjnore, tek të cilat shpirti ngjitet përmes dashurisë.
Në atë kohë, vetëvrasja ishte në modë në Paris: e çfarë çelësi më të përshtatshëm mund të kishte, për të zbërthyer misterin për një shoqëri skeptike?
Armiqtë tanë më të mëdhenj janë të afërmit tanë. Mbretërit nuk kanë vëllezër, nuk kanë bij, nuk kanë nëna!
Çfarë është arti? Natyra e përqendruar./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë zhvilluan të dielën homazhe në varrezat ‘Dëshmorët e Kombit’, gjatë ceremonisë së përkujtimit me rastin e ditës së Dëshmorëve 5 Majit.
Në ceremoninë morën pjesë dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, si dhe personalitete të tjera, për të përkujtuar 5 Majin dhe nderuar dëshmorët e atdheut.
Meta kërkoi reflektim përmes dialogut politik, si e vetmja rrugë që të çon drejt së ardhmes
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë popullin shqiptar. Është dita e Qemal Stafës dhe të rinjve dhe të rejave që bënë sakrificat më sublime për ta vendosur Shqipërinë në anën e duhur, aty ku është edhe sot”, – tha Meta.
“Sot është një ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë të ardhmen e vendit përmes dialogut në mënyrë që të nderojmë si duhet kujtimin e atyre që kanë bërë sakrificat e atyre që kanë dhënë jetën për lirinë”, – theksoi Presidenti.
Kryebashkiaku Veliaj shpreh mirënjohje për dëshmorët, duke i konsideruar ata heronj të vërtetë të veprave të mëdha.
“5 Maji – Dita e Dëshmorëve. Lavdi heronjve të vërtetë, njerëzve të veprave të mëdha, të cilët kanë mbetur të “pavdekshëm” në kujtesën dhe historinë e vendit tonë. Mirënjohje e përjetshme!”, shprehet Veliaj./ atsh/ KultPlus.com
Delegacioni shqiptar është nisur sot për në Tel Aviv.
Këngëtarja shqiptare, Jonida Maliqi e cila këtë vit përfaqëson Shqipërinë në Eurovision, është nisur sot bashkë me delegacionin shqiptarë për në Izrael ku do mbahet edicioni i 64 i “Eurovisionit”, shkruan Magazina.al
Jonida bashkë me grupin kanë publikuar një fotografi nga Aeroporti i Tiranës, pak para nisjes në Tel Aviv, e ku shihet se kanë bërë me duar edhe simbolin e famshëm të shqiponjës.
Këngëtarja shqiptare, më 7 maj do ta ketë provën e parë në skenën e Eurovisionit, ndërsa do të mbajë disa prova të tjera deri në natën e 16 majit, kur do të prezentohet para publikut evropian.
Deri më tani vlerësimet për këngën shqiptare janë pozitive, ku në faqen më të madhe të lajmeve rreth Eurovisionit “Wiwibloggs”, kënga “Ktheju Tokës” është radhitur e dyta si favorite për të fituar, menjëherë pas Holandës e cila kryeson sondazhin. /KultPlus.com
Nesër mbrëma, me datë 6 maj, duke filluar prej orës 20:30 do të hapen dy ekspozita në Prishtinë.
Me hapjen zyrtare të Europe House – e njohur më parë si Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, do të hapen edhe ekspozitat e Agon Nimanit dhe Gresa Islamit.
Agon Nimani sjellë ekspozitën “Perspektivë ndryshe” me fotografi, ndërsa Gresa do të sjellë qeramikat në ekspozitën “Eshkë dashnie”, shkruan KultPlus.
Të dyja ekspozitat do të përcillen edhe nga performanca me DJ dhe me muzikë nga Rrrron, Altin Boshnjaku dhe Pumio Space.
EUROPE HOUSE në lokacionin e saj të ri nesër mbrëma, me 6 maj, hapet përballë Komunës së vjetër në Prishtinë, ish-ProCredit Bank. / KultPlus.com
Binjaket shqiptare që po marrin pjesë në “Voice of Italy” e që po përfaqësohen me emrin “Sindolls” kanë thënë se qëllimi i tyre është ta bëjnë Italinë të njohë muzikën dhe kulturën shqipe.
Pak net më parë ato morën pjesë për herë të parë përpara një jurie italiane në një nga formatet më të njohura, “The Voice of Italy”. Ajo që i mrekulloi të katërt anëtarët ishte fakti se dy vajzat kënduan këngën e Era Istrefit dhe Ledri Vulës, “Shumë pis” në një performancë të tyren unike. Këto emocione e shumë detaje të tjera binjaket Serena dhe Ina i kanë rrëfyer për herë të parë në një intervistë për “Bluetooth”, transmeton albinfo.ch.
“Akoma nuk na besohet që u kthyen të katërt gjyqtarët. Për ne është që tani një arritje shumë e madhe. Nga ana tjetër, ‘The Voice’ është programi i parë në të cilin marrim pjesë dhe për ne është një eksperiencë e re dhe shumë e bukur”, janë shprehur ato.
Ato kanë thënë se gjithmonë kanë qenë të apasionuara pas muzikës.
Në këtë intervistë, ato tregojnë se qysh të vogla u pëlqente shumë të këndonin.
“Po, një nga objektivat tanë është ai që ta bëjmë Italinë të njohë muzikën dhe kulturën shqiptare, sepse përfaqëson origjinën tonë dhe do të ishte shumë bukur që sa më shumë persona të zbulojnë sa e mrekullueshme është. Kemi vendosur të futemi në këtë eksperiencë për të pasur një mundësi për t’u njohur nga një publik më i madh dhe të kalojmë nga koverat e bërë në “Youtube” në dhomë, në eksperiencën tonë të parë televizive. Fillimisht ishim në mëdyshje, por kur zbuluan se një nga trajnerët do ishte Guè Pequeno, nuk patëm më dyshime”, kanë thënë ato.
Binjaket kanë treguar se për të marrë pjesë në këtë ngjarje, ato i ka shtyrë babai i tyre, i cili gjithmonë i frymëzon për të shkuar përpara. / albinfo.ch/ KultPlus.com
Dua ta dish Një gjë. Ti e di si është kjo punë: Nëse vështroj hënën prej kristali, degën e kuqe të vjeshtës së ngeshme në frëngjinë time, nëse prek tok me zjarrin të pakapshmin hi e të rrudhurin kurm të drurit gjithë më shpie tek ti sikur gjithë ç’ekziston, erëmime, dritë, metale, të ishin varka të vogla që lundrojnë, drejt ishujve të tu që më presin.
Tash mirë, nëse pak nga pak resht së më dashuri, së dashuri pak nga pak do t‘resht. Në beftë më harron, mos më kërko do t‘kem harruar atëherë.
Në e gjykon të gjatë e të çmendur valëvitjen e flamujve që kalon në jetën time dhe vendos të më lësh bregun e zemrës ku kam rrënjë, mendo se në atë ditë, në atë orë do të ngre krahët dhe rrënjët e mia do të dalin të kërkojnë të tjerë troje.
Por nëse çdo ditë, çdo orë ndjen se për mua ke qenë e shkruar me ëmbëlsi të paepur. Nëse çdo ditë ngjitet t’më kërkojë një lule në buzët e tua, ah dashuria ime, ah e imja, në mua gjithë ai zjarr përsëritet, në mua asgjë nuk shuhet e as harrohet, dashuria ime me dashurinë tënde ushqehet, e dashur, e gjersa të kesh jetë do të jetë në krahët e tu pa u larguar prej të mive. / KultPlus.com
Në vitrinën e shitores “Dolce & Gabbanna” ka ca kuleta lëkure, që kushtojnë nga 800 euro. Ca metra më tej, në trotuar, një maroken shet kuleta identike, 15 euro njëra. Duke qenë se kuletat në vitrinë dhe kuletat në trotuar kanë të njëjtën pamje dhe të njëjtën markë, aty nga pasditja vjen policia. Në një botë me mend në kokë, do ta fusnin brenda shitësin e paskrupullt. Por, përkundrazi, në këtë botë i hedhin prangat marokenit, për shkak se po i bezdis pasanikët e rinj, me një fakt ulëritës: çmimi i vërtetë i kuletave.
Milionerëve të përjetshëm nuk u lëviz as
qimja që njerëzit që ecin në këmbë, njerëzit e zakonshëm, blejnë “Rolex” e “Ray
Ban” fals dhe produkte fals “Armani”. Ata jetojnë mbi një re tjetër, jetojnë në
qiellin e atyre që konsumojnë produkte të pamundura për t’u falsifikuar. Për sa
kohë nuk do të ketë pramatarë të zotët për të kopjuar një jaht, një vilë me
katërmbëdhjetë banja, në “Costa Azul”, pasanikët e vërtetë do të flenë rehat.
Nuk janë këta, ata që thërrasin policinë për ta prangosur marokenin që shet
kuletat.
Po atëherë, kush e thërret policinë?
Në Spanjë po ndodh një fenomen i veçantë
(thonë se edhe në Rusi gjithashtu, por unë jetoj vetëm në Spanjë). Këtu, në
Spanjë, ka shumë njerëz, të cilët po pasurohen sa hap e mbyll sytë. Bëhet fjalë
për pasanikë që nuk janë të racës, për milionerë të beftë, njerëz që nuk kanë
pasur as familje të fuqishme në të shkuarën dhe as arsimim të kripur qysh në
djep. Pasanikët e rinj, mbi të gjitha, janë pasanikë të trembur se mos humbasin
busullën e një statusi, të cilin kurrë nuk e merituan.
Statusi është një çmim prestigji, pothuaj përherë i rremë, që jepet në të
gjitha klasat shoqërore. Im atë ende tregon me krenari se, në epokën e
Alfonsinit, vidhte plehrat e të tjerëve dhe, fshehurazi, i sillte në shtëpi, me
qëllim që, më pas, të dilte në rrugë me qeset e veta të plehrave dhe ta shihte
lagjja. Të kishe plehra për të hedhur, asokohe dhe në atë vend, ishte simptomë
statusi.
Ashtu siç, im atë, falsifikonte plehra,
kohët e sotme, tregu i falsifikimeve i përkushtohet imitimit të produkteve që
quhen “marka”. Kjo praktikë, e cila ndodh në gjithë botën, falë aftësisë së
kinezëve, po e nxjerr në pah paranojën e pasanikëve të rinj, të cilët e kanë
tejet të vështirë të pranojnë se ka njerëz të varfër dhe të pafat që blejnë po
të njëjtat lodra fantazie, si ato të tyret.
Pasaniku i ri e blen një kuletë prej 800 eurosh, jo ngaqë i pëlqen aq shumë
produkti në vetvete, as ngaqë i duhet, por ngaqë kuleta ka një kod të njohur:
markën. Ky simbol tregon vlerën e tij komerciale në tregun e gjërave. Bëhet
fjalë për një kod jo sekret, jo të fshehtë; një kod, të cilin e gjithë bota do
ta kuptojë thjesht me një vështrim. Është sikur produkti ta kishte çmimin të
gdhendur me zjarr dhe, kësisoj, ata do të ngjallnin zilinë e budallenjve.
Për një çështje rregullash të brendshme,
pasanikët e rinj nuk mund të thonë se i blejnë gjërat vetëm e vetëm për çmimet
e paarritshme. Kështu që thonë se i blejnë për cilësinë. Sigurojnë se e kanë
blerë jashtëzakonisht shtrenjtë një kuletë marke, ngaqë ka qepje më të mirë,
ose ngaqë rron një jetë të tërë. Sidoqoftë, dhe gjithashtu për faj të
rregullave të brendshme, pas katër javësh nuk mund ta përdorin më, epo ka dalë
një kuletë tjetër më e mirë, ose ngaqë tashmë të gjithë ia kanë këqyrur kuletën
e parë.
Pra, tregu i falsifikimeve është ferri i
të cekëtëve. Më e keqja që mund të ndodhë në jetën e një sipërfaqësori, është
që një tjetër, për shumë e shumë më pak, mund të mbajë tërë kapardisje, të
njëjtat kode madhështie si edhe ai dhe të tregojë po të njëjtën krekosje, edhe
në qofshin imitime të rëndomta të kodeve të vërteta, edhe në qofshin si mos më
keq qepjet dhe lëkura të çngjyroset që në larjen e dytë.
Në të vërtetë, pasanikëve të rinj nuk u intereson cilësia e sendeve që
zotërojnë: u intereson vetëm siguria e të diturit se askush tjetër veç tyre nuk
mund t’i ketë ato sende. Për ta, një “markë” tregon sigurinë e mbijetesës si
pasanikë, humnerën që i ndanë nga jeta e hershme e vdekatarëve të zakonshëm.
Duhet të kemi parasysh se jo gjithmonë
kanë qenë të pasur: janë të saponisur dhe të ngathët në akrobacinë e kamjes. Jo
para shumë kohësh, ishin ziliqarë ndaj pasanikëve të vërtetë, ishin mllefqarë
që fusnin hundët në jetën e të tjerëve. Prandaj, tani i kap ankthi se mos bien
sërish në mjerim.
Prandaj, kur ndeshet me një maroken, i cili, në trotuarin përballë, ofron kode
statusi për gjithë botën dhe me një çmim jashtëzakonisht të vogël e të
arritshëm, pasaniku i ri ndihet sikur i kanë vjedhur mirëbesimin.
– Unë dua të më rrjepë “Dolce &
Gabbanna”, – duket se thërret, – unë dua që një kuletë muti të më kushtoj një
thes me para, kam nevojë të tregoj se mund t’i shpërdoroj ato, të mburrem dhe
të krekosem, por nuk mund ta duroj dot që të më vjedhin të tjerë. Më mirë të më
marrin paratë, të cilat më teprojnë, ama jo vetëvlerësimin, pasi nga ky kam pak!
Është arritur në një shkallë të tillë cektësie, saqë edhe ai që ta fut duhet të
jetë dikush me status, pasi në këtë mënyrë mund ta tregosh si trofe, bythën e
shqyer. Kufirin mes pasurisë dhe varfërisë, shpesh herë, e vendos rastësia.
Nëse ato vajzat, të cilat vdiqën nga anoreksia, këtë javë në Brazil, do të
kishin lindur 400 kilometra më në jugperëndim, do të ishin vajzat që vdiqën nga
uria, në Bolivi.
Pasaniku i ri e di. E di se është
rastësia, dhe jo mundi, shkaktarja e hovit të tij ekonomik. E di se jeta mund
t’ia marrë gjithçka, po aq shpejtë sa edhe ç’ia dha. Pasaniku i ri ka nevojë të
shkëputet nga njerëzit e thjeshtë. Sepse statusi – duket se thonë pasanikët e
rinj – është të zgjedhësh, kush mund të të vjedhë dhe kush jo.
Duket se thonë këtë, por në të vërtetë thonë tjetër gjë. Ajo çka thonë është se
i duhet dhënë fund tregut të falsifikimit, pasi ky përfshin shfrytëzimin e
kinezëve (të gjorët), të cilët mbahen mbyllur nëpër anije dhe punojnë për një
pjatë oriz; thonë se tregu i zi është i dëmshëm, pasi detyron të punojnë
fëmijët filipinas dhe kjo gjë, atyre (pasanikëve), u këput shpirtin; thonë se
mafiet e markave false, një ditë, do ta shkatërrojnë të mirën e tregut të lirë.
Ja ç’thonë ata, kur thërrasin policinë,
që nga celularët e tyre, të fshehur pas një peme:
– Policia? Ejani shpejt në qoshen ku jam unë tani, pasi ka një keqbërës me një
çarçaf, në rrugë, i cili po u shet njerëzve gjëra të pavlefshme me çmim të
arsyeshëm. Nxitoni, pasi ka shumë të varfër që janë gati të kthehen në pasanikë
të rremë!
Vlora do të ‘pushtohet’ nga ritmi i traditës kulturore, me këngë dhe valle popullore nga më shumë se 300 artistë nga vende të ndryshme të botës nga 11-13 maj në edicionin e 11 të Festivalit “Aulona Inter Folk”.
Ky festival është një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut vendas, europian dhe botëror dhe një promovim fantastik i sezonit turistik në qytetin bregdetar.
Gjatë tre ditëve të festivalit, artistët do të performojnë në sheshin “Lungomare”, në Vlorë.
Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli në një intervistë për ATSH-në tha se “në këtë edicion do të marrin pjesë grupe folklorike nga Anglia, Finlanda, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, si dhe do të jetë e ftuar këngëtarja kosovare Shkurte Fejza si dhe grupi i valleve nga SHBA”.
Drejtori i festivalit shprehet se “ky aktivitet promovon jo vetëm kulturën dhe folkun, por mbi të gjitha edhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Aulona Folk Festival lindi si pasion, por edhe si një obligim për qytetin ku jetoj, për të instaluar një ngjarje kulturore nga ato që në Europë e më gjerë bëhen me shumicë. Kam pasur raste që me grupin “Bilbili” që e organizoj për plot një çerek shekulli, fundi i këtij viti shënon 25-vjetorin e themelimit, të marr pjesë në festivale që edicionet i afrohen treshifrorit. Ndërkohë në hapësirën shqiptare ky i Vlorës konsiderohet më i vjetri”, – nënvizon Gjokoli.
Aulona Folk Festival, vijon Gjokoli, merr përsipër të shkëmbejë e integrojë përmes këngëve e valleve kulturën tradicionale që vjen nga popuj e kombe të ndryshme, kuptohet edhe në formë spektakolare.
“Mjafton të them se vetëm për shkak të këtij aktiviteti kanë ardhur në Vlorë mbi 85 ansamble folklorike, me rreth 3500 pjesëmarrës, nga 25 vende të Ballkanit, Europës e Azisë, mes të cilave nga Italia, Sllovakia, Polonia, Kroacia, Bjellorusia, Letonia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Greqia, Turqia, Kina”, shprehet ai.
Duke e cilësuar folklorin shqiptar si magjik, Gjokoli thekson se “kemi vërtet folklor magjik, por po aq është edhe delikat. Lefter Çipa, thotë që kënga polifonike është xanxare. Unë do të thosha që i tërë folklori ynë është i tillë, xanxar. Të kuptohemi, bëhet fjalë për folklorin që vjen nga burimi. Jo ai që shumë herë del nga dyer të qelqta laboratori”.
Sipas tij, Aulona Inter Folk Festival është i veçantë mes të tjerësh për nga standardet, por edhe qëllimi.
“Askush tjetër ndër festivalet apo manifestimet folklorike në trojet shqiptare nuk ka mundur të derdhë kaq shumë ngjyra e ritme të folkut europian sa ky i Vlorës. Po edhe të dytë që të jetë pjesë e një axhende aktivitetesh kulturore të pushtetit vendor (ky mbetet edhe mbështetësi kryesor financiar) në hapje të sezonit turistik në çdo nisje, nuk ka”, tha Gjokoli.
Në Vlorë, shton ai, ngjizja e turizmit kulturor me atë natyror, të detit, rërës e malit ndodh fare natyrshëm.
“Se këtu në Vlorë, ndodhen të bëra bashkë të gjitha: deti e toka, Adriatiku e Joni, Radhima e Orikumi, Kanina e Llogoraja, plazhet e Karaburunit e Zvërnecit e më tej, në det, Sazani si “roje” përballë. Të mos harrojmë, artistët që vijnë në gjirin e Aulonës, janë njëherësh edhe turistë, por edhe eksplorues të kujdesshëm të aseteve tona kulturore, historike e turistike”, shprehet ai.
I pyetur për risitë që sjell këtë vit ky festival, Gjokoli thekson se “këtë vit festivali do të ketë edhe një tjetër risi që synon të kthehet në një traditë. Duke diskutuar me koreografin e Ansamblit të këngëve e valleve popullore, Genc Kastrati, rreth disa përvojave ndërkombëtare vendosëm që për herë të parë të krijojmë brenda festivalit një seminar për mësimin e valleve popullore shqiptare turistëve të huaj të ardhur enkas për këtë event, si dhe shkëmbimin kulturor mes pjesëmarrësve duke i dhënë festivalit edhe dimensionin interaktiv ku spektatori bëhet pjesë e skenës, një workshop folku”.
Kështu, shton ai, të huajt gjatë ditëve të festivalit do të shijojnë bukuritë e aktivitetit dhe qytetit, por do të mësojnë edhe vetë të vallëzojnë shqip e që në një nga mbrëmjet koncertore do të performojnë në skenë një nga vallet e mësuara gjatë ditëve.
Aulona Festival bëhet edhe i pari festival i këtij lloji në Shqipëri, i cili synon të përfshijë spektatorin në skenë e të kthehet në një atraksion turistik më vete.
“Siç këtë herë ata që do ngjiten në skenë, në natën e dytë të festivalit. Do të jetë një grup turistësh nga SHBA, të cilët do të udhëtojnë enkas për në Vlorë, për turizëm dhe festival. Ka edhe aspekt të axhendës turistike ky edicion. Artistët pjesëmarrës në festival do të udhëtojnë me anije turistike nga porti i Vlorës drejt plazheve të Sazanit dhe Karaburunit”, tha Gjokoli.
Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, që është pjesë e aktiviteteve në çelje të sezonit turistik në Vlorë, vlerësohet nga specialistët si një nga aktivitetet më të spikatura në trevat shqiptare dhe më i madhi në Shqipëri në llojin e vet dhe me një gjeografi pjesëmarrjeje që shtrihet në Europë e Azi.
Në edicionin e 10-të të “Aulona Inter Folk” u ngjitën në skenë mbi 300 artistë. Ndërsa ansambli “Epirus” nga Selaniku, Greqi, u shpall fitues i atij edicioni. /atsh/ KultPlus.com
Një gjyshe 81-vjeçare nga Dublini kishte thënë se ndihet e lumtur pasi u shfaq në audicionin “Ireland’s Got Talent 2018”.
Evelyn Williams kishte thënë se ajo ka kënduar që kur ishte 4 vjeç dhe nuk kishte aspak emocione për t’u ngjitur në skenë.
“Dua të këndoj dhe kur këndoj unë e fut gjithë zemrën dhe shpirtin tim në të”, ishte shprehur 81 vjeçarja. Që nga debutimi televiziv i saj, gjyshja u bë shumë e famshme, transmeton rtv21.tv.
Fansat me Evelyn Williams vazhdimisht bëjnë fotografi me të dhe duket se ajo është duke shijuar famën e saj.
Në rast se nuk e keni parë atë, këtu është klipi i audicionit të parë të 81 vjeçares./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në hapjen e festivalit “Hasi Jehon”, ky festival tradicional në jubileun e 30 të tij u organizua nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me këtë rast, ministri Gashi tha se “për ne si Ministri e Kulturës ka qenë dhe do të mbetet prioritet përkrahja e të gjitha aktiviteteve kulturore, përmes të cilave ruhet dhe transmetohet trashëgimia jonë kulturore”.
“Festivali “Hasi Jehon”, këtë vit shënon vitin jubilar, dhe kjo është dëshmia më e mirë se si ruhet kultura jonë dhe bartet nga brezi në brez. Para tridhjetë viteve Shoqëria Kulturore “Malësori” kishte marrë iniciativën për ta organizuar këtë festival dhe ka qenë në hapat e parë të jetës së saj kulturore, ndërsa sot është bërë një shoqëri me renome botërore, sepse me programin e saj të pasur kulturo artistik dikur bëri jehonë në Gllogoc , pastaj në Festivalin Botëror në Zagreb, prej nga u ftua edhe në shumë festivale tjera, por që nuk arriti të merr pjesë për ta prezantuar traditën e pasur të Hasit dhe të Kosovës në përgjithësi”, tha ministri Gashi.
Tutje ministri Gashi theksoi se “Ekspertët e fushave duhet të kenë hapësirë më të madhe për t’i dhënë shpirt traditave, e në veçanti veshjeve shumë kolorite, që i kanë sot artistët e shumtë, të cilët mbase në mungesë të njohjeve të duhura mund të bëjnë ndonjë gabim, duke bartur një veshje të rikonstruktuar jashtë traditës, apo edhe ndonjë valle jashtë traditës sonë muzikore. Prandaj ka ardhur koha, që çdo vepër artistike të jetë e punuar nën mbikëqyrjen e ekspertëve e jo ata të injorohen, sepse vetëm nëse bashkëpunojmë në mes veti do të kemi suksese më të mëdha”.
Po ashtu, ministri Gashi uroi të gjithë pjesëmarrësit e këtij festivalit dhe tha se “ju uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve, gjatë tre netëve të festivali, dhe uroj të vlerësohen më meritorët, dhe në mënyrë më të mirë të mundshme t’i ruajnë traditat tona, me të cilat do të na prezantojnë në festivalet ndërkombëtare, dhe nuk do të ju mungojë ndihma e ministrisë, që e drejtoj unë, sepse kultura dhe trashëgimia jonë kulturore është pasaporta shqiptare, që qarkullon sot në gjithë botën edhe pa vizat, që po na i mohon pa të drejtë Bashkimi Evropian”. / KultPlus.com
Orkestra e të Rinjve të Kosovës të mërkurën ka udhëtuar drejt Belgjikës për të përfaqësuar për të dytën herë Kosovën në Festivalin Evropian Muzikor të të Rinjve, në Neerpelt. Para dy vjetësh në mesin e 200 shteteve, falë punës së instrumentistëve të rinj së bashku me dirigjentin dhe drejtorin, Kushtrim Gashi, ky formacion ishte kthyer me çmimin e dytë në kategorinë e orkestrave simfonike.
Ndërsa kësaj radhe, Orkestra e të Rinjve të Kosovës ka
fituar vendin e parë në Festivalin EMJ të Belgjikës.
Të rinjtë e Kosovës janë përballur me mbi 200 nivele të
ndryshme të orkestrave nga e gjithë bota.
Orkestrat jonë është prezantuar me një program prej 25-minutash me veprat si: ’Albanian Overture’ nga Hajrullah Syla, ‘Valle hungareze 5 dhe 6’ nga Johannes Brahms dhe ‘Simfonia nr.8’, koha e parë të Franz Schubertit. /KultPlus.com
Imagjinoni Mesdheun! Çfarë ju vjen në mendje? Brigjet gjarpëruese të mbushura me shkëmbinj dhe limane. Qielli fantastik, pa një njollë reje. Dhe sigurisht, një det i jashtëzakonshëm, për të cilin nuk ka epitet që mund ta përshkruajë. Nëse nuk i keni planifikuar ende këto pushime verore, ju jeni ende në kohë për të bërë zgjedhjen e duhur. Plazhet fantastike të jugut të Shqipërisë janë perlat e Mesdheut dhe ju duhet patjetër t’i vizitoni, shkruan Traveler.es.
”Shqipëria, objektivi juaj i ardhshëm.
Mundohuni të kujtoni plazhe si Costa Brava, Costa Azur ose bregdetin amalfitan… janë destinacionet e para që vijnë në mendje për disa pushime verore të paharrueshme në vijën e bardhë gurore dhe ujin blu të plazheve. Është koha për të shtuar në këtë listë edhe një vend të ri: Rivierën Shqiptare.
Plazhet më të mira të Rivierës Shqiptare
Shqipëria më në fund ka hapur dyert e saj për turistët dhe pushuesit dhe nuk ka nevojë për shumë argumente, thjesht shikoni fotot. Plazhet i ngjajnë parajsës në tokë (dhe disa janë pothuajse të braktisura). Surpriza arkeologjike dhe të gjitha me ndjenjën e zbulimit të një prej sekreteve të mirëfshehura në anën tjetër të Mesdheut.
Një breg i mbushur me surpriza
Riviera nuk ka kufij të përcaktuar, por nëse doni të vendosni një portë, ndoshta do të jetë në Vlorë, 150 kilometra në jug të kryeqytetit shqiptar, Tirana. Këtu është vendi ku Adriatiku takon Jonin, në një takim detar që ju fton të bashkoheni që nga momenti i parë. Vlora vjen me një ngarkesë të madhe historike: Aty u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Që atëherë, ajo është rritur për t’u bërë një qendër për aktivitetin e rëndësishëm të portit, gjithashtu dhe një nga plazhet kryesorë të Rivierës fantastike .
Plazhi më i ri në dispozicion mund të jetë zgjedhja e ardhshme nëse nuk doni ta ndani veten në shumë bare të këtij plazhi. Uji i Ftohtë, vetëm dy kilometra larg, është një shtrirje e plazheve më pak të frekuentuar, por me një nivel të aktivitetit për t’u pasur zili.
Nëse dëshironi një ofertë të mirë për kohën e lirë, Vlora duhet të jetë zgjedhja juaj.
Pas bregdetit në jug, ndalesa tjetër është qyteti i qetë i Himarës, i ndarë midis vendpushimeve moderne dhe tavernave tradicionale greke. Pak me larg nga Himara është Llamani, një plazh i bukur, i rrethuar nga dy kodra, shumë popullor për turizmin vendas.
Po kërkoni një eksperiencë më të relaksuar? Shkoni në Qeparo, një fshat piktoresk i kapur pas dy shkëmbinjve dhe me pamje nga skena e Mesdheut, pikërisht ajo që keni në mendjen tuaj: portin e artë, detin bruz dhe qiellin e përjetshëm.
Mbërritja në Sarandë, qendra strategjike e Rivierës dhe një destinacion që po fiton popullaritet në Ballkan. Saranda, përkundër popullsisë modeste të saj, po përjeton një periudhë rritjeje të lartë, e cila dallon dukshëm nga “bumi” i ndërtesave në të gjitha kodrat përreth qytetit bregdetar. Por, për momentin (dhe fatmirësisht), Saranda mbetet një opsion i këndshëm si një bazë për të eksploruar plazhet aty pranë, kur ju i keni parë tashmë ata që janë në rrugë.
Oazet e Ksamilit
Midis tyre, Ksamili merr trofeun më të mirë, jo vetëm në zonë, por ndoshta në të gjithë Rivierën. Ky arkipelag i vogël, 20 milje në jug të Sarandës, ka tre plazhe të vogla gurore që pothuajse mund të bashkohen me njeri-tjetrin. Ksamili është shumë afër qytetit të lashtë të Butrintit, sot një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Me një park kombëtar, Butrinti tregon shenja të vendbanimeve të lashta romake dhe greke që kanë jetuar aty, në një përzierje interesante që do t’ju marrë një gjysmë dite, për t’ju nxjerrë kështu nga peshqiri i plazhit.
Ejani dhe zbuloni parajsën e re mesdhetare. Apo keni nevojë për më shumë arsye?”, përfundon Traveler.es./ /ash/ KultPlus.com
Programi televiziv “Dua të të bëj të lumtur” mbrëmjen e të shtunës na riktheu në vitet e luftës së përgjakshme të Kosovës, duke na rikujtuar plagët e lëna pas prej saj.
Në program u trajtua historia e dhimbshme e një prej
shumë familjeve, që u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të vendosen në
Shqipëri.
Familja Bytyçi rrëfeu në studio rrugëtimin e gjatë dhe
tepër të vështirë, që kishin kaluar gjatë largimit nga Kosova.
Xhemal dhe Ajshe Bytyçi ishin mikpritur nga familja
Axhami në Kukës, e pas një periudhe të gjatë kishin vendosur që të
shpërnguleshin në Tiranë, te familja Hyseni.
Kur lufta sapo kishte mbaruar, familja Bytyçi ishte
nisur për në Kosovë menjëherë, edhe pse vendi nuk ishte pastruar nga minat.
Xhemal dhe Ajshe Bytyçi kishin zgjedhur programin “Dua
të të bëj të lumtur” për të falënderuar dhe për t’iu shprehur mirënjohjen dy
familjeve që i kishin strehuar gjatë periudhës së vështirë të luftës.
“Publik i dashur, ky është Agim Hyseni, vëlla dhe
shkuar vëllait. Ju falënderoj shumë për përkrahjen dhe pritjen që keni bërë për
ne, në ato dy muaj që kemi qëndruar bashkë! Ju falënderoj juve dhe të gjithë
shqiptarëve, që na ndihmuat dhe hapët dyert e shtëpive tuaja për ne”.
Nga ana tjetër, familja Hyseni tregoi momente nga jetesa me familjen Bytyçi dhe shtoi se nuk kishin bërë gjë tjetër përveç detyrës së tyre si shqiptarë./tch/ KultPlus.com
Për herë të parë, starton Festivali Botëror i Teatrit të Kukullave në Tiranë. Kryeqyteti ka hapur dyert për të mikpritur 12 trupa teatrore nga e gjithë bota nga data 3-9 maj 2019, ku fëmijët do të shijojnë magjinë e kukullave.
Në hapjen e këtij festivali, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se për herë të parë në këto katër vite fokusi është vendosur tek fëmijët ku janë ndërtuar kënde lojërash, çerdhe, kopshte etj.
“Unë kam 4 vite që punoj si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe e kam bërë me shumë dashuri, por ndoshta nuk i kemi bërë të gjitha gjërat, por një gjë për të cilën nuk bëhem pishman kurrë është që për herë të parë i kemi kushtuar kaq shumë vëmendje fëmijëve, kur vjen puna tek këndet e lojërave, kopshtet, çerdhet.”-tha Veliaj.
Ndërkaq, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nderoi me titullin “Mirënjohja e qytetit të Tiranës”, aktoren veterane të “Teatrit të Kukullave”, Shegushe Bebeti, për veprimtarinë dhe krijimtarinë e saj shumëvjeçare pranë këtij institucioni. duke argëtuar dhe edukuar të vegjlit e kryeqytetit.
“Ne e kemi shumë të mirë këtë që jemi një popull mikpritës, edhe që të gjithë atyre që na vijnë, që janë presidentë, që janë kryeministra, u japim medalje dhe vlerësime. Po ne shqiptarët ndonjëherë duhet të mësojmë të vlerësojmë edhe njëri – tjetrin. Një nga njerëzit që unë doja ta vlerësojë është Shegushe Bebeti. Për breza të tërë qytetarësh, artdashës të teatrit, aktorja ka ndikuar në zbavitje, në argëtim, por edhe në edukimin qytetar të tyre, duke u bërë në të njëjtën kohë personazhi, por edhe aktorja e tyre e preferuar. Ndaj Bashkia e Tiranës në shenjë nderimi për veprimtarinë shumëvjeçare të aktores sonë të mrekullueshme, i jep titullin më se të merituar “Mirënjohja e qytetit të Tiranës”-tha ajo. / BalkanWeb / KultPlus.com