Përhapja e fizkulturës në Shqipëri nga Kryqi i Kuq Amerikan

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Qershor 2019

“Le Miroir” ka botuar, të dielën e 30 majit 1920, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me përhapjen e fizkulturës në Shqipëri nga Kryqi i Kuq Amerikan.

Në fotografinë lart, Zonja Mosley Williams, nga Londra,është duke dhënë mësimin e saj të përditshëm të mëngjesit në Tiranë (American Red Cross official Photograph.)

Poshtë: Mbi dyqind fëmijë shqiptarë kryejnë lëvizje ritmike çdo mëngjes (American Red Cross official Photograph.) Vijon shënimi i plotë nga “Le Mirroir”.

Përhapja e fizkulturës në Shqipëri

Influenca e fizkulturës mbi organizatat e “dobëta” i ka dhënë përfundimisht provat e saj. Në kohën e sotme, lëvizjet ritmike janë demokratizuar në Evropën Perëndimore dhe në Amerikë.

Është kureshtare të theksohet se kjo gjimnastikë e shëndetshme është shfaqur në Lindje. Këto fotografi të shkrepura në Tiranë, në Shqipëri, tregojnë fëmijët e këtij vendi duke marrë mësimin e tyre në mëngjes me një vajzë të re angleze të Kryqit të Kuq Amerikan.

Shumë prej tyre gëzojnë një shëndet të mirë falë këtij riedukimi fizik.

* Burimi i informacionit: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/le-miroir-1920-perhapja-e-fizkultures-ne-shqiperi-nga-kryqi-i-kuq-amerikan-foto-ekskluzive/

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore mbështet pjesëmarrjen e studentëve të UP-së në projekte vullnetare të European Heritage Volunteers

Sot, me datë 06.06.2019 Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, organizoj sesion informues, për mundësinë e pjesëmarrjes së studentëve në trajnime dhe projekte vullnetare për trashëgimi kulturore, të organizuara nga European Heritage Volunteers.

Në këtë sesion informues pjesëmarrës ishin profesor dhe student nga Fakultetit i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Departamenti Arkitekturë dhe Fakultetit Filozofik, Departamenti Antropologji Kulturore dhe Arkeologji, si dhe Departamenti i Historisë.


Takimi i sotëm është produkt i një bashkëpunim në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, tha prof.Florina Jerliu. Ideja e këtij bashkëpunimi është të involvojmë studentët , profesionistët e rinjë në projektet të cilat do e zhvillojnë kuadrin e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ndër të tjera prof. Jerliu falënderoj KKTK për mundësinë që iu është dhënë studentëve të marrin pjesë në projektet e EHV. 

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore përmes memorandum bashkëpunimit që ka me European Heritage Volunteers dhe Universitetin e Prishtinës u mundëson studentëve pjesëmarrjen në projekte të ndryshme vullnetare në trashëgimi kulturore. “Jemi të lumtur që kemi arritë të kemi marrveshje me EHV e cila realizon mbi 50 projekte vullnetare brenda vitit në tërë Evropën dhe është koordinatore e projekteve vullnetare në trashëgimi kulturore në kuadër të UNESCO-së.

KKTK përkrah studentët, si promotor kryesor në menaxhimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës përmes mbulimit të shpenzimeve të pjesëmarrjes dhe udhëtimit”, theksoj Udhëheqësi Ekzekutiv i KKTK z.Isuf Koci. 
Drejtori Ekzekutiv i European Heritage Volunteers z. Bert Ludwig, prezentoi projektet e realizuara deri më sot si dhe ato të cilat do të realizohen për vitin 2019, duke përfshirë këtu dhe projektet të cilat do të përkrah KKTK. Studentët u njoftuan rreth mënyrës së aplikmit në projektet e EHV.

Pensionisti shpallet lexues i dalluar në Prishtinë

Në komunën e Prishtinës është mbajtur edicioni i pestë i festivalit “Prishtina Lexon”. Në kuadër të këtij festivali, në përmbyllje të aktiviteteve, janë shpallur tre lexuesit e dalluar në këtë komunë.

Nga organizata ETEA kanë njoftuar se për këtë titull janë vlerësuar të gjitha grupmoshat, dhe një nga lexuesit e dalluar është shpallur pensionisti Hazir Mehmeti.

Po ashtu, nxënësja Era Dragusha dhe studenti Flamur Foniqi, janë nderuar me këtë titull.

Lexuesve të dalluar u ndanë mirënjohje kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti dhe Fatime Mehmetaj nga biblioteka “Hivzi Sulejmani”. Atyre po ashtu u dhuruan libra Iliriana Hasaj nga Libraria “Dukagjini”, Bukurije Demolli nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe përfaqësues nga Aleanca Franceze, përcjell albinfo.ch.

“Prishtina Lexon”, një ngjarje tradicionale tashmë në Prishtinë, përgjatë datave 1-5 qershor, solli aktivitete për të gjitha grupmoshat në kryeqytet. Aktivitetet ishin të ndryshme, por me një qëllim të njejtë: vetëdijësimin për rëndësinë e librit dhe kultivimin e shprehisë së leximit.

Nuk mbyllem dot

Poezi nga Fatos Arapi

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë./KultPlus.com

Një fragment i bukur i shkëputur nga “Doktor Gjilpëra”, Faik Konica

“Zoti doktor,- tha polici,- duhet, e para e punës, të kuptoni mirë dy gjëra për të bërë punë në Shqipëri: E para është që këtu hiçnjeri s’merr ryshfete. “Atë e kuptova”, – tha doktori. – E dyta gjë,- vazhdoi polici, -është që këtu të gjithë duan dhurata.

Dhe dhurata me ryshfetin kanë një ndryshim, – tha doktori. -Shumë ndryshim,- vazhdoi polici.

– Tani, zoti doktor, në një vend ku asnjeri s’bën kabull të marrë ryshfete, po të gjithë presin dhurata, si i bëhet halli atij që ka hall? T’u japësh të gjithëve është e pamundur, të mos i japësh hiçnjeriu është marrëzi, se ahere jo vetëm s’mbaron dot punën tënde po të vënë dhe pengime.

Fjala vjen, të ndalojnë të gjesh shtëpi; ka shumë shtëpi të zbrazura në Tiranë, po s’t’i japin. Ti, axhami, s’merr vesh pse: Para ke, njeri i mirë je, po s’ta vënë veshin. Të kënda të gjesh gjëra taze për të ngrënë, nuk t’i shesin, ose që të flasim më’ drejtë, nuk të lënë të të afrohen njerëzit që i kanë për të shitur.

Hajde të thomi se u vendose,- s’të lënë të punosh. Ke ilaçe? Dale t’i tretim që të shohim a janë të paqme. Ke vegla dhe makina? Dale t’i zbërthejmë që të shohim se mos janë të dëmshme për Shtetin. Ke libra dhe dorëshkrime? Dale të ia japim një komisioni që t’i këndojë.

Komisionet përbëhen nga njerëz që s’i dinë të gjitha shkronjat; librat e tu s’i ke për të parë më me sy. Në qoftë, fjala vjen mjek-siç është shkalla juaj, zoti doktor-nuk të njohin dipllomën. Puna pra, siç thashë edhe më parë, qëndron kështu; S’dhe hiç, e ke punën të humbur; t’u japësh të gjithëve është e pamundur.

Ilaçi është: t’u japësh cave. Cave,-po cilëve? Këtu, zoti doktor, duhet të ju thom një gjë me rëndësi. Shqipëria në këto të dhjetë vjetët e fundit, shyqyr zotit, ka mësuar shumë nga fqinjët, veçan nga Italia. Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorrën, hiçgjë tjetër.

Për makaronat s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorrën e kemi marrë’ dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë.

Tani, zoti doktor, çfaredo hall, nevojë që të kini, e vetmja mënyrë e shpejtme, e sigurt, e lirë, që të bëhet dëshira juaj, është të jini nën mbrojtjen e kamorrës së madhe, ku s’ka as vjedhje, as shpërdorime, por çdo gjë është e parashikuar dhe e rregulluar me një tarifë të ndershme…”

– Faik Konica, “Doktor Gjilpëra”

“Chernobyl”, seriali më i mirë i të gjitha kohërave (VIDEO)

Në 01:23 më 26 prill 1986 reaktori numër katër në uzinën e Çernobilit, pranë Pripyat – shpërtheu.

Konsiderohet të jetë fatkeqësia bërthamore me e madhe në histori, dy persona vdiqën në shpërthimin e parë me avull, por vdekjet më pas janë shkaktuar nga helmimi me rrezatim, transmeton Klan Kosova.

Në vitin 2005 Raporti i përgatitur nga Forumi Çernobilit, të udhëhequr nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë tregon se 56 të vdekje të lidhura drejtpërdrejt me helmimin, 47 punëtorë dhe nëntë fëmijë.

Më pas thuhet të ketë pasur mbi 4 mijë vdekjeve nga kanceri në mesin e rreth 600 mijë njerëzve të ekspozuar.

Shpërthimi që rezultoi me avull në uzinën nxori aq shumë rrezatim saqë pjesa më e madhe e zonës përreth do të jetë e pabanueshme për 20 mijë vjet – atë kohë 336 mijë njerëz ishin shpërngulur.

Izotope të dëmshme u përhapën nga erërat deri në Irlandë brenda vetëm një jave.

Këto ngjarje, si dhe intrigat politike të veprimeve të qeverisë sovjetike, janë subjekt i serisë së dramës historike të HBO-së, “Chernobyl”, transmeton Klan Kosova.

Seria është ranguar nga kritikët si më e mira e të gjitha kohërave. Komentet erdhën menjëherë pas episodit të fundit i cili u transmetuar në Amerikë më 3 qershor.

“Chernobyl” ka lënë pas edhe seritë historike si “Breaking Bad”, “American Crime Story” dhe “The Crown”.

‘Meeting of Styles’ – Festivali i vetëm urban që sjell 180 artistë të huaj në Kosovë

Pas suksesit të muraleve dhe grafitit në rrugën B, kryeqyteti ynë sërish do të bëhet epiqendër e artit urban në Ballkan.

Festivali tashmë me renome botërore `Meeting of Styles Kosovo’ do të sjell një numër rekord artistësh ndërkombëtarë dhe vendorë këtë verë, ku përveç grafiteve në 2019 do të ekspozohen punime artistike, ushqim, si dhe line-up vibrant i hip-hop-ut.

Pas 428 aplikimeve të artistëve nga 45 shtete të botës, rreth 180 artistë ndërkombëtarë dhe vendor do të prezantojnë punën e tyre në “Meeting of Styles Kosovo” këtë korrik. Kjo vetëm se tregon që ky festival ka tejkaluar publikun Kosovar dhe ka arritur komunitetin global të artistëve urban (nga vende si Brazili, Amerika, e Australia) që tashmë dëshirojnë të lënë gjurmën e artit të tyre edhe në kryeqytetin e Kosovës.

MOS Festivali në edicionin e 2019-tës ka zgjedhur nënkalimin e hekurudhës tek rrethi i Arbërisë (Dragodanit) dhe muret anësore në afërsi të stacionit të trenit, si një mundësi perfekte për të jetësuar këtë hapësirë. Kështu kjo hapësirë do të shndërohet në park të grafiteve.

Festivali do të zgjatë nga 26 – 28 korrik, ku gjatë këtyre 3 ditëve vizitorët do të kenë mundësi të shohin artistë botëror të grafititit duke punuar punimet e tyre, të përjetojnë muzikë të përzgjedhur të hip-hopit, të shijojnë ushqim dhe pije vendore, si dhe të blejnë produkte të artit në panair.

Meeting of Styles Kosovo është festivali i vetëm në Kosovë me një përfshirje kaq të gjerë internacionale, me artist nga të gjitha anët e botës si Britainë e Madhe, Suedinë, Rusinë, Italinë, etj.

Çka vlen të veçohet në këtë edicion është prezenca e artistëve si Fio Silva, e cila me punimet shumëngjyrëshe ka zbukuruar qytete si Berlini, Londra dhe New Yorku. Gjithashtu, kanadezi me prejardhje shqiptare Rei Misiri, me një talent të veçantë në kaligrafi, sapo ka konfirmuar ardhjen e tij. Misiri është vetëm njëri ndër emrat e shqiptarëve me renome botërore në grafiti, që do të kthehet në `shtëpi` përmes Meeting of Styles.

Nga muzika, pas përzgjedhjes së 80 artistëve, do të përformojnë më shumë se 20 artistë të hip-hoput nga vende si Greqia, Gjermania, Hungaria, Bulgaria dhe Finlanda. Por nuk do të mungojnë edhe artistët më të mirë të skenës së fortë të hip-hoput kosovar, përfshirë BimBimën e mysafir të tjerë special.

Festivali këtë vit do të mbahet prej 26 deri 28 korrik 2019 tek nën-kalimi i hekurudhës së rrethit të Arbërisë (Dragodanit). MOS do të jetë qendra e graffitit, hip-hopit, muralit, skate-boardistëve, dhe artit urban të Kosovës këtë verë.

“Lexo mirë dhe shkruaj gjithmonë” – Jack London

Këshilla, truke, shembuj, anekdota … Gjithçka argëtuese, dhe në mënyrën e vet, gjithçka  e padobishme. Të shkruarit është diçka kaq absolutisht individuale, saqë nuk mund t’ua përplasësh në fytyrë të gjithëve. Por të lexosh se si shkruhet, është gjithmonë interesante. Sidomos në qoftë se ata që tregojnë, janë shkrimtarë me të vërtetë “të mëdhenj”.

Si Jack Londoni – rrëfimtari epik i tregimeve epike, ndër të tjera, autodidakt:: ai mësoi të lexojë e të shkruajë vetë kur ishte rreth pesë vjeç – nga i cili, një shekull pas vdekjes së tij, është botuar një koleksion i artikujve, letrave dhe komenteve (ka gjithashtu një replikë ndaj një akuze për plagjiaturë …), me titullin “Forca e letërsisë”.

Eshtë një libër shumë i bukur. Dhe jo për shkak se ai mëson si të shkruash. Por sepse mëson shumë për vullnetin e fortë që nevojitet për t’u bërë shkrimtar. Duhet që ta duash këtë gjë, kundër të gjithëve dhe kundër çdo gjëje, madje edhe kundër vetvetes ndonjëherë. Nuk është çudi, në mesin e shumë këshillave që Jack Londoni ndjen të japë (ai që njohu shumë refuzime e dështime), është puna. Vetë të shkruarit. “Gjithmonë mbani një fletore me vete. Merreni me vete kur udhëtoni, kur hani ose flini. Hidhni në të çdo mendim që fluturon në mendjen tuaj. Letra e mirë prishet më pak se sa materia gri dhe shenjat e lapsit tuaj zgjasin më shumë se sa kujtesa. Dhe në fund, punoni. Shkruajeni me gërma të mëdha: PUNE, PUNE, gjithë kohës”, thotë ai në artikullin “Si të të botojnë”, që doli në “The Editor” në vitin 1903, vit në të cilin do të botohej edhe libri “Thirrja e pyllit”.

Për pjesën tjetër, Londoni shpjegon se sa i rëndësishëm është për një shkrimtar origjinaliteti, i cili rrjedh nga një filozofi personale mbi jetën, “një kut me të cilin të matësh të gjitha gjërat e njohura”.

Dhe pastaj copëzat e urtësisë. Si: Mëso se si të përzgjedhësh ato që lexon (nuk duhet të lexosh, por duhet të LEXOSH MIRE); së pari mëso të lexosh, e pastaj të shkruash; “Humori është gjëja më e vështirë për të shkruar”, (por është më e lehta për të shitur); “Përqëndroni forcat tuaja në një tregim, në vend se t’i shpërndani ato në një duzinë.” Dhe pastaj – rregulli më i rëndësishëm – “kontrolloni që poret tuaja janë të hapura dhe që tretja juaj është e mirë”. Që si këshillë nuk vlen aspak. Por është një frazë e shkruajtur vërtetë mirë./KultPlus.com

Ushtarja kanadeze rikthehet në Kosovë, takohet më fëmijët për të cilët ishte kujdesur para 20 viteve

U bë e njohur në mbarë Kosovën kur para një viti, pas 20 vitesh, kishte nisur kërkimin e fëmijëve për të cilët ishte kujdesur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sot, 20 vite pas luftës, ish-ushtarja kanadeze, Sophie Boisvert Levesque u rikthye në Kosovë, ku u prit si heroinë nga fëmijët kosovarë që kishte lënë pas fizikisht, ndonëse nuk ishte larguar asnjëherë shpirtërisht prej tyre. E këta fëmijë, sot janë të rritur, por nuk e kanë harruar asnjëherë se si Sophie është kujdesur për ta.

Sophie Boisvert Levesque ishte ushtare kanadeze që shërbeu në Kosovë gjatë luftës së fundit, megjithatë, për të Kosova u bë shumë më tepër se një zonë lufte, kurse kosovarët ishin shumë më tepër se refugjatë e të përndjekur.

Hana Zeqa prezanton projektin ‘Organic Extimorph’

Kostumografja Hana Zeqa e ka prezantuar dje videon që përmbanë projektin e saj të radhës.

Bëhet fjalë për “Organic Extimorph”, ku Hana ka miksuar lëvizjet e saj që rrjedhin prej përdorimit të teknologjisë, të cilat shërbejnë si sinjal i jashtëm i një procesi organik të brendshëm.

Siç përshkruhet në video, duke përdorur sensorët e motorit e Bluetooth, lëvizjet do të stimulohen në pjesën e krahëve, shpinës, gjoksit, në pjesën ku stresi është më shumë i stimuluar.

Kreacionet e Zeqës në këtë projekt janë mbështetur në pjesën e trupit ku ne e ndjejmë më shumë ankthin dhe stresin, në gjoks.

“Në kontekstin performues, veshja në fjalë shihet si një barrë që hipotetikisht paraqitet si ndjenjë negative e cila po e përthekon trupin. Është një energji imagjinative në të cilën njerëzit ndihen të ngujuar gjatë stresit e ankthit, ku lidhja mes aftësisë mendore dhe fizike humb” shkruhet në përshkrimin e videos.

Zeqa është kthyer nga Anglia ku ka studiuar për kreacione. / KultPlus.com

“Vetëm një fjalë dhe ndalet loti, vetëm një fjalë dhe jeta rifillon”

Të gjtiha këngët e saj janë të veçanta.

Është problem të zgjedhësh në mesin e këngëve të Elsa Lilës, por për ata që dëshirojnë të dëgjojnë muzikë shqipe të përjetuar, duhet dëgjuar “Vetëm një fjalë” nga Elsa.

Kënga “Vetëm një fjalë” u këndua nga Elsa në një prej edicioneve të Festivalit Kënga Magjike, dhe sot ende dëgjohet, me tekst dhe melodi të mishëruar mrekullueshëm.

Elsa do të vazhdonte edhe me këngë të tjera por kjo ndoshta konsiderohet si himni i karrierës së Elsa Lilës. / KultPlus.com

“55 ditë”- ditari që shfaq fotografi nga lufta në Kosovë

Lufta përmes ditarit të Mirela Oktrova

Gazetarja dhe studiuesja, Mirela Oktrova do ta prezanton nesër ditarin e saj dokumental mbajtur 20 vjet më parë në ditët e qëndrimit të saj në zonën e krizës gjatë Luftës së Kosovës.

Promovimi do të bëhet në Sheshin 21 në RTV 21.

“Të nderuar kolegë! MultiMediaStudio NOSITI në bashkēpunim me shtëpinë botuese Onufri dhe RTV21, ju ftojnë në ceremoninë e promovimit të librit “55 ditë” – një ditar dokumental dhe fotografik i gazetares dhe studiueses, Mirela Oktrova, mbajtur 20 vjet më parë në ditët e qëndrimit të saj në zonën e krizës gjatë Luftës së Kosovës.

Promovimi do të shoqërohet edhe me ekspozimin e disa prej fotove të kohës të publikuara në libër.

Ditën e premte, dt. 7.06, ora 13.00, Sheshi 21(RTV 21) në Prishtinë. Lutemi të jeni të pranishëm dhe të informoni në mediat tuaja! Prania juaj na nderon!”, thuhet në njoftim. Oktrova është shprehur se lufta për të mbetet sfida më e madhe.

Librin mund ta blini në Stendën ONUFRI, në Panairin e Librit Prishtina 2019.




“Arkivit të Kosovës do t’ia dhurojë 133 punime të figurave shqiptare”

Profesori dhe hulumtuesi i 20 arkivave europiane, Eqrem Zenelaj, ka bërë të ditur se do t’ia dhurojë Arkivit Shtetëror, 133 gravura të figurave të ndryshme kombëtare.

Ai këto informacione i dha në Sytë 7 të Klan Kosovës, duke shtuar se vlera e punimeve që do të dhurohen është madhështore sepse nëpërmjet tyre do të shpaloset historia dhe kultura shqiptare.

“Në Austri kam shkuar në vitin 1995 me një mision për të hulumtuar nëpër arkivat e Europës. Qasja nëpër këto arkiva ka qenë e vështirë dhe me vetëfinancim. Disa nga arkivat më të rëndësishme që i kam hulumtuar janë: arkivi i monarkisë i Austro-Hungarisë, Venedikut, Londrës, Romës, Stambollit dhe të tjera”.

“Sa u përket shqiptarëve, vetëm arkivi i Vjenës ka material sa pesë biblioteka se ajo e Tiranës. Çdokush që është i interesuar mund të hulumtojë nëpër këto arkiva. Natyrisht se duhet pasur njohuri rreth historisë, duhet pasur një nivel akademik të përfunduar dhe duhet të kryhet pagesa. Mirëpo tani çdo gjë është më e lehtë sepse dikur një fotografi kushtonte rreth 50 euro. Ndërsa tani me avancimin e teknologjisë, një fotografi kushton vetëm 50 cent”.

“Me rastin e 2 korrikut, unë kam vendosur që ta organizojmë një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Arkivi shtetëror do behët me një ekspozitë madhështore. Sot kemi ndërmend që Arkivit Shtetëror t’ia dhurojmë 133 punime të gravuara të figurave të ndryshme kombëtare. Ndër to është gravura e Skënderbeut, Gjergj Dhimitri, Papati, Gjika, Karl Gega i cili është personi i parë që i ka projektuar hekurudhat në Austri. Është dinastia e Mehmet Aliut në Egjipt, dinastia e Ali Pashë Tepelenës, Aleksandër Mojsiut dhe figurave të tjera madhore kombëtare”.

Zenelaj ka thënë se vlera e punimeve që do t’i dhurohen arkivit është madhështore sepse nëpërmjet tyre do të shpaloset historia dhe kultura shqiptare.  Sipas tij, në të kaluarën shqiptarët më shumë kemi punuar për të huajt sesa për veten e tyre dhe tani me këto figura mburret e tërë Europa.

“Për të hulumtuar nëpër arkiva nevojitet vullneti, por duhet pak me qenë edhe historian. Unë jam adhurues i punës në ekipe. Nëse ne bashkëpunojmë për të zbuluar historinë dhe kulturën tonë, atëherë gjithçka do të jetë më e lehtë. Mirëpo këto punë duhet të kryhen edhe me iniciativë shtetërore dhe jo vetëm individuale”.

“Së shpejti e kam ndërmend që ta publikojë librin “Historia e së drejtës shqiptare”. Pastaj kam për ta botuar librin “Lufta e Trojës”. Është interesant sepse këtu nuk fokusohemi vetëm tek vepra e Homerit; “Lufta e Trojës” është një luftë që trajtohet në kontekstin historik. Në luftën e tretë ushtarët kanë qenë shqiptarë me plisa të bardhë”.

Java e Arkivave të Hapura tërheq vizitorë të shumtë

“Java e Arkivave të Hapura” po tërheq çdo ditë vizitorë të shumtë në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Studentë të shumtë dhe nxënës gjatë këtyre ditëve kanë parë nga afër disa nga proceset e punëve në DPA si dhe disa nga dokumentet më me vlerë që ruhen në këtë ambient.

Gjithashtu gjatë vizitës së tyre ata provuan se si është të restaurosh një dokument të vjetër dhe po ashtu vizituan edhe vendin e ruajtjes së materialeve arkivore.

“Java e Arkivave të Hapura” iu mundëson vizitorëve të shohin nga afër Kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikët e Beratit, që përbëjnë trashëgiminë kulturore kombëtare.

Vizitorët do kenë mundësi t’i shohin këto materiale deri më 7 qershor 2019 në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. /atsh / KultPlus.com

Bjeshkët e Namuna, gjenezë e turizmit në Alpet Shqiptare

Programi i ri për zhvillimin e turizmit në një nga zonat më të bukura të Alpeve shqiptare, Bjeshkët e Namuna, do të sjellë rritje të numrit të turistëve, si dhe mirëqenien e komuniteteve lokale që jetojnë në zonat malore.

Kështu theksoi sot ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, në aktivitetin ku u prezantua ku ky program me bazë trashëgiminë e pasur kulturore.

“Ne kemi filluar bisedimet me qeverinë e Kosovës dhe të Malit të Zi për të pasur mundësinë që ta kemi këtë zonë si park kombëtar të përbashkët. Ky park mund të jetë gjenezë e një turizmi të vërtetë për zonën e Alpeve mund të jetë një industri e re që nuk njeh kufi, që na bashkon interesat e tre institucioneve tona politikbërëse të turizmit në një pikë të vetme si ta promovojmë e ta bëjmë të aksesueshme për sa më shumë turistë”-, theksoi Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se kjo është tashmë një dëshirë e shprehur nga institucionet politikbërëse. “Ne së bashku me qeverinë e Kosovës kemi përcaktuar shpalljen e parkut natyror në të dy anët e bjeshkëve si park i mbrojtur natyror për të pasur një zhvillim më të kontrolluar brenda asaj zone”, tha ai.

“Me qeveritë e Malit të Zi kemi të njëjtat dakordësi sa i përket paraqitjes së një produkti të përbashkët, por ajo që na duhet është që ne të vendosim rregulla më të qenësishme për të mos prishur bukurinë dhe stabilitetin turistik të asaj zone”-, u shpreh Klosi.

Ai tha se “i kemi të gjitha mundësitë që numri i turistëve që vizitojnë atë zonë të shtohet me shumicë, ndërtimi i aeroportit të Kukësit do ta afrojë zonën edhe me më shumë turistë. Nga të tre anët ka mundësi lidhjeje me to, kemi të gjitha mundësitë të kemi një produkt që të ofrojë shumë biznese”./ atsh / KultPlus.com

Rexhep Qosja promovon vëllimin e tetë të ditarit “Dëshmitar në kohë historike”

Në ambientet e Institutit Albanologjik, akademik Rexhep Qosja promovoi vëllimin e tetë të ditarit “Dëshmitar në kohë historike”, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” me të cilën ka bashkëpunim të gjatë, shkruan KultPlus.

Irena Toçi nga botimet “Toena”, hapi ngjarjen duke treguar për bashkëpunimin më se 20-vjeçar me Qosjen.

“Jemi krenar që ai është pjesë e kolanës së botimeve të Shtëpisë sonë botuese. Është një nga emrat më përfaqësues të historiografisë e letërsisë, shkrimtar mjaft i njohur, politikan, eseist, publicist, politikan e mbi të gjitha studiues i letërsisë. Ky ditar që sot prezantojmë është projekt shumë i madh. Deri më tani janë botuar tetë vëllime të këtij ditari, që është dëshmi historike”, tha ajo në fjalën hyrëse.

Vëllimi i tetë i “Dëshmitar në kohë historike” përfshinë vitet 1999-2001, që janë vitet e protektoratit dhe dalja e Kosovës nga lufta. Shtëpia Botuese “Toena”, ditarët e Qosjes që ai i mban që nga viti i largët 1966, i konsideron si projekte shumë të rëndësishme të veprimtarisë botuese.

Gjatë promovimit të këtij libri, ishin pjesëmarrës figura të rëndësishme të jetës kulturoro-politike shqiptare si Ambasadori i Shqipërisë për Kosovën Qemal Minxhozi, politikania shqiptare Valentina Leskaj e shkrimtari Fatos Kongoli.

Historiani dhe politikani shqiptar Paskal Milo, që ishte pjesëmarrës në panel, tha se ndihet i nderuar për mundësinë që të flas për profesor Qosjen.

“Nuk flas me imponim. As që të kryej ndonjë detyrë, por e ndjej atë që kam thënë dhe që e them sot. Kam emocione sepse kam qenë dëshmitar i atyre ngjarjeve që profesori përshkruan në këtë vëllim. Kam qenë dëshmitar aktiv kur fatet tona u kryqëzuan, në mënyrë të pazgjidhshme dhe ku kontributet tona të përbashkëta sollën veprën historike të papërsëritshme, lirinë e Kosovës dhe Pavarësinë e saj”, tha ai mes tjerash, derisa potencoi se shqiptarët kanë me se të krenohen. Për librin e ri të Qosjes, Milo u shpreh: “Padyshim që libri është dëshmi e pashlyeshme e historisë jo vetëm të Kosovës, por fare mirë mund ta quajmë dëshmi edhe për Shqipërinë”.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës Hysen Matoshi, bëri një rezyme për ditarët, ku përmendi ditarin e famshëm të Ana Frangut, derisa për vëllimin e tetë të profesor Qosjes pati fjalë të mira.

“Vëllimi i tetë i kësaj kolane kronologjike e ofron këtë qasje, kalimin e Kosovës nga një vend i robëruar, në një shtet. Vëllimi i ngjan një jetëshkrimi, ku bëhet dallimi i Qosjes si mendimtar dhe Qosjes si besimtar në institucione. Përsiatja racionale akademike, pragmatizmi politik funksionalizohet me një kontekst të vështirë qeverisjeje në të cilin shfaqen dilemat e tij të mëdha”, potencoi Matoshi, kurse shkrimtari dhe profesori i njohur Agim Vinca po ashtu pati fjalë të mira për Qosjen, të cilin e konsideroi figurë të rëndësishme për kulturën shqipe.

“Në letërsinë dhe kulturën shqiptare, për herë të parë në mos edhe të fundit lexuesi shqiptar ka një vepër në formë ditari me tetë vëllime, me mijëra faqe tekst. Po që se i marrim parasysh edhe veprat “Paqja e përgjakshme” kushtuar Konferencës së Rambujesë dhe “Tronditja e shekullit” për 78 ditët e bombardimeve, të shkruara në formë ditari, atëherë janë gjithsej 12 vëllime të veprës së gjerë të Akademik Rexhep Qosjes në formë ditari”, u shpreh Vinca.

Akademik Qosja, pranoi edhe dhurata. Shkrimtari Mexhid Mehmeti, i cili tha se e ka adhuruar Qosjen qysh prej viteve 60, gjatë këtij promovimi shfrytëzoi rastin t’ia dhurojë disa libra të tij dhe një portret të Qosjes, i cili në fund i falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen.

“Dua t’ju falënderoi të gjithëve sepse më keni nderuar me ardhjen e juaj në këtë promovim. Edhe unë ju kam nderuar e ju nderoj, kur them ju i drejtohem atij të cilit i takoj unë dhe ju bashkërisht, popullit”, përfundoi Qosja.

Pas përurimit, të pranishmit patën mundësinë ta takojnë autorin, të diskutojnë me të dhe të marrin nënshkrime nga ai. / B. Meholli / KultPlus.com

Gashi kryeson mbledhjen e RYCO-s

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në mbledhjen e 9-të të Bordit Drejtues të RYCO-s. Në këtë takim morën pjesë të gjitha vendet anëtare si Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.

Gjatë këtij takimi u trajtuan një numër i madh i projekteve dhe programeve rinore, të cilat pritet të implementohen gjatë vitit 2019, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, projekte këto të cilat kanë për qëllim përmbushjen e misionit të RYCO-s, sa i përket bashkëpunim rinor rajonal.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se “takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë edhe për të rinjtë e vendeve anëtare në përgjithësi, dhe të rinjve kosovarë në veçanti, duke marrë për bazë se shumica e vendimeve për projektet rinore por edhe për strukturën e re të RYCO-s po merren në kohën kur Kosova po udhëheq me këtë organizatë rajonale rinore, e cila ka dalë nga procesi i Berlinit”.

Mbledhja e sotme është jashtëzakonisht e veçantë për procesin e vendimmarrjes sidomos pas sfidave që kemi kaluar që nga marsi i këtij viti. “Nuk ka qenë periudhë e lehtë dhe sigurisht ka kërkuar angazhim intensiv dhe kompromis për të tejkaluar ngërçin e krijuar. Ka qenë shumë sfiduese posaçërisht për mua si kryesues i Bordit të RYCO-s për vitin 2019, por njëkohësisht përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, që të gjej një zgjidhje e cila do të mundësonte vendimmarrje të plotë në RYCO. Andaj edhe dita e sotme është provë që Qeveria e Kosovës është realisht e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e RYCO-s dhe bashkëpunimin rajonal në përgjithësi”, u shpreh ministri Gashi.

Tutje Gashi tha se procesi i vendimmarrjes për strukturën organizative të re është determinues për të ardhmen e RYCO-s, andaj edhe kam insistuar që përpara çdo vendimi rreth kësaj pike të ketë një takim fizik ku ne do të diskutonim bashkë të gjitha pyetjet, shqetësimet tona në raport me të.

“Si ministër i Rinisë, por edhe si kryesues i RYCO-s do të bëj përpjekje të vazhdueshme që të rinjtë e Ballkanit Perëndimor të ndihen të barabartë dhe të rëndësishëm në projektet rinore, të cilat do të financohen nga RYCO dhe donatorët e saj”, tha Gashi. / KultPlus.com

Bijat e mija, jini egoiste të ndyra, merrni atë çfarë është e juaja!

Bijat e mija, jini egoiste të ndyra!
Merrni atë çfarë është e juaja!
Mëmësia nuk është mision.
As martesa, jo.
Ekzistenca juaj, po.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të hiqni dorë në emër të familjes.
Mos u ngrini nga tavolina nëse një burrë nuk e ka bërë përpara jush.
Ndani hapësirat e nevojshme për ato që ju pëlqejnë: kinema, teatër, pasionet tuaja.
Jini egoiste kur ju kërojnë të jeni “gjithçkaja” e tyre. Qofshin ata fëmijët, partnerët apo miqtë.
Mbani diçka për vete. Diçka sekrete. Të mbrojtur e të paarritshëm.
Jini egoiste. Mos ndani çdo gjë. Ka vende që duhet tju përkasin vetëm juve në mënyrë ekskluzive, që mund tu riktheheni kur gjërat nuk shkojnë mirë.
Jini aq egoiste sa të jeni të pavarura ekonomikisht.
Një llogari bankare vetëm tuajën, sepse të përziesh paratë me dashurinë bëhet lëmsh puna. Dhe nuk i dihet kurrë.
Jini egoiste kur tjetri ju ofendon sepse nuk jeni kthyer ende në ship apo pse darka nuk është gati. Durim. Mos e lini pa bërë atë që po bënit. Nëse jeni aty, do të thotë që ajo hapësirë meriton kohën tuaj.
Jini egoiste kur puna, karriera janë të rëndësishme dhe vijnë përpara gjithçkaje. Për burrat kështu është, e dhënë e njohur dhe e pranuar kjo. E pse nuk duhet të jetë edhe për ju?
Jini egoiste. Mos bëni dashuri nëse nuk doni. Mos u shtirni. Jni të sinqerta.
Kini etje për kënaqësinë, jinni egoiste siç është një burrë.
Mendoni për vete. Përpara se gjithash, për vete. Bijat e mija.
Për trupin tuaj. Për dëshirat tuaja. Për shpirtin tuaj.
Mbrojtja e të drejtave tuaja është një nevojë deri sa të kemi të njëjtën peshë që kanë dhe burrat që keni përkrah.
Të drejta që shkojnë përtej familjes, një fëmijë apo një dashurie.
Ato janë kaq personale dhe ju përkasin vetëm juve dhe askujt tjetër.
E pamundur ti dhunoni, rreziku është mungesa e lumturisë e kamufluar nga lumturia. Sakrifica e kamufluar në dashuri.
Jini aq egoiste të ndyra sa që të shpëtoni.
Dhe s’ka rëndësi se sa do tju kritikojnë, do tju bëjnë të ndiheni në faj, do tju thëresin tek hapësira e rolit. Mbase tek ai i gruas. Mbase tek ai i nënës.
Por ju, mos dyshoni tek vetja.
Zgjidhni gjithnjë të jeni gruaja që ju dëshironi.
Jini egoiste të ndyra.
Kjo është trashëgimia ime si nënë, për ju!

Penny/sosdonne.com / KultPlus.com

Si përfituan trajnim dhe praktikë me pagesë në Turqi, studentët nga Kosova?

Për herë të parë në Kosovë, Kolegji Universum iu mundëson studentëve të kryejnë punë praktike me pagesë në 22 shtete të BE-së dhe Turqi.

Puna praktike përfshinë një periudhë të caktuar ku studentët ndjekin trajnim profesional dhe fitojnë përvojë pune në një kompani ose organizatë që vepron në shtetet e BE-së me të cilat Kolegji Universum ka bashkëpunim. 

Muhamet Brajshori dhe Dren Sylejmani janë studentët e Kolegjit Universum të përzgjedhur për të kryer punë praktike në “Altinbas University” në Istanbul. Gjatë periudhës së praktikës, studentët fitojnë përvojë pune në kohë të plotë në fushën që ata studiojnë. 

Kohëzgjatja e praktikës do të jetë 2 muaj. Secili studentë përfiton kompenzim mujor 800 euro dhe 275 euro për kompenzim të transportit (vajtje/ardhje).

Përfito edhe ti praktike dhe mundësi punësimi në kompani evropiane përmes Kolegjit Universum. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame. Na ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.  

Promovohet vepra “Sterjo Spasse, Jeta dhe krijimtaria letrare” e Isak Shemës

Gjatë vazhdës së aktiviteteve të Panairit të 21-të të librit Prishtina 2019, sot u promovua vepra studimore e prof. Isak Shemës, me titull “Sterjo Spasse, Jeta dhe krijimtaria letrare”, shkruan KultPlus.

Vepra studimore e filluar vite me parë, mbi shkrimtarin shqiptar Sterjo Spasse, me një qasje që profesor Shema e sjell në dy pjesë, pjesa studimore letrare e profesorit dhe bibliografia e Iliden Spasses, i biri i shkrimtarit.

Nën prezencën e shkrimtarit dhe publicistit Behar Gjokës, Iliden Spasses dhe Xhabir Ismailit promovimi i këtij libri u çmua shumë, si një pasuri e letërsisë sonë për brezat e ardhshme që do ta shfrytëzojnë si një studim mbi jetën e shkrimtarit shqiptar.

Sterjo Spasse është nga ata shkrimtar që ka lexuesin e tij, shkrimtar që për shkak të adresimeve të pjesës shoqërore dhe një tematike të veçantë të brezit të pas-viteve të ’40-ta, këto tipare i zbërthen në këtë punim Isak Shema, si një vepër letrare dhe shkencore që kemi prej Sterjo Spasses, të shtrira në kohë nga studiuesi, që janë edhe artikujt e tjerë që profesori është ndalur dhe ka parë me vëmendje se çfarë ndodh mes marrëdhënies së veprës letrare dhe asaj shkencore.

Sterjo Spasse, Jeta dhe krijimtaria letrare”, studimi më i ri i prof. Isak Shemës, si një punë e madhe e profesor Shemës, u prezantua në panair duke marrë vlerësime pozitive, dhe duke e lavdëruar e çmuar punën disa vjeçare të profesorit. / V. Shabani / KultPlus.com

Nga ana jote

Nga: Sadè
Përktheu: Bujar Meholli

Mendon se do të lë anash, i dashur?
Më njeh më shumë se kaq, ti,
mendon se do të të lija, 
pasi në gjunjë të kesh rënë?
Këtë nuk do ta bëja!
Edhe nëse do që sall ti 
të më shohësh, të jap të drejtë.

Oh, kur je duke mërdhirë
pranë teje do jem,
ngrohtë të të mbaj.

Kur je jashtë, i dashur,
dhe askund s’ke ku të futesh
do të tregoj se je më i mirë
nga sa mund ta marrësh me mend.
Kur i humbur fillikat je duke baritur, 
dhe nuk mund të kthehesh përsëri,
i ëmbli im, unë pas teje do rend
do të gjej dhe do të sjell në shtëpi…

Dhe nëse do të qash, unë jam këtu
për t’i tharë lotët tu;
dhe përgjithmonë, i dashur,
rehat do të jesh…

Mendon se anash do të lë?
ti, më njeh më shumë se kaq;
a mendon se do të të lija,
pasi në gjunjë të kesh rënë?
Nuk do e bëja këtë!

Oh, kur je duke mërdhirë,
do të jem pranë teje
ngrohtë të të mbaj.
Oh, dhe kur i pafuqishëm të ndihesh,
do të jem aty
në anën tënde, i dashur.

(Sadè Adu, është këngëtare angleze me origjinë nigeriane. Fitoi shumë çmime, dhe u bë e njohur kudo nëpër botë me paraqitjet e saj. Konsiderohet si njëra nga artistet më të suksesshme britanike në histori. Zhanret në të cilat ajo performon, janë: soul, xhaz, e pop). / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=xiZEtZcKQUU

Promovohet “Shtatë udhë”, Rrahman Paçarizi shpalos shtatë rrëfime në romanin e ri

Shtatë udhë”, romani më i ri i studiuesit dhe shkrimtarit Rrahman Paçarizit, u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në prezencë të akademikëve, profesorëve, studiuesve, studentëve dhe lexuesit shqiptar, shkruan KultPlus.

Romani më i ri, i shkrimtarit Paçarizi u prezantua nga katër recensione të studiuesve si, Bardh Rugova, Gëzim Aliu, Meliza Krasniqi dhe Agron Gashi, ku u hap nën prezantimin e Besim Abazit.

Njëzetepesë vjetët e krijimit letrar të studiuesit të linguistikës Rrahman Paçarizit, na vinë me veprën e tij më të re, ku shtatë rrëfimet e tij, i paraqesin lexuesit shqiptar temat si: besimi, dashuria, çmenduria, pushteti, lufta, liria, vdekja. Në shtatë rrëfimet që mund të lexohen një nga një, ndaras, apo si një tërësi, shkrimtari ynë, shfaqë një ndërthurje stilesh dhe një realizim gjuhësor që është gati tipik për një studiues të apasionuar të gjuhës.

Fjalimi i studiuesit Bardh Rugova, frazon që Paçarizi ka prodhuar një varg shkrimesh që nga fillimi i viteve 2000, dhe është e pritshme që dukuritë gjuhësore të jenë bartur edhe kur ai e shfrytëzon gjuhën për t’ia dhënë funksionin poetik, për të krijuar veprën e tij.

“maska e limonit” e Macarter Willer, nën habinë e tij për fshehjen nën maskën e limonit, që kishte lyer fytyrën gjatë plaçkitjes së bankës, identifikohet me efektin Dunnin-Kruger, njerëzit sa ma pak dinë, aq më të bindur janë në mos-dijen e tyre.

Bardh Rugova flet për preskpektivizmin, ku Rrahman Paçarizi ka luftuar për ti bërë vend dijes.

Recensioni i Gëzim Aliut, gjithashtu flet për strukturimin e veprës, ku tregon se përveç fiksionit në tregimet e shkrimtarit, kemi edhe elemente të forta autobiografike, që zhvendos ngjarjen në një të kaluar dhe të tashme, ku flet për Zotin dhe Njeriun, por edhe kritikon sistemin aktual të shoqërisë sonë.

Transformimet e jetës kosovare, me kujtimin mbi fshatin dhe doket, Paçarizit i ofron në një temë që e trajton në kujtimet e tij, të përjetuara dhe të imagjinuara.

Gjithashtu Meliza Krasniqi dhe Agron Gashi, me fjalë lavdi për profesorin Paçarizi, ngrehin lartë vlerën e veprës duke kërkuar prej lexuesit shqiptar që t’i kushtoj një vëmendje, pasi që ka një llojllojshmëri temash, të simbolikës së numrit shtatë, me gjenezë të librit Helena ime, i botuar në numrin e fundit letrare Jeta e re.

Rrëfimet mbi mëkatet, autokonfesione të shtatë udhëkërkimit dhe sprovave jetësore, shtatë shkallë Purgatori, shtatë ditë krijimi hyjnor, që krijojnë një sistem tregimesh rrjedhimisht si sistem libri, që në letrat shqipe na kujton shtatë pasqyrat e Narçizit të Koliqit.

Duke e krijuar një vepër të tillë, profesor Paçarizi i jep letërsisë shqiptare një pasuri, duke e bërë më të mirë letërsinë tonë, dhe duke e pas misionin e tij që jetën e lexuesit të e bëjë më të mirë. / V. Shabani / KultPlus.com

Kultura dhe historia e Tiranës shfaqet sot në Bullgari

“Hello, my name is Tirana”, një ekspozitë me 40 fotografi bardhë e zi që pasqyron historinë dhe kulturën e kryeqytetit shqiptar pas suksesit në Bukuresht (Rumani) do të hapet sot në Sofje (Bullgari).

Ekspozita vjen në kuadër të Javës Shqiptare në Sofje, si bashkëpunim i Muzeut Historik Kombëtar me Muzeun Historik Kombëtar të Bullgarisë.

Kjo është një ekspozitë e veçantë, që nëpërmjet një panorame prej 40 kuadrosh, bën të njohur për këdo, shqiptar e të huaj bashkë, historinë e një kryeqyteti.

Publiku bullgar do ketë mundësinë të njohë aspekte të ndryshme të zhvillimit të qytetit më të madh të shqiptarëve, nëpërmjet pamjeve ku shihet jo vetëm infrastruktura dhe urbanistika në zhvillim, por dhe ana etno-kulturore e një populli.

Fotot pasqyrojnë periudha të ndryshme të qytetit që prej vitit 1920 që u shpall kryeqytet i Shqipërisë.

Ekspozita “Hello, my name is Tirana” me 40 fotografitë e saj në bardh e zi, do të qëndrojë e hapur deri më 25 qershor 2019 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Bullgarisë në Sofje. /atsh / KultPlus.com

Ulpiana Lama takohet me aktoren e famshme Monica Belluci

Festa e Italisë që është mbajtur së fundi në Paris ka mbledhur gra të fuqishme, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje ku janë mbledhë ambasadore, artiste, shkrimtare e figura të tjera të rëndësishme, ka marë pjesë edhe Ulpiana Lama, e cila është pjesë e Ambasadës së Kosovës në Paris.

Dhe pikërisht Ulpiana Lama ka ndarë me ndjekësit e saj fotografi nga kjo mbrëmje parisiene, ku në njërën nga to shihet të jetë bashkë me aktoren e famshme Monica Belluci.

Në të njëjtën mbrëmje ka marë pjesë edhe shkrimtarja e njohur shqiptare Ornela Vorpsi, sikurse që ka qenë e pranishme edhe sopranoja shqiptare Blerta Zhegu./KultPlus.com