Vallja çame e Osman Takës “ndez” festivalin multikulturor në Itali (VIDEO)

Në kuadër të Festivalit multikulturor në Collecchio të Italisë, është performuar edhe vallja çame e Osman Takës.

Kjo valle ka krijuar një atmosferë të veçantë, ndërsa është duartrokitur dhe mirëpritur nga të gjithë të pranishmit.

Në këtë valle, me koreografi nga Albert Bekja, vallëzuan prindër dhe të afërm të fëmijëve shqiptarë të grupit artistik “Mille Stelle”.

Vallen e ka publikuar edhe faqja italiane, e cila jep detaje mbi performancën dhe amtosferën e krijuar.

Denis Galushi: Si pjesëtar i komunitetit rom, ndihem i ofenduar

Denis Galushi

Pak me parë e pash një storie në media për një të punësuar në Komunën e Kamenicës, si Drejtor i Financave, me shkollë të mesme të mjekësisë, dhe i papërgaditur profesionalisht, por mjafton që përsoni në fjalë të jetë nga komuniteti pakicë, n’këtë rast – romë!

Si pjestar i këtij komuniteti, ndihem i ofenduar!

E di, tingëllon për qudi kjo, por duke e ditur që;

Kosova ka mjaftë të rinj të diplomuar nga gjitha komunitetet, pse të zgjidhët një përson i cili aspak nuk përmbush kriteret për një drejtori të tillë?

Nëse nesër do të ndodh një keqmenaxhim, e që jam i sigurt që mund të ndodh, si do të rezulton kjo në imazhin e komunitetit?

Kjo përzgjedhje, a ka ndonjë prapavi tjeter, a po…?

I nderuar z.Kryetar Kastrati, ne shumë mirë e dimë që, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, priviligjon komunitete në punësimë, por këto punësimë kërkojnë edhe përgaditje profesionale.

Nëse Kushteta dhe Ligjet në fuqi bëjnë lehtësime, në nuk duhet t’i keqpërdorim.

Sepse, kjo është ofendim për intelegjencën te të rinjëvë të komunitet që kanë diplomuar BA dhe MA ne vendin tonë dhe jashtë tij, e poashtu janë shembull në Universitete ku ata dallohën me bursa shtetërore. Këta përsona janë meritor për kësi vende punë, e jo dikush që nuk është i përgaditur.

Më këtë, nëse mendoni që këni bërë një punë të mirë, atëherë po gaboni.

Sepse, ju më një përson të tillë, po e gjeneralizoni kapacitetin e gjithë komunitetit. Besoni, institucionët tona kanë pasur, kanë dhe do të kenë intelektual romë e ambasador, që dinë ta udhëheqin vendin me dinitet dhe plot meritë.

-Ne nuk jemi ‘’gjynahu’’ i këtij vendi.

-Në, nuk kërkojmë nga askush mëshirë.

-Ne, nuk dëshirojmë të ndihemi inferior ndaj askujt.

-Ne, poashtu nuk dëshirojmë të ndihëmi as superior ndaj askujt.

Ne, dëshirojmë trajtim të barabartë më shumicën, ndoshta avancime kvantitative, por kualitative.

Ne, mund të bëhemi Drejtora të Drejtorive vetëm se dimë ta bëjmë, e jo që duhët të jemi aty.

Ne, nuk jemi as numër, e as statistikë e këtij vendi, ne kemi vlera.

Tash, edhe njëherë e kuptoj më mirë pse romët në disa institucione e mshefin identitetin e tyre, sepse, atyre i përgjysmohët vlera apo kapaciteti, sepse një ROMË në syrin e një joromi gjithmonë është mësuar të shihët si njeri pa vlerë, ndërsa kur tregohet e kundërta, atëhërë mbizotëron ego dhe xhelozia;

Pse MAXHUPI është i mirë në këtë fushë?

Prandaj, nëse Ju apo dikush tjetër dëshiron të tregon divergjencë në vende pune, atëhere le të zgjidhen t’duhurit, e jo ata që sapo kanë dalur nga bankat e shkollës fillore apo të mesme, ndërsa këta me BA dhe MA t’i masin rrugët!

#kamenica. / KultPlus.com

Ky reagim është i Denis Galushit dhe redaksia e KultPlus e ka plasuar si të plotë.

Historia rrënqethëse e Bardha Gjon Markagjonit, prej moshës 20 vjeçare burg, internim, persekutim

Bardha Gjon Markagjoni u lind në vitin 1925, në Mirditë, në familjen fisnike dhe te ndëruar, të prijësit të Mirditës, Gjon Markagjonit.

Vazhdoi shkollën e murgeshave në Shkodër, mandej kolegjin në Itali. Në vitin 1943, erdhi për pushime pranë familjes. U mbyllën kufijtë, pas luftës mbeti në Shqipëri, duke i mbetur studimet përgjysëm. Ardhja dhe vendosja e diktatures komuniste në Shqipëri, do të ndryshonte jo vetëm jetën e kësaj familjeje, por edhe të të gjithë femrave, domethënë kasta e kuqe u muar me persekutimin e tyre, me gra e fëmijë, kështu ndodhi dhe me Bardhën, që sapo fillonte te njëzet pranverat e jetës së saj.

Në moshën 20 vjeçare e internuan. E mbajten në shtëpinë e Guljem Dedës  (e kishin bërë burg), mandej e internuan në Berat, ku i jepnin për ushqim vetem një copë buke. E derguan me punë të detyruar tek ullishtat e Beratit dhe në fermën e Kuçovës. Si shperblim për punën i jepnin vetem bukë. E persekutuan Bardhën dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjës, se djemtë ishin me rezistencën kundër komunizmit.

Bardhën e mbajten te internuar katër vjet në Berat, po këtu e arrestuan pa fletë arrestimi. Te burgosurën e mbajtën pesë  (5) muaj të lidhur nga këmbët, që të mos kishte mundësinë te takohej me të burgosur të tjerë. E kanë futur në një gropë, pa dritë, mandej në një dhomë të madhe, vetëm. . . Torturohej vajza e re nga xhelatët e kuqë, ajo qendronte, po zemra e saj vuante, se shihte si po i torturonin te arrestuarit e grupit Sami Qeribashi. Çdo natë ato i rrihnin pa nderprerje dhe britmat e dhembjeve të tyre i dëgjonte vajza e re. . .

Me sytë e saj pau se si i arrestonin njerëzit pa fletë arrestimi, të dënuarit i torturonin dhe në trupin e tyre përdornin lloj-lloj torturash dhe në fund i pushkatonin dhe i groposnin në gropa të përbashkëta.

Në ditën që doli nga burgu, takoi gjyshën e saj Davën – 90  (nëntëdhjetë) vjeçare, e cila vdiq në interrnim.

E varrosi vajza e re gjyshën.

Ja si e tregon ajo: – E hapëm gropën unë dhe gruaja e vëllaut tem, Mrika, që i kishte fillue paraliza. E varrosen nanën e nderueme të Gjon Markagjonit. . . Gjyshës Davë i humbi varri.

Në vitin 1949, e derguan në kampin e Tepelenës. Jetonin në kapanonë, deri në 200  (dyqindë) njerëz, pa dallim gjinie. Era e murlanit bënte që i ftohti të hynte deri në palcë. Të gjitha gratë e vajzat, ndër to edhe Bardha, transportonin drutë në shpinë, kurrizi i tyre bëhej dyfish nga ngarkesa e rëndë dhe zbritnin malin e Turanit.

Ulnin në fushë ngarkesat me drurë, për furnizimin e Degës së Punëve të Brëndshme, të furrës dhe të familjeve te oficerëve.  (Ndërsa në kapanonet e të interrnuarve ndalohej ngrohja).

Çdo ditë i ngjitëshin malit përpjetë, mandej zbrisnin të ngarkuara.

Bardha tregon:

– Me qindra njerëz vdiqen nga uria, në veçanti me dhjetra fëmijë ndërruan jetë, sepse ra epidemia e dizanterisë. . .

Mbas këtyre vdekjeve u detyruan të vënin kazanin për ushqim, që ishte vetëm lëng, lëng. . . Kaluan vitet në interrnim, me punë të rëndë dhe me dhimbjen që provonte kur shihte nënën e saj, Mrika, gruaja e Gjon Markagjonit, nëna e dhjetë fëmijëve që vuante fizikisht dhe shpirtërisht, që iu vranë djemtë në rezistencën antikomuniste, ndersa vajzat, mbesat dhe nipi gjashtëvjeçar, po rriteshin në interrnim dhe i mungonin gjërat më elementare, apo dhimbjen e zemrës se nënës për djalin e saj Dedën, që në moshë të re provoi vetem burgje e kampe pune.

Bardha provoi shumë kampe të punës se detyruar. Mbas pesë  (5) vitesh në Tepelenë që çdo ditë ishte me te papritura, në vitin 1953 vazhdoi interrnimin në Saver, punë në bujqësi, apeli dy herë në ditë.

Në çdo transferim, transportonin në vig, të paralizuaren, gruan e të vëllait, Markut, që mbeti kështu për tre dekada.

Bardha Markagjoni 40 vjeçare – 1965 – u martua me Z. Gjergj Bici

Në vitin 1965, tashmë 40  (dyzetë) vjeçare martohet me zotin Gjergj Bici  (që kishte bërë 20  (njëzetë) vjet burg politik. U vendosen në Milot, kishin të drejtë te lëviznin në rrethet: Lushnjë, Fier e Krujë. Dhjetë vjetë martesë, fëmijë nuk pat.

Në vitin 1975, i arrestuan te dy  (burrë e grua), i dënuan për agjitacion e propagandë. Deshmitarë në gjyq i dolen një burrë dhe një grua qe nuk i kishin parë asnjëherë në jetën e tyre. Tashmë, Bardha Markagjoni u bë 50  (pesëdhjetë) vjeçe. Në këtë moshë provoi persëri torturat dhe çiftin e dënuan me nga dhjetë vjetë burg secilin. Bardha tregon: – Me kanë mbajtur 11  (njëmbdhjetë) muajë te izolume, atë periudhë e kam kaluar e veshur me një fund e një bluzë  (si në stinën e verës, ashtu edhe në dimër). Ushqimi ishte supë lakrash, gjella e vetme e kazanit. Mbasi me dënuan, me derguan në burgun Kosovë të Elbasanit, ndërsa burrin në kampin e Ballshit në Fier. Punë vetem në fermë, në bujqësi. Jetonim 75  (shtatëdhjetë e pesë) të burgosura në një kapanon. . .

Në vitin 1982, e liruan nga burgu  (e kapi falja), ia ulen dënimin.

Në vitin 1986, e interrnuan në Fishtë – Zadrime te rrethit të Lezhës. Bëri persëri 8  (tetë) vite interrnim. . . Bardha tregon: – Në vitin 1985, me erdhi bashkëshorti i em, Gjergji, mbasi i bani dhjetë vitet e burgut të dytë, njeriu i mirë, i vuajtjeve te pafund, por në vitin 1986 me vdiq. Nga burgu erdhi i sëmurë, me kancer në mushkëri. Mbeta e vetme persëri, vazhdonte jeta ime në internim. Pjesëtarët e tjerë të familjes nuk i kisha pranë. Ata ishin të burgosur e të interrnuar në vende të tjera.

Në vitin 1991, sapo filluan proçeset demokratike Bardha shkoi në Shkodër, u fut në shtëpinë e prindërve, me vështirësi u sistemua në një dhomë. Atëherë filloi një erë e re, ajo e bashkimit.

1992 Era e bashkimit

Mbas periudhës së persekutimit, që nga janari i vitit 1945 deri në vitin 1991, dmth pas 46  (dyzetë e gjashtë) vjetësh  (ose në shkodranishten e bukur katërdhjetë e gjashtë) u grumbulluan pjesëtarët e familjes që kishin mbetur gjallë. Por zemra e saj u trondit shumë kur ndërroi jetë nipi i saj i dashur, ai – Gjoni – 6  (gjashtë) vjeçari i tyre që lëshoi shtat e u rrit interrnimeve.

Bardha Markagjoni, vajza e re që u plak interrnimeve e burgjeve te komunizmit, që lufta e klasës i vazhdoi gjatë gjithë jetës së saj, mbet shembull në vuajtje e dhimbje. Jeta e saj është një monument i gjallë, i forcës, i ndershmërisë, i rezistencës, mbijetesës, krenarisë, që dhuroi shumë dashuri e bujari, mbetet shembull i përkryer i mbijetesës. Kjo figurë e femrës së përkushtuar u SHQUA në DHIMBJE por edhe në rezistencë. Bardha sot 80  (tetëdhjetë) vjeçare jeton me të motrën Martën 90  (nëntëdhjetë) vjeçare, me vëllain Dedën 78  (shtatëdhjetë e tetë) mbetën te nderuar, te respektuar, kur bisedon me ta zemra e shpirti të gjenë qetësi, kur mëson se si përballuan dallgët e forta të sundimit komunist. Ata sot nuk kanë nevojë për ne, por njerëzit të mësojnë dhe të mos harrojnë kalvarin nëpër të cilin kaluan të persekutuarit politikë, në Shqipërinë diktatoriale socialiste – e komuniste.

Ky shkrim është shkruar më 2005, ndërsa Bardha (Bici) Markagjoni vdiq në Shkodër në shtëpinë e saj më 19 Mars 2013.

“S’doja të isha më djali me kancer, u bëra ai me violinë” (VIDEO)

11-vjeçari Tyler Butler-Figueroa u prezantua në kompeticionin shumë të shikuar amerikan, ku dhuroi shumë emocione në sallë.

Ai u përball me përqeshje në shkollë pasi që kishte kancerin, mirëpo tani është yll, pas pjesëmarrjes së tij në “America’s Got Talent”.

E kjo jo vetëm për shkak të talentit të tij në luajtjen e violinës, por edhe për shkak të historisë së tij prekëse.

Tyler nga Karolina e Veriut u tregoi anëtarëve të jurisë se pasioni i tij për violinën kishte nisur si një tentativë për t’u larguar nga talljet në shkollë, kur atij i kishin rënë flokët gjatë trajtimit me kimioterapi, për shkak të leukemisë. Shokët i largoheshin dhe përhapnin thashetheme duke thënë se “kanceri i tij ishte ngjitës”.

“Kur luaj në violinë, më ndihmon të harroj gjërat e këqija”, tregoi Tyler.

Talenti 11-vjeçar tregoi se ai nuk donte të ishte më djali me kancer, kështu u bë djali që i bie violinës, përcjell Gazeta Express.

E megjithëse nëna e tij ishte e habitur me zgjedhjen e të birit për të luajtur violinën, pasi asnjë pjesëtar i familjes së tyre nuk i kishte rënë kurrë ndonjë instrumenti muzikor, kur e pa se sa i lumtur ishte i biri, ajo vendosi ta mbështeste.

Tyler ishte diagnostikuar me kancer kur ishte 4 vjeç e gjysmë, e tani katër vjet më vonë, ai e ka mposhtur sëmundjen edhe bulizmin e ushtruar ndaj tij.

Nobeli për Paqen, që lindi nga një blog kundër talebanëve

Malala Yousafzai, 21 vjeç: Ka fituar Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2014.

Udhëheqësit botërorë futen në garë mes tyre për t’u fotografuar në krah të saj: i fundit, pak ditë më parë, ishte Presidenti Emmanuel Macron. Sepse Malala Yousafzai, në pak vite u shndërrua në një prej simboleve botërore të të mirës absolute, që përpara se Çmimi Nobel për Paqen në vitin 2014, ta bënte zyrtar rolin e saj.

Ishte vetëm 12 vjeçe kur, në vitin 2009, ajo nisi një blog për të rrëfyer në faqen e internetit të BBC, se si jetohej nën talebanët, të cilët kontrollonin zonën e Pakistanit ku ajo jetonte.

Ishte vetëm 15 vjeç kur një vrasës i dërguar me porosi për ta eleminuar e qëlloi në kokë, ndërkohë që ajo kthehej nga shkolla me autobus: shpëtoi për një fije, falë urës ajrore që e solli në Britaninë e Madhe, si dhe përpjekjeve të mëdha të mjekëve anglezë.

Sot punon për të garantuar të drejtën e arsimit, për mijëra vajza dhe gra nëpër botë.

Hans Echnaton Schano poet, aktor, regjisor, autor, pjesëtar i “Living Theatre” me shfaqje në Kosovë

“The People’s Project” është një shfaqje kolektive e realizuar në vitet 70 nga “Living Theatre”  në Brazil.

Aktori, regjisori dhe anëtari i the Living Theatre Hans Echnaton Schano në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Nën braza të kohës 2019” do ta realizojë këtë shfaqje në gjuhën shqipe me aktorë shqiptarë. Kjo pjesë e the Living Theatre përmban gjashtë tregime që trajtojnë temat e dashurisë, luftës, shtetit, parasë, pronës dhe vdekjes, si dhe është cilësuar si nismë e të ashtuquajturit “ Teatri i të shtypurve”. Kjo pjesë do të shfaqet me datën 13 korrik në kuadër të festivalit në Strellc të Deçanit.

Aktorët: Shqipe Gashi, Qendresa Loki, Rajmonda Ahmetaj,  Kushtrim Asllani, Valdet Idrizi, Alban Goranci, Florieta Bajraktari, Drin Lumi, Florenta Bajraktari, Labeat Bytyçi, Jusuf Tofaj, Dorina Nishevci dhe Arbnor Lutfiu.

Hans Echnaton Schano poet, aktor, regjisor, autor, pjesëtar i “Living Theatre” (New York) që nga 1966. Gjithashtu nga 1972 regjisor i UNIVERSAL MOVEMENT THEATRE REPERTOR, pjesëtarë aktiv i INTERNATIONAL THEATER INSTITUTE mbështetur nga UNESCO, themelues dhe drejtor i ONE WORLD THEATRE (1983 Amsterdam, Dallas, N. Y.), pjesëmarrës në priduksione të teatrit, filmit, televizionit dhe radios në gjithsej 17 shtete duke performuar në 6 gjuhë të ndryshme (gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe në gjuhën portugeze). Ai gjithashtu ka mbajtur ligjërata, punëtori dhe seminare nëpër universitete dhe kolegje të njohura (Sorbonne- Paris, France, University of Sao Paulo, Brazil, UT-Austin, TX., UT-Dallas,TX. and the Conservatory of Vienna).

Shkarkohet nga detyra drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare

Me vendim të Këshillit të Ministrave është liruar nga detyra, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllanaj.

Vendimi është marrë sot dhe është publikuar në faqen e kryeministrisë.

Persida Asllani qëndroi në këtë detyrë për 5 vite. Ajo u emërua në gusht të vitit 2014 në vendin e Aurel Plasarit.

Nuk dihen ende aryset e lirimit nga detyra.

Ndërkohë në mbledhjen e sotme të qeverisë u shkarkua edhe drejtori i Tatimeve, Enton Duro.

Ky është kryekrimineli serb që udhëhoqi sulmet ndaj familjes Jashari dhe kreu gjenocid në Kosovë

Goran Radosavleviq, një kriminel serb i cili në Kosovë kreu krime e gjenocid me urdhër të kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Radosavleviq gjatë luftës së Kosovës (1998-1999), ai udhëhoqi një sërë grupesh “kundër-terrorizmi” që njiheshin si Grupi Operacional (OPG).

Ata u krijuan për të luftuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila kërkonte pavarësinë e Kosovën nga Republika Federale e Jugosllavisë.

OPG më vonë u dyshua për vrasjen e 41 civilëve shqiptarë në masakrën e Qyshkut në Kosovën perëndimore në maj të vitit 1999.

Gjenerali udhëhoqi OPG në luftën e saj kundër UÇK-së gjatë tërë luftës së Kosovës. Një numër i grupeve të drejtave të njeriut kanë pohuar se OPG ka kryer krime lufte kundër civilëve.

Radosavljeviq ishte personi përgjegjës për operacionin ushtarak në Reçak më 15 janar 1999, i cili do të njihej si masakra e Reçakut.

Prokurori i Krimeve të Luftës në Serbi gjithashtu e solli atë në lidhje me vrasjen e vëllezërve Bytyçi, tre vëllezërve shqiptarë amerikanë të cilët erdhën në Kosovë për të luftuar në krah të UÇK-së.

Radosavljeviq ishte përgjegjës për një objekt trajnimi policor ku vëllezërit Bytyçi u arrestuan, u ekzekutuan dhe u varrosën në një varr pa autorizim ligjor.

Ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari përmes një postimi në Facebook thekson se, Radosavljeviq është krimineli kryesor i luftës në Kosovë.

Sipas tij, ai është udhëheqësi ushtarak serb në sulmin kundër Adem Jasharit, udhëheqës i vrasjeve në Reçak dhe urdhëruesi i pushkatimit të tre dëshmorëve të UÇK-së, vëllezërve Bytyçi.

“Kosova nuk ka prokurori shtetërore por ka prokurori politike dhe private! Goran Radosavljeviq Guri krimineli kryesor i luftës në Kosovë udhëheqësi ushtarak serb i vrasjeve në fshatin Prekaz dhe familjen e Adem Shaban Jashari, udhëheqësi i vrasjeve në Reçak po ashtu urdhëruesi i pushkatimit të tre dëshmorëve të UÇK Vëllezërve Bytyqi, ky gjenerali i Sllobodan Millosheviqit ma vonë gjeneral i Xhandarmerisë serbe udhëheqësi i aksionit “Sabla” sot gjeneral meritor i Aleksandër Vuçiqit!”, shkruan Miftari në Facebook.

“Dhe Kosova si shtet karrikatur i dobët kurrë nuk e pan të rrugës as Hashim Thaçi as Kadri Veseli me ata të vetëquajtur komandantë të luftës nuk e pan kurrë të rrugës ta urdhërojnë gjykatën e Kosovës, ata kryeprokurorët dhe prokurorët që edhe ashtu janë kukulla të tyre të ngrisin një fletaktakakuz një flet arrest ndërkombëtare edhe përmes Interpolit për këtë kriminel të luftës në Kosovë”, vazhdon tutje ai.

Ndryshe, Radosavljeviq u bë komandanti i parë i xhandarmërisë së Serbisë të rivendosur më 28 qershor 2001.

Në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara u pajtuan për vendosjen e 1,000 ushtarëve jugosllavë në Afganistan, komanduar nga gjenerali Goran Radosavleviq.

Në vitin 2005, ai u largua nga policia serbe.

Më 17 dhjetor 2006, policia serbe njoftoi se Goran Radosavljeviq është në kërkim megjithëse nuk kishte aktakuzë kundër tij.

Në vitin 2010, ai bashkohet me Partinë Përparimtare të Serbisë të Aleksandar Vuçiqit, presidentit aktual të Serbisë.

Që nga maji i vitit 2014, Radosavleviq është anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Partisë Përparimtare të Serbisë, e cila është në pushtet në Serbi në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë të Kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq.

Radosavleviq është një nga personat të cilët kërkohen të ekstradohen në SHBA për shkak të dyshimit të bazuar për vrasjen e shtetasve të SHBA vëllezërit Bytyçi. Marrëveshjen për ekstradim të ndërsjellët të kriminelëve në mes të SHBA dhe Serbisë e ka miratuar edhe Kuvendi i Serbisë.

Lexuesit spanjishtfolës duan Nobel për shqiptarin Ismail Kadare

Nga Ruben Avxhiu

Shkrimtari i ri, Rodrigo Blanco Calderón, që jeton në Malaga, të Spanjës, bëri një anketim spontan në rrjetin social Tuitër, ku i pyeste lexuesit se se nëse do të zgjidhnit dy shkrimtarë për Çmimin e ardhshëm të Nobelit në Letërsi, kush do të ishin.
Postimi i shkruar në spanjisht merr përgjigje kryesisht nga përdorues spanjishtfolës të rrjetit. Mes emrave të shumtë të preferuar, ai më i përsërituri është ai i shqiptarit Ismail Kadare.
Aq shumë përsëritet emri i shkrimtarit shqiptar sa që në fund, vetë Blanco Calderón shkruan se: “Nga kjo anketë, më habiti dhe më gëzoi konsensusi i gjerë se një nga autorët të cilit i duhet dhënë pa asnjë dyshim Nobeli është shqiptari Ismaíl Kadare”.
Autori i librave si “Kronikë në gur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe “Pallati i Ëndrrave”, ka qenë për shumë vite në listën e shkurtër të kandidatëve për Çmimin Nobel, po vonesa në njohjen e vlerës së veprës së tij ka shtuar dyshimin se Kadare do të jetë pjesë e plejadës së shkrimtarëve të mëdhenj të cilëve nuk iu dha ndonjëherë.
Jo të gjitha përgjigjet për pyetjet tregojnë mirëinformim. Një numër syresh kanë thënë Milan Kundera, i cili e ka fituar tashmë Çmimin Nobel, apo Amos Oz, e Umberto Eco, të cilët nuk jetojnë më. Mes dhjetëra emrash të përmendur si fitues që e meritojnë përveç Kadaresë përmenden shpesh edhe Paul Auster nga SHBA, Margaret Atwood nga Kanada si dhe poeti Rafael Cadenas nga Venezuela.

Rodrigo Blanco Calderón

Rodrigo Blanco Calderoni, i lindur në Venezuelë e i shkolluar në Paris, ka botuar një numër librash në Spanjë, një prej të cilëve, “The Night” (Nata) ka fituar një numër çmimesh, përfshi edhe Çmimin Dyvjeçar të Romanit “Mario Vargas Llosa” si dhe të Çmimin e Rive Gauche në Paris, për Romanin e Huaj. Për kuriozitet, duke qenë se Venezuela ka qenë në lajme kohët e fundit, ai ka folur ashpër kundër regjimit diktatorial në Venezuelë dhe u është përgjigjur disa kritikëve të tij majtistë në Europë se të jesh kundër tragjedisë të popullit tënd nuk të bën “reaksionar”.
Libri i tij i fundit “Los Terneros” (Demat) doli nga shtëpia botuese “Páginas de Espuma”, në vitin 2018.
Këto anketime nuk kanë ndonjë vlerë për vendim aktual të Komisionit të Nobelit po janë gjithnjë një kuriozitet për të parë çfarë lexojnë njerëzit në vende e gjuhë të ndryshme, si dhe për të mësuar ndonjë emër të ri shkrimtari për ata që kanë nevojë për sugjerimin e ardhshëm. Më së paku, mund të thuhet se gati dy dekada në shekullin e ri, shkrimtari Ismail Kadare ka ende plot admirues në botën spanjishtfolëse.

‘Nëse nuk të duan, atëherë tregohu i shkathët të harrosh’

Letra frymëzuese e Victor Hygos

Të uroj…

Pikë së pari, të uroj dashuri. Dhe duke dashur, uroj të të duan.

Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë tregohu i shkathët për të harruar. Dhe pasi të kesh harruar, uroj të mos pendohesh. Uroj vërtetë që kjo mos të të ndodhë, por nëse ndodh dhe ti harron, shpresoj të mos zhytesh në dëshpërim. Të uroj të kesh shumë miq. Edhe nëse ata janë të këqinj ose të parëndësishëm.

Uroj të kesh miq të guximshëm dhe të vërtetë. Dhe uroj që një prej tyre të jetë më i besueshmi. Por sepse jeta është në këtë mënyrë që është, të uroj armiq. As shumë, por as pak. Një numër i ndërmjetëm, që të të bëjë të pyesësh veten për të vërtetat dhe siguritë e tua. Dhe le të jetë mes tyre njëri që do jetë i drejtë, që të mos ndihesh kurrë i sigurtë në idetë e tua.

Uroj të jesh i dobishëm, por jo i pazëvendësueshëm. Dhe në momentet e tua më të këqija, kur të mos kesh asgjë, ajo dobishmëri të të mbajë në këmbë. Në proporcion me të, të uroj të jesh tolerant. Jo me ata që bëjnë gabime të vogla, sepse kjo është shumë e thjeshtë, por me ata që bëjnë gabime të mëdha, të cilat nuk mund të zhbëhen.

Përdore mirë tolerancën tënde që të bëhesh shembull për të tjerët. Uroj që kur të jesh i ri, të mos rritesh shpejt. Dhe atëherë kur të jesh rritur, mos këmbëngul të jesh sërish i vogël. Dhe kur të plakesh, mos u dëshpëro. Sepse çdo moshë ka kënaqësitë dhe dhembjet e veta, dhe ne kemi nevojë për të dyja këto në jetë. Gjithashtu, uroj të jesh i mërzitur, të paktën një ditë. Kështu në atë ditë do kuptosh se të qeshësh çdo ditë është mirë, të qeshësh shpesh është e mërzitshme dhe të qeshësh vazhdimisht është çmenduri.

Uroj që të zbulosh me shumë shpejtësi nga ajo që thashë më sipër, se në botë ka njerëz të palumtur, të depresionuar dhe të patrajtuar mirë. Të uroj të përkëdhelësh një qen, të ushqesh një zog e të dëgjosh cicërimën e tij, që dëgjohet në mënyrë triumfuese çdo mëngjes. Sepse në këtë mënyrë, do ndihesh mirë, pa arsye.

Dhe pastaj, uroj të ujisësh një farë, sado e vogël qoftë ajo. Dhe të jesh dëshmitar i rritjes së saj, që të shohësh se sa jetë jeton një pemë. Të uroj gjithashtu, të kesh pará, sepse duhet të jemi praktikë. Dhe të paktën, një herë në vit, t’i vendosësh përpara teje e të thuash “Këto janë të miat.”. Kështu, do kuptohet se kush zotëron kë. Uroj që asnjë nga të dashurit e tu të mos vdesë. Por nëse disa prej tyre vdesin, uroj të qash pa pendesë dhe pa u ndjerë në faj për fjalët që kurrë nuk ua the apo gjërat që kurrë nuk i bëre për ta.

Së fundmi, nëse je mashkull, të uroj një femër të mirë përkrah, e nëse je femër, të uroj një mashkull të mirë. Dhe ta doni njëri – tjetrin nesër, dhe ditën pas të nesërmes. Dhe kur të dy të jeni të lodhur e të buzëqeshur, uroj të keni sërish dashuri për t’ja nisur ditës tjetër nga e para. Nëse të ndodhin të gjitha këto, atëherë nuk të uroj asgjë më tepër se kaq.

Hatixha

Nga Mile Stojic

Hatixha Mehmedoviq
të pashë në Teatrin popullor
të Sarajevës
Për herë të parë në teatër
u ule në rend të parë
në ty e pashë një figurë të trishtuar
me gjurmët e së kaluarës

Akademia ishte thirrur nga
Nënat e Srebrenicës
ndonjë poet fliste diçka për Ferrin e Dantes

Biseduam gjatë, për të gjitha ngapak
për gjenocidin, për drejtësinë
për të ardhmen e tre popujve
a unë mendoja për tre emra
meshkuj të vrarë
djemtë Azmiri, Almiri
dhe burri Abdullahu

Hatixha foli
“Ju pres. Ju thërras. Ju kërkoj.
Ejani njëherë dhe më thuani
po të puthim Nanë, a na sheh, dhe më pas shkoni, përnjëmend shkoni”

Ata thanë “Erdhëm moj nanë, nuk e beson,
na me ty jemi çdokund dhe askund”

Kështu i kalon ditët Hatixha
Në shtëpinë e zbrazët, braktisur dhe trishtuar në Srebrenicë
në Bosnjen e zbrazët, braktisur dhe trishtuar
në zemrat tona të zbrazëta dhe copëtuara
derisa muajt në pamjen e saj i lënë
tri shenja që kurrë sharrohen
dhe lotë sa shumë lotë.

Në shqip: Eduard Frrokaj

Beba Amila, kufoma numër 172 në Bosnjë

Prej muajit maj deri në shtator të vitit 1992 në Kluç (Bosnje) janë vrarë 612 boshnjakë dhe kroatë ku 563 janë gjetur në varrezat masive, transmeton KultPlus.

Përshkrim nga obduksioni: faqe 70, kufoma numer 172.

Rrobat: Përparsja e bardhë për beba me tri pulla, rroba për fëmijë, të bardha dhe të gjata, kukulla, pantallona dhe pampersa të bardha. E likfiduar me plumb në kokë. Një shishe e qumështit dhe një biberon janë gjetur si kujtim për beben e vrarë me plumb në kokë në duart e nënës.

Shemso Xhaferagiq në fushën e varrezave të bardha tregon varrin ku është e varrosur Amilia, vëllai i saj, e shoqja dhe nëna e tij, pastaj babai, motra dhe mbesa…Shemsi është i vetmi mashkull i cili ka mbijetuar atë ditë.

“Me shikim e kam përcjellur vdekjen e tyre. Nga mali kam parë kur i kanë dërguar…Njëzet e gjashtë vite kërkoj përgjigje – ku ka kështu që dikush të shkatërroj gjithçka, të vrasë dhe të thyej…kujtoj Amilën time, ato duar të vogla të cilat nuk janë më, nuk mund ti shikosh duke shkruar, duke shkuar në shkollë…se si çdo mëngjesë që zbardhë i fsheh sytë për të mos e parë mëngjesin, për të mos i parë fëmijët që shkojnë në shkollë, se si njerëzit shkojnë në punë…E dini, vetëm fakti që më duhet të them lutjen Fatiha shtatë herë është e veshtirë. Veshtirë të përshkruhet. Është e veshtirë të jetohet këtu ku gjithçka të kujton të kaluarën, tragjedinë. Shumica sot ketë nuk e kuptojnë. Shikojeni, kudo që ktheheni para jush janë varre të bardha. Kur e thua lutjen Fatiha, lufton me vetveten dhe kjo është e papërshkrueshme, e papërmbajtshme…”

Senada krejt ketë e ka shikuar nga tavani i shtëpisë që gjendet në afërsi.

“Bari i përgjakur. Shishja e të voglës Amilë , e cila me vëllain dhe motren janë vrarë në duart e nënës. Gjithmonë ai beberon më kthehet para sysh. Edhe sot e shoh se si nga duart e nënës marrin shishen dhe e gjuajnë…”

“Por, si?”, pyet Shemso Xhaferoviq.

“Kjo është një Srebrenicë e njejtë. Kluç është vend i vogël por në të është kryer gjenocid. Nënshkrimi i krimit është i njejtë si në Srebrenicë. Edhe ky krim është një nga krimet i cili mbetet në hijen e tragjedisë së Srebrenicës i cili ka ndodhur tri vjet më herët. Sikur të kishin reaguar komuniteti ndërkombëtar nuk do të ishte Srebrenica. Por…”

Azra mundohet që sot ti kujtohet gjithçka. Ende pamjet e paqarta i paraqiten para syve.

“Shpesh e ndjej nëpër duar, nëpër pëllëmbë, gjakun e nxehtë, atë gjak që nga vëllai dhe motra e vrarë më ka rrjedhur, mundohem ta lajë, por nuk bën”, shprehet ajo.

Sipas Azrës ajo ka lexuar në mitologjinë greke në tragjeditë e tyre që ekziston diçka e ngjashme me ketë realitet dhe se në atë mitologji ekziston lumi Leta dhe nëse e pi ujin e atij lumi harron gjithçka.

“Askush prej nesh nuk do të përkulej për ta pirë atë ujë të harresës, sado që të jetë i eshtuar, sepse nuk do mund ta harronte të keqen që ka ndodhur në ketë vend”.

Me datën 10 korrik të gjithë bashkohën në qendren Memoriale në fushën e varrezave të bardha për të kujtuar të kaluarën, për ti kujtuar më të dashurit e tyre./KultPlus.com

Shërbime të veçanta shëndetësore për viktimat e dhunës seksuale

Kosova është vendi i katërt që do të nisë së zbatuari projektin për shërbime të veçanta shëndetësore për gra të dhunuara gjatë luftës, por edhe ato që në ditët e sotme kanë përjetuar apo përjetojnë dhunë në baza gjinore. Bosnje e Hercegovina, Iraku dhe Afganistan tashmë janë duke e zbatuar një projekt të ngjashëm.

Për zbatimin e këtij projekti është nënshkruar edhe një memorandum ndërmjet Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe organizatës “Medica Gjakova”, e cila u ofron ndihmë psiko-sociale viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe atyre që përjetojnë dhunë mbi baza gjinore.

Mirlinda Sada, udhëheqëse e organizatës “Medica Gjakova”, tha për Radion Evropa e Lirë se së shpejti do të trajnohen 16 mjekë dhe teknikë mjekësorë për t’i trajnuar më pas edhe 100 mjekë e infermierë të tjerë, në mënyrë që ata të avancohen në trajtimin e rasteve të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore dhe atyre të dhunës seksuale gjatë luftës.

Bazuar në deklaratat e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, llogaritet se janë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-99. Por, për shkak të paragjykimeve, janë vetëm raste të rralla kur personat që kanë përjetuar këtë dhunë kanë folur për historitë e trishta të tyre. / REL / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi kërkon donacione për fondacionin e nobelistit Denis Mukwege

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe gruaja e guximshme që tregoi për dhunimin e saj gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, po shfrytëzon mënyra të tjera për të ndihmuar grupet e prekura nga e njëjta problematikë.

Për ditëlindjen e saj këtë vit, me anë të rrjetit social Facebook, Vasfija po mbledhë para dhe donacione për Mukwege Foundation, themeluar nga fituesi i çmimit Nobel për Paqe – Denis Mukwege.

“Fondacioni Mukwege më ka ndihmuar të flas për tregimin tim para botës. Jo vetëm publiku e dëgjon këtë tregim por edhe të shpëtuarat dhe ato që kaluan në trauma të tilla e shohin se kanë mbështetje dhe mund të gjejnë solidaritet mes njerëzve” ka shkruar Vasfija në rrjete sociale.

Ajo po provon të sjellë 500 dollarë për këtë fondacion brenda dy javëve.

Fondacioni Mukwege provon të luftojë dhunën seksuale gjatë luftërave në mbarë botën, duke angazhuar edhe politikanët në një proces për t’i dhënë fund kësaj dukurie.

Rrjetet sociale kanë dalë të jenë shumë efektive në mbledhjen e donacioneve për kauza të ndryshme.

Vasfije Krasniqi Goodman po vazhdon të jetë aktive në luftën për të drejtat e njeriut e sidomos në kauzën e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, duke qenë një prej tyre dhe duke e ndarë me popullin tregimin e saj të guximshëm e po aq edhe të dhimbshëm. / KultPlus.com

Woody Allen: Ndoshta do të vdes duke xhiruar një film

Woody Allen është regjisor, shkrimtar dhe komedian amerikan i cili ka një karrierë të bujshme dhe të suksesshme prej gjashtë dekadash, shkruan KultPlus.

Allen nuk ka plane për tu tërhiqur nga relizimi i filmave pavarësisht nga polemika që ka ndjekur karrieren e tij si regjisor. “Asnjëherë nuk mendoj të tërhiqem. Nuk është diçka që më ka shkuar ndërmend,’ tu shpreh Allen në press konferencë në San Sebastian ku ka filluar realizimin e filmit të tij të ri i cili do të xhirohet në Spanjë.

“Filozofia ime, qysh kur kam fillur në tregun e artit, është që pavarësisht  çfarë ndodhë unë fokusohem në punën time…Nuk ka rëndësi se  çfarë ndodhë në jetën time me gruan time, me fëmijët, ngjarjet aktuale, politikën ose sëmundjen, unë fokusohem në punën time dhe kjo është e gjitha që absorbon kohën time shtatë ditë e javës. Me gjasë do të vdesë një ditë në set në mes të xhirimit të një filmi”, u shpreh regjisori amerikan Allen.

I përfshirë në një mosmarrëveshje ligjore me Amazon, pasi studio e ka braktisur filmin e tij të fundit ‘Një ditë me shi në New York’, Woody Allen filloi një aksion ligjor prej 68 milion dollar duke pretenduar se Amazon kishte shkelur kontratën me të. Përgjigja e Amazonit ishte se Allen kishte sabotuar me prespektivat e filmit dhe me atë para këtij si dhe ishte akuzuar për abuzim seksual nga vajza e adoptuar e tij Dylan Farrow dhe fushata #MeToo.

Në konferencë ishte e pranishme edhe Gina Gershon e cila mbroi Allen duke thënë se “Është kohë e egër në Amerikë…unë personalisht mendoj që duhet të shikosh seriozisht  çdo situatë dhe të vendosësh se si ndjehesh rreth asaj. Me një ndërgjegje shumë të ndershme e them se jam e nderuar me prezencen time këtu dhe duket sikur ëndrra është bërë realitet”.

Allen nuk ka ndonjë plan për të realizuar filmin “Një ditë me shi në New York” përveç disa shtëpi filmike në Evropë janë duke e marrë në dorë atë.

“Nuk kam kontrollë mbi të. Unë mundem vetëm të realizoj filmin dhe me shpresë që shikuesit do ta pëlqejnë atë. E gjitha që di është se nuk ka ndonjë plan për ta realizuar atë aktualisht. Nuk e di nëse do të ndodhë.”/KultPlus.com

Kur Fitnete Rexha ‘me gëzim shkonte në punë’…

Titull interesant për një këngë, marrë parasysh se në Kosovë e Shqipëri ka plot të papunë, dhe plot që kanë punë por përtojnë të punojnë.

Fitnete Rexha, këngëtare e njohur nëpër gjenerata, dikur pati kënduar këngën “Me gëzim po shkoj në punë”.

Fitnete Rexha është “Artiste e Merituar”, një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme, kryesisht të muzikës popullore qytetare tiranase. Ajo lindi në Tiranë më 3 prill 1933.

Vdiq në Tiranë më 14 gusht 2003.

Pamjet në videoklip janë nga kooperativat e kohës komuniste në Shqipëri, në vitet 70-të. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=qhGvv52Tols

Mu thaftë dora Prishtinë

Hida Halimi

Ti pas meje n’Atlantikun 99

Të kundroj, tek krisi gishtërinjtë,
N’skaj bote, nga një kënd i një farë shtëpie,
Ç’prej se të lashë Prishtinë.
Ku jam e ç’kohë bën, për mua s’luan gjë.
Sa herë zgjohem nga ky shtrat mërgate, që Zoti e di
a vetë gërrhatën në të,
e lyp pamjen që e lashë po s’më braktisi.
Të shoh ty:
Pas terrasës me drandofil të ngrirë,
Shtresë e hollë bore që gdhinë në qytetin ku cicërojnë fëmijët,
Ku shahen për një çamçakëz,
Ndarë padrejtësisht me dhëmbë…

Dhe krejt vetëm unë e ti

Ku e thyen qafën miqët e mirë,
Orë e heshtjes i shitoi, s’flet kush për
“Bukurinë e zezë” poetët që i vramë,
Përse i zdritën netët e Bartolomeut Dardan
dreqi e rroftë! Kemi frikë.
Ne s’i duam profetët mëkatarë,
Diku u këndon epitafe një bariton i shqyer
Kujt akordi s’i pengon.
Borë marsi, prilli e maji 9,9 n’këtë pranverë
Dhe fëmijë që hahen si gjelat
Për ndihma humanitare
Pampers, tamël druni dhe… pak dashuri.

Prap ti Prishtinë

Mesditë është dhe rrugët janë shterrë,
Çfarë telefoni idiot!
Askush s’përgjigjet n’te.
Memecëri e ndytë, në gjithë këtë qytet.
Ç’u bë ai det njerëzish?!
T’ëmën e s’ëmës! Askujt buza n’gaz s’i shkon,
kush s’e di një barsoletë të mirë!
Sa për një mahi t’idhët, në këtë pikë t’qetësisë,
Vetëm pranverë 9,9,9 dhe 9
Ku era hedh qese najloni e fryn pantallona uniformash
Me folklor të Shumadisë.

Dikush më dha shenjë me buzëqeshje, dje n’varrim.
I dashur mu duk se ishe ti; edhe pse e di se nuk vjen aty
Ku të gjallët e rrejnë një kufomë
Dikush preku n’gaz, krejt si ti, m’dërgoi puthje me gisht…
U çart edhe poeti i mbrëmë në këtë qytet!
Çfarë arrogance pash Zotin, sikur s’kemi tjera punë,
I kalojmë ditët në ceremoni varrimi
Mbi arkivole prekim shikim
Dokrra shpirti im, llafe.
Kush tha se gazi u shua?
Përse u çnjerëzua një poet!
Jo, aspak
Se jemi njerëz, gëzohemi si çdo kafshë e butë:
Aty kur blejmë supë me kiste,
Kur e mashtrojmë patrullën, me t’u shtënë serbë…
Si the?!
Sa pare i ka fytyra pa leqe, nderi e…
Prano.
S’e vlejnë një bukë fabrike, një birrë Peje, jo se jo.

Shih çfarë të bëra Prishtinë
M’u thaftë dora e Mira ime,
S’ta shkrova një fjalë të mirë,
Përherë një dorë ethesh më dridhë
Gjithë kjo borë në gji!
M’u marrtë goja, s’ta thash asnjë varg,
Për erën bli në verë, udhët e zëna me nektar e njerëz
Që pështyjnë tri here Orët e Liga n’gji,
Sa shqip!
Belbëzimet që t’i qesin njëmijë vargje n’ditë,
Gjithë këta poet të këqij!
Por, s’kanë si të duan ndryshe, Prishtinë.
Më plaçin sytë.
S’ta thura një pikturë, aso që laikët i shesin në rrugë, krejt lirë.
Për me të marrë me të mirë.
Me t’rrejtë se s’na vjen era mut, kur shohim pika gjaku.
Se… se… deshëm diçka në ty.
Ç’e do këngën time verdh si lakra!?
Për këta fëmijë nervoz, që grithen, ngrehen për flokësh
Kur zihen për politikë
Apo për këta etër, që aktrojnë qetësi
Dehen me coca-cola
Teren në tym duhani Ballkanik
Me ambalazh “Marlboro”.
E di! S’ke pse më ndien mua gjakhumburën,
Por, zë besë Kosovë
Se aty ku të gjallët e rrejnë një kufomë
Buzëqeshi i mbrami poet. Vetë miku im.
Tash të shprishin bombat Kosovë,
E këtu, gjë nuk ndodh, pak kush bën kryq,
E lëkundin dallgët Atlantikun.

Cognace, Francë, korrik ‘99

Përfundojnë xhirimet e filmit “Back Home”, trajton pasojat e luftës së fundit në Kosovë

Këto ditë kanë përfunduar xhirimet e filmit “Back Home” të regjisorit Arbër Krasniqi. Xhirime këto që kanë zgjatur disa ditë, pasi një pjesë e filmit është xhiruar në Kosovë e një pjesë në Amerikë. Këto i ka bërë të ditur vet producentja e filmit Valentina Maloku për KultPlus.

“Back Home” është film që trajton pasojat e luftës së fundit në Kosovë, nga perspektiva e një të mbijetuari të masakrës së burgut të Dubravës. Në film trajtohet se si Mali, personazhi kryesor i filmit, i mbijeton masakrës së burgut të Dubravës më 1999, falë ndihmës që i jep Kryqi i Kuq amerikan të cilët e dërgojnë Malin në ShBA për shërim meqë ai kishte pësuar amnezi. Pas trajtimit disavjeçar, i kthehet kujtesa dhe kthehet në Kosovë tek familja. Ai e gjen fshatin e djegur totalisht, nga ku e kupton që edhe familja e tij ishin ekzekutuar nga policia serbe. Krejt çka gjen Mali është këpuca e Tinës, bijës së tij tre vjeçare.

Skenari dhe regjia e filmit është bërë nga Arbër Krasniqi, drejtor artistik është Robert Essel, kamera nga Isak Duraku, dhe Kreshnik Marke – USA.

Në këtë film luajnë: Arbër Krasniqi, Astrit Rexhaj, Nathalie Jean, Kastriot Saqipi etj.

Në fillim, ky projekt është përkrahur nga Sefer Susuri, Vëllezërit e Bashkuar, Mentor Veliu, Skylfer Fazlija, Troi Film, B2B Communication, Gegnia Film , AIA Production Tv Metro USA, GEGNIA Film, NOLI Hair Sallon etje, më vonë edhe nga Komuna e Prishtinës.

Producentja ka bërë me dije se janë afër një marrëveshje me një shtëpi filmike nga Franca për postprodhim. / KultPlus.com

“Duhet t’u jemi mirënjohës njerëzve që na bëjnë të lumtur, ata janë si kopshtarët e mirë që e bëjnë të lulëzojë shpirtin tonë”

Marsel Prust ka lindur më 10 korrik të vitit 1871 në Paris, dhe ka vdekur  në vitin 1922.

Konsiderohet si njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj francez i të gjitha kohëve; puna kryesore që Prusti e zhvilloi gjatë karrierës së tij është vepra “Në kërkim të kohës së humbur”, të cilën e botoi mes viteve 1913-1927.

Me talentin e jashtëzakonshëm, ai arriti të rreshtohet në mesin e të mëdhenjve si Dante, Balzak apo Xhojs – duke arritur të krijoi universin e tij të plotë.

Janë të famshme edhe thëniet e tij, për artin, jetën, dashurinë…

KultPlus, jua sjell njërën prej tyre. / KultPlus.com

Një grua e fortë në vend që të shqetësohet kur njerëzit nuk e trajtojnë ashtu siç duhet, ajo thjesht i vret me mirësinë e saj

Çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh një grua e fortë? Çfarë i vendos këto gra larg të tjerëve? Në thelb, ato nuk i pranojnë broçkullat e askujt. Ato qëndrojnë të gjalla vetë dhe nuk lejojnë askënd që t’ua “presë krahët”. Ato e dinë vlerën e tyre dhe nuk lejojnë që dikush ta ndrydhë atë.

Këto ditë, të gjithë ne duhet të mbledhim gjithë forcën vetëm sa për të kaluar nëpër këtë botë të çmendur, por gratë e forta e kanë zotëruar tashmë artin e të jetuarit sipas kushteve të tyre.

Ato mund të na tregojnë mësime të vlefshme për të qenë të durueshëm përballë vështirësive dhe për t’u lartësuar mbi pengesat që jeta mund të na vërë përpara.

Nëse besoni se keni një grua të fortë në jetë, mund ta njihni atë nëpërmjet shenjave të mëposhtme. “Bota ka nevojë për gra të forta; gra që do të duan dhe do të duhen, gra që jetojnë me guxim, si të brishta dhe të ashpra; gra të vullnetit të pamposhtur.” – Amy Tenney

Ajo respekton veten dhe të tjerët

Një grua e fortë e respekton veten mjaftueshëm sa për të mos u trajtuar si një portier, dhe ajo i jep të njëjtin respekt të tjerëve. Ajo e di se të gjithë meritojnë të kenë një zë dhe të dëgjohen; ajo pret që njerëzit t’i tregojnë asaj të njëjtën mirësjellje.

Në vend që të shqetësohet kur njerëzit nuk e trajtojnë atë ashtu siç dëshiron të trajtohet, ajo thjesht bëhet një person edhe më i madh dhe i vret me mirësinë e saj.

I duhet shumë pjekuri një personi që të përballet dhe të mos lejojë sjelljen e njerëzve të tjerë ta tërheqin poshtë. Gruaja e fortë vazhdon të habitë njerëzit me mençurinë dhe përulësinë e saj. Ajo gjen ekuilibrin e duhur mes arrogancës dhe mungesës së vetëbesimit, sepse ajo kërkon respekt, por nuk gjen në të një kompleks superioriteti.

Me fjalë të tjera, ajo i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë si veten dhe pret të njëjtën gjë nga të tjerët.

Prindërit e saj e mësuan atë që me një roje të sillet në të njëjtën mënyrë si me një njeri me post të lartë dhe ne mund të mësojmë shumë nga një grua e fortë për mënyrën se si t’i trajtojmë njerëzit.

Është e pavarur

Ajo nuk ka nevojë për ndonjë mashkull apo femër për ta ndihmuar atë të ecë përpara në jetë. Do të ishte më mirë për të që t’i kryejë vetë gjërat se sa të zhgënjehet prej dikujt tjetër. Ajo ka standarde të larta për veten. Ju do ta shikoni atë duke realizuar qëllimet e saj vazhdimisht, sepse ajo nuk dëshiron që kur të kthejë pas kokën në jetën e saj të shohë me keqardhje.

Sidoqoftë, kjo ndjenjë pavarësie mund ta fusë atë në vështirësi ndonjëherë. Në një artikull mbi Psikologjinë Sot, Marcia Reynolds, një trajnere udhëheqëse dhe me doktoraturë në psikologji, thotë, “Ne gratë e forta shpesh ndjehemi se duhet të përballemi vetë me vështirëtë. Ne harrojmë t’i lëmë të tjerët për të na ndihmuar.”

Gratë e forta shpesh janë ngritur me “mentalitetin e fituesit”, që do të thotë se prindërit e tyre i shohin ato si arritëse të larta, të cilat mund të arrijnë një marrëveshje të madhe për veten e tyre. Ato janë edukuar për madhështinë, gjë që e bën të vështirë për gratë e forta t’i lejojnë të tjerët t’i ndihmojnë.

Ato me të vërtetë nuk mendojnë se kanë nevojë për ndihmë, duke bërë që ato të marrin përsipër më shumë nga sa mund të përballojnë.

Në këtë mënyrë pavarësia është një shpatë me dy tehe. Nëse jeni një grua e fortë, përpiquni të kuptoni dobinë e të lejuarit të vetes për të pasur nevojë për të tjerët.

Di si t’i kontrollojë emocionet

Një grua e fortë e di fuqinë e mendjes dhe nuk lejon që ajo të kontrollojë jetën e saj. Ajo i merr nën zotërim emocionet e saj dhe nuk lejon që ata të qeverisin. Kjo grua e di se emocionet ndryshojnë vazhdimisht, ashtu si moti, kështu që ajo nuk i jep shumë vlerë ëndjes në situata apo ndjenja. Ajo i lejon vetes të ndjejë emocionin dhe më pas vazhdon përpara.

Po ashtu, ajo nuk lejon që njerëzit apo ngjarjet të diktojnë mënyrën se si ndihet ajo. Në vend që t’i lërë të tjerët të kontrollojnë energjinë e saj, ajo vendos energjinë e saj mbi gjithë të tjerët.

Ajo lë gjurmë të qëndrueshme tek njerëzit e tjerë, sepse ajo e di saktësisht se çfarë dëshiron të shfaqë në tavolinë në çdo situatë të caktuar. Ajo nuk lejon që frika apo dyshimet të kontrollojnë energjinë e saj, sepse ajo e di se këto emocione nuk do ta lejojnë atë të arrijë rezultatin e dëshiruar.

Ajo e sheh jetën më shumë si një lojë. Për të fituar, gruaja e fortë e di se ajo duhet të jetë vetja e saj më e mirë gjatë gjithë kohës. Ajo vendos një fytyrë të guximshme dhe fiton mbi çdo gjë që qëndron në rrugën e saj dhe e bën këtë me një gjendje mendore të ekuilibruar dhe nën kontroll.

Një grua e fortë merr përsipër rreziqet

Gruaja e fortë e di se kur duhet të ndërmarrë rreziqe. Ajo e di se jeta kërkon që ne ta nxisim veten përpara nëse duam të rritemi dhe të mësojmë; nëse qëndrojmë të mbërthyer pas frikës, vetëm sa do të shkaktojë vetëkënaqësi.

Ajo merr rreziqe në mënyrë që të ketë një formim më të mirë dhe të testojë limitet e saj. Kjo grua e di se shumë nga kufijtë tanë mund të kalohen në qoftë se ne kapërcejmë së pari pengesat mendore.

Ndërsa jemi fëmijë, ne besojmë se mund të bëjmë gjithçka, sepse prindërit dhe mësuesit na thonë se mundemi. Ne nuk kemi frikë, sepse programimi i botës nuk na ka prekur ende. Nëse ne rrëzohemi dhe lëndohemi si fëmijë, nuk fiksohemi pas ngjarjes dhe nuk lejojmë që frika të rritet në ne.

Ne thjesht përballemi me frikën tonë pa pushim derisa të mësojmë se si ta mposhtim atë. Fëmijët i jepen momentit aktual sepse kanë mendje të hapura. Ata duan të absorbojnë gjithçka që mund t’u mësojë jeta.

Pastaj, kur rritemi, fillojmë të vendosim mure dhe t’i tregojmë vetes se nuk mund të bëjmë gjëra të caktuara. Ne formojmë një imazh të vetes në kokat tona i cili bëhet identiteti ynë.

Pas një kohe, ne bëhemi fikse. Ne nuk besojmë që ne mund të përulemi dhe t’i përshtatemi diçkaje të re. Megjithatë, gruaja e fortë e thyen shpesh këtë cikël. Ajo e shtyn veten të bëjë gjëra të reja në mënyrë që identiteti i saj dhe vetë-imazhi të mos ngurtësohen.

Ajo nuk lejon e frikën që ta kontrollojë atë, sepse ajo e që nuk mund të mësojë nëse nuk është e qetë dhe e sigurt.

Ruan pozitivitetin

Mendimi pozitiv qëndron në ballë të mendjes së saj, sepse ajo e di se nuk mund të udhëheqë një jetë pozitive me një pikëpamje negative ndaj botës. Një grua e fortë e di se pozitiviteti mund të ndryshojë jetën e dikujt; ajo mund t’i nxjerrë ato nga thellësia e dëshpërimit deri në lartësimin e ndjenjës së gëzimit.

Prandaj, gruaja e fortë përdor fuqinë e të menduarit pozitiv në jetën e saj të përditshme. Ajo nuk i lejon retë të bllokojnë diellin e saj; në vend të kësaj bëhet burimi i dritës. Për shembull, nëse ajo ka humbur punën kohët e fundit, ajo nuk lejon që të menduarit negativ të krijojë në të besimin se ajo kurrë nuk do të gjejë ndonjë punë tjetër.

Ndoshta do të ishte më mirë pa atë punë. Ndoshta nuk e donte aq shumë sa mendonte ajo. Ajo shikon drejt të ardhmes dhe beson se do të gjejë diçka më të mirë. Duke shfaqur këtë energji, ajo e di se do të ketë një shans shumë më të mirë për t’i kthyer mendimet e saj në realitet.

Kjo grua nuk fiksohet pas problemeve; në vend të kësaj ajo fokusohet në zgjidhjen e tyre. Gruaja e fortë vëren se çfarë mund të bëjë për të përmirësuar situatën e saj, siç është kërkimi i vendeve të punës dhe kërkesa për mbështetës për të parë nëse ato mund ta ndihmojnë.

Të tjera tipare kryesore të një femre të fortë:

Ajo e di se çfarë dëshiron nga jeta dhe nuk ka frikë të shkojë pas asaj gjëje.

Një gruaje të fortë i pëlqen t’i ketë gjërat nën kontroll, por e di kur është koha që dikush tjetër duhet të udhëheqë.

Ajo është krijuese dhe përdor imagjinatën e saj për të krijuar realitetin e saj.

Asaj nuk i pëlqejnë dramat apo thashetheme dhe largohet nga njerëzit që angazhohen në këto sjellje të cekëta.

Ato nuk zbukurojnë asgjë. I tregojnë gjërat ashtu siç janë dhe presin që njerëzit e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.

Gratë e fuqishme kujdesen për shëndetin dhe lumturinë e tyre dhe nuk presin që të tjerët ta bëjnë këtë për ta.

Ato kanë nevojë për shumë kohë për të risjellë energjinë e tyre pasi që ato japin kaq shum prej vetes në baza ditore.

Një grua e fortë e rrethon veten me njerëz pozitivë dhe të fuqishëm. Ajo nuk është e dhënë pas njerëzve negativë.

Ato vazhdimisht duan të mësojnë gjëra të reja dhe të provojnë limitet e tyre.

Ato kanë një mendje të hapur dhe besojnë se mund të bëjnë gjithçka në jetë.

Ajo nuk lejon që dikush ta manipulojë. Ajo i di vlerat e saj dhe nuk beson se duke e mbajtur gojën mbyllur nuk do të shkaktojë probleme.

Gratë e forta janë njerëz të veçantë që sjellin  ndryshime të mëdha në këtë botë. Ato kanë një vizion dhe nuk ndalen derisa ëndrrat e tyre të bëhen realitet. Për ta, jeta është shumë e shkurtër për t’u kthyer në versionin më të vogël të vetvetes.

Një grua e fortë do ta shkundë këtë botë në themele dhe do të lërë një gjurmë të përhershme në univers. / KultPlus.com

Në Therandë gjendet një artefakt me vlera të veçanta historike

Një stelë e gjetur në fshatin Peqan të Therandës,si gjetje rasti, pasqyron në vete atë që dëshmon për një civilizim të lartë  që në antikitet, të kësaj treve.

Bazuar në tipologjinë e saj duket se ekjo stelë i takon shekullit te II apo të III të eres sonë. Ky artefakt i takon stelave me tipologji harkore që bazuar në përcaktimin tipologjik të monumenteve supelkrale te Kosoves të arkeologes Exhelale Dobruna Saliu,i përket varianit të stellave harkore me figurë. Karkteristike e ketyre tipeve te stelave jane se në edikul paraqitet në reliev figura e të ndjerit deri në brez.

Stela është gjetur në formë rasti gjat punimeve në kët fshat që kishin të bënin me ndertimin e një shtëpie ku më pas është bartur në hapsirat e Muzeut të Therandës(Suharekës) ku ndodhet aktualisht.

Stela është e punuar prej gurit të mermerit, cilësia e të cilit nuk është edhe aq e lartë, që jep për të kuptuar se guri nuk është importuar por është nga rajoni i Dardanisë Antike.

Stela ka këto dimenzione: 178 cm X 64 cm X 32 cm. Edikula e kësaj stele është harkore me figure të një gruaje dhe një vajze të re e punuar në reliev ndërsa tipologjia përkon me stelat me hark dhe shtylla anësore. Fusha mbishkrimore ka dimensione 66 X 47 cm, ndërsa pjesa e edikules 58 X 64 cm.

Brenda edikules ndodhet portereti i një gruaje dhe brenda tij portreti i nje vajze te vogel,te gdhendura ne reliev me kontura te pasterta te fytyres dhe me një veshje të qartë deri në brez. Duket se kemi te bejmë me nënë dhe bijë, rast jo i pazakont ky në monumentet të kohes.

Kjo stelë ka edhe elementet ornamentike si kufizim të fushës së edikules dhe fushes mbishkrimore me një elegancë të jashtzakonshme ndërsa posht fushës mbishkrimore gjendet një enë e tipit amforë nga e cila del hardhia me gjethe urthi e cila ngjitet lartë duke kufizuar tërë stelen në pjesën e përparme me çka edhe jepet një pamje ornamentike mjaft e harmonizuar.

Fundi i stelës ka një vrimë 8 centimetra të gjërë gjë që jep të kuptohet se ajo ishte e vendosur mbi një bazament të përforcuar të trollit.

Fusha mbishkrimore ka një tekst të zakonshem për stelat e tilla të periudhës romake me mbishkrim latin me shkronja të tipit majuskul (maiuscul) të shkruar mjaft mirë dhe të pa dëmtuara gjë që e bënë të leht leximin e tyre. Një karakteristikë te ky mbishkrim veqohet fakti se shkronja A kryesisht është pa vijen e mesme gjë që nukë është e pazakont në materialet epigrafike të kësaj kohe. Poasht Brenda tekstit ne dy raste ndodhej si dekorim edhe gjethi i urthit që e bënë më atraktiv tekstin.

Sipas vlersimit tim kjo stellë duhet të jet e shekulli të II apo III pas L.K, bazuar në ngjajshmërit me stelat tjera të përcaktuar më parë në kuptimin kronologjik e të gjetura në arealin e Dardanisë Antike.

Në fushen mbishkrimore gjendet ky tekst:

D.         M.                        Deshifrimi:     D(IS)  M(anibus)

VIP MATA                                                ULP(ia) MATA

QVEVIXIT                                                 QUE VIXIT

./BotaSot/ KultPlus.com

Trashëgimtarja e Disney-t rrëfen fëmijërinë mes dhunës

Jeta nuk është përrallë, as për vetë personazhet e përrallave.

Këtë nuk e themi dhe mendojmë vetëm ne, por besojmë që dhe ju ndani të njëjtin mendim me ne. Jetën nuk e ka përrallë as vetë trashëgimtarja e Disney.

E dimë që kur mendoni për trashëgimtaren e mbiemrit Disney, mendoni një fëmijëri plot lumturi, me akses të palimit tek argëtimi i ëndërruar i Disneyland-it.

Por ky nuk është aspak rasti i Abigail Disney-t, mbesës së bashkëthemeluesit të kompanisë Walt Disney, Roy O. Disney.

“Njerëzit mendojnë se unë jam rritur mes përrallës dhe pluhurit të zanave”, u shpreh Abigail, “Prindërit e mi ishin striktë dhe shumë konservatorë. Dhe që të dy të alkoolizuar.”

Abigail pranoi se dhuna e pësuar në fëmijëri e shenjoi për tërë jetën. / KultPlus.com

Kompania franceze: Ia vlen të zbuloni sharmin e Shqipërisë

“Ia vlen të zbuloni sharmin e Shqipërisë”, shkruan Camille Lemarchand e Boursorama, kompani e famshme bankare franceze, aktivitetet e së cilës shtrihen edhe në portalet e njohura të informimit.

Kompania vlerëson se Shqipëria është destinacion i korrikut të këtij viti.

”Me një sipërfaqe sa Normandia, Shqipëria që ndodhet vetëm dy orë e gjysmë me avion nga Parisi, është një margaritar ende i panjohur nga turistët francezë. Është një vend frankofil, ku shpesh diskuton edhe me banorët. Por, nuk është ky interesi kryesor i këtij destinacioni sekret…

Shqipëria mburret para së gjithash për autencitetin dhe mikpritjen a banorëve të saj. Ende e ruajtur nga turizmi i masës dhe nga globalizmi, ky vend duket i shkëputur nga koha, sidomos kur futesh brenda masiveve malore të saj që përbëjnë 70% të territorit.

Gjirokastra është një qytet në të cilin ia vlen të bësh ndalesë në mes të këtyre relieveve malore. Shtëpitë e gurta në rrëzë të malit dhe kështjella e saj, kanë me të vërtetë vendin që iu takon në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

Për të gjithë ata që janë të dhënë pas rërës së bardhë, Riviera shqiptare është një parajsë. Aty nuk ka zona të mëdha të betonuara, por plazhe të mrekullueshme e pothuajse të zbrazura (gjë që të lejon të ecësh pak në këmbë).

Për të gjithë ata që kërkojnë komfortin e shezlongëve, e të aktiviteteve ujore dhe restoranteve buzë detit, Ksamili është i paevitueshëm. I ndodhur përballë ishullit grek të Korfuzit, ky fshat ka plazhet më të bukura të vendit. Popullariteti i tij në rritje po tërheq gjithnjë e më shumë turistë.

Nëse ju tundon një udhëtim në Shqipëri, mos vononi të rezervoni biletat, sepse shumë shpejt do të bëhet një destinacion i pashmangshëm për turistët evropianë”, përfundon Camille Lemarchand e Boursorama-s, kompani e famshme bankare franceze. /KultPlus.com

20 vjet të refugjatëve të Kosovës në Kanada, shqiptarët falënderohen me program kulturor

Me datë 12 korrik 2019 në Halifax të Kanadasë, do të mbahet manifestimi për nderë të 20 vjetorit të Refugjatëve të Kosovës, e organizuar nga Canadian Emigration Museum of Halifax dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Manifestimi për nderë të 20 vjetorit të refugjatëve kosovar do të filloj nga ora 18:00, deri më 20:00, ku manifestimin do ta nderojnë ambasadori i Kosovës në Kanada zotëri Lulzim Hyseni, asambleistja e Nova Scotia-s, Lena Metlege Diab, Kryqi i Kuq Kanadez, ku arti vizual i artistit Zeqirija Rexhepi do të përcillet me muzikë dhe koreografi vallëzimi, për manifestimin për nderë të refugjatëve kosovar, dhe kontributin e tyre në Kanada.

Në statistikat e fundit të shtetit kanadez, mbi 25.000 shqiptar jetojnë në Kanada. Kryesisht pjesa më e madhe e tyre është nga Kosova, pasiqë emigrimi erdhi si pasojë e luftës së fundit.

Numri më i madh i shqiptarëve që mërguan u vendosën në qytetet Montreal ose Toronto, por gjithashtu  në Calgary dhe Ontario./KultPlus.com