Shqiptarët në pikturat e Rudolf Otto von Ottenfeld

Ai përcjell me një besueshmëri të admirueshme dhe besnikëri korrekte kostumet tradicionale por edhe shprehinë dhe karakteristikat dalluese të shqiptarëve, ku spikat krenaria dhe ashpërsia.

Pasuria e kostumeve dhe ngjyrave, armëve dhe sendeve të tjera personale vijnë pas më shumë se 100 vitesh kaq domethënëse dhe kaq të vërteta.

Më shumë se sa piktura ata janë ai testament shpirtëror i atyre banorëve që jetuan dhe luftuan. Bëhej fjalë për Shqipërinë nën sundimin osman, një Shqipëri hekakeqe por shprehëse. /Albert Vataj /KultPlus.com

Atdheu u shit, ankandi u mbyll

Poezi nga Petrit Ruka

Atdheu u shit, ankandi u mbyll,
Të gjithë e dimë, po lajm nuk ka,
Miliona letra me vlerë votimi,
Tani do të bëhen thasë me para…

U vumë në radhë si mijra dele,
Kopen e ujqërve e zgjodhëm sërish,
Dhe shpresën e re në mijra blegërima
E mblodhën Ata në vatha partish.

Në vend të zinxhirëve – karta krediti,
Skllevër të lirë, me bukë e makina,
Për ankthin miliona tableta kimike
Nën bluzat firmato, zemra me vrima.

Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur
Ekranet me ngjyra e bëjmë limonadë,
Të dyja palët numurojmë çdo mbrëmje
Ne parainfarktet, dhe ata… paratë.

Atdheu u shit, ankandi mbaroi,
Këtej rrjedh vreri, andej veç gaz,
I huaj po ndjehem çdo orë, këtu,
Po s’kam më fuqi, as për maraz.

Unë kam fuqi veç për këtë këngë,
Me të cilën ata do qeshin me lot,
Do thonë; “..po ky si s’vuri pak mend
Poet i mirë, po mbeti idiot…”

Seria e animuar “Harley Quinn” ka të bëjë me fuqizimin e femrës

Seria e re e animuar e Kaley Cuoco “Harley Quinn” flet për femrat e forta dhe fuqizuese.

Aktorja 33-vjeçare është duke ia huazuar zërin personazhit të preferuar nga titulli nga DC Comics në serinë e ardhshme. Dhe duke folur për Entertainment Tonight, ylli e pranoi se nuk ka “asgjë më të mirë” sesa t’ia huazosh zërin keqbërësve dhe ta promovosh “fuqizimin e madh femëror”.

“Dhe nuk kemi nevojë të vendosim grim!”, qeshi ajo. “Është e mrekullueshme. Janë tetë orë që nuk më duhet t’i kaloj duke bërë flokë dhe grim.”

Kolegia e Kaley, Lake Bell, e cila e luan rolin e Poison Ivy në seri, gjithashtu e përshkroi serinë si “të mahnitshme dhe shumë feministe”, duke shtuar: “Është gjëja e duhur që duhet bërë në këtë kohë. Jemi shumë me fat. Do të mund të shkëmbejmë shumë humor dhe fjalë të ndyta dhe të prapa.”

Seria do të bëjë fjalë për Harley Quinn ndërkohë që ajo e kupton se lidhja e saj me Jokerin (Alan Tudyk) është toksike, dhe ylli i The Big Bang Theory zbuloi se personazhi kalon nëpër një udhëtim emocional, i cili i ka momentet e tij të larta dhe të ulëta.

“Ajo kalon nëpër rritje, por është sikur disa hapa përpara dhe 25 hapa prapa”, tha ajo gjatë një diskutimi në panelin e 2019 TCA Summer Pres Tour të martën në Beverly Hilton Hotel, California. “Ajo kthehet përsëri në mënyrat e saj të vjetra dhe nuk mund të rezistojë ta bëjë këtë.”

“Ajo po mëson se çfarë janë miqësitë e vërteta”, shtoi Kaley. “Këta miq janë më shumë se familja e saj, se sa familja e saj e vërtetë gjë që e mësojmë më vonë në seri”.

Harley Quinn do ta ketë premierën në tetor në DC Universe. /KultPlus.com

“Twin Bottles”, mesazh i fortë ambientalist i artistit shqiptar në Venecia

Një mesazh i fortë ambientalist erdhi në Venecia nga artisti shqiptar Helidon Xhixha dhe Giacomo Jack Braglia.

“Twin Bottles” titullohet vepra e dy artistëve, e cila prezanton dy skulptura të mëdha metalike, vendosur në Canal Grande, përpara Palazzo Ca’ Vendramin Calergi. Janë dy shishe të mëdha që pluskojnë mbi ujë, si një sensibilizim mbi ndotjen e deteve. “Pas 15 vjetësh rrezikojmë të kemi më shumë shishe plastike në det, se peshq”, thonë ata.

“Bashkohemi me këtë “mesazh në shishe” të dy artistëve, që kanë ditur ta shfrytëzojnë artin dhe kreativitetin në dobi të ambientit dhe gjithë njerëzimit”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke përshëndetur suksesin e artistëve.

Ky nuk është angazhimi i parë me karakter ambientalist i Helidon Xhixhës. Në vitin 2015, po në Venecia ai realizoi veprën “Iceberg”, duke denoncuar shkrirjen e akujve për shkak të grohjes globale./Ata.gov.al

Pianistja kosovare mban koncert në Romë, në një nga teatrot më të vjetër në botë

Pianistja e njohur kosovare Artemida Qarri, nesër mban koncert solistik në “Teatro Di Marcello” të Romës, që është një nga teatrot më të vjetër në botë. (Më i vjetër se Koloseumi)

Artemida merr pjesë në “Festival Musicale Delle Nazioni” me ftesë të organizatorëve të festivalit, dhe do të performojë krahas artistëve të nivelit të lartë nga mbarë bota, në mbrëmjet e quajtura “Notti Romane Al Teatro Di Marcello”.

Programi në të cilin do të interpretojë ajo, është një nga repertorët më të vështirë në literaturën pianistike. Koncerti mbështetet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Romës.

Në muajin dhjetor, Artemida pati koncertin e saj solistik edhe në Paris dhe është në përgatitje të aktiviteteve të radhës. Ajo është pedagoge dhe mësimdhënëse e angazhuar edhe në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. /KultPlus.com

Miley Cyrus nuk do të jetë pjesë e “MTV Music Awards”

Këngëtarja Miley Cyrus është shprehur se nuk do të performojë në “MTV Music Awards”. Ajo ka treguar dhe arsyen duke qenë mjaft e sinqertë me ndjekësit e saj.

Cyrus nuk do të marrë pjesë pasi nuk është nominuar për të qenë fituese dhe diçka e tillë e ka ofenduar.

Më pas një postim i një fanse, e cila shprehej se nuk do e shihte MTV nëse Miley nuk do të ishte pjesë i ka dhënë fund dyshimeve.

Në po të njëjtin postim është përgjigjur vetë këngëtarja duke shkruar: “Sigurisht që jo”.

Ndërkohë Cyrus pritet që në gusht të jetë pjesë e ‘Sunny Hill Festival’ në Prishtinë. /KultPlus.com

Ç’do të thotë patriot

Poezi nga Ali Asllani

Ç’do të thotë patriot
sot për sot në Shqipëri?
Një tuf’ ah e një tuf lotë,
një njeri i pa njeri!

Jo, jo! Burri i bën ball’
do buçit si val’ mbi zall,

Sa më zi edhe më zi
sido qoftë pun’ e tij,
copë-cop’ i bënet buza
po aspak s’i falet shpuza. 

Sikurse një gur stërrall,
në gji zjarrin e ka ngjall,
qoft në lum’ e qoft’ në det
zjarr’ i tija nuk humbet!

Prezantohet fragmenti për filmin “Jojo Rabbit”

Para se të kthehej në botën filmike të Marvel dhe ta merrte vendin e regjisorit të Thorit të ri, Taika Waititi i kushtoi vetes kohë që të kthehet në mjedisin e vet të natyrshëm – në krijimin e dramave humoristike, të cilat edhe ia shënuan karrierën.

Tani kemi mundësi ta shohim edhe fragmentin e parë të shkurtër për veprën e tij të fundit, filmin “Jojo Rabbit”, i cili na sjell historinë për djalin, i cili rritet në kohën e urrejtjes dhe kaosit, por në atë rritje e ndihmon vetë Hitleri, të cilin e luan Waititi.

Filmi është një përshtatje e romanit “Caging Skies” të autores Christine Leunens, dhe bën fjalë për djalin e vetmuar gjerman Jojo (Roman Griffin Davis), këndvështrimi i të cilit ndaj botës kthehet përmbys kur ai e zbulon se nëna e tij e vetme (Scarlett Johansson) në papafingon e tyre po e fsheh një vajzë çifute (Thomasina McKenzie). Me ndihmën e mikut të tij idiot imagjinar Adolf Hitlerit, Jojo duhet të përballet me nacionalizmin e tij të verbër.

Rebel Wilson, Sam Rockwell, Alfie Allen dhe Stephen Merchant e plotësojnë këtë ekip të aktorëve, ndërsa filmi do ta ketë premierën në shtator në festivalin ndërkombëtar të filmit në Toronto, ndërsa kino-distribuimi në mbarë botën do të fillojë në fillim të janarit 2020. /KultPlus.com

Tom Hanks si Mister Rogers në trilerin e parë për dramën biografike

Sony e publikoi trilerin e parë për dramën biografike “A Beautiful Day in the Neighborhood” në të cilën fituesi i dyfishtë i çmimit Oscar, Tom Hanks, e luan prezantuesin e dashur televiziv, muzikantin, producentin dhe priftin amerikan Fred Rogers.

Fred Rogers, i njohur si Mister Rogers, luhet nga Tom Hanks, ndërsa filmi e sjell historinë e vërtetë për miqësinë e tij me gazetarin cinik Tom Junod (Matthew Rhys) i cili ishte angazhuar ta bënte një artikull për prezantuesin e preferuar shumëvjeçar televiziv. Dy njerëz plotësisht të panjohur ngadalë do të bëhen miq, ndërsa Rogers pak nga pak do t’i japë disa këshilla dhe mësime Junodit se si të mos jetë aq cinik dhe të përqendrohet në mirësjellje dhe dhembshuri. Miqësia në fund do të ndikojë pozitivisht tek të dy. Edhe pse filmi bën fjalë për Rogersin, është e rëndësishme të theksohet se ai nuk është protagonisti kryesor, por kjo është historia se si ai ka ndikuar në njerëzit rreth tij.

Filmi bëhet me regji të Marielle Heller sipas skenarit të Mike Fitzerman-Blue dhe Noah Harpster. Në rolet e tjera shfaqen Susan Kelechi Watson, Enrico Colantoni, Wendy Makkenam, Tammy Blanchard dhe Chris Cooper.

Nga projektet e Rogers, ia vlen të përmendet Mister Rogers’ Neighborhood, një nga emisionet më të njohura televizive për fëmijë të të gjitha kohërave i cili daton nga vitet 1960 kur filloi me transmetimin në CBC me titullin “Misterogers”. Në vitin 1966, emisioni u bë me një shtëpi të re në Shtetet e Bashkuara ku e mori emrin e parë të lartpërmendur. Emisioni u shfaq deri në vitin 2001.

“A Beautiful Day in the Neighborhood” do të mbërrijë në kinematë amerikane më 22 nëntor. /KultPlus.com

“Në mes të urrejtjes zbulova se brenda meje ishte një dashuri e pamposhtur”

Albert Kamy

Në mes të urrejtjes zbulova se brenda meje ishte një dashuri e pamposhtur.
Në mes të lotëve zbulova se brenda meje ishte një buzëqeshje e pamposhtur.

Në mes të kaosit zbulova se brenda meje qëndron një qetësi e pamposhtur.
Përmes gjithë këtyre kuptova se…
Në mes të dimrit, brenda meje qëndron një verë e pamposhtur.

Dhe kjo më bën të lumtur, sepse pavarësisht se sa fuqishëm bota shtyn kundër meje, brenda meje ekziston diçka më e fortë – diçka më e mirë, që e shtyn mbrapa.

1954, shqiptarët dhe jeta e tyre në Ohër e Strugë

Kur fotografitë e realitetit të dikurshëm vijnë në rezolucion më të mirë, gjithmonë kthehemi në nostalgji dhe reflektim mbi jetën e shqiptarëve ndër vite.

E duke qenë se historia shqiptarët i përplasi gjithandej, sot po tregojmë si jetonin shqiptarët në fillim të viteve 50të në Strugë e Ohër.

Fotografitë janë nga viti 1954. Në të dyja vendet ka ekzistuar tregu ku shqiptarët kanë nxjerrë bukën e gojës dhe kanë ruajtur kulturën shqiptare, edhepse ajo u provua të shtypej edhe në këto anë të Evropës.

“Të shkruarit, në rastin më të mirë, është një jetë e vetmuar”

Në tetor të vitit 1954, Ernest Heminguej u nderua me çmimin “Nobel” në Letërsi. Heminguej nuk e përjetoi këtë moment si çdo shkrimtar tjetër: Së pari, ai i tha shtypit se Carl Sandburg, Isak Dinesen dhe Bernard Berenson ishin shumë më të denjë për çmimin se ai, por atij mund t’i hynin në punë paratë e çmimit.

Më pas, në depresion dhe në rikuperim e sipër nga dy aksidente ajrore të njëpasnjëshme, të cilave fatmirësisht u mbijetoi, ai vendosi të mos udhëtonte drejt Suedisë për të tërhequr çmimin. Duke zgjedhur që të mos bëhej pjesë e mbrëmjes së Nobelit në Stokholm më 10 dhjetor 1954, Heminguej i kërkoi John C. Cabot, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Suedi në atë kohë, të lexonte fjalimin e tij të pranimit të çmimit. Fjalimi gjendet në biografinë e tij të botuar në vitin 1972 “Hemingway: Shkrimtari si Artist”.

Fjalimi i Heminguejt

Duke mos e pasur të lehtë bërjen e fjalimeve dhe pa ndonjë aftësi të madhe në oratori apo dominimin e retorikës, dëshiroj t’i falënderoj administratorët për bujarinë e këtij çmimi

Asnjë shkrimtar që i njeh shkrimtarët e mëdhenj, të cilët nuk e kanë marrë çmimin, nuk mund ta pranojnë atë në formë tjetër përveçse me përulje. Nuk ka nevojë t’i listoj këta shkrimtarë. Gjithkush këtu mund të bëjë listën e vet, sipas njohurisë dhe ndërgjegjes së tij.

Do të ishte e pamundur që unë t’i kërkoja ambasadorit të vendit tim të lexonte një fjalim në të cilin shkrimtari thotë gjithë çfarë ka në zemër. Gjërat mund të mos jenë menjëherë të dukshme në atë që një njeri shkruan, dhe në këtë mënyrë ai ndonjëherë mund të jetë me fat; por përfundimisht ato janë mjaft të qarta dhe nga këto dhe shkalla e alkimisë që ai posedon, varet nëse do të zgjasë në kohë apo do të harrohet.

Të shkruarit, në rastin më të mirë, është një jetë e vetmuar. Organizatat për shkrimtarët e lehtësojnë vetminë e shkrimtarit, por dyshoj nëse e përmirësojnë shkrimin e tij. Statura e tij si njeri publik rritet kur ai e shpërndan këtë vetmi dhe shpesh puna e tij përkeqësohet. Për këtë arsye, ai punon vetëm dhe nëse ai është një shkrimtar i mirë, ai duhet të përballet me përjetësinë, ose mungesën e saj, çdo ditë.

Për një shkrimtar të vërtetë, çdo libër duhet të jetë një fillim i ri ku ai përpiqet përsëri për diçka që është përtej asaj që mund të arrijë. Ai duhet gjithmonë të përpiqet për diçka që nuk është bërë kurrë, ose për të cilën të tjerët janë përpjekur dhe kanë dështuar. Pastaj ndonjëherë, nëse është me shumë fat, ai do të ketë sukses.

Sa e thjeshtë do të ishte të bësh letërsi nëse do të duhej vetëm të shkruaje në një mënyrë tjetër atë që është shkruar mirë. Pikërisht për shkak se ne kemi pasur shkrimtarë kaq të mëdhenj në të kaluarën, shkrimtari është larguar nga e kaluara drejt një vendi ku askush nuk mund ta ndihmojë.

Fola gjatë si shkrimtar që jam. Një shkrimtar duhet të shkruajë atë që ka për të thënë dhe jo ta thotë me fjalë. Ju falënderoj sërish. /KultPlus.com

“Ngrohtësia e diejve të tjerë…” zbërthen krizën e refugjatëve

Të mërkurën e 26 qershorit kishte dalë në publik një fotografi e një burri nga Salvadori dhe vajzës së tij, me fytyra përmbys, që humbën jetët në lumin Rio Grande, në përpjekje që të migrojnë nga Meksika në Teksas. Kjo fotografi, që të ngre mornicat, ktheu vëmendje edhe më shumë rreth rrezikut të kalimit të kufirit nga emigrantët, të cilët synojnë të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Është pikëlluese të flasim për këtë, nuk ka fund të rrëfimeve”, ka thënë Massimiliano Gioni, drejtori artistik i Muzeut të ri të New Yorkut, të njëjtën ditë. Së bashku me kuratoren Natalie Bell, ai ka realizuar një ekspozitë të re, e cila fokusohet në migracionin në Amerikë.

“Ngrohtësia e diejve të tjerë: Histori të zhvendosjeve globale” përfshin vepra të 75 artistëve nga më shume se 15 shtete, shumica e të cilëve edhe vetë janë përballur me migrimin.

“Nuk është një ekspozitë që aspiron shpresë ose lumturi, ka të bëjë më shumë me shpirtin e kohëve”, shton ai.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri më 22 shtator në “Phillips Collection”, në Washington DC, shfaq veprat e artistëve amerikanë, meksikanë, irakianë, marokenë e brazilianë në mesin e të tjerëve.

“Kjo bën së bashku reagimet e artistëve, të cilët kanë treguar aspektet dramatike të migracionit”, shton ai. “Ishte një histori e njohur se sa dëshpëruese ishin këtu rrugëtimet, kushtet që janë përkeqësuar”.

“Fakti që ekspozita është hapur në Washington, është po ashtu interesant”, thotë Gioni. “Unë besoj fuqishëm që duhet shkuar dhe parë ekspozitat në vende të specifikuara për këtë. Është një ekspozitë që është shumë specifike për këtë qytet”.

Titulli e ekspozitës është marrë nga poema e shekullit XX e shkrimtarit amerikan Richard Wright – autor i “Native Son” në 1940 – që ka shkruar “Ngrohtësia e diejve të tjerë” në vitin 1945 në poezinë e titulluar “Black Boy”. (Një titull i librit me të njëjtin emër ishte publikuar në 2010 nga Isabel Wilkerson, që gjurmon migrimin e madh në Amerikë).

Sipas Bell, qëllimi ishte një këndvështrim në historinë e migrimit në Amerikë. “Është një histori e patreguar e ShBA-së”, thotë ajo. Fraza ka një sens të optimizmit në të, në kërkim të një jete më të mirë. Ashtu siç bëjnë edhe imigrantët.

“Titulli ka një ton shprese në të”, thotë Bell. “Në vend të reklamimit të një vështirësie, me të cilin vizitorët mesatarë nuk mund të identifikohen, kjo ekspozitë është për t’i lidhur ata me dëshirën për një jetë më të mirë”.

Ekspozita përfshin veprën e piktorit afro-amerikan Jacob Lawrence “Seritë e Migrimit” nga viti 1940, që zhurmon migrimin e madh. Seria që përfshin 60 piktura në tërësi sjell portretet e Harriet Tubman dhe Frederick Douglass, po ashtu edhe një skenë me një turmë emigrantësh në tren, punëtorë që bëjnë punë fizike dhe skena nga gjykata.

Piktura e amerikanit Arshile Gorkz “Artisti dhe nëna e tij” është po ashtu pjesë e ekspozitës. Fotografi bazohet në fotografinë e vitit 1912 të 16-vjeçarit Gorkym së bashku me nënën e tij. Vite para se ai të largohej nga gjenocidi në Armeni, duke valëvitur flamurin amerikan, mirëpo në kohën kur ai e pikturoi atë në vitin 1924, nëna e tij kishte ndërruar jetë.

“Ka të bëjë me atë se si historia e modernizmit është bazuar në eksperiencën e ekzilit”, thotë ai. “Është ideja sesi njerëzit nga e gjithë bota ndajnë një gjuhë të përbashkët më të madhe sesa kufijtë e botës, ideja e komuniteteve përtej kufijve”.

Fotografia e fotografes së kohës së depresionit, Dorothea Lange “Unë jam një amerikane”, nga viti 1942 tregon një dyqan në Japantown në distriktin Oakland, një ditë pas sulmit “Pearl Harbor”. Pronari kishte krijuar një shenjë në të cilën shkruante: Unë jam një amerikan. Dyqani ishte mbyllur pak kohë pas kësaj, pasi që pasardhësit e Japonisë ishin detyruar që të evakuoheshin nëpër pjesë të caktuara të vendit. Pronari i dyqanit ishte detyruar që të shkonte në një kamp internimi.

“Ishte një punë gazetarie kur ishte krijuar, mirëpo shtronte pyetjen: ‘Cila është përgjegjësia e artistit përballë historisë?’”, pyet Gioni. “Ne jetojmë në një kohë kur njerëzit mendojnë se artistët realizojnë gjëra që shiten. Gjatë ekspozitës ju keni ndjesinë që artistët kanë më shumë funksionin se vepruesit. Një, është regjistrimi i historisë”.

Në mesin e veprave të tjera bashkëkohore në ekspozitë, artisti meksikan me bazë në Belgjike, Alys po tregon një video me fëmijë prej Tangier dhe Tarifa, që qëndrojnë në një linjë të gjatë që vazhdon drejt detit.

Artisti brazilian, Paulo Nazareth, shfaq një fotografi nga lajmet e një serie amerikane, xhiruar në Arizona, duke mbajtur sloganin “Ne kemi të drejta në këtë peizazh”. Artisti kinez Liu Xiaodong vjen me një pikturë të emigrantëve që ndajnë të njëjtën batanije, e ajo krijon pamjen e një peizazhi nga Greqia.

Artisti shqiptar dhe regjisori Adrian Paci sjell momentet e transicionit, një video në të cilën një grup njerëzish qëndrojnë në shkallët e një aeroplani që nuk ateron askund.

“Ai kishte ardhur në Itali në vitin 1990 me një anije nga Shqipëria”, thotë Gioni. “Ne kemi dashur që të tregojmë artistë që flasin nga një pikëpamje e përjetuar vetë. Është personale”.

Po ashtu është shfaqur edhe vepra “Double America” e artistit amerikan Glenn Ligon, një shenjë me ngjyrë neoni të bardhë që shkruan “Amerika” (në të dy anët edhe teposhtë, edhe përpjetë). “Përmes reflektimit mbrapsht në pasqyrë të fjalës Amerika sugjerohet se një kthim mbrapsht është në aktual këto ditë”, thotë Gioni. “Është një vend që lidhet me lirinë, e që po kthehet në të kundërtën e mitit të vet”.

Kjo nuk është ekspozita e parë që po trajton temën e refugjatëve, dhe ka shumë shanse që të mos jetë e fundit. Ka pasur një varg të ekspozitave që po merren me krizën e refugjatëve që nga skulptura e emigrantëve e Ai Weiwei në Sydney deri te veprat e Yoko Ono në Manhattan. Kjo sidoqoftë hedh shikimin në historinë e Amerikës dhe sesi ajo mund ta përsëritë veten.

“Ne kemi dashur që të kemi një fokus në çështjet që tani janë prezente në ShBA”, thotë Bell. “Janë vepra që flasin për historinë e imigracionit, migracionit dhe migracionit të detyruar në historinë e Amerikës”. /KultPlus.com

Jehona Lumi publikon këngën e re “El amor”

Këngëtarja e re e estradës kosovare, Jehona Lumi ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor.

“El amor”, është këngë ritmike ndërsa videoklipi është mjaft veror, në të cilin këngëtarja Lumi vjen me disa skena mjaftë atraktive, shkruan KultPlus

Për realizimin e këngës është përkujdesur producenti i njohur Zzap, e ndërsa për tekstin është vet Jehona.

Për videon muzikore është kujdesur regjisori Visar Loku.

Ndryshe, kënga “El amor”, pritet të pëlqehet nga fansat e shumtë të Jehonës. /KultPlus.com

Andrra e vajzës

Poezi nga Esad Mekuli

Shushuritja e leht’ e t’panjohtunit më treti fare
dhe agime t’kaltërta andrrova…

E nëpër kunor lakmish për ‘limtare-
si lulja q’i jep qiellit lulzimin,
rinin ja dhurova.
Shkëlqyen yjet e qiellit si syt e tijë
të thellë dhe të ndritshm
dhe u shafit nën te e kërthnezta fuqi…

-Sonte shushuritja e leht’e t’panjohtunit
më treti fare
dhe agimet e kaltërta andrrova

“Pjeshka Festival” mbërrin për herë të parë në Shqipëri

Stina e verës sjell larmi festivalesh apo aktivitetesh, të cilat bëhen akoma dhe më shumë domethënëse kur zhvillohen në bregdet.

“Pjeshka Elektronik Muzikë Festival” do të mbahet për herë të parë në Shëngjin në datat 2, 3 dhe 4 gusht, ku do të marrin pjesë 20 artistë shqiptarë dhe të huaj, pra një përzierje të mirë të DJ-ve kombëtar, ndërkombëtar.

Festivali do të organizohet përgjatë 3 ditëve dhe 2 netëve në mes të një zone plazhesh në Detin Adriatik.

Në këtë festival, muzika, arti dhe kultura janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën për të krijuar një atmosferë dhe eksperiencë të paharrueshme. /KultPlus.com

Shujaku: DokuFest, festival organik me shtrirje dhe ndikim të gjerë kulturor

Sot në Tiranë u mbajt konferenca e përvitshme për media e festivalit DokuFest XVIII, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 18 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 02-10 gusht 2019 në Prizren, Kosovë.

Zëvendës Ministrja e Kulturës e Shqipërisë Valbona Shujaku tha se përgjatë zhvillimit të tij, DokuFest ka arritur të ndërtojë një ngjarje kulturore të rëndësishme për botën e artit.

“DokuFest është ngjarje e rëndësishme e cila ka nisur si iniciativë e vogël ndërsa tashmë është shndërruar në një rrugëtim kulturor të rëndësishëm si dhe një vend-takim artistik mbarëbotëror” tha Shujaku.

Ndërkaq, drejtuesit e festivalit: Nita Deda (drejtoreshë e festivalit), Veton Nurkollari (drejtor artistik) dhe Samir Karahoda (programer i filmave shkurtë) shpalosën më gjerësisht temën dhe programin e sivjetmë.

Mbi 280 filma dokumentar të mrekullueshëm si dhe një përzgjedhje e veçantë e filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale që vijnë nga 40 shtete të ndryshme do të jenë pjesë e programeve garuese dhe atyre speciale, si dhe do të ketë punëtori, program të muzikës, panele dhe masterklasa të ndryshme.

Në mbrëmje, DokuFest do të shfaqë disa filma të përzgjedhur tek Tirana Open Air, përcjellë nga një diskutim jo-formal me platformën Harabel Contemporary Art Platform duke filluar prej orës 21.00.

Hyrja është falas.

Një ditë e zakonshme

Nga: Gabriel Garcia Maruqez
Përktheu: Ben Meçe

Dita e hënë gdhiu e nxehtë dhe pa shi. Don Aurelio Eskobar, dentist pa diplomë, i mësuar të fillonte punë herët, e hapi studion në orën gjashtë. Nxori nga sirtari i vitrinës një protezë dhëmbësh, të pashkëputur akoma nga stampa prej allçie, dhe vendosi mbi tavolinë një sërë veglash, në radhë nga më e vogla tek më e madhja, si do t’i kishte vendosur një shitës në dyqan. Kishte veshur një këmishë me viza, pa jakë, të mbërthyer me një komçë ngjyrë floriri poshtë gushës, dhe një palë pantallona të mbajtura me bretele elastike. Ishte një burrë i thatë, me trup të tendosur dhe me shikim që rrallë herë pasqyronte situatën, si shikimi i një shurdhi.

Pasi sistemoi veglat, tërhoqi trapanon drejt poltronës dhe u ul për të lustruar protezën. Nuk dukej i përqendruar në atë që bënte, por punonte me ngulm, duke pedaluar me trapano edhe kur nuk nevojitej.

Pas orës tetë bëri një pushim. Nga dritarja vështroi qiellin, dhe pastaj dy laraska që ngroheshin mbi çatinë e shtëpisë përballë. Iu kthye përsëri punës, i sigurt se para dreke do të fillonte prapë shiu. Zëri kumbues i djalit njëmbëdhjetëvjeçar, e nxori nga mendimet.

“Baba.”

“Hë.”

“Ka ardhur kryetari. Do që t’i heqësh një dhemb.”

“I thuaj që nuk jam.”

Po lustronte një dhemb floriri. E largoi nga vetja në largësinë e krahut dhe po e vëzhgonte me sytë gjysmë të mbyllur. I biri u kthye duke bërtitur nga salla e pritjes.

“Thotë që je aty se të ka dëgjuar.”

Dentisti vazhdoi të vështronte dhëmbin. Kur iu duk i përfunduar e vendosi mbi tavolinë dhe i foli të birit:

“Më mirë akoma që më ka dëgjuar.”

Shkeli përsëri pedalin e trapanos. Pastaj nxori një çark nga një kuti kartoni dhe filloi të lustronte pjesën e florinjtë.

“Baba.”

“Hë.”

Nuk e ndryshoi aspak shprehinë e fytyrës

“Thotë se po nuk i hoqe dhëmbin do të të qëllojë me pushkë.”

Pa u ngutur, me një lëvizje tepër të ngadaltë, fiku trapanon dhe e largoi nga poltrona. Pastaj hapi sirtarin e vogël nën tavolinë. Aty mbante të fshehur pistoletën.

“Mirë,” tha. “I thuaj të vijë e të më qëllojë.”

Rrotulloi poltronën nga dera dhe mbështeti dorën mbi sirtarin e hapur. Kryetari u shfaq te pragu i derës. Kishte rruar faqen e majtë, ndërsa te tjetra, e fryrë nga dhimbja, kishte akoma qime pesëditore. Dentisti dalloi në shikimin e tij të fikur vuajtjet e disa netëve pa gjumë. Mbylli sirtarin me majën e gishtave dhe i tha me qetësi:

“Uluni.”

“Mirdita,” tha kryetari.

“’dita,” tha dentisti.

Ndërsa veglat zienin akoma, kryetari mbështeti kokën te mbështetësja e poltronës dhe ndjeu ta lëshonte pak dhimbja. Ajri që po thithte iu duk i akullt. Ishte një studio e varfër: tavolina e vjetër prej druri, trapanoja me pedale, një dollap me kanata qelqi me raftet plot me poçe qeramike. Përballë poltronës një dritare e mbrojtur nga një pritëse ere prej stofe deri në lartësi njeriu. Kur ndjeu se dentisti po i afrohej, kryetari shtrëngoi thembrat në dysheme dhe hapi gojën. Don Aurelio Eskobar ia ktheu fytyrën nga drita. Pasi pa dhëmbin e sëmurë shtypi disa herë me kujdes pjesën e ënjtur të faqes, me dy gishtat e dorës.

“Do e heqim pa anestezi,” i tha.

“Pse?”

“Sepse ke një akçes.”

Kryetari e fiksoi në sy.

“Në rregull,” i tha dhe u mundua t’i buzëqeshte. Dentisti nuk ia ktheu buzëqeshjen. Solli mbi tavolinë tenxheren me veglat e sterilizuara dhe i hoqi nga uji me një pincë të ftohtë, gjithnjë me veprime të ngadalta dhe pa u ngutur. Pastaj afroi me majën e këpucës pështyrësen dhe shkoi te lavamani për të larë duart. Ç’do veprim e bëri pa parë kryetarin, ndërsa kryetari nuk ia hoqi sytë asnjë çast. Ishte njëri nga dhëmbët e pjekurisë së nofullës së poshtme. Dentisti hapi pak këmbët dhe shtrëngoi dhembin me darën e nxehtë. Kryetari mbërtheu duart mbi mbështetëset e poltronës, shkarkoi gjithë forcën tek këmbët duke ndjerë një boshllëk të ftohtë në veshka, por arriti të mbajë frymën. Dentisti bëri një rrotullim të vogël të pulsit dhe me një keqardhje pak të hidhur i tha:

“Ky vlen sa njëzet të vdekur, kolonel.”

Kryetari ndjeu zhurmën e kockës në nofull dhe sytë iu mbushën me lot. Nuk lëshoi asnjë tingull deri sa pa dhembin të dilte. E pa të turbullt mbrapa vellos së lotit. Dhimbja iu bë aq e huaj, sa nuk arriti të kuptonte torturën e pesë netëve të kaluara.

U përkul mbi pështyrësen. Ujë në djersë mezi po mbushej me frymë. Zbërtheu komçën e këmishës dhe kërkoi me gishta shaminë në xhepat e pantallonave. Dentisti i zgjati një garzë të pastër.

“Fshi lotët,” i tha.

Kryetari i fshiu. Po dridhej i tëri. Ndërsa dentisti lante duart në lavaman, vuri re në tavanin e plasaritur një rrjetë merimange me insekte të ngordhur të ngecur në të. Dentisti u kthye duke fshirë duart.

“Ik shtrihu tani,” i tha, “dhe bëj gargarë me ujë me kripë.”

Kryetari u ngrit në këmbë, kërkoi leje dhe me një përshëndetje indiferente prej ushtaraku u drejtua nga dera duke shtriqur këmbët e mpira dhe pa e mbërthyer komçën e jakës së këmishës.

“Dërgomë llogarinë,” tha

“Ty, apo Bashkisë?”

Kryetari nuk e ktheu kokën. Duke mbyllur derën iu përgjigj:

“Ku të duash. Një mut është”.

Zonjat e Albanian Excellence, ‘pushtojnë’ liqenin e Ohrit

Albanian Excellence, vijon udhëtimin e suksesit të zonjave shqiptare kudo janë.

Pas Tiranës, duket se organizatorët e saj, kanë menduar të përmbushin të gjitha angazhimet e përcaktuara që në krye të herës për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm, kushtuar gruas mbarëshqiptare, kur që në nisje të herës vendosën që Ekspozita , “121 foto në 121 jetë suksesi”, të kishte një jetë më të gjatë duke e hapur atë edhe në vende të tjera.

Pas një bisede me Olsa Poshka, organizatore e K’tu Fest në Stugë, një Festival teatri tradicional tashmë, në qytetin ku bashkohet Ohrid me Strugën, u vendos me shumë dashuri që kjo ekspozitë të celet edhe gjatë ditëve të këtij aktiviteti 4 deri në 9 gusht . Olsa Poshka,regjisore, producente, e pëzgjedhur edhe në 121 zonjat e suksesit e pranoi me stafin e saj që Ekspozita të ishte pjesë e dtëve plot emocion e art që jep Festivali që sjell në Strugë , arritje cilësore të teatrit dhe jo vetëm.

“Është fat që të tregojmë , arritjet e zonjave shqiptare në profesione e nga vende të ndryshme në një vend të bukur si Struga “, thote Flora Nikolla , drejtore ekzekutive e Albanian Excellence”.

“Së pari, kjo ekspozitë hapet në një qytet parcialisht shqiptar, së dyti hapet në një festival vlerash, së treti, hapet në një kohë kur Struga vizitohet nga shumë turistë por dhe nga shumë vendas të cilët jetojnë ashtë vendit të tyre , por që rikthehen gjatë kësaj kohë në këtë qytet të mrekullueshëm turistik”.

“Kjo e bën edhe më popullor këtë ekspozitë dhe po ashtu i prezanton ne një festë të vërtetë zonjat e suksesit shqiptar, të përzgjedhura nga Albanian Excellence , në kuadër të vitit 2019, i shpallur nga kjo qëndër si viti i gruas. Por udhëtimi i zonjave të Albanian Excellence, do të vijojë !

Pas Strugës, 121 fotot e zonjave të suksesit, do të pushtojnë bregun tjetër të liqenit të Ohrit. Do të jenë datat 13 deri në 15 gusht, kur zonja të suksesit shqiptar, do të kalojnë ditët e tyre, buze liqerit të Pogradecit në aktivitetin shumë dimensional, “Kur suksesi i zonjave shqiptare ‘piqet’ në Poradec.

Dr.Ruki Kondaj nga Kanada, (Ambasadore e Kombit), Vera Bekteshi shkrimtare e njohur (Zonjë që bën Shqipërinë ), Suzana Varvarica, studiuese arti, ( Zonjë që bën Shqipërinë), Rita Saliu ( Poete, humaniste e njohur me banim në SHBA, e përzgjedhur ne 121 zonjat e suksesit shqiptar), Ardita Behluli gazetare e njohur e Luginës së Preshevës, (e përzgjedhur ne 121 zonjat e suksesit shqiptar), Anita Hoxha , poete e njohur , fituese e shumë cmimeve ndërkombëtare, (e përzgjedhur ne 121 zonjat e suksesit shqiptar), Merita Cocoli , gazetare e producente e njohur në Maqedoni (e përzgjedhur ne 121 zonjat e suksesit shqiptar), Gëzime Fejzi, biznesmene e suksesshme në Maqedoni , ndërkohë që priten të konfimojnë pjesmarrjen edhe zonja të tjera.

Organizatorët tregojnë se do të jenë ditë të mrekullueshme , ditët që do të kalojnë në Pogradec me idenë jo vetëm të promovimit të vlerave të zonjave pjesmarrëse por edhe të promovimit të zonjave të suksesit poradecar , të hedhjes së ideve dhe mundësimit të bashkëpunimit mes tyre si dhe të promovimit të vlerave tradicionale që ka qyteti i liqerit.

Albanian Excellence, do t’i dhurojë me këtë rast serinë e librave të botuara nga kjo qëndër, por libra do t’i dhurojë Bibliotekës së qytetit edhe poeta dhe humanistja me banim në SHBA, Rita Saliu, ndërkohë që shkrimtarja e njohur Vera Bekteshi do të takohet dhe do të prezantojë librin e saj “Vila me tri porta”. Por gjatë këtyre ditëve, Zonjat e Albanian Excellence, do të takohen dhe do të nderojnë edhe zonjat të suksesit poradecar, sic është zonja Çelnike Pupa, themeluese dhe pronare e Vita, një fabrikë plot sukses në prodhimin e kosit dhe djathit në të gjithë rajonin juglindor, apo takime të posacme me biznese vendase të cilat do të demostrojnë kulinarinë e pasur të kësaj zone.

Gjatë këtyre diteve zonjat poradecare, do të nënshkrujnë Peticionin në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale të Luftës së Kosovës së vitit 1999 apo edhe Aleancën e Gruas së suksesit Shqiptar.

Këto aktivitete do të kulmojnë, ne Ekspozitën “121 jetë suksesi në 121 foto“, ekspozitë që do të celet në Galerinë e Arteve në Pallatin e Kulturës së qytetit, me pjesmarrjen e njërëzve të njohur të pushtetit lokal, deputetëve të Pogradecit, të cilët e mbështesin këtë aktivitet, që do t’i japë një jehonë ndryshe qytetit te Lasgushit dhe të Mitrushit i cili për gjate dy ditëve, do të pushtohet nga suksesi i zonjave të Albanian Excellemce, në kuadër të vitit 2019, shpallur si viti i gruas qe do të përfundojë më 12 dhjetor, me shpalljen e cmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë“, i pari cmim i këtyre përmasave kushtuar zonjave të suksesit shqiptar kudo janë . Ideuar dhe iniciuar nga Albanian Excellence. / KultPlus.com

Ekspozita më e madhe e shtëpizave të drurit në Finlandë, pjesëmarrës edhe shqiptarët

‘Housing Fair Area’ është ekspozita e radhës që do të mbahet në Finlandë me një arqitekturë shumë të veçantë të shtëpizave të vogla dhe praktike e të lëvizshme, ku druri shndërrohet në materal ndërtimi.

Në ketë ekspozitë do të marrin pjesë edhe djemtë kosovarë të cilët prej drurit kanë ndërtuar shtëpiza të mahnitshme që kanë zgjuar interes të jashtëzakonshëm në Finlandë.

Në këtë ekspozitë do të marrin pjesë rreth  250. 000 vizitorë.

‘Kjo shtëpi e jona e patentuar është një atrakcion në këtë ekspozitë. Jemi të vetmit në botë që bëjmë diçka të tillë, meqë e kemi liçencen në modulim mobility dhe në konstrukcion’, tregoi Lulzim Behxheti. / KultPlus.com

“Një kafe me trashëgiminë”

Në oborrin e shtëpisë së Familjes Kirajtani që gjendet në rrugën “Shuaip Spahiu”, nr. 15, EC Ma Ndryshe gjatë 27 korrikut organizon një aktivitet ku përgjatë orëve 12:00 – 15:00 do të shërbehen pije dhe ëmbëlsira për vizitorët.

Shndërrimi një-ditor i kësaj shtëpie në një hapësirë  si “kafeteri” po realizohet me qëllim që të përcillet mesazhi se objektet me vlera të tilla mund të kthehen në destinacione të ndryshme turistike dhe nxitëse të zhvillimit ekonomik njëkohësisht, nga ku të ardhurat do të përmirësonin gjendjen, do të rrisnin vetë-qëndrueshmërinë dhe nivelin e mirëmbajtjes së vlerave të ndërtesave të tilla. / KultPlus.com

Vihet gurthemeli për ndërtimin e shtatores së Adem Demaçit

Është vënë gurthemeli për ndërtimin e shtatores së veprimtarit Adem Demaçi.

“Para një viti, Kosova u nda nga njeriu i saj, që shkriu plot 28 vjet të jetës së tij duke e menduar lirinë. Ademi ishte mendimtar. 10 mijë ditë prapa hekurave nuk i konsideroi të humbura, por ditë pune për Kosovën. Burgu për idealistin Adem Demaçi ishte vendi i tij i punës”, kështu tha Ramush Haradinaj, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, në ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtatores së veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Fillimisht, Haradinaj bëri homazhe pranë varrit të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi, me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta.

Haradinaj, me rastin e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtatores së Adem Demaçit tha se, sot një vit bota u nda nga njeriu që guxoi të krijojë liri për popullin e tij të robëruar.

“Pa fjalën e tij, që rrezatonte shpresë, njerëzit vështirë do të rreshtoheshin me lëvizjen e rezistencës dhe liria e Kosovës do të ishte vetëm ëndërr”, tha Haradinaj, duke shtuar se atij iu ndalua fjala, duke luftuar një jetë për lirinë e saj.

“Para një viti, Kosova u nda nga njeriu i saj, që shkriu plot 28 vjet të jetës së tij duke e menduar lirinë. Ademi ishte mendimtar. 10 mijë ditë prapa hekurave nuk i konsideroi të humbura, por ditë pune për Kosovën. Burgu për idealistin Adem Demaçi ishte vendi i tij i punës”, tha Haradinaj.

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, tha se sot na ka bashkuar Adem Demaçi, sikur na ka bashkuar edhe në të kaluarën brez pas brezi.

“Baca Adem tash e tutje do të flas edhe në bronz dhe do të japë mesazhe siç ka dhënë brez pas brezi”, tha Hyseni.

Në emër të familjes, djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, falënderoi të gjithë bashkëveprimtarët për nderimin që po i bëjnë Adem Demaçit. / KultPlus.com


Al Trade Center, 20 vjetori sjell 20% zbritje

Kompania udhëheqëse e ndërtimit dhe tregtisë me material ndërtimor, e njohur për shërbimet e saja profesionale dhe me cilësi të lartë feston 20 vjetorin e themelimit. Gjatë këtyre 20 viteve ne punuam me përkushtim për të sjellur tek ju mundësi të reja të jetesës me stile ndërkombëtare.

Ky 20 vjetor është dhurata jonë për ju. Duke filluar nga data 1 deri me 20 Gusht, pra gjatë 20 ditëve përfitoni nga mundësia për të vënë bazat për një jetë të sigurtë duke blerë banesë në kompleksin Linda Premium Residencë me 20% me lirë, kompleks ky që po konsiderohet edhe ajkë arkitektonike.

Ky kompleks ofron të gjitha kushtet bashkëkohore për një jetë komode, të qetë dhe të sigurtë në kryeqytetin tonë. Në Linda Premium Residencë ofrohet:

–Hapësira të gjelbërta si dhe kënde të lojërave për fëmijë

– Izolim i jashtëm me lesh guri dhe fasadë ventiluese

– Ndarja në mes të banesave me dy mure dhe izolim akustik

– Dritare nga PVC me profil 93mm,8 fusha termike me 3 xhama termoizolues katër-stinor

– Dyer të blinduara dhe dyer të brendshme CPL

– Dysheme parketi dhe pllaka qeramike

– Sistem Geberit i instaluar ne çdo banjo

– Në çdo banesë ka të inkorporuar dy sisteme të ngrohjes qendrore:

lokal me energji elektrike dhe atë të ngrohjes nga Termokosi

– Sistem të plotë menaxhimi, mirëmbajtjeje me shtëpiak të dedikuar.

– Sistemi smart home/ shtëpi e mençur

– Sistemi i sigurisë kundër zjarrit

– Kopsht për fëmijë.

– Supermarket dhe restaurant.

– Mjeku i lagjes dhe barnatore.

– Qendër fitnesi me SPA, pishinë të mbyllur dhe sauna.

– Ambiente për rekreacion të banorëve dhe hapësira të dedikuara për komunitetin.

– Parking të jashtëm dhe nëntokësor.

Ky kompleks ka për qëllim të ju drejtoj drejt një jetese të shëndetshme, për shkak të vendndodhjes ju keni përparësi të përjetoni një pamje që keni qenë në kërkim të saj, me terracat e mëdha dhe ballkonet Linda Premium Residencë ju ofron ambient të përshtatshëm për evente të ndryshme apo çlodhje.

Koha kalon shpejtë, shfrytëzoje rastin dhe përfito nga kjo ofertë.

Kontaktoni për më shumë detaje Linda Premium Residence: 0800 77 770 (pa pagesë), +383(0)44 976 777, +383(0)49 777 127, +383(0)49 318 676. +383(0)49 240 248. [email protected] altradecenter.com

Del data e publikimit të albumit muzikor të “Once Upon a Time in Hollywood”


Në këtë album bëjnë pjesë 31 këngë që përfshijnë autorësinë e emrave të mëdhenj si Simon dhe Garfunkel, Neil Diamond dhe Deep Purple.

Ky album do të dalë përmes Columbia-s që koincidon me datën 26 korrik, datë kjo edhe kur do të publikohet ky film në Amerikë, pasi që në Britani të Madhe filmi do të dalë më 15 gusht.

Ky album do të jetë në dispozicion në formë digjitale, CD-je dhe incizimeve vinyl, ndërkaq më poshtë mund ta shihni listën e plotë të këngëve dhe instrumentaleve:

  1. Treat Her Right – Roy Head & The Traits
  2. Ramblin’ Gamblin’ Man – The Bob Seger System
    Boss Radio feat. Humble Harve:
  3. Hush – Deep Purple
  4. Mug Root Beer Advertisement
  5. Hector – The Village Callers
  6. Son of a Lovin’ Man – Buchanan Brothers
  7. Paxton Quigley’s Had the Course (from the MGM film Three in the Attic) – Chad & Jeremy
  8. Tanya Tanning Butter Advertisement
  9. Good Thing – Paul Revere & The Raiders
  10. Hungry – Paul Revere & the Raiders
  11. Choo Choo Train – The Box Tops
  12. Jenny Take a Ride – Mitch Ryder and the Detroit Wheels
  13. Kentucky Woman – Deep Purple
  14. The Circle Game – Buffy Sainte-Marie
    Boss Radio feat. The Real Don Steele:
  15. Mrs. Robinson – Simon & Garfunkel
  16. Numero Uno Advertisement
  17. Bring a Little Lovin’ – Los Bravos
  18. Suddenly / Heaven Sent Advertisement
  19. Vagabond High School Reunion
  20. KHJ Los Angeles Weather Report
  21. The Illustrated Man Advertisement / Ready For Action
  22. Hey Little Girl – Dee Clark
  23. Summer Blonde Advertisement
  24. Brother Love’s Traveling Salvation Show – Neil Diamond
  25. Don’t Chase Me Around (from the MGM film GAS-S-S-S) – Robert Corff
  26. Mr. Sun, Mr. Moon – Paul Revere & the Raiders (feat. Mark Lindsay)
  27. California Dreamin’ – Jose Feliciano
  28. Dinamite Jim (English Version) – I Cantori Moderni di Alessandroni
  29. You Keep Me Hangin’ On (Quentin Tarantino Edit) – Vanilla Fudge
  30. Miss Lily Langtry (cue from The Life and Times of Judge Roy Bean) – Maurice Jarre
  31. KHJ Batman Promotion