Më 19 gusht “Times “, raporton se kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin të enjten e kaluar, kishin marshuar në Selanik.
Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit.
Një grup kryengritësish u drejtua për në Velesh. Udhëheqësit kryesorë të kryengritjes të cilët hynë në Shkup ishin, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Zefi i Vogël, dhe Bajram Daklani.
Hasan Prishtina kishte deklaruar: “Kush qëllon një plumb vetëm për kënaqësi do të varet: ruani ata për TURQIT. Ky është urdhër”./BW / KultPlus.com
Artisti Agim Sulaj është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Piracicaba të Brazilit.
Vepra fituese e artistit të njohur shqiptar u vlerësua këtë vit për karikaturën e presidentit Donald Trump. Ishte një çmim i dhënë nga këshilli bashkiak i Piracicabas dhe përzgjedhja e 2176 veprave të ardhura nga gjithë bota nxori fituese veprën e artistit Agim Sulaj, për karakteristikën e saj të veçantë. Nëpërmjet një dore të jepet karakteri dhe ngjashmëria në tërë madhështinë e saj.
Ky festival këtë vit ishte në 46 vjetorin e tij dhe ka promovuar fitues artistë të artit të satirës nga më të njohurit në botë. Me një aktivitet të vlerësuar me punët e tij, këtë herë për vlerësimin e radhës në Brazil artisti Agim Sulaj shprehet se e priste çmimin e madh. “Ky vlerësim i dedikohet një vepre për të cilën, që ditët që e realizova e dija që do të fitoja. Nga eksperienca personale veprat fituese kanë një “llampushkë” të veçantë, e cila më vjen gati. Thjesht mua më mbetet vetëm realizimi” pohon ai.
Artistit Agim Sulaj i shtohet ky çmim tjetër prestigjioz, i cili pasuron larminë e vlerësimeve ndërkombëtare. Sulaj cilëson me ironi, që vendi ku nuk ka marrë çmim është vetëm Shqipëria. Madje sipas tij edhe një ide projekt, që paraqiti në bashkinë e qytetit të Vlorës vitin e kaluar nuk u aprovua. Por ky vit ka qenë i frytshëm për karrierën artistike të Sulajt, ku mund të përmendim çmime të tjera si Belgjikë Knokke Heist, përsëri Belgjikë në Kruishoutem, Prishtinë, Norvegji e Turqi. Agim Sulaj 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni (revistë)”, e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj.
Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”.
Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini, që është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta dhe merr vlerësimet maksimale kudo. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit. /Agjensia e Lajmeve Sot News/ KultPlus.com
Hasan beg Prishtina është një nga personalitetet dhe figurat më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare, shkruan KultPlus.
Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme
për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjen kombëtare shqiptare.
U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci.
Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar
spahinjsh vendas.
Hasan Prishtina ka qenë i përkushtuar vazhdimisht në çështjen kombëtare dhe
si deputet, ai në parlament ka diskutuar kryesisht tema të karakterit ekonomik
e social. Në fillimin e vitit 1912, Hasan Prishtina, vazhdoj me rritjen e
vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare, duke
organizuar një revolucion kombëtar e demokratik në bashkëpunim me popujt tjerë,
kundër pushtimit otoman. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit
të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin
shqiptar.
Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të
Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes
nacional-çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Më 7 dhjetor 1921 u zgjodh
nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i jashtëm por, më 10
dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i
kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve,
Hasan Prishtina vendos të mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Përpos ndikimit
dhe aktivizmit në politikë, Hasan Prishtina ka pasur kontribuuim të madh edhe
në arsim. Duke kundërshtuar qeverinë turke, ndau 5% e të ardhurave të tij,
poashtu përmes një artikulli në gazetë, ai kërkoj nga patriotët e tjerë
shqiptarë të ndanin edhe ata një pjesë të të ardhurave në ndihmë të shkollave
shqipe. Me këto mjete financiare ai ishte në gjendje të siguronte mirëmbajtjen
e dhjetë shkollave shqipe në Kosovë.
Hasan Prishtina njihet si një veprimtar me vlera të larta morale e mbi të gjitha, si një atdhetarë i flaktë. Ai u vra më 13 gusht, 1933 në Selanik të Greqisë. / KultPlus.com
Kjo është një foto e koleksionit fotografik të italianit, Xhuzepe Masani. Ajo i përket vitit 1940, kohë kur Shqipëria ishte nën sundimin italian. Kjo foto është dëshmi e gjallë, jo vetëm e hireve të malësores nga Puka, por edhe veshja e saj tradicionale, dhe në veçanti e solemnitetit festiv, e cila, ndonëse në këtë foto portret nuk rreket të tregojë shumë detaje, ajo ka mjaftueshëm elementë që dëshmojnë një shprehi të tillë të komponentëve të asaj pasurie shpirtërore që trashëguan dhe pasuruan. Në serinë e fotove që ka nxjerrë nga botimet e Xhuzepe Masa, albanologu kanadezo-gjerman, Robert Elsie, ky imazh është pjesë e disa fotove të tjera, që janë bërë gamë e interesimit të tij, për të vënë në pah gjithë atë larmi ceremonialiteti të bukurisë fizike dhe veshjeve tradicionale, kryesisht veshjeve të nuseve. Fokusit të tij nuk do t’i shpëtonte kjo bukuri vendesh të ashpra por bujar, njerëzish zemërak por të drejtë. Ai rend në gjurmët e ardhësve të tjerë, që kanë eksploruar, janë mahnitur dhe i kanë promovuar këto bukuri, këto thesare, këto dëshmues të gjalla të asaj pasurie që gostiti ceremonitë festive dhe solemnitetet e shqiptarëve. Xhuzepe Masani ishte fotograf italian. Megjithëse nuk ka të dhëna të sigurta për të, duket se ka lindur në Rimini në vitin 1901 dhe ka studiuar ne Universitetin e Bolonjës duke filluar në vitin 1920, shkruan Elsie. Masani u bë ithtar i flakët i lëvizjes fashiste dhe doli në pah me një album fotografik për Musolinin dhe fashizmin: La sua terra [Toka e tij], Bergamo 1936. Pas kësaj, botoi një sërë albumesh për rajonet e Italisë: Sicilia në vitin 1938 dhe Liguria në vitin 1939. Në prill 1939, Shqipëria u pushtua nga forcat italiane dhe pak kohë më pas iu aneksua perandorisë së re romake të Musolinit. Ishte momenti i duhur për fotografin që t’i prezantonte publikut italian trevat e reja të Italisë përtej Adriatikut. Sigurisht me mbështetjen zyrtare, Masani udhëtoi gjerësisht në Shqipërinë ‘italiane’ dhe bëri fotografi të mrekullueshme. Fotot u botuan në vëllimin Albania: testo e foto di Giuseppe Massani [Shqipëria: teksti dhe fotot nga Xhuzepe Masani], Romë 1940, me një kapitull të fundit të propagandës fashiste ‘Bashkimi Italoshqiptar.’ Në vitet 1960 dhe 1970 Masani botoi disa albume të tjera, shumica e të cilave tashmë janë lënë në harresë. Albumi i Shqipërisë i vitit 1940, i harruar edhe ai, mbetet i mahnitshëm si pasqyrë e Shqipërisë së vjetër para komunizmit.
Poezi nga: Fernando Pessoa Përktheu: Anton Papleka
Nëse, kur të kem vdekur, dikush ka dëshirë të shkruajë biografinë time Nuk ka asgjë më të thjeshtë. Ajo ka vetëm dy data: atë të lindjes dhe atë të vdekjes sime. Midis njërës dhe tjetrës datë, të gjitha ditët janë të miat.
Është e lehtë ta përcaktosh jetën time. Unë e kam parë botën si një njeri i dënuar. Unë i kam dashur gjërat pa kurrfarë sentimentalizmi. Kurrë nuk pata ndonjë dëshirë që nuk mund ta realizoja, sepse asnjëherë nuk m’u verbua arsyeja. Të kuptuarit e vetes për mua qe gjithmonë veçse të shoqëruarit e të pamit. Unë e kuptova se gjërat janë reale dhe krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra; T’i kuptoje me anë të mendimit, do të thoshte të të dukeshin të gjitha të ngjashme. Një ditë më vuri në gjumë si cilindo fëmijë. Unë mbylla sytë dhe fjeta. Përveç kësaj, unë qeshë poeti unik i Natyrës.
William Blake (28 nëntor 1757 – 12 gusht 1827) poet, piktor, vizionar mistik dhe gdhendës anglez. Blake deklaroi superioritetin e imagjinatës mbi racionalizmin dhe materializmin e shek. të XVIII. Moskuptimet e kohës bënë që puna e tij të nënvlerësohej gjatë jetës së tij, por ishin gjeneratat e më vonshëm ata që vlerësuan rëndësinë e krijimtarisë së tij.
Shumë i nënvlerësuar gjatë kohës që ishte gjallë, sot puna e Blake konsiderohet jashtëzakonisht e rëndësishme dhe një burim frymëzimi si në fushën e poezisë ashtu edhe në artet pamore. Sipas Northrop Frye, i cili i kushtoi vëmendje studimit të të gjithë korpusit poetik të Blakës, vargjet e tij të ngjashme me profecitë përbëjnë “atë që në lidhje me meritat e vërteta, është korpusi poetik në anglisht më pak i lexuar”. Të tjerë në vend e kanë lavdëruar artin figurativ të Blake dhe një kritik bashkëkohor e ka shpallur atë “artisti më i madh që Britania ka prodhuar ndonjëherë”. Duke konsideruar një kohë të çmendur për idetë e tij ekstravagante, ai aktualisht ai vlerësohet shumë për ekspresivitetin e tij, për krijimtarinë e tij dhe për vizionin filozofik që është në themel të punës së tij.
Jeta
Blake, lindi në Londër, ku kaloi dhe pjesën më të madhe të jetës. Mësimet e para i mori në shtëpi, drejtuar nga e ëma. Më 1767 filloi studimet tek shkolla për vizatim, Henry Pars. Blake ka dokumentuar në shkrimet e tij se në vitet e para, ka pasur vizione engjëjsh dhe hijesh si dhe ka deklaruar se ka parë dhe ka biseduar me engjëllin Gabriel, virgjereshën Maria si dhe figura të tjera historike. Duke filluar nga mosha 14 vjeçare, pati si mësues për shtatë vjet, gdhendësin James Basire. Arti gotik dhe arkitektura patën një ndikim të ndjeshëm tek Blake. Në vitin 1783 u martua me Catherine Boucher, e bija e një tregtari perimesh, të cilën e mësoi të vizatonte dhe pikturonte.
Krijimtaria
Libri i parë i Blake, “Skica poetike”, doli në vitin 1783 dhe u ndoq nga librat “Këngë të Pafajsisë” (1789) si dhe “Kënget e Eksperiencës” (1794). Poema e tij me e njohur ishte “Tigri”, pjesë e librit “Këngët e Eksperiencës”. Në këto krijime të tij, bota shihet nga vizionet e një fëmije, por këto pika shikimi funksionojnë në të njëjtën kohë si alegori të eksperiencës së më të rriturve. /KultPlus.com
Në kampin ku marrin pjesë vajza nga i gjithë rajoni dhe që do të përqendrohet në shkencë, teknologji, inxhinieri, art dhe projektim, si dhe matematikë, ku do të ketë një shkëmbim ndërkulturor mes pjesëmarresve.
Shtatë vajza shqiptare do të marrin pjesë në kampin që do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë për ‘WiSci’ (Gratë në shkencë).
Në kampin ku marrin pjesë vajza nga i gjithë rajoni dhe që do të përqendrohet në shkencë, teknologji, inxhinieri, art dhe projektim, si dhe matematikë, ku do të ketë një shkëmbin ndër-kulturor mes pjesëmarresve. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar fotot e vajzave shqiptare që do të marrin pjesë në kampin që do të zhvillohet në Prishtinë.
“Urime vajzave shqiptare që do të marrin pjesë në Kampin STEAM për Vajza të WiSci (Gratë në shkencë), që do të mbahet në Prishtinë, Kosovë. Ky kamp vetëm për vajza, do të përqendrohet në shkencë, teknologji, inxhinieri, art dhe projektim, si dhe matematikë.
Vajza nga i gjithë rajoni do të marrin pjesë në këtë shkëmbin ndër-kulturor me bashkëmoshataret e tyre, duke mësuar nëpërmjet aktiviteteve praktike mësimore, nën udhëheqjen e ekspertëve në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, artit, projektimit, dhe matematikës. Ju urojmë fat, vajza!” shkruan ambasada e SHBA-së. /Shqiptarja /KultPlus.com
‘Sikur t`isha djalë’ nga Haki Stërmilli mbetet ndër librat më të mirë shqiptarë.
Po i sjellim këtu disa fragmente dhe pasazhe nga ky libër i shkrimtarit të njohur.
*
– Sikur t’ishje djalë?! – bani e habitun.
– Po.
– Cdo të bajshe?
– Do t’i shpallsha luftë botës fanatike dhe do të vazhdojsha derisa të
ngadhnojsha ase të mbarojsha.Po të kisha qenë djalë, do t’u mshojsha me grusht
turijve gjithë atyne që kërkojnë të kenë privilegje dhe që duen t’a përdorin
femnën herë si kafshë dhe herë si…..mjet dëfrimi. Por nuk jam. Dhe Perëndia,
sikundër duket, nuk e ka mendjen me ba mbrekulli.
*
“Lumturia qenka si manushaqet që bijnë në mes të ferrave, ku për të bërë një buqetë lypset t’i mbledhësh një nga një dhe duke u gërricur e përgjakur duarsh. Vetëm disa orë e disa çaste mund të jetë i kënaqur njeriu në këtë jetë.Vetëm këto orë e këto çaste, të bashkuara, përbëjnë lumturinë e njeriut në këtë jetë. Ata që e kujtojnë ndryshe lumturinë gabohen…”
*
“Oh, se ç’qenka dashunia! Ajo ta ambëlsueka jetën, por të robnueka e s’të lënka me rrëshqitë nga prehni I saj.”
*
“Kur ia shtrëngova dorën, si herën e parë ashtu edhe tashti,
më ngjajti sikur u preka nga nji fuqi elektrike që ta përshkon krejt shtatin me
forcë dhe të ban të dridhesh. Pa dyshim, ishte forca e dashunisë ajo që ma
rrëqethi trupin me nji të prekun të dorës.
Oh, sa fort e dashunoj! Më duket se po shkallis prej ngucjeve të pareshtuna që
më bën zemra. Oh, sa I ambël e I dashtun që asht! Oh, sikur të më dashunonte e
të bahej imi!”
*
“Ah, femna shqiptare myslimane! Ajo përgjithësisht asht e vorfen shpirtnisht, e pazhvillueme mendërisht dhe e dobët fizikisht, pse nuk I asht dhanë mundësia që ta argëtojë shpirtin, që ta ushqejë mendjen dhe t’I gëzojë dhuntitë e natyrës për t’u ba e fortë dhe e dobishme për shoqninë ku ban pjesë. Ajo ska kurrgja që të jetë e kënaqun dhe krenare; vjen e shkon pa lanë gjurmë në këtë jetë. Ajo, edhe po të dojë, s’mundet dhe s’ka se si t’I kushtohet së mirës, së bukurës e së virtytshmes, pse përnjimend asht si nji robneshë pa kurrfarë të drejte.”
*
“Oh, sa shpejt gabohemi e gënjehemi ne femnat! Nji sikim I thekshëm mjafton me na dërrmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. vetëm se s’guxojmë me I shfaqë ndjesitë e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë atë që na e plagos zemrën me nji vëshrim të mpakët ose me nji nënqeshje të kandshme. Zemrat tona janë më delicate se qelqet. Nji gur I vogël, I hudhun nga dora e një të pamëshirshmi, I then dhe I ban thërrime, për t’u shkelë mandej nga Kamba e tij. Zemrat tona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot.”
*
“Ka disa njerëz që s’u vete fare qeshja. Kur qeshin, u
shtrembnohen turnjtë, u rrudhen faqet, u qajnë sytë dhe shëmtohen aq shumë, sa
s’të kanda t’I shofësh. Por atij I kishte hije si qeshja, ashtu edhe nënqeshja.
Kur fliste, me buzë në gaz, ta merrte mendjen. Shkurt, nji ndjesi e panjohun
prej meje deri në atë çast,ma mbushi shpirtin me… diçka.”
Muzeu Historik Kombëtar u vizitua dje nga një grup të rinjsh gjermanë të shoqëruar nga të rinjtë shqiptarë të Diasporës.
Grupi i të rinjve, të shoqëruar nga Anduena Stephan, Konsulle Nderi e Shqipërisë në Gjermani, u njohën me historinë e popullit shqiptar duke u nisur nga pavijoni i antikitetit deri në periudhën e regjimit komunist.
Të rinjtë shprehën një kënaqësi të vërtetë dhe u impresionuan shumë nga historia e Shqipërisë treguar nëpërmjet objekteve të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar. Pjesë e programit, përveç vizitës në Muzeun Historik Kombëtar, do të jenë dhe disa vizita në institucionet më të rëndësishme kulturore në vend.
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të projektit “Rrjetëzimi i Rinisë shqiptaro-gjermane përmes kulturave”, i cili organizohet nga Ministria e Integrimit të Landit të Veriut të Vestfalisë, Shoqata IDEAL e Diasporës dhe Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Gjermani dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, me qëllim njohjen me natyrën, kulturën, historinë dhe traditën shqiptare. /ATSH /KultPlus.com
Media prestigjioze evropiane “Euronews” i ka kushtuar një artikull të veçantë çështjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe debatit që ka ndezur politikën shqiptare, e jo vetëm, për prishjen ose jo të tij.
Në artikullin e mëposhtëm trajtohet debati i nxehtë në Shqipëri dhe trajta që tashmë ka marrë kjo çështje duke u konsideruar ndërkohë si diçka që e ka tejkaluar “konfliktin” për një ndërtesë e që është shndërruar në një kauzë për demokracinë në vend duke e etiketuar si mosmarrëveshje të politizuar.
Në vijim artikulli i plotë i Euronews:
Fati i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë mbetet në këmbë ndërsa protestuesit vazhdojnë ruajtjen e tij.
Ata janë duke luftuar një betejë me qeverinë që ka nisur një përpjekje për të rrëzuar ndërtesën e vitit 1939 dhe për të ndërtuar një të re, së bashku me blloqet e kullave të banimit që do të jenë në pronësi të investitorëve privatë.
Mosmarrëveshja për projektin e rindërtimit është shumë e politizuar.
Përfaqësuesi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kastriot Çipi është shumë i pakënaqur me procesin:
“Nuk ka pasur konsultime publike, askush nuk dëshiron të dijë për atë që ndjejnë artistët dhe qytetarët. Dhe kështu kjo është bërë një luftë për të mbrojtur dhe ruajtur demokracinë në këtë vend dhe për t’i thënë ndal aleancës së bizneseve dhe politikanëve të korruptuar”.
Protestuesit filluan ruajtjen e teatrit vitin e kaluar dhe ka vazhduar për muaj me protestë. Por muajin e kaluar autoritetet erdhën për të filluar heqjen e materialeve të brendshme, duke shkaktuar edhe pëërplasje me policinë që kishte ardhur për të penguar artistët në mbrojtje të teatrit.
Aktorët vullnetarë janë duke dhënë tre shfaqje në javë këtu për të mbledhur fonde për fushatën në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.
Protestuesit thonë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e ndërtesës fizike, por edhe për mbrojtjen e historisë së saj. Ky ishte vendi i parë ku u zhvilluan gjyqet komuniste, pasi Shqipëria u çlirua në vitin 1945.
Protestuesit gjithashtu thonë se toka publike shtesë që qeveria do do t’i japë kompanisë private të ndërtimit për të ndërtuar kulla banimi, shkelur të drejtat e njerëzve të Tiranës.
Taulanda Jupi, pedagoge në Universitetin e Tiranës është e bindur se po bëjnë gjënë e duhur:
“Ne po i përgjigjemi dhunës së tyre me artin tonë dhe kjo është porosia më e rëndësishme që teatri mund t’i japë politikës.”
Autoritetet thonë se teatri është shumë i nxehtë në verë dhe shumë i ftohtë në dimër-dhe shumë nga komuniteti artistik në Shqipëri që marrin fonde nga qeveria kanë kërkuar një teatër të ri.
Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha Euronews se protesta është thjesht histeri dhe se i gjithë procesi është bërë si duhet përmes marrëveshjeve me BE:
Letrat janë hapur në të dy palët dhe përfundimisht perdja do të bjerë dhe fati i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë do të vendoset. /KultPlus.com
Një tjetër “Teen Choice Awards” epik me triumfin e “Marvel” dhe “Riverdale”. I prezantuar nga Lucy Hale dhe David Dobrik, edicioni i 2019-s u zhvillua në Hermosa Beach, Kaliforni, ku u vlerësuan në shumë kategori filma, seriale dhe muzika.
“Avengers: Endgame” pati shumë arsye për të festuar, me Robert Downey Jr dhe Scarlett Johansson që u vlerësua si aktorët më të mirë por edhe vetë filmi mori shumë çmime.
Në seksionin e muzikës, Shawn Mendes ishte ylli i mbrëmjes, ndërsa Taylor Swift u vlerësua me çmimin “Ikona e vitit”. /KultPlus.com
Saimir Strati, artisti i madh shqiptar, ka thyer edhe një rekord tjetër.
Ai është futur në Librin e Rekordeve të Guiness për herën e 11-të.
Strati vetë ka njoftuar në Facebook se me gozhda ka krijuar
një mozaik me fytyrën e Kemal Ataturk – ai që konsiderohet si themeluesi i
Turqisë dhe President nga viti 1923-1928.
Me datë 15 gusht hapet në kryeqytet ekspozita ‘Kabineti i Imanencës’ e artistit Agron Mulliqi, me kurator Genc Kadriun.
Kabineti i Imanencës është një ekspozitë që
e zë hapësirën e galerisë Hospital me instalimin e 10 paletave të xhamit, një
top pëlhure të njollosur, një tavolinë të madhe që mban portrete të artistit të
krijuara nga shokët e tij si dhe katër piktura të vogla brenda një kthine të
ndarë.
Xhamat nga dyer e dritare të dikurshme,
tani një lëmsh teksturor i ngjyrave, janë të paqëllimshme por ekspresive, të
mbështetura në mure, shtresimet dhe majat e tyre bartin gjurmët e historive të
tyre. Edhe topi i pëlhurës ngjan si një relikë e boshllëkut prapa çdo misteri.
Nga mjeshtër dhe dishepuj, nga mësues dhe nxënës, portretet e artistit mbajnë etiketa muzeu. Aludojnë një periudhë dhe një komunitet të caktuar. Regjistrojnë një aspekt të veçantë të jetës së artistit dhe kontekstit më të gjerë historik.
Përpjekja e Agron Mulliqit për t’i rishkruar të paparemnduarat në peisazhe ekspresive, njëkohësisht e plotëson dhe përmbyllë Kabinetin e Imanencës. Në një aneks të larë me dritë të kuqe janë katër piktura tani të ndjeshëme ndaj fuqisë memece prapa çdo njohurie dhe kuptimi.
Ekspozita do të hapet në ora 19:30 në Hospital, një hapësirë e re ekspozuese në kryeqytet, 41 Rr Egnatia, Prishtina, 10K. ‘Kabineti i Imanencës’ do të qëndrojë e hapur deri me 29 gusht. / KultPlus.com
Vaçe Zela, artistja e popullit dhe këngëtare me
famë të madhe gjatë periudhës së diktaturës komuniste, u zbulua rastësisht në
moshë të re në Lushnjë. Kishte një zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite
mbeten popullore dhe të preferuara nga publiku. Ajo mbetet “Zëri” i
jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ajo u nderua me Urdhrin
“Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu.
Ajo ishte dhe do mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë.
Siç ka thënë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë por kishte talent edhe në pikturë e teatër. Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin qejflinj të muzikës. Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa këndonte krejt shkujdesur.
Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të
bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt
ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar. Të gjithë besonin se ajo do të
bëhej një artiste e madhe, megjithëse prindërve të saj nuk u pëlqente shumë
ideja që vajza e tyre të merrte një udhë të tillë. Megjithëse asnjëherë nuk u
përpoqën ta ndalnin Vaçen nga pasioni i saj.
Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të
plotësuar dëshirën që e mbante mbërthyer fort. I ngjiti shkallët e asaj shkolle
me shumë ndrojtje, ndërsa në duar shtrëngonte një valixhe të vogël mbushur me
plaçka. Por nuk qe e thënë. Nuk ia dhanë të drejtën për ta filluar atë shkollë.
Më pas do t’i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin në dyert e
ndonjë gjimnazi.
Ndërsa nisi studimet në shkollën “Qemal Stafa” nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës së saj. Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike.
Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori
i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë, në vitet e zymta të diktaturës. Atëherë
kur Shqipëria kishte vetëm errësirë, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës. Ajo kishte
aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë
edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën
të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave,
qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë. Qenë këto vite kur njerëzit
mezi siguronin bukën dhe rrobën e varfër të trupit, ndërsa, sipas rrëfimit të
mikes së saj, “këngëtaren italianët e kërkonin ta blinin me shifra
marramendëse, ndërkohë që shteti e dënonte me “lirinë” e të kënduarit vetëm
brenda kufijve shtetërorë.
Vaçja u nda nga jeta në moshën 74–vjeçare pas një sëmundje të
gjatë në Basel të Zvicrës. Me dëshirën e saj, artistja e madhe shqiptare Vaçe
Zela prehet në atdhe ku vazhdon të jetë shumëe dashur. Artisti Arben Bajo, së fundmi punoi një skulpturë të
saj.
KultPlus sjellë për ju njërën nga perlat e këngëtares, ku shquhet zëri dhe interpretimi mbresëlënës. /KultPlus.com
Në jetën dhe krijimtarinë e Haki Stërmillit tërheqin vëmendjen ngjarje të rëndësishme ku mplekset e lidhet ngushtë fati i shkrimtarit me fatin e popullit e të progresit të shoqërisë shqiptare. Ne do të ndalemi vetëm në dy nga momentet sa heroike aq edhe dramatike të jetës politike të shkrimtarit tonë demokrat, shkruan Prof. Nasho Jorgaqi te gazeta “Dita”.
Momenti i parë ka të bëjë me operacionin e dimrit që ndërmori reaksioni gjermano-ballist kundër ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe Haki Stërmilli, siç do të tregojmë më poshtë, e përballoi me sukses. Është fjala këtu për ato situata të vështira që përshkruhen në librin “Rreziku Anglo-Amerikan” për Shqipërinë “dhe që shkrimtari ynë militant disa prej tyre na i rijep në këndvështrime origjinale ose na i pasuron me dëshmi të reja.
Pasi niset rishtas Shtabi i Përgjithshëm për në jug, Haki Stërmilli sipas porosisë të udhëheqësit të shtabit, vazhdon të qëndrojë në Okshtun. Vijnë ditë tepër të vështira. Operacioni armik kalon në ofensive. Të ftohtit ka arritur kulmin. Duke u gjendur në mes fshatarëve patriotë të Okshtunit ai përjeton thellë dhe mediton për mjerimin dhe prapambetjen e popullit të këtyre anëve në të cilën e kanë katandisur krerët. “Më vjen të qaj e të pëlcas-shkruan ai-kur shoh se ç’mjerim i ka mbulue këta katundarë… Këta njerëz jetojnë disa shekuj mbrapa…”. Po në të njëjtën kohë shkrimtari e vështron me besim të ardhmen e tyre dhe shkruan: “Vetëm lufta Nacionalçlirimtare, vetëm revolucioni popullor besoj se ka me e shpëtue popullin nga ky mjerim i përdhunshëm…”. Aq i fuqishëm është ky besim sa i sjell të gjallë para syve përfytyrimin e s’ardhmes duke përshkruar me këto fjalë:”…si një armatë e ngjeshur me armët e shkëlqyeshme dhe e stolisur me aureolën e ngadhnjimit, marshon para meje vargu i pasosun i shokëve dhe shoqeve, me prijsin e ndritur në ballë, me Enverin në krye…
Hapet shtegu i lirisë, çelet rruga e lumnisë”. Me këto mendime optimiste jetonte Haki Stërmilli në ditët e vështira të operacionit të dimrit. Ai ndiqte me kujdes zhvilimin e ngjarjeve. Lajmet që vinin nuk ishin të gëzuara. Armiku kish pllakosur si mutajë nga të katër anët. E megjithatë shkrimtari partizan nuk rrinte duarkryq. Bisedonte me burrat për fitoren e pashmangshme të luftës. U mësonte të shkruanin fëmijëve dhe grave. Përpiqej t’ishte i vlefshëm në ato kushte që ndodhej. Ndërkaq, mbante shënime gati të përditshme në ditarin e tij. Ai ishte shkrimtar dhe i takonte ta bënte këtë. Po a mjaftonin vetëm këto shënime për ta kryer detyrën? Ai po jetonte në një kohë heroike, populli luftonte çdo ditë dhe derdhej gjak…Operacioni armik, nuk do t’ja arrinte kurrë qëllimit. Në shënimin e 5 janarit 1944, ai tregon për dy partizanë që janë gjetur të ngrirë në maj të malit dhe i tronditur shkruan se këta “ pranuen të vdesin nën kërcënimin e të ftohtit se sa të krusen para armiqve të idealit” dhe shton se “ Brezat e ardhshëm kanë me qenë krenar…se kurkujt s’ua kemi hua lirinë…se ajo fitohet me gjak të madh…
Dy ditë më vonë, shkrimtarit i lindi ideja për të shkruar një roman, megjithëse nuk ka “as letër, as laps, as dhe kurgja…”. Por vendosmëria e vetmohimi i luftëtarit çfarë nuk bën. Pas dhjetë ditëve, më 17 janar, ai shënon: “ Fillova me shkrue romanin…Ky ka me qenë libër i shokëve dhe shoqeve në luftë…libri i heroizmave të një brezi..”që ka për t’u lexuar nga trashëgimtarët e lirisë së fitueme me sakrificë mbinjerëzore”. Çdo gjë, pra, është e qartë: ai i hyn punës sa të guximshme aq edhe të rëndë për të hartuar një roman. Një fakt unik në historinë e letërsisë sonë! Është e vërtetë se ai kishte botuar disa vepra, se ishte një nga pionierët e romanit shqiptar, por që të krijojë një roman kur mungonin dhe kushtet më elementare, ky ishte një akt tepër prekës dhe domethënës.
Nga koha kur kishte dalë partizan, Haki Stërmilli shkruante gati çdo ditë në ditar. Shënonte ngjarje e përshkruante situata, shfrynte dufe, shprehte mendime që i zgjonte epopeja e përditshme. E megjithatë kjo, me sa duket, nuk i mjaftonte. Përshtypjet dhe emocionet ishin aq të fuqishme sa frymëzimi dhe nevoja e brendshme e artistit kërkonte hapësirë më të gjerë. ai desh të bënte diçka më tepër se sa të mbante kronikën e ngjarjeve. Desh të krijonte, të përgjithësonte atë realitet të ri, të pangjarë ndonjëherë dhe këtë mund ta bënte romani. Një vepër e tillë nuk ishte thjeshtë një akt krijues, por e shkruar në rrethana të jashtëzakonshme përbënte do të thoshnim dhe një akt heroizmi. Ai e shkruante romanin në një nga momentet më dramatike të luftës, pa përfillur asnjë vështirësi, pa dashur t’ia dijë për rreziqet, për shëndetin e dobët, për urinë e të ftohtit.
Nga kjo kohë na ka mbetur dëshmi e gjallë dorëshkrimi i romanit, i shkruar në copa letrash të rëndomta, në 200 e ca faqe të madhësive e ngjyrave të ndryshme. Këto faqe janë pasqyrë e asaj beteje të heshtur që autori ka zhvilluar në vetminë e kasolles së ftohtë malësore për të thurur veprën. Një vepër e këtillë nuk është fryt i shprehive të një krijuesi as dhe i një vullneti të zakonshëm. Ky roman i shkruar në këto kushte është një akt besimi e frymëzimi vullneti e sakrifice. Në të flet bindja e ndërgjegjshme, për fitoren e pashmangshme të Luftës Nacionalçlirimtare besimi, që kish Partia tek ai dhe udhëheqësi i saj, kur i kishte shkruar “medoemos do të fitojmë”…
Dhe shkrimtari militant desh të tregohej i denjë për këtë besim. Në qoftë se në ato rrethana që gjendjeje, nuk mund të luftonte me armë, ashtu siç kish vepruar e do të vepronte më vonë, ai do të bënte të pamundurën, duke luftuar me një armë tjetër.
Do të luftonte për të rikrijuar zjarr për zjarr në faqet e një vepre letrare disa pamje të epopesë së madhe që po zhvillonte populli nën udhëheqjen e PKSH. Po që ta bënte këtë, ishte një ndërmarrje tejet e vështirë, kur vetë romani shqiptar sapo kishte hedhur hapat e para. E megjithatë shkrimtari vlonte nga dëshira për t’i shprehur përshtypjet e mendimet që i zgjonte Lufta çlirimtare e jo vetëm t’i shprehte, por dhe mishëronte nëpërmjet personazhesh e situatash artistike. Kjo gjendje e tensionuar e autorit duket që në fillim, nga titulli që i ka vënë romanit: “Afsh dhe hov zemrash”.
Me afshin dhe hovin e shkrimtarit ta kapluar nga frymëzimi, ai do që t’i hyjë punës për të gjetur fabulën e për të thurur subjektin, për të krijuar linjën dramatike e për të lokalizuar ngjarjet. Gjithë ato ditë ai do të jetonte me fatin e heronjve të romanit, të komunistëve të ri të Fatos Malaj e të Lules, që lufta për çlirimi e atdheun, kish lindur dhe dashuria. Duke ndjekur rrugën e heronjve të vet, shkrimtari do të përshkruante beteja e atentate, do zbriste në qytete e do të ngjitej në male, do të hynte nëpër burgje e në mbledhje ilegale. Ai do të derdhte urrejtjen ndaj fashistëve dhe tradhtarëve si Petriti por do përjetonte çaste të një atdhedashurie të thellë, kur do të përshkruante figurën e patriotit Hajdar Malaj.
Jeta dhe lufta i sillnin përpara shkrimtarit njerëz e ngjarje, fakte e të dhëna me të cilat ai s’ishte ndeshur ndonjëherë. Kjo ishte një kohë heroike, me ide që ngrinin popullin në këmbë, me probleme të mëdha, me heroizëm të përditshëm. Shkrimtari demokrat s’i kish menduar kurrë këto në të kaluarën. Ai kishte shkruar një roman për vajzën shqiptare të skllavëruar nga fanatizmi e ligjet mesjetare. Kish ëndërruar për një lëvizje që t’i çlironte gratë shqiptare.
Deri këtu kishin shkuar dëshirat e shkrimtarit, kurse Lufta Nacionalçlirimtare po çlironte një popull të tërë, po merrej me heroinën e tij. Dijen për vuajtjet e saj dhe të shoqeve të veta, tani gjendej para detyrës të përshkruante një pjesë të epopesë së madhe të luftës që po bënin “shokët e shoqet të prirë nga Partia. Një detyrë kjo e madhërishme, fatlume, një ëndërr e dëshmuar për çdo artist, patriot, por edhe një e përpjetë e madhe. Para shkrimtarit dilnin detyra të ndërlikuara ideoartistike. Realiteti revolucionar kërkonte koncepte të reja krijuese, kufij më të gjerë pasqyrimi, një ecuri tjetër pune. Këto mund t’i mendojmë sot, kurse Haki Stërmilli atëherë iu vu punës për të shkruar romanin. Kjo ishte kryesorja. Ai desh të tregojë pa humbur kohë për heroizmin e dramacitetin e luftës, të vizatojë figurat e luftëtarëve e të demaskojë armiqtë, ai nuk mund të rrinte pa derdhur gjithë ato emocione që i zgjonte lufta çlirimtare, njeriu i ri që po brumoste e kaliste ideali i lirisë.
Janë këto impulse të forta shpirtërore që e bënë autorin ta shkruajë veprën me një frymë. Ai e shkroi romanin në më pak se një muaj. Në ditar më 10 shkurt, ai do të shënojë “e mbarova romanin që pata nisë më parë. Tash duhet ta vejë në gjumë, që të mundem me e korigjue më vonë”.
Me këtë punë të parë, të kryer në një kohë rekord, shkrimtari kish hedhur në letër ngjarjet, personazhet, disa nga përshtypjet e veta. E prapë kjo nuk kishte qenë e lehtë, përkundrazi. Puna e tij kish ndjekur një proces kompleks, të mundimshëm po të kemi parasysh, jo vetëm kushtet e rënda në të cilat ndodhej, por edhe lufta sfilitëse që bënte me veten si krijues për të gjetur mjetet e format e denja që do të mund të pasqyronin drejt realitetin e saj. Me kaq, autori nuk e ngau më dorëshkrimin e romanit në kohën e luftës. E vuri në çantën partizane tok me ditarin “Shtigjet e Lirisë” dhe me to do të kalonte nëpër rrugët e luftës deri në çlirimin e vendit. Në vitet që erdhën ai do të vijonte luftën, duke kryer detyra të rëndësishme, e duke mbetur gjithnjë një patriot i zjarrtë, një njeri modest, një krijues i heshtur kokëulur.
Gjatë kësaj kohe, ai do të përgatiste për botim ditarin e luftës, do të botonte një dramë për fëmijë, do të mbaronte një roman me temë nga koha e Skënderbeut. Ndërkaq kish filluar të rishikonte romanin “Afsh dhe hov zemrash”, por vdekja e parakohshme nuk e lejoi ta ripunonte veprën. Romani mbeti në trajtën e frymëzimit të parë. Është ky një frymëzim i ngrohtë, i sinqertë, i përshkruar nga idetë dhe pathosi i luftës. Romani ndonëse i pakryer ruan vlera njohëse dhe jo vetëm njohëse. Ai përbën një dokument me vlerë në historinë e përpjekjeve që u bënë në zjarrin e luftës për krijimin e një letërsie të re. “Afsh dhe hov zemrash” është tek e fundit shëmbëlltyra e ndërgjegjes së lartë të një shkrimtari të lidhur ngushtë me fatin e popullit, një vërtetim e pohim i qartë i vlerësimit të lartë që i bëri udhëheqja e Luftës Çlirimtare. Një fakt i tillë nuk ka si të mos e nderojë letërsinë tonë.
Haki Stërmilli
***
Ngjarja e dytë në jetën politike shoqërore të Haki Stërmillit na çon në vitet ’20, kur ai militonte në radhët e demokratëve revolucionarë të kohës.
Këto ngjarje në jetën e një shkrimtari luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në biografinë dhe veprën e tij, por zgjojnë interes dhe për vetë historinë e letërsisë. Nga kjo pikëpamje, tërheq vëmendjen tonë një ngjarje, do të thoshnim madhore në jetën dhe veprimtarinë politike të shkrimtarit demokrat Haki Stërmilli (1895-1953) në vitin 1929.
Haki Stërmilli ishte arratisur jashtë atdheut pas kundërrevolucionit të dhjetorit të ‘24-ës dhe për disa vjet me radhë zhvillonte një veprimtari të gjallë antizogiste e antifashiste. Ai kishte jetuar e punuar në Itali, Francë, Austri, e kishte qëndruar afro një vit në B.S dhe së fundi i ngarkuar me detyra kishte ardhur në Jugosllavi. Këtu, ndonëse ishte nën vështrimin e përhershëm të policisë së vendit, nuk e kishte pushuar punën dhe luftën në dobi të kauzës së lirisë, që kishte shpallur, Komiteti i Çlirimit Nacional anëtar i së cilës ai ishte nga themelimi i tij.
Ashtu siç shënon në autobiografi luftëtari emigrant propagandonte idetë e veta demokratike. Ngrinte grupe ilegale, bashkëpunonte me organet federale ballkanike me gazetën “Liria kombëtare” kryente detyra në përshtatje me kushtet e reja. Këtë veprimtari Haki Stërmilli do ta vazhdojë deri në 17 mars 1929. Kohë në të cilën, ai do të arrestohet në qytetin e Manastirit ku më në fund pas shumë peripecish ishte bashkuar me familjen e ikur nga Shqipëria. Dy ditë më pas, i burgosuri politik, në kundërshtim të plotë me dispozitat ndërkombëtare ju dorëzua nga autoritet jugosllave organëve të mbretit Zog.
Dorëzimi i një emigranti politik përbënte një akt flagrant padrejtësie e pabesie që ngjalli menjëherë habi dhe zemërim në rrethet e opinionin publik përparimtar në shkallë botërore. Jehona e kësaj ngjarje të shëmtuar vuri menjëherë në lëvizje forcat demokratike dhe i ngriti në mbrojtje të të drejtave e të jetës së demokratit-revolucionar shqiptar Haki Stërmilli. Një rol të rëndësishëm luajtën padyshim komiteti i çlirimit –Nacional dhe organi i tij “Liria Kombëtare”, të cilët ne bashkëpunim me organizatat revolucionare dhe Nacional-Çlirimtare të vendeve të tjera ballkanike që frymëzoheshin në luftën e tyre nga Federata komuniste e Ballkanit organizuan një fushatë protestash në shkallë ndërkombëtare. Për aktin djallëzor të qeverisë jugosllave dhe rreziqet që i kanoseshin jetës së Haki Stërmillit, revista “Federata Ballkanike” botoi menjëherë dy artikuj gjatë muajit maj 1929 “Dorëzimi i robërve i qeverisë shqiptare nga qeveria jugosllave” dhe “Bashkëpunimi i diktatorëve jugosllavë dhe shqiptarë”.
Revista “Federata Ballkanike” që ishte organ i popujve të shtypur të Ballkanit e që do të bëhej edhe në gjuhën shqipe, duke u bërë zëdhënëse e shqetësimit serioz dhe indinjatës së opinionit demokratik të kohës, shpalli të vërtetën përpara botës, e mori në mbrojtje Haki Stërmillin, tregoi rrethanat e ngjarjes dhe bëri thirrje për mbrojtjen e të drejtave njerëzore. Duke e denoncuar aktin e padrejtë të bërë në kurriz të Haki Stërmillit, “Federata Ballkanike” vinte në dukje me guxim se veprime të tilla bëheshin në kuadrin e pazarllaqeve pa skrupull në mes dy qeverive antipopullore që s’ndodh jo vetëm me qeveritë, por as me klanet dhe tributë më primitive. “Qeveria jugosllave në këtë kohë, i kishte dorëzuar Zogut dhe 48 emigrantë politikë të cilët kishin kundërshtuar politikën ç’kombëtarizuese të Beogradit në Kosovë terrorin sistematik për të shkatërruar jetën dhe zakonet shqiptare”.
“Në vend të një nderi të dytë- vazhdon artikulli- “dorëzimi i robërve”…”- që qeveria jugosllave i bënte Zogut, arrestonte Haki Stërmillin dhe ia dorëzonte me pranga në duar xhandarëve shqiptarë. Haki Stërmilli nga kjo kohë gjendet në burgun e Tiranës. Më tej, revista duke e quajtur këtë një krim që tejkalon në llahtari çdo gjë barbare”, i drejtohet opinionit publik me këto fjale: “Ku janë institucionet humanitare të Europës dhe Amerikës? Ne u bëjmë thirrje shoqatave të të drejtave të njeriut të të gjitha vendeve…. Në qoftë se humanizmi qëndron në ndihmën dhe mbështetjen që duhet t’u jepet të munduarve, ja rasti më i mirë, ku mund të provohet ai…”.
Në qoftë se në artikullin e parë flitet pjesërisht për Haki Stërmillin, artikulli i dytë “Bashkëpunimi në mes diktatorëve jugosllavë dhe shqiptarë i kushtohet tërësisht mbrojtjes së tij. Ndërmjet të tjerash aty shkruhet: “Kur në Jugosllavi deklarojnë se dikush arratiset, shtojnë menjëherë se gjatë kësaj “tentativë arratisjeje” xhandarët kanë qëlluar mbi të dhe e kanë vrarë. Këtë herë, megjithatë xhandarët nuk mund ta vrisnin Haki Stërmillin, por ja dorëzuan autoriteteve shqiptare në mënyrë që të vritej nga xhandarët e mbretit shqiptar”.
Revista njofton opinionin publik se qeveria shqiptare do ta nxjerrë Haki Stërmillin para gjyqit politik dhe se ky gjyq ka dënuar tashmë personalitete politike, kundërshtare të regjimit aktual. “Për këtë qëllim- sqaron artikulli më tutje lexuesin “Janë shpërndarë urdhra të shumta konsullatave të ndryshme shqiptare që të mbledhin e të transmetojnë në Tiranë, materiale që do ti shërbejnë si bazë për të dënuar Stërmillin. Dhe konsullatat i janë vënë punës për të nxjerrë artikujt e Haki Stërmillit që ka shkruar gjatë emigracionit kundër regjimit gjakatar të Ahmet Zogut dhe bejlerëve”.
Artikulli përfundon me një thirrje poetike: “Jeta eHaki Stërmillit është në rrezik. Ai do të dënohem me vdekje dhe do të ekzekutohet në qoftë se krimi nuk do të pengohet nga ndërhyrja e popujve të shtypur në përgjithësi dhe atyre ballkanikë në veçanti”. Tamam në këtë kohë që revista “Federata Ballkanike” shpalli më të madhe rrezikun që i kërcënohet jetës së demokratit revolucionar shqiptar dhe kërkoi që ai të mbrohet, mblidhet në Gjermani-Frankfurt, Kongresi i dytë Botëror i Lidhjes kundër imperializmit dhe për çlirimit kombëtar.
Në këtë Kongres morën pjesë mbi 250 delegatë nga të pesë kontinentet, 8 prej të cilëve ishin delegatë nga Ballkani. Populli shqiptar u përfaqësua nga Komiteti i Çlirimit Nacional dhe Komiteti i Kosovës. Në presidiumin e Kongresit, Fan Noli do të zinte vend në mes savantëve të shquar siç ishin H. Barbysi, A. Anjshtajni, delegatët ndoqën me vëmendje fjalimin e Fan Nolit e këtij militanti shumë të njohur kundër diktaturës së Ahmet Zogut dhe kundër fashizmit e imperializmit….”Dhe miratuan një rezolucion mbi çështjen shqiptare. Pikërisht këtë forum ndërkombëtar, forcat demokratike e revolucionare të emigracionit shqiptar e shfrytëzuan për mbrojtjen e jetës së Haki Stërmillit. Kongresi shpalli një varg dokumentesh që demaskonin e stigmatizonin regjimet reaksionare të Ballkanit dhe dënimit të padrejtë të luftëtarëve të lirisë. Prej këndej merr shkas dhe telegrami i protestës që u bë me emër të Kongresit.
“Anëtarët e poshtëshënuar të Kongresit të dytë Botëror të Lidhjes-thuhet në të, protestojnë energjikisht kundër torturave çnjerëzore të kryera në burg mbi të burgosurin politik Haki Stërmilli. Ata kërkojnë kthimin sa më të shpejtë të lirisë dhe ndalimin e ndjekjeve kundër tij. Është në interes të Shqipërisë, si një gjë shumë e rëndësishme që t’i jepet e drejta kërkesës sonë”.
Është për nder të lëvizjes demokratike e revolucionare shqiptare të kohës të vemë në dukje se protesta për mbrojtjen e Haki Stërmillit, u nënshkrua nga një varg personalitetesh të shquara me famë botërore. Ndërmjet tyre vlejnë të përmenden shkrimtari H. Barbys, Sen Katajama anëtar i Presidiumit të Komintermit, A. Anjshtajn, fizikant i madh, prof. Nejedli, kryetar i Akademisë së Shkencave të Çekoskollvakisë, profesorët e njohur T.Lessing e Resch, deputetët britanikë J. Martou Kirkwood, Bridgeman, deputetët gjermanë V. Munzenberg, Geischke, E. Hollein, deputeti Italian dr. Miglioli, shkrimtarët R.Ruben, H. Stocker, Goldeshmit, deputetët Indian Gupta e Saklatabala, kryetarët e Bashkisë së Stokholmit C.Lindhagen etj. Protesta e nënshkruar nga kjo plejadë personalitetesh bëri padyshim jehonë të madhe. Ajo ndikoi drejtë për së drejti në shpëtimin e jetës së Haki Stërmillit. Vetë fakti që gjyqi politik i Zogut e dënojë më 3 gusht 1929 shkrimtarin demokrat vetëm me 5 vjet burg, flet mjaft qartë për këtë ngjarje sa dramatike dhe historike. /KultPlus.com
Artistë të disciplinave të ndryshme do të mund të apikojnë për programet e rezidencave artistike në Francë.
Institut Français ka hapur thirrjen për artistët që duan të
kalojnë prej 3-6 muaj në Francë, në rezidencat e ndryshme artistike. Rezidenca
nënkupton qëndrim në Francë, me shpenzime të mbuluara, për artistët që duan të
marrin kohë për tu inspiruar për krijime të reja.
Këtu mund të aplikojnë edhe artistët nga Kosova e Shqipëria.
Artistët e fushës së arkitekturës dhe planifikimit urban, arteve pamore, artit në rrugë, arteve digjitale, letërsisë, dizajnit, muzikës klasike dhe bashkëkohore, realitetit virtual, dokumentareve dhe fushave tjera mund të aplikojnë në rezidencë, shkruan KultPlus.
Afati i fundit për aplikim për këtë program që ju mundëson të
njoftoni njerëz dhe të krijoni kontakte për zhvillimin e karrierës suaj
artistike është 30 gushti.
Gjuha angleze ose ajo franceze janë të nevojshme për të qenë
pjesë e programit.
Manastiri i Ardenicës është kthyer në një atraksion turistik për turistët e huaj gjatë kësaj vere. Ata shprehen të mahnitur me strukturën e ruajtur të objektit të kultit që është ndërtuar, që në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit.
Manastiri i Ardenicës ndodhet në pjesën jugore të Myzeqesë, në një kodër me lartësi 237 metra mbi nivelin e detit. Prej tij dallohen qartë Mali i Tomorit, Divjaka e laguna edhe me tëj në Jug, dallohet ishulli i Sazanit dhe Karaburuni. Ndërtimi i tij mendohet se zë fill në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit edhe pse më herët ka ekzistuar një kishës e vogël. Ndërsa, sot ky manastir falë strukturës arkitektonike që është ruajtur ndër shekuj është shndërruar në një atraksion të rëndësishëm për turistët e huaj edhe vendas. Turistët shprehen se ky objekt kulti është i rëndësishëm për më mësuar më shumë për historinë edhe kulturën e hershme shqiptare, e cila vijon që të ruhet deri në ditët e sotme
“Kam lexuar se është një vend fetar shumë i rëndësishëm i rajonit këtu në Myzeqe, që është përdorur për nevoja të ndryshme gjatë historisë së pasluftës. Madje ka qenë edhe burg, por nga fundi i regjimit komunist u përdor për çështje turizmi edhe u restaurua. Kështu unë kam vizituar një kishë shumë të vjetër edhe më vjen mirë që janë të ruajtura kaq mirë ikonostasi edhe pjesët e tjera përbërëse të këtij manastiri”, shprehet turistja.
Gjatë kësaj ndalese në manastir, numrin më të madh të vizitorëve e zinin turistët francezë. Ata fillimisht janë njohur nëpërmjet guidave elektronike me këtë manastir, ndërsa pas ndalesës që kanë bërë nga afër shprehen të mahnitur nga konservimi dhe ruajtja e objektit religjioz.
“Jam shumë e lumtur që vizitova një vend kaq të vjetër edhe me arkitekturë të realizuar edhe me afreske, që vështirë se i kam parë herë tjetër në jetën time. Edhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu edhe na ka pëlqyer shumë. Është java jonë e parë në Shqipëri edhe kemi vizituar Valbonën, beratin e më pas në guidën tonë turistike kemi pasur edhe Ardenicës. Jemi të mahnitur nga kjo Shqipëri kaq e bukur”, thotë më tej turistja franceze.
Ndërsa, dera e manastirit që qëndron mbyllur ka kthyer mbrapsht edhe shumë vizitorë, për shkak se ata nuk kanë dijeni, që për ta vizituar këtë objekt kulti duhet që të thërrasësh rojën. /KultPlus.com
Shqipëria e ka në nivele alarmante numrin e të rinjve dembelë. 28.6 për qind të rinjve 15-29 vjeç në vitin 2018 nuk kanë qenë as në punë dhe as në shkollë.
Ky nivel i lartë i të rinjve pa asnjë angazhim është veçanërisht alarmante për një ekonomi, pasi ato mund të prodhojnë në një ‘gjeneratë të humbur’, me pasoja të shumëfishta negative, analizoi Ministria e Financave në vlerësim për ecurinë e strategjisë për punësimin dhe aftësitë 2016-2020.
Shqipëria e ka nivelin më të lartë të të rinjve pa asnjë angazhim në raport me Rajonin dhe BE-në. Në BE 14 % e të rinjve 15-29 vjeç nuk janë as në punë as në shkollë, teksa ne Shqipëri ky tregues është sa dyfishi.
Të rinjtë shqiptare karakterizohen nga një nivel i lartë dembelizmi. Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht, 2.3 orë duke parë televizor, si dhe 3.9 orë online. Por nuk janë këto aktivitetet e vetme. Kafenetë zënë një pjesë të konsiderueshme të jetës së të rinjve shqiptarë. Sipas studimit në fjalë, të publikuar së fundmi, gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21% e bëjnë këtë me raste.
Shpenzimi i kohës së lirë nga të rinjtë është i rëndësishëm, sepse tregon elemente të tjera të jetës së tyre, si dhe të planeve për të ardhmen. Aktivitetet më të zakonshme, që të rinjtë bëjnë shpesh në kohën e lirë, çdo ditë ose disa herë në javë, janë dëgjimi i muzikës (85% e bëjnë këtë shumë shpesh) , dalja me miqtë (70% e bëjnë shumë shpesh), shikimi i filmave (72%), relaksimi dhe kalimi kohës me familjen e tyre (92 e bëjnë shpesh).
Gjatë vitit 2018, sipas anketës së Forcave të Punës, forca e punës në Shqipëri ishte 1 milion dhe 404 mijë persona, ndërsa shkalla e pjesëmarrjes për grupmoshën 15-64 vjeç ishte 68.3%.
Shkalla e punësimit (15-64) për femrat është 52.4%, për meshkujt 66.7%, gjithsej 59.5%, për një total prej 1.230 mijë persona të punësuar.
Nga viti 2017 deri në vitin 2018, punësimi është rritur me 3% dhe shkalla e papunësisë (15-74) ka rënë nga 1.4 % në 12.3%.
Shkalla e papunësisë së të rinjve (15-24) është 28.3% dhe papunësia afatgjatë (njerëzit që gjenden në këtë situatë për më shumë se 12 muaj) janë 67.4% të totalit.
Vlerësimi i Ministrisë së Financave tregon se pjesën më të madhe bujqësia kontribuon në punësim, e cila punëson 47.7% e totalit të te punësuarve. Ky zhvillim sugjeron nevojën urgjente për të krijuar vende më produktive dhe të kualifikuara, pasi sektori bujqësor zakonisht ofron pagesa dhe kualifikim të ulët. /Monitor
Martin Henze, këshilltar pranë CDU-së, partisë së kancelares Angela Mrkel, duket se i ka dhënë mbështetje artistëve, aktorëve dhe shoqërisë civile të grupuar në “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, që prej muajsh protestojnë në mbrojtje të godinës, e cila sipas Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj duhet të shembet.
“Kemi lexuar këto kohë shumë komente në mediat tona që mbajnë firmën e z.Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike në CDU-në gjermane. Dje z.Henze ishte në sheshin e Teatrit dhe mësoi për si po shkon protesta e sa të bindur jemi ta vazhdojmë atë”, thuhet në një njoftim të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Analistja dhe akademikja Zamira Çavo i ka dërguar një letër publike kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Letra lidhet me memorialin e ngritur te zona e liqenit artificial në kryeqytet në nder të të rënëve gjatë grushtit të shtetit në Turqi.
Në letrën e postuar në faqen e saj në Facebook, e që vjen pas reagimit të kryebashkiakut Veliaj lidhur me ngjarjen në fjalë, akademikja shprehet se ngritja e memorandumit është një turp kombëtar dhe një akt i parecedentë në historinë botërore.
Çavo e quan Veliaj “përdhosës të imazhit të Tiranës” dhe e pyet se çfarë e detyroi që ndërmori një akt të tillë.
Letra e plotë për kryebashkiakun Veliaj
Së pari ju falenderoj për shpejtësinë me të cilën u përgjigjet publikisht edhe ndaj një kërkese timen, për të na sqaruar në lidhje me memorialin te Liqeni.
Sinqerisht do kisha dashur të mos e kisha lexuar apo dëgjuar atë cka thatë. Nuk arrij dot ti besoj veshëve e syve! Në ndërgjegjen time isha gati e bindur se gjithcka thuhej në rrjetet sociale ishte një gënjeshtër e shëmtuar. Isha gati e bindur se ju nuk do mund ta kishit bërë dot kurrë një marrëzi të tillë! Dhe dini përse? Sepse në ekran ku ju nuk mungoni asnjë ditë, ju shfaqeni si njeriu që do Tiranën dhe qytetarët e saj më shumë se cdo gjë e q lodhet nga mëngjesi në darkë për ta bërë qytetin të ngjashëm me kryeqytetet e Europës. Nuk e besoja edhe për faktin se asnjë shqiptar qoftë edhe me nivelin minimal të dashurisë për vendin nuk do ta kishte bërë! Por ja që ju jo vetëm e paskeni kryer por dhe madje merrni guximin të na bëni ne fajtorë! Jo Z Veliaj, në këtë rast jeni ju që nuk keni gabuar, sepse ju keni bërë FAJ!
Shikoni cfarë guximi keni marrë kur thoni se: “Në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”.
Me gjeni vetëm një arsye, një të vetme, që unë ta pranoj këtë që thoni ju! Po si guxoni të ngrini një Memorial për ca njerëz të vdekur që nuk kanë asnjë lidhje me ne?! As eshtrat e as ngjarja nuk i ka lidhur me ne! Si guxoni e na thoni se ti lemë të vdekurit të qetë kur ju po na përdhosni ne të gjallët me këtë veprim sa antikombëtar aq edhe poshtërues??
Më thoni pse duhej realizuar një veprim të tillë ? Pse qyterai që lëviz në tokën e tij të shikojë ca emra të vdekurish që ranë për konflikte të tyre, pa asnjë lidhje me ne??? Deri diku do ta justifikoja një memorial për ata qindra emigrant që humbasin jetën cdo ditë në dete në kërkim të një jete më të mirë …!
Nuk arrij as ta perceptoj dot këtë që keni bërë e pale kuptoj justifikim që keni gjetur! Në Liqenin tim, tonin, të femijëve tanë, do na qëndrojë i ngulur ky memorial për ti treguar botës së cfarë pseudoshqiptarësh kemi nxjerrë në krye, se sa naiv jemi treguar si popull që i kemi besuar kësaj race të paskrupullt politikanësh!
Erion ju nuk jeni Zot I Tiranës! Ju kam mbështetur sa herë ka qenë nevoja për ti bërë mirë komunitetit. Por me këtë veprim tuajin, unë kuptoj se për ju nuk paska asnjë rëndësi qytetari i Tiranës, nderi i Tiranës dhe mbi të gjitha Shqipëria! Me gjeni një vend në botë që ka bërë një veprim të tillë ! Ky është jo vetëm një turp lokal, por kombëtar! Pale guxoni e më thoni të ndez një qiri në emrat e atyre që u vranë gjatë një grushti shteti në një vend që as më intereson fare!
Ndaj nga sot unë, po besoj edhe shumë të tjerë si unë, do t’ju shikojnë si një përdhosës të imazhit të Tiranës dhe jo si një kryeshërbëtor të saj!
Njëmijë cmime të blera ose të fituara poshtë e lart botës si kryebashkiak i suksesshëm, nuk do mund ta shlyejnë dot këtë marrëzi!
E së fundmi nuk e mora përgjigjen: Cfarë ju detyroi ta bëni një veprim të tillë??
“Pavarësisht ku është, në anën tjetër të botës – në Meksikë, në Evropë, në ndonjë qytet, fshat, a lagje, në mendjen, zemrën e shpirtin e tij poetik është Rahoveci.”
Është fjala për shkrimtarin Xhevdet Bajraj, i cili këtë edicion të Hardh Fest-it, përmes aktivitetit Hardh Poezi, do të promovojë dy libra.
“Në Hardh Fest 2019 – në Hardh Poezi, vjen promovimi i dy librave të jashtëzakonshëm nga poeti Xhevdet Bajraj, ‘Ca kokrra rrushi Rahoveci’ dhe ‘Kur qajnë hardhitë’ (Shtëpia Botuese Armagedoni)! Një event i paharrueshëm, ngjarja më përfaqësuese kulturore përmbyllëse e Hardh Fest-it të sivjetshëm – për të mos u humbur”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Rikujtojmë se edicioni i sivjetmë i “Hardh Fest” do të mbahet gjatë datave 16, 17, 18 gusht në Rahovec, nën moton “Një got’ për mot”.
30 pes – Kleopatra VII Philopator, sundimtare e fundit i dinastisë egjiptiane Ptolomeu kryen vetëvrasje, thuhet, me anë të një kafshimi gjarpëri. Kleopatra njihej për bukurinë fizike dhe efektin ndaj burrave të shquar (Jul Cezar e Mark Anton). Megjithatë, Plutarku tregon se çka e bënin Kleopatrën tërheqëse ishin “mendja, dhe ëmbëlsia e zërit të saj”.
1480 – Beteja e Otrantos: trupat osmane presin kokat e 800 të krishterëve që nuk pranuan të konvertoheshin në Islam; (Këto viktima u kanonizuan nga Papa Françesku më 12 Maj 2013). Sulmi ndaj Otrantos ishte pjesë e planit për pushtimin e Italisë. Fushata osmane udhëhiqej nga Gedik Ahmed Pasha. Për shkak të mungesës së ushqimeve, Gedik Pasha u kthye me shumicën e trupave në Shqipëri, duke planifikuar për të vazhduar fushatën më 1481. Por pas vdekjes së sulltan Mehmetit II, planet ndryshuan. Sulltani pasardhës, Bejazid II, nuk kishte besim tek Gediku; e burgosi, dhe më më 18 nëntor 1482 e vrau. Origjina e Gedik Ahmet Pashës mbetet kryesisht e panjohur. Disa burime pohojnë se ishte shqiptar, të tjera burime thonë se kishte prejardhje greke ose serbe.
1624 – Kardinali Richelieu (1585-1642) u emërua kryeministër i Francës nga Mbreti Luigj XIII. Në Francë, luftrat rezultuan në rritjen e taksave; kjo, e kombinuar me menaxhimin e dobët të financave nga ana Richeliesë, e varfëruan thesarin dhe shkaktuan pakënaqësi ndaj sundimit të tij. Por në politikën e jashtme, Kardinali Richelieu, nxiti tregtinë e lirë dhe organizoi kompanitë për të zhvilluar tregti në Inde dhe Kanada. Ai ishte mbrojtës i arteve dhe themelues i Akademisë Franceze. Ndër veprat e tij letrare janë Kujtimet (1650) dhe Ditari Politik (1688).
1851 – Amerikani Isaac Singer regjistron patentën për makinë e tij qepëse. Isaac Merritt Singer (1811 – 1875) ishte shpikës, aktor, dhe sipërmarrës. Ai bëri përmirësime të rëndësishme të makinës qepëse dhe themeloi firmës Singer Sewing Machine. Shumë kishin patentuar makina qepëse para Singerit, por suksesi i tij bazohej në thjeshtësinë e makinës për përdorim shtëpiak, si dhe blerjen e saj me këste. Isak Singer ishte gjithashtu prind i të paktën 24 fëmijëve, me gra të ndryshme.
1865 – Kirurgu britanik Joseph Lister u bë mjeku i parë që përdori dezinfektues gjatë operacionit. Emri Lister tingëllon i njohur – prej tij rrjedh Listerine, dezifenktant i gojës (gargarë), shitet me shishe; mund të përdoret në çdo kohë, dhe jo vetëm një herë në ditë.
1898 – Hawaii u aneksua nga Shtetet e Bashkuara – më 1900 u bë territor amerikan. Sulmi japonez në bazën detare në Pearl Harbor (Hawaii) më 7 dhjetor 1941, ishte drejtpërdrejt përgjegjës për hyrjen e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore. Në vitin 2008, Barak Obama, lindur në Hawaii, u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara.
1966 – Turneu i fundit për grupin Bitëlls filloi në Amfiteatrin Ndërkombëtar në Çikago; dhe John Lennon kërkoi publikisht falje për thënien e tij të mëparëshme se “Bitëllsat ishin më popullorë se Jezu Krishti”.
1972 – Trupat e fundit luftarake amerikane lënë Vietnamin. Në vitin 1972, negociatat e fshehta të paqes, udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Henry Kissinger u zhvilluan, dhe një marrëvshje u nënshkrua në Paris më 27 janar 1973. Por trupat veriore të Hanoit vazhduan luftën kundër Jugut deri më 9 prill 1975, kur arritën afër Saigonit. Presidenti i Vietnamit së Jugut, Nguyen Van Thieu dha dorëheqjen më 21 prill dhe u largua. Gjenerali Duong Van Minh, presidenti i ri, e dorëzoi Saigonin më 30 prill, duke i dhënë fund një lufte që mori jetën e 1.3 milionë Vietnamezëve dhe 58.000 amerikanëve.
1992 – Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja ranë dakord të formojnë një zonë të tregtisë së lirë dhe të krijojnë bllokun më të madh tregtar në botë: Marrëveshja njihet me akronimin NAFTA.
1998 – Bankat zvicerane ranë dakord të paguajnë 1 miliardë e 250 milionë dollarë për të zgjidhur paditë e ngritura nga të mbijetuarit e Holokaustit dhe të trashëgimtarëve të tyre. Bankat kishin mbajtur miliona dollarë të depozituara nga viktimat e Holokaustit dhe të afërmit e tyre para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore – për shkak se shumë nga depozituesit kishin vdekur në kampe përqëndrimi nazist ose familjarët e tyre kishin humbur numrat e llogarive, paratë e tyre mbaheshin të bllokuara në banka.
Gaqo Çako ka lindur më 24 janar 1935 dhe vdiq më 1 gusht 2018, ishte një këngëtar shqiptar.
Tenori Gaqo Çako, Artist i Popullit, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të panteonit të muzikës shqiptare, të përfaqësuar edhe nga Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj. Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova.
Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë. Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer.
Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias.
Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohej e shfaqej, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh.
Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka pasur si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios.
Çako ndërroi jetë në banesën e tij në moshën 83-vjeçare. Homazhet u realizuan në Muzeun Historik Kombëtar.