Piktura e Agim Sulajt që shpreh mallin e emigrantit për atdheun

Sot në ditën ndërkombëtare të emigrantëve sjellim një pikturë të piktorit shqiptar, i cili jeton në Itali, Agim Sulaj.

“Emigranti i vogël. Vendi im, Shqipëria”, një tablo që tregon një djalë të vogël teksa kërkon në hartë atdheun e tij dhe Vlorën qytetin e prindërve të tij.

Kjo pikturë është blerë ng një grua belge, sepse sipas saj përcjell një mesazh universal, siç është emigrimi, tregon vetë piktori Sulaj,  i cili na tregon gjithashtu se kush ishte djali i vogël që e frymëzoi për këtë tablo.

“Është tablo e pak viteve më parë. Kam qenë gjithmonë i dedikuar në punën time ndaj emigrimit dhe historive të veçanta të kësaj plage të pa shërueshme të Shqipërisë.  Tabloja në fjalë prezanton një fëmijë të vogël në një klasë fillore të Italisë. Prindërit e tij janë shqiptarë.  Dhe tabloja prezanton momentin kur fëmija gjen me kureshtje e mall Shqipërinë , në hartën e madhe të Italisë dhe pikërisht kërkon Vlorën e prindërve të tij. Është një tablo autobiografike mund të quajmë, ekspozuar për herë të parë në ekspozitën personale në Kruishoutem të Belgjikës. Qendra europiane e Humorit e Ilustrimit satiric. E bukura është që e ka blerë një grua belge  “për mesazhin poetik e universal që përcjell” , mbaj mend më ka thënë, tregon piktori Agim Sulaj për “Diaspora Shqiptare”. /dp/ KultPlus.com

Hapet në Tiranë ekspozita “Heroes” e piktorit Agim Sulaj

Ekspozita “Heroes” vjen për publikun me disa prej punëve më të mira të piktorit të njohur Agim Sulaj.

Me një aktivitet të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrës e fitues në konkurse të ndryshme në botë me punët e tij në karikaturë, artisti i njohur vazhdon traditën e tij me ekspozitën e dhjetorit në Shqipëri. Tre vite me parë ekspozita e tij te hotel “Plaza” quhej “Rrënjët”, këtë vit vjen me emrin “Heroes”. Piktori i njohur ka prezantuar 25 tablo në ekspozitën e tij.

Në një reagim piktori thotë se këtë herë ka dhe punë, që i dedikohen situatës së vështirë me pandeminë globale që po kalojmë, por ka dhe piktura të tjera me mbresa të pikturuara, si dhe tablo historike. ““Heroes” një dedikim situatës e vështirësive të krijuara nga covid-19 nëpërmjet një tabloje. Si dhe një zhytje me kujtime, mbresa të pikturuara e tablo historike. Por COVID-19 nuk e ndalon krijimtarinë”, thotë piktori i cili hapi ekspozitën e tij në datë 11 dhjetor për publikun, që mund të shikojnë punët e tij duke respektuar rregullat që janë vënë për shkak të pandemisë. Ekspozita “Heroes” është prezantimi i radhës së piktorit Agim Sulaj me publikun artdashës shqiptar. Sipas tij janë 25 punime, që përcjellin edhe mesazhe paqeje. “Nuk mund ta ndërprisja traditën e bukur të krijuar tashmë këto katër vjet me publikun e miqtë artdashës të Shqipërisë. Jeta e arti duhet eci e të prezantohet”, thotë piktori i njohur Agim Sulaj, për aktivitetin e tij me pikturën gjatë këtij viti mjaft të vështirë për shkak të pandemisë globale.

Ekspozita deri në shkurt 2021

Piktori për shkak të situatës me pandeminë nuk ka mundur të jetë vetë në Tiranë. Por punët e ekspozitës i ka dërguar dhe tashmë janë prezantuar në Tiranë. Piktori Agim Sulaj thotë se ekspozita do të qëndrojë deri nga mesi të muajit shkurt të vitit që vjen. Por dhe pse një vit i vështirë, piktori Agim Sulaj ka vijuar të jetë pjesëmarrës në konkurse të ndryshme, sipas tij duke marrë dhe vlerësime të reja. “Ky vit dhe pse shumë me vështirësi nuk e ka frenuar aktivitet in tim. Jam i kënaqur, që jetës sime artistike i kam dhënë emocione , çmime e vlerësime të reja”, thotë ai. Këtë herë në këtë ekspozitë të hapur në Tiranë, piktori thotë se përgjithësisht janë punime të reja në 25 tablotë e prezantuara. “Është një variant i ti i tablosë historike me kokën e Ali Pashë Tepelenës te Sulltani, që ndodhet në Janinë në Muzeun e Aliut, me përmasa të mëdha. Kisha dëshirë ta bëja të madhe”, tregon ai. Gjatë një viti më parë piktori shqiptar me famë ndërkombëtare Agim Sulaj mori pjesë në konkurse të ndryshme në botë, ku është vlerësuar me çmime, por shprehej se për ekspozitën në Tiranë në muajin e fundit të vitit në dhjetor kishte kohë që e kishte menduar.

Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar, 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni” e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, etj. Agim Sulaj mes vlerësimeve që ka marrë ka fituar edhe “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”. I cilësuar si çmim “Oscar” për karikaturën, ky vlerësim vjen për artistin e njohur shqiptar në vijim të aktivitetit të tij. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin 583 artistë nga 63 vende të botës dhe 2750 punime të seleksionuara. /dp/ KultPlus.com

Nga Italia në vendlindje: Një ekspozitë për artëdashësit shqiptarë

Piktori dhe karikaturisti shqiptar Agim Sulaj jeton në Itali dhe numëron dhjetëra çmime ndërkombëtare. Në vijim të traditës së krijuar katër vitet e fundit edhe këtë vit do të realizojë një ekspozitë personale në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë.

Ekspozita do të çelet në fund të javës që vjen.

“Është një ekspozite personale në vijim të tradites qe kam krijuar këto katër vitet e fundit në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë. Një takim i përvitshëm me artëdashësit shqiptarë, miq dhe kolegë”, tregon piktori Agim Sulaj.

Ai tregon gjithashtu se situata nuk është e lehtë për shkak të pandemisë, por gjithsesi vendosi të mos e ndërpresë këtë traditë të nisur prej katër vitesh.

“Këtë vit situata është vështirësuar për shkak të pandemisë, por pasi e mendova gjatë vendosa ta bëj, pasi mendoj se jeta artistike duhet të vazhdojë. Një dhuratë për publikun e artdashësit shqiptarë. Tani ka nevojë për art i cili ju zbukuron jetën njerëzve.”

Në këtë ekspozitë do të jenë rreth 24 punime me tematika të ndryshme në pikturë. Tablo historike dhe peisazhe nga Italia dhe Shqipëria.

“Mbresa nga fëmijëria dhe bregdetin e bukur të qytetit të Vlorës ku u rrita. Gjithashtu do të kenë një tablo dedikuar COVID, një homazh mjekëve e infermierëve për ditët e vështira që po jetojmë.

“Në fakt titullin kjo ekspozitë e merr nga një tablo e një infermieri që shtrëngon në gjoks një të moshuar me COVID. Më frymëzoi një foto e publikuar këto ditë në “Washington Post” dhe e bëra tablo”, shprehet piktori Agim Sulaj. /dp/ KultPlus.com

Agim Sulaj kandidat për çmimin prestigjoz në ‘European Press Prize 2020’

Agim Sulaj është piktor dhe karikaturist shqiptar që jeton e punon në Itali. Piktori shqiptar i cili numëron dhjetëra cmime ndërkombëtare, është përzgjedhur me një punim të tijin për çmim bashkë me 15 karikaturistë europianë në programin e ekselencës “European Press Prize 2020”.

Vepra me të cilën u prezantua artisti shqiptar, titullohej “ Plastika po shqyen botën”!

Në lidhje me karikaturat, Gjykatësi i “European Cartoon Award” Janet H. Anderson u shpreh:

“Karikaturat editoriale janë një lloj i veçantë i komenteve; ata kanë kaq shumë gjëra që duhet të shënojnë në tregimin vizual, lidhjen me ngjarjet aktuale dhe përcjelljen e një mesazhi të qartë. Ajo që shkëlqeu, ishin kritikat e tyre të mprehta, shpesh shumë qesharake, për punët aktuale. Të gjithë duam të inkurajojmë më shumë karikaturistë në të gjithë Evropën që të hyjnë në këtë çmim përrallor në vitet në vazhdim “, ka treguar ai.

“European Press Prize 2020” ku Sulaj është ndër 16 artistë e nominuar për cmimin e madh, do të jepet në Bruksel në tetor të vitit 2020.

Agim Sulaj në moshën 19-vjeçare fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universitetin e Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon në revistën “Hosteni , e vetmja revistë satirike e kohës.

Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj.

Në vitin 1990 në Ankara të Turqisë me veprën e tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989,  fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Në vitin 1992 hap një ekspozitë në Rimini e në vitin 1993 një tjetër në provincën e Brindisit. / KultPlus.com

Agim Sulaj fton artistët nga e gjithë bota të marrin pjesë në ekspozitën “Earthquake in Albania”

Piktori i mirënjohur Agim Sulaj, i cili trajton shpesh në veprat e tij temën e emigrimit, ka ftuar artistë nëpër botë të marrin pjesë në një ekspozitë me temë, tërmetin në Shqipëri. Mbi 100 karikaturistë të njohur në botë, janë përgjigjur me pjesëmarrjen e tyre.

Piktori dhe karikaturisti shqiptar, Agim Sulaj, i cili në veprat e tij trajton shpesh temat shoqërore, është solidarizuar me qytetarët e prekur nga tërmeti në Shqipëri dhe ka marrë një iniciativë duke ftuar artistë nga e gjithë bota të marrin pjesë në një ekspozitë me temën “Earthquake in Albania”, për tërmetin në Shqipëri.

“Këto ditë në Shqipëri ishte një tërmet me shumë viktima dhe dëme, me mirësi ju ftoj të ndani kohën tuaj të çmuar dhe të më dërgoni një punim me këtë temë”, kështu i ka ftuar ai artistët.

Kjo ftesë është e hapur për të gjithë, si karikaturistë, ilustrues, piktorë e dizajnerë. Numri i pjesëmarrësve nuk është i limituar.

Deri më tani mbi 100 karikaturistë të njohur në botë, i janë përgjigjur ftesës për pjesëmarrje në këtë ngjarje.

Afati për dorëzimin e veprave nga artistët është i hapur deri më 6 dhjetor 2019. / KultPlus.com

Agim Sulaj vlerësohet me “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”, konsiderohet Oscari i karikaturës

Artisti i njohur Agim Sulaj ka fituar “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”. I cilësuar si çmim “Oscar” për karikaturën, ky vlerësim vjen për artistin e njohur shqiptar në vijim të aktivitetit të tij.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin 583 artistë nga 63 vende të botës dhe 2750 punime të seleksionuara. Vlerësimi më i lartë në arenën ndërkombëtare për festivalet e konkurset ndërkombëtare i jepet këtë herë artistit shqiptar. Nga konkurrimi i 36 i këtij viti, “Aydin Dogan Fondazion” vlerësoi me çmimin “Grand Prix” veprën e artistit Sulaj me një afrikan të vogël matanë detit, si mur pengese drejt ëndrrës për botën e qytetëruar. Histori emigracioni mjaft e lëvruar nga Sulaj, dhe e vlerësuar gjithmonë për mesazhin imediat e aktual.

Në këtë konkurrim Agim Sulaj ka fituar përsëri çmimin e madh në vitin 2015. Vetë artisti i njohur shqiptar Agim Sulaj tregon se këtë çmim e quan pjesë me rrënjët, ku është edukuar në vendin e tij. “Jam shumë i gëzuar për fitoren dhe e quaj pjesë të përbashkët me rrënjët ku jam edukuar, në Shqipëri”, pohon piktori Sulaj. Këtë fund viti Agim Sulaj do të çeli ekspozitën e tij, në hotel “Plaza”, aty ku jemi mësuar këto tre vitet e fundit të shohim veprat e tij. Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar, 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”.

Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni” e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”.

Në vitin 1992 hap një ekspozitë Rimini e në vitin 1993 një tjetër në Brindisi. Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini. E që atëherë ka jetuar aty, është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, etj. /sotnews/ KultPlus.com