Faik Konica, kryelëronjësi i gjuhës sonë, stilisti i përkryer, polemisti i athët dhe atdhetari i pashoq

“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhé. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri” ishin këto fjalët e fundit që tha, ishte ky amaneti që la i madhi Faik Konica, atë ditë dhjetor para se të shuhej.

Prologu

Jeta e shqiptarit të madh, Faik Konica është e mbushur përplot episode, ku secila prej tyre është një histori e veçuar, një shkrepëtimë në ngulmin antikonformist, një kuraj e një mendimtari të kalibrit ndërkombëtar. Pakkush në historinë e shqiptarëve mund ta mbërrij dijen dhe arsimin e këtij njeriu, kontributin dhe vetmohuesen atdhetare të këtij përkushtuesi. Nuk ra në kurthin e asnjë kompromisi, nuk u përfshi në asnjë marrëveshje për të cilën të kaplohej në pendim. Bëri më shumë armiq se sa pati idhujtarë. Sepse pati guximin të thoshte disa të vërteta të hidhura për shqiptarët, disa kuvendime troç që janë kaq reale edhe sot. Pavarësisht se ai kërkoi më të mirën, prej farës së cilës i përkiste dhe këtë e bëri si një mësonjës i rreptë, shqiptarët edhe sot vazhdojnë të lëngojnë prej atyre plagëve, prej asaj së keqeje që më shumë se armike e të tjerëve, ishte dhe mbeti e vetë shqiptarëve.

Fikja e një ylli

15 dhjetorin e vitit 1942 ndali zemra e “njeri me kulturë të lartë” siç mëton për të Fan Noli, “enciklopedia shëtitëse”, siç preferoi ta cilësonte erodicionin e tij Apolineri. Faik Konica ishte ndër personalitete shqiptare kontributi dijetues i të cilit kaplot më të epërmet maja. 67-vitet e jetës, 15 mars të vitit 1875 kur ai erdhi në jetë në Konicë dhe 15 dhjetor të vitit 1942 kur u shua, ai i mbushi përplot me akte krijuese dhe kontribuese, mëtonjëse për shqipërinë e shqiptarët nëpër botën e thundrës së rëndë të harrimit për këtë komb dhe këtë racë, për këtë potencial të pamatë kumtimi. Ai ishte eseist, botues, gazetar, themelues i kritikës letrare shqipe, diplomat, veprimtar politik, polyglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Në atë kur Konica vdiq Shqipëria ishte përfshirë nga lufta, dhe trupi i pajetë i tij u varros në Boston, përkohësisht. Me këtë rast, Fan Noli mbajti një elegji për mikun e tij dhe premtoi përmbushjen e amanetit. Gjithësesi, sistemi komunist që u vendos në Shqipëri pas luftës ndaloi jo vetëm emrin dhe veprat e Konicës, por edhe kthimin e eshtrave në tokën që e lindi dhe për të cilën bëri kaq shumë. “Noli dhe “Lamja i vogël” (Selfulla Maleshova) nuk mund të bënin gjë. Eshtrat e Konices u kthyen në atdhe vetëm pas 53 vjetësh, më 1995, me rastin e 120 vjetorit të lindjes.

***

“Albania”, botim i Konicës, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë 1897-1909 programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

***

Guillaume Apollinaire për Faik Konicëm
Ndër njerëzit tepër të veçantë që kam njohur e që më kujtohen me kënaqësi të madhe është padyshim Faik Konica. Ai Lindi në Shqipëri 40 vjet më parë në një familje që ka ruajtur besimin e krishterë. Ky shqiptar “chkipe” studioi në Francë. Në moshën 20 vjeçare ai pati rastin të behej një prift i “Grande Chartre”, por ai nuk e bëri këtë. Pak nga pak besimi i tij do të humbte dhe do të kthehej në indiferencë, madje gjer në antiklerikalizëm, ç’ka na kujton atë të Merimée-së. Por ai vazhdoi studimet e tij dhe meqë ishte një atdhetar i madh, Konica u kthye në Shqipëri, ku sipas thënieve të tij ishte dënuar dy herë me vdekje, në mungesë, për komplot ndaj pushtetit otoman. Ai u rikthye në Francë ku e njohu në një mënyrë të shkëlqyer gjuhën dhe letërsinë franceze dhe u lidh me të gjithë ata që e admironin Shqipërinë. Megjithatë, liria që gëzonte në Francë i dukej e pamjaftueshme dhe kështu shkoi të vendosej në Bruksel në rrugën “Albanie”, për të themeluar revistën erudite Albania, ku u muar me politikë dhe akoma më shumë me letërsi, histori, filologji, etj.
Pjesën më të madhe të jetës së tij ai ja kushtoi lëvizjes kombëtare shqiptare, duke e pastruar gjuhën shqipe nga termat e pasakta apo parazite. Plot pathos, në pak vite ai përpunoi një gjuhe të bukur, të pasur dhe të zhdërvjelltë.

Arshi Pipa për Konicën

Faik Konica! Kush nuk e njeh? Emni i tij asht njeni prej ma të dashunvet. Po mbushet afër nji gjysë shekulli qysh kur ky emën tingëlloi për herë të parë në veshët e Shqiptarëvet. Vinte që larg, nga nji vënd i huej dhe delte për me mprojtë të drejtat e Atdheut. “Albania” quhej ky za, dhe ishte, në shkretin e kulturës shqiptare, nji “vox clamans in deserto”. Ç’atëherë nami i Konicës u vendos në fronin ma të naltin e mendjes shqiptare. Dhe si hypi nji herë nuk luejti ma.

Gjatë gati nji gjysë shekulli fjala e tij erdhi ndër veshët tonë, ndër mendjet tona, me intervale herë ma të shkurta here ma të gjata. Jo e shumtë, jo e shpeshtë, ma fort e rrallë… rrallë e për mall. Dhe gjithherë e ndrrueshme, gjithherë e freskët. Dhe kur vinte, mbassi kishte shkapërcye kontinente e oqeane, kishte tinguj të nji mendësije së ndryshme, prendimore, ma të qartë, e qi ma se nji herë i u-dukshin të çuditshme botës së vjetër shqiptare. E sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Sugjeroi, drejtoi, zakonisht i ndjekun me nderim. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Atëherë u idhnue, talli ashpër, shau.

Epilogu i një memuari

Konica ishte dhe mbeti figura më e madhe, jo vetëm e historisë sonë kombëtare, por edhe e letërsisë, e përkthimit dhe e gazetarisë, polemikës, por edhe e gjuhësisë.

Faik Konica kishte kërkesa të larta ndaj letërsisë dhe shkrimtarëve. Duke i vështruar në raporte të drejta përmbajtjen dhe formën, si dy komponentë që s’mund të ndahen nga njëri-tjetri, ai i jepte përparësi formës si e vetmja mënyrë për të shprehur sa më mirë përmbajtjen. Në këtë vështrim i kushtonte rëndësi të madhe gjuhës shqipe, pasurimit dhe përpunimit të saj. Ai vetë dha shembullin e një mjeshtri të vërtetë të gjuhës. Me të drejtë Noli e quan atë “kryelëronjësi i gjuhës sonë” dhe “stilist i përkryer”.

Faik Konica zë një vend të merituar në letërsinë tonë të Rilindjes dhe të Pavarësisë, jo vetëm si publicist dhe kritik letrar, por edhe si shkrimtar me individualitet të spikatur krijues. Megjithëse trashëgimia e tij e mirëfilltë letrare është e kufizuar, ai ka vepra me vlera të çmuara. /Albert Vataj /KultPlus.com

Busti i Skenderbeut së shpejti edhe në Trieshi, Malësi

Në prag të vendosjes së bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Triesh,
dëshmohet fryma e bashkimit dhe atdhedashurisë kastriotiane skenderbegiane.

Gjekë Gjonaj
Vendosja së shpejti e trupores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrotit- Skënderbeut në oborrin e shkollës nëntëvjeçare në Triesh – Malësi, e cila me krenari mban emrin e tij më se gjysëm shekuli është dhurata më e bukur dhe më e çmuar që ka marrë ndonjëherë në historinë e vet të lavdishme kjo trevë e lashtë shqiptare, e cila nuk u gjunjëzua para persioneve të pushteteve (regjimeve) të egra gjakatare të kohës për nënshtrim, tjetërsim, zhdukje e çkombëtarizim.
Dita e zbulimit të kësaj shtatoreje do të jetë një ditë e madhe jo vetëm për popullatën e këtushme , por për të gjithë shqiptarët. Do të jetë një ditë përkujtimi dhe respekti ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar të Skënderbeut – simbollit të lavdisë dhe bashkimit të shqiptarëve të kohës së tij për liri e atdhe, duke e bërë shqiptarizmën fe e themel të kombit shqiptar. Atë ditë Trieshi do të bëhet pjesë e shesheve, lagjeve, vendeve e qyteteve më të qytetëruara të botës, që kanë pushtuar statujën e Gjergj Kastrotit- Skënderbeut.
Atë ditë trieshjanët me miqtë e tyre do të vendosin bustin e atij heroi që i bëri ballë fuqisë Osmane për 25 vjet duke e mposhtur atë, heroit që frymëzoi kompozitorë e shkrimtarë, piktorë dhe historianë të mëdhenjë nga e gjithë bota, si Marin Barletin, Fain Nolin, Athanas Gegajn, Naim e Sami Frashërin, Ismail Qemalin e Isa Buletinin, Jeronim De Radën, Zef Seremben, Ismail Kadarenë e shumë të tjerë.
Ardhja në bronz e shtatores së këtij personaliteti të madh të kombit tonë me përmasa evropiane e botërore në Triesh do të jetë një mesazh i qartë i trieshjanëve se dinë dhe duan t’i respektojnë figurat e mëdha kombëtare, të cilat kanë dhënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar. Në prag të shënimit të kësaj ngjarjeje të madhe që do të ndodhë trieshjanët vështirë se mund të mos ndjejnë admirim dhe krenari të pakufishme për veprën madhore të Gjergj Kastrotit- Skënderbeut, i cili në shekuj e bëri Shqipërinë dhe shqiptarët një vend dhe popull i nderuar në historinë europiane dhe botërore.
Prania e trupores së Skënderbeut në Triesh pa asnjë dyshim do të dëshmojë fyrmën e atdhedahsurisë kastriotiane – skënderbegiane, jo vetëm në këtë trevë dhe në këtë shkollë, por edhe në shtresat e gjëra të kombit, në çdo familje, në çdo shkollë e qelizë shqiptare. Shtatorja e Gjergjit të Madh në këtë cep të Malësisë , do të mbushë dhe do të ushqejë me krenari zemrat dhe mendjet e të gjithë shqiptarëve dhe poujve të tjerë që do ta vizitojnë këtë zonë të bukur kufitare, jo larg Alpeve Shqiptare.
Para bustit të tij do të përkulen të gjithë ata që qëllim patën dhe e kanë lirinë dhe atdheun, mbase tek Heroi ynë, gjetën dhe do të gjejnë frymëzimin e këtyre vlerave të traditës sonë komblëtare dhe gjithënjerëzore.
Cilido që do të kalojë para këtij busti nuk do të ndjejë se ka vdekur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Pasi ta shikojnë fytyrën e Tij (Skënderbeut), në sytë e të cilit shihet qartë zjarri i lirisë dhe i simboleve tona kombëtare, do të kenë ndjesinë se ende është gjallë! Apo siç shprehej artistikisht njëri prej poetëve të njohur shqptar “… Ajo dorë prej hekuri , që tundi gjithë botën , nuk’ lëviz më; ato buzë që kanë folur gjithë ato këshilla të bukura; po ,ajo frymë e lartë, që urdhëronte, punonte, vendoste, nderonte nuk mund të vdesë kurrë…”
Dhe , kjo frymë e bashkimit duhet të na udhëheqë ne shqiptarëve. Në këtë frymë, e nën simbolet tona kombëtare, duhet të punojmë e të veprojmë sot e nesër kudo që jemi nëse dëshirojmë të ruajmë porosinë e Gjergj Kasdtriotit –Skënderbeut dhe të personaliteteve të tjera të mëdha të kombit tonë. Kjo frymë dhe ky frymëzim janë rrugët ( kahjet) e vetme për ruajtjen e qenies shqiptare. Rrugëdrejtim tjetër për ruajtjen e shqiptarizmës, për të mbajtur gjallë frymën e kombit, gjuhën shqipe, bashkimin midis nesh, identitetin tonë, nuk kemi!
Ngritja e këtij monumenti përkujtimor, i cili do të lë gjurmë të pashlyera në historinë e ardhshme të Trieshit, nuk do të jetësohej kurrë pa ndihmën financiare në shumë prej prej afro 65.000 $ ( gjashtëdhjetë mijë) të disa mërgimtarëve trieshjanë, të tubuar në Fondacionin “ Trieshi” nga Nju-Jorku në Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe punës së tyre intensive disa mujore. Gjithësesi nuk duhet harruar, por duhet vlerësuar , edhe kontributin e çmuar që dhanë institucionet vendore dhe qëndrore.
Ulqin, 21 shtator 2019 /KultPlus.com

Promovohet libri monografik për Nexhmije Pagarushën

Është promovuar sot libri monografik për këngëtaren e famshme Nexhmije Pagarusha. Libri është një rrëfim origjinal dhe personal i një udhëtimi të mrekullueshëm nëpër jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme, bilbilit të këngës shqipe në Kosovë, Nexhmije Pagarusha.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë kësaj ceremonie solemne tha se Pagarusha në kohën kur Kosova nuk njihej shumë sa i përket kulturës, me zërin e saj u bë shkas që një vend i vogël i Ballkanit të prezantohej ndryshe.

“Ishte zëri i një vajze të re, që nuk e kishte të lehtë përballjen me kohën kur jetonte. Po flasim për vitet e ’50 dhe ’60. Aso kohe vajzat po përballeshin edhe me pamundësinë e shkollimit ndërsa Nexhmije Pagarusha pos një këngëtareje që qysh në fillet e karrierës shihej që do të shkëlqente, nuk e la me kaq. U shndërrua në një shkëlqim që hidhte shkëndiza drite tek bashkëmoshatarët e saj”, tha ministri Gashi.

Tutje ministri Gashi tha se zëri i Bilbilit të Kosovës, pos vokalit të bukur e magjepsës do të ishte thirrje për emancipim. E tillë është figura e saj edhe sot.

“Ministria e Kulturës, e ka për obligim që t’i shërbejë artit e artistëve. Pos kësaj ka për obligim që të jetë pranë vlerave të Kosovës. E fusha e muzikës identifikohet me vlerën që ka mbajtur, mbanë dhe do të mbajë emrin, Nexhmija Pagarusha. Qysh prej marrjes së mandatit si ministër, angazhimin tim e kam fokusuar në disa projekte kapitale. Midis tyre edhe përkujdesin për vlerat që do të jetojnë gjithmonë. E tillë është edhe vepra e zonjës Pagarusha”, theksoi ministri Gashi.

“Vitin e kaluar me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Qeveria e ka shpallur zonjën Pagarusha “Qytetare me merita të veçanta”, duke i ndarë edhe një pension për këtë titull. Sonte po promovojmë monografinë që paraqet jetën shumëngjyrëshe të këngëtares, ashtu sikurse edhe fotografia me të cilën është ilustruar ballina e librit. Sigurisht që Ministria e Kulturës për zonjën Pagarusha dhe për artistet që shënuan fillet e artit në Kosovë nuk do të ndalen me kaq”, tha ministri Gashi.

Po ashtu, ministri Gashi tha se “jemi në proces të nisjes së punës për ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” në fshatin e lindjes së këngëtares, në Pagarushë të Malishevës. Me këto projekte të realizuara ju them pa modesti se MKRS-ja dhe unë si ministër do të vazhdojmë të jemi në shërbim të artistëve sikur Nexhmije Pagarusha. Këtë do ta bëjmë jo vetëm se e kemi obligim si institucione, por edhe në respekt të atyre që përmes veprave na shtruan rrugën deri te identiteti i shteti që kemi”. /KultPlus.com

Gjendet mozaiku 1500-vjeçar në Turqi

Një mozaik që besohet se i përket shekullit VI është gjetur në një gërmim ilegal në juglindje të Turqisë.

Mozaiku është gjetur nga xhandarmëria në afërsi të distriktit Derik në provincën Mardin, që njihet si rajon me gjurmë historike të civilizimeve të ndryshme.

Vepra e lashtë rreth 1500 vite është gjetur pasi kalimtarët e rastit e kanë paraqitur gërmimin ilegal në xhandarmëri, e cila është mobilizuar në këtë zonë dhe ka identifikuar mozaikun me figura të ndryshme.

Pas ekspertizës, mozaiku është marrë nën mbrojtje nga ana e Drejtorisë së Muzeve të Mardinit.

Ndërkohë, në vazhdim është një operacion i nisur nga ekipet e xhandarmërisë për kapjen e të dyshuarve që kanë kryer gërmimin ilegal.

Nga ana tjetër, Drejtoria Provinciale e Turizmit ka lëshuar kërkesë për të kryer gërmime në këtë pikë.

“Ne besojmë se ky vend ka qenë një vendbanim para mijëra viteve. Duam që me këtë gjë të pasurohet turizmi”, tha një specialist në këtë drejtori. /KultPlus.com

Santori, shkrimtari dhe satiristi arbëresh

Nga: Bardhosh Gaçe

Francesco Antonio Santori është njëri nga shkrimtarët e rëndësishëm të letërsisë arbëreshe, në personalitetin dhe në profilin e të cilit pleksen bashkë shkrimtari, poeti, satiristi i njërës nga periudhat më të rëndësishme të letërsisë arbëreshe. Po ashtu Santori është edhe dramaturgu i parë e dramës shqiptare, e shkruar në truallin ku kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë shkrimtarët arbëreshë. Ai lindi më 16 shtator 1819 në Santa Caterina Albanese, qyteti i provincës së Kozencës, në Italinë jugore. Si pjesa më e madhe e shkrimtarëve arbëresh, Santori gjashtëmbëdhjetë vjeçar (1835) bëhet prift dhe filloi shkollimin e tij për priftëri dhe tetë vjet më vonë (1843) hyri në manastirin françeskan të Rendit të Reformuar në San Marco Argentano.

Ai jetonte në Santa Caterina Albanese, ku punoi mësues. Qysh nga viti 1885,kur filloi të shërbente si prift (San Giacomo di Cerzeto), aty punoi deri në fundin e jetës, deri në shtator 1894. Santori ka një profil dhe një veprimtari jashtëzakonisht të rëndësishme në kulturën dhe në letërsinë arbëreshe dhe atë shqiptare, pasi ai shkroi poezi, romane, shfaqje dhe tregime të shkurtra. Në profilin e tij shkrimor dhe krijues, Santori shquan dhe mjeshtërinë e përdorimit të satirës, të shfaqur përmes krijimtarisë poetike, posaçërisht për një tematikë të tillë, por edhe përmes përshtatjes së fabulave të Ezopin, ku, përshtati 112 të tilla. Po ashtu, i lidhur shumë me kulturën dhe traditën arbëreshe të kulturës, letërsisë dhe të gjuhës shqipe, që edhe pse nuk pati jehonën dhe atributet e gjuhëtarëve të tjerë, të truallit ku lëvruan dhe shkruan arbëreshët, ajo ka vlerë të padiskutueshme në angazhimin e kohës për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për shkrimin shqip, në kuadër të Rilindjes Kombëtare dhe të plejadës së kësaj kulture, e cila kontribuonte në një vend jashtë trungut amë.

Santori ishte mjaft i lidhur me zhvillimet social- politike të kohës, të cilat janë reflektuar edhe në krijimtarinë e tij, e cila është një refleks i brendshëm shpirtëror, por edhe qytetari e autorit, e cila i jep krijimtarisë shqipe të kohës një pamje të rëndësishme origjinale, por edhe vokacionit të poetit, shkrimtarit dhe dramaturgut një frymëmarrje të gjerë, e cila kishte një lidhje të dukshme me pjesëmarrjen e tij në Lëvizjen Kombëtare, ashtu siç kishin bërë para tij dhe më pas, deri në ditët tona të gjithë shkrimtarët dhe krijuesit arbëreshë. Santori pati një krijimtari të larmishme dhe të gjerë, pasi ai shkroi mjaft poezi, pjese teatrale, tregime, novela.

Ndërkohë, duke pasur një shqisë të mprehtë satirike dhe me një sens humori, ai shkroi edhe komedi të cilat nuk gjenden të botuara në kohën e tij, apo dhe më vonë, por edhe nuk u vunë në skenë, një pjesë e të cilave mbetën edhe të papërfunduara, duke na njoftuar kushtet e rënda dhe varfërinë në të cilën kaloi fundin e jetës, por edhe angazhimin e tij për të shkruar në disa lloje dhe zhanre letrare. Të pabotuara dhe të papërfunduara nga Santori kanë mbetur edhe dy romane dhe disa novela, në subjektet e të cilëve kishte një tablo reale të kohës kur jetonte vetë Santori. Pavarësisht këtyre “incidenteve” të natyrshme, që u ka ndodhur disa shkrimtarëve me krijimtarinë e tyre, këto mungesa nuk e penguar aspak njohjen dhe pëlqyeshme rinë që ai fitoi si shkrimtar në letërsinë arbëreshe dhe më gjerësisht në Shqipëri dhe trevat e tjera italiano – shqiptare.

Në spektrin e larmishëm të letërsisë arbëreshe, Santori ka një vend të rëndësishëm të krijimtarisë së tij, e cila me 1845 vargje satirike të shkruara prej tij, ai përbën një profil të rëndësishëm për këtë lloj krijimtarie, që përveç tematikës së vet, risjell në një formë të mrekullueshme humorin popullor, frymën reale të visarit popullor dhe traditën e letërsisë arbëreshe, e cila mbështetej në folklorin arbëresh dhe atë shqiptar në përgjithësi. Santori ka shkruar poezi dhe prozë, ku më i njohuri është vëllimi poetik “Këngëtarja Arbëreshe”, botuar në të përkohshmen “Arbëresh i Italisë” (1850).

Një vepër tjetër e njohur dhe me një tematikë të gjerësishme është edhe “I burgosuri politik” (1851), të cilën poeti e ka shfrytëzuar mjeshtërisht për të shfaqur vetveten, ku bëhen të njohura idetë e Santorit, i cili nga pikëpamja politike e kohës dhe pozitat e tij, ai e dënon absolutizimin dhe shfaq simpati për Lëvizjen Kombëtare në Shqipëri, lëvizje që përkonte edhe me idetë e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare shqiptare. Janë gjithashtu të njohur romanet “Bija e mallkuar” (1858), shkruar në gjuhën italiane, por që deri më sot nuk gjendet një kopje e tij, romani tjetër, i mbetur në dorëshkrim i titulluar “Sofia Kominiate” dhe romani tjetër ”Ushtari Arbëresh” edhe ky i mbetur në dorëshkrim.

Më i njohur dhe më i rëndësishëm Anton Santori ka mbetur në letërsinë arbëreshe si autori i veprës së parë dramaturgjike të titulluar” Emira” dhe që konsiderohet si kryevepër e tij dhe e letërsisë arbëreshe. Drama shpalos dhe shpërfaq mjeshtërisht jetën e përditshme arbëreshe me të gjithë problematikën e saj. Në një vepër kaq të rëndësishme dhe me një përditësi të kohës kur ajo u shkrua, detyrimisht është edhe një lloj manifesti i rëndësishëm letrar, ngjarjesh dhe të personazheve përmes të cilave ai kërkon të shpalosë dramën arbëreshe të kohës
Santori përveç përçuesit të traditës shkrimore dhe të letërsisë artistike arbëreshe, e cila u mbështet shumë në folklorin arbëresh, përbën një zhvillim të rëndësishëm në këtë letërsi, për shkakun e risive që ai solli në të, ku llojit tradicional letrar i veshi tiparet e kohës si shprehje e pasqyrimit të kohës, por edhe duke qenë gjithashtu edhe autori i poemës së parë poetike, natyrisht të tijën, të titulluar “Canzoniere Albanese” (Këngëtarja shqipe) (1830 e shkruar dhe botuar në vitin 1846), një poemë e cila në të vërtetë është një poezi e gjatë lirike kushtuar dashurisë dhe natyrës.

Santori ka një lidhje të fortë emocionale dhe në të gjithë vokacionin e tij shkrimor me De Radën, ndërsa poema lirike “Këngëtarja shqipe”, është paralelizuar si një ndikim i qartë nga poema e De Radës “Këngët e Milosaos”. Po ashtu, më 1848 për Santorin thuhet se ai kompozoi një himn në gjuhën shqipe që e kishte titulluar “Valle e haresë së madhe”, i cili është botuar në 23 shkurt 1848 dhe në revistën e De Radës “L’Albanese d’Italia”.

Santori mbajti një lidhje të fortë më kohën dhe përmes krijimtarisë së tij poetike. Kështu, në vitin 1848, koha e Revolucionit Francez, poezia “I burgosuri politik” (Il prigionero politico”) i shkruar në shqip dhe italisht u botua në Napoli, përmes të cilës sillen detaje interesante nga jeta e familjeve të persekutuara nga ky revolucion në Itali, çfarë përbënte një rievokim të kësaj teme që Santori e ka lëvruar që herët në krijimtarinë e tij. Por interesante janë edhe dy veprat fetare të titulluara “Rozhaari i S. Myriis Virgkiyry” (shkruar në shqip dhe botuar në 1849 në Cosenza) dhe tjetra e titulluar “ I Shenjti i Krishterë” (botuar në 1855 në Napoli) që përbëhet nga lutje, tekste fetare dhe përkthime me titull, ku gjenden edhe tekste të rëndësishme të traditës kishtare shqiptare që nga Pjetër Bogdani, por edhe shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë së hershme shqiptare, që në vetvete përbën edhe një traditë të mirë të letërsisë fetare në letërsinë shqipe.

Studiuesit shqiptarë e kanë vlerësuar Santorin në të gjithë veprimtarinë e tij shkrimore, duke zbuluar tek ai një talent të rëndësishëm të kësaj letërsie, por edhe një shkrimtar disadimensional, që shkon paralelisht me De Radën e ndonjë autor tjetër të letërsisë arbëreshe. Me të drejtë studiuesit vërejnë edhe te Santori përjetimin e traditës kulturore dhe të gjuhës arbëreshe, e cila më së miri u mishërua në krijimtarinë e De Radës, i cili në të gjithë krijimtarinë e tij reflektoi lidhjen e forta me atdheun amë, me gjuhën dhe kulturën popullore. Santori kishte një ndjeshmëri të madhe me këtë kulturë edhe me gjuhën. Në krijimtarisë së tij nuk i shpëtoi kjo traditë e hershme që nga “Çeta e Profetnëve” të Bogdanit e deri te “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër” të Varibobës, por edhe puna e tij për të mbledhur këngët popullore, ashtu siç kishte bërë edhe De Rada me “Rapsodi e një poeme shqipe”.

Në prozën dhe veprat dramatike, komeditë dhe krijimtarinë tjetër të Santorit, i është lënë një vend i konsiderueshëm traditës shqipe, riteve dhe zakoneve, ceremonive të ndryshme. Gjithsesi Santori ka një lidhje të fortë me De Radën, pasi në një kontekst të gjerë, “Këngë e Milosaos” apo “Këngët e Serafina Topisë” dhe “Skënderbeu i pafan” te Santori duket se i “përgjigjen” kontekstit të tyre krijime të tij si “Këngëtorja shqipe”, “Valle e haresë madhe”, “I burgosuri politik”, ashtu si dramave të De Radës Santori do t’u “përgjigjej” me drama, tragjedi, melodrama dhe krijime të tjera të artit skenik. Santori do të shkruajë në vargje edhe ndonjë vepër novelistike apo roman.

Poema “Këngëtorja shqipe” e Santorit është një “përmbledhje” këngësh lirike për dashurinë ndërmjet dy të rinjve, ku duket shëmbëllimi i “Këngëve të Milosaos”, por ndryshe De Radës, te Santori djali dhe vajza janë të dy fshatarë, pra të njëjtës shtresë shoqërore. Poema e Santorit është më afër konceptit të tij lidhur me një përmbledhje me karakter popullorë. Po ashtu, në poemën e Santrorit ka një qasje interesante lëvizja që vjen nga personazhi kryesor, të cilin e zgjon vetëm dashuria ndaj vajzës, ndryshe te De Rada. Në poemën e Santrorit sundon plotësisht lirizmi, ndryshe epizmit dhe dramatizmit te De Rada. Te De Rada personazhi i tij ka një përgjegjshmëri të qartë, ndërsa te Santori personazhi kryesorë dyshon në jehonën e dëshiruar të ndjenjës.

Mjafton të lexosh vargjet: “Për dirë për namuri shumë vjershe shkruajta,/ Moj ndë ktë zemër namuri së ndieta,/ Ndë gjellë sa mbeta ndonjë kopile së ruata,/ E vetëm at (ë çë) dhiovasa ani rrefyeta…” Santori është një poet – shkrimtar i deklaruar i tëri lirik, në poezi, në prozë, në drama dhe në novela. Ndjenjat, mendimet, pamjet dhe situatat shquhen për lirizmin e tyre, në jo pak raste një lirizëm subjektiv. Kështu në “Këngëtore shqipe”, bukuria duket se këndohet nga këngëtari popullor, ku skalitet vasha, që e ka prehrin purpur, ajo gëzon dheun dhe yjet, hëna dhe dielli ndalen që të përjetojnë bukurinë e saj etj. Ajo “skalitet” përmes një fjalori të njohur edhe një gjuhe të zgjedhur:- “Ballët (t) ënd yjet gëlon,/ Fton hënën të të shohë,/ Dielli vjen më ndën të njohë…”, ku shihet se në të gjitha rrafshet e komunikimit ruajnë strukturën lirike, qoftë edhe kur në vargje gjenden elementë epik apo dramatik.

Nga pikëpamja vargnore, Santori përpiqet të çlirojë vargun nga rregullat klasike, pasi vargjet dhe këngët e marra nga krijimtaria popullore prej tij janë më të pavarura prej origjinalit të tyre. Ai tenton t’u largohet vargjeve të rimuara, por edhe kompozicioni tradicional strofik. “Këngëtorja Shqipe” është konsideruar një vepër e rëndësishme e romantizmit shqiptar, pasi ajo sjell motive dh forma të reja lirike.

Dy veprat e tjera “Valle haresë së madhe” dhe “I burgosuri politik” janë poema me një “alterim” politik, pasi ato janë frymëzuar nga mjedisi i drejtpërdrejtë politik i kohës. Poema “Valle haresë së madhe” është frymëzuar nga jehona dhe besimi që poeti pati për kushtetutën që mbreti i dy Siqelive (Ferdinanti i Burbonëve), me ç’rast besonte se edhe arbëreshët me këtë rast do të dilnin nga prej pozitës së nënshtrimit që kishte përdorur despotizmi feudal i Burbonëve. Me këtë rast ai lartëson lirinë, demokracinë, republikanizmin e Gjuzepe Macinit, por edhe gjendje të tjera, që reflektohen në poemën tjetër “I burgosuri” në të cilën flitet për një të burgosur politik, jeta shumëvjeçare e tij në arrati, me ç’rast ai rrezikon të humbasë çdo gjë, dhe djalin e vetëm, jetën e vështirë nën regjimin e Burbonëve. Pavarësisht kësaj gjendjeje gati dramatike, Santori e përshkon veprën e tij nga një romantizëm interesant, qoftë personazhin e tij në arrati, mallin që ka ai për gjithçka kujton këngët dhe jetën normale, takimin me të birin , vrasjen e vajzës së tij dhe e gruas prej armiqve të tij, deri edhe mbyllja e poemës, e cila shpërfaqet me pajtim dhe në një paqe të përgjithshme, i burgosuri i kërkon të birit që ai të mos hakmerret me armiqtë e tij. Në poezitë e tij ka edhe krijime që u kushtohen personaliteteve të kohës, siç ajo që i kushtohet Elena Gjikës.

Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Santorit zë poezia satiriko-humoristike, të shkruar kryesisht si fabula, vjersha satiriko – humoristike, një sens i hollë i kësaj natyre gjendet edhe në krijimtarinë e tij si novelat dhe romanet apo dramat. Përshtatja e 112 fabulave të Ezopit tregojnë padyshim dhe prirjen e autorit për një tematikë të tillë, e cila u mishërua në 31 vjersha të tij me 1845 vargje. Vjershat satiriko – humoristike të Santorit ngjajnë me tregime të shkurtëra të shkruara në vargje, ku rolin domethënës e luan gjithmonë personazhi, i cili i trajtëson ato. Personazhe të tilla si Katarina, Giusepina, Gjon Fragjisku, Filomena, Marjanela, Zepereli dhe shumë të tjera, përcaktojnë edhe një lloj precedimi të tyre për të mbartur idetë dhe qëndrimet e autorit në këto raste. Në përthyerjet, simbolikat që autori pleks në këto emra, kuptohet edhe shqetësimi që ai ka kur godet veset dhe zakonet e padenja në shoqëri. Kështu Nxerrëtari i përgjigjet Ngatërrestarit, Rremëtari – Gënjeshtarit, Karroqari – Koprracit, Pijetari – Pijaneci, Kallonjeri – Mashtruesi, Trimi i lavur- Djali i Krisur, dhe shumë emra të tjerë personazhesh, që u përgjigjen dukurive dhe veseve të dënueshme prej tij gjatë kësaj kohe.

Santori shërbeu gjatë gjithë jetës në institucionet fetare, por kjo nuk e pengonte atë të kishte një ndërgjegje laike, realiste, çka bëjnë që edhe në vjershat satiriko – humoristike, ai të kishte një ligjërim të drejtpërdrejtë, qoftë edhe me porosi morale. Ai shkruan diku: “Kur me uj verën përziejti/ Nje stomaqi iu tërbua;/ Sa se i tundej murga ndejti/ Zu të villij si një krua:/ E sa gjind shkojin atej/ Gjith i ruajin se po vej…”.

Santori nga pikëpamja artistike është i larmishëm. Ai ka natyrën e tij në ndërtimin e figurës, por edhe të strukturës vargnore. I mbështetur mbi kulturën popullore, figuracioni i tij është i kuptueshëm përmes epiteteve shprehëse, pasi në poezinë e tij zënë vend karakterizimet e vajzës dhe të djalit, por edhe tufa të tjera epitetesh të natyrës: e kthjellët, faqekuqe, flokë të arta, gërsheta të pleksura në varr, balli i saj i bardhë, varri i zi, vasha, kopilja, vajza, djali, trimi, lulja, manushaqja, dallëndyshja, vishnja, trandafili, molla, hënëza, avlemendi, vallja, bubullima, varri, lutja etj. Vargu i poezisë së Santorit është ai i ritmit të vargut popullorë, po ashtu edhe metrika e vargut popullorë.

Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Santorit zënë edhe novelat dhe romanet, të cilat janë edhe të parat në letërsinë shqipe të shkruara në gjuhën shqipe. Romani “Sofia Kominiate” është lënë në dorëshkrim, është shkruar në gjuhën shqipe dhe ka 282 faqe. Romani tjetër i Santorit është shkruar në italisht dhe titullohet “Il soldato” (Ushtari shqiptar), brenda të cilit ka edhe një “baladë të lashtë shqiptare”. Në të dy romanet trajtohet jeta historike e arbëreshëve.

Novela “Paniana e Delia” ka dy versione dhe është organizuar në variantin e parë në 30 këngë, ndërsa në të dytin në 10 këngë; novela “Kolluqi e Sorofina” përbëhet prej 19 këngësh; novela “Brisandi, Lletixja e Ulladheni” përbëhet prej 18 këngësh dhe është në dy versione; novella “Filaredo, Rosarja, Emilja” përbëhet prej 20 këngësh; novela “Miloshini, Virgjinia, Gnidhja e Kusari” përbëhen prej 21 këngësh, dhe novela “Fëmija pushtjerote” përbëhet prej 14 këngësh dhe prej prologut. Pra, siç edhe mund të kuptohet, Santori ka krijuar një lloj stereotipi në novelistikën e tij, e ndërtuar mbi emra personazhesh të caktuar edhe në një strukturë rrëfimtare të llojit klasik të epopeve të quajtura këngë. Personazhet e novelave të Santorit janë të kushtëzuara prej modelit kulturor në të cilin kanë lindur dhe janë rritur.

Drama “Emira” e Santorit, e cila ndjek traditën e autorit, i cili i titullon dramat e tij me emrat e personazheve (Emira, Noemina, Geroboam, Pjetër Shtërori, Lesh Dukagjini, Miloshini e Pjetërshini, Klementina, Sofia, Kallogreja karroqare)është botuar pjesërisht në revistën “Fjamuri i Arbërit” (1886-1887) për të cilën mendohet se është shkruar në vitin 1884, dhe për të cilën thuhet se titullohet “Emira dhe Miriani”. Drama bën fjalë për një ngjarje të vërtetë në jetën e arbëreshëve në shekullin XIX, për dhunën që ushtruan cubat në fshatin Picile, të cilët ishin edhe shkaktarët e të këqijave të mëdha shoqërore, sociale dhe politike, të cilët ia kishin vështirësuar jetën fshatit. Santori u muar me këtë temë të mprehtë dhe aktuale në Itali. Ai në vepër gërsheton realitetin me fantazinë, duke shfrytëzuar në kompleks jetën, marrëdhëniet, ndjenjat, mendimet, ku gjen rast të shpalosë rite, zakone, ceremonitë e ndryshme arbëreshe, përshkrime të tjera etnografike etj. Santori shënon se ka dy qëllime që e shkroi “Emirën”, se donte të përjetësonte ngjarjet e Fumelit (koloneli që asgjëson cubat) dhe për të dhënë një material të rëndësishëm jetik dhe jetësor ku të sillte material të përjetshëm gjuhe, zakonesh dhe traditash arbëreshe. Ngjarjet vendosen në natyrë, kështu që edhe referencat historike krijojnë një marrëdhënie të hapur, ku paraqitet e hapur jeta e riteve dhe zakoneve të fshatarëve, të cilat janë të lidhura me natyrën.

“Emira” është një dramë romantike, me një numër të madh personazhesh. Personazhet janë të një hapësire dhe “retrospektive” të qartë, nga fëmijëria te të rriturit, dhe nga meshkujt te femrat (në dy gjinitë). Janë personazhe pozitive dhe negative, qoftë ata realistë, por edhe të krijuara nga dramaturgu për qëllime të tij, të cilët zbulohen më së shumti përmes frazeologjisë, iluzioneve, idealeve patetike, zbulohen vetë, por edhe prej të tjerëve, zbulohen përmes ideve dhe bindjeve morale dhe fetare, ku bie dramatizimi i fortë i veprimit. Personazhet zbulohen në fushën e dashurisë (siç veprojnë Emira, Kalina, Kallonjeri, Mariani, Albenci), në fushën e fesë (siç vepron Motëmadhi dhe Ligjëresha), në fushën e zakoneve, riteve dhe traditave kulturore, por edhe të moralit shoqëror dhe atij social. Dramaciteti zbulohet përmes dialogëve më së shumti.

Në dramën “Emira” të Santorit, një rol të veçantë merr etnografia e receptuar përmes valles, e cila në letërsinë arbëreshe zë një vend të rëndësishëm, veçmas te Santori, e konceptuar si vallja e shpirtit të madh arbëror. Santori, sipas mendimit kritik përmes valles kërkon të paraqesë disa prej zakoneve, riteve dhe traditës arbëreshe në përgjithësi, koncept që tek autori e hasim në poezi dhe në prozë. Përshkrimi i valles shënon edhe jetën historike, por edhe jetën bashkëkohore të popullit, duke u bërë shenja e kuptimit dhe e vazhdimësisë së jetës, e në këtë marrëdhënie që vallja krijon me të gjithë dekorin kohor, vallja merr rolin e një personazhi letrar individual dhe kolektiv. Vallen në shumë raste e shoqëron kënga, pleksja mes tyre është mjaft e rëndësishme në leximin e dramës “Emira” të Santorit.

Drama “Emira” ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen një objekt të madh kritik dhe studimor, por dramaturgu do të mbetet njëri nga më të shquarit në dramaturgjinë shqiptare, se ai trajton ngjarjen, krijon konfliktet dhe i zgjidh ato, si e trajton lëndën historike dhe aktualitetin e tij, si i zgjedh personazhet, skenat dhe mesazhet që përcjell. Anton Santori mbetet një poet, novelist, romancier, satirist, dramaturg, i cili duhet dhe do të zbulohet vazhdimisht në botën dhe kulturën shqiptare. /KultPlus.com

KultPlus dhe UN Women hapin konkursin e poezisë “Dita e Paqes”

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women shpall të hapur konkursin “Poezi për Paqe.” Në vitin 1981 Kombet e Bashkuara shpallën 21 shtatorin si “Dita e Paqes,” datë e përbashkët për angazhim global mbi ndërtimin e një kulture të paqes.

Konkursi është i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe komuniteteve në Kosovë. Aplikimi për këtë konkurs bëhet përmes dërgimit të një poezie autoriale në adresën [email protected], me subjektin “Konkurs: Poezi për Paqe.” Aplikimet do të vlerësohen nga një juri profesionale, ku do të zgjedhen 20 poezitë më të mira.

Autoret e këtyre 20 poezive do të ftohen në një punëtori të shkrimit të poezisë dhe shkrimit kreativ, ku do të pajisen me njohuri shtesë për shkrim kreativ. Nga pjesëmarrëset e punëtorisë pritet shkrimi i një poezie mbi paqen. Juria pofesionale do të zgjedhë 10 poezitë më të mira të cilat do të lexohen në një ngjarje të veҫantë dhe do të publikohen në KultPlus.

Tre poezitë më të mira shpërblehen nga organizatorët. Thirrja do të jetë e hapur deri më 12 tetor 2019. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com

Ngahet nga jeta aktori i njohur Agim Mujo

Artisti i njohur Agim Mujo është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare. Ai është vëllai i aktores së madhe shqiptare Yllka Mujo. Lajmin e ka dhënë ish-bashkëshorti i aktores Yllka Mujo, Gjergj Zaharia.

Mësohet se Mujo ka ndërruar jetë mengjesin e djeshëm në kryeqytetin e Italisë në Rome nga një atak kardiak.

“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë se sot ndërroi jetë nga një atak kardiak Agim Mujo, vëllai i Artistes Yllka Mujo. Në moshë fare të re Agimi luajti në një sërë filmash, midis të cilëve në filmin ‘Malet në blerim mbuluar’. Ai mbaroi studimet për pikturë dhe u shqua për talentin e tij, duke u paraqitur në shumë ekspozita në Itali dhe Francë”, shkruan Zaharia.

Duket se Agimi nuk ka mundur të çojë në fund planet e tij, pasi më datë 27 tetor ishte planifikuar hapja e një ekspozite në Paris me Zamir Matin, por që nuk ariti ta realizonte dot.

Agim Mujo hyri në kinematografi me interpretimin në filmin shqiptar bashkë me motrën e tij Yllkën në të njejtin rol si në jetë, motër e vëlla. Bëhet fjalë për filim e vitit 1970 “Malet me blerim mbuluar” ku Agimi luante rolin e Zenelit. Po kështu ka luajtur dhe në rolin e Ardianit tek filmi “Guximtarët”. Mujo jetonte prej vitit 1990 në Itali i larguar me hapjen e ambasadave. /KultPlus.com

Botë politike

Poezi nga Bob Dilan

Përktheu: Edvin Shvarc

Jetojmë në një botë politike,
ku dashuria s’ka vend.
Gjallojmë në kohë kur njerëzit krime bëjnë
dhe krimet fytyrë nuk kanë.

Në një botë politike jetojmë,
ku stalaktitet varen poshtë,
kambanat e martesës tringëllojnë,
ëngjëjt këndojnë,
dhe retë tokën do mbulojnë.

Jetojmë në një botë politike,
ku mençuria është plasur në burg,
në qeli kalbet dhe si dreqi është keqdrejtuar
pa i lënë mundësi askujt të gjejë rrugën e duhur.

Në një botë politike jetojmë,
ku mëshira mbi dërrasë shkel,
jeta reflektohet nëpër pasqyra,
vdekja zhduket
nëpër shkallë drejt bankës më të afërt.

Jetojmë në një botë politike,
ku kurajoja i përket së shkuarës,
shtëpitë janë plot fantazma,
fëmijët e padëshiruar,
e nesërmja mund të jetë dita jote e fundit.

Në një botë politike jetojmë,
në një botë ku mund të shohim e të ndjejmë,
po s’ka asnjë që kontrollon,
kartat me hile janë përzierë,
të gjithë e dimë fort mirë që është e vërtetë.

Jetojmë në një botë politike,
nëpër qytete të frikës vetmitare,
pak e nga pak tjetërsohesh,
pa e ditur kurrë pse je këtu.

Në një botë politike jetojmë,
nën mikroskop ngaherë,
mund të udhëtosh kudo dhe atje veten të varësh,
gjithmonë do të kesh litar për t’u nderë.

Jetojmë në një botë politike,
Duke u spërdredhur dhe baltë duke hedhur,
ku sapo zgjohesh, të stërvisin që të zgjedhësh
rrugën që duket më e lehta.

Në një botë politike jetojmë,
ku paqja s’është e mirëpritur aspak,
nga dera e kanë përzënë që të sorollatet edhe pak
ose me shpatulla pas murit e kanë vënë.

Jetojmë në një botë politike,
ku çdo gjë është e kësaj apo e atij,
ngjitu në majë të strukturës dhe emrin e Zotit thërrit me sa ke në kokë,
por s’do jesh kurrë i sigurt se çfarë është në të vërtetë.

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i Korçës, shpërngulet për në Kavala të Greqisë. Janë vitet 1700 dhe kryefamiljari është tregtar. Më 4 mars 1769 familja shqiptare bëhet me djalë, historia e njeh si Mohamed Ali, sundimtari i Egjiptit.

Dinastia e tij e drejtoi Egjiptin prej 1805-ës deri më 1952. 3 shekuj më pas, një tjetër Mohamed mbërrin në Zëmblak. Është shkrimtari Mohamed Salmawy nga Egjipti, që ka mbërritur në fshat për të kërkuar gjurmët e babait të Egjiptit modern. Ka gjetur këtu të vetmen gjë që nuk mund të gjente në Kajro, shpirtin shqiptar të udhëheqësit të kahershëm. Salmawy në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon projektin për një film për Mohamed Alinë me ndihmën e shoqatës së Miqësisë Arabo-Balkanike (Arab Balkans Friendship Association), që drejtohet nga Salah Abou El Magd dhe regji të Ilir Harxhit. Skenari do të jetë i Salmawy, i cili ndan me ne edhe detaje interesante dhe frymëzuese nga jeta e tij si shkrimtar, si kujtimet nga sheshi “Tahihr” ku mes më shumë se 20 milion qytetarëve kundërshtoi regjimet autokrate dhe bashkë me kolegë intelektualë mbrojtën Shtëpinë e Operës.

Image

Sipas Malmawy, bashkimi i intelektualëve me qytetarët që gjetën fuqinë e tyre, ka shpëtuar Egjiptin nga ajo që mund të quhet dimri arab.

– Hera e parë në Shqipëri. A patët mundësi të vizitoni vendin, apo keni qenë vetëm nëpër takime?

Ndjej sikur kam qenë në të gjithë vendin, sepse kam qenë në Gjirokastër dhe kam ndaluar në shumë vende. Kam qenë në Korçë dhe në Pogradec dhe kam shkuar deri në Zëmblak, një fshat të vogël, shumë larg, pothuaj afër kufirit grek. Zëmblaku është fshati prej ku iku një familje shqiptare për t’u zhvendosur në Kavala, ku sollën në jetë shqiptarin që më vonë mundi të gjente ngjashmëri mes shqiptarëve dhe egjiptianëve. Ai udhëtoi drejt Egjiptit, ra në dashuri me të. Egjipti po ashtu e respektoi dhe e pëlqeu atë aq shumë, sa i shkroi Sulltanit në Stamboll duke i thënë se donin që Mohamed Ali, Shqiptari të ishte sundimtar i Egjiptit. Ai u bë sundimtar i vendit, e modernizoi dhe e transformoi në arsim, ushtri, agrikulturë, ekonomi, politikë, duke e bërë Egjiptin një vend me peshë në skenën ndërkombëtare të kohës. Dinastia e tij qëndroi me ne (në Egjipt) për 200 vjet, deri në kohën e revolucionit më 1952.

-Përmes rrëfimit tuaj për vizitat, ju treguat edhe arsyet e ardhjes në Shqipëri, kërkimi i gjurmëve të Mohamed Ali. Pse kërkon një shkrimtar si ju, të gjejë gjurmët e një sundimtari?

Jam në Shqipëri, sepse po gjej rrugët në të cilat ka kaluar ky burrë i madh, që të shkruaj historinë e Mohamed Ali për një film të kalibrit ndërkombëtar prodhuar nga Shoqata e Miqësisë Arabo-Balkanike (Arab Balkans Friendship Association që drejtohet nga Salah Abou El Magd. Ndonëse kjo shoqatë është e re këtu, në një kohë superfuqish përreth na duhet të komunikojmë e të kemi fuqinë tonë, sepse kemi shumë të përbashkëta. Problemet tona ngjajnë dhe shumë prej historisë sonë kanë ngjashmëri. Ne mbase jemi të aftë të kemi edhe zgjidhje për problemet e njëri-tjetrit, mbase më tepër se shumë prej vendeve të zhvilluara.

-Dhe të dyja vendet, si Egjipti, si Shqipëria, ia dolën t’i mbijetojnë Perandorisë Osmane, duke ruajtur identitetin e tyre, apo jo?

Të dyja vendet e ruajtën identitetin dhe këtë e kam vënë re kur kam ardhur në Shqipëri. E kuptoja se nuk isha në Gjermani, Francë, Zvicër, e as në Itali. Arrija të shquaja identitetin qartësisht, sidomos në karakterin e njerëzve. Ka një karakter kombëtar shqiptar, për të cilin nuk jemi të ndërgjegjshëm derisa vijmë këtu.

-Si shkrimtar, si do ta përshkruanit këtë karakter?

E kam diskutuar me miqtë këtu dhe mund të them se mbase në një anë, komunizmi pati një anë të mirë për Shqipërinë, në sensin që duke e mbyllur Shqipërinë tërësisht, bëri që të ndalohej ‘ardhja’ e sëmundjeve të Europës. Arriti të ruante veten. Dhe e gjej karakterin shqiptar ende shumë human. Ndjej humanizmin, marrëdhëniet e ngrohta njerëzore, ndershmërinë e njerëzve, vlera që sot zor i gjen në vendet e industrializuara ku njerëzit janë të sjellshëm e të mirë, por mund të jetosh me vite në një vend e të ikësh, pa bërë asnjë mik. Ndërsa në Shqipëri, me këdo që flet e bën mik. Këto ditë që kam dalë me mikun tim regjisor Ilir Harxhi, që do jetë regjisor i filmit, e shihja që ai ndalonte për të blerë diçka dhe bisedonte për minuta të tërë me njerëz. Në fillim, mendoja se bisedonte ngaqë i njihte, por më vonë kuptova që jo vetëm se e njihnin, por sepse njerëzit flasin më njëri-tjetrin. Ka ngrohtësi, ka komunikim. Ka humanizëm e ndjenja. Ju ende keni atë që Perëndimi e ka humbur, që është familja. Shpresoj të mos i harroni këto që ju bëjnë të veçantë. Kam udhëtuar në shumë shtete, por këtu ka vende të mrekullueshme po ashtu. Keni kuzhinë të mrekullueshme e ushqime të shëndetshme dhe është kuzhinë që dallohet, krejt e veçantë nga shumë vende që kam qenë.

-A keni gjetur gjurmë të Mohamed Ali këtu? Sigurisht, në pothuaj 3 shekuj, nuk kemi ruajtur gjurmë të tij a të familjes, por a keni mundur ju të ndjeni gjurmët e tij në Shqipëri, të gjeni copëza të asaj që ai ishte?

Një prej gjërave që po kërkoja është karakteri i Mohamed Ali. E dija çfarë ka bërë, di historinë e tij, di si erdhi në Egjipt, di arritjet e tij, di edhe mendimet e tij, cili ishte vizioni i tij, por nuk njihja burrin (njeriun brenda tij). Tani që kam ardhur në Shqipëri, ndjej se e kam takuar atë burrë. E kam takuar atë, përmes njerëzve të fshatit të tij, përmes bashkëkombësve të tij. Kur lexoj tani, disa prej letrave të Mohamed Ali, që i kisha lexuar edhe ne Egjipt, i shoh ndryshe. Janë letra që ai ua çon të bijve, që ishin udhëheqës ushtarakë: Ibrahim Pasha pushtoi Sirinë, Arabinë Saudite; Ismail Pasha pushtoi Sudanin. Ai u shkruante letra ku u thoshte të bijve: duhet të jeni të sjellshëm me njerëzit që pushtoni, nuk duhet t’i poshtëroni ata, duhet të respektoni kulturën e tyre. Kur e them këtë, pasi kam parë njerëzit këtu, karakterin e tyre, kuptoj që Mohamed Ali ishte thjesht si ata. Ky udhëtim më ka ndihmuar të takoj Mohamed Ali. Nuk kam marrë këtu informacione të reja për të, informacionet i kam në Egjipt, por doja të njihja njeriun. Unë në Zëmblak kam takuar njerëz që nuk kishin ikur kurrë nga fshati dhe prej aty erdhi familja e tij, ndaj mund ta shihja Mohamed Alinë aty në secilin njeri që takova. E ndjej se ky film do të ndryshojë konceptin për Mohamed Ali. Ka diçka për Mohamed Ali – kur ai erdhi në Egjipt, Egjipti qeverisej nga ata që ne i quajmë ‘mamlukë’- të ardhur si skllevër në Egjipt për t’u bërë më vonë, liderë dhe qeveritarë të provincave të ndryshme. Pra, Egjipti ishte i ndarë mes mamlukëve. Mohamed Ali që kishte tjetër vizion për Egjiptin kuptoi që duhej të çlirohej nga këta mamlukë në mënyrë që të bashkojë vendin. I ftoi të gjithë në pallatin e tij në Kajro, erdhën dhe para se të iknin u vranë të gjithë. Njerëzit përpiqen ta shohin Mohamed Alinë përmes kësaj ngjarjeje, që është ngjarje e përgjakshme, por të gjitha letrat dhe sjellja e tij me njerëzit në Egjipt tregojnë një njeri tjetër. Tregojnë një njeri human, të dashur e të sjellshëm. Gjatë kërkimit tim kam zbuluar se ai në fakt nuk ishte i bindur për vendimin e vrasjes së mamlukëve. Ai nuk ishte për masakrën, për këshilltarët i thoshin se duhej ta bënte. Mendoj se e kishte këtë konflikt, mes humanizmit të tij në një anë dhe nevojës për të sunduar vendin dhe për t’u çliruar nga mamlukët. Kur u bë masakra, ai refuzoi të shihte trupat, edhe kur i thanë që i kemi kokat e tyre, ai nuk pranoi. Si shkrimtar po shoh edhe të shkruaj edhe një vepër për Mohamed Ali përveç skenarit të filmit. Mendoj filmi që do të jetë një hap që do afrojë popujt tanë dhe ndaj duhet falënderuar shoqata e miqësisë Arabo-Ballkanike për këtë që po bën.

– Por Mohamed Ali nuk është e vetmja lidhje mes dy vendeve?

Mohamed Ali nuk është pika e vetme e takimit. Ju e dini që mbreti Zog kur la Shqipërinë shkoi në Greqi e në vend të tjera, por më pas u vendos në Egjipt. Fakti që u vendos atje, dhe fakti që mbreti i Egjiptit, Faruku e ndjeu se e kishte për detyrë të strehonte një mbret shqiptar, sepse ai vetë kishte origjinë shqiptare, është shumë domethënëse.

– Ata nuk e harruan lidhjen e tyre?

Jo, nuk e harruan. Po flisja sot me ish-ambasadorin shqiptar në Egjipt dhe po më thoshte se ka shumë shqiptarë në Egjipt që i takonte kur ishte atje. E pyeta nëse ishin bërë egjiptianë, apo ishin ende shqiptarë, por ambasadori më tha se nuk shihte ndonjë diferencë, nuk mund t’i dallonte.

– Ju folët për një roman për Mohamed Ali, dhe si shkrimtar ju keni shkruar “Krahët e fluturës”, një roman që parashikoi revolucionin e Egjiptit. Çfarë ju bëri ta kuptonit atë që do ndodhte?

Është një roman që u bë shumë i famshëm, i përkthyer në disa gjuhë, sepse përshkroi me detaje çfarë do ndodhte me revolucionin e 2011-ës. Unë nuk kisha qëllim të parashikoja revolucionin, por një shkrimtar e sheh realitetin nga lart, ka një shikim meditativ. Shkrimtari është si një zog që sheh gjithë pyllin dhe mund të thotë nëse do bjerë shi, nëse do dalë një ylber, apo nëse po afrohet zjarri. Pas revolucionit, shumë gazetarë më thanë se mbase unë isha i vetmi në Egjipt, që nuk u surprizova nga revolucioni. Ju thosha se përkundrazi, unë isha ai që u surprizova më shumë, sepse të shkruash për një revolucion në Sheshin “Tahrir” është një gjë, por të shkosh në sheshin “Tahrir” dhe të shohësh detajet e romanit tënd të ndodhin para syve të tu, është një gjë tjetër.

– Si u prit romani kur e shkruat?

Pata fat që botuesi nuk e publikoi menjëherë. Unë e dorëzova në shtator 2010 dhe ai e botoi në dhjetor, ndërsa revolucioni ndodhi në janar 2011. Unë doja të botohej sa më shpejt, por botuesi nuk u bë gati para dhjetorit, sepse ai mendonte panairin e librit që ne kemi në janar. U mërzita që vonoi tre muaj për t’u botuar. Revolucioni u bë në janar, por njerëzit nuk kishin kohë ta lexonin dhe ta gjykonin. Ata e mësuan për romanin, si një roman që ka parashikuar çfarë do të ndodhë. Reagimi i publikut ishte pozitiv. Por isha me fat edhe që qeveria nuk e kishte lexuar, se përndryshe mbase do isha në burg. Një shkrimtar që ka bërë një kritikë në një gazetë të njohur arabe ka shkruar se “nëse autoritetet në Egjipt do të lexonin më shumë romane se raporte sigurie, do t’i kishin shpëtuar vetes shumë probleme”.

– Bota arabe është prekur nga shumë revolucione e përplasje që në sytë tanë janë interpretuar si “pranvera arabe”. Megjithatë, pas këtyre pranverave ne dimë që ka vende që mbetën të shkatërruara, dhe pranverat u bënë dimra. Nuk e di nëse unë kam pamjen e plotë të asaj që po ndodh në Lindje pas ‘pranverave’, cila është pamja e një shkrimtari si ju për këto?

Është e vërtetë se këto kryengritje në botën arabe kanë shkatërruar shumëçka. E para që shkatërruan ishin qeveritë e vjetra, me diktatorë, njerëz që nuk sollën zhvillim – dhe këtu po përgjithësoj sigurisht. U rrëzuan këto qeveri, por për shkak se këto regjime, ishin autokratike, nuk kishin ndërtuar një sistem politik që do të funksiononte pas ikjes së tyre. Kështu që ne mbetëm me një zbrazëti të madhe, në kaos. Sistemi me të cilin diktatorët qeverisnin u shkatërrua dhe nuk kishte asgjë që mund të funksiononte. Ky kaos ishte shumë ftues për fuqitë e huaja që kishin interesa në botën arabe, mbi naftën, pozitën strategjike, bazat ushtarake apo çfarëdo tjetër. Duke pasur kaos, ata panë një situatë të përshtatshme për të ndërhyrë dhe e bënë dhe ajo që kemi në shumë vende të Lindjes së Mesme është një fushë beteje mes superfuqive që kanë interesa e për këtë mjaft të shohim Sirinë e Libinë. Vetëm Egjipti ka shpëtuar.

– Ka shpëtuar? Si ia doli të shpëtojë?

Sepse me rënien e Mubarak, partia e fuqishme që mori pushtetin ishte “Vëllazëria Myslimane”. Por, njerëzit sapo kishin rrëzuar diktaturën e Mubarak dhe kur ata e panë veten një vit më vonë në një diktaturë tjetër, që ishte edhe fetare, çka do të thotë edhe më keq, dhe që shteti po kthehej në një ‘Iran’ tjetër, ata vendosën ta rrëzonin atë diktaturë. Në mungesë të një fuqie tjetër politike, e vetmja që mbetej ishte ushtria. Vëllazëria Myslimane shpërndau parlamentin, nuk njohu Kushtetutën dhe miratoi një tjetër kushtetutë-fetare këtë herë, presidenti nxori një dekret që i bënte vendimet e tij të pakthyeshme dhe njerëzit nuk e pranuan. Presidentit iu kërkuan zgjedhje, ai nuk pranoi duke thënë që do ndërtonte një Kalifat të ri. Miliona njerëz dolën në sheshin “Tahrir” saqë unë aty as nuk mundja të lëvizja.

– Ju ishit në shesh?

Po, sigurisht.

– Pra, shkrimtari ishte në sheshin “Tahrir” bashkë me protestuesit?

Po, patjetër. Do ju tregoj edhe se ç’ka bërë tjetër ky shkrimtar.

– Është tejet i rëndësishëm roli i shkrimtarëve dhe intelektualëve në shoqëri në raste si ky, apo jo?

Po, kjo bëri diferencën në Egjiptit e vendeve të tjera. Unë isha në sheshin “Tahrir” me miliona njerëz të tjerë, më e pakta ishin 21 milionë (më e shumta 30 milionë) që ishin dyfishi i atyre që votuan për presidentin Mohamed Morsi. Të gjithë kërkonin ndërhyrjen e Ushtrisë për ta rrëzuar Morsin dhe ushtria e bëri. Sa për intelektualët, unë besoj se qenë intelektualët që e nisën. Sepse, atë kohë isha president i Lidhjes së Shkrimtarëve të Egjiptit dhe kishim një asamble të përgjithshme ku thirrëm të gjithë shkrimtarët e intelektualët e vendit. Morëm një vendim aty që ne do ta tërhiqnim besimin nga veprimet e presidentit dhe kjo ishte e hera e parë në vend që gjatë qeverisjes së një presidenti intelektualët deklaroheshin zyrtarisht dhe me deklaratë që ata tërheqin besimin e tyre. Presidenti vendosi një islamik si ministër kulture dhe ministri mbylli Teatrin e Operës se ishte kundër besimit. Nxori drejtorin e Operës nga zyra. Atëherë ne shkuam të gjithë te Teatri i Operës dhe bëmë demonstratë dhe më pas shkuam te Ministria e Kulturës, hymë në zyrën e tij dhe nuk e lamë ministrin e Kulturës të hynte në ministri. Egjipti është një vend i kulturës, civilizimit, i artit, letërsisë dhe nuk mund të lejonim aty dikë që thoshte se statujat duhet të thyheshin se janë idhuj që ndalohen. Qëndruam një muaj në ministri e një muaj me vonë i gjithë vendi ishte në shesh, duke kërkuar të rrëzohej qeveria. Kjo e bëri Egjiptin ndryshe nga vendet e tjera: ishte një vend me histori, kulturë e civilizim, intelektualët ishin të fortë dhe njerëzit që ishin të margjinalizuar për dhjetëra vite, papritur rifituan fuqinë e tyre kur rrëzuan Mubarak dhe ishin aty gati me fuqinë e tyre për të rrëzuar edhe Morsin. Ishte opinioni publik, fuqia e njerëzve, lidershipi i intelektualëve dhe kjo e ndihmoi Egjiptin të rrinte në këmbë, e të mos përfshihej në luftë civile si shumë vende. Ndaj për Egjiptin, pranvera arabe ishte e mirë edhe pse ende nuk i ka dhënë frytet e veta në vende te tjera. Revolucionet e suksesshme kanë pasur sukses sepse ka pasur unitet mes njerëzve dhe intelektualëve, kjo ka ndodhur edhe në revolucionet franceze. Nuk do ta harroj kurrë ditën kur të rinj të revolucionit egjiptian erdhën para Lidhjes së Shkrimtarëve për ta na falënderuar. Na falënderuan e na thanë që ne ju treguam rrugën e se shkrimet tona kishin qenë frymëzuese për ta. Pa këtë lidership intelektual revolucioni s’mund të jetë revolucion- mund të jetë grusht shteti e gjithçka, por jo revolucion. Bëhet revolucion që ndryshon shoqërinë dhe e vë në rrugë të drejtë kur është ky bashkim mes intelektualëve dhe publikut.

KUSH ËSHTË MOHAMED SALMAWY

Mohamed Salmawy është shkrimtar egjiptian i njohur gjerësisht në të gjithë botën arabe. Ka qenë për një kohë të gjatë president i Unionit të Shkrimtarëve të Egjiptit, sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Shkrimtarëve Arabë dhe i Unionit të Shkrimtarëve afrikano-aziatikë. Autor i më shumë se 30 librave, që nga botimet letrare e deri te temat politike dhe kulturore. Ai botohet njëkohësisht në disa prej gazetave kryesore të vendit të tij dhe veprat letrare të Salmawy janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Romani i tij i jashtëzakonshëm, “Krahët e fluturave”, në të cilin parashikoi revolucionin e 25 janarit 2011 në Egjipt, u përkthye në italisht, anglisht, frëngjisht, rumanisht dhe në gjuhën urdu, ndërsa autobiografia e tij, “A day or just about” është cilësuar si një nga më të mirat në vitet e fundit. Gjatë gjithë karrierës së vet, Mohamed Salmawy ka mbajtur disa detyra, përfshirë atë të nënsekretarit të Shtetit për Kulturë, Ndihmësministrin e Informacionit, kryeredaktorin e gazetës “Al-Ahram Hebdo” etj. Ka qenë anëtar i “Komitetit të Pesëdhjetëve”, të cilëve iu besua hartimi i kushtetutës së Egjiptit më 2014 dhe është votuar unanimisht si zëdhënësi zyrtar i Komitetit.

Salmawy është dekoruar në vende të ndryshme. Mban sot dekoratat Chevalier des Arts et des Lettres (Francë) 1995, Grande Officiale (Itali) 2006, Medaljen e Kurorës – Commandeur (Belgjikë) 2008, Urdhrin Shtetëror të Meritës për Letërsinë (Egjipt) 2013.

Mohamed Salmawy është i martuar me piktoren Nazli Madkour. Ata kanë dy fëmijë dhe pesë nipër e mbesa. /KultPlus.com

Hilary Swank do ta përsërisë rolin e personazhes së dashur në “P.S. I Love You”

Hilary Swank do ta përsërisë rolin e saj si Holly Reilly-Kennedy në vazhdimin e romancës “P.S. I Love You”.

Autorja Cecelia Ahern ka konfirmuar se Postscript, vazhdimi i saj i ri për romanin që e frymëzoi filmin e vitit 2007, do të adaptohet në film, dhe ajo është e sigurt se Swank “mbështetëse” do të kthehet si aktorja e saj kryesore, e cila po mbante zi për vdekjen e papritur të bashkëshortit të saj, të cilin e luan Gerard Butler, në filmin e parë.

Ahern tha për RTE Radio 1 se Hilary e kontaktoi atë menjëherë pasi që dëgjoi se autorja po e shkruante vazhdimin, i cili vazhdon shtatë vjet pas romanit të parë pasi Holly pranon t’i ndihmojë njerëzit e tjerë me sëmundje terminale që të shkruajnë letra lamtumire për familjarët, miqtë dhe të dashurit.

Image

Në filmin dhe librin e parë, Holly i pranon 10 letra gjatë 10 muajve, të cilat bashkëshorti i saj i ndjerë ia shkroi para vdekjes për ta inkurajuar atë që të vazhdonte me jetën pas vdekjes së tij.

“Hilary Swank më shkroi email menjëherë pasi doli lajmi se po e shkruaja Postscript,” shpjegon Cecelia. “Ajo ishte shumë mbështetëse dhe tha: “Do të doja ta lexoja librin… “, gjë që ishte shumë e këndshme prej saj. Dhe ajo e lexoi atë dhe menjëherë u kthyem “në lojë” përsëri. Të gjithë vendosëm që definitivisht duam ta bëjmë këtë përsëri.”

Por autorja u bëri thirrje fansave të presin pasi që projekti në fjalë ende nuk ka skenarist apo regjisor. /KultPlus.com

“The Van” garon për çmim në “Manaki Brothers”

“The Van” i Erenik Beqirit, i cili në maj të këtij viti u bë filmi i parë shqiptar në garë për “Palmën e Artë” në Cannes, vazhdon rrugëtimin nëpër festivale.

Të enjten është shfaqur në kuadër të edicionit të 40-të të festivalit ndërkombëtar të kineastëve të filmit “Manaki Brothers”, në Manastir. Është në kategorinë e filmave të shkurtër që janë në garë për çmimin “Small Camera 300”.

Përveç “The Van”, në këtë festival janë shfaqur edhe dy filma të tjerë të regjisorëve shqiptarë: “Shpia e Agës” e regjisores Lendita Zeqiraj dhe “Derë e hapur” i regjisorit Florenc Papas. Filmat e tyre ishin pjesë e programit jogarues “European Cinema Prespective”. Festivali, i cili i shpërblen drejtorët e fotografisë, ka filluar më 14 shtator dhe do të përfundojë sot, kur ndahen edhe çmimet.

Darijan Pejovski, selektor i programit të filmave të shkurtër, ka thënë se në dhjetë filmat që janë pjesë e kësaj gare, përfshirë edhe filmin “The Van”, mund të shihen qartë shkathtësitë e drejtorëve të fotografisë.

“Në një kohë kur vazhdojmë të dëgjojmë se kinemaja evropiane është në krizë, nga qindra aplikime, ne kemi zgjedhur dhjetë filma, shumica prej të cilëve rastësisht ndodh që janë evropianë. Ky është një tregues që e ardhmja dhe potenciali qëndrojnë saktësisht te filmat e shkurtër, pavarësisht nëse ne po flasim për krijues me përvojë apo studentë”, ka thënë ai.

Erenik Beqiri nëpërmjet “The Van” (Furgoni) sjell Shqipërinë e viteve ’90, kur të gjithë ia mësyjnë të ikin. Filmi, në të cilin në role kryesore janë aktori francez Phénix Brossard dhe aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, u dha premierë botërore në maj të këtij viti në Festivalin e Filmit në Cannes.

Beqiri ka thënë se përzgjedhja për “Manaki Brothers” është kënaqësi dhe një vlerësim për punën që drejtori i fotografisë, Guillaum le Grontec, bëri në xhirime. Ai dhe ekipi i filmit ishin të pranishëm në shfaqjen e filmit në Festival. Sipas tij, e rëndësishme gjatë prezantimeve të tilla është që filmi të arrijë të këtë ndikim emocional te shikuesit.

“Mundësia që festivalet të japin për të ekspozuar filmin te një grup i madh shikuesish, është një kënaqësi dhe privilegj, pasi që mendoj se filmi realizohet për t’u ndarë me audiencën”, ka thënë ai. E sa i përket pjesës së çmimeve, ai ka thënë se nëse fiton do të ishte një vlerësim edhe më i madh.

Në “Manaki Brothers” më 17 shtator u shpalos edhe jeta e pesë grave të cilat bartin me vete traumat e luftës së fundit në Kosovë, personazhe të filmit të gjatë debutues të regjisores nga Kosova, Lendita Zeqiraj, “Shpia e Agës”. Drejtor i fotografisë është Sofian el Fani, që mban meritat edhe për filmat si “Timbuktu”, “Blue Is the Warmest Colour”, “It Must Be Heaven” dhe “Black Venus”./koha.net/KultPlus.com

400 këpucë, për 400 viktima të dhunës

Dhuna ndaj gruas, sidomos kohët e fundit, është bërë një temë aktuale e vendit tonë dhe me gjerë.

Në gjithë botën, herë pas herë, janë organizuar e vazhdojnë të organizohen protesta të ndryshme që trajtojnë po këtë të temë, atë të dhunës ndaj gruas, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe, përmes një proteste të ”heshtur”, por që brenda vetes përmban një revoltë të fuqishme, një mur në një lagje të Stambollit është mbushur me këpucë grash, që simbolizojnë numrin e grave që kanë qenë viktima të dhunës.

Aty shihen rreth 400 palë këpucë, të vendosura në dy mure në lagjen Kabatash në Bejollu të Turqisë.

Këpucët përfaqësojnë gratë viktima të dhunës nga burrat e tyre dhe jo vetëm.

Autor i kësaj kauze është Vahit Tuna.

Sipas statistikave të fundit, rreth 400 gra janë vrarë në Turqi gjatë vitit 2018, ndërsa numri i grave të vrara në vitin 2017 ishte 409. /KultPlus.com

Fshati shqiptar, me më së shumti kisha në botë

Dhërmiu, fshati turistik i Himarës, është një prej vendeve bregdetare më të bukura në jugun e Shqipërisë. Mirëpo, ajo që e karakterizon këtë pjesë, janë kishat e shumëta që gjenden aty, e që ndodhen plot 46.

Banorët e Dhërmiut njihen për mirësjellje dhe një jetë mjaftë tradicionale, derisa edhe greqishten e kanë gjuhë të përbashkët.

Dhërmiu në shumicë ka banorë që i takojnë besimit ortodoksë, mirëpo nuk kanë qenë edhe aq të hapur ndaj besimeve të tjera.

Madje, këtë fshat turistik përveç bregdeti dhe uji i pastër me një kaltërsi si xhami, e karakterizojnë edhe kishat, ku gjenden mbi 40 të tilla.

Kjo e bën Dhërmiun fshatin me më së shumti kisha në botë, që ia shton atij edhe një tipar e arsye se pse duhet ta vizitoni patjetër.

Aktualisht në Dhërmi jetojnë rreth 80 familje, të cilat erdhën në këtë zonë kur turizmi mori hov të madh, ndërsa në vitet e 90’ta, ndodheshin vetëm 20 të tilla./gazetametro/KultPlus.com

Letër për Nënën

Nga Ferdinand Veliu

E dashur nënë më ka marrë mallli. Më mungon kaq shumë sa ndonjëherë çmëndem kur mendoj se ke ikur.

Sot po shkruaj një letër për ty dhe do ta nis me postë. Lexoje dhe mos u mërzit kur mes shkronjave do shikosh disa dalë boje, ah më vidhet ndonjë lot syve pa më pyetur ku shkon.

Të kujtohet sa herë në krahët e tu na zinte gjumi? Zërin tënd dhe sot e kësaj dite nuk e kam ndeshur kund. Këndoje aq bukur e mira ime. Shikoja ëndrrën më të bukur. Në krahët e tu isha i sigurtë, të kam lodhur sepse ti pas një dite pune na mbaje edhe ne të vegjëlit e tu.

Ne flinim dhe gjumin tënd. Nuk të dëgjova kurrë të ankoheshe. E mban mënd sa herë na shijonte ushqimi sepse ti ishe kuzhinierja më e mirë në botë, ti buzëqeshje dhe na jepje edhe pjesën tënde, ne s’menduam kurrë se ti që punoje gjithë ditën rrije pa ngrënë.

E dashur Nënë, e mira ime të kujtohet sa herë fshihesha pas teje kur të ankoheshin për mua? Isha një çamarrok i lëvizshëm, tmerri i xhamave dhe pemëve të lagjes.

Ti më shikoje buzagas sa herë të ankoheshin për mua sikur doje të thoje ”punë e madhe i vogël je”. Ti më kuptoje, unë nuk kisha lodra, asnjë fëmijë nuk kishte lodra kështu ishte ajo kohë. Ti nuk kishe shumë rroba në fakt nuk mbaj mënd që të blije ndonjëherë, a po njëherë kur nëna jote dhe gjyshja ime të bleu një fustan me lule të vogla dhe topa.

Ti e veshe dhe pe nga unë, ishe kaq e lumtur, brënda një minute u shëndrrove në Mbretëreshë si në ato përrallat që më tregoje netve të gjata të dimrit.

Unë qeshja dhe vrapoja nëpër dy dhomat e vogla që kishim duke nxjerrë herë pas here njërin sy nga dera.

E dashur Mbretëresha ime që netët dhe ditët ti ”vodha”padrejtësisht atëherë kur sëmuresha, atëherë kur të kërkoja që tregimet e tua të mosmbaronin, atëherë kur të duhej të laje rrobat të cilat unë për çdo ditë i bëja pis, më fal sot e kuptoj se ti kurrë nuk jetove për vete por për mua.

Të kam borxh dhe nuk mund ta kthej sepse një mëngjes të trishtë ti ike.

Ma bëj hallall se edhe në atë çast të vetmen porosi që le isha unë. Padashje të vrava, ato qindra netë pa gjume, e pa ngrënë, e lodhur nëpër të ftohtin e dimrave të dobësuan të ligën por prapë në fytyrën e venitur buzëqeshja nuk të humbi. Të njoha të bukur dhe e bukur ike.

E dashur Nënë kjo letër kurrë s’do të vi aty ku je ti dhe unë e di këtë, por, unë nuk do vë adresë, ti nuk ke nevojë për adresë mbi të do shkruaj me lot “Dërgon: Biri Yt,………Merr: Nëna!! /KultPlus.com

Leonardo da Vinçi, titani i Rilindjes së Artë

Nga Albert Vataj

Ai i patëdytë në madhështinë e tij, në qasjen e ngulmët për të rrokur përmasat e gjithëdijes e dritëshkëlqimit. Është fjala për Leonardo da Vinçin, i cili lindi më 15 prill 1452 në Ankiano të Vinçit dhe u shua në moshë 67-vjeçare, më 2 maj 1519 në Kështjellën e Kluks të Ambuazit.

E ç’nuk ishte ai; piktor, skulptor, shkencëtar vizionar, dijetar, arkitekt, muzikant, matematicien, inxhinier, shpikës, anatomist, gjeolog, hartograf, botanist, dhe shkrimtar. Krejtkund ai shkëlqeu duke mbetur në mbamendjen Rilindjes italiane si i paarritshëm.

Bashkë me Mikelanxhelon dhe Raffaelin përbën trininë e shenjtë të Rilindjes së Artë, periudhë e cila solli një shkëputje të hovshme cilësore të mjeteve shprehës, forcës së kumtimit, finesës dhe tonit koloristik.

Gjenialiteti i tij është i pakrahasueshëm, atëditë e sot. Historia e artit nuk ka mundur të na e mëkojë një rast të dytë të atij titani që derdhej në njeriun e kuriozitetit të pashuar dhe imagjinatës së ethshme krijuese.

Leonardo është konsideruar si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ndoshta personi me talentin më të gjithanshëm që ka jetuar ndonjëherë. Shtrirja dhe thellësia e interesave të tij ishin të pa shembullta, mendja dhe personaliteti i tij ishin mbinjerëzor.

Ndër veprat e tij, “Mona Liza” është portreti më i famshëm; “Darka e Fundit”, piktura më e riprodhuar dhe më debatuar fetare e të gjitha kohërave; vizatimi “Njeriu Vitruvian” konsiderohet si ikonë kulturale.

Vetëm 15 nga pikturat e tij kanë mbijetuar, jo se kanë humbur, por shumë prej tyre Leonardo kurrë nuk i përfundoi, ose eksperimentonte me to. Konsiderohet si një nga njerëzit më të talentuar që kanë jetuar, dhe metodat e tij janë të pazakonshme për kohën kur jetoi.

Për bashkëkohësit e tij mund të servirje vlerësime të ndryshme, gjeni, të mëdhenj, virtuozë, por Leonardo da Vinçi ishte një mjeshtër. /KultPlus.com

Ata sy

Poezi nga Fjodor Tjutçev

Kam njohur sy – o, ata sy!
Sa fort i desha e di një Zot!
Kish kaq magji dhe zjarr aty,
Sa shpirtin s’mund ta shkulnja dot.

N’atë vështrim të pakuptuar
Zbulohej jeta gjer në fund.
Kish kaq pasion të përvëluar,
Kaq pikëllim sa s’ka kurrkund!

Dhe shihte rëndë, madhërishëm,
Që nën qepallat, mengadal’.
Dhe ish gazmor dhe ish i hijshëm
Dhe si një vojtje ish fatal.

Shpesh rrija shihja i mahnitur,
Por asnjëherë s’munda dot
Që ta vështroj’ pa u tronditur,
Ta adhuroj pa derdhur lot. /KultPlus.com

Babai beqar adopton vajzën me sindromën Down, që u refuzua nga 20 familje

Fati i një vajze të re ka ndryshuar pasi ajo u refuzua së pari nga nëna e saj dhe më pas nga 20-të familje potenciale për birësim.

Historia e udhëtimit të Luca Trapanese për të adoptuar Alba-n, ka thyer rekorde në botën e mediave për disa arsye, kryesorja e të cilave mund të jetë fakti që shërbimet shoqërore shpesh nuk i japin kujdestari një burri të vetëm, e sidomos kur ai është homoseksual.

Sidoqoftë, ata bënë një përjashtim në rastin e Lucës. Sipas BBC, 41-vjeçari italian Luca publikoi një libër ku ai rrëfen udhëtimin e tij për tu bërë babai i Alba-s, një vajzë me sindromën Down.

Gjatë një interviste në radio, Trapanese shpjegoi se çështja e tij është e veçantë, sepse “shkatërron stereotipet për atësinë, fenë dhe familjen”.

Në Itali, birësimet për prindërit homoseksualë dhe beqarë kanë qenë tradicionalisht një çështje e ndërlikuar.
Luca e adoptoi Alba-n, kur ajo ishte vetëm 13 ditë dhe tashmë ishte kaluar nga 20 familje për shkak të gjendjes së saj.

Vetë Luca kishte punuar në një mori qendrash të kujdesit për njerëzit me nevoja të veçanta, dhe gjithmonë dëshironte të bëhej baba.

Kjo ishte arsyeja pse, pavarësisht se nuk kishte partner, ai vendosi të vazhdojë përpara me adoptimin e Alba-s, e cila tani gëzon një shtëpi të lumtur me babanë e saj. /KultPlus.com

Do të promovohet libri monografik “Nexhmije Pagarusha”

Monografia “Nexhmije Pagarusha” është një rrëfim personal dhe origjinal i një udhëtimi të mrekullueshëm në jetën dhe krijmtarinë e këngëtares tonë të famshme shqiptare, znj. Nexhmije Pagarusha.

Monongrafia për zonjën Nexhmije ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje. I ndarë në 13 kapituj, libri ka paraqitur rrugën e këngëtares nga fëmijëria deri në ditët e sotme.

Vetë këngëtarja me rrëfimin e saj jetësor është boshti i rrëfimit të këtij libri. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, muzikantë e persona të tjerë që e njohin mirë dhe kanë punuar ngushtë me znj. Nexhmije Pagarusha, të cilët e plotësojnë rrëfimin e saj.

Qëllimi kryesor i botimit të këtij libri është që të vë në pah rëndësinë e karrierës muzikore të Pagarushës, e cila përfaqëson një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë.

Nëpërmjet dokumentimit dhe rrëfimit të artistes dhe bashkëpunëtorëve të saj, libri ka nxjerrë në pah historinë krijuese të njërës prej këngëtareve më të famshme të muzikës shqipe.

Dokumentimi i asaj që e ka karakterizuar këngëtaren, është paraqitur si histori e shtrirë në formë romani me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i zonjës Nexhmije.  Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj.

Promovimi i librit monografik “Nexhmije Pagarusha” do të bëhet më 21 shtator 2019, prej orës 19:00 në Hotel Swiss Diamond, Prishtinë.

Ceremonia e promovimit të këtij libri monografi tenton që në mbrëmjen e sotme të paraqesë në mënyrën më të mirë të mundshme tërë punën që është bërë për publikimin e këtij libri para familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit si dhe para zonjës së madhe e cila është subjekti kryesor i këtij libri.

Monografia “Nexhmije Pagarusha” me autorë Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha, është realizuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. /ekonomiaks/KultPlus.com

”Nina Nana, o drita e syve”, ninulla e filmit ”Zana”

Ninullat e popullit tonë, gjithmonë kanë përcjellur urime, dëshira e lutje të nënës, kushtuar fëmijës së saj në djep.

Zana’s Lullaby, apo thënë shqip Ninulla e Zanës, është kolona zanore e filmit më të ri të Antoneta Kastratit, ”Zana”.

”Zana”, shpalos historinë tragjike të një nëne dhe fëmijës së saj, duke bërë kështu që edhe kolona zanore e këtij filmi të jetë një ninullë, me urime e lutje që dalin nga një zë melankolik, shkruan KultPlus.

Një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga kaluara e saj e errët e kohës së luftës.

Kënga është e interpretuar nga këngëtarja Fatime Kosumi, e njohur si Andrra.

Andrra, tashmë njihet për zërin dhe stilin e saj të veçantë në muzikë, duke trajtuar pothuajse çdoherë temën e gruas në shoqërinë tonë.

Bashkangjitur gjeni linkun e ”Zana’s Lullaby”

Thuamë se më dashuron!

Erich Maria Remarque

E dashura ime, mora prej teje një leter që me ka lumturuar.
Në të thuhet cdo gjë që një njeri mund ti thotë një tjetri e sidomos thuhen ato që vetëm ti mund të m’i thuash. Secili nga ne është bërë tashmë aq shumë fat i tjetrit saqë fjalët mund të shkojnë këtu fare pak. E prapseprapë çdo herë çuditem pa masë dhe jo për gjë, por nga fakti që në një kohë të rrëmujës së madhe, dy jetë kaq të ndryshme që kishin bërë aq e aq kërkime që shpesh hiqnin dorë nga këto kërkime, u bashkuan kokërr për kokërr.

Sa ngrohtësi të pashpenzuar kam ende në veten time, kjo ngrohtësi është aq e madhe, sa mund të mbajë brenda zemra ime. Eshtë e çuditshme si u kthye çdo gjë në dashuri. Si ndodhi që shumë gjëra që gjithë jetën i kam urryer, u bënë të rëndësishme e tërheqëse e të tjera gjëra që më parë i lakmoja e i kërkoja, u zhytën në harresë.

E ç’mund të jetë më i mrekullueshem se zakoni, më e dëshirueshme se shpresa, çfarë mund të lumturojë më tepër se përputhja e plotë e ndjenjave tona.

Si ka mundësi që për mua çdo gjë që ekziston në këtë botë, ndriçohet nga këto rreze, të një ndjenjësie të pa fund! Sa larg e pa vlerë duket tani shkelqimi i rremë i aventurave, shqetësimet, prirja fëminore për të prishur, shpenzim të parave pa kriter e harresë.
Nuk dua të harroj më, por të kujtoj që të mbledh sa më shumë për ne të dy.

Ti je kupë, je zemër e hapur për të tjeret, ti që je gjithmonë e gatshme. Unë të dua dhe çdo gjë tek unë rritet e turret prapë drejt teje.
Era fryn e lekund kallinjtë që fëshfërinje si krahë të medhenjë. Përqafomë fort e dashur, përqafomë sepse nganjëherë me kaplon frika nga gjërësia e plotesia e ndjenjave, aq të reja janë ato për mua. Mund të mendosh se malli i ngarkuar është më i rëndë se vetë anija dhe se tani po i con era në det të hapur.

Kjo është një frikë e kote dhe në përgjithësi nuk është fare frikë, vetëm se është grumbulluar aq shumë dashuri, saqë mbrëmjeve më erren sytë e cdo gjë mbulohet me hije; ja , pra, sa shumë përulem e gjunjëzohem para asaj që ndjej.

Kjo është pjekuria e stinës së verës që ka mbjellë lulëzimin, megjithëse askush nuk ka mbjellë asgjë, kjo është një verë me bimë të egra e një dashuri e harlisur, një lule e bukur dhe e fortë e jetës, lule që ka qëndruar shumë kohë e vetmuar. /KultPlus.com

Masha dhe ariu mbushin 10 vjet, 32 miliardë shikime në Youtube

Filmi vizatimor që ka fiksuar fëmijët nga e gjithë bota pas një vajze të vogël trazovaçe dhe ariut të saj, mbush plot 10 vjeç, dhe për të festuar këtë okazion, ai do të dalë nëpër kinema në Britaninë e Madhe.

Por, ka edhe një tjetër arritje për të. Masha dhe ariu, filmi vizatimor rus, është ndër më të shikuarit në YouTube, me mbi 32 miliardë shikime.

Filmi, bazohet mbi një fabul me të njëjtin emër dhe çdo episod është rreth shtatë minuta i gjatë. Ai përshkruan aventurat e karaktereve kryesore, mashës, dhe mikut të saj ari.

Deri më sot, filmi vizatimor është përkthyer në 36 gjuhë dhe ka 12 kanale të ndryshme në Youtube, që kanë së bashku 62 milionë njerëz të regjistruar. Filmi madje ka një pjesë të dedikuar në një park argëtimi në Itali, Leolandia, ku fëmijët mund të takojnë karakteret personalisht.

Ai tani po tenton të hyjë edhe në tregjet kineze dhe japoneze për të pushtuar edhe atje zemrat e fëmijëve, siç ka bërë në pjesën tjetër të botës./tch/KultPlus.com

Si ishte aeroporti i Vlorës në vitet 1914-1916 dhe në vitet ’40

Shqipëria ka një histori relativisht të hershme të transportit civil e ushtarak ajror. Fluturimet e para janë realizuar në Shqipëri për qëllime ushtarake, e më pas në vitet ’20 ka nisur të zhvillohet aviacioni për transport civil.

Fillimisht, ishin italianët që pushtuan Vlorën në fundin e vitit 1914, që ngritën edhe një kamp aviacioni për qëlllime ushtarake, që përveç avionëve të zakonshëm përfshinte edhe një bazë hidrovolantësh.

Në nëntor të vitit 1924, (kur nga vendi ishin larguar ushtritë e huaja) qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje koncesioni 10 vjeçar me kompaninë gjermane “Lufthansa”. Në bazë të kësaj marrëveshje u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”.

Nisja e zbatimit të kësaj marrëveshje u shoqërua nga ndërtimi pak muaj më vonë i të fushës së parë në kryeqytet që do të përdorej për uljet dhe ngritjen e avionëve. Kjo fushë u ndërtua në zonën e Shallvareve, me sipërfaqe 400 me 200 metra dhe destinacionet e brendshme ishin Vlora e Shkodra.

3 vite pas nisjes së funksionimit, shoqëria “Adria Aero Lloyd” u ble prej zyrës së Aviacionit Civil të Trafikut të Ministrisë së Ajrit të Italisë. Kjo solli edhe zgjerimin e fluturimeve drejt qyteteve të tjera si Elbasani, Gjirokastra, Korça apo Peshkopia. (foto më poshtë: biletaria e zyrës së aviacionit në Tiranë)

Në vitet ’30 -’40 transporti ajror i brendshëm mori një hov të madh, lidhur kjo me faktin se u ndërtuan aerodrome thuajse në të gjitha qytetet kryesore. Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit.

Sa i përket Vlorës, në vitet ’40, nga ‘aeroporti’ i këtij qyteti zhvilloheshin tre linja fluturimesh: Vlorë-Gjirokastër ku bileta kushtonte 11 franga ari për persona, Vlorë-Romë që kushtonte 90 franga ari për person dhe Vlorë-Tiranë 17 franga ari /scan/ KultPlus.com

Po përgatitet vazhdimi i serialit “Saved by the Bell”

Zack Morris si guvernator i Kalifornisë? Fakti që NBCUniversal është duke e përgatitur shërbimin e vet për streaming të emërtuar “Peacock” nuk është ndonjë lajm i ri, por lajm është se cilin serial dëshiron ta ringjallë. Bëhet fjalë për serialin dikur të popullarizuar humoristik për adoleshentë, “Saved by the Bell”, ndërsa në vazhdim do të kthehen Mario Lopez dhe Elizabeth Berkley nga seria origjinale.

Image

Skenaristja dhe producentja ekzekutive tashmë është angazhuar dhe ajo është Tracey Wigfield, ndërsa në mesin e producentëve ekzekutivë janë Peter Engel dhe Franco Bario, të cilët kanë punuar në origjinalin dhe në seritë e tyre spin off, “The College Years” dhe “The New Class”.

Përshkrimi i shkurtër i ngjarjes thotë: Disa nxënës kanë mbetur pa shkollë të mesme, sepse guvernatori i ri i Kalifornisë, Zack Morris ka vendosur t’i mbyllë disa për shkak se nuk po shpaguheshin dot, shkruan KOHA Ditore. Nxënësit janë transferuar në disa nga shkollat më të mira në vend, ndërsa në mesin e tyre janë edhe fëmijët nga ish-shkolla e tij e mesme Bayside High.

Morrisin në serialin origjinal e luan Mark-Paul Gosselaar, kështu që fansat presin ta shohin atë edhe në vazhdim, por kjo ende nuk është njëqind për qind e sigurt. Tani për tani dihet vetëm se Lopez dhe Berkley po kthehen, ndërsa me pjesën tjetër të ekipit origjinal është ende duke u negociuar.

Lopezin e kemi parë si sportistin simpatik A.C. Slater përderisa Berkley e luante nxënësen e zgjuar Jessie Spano, ndërsa ata të dy ishin një çift i dashur. Përveç tyre, kemi parë edhe miqtë e tyre: Zack Morris, Samuel “Screech” Powers (Dustin Diamond), Lisa Turtle (Lark Voorhies) dhe Kelly Kapowski (Tiffani-Amber Thiessen).

Universal dhe Peacock po e mbajnë të fshehtë pjesën tjetër të detajeve. Shërbimi për streaming do të jetë në dispozicion në prill të vitit 2020 me 15.000 orë përmbajtje, ndërsa çmimi nuk dihet ende. /KultPlus.com


Luksi dhe femrat që shkatërruan Shqipërinë e Jugut

Të pohosh në mënyrë absolute se shqiptarët nuk janë konvertuar me dhunë, siç pohohet në librin Pax Albanica, më duket disi e ekzagjeruar.

Luan Rama na sjell një nga shembujt që shkon në kundërshtim me tezën që mbrohet.

Jean-Claude Faveyrial (1817 – 1893), është i njohur tashmë nga bota shqiptare përmes librit të tij “Historia e Shqipërisë”. Ai ishte një nga personazhet spikatëse në Gadishullin Ballkanik si një nga përfaqësuesit më në zë të Kishës lazariste të shenjtit Saint Vincent de Paul. Një personazh që iu kushtua popujve të këtij rajoni me tërë humanizmin që mund të mbartë një zemër, një jetë. Por ajo që përbënte dhe karakteristikën e tij themelore ishte se kudo që shkonte, edhe pse në emër të fesë, ai ishte një mbrojtës i së drejtës dhe së pari i lirisë, i gjuhës dhe kulturës së popujve dhe komuniteteve. Ai ishte kundër shovinizmave kudo që ato shfaqeshin, çka e bënte këtë figurë një personazh humanist. Mik i madh i shqiptarëve, ai ishte njëkohësisht dhe i vllehëve, i bullgarëve, etj, duke i bërë thirrje gjithnjë tolerancës dhe mirëkuptimit të popujve. Faveyrial ka mbajtur një lidhje të vazhdueshme me shqiptarët dhe ishte pikërisht udhëtimi i tij në jug-lindjen e Shqipërisë, në Korçë e Voskopojë, që e nxiti ta shkruante historinë e vjetër të shqiptarëve.

Ja si e kujton ai në dorëshkrimet e veta këtë udhëtim, shënime që i gjetëm në arkivin e Misionit Lazarist në Paris, (Congrégation des Missions Lazariste):

«Ka dy vjet që shkova dhe unë në Shqipëri. Gjatë tetë orëve ne ishim nëpër pyje, midis shkurreve, në pjerrësira dhe në mes të maleve. Në sajë të Zotit, ne nuk na ndodhi ndonjë gjë. Përse? Sepse ne ishim nisur papritur, pa i thënë askujt dhe pastaj, me siguri që ishte Zoti ai që na mbronte. Por tetë ditë më pas, një shqiptar që protestonte kundër qeverisë ishte kapur në mes të pyllit që ne sapo kishim kaluar dhe e kishin çuar në Shqipëri, nga ku nuk u kthye, veç, siç më tregoi më pas ai, duke paguar 1000 livra turke, d.m.th. 12.000 franga, të cilat ia kishin dërguar që nga Amerika. Megjithatë, gruan, siç thoshte dhe feja, e kishin respektuar. Duke qënë në Korçë, (Gortcha – Dardha), nga dritarja e dhomës ku isha, ndiqja lëvizjet e njerëzve në tregun e qytetit. Ç’tipa të ndryshëm burrash e grash dhe çfarë atmosfere e rëndë. Ata shkonin, vinin, e blinin pa e ngritur shumë zërin. Ç’kontrast me ata që kisha parë në Greqi. Më së fundi, nga mbrëmja, dola dhe shëtita nëpër treg. Ngado më vështronin, meqë kisha një veshje të veçantë me rrobën dhe kapelen e priftit katolik, veshje e kapele që ata s’i kishin parë që prej shumë shekujsh. Me siguri që në vende të tjera më kanë sharë për këtë, por në Korçë aspak. Dhe nëse më vështronin gjatë, ata më shikonin me një vështrim të matur e hijerëndë. Tri ditë më pas unë u nisa dhe guvernatori «par interim», një shqiptar, na shoqëroi me dy xhandarë gjer përtej atyre maleve jo aq të sigurta, të cilat i kishim kapërcyer kur kishim ardhur. Në një vizitë që i bëra në konakun e tij, ai u habit që unë e njihja aq mirë historinë shqiptare. «Ne kemi urdhër, – më thoshte ai, – të ngrejmë këtu një shkollë të përbashkët për mësimin e gjuhës turke e franceze, ku këtë shkollë ta frekuentojnë të gjithë…» Të krishterët, nga ana e tyre më pohuan dëshirën e tyre që të hapnin në Korçë një shkollë, ku të mësohej gjuha franceze dhe shqipe…»

  • Së pari gjuha

Faveyrial e kujtonte me një kënaqësi të veçantë udhëtimin e tij në Korçë e Voskopojë, çka dhe e shtyu t’i kushtohej vite të tëra historisë shqiptare e ballkanike në përgjithësi, ku një seri botimesh i referohen vllehëve dhe bullgarëve. «Që nga ajo kohë, – shtonte ai rreth udhëtimit në Shqipëri, – një nga priftërinjtë tanë e hapi një shkollë për vllehët. Ish-peshkopi fanarist nuk kishte thënë gjë për këtë, edhe pse ndjente një lloj pakënaqësie të cilën e fshihte, por pasuesi i tij në krye të kishës ishte shumë i irrituar. «Ti duhet ta mbyllësh patjetër atë shkollë! – i thoshte Harallambi priftit tonë. – Po ç’e keqe u gjen nga kjo? Ju grekët, keni të tilla shkolla në Greqi. – Po, kemi, por unë nuk dua shkolla të tilla në dioqezën time. – Jo, nuk mund ta mbyll, sepse me këtë shkollë ha bukë! – Po u jap unë një kishëz… – Jo, nuk dua, aspak. – Atëherë do tu drejtohem autoriteteve të këtushme. – Kjo nuk bëhet. Unë shpesh e kam takuar guvernatorin dhe ai s’më ka thënë asgjë për shkollën. – Atë që ai s’ka bërë deri tani, do ta bëjë! – Të shohim! – dhe ai doli.

Kur e la peshkopin, popi Harallamb shkoi të takonte bejlerët muslimanë, mikun e tij, dhe i tregoi për gjithçka. – Mos kini frikë, vazhdoni detyrën tuaj, – i kishte thënë Belul Beu.

Pas disa kohësh, një shqiptar i krishterë, një beqar i pasur në Bukuresht, propozoi të linte si trashëgimi një shumë prej 25.000 napolonash për qytetin e Korçës, por me tri kushte : që të hapej një shkollë shqipe; të caktohej një mjek për të ndihmuar falas të varfrit dhe të paguheshin martesat e të varfërve. Si përgjigje, peshkopi dhe grupi i tij u mblodhën në arqipeshkvi dhe falënderuan shqiptarin e pasur, duke thënë se qyteti s’kishte nevojë për paratë e tij. Por 250 familje të krishtere, të mbështetur nga bejlerët myslimanë e pranuan trashëgiminë dhe i adresuan atij falënderimet e tyre. Kur morri letrën e tyre, shqiptari hapi një llogari jo në emër të peshkopatës, por të një personi të veçantë. Ata që kishin kërkuar do të kishin 25.000 napolonat dhe të tjerët asgjë. Atëherë Harallambi u nis me ca instruksione për qëndrimin që duhej të mbanin vllehët e Korçës dhe pjesën që do u takonte në këtë veprimtari shkollore.

Nga ana ime u dhashë vllehëve nja 50 medalione. Më kërkuan dhe të tjera…

Duke folur rreth këtij udhëtimi dhe përshtypjeve që kishte pasur, sipas dhe relacionit që i dërgonte superiorit të tij fetar në Paris, pesë vjet më vonë, Faveyrial i kujtonte atij se «Nga shkollat vllehe ne kaluam tek shkollat shqiptare. Në Korçë nuk kishte shkolla aty ku kishim kaluar pesë vjet më pare, (viti 1884), ndërsa tani kishte një të tillë.[1] Eshtë ende e vogël dhe pa peshë, por ajo gjendet në duar të mira dhe na duket e shkëlqyer idea e shqiptarëve për të pasur sulltanin si mbrojtës të tyre. Peticioni i votuar në Bukuresht më 26 maj të vitit 1889, jo vetëm që është një shprehje e besnikërisë kombëtare, por ishte dhe një protestë solemne kundër përpjekjeve të Greqisë dhe sistemit antikristian, të cilin kleri fanariot vë në praktikë në Shqipëri. Por po aq sa dëshirojmë përparimin shkencor të shkollave shqiptare, qoftë në Korçë apo diku gjetkë, po aq dëshirojmë që toskët të krijojnë njerëz filantropë, ashtu siç kanë bërë dhe gegët në Prizren, (viti 1888). Nuk mjafton vetëm të ndriçosh shpirtin nëpërmjet një arsimimi të mirë, por duhet të lehtësosh dhe mangësitë e trupit. Ndërsa në shkollat greke të Korçës, formohen vajza tekanjoze e jo me shpirt të dhembshur…»

Voskopoja e shenjtorëve

Vizita në Voskopojë ka për At Faveyrial imazhe tronditëse: shtëpi të rrënuara dhe kisha të shkatërruara me kambanore të shembura. Një stuhi e tërbuar fanatizmi dhe fondamentalizmi kishte kaluar mbi atë qytet që dikur ishte një nga qendrat më të lulëzuara të Shqipërisë së jugut. Lumturisht, shumë nga afresket në muret e kishave nuk ishin dëmtuar. Ai e njihte mirë historinë e kësaj qendre të madhe të kulturës në të gjithë zonën e jugut shqiptar. «Moskopoli dhe Voskopoja, – do të shkruante më pas ai, – ishte për vllehët e Pindit të lartë, ashtu siç kishte qenë Meçova për vllehët e Pindit të poshtëm. Por këto dy qytete nuk patën të njëjtin fat dhe të njëjtën rëndësi. Meçova ekziston ende, ndërkohë që Voskopoja është shkatërruar. Voskopoja kishte tri kisha të mëdha: ajo e Shën Mërisë, e Karallambit dhe e Shën Nikollës. Ajo kishte më se 45.000 banorë.

Shkollat e saj ishin të shumta dhe në lulëzim. Ato frekuentoheshin jo vetëm nga fëmijët e qytetit, por dhe nga të ardhur të tjerë nga Nikolica, Lipoteni dhe nganjëherë edhe shumë larg. Nga Voskopoja, ashtu si nga Janina, për të përfunduar studimet, shkohej më pas në shkollat e Italisë … Plaku Nikarush më thoshte për Voskopojën se ky qytet i lulëzuar u plaçkit për herë të parë në vitin 1753 ose më 1754. «Hordhitë osmane të Dangëllisë dhe Kolonjës, – shkruan Pouqueville, – qenë fillimi i këtyre fatkeqësive. Ata plaçkitnin karvanët dhe vrisnin ata që vinin në tregun e këtij qyteti. Për Shqipërinë e Epërme, pasuria e Voskopojës dhe Vithkuqit ishte një burim begatie. T’i shkatërroje ato, ishte si të shkatërroje vendin. Por a është parë ndonjëherë që banditët të arsyetojnë?…”

Megjithatë Voskopoja do të plaçkitej përsëri më vonë dhe këtë At Faveyrial e kishte mësuar nga dëshmitë e shumë prej voskopojarëve që i kishte takuar dhe që ende banonin atje.

«Voskopojarët, – më thoshte një ditë Potliu plak i Ohrit, – ia vunë fajin luksit të tepruar të femrave të tyre. Kjo është aq e vërtetë, saqë vetë Perëndia vuri në punë duart e njerëzve të ligj për të çuar në udhë të drejtë ata që kanë dalë nga udha e Zotit. Duke e parë të pamundur të qëndrojnë në një vend të mbushur me armiq, voskopojarët kërkuan një garnizon. Por garnizoni përfundoi atë çfarë kishin filluar kaçakët e tjerë. Dhe atëherë, të gjithë të pasurit e braktisën këtë vënd të mallkuar, njëri pas tjetrit, (v. 1780).

Ka të ngjarë që të emigruarit nga Voskopoja krijuan atë kohë komunën e madhe Peçera në Rodop, atë të Rogotinës, pranë Manastirit dhe të tjerët, komunën e Arvanitohorit, gjysmë ore në perëndim të Tërnovës së madhe. Kur “kersalët” erdhën për të plaçkitur fshatin e tyre, këta të fundit kaluan në Vllahi…»

Kujtimet e Faveyrial janë të shumta. Një interes të veçantë ai tregoi për letërsinë e shkruar nga vetë shqiptarët dhe nuk mungon të shkruaj për disa nga rilindasit shqiptarë që iu kushtuan letërsisë dhe shkrimit të shkronjave shqipe.

«Një dibran i krishterë, – shkruante ai në shënimet e tij, – më tregoi, në vitin 1866, ngjarjen e mëposhtme që kishte ndodhur në Dibër. Një mysliman plak kishte gjetur një libër të krishterë në shtëpinë e tij. Nga kureshtja, ai e kishte lexuar atë libër dhe në fund, kishte kuptuar kotësinë e myslimanizmit, siç thoshte ai. Duke mos mundur ta mbajë të fshehtë këtë bindje të tij, ai e bisedoi këtë me fqinjët. Fjala e tij zuri vend, për më tepër ngaqë ishte një burrë i nderuar nga të gjithë. Sa për librin, të cilin ai e shikonte si shkak të konvertimit të tij, mendoj se ishte Cuneus Prophetarum[2] i imzot Bogdanit, arqipeshkvit të Shkupit, libër për të cilin unë kam folur. Por sidoqoftë, të nxehur nga idetë e plakut, myslimanët e tjerë e kallëzuan atë tek pushteti. Çështja iu dërgua Portës së Lartë dhe përgjigja ishte që ose ai duhej të ndërronte mëndje, ose duhej të vdiste. Meqë ai nuk deshi të heqë dorë, atëherë atij i prenë kokën. Kjo ndodhi më 1854 apo 1855… Më 15 mars të vitit 1887, gjendesha në Shkup dhe imzot Carev më tregoi një libër të Imzot Bogdanit që e kishte titullin «E vërteta e pagabueshme e Besimit Katolik», libër që ishte shtypur në Venedik në 1691, tek shtëpia botuese «Albrizzi». Imzot Carev më thotë se letërkëmbimi i Imzot Bogdanit me Romën ekziston ende. Hirësia e tij më pohoi se Pjetër Bogdani, i kthyer në dioqezën e tij pas dështimit të ushtrive austriake, vdiq në Janjevë, ku gjendet po ashtu dhe varri i Imzot Mazrekut…»

Faveyrial tregon dhe një histori tjetër që kishte ndodhur në vitet 60’-70’ të shekullit XIX, kur në Prizren e Gjakovë kishin ndodhur trazira të mëdha dhe ku dy grupe shqiptarësh po vriteshin mes tyre.

«Kjo përplasje e ethshme, – shkruan Faveyrial, – ndodhi për shkak të një vajze myslimane nga Zadrima, e cila kishte qenë edukuar në një familje katolike, përballë shtëpisë së saj. Meqë i kishte mësuar shumë mirë lutjet, dhe pasi kishte mësuar mirë fenë katolike, kjo vajzë deshi të bëhej katolike dhe të martohej me një katolik. Në të vërtetë ajo u martua dhe u dërgua te një i afërm i djalit, në Gjakovë. Më pas në Prizren, ajo deklaroi në «mexhlis», pra në të popullit, se ishte katolike dhe se donte të mbetej katolike. Me të marrë lajmin se çfarë po ndodhte në Prizren, mirditorët, me në krye Bib Dodën, morën armët. Fatmirësisht, trupat e ardhura me nxitim nga Manastiri arritën para mirditorëve, përndryshe do të kishte plasur lufta. Gjithsesi, që të qetësoheshin shpirtrat, autoritetet kërkuan që vajza me burrin e saj të largoheshin nga Prizreni. Fakti është se ata nuk vonuan të kthehen në Shqipëri dhe se tashmë, (viti 1884), mesa duket, gjenden në rrethinat e Zadrimës…»

Historia e mirditorëve bëhet një temë e parapëlqyer e Faveyrial dhe kjo kuptohet. Ishin mirditorët në ato shkrepa të humbur që mbanin ende gjallë frymën dhe flamurin e katolicizmit.

Princi i mirditasve Bib Doda, kishte vdekur më 28 korrik të vitit 1868, por siç flitej në popull, ai nuk kishte vdekur nga një vdekje natyrale, por ishte helmuar, meqë kishte patur konflikte me Portën e Lartë të Stambollit. Thuhej se ai kishte qënë ftuar në një drekë të madhe nga një «mirallai» shqiptar i quajtur Salik, por ai dhe trimat që e shoqëronin kishin vdekur njëri pas tjetrit pas tri javësh.

«Dhjetë ditë pas varrimit të Bib Dodës, – shkruan Faveyrial, – varri i tij ishte hapur dhe kufoma ishte gjymtuar. Atij i ishin nxjerrë sytë, i kishin prerë hundën, veshët, buzët, duart e këmbët, i ishte hequr zemra dhe i ishin shkëputur pjesët burrërore. Me marrjen e këtij lajmi, gjithë Mirdita u ngrit e tëra në këmbë si një trup i vetëm dhe gjaku do të derdhej lumë. Këtë priste dhe Ismail Pasha, sepse ai donte të bënte një masakër mbi këta të ashtuquajtur rebelë. Por konsujt e Francës dhe të Austrisë, z. Obaret dhe Duçizi e kuptuan qëllimin e guvernatorit. Ata ndërhynë dhe iu bënë mirditorëve premtime, por që më pas nuk u mbajtën… Disa shkodranë më tregojnë një ditë, se duke e parë që po vdiste, Princi i mirditorëve kërkoi të thirrej konsulli i Francës dhe i tha: «Ja im bir, ja dhe paratë e mia. Po t’i besoj ty. Gjithçka që më takon është nën kujdesin tënd. Sa për mua ka mbaruar gjithçka. Unë s’do të merrem më dot me ato».

Faveyrial kishte gjetur dhe një korrespondencë nga Shkodra, botuar nga gazeta La Turquie, e Konstantinopojës, ku shkruhej për funeralet e Princit. Në të shkruhej se konsulli i Francës mbante për dore djalin e Bib Dodës (i cili kishte lënë dhe një vajzë 16 vjeçare), duke i paraprirë kortezhit dhe se katër anët e arkivolit mbaheshin nga konsujt e Austrisë, Rusisë, Italisë dhe sekretari i konsullatës së Rusisë…” Padyshim një ndërmarrje e jashtëzakonshme për një prijës shqiptar.

Në analet e Misionit Lazarist të Parisit janë dhe një sërë letrash e korrespondencash të Faveyrial me familjen e Princit të Mirditës Bib Doda, (Prenk Bib Doda, Davidika Bib Doda, Margela Bib Doda, Primo Doçi apo «monsinjorë» të tjerë), çka tregojnë lidhjen e fortë të Faveyrial me shqiptarët. “Ne e shohim Bib Dodën për herë të parë në Konstantinopojë para Luftës së Krimesë dhe pastaj pas kësaj lufte, – shkruante Faveyrial. – Meqë perandori Nicola I i kishte shpallur luftë Turqisë, sulltan Abdyl Mexhidi kërkoi ndihmën e mirditorëve dhe Bib Doda udhëhoqi drejt kësaj lufte 500-600 luftëtarë. Kur disa prej tyre u vranë, Bib Doda shkoi të rekrutonte të tjerë dhe meqë ai mungoi në front, Omer Pasha i çarmatosi trimat e tij: një pjesë i futi nizamë në radhët e ushtrisë së tij dhe të tjerëve u tha të kthehen. Princi kërkoi pushkët që Omer Pasha u kishte marrë mirditorëve.

Por ai u mbajt në Konstantinopojë, meqë Turqia donte ta fuqizonte Mirditën për t’ia kundërvënë Malit të Zi. Për këtë arsye, donte t’i bashkëngjiste asaj Dibrën dhe trevat malore të Cernagorës…”/konical.al/ KultPlus.com