141-vjetori i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll

Shoqëria e të “Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll” ishte një shoqëri patriotike, kulturore, arsimore e themeluar në Tetor 1879 me nismën e “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”.

Në krye të kësaj shoqërie u zgjodh Sami Frashëri. Këshilli qendror përbëhej nga Abdyl Frashëri, Pasho Vasa, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Zija Prishtina, Hoxha Tahsini etj.. Kjo shoqëri njihet edhe me emrat “Shoqëri e Stambollit” dhe “Shoqëri e Shkronjëzave”.

Platforma e kësaj Shoqërie u përcatua në statutin themeltar (Kanonizmën), të cilin e nënshkruan 28 përfaqësues të shtresave e besimeve të ndryshme nga gjithë Shqipëria. Qëllimi kryesor ishte: “Të mësuarit e të ndriturit të kombit tonë”, “të ngjallurit e gjuhës shqip e të bashkuarit e dialekteve të saj” (Sami Frashëri).

Ajo shtronte para vetes detyra me karakter kombëtar, si: lëvrimin e gjuhës shqipe dhe krijimin e gjuhës letrare, zhvillimin e letërsisë kombëtare, çeljen e shkollave shqipe, ngritjen e një shtypshkronje, botimin e librave (kryesisht teksteve shkollore) dhe të një organi periodik, veprimtarinë kundër prapambetjes ekonomike e sociale etj.. Për realizimin e platformës së saj, Shoqëria themeloi degë, sidomos në kolonitë shqiptare, miratoi alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe të paraqitur nga Sami Frashëri, i cili quhet edhe “Alfabeti i Stambollit”, botoi “Alfabetaren e gjuhës shqip”./ KultPlus.com

Pëllumbat ”banorët” e vetëm të shesheve simbolike

Për shkak të mbylljes së njerëzve si pasojë e pandemisë së koronavirusit – COVID-19, sheshet simbolike të Stambollit si Taksim, Eyupsultan, Ortakoy dhe sheshi i Xhamisë së Re në Eminonu, u kanë mbetur vetëm pëllumbat.

Qytetarët i kanë lënë sheshet të boshatisura për të respektuar masat kundër pandemisë.

Këto sheshe, ku zakonisht njerëzit ushqejnë pëllumbat, tashmë janë përfshirë nga qetësia për shkak të pandemisë.

Ndërkaq, disa ende vazhdojnë të kujdesen për këta shpendë duke u hedhur ushqim./ atsh/ KultPlus.com

Stamboll, promovohen veprat e autorëve turq të përkthyera në shqip

Në Stamboll të Turqisë po mbahet Panairi i 38-të Ndërkombëtar i Librit. Në këtë panair marrin pjesë mbi 800 shtëpi botuese nga Turqia dhe vende të ndryshme të botës, merr pjesë edhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë (SHBSH) nga Maqedonia e Veriut.

Aktiviteti i organizuar në Qendrën e panaireve TÜYAP në Stamboll, nga ana e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë (SHBSH) me qendër në Shkup, u mbështet nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut.

“Republika e Maqedonisë së Veriut, posaçërisht botuesit shqiptarë mund të lavdërohen se shumë vepra turke, nga emra shumë të rëndësishme i kanë përkthyer në gjuhën shqipe. Ashtu që libri ta marrë edhe atë kuptimin e vetë që të jetë udhë mes popujve, t’i bashkojë gjithashtu. Mundohemi që librat prej gjuhës shqipe ose maqedonase të jenë prezent për publikun turk përkthyer në gjuhën e tyre”, deklaroi Hysni Ismaili, ministër i kulturës.

Ndërsa kryetari i SHBSH Abdulmexhit Saiti, në fjalimin e tij theksoi se në panairin në fjalë kanë sjellë një numër të konsiderueshëm të titujve të shkrimtarëve turq të përkthyera në gjuhën shqipe dhe jo vetëm. Alsat / KultPlus.com

400 këpucë, për 400 viktima të dhunës

Dhuna ndaj gruas, sidomos kohët e fundit, është bërë një temë aktuale e vendit tonë dhe me gjerë.

Në gjithë botën, herë pas herë, janë organizuar e vazhdojnë të organizohen protesta të ndryshme që trajtojnë po këtë të temë, atë të dhunës ndaj gruas, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe, përmes një proteste të ”heshtur”, por që brenda vetes përmban një revoltë të fuqishme, një mur në një lagje të Stambollit është mbushur me këpucë grash, që simbolizojnë numrin e grave që kanë qenë viktima të dhunës.

Aty shihen rreth 400 palë këpucë, të vendosura në dy mure në lagjen Kabatash në Bejollu të Turqisë.

Këpucët përfaqësojnë gratë viktima të dhunës nga burrat e tyre dhe jo vetëm.

Autor i kësaj kauze është Vahit Tuna.

Sipas statistikave të fundit, rreth 400 gra janë vrarë në Turqi gjatë vitit 2018, ndërsa numri i grave të vrara në vitin 2017 ishte 409. /KultPlus.com

Arnavutkoy, lagja madhështore shqiptare e Stambollit

Nga Elvi Sidheri

Qysh në udhëtimin tim të parë në Stamboll, shumë vite të shkuara, më pati qëlluar që veç shumë nuancave të tjera të trashëgimisë shqiptare në këtë qytet dy-kontinentësh, të më binte në sy një lagje piktoreske, fisnike dhe krejtësisht e mahnitshme si Arnavutkoy, thënë copë në shqip “Fshati i shqiptarëve”.

Problemi qëndronte në faktin se thuajse asnjë guidë turistike turke nuk e përmendte praninë shqiptare në këtë lagje karakteristike dhe të kamur, duke u mjaftuar me shpjegime rrethanore që maksimumi pranonin se në këtë zonë dikur patën jetuar “Rumët”, siç turqit quanin tërë të krishterët ortodoksë, duke mos u përmendur shqiptarët askund, veç sigurisht, emrit të lagjes.

Por ndërkohë, gjërat janë ndryshe.

Arnavutkoy njihet si një lagje që ngërthen në vetvete mjaft më shumë seç shpërfaqet në emrin e saj. Aty puqen tërë ngjyrimet e paqta të Stambollit. Një lagje ku gjithkush dëshiron të jetojë dhe të shëtisë, një zonë ku spikat arkitektura tradicionale e bregut të Bosforit.

Kjo ndërthurje hareje dhe elegance përbën edhe vetë fytyrën e lagjes. Vilat hijerënda të periudhës osmane, shtëpitë madhështore të zyrtarëve osmanë dhe vendbanimet e elitës së Stambollit në shekuj.

Një lagje gjelbëruar, me brigje të mahnitshme dhe plot vreshta, Arnavutkoy dikur pati qenë vendbanimi i shumë ndër Vojvodët e Moldavisë (Moldavia është qeverisur nga shqiptarët për shumë kohë, qysh nga periudha e Vojvodës me origjinë shqiptare Vasile Lupu mes viteve 1634-1653 dhe rreth viteve 1820 burimet e kohës tregojnë për 90 tregtarë nga Arnavutkoy që jetonin tokat e Vllahisë dhe që ishin me origjinë shqiptare).

Prirja për të qenë një lagje moderne dhe kozmopolite nuk ndryshon as në ditët e sotme, sepse Arnavutkoy vijon të shquhet për peizazhet mbresëlënëse, me rrugë të shtruara me pllakëza guri dhe vilat e bardha buzë Bosforit.

Emri i kësaj lagje gjithaq ka rëndësinë e vet të pamohueshme.

Ndonëse të dhënat janë të ndryshme, një syresh tejet e njohur vjen nga koha e Sulltan Mehmet Fatihut, i cili pasi pushtoi Konstadinopojën, më tutje, me shumë mundime arrin të pushtojë edhe Arbërinë vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Si politikë ngulitje popullsish, ai e quan këtë lagje si Arnavutkoy për shkak të origjinës së banorëve nga Arbëria që pati sjellë për ta ripopulluar këtë zonë pas shkretimeve të luftës dhe pushtimit të Konstandinopojës.
Të tjera burime ia taksin emrin e lagjes jeniçerëve në shumicë me origjinë shqiptare që ishin të ngarkuar me mbrojtjen e sulltanit, të cilit do të themelonin këtë vendbanim të mrekullueshëm.

Ndërsa sipas një tjetër gojëdhëne, emri i lagjes i detyrohet punonjësve specialistë të sjellë nga Shqipëria për të shtruar rruginat karakteristike të lagjes gjatë periudhës së Sulltanit Abdylmexhid. E jo rastësisht, kjo gjë të kujton “Arnavut Kaldırımı” që nuk është gjë tjetër veç “kalldrëmit”, fjalës turke që kemi trashëguar edhe neve në gjuhën shqipe, duke harruar që vetë turqit, këtë mënyrë shtrimi të rrugëve, e bashkëngjisin me fjalën “Shqiptar”.

Emri i parë i këtij vendbanimi sakaq mendohet të ketë qenë Hestia, më tutje Promotu për shkak të konsullit romak Promotus dhe Anaplous.

Pas pushtimit të Konstandinopojës nga osmanët, në lagje, krahas shumë shqiptarëve dhe të krishterëve të tjerë (përfshirë argjendarët armenë), do të kishte edhe një prani hebreje.

Në Stambollin e sotëm, Arnavutkoy përbën një nga pjesët e vetme të brigjeve të Bosforit që kanë mbetur të paprekura, ku ndihet akoma burimor shpirti i kësaj lagje tradicionale, karakteristikat njësore arkitekturore tërësisht të pandryshuara.

Godinat e drunjta buzë Bosforit, ndërthuren njëra me tjetrën të ndara nga rrugina të ngushta.

Nëpër lagjen që ende ka mbetur e paprekur nga zhurmat dhe smogu i qytetit, dëgjohen veç zërat gazmorë të fëmijëve dhe shpotitë e shitësve nëpër dyqane.

Rruginat e ngushta e të thepisura të lagjes gëlojnë nga vizitorët dhe vijojnë të jenë dekori i preferuar i Bosforit për fotografi të paharrueshme.

Arkitektura e veçantë e shtëpive dhe vilave të lagjes e mbështetur në stilin Art Nouveau të viteve 30 të shekullit të shkuar, i jep Arnavutkoy një hijeshi të natyrshme dhe një harmoni të rrallë që përthithet në çdo kënd të kësaj lagje.
Ndërkaq, në ujrat përballë Arnavutkoy ndodhet edhe pika më e thellë në krejt Bosforin, që arrin në njëqind metra thellësi në Akıntiburnu, ku gjithashtu rrjedh një rrymë aq e fortë saqë dikur për t’u kthyer varkat dhe anijet, nevojitej të tërhiqeshin me litarë nga bregu.

Ndër godinat më historike të Arnavutkoy hasim ndërtesën e Robert College, institucioni arsimor më i hershëm amerikan jashtë SHBA (themeluar në vitin 1863), kishën ortodokse Taksiyarhis që daton qysh nga periudha bizantine dhe ngrihet pranë një burimi me ujë të bekuar shërues dhe xhaminë Tevkifiye.

Ky ishte një përshkrim i shkurtër i kësaj lagje kaq të rëndësishme për Stambollin, por gjithaq edhe për trashëgiminë shqiptare për të cilën dimë kaq pak, veçanërisht për Fshatin Shqiptar, siç përkthehet në shqip Arnavutkoy, kjo lagje në venat e të cilës rrjedh historikisht gjak i pastër shqiptar.

Vizitojeni, nëse ju bie udha në Stamboll. /KultPlus.com

Samir Karahoda dërgon gratë 100 vjeçare të Kosovës në Festivalin Ndërkombëtar të Fotografisë në Stamboll

Në Stamboll nga data 19 janar deri më 11 shkurt do të mbahet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, ZFotoFest.

Në këtë edicion do të prezantohen 54 projekte në formë ekspozite duke përfshirë edhe punime të emrave të njohur botëror si fotografët e National Geographic Ami Vitale e Matheë Paley si dhe emra të tjerë si Abelardo Morell, Corey Arnold e Kamil Firat…

Samir Karahoda do të prezantohet me projektin Centenarian i cili paraqet portretet e grave 100 vjeçare të Kosovës. Projekt i cili edhe u ekspozua në Prishtinë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Po ashtu në festival do të ketë një numër të madh aktivitetesh si ëorkshope, debate, biseda, prezantime të portfoliove të fotografëve të rinj ku po ashtu edhe autori Samir Karahoda të dielën me 21 janar do të mbaj një Artist talk për të folur për punën dhe eksperiencën e tij si fotograf.

Hapja zyrtare e festivalit dhe ekspozitës do të bëhet të premten me 19 janar prej orës 19:30 në qendrën kulturore në rajonin e Zeytinburnu të Stambollit.

Të ju kujtojmë, projekti “Centenarian”, paraqet Historinë e nënave Kosovare të cilat kanë arritur të jetojnë mbi një shekull ku përmes portreteve të tyre paraqitet karakteri i tyre i fortë dhe historia përmes rrudhave në fytyrë./ KultPlus.com