Filmi “Zana” me premierë në Spanjë



Filmi i cili trajton jetesën e së tashmes, ndikuar nga e kaluara, respektivisht ndikimin e luftës kolektive te individi, “Zana” do ta ketë premierën në festivalin Mostra de Valencia në Spanjë, shkruan KultPlus.

Këtë e bëri të ditur regjisorja e filmit, Antoneta Kastrati përmes një statusi në Facebook:

“Shumë e lumtur që Zana do ta ketë premierën në Spanjë në festivalin “Mostra de Valencia”, ka shkruar regjisorja.

Për filmin, është shkruar edhe një artikull nga organizatorët e Festivalit:

“Nga Kosova vjen “Zana”, shfaqja debutuese e Antoneta Kastrati. Një perspektivë e re për konfliktin në Ballkan. Filmi herë pas here përdor elemente fantazie për të reflektuar në tmerrin e luftës. Me protagonistin e luajtur nga Adriana Matoshi, ky debutim i jashtëzakonshëm nga kineasti kosovar me seli në SHBA u zgjodh të përfaqësonte vendin e tij në Oskarë dhe fitoi Grandmimin Grand Juria në Los Angeles”, shkruan artikulli i Mostra de Valencia. / KultPlus.com

“The Farmer’s Blue”, ironia e një jete të zhytur në borxhe

Suada Qorraj

Muzika ishte pjesë e përditshme e jetës së tyre, e bashkë me muzikën ishte edhe gjyshi, ngase ai e dëgjonte atë çdo ditë e në çdo kohë. Por, është pikërisht muzika ajo që ndalet që në fillim të këtij filmi, ndalja e muzikës shënoj vdekjen e gjyshit. Kurse vdekja e gjyshit, e në të njëjtën kohë babait të Vedait, i solli familjes përballjen zinxhirore me borxhe. Filmi i metrazhit të shkurtër “The Farmer’s Blues” sjell raportin e një familjeje, babë e djalë, bashkë me rrethanat në të cilat i kishte përplasur jeta, shkruan KultPlus.

Muzika e Luan Hajrës e shoqëron fillimin dhe pikërisht kënga “Lulzoj fusha, lulzoj mali”, është ajo që shënon përfundimin e këtij filmi, që nuk ju deshën më shumë se katër ditë të përfundonte xhirimet, mu në Sllupçan, fshatin e Kumanovës.

Ibër Deari regjisori i këtij filmi në një intervistë për KultPlus rrëfen se gjatë kohës sa e ka shkruar skenarin në shumë situata ai ka qeshur ngase sipas tij, sikur historia e trajtuar në këtë film të shikohej nga një perspektivë tjetër atëherë edhe do qeshnim me problemet që ndodhin në këto situata.

Deari ka shtuar se fokusi i tij kryesor nuk ka qenë vetëm borxhi që familja ka ndaj bashkësisë islame, ngase ai është përpjekur ta vë në pah më shumë raportin e familjes, babës dhe djalit në një situatë të tillë. Sipas tij lidhja e krijuar nga borxhet në këtë film paraqet vetëm ironinë dhe asgjë më shumë.

“Realisht unë nuk kam dashur të marr në fokus këtë temë, por ja filmi hapet ashtu dhe borxhi është vetëm një moment, kurse tema e filmit apo problematika është më shumë raporti babë e bir dhe se si ata jetojnë në këto rrethana, p.sh. nuk është vetëm borxhi ndaj hoxhës por edhe ndaj shokut dhe kështu vazhdon një zinxhir, ku secili i ka borxh njëri tjetrit. Kështu që këtë lidhjen e borxheve më shumë e kam paraqitur si një ironi se sa një problem thelbësor në film”, ka pohuar ai.

Tutje regjisori tregon se ngjarjet e “The Farmer’s Blues”, ndodhin çdo kund, në Maqedoni dhe Kosovë. Prandaj edhe filmi në shumë pjesë bazohet nga jeta reale, por që janë të modifikuara për tu paraqitur në film.

“Tash filmi nuk është gjithçka e vërtet por mund të them se ka shumë pjesë apo situata të inspiruara nga jeta reale, dhe pastaj të modifikuara për film, në shumë skena ndoshta janë pjesë që unë vet i kam përjetuar ose i kam parë, por jo bash në të njëjtën formë si i kam paraqitur në film”, ka vazhduar tutje intervistën regjisori.

Ai ka shtuar se vështirësitë më të mëdha që i ka hasur gjatë realizimit të këtij filmi kanë qenë ato teknike sepse filmi është realizuar me një ekip dhe me një buxhet shumë të vogël.

Deari ka thënë se nuk ishte një qëllim i caktuar ajo se çka e shtyu të realizonte këtë film, por dashuria që ai ka për artin dhe filmin. Madje ai ka shtuar se “The Farmer’s Blues” nuk synon të përçoj një mesazh të caktuar. Filmi në vetvete ngërthen tema të cilat mund të diskutohen, tema që mund edhe të sjellin kënaqësi por jo të krijuara për një qëllim të caktuar.

“The Farmer’s Blues” ka garuar edhe në festivalin e parë “Beach Film Festival” ku dhe ka marrë çmimin si filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër. Por, rrugëtimi i këtij filmi nuk u ndal këtu sepse premiera e tij do jepet edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmi, Dokufest.

Ibër Deari ka rrëfyer se pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme, dhe shpreson që edhe ky vit do të sjellë motiv për regjisorin që ai të vazhdoj të prodhoj filma edhe në vitet e ardhshme.

“Shumë e rëndësishme dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e DokuFest-it këtë vit, ndoshta do kishte qenë edhe më mirë po sikur të ishim edhe fizikisht aty, por ja në kohë pandemie mjafton që po mbahet festivali edhe online. Nuk është hera e parë që marr pjesë në Doku, edhe herëve tjera kam marr pjesë me filma. Çdo herë kam kaluar mirë, shpresoj që edhe ky vit do sjell shumë motiv për të vazhduar me filma të tjerë viteve të ardhshme”, ka përfunduar intervistën Deari. / KultPlus.com

Adriana Matoshi zgjedhet aktorja më e mirë në festivalin ‘Fantaspoa’ në Brazil

Jeta Zymberi

Filmi debutues i Antoneta Kastratit, ‘Zana’, që pati premierën e tij botërore në festivalin e madh të Torontos në Kanadë dhe njëherit propozimi i Kosovës për kategorinë Best International Feature të ‘Oscars’, deri më sot ka qenë pjesë e shumë festivaleve e çmimeve ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Filmi ‘Zana’ është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës. Ditën e djeshme u bë e ditur se filmi është bërë pjesë e programit ‘In Focus’ në Festivalin e Sarajevës.

Ndërsa sot, “Zana” rendit suksesin e radhës. Është aktorja Adriana Matoshi e cila ka fituar çmimin e aktores më të mirë në konkursin zyrtar Ndërkombëtar në Festivalin e Filmit “Fantaspoa” në Brazil. Me rolin e saj në filmin “Zana”, Matoshi ka dëshmuar edhe njëherë fuqinë e saj si aktore dhe shumë nga kritikët e kanë konsideruar si rolin e saj më të mirë. Njëjtë ka menduar edhe juria e festivalit në Brazil duke i ndarë këtë çmim aktores kosovare në mesin e shumë aktorëve të njohur.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe vetë regjisorja Kastrati e cila e ka uruar Matoshin për çmimin dhe është shprehur e lumtur që ka pasur fatin të punoj me të.

“Shume urime Adriana për çmimin “Aktorja me e mire” ne Festivalin e filmit fantastik ‘Fantaspoa’ ne Brazil!!! Ju jeni aktore e mahnitshme, ndihem me fat që pata rastin të punoj me ty”, ka shkruar regjisorja.

I krijuar në vitin 2005, Festivali Ndërkombëtar i Filmave Fantastik të Porto Alegre, “Fantasopa”, është festivali nismëtar i sjelljes së filmave të zhanrit fantazi në Brazil. Fantasopa është një festival 18 ditor, që ka në dispozicion vetëm dy dhoma për shfaqje dhe ekspozon mbi 100 filma në vit.

Në çdo edicion të këtij festivali ndahen 20 çmime të ndryshme në kategori të ndryshme të këtij festivali si dhe çmimin e “arritjes në jetë”, që tashmë është ndarë për disa nga autorët më të mëdhenj të zhanrit fantastik.

Çdo vit ky festival është shtëpia e më shumë se 50 të ftuarve. Gjatë 15 viteve të saj, Fantaspoa u bë festivali më i madh i zhanrit në Amerikën Latine dhe ngjarja kryesore e filmit në qytetin e Porto Alegre dhe tani është një referencë për disa artistë si dhe një dritare e shkëlqyer e ekspozitës për filma fantastikë në Brazil. Festivali është anëtar i Federatës Evropiane të Filmit Fantastik që është “një rrjet i thurur nga 22 festivale filmash nga 16 vende, me një pjesëmarrje globale prej mbi 450 000 vizitorësh, duke e bërë atë një lojtar jetik ekonomik dhe kulturor në skenën e filmit fantastik ”. / KultPlus.com

Filmi “Zana” pjesë e festivalit të filmit të Sarajevës

Filmi i gjatë artistik me regji të Antoneta Kastratit është pjesë e programit ‘In Focus’ në Festivalin e Sarajevës. ‘In Focus’ është program dedikuar filmave rajonal të jashtëzakonshëm të cilët tashmë kanë bërë sukses të konsiderueshëm në festivalet prestigjioze të filmit në botë, përcjellë KultPlus.

Filmi ‘Zana’ është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës.

‘Zana’ është filmi i tretë nga Kosova që bëhet pjesë e Festivalit të Sarajevës pas njoftimit të mëhershëm për pjesëmarrja në konkurrencë kryesore të filmit ‘Galaktika e Andromedës’ dhe ‘Exil’-it.

Filmi ‘Zana’ me producent Casey Cooper Jonson kishte premierën botërore në Festivalin e madh të Torontos në shtatorin e kaluar dhe përfaqësoi Evropën në Festivalin ndërkombëtar në Sydney të Austrialisë, është bashkëprodhim në mes Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-ve, dhe financuar nga Qendra Kinematografike Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri. / KultPlus.com

Linku zyrtar i festivalit: https://www.sff.ba/en/news/11344/in-focus-2020

Filmi ‘Zana’ përfaqëson Evropën në Festivalin ndërkombëtar në Sydney të Austrialisë

Festivali i Filmit në Sindei (SFF) dhe European Film Promotion (EFP) kanë përzgjedhur filmin ‘Zana’ nga Antoneta Kastrati si njërin ndër dhjetë filmat evropian nga regjisore femra që do të shfaqen në kuadër të programit ‘Europe! Voices of Women in Film’.

Ky program është krijuar nga European Film Promotion (EFP) dhe Festivalit të Filmi ne Sidnei (SFF). Ky është viti i pestë i këtij programi të cilit në këtë edicionit dixhital të festivalit do ti kushtohet vëmendje e veçantë. Filmat e përzgjedhur evropian në këtë këtë program do të shfaqen bashkë me filmat më të ri australian në kuadër të edicionit të 67-të të filmit në Sidnei.

“Së pari, është nder i madh me qenë pjesë e programit të veçantë EUROPE! VOICES OF WOMEN IN FILM, i cili përfaqëson zëra të ri të grave regjisore nga Evropa në Sydney Film Festival. Veqanërisht më gëzon faktin që Kosova për herë të dytë përfaqësohet në këtë program. Kjo dëshmon që filmat nga Kosova vazhdojnë rrugën e suksesit në skenën ndërkombëtare.

E dyta, duke marrë parasysh kohën e veshtirë në të cilën gjendemi për shkak të Pandemisë dhe anulimeve të festivaleve dhe shfaqjeve në kinema, jam shume falenderuese që Sydney film Festival dhe European film Promotion kanë gjetë mënyrën me vazhdu mbështetjen për filmat dhe artin edhe pse në një formë tjetër, online” u shpreh Antoneta Kastrati regjisorja e filmit ‘Zana.

Edicioni virtual i festivalit dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahen nga data 10 deri me 21 qershor 2020. / KultPlus.com

Linqet zyrtare të EFP-së dhe SFF-së: https://www.efp-online.com/en/news/2020/20200527-european-women-directors-stand-out-with-efp-s-EURO.php

dhe https://ondemand.sff.org.au/collection/european-film-promotion/

‘Zana’ në listën e filmave të mundshëm për tu nominuar për ‘Oscars 2020’

Tabloidi amerikan “The Holywood Reporter”, ka sjell së fundmi një listë me parashikimet për nominimet në ndarjen prestigjioze të filmit “Oscars 2020”.

Parashikimet të cilat azhurnohen rregullisht, pasqyrojnë përshtypjet e fundit të Scott Feinberg informacione në dispozicion të publikut konsiderata historike, çmime pararendëse (disa grupe çmimesh kanë pasur lidhje historike me Akademinë më shumë se të tjerët) dhe konsultimet e brendshëm të industrisë (përfshirë anëtarët e tjerë të shtypit, çmime për strategë, kineastë dhe zgjedhës të çmimeve).

Këtë herë tabloidi ka publikuar parashikimet për nominimet në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”.

Lista përfshinë 11 filmat e mundshëm për t’u nominuar për këtë çmim, në mesin e të cilëve kolumnisti ka renditur edhe filmin kosovar “Zana” të regjisores Antoneta Kastrati.
Filmi ‘Zana’ i cili ka filluar shfaqjen nëpër kinematë të ndryshme është tregimi i Lumes, një grua shqiptare që jeton me burrin e saj Ilirin dhe vjehrrën e saj Remzijen në një fshat kosovar. / aktuale.mk / KultPlus.com

Mediat ndërkombëtare për “Zanën” nga Kosova: një Oscar për traumat e luftës

Filmi kosovar “Zana” i cili po garon për “Best International Feature” në kuadër të çmimeve Oscar të vitit tjetër, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

Euronews, në kronikën për kinematografi, e përshkruan filmin “Zana si “inspirues dhe goditës”, meritë që sigurisht i takon edhe  regjisores Antoneta Kastrati.

Kastrati thotë se i përdori kujtimet e saj të luftës së viteve 1998-1999 si bazë të filmit të saj.

“Është një frymëzim nga një ngjarje e vërtetë”, thotë Kastrati. “Është fiction, por baza e saj rrjedh nga përvojat e mia gjatë luftës. Unë isha adoleshente kur m’u vranë nëna dhe motra.

“Bëra shumë që hulumtoj rreth simptomave të mia personale të përjetimit të stresit post-traumatik, i cili zgjon çrregullime dhe ankth”, shtoi ajo.

Filmi flet për Lumen (Adriana Matoshi), një grua që jeton me bashkëshortin Ilirin (Astrit Kabashi) dhe vjehrrën Remzijen (Fatmire Sahiti).

Pasi ka humbur në luftë fëmijën e saj të vetëm, Lumja përballet me ankthe në gjumë dhe si pasojë e ka të pamundur të mbetet shtatzënë.

Të dëshpëruar dhe të shqetësuar, familja e saj kërkojnë që ajo të drejtohet te “shëruesit me magji” për të trajtuar infertilitetin. Kur Lumja i reziston kërkesës, familja e burrit e kërcënojnë me një grua të re, kandidate  për t’u bërë gruaja e dytë e Ilirit.

Nën kërcënimin e zëvendësimit, Lumja heq dorë nga mjekësia moderne dhe pajtohet të eksplorojë praktikat ekzorciste.

Për “Zanën” e saj, regjisorja Kastrati udhëtoi në shumë fshatra duke intervistuar gratë lidhur me më të dashurit që i kishin humbur gjatë luftës. Shumë thanë se ende ndjeheshin të përhumbura, edhe pas dy dekadash.

“Unë mendoj se ka një pjesë të vetvetes që nuk do të shërohet kurrë”, thotë Kastrati. /KultPlus.com

”Nina Nana, o drita e syve”, ninulla e filmit ”Zana”

Ninullat e popullit tonë, gjithmonë kanë përcjellur urime, dëshira e lutje të nënës, kushtuar fëmijës së saj në djep.

Zana’s Lullaby, apo thënë shqip Ninulla e Zanës, është kolona zanore e filmit më të ri të Antoneta Kastratit, ”Zana”.

”Zana”, shpalos historinë tragjike të një nëne dhe fëmijës së saj, duke bërë kështu që edhe kolona zanore e këtij filmi të jetë një ninullë, me urime e lutje që dalin nga një zë melankolik, shkruan KultPlus.

Një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga kaluara e saj e errët e kohës së luftës.

Kënga është e interpretuar nga këngëtarja Fatime Kosumi, e njohur si Andrra.

Andrra, tashmë njihet për zërin dhe stilin e saj të veçantë në muzikë, duke trajtuar pothuajse çdoherë temën e gruas në shoqërinë tonë.

Bashkangjitur gjeni linkun e ”Zana’s Lullaby”

‘’Zana’’, filmi që ndesh të ardhmen me të kaluarën përmes dy fateve tragjike

XhemileHysenaj

Filmi ‘’Zana’’, me regji të Antoneta Kastratit, trajton një temë delikatë përmes personazhit të një gruaje e cila ka humbur një pjesë të madhe të vetes gjatë luftës në Kosovë, për të mos thënë krejtësisht vetveten.

Pasojat e luftës së fundit në Kosovë, vërehen edhe sot e kësaj dite, vikimat e saj, disa të fshehura e për të mos u shpalosur kurrë e disa prej tyre të shpalosura për të mos u trajtuar kurrë në mënyrën e duhur, shkruan KultPlus.

Lufta ka përfunduar, një përfundim sipërfaqësor që luftën e vërtetë vetëm e ka filluar dhe e ka lënë në mesin më të keq të mundshëm.

‘’Zana’’, trajton fatin e disa personazheve që edhe pse të lidhur ngusht me njëri tjetrin, funksionojnë ndaras në dhimbjen e përbashkët.

Një burrë, fëmija i të cilit është mbytur në luftë, personazhi i të cilit ka ngecur në mes dhimbjes për fëminë e humbur, nënës si autoritet dhe gruas që e dashuron aq shumë. Në anën tjetër një grua e cila ka harruar të jetë njeri ose të paktën të funksionoj si e tillë. Dhe vjehrra e saj, e cila sikur të mos ishte në dijeni për përjetimet e nuses së djalit të saj, merr të gjitha vendimet për fatet  e jetën e këtyre dy të fundit.

Kur dhimbja, trauma, mendësia patriarkate, vuajtjet e sakrificat bien të tëra mbi kokën e dikujt që ka përjetuar humbjen më të madhe që një njeri mund të përjetojë, atë të fëmijës, dhe edhe pse në film personazh kryesor, fati i saj brenda familjes trajtohet si dytësor.

Një film plot emocion, që pa doreza tregon mendësinë patriarkate që akoma mbizotëron në vendin tonë. Ku fati i gruas është në dorën e të gjithëve, përvecse në duart e saj, ku vlera e saj si njeri matet me faktin e të qenurit apo të mos qenurit nënë.

Antoneta Kastrati, në raport me personazhin kryesor, të realizuar aq mirë nga Adriana Matoshi, për KultPlus potencoi se Adriana ka një fytyrë paqësore të butë, por që aty fshehet një agresivitet që nuk vihet shumë re.

‘’E kam hetuar në fillim, kur Adriana e ka lexuar skenarin, se kjo është e duhura për këtë personazh, deklaroi më pas Kastrati.

Kastrati gjatë konferencës për media, u shfaq e kënaqur për punën e realizuar nga aktorët dhe i gjithe stafi. ‘’Kam dashur të tregoj atë pjesën e pasluftës që nuk shihet. Në kulturën tonë, e humb vlerën si grua, nëse nuk bën fëmijië, ka shumë presion për të qenë nënë’’, pohoi ajo.

Adriana Matoshi, që në këtë rol erdhi më ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim, një grua me një hije melankolike mbi fytyrën e saj, gjatë gjithë kohës.

Ajo tregoi për vështirësitë e realizimit të rolit të saj, mirëpo pohoi të jetë ndarë e kënaqur me realizimin e tij. ‘’Është njëri prej roleve më të vështira që kam realizuar deri tani, mirëpo, edhe më i dashuri. Parase të fillojmë me xhirime, unë bashkë më Antonetën kemi shkuar të varrezat dhe ajo ma ka treguar të gjithë ngjarjen e familjes së saj.’’, deklaroi ajo.

Sevdije Kastrati, producentja e filmit, u shpreh se, në momentin që e kishte lexuar skenarin, e kishte parë edhe filmin.

‘’Ky film ka një rëndësi të madhe, është I inspirruar nga një ngjarje e vërtetë, prej jetës tonë private. Ajo cka trajtohet në film është shumë me rëndësi, sepse fakti që ke humbur, është në dorën e gruas se a dëshiron të ketë fëmijë prapë apo jo’’, vazhdoi më pas ajo.

Filmi ‘Zana’ do të filloj të shfaqet nga data 20 shtator në Cineplexx.

Mbështetësit kryesorë financiarë të filmit janë Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri), Panavision New Fimmaker Grant, SFFILM Rainin Grant, Light Iron dhe komuna e Pejës.

Producent i filmit ZANA është Casey Cooper Johnson dhe bashkëproducentē Sevdije Kastrati me Crossing Bridges Films (Kosovë), Dritan Huqi me On Film Production (Shqipëri), dhe Miguel Govea dhe Brett Walker nga Alief. Në rrolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Çun Lajçi, Ilire Vinca etj./KultPlus.com

Filmi ‘Zana’ fiton çmimin kryesor në Midpoint

Filmi i metrazhit të gjatë ‘Zana’ i cili në thelb të rrëfimit ka luftën e fundit në Kosovë, ka fituar çmimin kryesor në Medpoint, shkruan KultPlus.

19 skenaristë dhe producentë kanë marrë pjesë këtë vit në Midponit Feature Lunch, me projekte filmike të metrazhit të gjatë. Në këtë garë çmimin në vlerë prej 8 mijë eurove e ka fituar filmi ‘Zana’ me skenar dhe regji të Antoneta Kastratit.

Çmimi është dhënë në Pragë dhe është çmimi kryesor i kësaj gare.

Ky projekt filmik i Shtëpisë filmike “Crossing Bridges Films, me skenar dhe regji të Antoneta Kastratit dhe producent Casey Cooper Johnosn, ka gjetë mbështetje edhe në Shqipëri ./KultPlus.com