Shqipëria dhuron libra shqip në Itali

Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, ka njoftuar se tashmë janë dërguar librat e gjuhës shqipe në Itali. Perveç Italisë librat janë shpërndarë edhe në disa shtete tjera ku diaspora shqiptare jeton në numër më të madh, shkruan KultPlus.com

“Mbërritën në Itali, Abetaret dhe Librat e gjuhës shqipe, tekstet shkollore falas të dërguara nga Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të jashtme dhe Postën Shqiptare. Puna për shpërndarjen sa më shpejt sipas shkollave të gjuhës shqipe atje, ka filluar”, ka shkruar Majko në Facebook.

Në Fushë-Kosovë sot fillon Festivali Ballkanik i Folklorit

Sot në Fushë-Kosovë fillon edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Folklorit.

Festivali fillon në ambientet e shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë.

Para fillimit të festivalit, nga ora 18:00, përgjatë rrugës “Dardania” do të mbahet defileu i pjesëmarrësve të Festivalit.

Në këtë festival do të marrin pjesë ansamble dhe grupe nga Shqipëria, Kroacia, Bullgaria, Turqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova./KsP /KultPlus.com

Filofobia: Frika nga dashuria

Shumica e njerëzve kanë nevojë për dikë që ta ndajnë jetën dhe ti ofrojnë njëri tjetrit dashuri dhe në përgjithësi ti ndajnë emocionet sëbashku. Megjithatë, ka disa nga ne, të cilët jo vetëm që ndihen të frikësuar të ofrojnë dashuri apo të bien në dashuri, por madje në shumë raste kjo frikë mund të përcillet dhe të jetë burim i ankthit. Kjo gjendje me fjalë tjera quhet “philofobia”(filofobia) apo frika irracionale nga të rënit në dashuri.

Fjala vjen nga gjuha e vjetër greke, ku “filos” do të thotë dashuri, apo të duash. Një person që vuan nga filofobia do tu shmanget lidhjeve emocionale dhe në përgjithësi jetës romantike. Kjo frikë në shumë raste nuk mbetet thjesht vetëm një frikë por mund të zhvillohet dhe manifestohet edhe me probleme fizike dhe mund ta detyrojë personin e caktuar që tu shmanget raporteve kuptimplota dhe të shëndosha gjatë gjithë jetës.

Filofobia konsiderohet si një nga fobitë më të pazakonta. Një nga rastet më të njohura përgjatë historisë që mendohet të ketë vuajtuar nga filofobia është mbreterësha e Anglisë, Elizabeta I (shek.16). Në disa raste ajo kishte disa raporte të afërta me disa persona, madje ishte edhe afër martesës, por në fund megjithatë nuk e theu barrierën e saj. “Mbretëresha e virgjër”, kishte në shërbim të saj një numër të madh burrash por me të cilët nuk bëri kurrë asgjë. Madje ajo shpesh thoshte se “më parë do jetoja si një lypësare dhe beqare se sa mbretëreshë e martuar”. Mbretëresha Elizabetë ishte një grua e fuqishme dhe sypatrembur por si duket dashuria dhe martesa ishin dicka që e tmerronin.

Shkaqet e filofobisë

Sikurse edhe rastet tjera të fobive, edhe filofobia mund të ketë disa shkaktarë. Një përvojë traumatike dhe e pakëndshme mund të jetë një nga shkaktarët e saj. Në rastin e mbretëreshës Elizabetë, studiuesit thonë se fobia e saj mund ti ketë rrënjët në traumën që përjetoi kur nëna e saj, Anne Boleyn u ekzekutua nga babai I Elizabetës, mbreti Henry VIII, për shkak të dashurisë. Njerëzit që përjetojnë në fëmijërinë e tyre divorcin e prindëve, dhunën në familje, apo gjëra të ngjashme mund të jenë viktima të filofobisë në moshë madhore. Madje mund të ndodh që edhe nëse jemi dëshmitarë të problemeve të dikuj tjetër, tek ne të zhvillohet ankthi kur mendojmë për dashuri dhe lidhje emocionale.

Filofobia mund të shkaktohet edhe nga shkaqe kulturore dhe religjioze. Shumë kultura dhe religjione në raste të caktuara i ndalojnë raportet intime mes gruas dhe burrit, mes personave me seks të njejtë apo ndonjë raporti të thjeshtë romantik. Në shumë raste personat që i shkelin këto rregulla normative mund ta pësojnë keq. Pra është shumë e logjikshme që tek personat të cilët përjetojnë këtë dhunë dhe presion psikologjik nga shoqëria dhe familja të zhvillohet ankthi dhe paniku në raste kur bëhet fjalë për lidhje dashurore dhe emocionale.

Frika nga refuzimi dhe divorci mund t’ua pamundësojë personave që kanë filofobi që të hyjnë në raporte me të tjerët. Sikleti që e kaplon njeriun në këto situata është i mjaftueshëm që ta ndalojë atë të hyjë në raporte më intime dhe të përjetojë afërsi emocionale me dikë tjetër. Tek këta njerëz formohet një barrier psikologjike në formën e një mekanizmi mbrojtës. Njerëzit që paraprakisht kanë vuajtur nga depresioni dhe ankthi, mund të jenë viktima edhe më të lehta nga filofobia për shkak të nivelit të ulët të vetbesimit dhe mendimit negativ që mbizotëron në mendjet e tyre. / KultPlus.com

“Viennale” prezantohet me filmin shqiptar

Posteri i retrospektivës në kuadër të 80-vjetorit të luftës II Botërore, është një surprizë. Kinemaja shqiptare e para viteve ’90-të, do tw përfaqësohet me filmin shqiptar “Nusja edhe shtetrrethimi”, do të shfaqet në “Viennale” të Austrisë , ndërsa një nga imazhet e këtij filmi, është përzgjedhur si poster i këtij aktiviteti.

Një nga imazhet e rralla, që ruhen në Arkivin Qendror të Filmit për prodhimin kinematografik, të realizuar para dyzet vitesh, “Nusja edhe shtetrrethimi” me skenar nga Helena Kadaresë dhe regji nga Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj, do të shfaqet në “Viennale” të Austrisë. Drejtoresha e Arkivit Qendror të Filmit, Iris Elezi, rrëfen për “ReportTV”, se ky film është përzgjedhur për të qenë pjesë e programit të filmave evropianë, që trajtojnë luftën II Botërore.

“Pas 41 vjetësh, na lumturon fakti se, “Nusja edhe shtetrrethimi” do të shfaqet në Viennale – një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore për kulturën. Me rastin e 80-vjetorit të Luftës II Botërore, jo vetëm do të shfaqet filmi, rast me të cilin janë të ftuar skenaristja Helena Kadare edhe regjisori Kristaq Mitro, por ishte pikërisht një nga imazhet që ruhen në ërkivin e të këtij filmi, që u bë posteri kryesor i kësaj retrospektive ndëreuropiane, më të madhes që është bërë ndonjëherë. Nga tetori deri në dhjetor do të shfaqen filmat më të mirë, mes tyre edhe “Nusja edhe shtetrrethimi”, shprehet drejtoresha e AQF-së, Elezi.

Sipas Elezit, që e konsideron arritje prezantimin e kinemasë shqiptare të para viteve ’90-të në konkurse ndërkombëtare, ata që nuk e vlerësojnë sot filmin shqiptar, nuk e njohin atë si duhet.

Të gjithë ata që nuk e studiojnë, nga maja e thanës e kanë shumë kollaj të flasin për diçka që nuk e kanë parë nga afër. Vetëm kur ulesh edhe e shikon filmin tri here, mund të japësh një mendim kritik. Në formën sesi është shfaqur filmi shqiptar në këto vite tranzicion, me atë cilësi të dobët, kohë edhe pa kohë, pa u vendosur asnjëherë në një kornizim historiko-social-politik. Është shumë kollaj, sidomos nga mendjelehtët e këtij kombi, që të hedhësh poshtë punën që ka bërë Kinostudio “Shqipëria e re”, pavarësisht vështirësive teknologjike që ata kanë hasur”, tha Iris Elezi.

Para tre vitesh, Elezi titronte “Nusja edhe shtetrrethimi”, nuk ishte në këtë përgjegjësi që ka sot. Por, sërish, ajo mendon se: “Shumë pak që jetojnë nën qiellin shqiptar e njohin filmin shqiptar siç duhet. Janë ulur edhe janë rritur me të. Kur e titron një film, ti zbërthen të gjitha zgjedhjet që janë bërë me të. “Nusja edhe shtetrrethimi” është një nga filmat që ne kemi shtyrë më shumë, sepse dyshja Mitro edhe Muçaj, në dy filmat që kanë bërë, “Nusja edhe shtetrrethimi” edhe “Dimri i madh”, ia kanë dalë që të tregojnë dhimbjen e një populli, pa u futur shumë në propagandë. Edhe njëherë e nënvizoj, tanët nuk e njohin filmin shqiptar. Sikundër çdo gjë tjetër sipërfaqësore në kulturën tonë i hedhin fjalët kollaj. Por unë e di shumë mirë, që vetëm këtë vit mbi 5 000 mijë shpirtra të huaj kanë parë retrospektivat tona në Vjenë, Linz dhe Romë. Kur të vijnë 5 000 shpirtra shqiptarë, që ta ndjekin filmin, atëherë do të isha gati që t’i dëgjoja ata”, – shton më tej Elezi.

Regjisorja ndalet edhe tek disa nga prioritetet e këtij sezoni, si drejtuese e Arkivit të Filmit

Që në datë katër shtator, prezantuam në Arkivin Qendror të Filmit dy aktivitete të mëdha, prezantuam dy premiera shqiptare, të një filmi të animuar edhe të një filmi të shkurtër, me regji nga Petrit Ruka. Ndërkohë në Mantova të Italisë, në Festivalin e Letërsisë, AQF ka qenë pjesë e grupit të punës dhe disa nga dokumentarët tanë më të rëndësishëm i prezantuam për të gjithë spektatorët italianë edhe shqiptarë. Sakaq, këtë javë, festivali ”Cinema” i Ulqinit, do të mbyllet me filmin e restauruar të Arkivit, “Dorëzimi i Shkodrës”. Fundi i këtij muaji, sjell retrospektivën e regjisores austriake Ruth Beckermann, që konsiderohet sot, një nga regjisoret më të rëndësishme të dokumentarit. Ndërsa, me Universitetin e Arteve edhe Muzeun Kombëtar, do të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi”, – vijon më tej Elezi.

Filmi “Nusja edhe shtetrrethimi” do të prezantohet më 2 nëntor në Austri. Në këtë film, artistët në role janë: Rajmonda Bulku – Shpresa, Llazi Serbo – kapiten Edgar, Thimi Filipi – xhaxha Jani karrocieri, Sotiraq Bratko – Petriti, Kastriot Çaushi – Fatmiri, Gjergj Lala – Gjergji, Marta Burda – bashkëshortja e xhaxha Janit, për të vijuar edhe me aktoret Behije Çela, Pavlina Mani, Zyliha Miloti e Vitore Nino. Muzika e filmit mban autorësinë e Kujtim Laros, ndërsa piktor është Azis Karalliu. /KultPlus.com

Kruja historike, destinacion i turistëve nga e gjithë bota

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet e pakta turistike në Shqipëri që të çon në periudhën arkitekturore osmane.

Si një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të këtij qyteti, Pazari i Vjetër i Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.

Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Në këtë zonë turistike janë të vendosur tregtarë dhe artizanë që ofrojnë për turistët dhe vizitorët artikuj e sende të ndryshme, duke filluar nga enët e bakrit, qilimat, veshjet me motive kombëtare, qeleshet, aksesorë të ndryshëm me motive kombëtare, suvenire e tjerë.

Pazari i Krujës është një destinacion shumë atraktiv për turistët, ku krahas arkitekturës së veçantë ofron edhe shërbime të ndryshme karakteristike dhe historike.

Në të gjenden dhjetëra dyqane që ofrojnë një shumëllojshmëri të objekteve dhe që në Shqipëri janë edhe unike.

Në zonën ku shtrihet Pazari i Krujës janë realizuar edhe punime restauruese, ku projekti restaurues i të gjitha dyqaneve përfshin çatitë, fasadat, ndriçimin dhe sinjalistikën, punime nëntokësore si dhe përmirësimin e kalldrëmit të një prej vendeve historike të veçanta në Shqipëri.

Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, Muzeu Historik si dhe Muzeu Etnografik. /KultPlus.com

Ylli i “Game of Thrones” Emilia Clarke në komedinë romantike “Last Chrismas”

Nëse ende nuk e keni harruar fundin e “Game of Thrones”, lajmi i mirë është se së shpejti do të mund ta shihni Emilia Clarke në komedinë e re romantike të titulluar “Last Christmas”.

Filmi i ri romantik për Krishtlindjet mbërrin në nëntor, duke i sjellë të gjitha që i kemi mësuar në komeditë romantike, nga aktorët e shkëlqyer, muzika e shkëlqyer, e deri tek tregimi simpatik.

Ky film nuk e mban rastësisht titullin e këngës së George Michael, sepse është frymëzuar pikërisht nga muzika e këngëtarit të famshëm.

Regjinë e “Last Christmas” e ka bërë Paul Feig, sipas skenarit të shkruar nga Emma Thompson dhe Greg Wise.

Filmi e sjell tregimin për Kate, të cilën e luan Emilia Clarke, e cila përpiqet të depërtojë si këngëtare pas transplantimit të zemrës, por për shkak të të gjithave që i ka kaluar, ajo nuk ka edhe shumë vullnet për jetë, shkruan KOHA Ditore. Duke punuar si elfe në dyqanin e Krishtlindjeve, ajo do të hasë në Tomin, me rol të Henry Golding, me ç’rast jeta e saj ndryshon tërësisht. Së bashku me Tomin, Kate do ta dojë jetën përsëri.

Image

Është interesante se në film nënën e bukuroshes Kate e luan Emma Thompson. Në rolet e tjera do ta shohim Michelle Yeoh, Patti LuPone, Ingrid Oliver dhe Lydia Leonard.

Gjykuar nga traileri i filmit, na presin shumë buzëqeshje dhe dashuri. Premiera e “Last Christmas” është planifikuar për 8 nëntor të këtij viti. /KultPlus.com

Shqipëria dërgon filmin “Delegacioni” në Oscar

Komisioni i ngritur nga QKK ka vendosur unanimisht me shumicë absolute votash, në votim te hapur, të zgjedhë filmin «Delegacioni», me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të Artan Minarollit, si kandidatin e sivjetshëm shqiptar për “Filmin Artistik Ndërkombëtar” më të mirë në AMPAS.

Pas premierës fitores së çmimit të madh në Varshavë, “Delegacioni” është përzgjedhur ndërkohë në mbi 16 festivale ndërkombëtare, në të cilat ka fituar 11 çmime. /KultPlus.com

Charlie Hunnam në serinë e parë pas “Sons of Anarchy”

Charlie Hunnam e ka fituar rolin kryesor në serinë e Apple, “Shantaram”, e cila do të xhirohet sipas romanit me po të njëjtin emër të Gregory David Roberts.

Apple ia ka dhënë serisë dritën e gjelbër dhe do të jetë produksioni i parë ndërkombëtar për Apple TV+ pasi i kishte blerë të drejtat për romanin në fjalë qershorin e kaluar. Romani i vitit 2003 bën fjalë për Lin (Hunnam), njeriun i cili arratiset nga një burg australian dhe planifikon ta fillojë jetën nga e para në Bombay në Indi. Lin atje duhet ta ndërtojë jetën pa familje, miq dhe pa emrin e tij, por megjithatë atje do ta gjejë fatin e vet. Romani është përkthyer në 39 gjuhë dhe është shitur në 6 milionë kopje.

Skenarin për serinë e shkruan Eric Warren Singer, i cili do të jetë edhe njëri nga producentët ekzekutivë, ndërsa Justin Kurzel do ta bëjë regjinë e dy episodeve të para nga 10 sa janë planifikuar. Shantaram është dashur të adaptohej qysh më parë kur Warner Bros i bleu të drejtat për librin, ndërsa në rolin kryesor është dashur të shfaqet Johnny Depp. Skenari ishte shkruar nga autori i romanit, gjë që në fund nuk rezultoi mirë dhe me këtë rast u angazhua një skenarist i ri. Projekti hasi edhe në vështirësi të tjera, u largua regjisori, skenaristi duhej ta rregullonte përsëri skenarin për shkak të buxhetit më të vogël, ndërsa Depp nuk gjeti më dot kohë në agjendën e vet. Në vitin 2013, u bë e ditur se Joel Edgerton do të shfaqej në rolin kryesor, por që atëherë nuk ka pasur më lajme për projektin.

Image

Hunnam për shumë adhurues është më i njohur për rolin e tij si Jackson ‘Jax’ Teller në serinë Sons of Anarchy, e cila i kishte shtatë sezone dhe përfundoi në vitin 2014. Në ekranin e madh atë e kemi parë në filmin fanta-shkencor “Pacific Rim”, dramën biografike “The Lost City of Z”, dhe në aksion aventurën e Guy Ritchie, “King Arthur: Legend of the Sword”. Hunnam edhe një herë u bashkua me Ritchin në filmin aksion kriminalistik “The Gentlemen”, i cili është në post-produksion dhe i cili në kinema mbërrin në fund të janarit të vitit 2020, ndërsa në të luan me Matthew McConaughey.

Xhirimi i serisë “Shantaram” do të fillojë në tetor të këtij viti, ndërsa do të xhirohet në Victoria, Australi, në burgun e dikurshëm HM Prison Pentridge dhe në një studio në Melbourne. /KultPlus.com

Prona luksoze nga filmi ‘Godfather’ del në shitje për 135 milionë dollarë

Prona në Beverly Hills, e njohur nga filmi ‘Godfather ’ është përsëri në shitje, kësaj radhe me kosto prej 135 milionë dollarësh.

Shitja e kësaj vile madhështore është provuar disa herë, por ende nuk është realizuar. Ajo u ofrua në vitin 2007 me një kosto 165 milionë dollarë dhe në vitin 2016 kishte çmimin 195 milionë. Askush nuk doli me oferta dhe pronarët tani e ofruan atë me një çmim pak më të ulët dhe ‘më të përballueshëm’. /KultPlus.com

Nëse ti më harron

Poezi nga Pablo Neruda

Përktheu: Elida Buçpapaj

Ti e di se si është kjo:
nëse unë vështroj
në hënën e kristaltë, në degën e kuqe
të vjeshtës të ngadaltë në dritaren time,
nëse unë prek
pranë zjarrit
hirin e imët
ose trupin e rrudhosur të drurit,
gjithçka më sjell tek ty,
sikur gjithçka që ekziston,
aromat, dritat, metalet,
të ishin anije të vogla
që lundrojnë
drejt atyre ishujve të tu që më presin mua.

E pra tani,
nëse pak e nga pak ti ndal të më duash,
unë do të të ndal të të dua pak e nga pak.

Nëse papritmas
ti më harron
ti do të ndalësh të më kërkosh
sepse unë do të të kisha harruar tashmë.

Nëse e mendon gjatë dhe marrëzisht,
erën e flamujve
që kalon përmes jetës time,
dhe ti vendos
të më lësh mua në bregun
e zemrës ku i kam rrënjët e mia,
mos harro
se atë ditë.
se atë orë,
unë do të ngre krahët e mi për fluturim
dhe rrënjët e mia do të çrrënjosen
në kërkim të një toke të re.

Por
nëse çdo ditë dhe,
çdo orë,
ti e ndjen se je fati im dhe unë jam fati yt,
me buzëqeshjen që s’të shqitet,
nëse çdo ditë një lule
ngjitet në buzët e tua duke më kërkuar,
ah dashuria ime, ah vetja ime,
tek unë është kthyer rishtaz zjarri,
tek unë asgjë s’është fikur dhe as harruar,
dashuria ime ushqehet prej tëndes dashuri, e dashur,
dhe deri sa ti të jetosh do të jetë në krahët e tu
shtrënguar e lidhur pazgjidhshëm me të mijtë

Kur Shqipëria shkëlqente në skenat botërore (FOTO)

Agim Krajka dhe Vaçe Zela me Ansamblin e Shtetit, në vitet ’80-të, kohë kur turnetë artistike nga Ansambli, zinin një pjesë të rëndësishme të programit të tyre.

Mes pjesëmarrësve bien lehtësisht në sy, e madhja Vaçe Zela dhe kompozitori i shquar i muzikës së lehtë, Agim Krajka. Fotot janë realizuar në vitin 1988, para dhe gjatë shfaqjes së Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë, në një qytet të Austrisë.

Në këto imazhe bie në sy prania e këngëtares legjendare Vaçe Zela, Agrim Krajkës, mjeshtrit të ndjerë Rexhep Çeliku, partneres së tij Lili Cingu, si dhe vallëtarë, instrumentistë dhe anëtarë të delegacionit shqiptar. Fotografitë u publikuan për herë të parë, nga gazetari dhe studiuesi, Armand Plaka. /KultPlus.com

Kalaja e Artanës vazhdon të shkatërrohet nga dita në ditë, thonë ekspertët

Kalaja e Artanës vazhdon të shkatërrohet nga dita në ditë.

Për këtë gjendje të rëndë të këtij objekti që daton nga shekulli XIII, drejtuesit e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, fajtore e kanë lënë kompaninë nga Serbia “Koto”, e cila sipas tyre, po kryen punë joprofesionale.

Gjatë takimit konsultativ lidhur me punimet në këtë kala, Ismet Hajrullahu, drejtor i këtij Instituti, ka kërkuar ndihmën e të gjitha institucioneve për mbrojtjen e këtij monumenti.

Aty u tha se ekzistojnë dëshmi të shumta se kjo kompani ka shkaktuar dëme të pariparueshme në gjetjet e artefakteve dhe për këtë, u kërkua përgjegjësi.

Të pranishmit në këtë debat, patën mospajtime mes vete, pasi drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha tha se punimet nga kjo kompani po politizohen.

Në vitin 2015, UNESCO, pjesë e të cilit nuk është Kosova, përmes Serbisë, i kishte dhënë të drejtën për restaurim të Kalasë së Artanës kompanisë KOTO nga Beogradi.

Pas një pune 3-vjeçare, e cila ka kosto mbi 1 milion euro, kalaja ka filluar të shkatërrohet gradualisht e gjithashtu, edhe pse ishte vendosur që punimet të ndërpriten, ato janë duke vazhduar. /Koha.net /KultPlus.com

Dua Lipa në kopertinën e revistës “Vogue Spain”

Këngëtarja shqiptare me renome ndërkombëtare Dua Lipa, është personazhi i preferuar i shumë prej revistave me nam botëror.

Së fundmi, ajo ka pozuar për revistën e famshme “Vogue” në edicionin e saj spanjoll.

Ajo ndau me ndjekësit e saj në rrjetin social Instagram, setin më të ri ekskluziv me fotografi, të realizuara për “Vogue Spain”. /KultPlus.com

Dialog me shkrimtarin Sali Bashota

Poezia si teori e dashurisë

PYETJE: Pse shkruani?

PËRGJIGJE: Shkruaj ngase besoj në vetvete për të komunikuar me lexuesit, për ta mundur heshtjen dhe për të zgjuar pasionin e dashurinë për shkrimin. Më kujtohet, si fëmijë i vogël, çdo mëngjes e dëgjoja zërin e zogjve sa herë cicëronin në pemët e kopshtit tim në vendlindje dhe mendoja: si mund të rikthehej zëri i tyre në fjalë aponë vargje. Kjo ishte ëndrra ime e parë e fëmijërisë, e cila ndërlidhet edhe me frymëzimin tim të parë në jetë.

Gjithashtu, më kujtohet si fëmijë, sa herë binte shi, unë luaja me piklat e ngrohta të shiut të pranverës që pushonin në shikimin tim të ndezur dhe me plot gëzim me gishtin tregues i vizatoja në xhamin e avulluar të dritares fytyrat e njerëzve që i doja, si dhe sendet apo gjërat që më pëlqenin më së shumti, siç ishin: dielli, hëna, yjet, bora, lodrat, lulet, zogjtë, macja ime e bardhë etj. Aty, përbrenda atyre lojërave të çuditshme dhe të pakuptueshme, sikur mbijetonte prania ime, bashkë me fillimin e dashurisë për gjërat që i ndieja në shpirt, duke menduar për vijimin e ëndrrave të tjera edhe në ditën e nesërme.

Kjo ishte përmasa e çuditshme e idealitetit të fëmijërisë sime në vendlindje, me tërë ato kujtime më të dashura për vetveten, duke menduar se po bëja një rrëfim të jashtëzakonshëm, të përrallëzuar dhe të bukur artistik për të tjerët, madje duke besuar se kurrë realiteti nuk do të shembej në kujtesën time dhe, më në fund, se do të mbetej përgjithmonë i njëjtë e i pandryshuar.

Shtëpia ime e djegur, e cila s’është më, ishte e ndërtuar me gurët e Malit të Çetës, në të cilën dritarja e dhomës sime të gjumit e kishte pamjen nga lindja e diellit. Si fëmijë, gjithnjë mendoja se a u ngjajnë zogjtë shtegtarë njerëzve të mirë dhe si merren vesh zogjtë mes vete me gjuhën e tyre. Më vonë, kam menduar për pavdekësinë e cicërimës së zogjve. Atëbotë e pata pyetur Nënën: pse nuk varrosen zogjtë? Kureshtja ime rritej vazhdimisht, pasi kisha krijuar bindjen se zogjtë janë të pavdekshëm.

Në shkollën e Kijevës, në klasën e mësuesit tim, sa herë i vizatoja zogjtë në fletën e bardhë, më kujtoheshin cicërima dhe fluturimi i tyre, si dhe fjalët që ia kisha thënë Nënës. Këto ëndrra më flinin në shpirt, sikur të ishin mësimet dhe detyrat e mia të përditshme, por më vonë kam kuptuar se ato ishin frymëzime që buronin nga thellësia e shpirtit tim.

Duke i evokuar kujtimet nga fëmijëria, shpesh më përfytyrohen gjërat që i kam dashur më së shumti në jetë. Pa dyshim, ishin: zogjtë, shiu dhe lulet. Kjo ishte kënaqësia ime e paharruar e ëndërrimit në fëmijëri, ndërsa më vonë kënaqësi estetike e frymëzimit tim si poet.

Pse shkruaj? Shkruaj për ta shpalosur botën time në ballafaqim me imagjinatën, me jetën, me realitetin. Shkruaj për ta ndërtuar vizionin tim krijues në një pikë të ndjeshmërisë shpirtërore, e cila vazhdimisht lëviz përbrenda rrethit të kujtesës, për ta shtresuar magjepsjen e pambaruar të dëshirave.

Shkruaj për ta kuptuar më qartë rruzullimin e ndjenjave dhe të mendimeve që ikën nga një skaj në skajin tjetër, për ta zbuluar kuptimin e ëndrrave magjike, të cilat nuk mund të shpjegohen kurrë deri në fund, apo për t’i bashkuar kujtimet dhe përjetimet në një vend, i cili e kërkon bekimin e gjuhës poetike.

Shkruaj për ta kuptuar më qartë preokupimin tim krijues e ekzistencial: Pse Zoti është Një? Pse, pas krijimit të Tokës dhe Qiellit, u krijua Drita? Pse bien gjethet në tokë? Pse vyshkën lulet? Pse ikin zogjtë në vjeshtë? Pse fryjnë erërat? Pse ngjallen bimët? Pse ekziston frika? Pse dashuroj? Pse urrej? Pse ekziston realiteti? Pse gjithmonë e dua të vërtetën? Pse shpesh fjala kafshon dhimbjen e shpirtit? Pse, sa herë vdesin kujtimet, dheu i përpin lulet e bardha? Pse zhduket gjarpri duke e kafshuar vetminë e vet? Pse frymëzimi im shndërrohet në engjëll? Pse hiri i librave është testament i melankolisë sime? Pse e kam shkruar jetën time në albumin e grisur?

Pse shkruaj? Shkruaj për ta mundur vetminë dhe dhimbjen time në çastin e ndezjes apo të shuarjes së kujtimeve. Herën tjetër, shkruaj për t’i shpalosur përjetimet për gjërat që i ndiej në shpirt, për t’i rikthyer në ligjërim, në figurë, madje në kënaqësi të veçantë estetike. Kështu, figura e ëndërrimit tim, jo rrallë, më trondit zemërimin për diçka që nuk mund ta them dhe që nuk mund ta shkruaj. Është një zjarr i ndezur përbrenda shpirtit, i cili vazhdimisht përpiqet të shpërthejë në formën e vet, në mënyrën e vet, në çastin e vet. Dhe kur shpërthen, kërkon një harmoni të përjetshme plot natyrshmëri dhe vetëmohim.

Pse shkruaj? Shkruaj për t’i qetësuar shqetësimet e mia në raport me situatat e padurueshme, sepse jeta e përditshme, në njërën anë, i ka sfidat dhe të panjohurat, ndërkaq, në anën tjetër, ka edhe misionin e idealin e vet për ta nxitur procesin krijues, se si mund të thuhen apo të kuptohen gjërat e bukura apo gjërat e mërzitshme në një çast  frymëzimi përbrenda realitetit njerëzor.

Poezia ime synon ta shpjegojë me ndjenjat e saj aktin e shpërthimit të ideve dhe mendimeve, të cilat shqiptohen dhe sistemohen përbrenda një koncepti poetik dhe estetik, ku kujtimet, ëndrrat, përjetimet bashkëjetojnë në kohën dhe hapësirën e caktuar, në radhë të parë, për ta provuar ligjërimin e vet, qoftë edhe ngacmimin e një tabloje apo të një sfondi në çastin e imagjinuar apo në realitetin e përjetuar.

Pse shkruaj? Shkruaj për ta kuptuar fillimin e fundit të shëtitjeve imagjinare të metaforave poetike, të cilat frymojnë bashkë me simbolikën e tyre, edhe kur jam i përhumbur në meditimet e mia për dashurinë ndaj fjalës së shkruar.

Kur shkruaj, mundohem të qëndroj gjithmonë midis imagjinatës dhe përjetimeve, edhe kur vlerësoj edhe kur karakterizoj ndonjë fenomen apo çështje që ndërlidhet me artikulimin argumentues të parimeve të mia krijuese, sepse është thënë se çdo poet ka pikënisjen e tij të ndërgjegjësimit përbrenda sfidës së pambaruar për ta gjetur kuptimin, çelësin estetik të poezisë së vet. Prandaj, pikërisht për këtë arsye shpesh kam menduar, sikur ta kisha Një dhomë për vete si Virgjinia Vulfi…

                       PYETJE: Ç’ është krijimi i një poezie për ju?

                       PËRGJIGJE: Krijimi i një poezie, jo rrallë, është ringjallje e një kujtimi apo e një përjetimi që valëvitet gjithnjë në mendjen time për të shpërthyer në formën e vet, duke e kërkuar shkakun apo esencën e fenomeneve të pazbërthyera. Është një ëndërrim i pafund që e projekton botën e vet midis asaj që mund të thuhet dhe asaj që nuk mund të thuhet. Pa dyshim, është edhe një çast i ndërlikuar psikologjik që e ka estetikën e vet të pranimit apo të refuzimit ose, herën tjetër, estetikën e përsiatjes, siç do të thoshte Baumgarteni.

Në fakt, më pëlqen dhe e dua shumë këtë valëvitje të frymëzimit për ta kuptuar dhe për ta përjetuar formësimin e një imazhi, një tabloje, një situate, një momenti, kur synohet të zbërthehet domethënia e lumturisë njerëzore përmes shprehjes poetike apo e ideve të bukura, të rralla dhe të paharruara në jetën e përditshme.

Krijimi i një poezie është sikur përfytyrimi dhe shpërfytyrimi i bukurisë femërore, që e ka hijeshinë magjepsëse. Trupin. Mendjen. Shpirtin. Jetën. Dashurinë. Prandaj, bota e poezisë ka ngjashmëri me qëllimin dhe arsyen e njeriut për t’i kuptuar të mirat dhe të këqijat e jetës. Është shqiptimi më i fuqishëm i ndjenjave për ta prodhuar idealitetin estetik. Herën tjetër është një lloj i virtytit të etur, madje të pashpjegueshëm deri në fund, për ta kuptuar dhe për ta përjetuar edhe të tjerët, por jo të gjithë njësoj.

Krijimi i një poezie përfytyron pasionin dhe dashurinë, por edhe përmbysjen dhe zemërimin e frymëzimeve. Kur shkruaj, përpiqem ta ndërtoj botëkuptimin e ideve të mia, të triumfoj mbi situatat e mërzitshme dhe të padurueshme që më rrethojnë, për ta gjetur arsyen e fitores së poezisë.

Krijimi i një poezie është një tronditje e pafund shpirtërore në udhën e mundimshme dhe të panjohur të frymëzimit. Çdo poezi e ka gjithmonë një aspiratë të njëjtë: që të jetë sa më e bukur, sa më e qartë, sa më e kuptueshme. Fshehtësia e bukurisë së poezisë është kërkimi më i fuqishëm, mbase më tronditës, i krijuesit, i cili është vazhdimisht në zbulim të idealit të tij krijues. Të gjithë poetët gjakojnë bukurinë  ideale të poezisë së tyre, kurajën krijuese për të thënë diçka të çmueshme dhe që mbahet mend.

Krijimi i një poezie për mua është shtresim i shenjave të padukshme në shpirtin tim, të cilat synojnë të bëhen të dukshme, me kënaqësinë, me fuqinë dhe me domethënien e tyre. Fillimi dhe fundi i lojës me fjalët dhe me figurat në poezi prodhon shkakun e një vetëdijeje krijuese, e cila reflektohet përbrenda konceptit dialektik të ideve të mia, kështu që synoj të lëviz në drejtim të përsosmërisë së mendimeve, se si mund të shpaloset vetvetja në kohën dhe hapësirën e caktuar, për të treguar diçka të mrekullueshme dhe që pëlqehet, në radhë të parë, nga lexuesit. 

Po them, poetët e kanë të vështirë të ikin nga ekzistenca e dhimbjeve edhe kur shkruajnë për lumturinë e tyre apo për lumturinë njerëzore.

Krijimi i një poezie për mua është flijimi i vetmisë së pamjaftueshme nga thellësitë e padukshme të harresës, ashtu siç ka thënë Borhesi, “këmbim i fjalëve brenda një lloj ekuilibri midis tri elementeve: ndjenjës, frymëzimit dhe ritmit”.

Krijimi i një poezie për mua është durimi më i çmueshëm dhe më i shtrenjtë në botë që e ka vizionin e vet, i cili nuk mund të shpjegohet me fjalë. Prandaj, më pëlqejnë këto tri parime të Borhesit.

                           PYETJE: Kush, ose çka e frymëzon poezinë tuaj?

                           PËRGJIGJE: Poezinë time e frymëzojnë pajtueshmëria dhe papajtueshmëria e jetës me të gjithë përbërësit e saj. Fenomeni i frymëzimit, i trajtuar, fjala vjen, që nga Platoni në dialogun e tij me titullin “Ijoni ose mbi Iliadën”, ende nuk është shpjeguar përbrenda misterit të vet. Poezia krijon ambientin magjik, në radhë të parë, me funksionin e saj kuptimor, figurativ, stilistik, estetik. Poezia është pasioni dhe vetëdija krijuese më elitiste e letërsisë.

Poezinë time të parë e kam shkruar në klasën e katërt të shkollës fillore. Titulli i saj është “Nëna”. Po i citoj vargjet: Kur të zgjohem/ Në mëngjes/ Nënën time/ E përshëndes/ Nënën time/ Shumë e dua/ Ajo më ka rritur mua. Kjo është poezia ime më e dashur.

Poezia ime frymëzohet nga lumturia e jetës, mbase më shumë nga fati dhe dhembja e saj.  Dashuria. Atdheu. Nëna. Gruaja. Fëmijët. Vendlindja, Zogjtë. Lulja. Ëndrra. Trishtimi. Vetmia. Këto janë shenjat emblematike të preokupimit tim krijues. Ka edhe të tjera. Ka shumë.

Poezia ime ka shenjat e frymëzimit në ëndrrën e jetës së përditshme. Është një ballafaqim midis qetësisë shpirtërore dhe shqetësimit njerëzor. Pamjet e zymta të realitetit, midis së zakonshmes dhe së pazakonshmes, midis mundësisë dhe pamundësisë, midis besimit dhe mosbesimit, dëshiroj t’i projektoj brenda botës sime krijuese për, ta shpalosur një kërkim shpirtëror, i cili synon përjetimin e vet psikologjik dhe estetik.

Pse kam shkruar kaq shumë poezi për shpirtin, për dashurinë, për vjeshtën, për shiun, për vashën, për bukurinë, për vetminë, për trishtimin, për dhembjen, për vendlindjen, për zjarrin, për gjarprin, për vdekjen, për parajsën, për rruzullimin, për ëndrrat, për mallin, për dorëshkrimet e djegura etj., gjithmonë kam kërkuar botën e trazimit të shpirtit tim krijues në një situatë ku vargu im kërkon frymën dhe identitetin e vet, klithjen e një dhembjeje të bekuar të të menduarit.

Fjala vjen, një poezi imja, e shkruar për heroizmin e luftëtarëve të lirisë apo një poezi imja e shkruar për buzëqeshjen e përgjakur të vajzës së vrarë në luftën e fundit në Kosovë apo një poezi  imja e shkruar në korrik të vitit 2005 për mbrëmjen e paharrueshme në çastin e perëndimit të diellit në San Diego apo një poezi imja e shkruar në vjeshtën e vitit 1999 në çastin e lëkundjes së  gjetheve të blirëve të Prishtinës nga fryma e jugut apo një poezi imja e shkruar në çastin kur mora lajmin se barbarët serbë e kishin prerë me sëpatë  ftoin e vendlindjes sime, në gusht të vitit 1998, secila nga këto poezi ka në vete filozofinë dhe estetikën e vet. Gjithashtu, secila nga këto poezi projekton zjarrin e frymëzimit brenda laboratorit krijues, aktin e frymëzimit dhe procesin e krijimit, madje, pothuajse, shumica e figurave poetike synojnë bukurinë e harmonishme, mirëpo koha, hapësira, vendi, momenti nuk janë të njëjta, sikundër që as përjetimi estetik dhe psikologjik nuk është i njëjtë.

Frymëzimi im buron nga shpirti e rikthehet në shkrim, sikundër që është mall i pambaruar, i pakryer, që e ka përbrenda ndjesinë e vet. Nëse e përfytyron me dashuri e pasion, e strukturon në mendjen tënde, e bën të përjetshëm dhe gjithmonë e bart më vete: si dhembjen, si dashurinë, si mërzinë, si kujtimin, si ëndrrat, si fatin.

Nëse mund ta them kështu, unë përpiqem ta krijoj Teorinë e Dashurisë në poezi, duke e formësuar një përmbledhje të sistemuar të përjetimeve, të cilat e kanë dalldinë e vet magjepsëse në ballafaqim me të papriturat dhe të panjohurat dhe në këtë kuptim më duket se përputhet preokupimi im krijues në nxitjen e vazhdueshme të meditimit lirik: pse gjërat e bukura dhe të dashura dëshiroj t’i perceptoj me një pasion të virtytshëm me prirjen e imagjinatës, mirëpo gjithnjë përbrenda një soditjeje të shqetësuar.

Poezinë time e frymëzon plisi i bardhë i Babait tim, sikundër që edhe ëndrra e pazbërthyer për lirinë apo buzëqeshja e vashës me shikim në dritare, pastaj malli për kohën e humbur apo peizazhi i vendlindjes apo herën tjetër edhe shiu i vjeshtës apo malli për të dashurit e mi.

Në procesin krijues më ndodh të tërhiqem nga mendimi i parë në shenjë mohimi për atë çfarë kam shkruar. Ndonjëherë sikur e humb ecurinë e frymëzimit duke kërkuar me çdo kusht fjalën, imazhin, figurën e përshtatshme. Prapë rikthehem në fillim. Pas pak, sikur më trazon dhe më preokupon përsëri vetëm shpërthimi i parë i frymëzimit.

Jo rrallë më ka ndodhur që me javë të tëra apo me muaj të përpiqem ta zbuloj mënyrën më të përshtatshme dhe më të përsosur për mbarimin e një poezie sipas dëshirës dhe vullnetit tim, t’i braktis zbukurimet dhe himnizimet e pranishme, derisa t’ia gjej bekimin krijues, pra butësinë dhe ëmbëlsinë e saj. Kur nuk më del poezia aq shpirtërore, ashtu siç dëshiroj, disi nuk pajtohem, rebelohem dhe zhgënjehem me frymëzimin tim.

Çdo poet synon ta ketë formulën e vet të ngjizjes dhe të harmonizimit të frymëzimeve, pra ta krijojë sistemin e vet të mendimit, i cili do ta karakterizonte individualitetin e tij krijues. Dua të them se poezia është ekzistenca e një bukurie të pashpjegueshme deri në fund, e cila synon ta përmbysë kohën e ankthit dhe të vuajtjes dhe ta fuqizojë kuptimin e saj të figurshëm dhe stilistik.

Gjërat e kësaj bote mund të perceptohen përbrenda peizazhit të vet dhe përfytyrimi nga koha e tashme synon të mbizotërojë edhe në kohën e ardhme. Poezia ime përbrenda ka krenarinë kombëtare, por edhe alegorinë, simbolin, ironinë, kontrastin apo ekzistencën e etnosit, si dhe kulmin e trishtimit të mitit biblik të shqiptarëve në vitin 1999, i cili është projektuar përbrenda librit tim “Dalje nga trishtimi”.

Sikur jam mësuar me ekzistencën e dhembjes së poezisë sime për të depërtuar tek esenca e lirisë së saj. Ky është më shumë se fat krijues në një fatkeqësi njerëzore.

                      PYETJE: Ç’është krijimi i një libri me poezi për ju?

                      PËRGJIGJE: Krijimi i një libri për mua është kurorëzimi dhe ngadhënjimi i një dashurie shpirtërore me lloj-lloj shenjash, e cila e ka ecurinë e magjisë së vet. Prandaj, çdo libër imi ka historinë e vet të botimit, sikundër që ka edhe ditëlindjen e ngulitur në imagjinatën, në kujtesën dhe në frymëzimet e mia. Për më tepër, çdo libër imi ka biografinë e vet, natyrisht edhe mallin dhe dashurinë e veçantë. Jam përpjekur ta zbërthej këtë lidhje shpirtërore në jetën time krijuese përbrenda aventurës së përkufizimit të përjetimeve dhe kujtimeve në një kohë dhe në një hapësirë, e cila ka të bëjë me idealitetin e poezisë.

Krijimi i një libri me poezi për mua është lavdërimi i shqetësimit dhe i dhembjes sime krijuese. Pse ky lavdërim, do të më pyesni ju?

Sepse krijimi i një libri me poezi është ndërtimi i filozofisë së qindra apo mijëra ideve, ndjenjave, mendimeve, imazheve, situatave, figurave etj., të cilat grumbullohen përbrenda ligjërimit të poetit, në radhë të parë, për të formësuar botën e tyre, nga një perceptim i përditshëm i krijuesit në perceptimin e përjetshëm të lexuesve.

Kështu mendoj unë, sepse poezia është një proces i përhershëm i udhëtimit të frymëzimeve në mendjen e poetit. Mjafton të ndizet një shkëndijë nga trupi i saj për të shpërthyer tërë ajo fshehtësi e ngujuar aty. Fjala vjen, një përjetim i tillë më ka ndodhur kur e kam shkruar poezinë “Hyjnesha e Shiut” dhe shumë poezi të tjera.

Krijimi i një libri me poezi është kurorëzimi i një besueshmërie krijuese në vetvete, e cila ka fazat e caktuara të projektimit të ideve dhe e cila ka një qëllim estetik për të mbërritur deri te ndjeshmëria e lexuesit. Kështu që, çdo herë kur botohet vepra ime e re, e ndiej një çast gëzimi të papërshkruar. Jam shumë i lumtur kur e mbaroj me sukses një projekt timin krijues dhe kur të tjerët e pëlqejnë apo e adhurojnë.

Krijimi i një libri është hyrje në procesin e pajtimeve apo të mospajtimeve me vetveten përbrenda një metode apo koncepti krijues, ndërsa botimi i tij është dalje e mistershme nga ai proces, i vështirë dhe i ndërlikuar. Është vetëbesimi i përfunduar i poetit, pa dyshim, mrekullia e një dashurie të rrallë dhe të papërsëritshme në atë mënyrë, herëve të tjera.

Krijimi i një libri me poezi, për mua është ndërtimi i një botëkuptimi apo i një përvoje estetike personale, pastaj formësim i qëndrueshëm i një virtyti poetik, si dhe përmbysje e paradokseve dhe iluzioneve të shpifura, të cilat më preokupojnë vazhdimisht, kur nuk e njoh esencën e realitetit.

                  PYETJE: Ku shkruani më shpesh (në zyrë, në shtëpi, në kafene)?

                  PËRGJIGJE: Unë kam shkruar shumë poezi në vendlindjen time, kryesisht poezi me tematikë të dashurisë. Gjithsesi, ky do të ishte imazhi më ideal për çdo poet. Tashmë vetëm mund ta imagjinoj Bibliotekën time të djegur në vendlindje, më 2 gusht 1998, me sipërfaqe 36 m/2.

           Pa dyshim, është një ndjenjë e pashpjegueshme se si i shkruaja poezitë e mia në vendlindje. Sikur në çdo çast më tërhiqte një fuqi magjepsëse krijuese, e mbërthyer me mbresa e përjetime të pafundme në rrjedhën e bisedave me njerëzit e mi, prej të cilëve në ndeja të ndryshme kam mësuar që në fëmijëri se çka është fjala e vërtetë, dinjiteti njerëzor dhe besimi për lirinë.

Tani poezitë i shkruaj në banesën time në Ulpianë. Prishtina është vendlindja ime e dytë.  E ndiej se çdo ditë më mungon fryma e gjallë e ambientit të vendlindjes për ta konceptuar shkëlqimin e dritës së diellit apo fshehtësinë e ngjyrave të kopshtit tim, cicërimat e zogjve apo zërat e fëmijëve, si dhe “ikjen” në një kënd të dhomës për t’i lexuar librat e detyrueshëm, të cilët m’i kishte caktuar mësuesi në shkollë. Atëbotë, këto përjetime zgjoheshin çdo mëngjes në mendjen time, duke ndërtuar edhe një buzëqeshje të lumtur për prindërit e mi.

Pyetja ku shkruani, është një ndër pyetjet më të shpeshta që u është bërë shkrimtarëve. Secili shkrimtar ka sekondën, minutën, orën, ditën, stinën, hapësirën, vendin, kohën, ku dhe kur shkruan. Unë mendoj se procesi krijues i detyrohet një misioni shpirtëror dhe një shpëtimi nga harresa. Borhesi, kur e ka konceptuar Bibliotekën si një Parajsë, ka menduar edhe për vendin dhe hapësirën e shkrimit dhe të leximit.

Më në fund, çdo poet synon ta konceptojë dhe ta udhëheqë kohën dhe hapësirën e vet për të shkruar dhe për të botuar veprën e tij të re.

                    PYETJE: Si ndiheni para se të filloni të shkruani dhe si pasi të mbaroni së shkruari?

                    PËRGJIGJE: Siç thotë Harold Bloom në veprën e tij “Si dhe përse të lexojmë”: “letërsia imagjinare është tjetërsim dhe si e tillë e fashit vetminë”.

Unë shkruaj, pothuajse, gjithnjë nën ndjesinë e vetmisë dhe mund t’i përshtatem vetëm atij realiteti, kur nuk ka zhurmë dhe është qetësi. Pra, kërkoj qetësi në kohë-hapësirën që më rrethon dhe shqetësim të ndezur në shpirtin tim. Para se të shkruaj, më përfytyrohet një engjëll mbrojtës, i cili “sikur” qëndron gjithnjë afër meje. Do të thoni se ky është frymëzimi hyjnor, brenda të cilit shfaqet kuptimi i jetës njerëzore.

Procesi i të shkruarit është një akt solemn, që përbrenda shpirtit dhe mendjes ballafaqimin e fuqishëm midis ndjenjave dhe mendimeve. Ndërtimi i ideve dhe konceptimi i imazheve, pra sistemimi i tyre në laboratorin e krijuesit është gjëja më misterioze. Përpiqem ta zbuloj përmbysjen dhe ringjalljen, por edhe shkëlqimin e imazheve të ngulitura në një hapësirë të meditimit, në një çast të harmonishëm që e kërkon ekzistencën e fjalës për ta shqiptuar pasionin për botën e frymëzimit. Tek unë ekziston vetëm një arsye: si do të funksionojë ligjërimi im për ta kuptuar dhe për ta pranuar lexuesit: se poezia është pikëpamja më e fuqishme semantike në universin e fjalës poetike.

Kur e filloj shkrimin, sikur i bëj një lutje vetvetes për mbarësinë e aktit të frymëzimit, ndërsa kur e përfundoj, fuqimisht më pëshpërit në ndërgjegjen time krijuese rituali i besimit dhe i lumturisë për një vepër të kryer. Vërtet, është një ceremoni shpirtërore. I përmenda jorastësisht: aktin, ritualin, besimin, lumturinë, për t’i përforcuar mendimet e mia. 

Unë mendoj se poezia është shqetësim i ëmbël i shpirtit përbrenda shkëlqimit të vet enigmatik. Ndjesia nuk është gjithmonë e njëjtë, as kur i shkruan veprat e tua dhe as kur ua lexon veprat të tjerëve.

                    PYETJE: Disa nga poezitë dhe librat tuaj mbajnë në titull fjalën dorëshkrim: Pse

është kaq e rëndësishme kjo për ju?

                    PËRGJIGJE: Për mua dorëshkrimi është hyrje në zjarrin e ndjenjave dhe kuptimeve, të cilat e kërkojnë mikrobotën e tyre në një sfond të frymëzimit dhe të përjetimit. 

Dorëshkrimi është parabota e përfytyrimeve dhe e mendimeve që ruhen në vetvete për ta gjetur apo për ta zbuluar momentin e shpërthimit. Ky shpërthim shpërfaqet përbrenda tallazeve shpirtërore, duke i kërkuar idetë, temat, gjuhën, stilin, figurën, ligjërimin.

Dorëshkrimi është vetvetja e krijuesit, e riprodhuar në shumë variante dhe versione, ndërsa libri është përtej vetvetes, është i lexuesve. Që nga fillimi i krijimtarisë sime, gjithnjë e kam kërkuar dashurinë dhe pasionin, për ta shprehur botën time krijuese.

Dorëshkrimi i gjallë, dorëshkrimi i djegur, dorëshkrimi i ngjallur, janë tri kaptina të jetës sime krijuese. Prandaj, në veprat e mia të fundit dorëshkrimi ka kuptimin e një kulti të figuruar përbrenda procesionit të një dhembjeje shpirtërore, e cila funksionalizohet në kuadrin e dhembjes krijuese. Botën e dorëshkrimit tim dua ta kuptoj, jo vetëm si imagjinatë, por edhe si ndërgjegje krijuese.

Libri im “Dorëshkrimi i ngjallur”, si model letrar, sikur është trazuar me alkiminë e vet përbrenda meje, nga gjendja e caktuar shpirtërore për kujtimet e luftës, tashmë edhe si aventurë imja krijuese më dashunuese e udhëtimit të ringjalljes së kujtimeve dhe përjetimeve në vendlindjen time, midis së vërtetës dhe legjendës, midis jetës dhe vdekjes, midis lirisë dhe robërisë, nëse mund të them, është edhe një lloj i realizmit të vonuar magjik, i cili ndërlidhet me vetë përkushtimin e librit për Shpirtin e Babait.

Midis poezisë-prolog, me titullin “Ndezja e zjarrit” dhe poezisë-epilog, me titullin “Fikja e zjarrit”, në librin “Dorëshkrimi i ngjallur” jam përpjekur ta ndërtoj palimpsestin e dhembjes sime krijuese, e cila ndërlidhet me fenomenin e dorëshkrimit, tashti si figurë konceptuale. Këto shenja simbolike e simbolizuese marrin atribute të caktuara të figurshme dhe stilistike, mendoj si gjetje dramatike përbrenda ligjërimit tim poetik: zanafilla, trashëgimi, prova e zjarrit, letra e djegur, vallja e zogjve, forma tjetër e ngjalljes, lavjerrësi i ndryshkur, figura e fshehur, flaka e shpirtit, gjumi i parë i dashurisë, trajtat e uratës, zëri i humbur, legjenda e murosjes, djegia e mëkateve, ngushëllimi i pritjes, halucinacioni i dhembjes, shëtitja mbi vegimin e bardhë, vdekja heroike e ëndrrës etj. 

Dua të them një të vërtetë: Në fillimet e procesit tim krijues, kur i shkruaja herë pas here këto poezi, jo çdo ditë, kisha ndjenjën dhe idenë se ato mund të jenë “zbulim” i ëndrrave të mia më të dashura erotike. Nuk doli ashtu. Çuditërisht, përbrenda paragjykimit tim krijues triumfoi logjika e frymëzimit shpirtëror, e cila kishte të bënte me disa motive të patrajtuara nga unë deri atëherë në poezinë time dhe të cilat ndërlidheshin me paprekshmërinë e dhembjes për librat dhe dorëshkrimet e djegura në vendlindje.

Prandaj, unë mendoj se në vetëdijen e autorit procesi krijues i tij nuk ruan gjithmonë arsyetimin e mallit të parë, pra gjenezën e frymëzimit, kështu që historia e motërzimeve të dorëshkrimeve është e njohur nga autorë të mëdhenj në letërsi të ndryshme të botës. 

                PYETJE: Si shkruani (me dorë, me makinë apo me kompjuter)?

                PËRGJIGJE: Kanë thënë të tjerët: imazhi i paraprin modelit. Unë shkruaj gjithnjë me stilolaps në letrën e bardhë. Është një preokupim dhe ballafaqim i çuditshëm me hapësirën e bardhësisë dhe përpiqem të triumfoj mbi këtë hapësirë, duke e mbushur sa më parë me fjalë, të mbështjella me prirje idealiste.

Është një mision i çuditshëm i zjarrmisë shpirtërore, i cili vazhdimisht kërkon shtegun e shpërthimit, pra strehën e vet. Cilën fjalë, cilin mendim, cilën figurë, çfarë imazhi përpiqem ta vë së pari në procesin e frymëzimit? Nga fluturojnë mendimet, si gdhenden figurat, si harmonizohen ndjenjat, si shfaqen imazhet, si shprishen kuptimet, çfarë ndiej në shpirt, kur ballafaqohem me të papriturat? Poezia ka namin dhe prestigjin e vet, që të jetë idealiste, prandaj optimizmi apo pesimizmi i saj ndërvepron përbrenda shtresimeve kuptimore për ta saktësuar esencën e fuqisë së gjuhës.

Para tridhjetë vjetësh kam shkruar me makinë shkrimi. Zhurma e shkronjave tek përplaseshin në letrën e bardhë gjithnjë më zgjonte një ndjenjë të jashtëzakonshme. Më pëlqente shumë zhurma apo krisma e shkronjave. Dhe kur i vinte rendi pikës, sikur e ndieja një shqetësim për mungesën e asaj harmonie shkronjash e tingujsh në shpirtin tim, sepse i vinte radha pushimit të mendimeve të mia, ndërprerjes së një kërkimi.

I ruaj në vete shumë kujtime të dashura nga vitet e mia rinore, lidhur me makinën e shkrimit, të cilën ma kishte blerë Nëna dhe e cila u dogj bashkë me Bibliotekën time.

                PYETJE: A bazoheni në një gjendje apo në një informacion?

                PËRGJIGJE: Poezia është gjendje shpirtërore e krijuesit, sikurse edhe çast meditativ i tij, ndërsa informacioni është përjetim i lexuesit, raport që kërkon aktin e komunikimit edhe nga tjetri.

Gjendja, situata, imazhi, bëhen qëllim estetik për ta formësuar perceptimin subjektiv të realitetit jetësor. Pra, projektimi dhe karakterizimi i gjendjes, i momentit, i çastit në realizimin e një poezie bëhet përmes akceptimit psikologjik.

Megjithatë, frymëzimet e mia zgjohen nga një gjendje e caktuar shpirtërore, në të cilën mund të ndikojë edhe “pafajësia” e ndonjë informacioni, i cili do të kishte efekt të mirë apo të kundërt. Në këtë rast, në kërkimin e shenjave gjuhësore, motivimi më i madh dhe më i rëndësishëm për poetin do të ishte bartja e kuptimeve dhe mesazheve deri te ndjeshmëria e lexuesit. Ky është veprimi më i natyrshëm.

Tashmë gjendja vetvetiu shndërrohet në informacion, duke synuar shpalimin e botës krijuese të autorit në raport me universalitetin e krijimit dhe të pranimit të poezisë. Edhe e para (gjendja), edhe e dyta (informacioni) i referohen komunikimit, varësisht nga imagjinata dhe inteligjenca krijuese, që sot mund të kuptohen si teknologji e informacionit që ka të bëjë me hipermodernizmin.

Mund të them se poezia është një informacion i trilluar. Kështu kam menduar edhe kur e kam lexuar shkrimtarin dhe filozofin Maks Bense, njërin nga përfaqësuesit më të spikatur të estetikës së informacionit.

                        PYETJE: Cilat motive parapëlqeni t’i trajtoni?

                        PËRGJIGJE: Gjithnjë kam menduar si mund të shkruaj për triumfin e jetës mbi vdekjen apo për triumfin e lirisë mbi robërinë. Edhe kur i kam ëndërruar flokët e bukur të vashës së dashuruar në shiun e verës apo reflektimin e hënës në dritare në mbrëmjet e vona të vjeshtës, detyrimisht më ka shoqëruar shqetësimi krijues: pse jam kaq tepër i zemëruar me vetveten dhe pse jam kaq shumë i lumtur me poezinë.

Poezia ime ka shenjat e veta të veçanta që shpjegojnë lumturinë e vetmisë krijuese në kuptimin e figurshëm të saj. Zjarrmia e krijuesit në procesin e sistemimit të frymëzimeve është një shtegtim i pafund i imagjinatës në çastin e pazbërthyer të fshehtësisë së vezullimit shkëlqyes të frymëzimeve, ku shpërthejnë spontaniteti dhe besueshmëria e fjalës poetike.

Duke e përqafuar lojën e kuptimeve dhe të figurave, apo duke ndërlidhur kujtesën me kohën e fëmijërisë, mallin për kohën e humbur, ankthin e ditëve të zymta të rinisë, netët pa gjumë, domethënien e anekdotave të rrëfyera nga Babai apo mallëngjimin e përrallave të rrëfyera nga Nana, krijimi im është më shumë se një ëndërrim, përpjesëtimi i të cilit gjithnjë mbështetet në shenjat vetjake të frymëzimit. 

Motivet që përmbajnë histori dhe legjenda nuk më interesojnë shumë. Kryesisht në poezinë time i trajtoj motivet, të cilat ndërlidhen me realitetin ekzistues. Dua ta ndryshoj botën e këtij realiteti, përmasën e dhembshme, të panjohur dhe të pazbërthyeshme të tij. Nga unë motivet vështrohen në rrafshe të ndryshme, sidomos në rrafshin meditativ dhe erotik, por edhe në atë psikologjik. Pra, trajtimi i fenomeneve dhe problemeve nga jeta e përditshme është parapëlqimi im krijues. Aty, pothuajse, dëshiroj ta gjej fillin e domethënies së poezisë sime, perceptimin, gdhendjen, ndjeshmërinë, receptimin, pra të nesërmen e saj.

Nëse poezia është kërkim i një ideali apo synimi estetik, atëherë krijuesi gjithmonë para vetes ka lexuesin e përfytyruar. Asgjë të mirë, asgjë të bukur dhe të dobishme nuk mund ta bëjmë pa e pasur në ndërdije praninë e lexuesit.

Motivet e poezisë sime i parapëlqej, së pari, të strehuara në laboratorin tim krijues, për të vazhduar më tutje në realizimin e idesë, konceptit, temës e përbërësve të tjerë. Dua të them se nuk jam gjithmonë i qetë kur preokupohem me ndërtimin e poezisë sime. Kjo do të thotë se jam i shqetësuar. 

Shembulli i djegies së Bibliotekës dhe dorëshkrimeve të mia do të shoqërojë krijimtarinë time derisa të jem gjallë. Tragjikja dhe fatkeqësia janë bërë pjesë e pandashme e dhembjes sime njerëzore e krijuese. Kjo është njëra ndër sprovat më të tmerrshme për krijuesin, për ta kuptuar biografinë e realitetit të tij. Në fakt, ky realiteti imi i përjetuar, gjithsesi, në të ardhmen bëhet realitet historik për të tjerët. Prandaj, edhe tani, kur po i shfaq këto mendime, e kam një gjendje tjetër shpirtërore, në krahasim me përgjigjet e pyetjeve të parashtruara deri më tani.

Për t’i konkretizuar këto ide, po citoj poezinë time me titullin  “Dhe tani digjen librat”, e cila është shkruar më 2 gusht 1998, pikërisht në ditën kur është djegur Biblioteka ime. Këto janë vargjet: Dhe tani digjen librat/ Nëna vajton mbarimin e shpirtit tim/ Në parajsën ku fle trishtimi/ Hynë barbarët duke tërhequr zvarrë atdheun/ Lamtumirë vargje të pushkatuara/ Shkronja të djegura dorëshkrime të përgjakura/ Fotografi të fëmijërisë së humbur/ Ferri është më i bukur/ Se jeta/ Lamtumirë trishtim/ Dhe tani digjen librat.

Është një dhembje e papërballueshme, pothuajse, e vendosur midis fantastikes dhe metafizikës, por në fakt është dhembje reale.

PYETJE: Sa zgjat procesi i krijimit të një poezie?

                           PËRGJIGJE: Çdo poezi ka filozofinë e vet të krijimit. Në mendjen time me ditë të tëra i rrotulloj idetë, për t’i sistemuar konceptet dhe imazhet në ballafaqim me procesin e frymëzimit. Për më tepër, procesi i krijimit të një poezie mbase zgjat me javë të tëra apo edhe me muaj. Është një sprovë e dilemave dhe e anktheve, e shtresuar përbrenda motivimeve të autorit: si do të funksionalizohet gjuha, ligjërimi, figura, stili apo komunikimi e përjetimi gjatë dhe pas procesit të krijimit të poezisë.

Procesi i krijimit të një poezie është aventura e shenjave më të përveçme shpirtërore, të cilat hyjnë me pafundësinë e ndjenjave në botën e krijuesit. Po flas për krijimin e ideve, figurave, motiveve etj., si për krijimin e zjarrit, dritës, errësirës, vetmisë etj., derisa mendoj gjithmonë për ekzistencën e sensit estetik në poezi.

Fjala vjen, në shkurt të vitit 1997 kur e kam shkruar poezinë me titullin “Vjersha që po jepte shpirt”, ia lejova vetes një aventurë të çuditshme të dilemave dhe hamendësimeve, sepse fillimisht nuk u pajtova me idetë, ndjenjat, mendimet, figurat, të cilat ishin në këtë poezi. Të gjitha më dukeshin të pasakta, të ftohta, pesimiste, prandaj disa herë kam tentuar ta grisja këtë poezi. Megjithatë, nuk ndodhi asgjësimi i saj, edhe pse isha në një situatë të sikletshme. Mbijetoi imagjinata dhe durimi im, kështu që kjo poezi tani është, gjithsesi, njëra ndër poezitë më të dashura për mua. Po e citoj: Albulena tha: mos e gris/ Është poezi e mallit të parë/ Ankthi do ta zërë edhe nënën/ Besiana tha: mos e djeg/ Dhembjet e shpirtit s’kanë fund/ Dikush më vonë do ta vajtojë me lot/ Doruntina tha: mos e plagos/ Është mëkat të vritet vargu/ Sapo lind me klithmë/ Etleva tha: mos e përgjak/ Do të bien të gjitha kambanat e trishtimit/ Fjalë shpëtimtare më s’do të ketë/ Rozafa tha: mos e varros/ Vjershën që deshi pak atdhe/ Për shpirtin e vet.

Prandaj, me të drejtë, Orhan Pamuk ka thënë se “fshehtësia e shkrimtarit nuk është frymëzimi, por durimi i tij”.

                        PYETJE: Në ç’kohë të ditës shkruani (paradite, pasdite, në mbrëmje, apo në mesnatë) dhe cila është stina që ju frymëzon më shumë?

                        PËRGJIGJE: Koha e autorit është fenomeni më i veçantë në krijimtarinë e tij. Unë zgjohem në orët e hershme të mëngjesit. Çdo ditë lexoj, por nuk shkruaj çdo ditë. Pothuajse, gjithnjë shkruaj në mëngjes. Shumicën e poezive i kam shkruar në stinën e vjeshtës. Shiu dhe vjeshta janë shumë të pranishme në poezinë time. Gjithsesi, janë imazhe metaforike, të cilat e artikulojnë vizionin tim në poezi.

Po përmend vetëm disa poezi të shkruara për vjeshtën: libri i dytë poetik me titullin “Zogu me profil vjeshte”, pastaj poezitë: “Fundi i vjeshtës”, “Vjeshta e kollit të keq”, “Vjeshta në kryeqytet”, “Fundi i vjeshtës tjetër”, “Perëndim dielli në vjeshtë” etj.

Para disa vjetësh në një kumtesë time i kam dhënë disa mendime për kohën e krijuesit, duke e kërkuar konvencionin e saj në krijimtarinë e disa autorëve. Prandaj, çdo ide nismëtare për shkrimin, ndër të tjera, përcaktohet nga akti i frymëzimit dhe nga vetë koha kur shkruan autori: viti, stina, muaji, dita, nata, mëngjesi, mbrëmja, mesnata.

Në rrafshin tjetër të pikëshikimit modelet tematike, ideore, stilistike të veprave të veçanta, mund t’u nënshtrohen rrethanave ose kronikave të kohës, qoftë si kujtesë, mision, vizion përbrenda konceptit të shkrimit. Edhe atëherë kur flitet e shkruhet për kohën subjektive, edhe atëherë kur flitet e shkruhet për kohën objektive, koha e autorit apo koha personale, fiton konotacione të caktuara kuptimore, ideore, stilistike, figurative.

Në të gjitha periudhat letrare koha e autorit, detyrimisht, përcaktohet nga koha objektive, edhe pse ekziston një papajtueshmëri midis këtyre “dy kohëve” apo midis kohës imagjinative dhe kohës historike.

Përcaktimi i kohës për procesin krijues është një përvojë e rëndësishme personale për autorin. Kurrë nuk të mjafton vetëm çasti apo akti krijues për ta vendosur fillimin e shkrimit apo mbarimin e tij, edhe atëherë kur e shpreh frikën, shpresën, pikëllimin, gëzimin etj., natyrisht për ta kuptuar lexuesi se kjo është dinamika e filozofisë së krijimit.

                      PYETJE: Në poezinë tuaj dominon ngjyra e zezë, ndërsa vetëm vdekja është e bardhë. Pse ndodh ky paradoks? 

                      PËRGJIGJE: Parabola me idetë, me konceptet, me përjetimet, para së gjithash, është fshehtësia e krijimit, kur thuret e shthuret enigma e frymëzimit. Ngjyra e zezë dhe ngjyra e bardhë kanë domethënie të veçantë në perceptimin e njeriut, sikundër edhe në artin e poezisë. E bardha me të zezën, në rrafshin kuptimor e të figurshëm, janë gjithnjë në dyluftim, siç janë në dyluftim lumturia me tmerrin apo jeta me vdekjen. Madje, vargu poetik Vetëm vdekja është e bardhë është bërë edhe titull i librit tim në gjuhën angleze.

Në poezinë “Elegji” në librin poetik “Bukuri e nëmur”, e kam përcaktuar këtë dhimbje poetike me këto vargje: Çdo gjë është e zezë/ Dhoma e shndërruar në fantazmë/ Zogu i vrarë në çerdhe/ Hiri i dorëshkrimeve të djegura/ Floku i vashës në dritare/ Ora e ndëshkimit të fatit/ Vaji i nënës në shtëpinë e mallkuar/ Testamenti me dy metra tokë/ Vetëm vdekja është e bardhë.

Akti i ligjërimit këtu prodhon efekte të caktuara estetike përmes gjuhës dhe figurave shpjeguese, duke i shqiptuar situatat lirike në disa nivele: e zeza, dhoma, fantazma, zogu, hiri, dorëshkrimi, vasha, dritarja, ora, ndëshkimi, fati, vaji, nëna, shtëpia, mallkimi, testamenti, toka, vdekja, e bardha.

Në këtë poezi kam synuar ta ndërtoj poetikisht mbijetesën e shqetësimeve të përmallshme, të cilat lirizmit subjektiv i japin një pamje dramatike, ku mbizotëron e zeza në kuptimin semiotik bashkë me përbërësit tjerë, pos vdekjes.

Pra, për nga forma dhe substanca, poezia ime me titullin “Elegji”, ka mbivendosur ligjërimin antitetik nëpërmjet simboleve dhe shtresimeve gjuhësore, të cilat e simbolizojnë çastin e krijimit, kur vetëm vdekja është e bardhë. Prandaj, përmes kësaj teknike poetike kam synuar ta konceptoj përmasën e shfytyrimit të jetës njerëzore dhe daljen nga labirinti i ankthit krijues, siç do të bënin imazhistët.

Sidoqoftë, parabolën me idetë për ta krijuar një botë time krijuese e kam filluar para më shumë se tridhjetë vjetësh, si adhurues i poezisë së Lasgush Poradecit, i tregimeve të Mitrush Kutelit dhe i eseve të Faik Konicës.

Dua ta them edhe një fakt, se kjo poezi është interpretuar nga shumë studiues dhe është pritur mjaft mirë nga kritika letrare.

                    PYETJE: Në një poezi tjetër konstatoni se gjithçka është e bardhë, vetëm dashuria është e zezë. Pse?

                    PËRGJIGJE: Versioni tjetër i poezisë “Elegji” merr atributin e bekimit krijues, pikërisht në librin “Dorëshkrimi i ngjallur”, ku funksionalizohet dhe risemantizohet me figurat tjera, siç janë:  emri, fjala, lulja, ninulla, rruzullimi, dashuria etj., me titullin  “Elegji e bekuar”, duke e përcaktuar bardhësinë e frymëzimit përbrenda së zezës së vet. Në këtë poezi paradokset mdjekin njëri-tjetrin dhe bëhen bartës të idesë, për ta shpjeguar një poetikë të ligjërimit asertiv: Çdo gjë është e bardhë/ Emri yt i gdhendur në gurët e plagosur/  Ndryshku i fjalës së ndezur në shiun e vjeshtës/ Lulja e këputur në mjegullnajën e harrimit/ Ninulla e zjarrtë e lotëve të tharë/ Rruzullimi i hijeve në pasqyrën e thyer/ Flatrat e djegura të shqetësimittë mallkuar/ Puthja jote e vizatuar në trëndafilin e vdekjes/ Vetëm dashuria është e zezë.

Megjithatë, ana e ndritshme e frymëzimit ka edhe kontrastin e vet. Edhe përmbysjen. Edhe ringjalljen. Nëse bashkohen në një pikë të përbashkët dydimensionale, e bardha me të zezën, mund të prodhohet imazhi tjetër, që nuk i takon asnjërës.

Tani kuptimi semiotik shpërthen përbrenda mbindërtimit të situatave të habitshme, kur epilogu i poezisë përcaktohet me vargun: vetëm dashuria është e zezë. Fillim e fund, kam dashur që përmes kësaj poezie t’i sistemoj kuptimet e fshehta të figurshme e stilistike për të përcaktuar një qëllim estetik, i cili ka domethënien e vet, pas çdo gjëje që është e bardhë dhe vetëm dashuria është e zezë.

E kam fjalën për dy lexime dhe dy ligjërime alternative dhe alegorike, të cilat dëshmojnë për relacionin e së bardhës, si perceptim në kontekstin universal dhe së zezës, si një kuptim i vetmuar i shndërrimit të pasionit dashunues në mallkim. Gjithashtu, e bardha, në pikëpamje të imazhit dhe të domethënies, bëhet arketip i dëshirës së zjarrtë për ta përmbushur një tërësi harmonike të ndjenjave dhe mendimeve, ndërsa e zeza rikthehet në lojë figurash, thënë me gjuhën e poezisë, në prani të hijes së emrit të vet.

Si në poezinë “Elegji”, në librin “Bukuri e nëmur”, po ashtu, edhe në poezinë “Elegjia e bekuar”, në librin “Dorëshkrimi i ngjallur”, kam përqendruar idetë në lojën e dyfishtë të figurave: kur ngjyra e bardhë fiton gjithmonë dhe kur ngjyra e zezë humb gjithmonë. Megjithatë, në mendjen time gjithnjë më rri kujtimi i fëmijërisë dhe i rinisë për plisin e bardhë të Babait tim, që s’është më dhe për shaminë e zezë të Nënës sime të gjallë.

Kjo do të ishte ftesa më e përzemërt e poetit që ua ofron lexuesve të vet të dashur.

                         PYETJE: Shekulli i njëzetë është vlerësuar si shekull i romanit, ndërsa ju keni debutuar dhe keni vazhduar me poezi? Është kjo një sfidë që ia bëni vetes, apo një gjendje që mund të artikulohet vetëm në atë formë që e keni artikuluar?

                        PËRGJIGJE: Pajtohem me pyetjen tuaj. Në radhë të parë, është sfidë, sikundër që mund të jetë edhe fundi i historisë së dhembjes. Megjithatë, unë një ditë do ta shkruaj edhe romanin e jetës sime, që t’ua imponoj lexuesve kujtesën e ringjallur të realitetit njerëzor përbrenda paradoksit të vet postmodernist.

PYETJE: Te libri “Plagomë”, figurë qendrore është gjarpri, i cili haset edhe më vonë në poezinë tuaj. Cila është pesha semantike e tij?

PËRGJIGJE: Kulti dhe simbolika e gjarprit është trajtuar në shumë legjenda të moçme. Është trajtuar edhe në poezi. Çdo poet përpiqet ta artikulojë dashurinë, fatin, krenarinë apo edhe dhembjen e tragjiken që ndodh me fatin e popullit që i takon. Qëllimi i poetit është bartja e mesazhit më të fuqishëm për të ndodhurat në realitetin jetësor. Është me rëndësi për poetin saktësimi i kohës së përjetimit dhe i kohës së ligjërimit, për të menduar për kohën e leximit. Këto tri kohë kanë vetëm një përbërës dhe kjo është Vepra e Poetit, kështu që librin tim poetik “Plagomë”, fillimisht e kam pagëzuar “Liri me gjarpër në gji”. Pastaj e kam ndarë në tri kaptina: Liri/Me gjarpër/Në gji.

Gjarpri si simbol ka një peshë të veçantë kuptimore dhe të figurshme në poezinë time, që nga libri im i parë. Nuk e kam trajtuar si gjarpër të shtëpisë, por në një kontekst tjetër, pra si gjarpër të vuajtjes, të pushtimit, të dhembjes, të pikëllimit, të fatkeqësisë, të vetmisë, të trishtimit, të kobit, të tmerrit etj.

Në veprën time “Ëndrra në parajsë”, në prozën poetike me titull “Gjarpri i vetmisë”, kam trajtuar figurën e gjarprit në disa relacione kuptimore. Po citoj: E mbyta një gjarpër në pragun e shtëpisë sime, në verën e vitit 1998/ Çdo ditë gjarpri ma hante shpirtin me pasion të vërtetë/ Ky ishte procesi i krijimit të vrasjes mashtruese, për çka i gënjeva fëmijët e mi/ Albulena i kafshonte buzët me dhëmbë/ Besiana i krihte flokët në pasqyrë/ Doruntina këndonte sipas ritmit të vet/ Etleva vizatonte dhembjen time në mur/ Rozafa luante me hirin e dorëshkrimeve të djegura/ Rea ende nuk ishte në këtë botë/ Kur u rritën fëmijët, i panë të gjitha gjurmët e gjakut në dhomën me dorëshkrime të djegura dhe imazhin e vendlindjes së vdekur në një kohë/ Aty gjetën arkivolin e shpirtit tim/ Pastaj filluan të binin kambanat/ Gjarpri u zhduk dhe filloi ta kafshonte vetminë e vet.

Pra, pesha semantike e gjarprit në krijimtarinë time kushtëzohet nga një botëkuptim i transmetimit të fatkeqësisë dhe tmerrit, i cili projektohet bashkë me ligjërimin e nëmur të padurimit.

                          PYETJE: Si te “Plagomë”, ashtu edhe në librat e tjerë vërehet një “lojë” me simbole dhe me numra. Ju tërheq misteri dhe simetria në poezi? 

                         PËRGJIGJE: Libri im i tretë me poezi “Plagomë” është një lloj daljeje e mistershme nga autocensura. Në fakt,  më tërheq loja me figura, me simbole, me numra, sikurse më tërheqin situatat e papërballueshme me imazhet. Nuk më pëlqejnë figurat e ndryshme që aludojnë në iluzionet e realitetit. E çmoj kërkimin psikologjik dhe filozofik përbrenda përjetimeve dhe çasteve të papërfunduara.

Libri im poetik “Plagomë” është vlerësuar nga kritika letrare si një shëtitje e suksesshme imagjinare midis surrealizmit, modernizmit dhe postmodernizmit. Prandaj, me idetë, stilin dhe figurat poetike, kam dashur të sjell, nëse mund të them kështu, një botëkuptim semiotik të poezisë sime, mbase si formulë magjike e frymëzimit në tri pamje. Pamja e parë: Liria. Pamja e dytë: Gjarpri. Pamja e tretë: Gjiri.

Në esencë, libri “Plagomë” është prodhim lirik i prirjeve të poezisë imazhiste, i realizuar përmes sistemit të artit kombinatorik me një renditje kronologjike të figurave midis përfytyrimit dhe shpërfytyrimit, të cilat shqiptohen me titullin e përbashkët: Liri me gjarpër në gji.

Misteri dhe simetria përvijohen përbrenda një ideali krijues në prozën time poetike me titullin Java e Shqipshkrimdhembjekrijimit. Në rruzullimin e ndjenjave dhe mendimeve shtatë ditët e javës e kanë një pikë referimi: krijimin e dhembjes për shkrimin shqip, i cili perceptohet me stilin e mbijetesës. Kështu e kam perceptuar gjendjen e përjetuar apo katarsisin e trishtimit. Citoj: “E shtunë: Mezi pres gazetën e ndaluar. Rilindja e okupuar. Postmodernistët shkruajnë në librin-projekt “Mjerimi i atdheut”, ese për lirinë e robëruar”.

Kështu misteri udhëhiqet nga ndjenja e trishtimit, ndërsa simetria, këtë radhë, ka ndjekur vetëm një rregull.  Është rikthyer paradoksalisht në asimetri.

                         PYETJE: Numri 3 është numër religjioz (kristian), ndërsa poezia juaj nuk është e tillë. Pra, cili është raporti mes poezisë suaj dhe religjionit?

                         PËRGJIGJE: Poezia ime nuk ka të bëjë me ndonjë dimension të përcaktuar të doktrinave religjioze. Numri 3 është shumë i pranishëm në variantet dhe në versionet e ideve, motiveve, temave që i trajtoj. Përmes numrit 3, unë i bashkoj figurshëm idetë e mia përbrenda sistemit gjuhësor, të cilat përcaktojnë domethënien e poetikës sime.

Ato mund të jenë në raporte pëlqimi apo kundërshtimi në teorinë apo aventurën time krijuese. Simbolika e numrit 3, në kuptimin e parë, mund të lexohet përbrenda kodit të vet, si: Ati- Biri-Shpirti apo rimarrje me idetë dhe me figurat nga filozofia e krijimit të Dantes në “Komedinë hyjnore”, mirëpo në esencë kam dashur t’i shqiptoj kryesisht arsyet filozofike, psikologjike dhe estetike të frymëzimeve të mia në këto relacione: lindja-jeta-vdekja; mëngjesi-mesdita-mesnata; ferri- purgatori-parajsa; trupi-shpirti-mendja; qielli-toka-drita etj. Pra, me zgjidhje të ndryshme poetike, kam provuar të bëj bashkimin i tri elementeve të afërta apo të skajshme, për ta prodhuar një mesazh me magjinë e gjuhës së poezisë.

Edhe në sistemin tim poetik në veprat me poezi, pra numrin 3, në kuptimin e Trinisë sime krijuese, e kam përdorur shumë shpesh. Libri im me poezi “Plagomë” është ndarë në tri kaptina: Liri/ Me gjarpër/ Në gji, pastaj libri tjetër “Dalje nga trishtimi”, gjithashtu, është ndarë në tri cikle: Rikrijimi i vetmisë/ Ëndrra/ Lutja e fundit. Gjithashtu, edhe libri “Bukuri e nëmur” (2006) është ndarë në tri pjesë: Kambanë zemërimi/ Trajtat e pikëllimit/ Lulja e Zezë. Edhe libri “Dorëshkrimi i ngjallur” është ndarë në tri pjesë: Elegjia e bekuar/ Buzëgazi i ngjalljes/ Lulja e Bardhë. Këtë radhë, i përdora qëllimisht tri formulime karakterizimi: kaptinë, cikël, pjesë.

Po kështu, kam vepruar edhe në veprat e mia me prozë poetike: “Ëndrra në parajsë”, “Sytë e vetmisë “, të cilat janë të ndara në tri pjesë, ndërkaq vepra tjetër “Rruzullimi i zjarrit” është ndarë në nëntë kaptina.

Shumë poetë të njohur botërorë, përmes artit të tyre, kanë kërkuar ta ndërrojnë apo ta përmbysin kuptimin e realitetit, kur formësohet e shformësohet në vetëdijen e tyre krijuese: si shenjë, si simbol, si lajtmotiv, si kujtim, si mallëngjim, si ngushëllim.

                         PYETJE: Një nga librat tuaj përmban 333 poezi. Pse pikërisht kaq?

                         PËRGJIGJE: Umberto Eko ka thënë: Gjithçka që njihet ka një numër: pa numrin nuk do të ishte e mundur të njihej a të mendohej çfarëdolloj gjëje.

Libri im me poezi të zgjedhura, të cilin e kam pagëzuar “Dhembje e bekuar”, përbëhet nga 333 poezi. 

Pse e kam përdor numrin 333 në variante kërkimore dhe krijuese, është vetëm një lojë imja poetike me idetë dhe figurat, me qëllim të shkallëzimit të një sensibiliteti të veçantë të poezisë lirike. Më magjeps kjo lojë e admirueshme me imagjinatën dhe, në fakt, është një “rebelim” imi i çuditshëm me emocionet e çastit dhe me të panjohurat e jetës, të cilat kërkoj t’i ndryshoj midis së rëndomtës dhe së parëndomtës, midis përfytyrimit dhe shpërfytyrimit, midis reales dhe irreales, për të karakterizuar një fiksion dhe një model, i cili përplaset përbrenda botës sime, si figura në lëvizje të sajuara me elementet e artit kombinatorik.

Konceptimi i librit është i qëllimshëm, si sprovë e lirizmit asociativ: 333 poezi ndërtojnë një botë lirike për të dashurit e mi, pastaj për vendlindjen, për ambientin rural dhe për ambientin urban, ku frymojnë edhe tema të tjera, siç janë: liria, dashuria, kujtimet, ëndrrat, stinët, vetmia, dhembja, trishtimi, zjarri etj.

Përmes poezisë dëshiroj të dal nga situatat e mitizuara, nga ajo legjenda e kujtimit midis ëndrrës e zhgjëndrrës, midis realitetit e fiksionit, midis situatave të zakonshme dhe të pazakonshme, midis jetës e vdekjes, për të sprovuar një parim krijues me ide, vargje dhe imazhe simbolike të numrave: 333.

Përmes poezisë dëshiroj t’i gjej pikëtakimet e vetmisë dhe të dhembjes, të fatit dhe të fatalitetit, të etikës dhe të estetikës, të motivuara përbrenda fanitjeve refleksive në kohën dhe hapësirën e vet. 

Sistemi poetik i shenjave zvogëlon dhe zmadhon Jetën, Dashurinë dhe të Vërtetën në poezinë time. Shumica e ideve i nënshtrohen një kodi ligjërimor, i cili i shtreson preokupimet krijuese nga niveli i figurshëm në nivelin stilistik.

                     PYETJE: Përveç poezisë, keni shkruar edhe prozë poetike. A mos është kjo një shenjë për kapërcim në domenin e prozës?

                     PËRGJIGJE: Në veprën time të tretë me poezi me titullin “Plagomë” kam botuar një cikël me prozë të rimuar poetike, në të cilën janë trajtuar tema dhe ide të reja. Ndërkaq, me veprat “Ëndrra në parajsë”, “Sytë e vetmisë” dhe “Rruzullimi i zjarrit”, besoj se kam sublimuar me sukses ndjeshmërinë time lirike për të treguar diçka të bukur që u pëlqen edhe të tjerëve.

Përcaktimi im për prozën poetike ndërlidhet me konceptin e pikëpamjeve të reja krijuese, në të cilat “durueshmëria” e larmisë kuptimore të motiveve dhe temave, në radhë të parë, mund të shpjegohet si kërkim i projektuar midis modernitetit dhe postmodernitetit, kur kam insistuar në adhurimin tim që të luaj me gjuhën, figurat, stilin etj.

Përmes prozës poetike kam dashur ta zbërthej më shumë kodin gjenetik të frymëzimeve të mia, duke përcaktuar udhëtimin më pasionant në trupin e temave erotike. Për këtë arsye, nuk di sa kam mbërritur ta fuqizoj praninë e kohës reale dhe të kohës imagjinare përbrenda intensitetit të përjetimit, kur i kam trajtuar fenomenet esenciale apo të rastit, të cilat në një mënyrë ndërlidhen me tre përbërës kryesorë në prozën time poetike, siç janë: ëndrra – si ëndërr në parajsë, sytë – si sytë e vetmisë, rruzullimi – si rruzullim i zjarrit.

Në prozën time kam ndjekur personalizimin e emocioneve të mia, ato të çastit e të rastit, në një trajtë poetike të çuditshme të shpërthimit të situatave, të cilat prodhojnë shumëkuptimësinë e shenjave të kapërcimit të elementeve ligjërimore nga poezia në prozë.

                           PYETJE: Në poezinë tuaj vërehet një përkushtim ndaj dashurisë. Sa e kanë frymëzuar femrat poezinë tuaj?

                           PËRGJIGJE: Është një privilegj i jashtëzakonshëm për poetin, përkushtimi shpirtëror e krijues ndaj temës së dashurisë. Dëshiroj që gjithmonë në krijimtarinë time ndjenja erotike të mbetet thelbi i poezisë sime. Është pasion dhe virtyt i ligjërimit tim. Mendja, shpirti, ndjenja, përjetimi, të gjitha të përfytyruara dhe të sistemuara përbrenda kategorisë estetike të së bukurës, i referohen dashurisë. Poetëve u takon që të ëndërrojnë dhe të meditojnë gjithnjë për të bukurën. Mua gjithmonë më ka pëlqyer ta artikuloj poetikisht botën e dashurisë së shqetësuar, bashkë me vetminë e shtegtimit të shpirtit.

Zanafilla e çdo dashurie, në radhë të parë, mbështetet në pëlqyeshmërinë e virtyteve njerëzore. Kur flas për dashurinë në poezinë time, mendoj se aty ka hyrë gjithmonë  bota e saj, shikimi, ëndrra, pritja, shqetësimi, vuajtja, xhelozia, kujtimet, pagjumësia, magjia, urrejtja, trishtimi, dhembja, guximi, frika, shpresa etj. 

Nëse dua të rrëfej imagjinatën  e dashurisë në trokitjet e shpirtit, atëherë mund t’i përmend edhe kopshtin e vendlindjes sime, letrat e dashurisë, çantën e gjimnazit, ujin e kroit të Kijevës, liqenet e  Mirushës, shëtitjet buzë Drinit të Bardhë, Prishtinën e robërisë, Prishtinën e lirisë etj.

Deri më tani sikur këto ishin figura dhe përjetime turbulluese në mendjen time, të cilat, më në fund, në këtë rast, u zgjuan bashkë me mallin për kohën e shkuar.

E zgjodha këtë mënyrë për t’i thënë mendimet e mia, natyrisht, për të arritur vetëm një efekt estetik në kujtesën time dhe për të njohur lexuesin me kohëzgjatjen e mbamendjes së kujtimeve, madje sikur po kam dëshirë të rrëfej tani për një botë të vërtetë të rikthyer në imagjinatë.

Një mik imi poet, para disa vjetësh, më kërkoi ndjesë, edhe pse i kishte lexuar të gjitha veprat e mia me poezi, nuk kishte hetuar se në to kishte aq shumë erotikë. Një ditë, pasi i kishte rilexuar poezitë e mia, më tha: “Kam humbur përfundimisht në rrugëtimin e erotikës sate magjike”. Tani sikur më mungojnë parashikimet e vonuara të mikut tim për praninë e erotizmit në poezinë time.

                         PYETJE: Thuhet se letërsinë e frymëzon e keqja më shumë se e mira. Te ju, a ndodh kështu?

                         PËRGJIGJE: Në krijimtarinë time çdo gjë fillon me konceptimin e lirisë, si meditim filozofik, si krenari kombëtare, si portretizim i shëmbëlltyrave, si jetëshkrim i idealeve.

E keqja e ka botën e vet, sikundër që e ka edhe e mira. Ëndrrat dhe kujtimet mund të jenë të mira dhe të këqija. Harresa dhe kujtesa për to nuk mund të jenë të njëjta. Poetët edhe jetën, por edhe vdekjen, në veprat e tyre e trajtojnë me figura të bukura, prandaj në këtë rrafsh kufijtë e ligjërimit mund të perceptohen deri në pafundësi, kur flitet apo kur shkruhet për këto dy kategori estetike.

Përmes poezisë sime kërkoj ta gjej gjenezën e një shqetësimi krijues. E keqja, trishtimi, vuajtja, dhembja, melankolia, tragjikja, janë shumë të pranishme në poezinë time. Koha, ngjarjet, fati, sikur e kanë përcaktuar dimensionin e së keqes, në ballafaqim me të mirën.

Idenë e së mirës filozofi i madh antik Platoni e ka lartësuar të parën përbrenda konceptit të tij krijues e filozofik, ndërkaq Umberto Eko ka thënë se “shekulli i barokut shpreh një bukuri përtej së mirës dhe së keqes”.

E keqja e pakufishme është gjithmonë e dhembshme përbrenda labirintit të çdo krijimi. E mira është misioni i dashurisë. Prandaj, mua nuk më pëlqen mendimi i Kantit, kur ka thënë se “e mira do të ngadhënjejë në botën tjetër”.

                    PYETJE: Shpesh i ktheheni fëmijërisë. E konceptoni atë si një parajsë të humbur, apo si?

                    PËRGJIGJE: Fëmijëria zë një vend të veçantë në krijimtarinë time poetike. Është një mall i pambaruar dhe i pashpjegueshëm, i cili shqiptohet me madhështinë e ëndërrimit dhe të përjetimit. Nuk mund të çlirohem lehtë nga ndjenja e dashurisë dhe e admirimit për botën e fëmijërisë sime, ndonjëherë edhe të pajetuar, kur e kujtoj përqafimin e nënës, borën e parë, shiun e pranverës, cicërimën e zogjve, emrat e njerëzve të mi të dashur apo edhe frikën nga gjarpërinjtë, zërin e kukuvajkës, natën pa hënë.

Prania e ambientit të fëmijërisë, pothuajse, është e përhershme në poezinë time. Është një rimarrje e përmallimeve që e rrisin pasionin për t’i kujtuar dilemat e jetës dhe të ekzistencës.

Unë nuk e kam ndryshuar stilin tim në trajtimin e fenomeneve që kanë të bëjnë me fëmijërinë. Në veprën time “Plagomë” paraqitja e fëmijërisë sime i ngjan një drame lirike, në të cilën aktet, veprimet, situatat, trajtohen me figurat konceptuale: mall, kujtim, hidhërim, dashuri. 

Tashmë rikthimi në botën e fëmijërisë përbrenda ka një ngacmim të nostalgjisë për të dëshmuar, kryesisht me figura përshkruese poetike, madje si shenja që provojnë retrospeksionin me një ligjërim të zjarrtë në një hapësirë të ngulitur me ide dhe imazhe, nga një rend metaforik në një rend metonimik, siç do ta bënin postmodernistët.

Fëmijëria tashmë më kujtohet bashkë me imazhin, konceptin dhe dashurinë që e kam krijuar për të. Prandaj, duke gjurmuar “fundin e fëmijërisë” në vendlindjen time, jo rrallë kam menduar se “arti imiton jetën”, duke rrënuar mitin e teorisë së postmodernizmit se “imazhi është imitim i rremë i realitetit”. Për më tepër, udhëtimi im në botën e fëmijërisë shënon mungesën e një përjetimi në kujtesën e ngjallur të realitetit.

Është e vërtetë se fëmijëria në poezinë time perceptohet edhe si parajsë e humbur. Besoj se fëmijëria është pjesa më e dashur për poetët, sepse, kur shkruhet për të, pëlqehet edhe nga lexuesit. Ashtu mendoj kur i rikthehem edhe kohës së rinisë. Aty thuren dhe shthuren ëndrrat e jetës.

Orhan Pamuk ka thënë: “Shkruaj për ta ndjekur atë lumturi fëmijërore dhe për këtë arsye, letërsia dhe të shkruarit janë pandashmërisht të lidhura me lumturinë apo me mungesën e saj, moslumturinë”.

                       PYETJE: Ju luftën e trajtoni nga një kënd personal. Sa e ka ndryshuar lufta jetën dhe poezinë tuaj?

                       PËRGJIGJE: Lufta e ka ndryshuar Kosovën. Tashmë ndjenja për lirinë është realitet, pas një ballafaqimi me gjenocidin serb.

Në tri veprat e mia me poezi të botuara pas vitit 1999, si dhe në dy veprat e mia me proza poetike, ndër të tjera, kam trajtuar temën e luftës. Jo rrallë më duket se frymëzimet e mia, të nxitura nga shkaqet e dhembjes dhe të pësimit nga pasojat e luftës, të cilat ndërlidhen me djegien e Bibliotekës dhe të dorëshkrimeve, janë paraqitur me imazhe dhe situata të çuditshme dhe tronditëse.

Trajtimi i temës së luftës në vepra të ndryshme të shkrimtarëve botërorë është detyruar t’i nënshtrohet edhe heroizmit, edhe tmerrit. Poezia ime përbrenda ka deshifrimin e qëndresës dhe të mbijetesës, por edhe përmasën kobndjellëse të fatkeqësisë, atëherë kur nuk më mjaftonte vetëm kureshtja për ta zbuluar zanafillën e dhembjeve të dokumentuara.

              PYETJE: Në poezinë tuaj kritikët kanë vërejtur një lloj historie kombëtare, të filtruar në prizmin personal. Sa është “historike” poezia juaj?

              PËRGJIGJE: Në poezinë time poetikisht kam trajtuar fenomenet e historisë, kur e kam shkruar llojin e poezisë së qëndresës apo të rezistencës, por edhe kur e kam shkruar tipin e poezisë ironike. Historikja në poezinë time nuk është mistifikuar, nuk është glorifikuar, as nuk është mitizuar. Pamja e poezisë sime përbrenda  ka historinë, traditën, identitetin.

Në esencë, historia kombëtare për çdo krijues është burim i frymëzimeve të tij, varësisht nga cili dimension vështrohet apo trajtohet. Më pëlqen gërshetimi i lirikes me epiken për ta prodhuar një dramaticitet të ligjërimit, i cili kërkon çastin tjetër të receptimit. Këto shenja mund t’i gjeni në të gjitha librat e mi të poezisë. Megjithatë, mendoj se këto shenja më së miri janë fuqizuar në veprat e mia me prozë poetike, sidomos në rrafshin kuptimor dhe stilistik.

I çmoj dhe i vlerësoj idetë dhe tematikën e mbështetur në realitetin historik, mirëpo realiteti ekzistues është lakmia ime krijuese.

          PYETJE: Tash, pasi keni shkruar disa libra me ton tragjik e pesimist, a pritet të ndryshojë kursi i poezisë suaj, apo ajo përherë do ta ruajë tonalitetin tragjik të saj?

          PËRGJIGJE: Veprat e mia me poezi kanë ngarkesë të veçantë të figurshme, të cilat me titujt e tyre prodhojnë përmasën e një lloj pesimizmi apo të tragjizmit: “Albumi i grisur”, “Zogu me profil vjeshte”, “Plagomë”, “Dalje nga trishtimi”, “Bukuri e nëmur”, “Dorëshkrimi i ngjallur”.

Tragjizmi dhe pesimizmi ndërlidhen edhe me rrethanat sociale dhe psikologjike, ndërsa në procesin krijues ndjeshmëria e këtyre dy elementeve shfaqet përbrenda paradoksit të vet.

Realiteti i kaluar, i cili tashmë mund të vlerësohet si realitet historik përbrenda ka dimensionin e pesimizmit dhe të tragjikes, të fatit e të fatkeqësisë, prandaj edhe poezia ime ka relacione motivore e tematike me të ndodhurat e këtij realiteti, në kuptimin e trajtimit të qëndresës dhe të mbijetesës.

Tonaliteti tragjik mund të jetë i pranishëm në vepra të caktuara, pikërisht me përmbajtjen që ofrojnë ato. Ikja tematike nga trajtimi i pesimizmit dhe i tragjikes në letërsi varet nga shumë faktorë letrarë, por edhe jashtëletrarë.

               PYETJE: Me kalimin e kohës, ndieni që po shterohen idetë, apo që, përkundrazi, ideja prodhon idenë dhe poezia lind poezinë?

               PËRGJIGJE: Jo, nuk e ndiej shterjen e ideve. Përkundrazi. Idetë mund të jenë qëllimi dhe aspirata e mendjes njerëzore edhe kur ato janë në pozicionin e shënjuesit apo të të shënjuarit. Pesha kuptimore e ideve varet nga e mundshmja dhe e pamundshmja e realizimit të tyre.

Idetë lëvizin botën, kanë thënë filozofët. Realitetin  që e kam përjetuar përpiqem ta strukturoj përbrenda fuqisë së paraqitjes në aktin tim krijues. Krijuesi kërkon atë që nuk është në realitet, për ta zbuluar fshehtësinë e qëndresës së imagjinatës së vet. Imagjinata prodhon pamje të ekranizuara në mendjen e krijuesit, ndërsa ndjenjat janë sytë e shpirtit të poetit. 

Krijimtaria ime më e dashur më ka mbetur peng i shpirtit tim në vendlindje, si një kujtesë e dorëshkrimeve të djegura dhe mallit të pambaruar për vendlindjen. Dihet fakti se poezia është mbërthim i imazheve përbrenda një situate që e kërkon shpjegimin apo porosinë e vet. Shfaqja e një koncepti poetik synon edhe një ndërgjegjësim për krijuesin, në radhë të parë, një vetëdije për vetveten, siç do të thoshin filozofët, por edhe përqafimin e botëkuptimit estetik të artikuluar në prirjet e tij, të cilat në fillim sajohen si të përkohshme, por  që mund të mbeten edhe të përjetshme.

Është i vërtetë konstatimi që thoni se ideja prodhon idenë dhe se poezia lind poezinë. Nëse ekziston një rend simbolik i mendimeve dhe i figurave, letërsia gjithmonë është një përsëritje, me dallime të ndryshme dhe me ngjashmëri të shumta.

                  PYETJE: Nga çfarë gjendjeje shpirtërore udhëhiqeni, derisa artikulimi i ideve të marrë trajtën e duhur?

                  PËRGJIGJE: Idetë e mia krijuese e përcaktojnë edhe stilin tim. Gjendja shpirtërore e poetit është hyrje në botën e krijimit, ballafaqim me të panjohurat dhe dalje nga imagjinata. E kam krijuar përfytyrimin e tillë apo të ngjashëm, kur i kam trajtuar temat e ekzistencës dhe të mbijetesës apo edhe kur i kam shkruar tipat e poezisë erotike, meditative, sociale, deskriptive etj.

Poeti, që si qenie njerëzore i takon botës reale, me imagjinatën e tij shpik botën irreale. Në këtë kontekst, gjuha poetike ka fuqinë e saj vepruese për t’i artikuluar idetë në trajtën apo në formën siç synon poeti. Edhe gjërat e natyrshme apo të mbinatyrshme, të kapshme apo të pakapshme, të besueshme apo të pabesueshme, të ëmbla apo të trishtueshme, kanë një fiksim të memorizuar përbrenda gjendje së caktuar shpirtërore. 

Është e qartë nëse në kujtesë mund të kemi edhe ngadalësimin apo shpejtësimin e imazheve për diçka të bukur apo të lumtur, ose herën tjetër për diçka të mërzitur apo të pikëlluar, gjendja shpirtërore krijon apo funksionalizon botën e meditimeve për atë që ndien dhe shprehet poeti.

Kur e kam botuar librin e parë me poezi me titullin “Albumi i grisur”, në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, censura dhe autocensura ishin të pranishme në letërsinë shqipe, sepse vetë realiteti ekzistues ishte një lloj persekutimi i heshtur për lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Çastet e gëzimit dhe të kënaqësisë ishin të kufizuara, ndërkaq gjendja shpirtërore e poetit i nënshtrohej jo gjithmonë aktit krijues, por më shumë veprimeve të mbikëqyrura nga faktorë letrarë dhe jashtëletrarë.

Edhe synimi im, si dhe i poetëve të brezit tim, nuk ishte gjithmonë simbolika e tekstit për fjalën e thënë, por më shumë ironia e nëntekstit për fjalën e bukur, por të pathënë deri në fund.

                    PYETJE: Pas suksesit në zhanrin e prozës poetike, do ta braktisni poezinë, apo do të merreni me të dyja, njëkohësisht?

                    PËRGJIGJE: Kërkimi im në letërsi ka vetëm një zgjidhje të vetme dashunuese, dhe kjo është mbretëresha e arteve, pra poezia. Mirëpo, edhe proza poetike viteve të fundit më ka preokupuar shumë, pikërisht me disa mbindërtime idesh dhe figurash, të cilat nuk i kisha realizuar në poezi.

Prozë poetike kam shkruar dhe kam botuar para tridhjetë vjetësh. Atëbotë, në ato proza të pakta poetike, imagjinoja “historinë e vogël” të dashurisë, të çasteve intime, madje duke i kapërcyer hapësirat boshe apo mungesën e përjetimeve, bashkë me tërë ato çaste të tjera dramatike të jetës krijuese. Disi e kam shtrydhur detajin për t’i ndërtuar situatat tek e qëndisja me vargje shpirtin fisnik të së dashurës në shumë poezi konkrete. Mendoj se ato ndjenja dhe mendime i kam thelluar përbrenda peizazhit të dashurisë në shumicën e prozave të mia poetike.

Tashmë në dhjetëvjetëshin e fundit u jam imponuar shumë lexuesve të mi, si dhe kritikës letrare, me tri veprat e mia me prozë poetike. Derisa libri i parë është një dramë e brendshme shpirtërore, i cili përbrenda ka ëndrrën e papërfunduar, udhëtimin me vdekjen apo aventurën e kërkimit të të ndodhurave dhe përjetimeve në vendlindjen time, libri i dytë është detyrim imi tjetër krijues ndaj vetmisë në rrethana dhe situata absurde, për ta braktisur mërzinë e saj, ndërkaq libri i tretë është një gjedhe tjetër, për ta kuptuar rruzullimin e zjarrit tek ndriçon, pothuajse, në të gjitha shtigjet e jetës njerëzore. Libri im i ardhshëm me proza poetike do t’i ketë shenjat e esencës së jetës dhe të ekzistencës, si klithje e një dashurie magjike, madje si përmallim për të ikur nga dhembja dhe heshtja.

                  PYETJE: Nga cilët poetë mendoni se jeni ndikuar dhe si e shihni konceptin e ndikimit në letërsi? Sa është produktiv ndikimi?

                  PËRGJIGJE: Në vitin 2004, kur e kam vizituar studion e punës krijuese, dhomën-muze të Gëtes në Vajmar, kam menduar me vete se poeti është qenie e mbinatyrshme, i cili shndërrohet në Figurë të Përjetshme. Ngjashëm më ka ndodhur kur kam hyrë në kafenenë e Xhojsit në Dublin, por edhe në shtëpinë-muze të Emily Dickinson-it në Amherst, apo kur kam vënë lule të bardha mbi varrin e Lasgush Poradecit, apo kur kam marrë kumtin në Shëngjin për vdekjen e Ali Podrimjes.

Kam menduar se mbase do të ndikohem nga udhëtimi i jetës së tyre krijuese përbrenda botës së artit, duke paragjykuar se madhështia e shëmbëlltyrave krijuese i ngjason njëra-tjetrës. Kështu do të mund të kuptohej procesi i ndikimit, sipas dëshmisë apo edhe sipas imagjinatës së poetit.

Përmasën e realitetit me imagjinatën për shkrimtarët dhe personalitetet e mëdha kombëtare dhe  botërore, i kam krijuar kur e kam lexuar për herë të parë epin kombëtar  “Lahuta e Malcis” të Fishtës, “Poemin Kosovar” të Kutelit, esetë e Konicës, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, autobiografinë e At Zef Pllumit etj., pastaj kur e kam lexuar “Tokën e shkretë” të Eliotit, “Procesin” e Kafkës, romanet e Servantesit, “Makbethin” e Shekspirit, “Komedinë Hyjnore” të Dantes, poezitë e Bodlerit, tregimet e Borhesit, romanet e Markezit, esetë e Ekos etj.

Kam menduar se të gjithë shkrimtarët kanë synuar gjithmonë ta ndërtojnë një të tashme për të ardhmen e njerëzimit. Prandaj, me leximin e shumë veprave të shkrimtarëve botërorë, sikur mendoja për vizionin e një bote harmonike, siç do të thoshte Çaslav Milosh.

Për konceptin e ndikimit në letërsi mund të them shkurt e qartë: Unë jam ndikuar nga të gjitha ato vepra të shkrimtarëve që i kam lexuar deri më tani dhe nuk jam ndikuar nga asnjëra vepër e tyre.

Pra, ndikimi dallon nga adhurimi, siç dallon e madhërishmja nga e bukura, apo përjetimi anakronik nga përjetimi modern apo realiteti i jetës me realitetin e luftës. Poetët duhet ta gjejnë arsyen për t’u ndikuar, si dhe arsyen për të adhuruar krijimtarinë e autorëve të mëdhenj, të cilët në një mënyrë e formësojnë ndjenjën e pëlqimit të krijimtarisë së tyre.

                          PYETJE: Jeni një ndër poetët më të përkthyer shqiptarë. Si ndiheni kur kuptoni që po ju lexon edhe publiku i huaj?

                          PËRGJIGJE: Është një ndjenjë dhe kënaqësi e veçantë, kur të përkthehet poezia në gjuhë të ndryshme të botës. Peng të mirënjohjes sime janë shumë përkthyes të njohur, duke filluar nga Robert Elsie, Frederique Duversin, Hans-Joachim Lanksch, Gunnar Barkenhammar, Denica Veleva, Hristo Petreski etj., si dhe përkthyes shqiptarë: Baki Ymeri, Muhamed Mufaku, Mazllum Saneja, Avni Spahiu, Naim Kryeziu, Ahmet Selmani etj.

Ndihem shumë i lumtur, kur për poezinë time thuhen fjalë të mira, prandaj sikur e krijoj një besim më të madh në vetvete për tërë ato mendime inkurajuese për të vazhduar procesin krijues në hulumtimin e vlerave letrare.

Thomas Stërns Eliot ka thënë: “Ta shijosh poezinë që i takon një gjuhe tjetër, do të thotë ta shijosh mirëkuptimin e atij populli që i takon ajo gjuhë”.

                               PYETJE: Janë bërë shumë vlerësime për poezinë tuaj, nga shqiptarë dhe të huaj. Sa mendoni se kanë arritur ta zbërthejnë shpirtin tuaj?

                              PËRGJIGJE: Kam kënaqësi të them se brezi ime poetik me poetët Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Adem Gashi, Basri Çapriqi e ndonjë tjetër, ka sjellë rezultate të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore shqipe, pikërisht me idetë, ligjërimin, stilin, gjuhën e poezisë, mbi të gjitha, me ironinë intertekstuale. Megjithatë, edhe pse edhe tani është mjaft aktiv me vlerat e tij, ende nuk e ka zënë vendin e merituar në poezinë shqipe, fjala vjen, siç e ka brezi i viteve ’60 apo ai i viteve ’70 të shekullit të kaluar.

Vlerësimet objektive dhe afirmative kanë rëndësi për poezinë e një poeti, i cili synon të hyjë dhe të mbetet në panteonin e letërsisë së kombit të vet. Vlera letrare është përcaktuesi kryesor për të hyrë dhe ër të mbetur në rrjedhat dhe zhvillimet e letërsisë kombëtare. Poezia ime është mirëpritur në disa gjuhë botërore, sidomos në gjuhën rumune, frënge dhe bullgare, por edhe në disa gjuhë të tjera. Dua të përmend disa prej studiuesve dhe shkrimtarëve ndërkombëtarë që kanë shkruar për poezinë time: Ivane Kotchli, Rusana Bejleri, Stephan Sigg, Dan Anghelescu, Marius Chelaru, Florentin Popescu, Gunnar Barkenhammar, Ilie Olaru Delavulpeşti, Emmanuel Hiriart, Vasil Toçinovski etj. Në mesin e shumë studimeve për veprat e mia letrare dhe shkencore, dëshiroj t’i dalloj disa prej tyre, siç janë: mendimet e Ali Podrimjes në parathënien e veprës sime “Ndiz dritën magjike”, të Rifat Ismailit në parathënien e librit tim “Jetë me vdekje”, të Osman Gashit në parathënien e librit tim “Studime letrare”, të Luan Topçiut në parathënien e librit bilingual rumanisht-shqip për poezinë time. I përmenda vetëm këta autorë, duke  u mbetur “borxh”  edhe shumë studiuesve dhe kritikëve të tjerë, të cilët kanë dhënë mendime të çmueshme dhe profesionale për krijimtarinë time.

Kanë thënë të tjerët se ta zbërthesh shpirtin e poetit është një ndjesi e zbulimit të botës së tij lirike. E ardhmja i takon aktit të  ligjërimit postmodern, kur e përqafojmë mendimin se poezia është një krijim intertekstual, prandaj, për ta vlerësuar përmbajtjen e saj apo për ta zbërthyer shpirtin e poetit, ju propozoj që  t’i lexoni ligjëratat e botuara të Borhesit, që ta kuptoni kohën dhe hapësirën e imagjinatës njerëzore përbrenda halucinacioneve të krijimit, duke filluar nga kujtimet e tij në vendlindje, në kopsht dhe në bibliotekë, në ambientet e Tukumanit të Buenos-Ajresit.

                     PYETJE: Meqë jeni edhe studiues, si e shihni poezinë shqipe në perspektivë?

                     PËRGJIGJE: Letërsia shqipe në Kosovë ka nevojë të ketë një afirmim dhe vlerësim objektiv, në radhë të parë, përbrenda perspektivës së vet kombëtare, pastaj të asaj ndërkombëtare. Afirmimi i vlerave të një kulture apo një letërsie është e ardhmja e atij kombi. 

Poezia shqipe ka poetë që mund të përfaqësojnë vlera evropiane, mirëpo nevojitet nxitje, përkrahje dhe mbështetje institucionale për botimin dhe promovimin e veprave të tyre brenda dhe jashtë vendit.

Nëse në shekullin XXI një letërsie kombëtare, siç është letërsia shqipe, i mungon ende historia e letërsisë së vet, e shkruar sipas kritereve shkencore dhe profesionale, atëherë komentet për mungesën e saj, pa dyshim, janë të tepërta.

Parapëlqej mendimin e Herman Heses, i cili kishte vazhduar “betejën e tij kundër mikrobeve të shpirtit në fushën e letërsisë”.

             Intervistoi: Gëzim Arifi

(Sali Bashota: EGO (Shqip, English, Fraçais), PEN Qendra  e Kosovës, Prishtinë, 2014, f.7-58.)

Imazhet më të bukura nga hapësira për vitin 2019

Astrofotografia është ndoshta një nga llojet më të vështira dhe të specializuara të fotografisë, por nëse jeni profesionistë dhe të durueshëm, rezultati do jetë befasues, mbase imazhet më bukura që mund të shihni ndonjëherë.

Observatori Mbretëror i Greenwichit ka zbuluar fituesit e konkursit të vjetor ‘Astronomy Photographer of the Year’, dhe cilësia e fotove konkurruese ishte spektakolare.

Këtë vit, u prezantuan 4602 foto nga 90 vende të ndryshme të botës./koha.net/KultPlus.com

Dante Alighieri: Tri gjëra kanë mbetur nga parajsa, ato janë yjet, lulet dhe fëmijët

Një gjë sa më perfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.

 Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.

Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta rikujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.

 Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në Parajsë.

 Dashuron pak ai që mund të numërojë dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.

Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale.

Zoti është Një; Universi është një mendim i Zotit; Universi është pra Një i tillë. Të gjitha gjërat vijnë nga Zoti. Të gjithë marrin pjesë, pak a shumë, në natyrën hyjnore, në varësi të qëllimit për të cilin janë krijuar. Njeriu është më fisnik nga të gjitha gjërat: Zoti ka derdhur më shumë në të nga natyra e tij sesa te të tjerët. Çdo gjë që vjen nga Zoti priret për përkryerjen e saj për të cilën ai është i aftë. Kapaciteti për përmirësim tek njeriu është i papërcaktuar. Njerëzimi është Një. Zoti nuk bëri asgjë të padobishme; dhe duke qenë se ekziston një njerëzim, duhet të ketë një qëllim të vetëm për të gjithë njerëzit, një punë që duhet të realizohet nga të gjithë ata. Njerëzimi, pra, duhet të punojë së bashku në mënyrë që të gjitha forcat intelektuale të shpërndara në të të marrin zhvillimin më të lartë të mundshëm në sferën e mendimit dhe veprimit. Prandaj, ekziston një fe universale e natyrës njerëzore .

Në origjinën e saj, poezia është shkenca e gjërave njerëzore dhe hyjnore, e kthyer në një imazh fantastik dhe harmonik.

Oh krijesa marrëzie sa injorancë ka në fyerje!

Tri gjëra kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.

Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata, por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë.

Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë./KultPlus.com

Vdiq gazetarja e njohur kosovare Ardita Sylejmani

Gazetarja e RTK-së, Ardita Sylejmani, ka ndërruar jetë në Budapest të Hungarisë.

Gazetarja me prejardhje nga Gjilani dyshohet se ka humbur jetën gjatë procesit të lindjes.

Dyshimet e para janë se ajo ka pasur komplikime shëndetësore, ndërsa me gjithë përpjekjet e mjekëve, nuk ka arritur të mbijetonte.

Gazetarja Sylejmani është bashkëshorte e Shpend Bllacës, të punësuarit në stafin diplomatik të Republikës së Kosovës në kryeqytetin hungarez.

Ajo ka lënë pas vetes tre fëmijë, përfshirë edhe vajzën e sapolindur. /KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’, pjesë e festivalit të Koresë së Jugut

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, të premten (20.09.2019),  do të udhëtojë për në Seul të Koresë së Jugut, për të marrë pjesë në Festivalin “Cheonean Folkore and Dance Festival”, i cili do të mbahet nga data 25 deri më 29 Shtator.

Pas performancës së suksesshme në festivalin e madh të folklorit në Büyükçekmece të Turqisë, në të cilin Ansambli ynë është nderuar edhe me çmim të dytë, si dhe pas pjesëmarrjes në manifestimin tradicional “Festa e Themelimit”, që është mbajtur në Horë të Arbëreshëve (Sicili), Ansambli “Shota”, do të prezantojë kulturën dhe traditën shqiptare në Korenë e Jugut.

Festivali “Cheonean Folklore and Dance Festival”, do të grumbullojë ansamble nga kontinentet e ndryshme të botës, ndërsa Ansambli “Shota” është i vetmi Ansambël shqiptar, që do të jetë në garë më 17 shtete pjesëmarrëse (Rumania, Turqia, Polonia, Republika Çeke, Egjipti, Kenia, Bolivia, Ekuadori, Paraguai, Kolumbia, Meksiko, Indonezia, Uzbekistani, Malajzia, Tailanda, Palau- Oqeani).

Festivali i cili përveç garës kryesore të përformancës së përgjithshme,  përfshinë edhe kategori tjera garuese në: defile në rrugë dhe përformanca individuale, është njëkohësisht mundësi e shkëlqyeshme qe bota të njihet me kulturën shqiptare përmes “Shotës”.

“Cheonean Folklore and Dance Festival”, mbështetet nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Turizmit të Koresë, është një ndër festivalet më të mëdha në këtë vend dhe njëkohësisht anëtar i FIDAF (Federation of International Dance and Art Festivals).

“Shota”, në këtë festival do të shkojë për herë të dytë, pas pjesëmarrjes që kishte pasur në vitin 2011, në të cilën është nderuar me çmimin e tretë./KultPlus.com

Për 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri, kalendar i përbashkët kulturor

Kultura është pasaporta më e mirë për t’u prezantuar vendeve të tjera vlerat historike dhe kulturore të vendit.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti zhvilloi sot një takim me ambasadorin zviceran Adrian Maitre ku në fokus ishte krijimi i një kalendari të përbashkët kulturor mes dy vendeve.

“Me ambasadorin zviceran Adrian Maitre, me të cilin diskutuam për krijimin e një kalendari të përbashkët kulturor për të kremtuar në 2020, 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Zvicrës dhe Shqipërisë”, tha ministrja e Kulturës Margariti.

Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua dhe për projekte të përbashkëta në fushën e dixhitalizimit të trashëgimisë kulturore dhe artit.

“Disktuam dhe mundësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve për projekte në fushën e digjitalizimit të trashëgimisë kulturore dhe artit si dhe bashkëpunimin me profesorë zviceran të Arkeologjisë mbi realizimin e projekteve të ndryshme studimore për t’u realizuar në Shqipëri”, u shpreh ministrja e Kulturës Elva Margariti. /atsh/ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës hap sezonin me pianisten e mirënjohur Lule Elezi

Programi i hapjes së sezonit 2019 / 2020 i Filharmonisë së Kosovës sjell në Prishtinë koncertin në drejtimin e dirigjentit Boian Videnoff (Gjermani). I njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, ai kthehet përpara publikut të kryeqytetit për bashkëpunimin e radhës me një mbrëmjes koncertale me vepra romantike.

Solistja e mbrëmjes, pianistja e mirënjohur kosovare Lule Elezi do të luajë koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Edvard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore. Pjesa e dytë e koncertit është rezervuar për Simfoninë e 9-të në e-mol të kompozitorit çek Antonín Dvořák, ndryshe e njohur si Simfonia “Nga bota e re”.

Kjo e fundit qe kompozuar në vitin 1893 derisa Dvořák ishte drejtor i Konservatorit Kombëtar Amerikan të Muzikës në Nju Jork dhe është një nga simfonitë më të popullarizuara të të gjitha kohëve. Astronauti Neil Armstrong mori një incizim të kësaj simfonie përgjatë misionit Apollo 11, ndryshe i njohur si zbarkimi i parë i njeriut në hënë në vitin 1969. Në 50 vjetorin e zbarkimit historik në hënë, ju mirëpresim në një mbrëmje si kjo për të provuar madhështinë e muzikës orkestrale. / KultPlus.com

Ish refugjati shqiptar Arten Llazarin, vlerësohet me titullin “Honorary Doctorates” në Britani

Universiteti i Wolverhampton në Angli vlerëson me titullin “Honorary Doctorates”, Arten Llazarin. Ish refugjat, sot drejton “Qendrën për Refugjatë dhe Migrantë” me degë në tre qytete në Britani, shkruan KultPlus.com

Llazari u vlerësua për kontributin e tij në fushën e bamirësisë, mbështetjes së emigrantëve dhe integrimin e tyre në shoqëri.

AJO ripërpunon këngën “Baresha” (VIDEO)

Kënga “Baresha” është ripërpunuar nga artistë të ndryshëm por kjo asnjëherë nuk ka shterur mundësitë e ripërpunimeve të reja. Fuqia e kësaj kënge ka marrë me vete edhe këngëtaren Vjollca Robelli Mripa e njohur si “AJO” e cila e ka sjellë një version krejt ndryshe të kësaj këngë, shkruan KultPlus.

Kjo këngë është pjesë e albumit të saj më të ri “Besa” i cili po vazhdon të shpaloset për publikun.

Miksimin e kësaj kënge e ka bërë Andrew Phillips, derisa masterizimi nga “1sonicproduction”. / KultPlus.com

Çmimi ndërkombëtar letrar “Kristal” i ndahet poetes shqiptare Manjola Nasi

Çmimi “Kristal” i Festivalit Ndërkombëtar të Vilenicës për vitin 2019 i jepet poetes shqiptare Manjola Nasi, përcjellë KultPlus.

Festivali i Vilenicës, një eveniment letrar shumë prestigjioz, organizohet çdo vit në Lubjanë, Lipicë dhe qytete të tjera të Sllovenisë. Në të  marrin pjesë poetë dhe shkrimtarë të rëndësishëm nga vende të ndryshme, që në kuadër të festivalit konkurrojnë mes tyre për çmimin “Kristal”, i cili i jepet çdo vit njërit prej tyre nga një juri ndërkombëtare.

Këtë vit, juria e përbërë nga anëtarë nga Sllovenia, Italia, Maqedonia dhe Irlanda vendosi t’ia japë këtë çmim poetes Manjola Nasi, e cila mori pjesë me 4 nga poezitë e saj të botuara në përmbledhjen “Një udhëtim e gjysmë”. Gjatë fjalimit për dhënien e çmimit, kryetarja e jurisë, kritikja letrare sllovene Silvija Zhnidar, u shpreh se poezitë e Manjola Nasit shfaqin thjeshtësi të pasur dhe qartësi të guximshme; fjalët e saj ndërtojnë një poezi që flet për të vërtetat e jetës dhe janë si gurë që komunikojnë me lexuesin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke lënë shenjë.

Kjo është hera e dytë që letërsia shqipe nderohet me këtë çmim të rëndësishëm. Dhjetë vjet më parë, në vitin 2009, ai iu dha poetes së mirënjohur Luljeta Lleshanaku. / KultPlus.com

Tipet e nostalgjisë

Sipas Boym ka dy tipe të nostalgjisë:

Restorative(konservuese, kthyese): Kjo lloj nostalgjie është karakteristke kur ne mundohemi ti ri-jetojmë momentet e së kaluarës.

Reflektive: është tip i nostalgjisë me shumë mall dhe kujtime por në të njejtën kohë kur e pranojmë se e kaluara është e kaluar dhe nuk ka kthim pas.

PSE NA SHFAQET NOSTALGJIA?

Sipas një studimi nga Universiteti i Southampton, nostalgjia na e rrit optimizmin për të ardhmen. Universiteti organizoi një hulumtim ku të anketuarve ju dha detyra që të shkruajnë për një ngjarje në jetët e tyre që lidhej me ndjenjën e nostalgjisë.

Ndërsa një grup tjetër i të anketuarve ju dha detyra të shkruanin në përgjithësi për ndonjë eksperiencë. Nga rezultati doli se shumica e atyre që shkruan përvoja pozitive ishin nga grupi i parë. Poashtu nga një hulumtim tjetër nga i njejti universitet, doli se këngët që prodhojnë nostalgji poashtu nxisin optimizmin.

Nostalgjia është e zakonshme kur na ndodhin ndryshime. Situata të tilla si humbja e një miku, një shkëputje sentimentale, apo kur ndryshojmë vendbanimin dhe qytetin dhe detyrohemi të adaptohemi me jetën dhe rrethanat e reja. / KultPlus.com