Zjarri i rënë në Pregj, Lurë, që para tre ditësh ka dëmtuar një sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh të larta me pisha.
Më problematike situata ka qenë ditën e sotme në fshatin Vlashe, ku janë djegur plotësisht mbi 5 hektarë pyje pishe dhe disa banesa të fshatit .
Dy banesa (kulla) u shkrumbuan plotësisht, ndërkohë janë rrezikuar 6 të tjera. Nuk ka pasur rrezik për banorët pasi janë larguar dhe janë strehuar tek të afërmit. Nga Shtabi i Emergjencave të prefekturës bëjnë me dije se po monitorohet situata dhe janë gati të evakuojnë edhe banorët e 6 banesave të tjera, por për momentin duket se ka një rënie të intensitetit të flakëve .
Sipas Shtabit të Emergjencave, në terren po punojnë 30 forca zjarrfikëse dhe 15 ushtarë, por ndërhyrja ka qenë e vështirë pasi transmetimi i zjarrit është bërë në lartësi në kurorat e pishave dhe jo përtokë.
Gjatë gjithë ditës është pritur ndërhyrja nga ajri por nuk është bërë e mundur ende ,por gjatë mbrëmjes zjarrfikësit dhe banorët kanë mundur t’i lokalizojnë flakët duke prerë breza pishash dhe duke hapur korridore, çka ka bërë të ndërpritet avancimi më tej dhe tani vazhdon djegia e brendshme.
Megjithëse flakët janë vënë nën kontroll, ende ka rrezik për disa banesa të fshatit Vlashe. / KultPlus.com
Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe Instituti “Alb-Shkenca” nënshkruan ditën e sotme marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e kërkim-zhvillimit dhe të bashkëveprimit me Diasporën shkencore shqiptare.
Kjo marrëveshje ka një kohëzgjatje prej tri vitesh dhe përfshin bashkëpunimin në fushën e kërkimit shkencor, organizimin e konferencave shkencore, botimeve dhe studimeve në funksion të interesit dhe përfitimit të përbashkët.
Aktivitetet bashkëpunuese në kuadër të kryerjes së kërkimit shkencor përfshijnë bashkëpunimin për zhvillimin dhe promovimin e aktiviteteve me interes të përbashkët nëpërmjet rrjeteve ndërkombëtare; Organizimin e konferencave dhe trajnimeve mbi çështje të Diasporës dhe më gjerë; Botimin dhe publikimin e studimeve mbi historinë e Diasporës shqiptare dhe trashëgiminë kulturore; Promovimin dhe publikimin e studimeve apo botimeve në formatin e-book; Nxitjen e aktiviteteve në vendet ku palët e marrëveshjes kanë qendrat e veprimtarisë së tyre; Organizimin e aktiviteteve me palë të tjera. KultPlus.com
PreFoto është një konkurs i hapur për të gjithë fotografët profesionist dhe të apasionuarit e fotografisë. PreFoto është e certifikuar nga organizata “IAAP” (International association of art photographers) dhe Shoqata e fotografëve Amerikan “PSA” (Photographic Society of America).
Çertifikimi i PreFoto nga këto dy organizata ndërkombëtare dëshmon cilësinë dhe seriozitetin e ekspozitës.
Të gjitha fotografitë që pranohen për t’u ekspozuar printohen nga organizatorët e festivalit.
Në këtë konkurs kanë aplikuar shumë fotograf nga e gjithë bota. Konkursi – Ekspozita PreFoto ka dëshmuar seriozitetin në organizimin e aktiviteteve të tilla, duke e kthyer Luginën e Preshevës në një vendtakim për të apasionuarit e fotografisë.
Tani janë hapur aplikimet për edicionin e 9-të që do të mbahet në muajin nëntor. Tema dhe këtë edicion do të jetë e lirë.
Rregullat e Aplikimit:
Konkursi është i hapur për të gjithë fotografët profesionist dhe të apasionuarit e fotografisë.
Fotot me ngjyrë ose bardh e zi 3.Çdo pjesëmarrës mund të aplikoj në maksimum 3 foto.
Fotot duhet të dërgohen në rezolucionin prej minimum 2400 piksel ose 300 dpi, në cilësinë më të lartë në formatin JPEG.
Fotot nuk duhet të posedojnë ndërhyrje. 6.Çdo fotograf do të merr konfirmim për pranimin e fotove, ndërsa do të lajmërohen vetëm ata që do të pranohen në Ekspozitë/Konkurs . 7.Fotografitë e dërguara duhet të titullohen.
Galeria e Ministrisë së Kulturës vazhdon programin e saj artistik me ekspozitën e radhës të piktorit Vehbi Murati.
I rritur në vitet e nëntëdhjeta, ambienti i trazuar politik për popullin shqiptar të Kosovës, pashmangshëm se kishte ndikim edhe në shprehjen emocionale e artistike të Vehbiut. Dhe jo vetëm zhvillimet fund-shekullit të kaluar në Kosovë, por edhe ato të dy dekadave të para të shek. XXI., pasqyrohen në habitatin personal kulturor të piktorit Vehbi Murati.
Ekspozita e titulluar “Një Ditë e Zakonshme Shtatori” përbëhet nga piktura të cilat autori i ka realizuar viteve të fundit dhe janë kryesisht të formateve të mëdha. Në to paraqiten kryesisht situata të “zakonshme” të cilat mund të jenë të një dite të zakonshme shtatori, sikur që na sugjeron titulli i kësaj ekspozite.
Ekspozita ka për kurator Mehmet Behlulin, ndërkaq drejtohet nga koordinatorja e GMK-së, Dhurata Ramosaj-Shala.
“Një Ditë e Zakonshme Shtatori”, hapet të enjten mbrëma, më 19 shtator në GMK. / KultPlus.com
Ndonëse bëhen dy javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, shumica e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë kanë mbetur pa u furnizuar me tekste.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, në ditën e parë të vitit shkollor ishte zotuar se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura me shpërndarjen e teksteve mësimore.
Por, disa nga mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave e kanë thënë të kundërtën. Sipas tyre, një pjesë e madhe e teksteve nuk u janë dërguar dhe se procesi mësimor po realizohet me vështirësi.
Dhënia falas e teksteve për nxënësit e klasave 1 deri në të 9 rregullohet me udhëzimin administrativ:
“Pajisja e nxënësve me tekste shkollore, përdorimi dhe ruajtja e tyre”, i nxjerrë në vitin 2016.
Në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, sipas statistikave të MASHT-it, këtë vit janë 239.937 nxënës.
Mësimdhënësi i shkollës “Zenel Hajdini”, në Prishtinë, Skënder Llalloshi thotë se në klasën e dytë u mungojnë disa tekste. Kjo, sipas tij, po i shkakton problem atij si mësimdhënës, por edhe nxënësve. Për mungesën e librave ka treguar se ka ankesa edhe nga prindërit. Koha.net/ KultPlus.com
Emigrimi i studentëve dhe punëtorëve të kualifikuar po shoqërohet me humbje të kapitalit njerëzor dhe kjo po ndikon negativisht te vendet e varfra. Shqipëria renditet ndër 10 vendet me hemorragjinë më të lartë të njerëzve të arsimuar, transmeton BW raportin e UNESCO-s.
Raporti i Monitorimit Global për Arsimin nga UNESCO për vitin 2019 i kushtoi vëmendje të veçantë faktit se si po ndikon emigracioni në sektorin e edukimit kudo në botë. Studimi gjeti se, shkalla e emigrimit të personave të arsimuar është mbi 20%, në rreth një të tretën e 174 vendeve. Në Shqipëri, deri në vitin 2010, kishin emigruar 26% të personave me aftësi të zhvilluara, raporton UNESCO.
Sipas studimit, Shqipëria dhe Malta renditen me përqindjen më të lartë të emigrimit të personave të arsimuar, ndërsa vendet e tjera të prekura nga ky fenomen janë kryesisht në Afrikë, të tilla si Eritrea, Grenada, Haiti, Sri Lanka etj. Lëvizja në këto nivele do të ketë pasoja të pafavorshme për zhvillimin ekonomik.
Ndihmat në formën e bursave nga donatorët për vendet e varfra, si edhe Shqipëria, mund ta përkeqësojnë këtë prirje, pasi studentët kanë prirje të mos kthehen. UNESCO sugjeron se ndihmat e donatorëve duhet të fokusohen në mbështetjen me logjistikë dhe me fonde tek universitetet në vendet e varfra. Vendet e varfra me emigracion të lartë të personave të arsimuar vuajnë edhe nga keqpërdorimi i fondeve publike për arsimin. Një vlerësim i Bankës Botërore zbuloi se rreth 18% e shpenzimeve publike të arsimit universitar në Afrikën Sub-Sahariane shkuan për bursa studimi jashtë vendit gjatë periudhës 2003-2008.
Sipas të dhënave të OECD-së, emigrimi i shqiptarëve të arsimuar në vitin 2010 dhe 2011 është rritur me 223% krahasuar me vitin 2000 dhe 2001. Kjo rritje ishte më e lartë se emigrimi për pjesë të tjera të popullatës me arsim të mesëm dhe të ulët. Një studim i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, për llogari të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) i publikuar së fundmi, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore. / KultPlus.com
Të martën nga ora 11:00 do të promovohet libri “Anatomia e shpirtit të një kosovareje” në restoranin Rings para Grupit te Grave Nderkombëtare në Kosovë.
Libri është një memorie i cili përshkruan ngjarjet e Kosovës një nga një nga koha e para, gjatë dhe pas luftës. Me një fjalë rrefen jetën dhe ëndrrën e parealizuar të Vlera Kastratit për muzikë dhe jetën e vështirë e cila vriste ëndërrat tek ne.
Me rikthimin nëpër momentet më emocionale e më të thella të jetes së saj, ajo përshkruan Kosovën me fjalë dhe muzikë. Në momentet më emocionale, edhe tetë kengët në libër përshkruajnë ngjarjet dhe emocionet e saj për femijërinë pa lojë, rininë me protesta, studimet pa të drejtë shkollimi, luftën dhe mbijetesën e pasluftës apo me një fjalë një jetë larg prej të qenit normal.
“Në këtë jetë, ënderra ime për muzikën dhe ëndërrat e shumicës nga ne, ishin fundosur thellë në ërrësirën e të mbijetuarit në realitetin e hidhur. Duke ritreguar realitetin e Kosovës vetes dhe lexuesit, unë kthehem në kohë dhe e mbush jetën time me muzikë e dashuri. Thjesht, këndoj përgjatë gjithë jetës time. Pra libri është një formë e re e rrëfimit me muzikë dhe fjalë, një libër muzikor o musical” thotë ajo për KultPlus.com
Parllaku ka vdekur në moshën 100-vjeçare ditën e djeshme, bën të ditur BalkanWeb.
Kush është ish-gjenerali Rrahman Parllaku:
Lindi në fshatin Novosej të Lumës. Shkollën fillore e kreu në Shishtavec. Në moshën 12-vjeçare ka filluar punë me babanë dhe vëllanë në profesionin e pastiçierit nga viti 1932 në Cakran të Mallakastrës dhe nga viti 1936 në Selenicë të Vlorës.
U kthye përsëri për të vazhduar shkollën dhe për të dhënë provimet. Me ndihmën dhe këmbënguljen e mësuesit të tij Salih Kolgeci, dhe të drejtorit të shkollës Myslim Sina nga Tërbaçi i Vlorës, arrin ta përfundojë arsimin fillor 5 vjeçar.
Më 1930, babai i Rrahmanit, Latifi , së bashku me të vëllain u largua për në Vlorë dhe Cakran të Mallakastrës. Nga viti 1936 deri në vitin 1939, Rrahmani punoi në Selenicë të Vlorës.
Në prag të pushtimit fashist të 7 prillit 1939 me vëllanë Selimin kushëririn Baftjarin bashkë me popullin e Selenicës zbritën në Vlorë për të kërkuar armë për të mbrojtur vendin nga pushtimi fashist. Të zhgënjyer e dëshpëruar nga qëndrimi i mbretit dhe qeverisë, që nuk e armatosën e organizuan popullin për luftë kundër fashizmit, u kthyen në Selenicë. Në nëntor 1939, hapën një lokal pasticeri në qytetin e Vlorës.
Në protestën e zhvilluar më 28 nëntor 1941 kundër pushtuesve iu dha rasti që në kulmin e entuziazmit të protestuesve të dalë në krye për të mbajtur flamurin kombëtar që përpiqeshin ta rrëmbenin fashistët, aty mori një goditje në kokë. Pas kësaj dite përfshihet në njësitet guerile të qytetit, fillimisht guerilas i thjeshtë, pastaj përgjegjës grupi e njësiti dhe me pranimin si anëtar i Partisë Komuniste.
Me 6 janar 1943 u caktua komandant i njësiteve guerile të qytetit të Vlorës deri më 28 nëntor 1943, kur e transferuan me detyrë komisar batalioni. Pas rezultateve të mira në drejtimin e batalionit në luftimet kundër forcave naziste dhe ruajtjen e kompaktësisë të efektivit gjatë Operacionit armik të Dimrit 1943-1944, emërohet zëvendëskomisar i Brigadës së 8-të, e përuruar më 26 prill 1944 në Sheper të Gjirokastrës. Gjatë muajit maj u mor me organizimin e Brigadës së 12-të Sulmuese dhe mbrojtjen e Kongresit të Përmetit. Më 8 qershor 1944 transferohet në Brigadën e 3-të Sulmuese dhe së bashku me anëtarët e shtabit që drejtonin këtë njësi përballoi me sukses Operacionin e qershorit të ushtrisë naziste. Pas këtij operacioni me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, brigada kalon në Shqipërinë e Mesme, me detyrë të spastrojë nga armiqtë zonat malore të Elbasanit e Tiranës e të sigurojë nga shpina forcat e Divizionit të 1-rë, që vepronin në Mat e Dibër dhe të mbronte bazën e Bizës, ku hidhnin materiale avionët aleatë. Në fillim të shtatorit, brigada me urdhër të Komandës së Përgjithshme mori për detyrë që së bashku me Brigadën e 5-të të kalonin në Kosovë për të shpejtuar çlirimin e kësaj zone e të ndihmonin në ngritjen e Këshillave Naconalçlirimtare si organe të pushtetit të ardhshëm për përfshirjen në masë të kosovarëve në luftë për t´ju bashkuar frontit antifashist të popujve dhe të dëmtonin e pengonin forcat gjermane në tërheqje.
Me çlirimin e Kosovës, më 22 nëntor, në qytetin e Pejës merr urdhrin e emërimit komandant i Divizionit të 5-të dhe u gradua kolonel. Nga 20 dhjetori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, forcat e komanduara nga Parllaku në bashkëveprim me forcat jugosllave çliruan krahinën e Sanxhakut. Me ndërprerjen e luftimeve, forcat e Divizionit të 5-të e të 6-të Sulmues u kthyen në Kosovë. Më 14 prill të vitit 1945, kur ndodhej në Mitrovicë, ai mori urdhrin e emërimit komisar i Korparmatës së 2-të në Berat. Me shkrirjen e saj e nxorën në lirim dhe e caktuan sekretar politik i Komitetit Qarkor të PK të Shkodrës. Me kërkesën e tij rikthehet në ushtri në detyrën e drejtorit të Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1947 i jepet grada kolonel.
Në dhjetor të vitit 1947, Parllaku u caktua në detyrën e drejtorit Politik të Ushtrisë, detyrë të cilën e kreu deri në prill të vitit 1948, kur u dërgua të studionte jashtë shtetit. Parllaku ka mbaruar studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sovjetike “Voroshillov”. Pas kthimit nga studimet, ai u emërua drejtor i Drejtorisë së Organizim-Mobilizimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1952-1954 caktohet në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes e drejtor i Prapavijës së Ushtrisë dhe mori gradën e lartë të gjeneral-majorit. Gjatë viteve 1954-1961 do të shërbente si zëvendësministër i Mbrojtjes për përgatitjen luftarake të ushtrisë.
Nga viti 1961 deri në vitin 1967 kreu detyrën e komandantit të Forcave Ushtarako-Detare dhe më pas komisar i këtyre forcave dhe iu dha grada gjeneral-leitnant. Në vitet 1969-1970 do të shërbente si komisar i Forcave Ushtarako-Ajrore dhe një vit më vonë u emërua zëvendësministër për Përgatitjen Luftarake të Ushtrisë. Për merita të veçanta i është dhënë titulli “Hero i Popullit” dhe është dekoruar me 9 urdhra e tri medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak. Parllaku, ka qenë zgjedhur deputet i Kukësit në Kuvendin Popullor për 7 legjislatura rresht, që nga viti 1945 deri në vitin 1973. Gjeneral Parllaku ka qenë kandidat i KQ të PKSH që nga tetori i vitit 1944 deri në Kongresin e Parë.
Në kongresin e Katërt rizgjidhet përsëri kandidat i KQ të PPSH dhe në Kongreset e Pestë e të Gjashtë anëtar i këtij Komiteti. Parllaku u arrestua dhe dënua për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “puç ushtarak”, nën akuzën e “krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë”. Në bazë të këtyre akuzave u dënua me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat 16 vjet e tri muaj i vuajti në burg (nga dhjetori i vitit 1974 deri më 17 mars të vitit 1991), si pjesëtar i të ashtuquajturit “grup i Beqir Ballukut”. Duke pasur akuzën e rëndë të “tradhtisë ndaj atdheut”, të ashtuquajturit pjesëtarë të këtij grupi: Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku nuk amnistoheshin nga ligjet në fuqi. Në rekursin e bërë nga Parllaku, Gjykata e Kasacionit vendosi, më 20 korrik të vitit 1994, prishjen e vendimit të 5 nëntorit të vitit 1975 të Gjykatës Ushtarake, që i cilësoi fajtorë ushtarakët e lartë, dhe pushimin e akuzave të mësipërme. Ai është kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar.
Të mërkurën ndoqa shfaqjen e filmit “Zana” në Toronto International Film Festival, me regji të Antoneta Kastratit, aktorë kryesorë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, kinematografi Sevdije Kastrati, producentë Casey Cooper Johnson, Sevdije Kastrati, Dritan Huqi, Brett Walker, Miguel Govea. Për herë të parë u vura në dijeni për këtë film nga shkrimi i Arben Kallamatës. Sigurisht duke i besuar vlerësimit të gazetarit të njohur, blemë biletat për të mos humbur rastin e shijimit të filmit shqiptar në kinemanë torontoniane.
Një grua e bukur e shtrirë në një lëndinë të gjelbëruar me dorën tek barku si në përkëdhelje a ëndërrim. Kjo është fotografia me të cilën filmi “Zana” tërhoqi menjëherë vëmëndjen e audiencës në kinemanë nr 4 në Light Box Toronto. Salla ishte e mbushur plot dhe për 92 minuta zhurma e kokoshkave që dikush i kishte blerë për të shoqëruar filmin, nuk u dëgjua.
Skenari i shkruar nga çifti Casey Cooper Johnson dhe Antoneta Kastrati ka një konstruksion interesant për të prezantuar shikuesin fillimisht me disa nga pasojat e stresit post traumatik, të cilat përjetohen nga personazhi kryesor, Lumja, e cila shfaqet në pamje të përgjithshme si një grua e qetë, jo fjalë shumë, e tërhequr, dhe që mbart një dhimbje të madhe. Është kjo dhimbje që e bën atë të huaj me familjarët, të ftohtë me të shoqin e të painteresuar për jetën. Është kjo dhimbje që i shkakton makthe, gjumë të trazuar, tëhuajësim nga bota, moskujdes për veten, shoqëruar me ecje natën jashtë shtëpie. Është kjo dhimbje që e bën atë të shmangë vendet dhe njerëzit që i kujtojnë traumën. Është kjo dhimbje që e bën atë të mos dëshirojë një fëmijë të dytë apo të tretë. Mjeku i sugjeron trajtimin psikologjik para se të tjerët të kërkojnë prej saj shtimin e familjes, por e vjehrra e alarmuar zgjedh ata që bëjnë derman; shëronjësit popullorë. Më pas filmi vazhdon me tentativat për ta trajtuar popullorçe çrregullimin duke e zhvendosur personazhin si një kukull pa gojë në vende të magjisë së zezë. Si një tentativë e parë për të vetë rregulluar jetën e saj, Lumja provon të largohet nga i shoqi e të kërkojë strehim te prindërit, por zakonet dhe traditat e vendit nuk e kapërcejnë këtë kafshatë turpi. E kthyer tek burri, Lumja e palume, dorëzohet tek kuruesit e xhindeve. E damkosur me vulën e pushtimit nga xhindet, ajo përballet me kura injorance shtatzanie, që e dëmtojnë edhe më tej shpirtin e saj.
Kur je një spektator i jashtëm i një ngjarjeje, ti ke luksin të qeshësh e komentosh, të mbledhësh buzët e të gjykosh, por nëse futesh nën lëkurën e personazhit, ti kupton se sa vështirë e ka një grua të dëgjohet në një mjedis anakronik e të veshur me bestytni.
Prandaj në fund autorët e filmit e kanë shprehur qartë se si pasojë e gjithë ndërhyrjeve të papërshtatshme për të shpëtuar shpirtin e Lumes, ajo më në fund kupton se duhet të shpëtojë veten, duke u ekspozuar ndaj burimit të traumës. Një natë me dëborë, Lumja niset në kërkim të Zanës, vajzës 4-vjeçare që ia vranë para syve gjatë luftës së Kosovës. Por çfarë ndodhi në këtë pikë? U shërua Lumja apo pati një fund tragjik? Regjisorja Kastrati arriti ta mbajë vigjilent shikuesin deri në sekondat e fundit. Për disa shikues, filmi pati fund jo të lumtur, për disa të tjerë ishte një fund logjik. Kinematografja Sevdija Kastrati, ka realizuar imazhe të bukura për syrin, por po aq prekëse për shpirtin. Vështirë të mbash lotët, para skenës së ftohtë të dëborës. Detajet, ndriçimi, lentet e përdorura, kontrastet e forta mes ngjyrave dhe përmbajtjes së skenarit, janë këto elementë që kanë arritur të krijojnë plane vitale në kontrast me vuajtjen e shpirtit të personazhit qendror. Fiksojeni emrin Sevdije Kastrati, si një supertalent të fotografisë që di të përkthejë me lehtësi vizionin e drejtueses së filmit, jo sepse e ka motër e njihen në detaje me njëra-tjetrën, por se kjo vajzë do dijë të lërë gjurmë në kinematografi.
Por sigurisht që fotografia ka nevojë edhe për editim dhe ky proces është realizuar nga vetë regjisorja. Kjo në fakt është gjë e mirë pasi Antoneta ka ditur shumë mirë se çfarë të krasisë apo ndreqë në pjesët e filmuara, në përputhje me qëllimet e skalitura qëkur filmi 5 vjet më parë ishte thjesht një ide. Prandaj vështirë të konstatohej ndonjë kërcitje planesh nga një aksion në tjetrin, përkundrazi, gjithçka ishte ngjitur kaq bukur dhe copëzat filmike ishin lëmuar mjeshtërisht duke arritur ritmin perfekt vizual.
E megjithatë, pavarësisht mesazheve që çdo sekuencë e filmit ka qëllim të përcjellë, pa lojën e arrirë të aktorëve vështirë se një skenar del në dritë. Regjisorja Kastrati kishte zgjedhur aktoren Adriana Matoshi, e cila duhet theksuar se përveç aftësisë aktoriale, ajo ka një bukuri magjepsëse në thjeshtësinë e tipareve që nuk hasin vështirësi të emetojnë shprehje emocionale edhe kur personazhi vuan nga ngrirja e emocioneve. Në fakt gjykimi i aktorëve është gjëja më e kollajtë që shikuesi mund të bëjë. Janë aktorët ata që përballen me audiencën, pavarësisht se midis tyre qëndron një ekran.
Të përzgjedhur me kujdes por edhe me intuitë, kasti i aktorëve dhe ky ekip ishte i qëlluar. Harmonia e komunikimit mes tyre në realitetet absurde të kohës së shkuar por pse jo edhe të së tashmes shqiptare në disa aspekte, përcillnin vërtetësinë tek shikuesi, e cila hera-herës qesharake e groteske pa fund.
Nuk duhet lënë pa përmendur dhe dirigjenti i koordinimit të punëve artistike, Casey Cooper Johnson, një njohës i mirë i Kosovës së luftës dhe gjuhës shqipe, i cili me shkathtësi ka arritur në realizojë kërkesat e regjisores Kastrati njëherazi dhe bashkëshortes së tij që prej fillimviteve të largëta të pasluftës.
Ju e dini që filmi ka lidhje me figurën, por gjithashtu shumë rëndësi merr edhe tingulli. Këngët shqipe ishin pjesë plotësuese e Zanës, por ajo që më mbeti në mendje dhe më shoqëroi pas-orët e filmit ishte ninulla mbyllëse. Sapo lotët të derdhen faqeve në skenën e fundit, një muzikë e ëmbël drithëruese e shkruar nga Fatime Kosumi të mban ende të ulur në karrige, duke ndjekur instinktivisht titrat e filmit.
Janë duartrokitjet e fuqishme ato që të përmendin se filmi mbaroi. Regjisorja Antoneta Kastrati dhe producenti Casey Cooper Johnson ftohen në skenë të bisedojnë me shikuesit. Unë kujtohem që e kam intervistuar Antonetën dhe më duhet veç të zbardh bisedën e regjistruar e ta publikoj në FlasShqip. Por, kur arrita në shtëpi kisha dëshirë të përktheja në fjalë të shkruara, efektet e filmit “Zana” mbi mua, si m’u duk dhe si e kuptova unë. Dhe kështu vendosa që fjalën e fundit mbi Zanën, t’ia rezervoj nesër regjisores Antoneta Kastrati./ KultPlus.com
Greta Thunberg, është aktivistja më e re botërore në çështjet e mjedisit e cila ka marrë zemrat e qindra e mijëra njerëzve. Një voglushe simpatike e cila ka arritur të mobilizojë mijëra aktivistë në luftë kundër ndryshimeve klimatike.
Në këtë emision, Thunberg, flet për rëndësinë e përpjekjeve për ta ndalur katastrofën mjedisore si dhe për inspirimin e saj për këtë çështje. / KultPlus.com
Veglat e lashta muzikore dhe interpretuesit e tyre u shfaqen në teatrin e lashtë të Kalasë së Ulqinit duke përkujtuar shpirtin shekullor të artit popullor, njofton “Zëri i Amerikës”. Në këtë kuadër u mbajte edhe simpoziumi kombëtar “Instrumentet klasike të muzikës shqiptare” ku u ravijëzua rëndësia e ruajtjes së kësaj trashëgimie të pasur kulturore.
Studiuesi dhe njohësi i mirë i muzikës shqiptare, Zef Çoba thekson rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite.
“Ruajtja e traditave pasuron mozaiku e vendeve tona dhe ky mozaik meriton me u ruajtë me kujdesin më të madh nga gjeneratat që vijnë. Zhvillimi i simpoziumit dhe i koncerti ekspozon vlerat e kësaj trashëgimie dhe një farë mënyre është thirrje që të gjithë bashkë të përpiqemi ti ruajmë këto vlera”.
Studiuesi nga Tirana. Pirro Misha vë në dukje rrezikimin e veglave muzikore nga muzika e sotme elektronike, e cila gjithnjë, sipas tij, po dominon në skenën muzikore.
“Çështja e instrumenteve tradicionale po ndeshet sot më fuqishëm me një kategori të pestë të instrumenteve muzikorë ku është integruar edhe elektronika. Elektronika ka krijuar disa instrumente të atillë që tentojnë të imitojnë instrumentet popullorë. Këto instrumente nuk kanë arritur të zëvendësojnë atë bukurinë dhe timbrikën e instrumenteve tradicionale popullore”.
Veglat popullore tek shqiptarët në Mal të Zi, sipas këngëtarit të njohur të folklorit, Nikollë Nikprelaj dikur ishin shumë të përhapura, ndërkohë që sot, sipas tij, ato janë duke shkuar drejt zhdukjes.
“Sidomos tek shqiptarët në Mal të Zi rrezikohet më së shumti zhdukja e këtyre instrumenteve, pasi që të paktë ose aspak janë ata që kultivojnë në mënyrë të mirëfilltë këto instrumente”.
Organizatori i kësaj mbrëmjeve, Cafo Boga, kryetar i Fondacionit Kulturor Shqiptaro-Amerikan me seli në New York, vlerëson se në kohën e globalizmit është e domosdoshme ruajtja e këtyre veglave të rëndësishme muzikore.
“Trashëgimia kulturore e jona po zbehet dita ditës nga stuhia e globalizmit, e cila ka përfshi tërë botën e sidomos kombet e vogla. Muzika klasike në kuptimin e vërtetë nuk është vetëm muzika klasike e Europës Perëndimore, por edhe ne si iliro-shqiptarë e kemi muzikën klasike tonën që është muzika burimore.”
Veglat e lashta muzikore tregojnë historinë muzikore të një kombi. Shumë prej këtyre veglave kanë nisur të dalin nga përdorimi çka paraqet një shqetësim për studiues shqiptarë.
Sot mbushen 76 vjet që nga mbledhja e Kuvendit në Prizren, i cili zgjati deri më 20 shtator dhe ku ishte vendosur për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.
Aty morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekzekutiv, me në krye Musa Shehu, i shoqëruar nga Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi.
Kryetari i Këshillit Ekzekutiv, Musa Shehu, paraqiti rendin e ditës për t’u zgjedhë Paria e Kongresit që përbërë prej kryetarit, dy nënkryetarëve dhe një sekretari.
Me votim të fshehtë Musa Shehu u zgjodh kryetar i kongresit, Aqif Blyta nënkryetar, Rexhep Krasniqi nënkryetar, ndërsa sekretar Bedri Gjinaj.
Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare.
Në Kuvendin e dytë (17-21 janar 1944) u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes. Kryetar i Komitetit Qendror u zgjodh Bedri Pejanin, pas Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i qeverisë që gjermanët ngritën në Tiranë. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944.
Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica ishte kryeministër.
Ndryshe nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve që ishin angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t’u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëhiqej nga komunistët do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë.
Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman si të keqen më të vogël në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre.
Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane.
“I rilindur pas vitesh të tëra degradimi deri në pikën që nuk njihej më, gjimnazi “Asim Zeneli”, ku mësuan edhe Ismail Kadareja e Dritëro Agolli, do të presë nxënësit në kushte optimale falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe bashkëfinancimit të Bashkisë Gjirokastër”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përcolli pamje nga kushtet e reja ku do të mësojnë gjimnazistët e “Asim Zenelit” në Gjirokastër, në prag të nisjes së vitit të ri akademik.
Po ashtu, kryeministri tha se gati janë edhe të tjera shkolla të reja në Kukës, Malësi e Madhe, Kavajë, Pogradec, Mallakastër, falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe bashkëfinancimit të bashkive përkatëse. /KultPlus.com
Jashtësia shpërndahet Has tek e tuk në pengesa Mirëpo t’gjitha i kam përzanë Disa ikin vet Sa jasht’ Sa jasht’e pa pikë ngazëllimi për me qenë ndryshe Streha ime është skaji i botës Gjithmonë jom t’u dashtë me ra Ja dal
Diqysh, diqysh mos me m’rrshitë Kamba Jeta ime është një ekuilibër i jashtëzakonshëm Nën rotacionin e Venerës
Sa larg jam tashmë prej tyre Dhe prej gjithҫkafit Gjana t’panjohuna
E hapsina t’lame, t’harrume Sillen përreth qenies time Kurgjo mo nuk m’rrin aty Asnjë fjalë njerëzore Pa ligj
Një krijesë e vetme, e çuditshme, e egër As unë nuk e kuptoj veten time.
Karl Marks, është një nga ata emra që nuk mund ta përmëndësh në një tryezë, pa shkaktuar një debat të ashpër. E kundërta është e vërtetë për presidentin amerikan Abraham Linkoln, një hero i pakontestuar nga të gjithë…përfshirë edhe vetë Karlin Marks.
Ai ishte një fans i madh i Linkolnit. Marksi i shkroi Lincolnit në emër të Shoqatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Mbretërisë së Bashkuar, për ta uruar për rizgjedhjen e tij, dhe për ta përgëzuar për “zhdukjen e skllavërisë”. Sepse nëse kishte një gjë që Marksi e urrente, ishte puna e papaguar. “Megjithatë, mjekra juaj nuk është fort e bukur”- e mbyll letrën e tij Marksi.
Ajo çfarë është më e habitshme, është se Linkolni u përgjigj. Presidenti, udhëzoi ambasadorin amerikan në Londër t’i kthente përgjigje Marksit dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Mbretërisë së Bashkuar, duke thënë se ai ishte mirënjohës që merrte mbështetje nga “miqtë e njerëzimit dhe progresit në të gjithë botën”.
Duhet pasur parasysh se në atë kohë Linkolni kishte nevojë për mbështetjen e klasës punëtore britanike. SHBA po përballej me mungesën e theksuar të pambukut, për shkak të rrënimit ekonomik të Jugut. Dhe nëse Anglia do të thoshte papritmas:”E dini? Ishim më mirë me skllavërinë në SHBA!”, Veriu do të zhytej në telashe të mëdha.
Ndërkohë, Linkolni mund ta ketë njohur emrin e Marksit nga shkrimet e tij për “The New York Daily Tribune”, një gazetë republikane. Në fakt, Marksi ishte aq i lidhur me SHBA-në, sa po mendonte seriozisht lëvizjen për të jetuar atje. Ai aplikoi për një vizë për të emigruar në Teksas, së bashku me një turmë gjermanësh, që do shkonin atje pas dështimit të revolucioneve të vitit 1848. / KultPlus.com
“Kur bota i ktheu shpinën Ruandës”: kështu James Nachtwey kujton gjenocidin e Ruandës. Gazetar lufte gjithmonë i pranishëm në skenarët më të vështira dhe kontradiktore sociale, Nachtwey e mori këtë fotografi në Nyanza, në një spital të Kryqit të Kuq. Fytyra në foto është ajo e një djali të burgosur, të rrahur dhe më në fund i plagosur nga thikat e militantëve Interahamwe. Djali, një Hutu, i mbijetoi mrekullisht dhunës por kur Natchewey e takoi, djali në foto nuk fliste, mezi ecte dhe gëlltiste.
Gjenocidi Ruandës: disa flasin për 800,000 të vdekur, disa të tjerë për më shumë se 1 milion.
Në fillim gjermanët dhe me pas belgët luajtën rolin kryesor në transformimin e grupeve hutu dhe tutsi. Ruanda ishte e populluar nga 3 grupe etnike : Hutu 84%, Tutsi 15% dhe Tëa 1 %.
https://www.youtube.com/watch?v=g6m7UKQ3mjY
Historikisht Hutut merreshin me bujqësi ndërsa Tutsit me blegtori. Gjurmet e konfliktit në Ruanda i hasim nga koha e sundimit kolonial të Belgjikës 1916- 1962, e cila ndau karta identiteti për te identifikuar grupet etnike në Ruanda. Këto dy grupe etnike kishin jetuar për më shume se 500-600 vite në paqe, si nje grup i vetëm; flisnin të njejtën gjuhë, dhe kishin pasur gjithashtu martesa të përziera. Në përiudhën e kolonializmit pjestarët e grupit etnik Tutsi ishin të favorizuar në aspektin e arsimimit dhe punësimit ndersa pjestarët e Hutuve ishin lënë pasdore; shpërndarja e kartave per identifikimin në bazë të grupit etnik, ndikuan për të rritur tensionet mes grupeve Hutu dhe Tutsi. Tensione që i çuan këto 2 grupe në një lufte civile.
Kur më 6 prill të vitit 1994 filluan incidentet, pjesa e madhe e personelit ushtarak dhe vëzhgues të Kombeve të Bashkuara (OKB) u largua nga vendi. OKB-ja edhe pas 3 javësh nga fillimi i akteve të gjenocidit, ngjarjet i vlerësoi si masakër të madhe dhe shmangu të përdorë konceptin e gjenocidit. Në Ruanda ku ndodhi një nga gjenocidet më të mëdha të kohëve të fundit, në 100 ditë kanë humbur jetën 800 mijë – 1 milion qytetarë të këtij vendi, shumica e të cilëve ishin nga grupi etnik Tutsi.
Qendra e Botimit të Diasporës paraqitet në Panairin e Parë të Librit në Diasporë të zhvilluar në Uster të Zvicrës. Ky aktivitet u realizua nën organizimin e shoqatës “Bashkimi”, me praninë e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, të shtëpive botuese vendase dhe shqiptare, si dhe të shkrimtarëve dhe mësuesve në Diasporë.
E ftuar në këtë panair, Qendra e Botimeve për Diasporën prezantoi punën e saj të deritanishme, vizionin, misionin dhe projektet në proces. Në fjalën përshëndetëse drejtoresha e kësaj qendre, znj. Mimoza Hysa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional midis shteteve tona, Kosovës dhe Shqipërisë për hartimin dhe zbatimin e një politike të përbashkët në mbështetje të mësimdhënies në Diasporë.
“Gjuha shqipe është hapësira, që nuk njeh kufij gjeografikë mes shteteve të shqiptarëve, mes atyre që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, apo në vende të ndryshme të botës. Është gjuha që na identifikon si bashkëkombës dhe pikërisht kjo gjuhë duhet të përbëjë dhe urën tonë më të mirë të komunikimit. Ta përdorim pra gjuhën, në dobi të çështjes së shqiptarëve, pa dallim origjine apo përkatësie.”
Në një seancë të veçantë u bë dhe prezantimi i Qendrës së Botimeve për Diasporën, në një bashkëbisedim të rëndësishëm me mësues, shkrimtarë dhe nxënës të shkollës shqipe.
Të pranishmit patën mundësinë të njihen me punën e Qendrës së Botimeve për Diasporën përmes materialeve promocionale, broshurës dhe Udhëzuesit për mësimdhënien në Diasporë. KultPlus.com
Kino Lumbardhi në Prizren vazhdon edhe sonte me shfaqjen e filmave. Sonte do të shfaqet filmit “Der Amerikanische Freund”, ( Shoku Amerikan) dhe hyrja do të jetë falas, shkruan KultPlus.com
“Sonte në kuadër të programit të filmit “Retrospektiva e Wim Wenders” do të shfaqet filmi Der Amerikanische Freund [Shoku Amerikan] (1977) me fillim nga ora 20:00 te Lumbardhi. Filmi do të shfaqet në gjuhën e tij origjinale me titra në shqip dhe anglisht. Hyrja ofrohet falas”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
Kthimi i interesimit te të rinjtë për leximin e librave është një nga qëllimet e nismës së organizatës joqeveritare ‘ETEA’, për hapjen e 12 bibliotekave të vogla apo siç po quhen, mini-bibliotekave, nëpër disa lagje të Prishtinës. Sipas planifikimeve, parashihet që këto mini-biblioteka të jenë në funksion të qytetarëve nëpër lagje të caktuara. Po ashtu, parashihet që qytetarët të kontribuojnë edhe me librat e tyre për t’i pasuruar ato me tituj nga më të ndryshmit.
Agon Ahmeti, drejtor i organizatës ‘ETEA’, tha për Radion Evropa e Lirë se me një organizim të mirë, qytetarët mund edhe t’i shkëmbejnë titujt e ndryshëm të librave nga lagjja në lagje.
“E kemi ideuar asi soji që përveç fondeve që vijnë nga donatorët, të krijohet mundësia për kontribut financiar ose dhurim të librave nga ana e qytetarëve, përkatësisht nga banorët e lagjeve përfituese. Përveç tjerash, kjo mund të ndikojë në ngritjen e përgjegjësisë së banorëve për kujdesin dhe mirëmbajtjen e tyre. Funksioni kryesor i këtyre mini-bibliotekave është shkëmbimi i librave, pra merr një libër, sill një libër tjetër”, thotë Ahmeti.
Ndërtimi i këtyre mini-bibliotekave pritet të nisë gjatë këtij muaji.
Në përgjithësi, disa të rinj të intervistuar shkurt nga Radio Evropa e Lirë thonë se interesimi i tyre për leximin e librit është në nivel. Përveç blerjes së librit, ata thonë se përdorin edhe metodën e huazimit apo regjistrimit në bibliotekë, që u mundëson atyre që të lexojnë vepra nga më të ndryshmet.
Marigona Dubovci, e diplomuar në Shkencat Politike, thotë se është lexuese dhe adhuruese e madhe e librave. Ajo thotë se këtë vit ka treguar interesim më të madh për veprat e shkrimtarëve të huaj, por gjithmonë duke mos përjashtuar edhe shkrimtarët kosovarë.
“Si lexuese preferoj të lexoj letërsinë klasike, kryesisht autorët rusë dhe anglezë. Kohëve të fundit kam lexuar edhe libra nga autorët japonezë, si Haruki Murakami dhe Kazuo Ishiguro. Unë preferoj të lexoj në gjuhën shqipe, por ka mjaftueshëm edhe libra në gjuhën angleze”, thotë Dubovci.
Ajo thotë po ashtu se e cilëson si mundësi të mirë edhe ofrimin e blerjes së librave të përdorur dhe sipas saj, çmimet e librave në përgjithësi nuk janë të shtrenjtë. Librin të cilin ajo është duke e lexuar tash dhe të cilin ua rekomandon dashamirëve të librit është “Kur qau Niçja”, nga autori dhe psikiatri amerikan, Irvin Yalom.
Sa i përket interesimin për blerjen e librave dhe zhanreve për të cilat të rinjtë janë më shumë të interesuar, Edon Zeneli, drejtor i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se interesimi për librat në gjuhën angleze nga zhanret e ndryshme, është duke u rritur.
“Vërejmë një interesim në rritje për librat në gjuhën angleze, madje mund të themi që pothuajse gjysma e të rinjve lexojnë libra në gjuhën angleze. Kjo mund të merret edhe në aspektin pozitiv edhe në aspektin negativ si dukuri. Në njërën anë është mirë që i riu ynë lexon në gjuhën angleze sepse kësi soji është në hap me të gjithë të rinjtë e tjerë në botë. Por, në anën tjetër e ka edhe problematikën e vet sepse në këtë formë, le të themi kushtimisht, lexuesi po shkon edhe duke u larguar me gjuhën e natyrshme, gjuhën shqipe”, tha Zeneli.
Sipas tij, ndër titujt më të lexuar gjatë këtij viti janë romanet klasike dhe librat të cilët janë shndërruar në seriale televizive.
“Janë libra që të rinjtë në përgjithësi edhe nëse i kanë parë serialet më herët, duan t’i kenë nëpër bibliotekat e tyre dhe janë libra që shiten vazhdimisht te ne. Sidomos seria e ‘Game of Thrones’, është në fakt seti i librave që është shitur më së shumti në libraritë tona”, u shpreh Zeneli.
Hapësirat në të cilat të rinjtë e Kosovës lexojnë, janë kryesisht nëpër shtëpi, ndërsa bibliotekat më shumë shfrytëzohen për mësim dhe përgatitje të provimeve nga studentët. Radio Europa e Lirë/ KultPlus.com
Universiteti i Bolonjës në Itali organizon kurse të mësimit në gjuhën shqipe me moton “Shqipëria-Fqinji më afër”, shkruan KultPlus.com
“Universiteti i Bolonjës, nën moton “Shqipëria – Fqinji më afër”, organizon kurse të mësimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare”, shkruan Majko në Facebook.
Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, ka njoftuar se në qendrën arsimore “AYC Greenwich” në SHBA edhe këtë vit do të zhvillohet mësimi në gjuhë shqipe, shkruan KultPlus.com
“Në “AYC Greenwich”, SHBA klasat e mësimit të gjuhës shqipe këtë vit nisin më 21 shtator. Kjo qendër arsimore është themeluar me qëllim krijimin e një hapësire ku fëmijët shqiptaro-amerikanë të moshës 5 deri 18 vjeç në zonat e lower Fairfield dhe Westchester të mësojnë gjuhen shqipe, historinë, kulturën dhe trashëgiminë shqiptare nëpërmjet studimeve sociale, historike, valleve tradicionale, prezantimeve nga të ftuar të shqiptarë si dhe aktiviteteve sportive”, ka shkruar Majko në Facebook.
Është ndër aktoret më të diskutuara, për bukurinë e saj. Me t’u shfqur në ekran, regjisorët panë tek ajo, mishërimin e një femre të bukur, inteligjente, të kujdesshme ndaj kritikave dhe të apasionuar pas punës. Kinemasë shqiptare do t’i shtohej kështu edhe një tjetër emër-simbol i bukurisë, origjinalitetit dhe talentit.
Rajmonda Bulku lindi në Tiranë, më 16 gusht 1958. Kur ishte gjimnaziste e vitit të të tretë, më 1976-ën, ajo do të deputonte për herë të parë në kinema, në filmin “Dimri i fundit”, me rolin e një vajze e cila, së bashku me gratë e tjera të fshatit u vijnë në në ndihmë luftëtarëve për lirinë e Shqipërisë. Filmi, do të vlerësohej në Festivalin II te Filmit.
Pas shkolles se mesme, nis punën si montazhiere në Kinostudion “Shqiperia e Re” e më pas, fillon studimet pranë Institutit të Larte të Arteve, ku diplomohet në degën e dramës, në vitin 1985, po ne Tirane. Menjëherë pas diplomitit, emërohet aktore pranë Teatrit Kombëtar. Në skenën e teatrit, ajo ka luajtur disa role madje edhe kryesore, por Rajmonda Bulku u bë e njohur përmes kinemasë.
Me një karrierë prej thuajse dy dekadash në teatër, kujtojmë shfaqjet : “Vdekja e një komisioneri” në rolin e Letës; “Pallati 176” rolin e Irenës; “Unë dhe Melistofeli” në rolin e Margaritës; “Kati i 6-shte” si Irena; sërish Irena tek “Zgjimi”; Magjia e madhe”; si Marigoja në “Motrat”; si Sano në komedinë ”Në katin e dytë është parajsa”; Zehrjaja në dramën “Hijet e natës” etj.
Falë bukurisë, hijëshise fizike, sinqeriteti dhe vërtetësia, gjithashtu edhe aftësia aktoriale kanë bërë që Raimonda Bulku, të bëhet e njohur më shumë në ekranin e madh, e cila interpreton plot 20 role dhe madje, disa prej tyre edhe kryesore. Dy vjet më vonë mbas deputimit, në vitin 1978 spikat në “Nusja dhe shtetërrethimi”, falë komunikimit tëntë në rolin e nuses, nëpërmjet syve, mimikës dhe qetësisë së brendshme.
Në vitin 1984, me rolin e Jonës, në filmin “Duaje emrin tënd”, fiton Kupën e Festivalit V të Filmit Shqiptar. Një rol me një prirje të qartë psikologjike, ku përvuajtja ndaj një dashurie të pamerituar u përjetua thellë dhe me sinqeritet prej aktores.
Ndryshe nga roli i mësipërm, ku është më pranë specifikës së lojës në artin e kinematografisë, tek Magda në filmin “Vitet e pritjes” (1990), me të cilën u nderua me çmimin e parë në Festivalin IX të Filmit, ajo spikati me lojën aktoriale të tipit teatral, duke shpalosur anët dramatike, falë një lojë të fortë të brendshme psikologjike. Ndërsa në “Vdekja e kalit”, në rolin e Merit, aktorja shfaqet ndryshe: me rolin dhe puthjen që bëri bujë për kohën, ajo shafqi njëherësh tonet e buta dhe të brishta të një gruaje, të dashuruar, por fatkeqe.
Midis dhimbjes , ankthit të fshehur, ndjesisë së fajit dhe viktimizimit, ajo e interpreton rolin e vështirë të Dianës, në filmin “Të paftuarit” (1985), përkrah profesorit të saj, aktorit të shquar Vangjush Furrxhi, rol me të cilin fitoi Medaljonin e Festivalit VII të Filmit.
Në teatër, ajo interpretoi disa role të ndryshme, por jo në nivelin e suksesit në ekran, për shkak të përshtatshmërisë më të madhe me filmin, si zërin e ngrohtë, portretin e bukur, aftësine e përshtatjes me kamerën, për t`u shfaqur sa më e vërtete dhe e drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, në skenën e teatrit, Bulku ka interpretuar personazhe të vështira dhe me peshë psikologjike, si dhe me një sens shpotitës e sarkastik, sikurse ai i hyjneshës Athina, në shfaqjen “Stinë e mërzitshme në Olimp”, ne vitin 2002, dramë nga Ismail Kadare. Paksimi i ofertave nga kinemaja e bëjnë që t’i përkushtohet më shumë teatrit dhe një ndër rolet më të arrira të teatrit, për Rajmonda Bulkun është realizuar në vitin 2004, me dramen “Pjata e drunjtë” nga Morison, ku ajo spikat me interpretimin, duke pasur përkrah aktorin e madhtë skenës dhe akranit, siç ishte “Artisti i Popullit”, Sulejman Pitarka.
Paralelisht ajo ka interpretuar dhe vazhdon të interpretojë shumë role në Teatrin Kombëtar, në Tiranë. Ne vitet 2009-2013 u zgjodh deputete e Partise Demokratike në Parlamentin shqiptar. Pas politikës, ajo i është kthyer sërish pasionit të saj të përhershëm, aktrimit, sërish me disa role në skenën e Teatrit Kombëtar.
Me këtë rol, ajo gjithashtu fitoi çmimin e parë në festivalin e teatrove “Talia”, në vitin 2005, në Dibër, Maqedonisë. Po këtë vit, luan rolin e nënës në dramën e Vedat Kokones “Hijet e natës”. Në vitin 2006, vazhdon në teatër me një rol tjetër, atë të Aidës, në “Korbi i bardhë”, të Mihallaq Luarasit, ku bie në sy përpjekja për të krjuar karaktere të vërteta njerëzore, duke nxjerre në pah, tek e para, anën humane të personazhit dhe në radhë të dytë, atë tronditjen shpirtërore të gruas se dashuruar. Me një tjetër rol, atë të gruas në komedinë “Burri i gruas time”, ajo e thyen formatin e roleve të natyrës dramatike, duke hyrë në një hapësirë të re interpretative./konica.al/KultPlus.com
”Lindjet lajmërohen në FB. Aty të vijnë buqeta me lule. Aty ke buzëqeshje. Urime. Fjalë të zgjedhura. Në FB ke foton e parë. Pa e parë ende babai. Pa të puthur ende gjyshi. Pa të marrë erë më parë gjyshja. Për emrin nuk vendos më dajua. Jo. Një turmë elektronike, vendosin për emrin tënd. Në shikimin e parë syri ngulet tek gjiri teksa e verbon drita e celularit. Në dëgjimin e parë ke qeshjen e nënës dhe klik-un e mesazhit që shkoi në FB… Lodra s’ka më. Këmbë me plagë s’ka më. Bark të çjerrë s’ka më. Fusha për të vrapuar s’ka më. S’ka më cingla. S’ka më topa. S’ka më karroca. S’ka më litar. Madje edhe Mimoza llastica s’ka më… Ka veç FB, apo simotrat e tij. Aty rritesh. Me mijëra lojëra. I luan vetëm. Ti thua po luaj me shokët.
Çështje këndvështrimi. Atyre që dikur luanin lagje me lagje, 100 djem e vajza bashkë, u dukesh që po luan vetëm… I mbyllur. I stresuar. Në ankth. Në pritje komentesh. Në pritje buzëqeshjesh e përkedheljesh dixhitale. Çdo gjë dokumentohet në FB. Edhe adoleshenca. Edhe lidhja e parë. Puthja e parë. Kafja e mëngjesit. Dreka. Darka. Gjumi. Tualeti. Biçikleta. Makina. Ndarja e rradhës. Zhgënjimi. Mërzia. Gëzimi…
Shoqëruar me bisedat e rastit,
disa të dukshme e disa të padukshme. Në FB japin lajmërimet e fejesës. Presin
urime. Në FB japin lajmërimet e dasmës. Presin urimet. Në FB japin lajmërimet e
vdekjes. Presin ngushëllime. Në FB kërkojnë punë. Në FB bëjnë politikë. Ne FB
behen lideret e rinj. Në FB protestojnë. Nga FB martohen. Aty shohin lajmet.
Edhe kur vdesin, vazhdojnë të jenë gjallë në FB. Nuk ka nevojë për
ç’rregjistrim si në gjendjen civile. Nga FB edhe të spiunojnë…
Një jetë dixhitale. Pa prekje. Pa frymë. Pa shprehje. Pa mimikë. Bota e gjithë në një alet të vogël. Për pak vite do harrohet shprehja “më mori malli”. Sot kjo shprehje përdoret veç nga disa nëna që nuk po mësohen dot me FB… Nuk e zgjidhim dot në duhet uruar shpikësi i FB, apo duhet mallkuar.” /KultPlus.com
Të jesh njerëzor do të thotë të mendosh për tjetrin, të ndihmosh saherë që mundesh dhe asnjëherë mos të kesh prirje drejt të ligës.
KultPlus ju sjell disa thënie që trajtojnë raportin e njeriut në mes të mirës dhe të keqes.
‘Nëse ndizet një qiri për dikë tjetër ai gjithashtu do të shndrit rrugën tuaj.”-Buda
Qëllimi i jetës njerëzore është të shërbejë dhe të tregojë dhembshuri dhe vullnetin për të ndihmuar të tjerët. – Albert Schweitzer
Ne kemi ardhur me asgjë, ne do
të shkojmë me asgjë, por një gjë e madhe që ne mund të arrijmë në jetën tonë të
bukur është … Një kujtim i vogël në mendjen e dikujt dhe një vend i vogël në
zemrën e dikujt.
Unë besoj se Zoti ka dërguar
secilin prej nesh në tokë për një qëllim. Dhe se qëllimi është të ndihmojë dhe
të duam njëri-tjetrin.
Kur kam takuar njerëz nga
kultura të tjera unë e di se edhe ata duan lumturi dhe nuk duan vuajtje, kjo me
lejon mua për të parë ata si vëllezër dhe motra.
”Një mjek i mençur ka thënë:
“Ilaçi më i mirë për njerëzit është dashuria.” Dikush pyeti: “Në qoftë se kjo
nuk funksionon?” Ai buzëqeshi dhe u përgjigj: “rriteni dozën.”
Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë. -Fjalët e urta 19 ;17
“Kur isha i ri, dëshiroja ta ndryshoja botën, e kuptova se ishte e vështirë të ndryshohej bota, kështu që u përpoqa të ndryshoja kombin tim. Kur gjeta se nuk mund ta ndryshoja kombin, fillova të përqendrohesha në qytet, nuk mund ta ndryshoja qytetin dhe si një njeri i moshuar, unë u përpoqa të ndryshoja familjen time Tani, si një plak, e kuptoj se e vetmja gjë që mund të ndryshoj është vetë, dhe papritmas e kuptoj që, unë mund të kisha bërë një ndikim në familjen time, familja ime dhe unë mund të kishim ndikim në qytetin tonë, ndikimi i tyre mund të kishte ndryshuar kombin dhe unë me të vërtetë mund të kisha ndryshuar botën “. -Autori i panjohur
Njerëzit e mençur e dinë këtë të vërtetë: e vetmja mënyrë për të ndihmuar veten është të ndihmoni të tjerët”. -Elbert Hubbard