Pse arsimi është i rëndësishëm për një vend?

Tabloidi Wisestep, ka rënditur nëntë aryse se përse arsimi është i rëndësishëm për një vend.

Shtetet më të fuqishme investojnë shuma të majme në forcimin e sistemit edukativo-arsimor dhe sigurisht kjo nuk ndodh rastësisht. Shtetet me arsimin më cilësor janë njëkohësisht edhe shtetet më të fuqishme nga aspekti ekonomik, kulturor dhe politik.

Këtu janë disa nga arsyet përse arsimi është i rëndësishëm për një vend sipas Wisestep, transmeton KultPlus.com

-Njerëzit bëhen qytetarë më të mirë me arsimim.

-Njihen me rëndësinë e votimit vetëm përmes arsimit.

-Kjo do t’ju ndihmojë të gjejnë një punë.

-Njerëzit mund ta dinë dallimin midis të mirës dhe të keqes.

-Do të punojnë shumë për tu rritur dhe zhvilluar vetë.

-Ndihmojnë në krijimin e një shoqërie më të mirë për të jetuar

-Bëhen qytetar të respektueshëm të ligjit dhe vendit.

-Përpiqen për përmirësimin e vendit

-Arsimi do të mbështesë nënat që janë beqare ose të divorcuara

-Rrisin fëmijët në mënyrë të drejtë pasi ato janë e ardhmja e vendit /KultPlus.com

Gjysmë shekulli adhurim për shkrimtarin e parë të fantazisë, J.R.R. Tolkien

A e dini se J.R.R. Tolkien nuk i konsideronte “Kryezoti i unazave” dhe “Hobit” si veprat e tij të shkëlqyera, pasi për të ato ishin thjesht histori argëtuese?

Ishte pa dyshim shkrimtari i parë i fantazisë, që shkroi histori siç i shohim edhe në ditët e sotme. J.R.R Tolkien ishte nga të paktët autorë, që transformoi botën duke pasur një ndikim të madh tek shkrimtarët e letërsisë imagjinare, duke bashkëlidhur krijimtarinë e vet me botën reale dhe duke u dhënë shpresë njerëzve në kohë lufte.

John Ronald Reuel Tolkien lindi në 3 janar 1892 në Bloemfontein, Afrika e Jugut. Emri Tolkien besohet të jetë me origjinë gjermane, që nënkuptonte marrëzisht i guximshëm, ose tmerrësisht i zgjuar. Kur ishte 4 vjeç, i vdiq i ati nga ethet reumatike dhe ai shkoi të jetojë me nënën në Birmingham të Anglisë, së bashku me vëllanë e vogël, Hilari. Nuk kaloi shumë dhe, në vitin 1904, nëna e tij u diagnostikua me diabet dhe vdiq në nëntor të po atij viti. Djemtë u dërguan në shkolla me konvikt dhe Atë Morgen, një prift katolik, i mori nën kujdestari.

Kur John Ronald ishte 16-vjeç, ra në dashuri me Edith Bratt, një tjetër jetime, por Atë Morgen nuk e aprovoi, kështu që iu desh të priste deri në moshën 21-vjeç për t’i propozuar. Ndërkohë, ai ndoqi shkollën e “King Edward” në Birmingham dhe Kolegjin Exeter, Oxford në vitet 1915-1919. Gjatë qëndrimit në kolegj, u martua me Edith Bratt më 22 mars 1916.

Kur ishte 28 vjeç, u shkëput përkohësish nga mësimdhënia dhe mori pjesë në Betejën e Sommes, një nga pesë betejat më të mëdha dhe më të përgjakshme në historinë e njerëzimit, si dhe në konflikte të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Betejën e Sommes luftuan mbi 3 milionë ushtarë, si rrjedhojë më shumë se 1 milionë u plagosën ose u vranë. Pas luftës iu rikthye mësimdhënies, duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës duke dhënë anglisht dhe letërsi angleze, në Universitetet e Leeds, i specializuar në anglishten e vjetër dhe të mesme. Për t’u argëtuar, ai shkroi libra të zymtë dhe të pikëlluar, të cilët përfundimisht u bënë “Silmarillion”. “Hobit” mendohej të ishte një libër zbavitës për fëmijët e tij, ndaj kur e botoi, botuesi i kërkoi një vazhdim.

Të paktë janë ata shkrimtarë të aftë, që mund ta lidhin krijimtarinë e tyre me jetën reale. “Hobit” u bë i njohur në mbarë botën dhe u përkthye në më shumë se 50 gjuhë të ndryshme, duke u shitur më shumë se 100 milionë kopje në të gjithë botën dhe është libri i gjashtë më i shitur në historinë njerëzore, ndërsa “Kryezoti i unazave” zë vendin e 3-të.

Tolkien e kishte shkruar “Hobit” si histori zbavitëse për fëmijë për një aventurier të vogël që shkoi dhe vodhi arin e një dragoi, duke hasur në rreziqe të shumta gjatë rrugës. Ishte menduar që t’i bënte fëmijët për të qeshur dhe ngazëllyer. Për herë të parë libri u botua gjatë mesit të Luftës së Dytë Botërore dhe pati një domethënie të veçantë për familjet që kishin anëtarë të dashur të familjes në luftë. Në njëfarë mënyre u dha shpresë, se të gjithë do të ishin mirë dhe të dashurit e tyre do të ktheheshin të sigurt dhe të shëndoshë.

Po ashtu “Hobit” frymëzoi edhe luftëtarët, pasi ata panë se si personazhet kishin kapërcyer pengesat sfiduese, i zemëroi teksa panë se si Bilbo dhe xhuxhët luftuan dragoin dhe bëri që ta mirëpritsnin veprën. Një tjetër arsye që bëri që ata të lidheshin aq mirë me librin, ishte fakti që luftëtarët po përballeshin me vështirësi njëlloj si personazhet, prej nga u frymëzuan nga shpresa që karakterizonte personazhet për ta transferuar atë në jetën reale.

“Hobit” dhe “Kryzoti i unazave” jo vetëm që frymëzuan luftëtarët, por edhe lexuesit anembanë. Këto libra janë padyshim mirëfilli fantazi, gjithsesi kjo nuk ua zbeh aspak efektin që përhapin tek lexuesi. Personazhet e librit lidhen me botën reale në kaq shumë mënyra: ata duhet të vazhdojnë dhe luftojnë përmes sfidave, dhe ata kanë sukses në shumë prej këtyre sfidave. Por më e rëndësishme është që personazhet e ndryshojnë tërësisht linjën e tregimit në një mënyrë që librat e tjerë nuk e bënë. Personazhet mësojnë mësime dhe ndërsa vazhdoni të lexoni, personazhet mësojnë më shumë rreth historisë së Tokës së Mesme.

Ky koncept mahniti lexuesit, sepse nuk ishte përdorur kurrë. Disa nga këta lexues vazhduan të krijojnë muzikë, lojëra dhe libra të tjerë bazuar në këto histori. “Kryezoti i unazave” ishte një gur i fortë për lojëra si “Dungeon” dhe “Dragon”, i cili përfshinte shumë nga lojërta fantastike që u shfaqën në Tokën e Mesme. Muzikanti i parë që solli në jetë këngë nga librat ishte Donald Swann, i cili mori gjashtë poezi për t’i shndërruar në tekste këngësh, me lejen dhe miratimin e J.R.R Tolkien etj.

Librat e J.R.R Tolkien ishin disa nga historitë më me ndikim të shkruara ndonjëherë për shkrimtarët letërsisë triller në të gjithë botën. Personazhet e librave në vend që të mbeteshin në vendnumëro, u rritën dhe ndryshuan me kalimin e kohës, të njëjtën gjë bëri edhe bota e tyre. Autori i dha një histori “Kryezotit të unazave” dhe “Hobit” me betejat e ndërmarra, dimrat e vështirë apo një vit veçanërisht prodhimtar në krijimin e birrës. Kjo tregimtari e bëri historinë që po ndodhte të dukej shumë më e vërtetë.

Bota në librat “Hobit” dhe “Kryezoti i unazave” është një botë plotësisht e sajuar, me gjuhën e vet karakteristke. Autoei shpiku dialekte të shumta që për këto libra, njëherazi edhe për argëtim, veçanti që e tërheq lexuesin dhe u krijon mundësinë ta gjejnë më lehtë lidhjen midis tyre dhe librit. Tolkien nuk i populloi librat e tij me aventura çudibërëse dhe të çuditshme si shumë shkrimtarë të letërsisë fantastike në atë periudhë, ai u dha personazheve një qëllim dhe qëllim të vërtetë.

Në ditët e sotme, shkrimtarë nga e gjithë bota marrin parasysh gjithçka që i bëri të veçantë tregimet e J.R.R. Tolkien, qoftë ajo gjuhësore, historia apo komplotet e personazheve, për t’i përfshirë ato në shkrimet e tyre.

J.R.R. Tolkien ishte një pionier i botës së fantazisë dhe frymëzoi njerëz në të gjithë botën që të ndjekin dhe të arrijnë ëndrrat e tyre. J.R.R Tolkien është krijues i modelit të ndryshimeve, sepse formësoi librat që lexojmë sot me kaq endje.

Që nga vdekja e tij më 2 shhator 1973 në moshën 81-vjeç, ndikimi i John Ronald Reuel Tolkien, i njohur si J.R.R. Tolkien vijon të rritet. Filolog, profesor dhe shkrimtar, Tolkien ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës së tij “legendarium”-it, fjalës që ai i referohej krijimtarisë vendosur në Tokën e Mesme dhe zonave përreth. Tolkien kaloi më shumë se 50-vjet duke shkruar poemat dhe trillimet e legendariumit të tij; rezultati është një krijimtaria e gjerë dhe jashtëzakonisht mbresëlënëse./konica.al/ KultPlus.com

Makiaveli: Pse njerëzit e mirë e të drejtë nuk “çajnë” përpara në jetë

Makiavelli ishte një mendues politik fiorentin i shekullit të gjashtëmbëdhjetë me këshilla të dobishme për njerëzit e mirë të cilët nuk shkojnë shumë larg. Mendimet e tij sillen rreth vëzhgimi qëndror të parehatshëm: atë të cilin të këqinjtë priren ta fitojnë.

Më poshtë mund t’i lexoni disa thënie që kanë për bazë mendimet e Makiavellit rreth të keqes që rrjedh nga njerëzimi, shkruan KultPlus

-Dhe ata e arrijnë këtë sepse kanë një avantazh të madh mbi të mirën: ata janë të gatshëm të veprojnë me zgjuarsinë dhe dinakërinë më të errët për të çuar më tej çështjen e tyre.

-Ata do të jenë të gatshëm të plotësojnë gënjeshtrën, të ndryshojnë faktet, kërcënojnë apo edhe të bëhen të dhunshëm.

-Ata gjithashtu – kur e kërkon situata – e dinë se si të mështrojnë në mënyrë joshëse, të përdorin fjalë me sharm dhe të ëmbla, të verbojnë dhe shpërqëndrojnë. Dhe në këtë mënyrë, ata zotërojnë botën.

-Në mënyrë rutinore supozohet se një pjesë e madhe e asaj çfarë do të thotë të jesh një njeri i mirë është të sillesh mirë. Një njeri nuk ka vetëm qëllime të mira, një njëri është i angazhuar ndaj veprave të mira. Kështu, nëse dikush do një botë më serioze, ai ka nevojë të fitojë njerëz nëpërmjet argumenteve të vërteta.

-Nëse dikush do një botë më të drejtë, ai duhet të përpiqet të bindë dhe të përpiqet me butësi që t’i bindë agjentët e padrejtësisë që të dorëzohen vullnetarisht, jo nëpërmjetm frikësimit. Dhe nëse dikush do që njerëzit të jenë të sjellshëm, ai duhet të jetë i sjellshëm me armiqtë e tij, jo mizor.

-Ata duhet të dinë se si të trembin dhe të frikësojnë, të ngatërrojnë dhe të detyrojnë dhe të mashtrojnë. Politikani i mirë duhet të mësojë nga demagogu; sipërmarrësi më i sinqertë nga mashtruesit.

-Ne kemi nevojë të marrim mësime nga një burim i papritur: ata që ne i përbuzim më shumë. Ata kanë më të shumtën për të na mësuar mbi mënyrën se si të sjellim realitetin që dëshirojmë – por që po luftojmë. Kemi nevojë për armë çeliku të ngjashëm me ato të tyre.

-Së fundmi, ne duhet të kujdesemi më shumë për të qënët efektivë sesa thjesht të synojmë fisnikërinë. Nuk mjafton të ëndërrojmë gjëra të mira: masa e vërtetë është ajo që arrijmë. Çështja është të ndryshojmë botën për mirë, të mos banojmë në ngushëllimin e rehatisë së qëllimeve të mira dhe një zemre të ngrohtë./shkollaesuksesit/ KultPlus.com

Qytetet shqiptare një vit pas shpalljes së Pavarësisë

Në vitin 1909 bankieri milioner francez Albert Kahn ndërmori një projekt ambicioz për të krijuar një koleksion fotografik të popujve, dhe për popujt e botës.

Kahn ishte idealist internacionalist. Ai besonte se mund të përdorte procesin e ri të autokromit, sistemi i parë fotografik në botë me përdorim të thjeshtëzuar dhe në ‘true-colur’, për të promuovuar paqen, shkëmbimin kulturor dhe mirëkuptimin ndërmjet popujve.

Përdori pasurinë e tij për të dërguar një grup fotografësh në më shumë se pesëdhjetë vende përreth botës, ndër të cilat edhe Shqipëria, vende të gjendura në një moment kritik të historisë së tyre, ku kulturat shekullore ishin në kohë transformimesh të mëdha e të pakthyeshme nga lufta dhe nga marshimi i globalizimit të shekullit të njëzetë.

Fotografët e tij Zhan Bryn dhe Ogyst Leon nga Durrësi kaluan lumin Erzen, të mbrojtur nga Esad Pashë Toptani (1864-1920) dhe arritën në Tiranë ku qëndruan dy ditë.

Nga Tirana, u kthyen në Durrës dhe me një anije vazhduan rrugën për në Tivar në Malin e Zi për të përfunduar në Shkodër më 21 tetor 1913.

Shkodra, fortesa e fundit e osmanllinjve në Ballkan, kishte rënë në duart e forcave malazeze më 22 prill 1913 dhe gjatë luftimeve një pjesë e madhe e qytetit të vjetër u shkatërrua.

Më 22 tetor 1913, ekipi vazhdoi rrugën drejt veriut për në Rijekë dhe Cetinje, kryeqytetin e vjetër të Malit të Zi.

Udhëtimi i tyre në Kosovë u krye në maj 1913 ku u bënë autokroma në Prishtinë, Graçanicë, Lipjan dhe Prizren. Prej Kosovës ekipi vazhdoi rrugën nga Shkupi për në Selanik dhe prej Selanikut ata udhëtuan për në Bursë në Azinë e Vogël.

Autokromat e mahnitshme të koleksionit Kan – 97 fotografi të hershme me ngjyra të Shqipërisë dhe 94 fotografi të Kosovës nga të cilat kemi bërë një përzgjedhje e cila paraqitet këtu për herë të parë – janë unikale në historinë e fotografisë shqiptare dhe ballkanike.

Ato shkëlqejnë si xhevahirë të paçmueshëm në ëndrrën shumëngjyrëshe të Alber Kanit, në Arkivat e Planetit”, thuhet në përshkrimin e këtyre fotografive në faqen thealbanian.co.uk/ KultPlus.com

Adele dhe zëri i saj magjik

Këngëtarja britianike Adele ka sjellur dhe vazhdon të sjell vazhdimisht super hite në skenën botërore të muzikës. Ajo ka filluar të këndoj vetëm pasi ishte divorcuar nga burri i saj, dhe njëra nga gazetat britanike me sartirë shkruante se nëse Adele nuk do të divorcohej ajo do të mbetej një shtëpiake dhe botëe muzikës do ta kishtë një yll më pak.

Adele njihet për performancat e saj live të cilat rëndom nuk janë të bazuara krejtësisht në performanca pompoze dhe të zhveshura, por në zërin e saj magjik.

“Somone like you” është njëra nga këngët e saj të pavdekshme e cila ka marrur miliona klikime dhe vazhdon të dëgjohet edhe sot.

“Hello” është një hit tjetër i lasnuar së vonshmi, ku Adele me zërin e saj dhe thjeshtësinë e saj i ka dhururar botës artistike edhe një vepër të mrekullueshme.

“Set fire to the rain” është një hit i hershëm i Adeles, njëra nga këngët më të vlerësuara që ka realizuar artistja britanike e cila ka qenë ndër këngët më të dëgjuara të kohës.

Përndryshe, Adele vazhdon të jetë produktive në jetën artistike si dhe njëherit, Adele, është njëra nga artistet e rralla me famë botërore që nuk njihet për skandale seksuale apo për varësi nga substanca narkotike, si ndodh zakonisht me këngëtare të niveleve të tilla. /KultPlus.com

Vlashent Sata vjen me ‘Zâni i të Premtes’

Kantautori i njohur shqiptar Vlashent Sata, që vepron dhe jeton në Paris, vjen në Gjakovë për një përjetim unik dhe shfaqje emocionesh përmes muzikës së tij.

Vlashenti, me zërin e tij të vecantë, kësaj radhe do t’i këndojë çdo përjetimi njerëzor e asaj që e sjellë atë kaq afër me publikun, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre, transmeton KultPlus.com.

Eventi do të mbahet më 6 Shtator, te premten, prej orës 20:30, në Parkun Kulturor “Ali Podrimja”.

Ngjarja realizohet në kuadër të projektit “Trashëgimia Kulturore: Promovimi përmes Artit”, i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga IKS, Lens dhe FES. /KultPlus.com

Portreti me histori të jashtëzakonshme, fitues i çmimit Kennedy 2019

Kur ishte vetëm 20 vjeç, Ken Atherton, u burgos për dy vjet vetëm sepse ishte homoseksual, pastaj si 16 vjeç atij i kishte vdekur vëllai i tij binjak. Nëna e tij e cila nuk ishte në gjendje ta trajtonte të birin e saj, kreu vetëvrasje duke pirë acid karbolik. Kështu e ka treguar historinë e “Toosie”, personazhit të saj që vendosi ta shëndrronte në portret.

Artistja tha se ishte tërhequr shumë nga historia e Tootsie shumë shpesh gjatë karrierës së saj për shkak të historisë së tij të jashtëzkonshme, e cila “meritonte të tregohej”.

Tani, ky portret ka fituar çmimin Kennedy 2019. Konkursi kombëtar i artit pamor tërheq disa nga artistët më të mirë vizualë të Australisë, me fituesin 25,000 dollarë, shkruan AbcNews, transmeton KultPlus.com

“Më vonë në jetën e tij, në vitet ’60, ai filloi të vishej dhe të performonte rreth qarkut pijetor në Melburn duke u bërë mjaft i njohur në atë skenë. Ai ishte i njohur si “Just an old Drag Queen”. Hisotria e një njeriu që humbë aq shumë dhe që megjithatë gjen forcën të vallëzojë, ishte arsyeja që e shtyri artistien ta portretizonte atë. /KultPlus.com

Zyrtarizohet, Sunny Hill Festival do të mbahet në Bernicë

Ministri i Tregtisë dhe Idustrisë, Endrit Shala, sot së bashku me Dukagjin Lipen, kanë nënshkruar një marrëveshjen, për të cilën është diskutuar muaj më parë.

Marrëveshja ka bërë të mundur që edicionet e ardhshme të Sunny Hill Festival të realizohen në Qendrën e Panaireve në Bernicë, shkruan KultPlus.
Lajmin e bëri të ditur Ministri Shala përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook. Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë.

”Sot, kam nënshkruar marrëveshje me “Sunny Hill Festival”, duke bërë realitet premtimin e dhënë muaj më parë dhe duke dëshmuar që promovimi i turizmit kulturor vazhdon të mbetet njëri ndër prioritet e mia.

Përmes kësaj marrëveshje, nga sot e tutje, organizimi i festivalit më të madh rajonal dhe me bujë ndërkombëtare, do të bëhet në Qendrën e Panaireve në Bernicë.

Kjo qendër është njëra ndër investimet e Shtetit tonë, që është shfrytëzuar minimalisht deri më tani, por kjo po ndryshon.

Të gjitha investimet e vendit tonë duhet të shfrytëzohen nga qytetarët për qytetarët dhe në të mirë të vendit.
Ne duhet të jemi Bashkë për Shtetin tonë!
E.SH” /KultPlus.com


Komuniteti shqiptar në Kanada nderon figurën e Nënë Terezës

Ministri i Shqipërisë për Shtetin dhe Diasporën, Pandeli Majko, përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, ka njoftuar se komuniteti shqiptaro-kanadez ka nderuar figurën e Nënë Terezës dhe gjuhën shqipe në një ceremoni të mbajtur atje.

Ky komunitet njejtë si edhe komunitetet tjera jashtë hapsirës shqiptare, ka zhvilluar dhe vazhdon të realizojë aktivitetet të ndryshme arsimore dhe kulturore me qëllim rë ruajtjes dhe zhvillimit të vetëdijes dhe kulturës shqiptare. Së këndejmi, ata kanë vendosur që ta nderojnë figurën e Nënë Terezës, si një ndër figurat më të famshme dhe më të rëndësishme që populli shqiptar i ka dhënë botës, shkruan KultPlus.

Statusi i plotë i Pandeli Majkos

“Foto e ditës / Komunitetit shqiptaro-kanadez nderon figurën e Nënë Terezës në një ceremoni të organizuar në gjuhën shqipe. Gjithashtu ata vizituan bustin e shenjtores në Midland, Ontario”. / KultPlus.com

Sot bëhen katër vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushit


Sot bëhen katër vite nga vdekja e akademiku dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Pajazit Nushit. Ai kishte ndërruar jetë në moshën 82-82-vjeçare.

Bashkëpunëtor të tij e kanë vlerësuar lartë punën e tij, duke e quajtur “Simbol i dijes dhe paqes” si dhe një numër tjetër epitetesh, shkruan KultPlus.com

I lindur në Gjakovë, më 8 janar 1933, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, prof. dr. Pajazit Nushi, pas mësimit në Shkollën Normale të Gjakovës, i ndoqi mësimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku u diplomua në degën e Psikologjisë më 1955.

Krahas mësimdhënies ka punuar në këto funksione administrative-profesionale: drejtor i Entit Krahinor për Përparimin e Arsimit dhe të Edukimit, ndihmës kryetar i Këshillit Federativ për Arsim e Kulturë të ish- Federatës së Jugosllavisë; nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriu dhe redaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë.

Ka mbajtur leksione nga psikologjia e përgjithshme në Universitetin e Tetovës në Maqedoni. Ka qenë anëtar i grupit hulumtues të RSFJ në konceptimin e projektit “Televizioni edukativ” dhe lidhur me këtë ka qenë kryesues i këtij grupi i angazhuar në udhëtimin studimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit maj – qershor 1972. Ka marrë pjesë në konceptimin e shkollës fillore unike për RSFJ-në dhe ka studiuar zhvillimin e arsimit institucional të nivelit fillor në Norvegji.

Akademik, Pajazit Nushi ka qenë pjesë e AKSH-së që nga viti 2000 kur u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e zgjodhi anëtar të rregullt. Ka qenë sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-së në periudhën dhjetor 2008 – 2011.

Këto janë librat e tij që janë botuar ndër vite: “Bazat psikologjike të kulturës së të folurit të nxënësve të shkollës fillore” 1964,”Fjalor i psikologjisë”, “Sistemi i grafisë së tingujve të shqipes dhe vetitë perceptive e përmasat e lexueshmërisë së shkronjave të alfabetit të shqipës”1987, ”Të nxënit e lëndëve mësimore dhe zotërimi i tyre” 1997, ”Orientimi profesional dhe individualiteti psikofiziologjik i zgjedhësit të profesionit 2004, ”Inteligjenca dhe masat e zhvillimit të saj ndër shqiptarët e moshës madhore” 2006, “Çështja shqiptare dhe integrimet politike ekonomike (Kërkimet teorike-empirike)” 2003, “Kujtesa dhe trajtimi i saj në literaturën shqipe nomotike” 2008, “Psikanaliza dhe mendimi psikologjik shqiptar” 2006 dhe “Fjalor shpjegues i psikanalizës” 2010.

Përpos librave për arsim parauniveristar, këto janë tekstet që ai ka shkruar për nivelin universitar: “Psikologjia e përgjithshme – Kaptina të zgjedhura” 1995, “Psikologjia e përgjithshme 1” 2002 dhe “Psikologjia e përgjithshme II – Njeriu dhe personaliteti i tij në psikologji”, 1999.

Akademik Pajazit Nushi, më 23 shtator 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Teksas me vendim të guvernatorit të këtij shteti, ndërsa më 10 tetor 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Nebraska me vendim të guvernatorit të këtij shteti federal amerikan.

Më 2005 u zgjodh anëtar nderi i Institutit të Sociologjisë në Tiranë. Më 14 qershor 2011 është shpallur “Nderi i Qytetit të Gjakovës” me vendim të kryetarit të Komunës së Gjakovës. Në marsin e vitit 2011 u zgjodh këshilltar i lartë shkencor në Institutin e Hulumtimeve të Krimeve të luftës në Kosovë.

Më 1957 u shpall fitues i Çmimit të Dhjetorit – çmimit më të lartë për të arritura arsimore e shkencore në KSAK. Është bartës i disa dekoratave – dekorata e fundit është dekorata e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e akorduar nga presidenti i Republikës së Kosovës në vitin 2001 /KultPlus.com

Fjalimi i parë i Ahmet Zogut si Mbret i Shqiptarëve

Ahmet Zogu mbetet figurë historike me rëndësi në drejtimin e shtetit shqiptar. Gjenialiteti i tij politik lidhet me aftësitë personale dhe jo me emërtesën e postit të tij apo formën e regjimit.

Mbretëria e shqiptare u rrëzua nga i pari agresion fashist në Europë më 7 prill 1939. Ajo iu rikthye popullit shqiptar në tetor 1943, ndërsa formalisht ekzistoi deri më 11 janar 1946.

Fjala e parë e Ahmet Zogut si mbret

Zotërinj!

Në mesazhin që iu drejtova para disa ditësh, ju përshëndeta duke ju uruar suksese juve etërve të kombit. Sot po ju drejtohem si shok bashkëpunëtorë të idealit të përbashkët. Nëse në fjalimin tim nuk do të gjeni fjalët e larta të krerëve të ndershëm të stolisur me kurorë, të mos çuditeni. Se unë shoh në kryesinë e shtetit shqiptar, në të cilin titull qoftë, shëmbëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të atdheut.

Sot, në çastin që ngarkohem me detyrën e rëndë të shtetit, prej vullnetit e dëshirës së popullit, të shfaqur me vendimin e ndërgjegjes suaj, do të veproj duke marrë parasysh, përgjegjësinë morale të cilën herët a vonë, di ta çmojë populli shqiptar me një energji të pakufishme për lartësimin e vendit.

Bota e ka marrë vesh se po të lihen të qetë, edhe bijtë e shqipes mund të krijojnë një shtet. Që nesër detyrën e kemi dhe më të rëndë se duhet t’i tregojmë botës se edhe shqiptari si çdo popull i qytetëruar mund ta marrë kulturën, e cila është pasuria e të gjithëve, ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke i siguruar vendit tonë një të ardhme të mirë, mund të kryejmë një detyrë historike.

Në regjimin e re, Shqipëria do të jetë një faktor paqtues në Ballkan. Relacionet që ekzistojnë sot me shtetet fqinj e dashamirë, shpresojmë se do t’i forcojmë edhe më tepër.

Zogu me shokët e vet, jo vetëm që do të mbrojë të drejtat kombëtare, por edhe ku do të jetë nevoja, me dorën e tyre të padridhur do ta shtyjë popullin trim shqiptar për arritjen e qëllimit të lartë, atij ideali që na ka falur natyra dhe ka shënuar historia, duke lartësuar edhe vendin në sheshin e qytetërimit.

Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet tuaja, t’i thoni popullit sovran se prijësi i tij e sheh veten si çdo shqiptar edhe me sa shpejtësi dhe entuziazëm e keni vënë në fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni për ta gjetur gjithmonë gati për t’i sakrifikuar të gjitha, nëse është nevoja edhe jetën, sipas dëshirës së tij dhe për të mirën e vendit.

Zotërinj, dalshim faqebardhë përpara historisë.

(Shënim: Fjalimi botohet i redaktuar me gjuhën e sotme letrare)v /syri.net/KultPlus.com

Agim Vinca: Kurrë s’kisha parë njeri të veshur më bukur se mësuesi im

Po sjellim një fragment nga libri “Magjia e ligjërimit”, ku profesor Vinca flet për ditën e parë të shkollës dhe mësuesin e tij të parë.

Kur i mbusha shtatë vjet nisa të shkoj në shkollë, në klasë të parë. Më kujtohet si sot dita e parë e shkollës: ke “domi” (shtëpia e kulturës), në qendër të fshatit. Grumbullimi në oborr, rreshtimi, hyrja në klasë. Në korridor, një mësues i rreptë që na bërtiste fort. Dikë e kapte për jake, dikë për veshi, ndonjërit ia kriste edhe ndonjë shpullë. Përse? Nuk e di. Ndoshta që të na fuste frikën në palcë.

Për fat ai nuk ishte mësuesi im i parë.

Mësuesi im i parë, ai që do të më jepte mësim, ndryshe nga ai i korridorit, që pa kaluar shumë kohë do të bëhej funksionar politik, në komunë e më lart, ishte i mirë dhe i dashur. Edhe i pashëm. Nuk na ndëshkonte fizikisht, madje as nuk bërtiste me zë të lartë. Na dha mësim vetëm një vit, në klasë të parë, pastaj iku me familje në Turqi. Ishte mesi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kulmi i shpërnguljes së shqiptarëve nga vatrat e tyre në shkretëtirat e Anadollit…

Vetëm një kohë të shkurtër shkuam aty ke “domi”. Pastaj kaluam ke “stanica” (ish-stacioni i policisë, që kishte qenë stacion xhandarmërie qysh në kohë të Serbisë). Në atë godinë para se të bëhej shkollë, ishin rrahur burrat e fshatit nga xhandarët e pushtetit popullor, ndër të cilët më i tmerrshmi kishte qenë njëfarë Gjushoja.

“Mos hifsh n’dor’ t’tij!”. Aty, në atë godinë, ku një vit a dy më parë baballarët tanë ishin ftuar për armë, unë dhe moshatarët e mi tani shkonim në shkollë me çantë e laps në dorë. Çanta ime ishte prej basme, kurse në të një libër (Abetarja), dy fletore, një me vija e një me katrorë dhe një laps i thjeshtë, asgjë më shumë, ndërsa unë i veshur me një palë pantallona të shkurtra dhe një këmishë bezi.

Këmbëzbathur. Pas tërsëllëmit të ditës së parë, piskamës dhe dajakut të atij mësuesit-funksionar, nisa ta doja shkollën, mësuesit,

librat. Nga klasa e tretë nis shoqërimi im me librin; shoqëri që nuk do të ndërpritet kurrë, që do të zgjasë një jetë të tërë.

Për mësuesin tim të parë, që më ka dhënë mësim në klasë të parë, unë kam bërë një vjershë, vjershën E kujtoj mësuesin, e cila është pa dyshim poezia ime më e njohur dhe më e popullarizuar: e dinë përmendsh të gjithë fëmijët e moshës shkollore: në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në diasporë. Ka ndodhur ndonjëherë, madje, ta recitojnë në praninë time, pa e ditur se unë jam autori! Nga këto ndodhi, rasti i Shëngjinit është më interesanti, por nuk po i hyj tash rrëfimit të tij, sepse do të na largonte nga tema.

Mësuesi im i parë, ai që më ka dhënë mësim në klasën e parë, që m’i ka mësuar shkronjat e gjuhës amtare, e kishte emrin Sadik. Mbiemrin Mehmeti, nëse nuk gaboj. Pra, Sadik Mehmeti. Ishte nga Struga, nga qyteti, por familja e tij, siç kam marrë vesh më vonë, kishte ardhur në Strugë nga Kalishta, një fshat i bukur, pitoresk, buzë liqenit, jo më larg se dy-tre kilometra nga qyteti. Ishte i ri, i pashëm, elegant. Vishej bukur. Me kostum e kravatë. Kurrë s’kisha parë njeri të veshur më bukur se mësuesi im: me këpucë të zeza, me pantollona të hekurosura, me një xhaketë me jakë të gjerë, klasike, me këmishë të bardhë me vija dhe një kravatë të lidhur bukur e të shtrënguar fort për jakën e këmishës. Nuk e di a i ndërronte rrobat mësuesi im ndonjëherë (sigurisht që po), por unë kështu e mbaj mend. Ndoshta ashtu siç e kam parë herën e parë. Përveç që vishej bukur, ishte, si thashë, edhe i pashëm. Fytyrën e kishte të plotë, pak të hequr, sytë e larmë, vetullat të harkuara, hundën e drejtë, kurse flokët kaçurrel. Një ble flokësh i binte shpesh mbi ballë. Ende e ruaj të gjallë në kujtesë fytyrën e tij, me atë ble flokësh në ballë. Na dha mësim vetëm një vit, pastaj iku. U shpërngul në Turqi me gjithë familje si shumë të tjerë. Dihet përse!

Kam dëgjuar se ka jetuar deri vonë në Stamboll dhe se ka ardhur edhe në Strugë, në vizitë, në verë, vite më parë, por unë s’e kam parë. Kam marrë vesh vonë për ardhjen e tij, pasi është kthyer.

Dhe tani që po i shkruaj këto fjalë nuk e di a është gjallë, a rron më. Më duket se jo./KultPlus.com

Qaforet e rikthimit të shpresës

Një zanat në shërbim të përpjekjeve për t’i harruar torturat nëpër të cilat kanë kaluar. Kështu mund të konsiderohet projekti që i ka aftësuar disa gra të dhunuara nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë për të punuar në prodhimin e disa qaforeve unike.

Përtej hijeshisë që e kanë këto qafore, ato thellë përshkruajnë vuajtjet individuale të grave, që po mbështeten t’ia lënë harresës ngjarjet e tmerrit të para 20 vjetëve.Një trajnim në Turqi, ka qenë fillimi i gjithë kësaj pune, që është iniciuar e zbatohet nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, transmeton KultPlus.

Simbol i përjetimeve të tmerrshme

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Kadire Tahiraj, drejtoreshë ekzekutive e kësaj organizate, tregon se ideja e punimit të produkteve artizanale, veçmas punimi i varëseve, ka dalë si ide nga një trajnim i disa anëtareve të kësaj organizate në shtetin e Turqisë. E kishte lehtësuar këtë punë ish-ambasadorja e këtij shteti në Kosovë, Kivilicim Kiliç.


“Në këtë trajnim njëmujor, nga të gjitha punimet artizanale që anëtaret tona mësuan të punojnë, mësuan edhe punimin e varëseve. Pas kthimit në Kosovë, gratë vazhduan punimin e këtyre produkteve, duke u profesionalizuar edhe më shumë, dhe në bazë të kësaj interesimi edhe nga gratë e tjera u rrit gradualisht”, ka thënë Tahiraj.

Natyrshëm, organizata do të zgjeronte rrjetin e atyre që do të aftësoheshin për ta bërë këtë punë. U zhvilluan kurse për punimin e këtyre varëseve, duke i angazhuar tash edhe si trajnere gratë të cilat kishin ndjekur këtë trajnim në Turqi. Ato vazhdojnë ende ta bëjnë këtë punë.

Në fakt, ideja e gjithë projektit ka lindur duke parë interesimin edhe të masës së gjerë nga vendorët dhe ndërkombëtarët, për të ndihmuar gratë e dhunuara gjatë luftës./koha.net/KultPlus.com

Dy ikona të muzikës shqiptare në një foto

Dy ikonat e muzikës shqiptare janë fotografuar sëbashku në Moskë gjatë vietve 60-të.

Nëpërmjet kësaj fotografie konfirmohet shoqëria e vjetër e dy këngëtarëve edhe pse nuk është bërë asnjëherë publike. Ajo çfarë vihet re është fakti se Anita Take është e veshur me kostum popullor ndërsa Vaçe Zela vjen në këtë fotografi me një pamje kret të panjohur nga mosha e saj kur ishte mjaft e re.

Ato të dyja mësohet se nuk kanë asnjë këngë sëbashku.

Kjo foto e sjellë në rrjetet sociale nuk ka ndonjë burim se nga është marrë, por ka tërhequr goxha vëmendje./konica.al/KultPlus.com

Saimir Strati thyen edhe një rekord Guinness

Artisti i mozaikëve, Saimir Strati ka shënuar rekordin e 11 në Librin e Rekorderve Guinness.

15 metra katrorë, të mbuluar me 250 mijë vida të ngjyrave dhe dimensioneve të ndryshme, Strati arriti të realizonte portretin e Ataturkut për 37 ditë.

Portreti i krijuesit të shtetit turk, Mustafa Kemal Ataturku, qëndron në ekspozitën e hapur të kishës historike greke të qytezës Bor.

“Vepra është titulluar vizionari, sepse materia me të cilën është bërë ka shumë shkëlqim dhe njerëzit mendjendritur siç e quajnë Ataturkun sepse ai është babai i Turqisë moderne. Vidat janë material modern dhe ai shkëlqimi që ka vepra i përshtatet figurës së Ataturkut”- tha Saimir Strati.

Vepra e artistit shqiptar nga turqit është quajtur si dedikimi më i mirë i kushtuar Ataturkut. Për këtë arsye Saimir Strati u respektua nga një qytet i tërë.

“Dhe në nder të asaj vepre gjigante që unë bëra përveç çertifikimit nga Londra, mua më dhanë dhe çelësin e art të qytetit, ishte shumë emocionuese”, vazhdoi më tej ai.

Saimir Strati, thyen rekordin guinness. Ky lajm nuk është befasues më, ai gjithnjë është duke punuar për një tjetër rekord botëror.

“Kjo pyetje vjen nga të gjithë tashmë, ndryshe nga hera e parë ku askush nuk më besonte. Atje ku do të më ftojnë do të zgjedh materialin dhe dimensionin, subjektin.

Nga Shqipëria nuk kam pas ftes. Unë tashmë jam një artist internacional e nëse ftesa më vjen nga vend tjetër do të shkoj sepse unë mund të thyej një tjetër rekord guinness. Por do të kisha pas dëshirë pse jo në Shqipëri, edhe pse veprat që i kam në Shqipëri nuk janë të ekpozuara”- u shpreh Saimir Strati.

Shqiptari i Librit Guinnes rekordin e parë e ka shënuar me portretin e Leonardo Da Vinçit, të punuar me gozhdë. Nga 11 vepra që janë pjesë e librit të rekordeve, 7 prej tyre ndodhen në Shqipëri. /KultPlus.com

“Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë”

Thëniet më të bukura të Anne Frank.

  • Vërtetë është për tu habitur se si nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia sepse duken shumë absurd dhe të pamundur për ti realizuar. Megjithatë nuk tërhiqem nga ato, përkundër të gjithave edhe më tutje besoj se njerëzit janë të mirë.
  • Njerëzit mund të të thonë mbylle gojën, por kjo nuk të ndalon e as nuk të pengon që të kesh mendimin tënd.
  • Sa mirë është ajo kur askush nuk duhet pritur asnjë çast për ta bërë botën më të mirë.
  • Në shtigje të gjata, arma më e mprehtë nga të gjitha është shpirtmirësia dhe ndjeshmëria.
  • Kujto të gjitha bukuritë rreth teje dhe bëhu i lumtur.
Ditëlinda e 10-të e Anne Frank. E dyta nga e majta.
  • Fati meritohet duke bërë vepra të mira dhe duke punuar, duke mos spekuluar dhe duke mos qenë i mërzitshëm e i bezdisshëm.
  • Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi. Njerëzit janë vetëm njerëz dhe të gjithë njerëzit kanë mangësi dhe veti, por të gjithë ne lindim të mirë.
  • Mund të jesh i vetmuar madje edhe atëherë kur shumë njerëz të duan, nëse për askënd nuk je një dhe i vetëm.
  • Të gjithë jetojmë me dëshirë që të jemi fatlum dhe të lumtur. Jetët tona janë të ndryshme, por përsëri të njëjta.
  • Thellë në vetvete, të rinjtë janë më të vetmuar se të moshuarit.
  • Pse disa njerëz duhet të durojnë urie, përderisa ne viset tjera të botës ka tepricë? Oh, pse njerëzit janë ashtu të çmendur.
  • Nuk dua të jetoj kot, si shumica e njerëzve. Dua të jem e dobishme dhe t’u sjellë kënaqësi të gjithë njerëzve, madje edhe atyre të cilët kurrë nuk i kam njohur. Dua të vazhdoj të jetoj edhe pas vdekjes.
Dhoma e gjumit e Anne Frank
  • Kam kuptuar se bukuria gjithmonë diku ekziston-në natyrë, në rrezet e Diellit, në liri, në ty; e gjithë kjo mund të të ndihmojë.
  • Prindërit mund të japin këshillë të mirë ose ta orientojnë fëmijën në rrugë të drejtë, por përfundimisht formimi i karakterit të ndokujt qëndron në duart e tij.
  • Është vetëm një rregull që duhet mbajtur në mend: qeshu për gjithçka dhe harro të gjitha të tjerat! Tingëllon shumë egoiste, por ky është ilaçi i vetëm kundër vetëkeqardhjes (dëshpërimit).
  • Megjithëse jam 14 vjeçe, e di mjaft mirë se çfarë dua, e di çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara.
  • Kam opinionet e mia, idetë e mia dhe parimet e mia, dhe megjithëse mund të duket çmenduri për një adoleshente, ndihem më shumë person se sa fëmijë, ndihem më e pavarur se çdokush.
  • Secili që është i lumtur do ti bëjë edhe të tjerët të lumtur.
  • Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë.
  • Nuk e mendoj kurrë mjerimin, por bukurinë që ka ngelur ende.

Dafina Zeqiri publikon këngën e re me titull “Kapma dorën”

Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri, ka publikuar së fundmi projektin e saj më të ri muzikor me titull “Kapma dorën”.

Kënga vjen në bashkëpunim me Dj Lurron, gjersa është ritmike e zhanrit reggae dhe house. Muzika është punuar nga Lurro, teksa si projekt vjen pas përfundimit të një vere të suksesshme me këngë e koncerte të shumta.

Këngëtarja në një postim të bërë së fundmi në rrjetet sociale, njoftoi se këtë këngë e kishte si dhuratë për fansat, për përmbylljen e një vere shumë të suksesshme për të, të quajtur “Rikthimi i Dafinës”. /KultPlus.com

“Vetëm gëzimi i nxënësve ia kthen hijeshinë shkollës që i ka humbur shkëlqimi”

Nga Fitim Uka

Nesër fillon edhe një vit i ri shkollor,

Vetëm gëzimi i nxënësve ia kthen hijeshinë shkollës, që i ka humbur shkëlqimi.

Një mësues/e do të mirëpres në klasë të parë disa fëmijë që e kanë pritur me padurim këtë ditë, që ushqejnë ëndrra, janë plot kurreshtje, i dërgon në qiell një lavdatë a notë e shkëlqyeshme nga mësuesi/ja. Do të “vdisja” për të ripërjetuar atë ndjesi.

Të tjerët që po rriten, rikthehen në shkollë si adoleshent, me gëzimin që ritakojnë shokët e shoqet. Janë sa kurioz aq edhe konfuz. Disa me më shumë përtesë për detyrat që i presin dhe mërzinë që ndahen nga lojërat elektronike, e disa me dëshirën që të sfidohen akoma.

Maturantët, fillojnë klasën e fundit, atë që me të përfunduar, iu mundëson t’i nënshtrohen një testi mature, që sjell ankth dhe që iu “determinon të ardhmen”. Dhe, kur të dalin rezultatet, do të befasohen sa shumë (pak) kanë nxënë për 3 vjet shkollim të mesëm.

Përzierje e jashtëzakonshme ndjenjash, emocionesh, mendimesh, pritjesh e planesh. 
Shijojeni çdo minut të asaj që njihet si periudha e artë e jetës.

Deri atëherë kur shkolla të jetë një ambient i sigurt, që stimulon njohjen, mendimin kritik, kreativitetin, kërkimin, pasionin për leximin, etj. etj. na mbetet të ëndërrojmë dhe të iu urojmë, por edhe kërkojmë pak durim.

Mbase, e mira vonon, por vie gjithsesi.

Gëzuar 1 shtatorin. /KultPlus.com

“Angry Birds 2” me porositë për shpëtimin e botës

Është një film i ri që na mëson për punën në ekip dhe faljen. Premisë e fabulës janë parimet bazë të matematikës. Ai në të njëjtën kohë i trimëron vajzat ta studiojnë shkencën. A e përmenda që bazohet tek një aplikacion lojërash për smartfonë?

Pra, “Angry Birds Movie 2” nuk është ndonjë film i madh artistik. Megjithatë, vazhdimi i këtij filmi të animuar – i inspiruar nga loja e popullarizuar, “Angry Birds”, në dispozicion në pajisje celulare dhe platforma të tjera – shkon përtej asaj që pritet prej gjërave të tilla.

Sërish, rrëfimi na shpie në Ishullin e Zogjve, skenë e filmit të parë më 2016 dhe një parajsë zogjsh, e banuar prej zogjve jofluturues. Hero i yni është Redi gjaknxehtë (zëri i Jason Sudeikis), i cili në filmin e parë e kishte shpëtuar shtëpinë e tij nga pushtimi i derrave të gjelbër. Derrat që po bënin komplot për t’i vjedhur vezët e zogjve, në mënyrë që t’i hanin në Ishullin e Derrave.

Këtë herë, prijësi i derrave, Leonardi (Bill Hadler) dëshiron armëpushim. Ishulli i Derrave tani është duke u sulmuar nga ishulli i afërm i shqiponjave, ku Zeta (Leslie Jones) është armiqësuar me derrat. Ajo e ka Ishullin e Zogjve cak të radhës. /KultPlus.com

Një nga veprat më të njohura të Çehovit është ngjitur në skenën e teatrit të Korçës

“Kopshti i Qershive”, një nga veprat më të njohura të Çehov-it është ngjitur në skenën e teatrit të Korçës. Një kastë e zgjedhur aktorësh dhe regjia nga Dino Mustafiç kanë sjellë një mbrëmje emocionuese në premierën e shfaqjes për të gjithë artdashësit.

Mes humorit dhe dramës, vepra sjell historinë e një aristokrateje dhe vajzës së saj, të cilat kthehen në një provincë ruse dhe duan të shesin kopshtin e qershive, ku ajo ka shumë kujtime.

Ndryshimet e shtresave bëjnë që një tregëtar ta blejë këtë kopësht me idenë për t’i prerë qershitë, ç’ka edhe trazon botën shpirtërore të tyre.

Mes emocioneve të natës së parë, artistët janë ndier të mirëpritur nga publiku korçar, ndërsa tregojnë se kjo shfaqje për ta ka qenë e veçantë.

“Kopshti i Qershive” do të vazhdojë të ngjitet në skenën e teatrit të Korçës edhe për dy mbrëmje të tjera, duke çelur kështu edhe Festivalin e Komedisë. /KultPlus.com

Filmi i Scorsese “The Irishman”, nuk do të shfaqet në kinema

Madje as Martin Scorsese dhe filmi i tij i ri nuk kanë arritur ta rrëzojnë murin midis Netflixit dhe distributorëve të mëdhenj kinematografikë.

Shërbimi për streaming ka hequr dorë nga distribuimi i filmit The Irishman ashtu që abonentët e tij ta kenë atë film në dispozicion sa më parë që të jetë e mundur, gjë që nuk u pëlqen investitorëve. Mendohej se Netflixit mund t’i pëlqejë mundësia që filmi të hyjë në garë për Oscar dhe për këtë arsye do të pajtohej për kino distribucion, por prapë nuk mundën të arrijnë marrëveshje me zinxhirët e mëdhenj kinematografik si AMC dhe Cineplex.

The Irishman do të shfaqet në disa kinema më të vogla dhe atë më 1 nëntor, dhe 26 ditë më vonë, ose më 27 nëntor, do të jetë në dispozicion në Netflix ashtu siç ishte rasti edhe me filmin “Roma” të Alfonso Cuarón vitin e kaluar, shkruan KOHA Ditore. Netflixi atëherë e pranoi se përvoja e kinemasë ishte diçka e veçantë, por prapë insistoi që filmi i tyre të gjendej pas dy ose tre javësh në streaming, gjë që në asnjë mënyrë nuk u përshtatet kinemave të mëdha dhe atyre që zgjedhin filma për kandidaturë për Oscar, të cilët këmbëngulin që të kenë të paktën 90 ditë midis datës kur e ka filmi premierën në kinema dhe kur shfaqet në streaming.

Image

Në Netflix ekzistoi vullneti për një periudhë prej një muaji midis shfaqjes në shërbimin e tyre dhe në një moment anëtarët e Akademisë ishin të gatshëm të dakordohen për 30 ditë, por deri më sot kjo nuk ka ndodhur. Duke marrë parasysh faktin se shërbimet e tjera për streaming po vijnë së shpejti, është vetëm çështje ditësh kur anëtarët e Akademisë do të dakordohen për një periudhë më të shkurtër.

“The Irishman” është xhiruar sipas librit të vitit 2004, “I Heard You Paint Houses” të Charles Brandt, dhe e tregon historinë e një mafiozi që po vdes, i cili pretendon se e ka luajtur një rol në zhdukjen e Jimmy Hoffas. Në rolet kryesore janë Robert De Niro, Al Pacino, Joe Pesci dhe Harvey Keitel. Produksioni i filmit raportohet se kushtoi rreth 200 milionë dollarë. /KultPlus.com

Romani i magjishëm që “u shkrua vetë”

Nga Preç Zogaj

Nostalgji. “Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë

Kam venë re se në shumicën e rasteve ata që shkruajnë për veprën e Kadaresë-idhtarë të flaktë qofshim apo thjesht dashamirës, kritikë profesionistë apo “cmitizues” tendenciozë-bashkohen në vlerësimin me pikët maksimale për romanin e tij “Kronikë në gur”.

Kam përshtypjen se po të thirreshin në votim të gjitha kategoritë e lexuesve që përmenda më sipër “Kronikë…” do të votohej më shumë se romanet e tjera tw Kadaresë. Edhe unë do ta votoja , pavarësisht se nga pikpamja e peshës, fuqisë dhe mjeshtërisë së të shkruarit është një roman i tejkaluar nga vetw Kadareja. Librat e mrekullueshëm të këtij shkrimtari, që u shkruan më pas, kanë gjithnjë diçka nga “Kronikë në gur”.

“Kronikë në gur” ngjan të jetë një lloj libri i librave ku embrionalisht u programua gjithë vepra e autorit. Në të njëjtën kohë “Kronikë në gur” është një vepër unikale, e papërsëritshme. Më shumë se një roman tjetër i Kadaresë mendoj se atë e ka konkuruar dhe kaluar pjekuria e shkrimtarit. Unë gjithnjë e kam hequr mënjanë, domethenë e kam nxjerrë nga gara, kur më është dashur ta krahasoj me një vepër që dukej qartë se qëndronte më lart. Nuk mund ta përfshija në një sistem krahasimi, ku do më duhej ta kënaqja me medaljaeargjendi apo bronci.

“Kronikë” ishte dhe mbetet për mua një libër që mund edhe të kalohet, por s’mund të jetë i dyti. Kjo marrëdhënie kaq e veçantë me një libër lidhet edhe me faktin se bashkë me vwllimin me poezi “Fije bari” të Uollt Uitmanit , ky roman zbriti apo ndërhyri në moshën midis adoleshencës dhe rinisë sime me një prarim që kurrë nuk e kisha ndjerë . Gjithnjë e kujtoj si jam tronditur dhe përndritur kur e lexova për herë të parë. Besoj se jeta ime ndryshoi, në kuptimin që duke e ndjerë e kuptuar në mënyrën time, përceptova intuitivisht tragën e re të prozës moderne shqipe.

Më shumë se kaq- duhet ta them- në vetminë dhe mjerimin e jetës sime të atwhershme “Kronikë në gur” ishte një prej librave që krijoi një horizont, domethëne një strehë për pritjen e një adoleshenti të helmuar nga pamundësitë. Mendoja se kisha përse jetoja. Do të them përshtypjen e leximit të parë, të cilën e kam të gjallë sot e kësaj ditë. Mua më dukej se këtë roman nuk e kishte shkruar njeri, por ishte shkruar vetë.

Shkrimtari i kishte fryrë pellëmbës së dorës si një magjistar dhe ja ku nga tymnaja mistike që ishte ngritur përpjetë kishin filluar të përftoheshin konturet e qytetit të Gjirokastrës, qytet i çuditshëm që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimiri si qënie prehistorike dhe duke u kacavjerrur me mundime të mëdha, i ishte qepur faqes se malit; pastaj ishin përftuar Ismail Kadare fëmijë dhe shoku i tij Iliri, pastaj gjithë një fandaksje e jashtëzakonshme me gratë sureale në një minder të gjatë, Xhexhua, Selfixheja, Kako Pino dhe të tjerat duke marrë lajme e duke dhënë gjykime mbi punët e botës; me plakat e jetës, mbi njëqind vjeçe, që nuk i shihte kush në rrugë prej dekadash, njëra prej të cilave do të vdiste nën gërmadhat e bombardimeve duke pyetur “kush më vrau mua”; me Babazotin që pinte duhan me llullë, lexonte qitape dhe dëgjonte muzikën e jevgjëve që i jepej prej tyre si kompensim për qeranë e papaguar, me Dino Çiçon, shpikësin gotesk të aeroplanit prej druri, i madh sa një tabut, të cilin do ta merrte me vete mbi shpinë kur të evakuohej qyteti për të mos e lenë nën kërcenimin e bombardimeve, pastaj me radhë me Llukan Burgamadhin, që lirohej sa herë ikte një rregjim dhe kthehej në burg sapo vendosej rregjimi i ri edhe pse nuk kishte më një dënim për të, me Avdo Babaramon, mitralierin e vjetër, me Syrjanë që bëri të padëgjuarën duke venë syze, me Gjergj Pulajn që ndryshonte emrin duke ia përshtatur okupatorit të radhës, me Lame Kareco Spirun, të vluarin e shtëpisë publike që ndiqte nga pas më të qara kamionin që largonte nga qyteti prostitutat italiane, me sheh Ibrahimin që do të nxirrte sytë me gozhdë për të mos parë mbërritjen e partizanëve në qytet,me shumë e shumë të tjerë burra dhe gra.

Në magjinë e pëllëmbës, ashtu si personazhet, edhe ngjarjet kanë veshjen e groteskes. Edhe ato më tragjiket. Përshkrimet e pushtimit të qytetit nga italianët, grekët, italianët përsëri, gjermanët, ballistët, partizanët jepen shpeshherë me notat e humorit të zi. Shkrimtari ka përdorur naivitetin si formë të vështruari për të rrokur tërësinë e ngjarjeve kundërthënëse dhe për të dhënë me penelata të sakta larminë e tipologjive në teatrin e vogël ku lëvizin. Në gjithë këtë ndërthurje Gjirokastra duket si fundi i botës ku lufta e dytë botërore sheh në endërr marrëzinë e vet. Të paharrueshme janë faqet ku përshkruhet Vasiliqia , një magjistare e shtirur me sy të skuqur dhe flokë të lëshuar, që grekët e lëshonin në qytet njëherë e një kohë për tu vënë gishtin atyre që duhej të vriteshin, të cilët ajo i caktonte pasi i shihte në sy.

Në një pikë të caktuar realiteti i së magjishmes dhe magjia e reales shkrihen në një një. Sidomos në kapituj e fundit të romanit që i kushtohen luftës. Gjithçka vjen dhe ikën, duke lënë pas gjurmën e një kujtimi, që me kalimin e kohës do të zbehet e tretet gjithashtu. Magjia që kemi parë të ngrihet nga pëllëmba e shkrimtarit i përcjell të gjithë dhe zhduket gjithashtu. Kurse qyteti i gurtë, më i pjerrti në botë, mbetet ai që ka qenë, në përjetësinë e lëndës që e mban në këmbë.

Kadare ka thënë diku se këtë roman nuk e ka shkruar, por e ka mbledhur, pasi ngjarjet dhe personazhet kanë qenë gjithmonë përbri tij, rreth e rrotull tij. Nuk di të ketë thenë edhe dicka tjetër themelore për ketë roman, dicka që unë nuk e kam menduar dhe nuk mund ta mendoja kur e kam lexuar, por më vonë. Ky është romani që paralajmëron romanet e mëvonshme. Në faqet e “Kronikë në gur” gjejmë synopset e “Breznia e hankonatëve”, “ Viti i mbrapshtë”, “Darka e gabuar”; gjejmë pikvështrime që shkrimtari do t’i rimarrë me vonë për t’i përpunuar në nnjw nivel mw tw lartw tw optikës së tij ideo-estetike.

Megjithëse i shkruar në periudhën e komunizmit, hyrja e partizanëve në qytet celebrohet me një akt terrorist të mirëfilltë, të cilën autori ka arritura t’ja rrëshqasë çensurës duke e paraqitur me naivitetin e fëmijës. Nga kjo pikpmaje “Kronikë në gur” është jo vetëm libri i librave të Kadarese, por edhe teksti i parë i koduar i një shkrimtari tw cilin velat e talentit e çonin drejt lirisë së mendimit. “Kronikë në gur” u përkujton lexuesve të vjetër mrekullinë e leximit të një kryevepre te shkruar në shqip. Por “Kronikë në gur” mbetet një libër përherë i ri për lexuesit e rinj. /KultPlus.com

Pas 20 vjetësh “Kënga Magjike” vjen me ndryshime

Festivali “Kënga Magjike” do të startojë gjatë muajit të ardhshëm dhe do të ketë risi. Kështu së paku ka njoftuar vetë organizatori, i cili ka bërë të ditur se festivali që do të transmetohet live, do të nis më 22 shtator.

Përmes një mesazhi në llogarinë personale në Instagram, Ardit Gjebrea shprehet se ky vit do të jetë ndryshe sa i përket votimit, ku për herë të parë do të votojnë edhe telespektatorët.

“Pas 20 vitesh eksperiencë, “Edicioni 21” do sjellë të rejat që ndër vite janë diskutuar dhe kërkuar nga vetë artistët dhe publiku”, shprehet Arditi i cili ka shpjeguar edhe metodën e votimit. “Vlerësimi i telespektatorëve vendos këtë vit, se cilët Big do të jenë në gjysëmfinale, ndërkohë që juria vendos për Neë Artist”, shkroi më tutje Arditi. Adrola Dushi do të jetë një ndër prezantueset që do të shfaqen përkrah këngëtarit dhe organizatorit tonë. /KultPlus.com

E nisëm një shtator

Poezi nga Vehbi Kikaj

Erdh shtatori me erë molle,
shtatori mbi qerre me rrush!
N‘agim dëgjoj zile shkolle,
e rrugës vrapon një vogëlush.

Romakët sulmojnë me shpata,
Ilirëve iu prin Teuta…
Si ndërrohen dita e nata?
Duhet t’flasësh pa u nguta.

Po s’dite ligjin e Arkimedit,
Merr librat e fle mbi to!
Kimisti t’pyet sipas rendit
me formula t’veta – H2O…

Një shtator, e nisëm një shtator,
urë të gjatë na duhet kaluar.
E kjo urë e ka fundin n’qershor,
kur t’kalojmë, përshëndetemi: Gëzuar!