Qosja: Pas reagimeve kundër Komitetit të Nobelit, t’i hedhim një vështrim vetvetes

Shkruan: Rexhep Qosja

PAS REAGIMEVE KUNDËR KOMITETIT TË NOBELIT, T’I HEDHIM NJË VËSHTRIM VETVETES

Peter Handke!
Çmimi Nobel!

Qe më tepër se tri javë Peter Handke ishte emër shumë i shpeshtë në fjalorët e disa politikanëve, disa ministrave, disa deputetëve, disa diplomatëve, disa ambasadorëve, i kryetarëve e i kryeministrave dhe i disa shkrimtarëve tanë, mes të cilëve, me një deklaratë të shkurtër, të zbehtë, isha edhe unë.

Me Peter Handken unë jamë marrë, po ashtu shkurtimisht, edhe para luftës e në kohën e luftës sonë çlirimtare, kur shumica e atyre që tani u morën me të, ndoshta nuk ia kishin dëgjuar emrin.

Qe më tepër se tri javë Peter Handke u bë emri aq i shpeshtë në fjalorët politikë, diplomatikë, letrarë e shkencore të politikanëve, shtetarëve, shkrimtarëve e krijuesve tanë të tjerë sepse iu dha Çmimi Nobel.

Po të mos iu kishte dhënë ky Çmimi ai, Peter Handke, do të mbetej i panjohur, i harruar për gojëtarët tanë të përmendur, siç kishte qenë i harruar e i panjohur më parë me gjithë veprimtarinë e tij politike që tani po quhet veprimtari kriminale.

Sigurisht se nuk kam pasur mundësi të mësoj se sa u fol për Peter Handken e nobelizuar në kontinente e në vende të tjera, por, megjithatë, mund të them se në asnjë vend tjetër në Evropë e në kontinente të tjera, politikanët, shtetarët dhe diplomatët nuk i kushtuan kujdes siç i kushtuan politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe dy akademitë tona: ajo e shkencave e Shqipërisë dhe ajo e shkencave dhe e arteve e Kosovës!

Duket se politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, e krijuesit e tjerë dhe akademitë e shkencave dhe të shkencave e të arteve të vendeve të tjera kishin punë më të rëndësishme për të sotmen e të ardhmen e vendeve të tyre e të popujve të tyre sesa të merreshin me Peter Handken gjerë e gjatë. Politikanët, shtetarët, diplomatët e vendeve të tjera si duket u kujdesen të mos e shkelnin një parim të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm, të demokracisë moderne: mospërzierjen e tyre politike, shtetërore e policore, në vlerat artistike të krijimtarisë shpirtërore dhe në lirinë e mendimit e të shprehjes të krijuesve letrarë, artistikë e shkencorë.

Peter Handke është poet, prozator, skenarist, përkthyes, që ka shkruar një numër veprash, që janë çmuar vepra me vlera artistike, të pangarkuara, domethënë të pacenuara, prej ideologjive dhe politikave totalitare, despotike, tiranike, diktatoriale.

Këto vepra të tij letrare artistike, siç mund të jetë menduar në Komitetin Nobel e në Akademinë Mbretërore të Suedisë, i kanë plotësuar tri kriteret, që përcaktojnë përzgjedhjen e veprave që do të çmohen me Çmimin Nobel, e që janë: e para, vlera letrare artistike, e dyta, risitë formale e strukturore dhe, e treta, humanizmi.

Por, këto tri vlera të veprës letrare artistike të Peter Handkes, të pacenuara nga veprimtaria e tij publike, politike para fillimit të luftës në ish Jugosllavinë, ai i njollosi mbasi filloi kjo luftë e, sidomos, mbasi kjo luftë u përshtri në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë.

Duke e përkrahur Kryetarin e Jugosllavisë së shkurtuar (Serbia e Mali i Zi) e mandej, kryetar i Serbisë, kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin, duke pranuar të jetë dëshmitar mbrojtës i tij në Gjykatën e Hagës, duke mbajtur fjalim në varrimin e tij në Serbi, Peter Handke, si qytetar, si intelektual, si shkrimtar e harroi misionin e krijuesit letrar dhe përkrahu dhunën e terrorin e tij, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që bëri regjimi i Millosheviqit, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë.

I përkrahu me gojë! I përkrahur me veprimtari politike! I përkrahu si gazetar e publicist!

Por, i përkrahu pa armë në dorë, i përkrahu ndryshe nga shkrimtari rus i quajtur Limonov, i cili serbët në Bosnjë i përkrahu duke u veshur në uniformë ushtarake e duke u armatosur me kallash!

Pavarësisht se duke përkrahur Millosheviqin dhe regjimin e tij hapur përkrahu dhunë, terror, krime lufte e krime kundër njerëzimit, dhe e turpëroi ashtu gjithë krijimtarinë e tij intelektuale, Peter Handke u “ngushëllua” dhe u përpoq të ngushëllojë edhe të tjerë se këtë përkrahje e shprehu në sajë të së drejtës së krijuesve të krijimtarisë shpirtërore për mendim e shprehje të lirë, të pandaluar, të pacensuruar!

Duke e pasur parasysh të drejtën e krijuesve, të cilët veprën e tyre letrare, pra thjesht letrare, nuk e kanë cenuar me përmbajtje, me ideologji e me politikë totalitare, tiranike, despotike, diktatoriale, ksenofobe a raciste, Komiteti Nobel dhe Akademia Mbretërore e Suedisë edhe ia dha çmimin Nobel Peter Handkes.

Ashtu siç e thonë disa teorikë, e theksoj, vetëm disa teorikë të letërsisë, ashtu edhe Akademia Mbretërore e Suedisë e shkëputi plotësisht veprën letrare artistike të Petër Handkes prej krijimtarisë dhe deklaratave të tij publike jashtëletrare!

Politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe akademitë tona të shkencave dhe të shkencave e të arteve kërkuan prej asaj Akademie t’ia anulojë Çmimin Nobel Peter Handkes. Dhe, kur e bënë këtë kërkesë harruan diçka: harruan çka nuk do të duhej të harronin! Harruan se kjo Akademi nuk ia kishte anuluar Çmimin Nobel shkrimtarit të shquar norvegjez, Knut Hamsun, të cilit ky Çmim i ishte dhënë në vitin 1920, por ai në fillim të Luftës së Dytë Botërore kishte përkrahur me gojë e me dorë nazizmin dhe Hitlerin! Norvegjia e kishte shpallur tradhtar të Kombit, Knut Hamsunin, por, megjithatë, nuk e kishte pushkatuar.

Dhe harruan çka nuk do të duhej të harrohej: harruan se Akademia Mbretërore e Suedisë nuk ia kishte anuluar Çmimin Nobel për paqe kryeministres së Birmanisë, Aung San Suu Kyi, e cila, jo shumë kohë mbasi iu dha ky Çmim, mori pjesë në vrasjet masive dhe zhvendosjen e dhunshme të myslimanëve Rohinga prej Birmanisë!

Harruan dhe çka krejt tjetër nuk harruan politikanët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe dy akademitë tona – Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës kur kërkuan t’i anulohet Çmimi Nobel Peter Handkes.

Harruan t’i lënë pak çaste të pushojnë Komitetin Nobel, Akademinë Mbretërore të Suedisë, Çmimin e saj Nobel dhe të nobelizuarin Peter Handke. T’i lënë shkurt të pushojnë ato tri institucione suedeze e austriakun e nobelizuar për letërsi dhe t’ia hedhin një sy të djeshmes dhe të sotmes sonë politike, letrare, shkencore, kulturore, dhe, natyrisht jetëshkrimeve, veprimeve, veprave të disa figurave tona politike, shtetërore, letrare, artistike, shkencore.

Sikur t’ua hidhnin syrin këtyre figurave tona politike e krijuese, kësaj të djeshmeje e kësaj të sotmeje tonë, atëherë do ta zvogëlonin sadopak retorikën kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë e kundër Peter Handkes. Dhe, do ta zvogëlonin sadopak këtë retorikë sepse institucion të mëkatshëm si ajo Akademi suedeze që jep Çmimin Nobel dhe individë të mëkatshëm politikisht kur më pak e kur më shumë se një Peter Handke do të gjenin edhe në historinë tonë të djeshme e mund të jetë edhe në historinë tonë të sotme.

Deshën s’deshën gojëtarët tanë kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë dhe Peter Handkes do të shihnin politikanë e shtetarë shqiptarë të mes dy luftërave botërore, që do të përkrahnin Benito Musolinin, do të shihnin politikanë e shtetarë të mëparshëm shqiptarë, por edhe ndonjë krijues që do të merrnin pjesë në institucionet shtetërore fashiste, që do të krijojë Duçeja në Shqipëri. E Duçeja, siç dihej, duke bërë dhunë e terror e krime lufte e krime kundër njerëzimit do të pushtojë Etiopinë, disa pjesë të tjera të Afrikës, e mandej Shqipërinë dhe do të bëjë lidhje politike, shtetërore e ushtarake me Hitlerin për pushtime më të gjera botërore! Gojëtarët tanë do të shihnin shkrimtarë shqiptarë, të çmuar, të adhuruar, të festuar e të stolisur me çmime të ndryshme se si e madhërojnë fashizmin dhe se si e bekojnë Zotin për pushtimin e Shqipërisë prej kryefashistit Duçe!

Dhe, më tej, gojëtarët tanë kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë do të harrojnë që të kërkojnë që shkollave, universiteteve, shesheve, rrugëve, institucioneve tona të ndryshme shtetërore t’u hiqen emrat e atyre adhuruesve të fashizmit e atyre pjesëmarrësve në institucionet politike e shtetërore të pushtuesve fashistë!

Dhe, mbas kapitullimit të Italisë në vitin 1943 sytë e të mospajtuarve tanë me vendimin e Akademisë Mbretërore të Suedisë do të shihnin politikanë, shtetarë, shkrimtarë, krijues të tjerë shqiptarë se si e se sa do të përkrahnin nazizmin e Hitlerit, e Hitlerin si pushtues të ri të Shqipërisë e të Kosovës!

Dhe, më tej! Dhe, më tej, çka do të shihnin në të djeshmen e në të sotme tonë gojëtarët tanë që tani e tri javë e ankojnë fort fatin e sivjetmë të Çmimit Nobel për letërsi në vitin 2019.

Do të shihnin disa shkrimtarë të sotëm shqiptarë, shkrimtarë shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore, shkrimtarë e krijues të tjerë se si me gojë, me penë e me të dy duart e përkrahnin Josif Visarianoviç Stalinin dhe ideologjinë e politikën e tij të quajtur stalinizëm. E gojëtarët që po kërkojnë që Akademia mëkatare mbretërore suedeze t’ia anulojë Çmimin Nobel Peter Handkes do të duhej të dinin se Stalini nuk ishte më pak dhunëtar e gjakatar se Milloshi, do të duhej të dinin se ai, Xhugashvilli, e kishte përgjakur Bashkimin Sovjetik me gjakun e shumë qytetarëve të kombësive të ndryshme të Bashkimit Sovjetik; se i kishte mbushur burgjet me shumë intelektualë, shkrimtarë, shkencëtarë, krijues të tjerë, kurse jo vetëm një bashkësi etnike jo ruse e kishte dëbuar prej tokës së vetë…!

Në qoftë se Peter Handke veprat e tij thjesht letrare artistike, nuk i ka “stolisur” me politikën dhe ideologjinë e Millosheviqit, por vetëm gazetarinë e publicistikën e tij, disa nga shkrimtarë tanë, qoftë edhe të sotëm, jo vetëm gazetarinë e publicistikën, po edhe veprat e tyre, sidomos veprat e tyre letrare, romanet, dhe tregimet, dhe dramat e tyre i kanë “stolisur” me emrin e Stalinit, me “gjeniun” e Stalinit, me stalinizmin, me diktaturën e tij e me vizionin diktatorial që kishte ai për ardhmërinë!

Hajde, dy fjalë t’i them edhe për politikën e të ashtuquajturit diferencim ideopolitik pas demonstratave të rinisë sonë studentore e shkollore në vitin 1981 e më vonë. Jo vetëm politikanët po edhe sa shkrimtari, sa krijuesi tjetër, sa studiuesi shkencor janë detyruar ta përkrahin atë diferencimin ideopolitik duke i quajtur ato demonstrata – atë Hyrje të madhe të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, “kontrarevolucion, demonstrata armiqësore, kundër bashkim-vëllazërimit, që cenojnë rëndë të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptar në Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse”. Por, do të gjenden disa shkrimtarë e krijues të tjerë që shkonin vullnetshëm në mbledhjet e organizatave bazë të Lidhjes së Komunistëve për t’i dënuar ato demonstrata të quajtura “kontrarevolucion” e për t’i treguar me gisht ata që nuk diferencoheshin! E Millosheviqi me policinë e tij do të përdorë shumë dhunë e terror në Kosovë për shuarjen e idealit të atyre të treguarve me gisht, të atyre demonstratave, për burgosjen, dënimin a vrasjen e pjesëmarrësve në ato demonstrata!

Hajde dy fjalë t’i them dhe për udhëheqjen shumëvjeçare të partisë më të madhe fituese në zgjedhjet që mbaheshin në Kosovë me lejen e Sllobodanit e nën kujdesin e policisë së tij dhe në zgjedhjet që do të mbahen edhe mbas kapitullimit politik e fizik të Sllobodanit. Në valën e dhunës, terrorit, krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, kryetari i kësaj partie më të madhe e më jetëgjatë të Kosovës do të bëjë marrëveshje më 28 prill të vitit 1999 me zbatuesin besnik të politikës së Milloshit, në atë kohë kryetar i Serbisë, Millan Millutinoviq, për krijimin e Qeverisë kuislinge shqiptare. Dhe kjo marrëveshje tradhtare do të nënshkruhet në ndërtesën e Kuvendit e të Qeverisë së dikurshme të Kosovës. Me atë rast solemn kryetari i partisë shqiptare do i çojë dhurata kriminelit Millan Millutinoviq!

I njëjti kryetar i partisë më të madhe shqiptare në Kosovë, jo shumë kohë pas nënshkrimit të Marrëveshjes tradhtare, kur ditët e Milloshit ishin të numëruara gjatë fushatës së bombardimeve nga forcat e NATO-s, do të shkojë në Beograd te Sllobodani dhe me të, në kabinetin e tij, do kalojnë në “bisedime paqësore” gjithë natën. Të nesërmen, i shoqëruar prej sigurimit të Sllobodanit, do të fluturojë për Itali prej Aeroportit të Beogradit! Dhe, atje, në Itali, do kërkojë ndërprerjen e fushatës së bombardimeve siç e kërkonte dhe Peter Handke! E të tjera të zeza dhe më të zeza! Dhe, këtë kryetar të partisë më të madhe shqiptare në Kosovë, partia e tij e tanishme me një pjesë të saj, e fosilizuar, e feston, e madhëron, e mbarëkombëtarizon, e përgjithëson me konferenca e kongrese dhe me përndjekje të atyre që për të mendojnë ndryshe!

Në qoftë se i mendojmë të gjitha këto që i thashë dhe disa të tjera që, megjithatë, nuk i thashë ende, besoj se do ta lëmë të qetë Akademinë Mbretërore të Suedisë, Komitetin Nobel, dhe do ta pushojmë vajin për Çmimin Nobel!

Në qoftë se pajtohemi me këtë propozim do të pajtohemi edhe me një propozim tjetër: do të pajtohemi se, se çmime të shumëçmuara të kohës së tyre nuk kanë marrë as Dante, as Bokaçio, as Servantesi, as Shekspiri, as Gëteja, as Balzaku, as Marsel Prusti, as Çarls Dikensi, as, as as! Se çmimin e sotëm Nobel nuk e kanë marrë as shkrimtari më i madh i kohës së tij Leon Tolstoi, as Henrik Ibzeni, as Xhejms Xhojsi, as Bernard Sho, as, as Andre Malro, as Horhe Luis Borhes, as Ignacio Silone, as Hulio Kortasari, as Nikos Kazanzakis. Por, o sa çudi, çmimi Nobel nuk i është dhënë as romansierit, teorikut e estetit më të madh botëror të gjysmës së dytë të shekullit 20 e të fillimit të shekullit 21, Umberto Ekos, por as shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj botërorë Gilermo Kabrera Infantes, Filip Rotit, Mishel Turnies dhe Zhan d’ Ormesonit. As, as, as sa e sa shkrimtarëve të tjerë vërtet të mëdhenj. E megjithatë as ata e as adhuruesit e tyre s’vajtojnë për Çmimin Nobel e për çmime të tjera. Siç po vajtojmë ne! Ne!

Çmimet, si po shohim, sot, shumë më shpesh po jepen për angazhimet e letrarizuara politike të shkrimtarëve sesa për vlerat artistike të veprave.

Hajde, prandaj, t’i ndalim vajtimet e padinjitetshme rreth e rrotull Çmimit Nobel, t’i lëmë rehat Suedinë, Komitetin e Nobelit dhe Akademinë Mbretërore Suedeze dhe të mendojmë për tjetër çka: të mendojmë se si të parandalojmë shkaqet që po rrënojnë kohezionin shoqëror e mbarëkombëtar të popullit shqiptar – korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar, padrejtësitë, papunësinë, varfërinë e madhe të një pjese të madhe të popullit, privilegjet dhe lukset e arrivistëve ndërgjegjeshuar, në të vërtetë të pandërgjegje, që kanë pushtuar pothuaj të gjithë sektorët e jetës sonë, dhe konfliktet e pandalshme disavjeçare të forcave politike!

Hajde, hajde, t’i parandalojmë këto të këqija shkatërruese të qenies sonë se vetëm me parandalimin e tyre do të ndalim degdisjen e të rinjve tanë, të ardhmërisë sonë nëpër rrugët e botës! / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi: Meshkujt e Kosovës që nuk mujtën me na mbrojtë tash duhet me na përkrah

Të martën e javës që vjen në New York do t’i kujtohen Serbisë, krimet e bëra në Kosovë, Bosnje e Kroaci. Para konsullatës serbe, komuniteti shqiptaro-amerikane, boshnjako-amerikane dhe ato kroate do të kërkojnë drejtësi për 70 mijë viktimat e dhunës seksuale, duke i bërë thirrje Serbisë për të identifikuar kryerësit e krimeve të tmerrshme.

Lidhur me këtë sot u diskutua në emisionin Bon Bon në RTV21. E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman tha se pas kësaj proteste pret që fut UN në listë raportin e Kosovës në listën e tyre. “Me kërku drejtësi internacionale UN me i bo presion Serbisë me pranu fajin, me pranu atë krimin që e kanë bo edhe drejtësia shkon në vend.”, tha Krasniqi Goodman.

Ajo po ashtu bëri thirrje që tema e dhunimeve të mos mbetet tabu por femrat e dhunuara të përkrahen. “Për meshkujt e Kosovës që nuk mujtën me na mbrojtë neve, ata bile sëpaku tash duhet me na përkrahë se na ishim ato femrat, ato nanat edhe ato motrat, vajzat që i larguam meshkujt prej shpije për mos me i ndodh diçka prej serbit, kurse na u ballafaquam, fyt për fyt luftuam me shkaun”, tha ndër tjerash Goodman. Ndryshe, masakrat e gjenocidi i kryer nga regjimi serb në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, njihet si nga më e madhja pas luftës së dytë botërore.

Pavarësisht kësaj, shumica e kryerësve e madje edhe urdhërdhënësve, nuk janë ndëshkuar për këtë krim./21Media/ KultPlus.com

Në Beograd largohen billbordët ku shfaqet Rita Ora pasi promovon ‘vlera anti-serbe’

“FITON INFORMER! Largohet billbordët e shqiptares Rita Ora! U hoqën reklamat e këngëtares që mbështet kriminelët e UQK-së” – ishte kryetitull i gazetës ditore Informer.

“Skandaloze! Shqiptarja Rita Ora i qesh Beogradit në fytyrë! Këngëtarja e preferuar e Haradinaj dhe Thaçit në billbordat e kryeqytetit!”,  kishte shkruar një ditë më parë media serbe Informer e indinjuar me këngëtaren nga Kosova me famë botërore, Rita Ora, e cila ka ‘pushtuar’ çdo tabelë reklamuese në Serbi por jo vetëm.

Por edhe pse bëhet fjalë thjeshtë për reklama që kompanitë e veshjeve paguajnë mijëra euro, për serbët është provokuese fakti që një shqiptare të shfaqet në qytetet e tyre, shkruan Prive.al. Rita Ora shfaqet duke promovuar një markë perëndimore stolish të çmuara ndërsa media serbe e lidh këngëtaren me faktin që ajo është një nga më të preferuarat e Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit.

Më pas në artikull thuhet se Rita Ora është edhe mbështetëse e UÇK-së.

Këngëtarja shqiptare, e cila mbështet publikisht kriminelët e UQK-së dhe bën thirrje për krijimin e një ‘Shqipërie të Madhe’, është “dëbuar” nga një billboard nga qendra e qytetit të Beogradit dhe nuk do të shfaqet më në bizhuteri BPM dhe në materiale promovuese! – shkruan kjo gazetë sot.

Kujtojmë se kjo këngëtare, e cila këndoi në festimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së shtetit të rreme të Kosovës dhe që asnjëherë  nuk humbet mundësinë për të treguar “shqiponjën dykrenare shqiptare” në çdo paraqitje, është shfaqur në tabela në më shumë se 27 vende ekskluzive në të gjithë Beogradi, për të cilin shkruajti dje gazeta jonë. Billboard mund të shihet në Parlamentin e Serbisë, Qeverinë e Serbisë, Sllavia, Sheshi Republikës, Terazije, në Pallatin e Serbisë dhe vendet e tjera të trafikut.

Të gjitha 27 tabelat në qendër të Beogradit që paraqisnin reklama për orët dhe bizhuteritë BPM, duke paraqitur fytyrën kryesore të reklamave të Rita Ora, nuk mund të shihen më. Ato u larguan menjëherë dhe nuk do të transmetohet më në tabela në qytet ose në faqen zyrtare të kompanisë. Që herët pasditen e së Mërkurës, pas një takimi dhe sesioni urgjent, drejtuesit e kompanisë dhe departamenti i marketingut morën vendimin për tërheqjen e reklamës, si dhe të gjitha fotot e Rita Ora. Edhe tani ata kanë një strategji, për të krijuar një reklamë krejt të re për orë dhe bizhuteri, e cila nuk do të jetë këngëtarja “e diskutueshme”. Ata po fillojnë një fushatë krejt të re – përfundon kjo e përditshme serbe. Klan Kosova / KultPlus.com

Paralajmërohet marsh që kërkon drejtësi për Astrit Deharin

Një marsh solidarizues me familjen Dehari, pritet të ndodhë në ditët në ardhshme dhe vjen pas raportit zviceran, i cili konstaton se Astrit Dehari është vrarë.

Iniciativa për marshin solidarizues ka nisur në rrjetet sociale, ku edhe kanë njoftuar se për detajet rreth organizimit të ngjarjeve gjatë ditëve në vijim dhe marshit për drejtësi për Astrit Deharin, do të njoftohen me kohë.

“Luteni që të përcillni faqen ‘Unë jam Astriti’. Shpërndajeni fjalën sa më shumë tek shoqëria. Institucionet duhet ta dëgjojnë zërin e qytetarëve për drejtësi”, thuhet në njoftim.

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, ka ardhur në përfundim se gjasat janë të vogla që Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, ta ketë vrarë veten në burg.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit DEHARIT përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në raport.

Astrit Dehari ishte arrestuar si i dyshuar për sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, e që Prokuroria e kishte cilësuar si vepër penale e terrorizimit.

Derisa po mbahej në paraburgim, ai nuk kishte ende aktakuzë zyrtare për këtë. Pasditen e 5 nëntorit të 2016-s, Astrit Dehari u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Koha.net / KultPlus.com

Poeti shqiptar Driton Zenku publikon librin e përkthyer në gjuhë maqedonase

Së fundmi, poeti Driton Zenku nga Gostivari ka publikuar librin e pestë me poezi të përkthyer në gjuhën maqedone si botim i Shtëpisë Botuese Flaka. Libri me titull “Niansat”, paraqet librin e pestë me poezi të poetit Zenku, shkruan Agjencia e lajmeve Flaka 

Libri paraqet një gamë të poezive të përzgjedhura nga katër librat paraprake të përkthyera në gjuhën maqedone.

Zenku lindi në vitin 1997 në Gostivar. Në viti 2005 mbaroi studimet në UEJL-Tetovë. Deri tani ka të botuara librat me poezi: “Dielli në Natë”, – viti 2000, “Rruga e Rrugëve” – viti 2008, “Haremi i Fjalëve”, – viti 2010, “Dielli i Janarit” në vitin 2016, dhe së fundmi librin e përkthyer në gjuhën maqedonase “Ninsat”, proekt i finansuar nga Ministria e Kulturës me programin e vitit 2018.

Është bashkëautor i monografisë “Flaka e Janarit”, “Enciklopedia – Reagime”, botim i gazetës Koha, si dhe redaktor i librit “Reka e Epërme dhe Fshati Kiçinicë”, i autorit Branko Manojllovski.

Paralelisht me periudhën e studimeve u inkuadrua në media si gazetar dhe tani e 15 vite ushtron profesionin e gazetarisë. Ka qenë kryeredaktor në Tv2 – Gostivar, zëvedëskryeredaktor në të përditshmen e dikurshe “Shqip”, dhe korronspodent i gazetës Koha. Më herët ka qenë zëdhënës në komunën e Gostivarit. /KultPlus.com

Kadare: Kapardisja është një cilësi e përgjithshme njerëzore, atë e gjen veçanërisht te shqiptarët.

Kapardisja është një cilësi e përgjithshme njerëzore. Atë e gjen kudo në botë, por te ballkanasit veçanërisht. E veçanërisht te shqiptarët.

Kronika e gjatë e gadishullit tonë nuk mund të kuptohet mirë pa të. Madje shpesh është vështirë të dallohet ku mbaron kufiri i një bëme dinjitoze, madje trimërore e ku nis kapardisja. Kjo e fundit është e ndërthurur shpesh me të gjitha ato tipare, të mbara e të mbrapshta, të njeriut ballkanas duke i dhënë një theksim të veçantë si veseve, si virtyteve të tij. Si e tillë ajo pasqyrohet gjithsesi në vizionin për jetën, në mënyrën e sjelljes, të të menduarit, të të vepruarit e gjer në gjëra tepër të përditshme, siç janë veshja ose ecja e njeriut.

Megjithatë, për një habi të madhe, po të hetojmë me gjakftohtësi historinë e gjatë të popullit shqiptar, vërejmë se ndërsa ka qenë tepër e pranishme në jetën e përditshme, kjo sëmundje nuk është dëshmuar aq sa pritej në atë sferë, ku dëmtimet e saj janë vërtetë fatale: midis prijësave shqiptarë, ata që sot quhen “liderë”.

Duke mos u ndalur te trillet ose kapardisjet e princave dhe feudalëve shqiptarë të mesjetës, të cilat nuk ishin as më të pakta e as më të shumta se ato të sivëllezërve të tyre europianë e bizantinë, kronika historike nuk jep as dëshmi krenarie boshe, e as veprime kapardisëse të prijësit më të shquar të shqiptarëve e të krejt ballkanit, Gjergj Kastriotit. Dhe ky kont shqiptar, që u ngrit befas në një lartësi marramendëse, që u rrethua me legjenda për së gjalli, që iu dhanë tituj e cilësime, që do t’i ëndërronte çdo princ i kohës, së fundi, që u prit disa here me triumf në qendrat e Europës e në Vatikanin e fuqishëm, e ka patur rrezikun që të binte në dashuri me veten.

As Gjergj kastrioti, Skënderbeu, as rilindasit e shquar shqiptarë më pas, qoftë prijësat e mendimit, qoftë ata të veprimit, nuk dhanë asnjëherë shenja të një krenarie a vetëkënaqësie të zbrazët. Dhe kjo vetpërmbajtje, ky dinjitet i madh, ka vetëm një shpjegim: ata ishin të përgjegjshëm për fatin e rëndë të popullit të tyre. Me fjalë të tjera, ata kishin kuptuar se historia i kishte vënë ata në krye të një populli të rrezikuar e të goditur rëndë, ndaj as mburrjet e as ethet e lavdisë s’mund të kishin vend në kokat e tyre.

Shpallësi i pavarësisë së shqipërisë, ismail qemali, ndonëse vinte në një vend të vogël, nga poste të larta të një perandorie të madhe, nuk u shqua asnjëherë për delire mendjemadhësie. E po ashtu, pas tij, nuk dha shenja të tilla peshkopi fan noli, ndonëse ishte i ndërgjegjshëm se ishte kryeministri më i kulturuar i ballkanit dhe një nga krerët e kulturës europiane të kohës.

Eshtë folur mbarë e mbrapsht për mbretin Zog, por kurrkush nuk ka përmendur gjëkundi sjellje ngrehaluce të tij, e as dehje nga lavdia, ndonëse vinte nga një mjedis ku ato kultivoheshin e, ndonëse, u shpall mbreti i parë i shqiptarëve.

Në periudhën komuniste mburrjet verbale të udhëheqjes, kërcënimet ndaj botës perëndimore dhe vetëdehja për të ashtuquajturin lulëzim të vendit, mbetën më tepër në sferën teorike, si pjesë e një sistemi politik të dështuar. Ato nuk shoqëroheshin dot me sjellje e bëma të rrokshme nga individët e udhëheqjes, ngaqë këtë gjë nuk e lejonte ankthi politik, pré e të cilit ata ishin të gjithë.
Koha e kapardisjes së madhe i erdhi shqiptarëve, ose më mire klasës politike të tyre, atëherë kur ajo pritej më pak: pas rënies së regjimit komunist. Mund të thuhet pa frikë se, për dhjetë vjet, njerëzit e politikës shqiptare, u mburrën e u ngrefosën më shumë se gjithë paraardhësit e tyre, gjatë dhjetë shekujve.

Ishte një trishtim i madh të vëreje se si një pjesë e këtyre politikanëve harruan krejtësisht se çfarë u besoi historia: nxjerrja nga mjerimi e nga tronditja psiqike e një populli që kishte vuajtur aq shumë e që kishte nevojë më në fund për jetë, për shëndoshje trupore e shpirtërore, me fjalë të tjera për normalitet.

Të pajisur jo vetëm me një mendje të varfër, por edhe me karakter të dobët (shpesh pasojë e logjikshme e së parës), pa kurrfarë strukture morale, këta njerëz të rëndomtë nuk e përballuan e as mund ta përballonin misionin që u vuri koha. Në vend të ulnin kokën përpara dramës së popullit të tyre, të ulnin kokën jo për përvujtni morale, por për të kuptuar më mirë përse janë në krye të vendit, këto natyra të varfëra u dehën nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e kamerat e televizionit. Kjo do të shoqërohej natyrisht, ashtu siç u shoqërua , nga një mllef i verbër kundër kundërshtarëve politikë, nga një korrupsion i pafund, dhe nga një shpërfillje e plotë për interesat dhe tragjedinë e vendit.
Megjithë këtë sjellje të papërgjegjshme, kapardisja kishte përherë pjesën e saj. Stili i jetës së një pjese të politikanëve shqiptarë, ishte i papranueshëm për çdo kohë e çdo shoqëri. Pozat e tyre, dëshira për t’u bërë stare, hidhësia prej mistreci, rrezatimi i urrejtjes e gjer te e folura “sensacionale”, kinse me metafora (e atyre që aq keq e flasin gjuhën shqipe, sa s’dinë përdorimin e njëjësit e shumësit dhe një frazë që e fillojnë me “ju” e mbarojnë me ti).

Një pyetje bëhet kudo në Shqipëri, në Kosovë e jashtë tyre: si është e mundur një ngrefosje e tillë? Sepse sëmundja e kapardisjes së një pjese të “liderëve” është bërë e përgjithshme kudo në viset shqiptare. Njerëzit kanë të drejtë të habiten, sepse ngrefosje do të thotë verbëri, do të thotë shurdhëri, do të thotë shpërfillje e plotë për atë që po ndodh me popullin shqiptar. Mjafton të jesh disa ditë në Shqipëri, mjafton të shikosh sfilitjen e vendit, varfërinë, nervozizmin, mungesën e rendit, mungesën e dritave, mungesën e ujit, që çdo krenari e zbrazët, çdo kapardisje, të fluturojë në çast, për t’ia lënë vendin një brenge të thellë. Kjo përsa i përket vendit amë. Kurse për Kosovën e për “liderët” e saj, mjafton pamja e katundeve që digjen, e fëmijëve të vrarë, e njerëzve që shpërngulen nën vërshëllimën e predhave, për të hequr dorë një herë e përgjithmonë nga çdo mburrje e pozë përpara kamerave të TV.

Mirëpo një pjesë e “liderëve”, si në Shqipëri, si në Kosovë, nuk heqin dorë nga mburrjet. Ngrehalucë të pandreqshëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj dramës së popullit, që i ka nxjerrë, të dashuruar pas vetes dhe pas fjalëve të tyre të papërgjegjshme, vazhdojnë të jenë si të dehur nga telefonat celularë, nga mikrofoni që iu afron çdo gazetar, nga nderimet me të cilat i presin andej këndej.Harrojnë se ai interesim e ato nderime nuk janë për ta, por për popullin martir shqiptar.
Ky qëndrim i papërgjegjshëm shoqërohet me trille e me gjeste kinse të bujshme. Njëri mburret se është ai që e ka në dorë ç’do të vendoset në Rambuje, se po të mos dojë ai, e të mos shkojë ai, gjithçka duhet të prishet. E një tjetër që nuk ka shkelur kurrë në Kosovë, jep mësime patriotike, bën thirrje që në emër të kësaj apo asaj, që Kosova të bëhet shkrumb e hi. E kështu me radhë, e kështu pa fund. Dhe është gjithmonë populli shqiptar që paguan, që mjerohet, që digjet e kullon gjak. Kurse këta “biznesmenë të lirisë” s’pësojnë kurrë asgjë.

Asgjë nuk i prek shpirtrat e tyre veç smira dhe etja e pushtetit. Ato janë e vetmja gjë që e gjallëron mendjen e tytre të varfër: Jam unë që vendos e jo ti, jam unë që duhet të hipi në avion, që duhet të pyetem, që duhet të nderohem, që duhet të thirrem në gosti, që duhet të shpallem shef etj., etj.
Ndërkaq, si gjithmonë, në Ballkanin tonë heroik aq edhe servil, nuk mungojnë kurrë puthadorët, sejmenët dhe lajkatarët. Pas Rambujesë, një pjesë e mediave shqiptare, në vend të merreshin seriozisht me analizën e asaj që ndodhi, e sidomos, asaj që do të ndodhte, filluan lajkat për bëmat e njerit apo të tjetrit. Ca legjenda, ca fakte të neveritshme, imorale e të pabesa filluan të serviren si heroike. Kështu, sahanlëpirësit nisën të ekzaltohen që X –i nuk pyeste fare për ministrat e Europës, apo që Y- i e la ministren amerikane Ollbrajt të priste orë të tëra te dera, etj., etj. Edhe sikur këto dokrra të ishin të vërteta, ato do të ishin jo lavdia, por turpi ynë në Rambuje. Dhe jo vetëm turpi: ato do të ishin një njollë e zezë, dëshmi e maçizmit, e injorancës dhe e paburrërisë sonë përpara një ministreje dhe një gruaje.
Një pjesë e “liderëve” shqiptarë, si në Shqipëri, si në Kosovë e gjetkë, kanë nevojë të ngutëshme të qytetërohen. Ata janë shumë larg nivelit të përfaqësimit që meritonte populli shqiptar. Ky popull është i varfër e është i rreckosur, por është drama e tij e rëndë që kërkon, ashtu si çdo tragjedi, një nivel të lartë të përfaqësimit.

Mësimi numër një që, duhet të nxjerrin “liderët” shqptarë, është se nuk ka dhe nuk mund të ketë lavdi për askënd, në qoftë se populli yt është në mjerim e në robëri. “Liderët” shqiptarë duhet të rrijnë kryeulur përpara kësaj gjëme që ende nxin në sytë tanë. Të rrish kokëulur nuk do të thotë të rrish pa dinjitet. Përkundrazi, pa dinjitet gjykohen ata, që në një ceremoni varrimi zgërdhihen. Populli shqiptar ka përpara ditë tepër vendimtare për fatin e tij. Në qoftë se “liderët” shqiptarë e ndiejnë se janë të paaftë të kuptojnë peshën e përgjegjësisë që kanë, ata duhet t’ua lenë vendin të tjerëve. Gjithmonë do të ketë njerëz që do ta kuptojnë më mirë këtë popull, që do të kenë më shumë dhembshuri për të, me fjalë të tjera, që do ta prijnë siç duhet.

Për “Courrier International”, Paris, shkurt 1999 – përmbledhur në libërthin “Mbi krimin në Ballkan” – Ismail Kadare. / KultPlus.com

Avokatët shqiptarë ndajnë eksperiencat profesionale në Kanada

Së fundmi në Kanada është mbajtur një takim për zgjidhjen e problemeve të ndryshme ligjore që përballen shqiptarët në këtë vend.

Takimi është organizuar për të ndarë eksperiencat e tyre profesionale si dhe për të diskutuar për mbështetjen dhe konsulencën që i ofrojnë komunitetit shqiptaro-kanadez në zgjidhjen e problemeve të ndryshme ligjore.

Në këtë event morën pjesë shumë mërgimtarë për të informuar rreth ligjeve juridike në Kanada dhe lehtësirat që mund të ofrohen nga ky shtet.

Panelistët ishin të shumtë, duke ndarë përvoja nga më të ndryshmet rreth ligjeve juridike.

Protagonistët kryesorë të kësaj mbrëmje që mbajtën fjalime ishin: Paola Beci, Albana Musta, Fred Gjoka, Marin Nati dhe Lusi Braçe.

Gjithashtu duhet të theksohet se përvojat e tyre u bënë përmes udhëtimit të tyre me sukses, pastaj sfidat e tyre dhe deri më sot ku janë.

Kjo ngjarje ishte një bashkëpunim i frytshëm me Albanian Canadian Lawyers Association (ACLA).

Më poshtë mund t’i shikoni disa nga fotot gjatë zhvillimit të takimit organizuar nga Shoqëria Shqiptaro-Kanadeze (ACE) dhe Shoqata e Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë (ACLA). /albinfo/ KultPlus.com

“Rrugës”, projekti më i ri i Shpat Dedës

Shpat Deda, këngëtari që njihet për stilin e veçantë të muzikës së tij, kësaj radhe ka paralajmëruar publikimin e këngës më të re, që pritet të dalë nesër, shkruan KultPlus.

Kënga titullohet ”Rrugës” dhe është nën produksionin e ”Ravencity Production”

Shpat Deda është i njohur dhe i admiruar nga të gjithë, pasiqë përmes teksteve të cilat zakonisht përçojnë mesazhe të ndryshme, ai arriti të hyjë në brendësinë e secilit që e ndëgjon muzikën e tij.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtari, përmes statusit të tij në llogarinë e tij personale në Facebook. / KultPlus.com

Haziri: Më 28 Nëntor do t’i ndahet çmimi Heroina e Qytetit, Shyhrete Tahiri Sylejmanit

Sot, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është takuar me Shyhrete Tahirin, tashmë një heroinë për guximin e treguar si viktimë e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në këtë takim, Haziri ka informuar se me 28 nëntor, Shyhrete Tahirit do t’i ndahet çmimit Heroina e Qytetit.

Lajmi është konfirmuar edhe nga faqja zyrtare e Komunës së Gjilanit në Facebook.

Bashkangjitur gjeni statusin e plotë.

”Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim zonjën Shyhrete Tahiri Sylejmani, e cila ditë më parë e denoncoi kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, si viktimë e mbijetuar e dhunës seksuale të luftës së fundit.

Kryetari Haziri, pasi shprehu keqardhje për tmerrin që ka përjetuar në luftë, e ka përgëzuar zonjën Tahiri Sylejmani për guximin dhe heroizmin e treguar në publik, për zbardhjen pjesës së rëndë dhe të errët që e ka kaluar populli i Kosovës në luftën e fundit.

Haziri tha zonja Shyhrete Tahiri Sylejmani do ta ketë gjithmonë përkrahjen e gjilanasëve, ndërkaq ka njoftuar se do ta inicojë vendimin për ndarjen e çmimit Heroina e Qytetit më 28 Nëntor të këtij viti.

Ndërsa, Shyhrete Tahiri Sylejmani e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e ofruar nga ana e tij, sikurse edhe mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Gjilanit dhe të familjarëve.

Në këtë takim, kreu i Gjilanit ka informuar se do ta inicojë edhe vendimin për ndarjen e çmimit Heroina e Qytetit edhe për tri gratë e dëshmorëve, Hyrije Baftiu, Fatime Ahmeti dhe Mevlide Hyseni.” /KultPlus.com

Sot pas mesnate akrepat shkojnë 60-të minuta mbrapa

Sot pas mesnate akrepat e orës do të kthehen 60 minuta mbrapa.

Ky ndryshim do të thotë që fitojmë një orë më shumë gjumë, por errësohet më shpejt, deri në 29 mars të 2020 kur akrepat do të kthehen përsëri 60 minuta para.

Për vendet e Bashkimit Europian, ora do të ndryshojë në të njëjtin çast.

Parlamenti Europian në marsin e shkuar votoi në favor të mos ndryshimit më të orës stinore.

Ora diellore do jetë në fuqi deri në 29 mars të 2020, më pas gjithçka do varet nga vendimi i secilit shtet, anëtar të BE-së. /KultPlus.com

Fragment nga romani “Pavdekësia” i Milan Kunderës

Takimi me Betinën, në sytë e Gëtes, ishte në dukje një episod i parëndësishëm. Jo vetëm që si sasi zinte një vend të vogël, por Gëtja bëri gjithçka për ta penguar të luajë një rol shkakësor, dhe është kujdesur ta mbajë mënjanë biografisë.

Mirëpo mu këtu shfaqet relativiteti i nocionit të episodit, relativitetit që Aristoteli nuk e ka kapur: në të vërtetë, askush nuk mund të garantojë që një rastësi episodike nuk përmban një potencial shkakësor, i cili është i aftë që, një ditë, të zgjohet dhe, papritur, të përhapë një varg me pasoja.

Thashë një ditë, dhe kjo ditë mund të vijë kur personazhi ka vdekur, nga ku shpjegohet edhe triumfi i Betinës, e cila është bërë pjesë përbërëse e jetës së Gëtes, bash kur Gëtja nuk jetonte më… /KultPlus.com

Isa Boletini- Korrespodentit të Gazetës Narodni List (1913): Ç’kërkojnë serbët në Kosovë?

Nga Aurenc Bebja

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të enjten e 27 nëntorit 1913, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me deklaratat e Isa Boletinit për gazetën “Narodni List”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Na telegrafojnë nga Shkodra se Isa Boletini, ministri aktual i luftës së qeverisë së Vlorës, gjendet momentalisht në këtë qytet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shefi i famshëm shqiptar ka bërë për korrespodentin e gazetës “Narodni List”, të Fiumes, deklaratat e mëposhtme :

Gjendem i sëmurë në momentin kur kanë më shumë nevojë për ndihmën time; por shpresoj të shërohem sa më shpejt që të kthehem në luftë.

Do të luftoj deri në frymën e fundit dhe derisa të ketë shqiptarë të armatosur, kështu Ballkani nuk do të jetojë në paqe.

E kam thënë këtë gjë në Evropë, e përsëris edhe sot para jush. Madje, ç’kërkojnë serbët në Kosovë !

Gazetat në Beograd, të cilat riprodhojnë këtë deklaratë, pyesin nëse Austria do të gjejë një pretekst tjetër, kur Isa Boletini do të ekzekutojë kërcënimet e tij, për të parandaluar Serbinë që të mbrohet ndaj agresorëve të saj. / KultPlus.com

Pse e lëndojmë njëri-tjetrin – korrespondenca mes Tolstoit dhe Gandit

Në vitin 1908, revolucionari indian Taraknath Das i shkroi Leo Tolstoit, një nga figurat më të njohura e të rëndësishme në botë në atë kohë, duke i kërkuar mbështetje ndaj pavarësisë së Indisë nga Anglia.

Më 14 dhjetor, Tolstoi i shkroi Das një letër të gjatë, të cilën ky i fundit e botoi në gazetën indiane “Free Hindustan”. E kaluar dorë më dorë, letra i arriti Mahatma Gandhi, karriera e të cilit si lider i paqes sapo kishte nisur.

Ai i shkroi Tostoit, duke i kërkuar leje që ta botonte letrën eshe një herë. Ky moment do të shënonte nisjen e një korrespondence të gjatë mes të dyve, që zgjati deri në vdekjen e Tolstoit.

“Pa dyshim që nuk ka asgjë të re në ato që thotë Tolstoi. Por paraqitja e të vërtetave të vjetra nga ai është kaq e efektshme. Logjika e tij është e pakundërshtueshme. Mbi të gjitha ai të bind në ato që thotë. Ai kërkon vëmendje dhe e merr atë”,- shkruante Gandhi.

Tolstoi e hap çdo kapitull të letrës së tij të gjatë me një pasazh nga Krishna (një nga hyjnitë më të rëndësishme hindu).

“Arsyeja pse shumica e klasës punëtore vazhdon të punojë për një grup njerëzish, që kontrollojnë punën e tyre dhe rrjedhimisht jetët e tyre, është kudo e njëjtë, edhe kur nënshtruesit dhe të nënshtruarit janë të së njëjtës racë e të së njëjtit komb”-, shkruante ai.

Sipas Tolstoit, edhe shkenca, edhe feja mund të çojnë në dogma të rrezikshme, që na zhvendosin nga ligji më bazik i dashurisë.
“Dashuria është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga të gjitha të këqijat, për të shpëtuar njerëzimin nga skllavëria”,- shkruan shkrimtari i njohur.

“Çfarë po ndodh tani me njerëzit në Lindje e Perëndim është njëlloj me atë çfarë i ndodh çdo individi kur kalon nga fëmijëria në adoleshencë apo nga adoleshenca në rini e njëlloj me çdo fazë të jetës, Ai jeton pa asnjë drejtim, humb busullën, kështu që shpik shpërqendrime të çdo lloji. Kohëzgjatja e këtyre fazave është çështje më vete”Filzofia.al /KultPlus.com

”M’fal që i qetë s’po mundesh me pushu. Astrit, ti sot je me ne e ne jemi me ty”

Rasti i Astrit Deharit, tashmë në kohët e fundit është kthyer përsëri, kësaj here për tu vënë në dritë cfarë me të vërtetë ka ndodhur me të.

Ngjarja e tij, një vrasje tashmë e konfirmuar, i ka prekur të gjithë, duke bërë kështu që të mirren iniciativa të ndryshme, shkruan KultPlus.

Arti që shpesh është një mënyrë për të prekur në ndërgjegjen e për të zgjuar vetdijen e të tjerëve, kësaj radhe ka shfrytëzuar hapsirën publike për të arritur këtë efekt.

Iniciativën e radhës e ka marrur artistja Fitore Berisha, ku portretit të Astrit Deharit ia ka bashkangjitur edhe një poezi. Poezi kjo që Astritit i drejtohet me një kërkim faljeje për gjithcka që i ka ndodhur atij.

Më fal që ke lindë në këtë vend…
Më fal që shkove shumë heret…
Më fal që s’ka drejtësi…
Më fal çka përjetove në rini…
Më fal që s’të kemi ma ne mesin tonë…
Më fal për krejt zemrat e thyme që i ke lanë…
Më fal që jemi tërbu, e s’jemi ty mujtë ma me luftu…
Mfal që i qetë s’po mundesh me pushu…
Astrit, ti sot je me ne e ne jemi me ty.
Më fal të lutem për krejt çka të kanë ba…
Më fal… / KultPlus.com

Prishtina në ditët e para dhe të fundit të Luftës së Parë Botërore

Largimi i serbëve dhe hyrja e gjermanëve, austriakëve dhe e bullgarëve në Prishtinë 

“Prishtina ra të martën më 10 tetor 1915, në ora dy e dhjetë minuta pasdite. Ushtari i fundit serb u largua nga Prishtinë në mesditë. Nuk dihej se kur do të hynin gjermanët. Pritej hyrja e bullgarëve dhe kjo e rriste frikën. Aq më tepër që shqiptarët dhe turqit në Prishtinë, tani flisnin se do t’u hakmerren serbëve për ngjarjet e vitit 1912. Gjermanët arritën në Prishtinë, nga ana veriore nëpërmjet rrugës së Kurshumlisë. Thuajse në të njëjtën kohë edhe austriakët ia mbërrin nga ana e Mitrovicës. Bullgarët u ngutën ta marrin selinë e divizionit, por gjermanët nuk i lejuan dhe ua ndanë atyre një pjesë të ndërtesës së Komunës. Të gjithë mes vete i vendosën rojet dhe kështu Prishtina u bë një qytet treshtetëror”.

Dëshmi si kjo – për arritjen e ushtrive të huaja në Prishtinën e vjeshtës së vitit 1915 – la mësuesi serb Janiçije Popoviq, i cili nga koha e parafillimit të Luftës Ballkanike, ishte ngarkuar nga qarqet e lëvizjes çetnike serbe në organizimin e mbledhjes së informacioneve dhe në shtrembërimin e realitetit të atëhershëm kosovar, me qëllim të okupimit të mëvonshëm të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

“Më 10 nëntor, pas mesdite, Regjimenti i dytë i kalorisë bullgare hyri në Prishtinë”, shkruan Hristo Mutafov një oficer bullgar. Ai më tej e përshkruan atmosferën prishtinase të parahyrjes së forcave bullgare. 

“Për rënien e plotë të Prishtinës mësuam nga refugjatët jashtë qytetit. Rruga e tmerrshme nga mali me dëborë e ngadalëson marshimin tonë. Në mbrëmjen e 10 nëntorit, divizioni ynë mbërrin në fshatin shqiptar Keqekollë.” 

Me të arritur në këtë fshat, komanda e njësisë bullgare vendosi kontakte me imamin e fshatit. “Rrëzë kodrës së lartë, është shtëpia e madhe dykatëshe e hoxhës së fshatit. Ky fshat i tipit të shpërndarë, është si të gjitha fshatrat e tjerë në këto vise që janë të vendosur në majat e larta, të banuara nga shqiptarët – malësorë të shëndetshëm, të mëdhenj dhe të bukur! Hoxha flet pak serbisht – policia serbe ia ka mësuar atij gjuhën e tyre! Selia e divizionit brenda natës vendoset në shtëpinë e hoxhës. /KultPlus.com

Rama takim me Kurtin dhe aktorët e filmit “Unë dhe Millosheviçi”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtin, takim ky që ka zgjatur prej disa orësh.

Mirëpo takimit i janë bashkangjitur edhe autorët e aktorët e filmit “Unë dhe Millosheviçi”, film ky që po xhirohet në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Takimin e ka bërë publik kryeministri Rama, përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook.

Ai shkruan:
“Në mes të një bashkëbisedimi të gjatë prej disa orësh me Albinin, ku hapëm shumë tema të bashkëpunimit dhe mirëkoordinimit të dy qeverive, patëm një moment pushimi të veçantë, me autorët kosovarë dhe aktorin e madh Gerard Depardieu, të cilët po xhirojnë në Shqipëri filmin “Unë dhe Millosheviçi”.

/ KultPlus.com

Në Prizren sot mbahet Panairi i Filigranit

Organizata Jo Qeveritare EC Ma Ndryshe organizon Panairin e Filigranit i cili do të mbahet sot në Kino Lumbardhi në Prizren.

Qëllimi i aktivitivitetit është informimi i një audience me të gjerë për promovim, vetëdijesim dhe mundësi për zhvillim lokal nëpërmjet ruajtjes dhe promovimit të zejes së filigrnait.

Ne këtë panair do të marrin pjesë filigranistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi të cilët do t’i prezentojnë punimet e tyre.

Gjithashtu në këtë panair do të organizohet tryeza e diksutimit me temë “Filigrani potencial për zhvillim” ku folës do të jenë filigransitët pjesëmarrës në panair dhe përfaqësues të komunës së Prizrenit si dhe do të ketë program artistik dhe ushqim tradicional.

Në këtë aktivtet do të jenë të ftuar përfaqësues të institucioneve, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ambasadave që veprojnë në Kosovë, të biznesve, mediave lokale dhe qendrore. /KultPlus.com

Ismail Kadaresë i dhurohet çmimi “Pak Kyong” në Seul të Koresë së Jugut

Shkrimtari shqiptar me famë botërore Ismail Kadare ka fituar çmimin e njohur koreano-jugor të letërsisë “Pak Kyong” si mirënjohje për artin e vlera sociale.

“Kadare 83-vjeç, ka qenë një nga autorët më me ndikim në Evropë që nga debutimi I tij i parë në vitet ’60. Në vitin 2005 ai u bë shkrimtari i parë që mori çmimin “Man booker international” për punën e tij dhe ai wshtw kandiduar shpesh edhe për çmimin “Nobel” për letërsi, shkruan gazeta “Korean Herald”.

Ai njihet për përdorimin e miteve dhe fabulave për të satirizuar regjimin komunist. “Nuk jam i vetmi që përdor imagjinatën për të shkruar. Satira praktikohet në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera komuniste”, tha ai duke iu referuar këtij zhanri si “një fantazi e përpunuar e historisë”.

Vlera e këtij çmimi është 100 milionë won (84 173 dollarë)

Sot wshtw mbajtur ceremonia e ndarjes së këtij çmimi ndërkombëtar për Ismail Kadarenë në Seul të Koresë Jugore. /KultPlus.com

FT: Kur Kadareja të ofron ndjesinë e paqes

Nëpër stendat e trotuareve, në tregun e së dielës të librave, në Nju Delhi, një librashitës ishte gjeni për të klasifikuar librat e përdorur në grumbuj të vegjël sipas ngjashmërisë së tyre, shkruan Nilajana Roy në një opinion për prestigjiozen britanike ”Financial Times”.

”Unë isha një studente që kërkonte një kopje të lirë të librit ”Kështjella” të Franc Kafkës dhe ai ma ofroi mes një kopjeje të vjetër të dramave të Brehtit dhe të një libri të një autori që nuk e kisha hasur asnjëherë, Ismail Kadare.

Me kalimin e viteve, bleva shumë libra të Kadaresë të papërdorur duke nisur nga romani i tij i parë ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (i vitit 1963 dhe i përkthyer për herë të parë në anglisht në vitin 1971), që bënte fjalë për një gjeneral italian dhe një prift, të cilët kërkonin në Shqipëri eshtrat e bashkatdhetarëve të tyre të rënë në luftërat botërore deri te librat klasikë si ”Prilli i thyer” (1978), një gjakmarrje që shtrihet në breza të tërë dhe ”Kështjella” (1970), që tregon përplasjen mes popullit shqiptar dhe Perandorisë Otomane si dhe shumë romane të tjera.

Këtë javë, Kadare fitoi çmimin ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë. Drejtuar nga Universiteti i Oklahomas dhe nga gazeta amerikane “World Literature Today”, çmimi Neustadt është më pak i spikatur se çmimi Nobel në Letërsi dhe në pothuajse 50 vitet e tij, ka pasur një grup shumë më global fituesish sesa zgjedhjet eurocentrike të bëra nga Akademia Suedeze.

Kadare u lind në vitin 1936 në Gjirokastër dhe fillimisht studioi në kryeqytetin, Tiranë e më pas në Institutin Letrar ”Gorki” të Moskës, atmosfera e së cilit iu duk e ashpër dhe kufizuese.

Krijimtaria e tij fillon që në moshë të hershme, duke botuar përmbledhjen e tij të parë të poezisë kur ishte 18 vjeç dhe romanin e tij të parë në moshën 27-vjeçare.

Në Shqipëri, Kadareja luajti me regjimin e asaj kohe si macja me miun. Ai shkroi poezi që lëvdonin Leninin, sepse nën diktatorin Enver Hoxha, i cili udhëhoqi Shqipërinë deri në vitin 1985, çdo student duhej ta përmbushte atë detyrë, por ai gjithashtu shkroi romane që zemëruan diktaturën.

”Pallati i ëndrrave” (1981) tregon për një shtet që i kushtonte një organizëm të tërë shtetëror analizimit të ëndrrave të qytetarëve të tij duke i servirur ato si gosti të rralla në vëmendjen e diktatorëve.

Në vitin 1981 ”Pallati i ëndrrave” u ndalua të lexohej pasi ”ishte i mbushur me aluzione kundër regjimit”, duke u ndaluar madje që të shkruhej apo të përmendej edhe titulli i tij.

Kadare fitoi çmimin ndërkombëtar “Man Booker” në vitin 2005 duke ngjallur polemika të shumta. Poetja rumune, Renata Dumitrascu, shkruajti se ai nuk ishte një Solzhenicin. Kadare ka qenë anëtar i partisë nën regjimin e Enver Hoxhës dhe gëzonte privilegje që shkrimtarëve të tjerë shqiptarë u mungonin. Por, në një shtet krejtësisht totalitar, është e pamundur të jesh kundërshtar ideal. Ata që ngrenë zërin shumë lart ose përdorin penën shumë lirshëm, zhduken në burgje, vriten ose nëse janë me fat, internohen.

Shpesh, puna e kundërshtarit është thjesht të mbijetojë.

“Nuk e kam konsideruar ndonjëherë veten si hero apo disident”, shkruan Kadare, në një shkëmbim letrash në vitin 1998, të publikuara “Review of Books” të Nju Jorkut.

“Në Shqipërinë e Hoxhës, si edhe në Rusinë e Stalinit, ishte e sigurt që një disident i deklaruar do të  ndrydhej”.

Shumë nga novelat e tij u ndaluan, siç është poema e vitit 1974 “Pashallarët e kuq”, menduar si e zhdukur, derisa u gjet në një arkivë, në vitin 2002.

Kadare u largua përfundimisht nga Shqipëria për në Paris, në vitin 1990, duke kërkuar azil politik.

Në Francë, ai mund të shkruante e të shprehej më lirshëm, por ai këmbëngul se mënyra e tij e të krijuarit funksionon në mënyrë të pavarur, siç thuhet në një intervistë të tij të vitit 2009: “Mendoj se krijimtaria ime nuk është më shumë politike se teatri antik grek.  Do të isha bërë ky shkrimtar që jam në cilindo regjim politik.”

Edicioni i veprës “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, të cilin e bleva në një rrugë të mbipopulluar të Delhit, ka kohë që është zhdukur. Nuk ishte ndonjë kopje e bukur, i mungonte kopertina, faqet ishin të ngrëna dhe të njollosura me çaj, por do të desha ta kisha tani si një kujtesë të mënyrës se si i zgjedhim ne historitë për të lexuar.

Ndryshe është ta zbulosh një autor nga çmimet e marra, duke lexuar veprën e tij sipas botimeve, ndryshe është të zgjedhësh një libër nga rrjedha e pafund e veprave më të shitura. Sidoqoftë, për shumë lexues, marrëdhënia me një autor nis në mënyrë aksidentale, por të natyrshme.

Librashitësi shton një roman në grumbullin e librave. Nuk është libri që dëshiroje, por është me çmim të lirë. Ngjarjet zhvillohen në një vend, për të cilin ti nuk di gjë prej gjëje. Kjo gjë të intrigon dhe, me kalimin e viteve, e gjen veten duke kërkuar për gjithçka që ka shkruar ai autor dikur i panjohur.

Kadare më ka ofruar një ndjesi paqeje me të kuptuarit vetjak që u ka bërë gjurmëve të lëna pas nga luftërat dhe perandoritë më pak të njohura.

Në romanet e tij, njerëzit gjejnë liritë e tyre dhe hijeshinë e çasteve të shkurtra, edhe kur kufizohen nga ligje të padrejta dhe fuqia e një tirani.

“Një shkrimtar mund të jetë i lirë në një botë të skllavëruar ose skllav në një vend të lirë”, tha ai, në një intervistë radiofonike në vitin 2001.

Ai e bën shumë të qartë se jemi ne ata që zgjedhim”, përfundon Nilajana Roy për prestigjiozen britanike ”Financial Times”. /KultPlus.com

Studiuesja gjeorgjiane: Ngjashmëri intriguese midis shqipes dhe armenishtes

Artikujt e botuar së fundmi nga Kortlandt (1980) dhe Martirosyan (2013). Martirosayan (2010) në fjalorin “Etymological Dictionary of the Armenian Inherited Lexicon”, jep një listë me 49 fjalë shqipe që ngjasojnë me armenishten, shënimet e mia tregojnë që janë edhe 30 fjalë tjera, që mund të konsiderohen si të ngjashme….

Mendoj se një studim i tillë do të hidhte më shumë dritë sa i përket vendit që kanë këto gjuhë të izoluara brenda familjes së gjuhëve indo-evropiane dhe për historitë e tyre përkatëse

Gjuha është institucioni më demokratik që na rrethon. Gjuha bart informacionin për të kaluarën dhe të tashmen tonë, si individë por edhe si kombe, në vërtetësinë më të madhe. Shqipja, gjuha armene dhe greqishtja janë të vetmet degë të “gjalla”, të izoluara nga familja e gjuhëve indo-evropiane. Të gjithë ne i dimë grupet tjera të mëdha të gjuhëve indo-evropiane siç janë: gjermane, indo-iraniane dhe sllave. Gjithmonë më ka intriguar fakti se shqipja dhe gjuha armene (duke lënë mënjanë rastin e greqishtes) janë të izoluara, por prapë kanë mjaft karakteristika për t’i takuar familjes së gjuhëve indo-evropiane. Pyetjet që me kanë preokupuar për një kohë të gjatë ishin: cilat janë karakteristikat që i bëjnë këto gjuhë indo-evropiane dhe në të njëjtën kohë të dallueshme për t’i bërë të izoluara? Dhe pse, ato nuk kanë “simotra” sikur gjuhët tjera për shembull polonishtja ose frëngjishtja? Edhe pse ende nuk i kam të gjitha përgjigjet, së paku mund t’ju tregoj për ngjashmëritë mbresëlënëse që kam gjetur midis gjuhës shqipe dhe asaj armene.

Ja sesi filloi e gjitha.

Vitin e kaluar akademik, gjatë periudhës shtator 2012 – maj 2013 e kam kaluar si Shkencëtare Vizituese e programit Fulbight në Departamentin e Linguistikës dhe Filozofisë në “Massachusetts Institute of Technology”. Projekti të cilin unë duhej të bëja hulumtime titullohej: “Roli i morfologjisë dhe kompleksitetit segmental për studimin e fonotaktikës së bashkëtingëlloreve” (që ishte rast studimi për gjuhët shqipe, armene, persishte dhe ruse). Gjuha armene ishte e vetmja gjuhë për të cilën nuk kisha informata të dorës së parë (vetëm ato që kisha nga librat e gramatikës dhe revistat shkencore). Eksperienca ime personale shpesh herë më ka bindur se kjo nuk është e mjaftueshme. Ai që bën hulumtimin duhet të dëgjojë dhe të eksperimentojë me gjuhën nga dora e parë dhe kështu kontaktova një dijetari të shkëlqyer – profesorin James Russell (një studiues me njohuri enciklopedike), që ligjëronte gjuhën armene në Universitetin e Harvardit dhe e luta të më jepte mundësinë të merrja pjesë në ligjëratat e tij. Gjatë semestrit pranveror, profesori Russell po ligjëronte një kurs për “grabar” (gjuhën e vjetër armene). E kuptova sesa me fat isha që kursi ishte pikërisht për armenishten e vjetër dhe jo për atë moderne. Isha shumë e entuziazmuar që mu dha ky rast, të mësoj një sistem të ri të shkruarit (armenishtja e ka sistemin e vetë të të shkruarit) dhe gramatikën komplekse. Dhe me në fund u gjenda e ulur në klasën e profesorit Russell në pritje për të dëgjuar diçka që ishte e njohur dhe e panjohur për mua. E njohur sepse, gjuha armene, siç e përmenda edhe më herët, është një gjuhë indo-evropiane (kam pasur njohuri të mëhershme për gjuhë të tjera indo-evropiane si anglishtja, rusishtja, holandishtja, gjuha perse dhe shqipe), dhe e panjohur sepse prisja të dëgjoj diçka të veçantë, që e shquan atë nga të gjitha gjuhët tjera indo-evropiane. Dhe sikur mund ta qëlloni, nuk u zhgënjeva aspak. Ajo që nuk prisja ishte të gjeja veten time duke shpërthyer me zë të lartë çdo 5 minuta duke thënë: “Po, e njëjta fjalë në gjuhën shqipe e ka kuptimin e njëjtë!” Në fund të orës së parë të mësimit, e vëreja se e bezdisja profesorin Russell. Edhe pse goxha në heshtje, ai tha: “Po, ka ngjashmëri mes gjuhës armene dhe shqipe”, pa shtuar ndonjë koment tjetër. Vendosa të mos tërhiqja vëmendjen e tij me tepër dhe fillova të mbaja shënime. Në fund të kursit, mblodha aq shumë shënime sa që vendosa se ia vlente të eksploroja më në detaje korrespodencat leksikore që kisha gjetur mes gjuhës armene dhe shqipe. Dhe ku do të shkoja tjetër, përveç se në “Widener”, që është libraria më e mirë në botë, e cila ndodhet në “Harvard Yard” (nuk ka libër që më duhej e që nuk e kam gjetur në atë librari).

Meqë nuk isha eksperte në lëmin e Gjuhësisë Krahasuese Historike të gjuhëve indo-evropiane, mora disa mësime nga vitet e mia të studimeve nga një dijetar i shquar i asaj fushe, që ishte akademiku Thomas Gamkrelidze, ku ai thoshte: “Në mënyrë që të dëshmojmë bindshëm ngjashmëritë gjenetike mes dy gjuhëve, duhet të demonstrohet përmes korrespodencave të rregullta fonetike në elementet e leksikut, që kanë kuptim të ngjashëm (ose të afërt në aspektin semantik)”. Në atë fazë, e kuptova se isha shumë larg nga mundësia për ta dëshmuar, por merresha vetëm me materialin, korrespodencat leksike që i kisha gjetur deri më tani e të cilat ishin një bazë potenciale për një hulumtim më të thellë, që shpie në pohime tjera më serioze për afërsitë gjenetike etj. Kështu që nuk do të doja të spekuloja asgjë lidhur me afërsitë gjenetike mes shqipes dhe armenishtes, por më mirë do ta sillja materialin para vëmendjes së dijetarëve të fushave përkatëse, për të vazhduar hulumtimin në këtë fushë.

Duke pasur në dispozicion fjalorë të ndryshëm etimologjik të shqipes dhe armenishtes, po ashtu edhe revista shkencore, e kuptova se të parët që i kishin kushtuar vëmendje e që kishin shkruar për afërsinë mes gjuhës shqipe dhe armenishtes, ishin H. Pedersen (1906) dhe V. Pisani (1950, 1959). Artikujt e botuar së fundmi për këtë çështje ishin nga Kortlandt (1980) dhe Martirosyan (2013). Martirosayan (2010) në fjalorin “Etymological Dictionary of the Armenian Inherited Lexicon”, jep një listë me 49 fjalë shqipe që ngjasojnë me armenishten. Këto fjalë janë: bletëzbotëbredhdaldeledellderëdetdhallëdhidhjedhjetëdjathëdjersëdorëdredhdrithëdru/drũ, end/ẽn(d)ëndërrëfjalëgjalpegogëlherdhëhudhërimlerëmatmishmjaltëmjekërmonënënëntënjënuserrënjësorrëtatë, –a, thërí/th(ë)níthjër(r), thurtrisheudhëverë/vẽnëverrëvethvidhzog.

Duke pasur në dispozicion fjalorë të ndryshëm etimologjik të shqipes dhe armenishtes, po ashtu edhe revista shkencore, e kuptova se të parët që i kishin kushtuar vëmendje e që kishin shkruar për afërsinë mes gjuhës shqipe dhe armenishtes, ishin H. Pedersen (1906) dhe V. Pisani (1950, 1959). Artikujt e botuar së fundmi për këtë çështje ishin nga Kortlandt (1980) dhe Martirosyan (2013). Martirosayan (2010) në fjalorin “Etymological Dictionary of the Armenian Inherited Lexicon”, jep një listë me 49 fjalë shqipe që ngjasojnë me armenishten. Këto fjalë janë: bletëzbotëbredhdaldeledellderëdetdhallëdhidhjedhjetëdjathëdjersëdorëdredhdrithëdru/drũ, end/ẽn(d)ëndërrëfjalëgjalpegogëlherdhëhudhërimlerëmatmishmjaltëmjekërmonënënëntënjënuserrënjësorrëtatë, –a, thërí/th(ë)níthjër(r), thurtrisheudhëverë/vẽnëverrëvethvidhzog.

Shumë korrespodenca leksikore janë shpërndarë nëpër revista e fjalorë etimologjik. Përveç ngjashmërive tashmë të njohura mes shqipes e armenishtes si: p.sh. arm. ǰerm/ǰem ‘ngroht’ shq. zjarm , arm. atamn shq. dhembë, arm. anurǰshq. ëndërr (Gheg anerr)arm. asem  shq. them/thom, arm. arǰ shq. ari, etj., shënimet e mia tregojnë që janë edhe 30 fjalë tjera, që mund të konsiderohen si të ngjashme, për shembull:

Armenisht aƚuēs                                            Shqip dhelpër

Arm. aƚbewr/aƚbiwr                            Shq. burim

Arm. ari                                                          Shq. marr

Arm. astowac (ast(ow)-ac)                  Shq. zot

Arm. eran                                                        Shq. era

Arm. erek                                Shq. err

Arm. ǝmpem                                       Shq. (unë) pi

Arm. cownr                                                     Shq. gju- gjû

Arm. cuc                                                         Shq. cucla

Arm. kaƚǰin                                                     Shq. argjilë

Arm. kask-eni                                      Shq. geshtënjë

Arm. kov                                                         Shq. ka

Arm. jev                                                          Shq. edhe/dhe

Arm. ǰur                                                          Shq. ujë

Arm. lk‘nem                                        Shq. me lan

Arm. mēg                                                        Shq. mjegull

Arm. mnam                                                     Shq. me nejt

Arm. mozi ‘viq’                                               Shq. mazi/mezi

Arm. pagow                                        Shq. puth/puthje

Arm. tam                                                         Shq. me dhanë

Arm. t‘aamim/t‘ašamim                   Shq. me terë

Ka shumë korrespodenca tjera leksikore që presin analiza tjera të thella. Natyrisht se disa nga këto kanë korrespodenca edhe me gjuhët tjera indo-evropiane. Ne i kemi lënë mënjanë për shkak të interesimit për të qenë sa më të shkurtër.

Përveç disa studimeve fragmentare për këtë çështje, unë deri më tani nuk kam hasur në studime të thella e sistematike për ngjashmëritë midis armenishtes dhe shqipes. Mendoj se një studim i tillë do të hidhte më shumë dritë sa i përket vendit që kanë këto gjuhë të izoluara brenda familjes së gjuhëve indo-evropiane dhe për historitë e tyre përkatëse. /standard.al/ KultPlus.com

Qyteza e vetme me 12 fise, aq sa mund të jenë në tërë Kosovën

Juniku është një komunë dhe qytet i vogël në Kosovën perëndimore, në Qarkun e Pejës. Është e vendosur në perëndim të Kosovës, në mes të Deçanit dhe Gjakovës, përgjatë kufirit malor të Kosovës me Shqipërinë.

Juniku sipas pushtuesve osman ishte një nga vendbanimet më të mëdha të kësaj ane, i njohur me ermin Alltën (vend i artë).

Më poshtë ju mund të lexoni gjashtë fakte që s’i keni ditur për Junikun:

1. Juniku ishte i vetmi fshat në trojet shqiptare ku jetonin 12 fise shqiptare, tani jetojnë 10 prej tyre. Komuna e Junikut ka aq shumë fise, sa mund të jenë në tërë Kosovën.

2. Është një vend qe quhet “Therra e Kishës”, ku mendohet se ishte një Kishë katolike e periudhës mesjetare.

3. Më 21-25 maj 1912 në Junik u mbajt Kuvendi i Junikut, drejtuar nga Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë, ku morën pjesë 250 delegat nga vise të ndryshme shqiptare. Vendimet e Kuvendit i dhanë shtytje kryengritjes së përgjithshme shqiptare kundër pushtuesit osman dhe pretendimeve sllave.

4. Junikut ka hapësirën më të pasur me ujëra nëntokësore në nivel të Kosovës.

5. Në Junik janë 2 xhami, 1 teqe dhe 10 tyrbe.

6. Maja më e lartë në Republikën e Kosovës është në Junik, dhe quhet Gjeravica, me lartësi mbidetare 2656 m. /gazetametro.net/ KultPlus.com

Marie Kraja, diva që thyente tabu atëherë kur mjerimi ndalonte gruan për gjithçka

Marie Kraja ka lindur më 24 shtator 1911, në Zarë të Dalmacisë në Kroaci, në vitin 1911 dhe sot më 21 nëntor përkujtohet viti i 19 që ajo është ndarë nga jeta.

Ajo dallohesh për një natyrë të qeshur por më shumë për një këngëtare të rrallë me një timbër të qartë muzikor në kanto. Zëri i saj i pastërt dhe i kthjellët ishte një mrekulli në publikun shqiptar të prapambetur të kohës kur u zhvillua ajo. Kishte një dinamikë të qartë të qëndrueshmërisë të vokalit të saj.

Që e vogël bashkë me familjen ajo vendoset në Shkodër. Më pas duke filluar nga 1930 ajo studion si shumë shkodranë në Graz të Austrisë deri në vitin 1934.

Shkodra edhe sot gjysma këndon, gjysma bën humor, ose më mirë gjithë shkodranët kanë për zemër aq shumë artin, sa gjysma e shkodranëve edhe sot dalin artistë, gjysma kanë dialog aq të këndshëm sa të ofrojnë me këndshmëri kulturën e tyre.

Marije Kraja herë-herë interpretonte kur studionte në Austri kompozimet e Bethovenit, Brunkerit, Vangerit, Pucinit, Verdit e Moxartit. Kryevepra këto që të bëjnë madhështor dhe profesionist në profesion ashtu si ishte edhe ajo, një yll i muzikës kombëtare.

Me tipare të qarta sopranoje, ajo mishërohet profesionalisht në kumbimin e zërit në rolin e Ollgas në operan “Rulaska”, në vitin 1950.

Në Konservatorin e Gracit, mbrojti doktoraturën me këngët lirike “Marshalla bukurisë tande” dhe “Midis ballit më ke një pikë”, gjë që ishte një kontribut edhe për muzikën shqiptare që të merrte një karakter ndërkombëtar.

Ajo solli një traditë të re të kantos në Shkodër krahas femrave të tjera përparimtare në muzikë siç ishte Tefta Tashko Koço. Ishte një nga femrat përparimtare që thyente tabu atëherë kur mjerimi ndalonte femrën për gjithçka.

Fare mirë ajo mund të quhej shumë e emancipuar sa ishte e gjithë Shkodra me kulturën e saj të dalluar. Një femër e një lloj Hollivudi shqiptar ku përulesh me repsekt.

Njësoj si sopranoja e famshme dhe kolegia Tefta Tashko Koço, të dyja bashkë u munduan me mish e me shpirt për të sjellë një repertor të këngëve tradicionale popullore shqiptare dhe ia dolën. Kjo traditë është e fuqishme edhe sot në instrumentistë dhe muzikologë klasikë që e dashurojnë me zemër muzikën e tabanit popullor nga janë rritur.

Kur ajo këndonte shpërthente në zërin e saj i rrjedhshëm si një perlë e rrallë e muzikës. Krah për krah me Ibrahim Tukiqin, në këngën “Kush më rri karshi karshi” vjen, aq kumbues, sa i tejkalon instrumentat dhe kumbonin tek artdashësit. Zëri i saj rrjedh si burim pa ndalesë dhe gjithmonë shpërthen ëmbël. Ka një vazhdueshmëri të njëtrajtshme të shpërthimtit të vokalit të saj në çdo këngë e sidomos këngëve popullore që ajo i donte aq shumë.

Në vitin 1936 është pedagoge në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Gjë që kontribuoi në ngritjen e një gjenerate të re dhe me mendim ndryshe për kulturën dhe muzikën. Kushedi sa këngëtarë të njohur dhe të dëgjuar kanë kaluar nga kjo femër e jashtëzakonshme e operas shqiptare.

Në 1946 ajo punon në Radio-Tirana dhe Liceut Artistik ‘’Jordan Misja’’.

Në vitin 1962 ajo është pedagoge Konservatorit Shtetëror të Tiranës ku vazhdon derisa mbaron karrierën e saj të plotë e del në pension në vitin 1966.

Është një nga gurët e themelit të muzikës operistike dhe të këngës në Shqipëri dhe një nga zërat më të rrallë. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para në premierën e parë të këtij institucioni. Ajo merr pjesë gjithashtu në operën e parë shqiptare ‘’Mrika’’.

Aktiviteti i saj jashtë Shqipërisë është i dendur dhe i pasur ku ndër të tjera kalon në skenat e mëdhaja të shteteve të Italisë, Austrisë, Gjermanisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik.

Ajo u rrit, u mbrujt dhe bashkëpunoi me një grup të madh artistësh që në vetvete ishin të gjithë divë të muzikës si Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,

Ka marrë pjesë në emër të Shqipërisë në Vjenë në “Mbrëmjen e kombeve me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.

Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me profesorin dhe pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Ky profesor ishte i njohur me bashkëpunimin e tij me të gjitha këngëtaret e njohura të kohës.

Disa nga rolet kryesore të veprave artistike  që ajo i zhvillon me një profesionalizëm të lartë janë në operat shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.

Pasioni i saj i madh ishte mbledhja dhe kënga popullore ku dallohen 300 këngë popullore sidomos nga zona e veriut të Shqipërisë të mbledhura nga qytetet Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj ku u ruajten në institucionin e Radio-Tirana si fond i trashëgimisë kulturore shqiptare.

Disa nga këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja mund  të përmendim:

“Çila sytë me të pa”,

“Dola në penxhere”,

“Marshalla bukurisë sate”,

”O bilbil, i mjeri bilbil’’

‘’Unë ty moj të kam dashtë’’

‘’Të martoj nana’’

‘’Midis t’ballit ma ke një pikë’’

‘’Iftida moj Lulja e Allit’’

‘’Vetë më ke çu fjalë’’

‘’Moll e kuqe topsheqere’’

“Çilni ju moj lule”.( kënga e parë e regjistruar në pllakë gramafoni në 1940)

Maria ka pasur dhe peripeci në lidhje me sistemin komunist ku ishte shënjestruar si një eksponent që vinte siç thuhesh nga ajo kohë me ‘’biografi të keqe’’ ku mendohesh se nga familja e saj kishin pasur lidhje me eksponentë të nazizmit për t’u gjetur mënyra që të kryqëzohesh artistikisht, dhe një mënurë për ta demigruar.

Megjithatë, ngeli në zemrën e publikut gjithmonë një krenari e këngës shqiptare dhe një profesioniste me rang botëror në mënyrën e interpretimit. Një këngëtare virtuoze që nderoi Shqipërinë.

Në Tiranë janë organziuar evente si “Konkursi Ndërkombëtar i Vokalit Operistik Marie Kraja” me pjesëmarrje vokalistësh nga vende të ndryshme të botës.

Ajo mban titullin më të lartë artistik “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.

U nda nga jeta në Tiranë më parë më 21 nëntor 1999, duke lënë një nga pas një emër të madh që nderohet dhe kujtohet gjithmonë me respekt.

Maria Kraja erdhi si një mrekulli e këngës shqiptare në një kohë të vështirë për Shqipërinë, dhe si një njeri e dashur dhe e ngrohtë për të gjithë artdashësit që e kanë shumë për zemër në repertorin e saj, ajo ishte me plot gojën yll i muzikës klasike. Iku si një divë e plotësuar dhe e përmbushur.

Ajo rivjen sërish me këngët e saj të kullura nga burimi i pashtershëm i kulturës që ajo e dashuroi gjithë jetën e saj. /EugentKllapi/ KultPlus.com


Popullit tim

Poezi nga Esad Mekuli

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue
që me këng të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun
të ngrej fuqitë prej gjumit…
Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)
se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.

Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun,
n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,
mbi forc të bashkimit mbarë:
mbi vrullin tand të mëshehun
-unë, biri yt dhe-poeti.

Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,
ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-
pse për liri-me tjerë
ke dhanë dhe ti
djers e gjak si etnit.

Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-
kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa
pranga mbeti,
me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’
-unë, biri yt besnik dhe-poeti. /KultPlus.com

Coldplay paralajmëron albumin e ri në një letër dërguar një adhurueseje

“Gjatë 100 vjetëve të fundit kemi punuar në një gjë të quajtur ‘Everyday Life’”, shkruan anëtarët e bendit në një letër.

Do të jetë një album i dyfishtë, i ndarë në dy pjesë, i cili do të titullohet “Sunrise” dhe “Sunset” dhe do të publikohet më 22 nëntor, shkruan KOHA Ditore. Letra u nënshkrua nga të katër anëtarët e bendit, ndërsa pranuesja fillimisht mendoi se bëhej fjalë për ndonjë mashtrim.

“Alarm i rremë! E kam pranuar këtë letër sot në mëngjes, por nuk shoh asnjë arsye se pse dikush do ta dërgonte atë”, tha Lena Tayara në Twitter, duke e postuar një foto të letrës së pranuar.

Image

Pasi që ndjekësit e saj në Twitter e bindën se letra dukej autentike, ajo ndryshoi mendje dhe shkroi: “Po ta dija se letra ishte origjinale, do ta vendosja një mbulesë më të bukur tavoline para se ta fotografoja. Por faleminderit për kartolinën, jam e mahnitur dhe shumë e prekur”.

Coldplay është bendi më i shitur britanik i shekullit 21. Sipas statistikave të revistës Charts, ata i kanë tre nga 20 albumet më të shitura të këtij mijëvjeçari, të udhëhequr nga “A Rush Of Blood To The Head” nga viti 2002. /koha,net/ KultPlus.com