“Njerëzit fillojnë të të bëjnë ndere kur shohin se ti qëndron pak më lart se ta”

KultPlus ju sjell disa thënie të Theodore Dieser:

“Njerëzit fillojnë të të bëjnë ndere kur shohin se ti qëndron pak me lart se ta.”

“Kuptova me dhimbje që më theri në zemër se çdo të thotë të lakmosh atë që nuk e arrin dot.”

“Ç’brengë të ngjall në shpirt kur sheh se të gjithë flasin e qeshin, ndërsa ti rron fill i vetëm.”

“Kjo histori e jona qe një vegim i mrekullueshëm që doli befas nga hiçi, një pjellë e fantazisë së ndezur që ka marrë trajtën e një të vërtete të gjallë.”

“Ata i ndante një mur i pakapërcyeshëm, që ai e kish ngritur me duart e veta…”

“Ishte e para herë në jetë që realiteti i ashpër e i pamëshirshëm po i jepte ëndrrave të asaj një grusht kaq të egër.”

“Qofshi i kulluar si engjëll apo i zi si djalli vetë, gjëja më e keqe që mund të bësh është të qash në sy të ndokujt.”

“Mos gjykoni që të mos ju gjykojnë dhe me masën që masni me atë do t’ju matin.”

“Sa ngadalë vinte mbrëmja, sa ngadalë gdhihej mëngjesi! Sa e gjatë ishte nata! Ç’psherëtima dhe rënkime! Ç’torturë nate e dite pa ty…”

“Ai i që nënshtruar fatit me gjithë mend e me gjithë zemër. I’u zhduk edhe shpresa e fundit e ëndrrës së tij. Mbaroi gjithcka! Kështu ndodh kur nata e shuan vezullimin e fundit të muzgut në horizont.”

“Njerëzit me ndjeshmëri të sëmurë dhe me imagjinatë të acaruar, në rast se mendja e tyre has në ndonjë problem të koklavitur, kanë nga çaste të tilla: tronditen dhe ndërgjegjia e tyre dehet aq sa të paktën përkohësisht marrëzia ose lajthitja merr frerin në dorë.

Në të tilla raste vullneti e guximi ikin me nxitim për të ja lënë vendin panikut dhe çmendurisë së përkohshme.”/KultPlus.com

“Ta quash Irving Penn fotograf mode është të paragjykosh një nga artistët më kompleks të këtij shekulli”

“Ta quash Irving Penn fotograf mode është të paragjykosh një nga artistët më kompleks dhe më intrigues të gjysmës së fundit të këtij shekulli,” kritiku dhe historiani Andy Grundberg, shkruante në The New Yor Times, në vitin 1991.

Sigurisht se Penn kontribuoi në Vogue për më shumë se gjashtë dekada dhe portretet parisiene të modës së lartë dhe elitës kulturore, Truman Capote, Picasso dhe Colette, janë të paharrueshëm, por disa nga veprat e tij të vitit 1938, janë thjesht vepra arti.

Në këto vepra Penn, mënjanon njerëzit dhe objektet, nga punëtorët tek çamçakëzët në rrugë dhe cigaret, ashtu siç bënte me Didion ose Dalin. Secila nga fotot e tij ishte e kompozuar në balancë me ditën e hijet, në mënyrë shumë precize. Kur Penn startoi të eksperimentonte me shtypin platinum në mesin e viteve të 60-ta, një teknikë që kërkonte përdorimin e brushës në vendosjen e solucionit metalik në mënyrë manuale, Penn arriti një nivel tjetër të perfeksionit.  Rezultati dhe procesi ishte më shumë si një pikturë sesa print.  “Të gjitha skajet e mrekullueshme dhe kompozicioni perfekt, cilësia dhe ngjyrat e thella, ishin zilia e secilit fotograf. “ shkruante Adam Gopnik në The New Yorker në vitin 2009, shkruan gazeta Flatra.

more-than-a-fashion-photographer-irving-penn-transformed-the-mundane-into-masterpieces-body-image-1493054315

Penn edhe sot mbetet një nga artistët e fotografët më të lakmuar të të gjitha kohërave, duke frymëzuar dhe ndikuar në punën e artistëve nga e mbarë bota. Disa nga veprat e tij që nuk futet në rangun e modës por që janë konsideruar si art pamor e kontemporan, janë veprat siç është Small Trades;  derisa punonte në Nju Jork, Londër e Paris për reviste Vogue, Penn fotografoi njerëz të ndryshëm nga klasa punëtore, diku në mes viteve 1950 dhe 1951. Ai fotografoi kasapë, peshkatarë, oxhakfshirësit, zakonisht njerëz që punonin në tregun e vogël të asaj periudhe dhe nuk tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve.  Penn iu rikthye veprës Small Trade me disa shkrepje të tjera, të cilat sot jan ëpjesë e këtij koleksioni të mrekullueshëm . “Drita e përdorur në fotografitë bardh e zi i bënte ata të dukeshin si skulptura”, e kishte përshkruar koleksionin San Francisko Chronicle. Një vepër arti, e cila edhe sot mbetet një nga koleksionet më të veçanta të fotografisë e në veçanti të atyre bardh e zi.

more-than-a-fashion-photographer-irving-penn-transformed-the-mundane-into-masterpieces-body-image-1493049473

“Bad Boys for Life” në rrugëtimin që nuk ndalet

Kimia komike midis Martin Lawrences dhe Will Smithit është esenca që e bart peshën më të madhe në “Bad Boys for Life”, filmi i tretë aksion me temë shokë-policë që e portretizon çiftin jokonformist të detektivëve nga Miami, shkruan Koha Ditore.

Ata e kryejnë punën – duke e ofruar një film të këndshëm, të cilin fansat e përkushtuar të franshizës do ta vlerësojnë shumë më lart – ama u duhet që të përballen edhe me ndërthurje të shumta të zhvillimeve dhe karakterizimeve të plogështa për të mbërritur deri aty.

Sekuenca hapëse e filmit nis me skenën e karakterit të Will Smithit, Mike Lowrey, ulur para timonit të një “Perscheje”, duke shpejtuar zemërueshëm, teksa Marcus Burnetti i Martion Lawrences bërtet mjaftueshëm zëshëm sa për ta mbytur jehonën e motorit.

Meqë kanë kaluar 17 vjet që nga “Bad Boys II”, mund të vërehet qartë tipari i shtyrjes në moshë të djelmoshave të dikurshëm, gjë kjo që vihet në pah me faktin se ata nxitojnë për të marrë pjesë në lindjen e nipit të Marcusit.

Marcusi, pas ca kohësh rrugëtim, pëlqen të ndalojë dhe t’u marrë erë luleve; Mike mendon se pensionimi është fjalë e pistë.

Një vrasës hakmarrës, i biri i padronit të një karteli droge në mision, ua trazon me gjak ujërat e këtyre dy heronjve, duke i shkrepur disa të shtëna në drejtim të Mike-ut. Gjashtë muaj më vonë, një divizion i ri i Departamentit policor të Miamit, udhëhequr prej të dashurës së dikurshme të Mike-ut, merret me misterin e Ammos që qëlloi detektivin. (AMMO Është ndryshe akronimi i divizionit të ri, Operacionet e Avancuara të Policisë Metropolitane të Miamit)./KultPlus.com

“Asnjë gjuhë nuk e nis historinë me formulën e pagëzimit”

Për një shkrimtar që vjen të marrë titullin “Doctor honoris causa“, gjëja e parë që i vjen ndër mend është se, në qoftë se është i detyrueshëm një fjalim, ai duhet të përshkohet nga filli i një argumenti shkencor.

Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë e tillë është jo fort e lakmueshme për mjeshtërinë tonë.

Kam vënë re se sivëllezërit e mi nga ish-perandoria e përmbysur komuniste, në raste të tilla kanë folur për shtypjen ndaj letërsisë. Thënë ndryshe, një temë që duhej t’i përkiste publicistikës, madje do të shtoja, kujtimeve emocionale, ka marrë statusin e argumentit shkencor.

Në thelb nuk ka ndonjë gabim kushedi çfarë. Shtypja e letërsisë dhe arteve në botën komuniste u ngrit në rangun e një shkence. Rrjedhimisht, trajtimi i kësaj shtypjeje mund të bëhej në të njëjtin stil.

Të gjitha rendet autoritare në botë kanë patur probleme me letërsinë. Në të gjitha rastet është letërsia që, në fund të fundit, ka ngadhënjyer. Ndërkaq, duhet thënë se nga të gjitha rendet, i vetmi që iu afrua fitores kundër letërsisë ka qenë komunizmi.

Është folur shumë për këtë, ndaj nuk do të zgjatem. Do të kujtoj vetëm pyetjen që është bërë shumë herë: a ka shpikur komunizmi ndonjë armë të re, një armë që do të ishte fatale kundër letërsisë? Përgjigja është po. Është përdorur vërtet një shpikje e re. Komunizmi ishte i pari rend në botë që e kuptoi se letërsia e madhe nuk pësonte asgjë, as prej censurës, as prej burgjeve e as prej tmerreve të tjera. Për ta vënë në gjunjë përfundimisht duhej diçka tjetër. Kjo shpikje e re ishte krijimi i një race të re shkrimtarësh, një racë që me duart e veta do ta prishte artin e fjalës. Me fjalë të tjera, për të perifrazuar Josif Brodskin, nuk ishte e nevojshme të rrënohej drejtpërdrejt ngrehina e letërsisë, mjaftonte të prisheshin tullat, pra lënda me të cilat ajo ishte ngritur. Kështu, me tulla të sabotuara, ngrehina vetvetiu do të binte. Kjo zgjidhje radikale u arrit vetëm pjesërisht, nëpërmjet atij që u quajt “realizëm socialist”. Përse nuk triumfoi përfundimisht? Çfarë nuk mjaftoi? Mosha e sistemit, ndoshta? Ka gjasë të ketë qenë kjo e fundit. Komunizmi, dihet, ka pasur dy mosha, njëra 70-vjeçare, që e arritën vetëm dy shtete, Bashkimi Sovjetik dhe Mongolia dhe drejt së cilës po ecën Kuba me Korenë e Veriut. Dhe mosha tjetër 45-vjeçare, që është pak a shumë ajo e vendeve të Europës Lindore, ku hynte edhe vendi im, Shqipëria.

Në historinë e njerëzimit, ajo që e përmenda si “zgjidhje radikale për letërsinë”, ka pasur edhe një version tjetër tepër të rrallë e tepër të lemerishëm. Ky version nuk ka lidhje me komunizmin, por me një tjetër fatkeqësi: sundimin osman.

Ju e dini këtë sundim. Ai u shtri mbi krejt Gadishullin Ballkanik. Ai vuri nën vete dhjetëra popuj, gjuhë, kultura. Ai e shkëputi Ballkanin nga Europa, synoi pushtimin e qendrës së Europës në veri dhe gadishullin tuaj italian, në perëndim. Ashtu si në rastin e komunizmit, edhe në rastin e pushtimit osman, vendi im, Shqipëria, kurrsesi nuk mund të pretendojë se ka qenë një viktimë e vetmuar. Ajo ra nën atë sundim bashkë me gjithë popujt e Ballkanit. Ajo vuajti të njëjtin ferr.

Meqenëse e përmenda moshën e komunizmit, po theksoj se koha e sundimit osman për nga gjatësia mund të quhet pa frikë infernale: pesëqind vjet. Tingëllon e pabesueshme, dhe është vërtet aq e pabesueshme, saqë kohët e fundit, revizionistët e historisë kanë ngritur tezën se një pushtim kaq i gjatë nuk mund të quhet pushtim. Ata janë duke kërkuar një emër tjetër, më të ndryshëm e, sidomos, më të përshtatshëm me vizionin e sotëm europian për pajtimin e popujve. Me gjithë përpjekjen për mirëkuptim, personalisht nuk besoj se do të gjendet një tjetër fjalë për të zëvendësuar fjalën pushtim.

Ashtu siç nuk ka ndodhur për fjalën “vdekje”, e cila ndonëse është shumë më e gjatë se çdo pushtim, vazhdon të quhet, ashtu si dhe më parë, “vdekje”. Tërhoqa vëmendjen tuaj për kohëzgjatjen pesëqindvjeçare të pushtimit osman, jo për të rritur dramacitetin e diçkaje, të cilit dramaciteti i del dhe i tepron, por thjesht për të ardhur prapë te problemi që përmenda më lart, ai i zgjidhjeve radikale të problemit të letërsisë.

Është fjala për një tjetër zgjidhje radikale, dy herë, ndoshta dhjetë herë më të lemerishme: ndalimin e vetë shkrimit. Po e them qysh në krye: nga gjithë gjuhët e Gadishullit të madh Ballkanik, gjuha shqipe, ajo që unë përdor, është e vetmja, shkrimi i së cilës u ndalua për pesëqind vjet. Unë nuk di ndonjë vend tjetër në kontinentin europian, gjuha e të cilit të ketë pësuar një tmerr të tillë. Përse? Si u gjykua më pas, përse nuk ndryshoi me kalimin e shekujve, si vazhdoi gjer në fund, në çastet kur perandoria plakë po jepte shpirt? Këtyre pyetjeve e kam vështirë t’u përgjigjem. Shqiptarëve u lejoheshin shumë gjëra: u lejoheshin kishat, pronat, gradat e larta në ushtri e në administratë, madje posti i kryeministrit perandorak, që ata e patën disa herë, por nuk iu lejua kurrë një gjë: shkrimi i gjuhës shqipe. Ky ishte një ndalim i vërtetë, dramatik e pa kthim.

Në kronikën botërore të arsimimit, nuk besoj se gjenden raste kur mësues e vocërrakë, të kapur tek mësonin në fshehtësi shkrimin e gjuhës, masakroheshin aty për aty pa mëshirë dhe pa pendim. Çfarë mund t’i ndodhë një gjuhe që pëson një lemeri të tillë? Ç’ndodh brenda saj, në thellësi, atje ku vërtiten mekanizmat? Si bashkëjetojnë veglat e gjalla me ato që njëra pas tjetrës vdesin? Vetë gjuha si mbahet në këmbë, si zbutet apo egërsohet? Ç’cilësi fiton, apo humb? Cilësi engjëllore apo më shumë demoniake? Gjer më sot nuk kam ndeshur në studime që të merren me këto çështje. Thjesht mund të përsëris se jam njëri prej shkrimtarëve që kam përdorur këtë gjuhë.

Dhe tani më lejoni të flas diçka më tepër për të. Më saktë, të rikujtoj disa shënime që i kam marrë vite më parë, në një periudhë jo të lehtë, jo vetëm të jetës s’ime, por të gjithë popullit që i përkas.

“Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit.”

Kjo është fraza e parë e shkruar në gjuhën shqipe.

Nuk njoh tjetër gjuhë të nisë historinë e saj të shkruar me formulën e pagëzimit. Ngjan si e sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi. Fakti është më se i saktë, madje dokumenti ku kjo frazë është gjendur, një qarkore e shkruar në latinisht prej peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, ka datën e lëshimit. Atje është 8 nëntor 1462. Gati pesëqind vjet më pas, pikërisht në këtë ditë, 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë do të themelonin partinë e tyre, çka ngjan si një tjetër përkim. Por këtë herë në kahe tjetër. Partia Komuniste do të luftonte vdekshëm me fenë që ta shkulte e ta nxirrte jashtë universit shqiptar. Por ajo do të vërtitej, do të vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë, me shpresën e kundërt: të kthehej prapë atje.

Më 1555-ën, një murg katolik, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim lutjesh, duke bërë kështu për shqiptarët atë që kishte bërë pak a shumë për gjermanët tridhjetë vjet më parë se ai, i famshmi Martin Luther.

Në vitin 1592, Lekë Matranga, botoi “këngën e përshpirtshme“, vjershën e parë të letërsisë shqipe të kultivuar:

Gjithëve u thërres, kush do ndejese,

Të mirë të kreshté, burra e gra

Mbi fjalë të Tinëzot të shihni meshe

Se s’ishte njeri nesh që mkate s’ka.

Hijeshia e vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe dëshmon për një traditë më të hershme vjershërimi, pa llogaritur dhënesën gojore shumë më të vjetër. Por, gjatë ikjes së madhe të shqiptarëve, asaj ikjeje të pikëllueshme, që duhej të ketë qenë brenga më e hidhur e këtij kombi gjatë dy mijë vjetëve, shumë libra e dorëshkrime duhet të kenë humbur. Dëshpërimi i zi, nxitimi, trandja nervore, arkat e harruara, balta, hendekët e rrugës, ujët e detit, të gjitha këto gëlltitën pjesën e tyre nga arkivat e princërve e të baronëve, nga kambanat që ngarkoheshin nëpër anije, nga ikonat e kishave dhe stolitë e zonjave.

Shumë kambana ranë e u mbytën në det.

Ende dergjen atje, në terr e në ndryshk

Me gjëmimin që e ndrynë përbrenda përjetë,

E q’ashtu që së brendëshmi i gërryen e i ha.

Por kambanat e tretura mund të derdheshin sërish në trojet italiane, ku ata u mërguan. Do të tingëllonin ndryshe pa dyshim, dhe do të gjendeshin gjithfarë shpjegimesh për këtë: ajri që s’është po ai, mungesa e bjeshkës aty pranë që kthen jehonën dhe trajta e luginës ose metali që s’qe i njëllojtë, gjersa të gjendej dikush që të thoshte se kambanat ishin po ato, por qenë ata që s’ishin më ata që kishin qenë.

Pra, mund të zëvendësoheshin njëfarësoj kambanat dhe stolitë e grave dhe shumë gjëra të tjera, veç dorëshkrimet e tretura s’ribëheshin më.

Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit.

Dhe, në njëfarë mënyre, ashtu ishte. Gjithë rrafshnalta shqiptare ra në mpirje e në zi. U duk se vendi, si i goditur në kokë, do të mbetej i gjymtë përgjithmonë.

Por, pikërisht në atë kohë, shtysa e vetëruajtjes rivuri në veprim një mekanizëm të vjetër: letërsinë gojore. Lart në male, atje ku kishte mbetur ende një mugullimë drite, makina e lashtë u trand përsëri. Kishte qenë përherë aty, por disi jashtë vëmendjes, sidomos qysh nga koha që shqiptarët kishin mësuar të shkruanin, madje të botonin edhe libra në gjuhën latine, si gjithë evropianët e ditur. (Njëri prej tyre, prifti shkodran, Marin Barleti, qe përkthyer ndërkaq në krejt gjuhët e Evropës.)

Pra, makina kishte qenë aty, veç tani, në ditët e apokalipsit, u duk se sa shumë i duhej këtij vendi. Por ajo, si çdo makinë e këtij lloji, kishte teknologjinë e saj trillane: nuk punonte dot veç me brumë të lashtë. Ishin ligje misterioze të trashëguara që në kohërat homerike. Sytë e rapsodëve, ndërsa qenë të veshur për gjashtëqind-shtatëqind vjetët e afërt, shikonin shkëlqyeshëm, përtej tyre: shtatëqind e pesëdhjetë, tetëqind, një mijë vjet.

Dhe kështu, ndërsa Shqipëria po jetonte një tragjedi të re, ata, të verbër ndaj saj, iu rikthyen një tragjedie të kryehershme, dyndjes sllave. Poshtë në rrafshultë, ndiheshin ndërkaq tek-tuk ca kambana të rralla, regëtinin ca zjarre, një këtu, një aty, nëpër famullitë gjysmë të shkreta.

Diku midis viteve 1566-1622, një tjetër prift katolik, Pjetër Budi, shkruante vargjet:

Ku janë ato gra e vasha

nde sqimë e nde madhështi

me petka të mëndafshta

nalcuom mbë zotërij?

Gjithë mortja i rrëzoi

Sikur i pret me shpatë…

Ato të kujtonin çuditërisht vargjet e François Villonit:

Ku janë zonjat e dikurshme

Ku është bora e vitit që shkoi?

çka dëshmonte se ciklonet poetike e kanë përshkruar rruzullimin tokësor edhe atëherë kur dukej se gjithçka ishte ndarë dhe se ndërkomunikimi midis poetëve ishte i pamundur.

Pas Pjetër Budit, në letërsinë shqipe erdhi Pjetër Bogdani, një nga mendjet më të gjera e të ndritura të botë shqiptare. Ai ishte poet, filozof e dijetar i madh. Në gjithë veprën e tij ndihet mundimi, lodhja e një titani. Ka gati dyqind vjet që Shqipëria ndodhet në natën osmane. Pra ajo është ende afër mesnatës (ora e mesnatës duhet të bjerë pas pesëdhjetë vjetësh, përderisa nata e gjithë do të jetë e gjatë pesëqind vjet). Pavarësisht se askush nuk e di se në ç’pjesë të natës ndodhet vendi, poeti e ndien. Ai e ndien se nën peshën aziatike, bota shqiptare jep çdo ditë krisje e pëson shembje.

Feja është një nga ledhet e para që trandet. Për një habi të pashpjegueshme qartë, dy nga popujt më të moçëm e kokëshkretë të rajonit, shqiptarët në veri dhe kretasit në jug, bëjnë kthimet e para në fenë islamike. Janë tepër të vjetër dhe janë lodhur nga krishterimi? Ashtu siç qenë ndër të parët që të lodhur nga paganizmi kishin marrë krishterimin? Askush s’mund ta shpjegojë gjer në fund enigmën.

Pjetër Bogdanit, që është peshkop katolik, i dhemb pa dyshim kjo çarje. E bashkë me të i dhembin shumë gjëra të tjera, krejt universi shqiptar që shkon drejt teposhtjes. Ai e ndien se po irnosen ngjyrat e veshjeve, po zvarget si e damllosur muzika, madje lëvizjet e shqiptarëve po flashken edhe në trutë e tyre pikë-pikë po depërtojnë përftimet orientale: “javashllëk” dhe “kismet”.

Ai e ndien madje se edhe gjuha shqipe, sado sipërane e tigreshë të ishte në krahasim me turqishten, po lodhej prej goditjes së shurdhër të bishtit të tjetrës. Ai i ndien të gjitha këto, ndaj vendos të ndërmarrë diçka titanike: t’i vërë supet botës që rrezikon të shembet. Kjo kushtëzon përftimin si prej galaktike të veprës së tij, universalizmin e saj, vizionet planetare dhe sidomos motivet kozmogonike.

Këto të fundit e mahnitnin veçanërisht Lasgush Poradecin. Duke kujtuar njohjen e tij të parë me veprën e Bogdanit, ai shkruan: “Kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht. Kozmogonia e të Madhit Shqiptar u bën ballë, me cilësitë e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën hebraike dhe kozmogoninë indike, ashtu sikundër këtë na e shfaqin Vedat e Shenjta”.

Titanizmi, ashtu sikurse dhe katastrofa, do të shfaqen herë pas here në letërsinë shqipe, njëlloj si ciklet kozmike. Ato do të shfaqen gjatë Rilindjes Kombëtare me Naim Frashërin. Ato do të rishfaqen në fund të shekullit XX gjatë dramës së Kosovës, që ende mban erë shkrumb.

Pjetër Bogdani është nga Kosova, por s’është kjo arsyeja kryesore, që vepra e tij është studiuar më mirë atje. Arsyeja e thellë është se pikërisht atje u përsërit tragjedia e vjetër. Ashtu si në epikën gojore shqiptare makthi turko-osman ringjalli dyndjen sllave, ashtu në letrat kosovare, makthi sllavo-serb ringjalli dyndjen osmane.

Shkreptima idesh i karfosnin harmonikisht letrat shqipe, ato që duke lindur me formulën e shenjtë të pagëzimit kanë mbyllur ciklet e ringjalljes me një tjetër formulë të shenjtë: Shqipëria u ngjall së vdekurish. Në mbyllje të kësaj fjale do të doja të kthehesha përsëri te fillimi i saj: ndalimi i shkrimit të gjuhës shqipe. Ç’do të bënin shkrimtarët e mundshëm (potencialë) shqiptarë me një gjuhë të tillë? Zgjedhjet nuk ishin të shumta. Dhe, veç kësaj, të gjitha ishin të trishtueshme.

E para gjë që të vjen ndër mend në kësi rastesh është heqja dorë prej një prej pasioneve më të vjetra të njerëzimit: krijimit letrar. Dhe, shumica e shkrimtarëve të mundshëm shqiptarë bënë pikërisht këtë: e braktisën artin e të shkruarit. Ne nuk e dimë dhe as mund ta dimë numrin e tyre. Ne dimë me saktësi vetëm një gjë: që humbja e kulturës shqiptare ishte e pandreqshme.

Një zgjedhje tjetër, më tepër iluzore se e vërtetë, ishte rikthimi i shkrimtarëve në traditën e vjetër rapsodike të letërsisë gojore. Ndërkaq, duhet thënë se, pavarësisht glorifikimit që i bëhet shpesh kësaj tradite, ajo mbetet përherë e mangët në krahasim me letërsinë e shkruar. Një zgjedhje e tretë, në thelb e pikëllueshme, ishte përdorimi i gjuhëve të tjera për t’u shprehur, kryesisht latinishtja e pas saj, gjuhët e tjera europiane.

Një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë u strehua kështu në gjuhë të tjera, duke i dhënë fjalës emigrim një tingëllim dyfish dramatik. Një letërsi e tërë u krijua kështu nga ata që u cilësuan si shkrimtarë katolikë të veriut, letërsi e fuqishme, brenda kostumit latin të së cilës ndihej drama shqiptare. Konformizmi me një sajesë letrare turko-osmane, një farë letërsie e lejuar, madje e nxitur nga pushtuesi, ishte një zgjidhje jo vetëm iluzive, por edhe me pasoja fatale në qoftë se do të zinte rrënjë në kulturën shqiptare. Veçantia e parë e kësaj sajese ishte të shkruarit e shqipes me shkronja arabe. Veç kësaj, më e rëndë se kjo ishte brumi gjuhësor me të cilin ngjizej kjo kinseletërsi. Në këtë brumë, gjuha shqipe zinte një vend minoritar. Si në një pasqyrë dukej qartë se si ajo po jepte shpirt e asfiksuar prej shtrëngimit të një tjetër gjuhe që, jo vetëm ishte gjuhë e pushtuesit, por që nuk ishte as e familjes indoeuropiane.

Në kushte dhe dilema të tilla, shkrimtarët shqiptarë u vërtitën një kohë tepër të gjatë, si tigrat në kafaz.

Një zgjidhje të fundit, nga ato që krijon vetëm dëshpërimi, do të merrte shkas ndoshta nga një model i vjetër, dhe pikërisht nga fraza e parë e gjuhës shqipe të shkruar, formula e pagëzimit, që përmenda në pjesën e parë të fjalës s’ime. Kjo formulë, e hartuar, siç thashë, më 1462-shin prej peshkopit shqiptar të Durrësit, gjendet brenda një teksti latinisht.

Shkrimtarëve shqiptarë nuk u mbetej veçse ky model: të strehonin tekste të kursyer shqip, brenda teksteve të gjuhës latine, të cilën nuk e kapte dot ligji osman. Me fjalë të tjera, të shpresonin që ca modele të gjuhës së tyre të rrezikuar, t’i strehonin për mbrojtje në trupin e ftohur të një gjuhe që nuk frymonte më.

Më lejoni ta mbyll fjalën time me këtë përfytyrim, që sa ç’duket tragjik, aq është edhe mallëngjyes në simbolikën e vet. Simbolikën e shpëtimit që gjuha e popullit tim ka kërkuar te gjuha, që vërtet nuk ishte më e gjallë, por pa të cilën nuk mund të përfytyrohet qytetërimi europian. Ju faleminderit.

(Fjalimi (Lectio magistralis) i mbajtur nga Ismail Kadare me rastin e pranimit të Doctor honoris causa në Shkencat e komunikimit social, nga Universiteti i Palermos, 11 qershor 2007.) konica.al /KultPlus.com

Për mëmëdhenë

Poezi nga Mihal Grameno

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra, se s’ka me pritë.
Të vdesim sot me besa-besë
Pranë flamurit të kuq q’u ngrit.

Pranë flamurit, pranë flamurit
Me shpatë zhveshur shqipëtarisht,
Për dhen’ e babës edhe të burrit
Kemi me vdekur sot burrërisht.

E Drini plak me oshëtima
Mbi Shqipërinë valet po derdh;
Tosk’ edhe Gegë si vetëtima
Armikut bini, se dita erdh.

Ejani burra malit përpjetë
Duke u betuar vdekj’a liri.
Se s’ka më ëmbël në këtë jetë,
kur vdes shqiptari për Shqipëri! /KultPlus.com

“Të jetuarit është një udhëtim i paparashikueshëm drejt së panjohurës”

Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë grumbullojmë përvoja dhe dëshira, që mbushin zemrat tona. Kur na mbërthen nostalgjia, kur jeta dhemb, kur vijnë pushimet, kujtimet janë fryma më e madhe që na shpëton nga ankthi për atë që ka shkuar dhe që na mungon shumë.

Të jetuarit është një udhëtim i paparashikueshëm drejt së panjohurës, i pikturuar nga ngjarje të pamundshme, humbje të pariparueshme, rënie të papritura dhe zhgënjime të panumërta.

Eshtë një lavjerrës emocional, një shtrëngim i ndjenjave që përzihet vazhdimisht.

Ne ecim dhe përjetojmë një luftë të përditshme midis arsyes dhe emocionit, sepse kemi ndjenja që shpesh duken të pakontrollueshme.

Ne e bëjmë atë mirë dhe e bëjmë përsëri. Ne zgjedhim të duhurin dhe më pas të gabuarin dhe e bëjmë përsëri. Ne i lëndojmë ata që nuk e meritojnë, stresohemi për atë që nuk është e rëndësishme, kemi dhembshuri për ata që as nuk e mbajnë mend ekzistencën tonë. Dorëzohemi pa kthim, dashurojmë pa kthim. Ne merakosemi shumë. Dhe pastaj mësojmë – apo jo.

Por, kur ngrihemi nga dhimbjet e jetës, bëhemi më të fortë dhe më të sigurt për ato gjëra dhe ata njerëz që kanë rëndësi. Dhe ne e kuptojmë se ajo që meriton vëmendje është gjithçka që përfshin dashuri të vërtetë, qofshin ato ndjenja, njerëz, ngjarje apo vende. / meb.al/ KultPlus.com

Muzeu edukon në heshtje admirimin për të bukurën

Të vizitosh muzetë në mbarë botën, nuk është thjesht njohje e kohëve të pajetuara dhe kjo, përmes perceptimit të artistëve të mëdhenj. Nuk është vetëm mënyra sesi arritën ta shfaqin ata, peshën e dashurisë njerëzore deri në përsosmëri. Nuk është një shikim dhe kaq. Muzeu edukon në heshtje admirimin për të bukurën, njerëzore dhe atë sublime. Arti na mëson ta shohim natyrën e realitetin nga këndvështrimi më i thellë – ai i përjetësisë esenciale të ekzistencës. Nga thellësitë e shpirtit tek dashuria hyjnore.

Fotografitë e mëposhtme ju sjellin para syve, Musée des Beaux-Arts de Lyon – Muzeun e Arteve Bukura të Lionit, në Francë, shkruan Konica.al

/KultPlus.com

Ismail Kadare mbi dëmin që perandoria osmane i ka bërë gjuhës shqipe

Shqipja është një nga gjuhët më të zhvilluara flektive (me nyja e parafjalë). Falë kësaj cilësie e, padyshim, gjithë mekanizmave të tjerë të saj, ajo përballoi lehtë, shumë më lehtë se ushtritë e princave shqiptarë, sulmin osman.

Sulmi i turqishtes, që ishte gjuhë aglutinative (që manovron me prapashtesa), ishte një lloj sulmi i një mamuthi të ngathët që lufton kryesisht me bisht kundër një luani që përdor më shumë dhëmbët dhe kthetrat. Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim.

Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla, prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!

Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar. Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori.

Siç u pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq. E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.

Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!. / KultPlus.com

Beyonce vishet nga Valdrin Sahiti në ‘Pre-Grammy Awards 2020’

Tashmë nuk janë të pakta rastet kur yjet me famë botërore zgjedhin dizajnerët nga vendi ynë – Kosova.

Dhe në dhjetor të vitit të kaluar bëri bujë të madhe në tabloidet e huaja e po ashtu edhe në ato vendore, kur u njoftua se diva e muzikës botërore, Beyonce, bashkëpunoi me kreatorët e njohur nga Kosova, Kujta dhe Meri.

Kanë qenë vetë çifti të cilët kanë ndarë me ndjekësit e tyre në rrjetet sociale disa fotografi të atyre që njihen si The Carters, çiftit Beyonce dhe Jay Z.

https://www.instagram.com/p/B7x6oZpJUBG/?utm_source=ig_web_copy_link

Dhe tani, Beyonce siç duket ka zgjedhur një tjetër kreator po ashtu nga Kosova, për të krijuar fustanin e saj në ‘Pre-Grammy Awards 2020’.

Natyrisht se mbretëresha e muzikës nuk mungoi në këtë ngjarje të rëndësishme, ndërsa u shfaq e mahnitshme në fustanin e kuq të punuar nga kreatori Valdrin Sahiti.

I lumtur për suksesin e radhës, dizenjatori kosovar ndau disa imazhe të divës në llogarinë zyrtare në Instagram, ku bashkë me të prezantoi edhe punën e tij.

https://www.instagram.com/p/B7x0td5nRtl/?utm_source=ig_web_copy_link

Kjo veshje e Beyoncé Giselle Knowles-Carter veçse ka filluar të përmendet edhe në të gjitha tabloidet e njohura amerikane.

Përveç Beyonce, me Valdrinin kanë punuar edhe shumë yje të tjera ndërkombëtare përfshirë edhe reperen Cardi B. /telegrafi/ KultPlus.com

Ekskluzive: Letrat e Mit’hat Frashërit mbi krimet serbe në Shqipëri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Janar 2020

“L’Ere Nouvelle” ka botuar, më 10 janar dhe 14 shkurt të 1921, dy letra ekskluzive të atdhetarit, shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, i njohur ndryshe me pseudonimin e Lumo Skëndos, mbi tensionet serbo-shqiptare, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Çfarë kërkon Shqipëria

Respektimin e kufijve të saj 

L’Ere Nouvelle, e hënë, 10 janar 1921, f. 4

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zoti drejtor,

Zyra e shtypit shqiptar përfiton nga “La Tribune des Peuples – Tribuna e Popujve” dhe mikpritja që ju i jepni asaj për t’ju folur për Shqipërinë.

Ky vend u pranua në kujdesin e Lidhjes së Kombeve 17 dhjetorin  e kaluar, njëzëri nga 35 shtetet e përfaqësuara atje.

U pranua se statusi i saj ndërkombëtar ishte tashmë i fiksuar në 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku pavarësia e saj u njoh zyrtarisht.

Kështu, kufijtë e Shqipërisë të vitit 1913 bëhen të paprekshëm dhe duhet të respektohen.

Sidoqoftë, Serbia që nga ajo kohë ka shkelur në kufijtë shqiptarë, duke pretenduar se ishte për arsye strategjike, të cilat nuk ekzistojnë më. Për dy vjet, shqiptarët, të cilët nuk kanë dhënë asnjë arsye për t’u ankuar në Jugosllavi, kanë kërkuar vazhdimisht evakuimin e këtyre rajoneve, por pa dobi.

Po, sidoqoftë, ka pasur një rezultat : shkatërrimi total ose i pjesshëm nga serbët e 140 fshatrave shqiptare, të gjendura në territorin shqiptar. Aktualisht ka 40.000 burra, gra dhe fëmijë, të pastrehë dhe refugjatë në zonën e Tiranës, të mirëmbajtur nga fondet publike.

A nuk është koha që serbët të tërhiqen në kufijtë e tyre dhe të evakuojnë territorin e një fqinji që nuk i ka bërë dëm dhe që kërkon vetëm të ruajë marrëdhënie të mira fqinjësore me ta ?

Ju lutemi pranoni, zoti drejtor, sigurinë e vlerësimit tim më të lartë.

Lumo Skendo

Shqipëria dhe Serbia

L’Ère Nouvelle, e hënë, 14 shkurt 1921, f.3

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Meqenëse punët e Shqipërisë ndikojnë ngushtë në interesat e vendeve përreth dhe Franca nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj politikave të Ballkanit, unë po marr lirinë të shkruaj sërish për një çështje për të cilën pata folur në letrën time të mëparshme që keni botuar me mirësi në “L’Ere Nouvelle” më 10 janar 1921.

Bëhej fjalë për vështirësitë me të cilat përballet Shqipëria nga fqinji i saj verior dhe lindor, d.m.th., Serbia.

Komisioni i Refugjatëve Shqiptarë sapo ka shkruar një raport të gjatë për atë që ndodhi në gusht dhe shtator të vitit të kaluar, në kufirin serb, në territorin shqiptar. Është një listë e zymtë; faktet nuk u bënë të njohura për publikun evropian, si arsye e heshtjes kokëfortë të mbajtur nga shtypi.

Sipas këtij dokumenti — autenticiteti dhe vërtetësia e të cilit janë të garantuara — ka pasur 132 fshatra shqiptare të shkatërruara nga lart poshtë ose pjesërisht nga serbët; në këto fshatra, u shkrumbuan 6.344 shtëpi, mbi 110 mullinj, 106 dyqane dhe magazina, 50 xhami dhe 18 teqe (manastire myslimane); 55.068 banorë u detyruan të linin rajonet e shkatërruara dhe të strehohen në rrethinën e Tiranës. 10.229.740 kilogramë grurë u humbën (u vodhën ose u shkatërruan), si dhe 52.227 koka delesh dhe dhish, 4.584 dema dhe lopë, 1.552 kuaj. E gjithë kjo pasuri. Ne vajtojmë humbjen e 742 personave të vrarë në këtë mënyrë : 240 të therur (përfshirë 39 gra dhe 39 fëmijë), 201 të pushkatuar (përfshirë 37 gra dhe 126 fëmijë), 300 të djegur të gjallë (përfshirë 146 gra dhe 63 fëmijë).

Para se të mbyll letrën time, do të doja të përsëris që qeveria dhe i gjithë populli shqiptar janë të bindur për nevojën për të jetuar në marrëdhënie të mira me fqinjët e tyre dhe për të mbajtur marrëdhënie korrekte, në mënyrë që jeta dhe prosperiteti i të gjithëve të mundësohet. Por kjo do të thotë se edhe fqinjët duhet gjithashtu të përvetësohen me të njëjtat parime dhe të njëjtat ide.

Lumo Skendo. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/dy-letra-ekskluzive-te-mit-hat-frasherit-lumo-skendos-mbi-krimet-serbe-ne-shqiperi-te-botuara-ne-gazeten-franceze-ne-janar-dhe-shkurt-te-1921/?fbclid=IwAR3bh4H0Mb42ysDr3nnQkef5tkYEK1P5ebxTXT2lG1gHLdB0vJHtguImZaI

Muzeu virtual: T’i flasësh kohës

Të vizitosh muzetë në mbarë botën, nuk është thjesht, njohje e kohëve të pajetuara dhe kjo, përmes perceptimit të artistëve të mëdhenj. Nuk është vetëm mënyra sesi arritën ta shfaqin ata, peshën e dashurisë njerëzore deri në përsosmëri.

Nuk është një shikim dhe kaq. Muzeu edukon në heshtje admirimin për të bukurën, njerëzore dhe atë sublime. Arti na mëson ta shohim natyrën e realitetin nga këndvështrimi më i thellë – ai i përjetësisë esenciale të ekzistencës. Nga thellësitë e shpirtit tek dashuria hyjnore.

Fotografitë e mëposhtme ju sjellin para syve, Musée des Beaux-Arts de Lyon – Muzeun e Arteve Bukura të Lionit, në Franc. /konica.al/ KultPlus.com

Rrëfimi i studentes shqiptare nga epiqendra e ‘Coronavirusit’ në Kinë

Josilda Ndreaj është njëra nga dy studentet shqiptare e cila studion në Wuhan, në epiqendrën e ‘Coronavirusit’ vdekjeprurës.

Ajo gjatë një bisede në rrjetet sociale, tregoi se çdo të thotë të gjendesh në një situatë dramatike ai ajo që është duke kaluar Kina.

“Unë jam mirë faleminderit! Jam studente në Wuhan por për momentin kam marrë një banesë me qira në një provincë tjetër në Xian. Universiteti na ka njoftuar të qëndrojmë jashtë Wuhan të paktën deri në datë 15 shkurt”, tha Ndreaj.

Josilda që studion master në Pronësi Intelektuale, thotë se për të ky është viti i saj i parë në Wuhan dhe nuk e fsheh frikën për atë që po shikon dhe përjeton atje.

“Sigurisht që kam pasiguri dhe po përpiqem të përdor çdo masë të mundshme parandaluese, gjithashtu jam dhe vetëm në një provincë tjetër ku nuk e di për sa kohë do të qëndroj. Gjithçka ndodhi shumë papritur dhe po përpiqem të ruaj qetësinë dhe të vëzhgoj situatën”, tha ajo.

Ajo shtoi se aktualisht një studente tjetër shqiptare ndodhet në një kampus universitar në Wuhan. /tch/ KultPlus.com

Ku ishe ti?

Poezi nga Frederik Rreshpja

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! / KultPlus.com

Ndërron jetë aktori dhe producenti i njohur kosovar

Sot është bërë e ditur se pas një sëmundjeje të rëndë ka ndërruar jetë aktori dhe producenti i njohur kosovar, Selatin Ademi, shkruan KultPlus.

Ademi ishte i njohur për rolet e tij në filmat si ”Cheaters” dhe ”Dhurata e Zotit”.

Lajmin për vdekjen e aktorit e ka bërë të ditur vëllau i tij përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka informuar miqtë dhe familjarët e të ndjerit.

”Njoftoj shokët dhe dashamirët se pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë vëllau ynë”, thuhet ne statusin e vëllaut të të ndjerit. / KultPlus.com

‘Ditët e fundit i jetoj, në dashuri nuk kam besim’

”Ditët e fundit” është kënga që ndihmoi shumë në kampanjën kundër përdorimit të narkotikëve, shkruan KultPlus.

Bashkëpunimi mes Gilit dhe Ardit Stafajt, realizuar në vitin 2002, është këngë që dëgjohet edhe sot dhe që përmban një tekst emocionues rreth asaj se çka mund t`i bëjë droga dhe substancat narkotike njeriut nëse ai i përdorë ato.

Në videoklipin që po e kujtojmë, Liberta Spahiu – sot moderatore e njohur dhe aktori Astrit Kabashi, aktruan në mënyrën më të mirë dështimin e një djali të ri i cili konsumon substancë narkotike.

Kënga ka marrë çmimin e dytë në ShoëFest, çmimin e parë në Videofest, dhe ishte pjesë e fushatës së UNDP kundër Sidës dhe drogave.

Gili, shpesh me këngë që ndihmuan kauza, edhe këtë këngë e ka brenda pasaportës artistike si një këngë që dha qartë mesazhin e saj. Gili ka vazhduar karrierën e saj ndërsa Arditi është pak më aktiv në muzikë. / KultPlus.com

Aksioni ‘Ta pastrojmë Badovcin’, ka filluar sot

Një grup në rrjetin social Facebook, që janë angazhuar në mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, kësaj radhe janë organizuar që të pastrojnë liqenin, duke e konsideruar këtë si një obligim qytetar, shkruan KultPlus.

Në liqenin e Badovcit ka rënë niveli i ujit, duke bërë kështu që shumë mbeturina të dalin në sipërfaqe, konkretisht në brigjet më të thata të liqenit që dikur ishin me ujë.

”Kjo ramje drastike e nivelit të ujit, në njëfar forme është thirrje për ne që t’i dalim në ndihmë Badovcit dhe ta pastrojmë, e këtë e kemi obligim qytetar, njerëzor, ngase nga ai furnizohemi me ujë, dhe e kemi resurs të rëndësishëm edhe për nevoja dhe aktivitete tjera”, thuhet ndër të tjera në thirrjen për pastrimin e liqenit. / KultPlus.com

‘Në fund ne nuk do të kujtojmë fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë’

Dr. Martin Luther King Jr, një aktivist i fuqishëm dhe frymëzues i të drejtave civile në fillimit të viteve 1960, luajti një rol të madh në mënyrën se si ne e pranojmë dhe trajtojmë njëri-tjetrin – pavarësisht nga raca apo gjinia.

Dr King është i njohur gjerësisht sot si një aktivist amerikan që vazhdimisht dhe në mënyrë efektive mbronte paqen, dashurinë dhe barazinë midis njerëzve. Ai ishte një njeri me besim dhe moral të lartë, që e veçoi atë nga shumë aktivistë të tjerë të kësaj kohe.

Forca shtytëse në pjesën më të madhe të jetës dhe fjalimeve të tij ishte gjithnjë paqja. Metoda e tij e dashurisë dhe pranimit për të gjitha qeniet njerëzore është ajo që e bëri një nga figurat publike të njohura në të gjithë historinë amerikane.

Duke nxitur krijimin e një jete aktive që gati 61 vjet më parë, Dr. King u bë shpejt fytyra dhe drejtuesi i lëvizjes për të drejtat civile. Ai luajti një rol në organizimin e Marshit në Uashington dhe është krijuesi i fjalimit të famshëm “Unë kam një ëndërr” (I have a dream…), i cili tërhoqi një turmë prej gati 250,000 njerëzish.

Përmes fjalimeve të tij dhe shërbimit të tij të palodhshëm për botën, ishte e qartë se në gjuhën e tij kishte fuqi dhe në zemër kishte pasion.

Ndërsa pranvera e vitit 2020 do të shënojë 52 vjet nga vrasja e doktor Martin Luther King Jr., trashëgimia dhe ndikimi i tij mbi një komb ka mbetur i përjetshëm. Këmbëngulja e tij për të përmirësuar veten për të dashuruar në mënyrë të efektshme njëri-tjetrin është arsyeja pse mesazhi i tij nuk mund të vdesë kurrë; sepse është gdhendur në zemrat e shumë njerëzve.

Dhe për të nderuar trashëgiminë e tij, çdo vit, Dr. King festohet në të gjithë vendin. Bëmat e tij të mira reflektohen dhe përdoren si mjete motivimi dhe fjalë inkurajimi.

Këtu do të lexoni 50 thëniet më të mira të MLK që mbështesin mënyrën e tij të fuqishme dhe të nderuar të të jetuarit të jetës.

Ai besonte se të gjithë e meritonin drejtësinë.

Nuk është e mundur të dëshmosh drejtësinë për disa njerëz dhe të mos dëshmosh drejtësinë për të gjithë njerëzit.

Ai besonte të jetonte një jetë të qëllimshme.

Jeto sikurse Jezusi vdiq dje, u ngrit këtë mëngjes dhe do të kthehet nesër.

Ai e dinte që urrejtja është një mashtrim pre e së cilës asnjëri prej nesh nuk duhet të bjerë kurrë.

Mos lejo kurrë që dikush të të ulë aq poshtë sa të detyrohesh ta urresh atë.

Dhe se gjithmonë duhet të flasim për atë në të cilën besojmë.

Vjen një kohë kur heshtja është tradhti.

Ai mësoi se injoranca nuk të bën kurrë të lumtur.

Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.

Ai besonte te përkujdesja.

Pyetja më e vazhdueshme dhe urgjente e jetës është, çfarë po bëni për të tjerët?

Dashuria është gjithmonë përgjigja.

Errësira nuk mund të dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund të dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë atë.

Dhe që ne duhet të jemi më të mirët në çdo gjë që vendosim të bëjmë.

Nëse një njeri punon për të pastruar rrugët, ai duhet t’i pastrojë rrugët ashtu siç pikturoi Michelangelo, ose kompozoi Beethoven, ose siç Shekspiri shkruajti poezi. Ai duhet t’i pastrojë rrugët aq mirë sa të gjithë ushtritë e parajsës dhe të tokës do të ndalen dhe të thonë, ai jetoi si një pastrues i shkëlqyer që e bëri mirë punën e tij. – Martin Luther King Jr.

Duhet të kemi më shumë besim.

Fuqia jonë shkencore e ka tejkaluar fuqinë tonë shpirtërore. Ne kemi ndërtojmë raketa por nuk kemi ditur të ndërtojmë qënie të denja njerëzore.

Kini besim në procesin e gjërave.

Besimi bën hapin e parë edhe kur nuk i shihni të gjitha shkallët.

Jepini të gjitha.

Nëse nuk mund të fluturoni, atëherë vraponi, nëse nuk mund të vraponi, atëherë ecni, nëse nuk mund të ecni, atëherë zvarrituni, por çfarëdo që bëni duhet të vazhdoni përpara.

Ajo që ka më shumë rëndësi është ajo që ke brenda.

Kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb në të cilin ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.

Ai besonte në të bërit gjënë e duhur.

Vjen një kohë kur njeriu duhet të marrë një pozicion që nuk është as i sigurt, as politik, as popullor, por ai duhet ta marrë atë sepse ndërgjegjja e tij i thotë se ka të drejtë.

Dhe se njohuria jonë është fuqi.

Funksioni i edukimit është të mësojë dikë të mendojë intensivisht dhe të mendojë në mënyrë kritike. Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i edukimit të vërtetë.

Drejtësia duhet të jetë forca më e fortë.

Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo.

Dhe duke folur për njerëzit që duam.

Në fund, ne do të kujtojmë jo fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë.

Ai besonte se nuk mund të humbet vizioni se kush jeni.

Sa më të pasur ne jemi bërë materialisht, aq më të varfër bëhemi moralisht dhe shpirtërisht. Ne jemi mësuar të fluturojmë në ajër si zogj dhe të notojmë në det si peshq, por nuk kemi mësuar artin e thjeshtë të të jetuarit së bashku si vëllezër.

Urrejtja është e paefektshme.

Duke e kthyer urrejtjen me urrejtje e shumëfishon urrejtjen, duke thelluar errësirën nata sonte është pa yje. Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund ta largojë urrejtjen, vetëm dashuria mund ta bëjë atë.

Çdo moment është i rëndësishëm.

Koha është gjithmonë e duhura për të bërë atë që është e drejtë.

Mbroni shpirtin tuaj, bëni atë që është e drejtë.

Asnjëherë, mos kinI frikë të bënI atë që është e drejtë. Sidomos nëse mirëqenia e një personi ose kafshe është në rrezik. Dënimet e shoqërisë janë të vogla në krahasim me ato që i imponojmë shpirtit kur shikojmë në anën tjetër.

Unë ju them sot, miqtë e mi, që përkundër vështirësive dhe zhgënjimeve të momentit, kam ende një ëndërr.

Larg nga imoraliteti.

Asnjëherë mos harroni se gjithçka bëri Hitleri në Gjermani ishte e ligjshme.

Dashuria është më e lehtë se urrejtja.

Kam vendosur të rri me dashurinë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur.

Fol për atë në të cilën beson.

Jetët tona fillojnë të mbarojnë ditën kur ne heshtemi për gjërat që kanë rëndësi.

Është një përgjegjësi e madhe që vjen me pushtetin.

Për të qenë të shkëlqyeshëm, duhet të jeni të gatshëm të talleni, të urreheni dhe ë keqkuptoheni. Qëndroni të fortë.

Dhe kurrë mos e lejoni urrejtjen brenda vetes.

T’i thuash jo dhunës nuk do të thotë vetëm të shmangësh dhunën fizike të jashtme, por edhe dhunën e brendshme të shpirtit, jo vetëm që nuk pranove të qëllosh një njeri, por ti refuzove ta urresh atë.

Guximi është më i madh se frika.

Guximi është fuqia e mendjes për të kapërcyer frikën.

Dhe ligjet janë të rëndësishme.

Mund të jetë e vërtetë që ligji nuk mund ta bëjë një njeri të më dojë mua, por unë mund ta ndaloj atë të mos më linçojë, dhe mendoj se edhe kjo është mjaft e rëndësishme.

Dhe ta gjesh brenda vetes që të duash plotësisht.

Karakteri është mënyra se si i trajtoni ata që nuk mund të bëjnë asgjë për ju.

Ai besonte se ruajtja e paqes është një proces.

Ata që e duan paqen duhet të mësojnë të organizohen po aq efektivisht sa ata që e duan luftën.

Ka fuqi në të nënvlerësuarën.

Pothuajse gjithmonë, pakica krijuese dhe e përkushtuar e ka bërë botën më të mirë.

 Dashuria është hapi i parë.

Për të gjithë konfliktin njerëzor, njeriu duhet të krijojë një metodë që refuzon hakmarrjen dhe agresionin deri në shpagim. Themeli i një metode të tillë është Dashuria.

Të jetosh një jetë të qëllimshme.

Nuk ka asgjë më tragjike sesa të gjesh një individ të zhytur në gjatësinë e jetës, pa marrë asgjë prej saj.

Ai besonte në luftën për një qëllim.

Kur keni të drejtë nuk mund të jeni shumë radikal; kur gaboni nuk mund të jeni shumë konservatorë.

Mendoni për të tjerët.

Çdo njeri duhet të vendosë nëse do të ecë nën dritën e altruizmit krijues apo në errësirën e egoizmit destruktiv.

Më shumë fuqi për ju, dhe më pak për ta.

Injoranca juaj është fuqia e tyre.

Dhe duke bërë gjënë e duhur.

Dikush ka një përgjegjësi morale të mos i bindet ligjeve të padrejta.

Nëse jeni rehatuar, kjo do të thotë se po funksionon.

Një njeri nuk mund të gjykohet kur është aty ku ai qëndron në momente rehatie dhe komoditeti, por ku bën ballë në kohë sfidash dhe polemikash.

Kini pak më shumë besim.

Më përdor, o Zot. Më trego si të kuptoj kush jam unë, kush dua të jem dhe çfarë mund të bëj dhe ta përdor këtë për një qëllim më të madh se unë.

Ne duhet të ecim përpara – së bashku.

Progresi njerëzor nuk është as automatik, as i pashmangshëm … Çdo hap drejt qëllimit të drejtësisë kërkon sakrificë, vuajtje dhe luftë; përpjekje të palodhshme dhe shqetësim pasionant të individëve të përkushtuar.

Me dashuri, gjithçka është e mundur.

Dashuria është forca e vetme e aftë për të shndërruar një armik në një mik.

Shpresa është ajo që na lidh si popull.

Ne duhet të pranojmë zhgënjimin e fundëm, por kurrë nuk duhet të humbasim shpresën e pafundme.

Të gjithë jemi të barabartë.

Mund të kemi ardhur të gjithë me anije të ndryshme, por tani jemi në të njëjtën anije.

​​Bashkimi është e vetmja mënyrë për të gjetur paqen.

Ne duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, ose të zhdukemi së bashku si idiotë.

Është e rëndësishme të mësojmë nga gabimet tona të së kaluarës.

Ne nuk jemi krijues të historisë. Ne jemi bërë nga historia.

Ne jemi më të mirë.

Unë refuzoj të pranoj mendimin se njerëzimi është i lidhur në një mënyrë aq tragjike me mesnatën pa yje të racizmit dhe luftës, sa e nesërmja e paqes dhe vëllazërimit nuk mund të bëhet kurrë realitet. Unë besoj se e vërteta e paarmatosur dhe dashuria e pakushtëzuar do të kenë fjalën e fundit.

Ngrihuni në këmbë dhe lëreni zërin tuaj të dëgjohet.

Rebelim është gjuha e padëgjuar.

Paqja është e vetmja mënyrë.

Paqja nuk është thjesht një qëllim i largët që ne kërkojmë, por një mjet me të cilin arrijmë atë qëllim. /shks/ KultPlus.com

Një ditë në shtëpinë e Fan Nolit, në Boston

Nga Van Christo

Kur qeshë fëmijë, jetoja në Roxbury dhe kujtimet e të dielave në kishën e Shën Gjergjit fillojnë në moshën 7-vjeçare. Nëna ime, Frosina, më kumtoi se do më merrte me vete në meshën e Pashkëve në mesnatë.

Kisha, asokohe, ndodhej në rrugën “Emerald”, në anën jugore të Bostonit. Kur pyeta se pse ime motër, Jolanda, nuk do të vinte me ne, mëma tha vetëm se ajo ishte, përnjëmend, e vogël. Kjo më bëri të ndihem i veçantë, pasi, asohere, besoja se qeshë me të vërtetë i rritur.

Pasi mëma më shtroi për të fjetur rreth orës gjashtë të asaj nate, në një karrige tek koka e shtratit ajo ndehu teshat më të mira; këmishë e kravatë të karfosura si s’ka më mirë, pantallonat e hekurosura teh, dhe këpucë të zeza lustrafine.

Kur u zgjova nga gjumi ime më kërkoi të vishesha, pasi për pak do niseshim për në kishë. Rrallëkush në lagjen tonë kishte makinë, kështu që na u desh të ecnim disa blloqe deri në rrugën “Tremont”, ku ishte stacioni i automobilave. Më kujtohet si sot dora e mëmës tek shtrëngon timen në nxitim e sipër përanash mejhanesh, derisa më në fund arritëm tek stacioni. Pas robtimit të rrugës deri në South End, më në fund, zbritëm pranë rrugës “Emerald ku ndodhej kisha e Shën Gjergjit asokohe, dhe ime më’ më tërhoqi përmes tre a katër blloqesh të tjera derisa arritëm dhe u futëm në ndërtesë nëpërmjet dy palë shkallësh të thikëpërpjeta.

Kur u futëm brenda, teksa mëma siguroi qirinjtë, nuk mund të mos pikasja se të gjithë qëndronin në këmbë, përjashto një radhë stolash të zbrazët në atë anë të kishës ku uleshin të moshuarit. Gjithashtu vrojta se të gjithë ishin pajisur me teshat më të mira. Pashë një prej moshatarëve të lagjes, Naqin, gjithashtu karfosur si për, siç e quanim ne, të dielë, dhe, more, mund të na e shihje në sy hijeshinë e asaj nate! Por shpejt u lodha nga të ndenjurit në këmbë.

***

Megjithëse nuk mund ta shihja mirë një mesalt ishte ulur në diçka që ngjante me një kuti katrore në të dy anët e altarit, ku Fan Noli këndonte meshën në shqip shoqëruar nga dy psalme, teksa ai hynte e dilte në një dhomë të brendshme duke tundur një enë metalike varur në tre zinxhirë prej nga duhmonte temjani erëmirë. Çfarë do të thotë kjo, thashë me vete. Pastaj, për habinë time të mirë, vrojta se një prej koristeve ishte “xhaxha” Llambi Misho, i cili ia “kthente” Fan Nolit me shumë shend.

Më kujtohet tek mendoja se Llambi këndonte me zë shumë më të lartë se koristi tjetër. Mesha dhe kori shpejt u bënë të mërzitshme dhe kthehesha në të dy anët duke kërkuar me sy ndonjë prej bashkëmoshatarëve të tjerë shqiptarë. Herë pas herë, mëma do më shkundte në sup për të më mbajtur të përqendruar në atë që ndodhte përballë meje. Fillova të ankohesha se isha i lodhur nga qëndrimi në të njëjtin vend, por ajo vetëm më shesh-sheshte. Pas një farë kohe gjindja filluan të ndiznin qirinj, gjë e cila më gjallëroi së tepërmi. Ime më’ u përkul për të ndezur qiriun tim, duke me treguar si ta mbaja.

Befasisht, një pjesë e dritave u fikën kështu që shkëlqimi i qirinjve sundoi duke krijuar një atmosferë sipërane, dhe më pas të gjitha dritat u shuan dhe kisha u zhyt në errësirë të plotë duke e lartësuar dridhëritjen e qirinjve. E mbajta frymën për një çast dhe pastaj nduka pallton e sime mëje duke e pyetur se pse u fikën të gjitha dritat. “Pusho”, tha ajo “sepse Krishti është këtu”. Gjithë frikë hodha sytë përreth; në fillim nga kupa e ngrehinës, dhe më pas, ngadalë, gjithë tavanin, e në fund në të gjitha anët. Pas pak e nduka përsëri pallton e mëmës dhe pyeta në pëshpërimën e pëshpërimave “po ku është, nuk e shikoj dot?”

***

Ndërsa studioja në Kolegjin e Arteve Liberale të Universitetin e Bostonit, shoku im më i ngushtë ishte Doug Richardson. U njohëm në shkollë të mesme në Jamaica Plain dhe, shpejt, u bëmë miq të mirë. Në universitet unë studioja anglisht, ndërsa ai qeveriste dhe, si rrjedhojë, gjithmonë jepte pikëpamjet dhe opinionet rreth partive politike bashkë me komentet rreth ngjarjeve botërore. Si student i anglishtes më në korrent me Byron-in, Shelley-n dhe Keats-in nuk isha në gjendje të futesha në diskutime politike me Doug-un, gjë që më jepte ndjesinë e të “jashtmit”.

Por u kujtova se Fan Noli, bishopi i Kishës Ortodokse shqiptare, njëherë e një kohë pat qenë kryeministër i Shqipërisë. Kështu që, meqë njihja një kryeministër të vërtetë, e pyeta Doug-un nëse donte të takohej me Fan Nolin dhe ai u përgjigj se do e konsideronte nder. Asokohe, Fan Noli jetonte në rrugën “Bladgen”, bash prapa Bibliotekës Publike të Bostonit në sheshin “Copley”.

Më kujtohet se unë dhe Doug-u qemë veshur si s’ka më mirë teksa bëheshim gati të takoheshim me ish-kryeministrin e Shqipërisë. Rruga “Blagden” ishte e shkurtër dhe e ngushtë me shtëpi tre katëshe; në katin e dytë të njërës sysh jetonte Fan Noli.

Trokitëm në derë të cilën Fan Noli e hapi vetëm një të çarë, por mjaft sa të shihja se mbante veshur një këmishë të bardhë jakëhapur, një fanellë të gjelbër dalëboje, pantallona të errëta dhe pantofla. Pasi u prezantuam i thashë se isha një i afërm i Llambi Mishos, një prej mesharëve të tij në kishën e Shën Gjergjit.

***

Pas kësaj Fan Noli hapi derën dhe na bëri shenjë të hynim. Banesa e tij ishte e zhveshur dhe e pamobiluar dhe dyshemeja nuk kishte shtroja. Por, gjithkund kishte libra; në rafte, mbi shkrimore, e madje, edhe përtokë. Na bëri me shenjë të uleshim në divan, ndërsa vetë u ul në një karrige përballë nesh. I thashë Fan Nolit se Doug-u studionte Qeverisje në Universitetin e Bostonit dhe ishte i gëzuar që po takonte ish-kryeministrin e Shqipërisë. Doug-u filloi ta pyeste Fan Nolin se në ç’kohë ishte kryeministër, si mbërriti tek zyra e rëndësishme e qeverisë, cilat qenë disa prej arritjeve të tij si kryeministër, dhe pse, tani, ai ishte bishop në Boston.

Fan Noli priti me durim që Doug-u të mbaronte pyetjet dhe pastaj në një zë të qetë na informoi, por gjithnjë duke parë nga miku amerikan, si u bë kryeministër gjatë kohës së mbretit Zog, i cili kishte qenë ministër i Brendshëm dhe, më pas, president i Shqipërisë, përpara se të kurorëzohej. Ai foli gjithashtu rreth asaj që ai kishte shpresuar të realizonte si kryeministër, veçanërisht në reformën agrare, sepse Shqipëria ishte një vend shumë i prapambetur.

Doug-u u impresionua dhe filloi ta pyeste Nolin rreth ngjarjeve botërore, sidomos rreth Kinës, e cila qe një nga lëndët e tij kryesore në kolegj. Fan Noli përçoi me përpikmëri dijenitë e tij rreth Kombeve të Bashkuara, Luftës së Ftohtë dhe, disa prej pozicioneve të mbajtura nga udhëheqës të ndryshëm botërorë përfshirë Chou En Lai-n, të cilin e quajti shumë inteligjent dhe të afrueshëm.

Unë isha shumë i impresionuar me anglishten e Fan Nolit dhe mënyrën me të cilën ai argumentoi të dyja anët e një pozicioni politik të asokohe. Zëri i tij gradualisht u bë më i fortë dhe shpirtëror teksa zhytej thellë në analizat e pozicionit politik para të cilit gjendej. Ishte një pasdite stimuluese. Takimi me Fan Nolin zgjati rreth 2 orë dhe, teksa po bëheshim gati për të ikur, u ndjeva krenar dhe i përkëdhelur kur ai ngrohtësisht na ftoi ta vizitonim përsëri.

*Van Christo, një veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan ndërroi jetë, në moshën 92-vjeçare, në 21 janar 2020. Shkrimi ribotohet për nder të autorit. Nga Gazeta Illyria / KultPlus.com

Kur Lord Byron i shkruante nga Shqipëria nënës së tij Catherine Gordon Byron

Në motin 1800 vjershëtori ingliz, Byroni shëtite Sinisin’ e Ballkanit nga e cila dërgonte letra t’interesaçme shtëpisë dhe miqve të tij n’Angli. Këtu më poshtë po përkthejmë një letër të tillë, të cilën vjershëtori i madh e ka dërguar nga Shqipëria dhe flet me simpathi të madhe për Shqipërinë dhe për bijtë e saj.

Prevezë: 12 Vjesht’ e tretë 1809
Zonjës Byron,
Po bëhet një kohë e gjatë që gjëndem në Turqi; qyteti nga i cili u shkruaj qënndron buzë Adriatikut, por unë e pash më mirë këtë provincë shqipëtare kur vizitova pashanë.
Nga nisia Malta u-nisa me 24 vjesht’ e parë me vaporin luftëtar Marimanga” , dhe pas tetë ditësh hariva në Prevezë. Që këtej barita edhe 150 mila brënda në Shqipëri, për në Tepelenë, ku gjëndet pallati i Lartësis’  së Tij, dhe ndënja tri ditë. Pasha quhet Ali, dhe është i njohur si njeri me virtytete të larta. Ay qeverisë tëre Shqipërinë dhe një pjesë të Maqedhonisë. I biri i tij Veli pasha për të cilin më dha disa letra me rëndësi, qeveris Morenë, dhe është shum’ i dëgjuar n’ Egjyptë. Me një fjalë pashai është një nga njerëzit më të dëgjuar të Imperatorisë otomane.
Kur arriva në Janinë kryeqytet’ i Shqipërisë –mësova se Ali pasha ish me ushtërin’ e tij n’Iliri, ku kish rrethuar Ibrahim pashanë, në fortesën e Beratit.  Ay kish dëgjuar se në vendin e tij kish ardhur një ingliz prej soji të madh dhe i kish dhënë urdhër qeveritarit të Janinës që të përkujdeset për mua dhe të më japë ç’më duhet pa kërkuar as një pesësh’ që t’i jap dhurata robërve m’u dha lejë po që të paguanja gjëkafshë në shtëpinë ku isha, nuk m’u dha lejë. Kisha të drejtë të kaloj kuajt’ e pashajt, kështu i kaluar vizitova pallatet e pashajt dhe të nipërve të tij. Këta janë shumë të bukur, dhe të stolisurë me kadifera të mëndafshta. Malet dhe përgjithësisht, vendi këtu ka një bukuri natyrale shumë të madhe, gjër më sot s’e kam parë me no një vent tjatrë.

Pas nëntë ditësh udhëtimi hariva në Tepelenë. Udhëtimi ynë u-ndalua shumë nga shirrat e dëndur që binin.

Asnjë herë nuk’dot’haroj bukurin’ e madhe q’u çfaq përpara syve të mij kur hyra në Tepelenë, në ora pesë të mbrëmauret në perendim të diellit. Ajo bukuri më kujtoj përshkrimin q’i jep Walter Scott-i, Kastelit të Branksomit në vjershën e tij “Këngët e fundit” me tërë feodolizmën e saj.

Shqiptarët (me kostumin’ e tyre të bukur) i cili formohet prej një fustanelle të bardhë, anteri të qëndisur me sërme dhe jelek prej kadifeje të kuqe të qëndisur me gajtane të mendafshtë, kobure dhe jataganë me mill të argjentë etj…më pëlqejnë shumë.

Mua më shpunë në një dhomë të bukur dhe sekrtetari i vezirit ardhi të më pyesë për gjëndjen t’ime.

Të nesërmet vizitova Ali pashanë. Ky qe veshur me uniformën zyrtare prej gjenerali, ngjeshur rreth mesit një shpatë të bukur etj.etj…Veziri më priti në një dhomë shumë të bukur, të shtruar me mermer, në mes të cilës ridhte një shatervan. Dhoma qe e stolisur me “kanape”të shtruara me mendafsh. Pashaj më priti duke u-ngritur më këmbë, e cila tregon shënjë nderi, dhe më ftoj që të ri n’anën e djathtë të tij.

Gjithënjë kam si terxhuman një grek, po këtu u hasa me shkronjesin  e Ali pashajt Femlario i cili dinte ca latinisht dhe ky më shërbeu për t’u marrë vesh me pashanë. Pyetja e parë që më bëri ish; pse e kam lëne atdheun t’im kaq i ri (këtu njerëzia smundin të kuptojnë se si njeriu mund t’udhëtoj pas deshirës së ti),Pashaj më tha se konsulli ingliz, kapiteni Leek e kish lajmëruar për ardhjen time dhe kish thënë se jam nga një familje e dëgjuar; ky m’u lut t’u dërgoj ngjatjetimet e tij dhe unë po u-u çojë nga emri i Ali pashajt. Më tha se mbeti shumë i kënaqur nga sjelljet e mija dhe m’u lut që sa kohë të gjëndem në vëndin’ e tij ta shikoj atë posi një atë dhe ay mua posi bir.\

Dhe me të vërtëtë, ay sillesh posi një atë, më dërgonte t’ëmbëla, pemë etj.dhe m’u lut që të vinja shpesh mbrëmandent dhe të bisedonim bashkë.

So pashë të mbeturat e qytetit të vjetër Akcium ku Antoni humbi botën. Më tutje duken gërmadhat e qytetit Nikopol, i cili u godit prej imperatorit August si kujtim të fitimit të tij.

Mbase i dua shumë shqiptarët, këta nuk janë të gjithë myslimanë; një pjesë e madhe janë të krishterë, po, përgjithësisht Shqiptarët nuk’ i japin rëndësi fesë, dhe kjo nuk lot nonjë rol për të prishur zakonet kombëtare që kanë. Këta janë ushtarët e parë t’ ushtrisë otomane. Kur udhëtomnja fjeta dy net në një dobojë dhe me të vërtetë po u-them se as më nonjë vënt tjatrë nuk’kam hasur ushtarë më të sjellër se këta me gjith që kam qenë në garnizonet e Maltës dhe të Gibraltarit dhe që kam parë shumë ushtëri të ndryshme si spanjollë, francezë, sicillianë dhe anglikanë. Këtu nuk m’u voth asgjë dhe u ftuash nga ushtarët shqiptarë që të ha dhe të pi bashkë me ta.

Para një jave, nje kryetar shqiptar më mori në shtëpi të tij dhe pasi na dha të tëra sa na duheshin për të ngrënë e për të pirë, mua dhe, mua dhe të pasësëve t’im që janë: një shërbëtor, një grek, dy nga Athina dhe miku im Z.Hobhaus, nuk deshte të marë as një pesësh, për të gjitha ato, përvec se një fletëzë kartë, në të cilën t’i thoasha që mbeta i kënaqur nga pritja e tij, po unë nuk desha që pa paguar gjë të dilnja nga ay njeriu i mirë, dhe kur u luta që të pranonte ca pak të holla ay m’u përgjegj: “Jo, unë dua që të më duani, jo të më paguani”.

Çudi në këtë vent të hollat s’paskan fare vleftë; Kur isha në kryeqytet(Janinë) pas urdhërit të pashajt nuk’pagova asgjë me gjithë që kisha me vethe 16 kuaj dhe 6-7 shpirt.

Pas ca ditësh do të nisem për në Athinë që të mësoj greqishten e re, e cila ka një ndryshim të madh nga e vjetra, me gjithë që të dyja një emrë kanë dhe një gjuhë janë !….

                                                                                          Biri juaj i dashur

                                                                                                            LORD BYRON

SHËNIM:  Kjo letër që Lord Byroni i kishte dërguar nënës së tij para 207 vjetësh, ishte botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në vitin 1914  në revistën “Kalendari Kombiar” që në atë kohë botohej në Sofje të Bullgarisë.

Kjo letër e poetit  të madh Lord Byron u ribotua në gazetën “Dielli”më 25 Nëntor të vitit 1964. Editori i kësaj gazete Dr. Athanas Gegaj botonte dhe ribotonte vazhdimisht letra e shkrime me permbajtje intelektuale. Editori nuk kishte bërë asnjë ndryshim të asaj letre botuar fillimisht në “Kalendarin Kombiar”.

Edhe ne iu permbajtëm drejtëshkrimit të asaj kohe. / KultPlus.com

“Cirku Fluturues” shpallet filmi më i mirë në kategorinë garuese të filmave ndërkombëtar

Filmi i gjatë artistik, “Cirku Fluturues” me skenar dhe regji të Fatos Berishës mbrëmë fitoi çmim të rëndësishëm në festivalin ndërkombëtar të filmit në Santa Barbara të Kalifornisë (SHBA).

”Cirku Fluturues” u shpall fitues i çmimt “Filmi më i mirë artistik ndërkombëtar”, shkruan KultPlus.

Ky film artistik është komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të 90-ve e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërise për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. Filmi “Cirku Fluturues” është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production).

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore. / KultPlus.com

Havzi Nela, fati i keq i një shkrimtari të mirë

Ministria e Kulturës në Shqipëri ka shpallur fituesit e çmimeve kombëtare të letërsisë për vitin 2018.

Havzi Nela u nderua me çmim për vëllimin më të mirë poetik me “Vepra poetike e plotë”.

Por që fati i këtij shkrimtari ishte tragjik pasi ai u varë në litar në periferi të Kukësit, në vendin më të dendur me njerëz, më 10 gusht 1988. /KultPlus.com

“Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur të arrihet një ëndërr: frika nga dështimi”

Thonë se frika është “provë e rreme, e cila duket e vërtetë”, dhe nuk është çudi që njerëzve në përgjithësi nuk u pëlqen ta ndiejnë atë. Sigurisht, disa thonë se frika ua rrit adrenalinën dhe i lejon të performojnë në kulmin e tyre, duke qenë nën presion. Por për shumë njerëz të tjerë, frika është një element paralizues. Ata nuk dinë ta trajtojnë dhe ta shmangin atë. Marrin vendime jo optimale, vetëm për të mos e ndjerë. Problemi është se shpërblimet në përgjithësi nuk vijnë pa të paktën njëfarë rreziku.

Ja disa thënie që eksplorojnë dobitë e shumta të frikës:

“Halloween e mbështjell frikën me pafajësi, sikur të ishte një gjë e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht. Lëreni, terrorin, pra, të shndërrohet në një karamele …” – Nicholas Gordon

“Unë u çlirova sepse frika ime më e madhe ishte realizuar. Unë ende kisha bijën time që e adhuroja. Unë kisha një makinë shkrimi të vjetër dhe një ide të madhe. Dhe kështu, fundi u shndërrua në një themel të fortë mbi të cilin rindërtova jetën time”. – J.K. Rowling

“Mësova se guximi nuk ishte mungesa e frikës, por triumfi mbi të. Njeriu trim nuk është ai që nuk frikësohet, por ai që e pushton frikën.” – Nelson Mandela

“Vetëm se nuk mund ta shoh, nuk do të thotë që nuk mund ta besoj!” – Jack Skellington

“Kujtimi që do të vdes së shpejti është mjeti më i rëndësishëm që kam hasur ndonjëherë, për të më ndihmuar të bëj zgjedhjet e mëdha në jetë. Sepse pothuajse gjithçka – të gjitha pritshmëritë, të gjitha krenaritë, e gjitha frika nga turpërimi ose dështimi – këto gjëra thjesht shemben, përballë vdekjes, duke lënë pas vetëm atë që është me të vërtetë e rëndësishme”. – Steve Jobs

“Frika është burimi kryesor i besëtytnisë dhe një nga burimet kryesore të mizorisë. Të pushtosh frikën është fillimi i mençurisë” – Bertrand Russell

“Asgjë në jetë nuk duhet të kihet frikë. Vetëm të kuptohet. Tani është koha për të kuptuar më shumë, në mënyrë që të kemi frikë më pak” – Marie Curie

“Shumë njerëz mendojnë për sigurinë në vend të mundësive. Ata duket se kanë më shumë frikë nga jeta sesa vdekja” – James F. Byrnes

“Nga të gjithë gënjeshtarët e botës, ndonjëherë më të këqiat janë frikërat tona” – Rudyard Kipling

“Ne jemi më shpesh të frikësuar se sa të lënduar; dhe vuajmë më shumë nga imagjinata sesa nga realiteti” – Seneca

“Frika mposht më shumë njerëz se çdo gjë tjetër në botë” – Ralph Waldo Emerson

“Nëse jeni të shqetësuar nga ndonjë gjë e jashtme, dhimbja nuk vjen për shkak të sendit në vetvete, por për vlerësimin tuaj për të; dhe ju keni fuqinë të tërhiqeni në çdo moment” – Marcus Aurelius

“Bëni atë që keni frikë të bëni dhe vazhdoni ta bëni… kjo është mënyra më e shpejtë dhe e sigurt që është zbuluar ndonjëherë për të mposhtur frikën” – Dale Carnegie

“Ju fitoni forcë, guxim dhe besim nga çdo përvojë në të cilën vërtet ndaloni ta shikoni frikën në fytyrë. Ju jeni në gjendje t’i thoni vetes: “Kam jetuar përmes këtij tmerri. Mund të përballoj çdo gjë tjetër që më del përballë” – Eleanor Roosevelt

“Ka një kohë për t’u konsultuar me frikën tuaj, dhe ka një kohë që të mos e dëgjoni fare atë” – George S. Patton

“Një nga zbulimet më të mëdha që bën njeriu, një nga surprizat e tij të mëdha, është të zbulojë se mund të bëjë atë që kishte frikë se nuk mund ta bënte” – Henry Ford

“Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur të arrihet një ëndërr: frika nga dështimi” – Paulo Coelho / bota.al/ KultPlus.com

Driant Zeneli prezantoi ekspozitën personale ‘’Përpjekje për me u çue’’ në Kino Armata

Qëndrim Morina

Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Ambasada Italiane në ambientet e Kinemasë “Armata” prezantoi sonte ekspozitën individuale “N’përpjekje për me u çue”, të artistit Driant Zeneli, shkruan KultPlus.com

“N’përpjekje për me u çue” nga Zeneli është bashkë-kuruar nga Claudia Buizza, një kuratore e pavarur me qendër në Paris dhe Alicia Knock, një kuratore në qendrën Pompidou në Paris.

Përveç filmit, video-instalacioneve dhe përformancës, vepra e Driant Zenelit heton nocionet e përpjekjes, dështimit, ëndrrës dhe utopisë si elemente që krijojnë këndvështrime alternative.

Kjo ekspozitë funksionon nga tërheqja e thellë e Zenelit ndaj iluzionit: një ndjenjë magjie e trashëguar nga fëmijëria dhe parametri estetik, si dhe një mjet kritik për të përqafuar kompleksitetin e shpalosur nga mënyra se si takohen realiteti dhe trillimi.

Duke u nisur nga efekti ‘’tromple l’oeil’ që lidh Zenelin – prodhues filmash konceptual postkomunist- me babanë e tij – portretuesi komunist – por poashtu Shqipërinë dhe Kosovën, duke fluturuar dhe duke rënë, Zeneli punoi në çmontimin e efekteve të iluzionit për t’u angazhuar me boshkëllëkun lënë midis imagjinatës dhe reales.

Ky film është realizuar në bashkëpunim me fëmijë nga Bonevet, një organizatë jofitimprurëse nga Prishtina, aktivitetet e së cilës kryesisht merren me eksperimente teknologjike, elektronikë, robotikë, etj.

Zeneli, duke sfiduar poziocionin e artistit si të vetë-mbështetur, ai zbuloi se si bëhen mjetet e nevojshme për të sfiduar dhe ndryshuar perceptimet, kufijtë dhe dëshirat tona, në mënyrë që të vazhdojmë të prodhojmë histori të punuar me dorë dhe teknologji, të kaluara dhe tanishme.

Driart Zeneli, u shpreh shumë i kënaqur që ka arritur ta prezantojë para publikut kosovar dhe se ka qenë fat që ta bëjë një gjë të tillë.

“Nuk ka qenë aspak vështirë, sigurisht që ka pasur vështirësi, por jam shumë i kënaqur dhe me fat që kam mundur të prezantojë një projekt të tillë në Kosovë”, tha fillimisht ai.

Ai u gjithashtu tha që ndihmat e bashkëpunëtorëve kanë qenë thelbësore, pa të cilët nuk do të ishte ky që është.

 “Dua t’i falënderoj bashkëpunëtoret e mia Claudian dhe Alician, pa të cilat sigurisht që ky projekt nuk do të ishte kaq i plotë”, shtoi Zeneli.

Zeneli gjithashtu tha se ekspozita i ka ndihmuar të zbulojë dy ndërtesa të tjera: kampusin universitar të ndërtuar nga i njëjti arkitekt që ka ndërtuar bibliotekën dhe kishën ortodoske të ndërtuar nga serbët pranë Galerisë Kombëtare.

Bashkëkuratorja, Alicia Knock tha se kjo ‘retrospektivë’ e Zenelit është sa përrallore, po aq edhe poetike.

“Retrospektiva nga Driant Zeneli, na dërgon në një udhëtim sa përrallor, poetik, ashtu dhe politik dhe i cili na mëson nevojën paradokssale për të ndikuar në realitet përmes imagjinatë”, tha ajo.

Në fund Driant Zeneli falënderoi të gjithë pranishmit dhe premtoi projekte të tjera të ngjashme. /KultPlus.com

Një libër që nxit komunikim të gjallë me lexuesin

Pas leximit të librit “Rrugëtim publicistik” të autorit Driton Gashi, në të cilin janë përmbledhur opinione, reportazhe, reagime, recensione, ese e studime të tij të publikuara më herët në mediat tona, u pajtova plotësisht me një konstatim që e jep redaktori Faruk Tasholli në parathënien e librit, se Dritoni është një zë elitar në qarqet shkencore e kulturore shqiptaro-gjermane.

Lexuesi i vëmendshëm, pasi e lexon librin, vjen në përfundim se temat që i trajton Driton Gashi në këtë libër janë të shtjelluara e të analizuara mirë, gjithnjë me një qasje të një studiuesi të thellë të problemeve shoqërore e socio-kulturore.

Në librin “Rrugëtim publicistik”, autori Driton Gashi merret me tema sa interesante aq edhe të dobishme për lexuesin. Thuaja në secilën temë që ai e trajton vërehet edhe perceptimi i tij intelektual për çështjet që trajton, por edhe një lloj mbulese shkencore që autorin e bën tejet serioz në konstatimet e tij.

Bie fjala, në temën “Identiteti i shqiptarëve në diasporë dhe lobi”, Dritoni, pa kompleks për hir të së vërtetës, e thotë: “Këtu kufizohem vetëm për Kosovë, pasi që për Shqipëri nuk kam të dhëna të sakta.” Pra, autori nuk shkruan për asnjë temë a fenomen me të dëgjuar, por vetëm me të dhëna të sakta.

Thënë konkretisht, shkrimet e përmbledhura në këtë libër me tematikë të motivuar nga fenomene etike, etnike, kulturore, sociale e filozofike, nxisin komunikim të gjallë me lexuesin. Në pjesën më të madhe të shkrimeve, autori ballafaqon të mirën dhe të keqen, ndonjëherë pa nevojën të jetë anëmbajtës, e ndonjëherë nuk i mungon edhe ky rol, ngase nuk mjaftohet vetëm me ballafaqimin e të mirës dhe të keqes./KohaDitore/ KultPlus.com