Amfiteatri i Durrësit është ndërtuar 19 shekuj më parë, ndërsa për ekzistencën e tij kishte prova edhe para zbulimit të tij. Njëra prej tyre ishte edhe një mbishkrim i gjetur në muret e kalasë së qytetit, në lidhje me luftimet e gladiatorëve në amfiteatër.
Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur dhjetëra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970 të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike.
Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.
Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.
Pas viteve 90 një sërë projektesh synojnë të realizojnë zbulimin e plotë të ndërtesës dhe bashkëpunimi me Universitetin e Parmës pritet të formësojë përfundimisht në të ardhmen të gjithë gjeografinë e shkueshme të Amfiteatrit. / KultPlus.com
Selmani punon në Shtëpinë e Evropës dhe është fitues i disa çmimeve gazetareske. Në vitin 2018-të, Parlamenti Evropian në Bruksel ia ndau atij Bursën Sakharov për të drejtat e njeriut. Në këtë BarCamp ai do të flasë për librin e tij, për vazhdimin e këtij projekti gjatë këtij viti, për poezitë e tij, aktivizmin si dhe për punën në fushën e komunikimit.
Edicioni i së mërkurës do të fillojë në ora 18:00, e do të takohemi live në Facebook.
BarCamp Ferizaj është konferencë joformale që ka për qëllim diskutimin e hapur rreth çështjeve të ndryshme. BarCamp Ferizaj organizohet nga Iniciativa për Progres – INPO, dhe këtë radhë mbështetet nga U.S. Embassy Pristina, Kosovo.
Në këto ditë izolimi, Kolegji Universum vazhdon të ofroj konferenca dhe debate me tema me interes për qytetarët. Konferenca e radhës organizohet me Z. Besnik Bislimi, Ministër në detyrë i Financave dhe Transfereve me temen “Ndikimi i virusit Covid-19 në Ekonominë e Kosovës“.
Konferenca do të mbahet me 16 Prill nga ora 15:00 online përmes Google Meet për këtë regjistrimi për pjesëmarrje është i obliguar shorturl.at/hlxD4 Cilat jane masat që Qeveria ka ndërmarrë për tejkalimin e kësaj situate? Ju ftojmë të inkuadroheni në diskutim dhe ti ndani pyetje/mendimet tuaja me Ministrin z. Bislimi.
Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian.
Për më shumë informata rreth pjesëmarrjes dhe detajeve për konferencën kontakto [email protected] apo +383 44 144 062;
“La Revue d’Orient et de Hongrie” ka botuar, më 11 prill 1897, në ballinë, procesverbalin e Kongresit të 2-të gjuhësor shqiptar, zhvilluar asokohe në Lungro të Siçilisë me 20 dhe 21 shkurt po të atij viti, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Kongresi gjuhësor shqiptar.
“Kemi para nesh procesverbalin e Kongresit të 2-të gjuhësor shqiptar, të mbajtur në Lungro (Itali) më 20 dhe 21 shkurtin e kaluar, nën kryesinë e profesorit Jeronim de Rada, poetit të njohur shqiptar.
Morën pjesë njerëz të profesioneve liberale nga Sofia d’Epiro, Mucchia Albanese, Giorgio Albanese, Firmo, Pallagorio, Frascineto; 55 persona nga Lungro, përfaqësues të komunave të S. Dementrio Corone, Firmo, Acquaformosa, të komitetit “Pro Civiltate” në Bolonjë dhe dy shqiptarë nga Bukureshti.
Iu bashkuan kongresit komunat e S. Nicola dell’Alto, Portocannone, Spezzano Albanese, Greci di Puglia dhe disa personazhe nga Castroreggio, Palermo, Piana dei Greci, Caraffa di Catanzaro, San Adriano në San Demetrio, Pallagorio, Catanzaro; shoqëria shqiptare “Dituria” në Bukuresht, komiteti i shqiptarëve në Napoli (Giovanni Castriota Skanderbeg, marchese di Auletta, A. Dramis, avokatët Fr. Mauro dhe G. Placco dhe profesorët Gerardo dhe Gennaro Couforti).Asnjë shqiptar i vetëm nga vetë Shqipëria !
Në fjalën e tij të hapjes, De Rada shpjegoi qëllimin letrar të veprës, duke vënë në dukje se statusi quo politik në Shqipëri ende ofron, në kushtet aktuale, garancinë më të mirë për kombësinë shqiptare.
Kongresi vendosi t’i shkruajë mbretit të Italisë dhe z. Crispi (të cilët dërguan falënderimet e tyre gjatë Kongresit), komitetit të Bolonjës dhe gazetave Tribuna (në Romë), Resto del Carlino (në Bolonjë) dhe Secolo-s (në Milano).
Në seancën e 21 shkurtit, Kongresi miratoi statutin e Shoqërisë kombëtare shqiptare, e cila u formua, me qëllim që të :
1 ° krijojë alfabetin e përbashkët shqiptar,
2 ° të përpilojë një fjalor,
3 ° të botojë një revistë italo-shqiptare,
4 ° të lidhë marrëdhënie me vendin amë.
Shoqëria do të ketë selinë e saj në Lungro (Siçili), do të ketë anëtarë nderi (shqipfolës të të gjitha kombeve), themelues dhe anëtarë të thjeshtë. Anëtarët themelues do të paguajnë 12 franga në vit, ndërsa ata të thjeshtë 6 franga.
Bordi i shoqatës përbëhet nga :
– presidenti : Ans. Lorrecchio, nga Pallagorio;
– zëvendës-presidentët : Luigi Landa, nga Greci di Puglia, dhe Giov.Damis, nga Lungro;
– sekretari : prof. Camillo Vaccaro, nga Lungro.
Një mocion për të kërkuar nga qeveria italiane një subvencion prej 20.000 frangash për kolegjin S. Adriano, në S. Demetrio Corone, u shty për në Kongresin tjetër.
Ky kongres i tretë do të zhvillohet gjithashtu në Lungro.
Kongresi mori shkresa urimesh nga shoqëria “Dituria” në Bukuresht, komiteti shqiptar në Napoli, komunat e Pallagorio-s dhe Piana dei Greci, kolegji S. Adriano, z. Giuseppe Schiro, dy banorë të Giovinazzo-s ( nga Bari) dhe disa të tjerë.” / KultPlus.com
Aldous Leonard Huxley ishte një shkrimtar dhe filozof anglez. Ai shkroi gati pesëdhjetë libra për romane si dhe ese, tregime dhe poema.
Lindur në familjen e shquar Huxley, ai u diplomua në Kolegjin Balliol, Oksford me një diplomë universitare në letërsinë angleze. Në fillim të karrierës së tij, ai botoi tregime të shkurtra dhe poezi dhe redaktoi revistën letrare Oxford Poetry, përpara se të vazhdonte të botonte shkrime të udhëtimit, satirë dhe skenarë.
Ai e kaloi pjesën e fundit të jetës së tij në Shtetet e Bashkuara, duke jetuar në Los Angeles nga viti 1937 deri në vdekjen e tij. Në fund të jetës së tij, Huxley u pranua gjerësisht si një nga intelektualët kryesorë të kohës së tij. Ai u nominua për çmimin Nobel në Letërsi shtatë herë.
KultPlus ju sjell sot një thënie të njohur të Huxley: Ndoshta kjo botë është ferri i ndonjë planeti tjetër. / KultPlus.com
Gjithkujt që ka lexuar dhe e ka bërë librin pjesë të tij, i ka ndodhur që t’i rikthehet një vepre në kohë të ndryshme. Janë shumë arsye pse ndodh kjo, por ndoshta më kryesorja është se, në një mënyrë a në një tjetër, ka një unifikim, një dashuri shpirtërore me autorin, ngjarjen, gjuhën apo personazhet që rrëfehen në të.Kjo ka ndodhur edhe me mua. Kisha kohë që kërkoja të rilexoja veprën “Migjeni”, të studiuesit dhe ish-pedagogut tim Rinush Idrizi. Për herë të parë, studimin e profesorit tim të nderuar e kisha lexuar në vitin 1992, atëherë kur ende nuk e dija se autorin do ta njihja nga afër, e se ai do të linte gjurmë në jetën time. Arsyeja se përse më pëlqeu ky libër në atë kohë, është se ndryshe nga kritika dhe studimet e tjera shqiptare të deri atëhershme, kjo vepër nuk ishte një jetëshkrim i thjeshtë. Përkundrazi, depërtonte në mënyrë vertikale tek autori dhe krijimtaria e tij. Nga ana tjetër, Migjeni është shkrimtari me të cilin unë jam dashuruar që në fillim. E gjithë krijimtaria e tij, është e papërsëritshme dhe si e tillë komunikon gjithnjë si e veçantë. Ishin këto arsyet se përse gjithnjë kam dashur që t’i rikthehem kësaj vepre. Librin që pata atëherë, dikush ma pat marrë, e nuk ma kthehu më kurrë.Botimi i dytë i ripunuar i kësaj vepre nga ana e “Onufrit”, ishte një lajm sa i mirë që më shtyu sërish drejt rileximit të kësaj vepre. Qysh në krye të rreshtave të parë, konstatova një volum të madh pune, e për më tepër një vepër të mbështetur mbi mendimin e thellë kritik e reflektiv. Sidomos gjatë periudhës së tranzicionit, për Migjenin janë thënë e stërthënë shumë gjëra, janë hedhur hipoteza nga më të ndryshmet, aq sa denigrimi i këtij shkrimtari të madh nisi të bëhej diçka e zakonshme edhe në qarqet të ashtuquajtura letrare. E parë edhe në këtë kuadër, kureshtja ime për të rilexuar veprën “Migjeni” të Rinush Idrizit u bë edhe më e madhe. Por, në lidhje me këtë degradim, qysh në fillim, vet profesori dhe studiuesi i nderuar në faqen 7 shkruan: “Kam zgjedhur t’i injoroj absurditetet, sepse t’u kundërvihesh atyre është jo vetëm humbje kohe, por edhe fyerje intelekti.”
Pa dashur të fyej askënd, gjithnjë e shpreh dhe do ta shpreh mendimin tim se Rinush Idrizi është njohësi dhe studiuesi më i mirë i jetës dhe krijimtarisë së Migjenit. Këtë e vërtetova edhe njëherë gjatë leximit të kësaj vepre. Nëpërmjet fakteve dhe dokumenteve, Profesor Rinush Idrizi, tregon saktësisht rrënjët e familjes së Migjenit, duke përshkruar hollësisht gjithë historinë dhe kalvarin që ajo përjetoi, si e pandarë nga epoka në të cilën jetuan paraardhësit e tij. Në mënyrë kronologjike, bazuar vetëm mbi dokumente, fakte dhe argumente, rrëfehet e gjithë jeta e këtij uragani të letërsisë shqipe. Për një kohë të gjatë, ai ndalet në rininë e tij, studimet, shokët, ngjizjen pas filozofisë niçeane dhe letërsisë, të cilat u bënë udhërrëfyese të shpirtit të shkrimtarit të ardhshëm. Ndonëse me diferencë kohe, Niçe dhe Migjeni kanë lindur në të njëjtin muaj, (respektivisht 15 dhe 13 tetor) dhe kanë vdekur në të njëjtin muaj (respektivisht 25 dhe 26 gusht). Një rastësi që, për mua, do të thotë shumë.Por le t’i kthehemi veprës “Migjeni”. Si një nga njohësit më të mirë të letërsisë, për periudhën e shekullit të njëzetë e sidomos së gjysmës së parë, studiuesi Rinush Idrizi na e jep të qartë Migjenin, jo vetëm në raport me epokën në të cilin jetoi, por edhe marrëdhëniet që krijoi me shtypin e kohës, botuesit dhe autorët që shpërthyen dhe mbajtën gjallë jetën intelektuale dhe letrare shqiptare, marrëdhëniet me censurën dhe vështirësitë e shumta me të cilat ai u ndesh. “Migjeni nuk e përjashton veten nga lufta e dhe përplasjet e brezit të vet. Ai deri në fund do të jetë shkrimtari që do t’i flasë kohës dhe përtej saj, që do të thotë me forcë mendimin vet përparimtar. Por si do ta thotë? Këtu ai do të jetë biografia e vetes në të vërtetat e jetës, do të jetë koha në vështrimin e rreptë, do të jetë realiteti i gjykuar nga ai, do të jetë njeriu me mikrobotën e tij, do të jetë, më në fund, vetvetja në monologun e frymëzimeve dhe shqetësimeve të thella shpirtërore artistike. Tek ai shpirti i artistit e mbisundon intelektin, duke zhdukur rrezikun e moralizimit dhe ideologjisë. Tani Migjeni e tejkalon Milloshin. Poeti vuan për Njeriu dhe jo për Veten.” (f.126)Më tej, në studimin e ti, pas një analize të thellë, me të drejtë Rinush Idrizi shprehet: “Migjeni nuk u fokusua te mjerimi thjesht si varfëri, siç bënë disa talente të viteve ’30, duke rënë në sentimentalizëm dhe propagandë. Ai u fokusua në shkatërrimin e personalitetit të njeriut, të shpirtit, në shpërfytyrimin e tij moral, mendor prej një mjerimi ku njeriu nuk lufton, por vetëm gjallon, ku ai nuk merr asnjë përgjegjësi për veten, ku ai lëshohet e i nënshtrohet dhunës e brutalitetit e përfundon në shkallën më të ulët të qenies, në ekzistencën biologjike të qenies, thjesht përmes instiktit…, që krijon pa fund vargonj të rinj.” (f.136)Kjo vepër, duke analizuar autorin, krijimtarinë dhe epokën kur u zhvillua, është edhe një analizë që jep përgjigje për shumë çështje, sidomos edhe në lidhje me politizimin që iu bë Migjenit gjatë sistemit komunist. “Ideja e heroit-mbinjeri dhe gjithë idetë filozofike niçeane, që lidhen me individin, turmën, njeriun dhe mbinjeriun, që aq shumë ishin trajtuar në literaturën filozofike, shoqërore dhe artistike evropiane që nga fundi i shekullit XIX, zunë një vend të rëndësishëm në polemikën shqiptare nga fundi i viteve ’20, por perceptimi artistik më i thellë e origjinal i Mbinjeriut-heroit të ri vjen vetëm nëpërmjet poezisë së Migjenit.” (f.158) Migjeni i mbeti besnik bindjeve të tij.Në epokën e tij, korrentet politike ishin të forta, e sidomos përplasja mes ideologjisë fashiste dhe asaj komuniste. Migjeni qëndroi larg bindjeve të majta. Po atëherë, si ka mundësi që ky shkrimtar, më i madhi i brezit të tij, u bë një nga më të lexuarit dhe studiuarit gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Edhe për këtë çështje, autori i kësaj vepre, si një dëshmitar i asaj periudhe, jep argumentet e tij. “Pas viti 1944 Migjeni u bë objekt i shumë debateve. Në fillim pati zëra, që ai nuk duhej përfshirë në Historinë e Letërsisë Shqiptare, pasi kishte qenë i ndikuar nga filozofia e Niçes dhe arti modern Perëndimor, se i kishte kushtuar poezi Mbinjeriut, se ishte herë-herë pesimist, nuk ishte përfshirë në lëvizjen e grupit të të rinjve të Shkodrës, etj. Por më pas ky mendim “u korrigjua”. Regjimit i duhej një poet i madh, që të mund të zgjeronte kufijtë e artit të ri proletar dhe kështu “u bë ajo lidhja famëkeqe institucionale politike”. Duke interpretuar kundërvënien e Migjenit ndaj fesë, trajtimin e mjerimit, të punëtorit të papunë, etj., si motive “të frymëzuara nga idetë socialiste”, duke i lidhur artificialisht edhe simbolet e Botës së Re dhe të Diellit (që janë simbole të përdorura në mënyra të ndryshme në të gjithë poezinë moderne), me triumfin e komunizmit dhe kështu duke tjerrë e endur sipas interesash politike e ideologjike, u soll edhe ideja se ai ishte paraprijësi i realizimit socialist.” (f.201)
Profesor Rinush Idrizi është njohësi më i mirë i Migjenit. Për të arritur në studimin e plotë të figurës dhe krijimtarisë së këtij uragani të letërsisë shqipe, është mbështetur mbi metodat e thella hulumtuese e shkencore, duke nisur që nga shfletimi i veprës, e deri tek intervistat me miqtë e bashkëkohësit, që nga njohja e epokës historike në të cilin jetoi e deri tek shfletimi i gazetave dhe mendimeve të personaliteteve të kohës, nga njohja e historisë së letërsisë e deri tek përplasjet e rrymave dhe filozofive të kohës.. Me shumë interes është edhe përcaktimi i profesor Pashko Gjeçit, në vitin 1940, të cilin e gjejmë si një konkluzion të mendimit më të thellë kritik të kohës, i cili deri më sot nuk është tejkaluar, por fatkeqësisht është përsëritur e kopjuar nga disa studiues e meditues e veprës së Migjenit. “Ma i madhi poet i të rinjve, Migjeni u shkoq prej traditës sonë letrare. Nuk mund t’u përpiqte me Fishtën e Nolin, pse nuk e çmonte anën heroike të jetës. Nuk mund të vente mbas Koliqit e Poradecit pse kishte tepër seriozitet dhe i mungonte delikatesa e pendës. Kje si një ciklon për letërsinë tonë dhe kaloi si kalon stuhia. Mbas tij nuk njohim ndjekës të dejë për t’u përmendë. Në se nota melodioze e Lasgushit dhe Koliqit ndihet në të gjitha poezitë e të rinjve, fryma e turbullt e Migjenit duhet të kthellohet për t’u zhvillue. Në letërsinë e tashme kemi ma shumë emra se vepra… çdo njeri që din të shkruej, shkruen pa të breme ndërgjegje”.“Migjeni” i profesor Rinush Idrizit është një vepër ku takohen dhe ndërthuren bukur njohja, historia, biografia, fakti, argumenti, intervista, ditari, dëshmia, analiza dhe refleksioni të shtrira në kohë dhe hapësirë, është dimensioni më i madh dedikuar një shkrimtari shqiptar. Është përmendorja më e plotë dhe më e bukur kushtuar Migjenit. /KultPlus.com
Shkatërrimet e habitatit të kafshëve dhe pandemitë janë shkaktuar nga të njëjtat procese.
COVID-19, është “hakmarrja” e natyrës?! Në këto kushte është ekstremisht e jonjerëzore të hiqen në paralele e tillë, por shkaktarët hipotetikë të kësaj katastrofe humane po shpërfaqen gjithnjë e më qartë në dritën e fakteve shkencore. Një studim prestigjioz konfirmon se gjuetia, tregtia dhe degradimi i habitatit të shumë krijesave, që kanë pranuar të bashkëjetojnë në një planet me ne, janë baza e zhdukjes së specieve dhe shfaqjes së pandemive me origjinë shtazore. A kanë ndonjë lidhje pandemia COVID-19 me degradimin e habitatit të krijuar nga njeriu –pyet Focus?
Ato janë një pasojë e drejtpërdrejtë, rrjedhojë e prishjes së asaj mburoje nga një armik kaq misterioz dhe i pamëshirshëm, siç po rezulton të jetë ky coronavirus, konfirmohet pak a shumë një studim i publikuar në “Proceedings” i Shoqërisë Mbretërore Britanike. Fenomenet me origjinën e zhdukjes së specieve shtazore, të tilla si urbanizimi, shkatërrimi i habitateve natyrore, gjuetia dhe tregtia e paligjshme e kafshëve ekzotike, janë të njëjta që rrisin mundësinë e transmetimit të patogjenëve nga kafshët te njerëzit. Ata në fakt janë të gjithë faktorët që rrisin afërsinë fizike midis qenieve njerëzore dhe krijesave të tjera që popullojnë tokën, banesën tonë të përbashkët. Pavarësisht nevojave në rritje të njeriut për të ruajtur ekulibret e brishta, ai duhet të jetë më përgjegjshëm në menaxhimin e resurseve, duke i dhënë mundësi natyrës që të mbrojë banorët e saj të rrezikuar përmes garantimit të habitatit të padëmtuar nga njeriu. Hulumtimi është pjesë e PREDICT, një projekt i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, i cili synon të forcojë aftësinë globale, për të zbuluar viruse me potencial pandemik, të aftë për të kaluar nga kafshët te kafshët dhe nga kafshët tek njeriu, dhe roli i njeriut për të rritur mbikëqyrjen ndaj këtyre kërcënimeve. Studiuesit e Shkollës së Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Kalifornisë, Davis ‘One, Institute University, ekzaminuan 142 viruse të kafshëve të njohura, të mundshme për tu transmetuar te njerëzit, si dhe statusin e konservimit të specieve të pretenduara “nikoqire”.
Se dora e njeriut është shkaktari i infeksioneve zoonotike, kuptohet nga disa tendenca të theksuara nga studimi. Për të filluar, kafshët që ndajnë numrin më të madh të viruseve me njerëzit, janë kafshë shtëpiake ose ferme. Me ta ne shkëmbejmë tetë herë më shumë patogjen sesa me gjitarë të egër. Edhe kafshët që janë shumuar ose janë përshtatur mirë për bashkëjetesë me njerëzit, ose që në disa zona gjeografike jetojnë afër të lashtave të tyre, siç janë disa lloje të brejtësve, lakuriqëve ose primatëve, kanë shumë infeksione të përbashkëta me njerëzit, dhe janë më lehtë si transportues të zoonozave. Në të kundërt, edhe speciet që kërcënohen me zhdukje për shkak të aktiviteteve njerëzore; si shpyllëzimi, masivizimi i gjahut ose tregtia e paligjshme, janë shtëpia e dy herë më shumë viruseve zoonotike sesa kafshët, popullsia e të cilave po zvogëlohet për shkaqe jo njerëzore. Mendoni për pangolinat, ushtritë e mundshme të ndërmjetme të koronavirusit SARS-CoV2, si dhe midis kafshëve ekzotike, më të rralla dhe më të kontrabanduara në botë; lakrat e frutave që janë bërë “mishi i shkurreve” në vendet e prekura nga Ebola, ose specie të tjera të lakuriqëve, që i atribuohen origjinës së patogjenëve si SARS, viruset Nipah ose Marburg.Speciet e rrezikuara gjithashtu monitorohen më shpesh nga njerëzit, të cilët vijnë në kontakt me ta për arsye konservimi ose hulumtimi dhe për këtë arsye rrisin mundësitë për shkëmbim viral. Kjo dëshmi na tregon, edhe një herë, se lloji i ndërveprimit që krijojmë me habitatet natyrore, përcakton jo vetëm shëndetin e kafshëve, por edhe tonin. E shprehur kjo përmes ndotjes, paqëndrueshmërisë hidrogjeologjike, ndryshimit të klimës… dhe pandemitë./ Focus / Përgatiti: Albert Vataj / KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka nisur një fushatë leximi në këto kohë karantine. Leximi është një ndër prioritetet kryesore të QKLL-së e cila në platformën e saj parashikon dhe hartimin e një ligji për leximin.
Por këtë herë janë të rinjtë që i janë bashkuar kësaj nisme duke i kthyer mbasditet e tyre në karantinë në orë leximi të librave që kanë shënjuar ngjarje në historinë e letërsisë.
“Murtaja” e Kamysë, librina çon në qytetin e pushtuar nga vdekja mund të dëgjohet tashmë në faqet online të QKLL-së nën leximin e një grupi të rinjsh pasionantë të librit.
Ndër librat e përzgjedhur nga të rinjtë janë “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit dhe “Kryeministri” i Ben Blushit. Një nga romanet më të mirë të prozës bashkëkohore shqipe. Blushi ka aftësinë të bëj parashikime dhe në këtë libër autori i zhvendos ngjarjet në vitin 2021. Në romanin “Kryeministri” të Ben Blushit, populli është thellësisht i pakënaqur me qeverinë, premtimet e saj të pa mbajtura dhe ekonominë në regres.
Për të mundësuar vazhdimësinë e qëndrimit në pushtet, kryeministri vendos të “luajë” me popullin e zhgënjyer prej tij, duke inskenuar një atentat dramatik ndaj vetvetes, me shpresën e ngjalljes së empatisë në radhët e elektoratit.
Realizimi i krimit i besohet një ushtari të ushtrisë shqiptare, i cili kish shërbyer më parë në Afganistan dhe ku ish trajnuar si qitës profesionist. Ai duhet ta plagosë kryeministrin gjatë një tubimi, por në asnjë mënyre ta vrasë atë.
Personazhi i “snajperit”, i cili shërben edhe si narrator i ngjarjes, përcjell idetë e autorit mbi gjendjen aktuale politike në vend dhe se si politika mund të ndryshojë jetën e individit, ta përdorë atë pamëshirë, në dobi të qëllimeve të një grushti njerëzish.
Gjatë periudhës së shërbimit në Afganistan, snajperi bie në kontakt me disa qarqe të dyshimta, me natyrë terroriste. Komunikimi i snajperit me këto qarqe, përdoret si mjet shantazhi nga persona të afërt me kryeministrin, të cilët i kërkojnë të kryejë atentatin, në të kundërt do e akuzojnë si bashkëpunëtor i terroristeve.
Në çastin e fundit, duke e pasur figurën mitomane të kryeministrit nën shënjestër, “snajperi” ose “alter ego” e njeriut të lodhur nga kasta sunduese dhe rregullat një sistemi shtypës e të padrejtë, vendos të tërheq këmbëzën, duke e lënë kryeministrin të vrarë në vend.
Romani është i shkruar me një gjuhë të thjeshtë e mjaft të absorbueshme. Rrëfimi në vetë të parë e bën atë intrigues dhe i dhuron një vërtetësi autentike, duke e tërhequr lexuesin faqe pas faqe, në pritje të asaj që do të vijë më pas. Dialogët janë të paket dhe mbizotëron përshkrimi i gjendjes psikologjike dhe personazheve të tjerë, si një formë analize meditative e autorit. /KultPlus.com
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka premtuar një shpërblim prej 1 milion dollarësh për shkencëtarët e vendit, nëse ata arrijnë të zhvillojnë një vaksinë kundër koronavirusit.
Vendi ish-Sovjetik me një popullsi prej rreth 42 milion ka konfirmuar 3,102 raste të COVID-19 dhe 93 njerëz kanë vdekur.
“Presidenti beson se një milion dollarë është një nxitje e mirë”, tha zëdhënësja e tij Yuliya Mendel në një deklaratë dërguar AFP, me qëllimin që të zhvillojë një vaksinë që do të “shpëtojë qindra mijëra jetë njerëzish”.
Ajo shtoi se kërkesa e Zelenskyt për të zhvilluar një vaksinë kundër COVID-19 u dërgua në Akademinë e Shkencave të Ukrainës muajin e kaluar. Të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi rëndësinë e zhvillimit të një vaksine COVID-19, duke thënë se ishte e nevojshme që të ndalohej plotësisht transmetimi i sëmundjes, e cila ka çuar në mbi 120,000 vdekje në të gjithë botën. / KultPlus.com
Të jetosh këtu ku ndjen aromën e të njohurit dhe ku gazeta e lënë mënjanë në anën e parë të botës dhe përveç këpucëve thuajse asgjë nuk ndryshohet dhe atje ku gjithçka ndoshta befas mund të hedhësh të harrosh me përjashtim të natës dhe hijes
Vdekja është gjë e natyrshme K.I. Gałczywski Vdekja është e natyrshme si djepi të dyja janë mrekullira të mëdha të vogla në kohën e tanishme të bëra në mënyrë të përkryer ka nuk ka nuk ka ka ka provë fizike nuk ka asnjë dyshim
Ndonëse ishte bërë çdo përgatitje që festivalit të mbahet në fund të muajit maj të këtij viti, për shkak të situatës së krijuar nga Koronavirusi, organizatorët janë detyruar që ta rivendosin për vitin e ardhshëm.
Në njoftimin zyrtar që është bërë nga festivali, bëhet e ditur se çdo biletë e blerë për këtë vit, mund të shfrytëzohet për vitin e ardhshëm.
Mirëpo, në rast se dikush dëshiron që ta kthejë atë, kjo do të jetë e mundur përmes kontakteve zyrtarë nga festivali.
Më poshtë gjeni njoftimin zyrtar të publikuar në rrjetet sociale:
Libri Mesjeta ime i autorit Ag Apolloni është vepër autobiografike e përbërë nga dymbëdhjetë ese ose kapituj të emëruar me tituj latin.
Duke përdorur një tematikë të llojllojtë që është aktuale dhe ngjason me errësirën e mesjetës. Agu godet gjendjen aktuale të vendit, politiken, fenë, materialen, mungesen e shpirtërores, dominancen e aparences e shmangien e esencës.
Autori thekson se titulli është ambig, çka përcakton jo vetëm mesjetën si emërtim të një kohe të errët, por edhe si kompozitë që shënon mesin e jetës njerëzore, ku në të dy kuptimet Mesjeta është e personalizuar.
Përdor tematika sociale qysh nga fëmijëria e deri në mesin e jetës së tij, në moshën 35 vjeçare. Duke na njohur me gjenealogjinë sipas Kanunit, ai na njofton me personazhe të shumtë të jetës reale, si nga lisi i gjakut, ashtu edhe nga lisi i tamblit.
Pasi që librin e personalizon qysh në titull, edhe rrëfimet për autobiografinë e tij i bën në vetën e parë.
Ky libër shtjellon ngjarje që dominojnë në jetën e secilit prej nesh, shpalos realitetin e një kohe që po jetojmë e cila është kthyer si të ishte në një epokë mesjete. Përgjatë gjithë librit Ag Apolloni citon autorë të ndryshëm, citate të cilat e përforcojnë secilën ese të tij.
Shfaqja e një ateizmi të theksuar shihet përgjatë gjithë eseve, mohimi i Zotit, sharja e tij, krahasimi i Qeverisë me kishë mesjetare, ku fjalët e pushtetit i përngjason me ato të djallit për nevoja të veta, edhe djalli citon Biblën?
I ndikuar nga filozofia dhe parodia, ai sikur vë karshi njëra-tjetrës, seriozitetin dhe banalitetin në esenë Vulgus. Stagova (lisi i gjakut), që stagovalitë e krahasojnë me Stagiren e Aristotelit, vendin e mendjes, përballë Gjurgjudellit (lisit të tamblit) që nuk ishin shkollarë, por trefish vulgar.
Shkallët e ngjitjes së jetës në sistemin arsimor ai i paraqet në esenë Doctrina. Duke zhveshur gjithë maskimin e një sistemi politik, që vetëm demokratik nuk është, ai tregon se më as universitetet kosovare, madje as Universiteti Hasan Prishtina, nuk mund të quhet më tempull i dijes. Kështu si e ka shkatërruar politika universitetin, studenti dhe profesori e kanë humbur dinjitetin.
Zhvesh realitetin nga një maskë Persona dhe e shpie tek një përngjasim me epokën më të errët, atë të Mesjetës, por me një dallim, ku kjo e sotmja është kapluar nga një errësirë virtuale.
Inkuizicioni virtual është pakrahasimisht më i tmerrshëm se inkuizicioni mesjetar, që kishte vetëm armë hekuri, ose se shpifja në kohën antike, që kishte vetëm zërin e demagogut. – eseja “Inquisitio”. Këtu vihen përballë njëra tjetrës fama dhe vlera, ku për këtë të parën, sakrifikohet e dyta.
Ikja nga realiteti natyral ka sjell për pasojë dehumanizimin e njerëzores. Tani pothuajse çdo gjë është sipërfaqësore, librat reklamohen por nuk lexohen, shkrimtarët shkruajnë por dëshirojnë të mbesin origjinal, të pandikuar nga të tjerët, pra, duan të lexohen por jo të lexojnë.
Pasojat që sjell e sotmja mesjetare, autorin e kanë shtyer në një dëshpërim të thellë aq sa të shkruaj Doktrinën e dëshpërimit. Këto dukuri, kaq të zbrazura kaq të errëta, nuk po e mundojnë vetëm autorin e Mesjetës, por të gjithë ata që janë viktimë e kësaj shfaqjeje.
E kur më shumë se sa sot, shfaqet gjithë skena mesjetare?
Me maskën e një aktori, autori sfidon gjithë aktorët e këtij teatri. Zhvesh politikën që ka vënë rrënjë kudo, jonjerëzoren, të pamoralshmen, të shëmtuarën e një aktualiteti mesjetar, të cënuarin, të burgosurin (shpirtin), të padijshmin, të dijshmin, budallain e mbi të gjitha të çmendurin. Gjithë kotësinë e një jetë të padobishme e ironizon me një theks satirik thumbues.
Përpos metaforës, ironisë dhe satires, ajo që dominon ndoshta më së shumti, dhe lidhet me veprën Mesjeta ime është alegoria. Alegorikisht, mundohet të nxjerrë të fshehurën e jetës, atë që del gjithmonë suprizë. E kjo nuk shihet vetëm në esenë Alegoria, por në të gjitha esetë tjera nxjerr demaskimin e shoqërisë, e të brendshmes, e asaj psiqikes, e jo fizikes, asaj që ndihet përbrenda e nxjerret ndryshe nga jashtë. Pra, metaforikisht thekson se njeriu para se të bie në kundërshtim me të tjerët, bie në kundërshtim me vetveten. Njeriu mendon diçka ndryshe, ndien diçka ndryshe, por thotë krejt të kundërtën e asaj që mendon dhe ndien. Sepse ka mbi vete atë që e shtyp, atë të cilit duhet t’i shkojë pas, se është zot i shtëpisë.
Vepra luftën më të madhe e ka me pushtetin, me gënjeshtrat që i servir, me maskat që i përdor, me vjedhjet e shumta që i bën, e më së shumti pasqyron se ky pushtet vjedh njerëzoren (humanitetin). Lufton fenë, e cila në këtë shekull, më shumë se kurdo herë tjetër zgjat duart e saj për të gllabëruar njerëzimin. Pushtimin e kësaj errësire përmes eseve autori e paraqet, por nuk mund ta mund atë.
Sepse robëria e jetës, nuk të bën që të ikin vetëm vitet e jetës, por edhe truri, thotë ai, në esenë e fundit Via.
Në skenën e jetës sonë kosovare, e sotmja e një shekulli modern i përulet skllavërisht shekullit 11, Mesjetës. /KultPlus.com
I vogli i familjes Franklin nuk i lexonte librat, ai i përpinte ato. Ai ngrihej në 5:00 të mëngjesit çdo ditë dhe lexonte një libër, përmbajtjen e të cilit ia rrëfente të atit ndërsa ai merrte kafenë.
Benjamin Franklin ishte më i vjetri nga burrat e shquar që themeluan shtetin amerikan dhe i pari amerikan i nderuar në Evropë si shkencëtar dhe burrë shteti, si mbrojtës i të drejtave të kolonive amerikane para mbretit të Anglisë.
Benjamin Franklin përfaqëson suksesin amerikan: nga djali i një sapunbërësi, me punë të madhe, e të pavarur ai e ngriti veten në lartësinë e madhështisë.
Biografi i tij Alfred Tamarin e përmbledh kështu rritjen e personalitetit të Benxhamin Frenklinit.
“Benjamin Franklin ishte amerikani i parë që u bë figurë botërore. Nga një djalë i ri me prirje për shkollë ai u bë shkencëtar, shpikës, legjislator, diplomat dhe burrë shteti me famë botërore”.
Emri i Benxhamin Franklinit është i vetmi emër të cilin e shohim në katër dokumentet kryesore të themelimit të Shteteve të Bashkuara: Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës, Traktatit të Aleancës me Francën dhe Traktatin e paqes me Anglinë.
40 thënie nga Franklin
1. Fshatari mes dy avokatëve është sikur peshku mes dy macesh.
2. Zemra e një të çmenduri është në majën e gjuhës së tij, por gjuha e një të mençuri është në zemrën e tij.
3. Mësoji tët biri/vajzës të heshtë, të flasë mëson vetë.
4. Të rebelohesh ndaj tiranëve është t’i bindesh Zotit.
5. Nëse macja mban doreza, zor se do të zërë minj.
6. Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë.
7. Çdo gjë që nis me tërbim, mbaron me turp.
8. Një varkë me vela dhe një femër shtatzënë, janë gjërat më të bukura që mund të shihen.
9. Nëse e dashuron jetën, mos e shpërdoro kohën, pasi koha është substanca nga e cila përbëhet jeta.
10. Kujdes me shpenzimet e vogla, pasi një peshë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.
11. Tre persona mund ta mbajnë një sekret, nëse dy prej tyre janë… të vdekur.
12. Ata që mund të heqin dorë nga liria thelbësore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk e meritojnë as lirinë e as sigurinë.”
13. Kurrë s’ka ekzistuar paqe e keqe ose luftë e mirë.
14. Nëse dështon të planifikosh, ti je duke planifikuar të dështosh.
15. Investimi në dituri paguan interesin më të mirë.
16. Luftoji gjithnjë veset e tua, jeto në paqe me fqinjët e tu dhe bëj që çdo vit i ri të të gjejë më të mirë.
17. Shtëpia nuk është vendbanim, përveç nëse ka ushqim dhe ngrohtësi për mendjen edhe për trupin.
18. Një lek i kursyer është një lek i fituar.
19. Të jesh i ngadalshëm në përzgjedhjen e shokëve, edhe më i ngadalshëm në ndërrimin e tyre.
20. Bukuria dhe marrëzia janë miq të vjetër.
21. Të jesh injorant nuk është turp aq i madh, sa të mos duash të mësosh.
22. Zoti u ndihmon atyre që ndihmojnë veten.
23. Mysafirët, si peshqit, fillon t’u vijë era pas tri ditësh.
24. Gjysmë e vërteta shpesh është një gënjeshtër e madhe.
25. Të jesh i varfër nuk është turp, por të turpërohesh për atë, është.
26. Ai i cili i ekspozon shumë shpesh gruan dhe kuletën është në rrezik t’i huazohen që të dyja.
27. Ai i cili është i mirë për arsyetime, rrallë është i mirë për ndonjë gjë tjetër.
28. Kush jeton veç nga shpresa do të vdesë nga uria.
29. Ai i cili ngrihet vonë, duhet të ecë shpejt gjithë ditën.
30. Kush dashurohet me veten e tij nuk do të ketë asnjë rival.
31. Nëse njeriu zbraz kuletën në kokë, askush nuk mund t’ia marrë.
32. Nëse nuk rrimë bashkë, patjetër duhet të rrimë të ndarë.
33. Nëse dëshiron shumë gjëra, shumë gjëra do të duken pak.
34. Nëse dëshiron të jesh i dashur, duaj dhe bëhu i dashur.
35. Mosha e humbur nuk është gjetur asnjëherë përsëri.
36. Shumë njerëz mendojnë se po blejnë kënaqësinë, kur ata në të vërtetë i shesin veten asaj.
37. Asnjë komb nuk është shkatërruar ndonjëherë nga tregtia.
38. Vrojto të gjithë njerëzit, veten më së shumti.
39. Mos fol keq për asnjë njeri, por i thuaj të gjitha të mirat që i di, për të gjithë. / KultPlus.com
Simone de Beauvoir, është një nga autoret më të famshme dhe më të rendësishme që ka dhënë kontribut në rrafshin intelektual në fushat sociale dhe filozofike, me theks të veçantë në problemin e barazisë gjinore, shkruan KultPlus.com
Këtu kemi një pjesë nga libri i saj “Gruaja e shkatërruar”
“Në ditën kur të jetë e mundur për gruan të dashurojë jo në dobësin por në forcën saj, jo të ik nga vetja por ta gjej veten, jo ta ul veten por ta mbroj veten – në atë ditë, dashuria për të do të bëhet, ashtu sikurse për burrin, një burim jete dhe jo një rrezik për vdekje”.
– Simone de Beauvoir, “The Woman Destroyed” /KultPlus.com
Pas punësimit të 100,000 punëtorëve muajin e kaluar, gjiganti i shitjeve online Amazon është në kërkim edhe të 75,000 punëtorëve të tjerë. Amazon tha se i duhet më shumë personel për të përballuar rritjen e kërkesave.
Shumë vende në botë janë izoluar për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe qytetarët e tyre i kanë shtuar blerjet online.
“Ne mirëpresim cilindo që është pa punë për t’u bashkuar me ne në Amazon, derisa gjërat të kthehen në normalitet”, tha kompania me seli në Shtetet e Bashkuara.
Mbi 17 milionë amerikanë kanë humbur vendet e punës në SHBA gjatë tri javëve të kaluara, për shkak të izolimit nga koronavirusi.
Muajin e kaluar, Amazon ka punësuar personel shtesë në SHBA, prej rreth 100,000 vetash, për të përmbushur porositë online për ushqim dhe barna të klientëve ekzistues.
Por, kompania tha se ka edhe një listë pritjeje me klientë të rinj. / KultPlus.com
Simone de Beauvoir ishte një shkrimtare franceze, intelektuale, filozofe ekzistencialiste, aktiviste politike, feministe dhe teoriciente shoqërore.
Megjithëse ajo nuk e konsideronte veten një filozofe, ajo kishte një ndikim të rëndësishëm në ekzistencializmin feminist dhe teorinë feministe.
Simone de Beauvoir u lind në Paris më 9 janar 1908.
Prindërit e saj ishin njëri sekretar ligjor dhe e ëma vajza e një bankieri të pasur dhe katolike e devotshme. Familja luftoi për të ruajtur statusin e tyre borgjez pas humbjes së pasurisë së tyre menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. De Beauvoir vetë ishte thellësisht fetare si një fëmijë, madje dikur ajo synonte të bëhej murgeshë. Nga viti 1929 deri më 1943, De Beauvoir jepte mësim në lice. Ajo dha mësim në Marsejë, Rouen dhe Paris.
De Beauvoir shkroi novela, ese, biografi, autobiografi dhe monografi mbi filozofinë, politikën dhe çështjet sociale. Ajo ishte e njohur për traktatin e saj të vitit 1949, “Seksi i Dytë”,gjithashtu për romanet e saj, duke përfshirë “Ajo erdhi për të qëndruar” dhe “Mandarins”.
Libri i saj “Seksi i dytë” pati tepër jehonë. Pati reagime dhe qëndrime ndaj tij , duke përfshitë edhe ndalimin e tij nga Vatikani, dhe ato ishin rrjedhojë e diskutimit të hapur nga autorja mbi seksualitetin femëror, përfshirë homoseksualitetin. Por në fakt, libri “Seksi i dytë” është shumë më tepër se kaq. Libri ngre pyetjen më thelbësore të feminizmit: Çfarë do të thotë të jesh grua? De Beauvoir e refuzon ekzistencën thjesht biologjike dhe përqendrohet në cilësinë e feminitetit, duke arritur kështu në thënien e saj më të famshme: “Një njeri nuk lind, por bëhet grua”.
De Beauvoir e krahason shtypjen e grave me atë të hebrenjve, njerëzve me ngjyrë dhe popullsive të kolonizuara. Por ajo konkludon se seksizmi është një forcë unike, sepse gratë jetojnë, madje edhe i dashurojnë, shtypësit e tyre. Në këtë libër, autorja bën një panoramë të jetës së grave: puna, mëmësia, pavarësia ekonomike, krijimtaria, seksualiteti, plakja dhe mërzia si rezultat i punëve shtëpiake.
Proza e De Beauvoir është depërtuese. Përgjigjet e saj janë të thjeshta: gratë duhet të arsimohen njëlloj si burrat, të paguhen njëlloj me burrat dhe t’u krijohet qasje e lirë mbi planifikimin familjar dhe divorcin. Në kohën kur u publikua, “Seksi i dytë” ishte një sukses. Shiti 22 mijë kopje në javën e parë në Paris në vitin 1949, ndërsa përkthimi në anglisht u bë menjëherë bestseller në Amerikë. Libri ka influencuar shkrimtare dhe feministe të brezave të mëvonshëm.
Ajo gjithashtu ishte e njohur për marrëdhënien e saj të hapur gjatë gjithë jetës me filozofin francez Jean-Paul Sartre. Gjatë tetorit 1929, Jean-Paul Sartre dhe De Beauvoir u bënë çift dhe, pasi u ballafaquan nga babai i saj, Sartri i kërkoi asaj të martohej me të. Por afër fundit të jetës së saj, de Beauvoir tha, “Martesa ishte e pamundur, nuk kisha asnjë dhunti”. De Beauvoir zgjodhi të mos martohej kurrë dhe të mos krijonte një familje të përbashkët me Sartrin. Ajo nuk bëri as fëmijë.
Pas vdekjes më saj, më 14 prill 1986, shumë vepra kanë hedhur dritë në disa aspekte të rrugëtimit të Beauvoir. Pas vdekjes, vepra e saj reziston më mirë se ajo e Sartrit. Më rastin e 100- vjetorit të lindjes, asaj i janë kushtuar disa libra të famshëm.
Simone de Beauvoir ishte një fenomen, një kapërcyell i kohës. Përkundër nënshtrimit dhe diskriminimit ndaj gruas, shkrimtare franceze, intelektualja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja politike, veprimtarja e lëvizjes feministe dhe teoricienja sociale, i vuri pasionin dhe forcën e saj, energjinë dhe kurajon. Edhe pse ajo refuzoi ta konsideronte veten si filozofe, ndikimi që patën dy teoritë e ekzistencializmit feminist e vendosin atë në një vend të privilegjuar. Simone de Beauvoir mbetet ikonë e feminizmit, model i gruas së lirë që ka lënë gjurmë në disa breza femërorë./KultPlus.com
Këngëtarja shumë e dashur për publikun mbarëbotëror, Rihanna, u ka kërkuar fansave të mos e pyesin më se kur do ta lansojë albumin e ri muzikorë, derisa është tejet e zënë duke provuar ta shpëtojë botën.
Pop ylli i njohur që nga viti 2018 po i ngacmon fansat rreth publikimit të albumit të ri, dhe vitin e kaluar u kishte premtuar atyre përmes Instagramit se do ta sjellte këtë incizim gjatë vitit 2019.
Sidoqoftë, albumi nuk është publikuar ende, transmeton Koha.
Gjatë një transmetimi të fundit live në Instagram, disa adhurues tentuan të nxjerrin informacione nga këngëtarja rreth datës së lansimit të albumit, dhe e acaruar dhe me një dozë të humorit, Rihanna iu përgjigj troç: “Do të hidhërohem shumë nëse edhe ndonjëri prej jush më pyet rreth albumit tim, në këtë kohë kur po mundohem ta shpëtoj botën, për dallim prej presidentit tuaj.”
Muajin e kaluar, këngëtarja i kishte dhuruar 5 milionë dollarë për t’i ndihmuar shtetet e varfra të prekura nga pandemia e koronavirusit, krahas 700 mijë dollarëve që i kishte investuar për sigurimin e ventilatorëve në vendlindjen e saj, Barbados. Rihanna, po ashtu ka dhuruar të holla për sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor në New York, si dhe i ka dhuruar më shumë se 2 milionë dollarë për viktimat e abuzimit familjarë të prekura nga kjo krizë globale.
Së fundmi u bë i ditur lajmi se babai i këngëtares, Ronald Fenty, ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Ylli i muzikës menjëherë i ka dalë në ndihmë atij, duke ia dhuruar një ventilator i cili ia lehtëson frymëmarrjen.
Derisa adhuruesit e saj e presin me padurim albumin e ri, Rihanna për portalin “Entertainment Tonight” kishte deklaruar se i pëlqen t’i kundërshtojë fansat e saj, sidomos kur vjen puna te vonesat e lansimit të albumeve.
“Puna rreth albumit është duke vazhduar. Më pëlqen t’i kundërshtoj fansat paksa… sepse edhe ata e bëjnë të njëjtën gjë me mua,” citohet të ketë thënë këngëtarja.
Rihanna nuk ka lansuar album muzikor që nga ai i vitit 2016, “ANTI”, kjo pasi është fokusuar më shumë në bizneset e saj si, “Fenty Beauty”, “Savage X Fenty” dhe “Fenty Maison”. / KultPlus.com
Nikolo Makiaveli ishte politikan, diplomat, shkrimtar, i njohur për Princin, libër udhëzues për politikanë të paskrupullt, dinakë e të pabesë.
Së bashku me Leonardo da Vinçin cilësohet si një shembull tipik i njeriut të rilindjes. Nikola Makiaveli në gjithëkohje do të ndërmendet si mendimtari i parë që hartoi teorinë e racionalizmit praktik.
Nikolo lindi në Firence më 3 maj 1469. Ai ishte djali i një juristi. Për rininë dhe formimin e tij dihen shumë pak gjëra. Por është e qartë se ishte familjarizuar me poetët kryesorë, filozofët dhe historianët grekë dhe latinë. Zotërimi i shkencave politike dhe njohja e thellë e intrigave të kohës së vet, të dukshme në veprën e tij, të shtyjnë të hamendësosh se Makiaveli u përzie që shumë i ri në jetën politike të qytetit.
Ndryshe nga Platoni e shumë të tjerë pas tij, të cilët synonin të tregojnë, jo ç’është shteti, por çfarë duhet të jetë shteti (“shteti ideal”) Makiaveli politikën dhe shtetin i trajton, jo si çështje etike e morale, por si fakte dhe dukuri objektive shoqërore e historike, studimi i të cilëve duhet t’i ndihmojë pushtetmbajtësit “sundimtarit” se si duhet ta krijojë dhe si duhet ta mbrojë e ruaj sa më mirë dhe sa më gjatë rendin ekzsistues.
Ndryshe nga Arsitoteli, në veprat e të cilit politika dhe etika janë të lidhura në mënyrë të pashkoqitshme, kurse njeriu trajtohet si një qenie e mirë dhe e arsyeshme, si një “qenie politike” (zoon politikon), Makiaveli ishte i mendimit se njeriu është një qenie me përplot dobësi e të meta; i pabesë, mashtrues, i pasigurt, gënjeshtar, lakmues dhe një egërsirë. Ishte ky një nënçmim i rëndë, ndoshta më i rëndi që ndokush ia ka bërë ndonjëherë njeriut.
Njëra ndër idetë politike të Makiavelit është se prishësia e njerëzve është rrjedhojë e pabarazisë midis tyre. Për të qeverisur me njerëzit e këtillë dhe për ta mbrojtur shtetin nga këta dhe të tjerët jashtë e brenda shtetit është i lejueshëm çdo mjet: gënjeshtra, mashtrimi, thyerja e besës, premtimi i rrejshëm, dhuna, ryshfeti etj. Sipas Makiavellit në politikë nuk ka moral; gjëja kryesore dhe më e “moralshme” është suksesi dhe rezultati, përkatësisht arritja e qëllimit.
“Njeriu i mençur kurrë nuk do ta gjykojë veprimin, i cili i shkel normat zakonore me qëllim të themelimit të monarkisë ose të republikës. Nëse faktet e akuzojnë ligjdhënësin apo shtetarin, atë e arsyeton rezultati. Arsyetimi është vlerëplotë nëse rezultati është i mirë”. Qëllimi e arsyeton mjetin.
Këto mendime të Makiavelit qëndrojnë në themel të mbretërive absolute, që u vendosën nga vitet 1600 në shumë vende evropiane. Edhe sot i referohen atij, jo më pak kur bie fjala për diktaturat e qindvjeçarit të fundit, që nga Stalini dhe Hitleri, deri tek diktatorët e fundit ushtarakë të ish-kolonive. Madje edhe Hitleri çdo natë para se të flinte e lexonte librin e Makiavellit “Princi” gjysmë ore dhe kur flinte librin e tij e vendoste ndër kokë. Ky libër edhe pse bëri bujë të madhe dhe influencoi në shumë zhvillime politike dhe pretendentë për lidership, skandalizoi shumë njerëz dhe u kritikua tej mase.
“Makiavelizmi” është sot sinonim i një politike force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit të synimeve të tij.
Vitet e fundit të jetës, Makiaveli i kaloi i vetmuar në një fshat të vogël larg qytetit; vdiq më 1527, u varros në kishën Santa Croce, Firence, ku ironikisht i ishte ndaluar hyrja sa ishte gjallë.
Disa aforizma të famshme të Nikolo Makiavelit janë: – Politika nuk ka lidhje me moralin. – Një sundimtar i mençur nuk duhet ta mbajë besën kurrë nëse duke bërë kështu do të jetë kundër interesave të tij. – Përfitimet duhet të jepen gradualisht, dhe në këtë mënyrë ato do të shijohen më mirë. – Ai që dëshiron të jetë i bindur duhet të dijë se si të komandojë. – Është kënaqësi e dyfishtë të mashtrosh mashtruesin. – Është shumë më e sigurt kur ta kanë frikën, sesa kur të duan. – Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt. – Asgjë e madhe nuk është arritur ndonjëherë pa rrezik. – Lufta nuk shmanget; ajo mundet vetëm të shtyhet, në avantazh të të tjerëve. – Premtimi i dhënë ishte një domosdoshmëri e të kaluarës; premtimi i pambajtur është një domosdoshmëri e të tashmes. – Nëse një njeri duhet ta lëndosh, duhet që ta bësh aq fort, saqë të mos ia kesh frikën hakmarrjes së tij. – Metoda e parë për të vlerësuar inteligjencën e një sundimtari, është të shohësh ata që i rrinë rreth e rrotull. – Qëllimi justifikon mjetin. /KultPlus.com
Po kërkoni shembuj lidershipi në një krizë? Nga Islanda në Tajvan dhe nga Gjermania në Zelandën e Re, gratë po i tregojnë botës si duhet përballuar një situatë e paprecedentë si kjo. Në Finlandë, Islandë dhe Danimarkë, pandemia theksoi se gratë janë të afta të marrin frerët në dorë kur gjendja përkeqësohet. Bëhet fjalë për shtete të vogla ose ishuj, ose përjashtime të tjera, por Gjermania është ekonomi botërore që po ia del mbanë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar është një ishull me rezultate krejt ndryshe. Këto lidere po i tregojnë botës se pushteti mund të përdoret edhe kështu. Çfarë duhet të mësojmë prej tyre?
Angela Merkel, Kancelarja e Gjermanisë, i foli popullit që në fillim të krizës dhe tha me qetësi se ky virus do të infektojë 70% prej tyre. “Është serioze,” tha ajo. “Merreni seriozisht.” Ngaqë ajo e mori situatën seriozisht, ashtu e morën edhe qytetarët. Gjermania i shmangu fazat e mohimit, inatit dhe paqartësisë që kaluan shtetet e tjera. Shifrat që po përjeton Gjermania janë ndjeshëm më të ulëta se të fqinjëve dhe sipas shenjave, do të zbusin masat e marra.
Tsai Ing-wen, liderja e Tajvanit, ishte ndër të parat që reagoi ndaj virusit. Në janar, kur sëmundja sapo kishte nisur përhapjen, ajo njoftoi vendosjen e 124 masave për të parandaluar infektimin dhe izolimin që u kthye në normalitet tjetërkund. Tani, ajo po dërgon 10 milionë maska në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Ing-wen ia doli të reagonte ashtu si duhej dhe Tajvani regjistroi vetëm gjashtë të vdekur.
Jacinda Ardern e Zelandës së Re kufizoi lëvizjen që në fillim dhe u tregua mëse e qartë për sa i përket nivelit të emergjencës. Ajo i urdhëroi vizitorët të futeshin në karantinë para se të kthehej në normë për të tjerët dhe pak kohë më vonë, ndaloi hyrjen e të huajve. Deri në mes të prillit, janë regjistruar vetëm katër të vdekur dhe teksa shtetet e tjera po pakësojnë masat, Ardern po i shton duke detyruar gjithë zelandezët që kthehen në atdhe të karantinohen për 14 ditë.
Islanda, nën drejtimin e Kryeministres Katrín Jakobsdóttir, ofron analiza falas për të gjithë qytetarët dhe do të jenë të parët që analizojnë përhapjen dhe fatalitetin e virusit. Shumica e shteteve testojnë vetëm personat që shfaqin simptoma. Islanda po i teston të gjithë. Në raport me popullsinë, ishulli ka testuar pesë herë më shumë njerëz se Korea e Jugut dhe ka implementuar një sistem gjurmimi që nuk kërkon mbylljen e bizneseve apo shkollave./ Anabel / KultPlus.com
Kur doli jashtë, ishte thuajse mesditë. Edhe pse i nipi i ishte lutur se për gjithëçfarë do t’i duhej, ai do të kujdesej t’ia blinte e do t’ia linte te porta, sot kishte vendosur të dilte vetë. Çdo t’i bënin orët policore – të diktuara nga një sëmundje – të policëve të demokracisë, një të “burgosuri” të dikurshëm si ai prej policëve të diktaturës? Jashtë porte, aty ku fillonte trotuari me dhé të ngjeshur para shtëpive të ulëta në radhë njëra pas tjetrës, niste edhe heshtja e vërtetë. Rrugica ngjante me një hon që lëshonte jehonën edhe të kuisjes më të lehtë, të një angullime fare të vogël, madje edhe të hapave të tij të ngadaltë. Tek njëra nga flegrat e hapura, një fqinja e tij po fshinte kërrusur pragun dhe shtrojën e çimentos para porte me atë çka kishte mbetur nga një fshesë e dikurshme. Iu bë se githçka e kësaj dite kishte diçka të shkuar, mbase ngaqë qysh prej mëngjesi po jetonte me të shkuarën, edhe atë liridalje që i kishte dhënë vetes, kishte lidhje me të shkuarën. Ai ishte i helmuar nga e shkuara. – Ku po shkon kështu?, – e pyet fqinja, mbase e habitur se si po guxonte të dilte në rrugë një i moshës së tij. – Të blej kohë, – tha ai, dhe eci tutje. “Të blej kohë!” Fqinja tundi kokën, o ngaqë nuk e dëgjoi mirë frazën, o nuk e kuptoi, ose e dëgjoi dhe e kuptoi dhe e përktheu si një marrëzi. Fundja, a nuk kishte thënë në mbrëme një si psikologe që karariste shpesh nëpër programet televizive, se njerëzit do të fillonin të flisnin me vete pas kësaj traume që po u ndodhte? Njeriu nuk “mund” të rrijë kaq gjatë mbyllur, por ne “duhet” të rrimë kaq gjatë mbyllur. Por ai, fqinji i saj, kishte ndenjur me vite mbyllur në burg, ndaj mbase këtë mbyllje të dytë nuk mund ta duronte dot. “Po nuk e pikasën”, psherëtiu me vete fqinja, ndërsa shpina e tjetrit ikte tutje, “mbase do të kthehet në shtëpi, ndryshe do të kthehet sërish te shtëpia pa qira”. E demokracisë. Ngaqë nuk bindet të rrijë në shtëpi. Njëherë, tek shëtiste të nipin me karrocë, ajo e kishte ndeshur burrin në rrugën e tyre, ai kishte ndalur hapat dhe ishte përkulur, ia kishte liruar hallkën e rripit që mbante të lidhur fëmijën. E kishte lënë të lirë. Ajo ishte çmeritur një çast, por e kishte lënë burrin ta shijonte atë çast, e dinte, ai nuk shihte dot njerëz të lidhur. Dhe vetëm kur ai ishte larguar, e kishte mbërthyer sërish hallkën e fëmijës, që mu atë çast kishte nisur të qante me të madhe, sepse me atë hallkë nuk i hidhte më të lira këmbët tutje. Plaku vazhdoi rrugën dhe vetëm ca çaste më pas, dëgjoi brramin e derës së fqinjës, shulin pas porte, hapat e nxituara të gruas në oborr. Tani, më në fund, fqinja e tij ishte e sigurtë që virusi nuk kishte ku e gjente më, veç të fluturonte mbi hatllat e murit të shtëpisë së saj, të kacavirrej degëve të fiqve dhe të pëplasej në verandën mes saksive të pafund të luleboreve, shpatoreve, zambakëve, meneksheve, lulekumonave, lafshëgjelave, sardenëve e gjithfarë emrash që i kujtoheshin atij nga numeracioni i dikurshëm i së ëmës. Gruas së luleve. Edhe dorëzonja e mëmës ishte tharë, gjithçka ishte tharë në oborrin e tij, veç në lehet e kujtimeve të saj edhe lehet e luleve të së ëmës ishin përjetë të freskëta. Ja, edhe pak dhe do të mbërrinte tek ajo e përpjetë e lehtë, ku niste ai rripth i vogël plot bar, që kishte krijuar atë lëndinëz, ku shkonte shpesh në fëmijëri për të rendur pas xixëllonjash. Do të merrte atje, nëse i gjente, lulet e nënës: lulekoprën, luleGentin, luledelen, aguliçen, lulekinën. Nëse nuk do t’i gjente, do të trokiste te fqinja e tij për ca petale menekshesh a trëndafilësh, a mbase ndonjë krizantemë që nuk e kishte trembur kjo luftë e çuditshme e shfaqur kësaj pramvere, që bashkë me polenin e luleve, barte edhe polenin pelin të sëmundjes së re, me të njëjtin kërcënim të murtajave të vjetra. Eci nëpër lëndinë, i mblodhi lulet që kërkonte dhe mori tragën anës hijeve të mureve të shtëpive. Ca zëra bilbilësh që vinin nga oborret, u prenë dhe u përzien me zikamën e paprerë të një bilbili polici dhe ca hapave të nxituar. Dhe pak çaste, dhe pak çaste, dhe pak, dhe tek shtynte portën e tij, ndjeu se qeskëza me lulet e mbledhura po i dridhej në duar. Mbetën jashtë dielli dhe heshtja, dhe rojat që kërcënonin njëlloj si virusi. Dikur, gjashtëdhjetë vjet e kusur më parë, po në atë oborr, e ëma ia ujdiste bukën e ngjyer me lulëza të oborrit ose me lule të egra të po atij livadhi, që dikur ishte një fushë e pafund. Edhe pjatën e bukur të darkës, ia ormiste me gjithfarë ngjyra petalesh. Ato ngjyra dikur e kishin mbajtur me dritë atyre viteve të gjata të burgut. Deri në mbrëmje, do të kishte kohë të mjaftë t’i lante e t’i përgatiste ato lule fushe, pastaj të bënte pjatën e preferuar të së ëmës, dhe ashtu në vetminë e oborrit, ndërsa dielli fikej, me llullën e përjetshme ndezur, i pushtuar nga koha që sapo kishte blerë atë ditë, do ta këqyrte bukurinë e asaj pjate, do të kujtonte nënën dhe do të treste sytë në qiellin që errej… /KultPlus.com
Në situatën e krijuar prej COVID-19, fëmijët janë ata që duan të ndjehen më të sigurt.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ndarë disa rekomandime me prindërit që t’i zbatojnë gjatë periudhës së izolimit për shkak të COVID-19. Sipas OBSH, koha që shpenzohet për fëmijët, i bën të ndjehet e sigurtë.
“Provoni të shkëputeni për 20 minuta duke bërë diçka që zgjedhin fëmijët – si p.sh., të luani një lojë apo të lexoni – së bashku me ta. Mos përdorni as telefon e as TV, duke u përqendruar vetëm tek ata. Koha që shpenzoni vetëm për vetëm me ta do t’i bëjë të ndihen të sigurt dhe të dashur”, këshillon OBSH. /atsh/ KultPlus.com
Erich von Däniken (Zofingen, 14 prill 1935) është një shkrimtar zviceran. Ai është i njohur për librat e tij mbi arkeologjinë misterioze dhe është një nga mbështetësit kryesorë të të ashtuquajturës “teori të astronautëve të lashtë”.
Ai ndoqi Kolegjin St-Michel të Fribourg në Zvicër, ku zhvilloi një interes të caktuar për shkrimet antike të një natyre fetare. Në vitin 1960 ai u martua me Elisabeth Skaja dhe në vitin 1963 lindi vajza e tij Cornelia. Pesë vjet më vonë, ndërsa shërbeu në një hotel zviceran, ai përfundoi Zurück zu den Sternen, (1969), një libër që u bë një bestseller ndërkombëtar i përkthyer në gjuhë të shumta. Vepra në fjalë pretendon se krijesat e huaja nga një sistem tjetër diellor vizituan planetin tonë rreth dhjetë mijë vjet më parë dhe krijuan burra inteligjentë në përngjasimin e tyre duke ndryshuar gjenomin e majmunëve. Ata do të adhuroheshin si perëndi nga njerëzimi për njohuritë e tyre të mëdha teknike, nga të cilat mbetet një traditë e mjegulluar në mite.
Më pas ai shkroi dhe botoi libra të tjerë, gati tridhjetë, jo gjithmonë të përkthyera nga gjermanishtja, në të cilat ndërthuren vazhdimisht fe, arkeologji dhe trillime shkencore. Në fakt, në “Perënditë ishin astronautë” (2003), shkrimtari zviceran përsërit konceptin se hyjnitë dhe engjëjt për të cilët flasin Bibla, Kurani dhe tekste të shumta të lashta të shenjta ishin të huaj që vizitonin Tokën dikur. Edhe disa shfaqje magjike, përfshirë ato të famshme të Fátima, mund të shpjegohen për von Däniken në një çelës ufologjik.
Erich von Däniken shpesh pretendon se nuk është kompetent për hulumtime të UFO-s. Interesimi i tij përqendrohet kryesisht në gjetjet arkeologjike dhe librat fetarë të së kaluarës. Sidoqoftë, ai i tha programit Alien Riddles se ai ishte një katolik praktikues dhe lutet çdo mbrëmje.
Ai jeton në Beatenberg në Kantonin e Bernës. /KultPlus.com
Me paketën e zgjeruar financiare të prezantuar sot nga Kryeministri Edi Rama do të mbështeten edhe 10 mijë punonjës të angazhuar në sektorin e turizmit.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në listën e individëve që do të ndihmohen me bonus të drejtpërdrejtë prej 40 mijë lekësh për 40 ditët në vazhdim, do të përfshihen edhe 10 mijë punonjës të regjistruar në sektorin e turizmit.
Fondi i vënë në dispozicion për këtë kategori, bëri të ditur Kryeministri, është 400 milionë lekë ose 4 milionë dollarë. /atsh / KultPlus.com
Gjergj Fishta vlerësohet si studiuesi më kompetent i temës së gjakmarrjes…
Pikëpamja e Fishtës është: Marrja e gjakut ka qenë një veprim i drejtë, i ligjshëm dhe i dobishëm për gjithë periudhën që Shqipëria ka qenë pa shtet (pra deri më 1912).
Për periudhën e monarkisë, Fishta shkruan: “Jo vetëm kundërshtarët e komit, por edhe shumë do pedanta vendas e muhaxhirë të shtetit shqyptar, Kanunin e mbajnë ligjë barbarë e popullsinë ku kanuni pat vlerë juridike për njerëz të egjër”.
Më tej shprehet se në themel të këtij konceptimi “padyshim asht: ‘gjaku’ – edhe la vendetta” (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Parathanie, Bot. 2001, fq.27,30).
Cilët quan Fishta kundërshtarë të kombit?
Dihet se që nga fundi i shekullit XIX, armiqtë tanë të jashtëm, shovinistët e vendeve fqinje dhe mbështetësit e tyre evropianë, formuluan tezën sipas së cilës, shqiptarët qenkan të paaftë për të krijuar shtetin e tyre, sepse paskan si tipar karakteristik gjakmarrjen.
Fishta e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë këtë tezë. “Duket mirëfillit”, shkruan ai “se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thuhet se kombi shqyptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeveris në vetvedi i pamvarshëm” (fq.32).
Në mbrojtje të tezës së vet, Fishta sjell argumente bindës nga disa shkenca. Nga historia: Ai vë në dukje se ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit “përkojnë me ato të Romës, Bizantit, të Kanunit doksuer të teutonëve, të sllavëve, hindianëve, ase (që) nuk hyjnë në rrethin e ligjeve barbare” ( fq.30).
Përfundimi është i qartë: Nuk ka sesi ndryshe nga gjithë popujt e botës vetëm Kanuni ynë të jetë ligj barbar.
Sipas antropologjisë, bëhet klasifikimi në pesë shkallë i kulturës e qytetërimit të popujve. Sipas këtij klasifikimi, vendi ynë hyn në shkallën e tretë, që ka si karakteristikë kryesore realizimin e së mirës së përbashkët. Kjo kulturë mund të quhet legjendare ose heroike sepse: “gjithkund zotëron parimi i lirisë, i nderit e burrnisë” (fq.29-30).
Elemente të egërsisë përmbajnë vetëm shkalla e katërt dhe e pestë e klasifikimit. Nga jurisprudenca, Drejtësia që jep Kanuni krahasohet me drejtësinë e çdo gjykate evropiane, qëllimi i të cilave është “me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm, përndryshe nuk asht barbar” (fq.31). Si i tillë, ligji kanunor është i dobishëm sepse ka karakter parandalues ndaj krimit të vrasjes.
Si akt individual është konsideruar si vetë-gjyqësi. Një cilësim i tillë është i gabuar, sepse Kanuni ishte ligji i kohës. “Shqiptari pra”, shkruan Fishta, “tue vra gjaksin e vet, nuk ban tjeter veçse me e que në vend nji ligj, qi ai e mban për të drejtë” (po aty). Më tej vazhdon: “… gjaksi i Luigjit XVI, kur i preu kryet… e mbyti pse mendonte se ligja asht e mirë, e arsyeshme… e as nuk thotë kush sot se kje barbar” (po aty).
Për të qartësuar më këtë çështje, Fishta bën një analizë akoma më të detajuar. Personi që ka kryer krimin e vrasjes mund të gjejë strehim në krahinat e tjera, ku në bazë të normës kanunore të “prerjes së mikut” bëhet i paprekshëm. Kjo mund të çojë deri në konfrontimin me armë midis krahinave ose siç thotë Fishta në “luftë civile”. Për të shmangur këtë rrezik, burrat e mençur të kanunit, marrjen e gjakut ia ngarkuan individualisht shtëpisë së viktimës (fq.31). “Këto vendime të Kanunit”, shkruan Fishta, “kanë kenë njoftë zyrtarisht prej sovranit të vendit qi ishte Sulltani i Stambollit” (po aty).
Në aspektin psikologjik, pas marrjes së gjakut, Fishta konstaton zhdukjen e çdo kompleksi negativ në marrëdhëniet përkohësisht në armiqësi midis dy familjeve, siç mund të jetë ndenja e urrejtjes. Madje shkojnë deri atje sa të lidhin fejesa e kumari të reja. “Edhe vrasja e gjaksit në pikëpamje psikologjike” shkruan Fishta, “nuk asht nji vendetta, dan edhe prej faktit se dy familjet marrin e apin me njena – tjetren si me të gjitha familjet e tjera të bajrakut, mos tjeter n`at masë sa shtetet e qytenueme t`Europes mbas luftës botnore” (fq.31). Në vazhdim të arsyetimit thekson se “për ne e marrshim punën në pikëpamje psikologjike, unë tham se puna e gjakut … asht rezultat i do mendorjeve qi nuk mvaren prej shpirtit të këtij kombi” (po aty).
Në argumentimin e gjerë të tezës së vet, Fishta i referohet edhe letërsisë antike greke, siç ishte “Iliada” e Homerit. Por, ajo që është akoma më e rëndësishme i referohet edhe Librit të Shenjtë, Biblës (fq.32). Në botimin shqip të Biblës gjejmë të shkruar: “I afërmi më i ngushtë i të vrarit ka për detyrë ta vrasë kudo që ta gjejë (vrasësin)” (Bibla, ECM, 1993, fq.182). Në mbrojtje të bindjeve shkencore që ka formuar, Fishta nuk i bën lak as doktrinës fetare, e cila si zgjidhje të pranueshme për vrasjen konsideron vetëm faljen. Jashtë çdo dyshimi edhe ai do të preferonte faljen, por konstaton se një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme. “Kurrkush ma shumë se unë si kishtar”, shkruan Fishta, “nuk mund ta dënojë punën e gjakut në vedvedi e të marrne si nji fakt të zdeshun prej mendorjeve ndërmjet të cilave ndolli” (fq.30-31). Në gjithanshmërinë e trajtimit të çështjes autori ndalet edhe në faktorët e brendshëm e të jashtëm që kanë kushtëzuar vazhdimin kaq gjatë te ne të fenomenit të marrjes së gjakut.
“Të marrunit e gjakut”, thekson ai, “buron prej mendorjeve të jashtme e prej t`metave të organizimit shoqnuer të nji kombi” (fq.32). Është fjala për pushtimet e huaja shumëshekullore dhe në prapambetjen e përgjithshme, në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit tonë. Vlera dhe rëndësia e studimit të Fishtës bëhet akoma më e madhe për faktin se aty përcaktohen edhe rrugët që duhen ndjekur për zhdukjen e gjakmarrjes.
Në vitin 1933, kur doli në dritë vepra e Gjeçovit, gjakmarrja nuk kishte dalë nga skena. Megjithëse veprim i ligjshëm dhe i dobishëm deri në vitin 1912, tani ishte shndërruar në një fenomen negativ dhe jashtë kohës së vet. Veçse duhet theksuar se kjo nuk ngjiste për faj të saj. Fajtor i vërtetë ishte shteti që nuk i kryente detyrat që i përkisnin. Për zhdukjen e gjakmarrjes Fishta thekson se: “…ligjet për me ken vërtet të dobishme por të drejta e të ndershme do të jenë, do të jenë të gjashme, due me thanë të preme pas pshihes e nevojave të njimendeta të popullit…Kështu kan punue të gjitha kombet e qytetnueme” (fq.24). /konica/ KultPlus.com