Viti i ri me plagë të vjetra, ku janë të zhdukurit e luftës?

Në pranverën e këtij viti pritet të rifillojnë gërmimet në territorin e Serbisë ku dyshohet për varreza masive, për të gjetur trupat e shqiptarëve civilë të vrarë e zhdukur nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës, me ndihmën e imazheve satelitore të ushtrisë amerikane, kanë shënjuar dy lokacione atje, Kizhevak dhe Shtaval. Familjarët e personave të pagjetur mbesin të pakënaqur me punën e institucioneve drejt zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre, duke kërkuar që Serbia të kushtëzohet në dialog.

Pa më të dashurit e tyre, madje pa ditur edhe ku ndodhen eshtrat e tyre, familjarë të personave të zhdukur e kanë filluar edhe këtë vit. Të zhgënjyer nga puna institucioneve, gjatë tërë vitit kanë kërkuar që të bëhet presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të tregojë varrezat masive me civilët shqiptarë të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Bajram Qerkinaj, kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”, thotë se për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nuk ka pasur vullnet politik, as të politikanët vendorë e as bashkësia ndërkombëtare.

Tutje, ai thotë se Serbia po bën lojë me çështjen e personave të pagjetur.

“Që 21 vjet të plota na lodrojnë herë në këtë anë, herë në atë anë, herë në Kizhevak, herë në Rudnicë, mund t’i përmend 10-15 lokacione që na kanë lodruar duke thënë janë këtu, janë atje. Tash po ua beson eshtrat, për ne familjarët është diskriminim i të gjitha të drejtave të njeriut që duhet t’i kemi”, thotë ai.

Ujërat, minierat dhe varrezat civile janë përdorur nga Serbia për fshehje të krimit. Këtë e dëshmojnë lokacionet ku deri tani janë gjetur trupa të civilëve shqiptarë.

I tillë është edhe Kizhevaku ku për vjet më radhë në atë minierë janë hedhur gurë e mbeturina.

Gërmimet atje kanë filluar në vitin 2015, por në gjysmën e dytë të vitit 2020, me ndihmën e imazheve satelitore të siguruara nga ushtria amerikane, janë gjetur koordinatat e sakta të një varreze prej ku edhe janë tërhequr pjesë kockore të paktën të pesë personave, ekzaminimi i së cilave është bërë dhe në pranverë pritet rezultati i identifikimit.

Me uljen e temperaturave, mjekët ligjorë kanë ndërprerë gërmimet, për t’i vazhduar ato në muajin mars.

Drejtori i Mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu thotë për KosovaPress se pjesa ku dyshohet për varrezë masive në Kizhevak të Serbisë është konzervuar dhe mbuluar në mënyrë që deri atëherë të mbrohet nga kushtet atmosferike.

“Me gjetjen e mbetjeve kockore më 16 nëntor u deshtë të kryen disa çështje teknike dhe të improvizohet puna në vend, janë vendosur tendat, salla e autopsisë, kontejnerët, është punuar për dy javë pandërprerë, janë tërhequr diku rreth pesë trupa, pesë individë numri minimal, kurse pjesa tjetër është konservuar në bazë të standardeve me pesë shtresa gjeoplastike dhe mbi krejt atë teren është vendosur një çati në mënyrë që të mbrohet nga kushtet atmosferike sepse është vend malor afër qendrës së skijimit në atë pjesë të Kopaunikut dhe bie shumë borë”, thotë Gërxhaliu.

Pas Kizhevakut, ekspertët pritet t’i qasen terrenit në një tjetër lokacion, gjithashtu në territorin e Serbisë. Ata do të gërmojnë në Shtaval, gjithashtu një minierë.

“E kemi vizituar edhe vendin e dyshuar në bazë të informacioneve në Shtaval të Sijenicës, gjithashtu minierë, vend në të cilin janë hedhur mbeturinat e minierës. Pasi të përfundojë Kizhevaku vitin e ardhshëm nuk do të kthehemi fare por do të vazhdojmë në Shtaval që të vazhdojmë kontrollin edhe të Shtavalit që ekziston dyshimi se mund të ketë varrezë masive edhe aty”, thotë ai.

Përveç në Serbi, vitin e kaluar është gërmuar edhe në varrezat myslimane në veri të Kosovës, Suriganë, Polanë e Stanaj, ndërsa në fund të vitit ka pasur gjetje në varrezat civile në Rahovec dhe në Prizren.

Por në këtë proces sfidë mbetet çështja e informacioneve ku Serbia nuk tregon lokacionet e varrezave masive.

“Sfidë është mungesa e informacioneve të besueshme dhe mungesa e informacioneve të besueshme ndërlidhet edhe me mungesën e bashkëpunimit të mjaftueshëm për shkak se në kuptimin e dialogut ose komunikimin në mes komisioneve megjithatë ka një bashkëpunim mes komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës, pra delegacionit të Kosovës, dhe atij të Serbisë, megjithatë është me rëndësi që çështja në komunikim edhe me partnerët ndërkombëtarë të vazhdojë të trajtohet si çështje me prioritet të veçantë”, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.

Ndërsa organizatat që merren me të drejtat e njeriut po kërkojnë që çështja e personave të pagjetur të trajtohet si çështje humanitare.

Kryetari i Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, Behxhet Shala thotë se kjo çështje është shndërruar në politik.

“Nuk ka pasur lëvizje në çështjen e personave të pagjetur për faktin se kjo është shndërruar në çështje politike dhe nuk po trajtohet si çështje e të drejtave të njeriut dhe çështje humanitare, janë afër 1650 persona të pagjetur pjesa dërrmuese janë shqiptarë. […] Tash që është zbuluar një varrezë në Kishevak të Serbisë është më tepër që Serbia e ka bërë për shkak të presionit të madh që është bërë brenda Serbisë në mënyrë që ta zbulonin një varrezë por t’i fshihnin ndoshta edhe 50 varreza të tjera. Serbia thjeshtë po luan me fatin e të pagjeturve, po luan me varrezat duke e shndërruar në një monedhë llogaritje se sa mund të përfitojë ose humb politikisht dhe në bazë të asaj edhe veprimet”, thotë ai.

E drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj thotë se Serbia duhet të kushtëzohet sa i përket kësaj çështjeje.

“Serbia i di vendet saktë ku janë varrezat masive mirëpo ato informacione po i nxjerr kohë pas kohe kur po i nevojitet për poenë politikë. Definitivisht është dashur që Serbia të kushtëzohet që t’i nxjerrë këto informacione, që ta trajtojë këtë çështje si humanitare e jo politike në asnjë mënyrë. […] Praktika po tregon që nuk është trajtuar si çështje humanitare sepse informacionet për varrezat masive janë mbajtur peng për më shumë se 20 vjet”, thotë Blakaj.

Por, sipas tij, pala kosovare nuk ka ndonjë mekanizëm që të kushtëzojë Serbinë, vetëm nëse këtë mund ta bëjnë ndërkombëtarët.

E Bajram Qerkinaj thotë se Qeveria e Kosovës duhet të insistojë që mos të ecë tutje në asnjë diskutim tjetër me palën serbe derisa kjo e fundit nuk i tregon lokacionet me trupat e civilëve shqiptarë.

“Është mëkat shumë i madh që Qeveria mos të ketë një plan konkret, mos me ngul këmbë, me thënë zotëri, boll ke ma, është e tepër 21 vjet, ne themi varrezë masive ku janë 2 vetë e më tepër, këta i kanë marrë nga 100 vetë e me thënë nuk e di ku i kam lënë. Mos sepse është lojë e madhe, po luani me shpirtëra të cilët familjarët shkuan, por gjaku i fëmijëve ka me i ndiku”, thotë Qerkinaj.

Ndërkohë gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se çështjen e të pagjeturve Qeveria e ka pasur në rend të parë.

“Kemi bërë të pamundurën në këtë drejtim, duke e vendosur këtë temë në rend të parë, ku e kemi emëruar një person i cili e ka dinamizuar komplet këtë proces, sigurisht me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për një çështje kaq të ndjeshme”, ka thënë Hoti para familjarëve të personave të pagjetur në Krushë gjatë një vizite në fund të vitit të kaluar.

Në anën tjetër, ish-ministri i Jashtëm, tash kryetar Kuvendi në Serbi, Ivica Daciq, publikisht kishte kritikuar serbët që mund të bashkëpunojnë me shqiptarët rreth zbulimit të varrezave masive në Serbi. /express/ KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, përkujton aktivistin e çështjes kombëtare Abaz Kupi

Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot ushtarakun dhe aktivistin e çështjes kombëtare, Abaz Kupi.

Abaz Kupi  i lindur më 6 gusht 1892 në lagjen Varosh të Krujës, i njohur dhe si Bazi i Canës (Abazi i Hasanit), ishte ushtarak dhe aktivist i çështjes kombëtare gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në ditët e zbarkimit të fashistëve italianë në vendin tonë, më 7 prill 1939,  udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit (1932-1939), qëndresë e cila zgjati 36 orë dhe e shndërroi atë në një ikonë.

Me pushtimin e Shqipërisë u largua në Stamboll dhe në qershor të vitit 1939 familja e tij u internua në Himarë. Rikthehet në atdhe me përkrahjen e ambasadës angleze në Beograd për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit bashkë me të vëllanë, Ibrahimin, gjë që e bëri me shpenzimet e tij.

Ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 si dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. U bë gjithashtu nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

Kur Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar. Më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që mësynte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e Partisë Komuniste urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit.

Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu nëpërmjet një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, bashkë me dy bijtë e tij Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga. Udhëtuan për 6 ditë pa ushqim e pa ujë derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë. Pjesa tjetër e familjes qëndroi në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas në kampet e internimit të Myzeqesë.

Në emigracion u mor me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik e më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me president Mit’hat bej Frashërin.

Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin “Valuable” (organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri). Në 1968-ën zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara ku më vonë ndërron jetë më 9 janar 1976 në New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens. /ata/ KultPlus.com

Pamje marramendëse të kapura nga hapësira

Këto fotografi mahnitëse janë realizuar nga astronautët e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Ato janë vlerësuar nga Nasa si imazhet më të mira të Tokës për vitin 2020.

Fotografitë tregojnë disa nga vendet më të bukura të planetit, Parisin gjatë natës, ishujt Karaibe dhe Liqenet e Mëdha të Amerikës së Veriut. Po ashtu, imazhet zbulojnë kushtet dramatike atmosferike, retë që vërtiten mbi Sahara dhe stuhitë e pluhurit që shpërthejnë mbi Amerikën e Jugut dhe Mesdhe. /express/ KultPlus.com

Një shqiptare mes 11 më të mirëve në fushën e Inteligjencës Artificiale

Sindi Shkodrani është vajza shqiptare që është përzgjedhur mes 11 më të mirëve në fushën e inteligjencës artificiale që duhet ndjekur në vitin 2021.

Sindi aktualisht është “truri” i zhvillimit të teknologjisë në kompaninë holandeze “TomTom” në Amsterdam si inxhiniere e mësimit të makinerisë/vizionit kompjuterik- Autonomus Driving R&D.

Ajo ka përfunduar studimet master shkencor në Inteligjencën Artificiale nga universiteti i Amsterdamit në vitin 2017. Për më tepër, e reja shqiptare është anëtare e Grave në fushën e Inteligjencës Artificiale në Holandë që prej fundit të vitit 2018.

Dy universitetet kryesore të Amsterdamit kryejnë tashmë një program të përbashkët master për Inteligjencën Artificiale. Përveç kësaj Shkolla e Amsterdamit e të Dhënave Shkencore e cila është një bashkëpunim mes katër universiteteve kërkimore dhe shkencës së aplikuar, ofron mbi 250 programe të orientuara në të dhënat shkencore.

Inteligjenca artificiale është e vendosur të përcaktojë teknologjinë e të ardhmes siç janë veturat që drejtohen vetë apo dhe robotët e kujdesit shëndetësor. /dp/ KultPlus.com

Spikerja e parë në TVSH: Televizioni ka qenë ferri dhe parajsa ime

Spikerja, gazetarja dhe redaktorja e parë në ekranin shqiptar rrëfen se si u ngrit televizioni eksperimental. Ndërrimi i disa drejtorëve dhe pse Thanas Nano ngeli më i veçanti prej tyre. Martesa me djalin nga Berati dhe lidhja shpirtërore me Xhemi Shehun

Është dëshmitare e 4 dekadave në Televizionin Shqiptar. Që nga lindja e tij si ekran eksperimental, ekipet e punonjësve shqiptarë e të huaj, ndryshimet e drejtorëve e deri te prapaskenat për kontrollin e lajmeve. Por, të gjitha këto e kanë një fillim. Data 29 prill. Viti 1960. Ora 18:10 minuta. Një vajzë e bukur brune, krejt natyrale, përveç një buzëkuqi të lehtë, u shfaq befas në ekran, duke thënë: “Të dashur telespektatorë, mirëmbrëma! Qendra eksperimentale e Televizionit Shqiptar, filloi sonte për herë të parë programin e saj”.

Për herë të parë… Kështu funksionoi Televizioni Shqiptar bardhë e zi. Po për herë të parë, Stoli Beli doli në ekran, duke u bërë kështu spikerja e parë në televizion, ashtu siç u bë më pas edhe gazetarja e parë, redaktorja e parë dhe regjisorja e parë. Dhe, të parët hyjnë në histori, copëza të së cilës Stolia i rrëfen për gazetën “Panorama”. Është një jetë në ekran që nis me rroba borxh, për t’u bërë më pas VIP, atëherë kur VIP-i nuk dihej ende se ç’ishte. Publiku e adhuronte, kolegët e përgëzonin, personalitetet e respektonin, ndërsa meshkujt… e ngacmonin. Edhe vetë Stolia e pranon se ka qenë si magnet për meshkujt, të cilët e prisnin në radhë teksa dilte nga puna dhe i kërkonin për ta shoqëruar. Megjithatë, ajo nuk zgjodhi asnjë nga ata, por Xhevdetin, një djalosh nga larg, mësuesin e Beratit që për ta transferuar më pas në Tiranë, u desh të ndërhynte drejtori i Televizionit, Thanas Nano. Por prisni, ta marrim rrëfimin nga fillimi, sepse para Thanasit, në vitin 1960, ishte një tjetër drejtor, Petro Kita. Ai e thirri në zyrë Stolinë dhe i tha diçka të rëndësishme …

Çfarë ju tha?

Hyra në zyrën e drejtorit Petro Kita dhe një parandjenjë më thoshte se do të dëgjoja diçka lidhur me risinë e fundit, televizionin. Petro Kita më priti me dashamirësinë e tij karakteristike dhe hyri drejt e në temë. Më tha që duhet të rregullohesha dhe të bëhesha më e bukur se kurrë, pasi isha zgjedhur për të hapur programin e natës së parë të qendrës televizive.

E prisnit këtë ofertë?

Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje që jeta do të më kishte ofruar privilegjin e madh që të isha folësja e parë e ekranit të vetëm televiziv në Shqipëri. Dhe jo vetëm, për shkak të rrethanave, u bëra gazetarja dhe redaktorja e parë e televizionit. U hutova. Zemra më rrihte fort nga emocionet, më kishin zgjedhur mua. Dhe e merrja me mend që nuk bëhej fjalë vetëm për pamjen.

Për çfarë tjetër?

E rëndësishme ishte që të flisje bukur. Të ndaje fjalët, t’u jepje tonin e duhur, të dije t’u drejtoheshe njerëzve. Falë mikrofonit të Radio Tiranës, këto cilësi nuk më mungonin. Nuk arrija dot të flija. Ishte një sfidë e madhe, të cilën duhet ta fitoja si për veten, ashtu edhe për ata që besonin te unë. Ndërkaq, më lindi edhe një problem…

Çfarë problemi?

Veshja. Inxhinierët gjermanë më sugjeruan që patjetër të vishja diçka të verdhë, si më e përshtatshmja ngjyrë për transmetimin bardhë e zi. Unë nuk kisha dhe fillova të mendohem se ku mund të gjeja. U nisa me vrap te hotel “Dajti”, ku në lokal gjeta disa gra. Para se të arrija aty, kisha rregulluar flokët si mundja më mirë dhe kisha blerë një buzëkuq të lehtë, të cilin e kisha vënë. Kështu që, sa arrita te lokali, njëra nga gratë u çudit dhe më pyeti nëse kisha ndonjë dasmë, që isha krehur dhe lyer buzët. Si e zënë në faj, i thashë që jam zgjedhur për të hapur programin në televizion. Në atë moment, gratë u kthyen të gjitha menjëherë dhe të çuditura përsëritën: “Televizioniiit”???. Tunda kokën në shenjë pohimi. Atëherë njëra prej tyre më komplimentoi: “Pikës i kanë rënë, se je edhe e bukura e dheut”. Unë u skuqa dhe duke e falenderuar, mërmërita gjithë emocion: “Më kanë thënë që mund të jesh e bukur, por ekrani nuk të nxjerr gjë”. Por gratë më dhanë kurajo, duke më thënë që “do dilja yll, e mos ta vrisja mendjen”, dhe ndërkohë më gjetën edhe një bluzë të verdhë. Kur po kthehesha sërish për në punë, me dhjetëra punonjës të radios më prisnin jashtë ndërtesës dhe më uronin gjithë dashamirësi, a thua se po shkoja në ndonjë betejë. Apo ishte vërtet e tillë?

Ma thoni ju këtë…

Ishte, sepse me atë çfarë do të bëja atë natë, do të hyja në histori.

Dhe çfarë bëtë?

29 prill 1960, ora 18.10 minuta. Në ekran doli një tekst i vogël katror, që shoqërohej me muzikë. Më kishin ulur në një karrige modeste. Para meje kishin vënë kamerën e vetme dhe dy prozhektorë të mëdhenj, drita e të cilëve më binte mbi fytyrë dhe më bezdiste, aq sa më shkaktonte përpëlitje sysh pa fund dhe mezi u mësova. Rreth meje qëndronin si të ngrirë dhe në ankth ata pak njerëz që punonin aty. Krejt natyrale, përveç një buzëkuqi, po shihja kamerën me pak buzëqeshja dhe ndërkohë dridhesha nga brenda prej emocioneve. Pas pak, dëgjova urdhrin: “Fillo!”. Dhe unë fillova…

Si filluat?

Të dashur telespektatorë, mirëmbrëma! Qendra Eksperimentale e Televizionit Shqiptar, fillon sonte për herë të parë programin e saj. Së pari, filmi për fëmijë: “Cirku i arinjve”, një koncert nga kompleksi i ushtrisë, një dokumentar mbi artistin e madh shqiptar, Aleksandër Moisiun dhe filmi artistik “Vollga, Vollga”. Ja pra, këto ishin fjalët e fillimit, ndërsa në ekran u shfaq më pas filmi për fëmijë. Nga ky moment nisi vrapimi im sa në Radio e sa në Televizion, deri në çastin që më thirrën në zyrën e drejtorit të ri.

Që ishte?

Thanas Nano. Ai zëvendësoi Petro Kitën. Thanas Nano nuk kishte shumë që kishte ardhur, por shquhej për zotësi, kulturë të gjerë dhe korrektësi.

Për çfarë ju thirri në zyrë?

Ai ma tha me shumë delikatesë që të kaloja me kohë të plotë në televizion: “Stoli, ti e kupton vetë që, “foshnja” që erdhi në jetë më 29 prill, ka nevojë të rritet e të forcohet. Kjo kërkon që t’i përkushtohemi shumë. Për këtë, kemi menduar që të kalosh në televizion, si punonjëse me kohë të plotë”. Ai tha “kemi menduar”, por unë e kuptova që kjo gjë tashmë ishte vendosur. Isha caktuar që të punoja me kohë të plotë jo vetëm si spikere e ekranit, por edhe si gazetarja dhe redaktorja e parë e Televizionit Shqiptar, po ashtu edhe si krijuese e emisioneve.

Sa drejtorë keni ndërruar gjatë 40 viteve punë në TVSH?

E ku numërohen ata, iknin e vinin, por unë kam qenë aty…

A ju kontrollonin tekstet apo programet para transmetimit?

Sigurisht. Kontroll i rreptë. Në televizion u krijua dhoma e kontrollit. Aty shiheshin të gjitha. Për shembull, në emisionin e fundit timin, “Muzikë për të gjithë”, duhej teksti, gjeografia e muzikës, këngët etj. Mirëpo, në dhomën e kontrollit më thoshin, duhet të heqësh atë që ka vath, që ka rruaza të mëdha, që ka manikyr shumë, që ka tualet shumë… Pra, në këto ekzagjerohej kërkesa, ndaj kur futesha në montazh, e kisha tmerr.

Duke qenë se fillimisht nuk kishit përvojë në ekran, kush ju mësonte?

Asnjeri. Çdo gjë më duhej ta bëja për herë të parë. Ta krijoja vetë. Të provoja dhe guxoja vetë. Pra, nxënësja dhe mësuesja mbanin emrin tim, Stoli Beli. Ndaj, kur shfaqesha përnatë në ekran, ishte sikur kisha çdo mbrëmje provim. Edhe pse punoja pa fund me shumë pak njerëz dhe teknologji të vjetruar, sërish dilnin të papritura nga më të çuditshmet, sado e organizuar të isha.

Për shembull, një episod të këtij tipi?

Po kujtoj një episode me një personazh që është aktual. Vendosëm të organizonim konkursin e historisë, me pjesëmarrjen e gjimnazistëve të Tiranës. Pyetjet u përpiluan nga historian Selim Islami dhe konkursi u drejtua nga Kiço Fotiadhi. Ndër të tjerë, ishte parashikuar që të vinte edhe aktori Timo Flloko për të recituar poezinë “Për Skënderbeun”. Minutat kalonin, por ai nuk po dukej gjëkundi. Nuk po më mbante vendi. Mendoja më të keqen, që mbase ai nuk do të vinte dhe me çfarë ta zëvendësoja, por ç’mund të bëja në një rast të tillë ku transmetimi ishte direkt… Më kujtohet si sot, sa shumë shi binte jashtë dhe ishte një mbrëmje krejt e zymtë. Nuk kisha luksin të mendohesha gjatë. Rrëmbeva një çadër gjysmë të prishur dhe u nisa drejt Institutit të Arteve. E lagur komplet, hyra në sallën ku regjisorja Drita Agolli po zhvillonte provat dhe pa e përshëndetur, direkt u përkula duke e parë me sy lutës: “Ju lutem shumë, më jepni Timo Fllokon, se po i vjen radha. Nuk kam më kohë…!”. Sytë habitës në sallë ishin të gjithë mbi mua dhe atëherë e kuptova se duhej të sqaroja situatën. Në pak minuta, dolëm që të dy me Timon dhe ia futëm vrapit për në televizion, ku arritëm të kapnim transmetimin në kohë rekord. Këto lloj episodesh janë ferri televiziv i transmetimit televiziv dhe unë kam qenë në Ferr.

Po në Parajsë, ke qenë?

Hahahaha. Televizioni ka qenë dhe Ferri dhe Parajsa për mua. Më ka lodhur shumë, por edhe më ka lumturuar.

A kishte rreth e rrotull kësaj “ferr-parajse” meshkuj që të vinin vërdallë?

Drejt të them, kam qenë si magnet për meshkujt. Isha shumë e lakmuar, si për pamjen, punën, por edhe për edukatën time. Pra, normalisht, në skedarin e fansave, sigurisht kishte edhe djem të rinj, të cilët prisnin me durim para televizionit që unë të mbaroja punë dhe të dilja. Natyrisht, ata nuk kishin kërshërinë që të dinin se si ndodhte mrekullia e transmetimit televiziv. Ata nuk përtonin të më bënin komplimentet e rastit dhe ndonjë më guximtar kërkonte të më shoqëronte, duke më ofruar miqësinë e tij. Djemtë atëherë ishin të sjellshëm, të matur, por ajo çfarë mund të bëja unë për ta, ishte vetëm që t’i përshëndesja me mirësjellje e të nxitoja më pas për në shtëpi. Koha dhe gjithçka e imja i përkiste televizionit.

Megjithatë, ju zgjodhët ndonjërin prej tyre?

Jo, unë zgjodha dikë që nuk ishte asnjëri prej tyre. Një kolegia ime i kishte folur shumë një gjitoneje të saj për mua. Dhe kjo gjitone, kishte një kushëri në Berat që këmbënguli të ma prezantonte. Kështu, djali nga Berati, i cili ishte mësues i rusishtes atje, pas 4 takimesh, u bë i fejuari im.

Dhe ju u transferuat më pas te ai, në Berat?

Lëre, lërë, se kjo është histori më vete, kam kaluar shumë stres në atë periudhë.

Problemi është se nuk e lëmë dot…

Dakord, problemi ishte se Tirana ishte e stërmbushur me kërkesa për të punuar si mësues. Të gjithë lakmonin kryeqytetin. Edhe i fejuari im, bëri kërkesën, por nuk ia miratonin. Me qindra mësues zinin radhën para Komitetit Ekzekutiv dhe teksa i shihja ashtu, po më iknin shpresat. Kështu, një ditë, teksa po hyja në punë, më thërret sekretarja e Thanas Nanos dhe më jep lajmin që ai i kishte bërë një shkresë zyrtare Beratit dhe Komitetit Ekzekutiv, kështu që Xhevdeti do të transferohej në Tiranë. Ky ishte një lajm shumë i madh për të dy dhe pas kësaj historie, bëmë dhe dasmën.

Edhe fëmijët më pas?

Fatkeqësisht, kam qenë me probleme me shëndetin dhe nuk kemi pasur dot fëmijë. Megjithatë, ky nuk ka qenë problemi ynë më i madh. Unë dhe Xhevdeti mendojmë të dy që njeriu lind në radhë të parë për veten, pastaj për riprodhim. Një mik i mirë dhe një punë e mirë, janë të mjaftueshme për jetën.

A ishin këto probleme shëndetësore, prej të cilave ju filluat ngadalë që të “braktisnit” ekranin?

Jo shëndeti, por ngarkesa e punës më pengonte të dilja si spikere në televizion dhe nisi nevoja të përgatisja folëse të reja. Më kujtohet Katerina Gashi, Heroina Deliu, Valdete Aliaj, Zerina Kuke, Afërdita Haveri, Luiza Papavangjeli, Fatbardha Kraja, Rajmonda Beli Gjençaj, Luljeta Laçi, Silvana Braçe etj. Pastaj, mosha po bënte të vetën. Dalëngadalë karrierës sime të gjatë po i vinte fundi. Drejtori i televizionit, një djalosh i ri, me kulturë më thotë një ditë, që kur të dalësh në pension, do të mbledh kolektivin, do të festojmë dhe do të mbajmë një fjalim shumë të bukur… Dola në pension, dola shumë shpejt, por dola pa asnjë lloj ceremonie, sikur aty të kisha qenë një punonjëse e thjeshtë, e mbërritur aty part-time, që nuk dihet se nga ku…

Ky është zhgënjimi yt më i madh?

Ndoshta nuk do ta besoni dot këtë që do të them, por zhgënjimi i gjithë jetës sime është mospasja e një shtëpie për të qenë, pasi po jetoj në mes lagështirës në këtë gjysmë bodrumi. Ndërkaq, më sëmbon në zemër, mosdhënia e titullit të premtuar “Mjeshtre e Madhe e Punës”, në 50-vjetorin e krijimit të TVSH-së. Mund të them që drejtues të RTSH-së më kishin përgatitur që do ta merrja këtë titull. S’di pse më gënjyen. Jam shumë e ofenduar. Kurrë nuk kam parë rrogën që kam marrë, kurrë nuk kam parë akrepat e orës… Unë e doja tani atë titull. Nuk e dua pas vdekjes. Pas vdekjes nuk ka kush e gëzon, pasi unë nuk kam lënë fëmijë, trashëgimtarë… Por, pas gjithë kësaj, dua të bëj atë që bëjnë zakonisht njerëzit optimist. Ta mbyll këtë intervistë me gëzimin e asaj dite që shënonte lindjen e Televizionit Shqiptar, kur një llambushkë e kuqe u ndez dhe unë, tek dëgjova një pëshpërimë “fillo”, artikulova fjalët “Mirëmbrëma të dashur telespektatorë”, që shënuan fillimin e një historie të re për Shqipërinë, protagoniste e së cilës do të isha dhe unë. Ndërsa tani, pas kaq e kaq vitesh, do t’ju drejtohesha me fjalët: “Të dashur telespektatorë, ju jam mirënjohëse për dashurinë dhe vlerësimin që më dhatë”.

Emisionet kryesore

“Trupi dhe shëndeti”

“Si t’i rrisim fëmijët e vegjël”

“Shkolla, familja, shoqëria”

“Muzikë për të gjithë”

“Autorë e regjisorë filmash për fëmijë”

“Autorë e regjisorë emisionesh për fëmijë” etj.

 “Xhemi Shehu, mbesa ku shoh veten”

Lidhja e Stoli Belit me prezantuesen e njohur Xhemi Shehu, shkon përtej gjakut. Sa herë që show-girl-i shfaqet në ekran, Stolisë i duket sikur sheh veten. “Është vajza e vajzës së vëllait (Moisiut), por unë e kam mbesë shpirti. Që të vogël e kam dashur shumë dhe kam ruajtur shumë kujtime nga ajo, që nga kartolinat që më ka shkruar e deri te suveniret. Xhemi me mamanë e saj, Çiljetën, vinin shpesh në shtëpinë time, ashtu si edhe unë te ato. E shihja teksa hidhte shtat dhe që atëherë e kam ndjerë që ajo do të çante në botën e artit. Drejt të them, kur e kam parë për herë të parë në ekran, kisha shumë frikë. Më rrihte zemra fort dhe emocionohesha, ndërsa tani jam krejt e sigurt te ajo. Në çdo dalje skenike të saj, më duket sikur shoh veten”, rrëfen Stolia, ndërsa në shtëpi ka ruajtur çdo copë artikulli për Xhemin, si dhe ka një album me foto të saj, letra dhe kartolina. /panorama/ KultPlus.com

Pianistja Anila Aliu fiton çmimin e parë në Festivalin e muzikës klasike në Nju Jork

Sukseset e artistëve të shumtë po vazhdojnë të na bindin se krijimtaria artistike është debutimi më i denjë që po i bëhet Kosovës, shkruan KultPlus.

Një lajm i mrekullueshëm ka ardhur nga pianistja, Anila Aliu, e cila ka fituar çmimin e parë në garën ndërkombëtare prestigjioze “Golden Classical Music Awards”.

Lajmin e ka bërë të ditur artistja nëpërmjet publikimit në facebook, teksa është ftuar nga Festivali në fjalë për të performuar me veprën “La Poule” nga Rameau.

Ky festival mbahet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com

Coco Chanel, gruaja që bëri revolucion në botën e modës

Pesëdhjetë vjet nga vdekja e saj në Paris, më 10 janar 1971, bota kujton Coco Chanel, gruan që revolucionarizoi botën e modës.

E lindur Gabrielle Bonheur Chanel, ajo urrente xhinglat e tepërta, krinolinën dhe thuprat e korseve.

Pseudonimi Coco ishte një nofkë që i mbeti pas periudhës së shkurtër si këngëtare, në moshë shumë të re, kur interpretoi këngën “Qui qu’a vu Coco?” (Kush e ka parë Kokonë).

Të braktisura nga babai i tyre, pas vdekjes së nënës, në një shkollë me konvikt të murgeshave, ajo dhe motrat e saj mësuan artin e qepjes.

Në vitin 1909, e inkurajuar nga Boy Capel, një sipërmarrës nga Newcastle dhe e vetmja dashuri e vërtetë e jetës së saj, Gabrielle hapi dyqanin e parë me kapele në Paris, gurthemeli i suksesit të saj të pandalshëm, që u vendos në rrugën “Cambon” dhe u bë Shtëpia e Modës më e famshme në botë.

Chanel  i dha fund epokës së kapeleve të kushtueshme, të mbuluara me pendë, të quajtura Pompadour, duke prezantuar kapele kashte të zbukuruara me lule të thjeshta sateni ose një pupël të vetme.

Megjithatë, prerja, qepja, thjeshtimi i veshjeve, veprimtaria e pafund e rrobaqepëses në veprim, me cigaren gjithmonë të ndezur ndër gishta, ishte pasioni i saj i vërtetë.

Dëshira e saj e vetme ishte të krijonte “veshjen e përsosur”, atë që do të revolucionarizonte historinë e kostumit të grave në fillim të shekullit XX.

Tani, 50 vjet pas vdekjes së Coco, një libër tjetër kremton historinë e saj, “Motrat Chanel”, i kushtuar tri motrave Julia-Berthe, Gabrielle dhe Antoinette, të cilat së bashku i dhanë jetë shtëpisë më të famshme të modës franceze./ata/ KultPlus.com

E kërkuan me vite të tëra, e gjetën pasi i vdiq pronari

Haski ishte roje e një shtëpie në Brezovicë. Pronari ishte i lidhur ngushtë me të.

Gjatë këtyre viteve qeni ishte vjedhur 4 herë, por pronari kishte shfrytëzuar çdo mënyrë për ta gjetur, përmes fqinjëve, rrjeteve sociale e deri tek shpalljet në gazeta dhe gjithmonë tentimet ishin të suksesshme duke e kthyer qenin në shtëpi.

Herën e fundit ‘Bigi’ kishte humbur në vitin 2019. Pronari bëri ç’mos për ta gjetur, por nuk arriti.

Sot, pas më shumë se një viti kërkim, kur ‘Bigi’ u gjetë për të 5-tën herë, pronari i tij ka vdekur. /indeksonline/ KultPlus.com

2020-a, viti i vajzave e grave shqiptare

Ndonëse ishte  vit i përballjes me një pandemi, megjithatë viti 2020 ka qenë tejet i mbarë për vajzat e gratë shqiptare, të cilat e shënuan vitin që e lamë pas me suksese të shumta, duke lënë gjurmë edhe në nivel global.

Politikë

Viti 2020 nuk ka se si të mos përmendet, kur Vjosa Osmani u zgjodh kryeparlamentare e Kosovës, duke u bërë kështu gruaja e parë në historinë e shtetit të Kosovës, që mban një pozitë të tillë.

Ajo ishte gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit në Kosovë, si dhe personi i dytë më i votuar në nivel vendi.

Suksesi i grave në politikë kaloi kufijtë kombëtarë, kur Ylfete Fanaj u zgjodh kryetare e Këshillit Kantonal, në Lucern të Zvicrës. Nuk ka se si të mos kujtohet ceremonia e veçantë e inaugurimit të saj, pasi në të përfshiu motive të prejardhjes së saj shqiptare, konkretisht përgjatë ceremonisë u këndua kënga “Moj e bukura more”.

Gentiana Fana është një tjetër grua shqiptare, e cila ndonëse e re në moshë, u bë këshilltare e presidentes së Kroacisë.

Ndërkohë, Ermina Lekaj Prljaskaj, politikane nga Kosova, fitoi mandatin e saj të tretë rresht si deputete e Parlamentit të Kroacisë, duke përfaqësuar atje komunitetin pakicë shqiptar.

Kur përmendet suksesi i vajzave e grave shqiptare në politikë, nuk mund të mos veçohet suksesi i Besiana Kadaresë. Ajo u përzgjodh zëvëndëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në sesionin e 75-të të saj.

Afërdita Bogiqi ishte e vetmja grua që gjatë vitit 2020  u zgjodh në ekzekutivin e Monthey të Zvicrës. Ajo është gruaja e parë që u bashkua me ekzekutivin e Monthey pas tetë vjetësh pa gra, shkruan AlbFem.

Shkencë & Arsim

Majat në karrierën akademike mund t’i mbërrini edhe nëse bazat e formimit i keni marrë në vende si Kosova apo Shqipëria. Këtë e dëshmon rasti i Gresa Latifit, e cila gjatë vitit 2020 u bë pegadodge në universitetin më të mirë të Gjermanisë.

Vigjilenca Abazi është një tjetër emër që arriti majat e karrierës së saj, duke botuar një libër për një nga universitetet më të mira në botë, atë të Oksfordit.

Ajo është anëtare e ‘Emile Noel’ në Fakultetin Juridik në New York dhe asistente në Universitetin e Mastrihit.

Vajzat shqiptare gjatë vitit 2020 shkëlqyen edhe në gara. Era Syla fitoi Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020.

E shumë e suksesshme u tregua edhe Qëndresa Sahiti, e cila ishte një ndër 10 fitueset e Çmimit Kombëtar të Ekselencës për të diplomuarit e vitit 2020 në Kanada.

Viti 2020 ishte shumë i veçantë edhe për Lindita Camajn.

Akademikja shqiptare u emërua “Director of Graduate Studies”, pranë Fakultetit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Houston-it.

Gjatë po të njëjtit vit, astronaturja e re kosovare, Pranvera Hyseni u bë edhe zyrtarisht pjesë e Fushatës Ndërkombëtare për Kërkime të Asteroidëve.

E gjatë muajit tetor, Shoqata Amerikane e Mjekëve Infermierë, i ka ndarë çmimin shtetëror për përsosmëri, infermieres Lindita Vinca.

Përderisa ky çmim shtetëror i ndahet çdo vit një individi i cili demonstron punë cilësore dhe angazhim në praktikën klinike, për Vincën kjo mbetet një sukses tjetër në karrierën e saj, shkruan AlbFem.

Biznes

Duke pasur në konsideratë, mijëra gra shqiptare që suksesshëm kanë udhëhequr binzese gjatë vitit 2020, po ndalemi vetëm në disa suksese që shënuan vajzat dhe gratë shqiptare në këtë vit pandemik.

Gratë shqiptare gjatë 2020-ës shënuan sukses të jashtëzakonshëm edhe në biznes. Një nga të ishte edhe Rudina Seseri, e cila në SHBA, nga Revista Entrepreneur u përzgjodh në mesin 100 grave më të fuqishme në biznes, në Universitetin Teknik të Munihut.

Ditët e para të pandemisë ishin tejet të vështira për çdo shtet, e veçanërisht për Kosovën, e për këtë ndihmë ofroi kreatorja e njohur nga Kosova, Lirika Matoshi.

Ajo mblodhi mbledhur plot 23.250 dollarë amerikanë për vetëm 4 orë, si ndihmë për familjet në nevojë në Kosovë, vetëm nga shitja e maskave që kishte prodhuar.

Ushtri

Viti 2020 duket se ishte viti më i suksseshëm për gratë shqiptare në ushtri.

Arelena Shala është shqiptarja e parë nga Kosova, që ka arritur të diplomohet në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo më parë ishte emëruar në pozitën e udhëheqëses së Komandës së Regjimentit në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka komanduar me 1100 ushtarë amerikanë.

Kurse, Antigona Kalimashi, aspirante për nënoficere të Armatës së Zvicër, ishte personi parë që nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë mori dekoratën Ribbon për kontribut te jashtëzakonshëm.

Antigona kishte shpëtuar një person pas një aksidenti me tren.

Në Akademinë Amerikane të Rreshter Majorëve, në El Paso –Teksas, gjatë vitit 2020 ka diplomuar Reshter Major Rifadie Ramadani, duke u bërë një nga shqiptarët e vetëm me këtë arritje.

Muzikë 

Viti 2020 do të kujtohet si një nga vitet më të suksesshme për vajzat dhe gratë e angazhuara në fushën e kulturës.

Kur përmendet muzika, nuk se si mos të shkojë nëpër mend emri i këngëtarës shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila vitin 2020 e bëri vit të sukseseve në karrierën e saj muzikore.

Janari i viti 2020 e gjeti Dua Lipën si një nga këngëtaret e para shqiptare që arriti t’i ketë dy miliardë klikime vetëm me një video në Youtube, përmes këngës ‘New Rules’.

Ajo u nderua me çmimin “Best British Act”, në edicionin e sivjetmë të ndarjes së shpërblimeve “Global Awards”.

Dua Lipa arriti që të rrëmbej një çmim edhe në “MTV Video Music Award 2020”, ku u nderua në kategorinë “Kënga më efektet më të mira vizuale”, për hitin e saj të padiskutueshëm “Physical”.

Lipa një dominim të jashtëzakonshëm e ka pasur edhe në ndarjen e çmimeve Grammy, ku u nominua gjashtë herë.

Albumi i saj i fundit, “Future Nostalgia” po konsiderohet nga kritikët si albumi më i mirë i vitit 2020.

Ky vit i solli suksese edhe këngëtares tjetër me prejardhje shqiptare, Rita Ora, e cila krahas sukseseve  të arritura me projektet muzikore të publikuara gjatë vitit 2020, u bë edhe anëtare e jurisë në “The Voice of Australia”/

Për më tepër, këngët e tri këngëtareve me prejardhje shqiptare u përfshinë në Top 30 këngët më të mira në botë nga revista Billboard. Këto ishin: Dua LipaBebe Rexha dhe Ava Max.

Një sukses e korri edhe këngëtarja tjetër me famë botërore, Ilira Gashi, e cila njihet për stilin e saj “pa filter” dhe për zërin e saj të mrekullueshëm. Ilira, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, tashmë edhe zyrtarisht është ndër këngëtaret më të suksesshme dhe më të dëgjuara në Zvicër, duke mbledhur plot 87.7 milionë klikime në Spotify.

Art & Film

Ky vit solli shumë suksese për krijueset e artit në Kosovë, suksesi i tyre përgjatë vitit 2020 tejkaloi kufijtë kombëtarë.

Sukseset nisën me një nga aktoret më të mira shqiptare, Ilire Vinca, e cila ishte ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit. Ajo ka një karrierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës.

Aktorja tjetër e mirënjohur nga Kosova, Adriana Matoshi fitoi çmimin “Aktorja më e Mirë” në Festivalin e Francës, për rolin e saj në filmin “Cold November” apo në shqip “Nëntori i Ftohtë”.

Gjatë muajit tetor, Matoshi ka fituar çmimin “Aktorja më e mirë”, në festivalin “Mostra de Venecia”, në Spanjë.

Antoneta Kastrati është regjisorja e njohur shqiptare, e cila me filmin “Zana”, e dërgoi Kosovën në Festivalin e Kinës. Ky film ka korrur sukses jashtëzakonisht të madh nëpër festivale ndërkombëtare të filmit, duke fituar disa çmime.

Filmi ‘Zana’ i regjisores Antoneta Kastratit, po ashtu është futur në mesin e 25 filmave më të mirë të zgjedhur nga ’48 Hills’. Sipas ’48 Hills’, në këtë listë bëjnë pjesë të gjithë filmat për të cilët ne kemi pasur nevojë më shumë se kurrë dhe të cilët janë vlerësuar nga kritikët e filmit.

Sukses të madh korri edhe regjisorja Kaltrina Krasniqi, e cila me filmin e saj të gjatë artistik “Vera andrron detin”, fitoi çmimin “Post Republic”, në Sarajevë.

Viti 2020 i solli suksese edhe aktores dhe shkrimtares shqiptare në SHBA, Erjeta Cufaj, e cila u bë pjesë e jurisë të festivalit ndërkombëtar të filmit “International Filmmaker Festival of  New York 2020” (IFFNY).

Filmi debutues i regjisores dhe skenaristes, Blerta Basholli, “Zgjoi” (Hive), është përzgjedhur në konkurrencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur, “Sundance Film Festival”, që do të mbahet gjatë këtij muaji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Viti 2020 nxori në pah shumë piktore, skulptore dhe ilustratore të reja, të cilat arritën suksese lokale e globale në këtë vit pandemik.

Një ndër to padiskutim është edhe Mimoza Rraci, e cila famë të jashtëzakonshme mori gjatë pandemisë me veprat e saj kushtuar pandemisë.

Madje, piktura e saj për mantelbardhët u bë edhe kartë postale në Tajlandë. Kjo vepër artistike shfaq një mjeke që në maskën e saj ka flamurin e Kosovës.

Së fundmi emër bëri edhe ilustratorja e re nga Kosova, Diellza Gorani, e cila vjen me emrin artistik “Diego”, që inspiruar nga Disney, solli një mori ilustrimesh të grave shqiptare që lanë gjurmë në histori, ku përfshihet emri i Norës së Kelmendit, pastaj Bareshës, etj. Për më tepër, ajo ka realizuar edhe një krijim tjetër artistik, të quajtur “Abetare e ilustruar e Prishtinës”, një minienciklopedi e qytetit, që njëherësh mund të shërbejë si një udhërrëfyes turistik, që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e kulturës së kryeqytetit të Kosovës.

Sport

Të fundit, por aspak për nga rëndësia, na vijnë sportistet tona, të cilat sikur në secilin vit tjetër, shënojnë në historinë e trojeve shqiptare suksese të jashtëzakonshme, madje edhe në nivel botëror.

Lista nuk ka se si të mos fillojë me Majlinda Kelmendin, e cila që në fillim të vitit 2020 u shpall “Sportistja e Vitit 2019” në Kosovë. Madje, asaj iu ngrit edhe një  shtatore në qytetin e saj të lindjes, në Pejë.

Ajo mori edhe epitetin “Xhudistja më e mirë e dekadës” nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Suksesi i xhudistëve nga Kosova vijon me Distria Krasniqin, e cila fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Xhudos, që u mbajt në Budapest.

Ajo në nëntor fitoi edhe medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos, që u mbajt në Pragë të Çekisë.

Në Grand Slamin e Xhudos medalje fitoi edhe xhudistja e re, Loriana Kuka, e cila fitoi medaljen e bronztë. E po të njëjtën medalje e mori edhe në Kampionatin Evropian të Xhudës, në Çeki.

Sukses pati edhe në boks, me ç’rast bokserja nga Kosova, Donjeta Sadiku arriti të fitonte medaljen e argjendtë në turneun ndërkombëtar të boksit, “Balkan”, të mbajtur në Sofje të Bullgarisë.

Kur numërojmë sukseset e futbollisteve shqiptare, Kosovare Asllani mbetet histori suksesi në vete. Ajo u bë pjesë e ekipit të Real Madridit dhe hyri në histori si golashënuesja e parë në historinë e këtij klubi. Ajo vazhdon të mbetet një nga futbollistet më të mira në ligën e Spanjës.

Viti 2020 filloi më së mbari për alpinisten e re, Mrika Nikçi, e cila u bë vajza më e re në botë, dhe atë në moshën 14 vjeçare, që ngjitet në majat më të larta në shtatë kontinente, të njohura si “Seven Summits”.

Urojmë që viti 2021 të jetë po kaq i suksesshëm sikurse ai paraprak./AlbFem/ KultPlus.com

“Ai nxitonte të dashuronte, shkruante dhe s’kishte kohë as të vdiste”

Shkruan Visar Zhiti

Ka një shplodhje ndryshe, me pak mister, të shkosh një pasdite në një shtëpi të heshtur, ku nuk të pret askush, që është dhe e mbyllur, pa njerëz brenda. Heshtje e thellë dhe dëgjon hapat e tu si të një tjetri.

Po ç’kërkon? Rastësia të solli? Dhe zbulon se je nisur herët, nga kohë të tjera e vend tjetër i largët për të mbërritur këtu, sa për një çast, që është sa një pêrjetësi.

– Je në shtëpinë e Heminguejit, – i them vetes, – të fëminisë së tij, ku ai nuk u kthye më.

Siç duket, askush nuk kthehet dot te fëminia e vet. Aq më tepër ai që ishte aq i zënë dhe i ngarkuar, shkoi në Europë, në dy luftrat botërore, në luftën civile të Spanjes, në gjuetinë e luanëve në Afrikë, etj, etj.

U plagos, ra nga avioni, u ngjall prapë, nxitonte të dashuronte, mbi të gjitha ai shkruante dhe s’kishte kohë as të vdiste, prandaj dhe vrau veten…Unë prapë dyshoja se brenda shtëpisë duhej të ishte ndokush, që s’e hapte derën, që s’duronte llafet e botës, gazetat, televizorin, gëzimet e shterpëta, dëshpërimet e kota, atë ego kryeneçe dhe fyerjet aspak artistike.

Oligarkinë e dhunës. Tjetër?…Brenda në shtëpi duhej të ishte ndokush, i padukshëm. Pas xhamit të dritares m’u bë se dallova një shpirt. Prandaj shkëlqente si nga drita e fundit e diellit. Si kishte ardhur on-line, me ç’zoom?…Dhe e kuptova, shtëpitë kanë shpirt, ndryshe nga të njerëzve prej dhe nga e marrin një pjesë, pa atë lëndën e mishtë të realitetit që i bën dhe të pa mëshirshëm.

Sa mirë që e gjeta mbyllur kësaj here këtë shtëpi. Dhe s’kish pse e sulmoja siç bënë me Kapitolin. Heminguejin e pashë siç desha, si shpirt, më të bukur se i shumë e shumë të gjallëve. Nuk e kam fjalën për fjalët e tyre e të miat. / KultPlus.com

2020-shi, viti më i nxehtë në historinë e botës

Shkencëtarët kanë thënë se nivelet e papritura të nxehtësisë në Arktik dhe në Siberi janë faktorët kryesorë për ngritjen e temperaturës së përgjithshme.

Gjatë 12 muajve të kaluar u thye edhe një rekord i ri në Evropë, pasi ky kontinent ishte 0.4 gradë celsius më nxehtë sesa gjatë vitit 2019

Londër, 8 janar (Reuters) – Të dhënat më të fundit nga satelitët evropianë kanë treguar se viti 2020 ka hyrë në statistika, bashkë me 2016-n si viti më i nxehtë në botë.

Shërbimi i Kopernikut për Ndryshimet Klimatike ka njoftuar se viti i kaluar ka qenë rreth 1.25 gradë celsius më i nxehtë se shkalla mesatare.

Shkencëtarët kanë thënë se nivelet e papritura të nxehtësisë në Arktik dhe në Siberi janë faktorët kryesorë për ngritjen e temperaturës së përgjithshme. Gjatë 12 muajve të kaluar, u thye edhe një rekord i ri në Evropë, pasi ky kontinent ishte 0.4 gradë celsius më nxehtë sesa gjatë vitit 2019.

Dhjetorin e kaluar, Organizata Botërore e Meteorologjisë kishte parashikuar se 2020-a do të jetë njëra prej tre vjetët më të nxehtë që është regjistruar. Ky raport i ri dhe më i plotë nga Shërbimi i Kopernikut bën të ditur se viti që lamë pas e kryeson listën.

Të dhënat e Kopernikut merren nga një plejadë e satelitëve të Sentinelit që e monitorojnë Tokën nga orbita.

Të dhënat rreth temperaturave nga ky sistem kanë treguar se viti 2020 ishte për 1.25 gradë celsius më i nxehtë sesa temperatura mesatare të regjistruara gjatë viteve 1850-1900, periudhë kjo kohore që përshkruhet si “paraindustriale”.

Një faktor kyç që po ndikon në ngritjen e temperaturave është nxehtësia që ka pushtuar Arktikun dhe Siberinë. Në disa vende të kësaj pjese, temperaturat gjatë vitit ishin në përgjithësi 6 gradë celsius më të larta se mesatarja.

Kjo ngrohje e jashtëzakonshme ka prodhuar një valë zjarresh aktive. Zjarret në Rrethin e Arktikut liruan sasi rekorde të dyoksidit të karbonit gjatë më shumë se një të tretës së vitit 2019, ka treguar studimi.

Shërbimi i Kopernikut ka nxjerrë përfundimin se përderisa viti 2020 ishte margjinalisht më i ftohtë sesa 2016-a, dy vjetët sipas statistikave, qëndrojnë në të njëjtin nivel pasi dallimet e shifrave te të dy vitet janë më të vogla sesa dallimet tipike të gjetura në të dhënat e temperaturave për periudhën e njëjtë. Javën e ardhshme ose ditët në vijim do të publikohen më shumë të dhëna rreth temperaturës së vitit 2020 nga agjencitë e tjera, si “Nasa” dhe “UK Met Office”.

Shkencëtarët kanë thënë se ngjashmëria mes dy vjetëve është edhe më e jashtëzakonshme, kur merren parasysh ndikimet e cikloneve “El Niño”/”La Niña”.

Viti 2016 ishte ngrohur më shumë nga një ngjarje e fortë e quajtur “El Niño”, kurse viti 2020 u ftoh pak nga “La Niña” në gjysmën e dytë të vitit.

Në Evropë gjithashtu pati një rekord të ri të nivelit të ngrohjes për vitin, 0.4 gradë celsius më i ngrohtë sesa viti 2019. Një valë e madhe e të nxehtit në korrik dhe gusht ishte faktor i rëndësishëm për ta rritur merkurin përreth kontinentit.

Globalisht, periudha 10-vjeçare nga viti 2011 deri në 2020 ishte dekada më e ngrohtë, ku gjashtë vjetët e fundit ishin më të ngrohtit që janë regjistruar.

“Viti 2020 do të njihet për ngrohjen e jashtëzakonshme në Arktik dhe një numër rekord të stuhive tropikale në Atlantikun Verior”, ka thënë Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit të Kopernikut të Ndryshimit Klimatik.

Nuk është e befasishme se dekada e kaluar ishte më e ngrohta që është regjistruar deri më tani dhe është një faktor tjetër që na e rikujton urgjencën për t’i ulur emetimet në mënyrë që të parandalohen ndikimet e tjera klimatike në të ardhmen”.

Gjersa një dukuri e fortë si “La Niña” mund t’i ulë temperaturat pak më 2021, niveli i dyoksidit të karbonit në atmosferë ka gjasa të mbetet i lartë, që do të kontribuojë në ngrohjen e vazhdueshme.

Të dhënat e reja nga “UK’s Met Office” sugjerojnë se përqendrimi mesatar i dyoksidit të karbonit do t’i arrijë nivelet që janë 50 për qind më të larta sesa ato që ishin para revolucionit industrial.

Studiuesit parashikojnë se përqendrimi mesatar vjetor i dyoksidit të karbonit në stacionin e regjistrimit “Mauna Loa” në Hawai do të jetë rreth 2.29 njësi për një milion më i lartë në vitin 2021 sesa më 2020.

Pavarësisht ngadalësimeve globale të shkaktuara nga pandemia COVID-19, shkencëtarët kanë thënë se kjo rritje po udhëhiqet nga emetimet që vijnë nga përdorimi i karburanteve fosile dhe nga shpyllëzimi. Pasi modelet e motit janë të lidhura me ngjarjen “La Niña” mund të shkaktojnë rritjen e pyjeve tropikale dhe mund ta rrisin sasinë e gazit që është absorbuar, kjo nuk do të mjaftojë për ta ngadalësuar ngritjen e përgjithshme.

“The Met Office” ka thënë se dyoksidi i karbonit do të rritet për 417 njësi për një milion në atmosferë gjatë disa javëve nga prilli deri në qershor. Kjo shifër është 50 për qind më e lartë sesa niveli prej 278 pjesë për milion që ishte në shekullin 18, pasi veçse kishte filluar aktiviteti i gjithanshëm industrial.

“Shtimi i dyoksidit të karbonit në atmosferë, i shkaktuar nga njerëzit, është duke u përshpejtuar”, ka thënë profesori Richard Betts nga “Met Office”.

“U deshën mbi 200 vjet që nivelet të rriteshin për 25 për qind, por tani për vetëm 30 vjet më vonë po i afrohemi rritjes prej 50 për qind”, ka thënë ai. “Për sprapsur këtë trend dhe për ta ngadalësuar rritjen atmosferike të dyoksidit të karbonit do të duhet që të ulen emetimet globale dhe për t’i sjellë ato në këtë pikë duhet që emetimet globale të shkojnë deri në zero. Kjo duhet të ndodhë brenda 30 vjetëve të ardhshëm nëse ngrohja globale do të kufizohet në 1.5 gradë celsius”. /Koha/ KultPlus.com

Organizata QIKA: Të angazhohen më shumë gratë në politikë

Organizata jo-qeveritare, QIKA, ka kërkuar nga përfaqësuesit politik përfshirjen e grave në skenën politike, në kohën kur vendi do të shkojë në zgjedhje.

Në mesin e kërkesave ka qenë që përveç kuotimit gjinor, gratë të përfshihen më shumë në listat e kandidatëve.

Angazhimi i grave në jetën politike është ndër betejat e domosdoshme në luftën për barazi e drejtësi shoqërore. Ky angazhim, i strukturuar edhe përmes partive politike, kërkon rritje të pjesëmarrjes së grave në zgjedhje dhe organizim. Në anën tjetër, po aq të rëndësishme janë qëndrimet partiake për barazinë gjinore e sociale. Nga e kaluara dimë që subjektet politike kanë bërë minimumin në këtë drejtim, dhe kjo ka qenë sa zhgënjyese aq edhe revoltuese.

Ne kërkojmë nga partitë garuese në këto zgjedhje që para dhe gjatë këtij procesi politik të kenë parasysh këto çështje:

• Aktualisht shumica e përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë burra. Organizimi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve janë tepër të rëndësishme dhe përjashtimi i grave nga ky proces është shkelje e rëndë. Partitë politike duhet që të angazhojnë sa më shumë vajza dhe gra si vëzhguese dhe komisionere. Nuk ka zgjedhje të drejta kur organizimi i tyre përjashton një grup shoqëror.

• Partitë politike duhet me çdo kusht të tejkalojnë kriterin ligjor që përcakton minimumin e përfshirjes së grave në lista zgjedhore. Fakti që asnjëherë të vetme nuk kanë kaluar 30 përqindëshin e kushtëzuar nga ligji, tregon mjaft për mungesën e përkushtimit të tyre në këtë çështje. Nuk ka listë të duhur nëse nuk ka barazi brenda.

• Vetëm një numër i vogël i grave në Kosovë janë të punësuara. Ngjashëm keq qëndron puna edhe me trashëgiminë e pronës. Gratë kandidate për deputete janë të pabarabarta ekonomikisht me burrat kandidatë. Partitë politike duhet që të kenë parasysh këtë kur ndajnë fondet për shpenzime të fushatës. Gratë duhet gjithsesi të jenë të pranishme në të gjitha materialet promovuese të partive që u takojnë. Ato kanë më pak dhe duhet të ndihmohen më shumë.

• Është e domosdoshme që në paraqitje publike gjatë fushatës të ketë sa më shumë gra politikane. Emisionet ku ulen vetëm burrat e partive dhe flasin nga pozicioni i kryefamiljarit janë të papranueshme për neve. Poashtu kërkojmë nga partitë politike që aktivitetet partiake t’i realizojnë në hapësira publike e jo në ato forma tradicionale ku gruaja nuk ka vend. Është e nevojshme që të dëgjohet zëri i grave.

• Çështjet që lidhen me barazi gjinore rrallë i kemi hasur në programet zgjedhore të partive politike deri më tani. Edhe në ato pak raste ku janë përmendur, janë trajtuar gabimisht. Në diskutimet politike duhet të dëgjojmë shpesh e shumë për shtypjen që përjetojnë gratë në Kosovë. Anashkalimi i nevojave të grave nga projektet politike është shkelje e madhe e të drejtave të tyre.

QIKA do të përfshihet në këtë fushatë zgjedhore përmes vëzhgimit, kritikës dhe analizave nga perspektiva feministe. Adresimi i çështjeve gjinore duhet të jetë pjesë e pandarë e proceseve politike. Nuk ka zhvillim shoqëror pa përfshirjen dhe angazhimin e grave! /express/ KultPlus.com

YouTube rendit 10 më të paguarit e 2020

Nga Jeffree Star te Ryan Kaji, janë “YouTube Stars” që regjistrojnë të ardhura marramendëse?

Këtu është Top 10 sipas Forbes, shkruan vanityfair.it.

Nëse ka dikush që ndër qëllimet e mira për vitin e ardhshëm ka menduar të bëjë një përpjekje për t’u bërë një Youtuber i suksesshëm, ka shumë të ngjarë që ata të kenë bërë një zgjedhje të duhur dhe fitimprurëse.

Në fakt, pas zgjedhjes së videove më të njohura të vitit 2020 të botuara drejtpërdrejt nga Google, është Forbes.com kanë hartuar renditjen e të famshmëve më të njohur dhe më të paguar në YouTube duke theksuar disa të ardhura marramendëse.

Për shembull, në vend të parë është një djalë 9-vjeçar, Ryan Kaji, i cili me 41.7 milionë abonentë ka gjeneruar 29.5 milionë dollarë, rreth 24 milionë euro me videot e tij.

Mr. Beats , në pozicionin e dytë, i cili me 3 miliardë shikime ka arritur mbi 19 milionë euro fitime ose, David Dobrik në vendin e dhjetë – me të ardhura të vlerësuara prej afërsisht 12.7 milionë euro dhe 18 milionë abonentë në kanalin e tij.

Sipas burimit, të ardhurat totale të “YouTube Stars” të pranishëm në renditje do të kishin gjeneruar të ardhura të vlerësuara prej mbi 211 milion dollarë, duke regjistruar një rritje prej 30% krahasuar me 2019, ndoshta të motivuar nga urgjenca globale që na detyroi të qëndrojmë në shtëpi.

Ja lista e më të shikuarve në YouTube:

1) Ryan Kaji
2) Mr. Beast (Jimmy Donaldson)
3) Dude Perfect
4) Rhett and Link
5) Markiplier (Mark Fischbach)
6) Preston Arsement
7) Nastya (Anastasia Radzinskaya)
8) Blippi (Stevin John)
9) David Dobrik
10) Jeffree Star./ ata/ KultPlus.com

Dua Lipa duket mahnitshëm në kopertinën e revistës “Vogue”

Këngëtarja e famshme me prejardhje shqiptare, Dua Lipa ditë më parë bëri të ditur se për herë të dytë me radhë zuri vend në revistën prestigjioze “Vogue”, shkruan KultPlus.

Tanimë ajo ka sjellur pamjet më të reja, duke postuar në Instagram një fotografi të sajën.

Dua shihet nën elegencën e të zezës, e që kjo pamje do të qëndroj në kopertinën e revistës.

Ajo po vazhdon t’i përfaqësojë shqiptarët në mënyrën më të mirë të mundshme. / KultPlus.com

Në ëmbëltoren gjermane gatuhen torta në formë shiringe

Një ëmbëltore në qytetin e Dortmundit në Gjermani po feston vitin e vaksinës kundër COVID-19 me një tortë në formë shiringe.

Nuk është hera e parë që ëmbëltorja “Schuerner’s Baking Paradise” ka shitur gjëra që simbolizojnë me gjendjen me koronavirus. Vitin e kaluar, kur njerëzit boshatisën raftet e dyqaneve nga paniku, ata krijuan torta në formë të letrave të tualetit.

Pronari Tim Kortuem ishte shqetësuar se gatimi i një shiringe të shijshme mund të ishte hap i madh.

Me vaksinimin e njerëzve në shumë shtete të botës, zyrtarët shëndetësorë shqetësohen se ankthi për ilaçet e reja për COVID-19 do të ngadalësojë marrjen e vaksinave.

“Në fillim ishim skeptikë nëse do të ishte shumë e zymtë”, tha ai, shkruan Reuters. “Por, më pas e bëmë. Sepse edhe për ata që kundërshtojnë vaksinën, është qesharake. Është një vaksinë pa efekte anësore. Dhe ti mund të kthehesh prapë të marrësh edhe një sepse është shumë e shijshme”, shton Kortuem.

Nuk ka prova se kjo tortë do të mbrojë blerësit nga koronavirusi. Në fakt, marrë parasysh shtimin e peshës nga ngrënia dhe serioziteti i sëmundjes, mund të bëjë të kundërtën. /Koha/ KultPlus.com

“Tash e dëgjoj nji kangë, që çan mjegullën para syve të mi”

Fragment nga romani “Oh” të Anton Pashkut:
Ajo vuri buzën në gaz. Ai, prap, vazhdoi të kërkonte me shikim nëpër mal. Edhe njëherë tha:
“A thue, ku do të jetë ?”
“A mos të ka humbë gja?”
“Gjithmonë po më humb nga nji.”
“E ç’asht ajo që po të humb?”
“Paj, kurrë nuk i po i kam bashkë të gjitha delet. Gjithmonë po me humb nga nji. Qe, edhe tash më ka humbë nji. S’e din, s’ka llugë ku nuk kam lypë. A thue, kah do të ketë vojtë e bekuemja?”
“Ndoshta në ndonji zguer lisi! ” – ndërhyna papritmas.
“Mos u mahnit!” – tha ajo dhe, sigurisht tue dashtë mos me e lanë plakun ma me kthye, shtoi me nguti: “ke, plak, shumë dele?”
“Unë e di se i kam njiqind, por sa herë më dalin nandëdhetenandë. Giithmonë mungon nji dele. Qe, tash mungon larëza. Sa herë që humb kjo larëza, mue më bien kambët tue e kërkue nëpër mal. Aty e sheh, aty s’e sheh! Aty asht bashkë me të tjerat, aty humb si shurra e pulës!”
“Por, ty po të humbkan të tjerat, tue lypë larëzën!”
“Humbin, ç’me ba!”
“Po ç’ban kur e gjen larëzën e të tjerat të humbin nëpër mal?”
“I lypi.”
“A i gjen?”
“Paj… hëm… i gjej.”
“Të njiqindtat?”
“Eh, – tha plaku-jo.”
“Po?”
“Të nandëdhetenandtat.”
“Eu, po ty prap po t’u dashka t’i qepesh malit për me gjetë të njiqindtën!”
“Ani.”
“Dhe ti i qepesh malit?”
“I qepem, pra.”
“Vazhdimisht?”
“Gati për ditë.”
“Tashë, gjithmonë më mungon nji.”
“Po ti gjithmonë i paske, në të vërtetë, vetëm nandëdhetenandë!”
“Ani.”
“Ti kurrë nuk i paske njiqind!” – tha ajo. “Nuk e di pse po u lodhke aq shumë tue kërkue nëpër skutat e malit?”
“Pse gjithmonë më mungon nji dhe unë due ta gjej.”
“E kur e gjen, prap mbetesh pa nji!”
“Mbetem. Por, ani. Përsëri dal me e gjetë… Tekembramja , mue më pëlqen të kërkoj; mali asht aq i egër dhe i butë, aq i vrazhdë dhe i bukur.”
“Mal ma!” -thash unë tue u gojisë.
Plaku tash heshtte; më shitonte me sytë e tij të vegjël, buza e poshtme i dridhej, më dukej se edhe mustaku i luente dhe mue, për çudi, tash më vinte keq pse i thashë: “Mal ma!” Po, megjithëkëtë, nuk tha gjë. Vetëm se rrotulloi sytë kah mali, mandej u kollit dhe shikimin e paloi në pyramidën e saj, që ishte në ndërtim e sipër. Më erdhi mirë thuese prej zemrës më ra diçka e pashpjegueshme që më randonte në ato çaste, kur ajo i dha fund heshtjes:
“E, ç’ban ti kur kërkon nëpër mal?”
“Eci.”
“Dhe?”
“Eci dhe futem nëpër lluga.”
“Futesh dhe … ?”
“Futem nëpër zguer; kërkoj. Dal. Eci, hajt bir, nëpër mal.”
“Hajt bir, dhe … ?
“Ndigjoj malin. Ndigjoj turrecin.”
“E ndigjon, dhe … ?”
“Kurrë, – tha plaku, – turreci nuk më ka mundë, kurrë.”
“Kurrë, dhe … ?”
“Dhe eci.”
“Ecën?”
“Nganjiherë za thue, por gohem dhe eci, hajt bir. Mali, ky mali im, asht i bukur.”
“I bukur, dhe … ?’
“Do të ishte edhe ma i shpeshtë, edhe ma i bukur, sikur të mos jipte bishta për sakica.-
“Hëm, për sakica dhe …?”
“Dhe? Grithem, përgjakem aty-këtu, tue përshkue nëpër mal, ku dëgjohet aulina e ndonji qeni dhe ulurima e ndonji ujku. Mirëpo unë eci, hajt bir, prej lluge në llugë, prej zgueri në zguer, prej lisi në lis.
“Pre lisi në lis, dhe … ?”
“Ndalern dikur.”
“Dikur, dhe….. ?”
“Sodis.”
“Malin, dhe…?”
“Kërkoj të njiqindën me shkrim”
“A e sheh?”
“Pai, nganjiherë e shoh, por më humb para sysh, kur kujtoj se e kam krejt afër. Nuk më lëshon zemra: vazhdoj t’a kërkoj. Dhe prapë, grrithem, përgjakem tue u përshkue nëpër mal.”
“Dhe?”
“Eci”
“Dhe?”
“Ndalem, dikur,”
“Ndalesh dhe…”
“Ulem kur lodhem.”
“E?”
“Rri dhe njehi pikat e vesës në fijet e barit. Pikat e vesës janë të bukura. Mbesin të bukura edhe mbasi avullohen. Mbasi të avullohen, ndoshta na duken se qenë ma të bukura se ishin. A s’asht kështu?”
“Ndoshta -tha ajo,- po kur s’ka vesë?
“Kur s’ka vesë rri dhe kujtohem.”
“Dhe?”
“Mendoj për barkën.”
“Për çfarë barke?”
“S’kam shumë barka. Çdokush e ka nga nji. Edhe unë e kam nji.”
“Nji barkë!”
“Po, nji barkë që rri mes ujit. Ajo nuk mbytet, as nuk mbytet kurrë”
“Kurrë?”
“Kurrë.”
“As kur çohen valët e mëdha?”
“As kur çohen valët e mëdha sa bjeshka.”
“As kur bie shi?”
“As kur bie shi katërdhetë ditë në katërdhetë net.”

“As kur fryn?”
“As kur fryn duhia që shkul lisat e prapton latitë.”
” A fryn në këto anë?”
“Shpesh janë shkulitë lisat e praptue çatitë. Jo rrallë janë shkulë pemët posa kanë lidhë.”
“E barka ka shpëtue?”
“Barka ka qëndrue mbi valë. Kur asht thye ndonji bri i saj, ai bri asht zavendësue me nji prej lisave të shkulun.”
“Kjo qenka nji barkë e fortë.”
“Rrin dhe kurrë s’praptohet në ujë.”
“A e din sa asht e vjetër?”
“Askush nuk e mba mend kur asht punue. Mue ma ka lanë gjyshi.”
“Askush?”
“Ndoshta gjyshi i gjyshit… nuk e di.”
Ajo për nji çast heshti; shikoi piramidën e saj në ndërtim e sipër, piramidën prej rane, e ledhatoi me dorën e majtë dhe pyeti:
“A të duket e bukur kjo barkë?”
“Kur asht plot, duket fort e bukur. Duket, si me të thanë, duket nga bregu i ujit duket, si me thanë, duket si çiftelia. Luen mbi valë. Përkundet si zonjë… Luen mbi valët që sulen kah ajo, por ajo s’jau ven veshin. Luen. Dhe valët trenohen kur e shohin tue luejtë. Sulen kah ajo, por s’i bajnë gja. Ajo vazhdon me luejtë, barka -çifteli vazhdon me luejtë dhe prej saj përhapen tingujt, të cilët përpiqet me i gëlltitë zhumhuri i valëve. Shumë tinguj mbyten në zhumhurin e valëve, aty pranë barkë-çifteli. Disa të tjerë kërcejnë prej valës në valë dhe mbërrijnë deri në breg të ujit. Aty prap nisin të shumohen. Bahen aq shumë, sa nuk mund t’i njehë askush. Shkrihen në njani-tjetrin. Dalin prej njani-tjetrit. Kangë. Po, tash e dëgjoj nji kangë, që çan mjegullën para syve të mi. Çahet mjegulla. Shoh nji rriskë qiell dhe nji vetull mali. Qielli asht i murrmë, ajo vetull mali asht gjithashtu e murrmë. Dridhet ajo vetull mali, ulet ajo vetull mali. Tash e shoh tue u rrokulllsë qerrja e diellit. Qerrja e diellit rrokulliset me zhurmë e poterë. Zhurma e potera e qerres së diellit, që në rrokullisje e sipër thyhet e bahet copë-copë, mbyt çdo za: nuk ndihet shushurima e malit, zogjtë gurëzohen, hutini shikon lakuriqët e natës që fluturojnë në pikë të ditës, shikon dhe copat e qerres së diellit. Mugë. Në mugë shoh dy hije. Ecin ngadalë, drejt njani-tjetrit. Afrohen. Nuk flasin; kuptohen në heshtje. Shikojnë qerren e diellit, copat e saj para kambëve të tyne. Afrohet edhe nji hije. Edhe ky shikon copat e qerres së diellit. Që të tre marrin nga nji copë të qerres së diellit dhe e puthin. Mandej kthejnë kryet kah hutini që shikojnë lakuriqët e natës, të cilët fluturojnë në pikë të ditës. Kurse skaj tyne, filloj të shoh hije të tjera, që nuk ndalen, por vazhdojnë përpara; kalojnë pranë copave të qerres së diellit të rrokullisun, kur e ul ajo vetull mali dhe shkojnë në heshtje, njani pas tjetrit. Hijet. Shkojnë. Kryeulun. Të thuesh, nuk e çojnë kryet as kur pijnë ujë nga brojcat. Asgja nuk pipëtin. Ndëgjohet vetëm zhabllima e hapave të hijeve, që shkojnë kryeulun. Kurse hija e parë thotë: “Po shkojnë, ore breuk.”, ndërsa hija tjetër ia pret: “Po, ore desidat, po.”Hija e tretë vetëm dëgjon e nuk thotë gja; edhe ma tutje shikon vargun e hijeve që kalojnë skaj tij e copave të qeres së diellit. Shikon edhe hutinin që shikon lakuriqët e natës, të cilët dalin e fluturojnë në pikë të ditës. Mandej kthehen, hija e parë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet dhe këqyr hijen e tretë, mandej kthehen, hija e tretë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet, hija e dytë kthehet dhe këqye hijen e parë; në sytë e të tretëve ecin hijet, ecën vargu i hijeve që kalojnë skaj tyne. Ecin, hijet ecin. Dhe vetëm copat e qerres së diellit, para kambëve të tyne, nuk ecin. Kanë mbetë aty; nuk lëvizin. E këta shikojnë ato copa: qerrja e diellit nuk mund të ecë. Tash, nuk ecin as sytë e tyne. / KultPlus.com

Dua Lipa merr çmim të rëndësishëm në Brit Awards

Listës së çmimeve të shumta, Dua Lipës iu shtua edhe ai në Brit Awards 2020, shkruan KultPlus.

Këngëtarja shqiptare në këtë garë të madhe muzikore arriti të fitoj çmimin “Gold Single”.

Çmimet e kësaj gare u ndanë për albumet dhe këngëtarët më të miri, me një vlerësim prej gold, platinum dhe silver.

Dua Lipa përveç çmime të rëndësishme që është duke marrë, këngët e saj po vazhdojnë të dëgjohen në platforma botërore të muzikës. / KultPlus.com

Dua Lipa vazhdon të thej rekorde, kënga e saj arrin 1 miliardë dëgjime

Këngët e Dua Lipës janë duke u dëgjuar nëpër radiostacione e platforma prestigjioze të muzikës, shkruan KultPlus.

Së fundmi, radioja IHeart ka publikuar artistë të njohur ndërkombëtarisht, këngët e të cilëve janë dëgjuar më së shumti.

Brenda kësaj liste është edhe këngëtarja shqiptare, Dua Lipa me 1 miliardë dëgjime për këngën “Break My Heart”.

Kjo këngë është në kuadër të albumit “Future Nostalgia”, i cili pati shumë suksese. / KultPlus.com

Del në dritë tempulli 2500-vjeçar i Afroditës

Kërkuesit që po gërmojnë në siujdhesën e Urla-Çeşmes në Turqinë perëndimore kanë zbuluar një tempull të shekullit të gjashtë para erës sonë kushtuar hyjneshës Afroditë.

“Afrodita ishte një kult goxha i njohur asokohe”, ka thënë për “Hürriyet Daily News”, udhëheqësja e ekipit Elif Koparal, arkeologe në Universitetin e Arteve të Bukura “Mimar Sinan”.

Ekipi ka zbuluar pjesë të statujës së një gruaje dhe një skulpturë terrakote të një koke femre, sikundër edhe një mbishkrim që thotë “Ky është një vend i shenjtë”.

“Nga gjetjet, ne kuptojmë se këtu duhet të ketë qenë një truall kulti për rajonin”, thotë Koparal.

Afrodita ishte hyjnesha e moçme greke e bukurisë, dashurisë dhe lindjes. Ndonjëherë, ajo asocionte edhe me lundrimin dhe luftën. Sipas Enciklopedisë Britannica, skulptura të hershme e paraqesin atë të veshur e mjaft të ngjashme me hyjneshat e tjera, por rreth shekullit të pestë para erës sonë, artistët nisën ta portretonin atë të zhveshur apo kryesisht nudo.

Shumë tempuj e faltore iu kushtuan kultit të saj, me vende të veçanta si në Qipro dhe në ishullin e Kitherës në brigjet jugore të Greqisë.

Qyteti i lashtë i Aphrodisias, një vend në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që ndodhet në juglindje të Urla-Çeşmes në Turqinë e sotme, ishte emërtuar sipas hyjneshës. Besimtarët ngritën aty një tempull të Afroditës në shekullin e tretë para erës sonë, duke e pasuar me ndërtimin e pjesës tjetër të qytetit, përfshirë teatrin dhe komplekset e banjave.

Siç raportojnë mediat shtetërore turke, Koparal dhe kolegët e saj kanë zbuluar shenjat e para të tempullit më 2016, kur po dokumentonin mbetjet e vendbanimeve të numërta në këtë trevë gjatë mijëvjeçarëve.

“Gjatë incizimit të sipërfaqes, ne pikasëm tempullin e Afroditës nga shekulli i gjashtë para Krishtit”, ka thënë Koparal. “…Është një zbulim ngazëllues dhe mbresëlënës”.

Që prej 2006-s, kërkuesit kanë zbuluar një total prej 35 vendbanimesh parahistorike me një hapësirë arkeologjike prej 17.220 katrorësh. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre i takojnë periudhës së vonë të neolitit – e fundit pjesë e kohës së gurit.

Vendi ndodhet afër qytetit të Izmirit. I njohur dikur si Smyrna, metropoli ishte një prej qyteteve më të vjetra në rajonin e Mesdheut. Izmiri ka qenë një lokacion i rëndësishëm për njerëzit e këtyre hapësirave për të paktën 5 mijë vjet; mbetje qeramike tregojnë se forcat greke u vendosën aty rreth viteve 1000 para Krishtit.

Sipas “Hurriyetit”, kërkimi dokumenton lidhjet ekonomike e shoqërore mes njerëzve që jetonin në këtë rajon qysh 6 mijë vjet para lindjes së Krishtit. Gjetjet përfshijnë suka varrimi dhe guva që përdoreshin si vende të shenjta. Koparal thotë se ekipi po punonte me banorët vendës për t’i ruajtur gjetjet, që mund të përballen me kërcënime nga plaçkitësit dhe zhvillimi urban.

Afrodita nuk ishte e vetmja hyjneshë klasike që adhurohej në ato anë: vjeshtën e kaluar, siç njoftuan mediat turke, arkeologët që po gërmonin akropolisin e qytetit të Daskyleionit zbuluan një maskë 2.400 vjet të vjetër ku paraqitej Dionisi, zoti greko-romak i verës dhe ekstasisë. Adhuruesit e lashtë me gjasë përdornin maskën e terrakotës gjatë ritualeve të lidhura me bërjen e verës. /Koha/ KultPlus.com

Gazeta më e madhe izraelite: Tirana, si një motër biologjike e Tel Avivit, Veliaj kryebashkiak karizmatik

Gazeta më e njohur dhe më e vjetër e shtypit në Izrael, “Haaretz”, i ka kushtuar një artikull të gjatë Tiranës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në shkrimin e tij, pasi ka vizituar kryeqytetin shqiptar, gazetari i mirënjohur Benny Ziffer e krahason Tiranën me Tel Avivin, duke theksuar transformimin e madh dhe të shpejtë që ka pësuar qyteti vitet e fundit, nën drejtimin e Veliajt.

Gazeta e cilëson Veliajn si një kryebashkiak karizmatik, ndërsa Tiranën si motër biologjike të Tel Avivit. Ajo veçon “ish-Bllokun” si një nga pikat më tërheqëse të kryeqytetit, si dhe arkitekturën e Tiranës dhe sheshin “Skënderbej”.

Nga ana tjetër, shkrimi paraqet faktin e tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri, si dhe projektet e mëdha, si Teatri i ri Kombëtar, që pritet të realizohen në Tiranë. /ata/ KultPlus.com

‘Çfarë të bëja më thua ti? Të gjeja një politikan apo pushtetar dhe të mbrohesha nga ai’

Nga Mirush Kabashi

Më falni, çfarë të bëja më thua ti?

Ah të gjeja një të fortë, një të madh…P.sh një politikan apo pushtetar edhe të mbrohesha nga ai?

Ndërsa unë për turp ta përqafonja? Të varesha pas tij dhe si kacavjerrsa trungut që i lutet atë ta lëpija e kështu tu lartësoja jo më fuqitë e mia?

Jo o tungjatjeta!!!

Apo të bëj siç bën çdo horr, çdo legen. Për të mëdhenjtë bejte, të shndërrohesha në gaztor pa turp por me shpresë se mbase po i qesh nga simpatia ndonjë ministri buza për marrëzitë e mia?

Jo or tungjatjeta!!!

Të përulem, të telendisem dhe për një kothere buke si bolla të zvarrisem?

E duke shkarë të ndotem gjunjë e lëkurë dhe nga përulja shpina të më krruset e të bëhem urë?

Jo or mik, tungjatjeta!!!

Oh më mirë të këndosh, të ëndërrosh e të qeshësh i vetmuar por i lirë…

Të vështrosh sypetrit edhe tja thuash me drithëtirë dhe festën, festën të ma vesh mbi sy si ta ka ënda.

Për një po, apo për një jo të luftosh apo të të shkasë penda.

E të punosh pa gajde për pasuri, për lavdi, mor sikur dhe në hënë të të ngjisin, të mbetesh njeri.

Dhe të mos shkruash edhe të mos thuash gjësendi që zemra sta thotë, porse diçka që vetes ti thuash gojëplotë kënaqu miku im…

Se çdo pemë apo frut që mblodhe sti dhanë sadaka, në kopshtin tënd i mbolle.

E në të dhëntë rasti të fitosh ndonjë çmim kult apo arit të mos kesh pse të thuash në sajë të Çezarit, por vetëm vetes tënde tja njohësh për meritë.

E kështu dukë i përbuzur të gjitha bimët parazite, ndonëse nuk do të rritesh vigan si plep me fletë, nuk ka gjë, mjaft paksa të rritësh por di që je ngritur vetë.

Si më falni? Ç’më ka zënë ky vesi i marrëzisë që dua ti bëj të gjithë armiq?

Më detyroni ju. Po po ju që i zini të gjithë miq.

Dhe u qeshni plot nur e gjithë gaz, me buzët rrudha -rrudha siç kanë pulat pas.

Ndërsa unë miqësinë e sëmurë apo miqësinë mediokre dua ta rralloj dhe them me gaz në zemër –Ja dhë një armik që shtoj.

Ja ky është zakoni im. Dua tju neveritem intrigantëve, atëherë ndjej gëzim.

Oh si më bëhet zemra ta dish të vërtetën mik, kur shikoj që më sulmojnë me ato vështrimet fikse atëherë tu bësh sehirin.

Kur nxjerrin vrer selie, pështymë e jargë nga goja këto kërma fëllishtërsie.

Miqësia e sëmurë që juve ju ka rrethuar, më përngjan me ato kollarot ngrirë-praruar të Italisë ku qafa të rri si qafë pate.

Jo sigurisht që kështu ju vjen mirë miqve, zotërisë tate se balli pa karakter dhe moral që ta pengojë, lehtë-lehtë nga çdo anë mund të anojë.

Ndërsa mua që dinjiteti më shtyp kuptohet qartë me thumb më shpon, që kryet t’i mbaj gjithnjë lart.

Një armik më shumë është një gjemb i ri vërtet, më nxjerr telashe por më shton edhe një stoli.

Sepse siç ishin qaforet që mbanin burrat spanjollë, dinjiteti është një hallkë por edhe një aureolë… / KultPlus.com

Amantia Rrokaj, artistja që sfidon sëmundjen e Parkinsonit me art

Amantia Rrokaj u bë e njohur me krijimet e saj me materiale të ndryshme të riciklueshme.

Në një lidhje me Skype në “Abc-ja e mëngjesit”, Amantia tregoi se pas diagnostikimit me sëmundjen e Parkinsonit u përball me një sërë vështirësish. Megjithatë, ajo tregoi se vendosi t’i bëjë ballë kësaj sëmundjeje me forcën e shpirtit të saj artistik, që e mbante të fshehur për vite me radhë, transmeton KultPlus.

“Më pas u regjistrova në kërcim dhe u dhashë shumë pas kërcimeve të ndryshme. Kjo zgjati katër vjet kur unë vendosa të merresha përfundimisht me tango, të cilën doja të arrija të merrja diplomën si mësuese përsëri duke e ditur që nuk do të jepja asnjëherë mësim.

Derisa dhimbjet e bënë të pamundur vazhdimin e kësaj gjëje dhe erdhi momenti që ngela në shtëpi. Ndërkohë isha e regjistruar në grupin e valles të shoqatës “Jeta” në Athinë, kur shkoj për një moment për të zbukuruar ambientin e zyrave. Kur shkoj në shtëpi gjeta një kuti dhe brenda doja të formoja fjalën jeta. E formova me bizhu dhe nga ai çast e tutje unë fillova të krijoja, merrja dërrasa dhe fillova t’i ngjisja dhe kam arritur deri këtu.”, u shpreh ajo. / KultPlus.com

Harry dhe Meghan ndryshuan përgjithmonë familjen mbretërore

Një vit më parë, Princi Harry dhe Meghan Markle njoftuan lamtumirën e tyre me familjen mbretërore. Një hap që, siç thekson revista ”People”, ka ndryshuar përgjithmonë jo vetëm jetën e tyre, por edhe monarkinë britanike, shkruan vanityfair, transmeton KultPlus.

Harry 36 vjeç, duke mos rënë në vijën e drejtpërdrejtë të trashëgimisë, “gjithmonë është trajtuar nga familja mbretërore si një ”rezervë “nga vëllai i tij i madh William.

Pastaj me lindjen e George, Charlotte dhe Louis, ai ra nga i treti në të gjashtin në linjën e trashëgimisë. Dhe familja mbretërore e margjinalizonte atë gjithnjë e më shumë.

Siç thekson Robert Lacey në librin e tij të fundit ”Battle of Brothers” , incidente të ngjashme kanë ndodhur tashmë në shtëpinë e Windsor edhe nga princesha Margaret (motra e Mbretëreshës Elizabeta II) dhe Andrew i Jorkut ( vëllai i Princit Charles). Sistemi mbretëror favorizon trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të kurorës.

Linja e trashëgimisë ka qenë gjithmonë brutale me të lindurit e dytë të mbretërve (ose atyre të ardhshëm). Por Harry ka gjetur një zgjidhje: të largohet nga familja mbretërore dhe të fillojë një jetë të re.

“Nëse ai do të kishte qëndruar në sistem, ai do të duhej të pranonte nënshtrimin ndaj anëtarëve të familjes më të vjetër”, tha një burim pranë Sussexes.

Harry në Amerikë më në fund e ka gjetur lirinë që kishte ëndërruar për vite me radhë. Dhe me Meghan dhe Archie-n e vogël në krah, ai nuk mund të kërkonte më shumë.

”Sussexes morën një hap të madh besimi duke zgjedhur të fillojnë jetën e tyre të re. Por tani ata janë të lumtur dhe kurrë nuk do të tërhiqnin hapat e tyre. Ata nuk janë penduar. Në Kaliforni ata mund të bëjnë jetën që kanë dashur gjithmonë dhe t’i përkushtohen projekteve për të cilat interesohen më shumë”, theksojnë disa nga miqtë e tij. / KultPlus.com

‘E kundërta ndodhi ti ike larg, ato ditë dimri të jetës sime’

Aleksandër Gjoka, një zë i thellë e fort i veçantë i ka dhënë shumë muzikës shqiptare. Duke mbetur i tillë për vite të tëra në skenë, ka mbetur i pakrahasueshëm në mesin e artistëve shqiptarë, shkruan KultPlus.

Me stilin e paraqitjet e tij, ai shpesh është veçuar në festivalet jo dhe të pakta ku është prezantuar. Performancat e tij si i vetëm e me grupin “Tre musketierët” kanë lënë shije ttë paharruar tek publiku shqiptar.

Gjoka i i ka kënduar dashurisë së shkuar, zemrës së një gruaje, shiut e pranverës. Më së shumti, ai mbahet mend për këngën e dimrit, për zbrazëtinë e ikjes.

KutlPlus sot ju kthen nostalgjinë për zërin e Gjokës, duke e risjell ‘Ditë Dimri’, këngë kjo që vazhdon të mbetet ndër më të dëgjuarat e Gjokës.

Më poshtë gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Ditë Dimri

Në jetën time ka qenë një çast
kur unë për ty pata nevojë
jo për të tua gjeste e fjalë
por ti pranë meje t’më qëndroje

2x
E kundërta ndodhi ti ike larg
ato ditë dimri të jetës sime
gjithmonë gëzimet i ndanim bashkë
përse më ike më braktise. / KultPlus.com