“Shteti në Pazar, heshtja e prokurorit të shtetit dhe hipokrizia e mediave!”

Nga Jusuf Buxhovi

Sikur të mos mjaftonte deklarimi i paradoditshëm i ambasadorit amerikan në Kosovë, Kosnett, se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur as për Shqipërinë e Madhe e as për Serbinë e Madhe, që bashkimi kombëtar, si ideologji nacionaliste e shekullit të kaluar, që për alternativë mund ta ketë unionin e shteteve shqiptare në BE dhe vetëm me përkrahjen e aleatëve, të mos kthehet në temë spekulative të debateve zgjedhore dhe madje, të anashkalohet fare, meqë shteti i Kosovës si realitet politik i krijuar nga Perëndimi paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit është i pakthyeshëm, vërejtja e ambasadorit amerikan, jo vetëm që nuk u përfill. Ajo nxiti edhe më shumë këtë çështje. U bart thuajse në të gjitha studiot televizive për t’u zhvlerësuar tmerrësisht dhe në mënyrën më të paskrupullt deri te licencimi me sondazhe televizive e të ngjashme, sa që me të drejtë shtron edhe e çështjen e marrjes së licencës çdo televizioni apo radioje që e vënë në diskutim sovranitetin e Kosovës qoftë si ide e bashkimit me Shqipërinë me anën e “referendumeve” fare të paqarta dhe fare të papërgjegjshme politikisht, gjoja për të “dalë nga pika zero”, pra anashkalimi dhe harresa “nga aleatët”, qoftë kur mohohet fare nga “Lista serbe”!

Natyrisht, se marrja e kësaj mase nuk duhet të jetë vetëm preokupim i Komisionit për Media të Pavarura, e as detyrim i përhershëm i KQZ-së, që partitë që nuk i nënshtrohen kushtetutës së Kosovës, simboleve të saj dhe betimit për të, të mos certifikohen, po t’u merret e drejta e garimit sapo të hetohet përdori i slogane i “bashkimeve” kuturu, që rrezikojnë shtetin dhe qenin e tij.

Por, që KQZ, të veprojë si e pavarur dhe në përputhje me detyrimet nga shteti i Kosovës, rrugën duhet t’ia hapë Prokurori i shtetit. Prokurori është dashtë nga fillimi të veprojë si gardien i shtetit të Kosovës, ngaqë këtë e ka detyrë kushtetuese. Kjo e ka obliguar dhe e obligon që të marrë masa të menjëhershme ligjore kundër gjithë atyre që, qoftë kur atë dëshirojnë ta shohin “pjesë” të Shqipërisë ose “pjesë” të Serbisë, politikisht kjo e njëjtë, sepse, kushtetuta e Kosovës, neni i saj 1, përcakton qartë se Kosovës si shtet i ndalohet bashkimi, siç ndalohet edhe mbajtja e referendumeve për çështje të tilla. Pra, prokurori i shtetit, nuk duhet të hezitojë me rastin e hapjes së temave të tilla, të luajë strucin, por të marrë masa ligjore.

Veprimi ligjor i domosdoshëm për t’u ruajtur shteti i Kosovës, që për fat të keq ka munguar, por kjo nuk duhet të kthehet në alibi të përhershëm mosveprimi, meqë ka edhe anën tjetër, atë diplomatike dhe politike. Sepse në këtë mënyrë duhet t’u dërgohen mesazhe të qarta miqve dhe aleatëve, atyre që ndihmuan çlirimin nga Serbia dhe mundësuan krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, që të jepen dëshmi të ruajtjes së këtij kursi dhe jo të vënies së tij në dyshim. Ky mesazh duhet t’u dërgohet edhe atyre që me hapjen e temave të tilla, sidomos në Beograd dhe Rusi, Kosovën, ndonëse shtet i pavarur me të drejtën e konfirmuar edhe nga GJND-ja dhe të pranuar nga shtetet kryesore të botës (SHBA-të dhe shumica e vendeve kryesore të NATO-s), dëshiruan ose dëshirojnë që ta kthejnë te pika zero, siç u tentua para dy vitesh në prapaskenat midis Vuçiqit, Thaçit dhe Ramës, gjoja për “arritjen e një marrëveshje historike me Serbinë” kur shihej se ajo duhej t’ia hape rrugën krijimit të Serbisë së Masdhe dhe intresave ruse në rajon, gjë që me të shpejt u pengua nga Uashingtoni dhe Berlini.

Natyrisht se temës së sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe vënies së saj në pazar nëpër studio televizive dhe tubime zgjedhore, me masat e menjëhershme ligjore, duhet t’i vijë fundi. Meqë demagogjia e “krijimit të balancimeve politike”, nga ata që kanë përgjegjësi për krijimin e kësaj gjendjeje dhe atë dëshirojnë ta shfrytëzojnë për të mbetur në lojë me çdo kusht, madje duke e ndryshuar diskursin zgjedhor (nga ai parlamentar në presidencial), jo vetëm që nuk e ndihmon procesin e ndryshimit që pritet dhe duhet të ndodhë gjatë këtyre zgjedhjeve, por e ngarkon atë me dyshimin e drejtë se po qe se vazhdon kjo retorikë, e gjitha mund të kthehet në një riciklim të klikave kriminale dhe oligarke, gjë që gjithë procesin do ta zhvendoste në binarët antihistorik! / KultPlus.com

Ylfete Humolli, 16 vjeçarja e cila nuk e gëzoi kurrë rininë

Ylfetja, me 1 shkurt 1990, fiks para 31 vitesh kur ishte vetëm 16 vjeçare, u vra nga forcat serbe gjatë një proteste kundër regjimit të Serbisë në Kosovë. Bashkë me Ylfeten ishte dhe vëllau i saj Mentori (13), i cili do të binte heroikisht me 21 mars 1999 duke luftuar të njëjtin agresor në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ylfete Humolli u lind më 15 shkurt 1973, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në një familje atdhetare.

Ylfetja ishte e bija e Isës dhe Sevdijes, të cilët kishin edhe tetë fëmijët të tjerë, Mentorin (dëshmor), Sahdeten (kishte vdekur nga leukemia në vitin 1993), Lulen, Serbezen, Vlorën, Muhametin, Jetonin dhe Arianitin.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar atë të mesme në Prishtinë, në Shkollën Ekonomike.

Në shkollë ishte e shkëlqyeshme, e përkrah mësimit merrej edhe me aktivitete të lire në kuadër të shkollës, ku ka luajtur edhe dramën “Halili e Hajria”.

Ylfetja ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme kur Kosovës ju mor autonomia më 1989-90 dhe ajo shumë mirë e kuptonte situatën e rëndë që mbretëronte në Kosovë, ku e gjithë Kosova tanimë ishte në këmbë.

Në Prishtinë ajo ishte prezente në këto protesta, të cilat vazhduan edhe nëpër fshatra, ku në fshatin Lupç të Poshtëm për tri ditë më radhë pati protesta.

Kështu, më 1 shkurt 1990, ajo së bashku me shoqe dhe shokë kishin dalë buzë rrugës Podujevë- Prishtinë, për të protestuar në mënyrë të qetë kundër kolonës së motorizuar e të armatosur deri në dhëmbë, e cila vinte nga Serbia në tokat tona. Për këtë, kolona ishte egërsuar dhe shtiu për disa minuta me armë automatike.

Protestuesit dhe marshimin e forcave ushtarake policore e përcillte ekipi i Radiotelevizionit të Sarajevës.

Varrimi i Ylfetes ishte masovik dhe në të morën pjesë qindra mijëra shqiptarë, të cilët nderuan guximin, veprën dhe atdhedashurinë e saj, ku varrimi i saj edhe u bë një formë demonstrate tjetër, ku njerëzit duke ngritur dy gishtërinj përcillnin amanetin e Ylfetes, për të kërkuar liri e barazi.

Ngrihet pranë Akademisë së Shkencave Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës në mbledhjen e zgjeruar vjetore të Asamblesë së ASH-së, që u mbajt më 29 janar 2021, ishte edhe ngritja e Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Vendimi që të ngrihet njësia e kërkim-studimit me emërtimin Qendra e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike (QBAE) pranë ASH u propozua nga Kryesia dhe mori pëlqimin njëzëri të anëtarëve të Asamblesë në mbledhjen e zgjeruar të saj më 29 janar 2021.

Kjo qendër ngrihet për të organizuar, drejtuar e realizuar punën në hartimin e tre projekteve madhore në Albanologji: Enciklopedia Shqiptare, Fjalori i Madh i Shqipes, Historia e Shqiptarëve si dhe Historinë e Letërsisë Shqipe.

Drejtimi ekzekutiv-administrativ dhe ai shkencor i Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike QBAE do të bëhet përkatësisht nga Drejtori i Qendrës së Projekteve dhe të Koordinimit Shkencor, prof. Irakli Koçillari, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv; bibliotekarja e ASH në cilësinë e sekretares teknike dhe këshilli shkencor në përbërjen e të cilit janë Sekretari Shkencor i ASH akad.Shaban Sinani,  akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Jani Thomai, prof. Valter Memisha, prof. Emil Lafe, akad.Marenglen Verli, akad. Ilirjan Malollari.

Propozimi i kryesisë u bë i shoqëruar me preventivat orientuese dhe platformat paraprake të hartuara nga grupet e punës dhe komisionet përkatëse, në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, e pas konsultimit me ASHAK-un e marrjes së konfirmimit  në parim  të tyre për bashkëpunim.

Kryetari i ASH, akad. Skënder Gjinushi në raportin e Kryesisë, për këtë çështje, theksoi se  “forcimi i rolit aktiv të Akademisë së Shkencave në kërkim-studim nëpërmjet drejtimit e realizimit të projekteve madhore në albanologji dhe krijimit të kushteve për thithjen dhe drejtimin e projekteve të tjera do të jetë një prioritet tjetër i rëndësishëm jo vetëm për këtë vit, por edhe me një shtrirje në disa vjet”.

Fillimi i punës për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i shqipes dhe Historia e shqiptarëve; si dhe organizimi me sukses i konferencës ndërkombëtare të albanologjisë, përbëjnë angazhimin tonë kryesor gjatë këtij viti. Marrja prej Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me ASHAK-un, e rolit organizator në hartimin e tri projekteve madhore shqiptare, realizon një prej objektivave kryesorë të reformës, atë të rolit strategjik në zhvillimin cilësor të shkencave albanologjike.

Për realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe pranë Akademisë së Shkencave do të ngrihet qendra e botimeve albanologjike e enciklopedike (QBAE), hap për të cilin kërkohet dhe pëlqimi i kësaj Asambleje. Ndërkohë, janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake të domosdoshme për fillimin e punës zbatuese, në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve. Ato janë konsultuar me ASHAK-un dhe është konfirmuar miratimi në parim i tyre. / atsh / KultPlus.com

Njëmbëdhjetë gjëra të çuditshme që nuk e dinim se egzistonin

Kreativiteti është diçka që nuk ka kufinj dhe kjo mund të shihet në të gjitha fazat e historisë njerëzore – qoftë ajo qindra vjet më parë me shumë pak burime, apo në kohët moderne, me një sasi të pabesueshme informacioni dhe teknologjie të re.

Por sot, ne ende mund të jetojmë pa e ditur arsyetimin e gjërave më të veçanta. 

E megjithatë, ju mund të gjeni çudira të tilla në të gjithë botën. 

Më poshtë keni disa gjëra të paimagjinueshme që do të na bënin të hapnim sytë me mosbesim. 

Fatmirësisht, kemi hasur në disa gjëra shumë interesante që kemi dashur të ndajmë.

1. “Një tualet për qen në një aeroport të Stambollit”

Image

2. “Pema ime e Krishtlindjes”

Image

3. “Gjyshja ime ka në pronësi këto syze për 36-vjet. Rezulton se ato nuk janë bërë plotësisht prej ari.”

Image

4. “Kam fotografuar një lagje unike, Hollandeze, lundruese.”

Image

5. “Një skulpturë realiste, udhëtari , në Aeroportin Ndërkombëtar të Orlandos”

Image

6. “Libraria më e vjetër në botë, e themeluar në 1732 në Lisbonë, Portugali, e njohur si Libraria Bertrand”

Image

7. “Lapis lazuli, lehtësisht gur i çmuar më domethënës historikisht! Para se të bëhej një antik, ky gur i famshëm blu i thellë, me pika të arta, është përdorur në gjithçka, nga detajet e varrit mumikë e deri në copëtimin në pigmente të holla! “

Image

8. “Lavamanët e kësaj qendre tregtare kanë butona të gjurit për të kontrolluar rubinetin (Itali)”.

Image

9. “Një shishe pilule që mban shënim se kur është përdorur për herë të fundit.”

Image

10. “Unë gjeta një drer me një nga ngjyrat më të rralla të drerëve ndonjëherë, më të rrallë se një albino.”

Image

11. “Paketimi biodegradues i bërë nga niseshte misri që tretet plotësisht në ujë”. /brightside/ KultPlus.com

Image

Sot, 141 vjet nga vdekja e ideologut të Rilindjes, Zef Jubani

Sot përkujtohet 141-vjetori i vdekjes së patriotit e ideologut së Rilindjes Kombëtare, Zef Jubani.

Zef Jubani (Shkodër 1818 – 1 shkurt 1880) ka qenë nëpunës, ekonomist, folklorist, shkrimtar e ideolog i Rilindjes Kombëtare. Më 1862 bashkëpunoi në organizmin e lëvizjes antiosmane të Mirditës.

Ai është i njohur për botimin e një Koleksioni të Këngëve Folklorike Shqipe dhe Rapsodive në dialektin geg shqiptar. Jubani mbrojti krijimin e një alfabeti unik të gjuhës shqipe.

Në shkurt të 1868 i kushton një poezi Elena Gjikës, me titullin “Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë – Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d’Istria”, ku autori nënshkruan Sepi Ndokë Illija-Jubani.

Përmend sesi princesha, me punë e art ishte përpjekur të ndriçonte Shqipërinë, duke ndihmuar shqiptarë e arbëreshë.

Nëna e tij ishte nga Malta, kështu që midis 1830 dhe 1838 ai studioi atje ndërsa jetonte me xhaxhain e tij.

Pas kthimit në Shkodër ai punoi që nga viti 1848 si sekretar në konsullin francez të qytetit dhe gjithashtu u bë asistent i zv/konsullit të Mbretërisë së Bashkuar në 1853.

Jubani kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij në Trieste, Venecia dhe Malin e Zi modern. / KultPlus.com

Këngë dashurie


Nga thesari i folklorit të shqiptarëve në Greqi, veçohen shumë këngë që i këndojnë dashurisë dhe bukurisë.

Arkiva e pasur që trashëgojnë brezat e sotëm rrëfen përkushtimin e thellë ndaj traditës së familjes, parimet e një komuniteti të guximshëm, të suksesshëm por edhe tepër konservator. E megjithatë, Arvanitasit përmes këngëve e valleve i këndonin shumë dashurisë e familjes, herë me ndjenja të thella erotike, herë me sarkazëm e herë nga një perceptim real i situatave.

Ditët e sotme, vargjet e tingujt përcillen nga grupe të vogla këngëtarësh, kryesisht në zonën e gjerë të Atikës dhe një pjesë të Peloponezit. Më poshtë, sjellim vargjet për dashurinë dhe familjen, siç i mblodhi dhe përcolli në brezin e sotëm, akademiku i Salaminës, Petros An. Furikis.

Nuse!

Nuse moj nuse

haj vemi ndë puse!

Moj nuse hap sitë

e vëzhdo shtëpitë!

Ande lart nga bota e bardhë

vjen një nuse me shokardhe!

Ore mirë kur u nise

nxerre gunënë se dirse!

Me kaliqe me podhe

diu sa e bukurë çë je!

Thjakëzë ajo vajza jote

ishte lule misirjote!

Bëmë thjakëzë moj nuse

pa do të të mbanj ndë grushte!

Sevda!

Sevdajt aljos do jetë

ksehoris nga tërë djeltë!

Me sevda mos blekseni

pse do mos kseberdhepseni!

Me sevda më bëre vre

e nani ikën e më lje!

Me sevda më katadise

e nani ikën e m’arnisë!

Kam(ë) sevda sa marrësonem

po jam vajzë e turpëronem!

Kam sevda sa s’ka njatrë

po se trëmbem nga i tatë!

Ai vasilikoi me rremba

ka sevda po s’e le j’ema!

Kam sevda sa çë marësonem

po jam(ë) vajzë e turpërohem!

Thom e shtie a-liberda

po kam fovero sevda.

Ndara lumit lule janë

u ndë ti shtiva sevdanë!

Ndara lumit lule janë

po ndë ti e kam(ë) sevdanë!

Shtiva një sevda të ri

Siprë ndë i vjetëri!

Sevdai it htiqjo i bënë

m’a htiqjasi zemërënë!

Sevdai it sevda i bënë

ma mareni zemërënë!

Sevdai it(ë) ish marrësirë

po s’e keshe marrë mirë!

Sevda it(ë) m’u bë htiqjo

do mos rrojë shumë qero!

Ndë sevda mos epimeni

nga sevdai u ikën mendi!

Doj t’a dije po s’e di

sevdanë çë kam ndë ti!

Shkova dhe, shkova dunja

s’çova vajzë pa sevda!

Shkova dhe shkova eparhji

s’çova vajzë p’aghapi!

Kam sevda sa s’duketë

t’e këpunjë s’këputetë!

Sevda keshë sevdali

jti s’ka parighori!

Me sevda të ri të pashë

po mbrëmanë pa ngrënë rashë!

Sevdai it m’u bë htiqjo

po shërova shumë qero!

Sevdaj it ish ksehora

se ftoi me gharefala!

U tha bari krinave

Nga sevdai trimave!

U tha bari llakave

Nga sevdai vashajve!

Mos më qeshni ju moj gra

pse kam(ë) fovero sevda!

Dhemonitë mirrë sevdanë

se kam(ë) çuarë belanë!

Feru si ferënj u djeltë

mos feruni dhemoni vetë!

Feru si ferem u tërë

mos feru dhemonë vërë!

An t’ish nga mua kavghai

le të ndahetë sevdai!

An t’ish nga mua meria

le të ndahetë aghapia!

Shtiu një para aghapi

tërë gërnjë edhe mëri!

Shtiva një para sevda

tërë gërnjë edhe kavgha!

Dhendrollivani me fletë

vajza e shtiu sevdanë vetë!

Ndenja si floriu ndë kartë

të marr(ë) sevdaj të lartë!

Ndenja si floriu ndë Sirë

të marr(ë) sevdaj të mirë!

Sevdalepsurë!

Pse je sevdalepsurë

m’çilinë je blexurë?

Se të kam zilepsurë

çë eçën(ë) sevdalepsurë!

Vre e sevdalepsurë

se të kam(ë) zilepsurë!

Zilepsurë shumë të kam(ë)

Po e ke shtirë gjetkë ke sevdan!

Erotike

Më të mos më shkosh ndë derë

pse m’a ngrijte mendë ndë ere!

Di’u sa hjerem, di’u sa dua

çë shtive sevda ndë mua!

Të kej zemëra një xham

të shohë sevda çë kam!

Puthmë puthmë sa të duash

po gjakund të mos e thuash!

Puthmë puthmë buzënë

pse su ta thajta bursënë!

Duajmë moj duajmë

më shrirt(ë) (edhe) me zëmërë!

Merre si e ke soponë

të e shkoshë ande qeronë!

Bëra be ndë drasa gurit

të mos flas më grua burit!

Bëra be ndë drasazë

të mos flas me vazhazë!

Kur të pashë u muarrshë

si llambadhë u shuashë!

Delj të daljëmë ndë limnë

të lozëmë si gjërpënjë?

Delj të daljemë ndë ljëmënë

të lozëmë si gjërpënjë!

Dale, dale! Mos nga vrap

kam një mollë të të jap!

Moj si t’ë bënj atje çë shkon

të mos prirem të vëzhdonj|

Do t’ë dije po s’di

shomë sa të dua u ti!

Të më dojë si të dua

ti doj bëreshe për mua!

Lae këbënë lae

përvishe tirkthinë

të shoh këbënë e bardhë

e merrmë shpirtinë!

U ta thashë e ti t’e dish

të zësh dhromizën të vish!

Kur vinje nga Shërmëria

si pabor(ë) çë vjen nga Sira!

Kur(ë) vinje nga pervolë

si paborë çë vjen nga poli!

Bubuhjasë dardhatë

me ja su të bardhatë!

Bubuqasë mighdhaletë

me ja su djaljo phonetë!

Moj vajzo ai djali juaj

ish vasiliko veruar(ë)!

Moj vajzo ai djali itë

ai mastrapa politë!

Moj si të bënj atje çë shkonj

të mos dridhem të vëzhdonj!

Moj e bukura e qinonisë

mos i jip llakë aghapisë!

Moj e bukura e dunjajt

mos i jep llakë sevdajt!

Kam(ë) vasiliko di stratë

ea të të vë dhraghatë!

Kam(ë) vasiliko një arrë

të shkosh të të jap(ë) një klarë!

Kam(ë) vasiliko kurupe

të hish mbërdha nëkë duke!

Ku ojdistë ju të tre

si ghastra me gharufalje!

Moj ghastre me gharefale

di u sa e bukurë çë je!

Kalos to gharefaljea

çë na nostimeps(ë) parea! / KultPlus.com

Navalny, OBSH dhe Thunberg midis të nominuarve për Çmimin Nobel për Paqe

Disidenti rus Alexei Navalny, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe aktivistja Greta Thunberg janë midis atyre të nominuar për çmimin Nobel të Paqes të këtij viti, të gjithë të mbështetur nga ligjvënësit norvegjezë që kanë një histori të zgjedhjes së fituesit.

Nominimet, të cilat mbyllen të dielën, nuk nënkuptojnë një miratim nga komiteti Nobel. Ligjvënësit norvegjezë kanë nominuar laureatin përfundimtar çdo vit që nga viti 2014, me përjashtim të vitit 2019, tha Henrik Urdal, Drejtor i Institutit të Kërkimit të Paqes Oslo.

“Modeli i viteve të fundit është mjaft mahnitës.”

Komiteti Norvegjez i Nobelit, i cili vendos se kush e fiton çmimin, nuk komenton për nominimet, por nominuesit mund të zgjedhin të zbulojnë zgjedhjet e tyre. Sipas një sondazhi të Reuters për ligjvënësit norvegjezë, të nominuarit përfshijnë Thunberg, Navalny, OBSH-në dhe programin e tij COVAX për të siguruar qasje të drejtë në vaksinat COVID-19 për vendet e varfra. Thunberg u emërua si një nga “zëdhënësit kryesorë në luftën kundër krizës së klimës”, me grupin e fushatës që ajo bashkë-themeloi, Fridays for Future.

Navalny, i emëruar nga akademikë rusë, u nominua për “përpjekjet e tij për një demokratizim paqësor të Rusisë” nga ish-ministri norvegjez Ola Elvestuen. Beteja kundër COVID-19 është në qendër, duke përfshirë një nominim për aleancën e vaksinave GAVI. Emra të tjerë janë aktivistët Bjellorusë Sviatlana Tsikhanouskaya, Maria Kolesnikova dhe Veronika Tsepkalo për “luftën e tyre për një zgjedhje të drejtë dhe frymëzim për rezistencë paqësore”, tha një emërues, Geir Sigbjoern Toskedal.

Të nominuarit e tjerë përfshijnë ish Presidentin e SHBA-së Donald Trump, NATO-n dhe agjencinë e refugjatëve të KB-së (UNHCR).

Laureati i vitit 2021 do të shpallet në tetor. /reuters/ KultPlus.com

“Nanë çka do të bëja nëse ti nuk do të ishe?”

Nga Miranda Beqaj

Tregimin e fundit që e pata shkruar e pata mbaruar me nanën që më kishte thirrë me u zgju, e tash këtë tregimin tjetër fillova me e shkru pasi i thash natën e mirë dhe e putha në ballë.

Sante nata ishte shumë e ftohtë , por kjo nuk e ndaloi yllin që të mos vinte si çdo natë tjetër përballë dhomës time e të më bënte shoqëri. U ula në karrige e mora stilolapsin dhe fillova me i mbledh mendimet. Fillimisht të iu tregoj që kur shkruaj për njerëz të veçantë unë kam një stilololaps i cili është antik, iu jep pamje të veçantë shkrimeve të mia dhe më jep njëfarë ndjesie të sigurisë sa herë e kapi në dorë. E për një javë rresht e kam marrë e kam vendos në tavan të shtëpisë, e përdori këtë strategji për me provu se sa kam frymëzim me shkru , nëse shkoj dhe e marr pa përtu, frymëzimi është i madh , dhe e kundërta. Shtatë ditë rresht kam hyp e kam zbrit ato shkallë të tavanit , e stilolapsin në dorë e kam marr. Gjë që nuk më kishte ndodhur më parë . Epo, sigurisht edhe stilolapsi e dinte që do shkruaja për një emër madhështor të quajtur

‘’NAN Ë’’.

Gjatë kohës sa po shkruaja, dikush trokiti në derë. Unë e vendosa letrën në librin më të afërt që gjendej aty , ishte një libër gazetaresk dhe çdokush që synonte të bëhej gazetar duhej ta lexonte, pasi letrën e sigurova, thash : Hyr.

Ishte nana, e në dorë mbante një pjatë me pemë –merri çika jem se ta mbajnë trurin freskët gjatë kohës që mëson. E derisa ajo po vendoste frutat në tavolinë , unë me vete po mendoja ku do të gjej fjalë të përshkruaj një mrekulli të tillë, e cila ishte edhe njëra prej arsyeve pse besoja se engjujt ekzistojnë .

E mora dhe u ulem bashkë. Nanë çka do të bëja nëse ti nuk do të ishe? – I thash .

Epo , në këtë jetë jemi të përkohshëm bijë.- ma ktheu. Rëndësi ka bija ime që ti të i mbash mend fjalët e këshillat që ti kam jap, të cilat nuk kam dyshim që do ti kujtosh dhe do të të duhen. Kokën e mbështeta në prehërin e saj , ajo mi përkëdhelte flokët e të dyja po e shikonim yllin që e kishim karshi. Më pas të dyja shikuam njëra-tjetrën në sy dhe filluam ti citonim fjalët që ajo mi thoshte gjatë tërë kohës, -Mos harro bëhu ajo femër që respektin e fiton me vetveten e jo me mëshirë, ajo që fatin e vet e mban në dorë dhe nuk i lejon të tjerët të vendosin për të , bëhu ajo që i kapërdin lotët e buzëqesh mbas çdo stuhie që i jep jeta, bëhu ajo femër që nuk të marrin nëpër këmbë , ajo e cila ku e dinë që është e tepërt largohet.

Pastaj ia putha të dy duart dhe e përqafova fort e i thash :- Pasuria e krejt botës nuk vlen sa dashnia jote nanë.

Pasi ajo doli , unë e vazhdova shkrimin tim , e ceka që edhe emrin nana ma ka vendos, të cilin e mbaj me krenari , madje e kishte parë një gazetare me emër të tillë pak para se të lindja unë, e cila i jepte lajmet , e kush do ta mendonte që edhe unë të njëjtën rrugë do të ndiqja. Epo, nuk thonë kotë , nënat e ndjejnë.

Tregimin tim e përfundova duke i sjell në kokë fjalët e nanës dhe thash me vete që nanës nuk do të mund ti dal hakësh edhe nëse e mbarti në shpinë. / KultPlus.com

Reagon Flutura Açka pas përdhunimit të 89-vjeçares: Shqipëri, mbaj frymën para se të kthehesh në çmendinë

Lidhur me ngjarjen e rëndë të Divjakës në Shqipëri, ku gjyshja është përdhunuar nga nipi i saj, ka reaguar Flutura Açka, përcjell KultPlus.

“Shqipëri, mbaj frymën para se të kthehesh në çmendinë! Ndërkohë e gjithë Europa e mbyllur, veç ne kafeneve…” – shkruan shkrimtarja e njohur, duke bërë përgjegjës për degradimin e moralit në vend, edhe kryeministrin e vendit.

“E trishtueshme,
Po natyrisht, po të shohësh kryeministrin tënd që përdhunon qytetarët e vet me këpucë faqe Zotit, a thua se po ia vë në qafë çdo shqiptari, kjo të duket hiçmosgjë!
Shqipëri, mbaj frymën para se të kthehesh në çmendinë!
Ndërkohë e gjithë Europa e mbyllur, veç ne kafeneve, mitingjeve, festave, si kuaj azat, e Korona në qejf të vet, mes nesh kërdinë
!”, ka theksuar tutje Açka. / KultPlus.com

Pandemia ktheu shtratin në hapësirë pune

Susan Booth, shitëse pronash në Yorkshire të Britanisë së Madhe, nuk shqetësohet as për t’u veshur. Në vend të kësaj, ajo i bën vetes dy filxhanë çaj (për të kursyer ngjitjen dhe zbritjen e shkallëve), vesh bluzën e saj të preferuar gri, bën laptopin gati dhe nga dritarja shikon diellin duke lindur mbi Swaledale.

“Kur punoj nga shtrati është gjithmonë spontane”, ka thënë ajo.

Booth, e cila deri në marsin e kaluar punonte me orar të plotë në një zyre, e që tani po punon nga shtëpia, nuk qëndron kurrë në shtrat më shumë se për disa orë. Pasi pi filxhanin e saj të gjashtë me çaj, ajo e di kur është koha për t’u ngritur dhe për të vazhduar pjesën tjetër të ditës. Ndoshta kjo është për shkak se është mesi i dimrit dhe të gjithë tani po përpiqen të qëndrojnë edhe më gjatë në shtrat. Kjo është se pas 10 muajve të punës, jetesës, mësimit nga shtëpia, ne kemi qëndruar mjaftueshëm në çdo dhomë të shtëpisë (ose sepse fëmijët tuaj po vrapojnë në tryezën e kuzhinës). Por puna nga shtrati, duket se është në modë.

Tavolinat e shtratit

Një artikull i gazetave sugjeron që ne po blejmë tavolina dhe jastëkë për t’i lënë mbi shtrat, që të mbështetemi. Shitësi online, Etsy, ka thënë se ka pasur një rritje prej 606% në kërkimet për laptop, krahasuar me vitin e kaluar dhe një rritje prej 347% në kërkimet për sirtarë laptopësh, raportoi gazeta “Times”. Në mediat sociale ne po tregojmë se jemi duke u rehatuar me mace, laptop, telefon dhe fletore. Pothuajse 10.000 njerëz kanë përdorur thurjen #workingfrombed në Instagram.

Në mëngjes, ajo kishte zgjedhur një apartament, ndërsa ishte ulur në shtrat dhe kjo duhej përshtatur si me hapësirën në dispozicion ashtu edhe me buxhetin.

Në anën tjetër, shumë praktikues të shëndetit deri tek ekspertët e gjumit dhanë alarm për këtë trend të ri.

“Nëse keni një marrëdhënie të mirë me gjumin, atëherë ekziston probabiliteti që ju do të ndiheni më të relaksuar dhe më të qetë në shtratin tuaj, gjë që është mirë për një periudhë afatshkurtër”, ka thënë Sophie Bostock, themeluese e “The Sleep Scientist”.

Por me kalimin e kohës, kjo mund ta dëmtojë aftësinë tuaj për të fjetur mirë, thekson ajo.

Nëse nuk keni një ditë të mirë në punë, lidhje me stresin, afatet a një bisedë të vështirë me shefin tuaj, ju do të filloni t’i ndryshoni shoqërimet tuaja me shtratin.

“Marrëdhënia pozitive që keni pasur dikur mund të zhvendoset në një marrëdhënie të punës. Pastaj kur shkoni në shtrat.. zhgënjimet , mendimet mund të fillojnë t’i pushtojnë netët tuaja”.

Bëni ndryshime

Bostocku gjithmonë i përmbahet rregullës: “Dhoma ime e gjumit është vetë, për gjumë dhe për asgjë tjetër”. Pra, ajo është me fat, që ka vend në shtëpi që të zgjedhë një dhomë tjetër për të punuar. Disa njerëz nuk kanë zgjidhje.

“Atëherë, çështja është se si mund të bëni psikologjikisht një ndarje midis zonës tuaj të gjumit dhe zonës së punës”, ka thënë ajo.

Ajo sugjeron të hidhni një mbulesë shtrati me ngjyra të ndryshme mbi shtrat, të ndryshoni ndriçimin ose të shkëmbeheni me fëmijët tuaj, duke i lënë ata të studiojnë në dhomën tuaj të gjumit, ndërsa ju të punoni në dhomën e tyre. Nëse duhet të punoni në dhomën tuaj të gjumit, në mënyrë ideale, futeni një tavolinë dhe vendoseni poshtë dritares, shton ajo.

Por, kjo mund të nënkuptojë humbjen e disa përparësive të dallueshme të punës në krahasim me ato të shtratit, argumenton Stephen Morse.

“Në një tavolinë jeni shumë të ngurtë. Ndoshta ai avantazh krijues mund të vijë deri në shtrat. Ju mendoni më qartë kur jeni të qetë”.

Sigurisht që ekziston një mendim që thotë se të kesh një kotje gjumi, mund të rrisë kreativitetin, që Stephen e pranon me gatishmëri. Dhe zonja Bostock pajtohet që ndonjëherë, veçanërisht nëse jeni një punëtore me turne të privuara nga gjumi ose prind i fëmijëve të vegjël, mund të jetë vetëm përtëritja ajo që ju nevojitet e asaj që dikur njihej si një “dremitje e energjisë”.

“Nëse keni nevojë të jeni vigjilentë, atëherë 15 minuta ju japin nivele më të lehta të gjumit, por mos bini në gjumë të thellë”, këshillon ajo. “Një gjumë i shkurtër përmirëson disponimin dhe njohuritë, por jo gjumë të thellë që jep inerci të gjumit. Kur zgjoheni pas 40 minutash nga një gjumë i thellë, mund t’ju duhet një orë për t’u ndier i gatshëm”.

Nuk jemi vetëm ne, që bashkëpunuam edhe në pandemi, duke u kthyer në shtretërit tanë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Ky zakon ka një histori të gjatë dhe të shquar.

Piktorja meksikane, Frida Kahlo, prodhoi kryeveprat e saj. Shkrimtari amerikan, Truman Capote, pretendoi se ai “nuk mund të mendonte nëse nuk ishte shtrirë”.

Louis XIV i Francës e shndërroi dhomën e vizatimeve në pallatin e Versajës, në një dhomë shtrati dhe u dha audienca dhjetëra njerëzve çdo ditë nga shtrati.

Kryeministri Winston Churchill diktoi letrat i mbështetur mbi jastëkë.

e famshmja, Viktoriane Florence Nightingale, e kaloi gati gjysmën e shekullit të shtrirë në shtrat, por duke zhvilluar politikë spitalore nga dhoma e saj.

Megjithatë, ende nuk është plotësisht e respektueshme. Ju akoma do të hezitoni t’i thoni shefit tuaj se po akordoni takimin, në orën nëntë, me pizhamet tuaja.

Në fakt, kjo mund të jetë pjesë e joshjes, rrëfen Stephen.

“Më pëlqen të jem amerikan në Mbretërinë e Bashkuar, më pëlqen t’i thyej rregullat. Keni shumë rregulla. Kur nuk lëndon askënd dhe është e ligjshme, duhet t’i shkelësh rregullat”. /koha/ KultPlus.com

Historia e një fotografie të vitit 1938, takimi në Shkodër i penave më të njohura shqiptare

Ishte viti 1938. Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit.  Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.

Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti.  Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.

Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”.

Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.

Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”

Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”.  Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:

“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.

Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:

Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.

Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit.  Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.

Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të  madh kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.

Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën./frankshkreli/ KultPlus.com

Art në qese plastike

Punimet e realizuara në Pershore janë realizuar nga një artist i cili njihet me emrin “Mr Sce”.

Ai ka thënë se donte t’i “bënte njerëzit të lumtur” me veprat e tij, pasi rizbuloi dashurinë për artin gjatë pandemisë së koronavirusit.

Një person vendas e quajti atë “Banksy i Pershorit”, megjithëse stili i veprës së tij të fundit është shumë i ndryshëm.

Veprat me kafshë të ndryshme janë pikturuar në qese plastike, mbështjellë rreth pemëve – një teknikë për të cilën “Mr. Sce” ka thënë se ishte frymëzuar nga një grafist. Ai ka thënë se ky material i lejon që arti të shkrihet me ambientin përreth.

“Sinqerisht, reagimet kanë qenë të papritura”, ka thënë artisti. “Nuk mendoja se do të kishte kaq shumë interes. Mendova se disa fëmijë mund të mendojnë ‘kjo është interesante’, por shumë njerëz më kanë kontaktuar për të më thënë faleminderit. Kjo tregon se sa shumë u duhet njerëzve diçka e bukur”.

Ai ka thënë se dashuria e tij për artin u ringjall vitin e kaluar, pasi pikturoi dy dërrasa të mëdha për punëtorët shëndetësorë – ishte hera e parë që kishte pikturuar në më shumë se gjashtë vjet.

Ai postoi në Facebook, përmes të cilit kërkoi hapësirë për të realizuar punime dhe iu dha mundësia që të realizonte një mural për klubin e futbollit të qytetit të Pershores, si shenjë nderimi për Stuart Walker, i cili vdiq në fillim të vitit 2020.

Jacqui Marler, nga klubi i futbollit, e cila e porositi “Mr Sce” që të pikturonte muralin, e ka vlerësuar punën e tij si “të mahnitshme”.

Ajo ka thënë se e ka vënë re që veprat e realizuara së fundi në qytet kanë ndikuar për të mirë te qytetarët. “Ato vetëm shfaqeshin… ne kemi filluar që ta quajmë atë Banksy i Pershorit”, ka thënë ajo.

Marler ka thënë se ajo ka parë familje duke ecur rrotull në kërkim të identifikimit të të gjitha veprave artistike.

“Kjo është diçka shumë e mirë. Çdo gjë për momentin është kaq negative, dhe punimet janë mjaft të bukura e që na bën mirë”, ka thënë ajo.

Imazhi i një dhelpre është larguar kohëve të fundit. “Mr Sce”, ka thënë se ai ka në plan të vendosë punime të reja që njerëzit t’i zbulojnë në ditët në vijim.

“Unë nuk jam duke u përpjekur të bëj karrierë, por thjesht po përpiqem t’i bëj njerëzit të lumtur”, ka thënë ai.

Marrë nga “The Guardian”. / KultPlus.com

Banesa sekrete brenda kullës Eiffel

Banesa e Kullës Eiffel për një kohë të gjatë ka qenë e fshehur nga sytë e opinionit e shumë persona as që e ka ditur të ekzistonte.

Tani jepet mundësia që ta shohësh nga afër banesën sekrete me pamjen më të bukur në Qytetin e Dritës dhe të ndjehet fryma e Parisit të shekullit 19-të. Kulla e Eiffelit është hapur në vitin 1889 dhe ishte dizajnuar për Ekspozitën botërore të Parisit të atij viti.

Sot është simbol i këtij qyteti dhe që nga themelimi, në nivelin e vet më të lartë, fsheh një banesë që i përket konstruktorit francez Gustave Eiffel, i njohur në botë me konstruktimin e kësaj kulle.

Eiffel dikur, në majë të kullës më të njohur në botë, ka pasur apartamentin me orendi shumë të bukura e stilistike si dhe një piano për koncerte. Tashmë banesa e gjallëron atmosfera autentike e kohës kur është bërë dhe ajo ka karakteristikat e shtëpisë modeste të Parisit nga shekulli 19, përfshirë tepihët e njohur, tapetat, ormanët si dhe dhomën e vogël të fjetjes. / KultPlus.com