Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar si folës në World Affairs Forum.
Stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike në Republikën e Kosovës u theksuan nga kryeministri në fjalën e tij. Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.
Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e ShBA-ve për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s, tha kryeministri Kurti, ndërsa theksoi edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind.
Ai potencoi indikatorët pozitivë ekonomikë, rritjen ekonomike impresive dyshifrore, si dhe punën drejt themelimit të Gjykatës Komerciale në Kosovë.
Duke folur për potencialin që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit, Kryeministri Kurti tha se në Silicon Valley takoi shumë ndërmarrës, të cilëve u shpjegoi që Kosova është vend i përshtatshëm për investime.
Kryeministri ftoi biznesmenët amerikanë po ashtu edhe ata shqiptaro-amerikanë që të investojnë në Kosovë, për ndërmarrje fitimprurëse për ta dhe zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik për Republikën e Kosovës.
Duke biseduar për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike, kryeministri potencoi kapacitetet për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës. Kryeministri veçoi parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW dhe 27 turbina, si dhe projektin “Solar4Kosovo” me kapacitet prej 70 MW, që njëherësh do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metra katrorë. Ai përmendi edhe negociatat me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, me shumën 236 milionë dollarë, dhe që parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se nesër do të organizohet ceremonia për dhënien e shpërblimit shtetëror për boksieren Donjeta Sadikun, shkruan KultPlus.
Donjeta Sadiku ka arritur që të fitojë medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të boksit që u mbajt në Stamboll.
Në këtë ceremoni të pranishëm do të jenë edhe Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës.
Ministri Çeku dhe të pranishmit do të mbajnë edhe konferencë për media. /KultPlus.com
Kremlini ka përditësuar listën e zyrtarëve amerikanë dhe figurave të famshme të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi, ku përfshihet edhe aktori Morgan Freeman.
Ylli i Hollivudit është në mesin e 963 amerikanëve në listë, ku ndodhet edhe Joe Biden dhe Hillary Clinton.
Freeman shfaqet në një video promovuese të vitit 2017 për një organizatë të quajtur Komiteti për Hetimin e Rusisë, raporton CNN.
Videoja u krijua nga regjisori Rob Reiner, i njohur më së shumti për filmat duke përfshirë “The Princess Bride” dhe “When Harry Met Sally”, i cili gjithashtu është shtuar në listën e Kremlinit.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se personat e përfshirë në listë nxitin rusofobinë. /KultPlus.com
Në garat ndërkombëtare të solokëndimit “Stojan Stojanov Gančev” që mbahen çdo vjet në Zagreb të Kroacisë, ka konkurruar edhe solokëngëtarja, Elona Sadiku.
Ajo garoi online në kategorinë III/B dhe u shpërblye me çmimin e parë. Sadiku ka thënë se ndihet tejet e lumtur që doli fitimtare në këto gara me mjaft nam në qytetin e Zagrebit.
Elona Sadiku në këtë garë është paraqitur me “O mio Fernando” (La Favorita) të Gaetano Donizzeti, “Ascolata! Se Romeo t’uccise un figlio” (I Capuleti e i Montecchi) të Vincenzo Bellini, “Im Westen” të Robert Schumann, “N’mes dashurive” të T. Zadeja dhe “Bylbyli” të Limoz Dindari.
Ajo ka falënderuar profesoreshën e saj Merita Juniku për përkrahjen dhe profesorin Agron Shujaku për përcjelljen në piano. /KultPlus.com
Sot ishin ndeshjet finale të turneut, në të cilin morën pjesë 5 shtete, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia Veriore, Mali I Zi dhe Kosova.
Boksieri më i mirë i turneut u shpall Taulant Jakupi nga Gjakova. Në ndeshjet finale arritën të kalojnë 18 boksierë.
Për të përcjellë nga afër finalet, të pranishëm ishin zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, medalistja e bronztë e botërorit në boks, Donjeta Sadiku, kryetari i Federatës së Boksit, Enver Krasniqi, nënkampioni botëror i boksit Dragan Vujkoviç, drejtues të federatës së boksit dhe sportdashës tjerë.
Në kuadër të finaleve, zëvendësministrja Osmani në emër të MKRS-së nderoi boksieren Donjeta Sadiku, për fitoren e medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror të boksit që u mbajt ditë më parë në Stamboll./KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar ekspeditën e tij jashtë Kosovës, duke vizituar shtetin e Zvicrës.
Postimi i plotë:
“Të sigurohemi që fëmijët e diasporës sonë të mësojnë shqip nuk është vetëm një prioritet kryesor i qeverisë sime, por një detyrë patriotike. Diaspora jonë mund të jetë larg atdheut, por integriteti i tyre personal dhe profesional janë çelësi i suksesit të Kosovës, siç thashë gjatë vizitës time në shkollën shqipe Alba Life”, ka shkruar ai në “Twitter”. /KultPlus.com
Kujdesu per dhimbjet e tua, per kerkesat e atyre qe te jane prane!
Dhurojua te tjereve driten qe nuk ke, forcen qe nuk zoteron, shpresen qe ndjen te luhatet ne ty, besimin qe te mungon. Ndriçoji nga erresire jote. Pasuroji me varferine tende.
Dhuro nje buzeqeshje kur ke deshire te qash. Prodho hare me stuhine qe ke Brenda. “Ja, ate qe s’kam ta dhuroj”. Kjo eshte parajsa jote.
Do te vesh re qe gezimi, pak nga pak do depertoje ne ty, do pushtoje qenien tende, do behet vertet i yti ne masen ne te cilen, do ua kesh dhuruar te tjereve./KultPlus.com
Autoritetet shëndetësore janë alarmuar për përhapjen e virusit të lisë së majmunit, i cili veçse është përhapur në disa vende të Evropës, shkruan KultPlus.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka publikuar disa informacione mbi këtë virus.
Disa informacione për lijën e majmunëve:
• Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae.
• Lija e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera.
• Lija e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore.
• Lija e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%.
• Lija e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin.
• Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati.
• Paraqitja klinike e lisë së majmunëve i ngjan asaj të lisë, një infeksion i lidhur me ortopoksvirusin i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980. Lija e majmunëve është më pak ngjitëse se lija dhe shkakton sëmundje më pak të rënda.
• Vaksinat e përdorura gjatë programit të çrrënjosjes së lisë ofruan gjithashtu mbrojtje kundër lisë së majmunëve. Janë zhvilluar vaksina më të reja nga të cilat njëra është miratuar për parandalimin e lisë së majmunëve.
• Një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar gjithashtu për trajtimin e lisë së majmunëve. /KultPlus.com
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar stërvitjet e Batalionit 133 të Këmbësorisë të Gardës Kombëtare të Iowas dhe Regjimentit të Parë të Këmbësorisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në një noftim nga FSK, bëhet e ditur se përveç fushave tjera, kësaj radhe fokus kishte stërvitja dhe gjuajtja me mortaja nga ushtarakët e të dyja forcave, gjatë operacioneve në këtë stërvitje, ushtarakët tanë dhe partnerët u trajnuan edhe në manovrimin me autoblinda në fushëbetejë dhe gjuajtje me mitralierë 12.7mm.
“Gjeneral Jashari pa nga afër edhe gjuajtjet me mortaja të cilat janë pjesë organike e njësive të këmbësorisë dhe ofrojnë fuqi të zjarrit indirekt kundrejt caqeve të armikut”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Tutje theksohet se ushtarakët e Kosovës treguan profesionalizëm dhe rezultate të larta, për çka edhe u vlerësuan lartë nga partnerët tanë të Gardës Kombëtare të Ajovës.
“Komandanti i FSK përgëzoi ushtarakët tanë dhe ata partnerë për zellin dhe përkushtimin në aftësimin në sisteme të zjarrit indirekt”, njofton FSK.
FSK së bashku me aleatin e saj strategjik, SHBA-të, do të vazhdojnë të zhvillojnë kapacitete të tilla me synim të rritjes së gatishmërisë për reagim në çdo situatë që mund të ballafaqohen. /KultPlus.com
22 maj 1960, bota përjetoi atë që njihet si lëkundja më vdekjeprurëse e njerëzimit, tërmeti i Valdivisë apo siç njihet ndryshe tërmeti i madh i Kilit, shkruan KultPlus.
Me një magnitudë 9.4–9.6 tërmeti shkatërrues ndodhi pasdite dhe zgjati 10 minuta duke shkaktuar një cunami që preku Kilin Jugor, Japoninë, Filipinet, Zelandën e Re lindore, Australinë Juglindore e të tjerë.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara raportoi këtë ngjarje si “tërmeti më i madh i shekullit 20”.
Qeveria e Kilit vlerësoi se rreth 2 milionë njerëz kishin mbetur pa shtëpi. /KultPlus.com
Më 22 maj të vitit 1910, në Sevastopol të Rusisë në një familje emigrantësh shqiptarë me origjinë nga Korça, lindi Lola Gjoka, pianistja e parë shqiptare, shkruan KultPlus.
Gjoka kishte marrë çmimin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966 dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978, për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore.
Pianistja Lola Gjoka është një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor shqiptar, sepse ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve të para artistike, duke punuar me përkushtim paralelisht edhe në formimin e artistëve të rinj.
Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, “Rusalka” dhe “Ivani Susanjin”.
Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e majit 1978.
Por sigurisht që thesari më i çmuar që na ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes. Vdiq më 6 tetor të vitit 1985 në Tiranë. / KultPlus.com
Rita Ora dhe Dua Lipa do të performojnë në Tiranë brenda këtij viti dhe këtë e zbuloi Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se pas finales së ‘Conference League’, kryeqyteti do të fillojë përgatitjet për të pritur dy koncertet e mëdha të këngëtareve shqiptare.
Duke folur për Top News, Veliaj u shpreh se: “Të gjithë duhet të gëzohemi kur Tiranës i vijnë aktivitete të tilla të mëdha. Me të mbyllur finale e 25 Majit, do të fillojmë përgatitjet për koncertin e madh të Rita Orës në fund të pushimeve, dhe të Dua Lipës pranë festave të fundvitit. Duam që Tirana të jetojë çdo ditë”.
Ndërkaq, një nga festivalet më të mëdha në Evropë, “Sunny Hill Festival” do të mbahet këtë verë në Kosovë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht. /KultPlus.com
Festivali Ballkanik, në edicionin e tij të 4-t solli në Korçë ansamblet më të mira, në një festë të vërtetë të traditës.
Gjashtë shtete të Ballkanit, promovuan trashëgiminë e tyre të traditës, në një festival, ku gara mes grupeve mbetet sa simbolike, aq edhe stimuluese për artistët.
Grupet nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Greqia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut me paradën e kostumeve të tyre kombëtare dhuruan spektakël në rrugët e qytetit të Korçës
Duke përformuar valle tradicionale, këngë e instrumente nën tingujt e muzikës folklorike, ata e kthyen sheshin e Pazarit të Vjetër në Korçë, në qendrën e “Shpirtit të Ballkanit”.
Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Korçës Blerta Balliu tha se “shpirti i Ballkanit ka katër vite që është krijuar dhe ka një qëllim shumë të madh për të bashkuar artin e gjithë Ballkanit, sepse ne jemi kaq shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin”.
Ajo tha se zhvillimi i festivalit të parë Ballkanik në Korçë na bën dy herë krenar.
Në natën finale të këtij festivali mbajtur në teatrin ‘Andon Zako Çajupi’, pas performancës së shkëlqyer nga ansamblet e 6 shteteve pjesëmarrëse, Maqedonia e Veriut u vlerësua fituese e këtij edicioni të 4-t./atsh/ KultPlus.com
Qamil Muhaxhiri i njohur si Qamili i Vogël ishte një prej këngëtarëve më të njohur i muzikës popullore e veçmas asaj rapsodike, shkruan KultPlus.
I lindur në Gjakovë në vitin 1923, ai së bashku me Ymer Rizën formuan anembanë Kosovës, Shoqëri Kulturo-Artistike. Me Qamilin e Vogël kanë bashkëpunuar edhe shumë këngëtarë të tjerë si: Tahir Drenica, Mazllom Mezini, Bajrush Doda, Ismet Peja, Hashim Shala, Nexhmije Pagarusha… Këngët e Qamilit të Vogël, vazhdojnë të dëgjohen edhe sot me shumë dashuri.
Një prej tyre e që është shumë e njohur është edhe “Maroma ni kafe”, të cilën KultPlus, po e sjell sot për lexuesit me video dhe me tekst.
Maroma nji kafe Dalëngadalë ta pi Se më ka ardhë letra Për me shku n’ushtri
Ani shuj bre djale Çka m’kallxove ti Tash na vjen pranvera Çka do t’baj pa ty
Ushtar unë po shkoj E ty po t’la në shpi Për mall po t’i la Sahat e allti
Për mu kur t’merr malli Ty mor djal i ri Merr shkruma nji letër Pashë dy sytë e mi
Vijnë shoqet e mija ditë për ditë me lu Une dal n’dritare Për ty tuj mendu
Vitet po kalojne Koha s’asht tuj shku E mora nji leter Ty për me ta shkru./ KultPlus.com
Këtë të diel në mëngjes, kanë mbërritur në Kosovë, Liudmyla Mekh dhe Serhii Shevchenko, si pjesë e programit “Journalists in Residence – Kosovo”. Ata janë vendosur në Prishtinë, dhe do të kenë mundësinë që të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë nga Kosova.
Gazetarët veteranë kanë punuar në media të ndryshme në Ukrainë, dhe janë pjesë aktive e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës (NUJU). Zonja Mekh është themeluese dhe presidente e Fondacionit “Iniciativa e Gazetarëve”, me bazë në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Gazetarët janë pritur në aeroport nga zyrtarja ligjore e European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues të MPB-së.
Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, financohet nga Qeveria e Kosovës dhe ofron mjete të qerasë për banesë, pagesë mujore dhe sigurim shëndetësor për 20 gazetarët që pritet të mbërrijnë në Kosovë në javët në vazhdim./ KultPlus.com
Regjisori ukrainas Dmytro Sukholytkyy-Sobchuk kritikoi Festivalin e Filmit në Kanë për përfshirjen e një regjisori rus në formacionin e tij, teksa filmi debutues “Pamfir” i kineastit debutues u shfaq të shtunën në Festivalin e Drejtorëve të Kanës, transmeton KultPlus.
Festivali ka ndaluar pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare ruse, por disidenti rus Kirill Serebrennikov, i cili është shprehur kundër pushtimit të Ukrainës, shfaqi premierë filmin e tij në konkurrencë “Gruaja e Çajkovskit” në festival të mërkurën.
“Kur ai është këtu, ai është pjesë e propagandës ruse dhe ata mund ta përdorin atë”, tha Sukholytkyy-Sobchuk për Reuters të shtunën.
Regjisori rus Serebrennikov kishte thënë në fillim të kësaj jave se kultura ruse nuk duhet bojkotuar, duke thënë se kultura ruse “ka promovuar gjithmonë vlerat njerëzore”.
Regjisori ukrainas Sukholytkyy-Sobchuk e përshkroi ndjesinë e të qenit në Kanë ndërsa vendi i tij lufton kundër një pushtimi rus si “të huaj”.
“Gjithçka që ka ndodhur këtu, është diçka që nuk do t’i përkiste Ukrainës – jeta paqësore… Ne kemi (një) realitet të kundërt,” tha ai.
I vendosur në pyjet e rajonit Chernivtsi të Ukrainës perëndimore, “Pamfir” fillon me kthimin e një babai, Leonidit, në familjen e tij pas muajsh pune në Poloni.
Një zjarr në kishë që i atribuohet djalit të Leonidit, Nazarit, detyron babanë të marrë një punë të shpejtë kontrabande, duke zemëruar shefin lokal të kontrabandës.
Me referenca të tragjedisë greke dhe historisë biblike të Abrahamit dhe Isakut, historia e luftës për shpengim ka rezonancë me konfliktin e vazhdueshëm.
“(Filmi) është një pasqyrim i forcës dhe fuqisë së popullit ukrainas, i cili është shumë i fortë dhe që do të fitojë. Është vetëm çështje kohe… sepse ne nuk mund të mposhtemi,” tha Oleksandr Yatsentyuk, i cili. luan Leonidin./KultPlus.com
Shqiptarët padyshim se i takojnë trungut të popujve më të lashtë si për nga historia ashtu edhe për nga gjuha. Mirëpo shqiptarët janë një ndër popujt të cilët më së paku e kanë të dokumentuar historinë e vet kombëtare.
Periudha e hekurit por edhe ajo antike janë periudha shumë të lavdishme të ilirëve si paraardhësit tanë. A ishin të civilizuar? Me çfarë teknike dhe si i ndërtuan vendbanimet e veta? Nëse dimë se muret ciklopike janë karakteristikë e ndërtimeve ilire atëherë shtrohet pyetja si u skalitën ata gurë gjigand? Kush ishin ata që i skalitën me aqë precizitet dhe në fund me çfarë makinerie apo teknike i ngriten blloqet shumëtonëshe deri në ato lartësi të mëdha?
Dimë për kulturën helene dhe romake dhe padyshim se këto kultura kanë mbërrit edhe në Ilirik. Ato këtu gjetën kulturën ilire e cila ka dhënë kontributin e vet në kulturën e gjithëmbarshme botërore. Helenët, trojet e ilirëve i quanin barbare, derisa Roma nuk mundi t’i pushtojë me lehtësi por iu deshtë të bëjë luftëra të cilat zgjatën pothuaj 300 vite ku më të njohurat janë Lufta e Parë, Dytë dhe e Tretë Iliro-Romake kur përfundimisht bie Mbretëria e Ardianëve dhe i gjallë bie rob Mbretit Gent. Pasojnë disa kryengritje të cilat zgjasin deri në vitin 6-7 të erës së re e që pas shuarjes së kryengritjeve, Roma me qëllim që më lehtë ta kontrollojë këtë territor formon dy provinca të reja: Dalmacinë dhe Mezinë.
Nuk duhet harruar se fillimisht Roma kishte rregullim: Mbretëror (735-509 p.e. re), Republikan (500 p.e.re – 27 p.e.re) por me ardhjen e Cezarit (50 pe.re) e përfundimisht nga Augusti (27 p.e. re) fillon era e rregullimit të ri shtetëror pra Perandorisë Romake që udhëhiqet nga perandori i cili sipas një rregulli vinte nga radhët e ushtrisë. Ky rregullim zgjati deri në vitin 350 të erës sonë kur edhe Perandoria ndahet në atë Lindore dhe Perëndimore. Në këtë periudhë falë shkathtësisë së tyre luftarake, guximit dhe ambicies për pushtet u bë e mundur që për perandorë romakë të bëhen edhe shumë ushtarakë të lindur në Iliri dhe që shumë lehtë vërtetohet identiteti i tyre ilir madje ata edhe inkurajonin dhe ndihmonin ilirët tjerë që të ngriten dhe avancohen në ushtri. Andaj për një periudhë të gjatë kohore ia arritën që shumë ilirë të mbajnë poste dhe funksione shumë të larta perandorake.
Në periudhën Perandorake (27 p.e.re – 395) në fron janë ulur plot 27 ilirë prej të cilëve më të njohurit janë: Diokleciani dhe Konstantini i Madh, e që Aurel Viktori (320-390) për ta do të shkruante: “Atëdheu i të gjithë këtyre ka qenë Iliriku, edhepse pak të qytetëruar kanë qenë shumë të dobishëm për shtetin” (N.Ceka, Ilirët). Pra, këta perandorë janë puro iliro/shqiptar, sllavët në Ilirik filluan dyndjen në shek.VI-VII dmth dy shekuj pas Perandorit të fundit ilir. Këtu po sjellim listën e Perandorëve Romak që kanë lindur në Ilirik apo kanë prejardhje ilire:
1. Trajanus Decius (249 – 251), Gaius Messius Quintus Taianus Decius, ka lind në Budallija (Sirmium) sot fshati Martiniqi (Mitrovica e Sremit, Serbi)
2. Hostilianus (251), Gaius Valens Hostilianus Messius Quintus, djali i Deciusit, ka lind në Sirmium.
3. Claudius II Gotikus (268 – 270), Marcus Aurelius Claudius Gothicus, është nga rrethi i Sirmiumit ose nga Dardania. Për perandor zgjedhet pasi i mund Gotët në vitin 268 afër Naissusit.
4. Quintilus (270), Marcus Aurelius Claudius Quintillus, ka lind në Sirmium, është vëllai i Claudit II, vetëm 77 ditë ka qëndruar në fron.
5. Aurelianus (270 – 275), Lucius Domitius Aurelianus, ka lind në Sirmium sot Mitrovica e Sremit, njihet me atë se Perandorisë Romake ia ribashkon Mbretërinë e Galëve.
6. Probus (276 – 282), Marcus Aurelius Probus, ka lind në Sirmium, është i pari që lejoi që hardhit Italiane të mbillen në vende tjera të Perandorisë si në Ilirik, Galici, Britani dhe Spanjë.
7. Diocletian (284 – 305), Gaius Aurelius Valerius Diocletianus, ka lind në Dioclea sot Dukla afër Podgoricës. Një ndër perandorët më të rëndësishëm të Romës. Pas një kaosi të madh shumëvjeçar ai ia arriti që Perandorinë ta vëj në rregull. Duke qenë i vetëdijshëm se Perandoria ishte shumë e madhe dhe që ishte shumë e vështirë të udhëhiqej nga një njeri i vetëm është i pari që vendos të ndajë pushtetin krijon Diarkin (dy AUGUSTË që sundojnë njëri në Lindje e tjetri në Perëndim) dhe kjo ishte fillimi i ndarjes së Perandorisë në atë Lindore dhe Perëndimore.
8. Maximianus Herculius (285 – 305), Marcus Aurelius Valerius Maximianus Herculius, ka lind në Sirmium. Ilir, mik dhe bashkësundues me Dioklecianin. Së bashku me Dioklecianin jep dorëheqje nga froni por që pas një viti (306) kthehet prapë në fron dhe e ndihmon në ngritje Konstantinin e Madh. Nga froni e rrëzojnë më 308.
9. Galerius (305 – 311), Gaius Galerius Valerius Maximianus, ka lindur në Felix Romuliana sot Gamzigrad afër Zajeçarit. Sundoi nga Sirmiumi, ka qenë i pamëshirshëm ndaj të krishterëve madje të gjitha barbarizmat që i vishen Dioklecianit janë rezultat i përndjekjeve të tija. Për grua kishte vajzën e Dioklecianit.
10. Constantius I Chlorus (305 – 306), Flavius Valerius Constantius, ka lind në Ilirik në vitin 250. Është babai i Konstantinit të Madh.
11. Flavius Severus II (306 – 307), Flavius Valerius Severus II, ka lindur në Naissus, ka ndarë fronin me Konstantin Klorin.
12. Licinius (308 – 324), Gaius Valerius Licianus Licinius, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbretëroi në lindje, së bashku me Konstantinin e Madh sollën Ediktin e Milanit. Zhvillon dy luftëra kundër Konstantinit të Madh të cilat i humbet të dyja dhe në fund ekzekutohet.
13. Maximinus Daia (311 – 313), Gaius Galerius Valerius Maximinus, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbahet mend si persekutues i madh dhe se nuk ka pranuar sistemin tetrark të mbretërimit.
14. Constantinus I i Madh (312 – 337), Flavius Valerius Constantinus, ka lindur në Naissus (Nishi i sotëm). Më 313 nënshkruan Ediktin e Milanit me të cilin lejohet toleranca fetare dhe praktikimi i lirë i fesë së krishterë. Është themelues i Konstantinopolit dhe me ardhjen e tij vie deri te një paqe sociale pas një periudhe të gjatë të persekutimeve fetare.
15. Constantinus II (337 – 340), Flavius Iulius Constantinus, ka lind në Sirmium dhe është djali i dytë i Konstantinit të Madh. Babai i vet e bën Cezar të pjesës lindore të Perandorisë kurse dy vëllezërit tjerë pjesën tjetër.
16. Vetranio (350), i ilindur në Mezi, për Cezar e emëroi Konstanti II me kërkesën e vajzës së Konstantinit të Madh. Mirëpo nuk ndenji shumë në fron vetëm dhjetë muaj kur edhe datyrohet të largohet.
17. Iovianus (363 – 364), Flavius Iovianus Augustus, ka lindur në Singidunum (Beogradi i sotëm) dhe në fron qëndroi vetëm tetë muaj.
18. Valentinianus I (364 – 375), Flavius Valentinianus, ka lind në Cibala (sot Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valensin. Ka mbretëru perëndimin.
19. Valensi (364 – 378), Flavius Valens, ka lind në Cibala (Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valentinianin I. Ka mbretëru lindjen.
20. Gratianus (375 – 383), Flavius Gratianus Augustus, ka lind në Sirmium. Është djali i Valentinianit I.
21. Valentinianus II (383 – 392), Flavius Valentinianus II, ka lind në Trir është djali i Valentinianit I i cili ka qenë nga Cibala (Kroaci).
22. Constantinus III (421), Flavius Constantius Augustus, ka lind në Naissus, është babai i Valentinijanit III
23. Valentinianus III (425 – 455), Flavius Placidius Valentinianus, djali i Constantinus III, njihet si perandori i fundit perëndimor me origjinë ilire.
24. Marcianus (450 – 457), Flavius Marcianus, ka lind në Iliri, ka mbretëru në lindje.
25. Anastasius I (491 – 518), Anastasius, ka lind në Dyrrachium, Durrës, Shqipëri.
26. Iustin I (518 – 527), Flavius Iustinius, ka lindur në Bederiana të Dardanisë (Leban, Serbi).
27. Iustinianus I (527 – 565), Flavius Petrus Sabbatius Iustinianus, ka lind në Tauresium të Dardanisë. Justiniani I është imperatori i fundit latin.
(Gazeta Shqiptare, Gazmend Çitaku, publicist dhe përkthyes). /KultPlus.com
“The Chicago Tribune” ka botuar, të mërkurën e 17 prillit 1929, në faqen n°2, rrëfimin e ambasadorit amerikan asokohe në Shqipëri në lidhje me mënyrën se si duhej thirrur mbreti Zog dhe me rëndësinë e prezencës së amerikanëve në mbretërinë shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Monarku shqiptar mund të jetë Zogu për disa, por ai preferon Zog – është më dinjitoz
Mbreti Zogu i Shqipërisë nuk është më Mbreti Zogu. Ai është tani e tutje Mbreti Zog dhe z. Charles C. Hart, i dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër Fuqiplotë në Mbretërinë Ballkanike, thotë se e gjithë bota ende po e thërret Zogun me emrin e gabuar.
“Ai ka qenë Mbreti Zogu”, shpjegoi zoti Hart, i cili mbërriti në Paris dje me Leviathan, për një gazetar të Tribunës, “por një emër kaq i zakonshëm nuk i shkonte më kur u bë monark. Zog, nga ana tjetër, është i dalluar dhe mjaft i pazakontë. Shtypi i Europës dhe i Shteteve të Bashkuara e merr parasysh me dashamirësi.”
Zoti Hart është kthyer jashtë shtetit pas dy muajsh pushime në vendlindje dhe është nisur drejt Tiranës për të rifilluar detyrën si ministër i SHBA-ve.
“Natyrisht që ju do të pyesni veten se çfarë nevoje ka në një vend të jashtëzakonshëm si Shqipëria për një të dërguar amerikan,” tha zoti Hart duke parashikuar një pyetje të qartë. “Unë do t’ju them. Shkollat amerikane, metodat amerikane të biznesit dhe përparimi amerikan janë rend i ditës në vendin e vogël të Mbretit Zog. Shumë shqiptarë të emigruar në Shtetet e Bashkuara janë kthyer për të vazhduar biznesin e tyre në atdhe. Në fakt ne kemi një koloni të lulëzuar shqiptaro-amerikane në Tiranë”.
Punë magjepse.
Kërkimet e mëtejshme nxorën faktin se shqiptarët nuk i harrojnë kurrë familjet. “Ka raste të regjistruara,” tha zoti Hart, “ku të rinjtë shqiptarë janë kthyer nga Amerika për t’u martuar me vajzat me të cilat ishin fejuar në foshnjëri dhe nuk i kanë parë kurrë. Të tjerë kthehen për të marrë nënat, baballarët, motrat apo vëllezërit e tyre. Shumë të tjerë kalojnë disa vite në Amerikë dhe më pas kthehen përgjithmonë në shtëpi.”
Zoti Hart thotë se është “ndoshta i vetmi njeri në shërbimin diplomatik të SHBA-ve që mund të gëzojë një post në Shqipëri. Një punë e tillë ka më shumë interes, emocione dhe përgjithësisht aspekte shumëngjyrëshe se pothuajse çdo profesion tjetër në botë. Për gjashtëmbëdhjetë vjet isha në lojën e gazetave dhe kur u zbeha prej tyre, u sigurova që të zgjidhja diçka për të cilën mund të mbaja në mendjen time.”
Ai do të niset së shpejti nga Parisi për në Tiranë, i shoqëruar nga zonja Hart./ KultPlus.com
Heqja e kapelës, ose ndonjëherë thjesht duke e lënë të kuptohet duke prekur buzën, është një gjest konvencional jo-verbal, shumë i zakonshëm në Perëndim, veçanërisht tek burrat, shkruan focus.it.
Në të kaluarën, mbulesa e kokës mund të sinjalizonte se i përkisnin një rangu të lartë shoqëror dhe heqja e saj përfaqësonte një akt përulësie.
Shembulli më i qartë është përdorimi, i kufizuar vetëm për burrat, i hyrjes në kishë me kokë të pambuluar.
Respektim human
Ky gjest tradicional ka lindur disa idioma, të cilat tregojnë synimin për të kryer këtë veprim për të bërë homazhe, për të shprehur respekt apo admirim për dikë./ KultPlus.com
Poezi nga Viktor Hugo Përktheu nga origjinali Ermira Xhomaqi
Të uroj
Të uroj më së pari të duash E duke dashur, do të të duan edhe ty Dhe ata që s’të duan, harroji E përtej harrimit, mëritë e vjetra kurrë mos t’i kujtosh!
Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar Të uroj që edhe sikur mes miqve të tu Të ketë të pasjellshëm, të pamatur e t’pamend Ti, ti… qëndro gjithmonë trim e besnik Pse mes tyre ka për të qenë edhe një i vetëm Tek i cili ti mund të besosh padyshim Pse jeta vetë është e tillë.
Të uroj gjithashtu të kesh armiq Të shumtë, a një të vetëm, aq sa ti të kuptosh. E kështu të mund të mësosh zemërgjerësinë prej tyre Dhe ndër ta, të jetë qoftë edhe një i drejtë, Aq sa ti të mos ndjehesh krejt i sigurt.
Të uroj më shumë të jesh i vlefshëm, po jo i pashembullt E në çaste të vështira Kur asgjë nuk shkon si duhet Vlera jote të të japë forcë e kurajo të vazhdosh.
Të uroj po ashtu të jesh zemërgjerë Jo me ata që lajthisin pak Sepse kjo është e lehtë Por me ata që gabojnë trashë e janë të pandreqshëm Dhe duke shprehur zemërgjerësinë tënde Ti mund të shërbesh si shembull për të tjerë.
Të uroj gjithashtu që duke qenë i ri Të mos rrekesh të piqesh me të shpejtë E kur rritur të jesh Të mos këmbëngulësh të hiqesh më i ri E duke qenë plak, të mos pushtohesh prej dëshpërimit Sepse çdo moshë ka bukurinë e dhimbjen e saj.
Nuk të uroj të jesh i trishtuar. Oh jo! Jo gjithë vitin, por ta njohësh trishtimin veç një ditë! E kështu të çmosh Që e qeshura e rigjetur është edhe më e mirë Se një e qeshur e rëndomtë, e vakët, e shpëlarë që të dëmton.
Të uroj mes tjerash të mbjellësh një farë Një farë të vockël fare E ta shoqërosh gjithë rritjen e saj Për të zbuluar prej sa shumë jetësh është ndërtuar një pemë.
Të uroj gjithashtu të kesh edhe pak para Aq sa nevojiten e t’ia dalësh mbanë E që së paku një herë në vit të reflektosh Mbi ato para e të thuash: “Janë të miat, i kam fituar vetë!” Për ta bërë të qartë e të njohur: Se kush është pronar i kujt!
Të uroj gjithashtu të mbash sa më gjatë t’jetë e mundur Gjithçka që dashuron E nëse dashuritë shkojnë, të mund të qash pa u ankuar E të vuash pa u ndjerë fajtor!
Të uroj së fundmi Që nëse je një burrë, të kesh një grua të mirë E nëse je një grua, të kesh një burrë të mirë. Nesër, pasnesër e sërish të pasnesërmen Edhe sikur rraskapitur të jeni Ta gjeni buzëqeshjen si në t’parën ditë dashuruar të jeni gjithnjë!
E nëse të gjitha këto ndodhin për ty Atëherë, s’do të kem më asgjë të të uroj!/ KultPlus.com
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit patën nderin të mikprisnin dy festivale amerikane këtë javë, në Tiranë dhe Shkodër, në lidhje me Javën Amerikane dhe 100-vjetorin e marrëdhënieve.
Në Pazarin e Ri, restorantet shqiptarë shërbyen ushqime dhe pije të njohura të stilit amerikan, ndërsa artisti Elton Deda dhe grupi i tij dhanë një performancë të mrekullueshme për publikun.
Në festival – 100 arsye për të festuar – morën pjesë Ambasadorja Yuri Kim, Drejtori i Bordit të AADF Michael Granoff, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Ambasadorja Kim vlerësoi mundësinë për të festuar dhe nderuar marrëdhënien e veçantë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, 100 vitet e historisë sonë të përbashkët dhe 100 vitet e ardhshme./atsh/ KultPlus.com
Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.
Tani jam një vit më i madh se Naimi, dyfish më i moshuar se Migjeni dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.
Për ditëlindjen time pimë nga një gotë verë me Veronikën nga Kili dhe Mihain nga Bukureshti.
Ç’rastësi! Të tre kemi njohur nga një diktaturë (unë dy a tri) dhe kemi ëndërruar botën e lirë. I cakërrojmë gotat dhe themi: Gëzuar! Secili në gjuhë të vet; në Paris, në botën e lirë (A thua, vërtet?)
Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë!./ KultPlus.com