40 mijë kosovarë drejt bregdetit, kolona kilometrike në Rrugën e Kombit

Ditët e fundit të gushtit kanë shënuar një fluks të jashtëzakonshëm të hyrjeve në Shqipëri të shtetasve të Kosovës me destinacion bregdetin shqiptar.

Radhë kilometrike janë vërejtur që në orët e para të mëngjesit të së shtunës në segmentin Morinë -Kukës të Rrugës së Kombit, tek Ura e Drinit të Zi.

Mijëra qytetarë nga Kosova me automjetet e tyre dhe autobusë po i drejtohen bregdetit shqiptar.

Sipas të dhënave nga autoritetet kufitare të shtunën në mëngjes kanë kaluar pikën kufitare të Morinës, rreth 40 mijë kosovarë ndërsa në 25 ditët e para të Gushtit, kanë hyrë në Shqipëri mbi 400 mijë shtetas të Kosovës./oranews/ KultPlus.com

Nata e parë e Sunny Hill Festival “elektrizon” Tiranën

“Sunny Hill Festival” ndezi dje atmosferën në Tiranë. Në natën e parë të festivalit të zhvilluar në mjediset e parkut të Liqenit Artificial, të mbushur me mijëra të rinj, performuan artistët e njohur shqiptarë Capital T, Dafina Zeqiri, Dren Abazi, Art Lokaj, Sanchet, Art Haliti, etj.

Ndërsa atmosfera u bë më elektrizuese kur në skenë u ngjit reperi italian Fedez dhe reperi Action Bronson, të cilët sollën këngët më të bukura të repertorit të tyre.

Ndërkohë, në ditën e dytë të festivalit do të performojnë vetëm DJ të njohur botëror e shqiptarë si, Hardwell, Afrojack, Regard Merk&Kremont, Drop G, Kamela Ampov, Vin Veli.

Në ditën e tretë të festivalit do të interpretojnë Stormzy, Mc Kresha dhe Lyrical Son, Ledri Vula, Mozzik, Getinjo, Elgit Doda, Asgjë Sikur Dielli, Nika Paris- Vegas Jones- Rooms, Barny Fletcher, Alban Chela, Ardian, Rrrrron.

Ky është viti i parë që “Sunny Hill Festival” organizohet në Tiranë, që konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në trevat shqiptare.

Bileta e blerë është e vlefshme për të tre netët. Në festival nuk paguhet me para në dorë, por pagesat për pijet dhe ushqimin bëhen përmes aplikacionit Sunny Hill. /tvklan.al/ KultPlus.com

Shtyhet afati i thirrjes për propozime për edicionin e 95-të të çmimeve OSCAR

Shtyhet afati i thirrjes për propozime për edicionin e 95-të të çmimeve OSCAR, deri më 1 shtator, 2022

Qendra Kinematografike e Kosovës fton të gjithë të interesuarit të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimet e Akademisë OSCAR, për kategorinë për film ndërkombëtar/gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësoj Kosovën këtë vit.

Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur/do të shfaqen në kinema, apo VOD platformë, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 01 janar 2022 dhe jo më vonë se 30 nëntor 2022.

Në periudhën kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë e cila konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema (theatrical release).

Dhe, filmat të cilët, në një formë apo tjetrën, marrin një ekspozitë publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet OSCAR. Shfaqje publike jashta kinemave konsiderohen të jetë (por nuk kufizohet vetëm në): transmetimi dhe televizioni kabllor, PPV/VOD, shpërndarjet të DVD-ve, shpërndarjet gjatë fluturimeve ajrore, transmetimet në internet etj.

Në linkun e mëposhtëm gjeni detajet e tjera rreth aplikimit:

https://qkk-rks.com/…/shtyhet-afati-i-thirrjes-per…/

Propozimet mund t’i dërgoni përmes postës elektronike në: [email protected]

Apo fizikisht në:

Qendra Kinematografike e Kosovës

Rruga UÇK Nr.273

10000 Prishtina

Kosova

Afati i fundit për aplikim është 1 shtator 2022. / KultPlus.com

Të dua në dhjetë të mëngjesit

Poezi nga Jaime Sabines

Të dua në dhjetë të mëngjesit,
edhe në njëmbëdhjetë dhe në dymbëdhjetë të ditës.
Të dua me gjithë shpirt dhe me gjithë trup,
ndonjëherë në mbasditet me shi.
Por në orën dy të mbasdites, ose në tre,
kur mendoj për ne të dy
dhe ti mendon për ushqimin ose për punët e përditshme,
ose për zbavitjet që të mungojnë,
ia nis të të urrej shurdhërisht,
me gjysmën e urrejtjes që ruaj për veten.

Pastaj të dua sërish, kur shtrihemi
dhe ndjej se je bërë për mua,
që në njëfarë mënyre ma thonë gjuri dhe barku yt,
që duart e mia më bindin për atë
dhe nuk është asnjë vend tjetër ku unë të vij,
apo ku unë të shkoj, më i mirë se trupi yt.
Ti vjen e plotë në takimin me mua
dhe të dy zhdukemi për një çast,
i bindemi Urdhrit të Zotit
deri kur unë të të them se kam uri, apo më vjen gjumë.

Të gjitha ditët të dua dhe të urrej pandreqshëm.
Dhe gjithashtu, ka ditë, ka orë në të cilat nuk të njoh,
kur më je e largët si gruaja e tjetrit.
Më shqetësojnë njerëzit, shqetësohem unë, më shpërqendrojnë dhimbjet e mia.
Ka mundësi që shpesh nuk mendoj për ty.
Tashmë e sheh. Kush mund të të dojë më pak se unë, e dashura ime?

Përktheu: Orjela Stafasani / KultPlus.com

“Shqiponjat e vogla” nga Kanadaja ftohet në Festivalin Ndërkombëtar të Stambollit

Për të parën herë që prej krijimit të tij në vitin 2011, ansambli “Shqiponjat e vogla” me qendër në Toronto, Kanada, është ftuar të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Stambollit në Turqi prej datës 27 gusht deri më 1 shtator 2022, me pjesëmarrje e disa shteteve si Bulgaria, Rumania, Kroacia, Turqia, Maqedonia, Serbia dhe Egjipti, të cilët do të ngjiten në skenë për 3 netë rradhazi.

Harman Folkor Festival është krijuar që prej vitit 1987 dhe organizon disa festivale me grupe fëmijesh, të rinjsh dhe të rriturish me një game të larmishme si kërcime folklorike, këngë popullore, banda muzikore, kore, grupe teatrale etj.

Grupi i valleve “Little Eagles” drejtohet nga koreografi i mirënjohur shqiptar në diasporën kanadeze z. Ramazan Këllezi. Ky grup ka marrë pjesë në disa festivalë në Amerikën e Veriut si në New York, Michigan, Florida si edhe një numër të madh aktivitetesh në Toronto, Kanada.

Në organizimin e rradhës në Festivalin Ndërkombëtar të Stambollit, grupit do t’i bashkohen edhe mbretëresha e kërcimit shqiptar, Nderi i Kombit Liljana Cingu si dhe këngëtarja e mirënjohur Zina Zdrava, “Mjeshtër i Madh”, e cila do të interpretojë këngë të trevave të ndryshme të Shqipërisë.

Z. Këllezi që prej vitit 2006 është anëtar i organizatës International Folk Group (I.G.F.), ai është përfaqësues i Shqipërisë në këtë organizatë, dhe në sajë të këmbënguljes së tij u bë e mundur të realizohet ky aktivitet natyrisht edhe me përkrahjen e prindërve të cilët iu bashkuan kësaj iniciative.

Grupi i valleve do të paraqitet në festival me disa krijime të reja si: Mozaik dasme të qytetit të Tiranës, vallja e Peshkopisë, valle me motive të Tropojës, valle me motive Kosovare si dhe vallen e Librazhdit.
E reja që sjell grupi në këtë festival përveç krijimeve të posaçme për festivalin janë edhe pjesëmarrja e 6 djemve që natyrisht krijojnë një larmishmëri dhe marrëdhënie tepër elegante në repertorin e përgatitur./AlbanianMontreal Press/ KultPlus.com

252 vite nga lindja e Hegelit, filozofi i shquar gjerman

George Wilhelm Friedrich Hegel, ishte i biri i një nëpunësi te thjeshtë te financave mbretërore. Liceun e mbaroi me 1788 dhe u anetaresua ne seminarin e Tubingenit ku studioi ne deget filozofi dhe teologji.

Ai ndante dhomën e konviktit me Fridrih Holderingun (1770-1834) dhe Fridrih von Shelingun (1775-1854). Hegeli e dha provimin perfundimtare me 1793 dhe me pas dha mësime private ne Berne deri me 1797. Nga ky vit e deri me 1800, ai dha leksione private ne Frankfurt-mbi-majn. Vdekja e babait i beri te mundur te shtinte ne dore nje trashëgimi te mjaftueshme për tu vendosur ne Jene. Atje, me 1801, mbrojti tezen e tij. E nisi si mesues privat, por me 1805 te gjithë e njihnin si profesori i jashtezakonshem i filozofise. Per dy vjet, Hegeli perfundoi vepren e tij te njohur “Phanomenologie des Geistes” (Fenomenologjia e Shpirtit).

Pak para se kjo veper te shihte driten e botimit me 1807, Hegeli mori drejtimin e gazetes se Bambergut “Bamberger Zeitung”. Ai mbajti nga viti 1808 deri me 1816, ai mbajti postin e rektorit te liceut artistik te Nurembergut. Rreth kesaj periudhe daton edhe vepra e tij e dyte “Wissenschaft der Logik” (Shkenca e Logjikes). Hegeli u martua me 1811 me Mari von Tuher e cila do te behej nena e dy femijeve te tij. Vepra e radhes mbante titullin “Enzyklopadie der philosophien Wissenschaften Grundrissen” (Enciklopedia e shkurtuar e Shkencave Filozofike) dhe nen titull shkruhej “Profesori i universitetit te Haidelbergut G.W.F. Hegel”. Dy botime me te plota pasuan ne ne vitet 1827 dhe 1830. Krahas karrieres didaktike, ne kete periudhe, Hegeli botoi (ne bashkepunim me nje reviste) studimin e tij “Heidelberger Jahrbucher” (Analet e Haidelbergut). Me 1818, ai u fut si profesor ne Universitetin e Berlinit ku zevendesoi Fihten. Leksionet e tij u bene menjehere te famshme.

Nder deget qe jepte Hegeli rreshtohen:

Logjika

Historia

E Drejta dhe Feja

Antropologjia

Psikologjia

Filozofia e Natyrës

Filozofia e Artit

Historia e Filozofisë

Historia Botërore

Shkolla e krijuar rreth tij dote ushtronte nje ndikim te madh ne opinionin publik dhe qarqet intelektuale ne vitet 1820. Nje organ i shperndarjes se mendimit Hegelian ishte dhe “Jahrbucher fur wissenschaftliche Kritik” (Analet e Kritikes Shkencore)qe dote botohej per here te pare me 1827. Megjithate, ajo qe mbahet si vepra me e rendesishme e Hegelit qe botuar para 6 vitesh dhe titullohej “Grundlinien der Philosphie des Rechts” (Parime te Filozofise te se Drejtes). Ky ishte nje traktat filozofik-politik mbi teorine e shtetit. Njekohesisht, ishte i pari dhe i vetmi cikel konferendash berlineze te botuara nen kujdesin e vete Hegelit. Ai i vizitonte rregullisht qendrat me te medha intelektuale te Europes. Me 1830, mori postin e rektorit te Universitetit te Berlinit. Gjithesesi, ai nuk e mbajti kete post gjate. Me 14 nentor 1831, Hegeli nderroi jete. Ai u varros prne Fihtes ne varrezen protestante te kishes se Berlinit. Shume nga mendimet dhe parimet qe u botuan me vone ne “Vepren e Plot te G.W.F. Hegel” ishin ne te vertete leksione qe u botuan nga studentet pasi Hegeli nuk i la te shkruara.

Filozofia e Hegelit

Merita kryesore filozofike e Hegelit është krijimi i nje sistemi teresisht te ri dhe te thjështë te mendimit filozofik. Ai e konkretizonte : “…une them nje pohim. Ky pohim quhet ndryshe edhe teze. Bashkebiseduesi im me kundershton dhe ky kundershtim interpretohet si antiteze. Nese ne ulemi dhe nxjerrim nje perfundim te perbashket me konsensus ,ajo qe del quhet sinteze e dy mendimeve te meparshme…” Sot ne e shohim se sa i dobishem është ky parim, pasi vetem kompromisi nuk e bllokon ecurine e gjerave dhe nxjerr ne pah me te miren e te dyja paleve. Duhet pasur parasysh se ne kohen e Hegelit, ekzistonte nje rivalitet i madh mes empiristeve dhe racionalisteve. Edhe pse gjeografikisht, Hegeli gjendej ne gjirin e racionalisteve, ai nuk u fut as ne kampin e tyre, as ne ate te moralisteve. Shumica mund ta quajne Hegelin nje pozitivist te bazuar te historia.

Veprat më të njohura

Phanomenologgie des Geistes (Fenomenologjia e Shpirtit) – 1807

Wissenschaft der Logik (Shkenca e Logjikes) – 1808-16

Heidelberger Jahrbucher (Analet e Haidelbergut) – 1818

Enzyklopadie der phiosophien Wissenschaften Grundwissen (Enciklopedia e shkurtuar e Shkencave Filozofike) – Botimi I me 1821, botimi II me 1827, botimi III me 1830.

Grundlinien der Philosophie des Rechts (Parime te Fiolozofise te se Drejtes) – 1821

Jahrbucher der wissenschaftliche Kritik (Analet e Kritikes Shkencore) – 1827

Veprat e plota – pas vdekjes / KultPlus.com

Migjeni: Xhamiat dhe kishat madhështore ndër vende të mjerueme

Poezia “Blasfemi” nga Migjeni, poezia e ndaluar dy herë nga qarkullimi, më 1936 dhe më 1944.

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna. / KultPlus.com

10 foto të mahnitshme që mund të ju “marrin” me vete

Karriera krijuese e ilustruesit italian, Paolo Domeniconi filloi në agjencitë e reklamave.

Në një moment, artisti filloi të punojë në ilustrime për fëmijë, duke studiuar dhe zhytur veten në zhanër.

Ai po bashkëpunon vazhdimisht me botuesit, duke i dhuruar botës foto të mrekullueshme.

Më poshtë, ju sjellim disa fotografi, të publikuara nga Bright Side, me ç’rast mund të shikoni imazhe të bukura të ilustruesit italian./21Media/ KultPlus.com

“Për gruan”, poezi nga Nëna Tereza

Mos harro se lëkura rrudhet,
e flokët mbulohen me borë;
Ditët bëhen vite…
por më e rëndësishmja
nuk ndryshon kurrë!

Forca jote e bindja jote s’njohin moshë.
Shpirti yt e shtrin pëlhurën e merimangës
që mosha ta endi mbi fytyrë!

Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje.
Pas çdo suksese, një zhgënjim.
Përderisa je gjallë, gjallëro!

Në qoftë se të mungon çka bëje më parë,
bëje përsëri,
mos rri duke parë fotografi
të zverdhura nga koha!
Mos e lerë të ndryshket hekuri
që ke brenda vetes.

Sillu në mënyrë që, në vend të mëshirës,
të gëzosh respekt.
Kur të rëndojnë vitet e s’mundesh më të vraposh,
ec shpejt.
Kur s’do të mundesh as të ecësh shpejt,
ec!
E kur as të ecësh s’do të mundesh,
përdore shkopin e shko…
Veç për t’u ndalë,
ti kurrë mos ndalo!/KultPlus.com

Migjeni, poeti që as sëmundja nuk i shkaktonte vuajtje aq sa vuajtjet e popullit shqiptar

Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën.

Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndrrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.

 Millosh Gjergj Nikolla është emri i tij i vërtetë, se Migjeni i përbërë nga bashkimi i rrokjeve fillestare të tre emrave të tij, është pseudonimi ose emri i pendës.

Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni) ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jogan Begerin. Migjeni ishte fëmijë me interesime dhe aftësi të shumanshme: këndonte bukur, i pëlqente të merrej me sport, dallohej për gojtari dhe kishte shumë dëshirë të lexonte.

Në shkollë, përveç serbishtes dhe gjuhëve klasike, mësoi rusishten dhe frëngjishten, që u bënë burim kulture dhe formimi revolucionar për të. Që në shkollë të mesme ai shfaq pikëpamje përparimtare dhe mban qëndrime, që nuk pajtoheshin me dogmat dhe moralin fetar. Më 1933, ndërsa rronte me shpresën se do t’i jepej bursë për të ndjekur studimet e larta, u emërua mësues në Vrakë, në një fshat afër Shkodrës. Atje Migjeni u ndesh me vështirësi të shumta dhe me pengesa të krijuara prej mentaliteteve fetare e prej ndërhyrjeve të konsullit serb, që e kishin regjistruar në ‘librin e zi’. Në atë kohë ai u prek edhe nga tuberkulozi në mushkëri. Vlen që të përmendet zgjedhja e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922 (ku u shpall Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli). Në Shkodër, Migjeni u njoh me shtypjen shoqërore dhe me hipokrizinë fetare. Kështu u formua përfundimisht urrejtje e tij dhe dashuria e tij, kurse prej njohjes së lëvizjes përparimtare komuniste, u formuan shpresa dhe besimi i tij për të ardhmen, që u pasqyruan aq intensivisht në veprimtarinë e tij të shkurtër, por të vrullshme e të thellë. Më 1935, duke menduar se klima malore do t’i printe shëndetin, shkoi mësues në Pukë. Edhe atje nuk pati dobi. Në Pukë, Migjeni vijoi të zhvillojë si mësues e poet veprimtarinë e tij më të gjerë e më të pasur. Aty shkroi jo vetëm shumë, por edhe ato krijimet më të mira që na mbetën nga penda e tij e fortë.

Vuajtjet e popullit shqiptar, sidomos të popullit malësor, e bënë Migjenin të vuante më shumë se nga sëmundja që po i shkallmonte mushkëritë. Në Pukë më 16 qershor 1937 shkroi këngën e tij të fundit ‘‘Nën flamujt e melankolisë’’. Klima e rreptë e Pukës ia acaruan sëmundjen, prandaj vendosi t’i bjerë pas shëndetit, të dilte jashtë shtetit për shërim. Më 13 dhjetor 1937 mori lejen dhe vizën italiane. Në Itali u vendos në shtëpinë e motrës Olgës e cila studionte atje. Shëndeti sa vinte i dobësohej. Në klimën e ftohtë të Torintos sëmundja e tij i mori hov. Në dhjetor të vitit 1937 shkoi për kurim, në një sanatorium afër Torinos (Itali), sanotariumin ‘‘Shën Luigji’’ ku dhe vdiq më 26 gusht 1938.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë (“kalbësinave që kërkojnë shejtnim”). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira (“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në “Poemën e mjerimit”, veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si “Zoti të dhashtë” etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli.

Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. (“Veprat” e plota të Migjenit janë botuar tre herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956. Iu dha titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957. / KultPlus.com

Kurti për suksesin historik të Ballkanit: Këtë vit tifozët tanë nuk do të jenë vetëm spektatorë

Kampioni i Kosovës në Superligën e Kosovës, FC Ballkan, ka arritur që të kualifikohet në grupe të Ligës së Konferencave, duke shënuar kësisoj edhe histori, shkruan KultPlus.

Dy ekipe shqiptare u përballën në “Play-off” për të siguruar një kualifikim tutje dhe këtë gjë e arriti Ballkani, duke e mposhtur Shkupin.

Pas këtij suksesi ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti në Twitter ka shkruar se vetëm pas 6 viteve antarësi Kosova ka arritje të jashtëzakonshme në futboll.

“Këtë vit tifozët tanë të futbollit nuk do të jenë vetëm spektatorë të “Conference League”. Ata kanë mundësinë historike për të brohoritur dhe mbështetur ekipin e tyre vendas në një kompeticion evropian. Vetëm 6 vjet pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA, Ballkani arriti të jashtëzakonshmen. Urime dhe suksese!”, ka shkruar Kurti. /KultPlus.com

Muzeu Hebraik Shqiptar, i pari në llojin e vet që po merr jetë në Vlorë

Muzeu Hebraik Shqiptar, i pari në llojin e vet që po merr jetë në Vlorë, do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e Qendrës Historike, por mbi të gjitha për të rinjtë, të cilëve do u dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Kulturës, Margariti tha se arkitektet e studios “Kimmel – Eshkolot” po përpunojnë detajet estetike të muzeut, për t’i dhënë atij një vend, në hartën e ndërtesave bashkëkohore të shekullit të ri, në Shqipëri.

Muzeu Hebraik Shqiptar vjen në partneritet me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF)

“Ai do të jetë një muze që do t’u flasë brezave për vlerat tona më të mira, që lidhen me besën, sakrificën, mikpritjen, që nuk ndalet në Luftën II Botërore, por në thelbin e të qenurit shqiptar”, u shpreh ministrja Margariti.

Për projektin e këtij muzeu konkuruan 5 studio arkitekture nga më prestigjiozet, nga Izraeli, Austria, Gjermania e Italia, por projekti fitues u shpall ai i studios “Kimmel – Eshkolot” nga Tel-Avivi./ATA/ /KultPlus.com

84 vjet nga ikja e Migjenit, një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XX

Më 26 gusht 1938, vdiq poeti Millosh Gjergj Nikolla, i njohur me emrin letrar Migjeni. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XX, një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma, ndikimi i të cilit mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

Krijime të tij, si: “Poema e Mjerimit”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, flasin për varfërinë e viteve kur jetoi, dënojnë ashpër indiferentizmin ndaj vuajtjeve të popullit. U bë i njohur gjerësisht pas Luftës së Dytë Botërore, pas botimit të plotë të veprave të tij.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë, të lumtur e me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Poezitë e para, si: “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë” etj., tregojnë për humanizimin e tij, dhe dëshirën për një botë më të mirë.

Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare të kohës dhe veprat e tij ndihmuan në formimin shpirtëror të saj.

Veprat e plota të Migjenit janë botuar tri herë: 1954, 1957, 1961, si dhe një varg botimesh të ndryshme. Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Shtëpia ku lindi Migjeni ishte Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.

Eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe nga Italia në vitin 1956. Iu dha titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957. /KultPlus.com

EdGuard analizon rritjen e pagave për mësimdhënësit (FOTO)

Projektligji i pagave është një temë që ka vite që diskutohet në Kosovë, shkruan KultPlus.

Së fundmi, Instituti EdGuard ka bërë një analizë rreth rritjes së pagave për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, në kuadër të projektligjit të ri.

Shiheni grafikën më poshtë:

Pra, këto paga janë kalkuluar sipas projekt Ligjit për paga me koeficient 1-18, me vlerë të koeficientit prej 120 euro. /KultPlus.com

Në Kryeministri diskutohet krijimi i një platforme të përbashkët për botime cilësore Kosovë-Shqipëri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim organizatorët dhe seminaristët e Seminarit të 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, përcjell KultPlus.

Duke i përgëzuar për ligjërata e kumtesat interesante dhe cilësore, Kurti theksoi gatishmërinë për shtim të përkrahjes dhe kujdesit institucional për studimet albanologjike.

Organizatorët shprehën mirënjohje për përkrahjen e pa rezervë, siç thanë, dhënë nga Qeveria e Kosovës për seminarin.

U bisedua për domosdoshmërinë e rritjes së mbështetjes për publikime të albanologjisë në Kosovë e Shqipëri. U theksua rëndësia e krijimit të një platforme të përbashkët për publikime cilësore Kosovë–Shqipëri, nën udhëheqjen dhe redaktimin e këtyre botimeve nga emra eminentë nga fusha e albanologjisë.

Në këtë takim ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lendita Rugova, Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, Shefi i Departamentit të Gjuhës Shqipe, si dhe studiues pjesëmarrës në seminar: Anton Panchev nga Bullgaria, Linda Meniku, nga Shqipëria, Jan Jensen nga Holanda, Giuseppina Turano nga Italia, Emese Nemeth nga Hungaria, Ekaterina Tarpomanova nga Bullgaria, Ledio Hala Gjermani/ Shqipëri, Lumnije Jusufi nga Gjermania, Barbara Jarysz Markaj nga Polonia, Olivier Andreas Winistorfer nga Zvicra.

Gjatë takimit u veçua se ky seminari jubilar krahas numrit të lartë të pjesëmarrësve, solli edhe shumë prurje të reja që kanë arritur pritshmeritë e organizatorëve. /KultPlus.com

“Historia botërore do të shkruhet vetëm kur në të marrin pjesë edhe shqiptarët”

Maksimilian Lamberci ishte albanolog austriak. Maksimiliani ka lënë diku rreth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë.

Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip më 1913; pastaj shkoi Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit në Badhesas (Villa Badessa).

Studiuesi, profesor universitar dhe albanologu i njohur austriak, prof. dr. Maksimilian Lamberc, që nga viti 1906 kur dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e deri më 1963, kur vdiq, nuk iu nda punës për t’i çuar përpara studimet albanologjike në fushë të folkloristikës, e sidomos të epikologjisë e të poetikës së përrallës, të mitologjisë, e në veçanti të demonologjisë, të së drejtës zakonore, sidomos të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të morfologjisë, të sintaksës, të dialektologjisë, të leksikologjisë, të drejtshkrimit, të historisë së gjuhës, të letërsisë, të historisë së letërsisë, të dramës, të përkthimit, sidomos të Gjergj Fishtës etj.

Sot po e sjellim njërën nga thëniet më të bukura të tij pë shqiptarët:

“Historia e vërtetë botërore do të shkruhet vetëm atëherë kur në hartimin e saj do të marrin pjesë edhe shqiptarët”. /KultPlus.com

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar”, fjalimi emocionues i Nënës Terezë pasi mori Çmimin Nobel për Paqe

Më 10 dhjetor të vitit 1979, e Shenjta Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqe në Oslo të Norvegjisë. Ndërsa po dilte nga manifestimi solemn, pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj shkroi këto fjalë:

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”.

I ati i saj vdiq në mënyrë misterioze, kur ajo ishte vetëm 8 vjeçe. Disa mendonin se atë e vranë për qëllime politike, por ende sot nuk dihet arsyeja e vërtetë e vdekjes së tij. Gjithsesi, kjo ngjarje shërbeu për ta afruar më shumë Nënë Terezën me të ëmën, e cila ishte një e krishterë e devotshme që i mësoi vajzës së saj rëndësinë e bamirësisë. Aq i madh ishte ndikimi i së ëmës, saqë në moshën 12 vjeçare, Nënë Tereza vendosi t’i shërbente plotësisht besimit. Ajo, madje u përfshi edhe në një urdhër për t’u mësuar murgeshave të tjera mbi besimin e krishterë. U shndërrua kështu në një mësuese, duke i shërbyer këtij profesioni për 20 vite të jetës së saj.

Por jeta e saj ndryshoi rrënjësisht, kur ajo mori një “thirrje” prej Zotit, siç edhe vetë Nënë Tereza e ka quajtur, e cila e nxiti të linte mënjanë rolin e dishepullizueses për murgeshat e reja dhe të shkonte të jetonte në vendet më të varfëra në botë. Viti i parë në Kalkuta ishte tepër sfidues për të. Iu desh madje të lypte për ushqim, njësoj me njerëzit e atij vendi, të cilët jetonin në varfëri ekstreme. Edhe pse shpesh herë është shprehur se i kishte kaluar nëpër mendje të hiqte dorë nga diçka, sërish nuk e bëri, pasi ishte e vendosur të vazhdonte.

Reputacioni i saj filloi të rritej nga momenti, kur ajo filloi të hapte shtëpi strehimi për të pastrehët dhe për ata që ishin tepër në nevojë. Ajo madje shkoi në mes të natës t’i lutej biznesmenit më të fuqishëm në San Franciscos për ta kthyer një shtëpi të braktisur në një shtëpi banimi për të pastrehët. Kur ai i tha: “Këtë punë do ta shohim nesër në mëngjes”, Nënë Tereza u përgjigj: “Puna e Zotit nuk mund të presë deri nesër në mëngjes”.

Data e 17 tetorin e vitit 1979, na kujton ditën, kur Juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen Shenjtën shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën.

Në motivacionin e ndarjes së Çmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se: ”Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën gjithashtu një kërcënim për paqen”.

Edhe pasi u nderua me çmimin “Nobel” për paqen, ajo refuzoi të realizohej banketi tradicional, në mënyrë që paratë e harxhuara për të, të përdoreshin për personat në nevojë. As sëmundjet si pneumonia, malarja, apo sëmundjet kardiake nuk e ndalën atë. Puna e Nënë Terezës vazhdoi në mënyrë të palodhur deri në vitin 1997, në të cilin ajo ndërroi jetë. Nga 13 murgesha, të cilat i mësonte mbi besimin, në shumë pak kohë ajo arriti t’i shërbente më shumë se 5000 njerëzve në mbi 130 vende të botës.

Ende në ditët e sotme, ajo njihet si një simbol i dashurisë dhe humanizmit. Ajo është një shembull se edhe roli i një drejtuesi, mund të bëhet me mirësjellje, humanizëm dhe dashuri.

Fjalimi i Nënë Terezës me rastin e marrjes së Çmimit Nobel:

“Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, është aborti. Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur.

Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin.

Fëmijët tanë… ne i duam ata, por çfarë mund të thoni për miliona të tjerë? Shumë, shumë pak njerëz janë të shqetësuar për fëmijët e Indisë, për fëmijët e Afrikës, ku vdesin një numër i madh prej tyre, ndoshta nga uria, ushqimi i keq dhe kështu me radhë.

Por jo vetëm kaq! Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj në Indi, apeloj kudo!

Le t’i sjellim fëmijët përsëri dhe ky vit të jetë viti i fëmijëve. Të reflektojmë: çfarë kemi bërë ne për fëmijët?

Në fillim të vitit, kudo ku m’u dha mundësia të flisja thashë: “Këtë vit le t’i bëjmë të gjithë fëmijët e lindur dhe të palindur të ndjejnë dashuri .

Dhe tani që jemi në fund të vitit, a e kemi bërë këtë?

Nuk besoj se jemi me të vërtetë punonjës socialë. Ndoshta bëjmë punë sociale në sy të njerëzve, por në të vërtetë jemi soditës në zemër të botës, pasi ne po e prekim trupin e Krishtit 24 orë në ditë. Jemi 24 orë në prezencën e Tij, unë, po kështu dhe ju.

Edhe ju duhet të përpiqeni ta sillni prezencën e Hyjit në familjen tuaj, pasi familja që lutet së bashku, qëndron së bashku!

Besoj se ne në familjen tonë nuk kemi nevojë për armë dhe bomba. Nuk kemi nevojë për të shkatërruar që të sjellim paqe, por mjafton të mblidhemi së bashku, të duam njëri-tjetrin e kështu sjellim paqen, gëzimin… Sjellim atë forcë në prezencën e njëri-tjetrit në shtëpi.

Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta mposhtim forcën djallëzore që është në botë.

Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë varfëri dhe ne me lutjet tona, me sakrificat tona duhet ta fillojmë ndryshimin që në shtëpi. Dashuria fillon në shtëpi ku nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në veprimet që bëjmë.

Për Hyjin nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, pasi Ai është infinit, por sa shumë dashuri vendosim në ato veprime. Sa shumë japim prej Tij në personin të cilit po i shërbejmë!

Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit.

Të varfrit fillimisht në familjen tonë, në vendin tonë dhe në botën tonë.
Në mënyrë që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, Motrat tona, jeta jonë duhet të jetë e ndërthurur me lutje. Ajo duhet të jetë e ndërthurur me Krishtin, në mënyrë që të kuptohet, që të ndjehet.

Për shkak se sot ka kaq shumë vuajtje, unë ndjej se pasioni i Krishtit po jetohet përsëri.

A jemi ne atje ta ndajmë atë pasion, ta ndajmë atë vuajtje me njerëzit?

Varfëria është në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e varfra, sepse unë kam gjetur varfëri edhe në Perëndim, aty ku është ndoshta më vështirë të hiqet.

Kur marr nga rruga një person të uritur, i jap një pjatë me pilaf, një copë bukë, e ngop. Atij i heq urinë.

Por një person i lënë jashtë, që ndihet i padashur, i padëshiruar, i tmerruar, person që është përzënë nga shoqëria… ajo varfëri të vret kaq shumë dhe kaq fort, dhe kjo mua më duket më e vështirë.

Motrat tona po punojnë mes atyre njerëzve në Perëndim. Prandaj duhet të luteni për ne që të mund të jemi ai lajmi i mirë, pasi nuk mund ta bëjmë këtë pa ju. Ndërsa ju… Ju duhet ta bëni këtë këtu, në vendin tuaj. Ju duhet t’i njihni të varfrit.

Ndoshta njerëzit tanë këtu kanë të mira materiale, gjithçka, por besoj se nëse të gjithë hedhim një sy para shtëpive tona, sado të vështirë ta kemi ndonjëherë për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit, duhet ta bëjmë dhe ajo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.

Nuk kam për ta harruar asnjëherë atë që ka ndodhur disa kohë më parë, kur katërmbëdhjetë profesorë erdhën nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Ata erdhën në shtëpinë tonë dhe ne biseduam për dashurinë, dhembshurinë, pastaj njëri prej tyre më pyeti: “Më thoni, nënë, ju lutem na thoni diçka që ta mbajmë mend” dhe unë i thashë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit dhe gjeni kohë për njëri-tjetrin në familjen tuaj.” Buzëqeshini njëri-tjetrit! Dhe pastaj njëri prej tyre më pyeti: A jeni e dashuruar? Dhe unë i thashë: “Po, dhe ndonjëherë më duket e vështirë t’i buzëqesh Jezusit, për shkak se ai ndonjëherë bëhet shumë kërkues.

Kjo është diçka e vërtetë dhe në atë vend ku vjen dashuria, kur dashuria është kërkuese, atëherë mund t’ia japim Atij me gëzim.

Besoj se duhet të jetojmë jetë të përsosur, pasi kemi Jezusin me vete dhe Ai na do ne.

Sikur vetëm të kujtonim se Hyji na do ne, dhe se ne kemi një mundësi për të dashur të tjerët ashtu siç Ai na do, nuk do të bënim gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Nëse bëheni një dritë që digjet për paqen në botë, atëherë me të vërtetë meritoni Çmimin Nobel për Paqen.
Zoti ju bekoftë!”, kishte thënë Nënë Tereza.
KultPlus.com

Mbi 2 milionë vizitorë në Shqipëri gjatë muajit korrik

Mbi 2 milionë shtetas të huaj dhe shqiptarë kanë hyrë në vendin e Shqipërisë në muajin korrik të këtij viti.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin e mbi lëvizjet e shtetasve, sipas të cilit hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin korrik 2022, shënuan rritje me 22,1 %, krahasuar me korrikun e 2021-shit.

Sipas INSTAT-it, në korrik, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.403.333. Ky numër është rritur me 21,1 %, krahasuar me korrikun e 2021-shit.

Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Italia me 48 %, krahasuar me korrrik 2021.

Ndërkohë, gjatë shtatëmujorit të këtij viti, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4,5 herë dhe Greqia me 3 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 4,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik 2022 kanë dalë 1.869.366 shtetas të huaj dhe shqiptarë, duke shënuar një rritje me 28,1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik është 555.978. Krahasuar me korrikun e 2021-shit, ky numër është rritur me 16,8 %.
Ndërsa numri i shtetasve të huaj që kanë dalë nga territori i Shqipërisë është 1.313.388, ose 33,5 % më shumë se korrikun e 2021-shit.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatëmujorit 2022, është 3.075.511, duke u rritur 41,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në korrik 2022, numri i shtetasve të huaj të hyrë në territorin e Shqipërisë për qëllime “personale” është 1.395.253, duke u rritur me 21,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /atsh /KultPlus.com

Miratohet Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë (DOKUMENT)

Në mbledhjen e 94-të të Qeverisë së Kosovës është miratuar Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë.

Përmes këtij dokumenti adresohen kërkesat e vazhdueshme të sektorëve të ndryshëm të kulturës në mënyrë që të eliminohen sfidat e deritashme dhe të krijohet efikasitet më i madh dhe nxitje për krijimtari dhe kultivim të vlerave të mirëfillta.

Me këtë vendim hapet rrugë për Ligjin e ri të Kulturës, Ligjin e ri të Kinematografisë, rregullimin ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës.

Bashkangjitur gjeni Koncept-dokumentin për Art dhe Kulturë, duke klikuar këtu. /KultPlus.com

Një vajzë

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare. 

Duke të puthur ty, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz ai shkoi

Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata.

Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
“E sheh filanen? E kam pas…”

Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T’arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
“Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”

Të dyja t’ulura pranë radios
Do ta ndizni një cigar
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t’marre

Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M’e gjerë, m’e bukur dhe m’e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s’do të të venë re.

Atje ku t’ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t’i bjerë shokut:
“E sheh filanen? Ishim miq…”/ KultPlus.com

Dita e barazisë për gratë, ambasadorja e ShBA-së kujton Sevasti Qiriazi

Në Ditën për Barazinë e Grave, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka kujtuar një nga figurat femërore më të spikatura, Sevasti Qiriazin, atdhetaren dhe nismëtaren e arsimit shqiptar për femra.

“Historia e saj, si shumë të tjera, nuk merr mirënjohjen që meriton”, është shprehur ambasadorja Kim, në një postim në rrjetet sociale.

“Arritjet e Qiriazit dëshmojnë se me guxim dhe këmbëngulje e pamundura mund të bëhet e mundur. Ky është lloji i guximit dhe këmbënguljes që na duhet ende sot për të sjellë më shumë drejtësi dhe barazi, jo si akte bamirësie, por për të shpalosur potencialin e plotë të çdo personi”, theksoi ambasadorja amerikane.

Dita ndërkombëtare e barazisë për gratë, kremtohet çdo 26 gusht. Fillesat i ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kujtim të amendamentit të 19, i cili u jepte grave të drejtën për të votuar.

Sipas këtij amendamenti “e drejta e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara për të votuar, nuk do t’u mohohet mbi baza gjinore”. / atsh / KultPlus.com

Processed with VSCO with ku1 preset

Jeta e Nolit në plotëninë e saj


(Botohet me rastin e ndarjes nga jeta të autorit, Profesor Nasho Jorgaqit (1931-2022)

Agim Vinca

Një vepër që i ka munguar kulturës shqiptare, e shkruar me dashuri e përkushtim; që hedh
dritë të plotë mbi jetën dhe veprën e njërit nga personalitetet më të mëdha të kulturës dhe të historisë
shqiptare, Fan S. Nolit (1882-1965) – kështu do të mund të cilësohej vepra më e re e profesor Nasho
Jorgaqit (1931), “Jeta e Fan S. Nolit” (botues OMBRA GVG, Tiranë 2005). Në dy vëllime dhe në
mbi një mijë faqe, ky shkrimtar dhe studiues i njohur, njohës i thellë i jetës dhe veprës së Nolit, i
ofron lexuesit jetëshkrimin e plotë – nga lindja deri në vdekje – të shkrimtarit, intelektualit, klerikut,
politikanit, shkencëtarit e diplomatit të madh, Fan S. Nolit, por edhe kënaqësinë e leximit të një
vepre, e cila, ndonëse tejet e vëllimshme, falë paraqitjes sugjestive të lëndës, gjuhës së rrjedhshme
dhe stilit të kultivuar, lexohet me ëndje. Njëzet e pesë vjet autori ka jetuar shpirtërisht e mendërisht
me këtë vepër, e cila i takon llojit të letërsisë dokumentare.
I sprovuar edhe më parë në këtë lloj letrar, autori i kësaj vepre, Nasho Jorgaqi, thekson se
ekzistojnë dy modele kryesore biografish: biografitë e tipit shkencor kritik a la Andre Morua e Emil
Ludvig dhe biografitë e mirëfillta letrare të tipit të Stefan Cvajgut. Të parët i japin përparësi
faktografisë shkencore, kurse të dytët, edhe pse mbështeten mbi fakte, i japin përparësi fantazisë. I
ndodhur përpara kësaj dileme që në fillim të punës së tij, Nasho Jorgaqi ka zgjedhur një rrugë të
ndërmjetme: vepra e tij e gjerë jetëshkrimore mbështetet mbi fakte burimore të jetës së Nolit, të
cilën e ndjek në mënyrë kronologjike, por trajtohet në formë të lirë e inventive, ashtu siç i ka hije një
shkrimtari e jo historiani. Rindërtimi i jetës së Nolit, duke u mbështetur te faktet dhe dokumentet,
por duke qëmtuar edhe hollësi nga përditshmëria jetësore dhe tipare nga karakteri i tij, duket të ketë
qenë parim bazë i punës së autorit. “T’i jepja jetë jetës së Nolit”, si thotë vetë autori, ky ka qenë
synim i studiuesit Nasho Jorgaqi. Mund të konstatojmë me kënaqësi se këtij synimi ky studiues i
rryer i ka dalë në krye me sukses.
Vepra “Jeta e Fan S. Nolit” e Nasho Jorgaqit, siç mund të shihet nga vetë titulli, i takon llojit
të literaturës dokumentare. Ajo është biografia më e plotë e shkruar deri më sot për Nolin dhe jo
vetëm për Nolin, por edhe për cilindo krijues tjetër të letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Duke qenë
një vepër me karakter gjithëpërfshirës, vepra në fjalë sjell fakte e të dhëna të shumta, herë-herë edhe
të panjohura më parë për Nolin, por edhe interpretime të reja e origjinale, që figurës së Nolit ia japin
përmasat e saj të vërteta, me vlerat e mëdha e të paçmuara, që realisht ajo i ka, por edhe me
mistifikimet eventuale që e kanë përcjellë në rrjedhë të viteve këtë kolos të letërsisë dhe kulturës
shqiptare.
Falë punës së tij të madhe hulumtuese e krijuese dhe qasjes objektive temës së zgjedhur për
trajtim, autori i kësaj vepre ka arritur të ndriçojë shumë rrethana nga jeta e gjatë e Nolit dhe shumë
aspekte të veprimtarisë së tij të gjerë e komplekse politike, shoqërore, letrare, artistike, diplomatike,
shkencore, kulturore, kishtare etj., të cilat, deri tani, në literaturën noliane, letrare dhe shkencore,
janë trajtuar në mënyrë jo të plotë e të njëanshme, qoftë për shkak të të dhënave jo të plota e të

paverifikuara, qoftë si pasojë e pasioneve a paragjykimeve politike, ideologjike, fetare, krahinore e
të tjera.
Nasho Jorgaqi ka pasur në dispozicion shumë materiale (letra, dokumente, dëshmi, kujtime
etj.); ka bërë shumë vizita e udhëtime (nga Ibrik-Tepeja, Greqia, Egjypti, Vjena, Gjeneva, Berlini,
Nju-Jorku, Uashingtoni e deri në Boston e tutje), duke ndjekur hap pas hapi itinerarin jetësor të
Nolit; ka kontaktuar me shumë njerëz, që nga të afërmit e familjarët e gjer te miqtë e
bashkëpunëtorët e tij të ngushtë; ka konsultuar pothuajse tërë literaturën për Nolin, në gjuhën shqipe
dhe në gjuhë të tjera; është zotuar të ngrihet mbi simpatinë e dashurinë e tij për të dhe mbi bindjet e
preferencat e vetjake politike e ideologjike, pra të jetë objektiv; ka punuar një kohë të gjatë me
përkushtim të veçantë mbi këtë vepër, prandaj ka arritur ta japë në mënyrë të plotë jetën e Nolit dhe
t’u përgjigjet në mënyrë të saktë shumë çështjeve që kanë të bëjnë me veprën dhe figurën e tij, duke
e shikuar atë gjithmonë në kontektin shoqëror, politik, kulturor dhe shpirtëror të kohës dhe “duke u
mbajtur fort pas sensit të historisë dhe të dialektikës njerëzore”.
Në monografinë e N. Jorgaqit ndriçohen për herë të parë në mënyrë të plotë e të
gjithanshme marrëdhëniet e Nolit me Tiranën zyrtare; pozita e tij mes dy zjarreve – mes
emigracionit antikomunist shqiptar dhe diplomacisë intolerante të Shqipërisë, por edhe ruajtja e
“ekuilibrit të admirueshëm” nga ana e tij, duke qëndruar gjithmonë në pozita atdhetare e
demokrate. Dashuria për atdheun e të parëve dhe mbështetja e të gjitha përparimeve të bëra në
Shqipëri, në cilindo sektor të jetës, por edhe respektimi i ligjeve të atdheut të tij të dytë, SHBA-
ve dhe rregullave të jetës amerikane, si edhe respekti e dashuria për mërgatën shqiptare të
Amerikës dhe organizatën e saj emblematike, “Vatrën”, pa harruar të mirat që ata kishin bërë për
të, do ta stolisin personalitetin e Nolit deri në vdekje.
Në këtë vepër gjen përgjigje edhe një pyetje, që i ka intriguar në vazhdimësi lexuesit e
veprës së Nolit dhe adhuruesit e figurës së tij, shqiptarët në përgjithësi, kudo që janë: përse Noli
nuk e vizitoi asnjëherë Shqipërinë në të gjallë të tij, edhe pse jetoi, siç dihet, deri në vitin 1965?
Nga vepra e Nasho Jorgaqit, e cila mbështetet mbi dokumente e dëshmi autentike, del se
Noli iu shmang ofertave të lidershipit të Shqipërisë për ta vizituar atë në vitet ’40-’50 për të mos
rënë në sy të keq te autoritetet amerikane, sidomos në kohën e makartizmit, por edhe më herët e
më vonë, aq më shumë që ai akuzohej vazhdimisht nga kundërshtarët e tij të shumtë si “i kuq” e
“bolshevik”, kurse në në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kur qenë
krijuar kushtet për këtë vizitë, kur Noli, sado në moshë, ishte i gatshëm të merrte rrugën për në
mëmëdhe dhe kur me këtë udhëtim kishin rënë dakord edhe autoritetet amerikane, qeveria
shqiptare refuzoi t’i ofronte atij mikpritje, me pretekstin se nuk ishte distancuar nga qarqet
ekstreme (antikomuniste) të mërgatës shqiptare të Amerikës, që mbanin qëndrim të hapur kritik
ndaj regjimit të Tiranës. N. Jorgaqi citon telegramin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të dt.
28 korrik 1962 drejtuar Misionit Shqiptar në Nju-Jork (OKB), në të cilin thuhet tekstualisht:
“Mos tregoni asnjë interesim për ardhjen e Fan Nolit dhe mos e inkurajoni atë”. Pra porosia nga
Tirana ishte e qartë. Nolit i refuzohej mikpritja! Ky ishte shansi i fundit që Marathonomaku i
madh, njeriu që kishte bërë aq shumë për këtë vend; që e kishte shpëtuar atë dy herë nga
copëtimi (herën e parë, pas Luftës së Parë Botërore, më 1918, kurse herën e dytë gjatë dhe pas

Luftës së Dytë Botërore) dhe që ia kishte ngritur namin lart e më lart, të vizitonte atdheun, të
cilin nuk e kishte parë plot 38 vjet, nga dhjetori i vitit 1924, kur kishte qenë i detyruar ta braktiste
atë.
Tre vjet më vonë, më 13 mars 1965, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë me këtë peng, pra
pa e parë edhe një herë Shqipërinë të cilën e deshi aq shumë dhe për të cilën punoi pa u lodhur
gjatë tërë jetës.
Harku kohor i jetës së Nolit është tejet i gjatë dhe i gjerë, si në kohë, ashtu edhe në
hapësirë. Noli jetoi, siç dihet, 83 vjet, prej të cilave 18 vjet i kaloi në Trakë, kryesisht në
vendlindjen e tij, Ibrik-Tepe ose Qytezë; 6 në Greqi dhe Egjypt, 2-3 nëpër Evropë, 50 në SHBA
dhe vetëm 4-5 në Shqipëri. Gjatë jetës së tij ai pati të bënte me shumë njerëz, politikanë,
diplomatë, shkrimtarë, intelektualë, klerikë, njerëz të thjeshtë, shqiptarë e të huaj. Për jetën dhe
veprën e tij kanë shkruar shumë pena të njohura të shkencës, letërsisë dhe historiografisë
shqiptare. Pati korrespondencë me shumë personalitete të shquara të kohës së tij. Njohu e takoi
në jetë shumë njerëz, në mesin e të cilëve edhe burrështetas e intelektualë nga më të mëdhenjtë.
Vetë u mor me shumë personalitete e krijues të mëdhenj si Krishti, Muhameti, Skënderbeu,
Napoleoni, Shekspiri, Servantesi, Khajami, Poja, Ibseni, Tolstoji, Stendali, Bethoveni etj.
Përktheu vepra të tyre ose shkroi artikuj, introdukta e monografi mbi ta. Për të gjitha këto flitet
gjerë e gjatë dhe me shumë kompetencë në librin “Jeta e Fan S. Nolit”.
Ajo që i mungon këtij libri është një tregues emrash të vendeve e personave të shumtë që
përmenden në të, i cili do t’i ndihmonte lexuesit që të orientohej më mirë në materialin e gjerë të
veprës dhe në morinë e fakteve që sjell ajo, si edhe një bibliografi e plotë e shkrimeve për Nolin,
një bibliografi e shteruese e jo selektive, siç është dhënë në këtë rast. Mendimi ynë është se
treguesi i emrave dhe bibliografia e shkrimeve në një libër siç është ky kanë qenë më të
nevojshme se albumi i fotografive, me të cilat është i pajisur libri (të dy vëllimet), të cilat, sado
me interes që janë, tashmë janë publikuar nga autori në një libër të veçantë (në librin “Fan S.
Noli: antologji fotografike”, Tiranë 2002).
Duke u nisur nga përvoja e Nolit si biograf i Skënderbeut dhe Bethovenit, Jorgaqi ka bërë
përpjekje të çlirohet nga mitizimi, që i kanoset çdo biografi, veçanërisht kur shkruan për njerëz që i
do dhe i çmon shumë, çfarë është për të dhe për të gjithë ne Noli i madh dhe ka bërë përpjekje që ta
paraqesë figurën e Nolit me dritat dhe hijet e saj, aq më shumë që disa nga miqtë dhe
bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, që e kanë njohur atë për së afërmi, pohojnë se si individ Noli “nuk
ishte imun ndaj dobësive njerëzore” (Qerim Panariti) dhe se shpesh ai ishte “një kombinim
paradoksesh” (At Artur Liolini). Çlirimi nga “kuçedra me shtatë krerë”, si i quante Noli mitet, është
sfidë e çdo biografi, që nga Plutarku e këndej. Falë përvojës së tij të gjatë si krijues dhe në mënyrë
të veçantë si hartues biografish, Nasho Jorgaqi ka arritur t’i shmanget me sukses kësaj sfide dhe ta
japë figurën e Nolit në mënyrë të plotë e objektive, gjithnjë në kontekst të kohës dhe rrethanave
historike.
Noli ynë, ky demiurg i fjalës shqipe, kampion i lirisë e pavarësisë kombëtare dhe pionier i
qytetërimit dhe demokracisë së vërtetë, në penën e biografit të tij të pasionuar, Nasho Jorgaqit, është
njeri i gjallë e jo figurë skematike. / KultPlus.com

Nesër mbahet afati i dytë i provimit të maturës shtetërore

Për të gjithë maturantët të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) organizon Provimin e Maturës Shetërore (afati i dytë), nesër (e shtunë), 27 gusht 2022.

Testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 5084 maturantë në 59 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues nga organizata rinore KYC, si dhe 600 administrues.

Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 12 maturantë.

MAShTI, kërkon nga të gjithë personat e angazhuar në proces që të realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, ndërsa kërkon që çdo parregullsi të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI.

Për të gjithë pjesëmarrësit për të cilët ka fakte për shkelje të procedurave, Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës. Bazuar në këtë Ligj dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit dhe kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga provimi.

Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës.

Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më së largu me datën 07 shtator. / KultPlus.com

Homazhe në nder të shkrimtarit Jorgaqi, Kushi: Kontribut të vyer në arsim, shkencë e kulturë

Shkrimtarit Nasho Jorgaqi i është dhënë sot lamtumira e fundit me homazhet e kryera në Akademinë e Shkencave.

Në këtë ceremoni në nderim të përkthyesi, skenaristi, hulumtuesi dhe studiuesi shqiptar që u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 91-vjeçare, mori pjesë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, përfaqësues të Akademisë së Shkencave, miq dhe familjarë.

Kushi theksoi se akademiku Jorgaqi ka dhënë një kontribut të vyer në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës në Shqipëri.

Ministrja theksoi se “ai do të mbahet mend, jo vetëm nga studentët dhe bashkëpunëtorët, por edhe nga lexuesit e tij për veprat e mirënjohura, si “Portrete dhe gjurmime”, “Antologji e mendimit estetik shqiptar”, “Udhëtim me Fan Nolin”, “Estetika e fjalës shqipe”, etj.

Gjithashtu, shtoi Kushi, ai do të mbesë në kujtesën tonë si skenaristi i filmave të dashur për të gjithë shqiptarët “Tomka dhe Shokët e tij” dhe “Mimoza Llastica”.

Mjeshtri i Madh la pas një krijimtari të pasur e të vyer në letërsi, kinematorgrafi si dhe një sërë botimesh shkencore. / atsh / KultPlus.com