Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka dhuruar nënshtetësinë shqiptare këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, përcjell KultPlus.
Këtë veprim, presidenti i Shqipërisë e bëri një ditë para performancës së Lipës në Tiranë për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
E në anën tjetër, Dua Lipa ëstë ndjerë shumë mirënjohëse për këtë nderim.
“Faleminderit presidentit Bajram Begaj dhe kryetarit Erion Veliaj për këtë nderim që më dhanë shtetësinë time shqiptare!! Faleminderit, po ndihem shume krenare’, ka shkruar Lipa në Instagram./ KultPlus.com
Përkujtohet firmëtari i mohuar dhe i persekutuar nga diktatura, Ferit Vokopola.
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” sjellë në vëmendje një nga personalitete e periudhës së pavarësisë së vendit, i cili ishte delegat i Lushnjës.
Ferit Vokopola lindi në Vokopolë të Beratit. Studioi në Stamboll për drejtësi dhe ekonomi. Në Kuvendin e Vlorës, Ferit Vokopola u zgjodh si delegat i Lushnjës dhe ishte më i riu nga të gjithë pjesëmarrësit. Nënshkrues i Akti të Shpalljes së Pavarësisë. U caktua në administratën e qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit, si dhe në atë të Turhan pashë Përmetit gjatë qeverisjes së Princ Vidit. Gjithashtu, një ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës më 1920.
Në vitet e mëvonshme, ka mbajtur poste të rëndësishme si ministër i Bujqësisë dhe deputet në disa legjislatura. Si ligjvënës aktiv dhe me njohje të thella në fushën e drejtësisë, Ferit Vokopola ishte një nga hartuesit e Kodit Civil të viteve 30.
Në fushën intelektuale, Ferit Vokopola spikat si publicist, teolog, eseist, përkthyes i teksteve në gjuhët orientale. Ferit Vokopola mban meritën e përkthimit për herë të parë të Kuranit në shqip. Ndër të tjera, Ferit Vokopola luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e komunitet mysliman dhe tarikateve të tjera në Shqipëri, ngritjen e Medresesë së Tiranës, etj.
Ndonëse nuk mori pjesë në zhvillimet politike gjatë pushtimit të Shqipërisë, duke iu përkushtuar aktivitetit fetar, Ferit Vokopola u persekutua nga komunistët e ardhur në pushtet. U arrestua më 20.2.1945 dhe u dënua nga Gjykata Ushtarake në Tiranë, me vendimin nr.166, datë 11.8.1945, ku parashikohej heqja e lirisë me 2 vjet. U lirua më 19 shtator 1947.
Edhe pse i persekutuar, falë njohurive të spikatura në gjuhët orientale, ai iu ofrua Insitutit të Historisë në përkthimin e shumë dokumentave në osmanisht./atsh/ KultPlus.com
A kanë ujë ato burime / Is there water in those springs
Nga cikli përkthime të shkurtra të lirikës së këngës shqiptare (Përmet – Vlorë) / Short translations of lyricism in Albanian folk songs (Përmet – Vlorë)
Is there water in those springs? Is there water in those springs? My carnation lips thou brings, Is there water in those springs? My carnation lips thou brings, My carnation lips thou brings…
Oooh,
My oh my, oh my I swear, On your waist there, And on your head, Oh my, I swear.
Who d’you tease with your dilly-dolly? I tease a lad, oh a silly-wally, Who d’you tease with your dilly-dolly? I tease a lad, oh a silly-wally, I tease a lad, oh a silly-wally…
Oooh,
My oh my, oh my I swear, On your waist there, And on your head, Oh my, I swear.
Give me water from your own hand, Oh you gal from the town of Përmet, Give me water from your own hand, Oh you gal from the town of Përmet, Oh you gal from the town of Përmet…
Oooh,
My oh my, oh my I swear, On your waist there, And on your head, Oh my, I swear.
We meet eyes our mouths stay shut, How we bear it and not burst-up, We meet eyes our mouths stay shut, How we bear it and not burst-up, How we bear it and not burst-up…
Oooh,
My oh my, oh my I swear, On your waist there, And on your head, Oh my, I swear.
* Notes:
Author, singer and songwriter: Bilbil Cenko (Vlora). The text of the original version is different from this version performed by Laver Bariu and others, which later gained wide spread popularity.
Year: First recorded in the 1930’s; composed prior to that.
***
A kanë e ujë ato burime? A kanë e ujë ato burime, Ti moj buzë karajfilja ime. A kanë e ujë ato burime, Ti moj buzë karajfilja ime, Ti moj buzë karajfilja ime…
Oooo,
Aman, aman, aman-e, O për belin-e, Për kokën tënde, Aman, aman-e.
Kujt ia bënje moj ato naze? Ja bëj djalit, o me çapraze, Kujt ia bënje moj ato naze? Ja bëj djalit, o me çapraze, Ja bëj djalit, o me çapraze…
Oooo,
Aman, aman, aman-e, O për belin-e, Për kokën tënde, Aman, aman-e.
Nëm një ujë, o me dorën tënde, Ti moj vajza, moj përmetare, Nëm një ujë, o me dorën tënde, Ti moj vajza, moj përmetare, Ti moj vajza, moj përmetare…
Oooo,
Aman, aman, aman-e, O për belin-e, Për kokën tënde, Aman, aman-e.
Shihemi me gojë nuk flasim, Shumë durojm-ë si s’pëlcasim. Shihemi me gojë nuk flasim, Shumë durojm-ë si s’pëlcasim, Shumë durojm-ë si s’pëlcasim…
Oooo,
Aman, aman, aman-e, O për belin-e, Për kokën tënde, Aman, aman-e.
* Shënime:
Kantautori: Bilbil Cenko (Vlora). Teksti origjinal ndryshon nga ky version i popullarizuar më vonë nga Laver Bariu me shokë.
Viti: Regjistrimi i parë u krye në vitet 1930, kënga është kompozuar më herët./ KultPlus.com
Rita Ora ka reaguar pasi imazhi i saj u “përjetësua” në pullat postare të Postës së Kosovës. Pulla u lëshua në qarkullim të shtunën, më 26 Nëntor, ditën në të cilën këngëtara bëri 32 vjeç. Ajo shprehet mirënjohëse për këtë vlerësim ndërsa shton se i vjen keq që nuk mund të jetë atje.
“Ndihem shumë mirënjohëse sot. Faleminderit@postakosova për këtë surprizë të bukur për ditëlindjen time. Jam nderuar me një pullë postare zyrtare (nëse doni fytyrën time në të gjithë letrat tuaja) jam e lumtur dhe e nderuar që jam pranë gjyshit tim Besim Sahatçiu, i cili u vlerësua po aq për kontributin e tij në Art dhe Film.
Më vjen shumë keq që nuk mund të jem atje dhe ta marr personalisht, për shkak të angazhimeve në punë, por kur të mundem, do të jem e sigurt që do t’ju vizitoj dhe do t’ju tregoj vlerësimin tim! Faleminderit! Dhe të gjithë të tjerëve ju falënderoj për të gjitha urimet e mia për ditëlindjen. Jam shumë me fat që kam miqtë dhe familjen e fansave më të mirë. Mezi pres t’ju tregoj të gjithëve se për çfarë kam punuar”, shkroi ndër të tjerash Rita./KultPlus.com
Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.
Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.
Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.
Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera..
KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Mallëngjimi’:
O vendi im! Të thërras unë me mall,
Këtu jetë më nep vetëm kjo kangë, se anë e kand, kudo që kërkoj pa si ty të dashtun nuk gjej
Ku janë ato fusha, ku ato kaçuba Vajza të bukura, si n’vendin tim kund nuk ka (2x)
I huaj jam! Dashuni nuk kam Për mue nuk lind dielli më
O vendi im! Përbuzje ku s’ka, si të lashë e dola në mërgim
O Sharr o baba im, Gërmi pushimi im, Adriatiku im, Tash vetëm po ju kujtoj (2x)./KultPlus.com
Një nga mediat më të njohura britanike për historitë njerëzore, i ka kushtuar një artikull të veçantë Tiranës.
Gal-dem.com ka treguar historinë e një shkrimtareje britanike e cili braktisi Parisin dhe Londrën ku kishte jetuar më parë duke u zhvendosur në Tiranë për të jetuar.
Sonia Bensoltane tregon se ndihet më afër me natyrën në trotuaret me pemë të Tiranës.
Shkrimi i plotë i publikuar në “Gal-dem.com”:
Përpara se të vizitoja Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, unë kam jetuar në Londër dhe Paris; ku ndjeva që shpirti i këtyre qyteteve ishte acarues, i zhurmshëm dhe i ngutshëm. Ngutja dhe nxitimi që unë shijoja dikur në kryeqytetet britanike dhe franceze, kishte filluar të ndihej si barrë mbi shpatullat e mia dhe ishte bërë mëse e qartë që kisha nevojë të gjeja pak qetësi.
E kisha vizituar Shqipërinë me miqtë për pushime, përpara pandemisë. Nuk dinim shumë për kulturën shqiptare, por kuriozitet na shtyu drejt këtij vendi të vogël ballkanik, i cili kufizohet me Greqinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Kur eca për herë të parë në rrugët e qeta të kryeqytetit, Tiranës, pata ndjesinë që koha kishte ngadalësuar dhe u mbusha me një ndjenjë paqeje. Me shëtitjet e rastësishme të njerëzve, apo pushimin në kafenetë – veranda e shumta, ambienti i paqtë më ftoi edhe mua të ngadalësoja. Pak herë isha ndjerë kështu në Paris apo në Londër, sepse në qytetet e mëdha na mungon koha. Ne nxitojmë! Ndërkohë në Tiranë, ende njerëzit nuk duket se shqetësohen shumë për kohën.
Kureshtar nga kjo mënyrë e ngadaltë jetese, ajo u ngulit në mua. Pasi kufizimet e udhëtimeve u hoqën, unë vendosa të zhvendosem në Tiranë me një mik të afërt. Nuk e kisha imagjinuar kurrë sesa shumë do ta ndryshonte mendësinë time për jetën. E ndërsa jetoja atje, unë gjithashtu përftova mënyrën sesi koha mund të kishte një shtrirje më të gjerë, të cilën mund ta provoje dhe shijoje.
Vendi që kishim marrë me qira ishte në zonën e “Pazarit i Ri”, që është i famshëm për merkaton – që quhet “Pazari i Ri”. Pazari i vjetër, që ishte merkata origjinale, u shemb në vitin 1959. Për një kohë të gajtë, “Pazari i Ri” ishte vendi i vetëm ku tregtohej peshk i freskët, mish dhe perime. Sot, një çati moderne e qelqtë mbron tezgat, dhe një numër kafenesh dhe restorantesh gjenden në ndërtesa piktoreske të rozta dhe të verdha që rrethojnë merkatën. Në mëngjes, aroma e kafes së freskët noton në ajër së bashku me aromën e ullinjve me lëng, ndërsa afër pasdites, fillon të ndjesh aromën e qofteve tradicionale nga restorantet, ndërsa Ezani (thirrja islame për lutjen) kumbon përreth lagjes.
Me këtë merkatë kaq pranë, ishte e lehtë të blije produkte lokale me vetëdije. Freskia e produkteve, më futi në një rutinë të re të të bërit pazar. Fillova t’i dedikoja më shumë kohë gatimit, ndërsa zgjedhja e ingredientëve në merkatë më inkurajonte të gatuaja shëndetshëm.
Nga vendndodhja e apartamentit tim në qendër të Tiranës, gjithçka ishte në një distancë ecjeje. Ndalova së përdoruri transportin publik, gjë që më largoi stresin, nxitimin dhe parehatinë e të qenit në autobusë dhe trena të tejmbushur.
Ndërsa ecja, fillova t’u kushtoja më shumë rëndësi gjërave që më rrethonin. Shija njerëzit dhe dhe botën rreth meje, në vend që të merresha me telefonin. Vura re disa biznese të reja dhe art rruge që nuk i kisha vënë re më parë. U ndjeva më i afërt me natyrën në trotuaret me pemë të Tiranës. Gjëja e parë në mëngjes ishte ushtrimi i turpit; ecja u bë njëfarë meditimi, pasi më ndihmonte të qartësoja mendimet përpara se të nisja ditën. Horizonti natyral i qytetit gjithashtu ndihmoi sensin tim të qetësisë; ndryshe nga qiellgërvishtësit apo ndërtesat e larta, Tirana shtrihet nën malin e Dajtit, i cili kthehet në një nuancë të purpurt kur ulet dielli.
Qyteti dhe qetësia e tij e ngadaltë, patën gjithashtu efekt në jetën time sociale, duke më mësuar sesi të ndërtoja marrëdhënie më të forta. Në Shqipëri, tipikisht i jepet më shumë kohë shoqërisë dhe aktiviteteve sociale. Kur fillova të shoqërohesha me miqtë e mi shqiptarë, ne do të takoheshim nëpër kafene, do porositnim ekspres dhe do qëndronim aty me orë të tëra, duke humbur kështu gjurmët e kohës. Kafeja, nuk është thjesht një dozë kafeine për shqiptarët; është një mënyrë jetese. Me një filxhan të mirë kafeje njerëzit lidhen, mbyllin marrëveshje biznesi, ose thjesht shijojnë momentin. Shqiptarët nuk e kanë me nxitim kur të ftojnë për një kafe. Kjo nuk ndodh për shkak se ata nuk kanë asgjë për të bërë, por përkundrazi ndodh sepse ata i i vlerësojnë marrëdhëniet e tyre. Prandaj ata e kanë prioritet të gjejnë kohë për miqtë e tyre.
Eventet sociale shijohen më së shumti të Dielave; dita sinonim i familjes, ushqimit dhe kohës cilësore në Shqipëri. Kujtimet më të bukura për mua ishin të Dielat e kaluara në qytetin e vogël të Divjakës, ku miqtë e mi shqiptarë shkonin për të vizituar familjet e tyre, e ku më ftuan edhe mua të shkoj. Ideja ishte të njihnim anëtarët e familjes ndërsa shijonim ushqimin e shijshëm, tregonim histori dhe të dëgjonim disa këngë të vjetra shqiptare si “Do digjesh si zjarr” nga Anila Mimani, ose duke u përpjekur të përsërisnim hapat e valles shqiptare në “Pogonishte”-en e Genës.
Divjaka është një vend i pabesueshëm që i jep kuptim qetësisë, familjes dhe komunitetit. Ka një park kombëtar në këtë qytet, ku familjet mblidhen gjatë fundjavës dhe organizojnë barbeky në vendet e dedikuara për grill në park. Gjithashtu shijuam edhe rezervuarin natyral të ujit në qytet; një herë morëm peshk të freskët të sapo kapur nga një peshkatar vendas dhe e shijuam këtë ushqim të shijshëm vendas pas një udhëtimi me varkë në lagunë. Një aktivitet tjetër është çiklizmi përmes parkut; mund të merren biçikleta me qira në hyrje të tij.
Tani që këtij udhëtimi i erdhi fundi, mund të them që kultura shqiptare më rilidhi me natyrën, sensin e komunitetit dhe të drejtën për të ngadalësuar. Të ndjerit më afër këtyre gjërave të thjeshta, më bëri të rivlerësoj atë çfarë ishte më e rëndësishme për mua në këtë fazë të jetës. Pas kohës së kaluar në Shqipëri, e dija me siguri që nuk doja të jetoja më gjatë në qytetet e mëdha dhe nisa të kërkoj për një vend të ri që ta quaj shtëpi, e që ndan të njëjtat veti me mënyrën e qetë të jetesës së Tiranës. Kështu që përfundova e zhvendosur në një qytet të qetë të Meksikës, me këto prioritete të reja në mendje./KultPlus.com
Jeto dhe jetën time po e deshe, Eja dhe merre, veç jeto.
Ata që s’duan dashurinë, Nuk dinë seç është mirësia. Folenë e ngrenë në errësirë, Edhe mbi ty lëshojnë stuhira. Se jane mësuar të zvarriten, Të të helmojnë, pastaj të vdesin. Pa prekur trupin tënd të ngrohur, Nga afshi i puthjesh, ledhatimit. Dhe pena ime nis e shkruan, Kaq e lodhur nga mundimi. Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë, Dhe ndalet lumi i zemërimit.
Të dua, të dua, të dua, Oh, këngë hyjnore e kësaj bote. Që pëshpëritet nga buzët e dashuruara, Që frymë ty të dhanë.
Shumë të kërkova gjersa të gjeta. Dhe nëse vdes mos u trishto, Por, ti jeto!
Nëpër rrugët e dashurisë, Enden këngët dhe legjendat. Nëpër vargjet e poetit, Zemrën ta njoh. Dhe në vija pentagramesh, Derdhet shpirti i një artisti. Por diçka pa thënë ka mbetur, Le të tjeret ta tregojnë.
Dhe jetën time po e deshe, Eja dhe merre, Por, ti jeto… / KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj i dha shtetësinë shqiptare Dua Lipës, këngëtares me origjinë shqiptare, të famshme tashmë në të gjithë botën. Presidenti Begaj priti sot artisten e mirënjohur dhe vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin e saj në mbështetje të kauzave sociale.
“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh Begaj. Dua do të përmbyllë turneun e saj botëror “Future Nostalgia” në sheshin Skënderbej me 28 Nëntor. “Jam shumë e emocionuar t’ju lajmëroj se “Future Nostalgia” do të përmbyllet në Tiranë me 28 Nëntor. Mezi po pres t’ju shoh me 28 Nëntor, për ditën e flamurit dhe për 110 vjetorin e Pavarësisë.“, tha ajo.
Një yll i muzikës botërore tashmë, Dua Lipa lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi të ngjiste me guxim dhe vendosmëri shkallët e karrierës artistike që në moshë të re.
Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy. Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.
Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi adhuruesve të saj mbështetje dhe donacione si dhe organizoi një fushatë të mbledhjeve të fondeve bashkë me stilistë shqiptarë, të ardhurat e të cilës shkuan për familjet e viktimave të tërmetit./abcnews.al/ KultPlus.com
Një koncert mikpritës i ka paraprirë mbledhjes së përbashkët që mbahet sot në Tiranë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës për 110-vjetorin e Pavarësisë.
Në koncertin festiv mbajtur mbrëmjen e djeshme në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Rreth flamurit kuqezi të mbarë shqiptarëve dhe atij plot yje të qiellit të lirë të Kosovës festuam bashkë “Dua më shumë Shqipërinë!”, shprehet në një postim në rrjetet sociale ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Ajo thekson se ky koncert solemn kulmoi në Javën Kombëtare me këngët më të bukura patriotike, me zërat më të bukur të solistëve, koreve dhe orkestrave të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Mikpritja jonë për Kuvendin e Kosovës përpara mbledhjes solemne, si 110 vjet më parë, në Shqipërinë e mosvarme”, thekson ministrja./atsh/ KultPlus.com
“Midnights” i këngëtares Taylor Swift, është renditur si albumi më i dëgjuara në Shtetet e Bashkuara për këtë javë.
Në vendin e dytë në tabelën Billboard 200 të së shtunës, është Drake dhe 21 Savage me “Her Loss”, i ndjekur nga “Un Verano Sin Ti” i Bad Bunny, “It’s Only Me” i Lil Baby në pozitën e katërt dhe “Louis Tomlinson’s Faith” i The Future në pozitën e pestë.
Morgan Wallen me “Dangerous: The Double Album” në vendin e gjashtë, The Weeknd me “The Highlights” në vendin e shtatë, “Only the Strong Survive” i Bruce Springsteen në pozitën e tetë, Harry Styles me “Harry’s House” në pozitën e nëntë dhe Nas’ me “King’s Disease III” në të dhjetën./KultPlus.com
Marsela Çibukaj triumfoi në festivalin “Kënga Magjike 2022” me këngën “I paftuar”. Këngëtarja u përlot teksa u ngjit në skenë për të marrë trofeun nga Alban Ramosaj, fitues i edicionit të kaluar. Këngëtarja u shpreh e emocionuar për fitoren ndërsa shprehur falenderimet për ata që e kanë votuar.
“Nuk kam fjalë, një emocion i jashtëzakonshëm. Ju falenderoj të gjithëve nga zemra. Falenderoj artistët, jurinë, skenën e Këngës Magjike, që na bën të përjetojmë emocione kaq të forta. Faleminderit të gjithëve ju”, tha këngëtarja e njohur mes emocioneve.
Marsela u vlerësua gjithashtu me çmimin “Big Artist”. Martin Pano u vlerësua si “Artisti i ri më i mirë”. Michela Paluca, një nga yjet e rinj të festivalit, u rendit në vendin e dytë, e ndjekur nga Anxhela Peristeri, Mamagama dhe Sardi Strugaj, të cilët mbyllën Top 5. Shihni renditjen e plotë të artistëve finalistë:
Mbyllja e diskutimeve publike ku kërkohej që Kosova të fitonte statusin e republikës si dhe tërheqja nga ajo e udhëheqjes politike të Kosovës para trysnisë serbe dhe kompromiseve të udhëheqjes jugosllave me atë serbe, nuk e kishte mbyllur këtë çështje. Përkundrazi, fryma e saj nuk kthehej mbrapa. Këtë e dinin të gjithë. Por, çështje ishte si do të drejtohej ajo dhe nëpër çfarë koniunkturash do të kalonte e gjitha,veçmas kur në vend, tek studentët, kishte filluar fryma e lëvizjeve, që asokohe përhapeshin në Paris, Berlin dhe qendrat tjera evropiane me moton për ndryshime demokratike. Natyrisht, se në kuadër të këtyre ndryshimeve demokratike duhej nxjerrur edhe kërkesa për “Republikën e Kosovës”.
Andaj, ishte fare e natyrshme që kërkesa për “Republikën e Kosovës” duhej të kalonte te studentët dhe te rinia, të shpalosej publikisht, si një kërkesë demokratike e cila ishte në përputhje me konceptin që ishte shfaqur gjatë diskutimeve publike, me ç’rast ajo ishte arsyetuar me të drejtën për vetëvendosje.
Dhe, si e tillë, kërkesa për Republikën e Kosovës, do të kthehet në moto të demonstratave gjatë tetorit dhe nëntorit në disa qytete të Kosovës (Prizren, Pejë, Istog, Gjilan, Podujevë, Besianë, Ferizaj, Mitrovicë, Therandë, por edhe në Tetovë dhe Ulqin) për t’u përmbyllur me atë të Prishtinës më 27 nëntor, e cila njëherësh ishte demonstrata më e fuqishme që ishte parë ndonjëherë në Kosovë nga Lufta e Dytë Botërore e këndej.
Natyrisht se demonstrata madhështore e Prishtinë si dhe ato që i paraprinë asaj anembanë nuk kishin pikur nga qielli e as nuk ishin “tubime spontane”. Ato kishin organizatorët e tyre (kryesish studentë dhe veprimtarë të tjerë nga Lëvizja e gjerë e rezistencës), që për mentorë të drejtpërdrejtë kishin klasën intelektuale të Kosovës, e cila kishte ndërtuar konceptin ideor të tyre me shumë guxim dhe vizion politik.
Kishte këtu edhe një ndryshim të madh, që po ashtu shfaqej historik, meqë kërkesa për Republikën e Kosovës e barabartë në Federatën Jugosllave, pra si kërkesë për barazi brenda federatës jugosllave, zëvendësonte atë për bashkimin kombëtar, pra me Shqipërinë, me mjete revolucionare.
Megjithatë, e përbashkët e këtyre kërkesave, pra e barazisë me Republikën e Kosovës dhe e bashkimit me Shqipërinë, kishte mbetur parimi i vetëvendosjesderi në shkëputje, që buronte nga teoria leniniste. Në nivelin e një platforme shfaqej edhe në Programin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, që e kishte themeluar A. Demaçi në vitin 1964.
Kështu, kërkesat që deri më dje ishin ilegale, tash bëheshin legale. Por, parimet revolucionare ua kishin lëshuar vendin atyre demokratike, gjë që paraqiste një ndryshim të madh.
Duhet thënë se demonstratat me kërkesën për republikën e Kosovës gjatë muajit tetor dhe nëntor në shumë qytete të Kosovës, por më vonë edhe në Tetovë dhe Ulqin, filluan në Prizren më 6 tetor 1968.
Prizreni si pikënisje nuk ishte i rastësishëm, kur dihej se aty ishte themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 – ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqiptarëve, prej nga do të drejtohen që të gjitha zhvillimet të cilat do të çojnë te pavarësia kombëtare e vitit 1912. Andaj, demonstratat e Prizrenit, me kërkesën për Republikën e Kosovës, duhej të vënin në veprim, një proces të papërfunduar historik drejt zgjidhjes së drejtë.
Tubimi i demonstruesve u bë pranë monumentit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas nderimeve që iu bënë prijësve të Lidhjes, masa e demonstruesve iu drejtua qendrës së qytetit me ç’rast, te Shatërvani i njohur u nxorën kërkesën për Kosovën Republikë.
Kështu, Prizreni u bë vendi i parë ku në një demonstratë të madhe u kërkua publikisht Kosova Republikë. Ishin, pra këto demonstratat e para të Shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore ku Shqiptarët po kërkonin barazi, e cila ua kthente të drejtën e vetëvendosjes dhe mundësinë t’i sendërtojnë të drejtat e tyre historike.
Pas kumtit të madh që u dha në Prizren dhe jehonës që bëri në të gjitha anët, fryma e demonstratave përfshiu gjithë vendin. Pas dy ditësh, të njëjtat u mbajtën edhe në Suharekë (Therandën e sotme).
Një demonstratë tjetër e rëndësishme që u mbajt gjatë tetorit, ishte edhe ajo e Pejës. Demonstratat u mbajtën më 19 tetor.
Pas demonstratave të suksesshme të tetorit që filluan në Prizren dhe përfunduan në Pejë, lëvizja demonstruese zuri të përhapet edhe në pjesët e tjera të Kosovës, por qëllimisht u prit dita e 27 nëntorit që ato të mbaheshin njëherësh në disa qytete, gjatë ditës: në Gjilan, Besianë, Mitrovicë e Ferizaj, ndërsa pas dite ato përfundimtare në Prishtinë.
Demonstratat në Gjilan u nisën nga oborri i Shkollës Normale dhe Gjimnazit. Demonstruesit bartnin fotografitë e Marksit, Engelsit dhe të Titos si dhe flamurin kombëtar shqiptar bashkë me atë jugosllav. Demonstruesit kishin edhe pankartat me parullat e shkruara: “Duam vetëvendosje”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Universitetin” dhe të tjera.
Me këto parulla demonstruesit kaluan nëpër rrugën kryesore të qytetit deri te stacioni i autobusëve për t’u kthyer në vendin prej nga ishin nisur.
Në të njëjtën ditë, demonstrata u mbajtën edhe në Podujevë (Besianë) dhe në Mitrovicë. Në Podujevë, demonstratat ishin të suksesshme dhe masive, ndërsa në Mitrovicë, u penguan nga policia, e cila mori masa të mbeteshin të kufizuara. Edhe në këto qytete u hodhën të njëjtat parulla, siç ishin ajo për Kosovën Republikë, pastaj për Kushtetutën, Universitetin dhe për liri e barazi.
Krahasuar me demonstratat në Gjilan, në Podujevë dhe në Mitrovicë, që kaluan pa ndonjë incident, ato në Ferizaj u përcollën me ndërhyrjen e policisë, e cila përdori forcën që të pengojë parakalimin demonstruesve në qendër të qytetit.
Demonstratat e tetorit dhe të nëntorit, do të kurorëzohen me ato që u mbajtën në Prishtinë pasditen e 27 nëntorit 1968 për të vazhduar deri në orët e mbrëmjes.
Osman Dumoshi, në emër të “Komitetit të demonstruesve”, parashtroi kërkesat prej shtatë pikash:
1. Realizimi i plotë i të drejtave kombëtare;
2. Populli ynë duhet t’i gëzojë të gjitha të drejtat që i gëzojnë të tjerët;
3. Përmirësimi i shpejtë i kushteve ekonomike-sociale;
4. Realizimi i plotë i vendimeve të Plenumit të Katërt. Largimi i plotë i të komprometuarve nga vendet udhëheqëse, si dhe nga SPB-ja;
5. Realizimi i vendimeve të Plenumit të Dhjetë Krahinor, gjegjësisht për-mirësimi i strukturës së të punësuarve në vendet udhëheqëse;
6. Përmirësimi i kushteve të studimeve dhe jetës së studentëve, si dhe përmirësimi i strukturës sociale dhe kombëtare të studentëve, dhe;
7. Vendosja e kontrollit shoqëror mbi pasurinë e fituar nëpërmes spekulimeve dhe keqpërdorimeve të pasurisë shoqërore.
Ndryshimi politik që prodhuan demonstratat e tetorit dhe të nëntorit të vitit 1968, vula e të cilave u dha në ato të 27 nëntorit në Prishtinë, nuk do t’u shkojë për shtati atyre që nuk donin këtë sjellje të Shqiptarëve. Meqë ato ndryshonin stereotipat mbi të cilët qëndronte lëvizja kombëtare, e cila luftën çlirimtare nga pozitat e veprimit ilegal me mjete revolucionare që shkonin deri te lufta e hapur në rrethanat e bipolaritetit blokist dhe luftës së ftohtë bartte rrezikun e madh që pikërisht Shqiptarëve t’u kthehej në një bumerang tjetër historik, e kthente në luftë të hapur për barazi kombëtare, që për moto kishte Republikën e Kosovës, e cila duhej të arrihej në rrugë institucionale dhe me mjete demokratike. Këtë rrugë nuk mund ta luftonte haptas as Lindja (Moska), edhe pse do të mundohet që edhe më tutje ta shpërfillë me inspirimin “irredentizmit ideologjik” nga ilegaliteti. Ndërkohë që Perëndimi, kishte interes për diçka të tillë, veçmas kur ajo i shkonte për shtati forcimit të kursit federalist të Jugosllavisë, i cili e largonte atë sa më shumë nga ndikimet e mundshme të Bashkimit Sovjetik pas kohës së Titos.
Kjo u pa edhe nga përdorimi i forcës ndaj demonstruesve, ku pati shumë të lënduar dhe një të vrarë, i riu Murat Mehmeti. Pra, demonstratat e qeta u provokuan nga organet policore, që me çdo kusht ishin të interesuara që demonstratave të Prishtinës t’u mjegulloheshin kërkesat politike, siç ishin ato për Republikën e Kosovës, me paraqitjen si “orgji vandale nacionaliste dhe shoviniste”!
Edhe përkundër këtyre provokimeve të rënda si dhe infiltrimit të bashkëpunëtorëve të shumtë në radhën e demonstruesve që të thuheshin parulla me përmbajtje ideologjike dhe shoviniste, me të cilat policia jugosllave ishte munduar vazhdimisht të anatemonte kërkesat e drejta të Shqiptarëve, organizatorët e demonstratave ia dolën që ta ruajnë konceptin e tyre si kërkesa të drejta dhe demokratike dhe qëllimin e shtruar.
Demonstratat nuk do të vazhdojnë të nesërmen, siç ishte paraparë. Nuk do të ketë as bisedime me “Këshillin e demonstruesve”. Sepse, të nesërmen, rrugët e Prishtinës kishin gdhirë me kordonët e shumtë të policisë dhe të ushtrisë jugosllave, që praktikisht kishin vendosur gjendje të pashpallur policore-ushtarake.
Po atë ditë kishin filluar edhe burgosjet e organizatorëve të demonstratave, me ç’rast prapa grilave do të gjenden: Osman Dumoshi, Adil Pireva, Selatin Novosella, Hasan Dërmaku, Xheladin Rekaliu, Skënder Muçolli, Iliaz Pireva, Skënder Kastrati dhe Afrim Loxha.
Procesi gjyqësor në Prishtinë përfundoi më 7 prill 1969. Në të gjitha seancat të pandehurit deklaruan se kishin vepruar me paramendim dhe me bindjen e plotë se demonstratat në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë ishin në përputhje me të drejtën e Shqiptarëve për vetëvendosje, e cila edhe atyre u takonte, e drejtë kjo nga e cila ishin privuar dhunshëm. Republika e Kosovës ishte quajtur një zgjidhje e natyrshme dhe e pashmangshme e cila ishte në të mirë të Shqiptarëve, të Jugosllavisë, të Shqipërisë, por edhe të paqes dhe të stabilitetit europian.
Në fund, Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, i shpalli organizatorët e demonstratave të Prishtinës fajtorë dhe i dënoi me burg të rëndë: Osman Dumoshin, Selatin Novosellën dhe Hasan Dërmakun me nga 5 vjet burg; Skënder Kastratin dhe Xheladin Rekaliun me nga 4 vjet burg; dhe Adil Pirevën, Afrim Loxhën, Iliaz Pirevën e Skënder Muçollin me nga 3 vjet burg.
Përveç këtij gjykimi të organizatorëve kryesorë të demonstratës së Prishtinës, u dënuan edhe mbi 70 vetë me dënime të ndryshme. Kështu, u dënuan edhe Asllan Kastrati, më 6 muaj burg; Sylejman Kastrati, më 3 muaj burg; Bedri Novosella, Sylejman Pepshi dhe Halil Qosja, Ramadan Ramadani dhe Tefik Çeliku, me nga një muaj burg.
Ndër ato ndryshime, gjithsesi më të rëndësishmet ishin ato që kishin të bënin me ndryshimet kushtetuese, të cilat, si do të shihet, çuan deri te ngritja e statusit të Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, si dhe te hapja e Universitetit të Prishtinës në gjuhën shqipe. Vetë Josip Broz Tito, në Kongresin e Nëntë të LKJ-së, që u mbajt pas pesë muajsh në Beograd, duke bërë fjalë për demonstratat e Shqiptarëve në Kosovë, pasi që në parim do t’i gjykojë, pos të tjerash do të marrë qëndrim pozitiv ndaj tri kërkesave, nga shtatë sosh, që ishin shtruar në demonstratën e Prishtinës:
l. Duhet përshpejtuar ndryshimet kushtetuese, me të cilat do të ndryshohet gjendja e Krahinave autonome në dobi të përfaqësimit të tyre sa më adekuat në federatë në përputhje me nevojat e zhvillimit vetëqeverisës socialist;
2. Është obligim i bashkësisë sonë që në çdo pikëpamje ta mundësojmë zhvillimin sa më të shpejtë të Krahinës Autonome të Kosovës;
3. Sa i përket flamurit, për të cilin është folur mjaft, Shqiptarët duhet ta kenë flamurin, por ai flamur në çdo rast duhet të jetë në pajtim me sovranitetin shtetëror dhe integritetin e Jugosllavisë dhe për këtë duhet të nxirret dispozita e qartë.
(Shkëputje nga “Kosova – histori e shkurtër”, 2021, faqe 575-578)./ KultPlus.com
15 nxënës nga Kosova kanë marrë pjesë në Garat e 8-ta Ndërkombëtare të Aritmetikës mentale dhe të abakusit të mbajtura në Dubai.Prej tyre 10 zunë vendin e parë në kategori të ndryshme dhe pesë të tjerë u shpërblyen me vendin e dytë, përcjell KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga akademia ‘Brainobrain Kosova’ përmes një postimi në Facebook.
Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, mbahet sot në Tiranë mbledhja e parë e përbashkët mes Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Mbledhja që nis në orën 10:00, do të zhvillohet në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla do të hapë punimet e kësaj mbledhjeje për të vijuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Sipas axhendës së publikuar, mbledhja do të vijojë me fjalimet e kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit Albin Kurtit.
Gjithashtu, një një fjalim përshëndetës do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Marsela Çibukaj është fituesja e edicionit të 23-të të festivalit “Kënga Magjike” në Tv Klan. Alban Ramosaj, fituesi i edicionit të kaluar dhe Pirro Çako i dorëzuan kupën triumfueses e cila konkurroi me këngën “I paftuar”.
“Nuk kam fjalë, një emocion i jashtëzakonshëm. Ju falenderoj të gjithëve nga zemra. Falenderoj artistët, jurinë, skenën e Këngës Magjike, që na bën të përjetojmë emocione kaq të forta. Faleminderit të gjithëve ju”, tha artistja mes emocioneve. Pas 3 mbrëmjesh gare, në skenën e Pallatit të Koncerteve mbrëmjen e kësaj të shtune, në këtë Grand International Final u ngjitën 23 artistë, 13 shqiptarë dhe 10 të huaj.
Veç çmimit të madh u dhanë çmime edhe për muzikën më të mirë shqiptare, të huaj dhe për artistët e rinj më të mirë.
Në këtë mbrëmje finale nuk munguan të ftuarit surprizë, si kryetari i Bashkisë së Neë York, Eric Adams apo producenti i famshëm amerikan Angelo Doc Velasquez. Ndërsa një performancë speciale përcolli edhe vajza e Ardit Gjebreas, Anna Gjebrea./TvKlan/KultPlus.com
Mos rri zgjuar deri natën vonë mos u rrah me njerëz mos u nervozo me politikanë mos bëj seks pa prezervativ mos e vozit automobilin shpejt mos e lodh veten duke punuar shumë mos pi çaj a kafe shumë mos pi alkool mos merr drogë mos tymos duhan mos dil në dimër lakuriq në gjah mos e lodh trurin se ka kush mendon për ty
Kështu që do t’ia arrish im bir të vdesësh i shëndoshë si topi /KultPlus.com
Filmi i metrazhit të gjatë artistik “Toka brenda meje” me regji nga Fisnik Maxville, ka debutuar suksesshëm duke fituar çmimin “Filmi më i mirë debutant” në festivalin e filmit Tallin Black Nights në Estoni, njërin prej festivaleve më të mëdha të filmit në Evropën Veriore, njëherit edhe festival i kategorisë “A”, i mbajtur përgjatë datave 11-27 nëntor 2022.
Filmi përcjell Remon i cili pas vitesh në mërgim kthehet nga Gjeneva në vendinlindjen e tij në Kosovë.Dashuria e tij e parë, Una, e thërret për ta informuar për vdekjen e afërt të patriarkut të familjes dhe zhvarrosjen e një varri masiv. Duke u kthyer në fshatin e tij pas një mungese dhjetë vjeçare, Remo do të duhet të përballet me të kaluarën dhe të tashmen e tij.
Filmi ka për producent Valon Bajgorën, Yll Ukën, Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin. Në rolet kryesore luajnë: Florist Bajgora, Luàna Bajrami, Armend Smajli, Luan Jaha, Arta Mucaj, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena dhe Çun Lajçi.
“Toka brenda meje” është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Federal Office for Culture, Cinéforom, Loterie romande, Media Desk Suisse, Suissimage dhe FOCAL, në bashkprodhim me RTS Radio Télévision Suisse.
KultPlus ua përcjell në vijim trailerin e filmit ‘Toka brenda meje’./ KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se filmi i metrazhit të gjatë artistik “Toka brenda meje” me regji nga Fisnik Maxville, ka fituar çmimin “Filmi më i mirë debutant” në festivalin e filmit Tallin Black Nights në Estoni, njërin prej festivaleve më të mëdha të filmit në Evropën Veriore, njëherit edhe festival i kategorisë “A”, i mbajtur përgjatë datave 11-27 nëntor 2022.
Filmi përcjellë Remon i cili pas vitesh në mërgim kthehet nga Gjeneva në vendinlindjen e tij në Kosovë. Dashuria e tij e parë, Una, e thërret për ta informuar për vdekjen e afërt të patriarkut të familjes dhe zhvarrosjen e një varri masiv. Duke u kthyer në fshatin e tij pas një mungese dhjetë vjeçare, Remo do të duhet të përballet me të kaluarën dhe të tashmen e tij.
Filmi ka për producent Valon Bajgorën, Yll Ukën, Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin. Në rolet kryesore luajnë: Florist Bajgora, Luàna Bajrami, Armend Smajli, Luan Jaha, Arta Mucaj, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena dhe Çun Lajçi.
“Toka brenda meje” është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Federal Office for Culture, Cinéforom, Loterie romande, Media Desk Suisse, Suissimage dhe FOCAL, në bashkprodhim me RTS Radio Télévision Suisse. /KultPlus.com
Violinisti i njohur shqiptar Tedi Papavarmi përmes tingujve të violinës solli për artdashësit kryeqytetas veprat e kompozitorëve botërorë dhe jo vetëm.
Në koncertin e shfaqur mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit, Papavrami i shoqëruar në piano dhe nga Philipe Bionconi interpretoi me mjeshtëri sonatat qendrore të repertorit, rrugëtim midis gjuhëve të ndryshme të kompozitorëve Beethoven, Brahms dhe Franck.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti postoi sot në rrjetet sociale momente nga koncerti i Papavramit.
“Tedi Papavrami i dha edhe më shumë kuptim Javës Kombëtare me koncertin e tij në skenën e Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Përmes tingujve të violinës na udhëhoqi në një rrugëtim magjik, nga majat e repertorit botëror te ëndrrat e fëmijërisë”, tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “emocionues ishte edhe interpretimi i “Baladës” së Pjetër Gacit, që na bën edhe më shumë krenarë për artistët tanë”,
Tedi Papavrami me aktivitetin e tij ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J. C. Casadesus, etj.
Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj, si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit.
Artisti Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P. Bianconi, H. Sermet, M. Rubackyte, P. Meyer, E. Lesage, R. Oleg, G. Hoffman, etj./atsh/ KultPlus.com
Federata serbe e futbollit u akuzua nga FIFA të shtunën për varjen e një pankarte politike për Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante me Brazilin në Kupën e Botës.
Pankarta tregonte ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe hartën e territorit të Kosovës në mes me mbishkrimin “S’ka dorëzim”, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Fotot e banderolës së vendosur mbi dollapët e Milosh Velkoviqit dhe Andrija Zhivkoviqit qarkulluan përpara humbjes 2-0 të ekipit ndaj Brazilit të enjten në Katar.
Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA dhe ministri i saj i sportit, Hajrulla Çeku, e përshkroi imazhin si tentativë për të shfrytëzuar Kupën e Botës për të promovuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale”.
FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive”.
Organi drejtues i futbollit nuk dha një afat kohor për një vendim, megjithëse Serbia do të luajë të hënën kundër Kamerunit.
Që kur Kosova u anëtarësua në FIFA dhe UEFA në vitin 2016, trupa evropiane e futbollit është siguruar për arsye sigurie që kombëtarja e Kosovës të mos ballafaqohet me Serbinë apo Bosnje-Hercegovinën në grupet kualifikuese për Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian. /KultPlus.com
Të vëzhgosh lumin prej kohe dhe uji Të kujtosh se koha është një tjetër lum. Për të ditur se ne humbim si lum Dhe fytyrat tona zhduken si uji. Të ndjesh se zgjimi është një tjetër ëndërr Se ëndrra e paëndërr është vetë vdekja Se mishi jonë i friguar është vdekja E çdo natë, që ne e quajmë ëndërr. Të shikosh në çdo ditë dhe vit një simbol Të ditëve të njeriut dhe viteve, Dhe të konvertosh zemërimin e viteve Në muzikë, në zë dhe në një simbol. Të shikosh tek vdekja ëndrrën, tek perëndimi i artë trishtimin – e tillë është poezia E varfër dhe e pavdekshme është. Poezia, Që kthehet herë si lindje e herë si perëndimi. Ndonjëherë muzgu ka një fytyrë Që na sheh nga thellësia e një pasqyre. Arti duhet të jetë kjo lloj pasqyre, Që ne na e zbulon fytyrën. Ata thonë se Uliksi, i lodhur nga mrekullitë, Qau me dashuri kur iu shfaq Itaka, E përvuajtur dhe e gjelbër. Arti është Itaka, Një përjetësi e gjelbër, jo mrekullitë. Ai është gjithashtu si lumi pafund, që rrjedh e rri dhe është pasqyrë e njëjtë te Heraklitit të ndryshueshëm, i cili është i njëjtë dhe prapë ngjan një tjetër, si lumi pafund./KultPlus.com
Murali “Kurora e Gurtë” është stolia më e re e Shkodrës, pikturuar nga Markel Capo, në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Gjatë vizitës në Shkodër, Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann tha kjo murale mahnitëse është një kujtesë e fortë se ne të gjithë duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës me të cilën gratë ende përballen në Shqipëri dhe në BE.
Ajo u shpreh se dhuna me bazë gjinore është e papranueshme.
“Mund ta kapërcejmë atë vetëm duke punuar së bashku dhe duke u solidarizuar”, Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.
Ajo tha se “jemi krenarë që kemi kontribuar për këtë vepër arti, së bashku me Bashkinë e Shkodrës. Dhuna ndaj grave nuk ka vend në shoqërinë tonë”.
Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore është nje traditë që nisi në vitin 1991 nga Istituti i parë i Lidershipi Global të Grave.
Ajo fillon në 25 Nëntor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave, dhe vazhdon deri në 10 Dhjetor që është dhe dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, duke lidhur simbolikisht këto dy ditë në përforcim të mesazhit se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut.
Fushata e 16 Ditëve organizohet në të gjithë botën nga aktivistë të drejtave të njeriut për të bërë thirrje për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave nëpërmjet rritjes së informacionit në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, fuqizimit të veprimtarive lokale; krijimit të lidhjeve midis përpjekjeve globale dhe atyre lokale, sigurimit të një forumi për dialog dhe shkëmbim përqasjesh, mbajtjes nën presion të qeverive për zbatimin e premtimeve të bëra bazuar në instrumentet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe demostrimit të solidaritetit të aktivistëve në vende të ndryshme të botës./atsh/ KultPlus.com