Njerëzit po ia vënë “fajin” filmit të Ralph Fiennes, “The Menu” për mbylljen e Noma-s, që është cilësuar si një nga restorantët më të mirë në botë.
Skenari i komedisë përqendrohet te çifti Margo (Anya Taylor-Joy) dhe Tyler (Nicholas Hoult) të cilët udhëtojnë në një ishull të madh për të ngrënë në një restorant të njohur që menaxhohet nga kuzhinieri Slowik (Ralph Fiennes).
Me regji të Mark Mylod, filmi vjen si një qasje e mprehtë jo vetëm për qesharakun e kulturës së ushqimit dhe pijeve, por edhe për politikën klasore dhe elitizmin që shpesh vjen me të.
Pasi filmi u shfaq në Disney+ në fillim të këtij muaji, restoranti me tre yje “Noma” njoftoi se do të mbyllte dyert, dhe shumë përdorues në mediat sociale janë shprehur tashmë se ndoshta nuk bëhet fjalë për një rastësi.
Noma, i drejtuar nga René Redzepi, është një restorant në Kopenhagë, Danimarkë , i cili njihet si një novator i kuzhinës së re nordike.
Që nga hapja e dyerve të tij në 2003, ai është cilësuar si restoranti më i mirë në botë.
Një përdorues shkroi në Twitter: Nuk ka asnjë dyshim në mendjen time që The Menu, ishte një gozhdë në arkivol për Noma-n.
Një tjetër shkroi: “Pashë The Menu dje dhe sot mora vesh që Noma po mbyllet…vështirë të mos i lidh këto të dyja në mendjen time.
Pronari i Noma-s, René Redzepi ose (Rexhepi) është me origjinë shqiptare. Babi i tij është shqiptar i Maqedonisë së Veriut ndërsa e ëma daneze. / KultPlus.com
Ëndrra e Martin Luther King nuk është realizuar ende dhe për këtë arsye është e nevojshme të vazhdojmë të zgjedhim dhe të luftojmë për demokracinë në këtë “pikë kthese” për SHBA-në dhe botën, deklaroi presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë ceremonisë së homazheve në nderim të liderit të të drejtave civile, me rastin e 94-vjetorit të lindjes së tij.
Ai u kujtoi të pranishmëve se Luther King ka qenë gjithmonë heroi i tij, së bashku me John Kenedy.
“Jam këtu me ju në një moment kyç për SHBA-në dhe botën. Ajo që do të ndodhë në vitet e ardhshme do të përcaktojë se si do të jetë bota në tre dekada”, tha Biden duke iu rikthyer një prej pikave të forta të demokratëve gjatë zgjedhjeve afatmesme, përkatësisht mbrojtjes së demokracisë.
“Kjo është një kohë zgjedhjesh, dhe është e nevojshme të zgjidhet demokracia mbi autokracinë. Ne duhet të luftojmë për shpirtin e vendit, dhe kundër atyre që promovojnë racizmin, ekstremizmin dhe kryengritjen”, theksoi ai, duke e përshkruar Martin Luther King si një luftëtar jo të dhunshëm, i cili luftoi për drejtësi.
Për Biden, udhëtimi në Atalanta ofron një mundësi për të forcuar dhe thelluar lidhjen e ngushtë midis komunitetit afrikano-amerikan dhe demokratëve, edhe në funksion të zgjedhjeve të vitit 2024, si një kandidat i ri. / atsh / KultPlus.com
US President Joe Biden attends a worship service at Ebenezer Baptist Church in Atlanta, Georgia, on January 15, 2023, the eve of the national holiday honoring civil rights leader Martin Luther King, Jr. – King was co-pastor of the church from 1960 until his assassination in 1968. (Photo by Brendan SMIALOWSKI / AFP)
Aktorja legjendare e kinemasë italiane, Gina Lollobrigida vdiq sot në moshën 95-vjeçare.
Ajo u lind në Subiaco më 4 korrik 1927.
Lollobrigida ishte kandidate në zgjedhjet e 25 shtatorit, 4 vite më parë, në Latina, në zonën elektorale njëanëtare të Senatit në listën e ‘Italisë sovrane dhe popullore’, e cila bashkon Partinë Komuniste, Atdheun Socialist, Aksionin Civil, Përsëri Italinë dhe Rimarrja e Italisë.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka fitoi shtatë çmime “David di Donatello”. Fama e saj lidhet me kinemanë e re italiane të neorealizmit. Ajo punoi me regjisorët si, Pietro Germi (“Qyteti mbron veten”) dhe me Carlo Lizzani (“Kujdes banditët”), kryesisht në mesin e shekullit të kaluar.
Vitet e fundit, Lollobrigida iu përkushtua mbi të gjitha artit dhe fotografisë, duke organizuar ekspozita të shumta, dhe së fundmi duke botuar një libër me vizatime.
Vitet e fundit, ajo u përball me disa ngjarje ligjore.
Që prej vitit 2021, divës së kinemasë i ishte caktuar një administrator nga Gjykata për të mbrojtur pasuritë e saj, siç kërkohej në procedurën ligjore nga djali i saj, Andrea Milko Skofic.
Në qendër të aktivitetit hetimor të prokurorëve në Piazzale Clodio ishte ish-menaxheri i aktores, Andrea Piazzolla, i paditur me akuzën e mashtrimit të një personi me aftësi të kufizuar.
Me të përfundoi në gjyq edhe Antonio Salvi, personi që dyshohet se ka vepruar si ndërmjetës në një shtëpi ankandi për shitjen e rreth 350 artikujve në pronësi të Lollobrigida. /atsh / KultPlus.com
Masakra e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak kishte tronditur botën, por Beogradi edhe sot pas 24 vjetësh vazhdon më propaganda dhe mohon këtë krim njerëzor të kryer ndaj shqiptarëve.
Ministri i Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale në Serbi, Nikola Selakoviq ka deklaruar se në Reçak kanë eliminuar siç thotë ai “terroristë”, duke iu referuar viktimave të masakrës – një krim makabër i kryer nga Serbia mbi shqiptarët.
Sipas Selakoviqit më 15 janar 1999, Serbia i ka luftuar “formacionet terroriste” dhe e vazhdon trillimin duke thënë se “shefi i atëhershëm i OSBE-së ka William Walker ka manipuluar”, por pa ofruar as një fakt se ku ka qëndruar “manipulimi”.
“Manipulimi i shkathët i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare nën firmën e OSBE-së dhe udhëheqjen e William Walker e shndërroi këtë veprim antiterrorist në shkak të agresionit të NATO-s kundër atdheut tonë në vitin 1999”, ka propaganduar Selakoviq, ka raportuar Tanjug.
Për këtë reagim të ministrit serb, sot ka reaguar edhe shkrimtari Ag Apolloni i cili ka publikuar fotografi të një prej fëmijëve të vrarë në Reçak e i cilësuar nga ministri serb si terrorist.
Apolloni ka kërkuar që për këtë deklaratë të lëshuar, ministri Selakoviq duhet të arrestohet, Bashkimi Evropian duhet të reagojë dhe Haga nuk duhet të heshtë.
“Ky fëmijë shqiptar i vrarë nga serbët në Reçak, paska qenë terrorist, sipas ministrit serb Nikola Selaković. Për këtë deklaratë ministri duhet të arrestohet, Bashkimi Evropian duhet të reagojë, Haga nuk duhet të heshtë”, shkruan Apolloni. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Zëvendëskryeministren e Sllovenisë, Tanja Fajon, njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme.
Marrëdhëniet me Slloveninë janë vlerësuar si tejet miqësore, teksa Presidentja Osmani ka çmuar mbështetjen historike të Sllovenisë për Kosovën dhe për integrimin e saj ndërkombëtar. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka falënderuar Slloveninë për angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, të cilën gjë e ka treguar edhe me emërimin e një emisari special.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe përkushtimi i përbashkët i thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve në fusha të ndryshme.
Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Fajon diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në veri të vendit dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit.
Kurse sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova mbetet palë konstruktive, por Serbia me obstruksionet e saj dhe duke përdorur bandat kriminale në veri të vendit po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe ta pengojë dialogun.
Megjithatë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se synim parësor mbetet integrimi euroatlantik i Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Sllovenisë për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare. / KultPlus.com
Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”, aktiviteti i Filharmonisë së Kosovës për vitin 2023 fillon më 19 janar me paraqitjen përpara publikut të Kamenicës.
Koncerti me vepra të kompozitorëve të huaj e vendor organizohet në kuadër të aktiviteteve të manifestimit “Flaka e Janarit 2023” dhe mbahet në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” prej orës 19:00.
Ky koncert mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Kamenicës dhe është i hapur për publikun. / KultPlus.com
Edhe liqeni më i ngrohtë në veri të Kirgizistanit, Isyk-Kul, ka ngrirë për shkak të të ftohtit ekstrem dhe temperaturave disa gradë nën zero.
Liqeni njihet gjerësisht nga vendasit, por edhe të huajt që e vizitojnë, si “Liqeni i ngrohtë”, emër që i është vendosur pikërisht sepse ujërat e tij, edhe në dimrin më të egër, nuk ngrijnë, falë thellësisë dhe ngrohtësisë natyrale të ujit.
Banorët thanë se kjo ishte hera e parë që e panë liqenin të ngrijë. Isyk-Kul është liqeni i 7 më i thellë në botë, i 10 për nga volumi dhe i dyti liqen i kripur në Detin Kaspik. / KultPlus.com
16 janari njihet botërisht si Dita Botërore e Botuesve të Librave. Kjo ditë është vendosur në nder të botuesve, duke ua njohur atyre rolin e rëndësishëm në shpërndarjen e dijes, ideve dhe promovimit të letërsisë.
Libri i parë i shtypur është prodhuar në Kinë, në shekullin e tetë. Më herët ishin skribët, mjeshtërit e shkrimit, ata që merrnin dorëshkrimet e autorëve dhe nxirrnin kopje të pastra. Shtypi i shkruar u shpik në shekullin e 15-të, duke revolucionarizuar këtë industry dhe duke bërë që librat të prodhoheshin në mënyrë më eficiente dhe me një kosto më të ulët. Tashmë jetojmë në epokën e “e-books”, librave elektronike dhe platformave online, të cilat po bëjnë shpërndarjen e librit, duke sjellë ndryshime të mëdha, në këtë industry.
Sidoqoftë botuesit “klasikë” janë ende të rëndësishëm. Shumë dije nuk do të ishte e mundur të shpërndahej pa ta. Për këtë arsye është vendosur një ditë enkas, për të na kujtuar se dija nuk do të kishte këtë shpërndarje në rang botëror pa botuesit. Institucionet kulturore në këtë ditë, ftohen të organizojnë aktivitete të cilat t’u mësojnë fëmijëve rëndësinë e botimit të librave, përtej atyre shkollorë. Libri është ushqimi shpirtëror i njerëzimit dhe botuesit janë ata që përgatisin këtë ushqim. Për këtë arsye meritojnë respekt dhe kanë një ditë të tyren në rang global. / atsh / KultPlus.com
Më 16 janar 1844, lindi në Vlorë Ismail Qemal bej Vlora.
Ishte pasardhës i njërës prej familjeve më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Pati qenë nëpunës i Perandorisë Osmane, deputet i Parlamentit Osman, e më pas nënshkrues i Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe i pari Kryeministër i Shqipërisë në periudhën 28 nentor 1912 deri me 22 janar 1914.
Ai lindi në Vlorë në vitin 1844, dhe ishte djali i Mahmut Nedim beut. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Më mbas vazhdoi në shkollën e mesme “Zosime” në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht. Në vitin 1860, vetëm kur ishte 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll. Deri në vitin 1900 Ismail Vlora punoi në detyra të ndryshme në administratën osmane, në Vilajetin e Janinës (1862), në Vilajetin e Danubit (1866-1876), në Filibe (1876), në Mardin 1883), në Bollu (1884-1889), në Bejrut (1889).
Në vitin 1900, kur ishte me detyrën e kajmekamit në Kesrije, për shkak të përndjekjes nga bashkëpunimi me xhonturqit dhe ideve për të arritur një organizim të shqiptarëve, la detyrën, u arratis për në Greqi dhe nga aty kaloi në Evropë. Në gjyqin që iu bë në mungesë u dënua me vdekje.
Në vitin 1902 Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve që u organizua nën drejtimin e princit Sabahedin dhe Lutfullahut, në Paris. Vetëm mbas rishpalljes së Kushtetutës (1908) Ismail Qemali u kthye nga Evropa. Në zgjedhjet që u bënë mbas rishpalljes së Kushtetutës, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit dhe u bë pjesë e partisë opozitare “Osmanlı Ahrar Fırkası”.
Gjatë periudhës së kryengritjeve të shqiptarëve kundër dhunës së ushtruar nga administrata e xhonturqve që ishin në qeveri, Ismail Qemali u mundua të siguronte mbështetje nga shtetet evropiane për të krijuar një administratë autonome brenda Perandorisë Osmane.
Ismail Qemal Bej Vlora udhëhoqi lëvizjen dhe mbledhjen që u mbajt në sarajet e familjes Vlora, ku më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 22 janar 1914 Ismail Qemali dha dorëheqjen nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe u nis bashkë me familjen për në Francë./ KultPlus.com
Kur trandofilat e dhembjes hidheshin në varrin e hapur, Goni po njihej përherë të parë me fytyrën e vdekjes. Jeta, deri atëherë e kishte kursyer nga ballafaqimi me të. Ai kurrë nuk kishte menduar, se një ditë do të merrte pjesë në një varrim, ku varrosen 40 veta përnjëherë dhe një varr do të mbetej i hapur.
Si gazetar i ri, nuk e dinte se ç’farë lidhje mund të kishte gazetaria dhe lufta. Por, shpejt filloi ta kuptoj këtë ndërlidhje fatale. Pamjet e përgjakura nga masakrat filluan ta krijojnë mozaikun e shkrimeve të tij. I dukej vetja një surealist! Mbytej në vaj, derisa i përkthente rrëfimet e dëshmitarëve shqiptarë për masakrën, në fshatin fqinj, për një botim në gjuhën serbe. Bashkë me të qante edhe hulumtuesja serbe, e cila shikohej me mosbesim, në atë ditë të trishtë. Çfarë kërkonte një serbe në mesin e shqiptarërve pikërisht në ato ditë tmerri?! A mund të bënte ajo raport objektiv?! Dhembja nxirrte dyshimet në pah, por lotët kishin shijen e njejtë të dhembjes. Fshatarët qanin, përkthyesit qanin, qante edhe ajo! Rrëfimet mbusheshin gjak e lot! Nuk përballoheshin emocionet, kur duhej të përkthehej për kokën e prerë të një fshatari në oborrrin e tij, apo për zhdukjen e kufomës së një zoje të shtëpisë, varri i së cilës kishte mbetur i hapur.
Gazetaria në kohë lufte filloi t’i përngjajë në një varr të hapur.
1.
Ndjenjat që i sjell vdekja i kishte provuar në fëmijëri.
Ftohësinë e parë të vdekjes, Goni, e kishte ndjerë, nga fletëvdekjet. Ato vendoseshin nëpër drunjët e trotuarëve dhe në shtyllat elektrike. Parakalimi i kortezheve të varrimeve, mespërmes qytetit, i ishin bërë ritual i përditshmërisë urbane. Herë banda muzikore ekzekutonte muzikë funebër, kur vdiste një qytetar serb, e herë mbi katër krah bartej kufoma e ndonjë të vdekuri shqiptar. Atij i ngatërrohej, kur thirrej ezani, e kur paralajmërohej një vdekje, sikur që nuk e dallonte dot kur këmbanat binin për gëzim e kur pikëllim.
Si një fëmijë kurreshtar ecte krahas kortezheve, por edhe shpesh përfundonte brenda tyre. Mes hapave të rëndë, dëgjonte edhe pëshpëritjet për të vdekurin. Kishte edhe ndonjë nënqeshje të nxitur nga ndonjë batutë për të vdekurin, e cila mbytej me shuplakë të dorës. I dukej vetja si të ishte në një teatër të hapur. I bënte përshtypje ndalimi i automjeteve, derisa kortezhi kalonte udhën për tek varrezat. Gonit i pëlqente kur nderohej i vdekuri i panjohur. Kur kthehej në shtëpi, në mbrëmje, dëgjonte të flitej për “Natën e varrit”, për “Ditën e gjykimit”, “Për ringjalljen e Krishtit” apo edhe për xhehnemin dhe parajsën. Me një fjalë kuptimin për vdekjen filloi ta krijojë më shumë nga pamjet e dhembshme, që parakalonin në qytet dhe nga përfoljet e prindërve për botën e përtejme, se sa nga leximi i librave fetarë apo filozofik.
Përtej një grope, ai filloi të mendoj për varrin dhe varrezat si një stacion të vdekjes. Aty shkohej dhe mbetej, apo aty shkohej dhe pastaj fillonte një udhëtim mistik i ri, i amshueshëm?
Kjo ishte dilema që e mbante pezull, në mes të tokës dhe të qiellit. Kjo ishte metafizika e tij. Në atë kohë vdekjet e natyrshme, më shumë i ngjallnin meditime filozofike se sa dhembje dhe pikëllim.
2.
Por, kur filloi lufta e vërtetë, Goni filloi të ndryshojë këndvështrimin për vdekjen dhe për Zotin. Gjatë gjithë kohës së luftës nuk e kuptonte logjikën pse ndodhnin aq masakra, aq djegie dhe pse dëboheshin njerëzit! A ishte vërtetë kjo luftë apo çmendurinë njerëzore! Pyetjes se pse Zoti e lejonte një gjë të tillë, nuk ia gjente dot përgjigjjen?! Çdo ditë e më shpesh dëgjonte se dikur luftërat kanë qenë më të moralshme, kurse tash po vriteshin edhe fëmijët. Në çdo vrasje ai filloi të mendoj, se i pari që vritej, që vdiste ishte Zoti. Sepse si ka mundësi qe dikush t’i vret 40, 400,…, 4000 veta, për një ditë, pa e vrarë në fillim Zotin brenda tij. Kështu reflektonte, pa e kuptuar ku fillonte hyjnorja e ku mbaronte njerëzorja.
Nuk i hiqej nga mendja vargu i një balade që dëgjohej me ëndje në shtëpinë e tij. Nga radioja e markës “Portorozh”, e vendosur në qoshe të dhomës së ndejës, kumbonte thirrja e një heroi që po vdiste, që varrin t’ia linin të hapur, me një frengji, si në kullat tradicionale. Derisa gjilpëra grithte pllakën magnetofonike, ai imagjinonte që nga ajo frengji, në formë të vrushkulli të dritës, krijohej lidhja me Zotin dhe pikërisht prej saj shpirti i heroit ngjitej në panteonin e shpirtërave. Varri i përngjante në një kullë të varrosur.
Por kishte kaluar koha kur për të ekzistonte vetëm kuptimi për vdekjen e natyrshme. Tashmë atë e zëvëndësoi kuptimi për vdekjen si fryt i hidhur i luftës. Iu dukë se do të mund të gjente shpëtim tek Këngët e kreshnikëve. Donte të ikte nga realiteti. Ato ia sillnin luftën në sofrën e bukës, si një mëlmesë të përgjakur. Dita, ditës ai filloi të ndjejë se më shumë po jetonte mes kreshnikëve se sa mes të njerëzve të familjes. Ngjallja e Konstantinit, nga varri për ta mbajtë fjalën e dhënë së motrës, apo vrasja e Ali Pashë Tepelenës dhe dy varret e tij, një për kokën e prerë, e tjetri për trupin, e fusnin në një atmosferë varresh. Ndjente trishtim derisa paramendonte udhëtimin e kokës pa trup për në Stamboll. Me një fjalë realiteti i luftës dhe realiteti në eposin e kreshnikëve ishin ngatërruar ndër veti. Nuk vonoi dhe lufta sikur doli nga Eposi. Filloi t’i urrente interpretimet se Ballkan do të thoshte tokë e gjakut!
3.
Pas lufte, memoriali në fshatin ku u krye masakra, u shndërrua në një pelegrinazh vjetor, për viktimat e pafajshme. Në mesin e të gjitha varreve të mbuluara tashmë me mermer të përhimtë, një varr vazhdonte të mbetej i hapur. Një trup e një të vrareje, nuk ishte gjetur prej atij janari të kobshëm të vitit 1999-të. Lulet e pikëllimit hedheshin për çdo vit në varrin e zbrazët, duke e mbushur atë me dhembjen, për viktimën e zhdukur. Dikush thoshte se as në antikitet nuk është luajtur me kufomat, kurse tash zhvillohej një betejë për kufomat, ato zhdukeshin, fshiheshin, kidnapoheshin, zhvarroseshin e rivarroseshin. Dinjiteti i njerëzve vritej për së dyti. Varri i hapur, filloi t’i dukej si një portret i papërfunduar i luftës.
Në mbrëmje kur gazeta shkonte në shtyp, atij i dukej se vet shkonte në një botë tjetër. Në ato çaste mërzie, ndërmend i parakalonin primamidat egjiptase, si krye-varre të një civilizimi, varrezat e lashta me rasa guri, të gjata sa një trup njeriu, pa asnjë mbishkrim, pastaj varret e vendlindjes së tij të humbura në mes lisave të mëdhenj. Pyeste vetveten; a ka vend tjetër në botë që ka Varre të krushqëve. Legjendat thonin se ishte një kohë, që kur takoheshin krushqit ndër veti vriteshin.
Ndihej si një kalorës i humbur në mes të varreve në natën që nuk kishte të sosur.
Gonin, një ditë pune e solli edhe tek varrezat e qytetarëve serbë, në dalje të qytetit. Serbët, pas luftës filluan t’i zhvarrosnin të dashurit e tyre dhe t’i dërgonin mbetjet mortore, në Serbi. Ky veprim nuk kuptohej lehtë nga ai; donin t’i zhvarrosnin edhe kujtimet nga Kosova apo cila ndjenjë i shtyente në këtë veprim?! Ishte kohë zhvarrimesh! Forcat serbe kishin zhvarrosur viktimat shqiptare dhe i kishin dërguar në Serbi! Po ashtu kishte raste që tri apo katër herë ishin zhvarrosur edhe luftëtarët shqiptarë të vrarë, për t’u varrosur në Varrrezat e përbashkëta të dëshmorëve. Derisa i mbledhnin eshtrat e tyre, varret mbetnin të hapura.
Zhvarrimet nxirrnin vdekjen nga toka, në ajër ndihej shija e saj prej dheu. Parafytyrimi i varreve të hapura, Gonit, nuk i hiqeshin nga sytë. I shihte si istikame të një lufte që pret të rishfaqej. Filloi të ngatërrohej vetmevete, duke krahasuar varret e hapura. Njëri i zhdukur, tjetri i zhvarrosur. Kurrë nuk i kishte pëlqyer shkronja ZH, i ishte dukur shumë e zhurmëshme, dhe vetëm në fjalën zhurmë i dukej se rrinte në vendin e vet. Që të dy varret mbetnin të zbrazura nga mosmbarimi i luftës në kokën e njerëzve. I kujtohej fjala e urtë se “kush ia hap dikujt varrin bie vet në të”, por ky e murmuriste ndër dhëmbë si një motërzim: se nëse dikujt ia lenë varrin të zbrazur, ke zbrazë edhe varrin tënd.
Çdo varr i mbetur hapur, i gjason një lufte të pa kryer.
Kështu disi e kishte emërtuar reportazhin e tij, për varret e hapura. Donte t’i mbyllte varret, qoftë edhe simbolikisht. Gjithë ditën kur u botua shkrimi nuk ndihej mirë, veshtë i ushtonin , i bëhej sikur po dëgjonte rapsodët ta këndonin shkrimin e tij në vend të këngës së kreshnikëve! Sërish varre të hapura, sërish plagë. Në mes eposit të lashtë të kreshnikëve dhe kronikave të sotme për vrasjet nuk shihte dallim. Tash lufta po hynte në Epos! Mungonte vetëm gramafoni sipër radios me gjilpërën e tij magnetike, si dhe ndryshonte arsyetimi moral për luftërat?!
Si duket sërish ai ishte jashtë realitetit?!/ KultPlus.com
Kastrati, u lind në vitin 1933 në fshatin Karaçevë të epërme të Kamenicës në Kosovë. Ai i takonte gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore, ku emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurativ të cilët kanë jetuar dhe krijuar në kohën e Jugosllavis. Ai jetoi dhe veproi në Maqedoninë e Veriut duke lënë në trashëgimi vepra të rëndësishme.
Në krijimtarinë e Adem Kastratit dominon tematika sociale me elemente etno folklorike të ambienteve rurale. Përditshmëria vazhdimisht prezantohet nëpërmjet gërshetimit të natyrës dhe figurës së njeriut të zakonshëm, e përshkruar nga lirizmi socio – antropologjik i nën qiellit rural shqiptar. Në epiqendër të kompozicioneve të këtij cikli autori e fikson figuracionin, në veçanti figurën e njeriut, e cila posedon identitet social e psikik me karakteristika të ambienteve kosovare – shqiptare.
Fillimisht Kastrati ka pikturuar në teknikën me ngjyra të vajit, por më vonë me një përkushtim të madh ai fillon edhe pikturimin me ngjyra të dheut, për të cilën teknik edhe njihet. Disa prej punimeve më të njohura të tij janë: Magja (1989), Dasmorët (1989), Darka (1977). / KultPlus.com
Nga natyra mbresëlënëse, arkitektura unike e deri te jeta e shfrenuar e natës. Të gjitha këto i ofrojnë disa nga ishujt më të famshëm të Europës si Ibiza, Mykonos, Santorini etj. Mirëpo krahas tyre, ka shumë ishuj në kontinentin e vjetër që mund t’u dhurojnë turistëve arratisje fantastikedrejt natyrës.
Po rendisim më poshtë disa nga ishujt më të bukur në Europë, nga ku mund të largoheni nga pothuajse gjithçka…
1.Schiermonnikoog, Holandë
Holanda është më e njohur për kanalet, digat dhe fushat me tulipanë. Por një nga vendet më të bukura është dhe ishulli Schiermonnikoog, i vendosur në brigjet veriore të Holandës. Shtëpia e vetëm 950 njerëzve dhe një qytet i vetmuar, Schier, siç e quajnë vendasit ishullin e tyre, është një park kombëtar, i mbuluar me duna dhe pyje dhe me disa nga plazhet më të paprekura të Evropës.
Vizitorët nuk kanë shumë alternativa për t’u argëtuar, por mund të kalojnë kohën e tyre në plazhet me rërë të bardhë, të marrin mësime surfing apo të enden me biçikletë nëpër shtigjet e vetmuara të ishullit.
2. Heimaey, Vestmannaeyjar, Islandë
Shtëpia e llojeve të ndryshme të shpendëve, ishulli Heimaey në Vestmannaeyjar duket si i dalë nga një libër përrallash. Me shkëmbinj të veshur me bimë të gjelbra, plazhe me rërë të zezë dhe shpella të shumta përgjatë bregut të thyer.
Një shpërthim vullkanik në Heimaey në vitin 1973 mbuloi zonën me 200 milionë tonë hi dhe lavë, por për mrekulli u raportua vetëm një vdekje. Sot, mbretëron paqja e plotë, me shtigje të izoluara dhe pamje mahnitëse të oqeanit.
3. Ishulli Flores, Azores, Portugali
Një nga ishujt më të largët të kontinentit është ishulli Flores. Një ëndërr e vërtetë për adhuruesit e natyrës. Liqenet blu, shpatet e gjelbra, luginat, ujëvarat dhe burimet termale në ishullin vullkanik, e bëjnë këtë vend një parajsë të vërtetë për 3400 banorët vendas dhe turistët.
“Në këtë ishull keni ndjesinë se jeni në një botë tjetër. Pa ndotje, pa stres, pa zhurmë”, thotë Gabriela Silva, 69 vjeç, e cila ka lindur në Flores dhe jeton në ishull. “Deti blu është aq i pastër, saqë kur zhytesh përjeton ndjesinë e të qenit në shtëpinë e perëndive”, shton ajo.
Ishulli Flores, Portugali
4. Naustholmen, Norvegji
Vizitorët duhet të fluturojnë fillimisht në Norvegji dhe më pas të vazhdojnë udhëtimin më në veri për të arritur në këtë ishull privat. Ishulli ka vetëm tri shtëpi që mirëpret turistë, ndaj numri i atyre që shkojnë është i paktë. Kush ka fatin të pushojë në këtë ishull, mund të shijojë plazhet apo të flejë gjatë natës në një shtat që përkundet, rrethuar nga heshtja dhe bukuria e këtij vendi të largët
5. Tiree, Skoci
Ishulli Tiree nganjëherë konsiderohet edhe si Havai i Veriut, kjo për shkak të klimës së butë, ajrit të pastër dhe plazheve me rërë të bardhë. Festivali vjetor i muzikës Tiree tërheq deri në 2000 pjesëmarrës çdo korrik për të shijuar muzikën popullore skoceze, por edhe për të eksploruar pyjet dhe shtigjet e pashkelura të ishullit.
6. Arkipelagu Berlengas, Portugali
Një nga destinacionet më befasuese të Portugalisë është dhe arkipelagu Berlengas, mbrojtur nga UNESCO. I njohur më së shumti për Fortesën São João Baptista, një kështjellë e viteve 1600, që sot është shndërruar në bujtinë për vizitorët. Gjithsesi, ishujt në këtë arkipelag kanë kampingje të shumta të hapura gjatë verës, ku vizitorët mund të qëndrojnë gjatë natës dhe të vëzhgojnë Rrugën e Qumështit.
Peizazhi është i thatë, por i bukur, ndërsa pamja e Oqeanit Atlantik që përplaset rreth ishujve është mbresëlënëse. Arkipelagu është një nga vendet më të mira për zhytje në Portugali, falë rrymave dhe klimës së ndikuar nga Oqeani Atlantik dhe Mesdheu.
7. Alicudi, Siçili, Itali
“Është ishulli më i egër në Siçili. Ata ende përdorin gomarë për të transportuar mallra në Alicudi. Nëse jeni duke kërkuar për vend ku të arratiseni, është perfekti”, thotë siçiliani, Francesco Curione. Maja vullkanike e Alicudi ngrihet nga Deti Tirren duke i dhënë peizazhit një efekt dramatik, rrethuar nga anije peshkimi shumëngjyrëshe që lundrojnë përgjatë vijës bregdetare.
Në këtë vend nuk ka makina dhe as hotele, por mund të qëndroni në shtëpitë vendase. Gjithsej ishulli ka vetëm 100 banorë, kështu që gjetja e një vendi të qetë është shumë e thjeshtë. Sa më lart të ngjiteni përgjatë shkallëve prej guri lave, aq më e thellë është heshtja dhe ikja…
8. Skyros, Greqi
Ishujt grekë si Santorini dhe Mykonos janë gjithmonë plot me turistë gjatë muajve të verës. Për një përvojë më të izoluar në ishujt grekë, mund të vendoseni në ishullin Skyros. Një nga 24 ishujt në zinxhirin kryesisht të pabanuar të ishujve veriperëndimor në Detin Egje. Ishulli ofron plazhe të virgjra për t’u eksploruar, një kështjellë bizantine dhe një natyrë me specie të rralla.
Skyros, Greqi
9. Fasta Åland, Finlandë
Në Gjirin e Bothnias midis Suedisë dhe Finlandës, arkipelagu Åland ka më shumë se 6500 ishuj, nga të cilët vetëm 60 janë të banuar. Fasta Åland është ishulli më i madh në arkipelag dhe një vend ideal për eksplorime. Shëtitje me biçikletë, lëvizje me traget në ishujt e tjerë të afërt ose thjesht çlodhje në një sauna me pamje nga deti.
10. Ishulli Rathlin, Irlanda e Veriut
I shtrirë në brigjet e Irlandës së Veriut është shtëpia e vetëm 150 banorëve, por e mijëra zogjve dhe fokave gri. Një nga gjërat më interesante për t’u bërë në ishull është zhytja nën ujë për të eksploruar një numër të madh anijesh të mbytura gjatë Luftës së Parë Botërore./ KultPlus.com
“E ardhmja do të pluskojë mbi ujë!” Kështu mendon një ekip ndërkombëtar arkitektësh dhe projektuesish të udhëhequr nga firma italiane Luca Curci Architects me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Së fundmi përmes Inteligjencës Artificiale, ata kanë publikuar planin për një qytet lundrues, i aftë të strehojë deri në 50.000 banorë. Në foto shihet se në qytet mbizotërojnë strukturat e bardha, si dhe një rrjet rrugësh në formë rrethore.
“Komuniteti që do të jetojë në këtë qytet lundrues do të ketë gjithsej 25 hektarë platforma të ndërlidhura dhe lagje të ndryshme, ku secila do të përmbajë ndërtesa të rrethuara nga disa struktura fotovoltaike që ofrojnë energji elektrike.”
Ekipi i arkitektëve Po punohet fort edhe për çështje të tjera shumë të rëndësishme mjedisore, si p.sh mbetjet, sistemi i transportit 100% i gjelbër dhe shkripëzimi i ujit. Synimi kryesor i këtij projekti është që banorët e qytetit lundrues të kenë një jetesë më të shëndetshme, duke shfrytëzuar dhe ruajtur elementet natyrore. Ndër të tjera, qyteti pritet të jetë edhe një destinacion turistik, me hotele, qendra tregtare, qendra sportive dhe atraksione të tjera të shumta. / KultPlus.com
E “hëna blu” është emri që i jepet të hënës së tretë të janarit dhe që njihet si dita më dëshpëruese e vitit. Ideja për ta etiketuar kështu të hënën e tretë të muajit janar ishte e psikologut Cliff Arnall në bashkëpunim me Universitetin e Cardiff.
Ata marrin në konsideratë disa variabël të ndryshme si moti, borxhet e akumuluara nga dhuratat e Vitit të Ri, rënia e motivimit pas festave, e të gjitha këto e bëjnë këtë ditën më të zezë të vitit, dita kur ndjehemi më të trishtuar.
Teoria thotë se kjo është koha e vitit kur ne të gjithë jemi më të ftohtë, më të thyer dhe më pak të motivuar për tu përshtatur me vitit vitin e ri. Me shpenzimet e shtuara të festave të fundvitit që na kanë lënë një boshllëk edhe në xhepa që kombinohet me natën e gjatë dhe motit gri, nuk bën aspak habi fakti, që kjo e hënë të jetë dita më e trishtueshme e vitit.
Janari mund të jetë një kohë depresive për shumëkënd pasi historikisht regjistrohet rritje e numrit të divorceve apo njerëzve që braktisin punën. Në anën tjetër, ekspertët ofrojnë edhe këshilla se si mund të bëhet e hëna blu, më pak e trishtueshme
Por, si t’i shpëtojmë kësaj zymtësie dhe ku të kërkojmë motivim për të nisur ditët e ftohta?
Duhet të bëni një gjumë të mirë dhe një fundjavë të këndshme për të pasur energji të hënën blu. Nëse mundeni aktiviteti fizik apo qoftë dhe ecje në natyrë, përpiquni të bëheni kreativë, të ushqeheni shëndetshëm, të përfitojmë sa më shumë nga drita natyrale dhe të ndryshojmë mjedis. Gjithashtu duhet të kalojmë kohë me të tjerët. Por kryesorja, përpiquni të mendoni sa më shumë pozitivisht./ A2 / KultPlus.com
Ky është “shkëmbi i çuditshëm”, që në finlandisht thuhet Kummakivi. Ky shkëmb ndodhet në pyllin e dendur në pjesën perëndimore të Ruokolahti në Finlandën Juglindore.
Shkëmbi quhet i çuditshme, sepse për 11 mijë vjet ka sfiduar gravitetin, pasi ai ndodhet i balancuar mbi një gur.Legjenda ka një shpjegim për këtë fenomen, ndërsa shkenca ofron një tjetër. Është e vërtetë që asnjë nuk është vërtetuar.
Sipas legjendës, ky shkëmb u vendos mbi gur nga gjigantët; ndërsa gjeologët ofrojnë një shpjegim shkencor – akullnajat.
Meqenëse ky nuk është shkëmbi i vetëm balancues në botë, shkencëtarët besojnë se akullnajat e lanë atë pasi u tërhoqën para më shumë se 8.000 vjetësh.Mirëpo, askush nuk e ka shpjeguar ende pse ai nuk ka rënë deri tani. / abcnews / KultPlus.com
Sot në Shtime është mbajtur akademi përkujtimore në nderim të viktimave të 15 janarit të vitit 1999, nga Masakra e Reçakut, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, pjesëmarrësit e kësaj akademie përkujtimore, Kori Siparantum, u shprehen të lumtur që morën pjesë këtu.
Postimi i plotë:
“Sa nder dhe ndjesi e pabesueshme për Korin Siparantum të performojë në Ceremoninë Përkujtimore të 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut, në prani të Zyrës së Kryeministrit, ambasadorit William G. Walker dhe të ftuarve të tjerë të shquar! Ndjenja bëhet edhe më e fortë kur shumica e anëtarëve të Korit janë fëmijë të lindur në kohë lufte, të cilët tani këndojnë për PAQE! Nuk do ta harrojmë kurrë Reçakun, nuk do t’i harrojmë kurrë viktimat e luftës në Kosovë! Nëpërmjet këndimit, ne lavdërojmë me përulësi kujtimin e tyre!”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com
Isa Boletini është një nga emrat më të njohur në rrafshin historik për gjithë kombin shqiptar. Ai ishte organizatori kryesor i mobilizimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ai ishte bërë shpesh temë e nxehtë në Kosovë meqë Kulla e Isa Boletinit gjendet në Mitrovicë si një qytet problematik politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Isa Boletini është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka jetuar në trojet shqiptare. Ai ka udhëhequr luftën për liri të shqiptarëve prej vitesh të tëra.
“Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” është një nga thëniet më të mira dhe më domethënëse që vë në pah atdhedashurinë dhe lidhjet kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. /KultPlus.com
Një padi e ngritur kundrejt Institutit të Artit në Detroit, pretendon se një pikturë e Van Gogh e shfaqur në ekspozitën e këtij muzeu është e vjedhur.
Piktura, e quajtur “Lexuesja e romanit” dhe e njohur gjithashtu si “Zonja që lexon”, e vlerësuar të jetë 5 milion dollarë, ishte në pronësi të koleksionistit brazilian Gustavo Soter, deri në momentin që Instituti i Artit në Detroit e ka huazuar atë nga një palë e tretë e cila nuk është pronari i saj ligjor.
Gjykatësi në shqyrtim të çështjes ka urdhëruar përkohësisht muzeun e Detroit që të mos e zhvendosë, dëmtojë, shkatërrojë ose përdorë pikturën përgjatë shfaqjes së saj në ekspozitë në mënyrë që të ruhet vlera e saj.
Piktura e vitit 1888, e punuar me vaj në kanavacë, përshkruan një grua të re duke lexuar një libër të verdhë përpara një sfondi të verdhë të bibliotekës. Kjo pikturë do të qëndrojë si pjesë e ekspozitës deri në mbylljen e saj më 22 janar, teksa një seancë dëgjimore më 19 Janar do të vendosë për fatin e saj. /topchannel /KultPlus.com
Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.
Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.
Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.
Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.
Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq.
Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës. ( A. Q.)
Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh, familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.
Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia e pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht.
Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit-hat Frashërit e Liugj. Gurakuqit
Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Llazër Mjedës. Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej patriotit Avni Rustemi. Më pas emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Rexhep Shala.
Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela, në vitin 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33) ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Liugj. Radit. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924.
Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934- 1936 ishte pjesëtar i grupit botues të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935 Migjeni botoi vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Carlo Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941
Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian
Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumë çmuar, që nuk dha rezultat
Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.
Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.
Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj
“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj Më 4 Maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18 të atij muaji i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.
Vepra
Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt. Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.
Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.
Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).
Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV)./medialmk/ KultPlus.com
“Bonusi i Rijetësimit” është një nga projektet madhore të qeverisë, prej të cilit deri më tani kanë përfituar 40 aplikantë, pronat e të cilëve po u nënshtrohen restaurimit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau në rrjete sociale rastin e Remzije Eminit që është një nga përfitueset e këtij projekti.
“Bonusi i Rijetësimit, ka shkuar deri në Konispol, në skajin më jugor të vendit në shtëpinë e Remzie Eminit”, shprehet Margariti.
E trashëguar në breza fatkeqësisht shtëpia paraqiste shumë problematika e siç thotë Rezija “çka binte jashtë, hynte brenda”.
Sot ajo e sheh shtëpinë të restauruar.
Bonusi i Rijetësimit nuk mbron vetëm trashëgiminë tonë kulturore e historike, por mbështet mbi të gjitha familjet dhe u vjen në ndihmë qytetarëve duke u u ofruar përmes restaurimit të banesave kushte më të mira jetese në shtëpitë e tyre.
Ministrja bën të ditur se, ky projekt do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023, me një fond shtesë prej 50% të atij aktual. /atsh /KultPlus.com
Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare, kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë: mbi Maranaj qet vetllen kureshtare agimi e hjedh në liqe synin e qetë.
Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë, e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija, tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:
skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë. / KultPlus.com