77-vjetori i shpalljes së Republikës

Më 11 janar 1946 Shqipëria u shpall Republikë.

Pas daljes së vendit nga Lufta e Dytë Botërore në nëntor 1944, Shqipëria ishte ende mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme. Kësisoj, për të sjellë ndryshimin e regjimit të qeverisjes, u organizuan zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, në të cilat u zgjodh fitues Fronti Demokratik (ish-Fronti Nacional-Çlirimtar), organizata politike e Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Pas mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor, Asambleja Kushtetuese shpalli Shqipërinë Republikë Popullore.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell vendimin e Asamblesë Kryesuese që e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, si foto ilustruese të këtij zhvillimi. /atsh / KultPlus.com

Banesa Dallnesi, ndër perlat e trashëgimisë kulturore shkodrane

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër solli në vëmendje një nga banesat karakteristike shkodrane, banesën e familjes “Idriz Dallnesi”.

Bëhet fjalë për një ndër banesat tipike e përfaqësuese të ndërtimtarisë së shek. XX, shpallur monument kulture kategoria I (1973) nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës.

Banesa e familjes Dallnesi, mbi 200-vjeçare, ndodhet në lagjen Perash, Shkodër. Ndonëse nuk ka një datë të saktë të ndërtimit, vendndodhja e saj i paraprin zgjerimit të qytetit dhe krijimit të zonave të reja të banuara të Shkodrës, si qendra qytetare relativisht të reja.

Banesa, dykatëshe, ruan mjaft mirë skemën planimetriko- funksionale të banesës karakteristike që i përket periudhës së shek XIX-XX, që reflekton edhe zgjerimin e marrëdhënieve kapitaliste në Shqipëri.

Ajo ka trashëguar 3 mjedise karakteristike si mjedisi i odës së miqve, oxhaku i plazmuar, ornamentika e zbukurimores së mjediseve ku veçohen gdhendjet e drurit dhe pikturimi në material drusor. Në këtë banesë spikat trajtimi i kujdesshëm i pamjes së jashtme të banesës duke u larguar nga dekori i rëndë i tipologjisë së banesave karakteristike shkodrane me prani të shtuar të ornamenteve.

Kati përdhe është i ndërtuar me gur, po kështu edhe kolonatet e katit të dytë, ndërsa së brendshmi mbizotëron druri i gdhendur dhe i pikturuar. /atsh / KultPlus.com

“Golden Globes 2023”, lista e plotë e fituesve

“Golden Globes 2023” mbajti edicionin e tij të 80-të në The Beverly Hilton në Beverly Hills, Kaliforni, ku përmes një ceremonie u ndanë edhe çmimet fituese.

Mbrëmja e cila për nikoqir kishte Jerrod Carmichael, u transmetua të martën në NBC.

Më poshtë po ju sjellim listën e plotë me fituesit e “Golden Globes 2023”:

Filmi më i mirë në zhanrin dramë

The Fabelmans – Fitues
Avatari: The Way of Water
Elvis
Tar
Top Gun: Maverick

Filmi më i mirë muzikal apo komedi

Banshees e Inisherin – Fitues
Babylon
Everything Everywhere All at Once
Glass Onion: A Knives Out Mystery
Triangle of Sadness

Drama më e mirë televizive

House of the Dragon (HBO Max) – Fitues
Better Call Saul (AMC+/AMC)
The Crown (Netflix)
Ozark (Netflix)
Severance (Apple TV+)

Seria më e mirë televizive – muzikal apo komedi

Abbott Elementary (ABC) – Fitues
The Bear (FX)
Hacks (HBO Max)
Only Murders in the Building (Hulu)
Wednesday (Netflix)

Seria e limituar më e mirë televizive

The White Lotus (HBO Max) – Fitues
Black Bird (Apple TV+)
Dahmer – Monster: The Jeffrey Dahmer Story (Netflix)
The Dropout (Hulu)
Pam & Tommy (Hulu)

Performanca më e mirë nga një aktor në një seri televizive – dramë

Kevin Costner, Yellowstone – Fitues
Jeff Bridges, The Old Man
Diego Luna, Andor
Bob Odenkirk, Better Call Saul
Adam Scott, Severance

Performanca më e mirë nga një aktore në një seri televizive – dramë

Zendaya, Euphoria – Fitues
Emma D’Arcy, House of the Dragon
Laura Linney, Ozark
Imelda Staunton, The Crown
Hilary Swank, Alaska Daily

Regjisori më i mirë

Steven Spielberg, The Fabelmans – Fitues
James Cameron, Avatar: The Way of Water
Daniel Kwan, Daniel Scheinert, Everything Everywhere All at Once
Baz Luhrmann, Elvis
Martin McDonagh, The Banshees of Inisherin

Performanca më e mirë nga një aktore në një film

Cate Blanchett, Tar – Fitues
Olivia Colman, Empire of Light
Viola Davis, The Woman King
Ana de Armas, Blonde
Michelle Williams, The Fabelmans

Performanca më e mirë nga një aktor në një film

Austin Butler, Elvis – Fitues
Brendan Fraser, The Whale
Hugh Jackman, The Son
Bill Nighy, Living
Jeremy Pope, The Inspection

Performanca më e mirë nga një aktor në një rol dytësor

Ke Huy Quan, Everything Everywhere All at Once – Fitues
Brendan Gleeson, The Banshees of Inisherin
Barry Keoghan, The Banshees of Inisherin
Brad Pitt, Babylon
Eddie Redmayne, The Good Nurse

Performanca më e mirë nga një aktore në një rol dytësor

Jennifer Coolidge, The White Lotus – Fitues
Claire Danes, Fleishman is in Trouble
Daisy Edgar-Jones, Under the Banner of Heaven
Niecy Nash, Dahmer – Monster: The Jeffrey Dahmer Story
Aubrey Plaza, The White Lotus

Kënga më e mirë origjinale

“Naatu Naatu,” RRR – Fitues
“Carolina,” Where the Crawdads Sing
“Ciao Papa,” Guillermo del Toro’s Pinocchio
“Hold My Hand,” Top Gun: Maverick
“Lift Me Up,” Black Panther: Wakanda Forever

Çmimi ‘Cecil B.DeMill’

Eddie Murphy – Fitues
Çmimi ‘Carol Burnett’
Ryan Murphy – Fitues. / KultPlus.com

Libri i Princit Harry me rekord shitjesh në Mbretërinë e Bashkuar

Libri i kujtimeve i Princit Harry, i titulluar “Spare”, u bë libri më i shitur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar, tha botuesi i librit.

Libri u publikua të martën pas disa ditësh intervista televizive të Harryt, dhe një versioni të publikuar gabimisht të memoarit ku u zbuluan informacione intime rreth familjes mbretërore britanike.

Libri i Harryt ka tërhequr vëmendjen në mbarë botën, pasi aty ka zbuluar betejat e tij personale dhe akuzat lidhur me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore, përfshirë edhe për babanë e tij, Mbretin Charles, njerkën Camilla dhe vëllain e tij të madh, Princin William.

“Ne e dinim se ky libër do të fluturonte, por po i tejkalon edhe pritjet tona më të mëdha”, tha përmes një deklarate, Larry Finlay, drejtor menaxhues në Transworld Penguin Random House.

“Sipas informacioneve tona, të vetmet libra që janë shitur më shumë në ditën e parë kanë qenë ata për Harry tjetër [Potter]”, shtoi ai.

Botuesi i librit tha se janë shitur 400.000 kopje në ditën e parë.

Libri “Spare” ofron zbulime të fundit të bëra nga Harry dhe gruaja e tij Meghan, që kur ata u larguan nga detyrat mbretërore më 2020 dhe u transferuan në Kaliforni për të krijuar një jetë të re. Publikimi i librit pason dokumentarin e Netflix për Princin Harry.

Familja mbretërore nuk ka komentuar lidhur me librin dhe nuk pritet që të bëjë një gjë të tillë.

Versioni në gjuhën spanjolle i librit doli në shtije gabimisht javën e kaluar në disa librari të Spanjës.

Në libër, Harry ka folur për jetën e tij pas vdekjes së nënës Princeshës Diana kur ai ishte vetëm 12 vjeç, për konsumimin e kokainës dhe drogave të tjera për të përballuar këtë humbje dhe se si ai vrau 25 luftëtarë talibanë në kohën kur shërbeu si ushtar në Afganistan.

Në libër ai po ashtu ka treguar për një zënkë me vëllain e tij, William, trashëgimtarin e fronit, duke thënë se William e kishte rrëzuar atë, dhe se si të dy i ishin lutur babait të tij që të mos martohej me Camillën.

Në intervistat para daljes në shitje të librit, Harry ka dyfishuar akuzat e tij për disa anëtarë të familjes mbretërore, përfshirë Camilla dhe William, që zbuluan informacione për gazeta e të cilat ai tha se kanë dëmtuar atë dhe gruan e tij Meghan. Publikimi i këtyre informacioneve, sipas Harry, u bë që anëtarët e familjes mbretërore të mbronin veten dhe të rrisnin reputacionin e tyre.

“Mendoj se ajo [nëna e tij Diana] do të ishte zemërthyer lidhur me faktin që William, zyra e tij, ishin pjesë e këtyre lajmeve”, tha ai për Good Morning America.

Ndërkaq, për programin 60 mintues të CBS, Harry tha se Camilla ka pasur një reputacion të keq te tabloidet dhe ka pasur nevojë që ta rregullojë imazhin e saj, gjë që, sipas tij, e bëri atë “të rrezikshme”. (Rel) / KultPlus.com

‘Avni mor vëlla i Xhafos, ç’forcë të madhe na ke futur në gjak vëllau im’ (VIDEO)

‘’Dy krisma në Paris’’ është një dramë nga Sheri Mita dhe Pëllumb Kulla. Tema që trajtohet është ajo e vrasjes së Esat Pashë Toptanit në Paris dhe poashtu gjyqin e bërë ndaj Avni Rrustemit, shkruan KultPlus.

Avni Rrustemi ka qenë nja atdhetar demokrat revolucionar i shquar, udhëheqës i shoqërisë demokratike ‘’Bashkimi’’, pjesëtar i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare në prag të Revolucionit të Qershorit.

Filmi ‘’Dy krisma në Paris’’, vazhdon të shikohet edhe sot nga një pjesë e madhe pasiqë tema që trajtohet është mjaft delikate. Në një pjesë të dramës, personazhi i Avni Rrustemit thotë: “Keni për të parë edhe ju, se ky do të jetë gjyqi i Esat Pashë Toptanit”, kështu edhe del të jetë deri në fund.

Në film preken tema si tradhëtia, besa, lufta e sakrifica e popullit të Shqipërsië, nën interpretimin e trupës teatrale të Fierit, me aktorët Fatos Sela, Vladimir Muzha, Andrea Pepi etj.

KultPlus ju sjell skenën më të ndjeshme të kësaj drame, atë të ardhjes së Xhafo Idrizit në tavolinën e dëshmitarit. / KultPlus.com

Fundi i Mehmet Shehut

“Mehmet Shehu është helmuar dhe pastaj është qëlluar me dy plumba”. Kështu është shprehur i vëllai i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në lidhje me vdekjen ende misterioze të Mehmet Shehut. Sipas tij, urdhri është dhënë nga Enver Hoxha, por këmbëzën e pistoletës e ka shkrepur Kadri Hazbiu.

“Cili është njeriu që ka qëlluar mbi të? Në fillim dukej se çështja ishte e koklavitur, por unë kam bërë hetimet e mia dhe kam pyetur shumë njerëz. Nga të gjitha këto, kam dalë në përfundimin se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Enver Hoxha, ndërsa këmbëzën e ka shkrepur ‘Jagoja’, Kadri Hazbiu.

Por, në marrjen e vendimit, ka qenë edhe një i tretë, ‘Hrushovi’, Ramiz Alia. Unë theksoj atë që kam thënë edhe herë të tjera: Të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetonin kur ishte Mehmet Shehu gjallë, por dhe që kanë lindur pasi ai u vra, kam bindjen po t’i pyesësh (se do u kenë treguar nënat, baballarët, gjyshërit) mbi këtë çështje do të thonë se mbi Mehmet Shehun nuk mund të vinte dot dorë njeri, pa lejen e Enver Hoxhës”, është shprehur ai për gazetën “Dita”, një vit më parë.

Sipas tij, “Shumëkush mund të mendojë se urdhri u dha për shkak të fejesës së djalit të tij, Skënderit, me një vajzë nga Turdinjtë, familja e së cilës kishte biografinë me probleme. Por nuk është kështu”. Ai tregon se urdhri për eliminimin e tij është shumë i largët, pasi përpjekjet për eliminimin e tij kanë filluar që në ’48-n. “Ishte Koçi Xoxja me klanin e tij. Pra nuk ishte e rastit vrasja e Mehmet Shehut. Plani për eliminimin e tij ka filluar që në atë kohë”, thotë Duro Shehu.

KUJTIMET

Vite më parë, Duro Shehu botoi një libër kujtimesh “Mehmet Shehu, im vëlla”, (“Bota Shqiptare”), ku ndër tjera rrëfen për ditën e vetë/vrasjen së Mehmet Shehut, takimin me Fiqretin, të bijtë, shërbyesen, etj. Duro Shehu thotë se oficerët e Sigurimit që kishin mbushur vilën e Kryeministrit të vdekur, nuk e kishin lënë t’i afrohej trupit të pajetë të të vëllait, për të parë se si e kishte marrë plumbi.
Në librin e tij, ai rrëfen: “Sa hymë në shtëpi, pyeta Fiqretin se si ndodhi, ç’ngjau? Ajo nuk foli fare, por vuri gishtat e duarve te veshët si për të thënë se shtëpia përgjohej dhe nuk duhej të flisnim. Pyes Vladimirin, djalin e madh të Mehmetit, dhe ai më thotë: “Xhaxhi, nuk dimë gjë. Unë dhe Bardha (gruaja) nuk fjetëm tërë natën. Dhomën e kishim ngjitur me atë të babit, por nuk dëgjuam asgjë”. Pyes Farien, punëtoren që kishte shërbyer 30 vjet në shtëpinë e Mehmetit.
Ajo tha: “Shoku kryeministër ishte shumë mirë, para një jave i kërkoi leje shokut Enver të shkonte për gjah në Elbasan. Vajti në mëngjes dhe erdhi në darkë. Më parë shkonte të shtunave dhe kthehej të dielave në darkë. S’di ç’të them! Kryeministri u vra. Më tepër nuk di ç’të them…”. E pyeta prapë Farien se kush ishte me shërbim mbrëmë këtu. Unë isha në shtëpi, tha. Me shërbim ishte një vajzë e re, ajo që pe ti para se të shkoje në Vjenë, por ajo vajza iku natën, iku natën, nuk e di ku e çuan…

Pyeta Ali Çenon, truprojën kryesore të Mehmetit dhe ai më tha po ato fjalë që ka deklaruar edhe në shtyp: Unë, sipas grafikut të shërbimit, isha në shtëpinë time. Më kërkuan të vija dhe erdha. Pashë që nga dhoma e shokut Mehmet doli Kadri Hazbiu me një çantë të zezë në dorë…
Sipas Gani Kodrës, përgjegjësit për sigurimin e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu në gjyq i kishte mohuar thëniet e Ali Çenos, duke thënë se atë natë ai kishte qenë në ditëlindjen e Elit, sekretares së tij, në Laprakë. Eli e mohoi. Kadriu tha se tek Eli vajti me vonesë… Ku ishte vonuar Kadriu? Në dhomë ku kishin vendosur trupin e Mehmetit ishim ne të shtëpisë që bëheshim gjithsej dhjetë veta që po rrinim dhe 20 e ca oficerë të Sigurimit që rrinin në këmbë e na përgjonin ne.
Nuk njihja asnjërin prej tyre. I them pas një copë here përgjegjësit të tyre: “A mund ta shoh ku e ka marrë plumbi Mehmetin?” “Jo, më thotë. Në asnjë mënyrë. Rri e përgjoje. Vetëm kaq”. Po ta kisha parë plagën e Mehmetit, si ushtarak që isha, mund të kuptoja diçka më shumë, pavarësisht se nuk isha ekspert kriminalist.

* * *

Pak pasi kisha pyetur përgjegjësin e oficerëve të Sigurimit për të parë plagën e Mehmetit, vjen një oficer tjetër i Sigurimit, më nxjerr në dhomën tjetër e më thotë: “Duro, kam urdhër të të them se që tani duhet të shkosh në shtëpinë tënde”.. Mbi varrin e Mehmetit foli Vladimiri, djali i Mehmetit, ndërsa nga Kryeministria nuk u tha asnjë fjalë, nuk u vendos asnjë lule, asgjë.
Nuk u lejuan të merrnin pjesë në varrim të afërm të tjerë të familjes, as miq e shokë që Mehmeti i kishte pasur me shumicë. Ishin marrë masa shumë të rrepta në Tiranë, por sidomos në zonat jugore të vendit. Në Tiranë nga shtëpia e Mehmetit e deri në varreza ishin bërë gardh njerëzit e Sigurimit e të Policisë, të cilët nuk lejonin askënd, jo të kalonte atë gardh të tyre, por as të shikonte”.

INTERVISTA

Pas botimit të kujtimeve të tij “Mehmet Shehu, im vëlla”, Duro Shehu ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama”, përmes së cilës ai rikthehet në kohë, duke kujtuar veprimet e para që bëri menjëherë pasi mori vesh vetë/ vrasjen e të vëllait-kryeministër. Duro Shehu, oficer, kishte mundësi të komunikonte me emrat më të pushtetshëm të kohës.
“I telefonova Veli Llakës për të ma sqaruar më mirë lajmin që më kishte dhënë pak çaste më parë. ‘Të lutem, i thashë, më ndihmo të takohem me Kadri Hazbiun’. Në atë kohë ai bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Veliu, pasi më tha se Kadriu ndodhej në zyrë, më premtoi se do t’ia transmetonte kërkesën time. Prita në çaste të tëra në ankth. Shpresoja shumë se kontakti me të do të më orientonte për shumë gjëra. Kishin kaluar gati 40 minuta, kur më telefonoi Veliu e më tha se më priste në zyrë ministri i Mbrojtjes. U nisa me një frymë.
Rrugës sillja ndërmend lloj-lloj dilemash e qëndrimesh për atë që kishte ndodhur. Kadri Hazbiu që do të takoja kishte qenë një nga miqtë më të afërt të Mehmetit dhe familjes sonë. Fakti që pranoi të më takonte, më lehtësoi disi për gjëmën që parandieja. Po, çuditërisht, këtë radhë do të takoja një Kadri tjetër…”, tregon Duro Shehu.
Sipas tij, Hazbiu i kishte thënë vetëm se Mehmeti ishte vetëvrarë dhe arsyeja ishte e bija e Turdive. “Aty për aty, gati pa vetëdije, i thashë se nuk dinim gjë përse bëhej fjalë, po Kadriu, që mesa dukej nuk fliste vetëm në emër të tij, kaloi nga momentet e sqarimit për atë që kishte ndodhur, te porositë zyrtare për atë që duhej të bënim ne familjarët pas këtyre çasteve.

‘Tani, më tha, lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se Partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj, me ato që ka bërë për atë fejesën, mund të dalë se ka qenë armik’. Këmbëngula për t’i kërkuar edhe diçka tjetër, me bindjen që tek ai, pavarësisht këtyre rrethanave, nuk mund të ishte fshirë çdo gjë nga lidhjet shpirtërore me Mehmetin, por ishte e kotë.
Atë çast Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzat dhe m’u drejtua përmbledhtazi: ‘Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!’”. Ai kujton se Hazbiu e kishte porositur që ai vetë, si komunist, nuk duhet të merrte pjesë në varrimin e të vëllait, por vetëm të shkonte në shtëpinë e tij për të përgjuar trupin e pajetë. I ndjekur nga njerëz të Sigurimit ai u drejtua për në shtëpinë ku kishte rënë zia.
“Ishte një urdhër që të linte të kuptoje se ishte pleqëruar me majën e kupolës. Deshifrimi i tij më shkoqur do të thoshte se ceremoninë mortore do ta bënim vetëm ne familjarët. Lajmërova vëllezërit dhe aty nga mbrëmja u nisëm për te banesa e Mehmetit. E gjithë rruga për aty ishte blinduar me policë e roje të armatosura. Në afërsi të vilës, dy autoblinda të Gardës ishin vënë në pozicion luftimi. Në të gjitha godinat përreth, pushkatarë e roje të armatosura vigjilonin si në momente luftimi.

Kaluam mes tyre dhe u gjendëm në banesë. Arkivoli me trupin e pajetë të Mehmetit ishte vendosur në mesin e dhomës së madhe. Anash tij në karrige rrinte e shoqja dhe djemtë. Në shpinë të tyre disa njerëz të panjohur me revole në brez. Një pamje e rëndë, shumë e rëndë, me një heshtje torturuese, kishte pushtuar tërë mjedisin”, është shprehur Duro Shehu për “Panoramën”./ KultPlus.com

Shqiptari Karl Ghega, mjeshtri i ndërtimit të hekurudhës së parë malore në botë

Nga Pjetër Logoreci

Vizitori që udhëton me tren nga Vjena në drejtim të Graz-it, mrekullohet nga pamjet e ralla të natyrës malore të zonës të Semmering-ut. Menjëherë të mahnit bukuria e udhës së hekurt që gjarpëron në mes faqeve shkëmbore, që përshkon Ura e Viadukte, e që zhduket vazhdimisht një pas një nëpër 15 Tunelet, duke ofruar pamje të mrekullueshme të vendeve të Semmering-ut të mbuluara nga gjelbërimi i pishave. SEMMERINGBAHN quhet në gjuhën e vendit – hekurudha e Semmering-ut, një mrekulli arkitekturore e përmasave botërore, e cila asht e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me emrin e arkitektit me origjinë shqiptare KARL GHEGA.

Hekurudha e Semmering-ut në kohën e saj u cilësue si “kombinacjon në mes gjenisë së Karl Ghegës, teknologjisë dhe natyrës”. E ndertueme 158 vjet ma parë, kjo hekurudhë, 41 km e gjatë nga Gloggnitz deri në Mürzzuschlag, është e vlerësueme jo vetëm nga vjetërsia e saj, por edhe se: në vitin 1854, kjo vepër ishte hekurudha e parë malore e botës, gjë për të cilën u vendos më vonë në 1998- tën në listën e veprave të TRASHËGIMISË KULTURORE BOTËRORE TË UNESCO-S.

Kush ishte Karl Ghega – i njohtun në arenën ndërkombëtare si CARL RITTER VON GHEGA?

Per ato që mund të vizitojnë Venezian, po të kalosh nga Piazza San Marco nëpërmes nji sheshit të vogël, në shëtitoren Riva degli Schiavoni, përpara Hotel Danieli e statujës të Viktor Emanuelit II, nëpër Via Giuseppe Garibaldi në Fondamenta Sant Anna, gjendet Calle San Giocchino, në një qoshe të së cilës ka lindë personazhi i shkrimit tim Carlo Ghega.

Kjo shtëpi e thjeshtë, e cila në pamje të parë të duket si fasada e pasme e një kishe, ka në murin saj një pllakë përkujtimore mermeri ku shënohet lindja e Cavaliere Carl Ghega-s. Në këtë shtëpi me 10 Janar 1802 lindi mjeshtri me famë botënore i ndërtimit të hekurudhave Austriake, Karl Ghega. Karli ishte djali i vetëm i oficierit të marinës Anton Ghega dhe Anna Pribish të cilët kishin edhe tri vajza. Simbas regjistrit të pagëzimit të famullisë San Pietro,me nr 34, në faqe 183: me 10 Janar të vitit të bekuem prej Zotit 1802, u lajmërue lindja e Karlit, i biri i zotni Anton Ghega djalë i Gasprit (Kaspar), Oficier i marinës dhe zonjës Anna e lindun Pribich e bija e Gjergjit (Georg), grueja e tij e ligjëshme, i cili jeton në Fondamento di San Giocchino.

Kumbara i pagëzimit: zotni Andre Contuzzi i biri i Nikollës – oficiermarinet nga famullia e S. Giuliano. Mamija: Aleksandra Longo. Spigarol di contrada. Prifti: Peter Lanza – Famullitar. Kisha San Pietro di Castello në ishullin Olivolo në Venezia ishte vendi ku u pagëzue me 10 Janar 1802 i porsalinduni Karl Ghega, vend ku gjindej selia e banimit të Ipeshkvit të Venezias. Lidhun me ditën e lindjes të Karl 3 Ghegës nuk ka asnji dyshim në saktësi, por në arkivën e Shtetit Austriak, në kartelën me të dhënat biografike të punës së Karlit shënohet 13 Korriku 1802 si dita e tij e lindjes. Nuk dihet se si mund të jetë ba nji gabim i tillë pa u kuptue nga administrata, por historishkruesi i librit mbi hekurudhat Bruno Enderes hamendëson se dikur në vendet kristiane, festohej dita e emnit më shumë se ditëlindja dhe shpesh fiksohej si ditëlindjeje. Familja e Karlit kishte si traditë që prej disa gjeneracjonesh, marinen. Paraardhësit e tij kishin shërbyer si oficerë të marinës në republikën e Venezias. Baba i Karlit, Antoni ishte i oficier i teknikës në marinë dhe mbante uniformën e k.k. Marinësluftarake. (Kaisertum Österreich und Königreich Ungarn Kriegsmarine). Sipas autorit Alfred Niel i cili ka shkrue biografin e Karl Ghega-s në 1977: prejardhja e familjes Ghega është nga Shqipëria. Kjo shpjegohet edhe me kuptimin e fjalës Ghega në gjuhën shqipe, spjegon Niel. Autori i referohet edhe priftit franceskan shqipëtar Dr. Phil. Paulin Margjokaj, i cili ka jetue në Vjenë e që ndoqi gjurmët e prejardhjes së familjes Ghega. Sipas gjurmimeve historike të tij, mbasi në 1478- tën Turqit pushtuen Shkodrën, Venezianet u larguen nga qyteti i Shkodrës duke marrë me vehte edhe shumë familje qytetare shkodrane që punuen për to. Të gjithë këto shqiptarë kjene vendosun në një zonë të qytetit të Venizias dhe thirreshin nga vendasit Gegët / Ghegët (në italishte Gh mbasi ka një ton ma të fortë artikulimit). Po kështu edhe studiusi dhe autori i librit tjetër për Karl Ghegën – Ëolfgang Straub, si dhe autorë të tjerë e biografë si Gerhard Artl, Günther Dinhobl, Mihaly Kubinnszky, e lidhin prejardhjen e familjes Ghega me Shqiperinë.

Qysh në moshën e fëmijnisë Karletto-ja ishte një nxënës që pati rezultate të shkëlqyera dhe tregoj prirje të veçanta në matematike dhe në ndërtimin e objekteve mësimore. Bazat fillestare të mësimit ai i mori në familje ku dhe u edukue nën një disiplinë të rreptë. I jati duke pa talentet e djalit të vetëm në mes të tri motrave, vendosi të vazhdojë traditën familjare dhe ti japë atij drejtimin e oficierit të marinës, por që Karli nuk e dëshironte. Kështu që në moshën 12 vjecare ai u shkëput nga mësimet e marinës e me këshillen e mësuesve, në Kollegjin ushtarak të Sant Annës në Venezia, vazhdoj kursin e matematikës dhe filosofisë të cilat i mbaroj me sukses të vecantë. Qysh në këtë moshë Karli shihej nga të tjerët si “koke e ndritun” dhe zotnonte gjuhën frange e po ashtu gjermanishten të cilën e kishte gjuhën e nanës e cila vinte prej familjes Pribich nga Istrien në gjiun e Triestes. Në moshën 15 vjecare ai mori Diplomen e “ licenziato Ingeniere e architeto a pieni voti”. Për të ndjekun prirjen e tij, në këtë moshë u 4 largu nga Venezia për në Universitetin e Padovë-s ku filloj studimet 3 vjeçare për Matematikë dhe shkenca të natyrës në Janarin e vjetit 1818, direkt në vitin e dytë. Në certifikatën e regjistrimit në Universitetin e Padova-s shkruhet: ka mësue në kolegjin ushtarak të Sant Annës në Venezia këto lëndë: Arithmetikë, Gjeometri, Trigonometri, Algjebër, Fizikë, Hidrologji, Pendëlteorie, Shkenca mekanike. Edhe në vjetin e dytë të Universitetit ai arrinë që për 7 muej të përvetsojë të gjitha leksionet, e në gusht të 1818 të kryej provimet vjetore duke mbyllë krejt vitin universitar. Është gati e pabesueshme të mendosh se qysh në tetor 1817 ai frekuentonte përnjëhrë me Universitetin edhe një shkollë private ” Inspezione centrale d´ Acque e Strade” në Venezia. Ecejaket në mes Padovës dhe Venezias i krijuan mundësinë që teoritë e universitetit ti vente në praktikë në Venezia ku hyri në inspektoriatin e Hidrologjisë dhe të Rrugëve si nxënës praktikant. Ai ishte kërkues ndaj vehtes dhe duke pa rezultatet e larta e të shpejta të tij, në periudhën e pushimeve verore, e pranuen në një kurs arkitekturet në Accademia di Belle Arti te Venecias. Karli pervec se ishte talent i orientuem nga shkencat e matematikës, pat edhe fatin që të merrte mësime nga profesorë me famë botnore në shkencat e natyrës, si matematikani Giuseppe Avanzini i cili ishte specialist në zhvillimin e fushës së Hydro e Aerodynamikës, ose Giovanni Farini profesor i historisë së natyrës dhe mardhanieve në mes Teknikës dhe Filosofisë. Mbas provimeve të 1918-ts ku mori titullin Ingeniere Architetto tashma nën drejtimin e këtyne profesoreve shkencëtare, Karli mbylli provimet e diplomës universtare me 11 qeshor 1819 me titullin Doktor në Matematikë me të gjitha pikët dhe më fletë lavdërimi (a pieni voti e con lode). Në këtë periudhë nevojat për ingjinierë ishin të mëdha e mundësitë për punësim të shumta. Karli nuk vonoj të punësohej në administratën shtetnore, në sektorin e ndërtimit “Inspezione Centrale d´Acaue e Strade” të Venezies si ingjinier, e pak kohë më vonë në Departamentin e Ndërtimit të Rrugëve si vullnetar. Punimet e tij të para i filloj në provinzën e Bellunos, ku po hapej rruga malore nga Pieve di Cadore nëpër Cortina deri në Toblach. Si ingjinier i klasit të I, vazhdoj të punojë në sektorin e ndërtimit të bashkisë së Trevisos e po kështu si ingjinier i deleguem për të gjitha zonat e veriut të Italisë. Ai drejtoj ndërtimin e rrugëve në Conegliano, Ceneda – Seravalle dhe rregullimin e lumit Po. Në të njëjtën kohë ai merrej me planifikimin dhe projektimin e ndërtesave zyrtare shtetnore si godinën e Bashkisë, Burgjet, Gjykatat, në Treviso. Për merita të mëdha e rezultate të larta në punë, në 7 vitet e para të karrierës, ai u nderue me 18 dekrete mirënjohje. Pervec punës së tij në terren, ai merrej me studime teorike, që sollën si rezultat dy zbulime të randësishme për të cilat u dekorue me dy URDHERA NDERI. Zbulimi i parë ishte NIVELLIERLATTE (shtyllën niveluese) në vitin 1831 dhe i dyti në vitin 1833, NONIUS-IN (vegël që përdorej për stakimin e harqeve)

Në tetorin e vitit 1831, në ndarjen e cmimeve e ndërimeve për shpikjet në sektorin e industrisë, ai u nderue për zbulimet e tij me medalien e argjëndit të “Cesareo Imperiale Regio Instituto Lombardo – Veneto per le scienze, Lettere ed Arti”.

Me 1833 përfundoj studimin teorik të Nonius-it dhe e botoj në librin “DELL´OTTANTE A DIOTTRA” që e bani të njohtun edhe si autor librash të specializuem. Këte studim ai e zhvilloj më vonë praktikisht në ndërtimin e hekurudhave. Për të gjithë këto rezultate të shkëlqyera punët, në vjetin 1836 ai mori një propozim nga banka Rothschild në Vjenë, që të punësohej për 4 vjet në ndërtimin e hekurudhës “Kaiser Ferdinand Nordbahn”. Ky projekt i ishte dhanë kesaj Banke nga kryministri i shtetit Metternich dhe ishte projekti i parë hekurudhor në Austri. Kryeqytetit Vjenë i duhej hekurudha që të lidhej me portin e Triestes dhe që të kishte një lidhje me detin Adriatik. Përpara se Karl Ghega të fillonte punën në këtë fushë u dërgue së bashku me një përfaqësues të Bankës Rothschild, të quejtun Goldschmidt në një udhëtim njohjeje e studimi për hekurudhat në Gjermani, Belgjikë, Francë, Angli dhe Amerikë. Gjatë këtij udhëtimi u njoh dhe u miqësue me krijuesin e Lokomotivës, Georges Stephenson në Neëcastle. U kthy në atdhe me shumë njohuni e ide të reja e filloj punën si shefingjinier i segmentit hekurudhor prej Rabensburg deri në Brünn. Sektori që ai drejtonte, kishte 8 ingjiniere specialista, 16 mjeshtra ndërtimit e 16.000 punëtore. Për këtë sipërmarrje nuk kishte pasë një tentative apo përvojë të mëparshme, gjithçka ishte premierë. Për Ghega-n nuk ishte e qartë se me çfarë lokomotive do të përshkohej naltësia e Semmeringut, Seilbahn (Lokomotivë me fije celikut), Lokomitivë me shtytje atmosferike apo një Lokomotivë mbi parimin e forcës të fërkimit? Edhe vetë babai i hekurudhave Stephenson ishte skeptik për realizimin e kësaj hekurudhe malore. Shumë profesionista e quajtën projektin e Karlit si “fantazia e një të çmendurit” e vetë atë një “sharlatan që po shfarosë paret e shtetit”, bile u thirr në parlament një komision hetimit kundër idesë se Karl Ghegës. Shtypi i ditës profetizonte me keqdashje që “ një nder 10 udhëtarë do të shkojë në djallë”. As letra paralajmëruese e shoqatës së arkitektëve nuk e theu kambënguljen e Ghegës për zbatimin e projektit i cili pat mbështetjen e shefave të tij bile edhe të oborrit perandorak në Vjenë. Kështu u vendos në mbledhjen e këshillit të ministrave të datës 1 mars 1849 që drejtohej nga vetë Kaiseri Franz Josef I, që punimet e sapo fillueme në Gloggnitz të vazhdonin me përparsi deri në përfundim. Në këte kohë ekonomia ishte në krise dhe papunesia ishte shumë e madhe, prandaj ndërtimi i hekurudhës do të kishte një vështrim pozitiv social në ndryshimin e mirëqënies së familjeve. Në fillim silleshin në Gloggnizt nga Vjena me tren mijra punëtorë, por më vonë u krijuen nga nevoja kampe të 6 qendrueshme banimi për punëtorët. Për punën intensive e të panderprerë në zonën e Semmeringut, nga kurshtarët e shumtë të asaj kohe flitej: “ato po gërmojnë, thyejnë e plasin shkëmbij, rrezojnë diga dhe hapin rrugën e projektueme përgjatë bllokut malor deri mbrapa malit, ku rruga harkohet tuj e përpi gojët shkëmbore të tuneleve në mbrendësi e thellësi, ditë e nate, ditë diele dhe festa, verë e dimën….”

Kështu u ba realitet ndërtimi i hekurudhës malore së Semmeringut nën drejtimin e Dr. Karl Ghegës, një vepër mjeshterore e paparë deri në atë kohë, në lartësinë 437 metra (në Gloggnitz), e cila kalon mbi mure mbrojtëse solide, mbi rreth 100 urave monumentale që përshkojnë luginat, shpesh edhe dy katëshe në mes masivit shkëmbor të maleve e 15 Tuneleve, 16 Viadukte (një ose dykatësh), që ishin kryevepra të artit arkitekturor për nga bukuria. Në 6 vjetet e ndërtimit u lëvizën rreth 700 000 metërkub material shkëbmbore / gurë. Tuneli kryesor i kishte gjatësinë 1430 metër dhe ishte në naltësinë 895 metër mbi nivelin e detit. Por zbatimi i këtij projekti pat edhe veshtirësitë e veta. Mu në mes të prozesit intensiv të punës në 1850- tën në mes të punëtorve u përhap kolera nga ku vdiqën 300 punëtore. Aksidentet në punë nga shkarjet e masivëve shkëmborë apo shembje të galerisë në Veinzettel i kushtoj jetën 13 punëtorëve.

Me gjithë pengesat e mëdha, Karl Ghega arriti që të mbaj nalt ritmin e punës e kështu me datën 25 qershor 1851 ai bani provën e parë të hekurudhës duke përshkue me lokomotivën “Save”, në fillim gjatësinë deri në Payerbadh e mbas pak ditësh deri në Küb. Krenar raporton Karli te ministri i tij Dr. Baumgartner që prova kaloj me sukses dhe jam i lumtur që ma në fund besimi Juej tek unë u vërtetue. Edhe kundërshtarët e Ghegës pranuen dështimin e tyne. Lindi nevoja e konstruktimit të një lokomotive të përshtatëshme për këtë zonë malore e për këtë Karl Ghega me lejen e superiorve shpalli një konkurs nga 13 gushti deri me 16 shtatori 1851, ku morën 7 pjesë firmat më të njohuna të konstruksionit të lokomotivave në botë. Ghega vertetoi që ishte jo vetëm mjeshtër arkitekt, por edhe njohës i mirë i teknikës së lokomotivave. Ai vendosi që për hekurudhën e Semmeringut të përdorej Lokomotiva VINDOBONA.

Kjo është lokomotiva Vindobona që u paraqit në konkurs e ndërtueme nga fabrika e hekurudhave Wien – Gloggnitzer në Vjenë. Këtu u duk se mbaroj rruga e mundimeve për ingjinierin arkitekt Karl Ghega i cili me 12 prill 1854 së bashku me Perandorin Franz Josef I, përshkoj për herë të parë naltësinë e Semmeringut. Disa ditë ma vonë ai shoqëroj edhe Perandoreshën e re Elisabet po në këtë udhëtim.” Për arritje të shkëlqyera, ne punë, Karli u nderue me “ORDEN DER EISERNEN KRONE 3. KLASSE” (urdhëri i kunorës së hekurt i klasë tretë) dhe ju dha titulli RITTER (Kalorës / Cavaliere) e Ritterkreuz des Leopolds Ordens (kryqi i hekurt i urdhërit të Leopoldit). Tashma ai thirrej Carl Ritter von Ghega.

Në të gjithë karrierën e tij ai u nderue me këto tituj e medalje:
Këshilltar Ministror e Perandorak (1844)
Qytetar nderi i Triestes dhe Brünn-it
Kommendador i urdherit të Franz Josefit
Kavalier (Ritter) i urdhërit të kunorës së hekurt të klasës së III (1849)
Kavalier (Ritter) i urdhërit të Leopoldit
Kommendador i urdhërit të Josefit në Toskanë
U vendos në altarin e burrave të mëdhej të kombit


Përveç karrierës të pakrahasueshme si inxhinier dhe arkitekt, Karli pat edhe anën tjetër të jetës, atë private, për të cilën nuk ka shumë të dhëna. Ai ishte në përgjithësi njëri i vetmuar, kalonte një jetë të 8 thjeshtë e pa pretendime. Ai banonte i vetëm në qendër të Vjenës, në Bashkinë e parë dhe i pamartuar. Respekti që patën kolegët e punës për të shprehet me fjalët:ishte i dashtun me të gjithë, plot me humor, si në ditët e vështira ashtu dhe në të mira, ishte ai që dinte gjithmonë të kapërcente situatat e vështira me humorin e tij shumë njerëzor që paqësonte e freskonte këdo…Kjo ishte bota e brendshme e një njeriut me pikesyme të qarta në jetë e më besim të plotë në aftësitë e veta. Me gjithë nderimet që ju banë atij, në shkrimet e ndryshme për te nënvizohet me forcë fakti që mbas mbarimit të hekurudhës, ai u keqtrajtua e u la në harresë nga institucionet qendrore të shtetit, gja që solli deziluzion në personalitetin e tij e si rezultat sëmundje e depresion. Atij ju rishfaq sëmundja e vjetër e mushknive që i kushtoj edhe jetën. Në këtë kohë të papërshtatshme për te e “transferuen për punë” në një zonë të largët siç ishte Siebenbürgu (vënd afër Detit të Zi). Ai vdiq në moshën 58 vjeçare, i lënë në harresë dhe i anashkaluem nga opinioni.

Me vdekjen e tij qarkulluan shumë fjalë për një vetëvrasje. Edhe në librat e shkollave deri në vitet 60, fundi i jetës se tij shihej si suizid (vetëvrasje). Pat edhe autor si Richard Mauterer që në librin e tij mbi historinë e hekurudhës së Semmeringut (Richard Mauterer: Semmeringbahn – Daten, Fakten, Propaganda. Signale-Verl., Wien, 1990), në faqen 157 pohon vetëvrasjen e Ghegës. Kësisoj supozimesh pat edhe në Itali. Në të vertetë egziston në arkivën e famullisë së Shën Stefanit, në rrugën ku ai banoj, skeda e vdekjes së tij. Aty pershkruhet qartë nga famullitari i Katedrales, i cili i dha 9 shërbimet e fundit fetare, që ai vdiq me 14 mars 1860, në orën 1 pasdreke, në apartamentin e tij në Rotenturmstrasse 6 mbasi mori të gjithë sakramentet. Shkaku i vdekjes: Tubërkulozi i mushkënive.

Skeda e vdekjes e Karl Ghegës e nxjerrë nga arkiva e Katedrales Shën Stefanit në Vjenë. Dy ditë ma vonë kufoma e tij u dërgue nga Katedralja e Vjenës ku ju ba shërbesa fetare, në varrezat popullore të Ëahringer-it ku ishin edhe Beethoven e Shubert të varrosur. Varrimi u ba në prani të tri motrave të tij (Theresia Centinari, Angela von Salviolo e Josefine Ghega) dhe të shumë miqve e bashkëpunëtorve të tij. Në vitin 1887, me krijimin e varrezës qëndrore të Vjenës, eshtrat e tij u transferuen në një varrezë nderi në parcelen e figurave ma të nderueme të kombit.

Pllaka monumentale në nderim të veprës gjeniale të Karl Ghegës ne Semmer.

(Shkrimi nga Pjetër Logoroci, vjen pa ndërhyrje në KultPlus)./ KultPlus.com

Semmering, në sfond veprat monumentale të arkitektit Karl Ghega (Foto: P. Logoreci)

Banka Botërore: Ekonomia globale mund të hyjë në recesion

Banka Botërore paralajmëroi të martën se ekonomia globale rrezikon të futet në recesion këtë vit, ndërsa po ndikohet nga rritja e dobët e vendeve me ekonomitë më të mëdha – Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kina.

Në raportin vjetor të Bankës Botërore, e cila jep kredi për projekte zhvillimi në vendet më të varfëra, thuhet se pothuajse ka përgjysmuar parashikimin e saj për rritjen globale këtë vit, nga fillimisht e parashikuar në 3%, tashmë në nivelin 1.7%.

Nëse ky parashikim rezulton i saktë, kjo do të ishte rritja e tretë më e dobët vjetore në tre dekada, duke u radhitur pas recesioneve të thella që rezultuan nga kriza globale financiare e vitit 2008 dhe nga pandemia e koronavirusit në vitin 2020.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara mund ta shmangin recesionin këtë vit – Banka Botërore parashikon se do të ketë rritje me 0.5% . Dobësia globale do të përbëjë një tjetër përshtjellim për bizneset dhe konsumatorët amerikanë, që përballen tashmë me çmime të larta dhe nivele të larta të normave të interesit.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga ndërprerje të mëtejshme që mund të ketë në zinxhirin e furnizimit në rast se vazhdon të përhapet COVID-19, apo nëse ashpërsohet lufta në Ukrainë.

Evropa, një ndër eksportuesit kryesorë drejt Kinës, do të vuajë pasojat e një ekonomie më të dobët kineze.

Raporti i Bankës Botërore gjithashtu vë në dukje se rritja e normave të interesit në ekonomitë e zhvilluara, si në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, do të largojë kapitalin e investimeve për vendet më të varfëra, duke dëmtuar interesat jetike të atyre vendeve.

Raporti thotë se në të njëjtën kohë normat e larta të interesit do të ngadalësojnë rritjen në vendet e zhvilluara, në një kohë kur agresioni i Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve në mbarë botën.

“Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka shtuar kosto të reja madhore”, tha gjatë një telefonate me gazetarët Presidenti i Bankës Botërore David Malpass. “Perspektiva është në veçanti shkatërrimtare për shumë nga ekonomitë më të varfëra, ku zbutja e varfërisë është ndalur tashmë dhe qasja tek elektriciteti, plehrat kimike, ushqimet dhe kapitali pritet të vazhdojë të jetë e kufizuar për një periudhë të zgjatur”.

Pasojat e një rënieje globale do të ishin veçanërisht të rënda për vendet më të varfëra në rajone si Afrika Sahariane, ku gjenden rreth 60% e të varfërve të botës. Banka Botërore parashikon se të ardhurat për frymë do të rriten me vetëm 1.2% në vitin 2023 dhe 2024, një nivel i dobët ky që mund të shtojë nivelin e varfërisë.

“Dobësitë e rritjes ekonomike dhe mungesa e investimeve do të kenë pasoja shkatërrimtare në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, si dhe kërkesat e shtuara për shkak të ndryshimit klimatik”, tha zoti Malpass. “Përballja me përmasat e këtyre sfidave do të kërkojë gjithnjë e më shumë burime domethënëse për zhvillim dhe për furnizime për publikun global”.

Zoti Malpass tha se krahas përpjekjeve për të gjetur financime të reja në mënyrë që t’u ofrojë më shumë kredi vendeve të varfëra, Banka Botërore po përpiqet ndër të tjera të përmirësojë kushtet e kredidhënies, duke rritur kështu transparencën e kredive “në veçanti për atë pjesë të vendeve të varfëra që gjenden në situatë jo të qëndrueshme borxhi”.

Raporti vjen pas një parashikimi të ngjashëm pesimist të bërë një javë më parë nga Kristina Georgieva, drejtuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që funksionon si agjencia globale e kredive. Duke folur për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, zonja Georgieva vlerësoi se një e treta e botës do të bjerë në recension këtë vit.

“Për pjesën më të madhe të ekonomisë botërore, ky do të jetë një vit i vështirë, më i ashpër se viti që lamë pas”, tha zonja Georgieva. “Pse? Sepse tre ekonomitë më të mëdha – SHBA, BE, Kinë – po ngadalësohen në të njëjtën kohë”.

Banka Botërore parashikon se ekonomia e Bashkimit Evropian nuk do të rritet fare vitin e ardhshëm, pasi pati një rritje prej 3.3% në vitin 2022. Raporti parashikon se ekonomia e Kinës do të rritet me 4.3%, gati një pikë përqindje më pak nga parashikimi fillestar dhe pothuajse sa gjysma e nivelit që kishte publikuar Pekini në vitin 2021.

Banka Botërore mendon se vendet në zhvillim do t’ia dalin mbanë më mirë, duke u rritur me 3.4% këtë vit, nivel i njëjtë me vitin 2022, megjithëse do të jetë vetëm gati sa gjysma e rritjes së vitit 2021. Rritja e ekonomisë së Brazilit do të bjerë në 0.8% në vitin 2023, ndërsa vitin e kaluar ishte në 3%. Ekonomia e Pakistanit pritet të rritet me 2% këtë vit, sa një e treta e rritjes së vitit të kaluar.

Ekonomistë të tjerë kanë bërë gjithashtu parashikime të zymta, megjithëse shumica e tyre jo kaq të errëta. Ekonomistët në bankën JPMorgan parashikojnë një rritje të ngadalësuar këtë vit për ekonomitë e përparua dhe për botën në tërësi, por nuk mendojnë se do të ketë recension. Muajin e kaluar, banka parashikoi se ngadalësimi i inflacionit do të rrisë aftësinë e konsumatorëve për të shpenzuar dhe do të fuqizojë rritjen në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.

“Rritja globale do të bjerë, por nuk do të ndalet”, thotë raporti i bankës JPMorgan./VOA/ KultPlus.com

Si krijohen efektet zanore në filma?

Si është tingulli i një grushti që godet nofullën e dikujt? I thatë dhe shumë i shkurtër në kohë. Por në një skenë filmi s’ka arsye pse të jetë kështu, pasi një tingull i tillë nuk ka një ndikim emocional. “Për këtë arsye, ai rikrijohet artificialisht duke mbivendosur 4 nivele:2 duar që duartrokasin, 1 dorezë boksi që përplaset në tokë, një pirg librash të mbështjellë me një xhaketë lëkure që bien përtokë, dhe një goditje e dhënë ndaj një sallatë të ngrirë, e aftë të prodhojë ato frekuenca zanore të shkëlqyera që të bëjnë të mendosh për një kockë të thyer,- thotë Mauro Euzepi, një krijues zhurmash,që ka krijuar tingujt e dhjetëra filmave.

Sipas tij gjatë xhirimit të një filmi, mikrofonët fokusohen tek goja e aktorëve për dialogun, ndaj të gjithë tingujt e tjerë janë të zbehtë dhe jashtë fokusit, dhe kjo është arsyeja pse ato duhet të rikrijohen në studio. Ndërsa inxhinieri i tingujve kujdeset për dialogët, të incizuar live ose të dubluar, dhe kompozitori krijon muzikën, Euzepi punon së bashku me një projektues të tingujve.

“Ai krijon pjesën mjedisore si makinat që kalojnë në rrugë, detin, zogjtë. Për disa filma me suspansë, ai punon me efekte, që janë të aftë ta theksojnë emocionalitetin e një skene. Kjo vlen shumë në një film horror, ku tinguj shoqërojnë shfaqjen e papritur të një personi. Ndërkohë unë krijoj të gjitha zhurmat e personazheve, pra hapat, objektet që lëvizin ose prekin, rrobat që ata veshin, zhurmat e putrave të kafshëve e kështu me radhë”- thotë Euzepi.

Në SHBA, ku këto profesione kanë lindur që me kinemanë, krijuesi i zhurmave quhet Foley Artist, për nder të Xhek Folej, i cili ishte i pari që krijoi tingujt në filmin e vitit 1929 “Shoë Boat”, një nga filmat e parë pa zë të shndërruar më pas me zë. Me kalimin e kohës, edhe midis këtij profesioni ka pasur specializime.

“Në filmin ‘Star Wars:The Rise of Skyëalker’ ne duhej të realizonim rrufetë, ndaj dolëm në terren për një regjistrim”-thotë Dajvid Akord, një krijues i tingujve që punon në “Skyëalker Sound”, një nga qendrat më të mira në botë për kolonat zanore të filmave, krijuar nga Xhoxh Lukas dhe që më pas u blerë nga “Disney”.

“Ne kemi në studio i një arkiv të madh me efekte zanore. Por jo gjithmonë gjen atë që të nevojitet, ndaj në këtë rast donim një tingull specifik. Unë shkova në Kolorado për të takuar dike që kishte një saldatriçe të vjetër me hark karboni, e përdorur dikur në teatër për të krijuar shkëndija. Sot imazhi i rrufesë prodhohet nga kompjuteri, por ai tingull i regjistruar live ishte i pakrahasueshëm”-tregon Akord .

Nëse do të realizohet një shpërthim apo zhurma e një tornadoje, projektuesi i zërit regjistron origjinalin, ose për efekte më imagjinative, siç ai në filmin “Ghostbusters”, ai fillon nga tingujt e vërtetë (si p.sh hungërima e një leopardi, e përpunuar më pas për të ndryshuar ndjesinë e dëgjuesit) ose nga zhurmat e krijuara enkas.

“Kur njerëzit më pyesin se çfarë bëjmë, unë u them gjithmonë që ne krijojmë tinguj midis atyre reale dhe asaj që ju doni të besoni. Sepse një objekt nuk tingëllon gjithmonë ashtu siç do të dëshironit”- thotë Roni Braun, eksperti i efekteve zanore që ka punuar në disa sezone për serialin e famshëm “Star Wars”, por edhe në filma me superheronj si “Iron Man” dhe “Captain America”.

“Për shembull, gërshërët mund të tingëllojnë ndryshe në varësi të materialit me të cilin janë bërë. Tingulli që do të krijohet varet nga konteksti emocional:A janë ato gërshërë që prodhojnë një vibrim të tmerrshëm, apo janë duart e një fëmije që po luan?

Efektet zanore të filmit, lindin nga dialogu mes krijuesit të zhurmave me regjisorin. Për të bërë këtë punë duhet një kombinim i kohës dhe mjeshtërisë”- shpjegon Euzepi. Në fillim Xhek Folej dhe ndjekësit e tij të parë u mbështetën ndoshta tek instinkti, por pas dekadave të ushtrimit të këtij profesionit, disa teknika janë standardizuar.

Ndonjë shembull? Zhurma e putrave të qenve, realizohet duke përplasur kapëset prej letre me majat e gishtave të dorës së veshura me një dorezë, hapat në borën e freskët duke ecur mbi thasë plot me niseshte misri, ndërsa një çizme e fërkuar në një plastikë të ngurtë, krijon zhurmën e krisjes dhe thyerjes së akullit.

Shumë dizajnerë të tingullit e studiojnë shkencën e tingullit, dhe e njëjta gjë ndodh me disa zhurmues si Euzepi ose Braun, të cilët më pas specializohen, edhe sepse nuk ka shkolla enkas për këtë punë. Ndoshta në fillim ndiqni një kurs, dhe më pas fitoni përvojë duke punuar.

Eksperienca dhe kreativiteti janë çelësi për t’iu përgjigjur kërkesave ndonjëherë të çuditshme të regjisorëve.

“Për filmin e tij të famshëm ‘Rinia’, Paolo Sorrentino Rininë më kërkoi të rikrijoja tingujt e një përqafimi, duke specifikuar se ato duhet të ishin të rrëshqitshëm dhe të lagësht. Unë ia krijova duke përdorur mish të freskët dhe lecka të lagura”- tregon duke qeshur Euzepi.

Marrë me shkurtime nga Focus / KultPlus.com

“Copernicus”: Evropa përjetoi verën më të nxehtë në 2022

Vera e kaluar ishte më e nxehta në Evropë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1979, sipas vlerësimeve të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të BE-së “Copernicus”.

“Në shumë vende, valët e të nxehtit të kombinuara me pak shi shkaktuan thatësira, duke çuar në probleme në bujqësi, transport dhe sektorin e energjisë”, sipas raportit.

Për më tepër, thatësira ekstreme rriti rrezikun e zjarreve, dhe kjo është arsyeja pse vera e kaluar u vlerësua të ketë pasur emetimet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Zjarret u raportuan në Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe.

“Viti i kaluar ishte një tjetër vit i ekstremeve klimatike në Evropë dhe globalisht”, tha zëvendësdrejtoresha e “Copernicus”, Samantha Burgess.

“Për të shmangur pasojat më të këqija të krizës, emetimet duhet të reduktohen urgjentisht dhe shoqëria duhet të përshtatet më shumë ndaj motit ekstrem dhe ngjarjeve të lidhura me klimën”, tha Burgess.

Shërbimi i BE-së vlerëson se temperaturat në Evropë janë rritur dy herë më shumë se mesatarja globale, gjatë 30 viteve të fundit dhe se Evropa po ngrohet më shumë se çdo kontinent.

Në nivel global, viti 2022 ishte viti i pestë më i ngrohtë i regjistruar dhe tetë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat./atsh/ KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen regjisori Pëllumb Kulla

Sot është dita e lindjes e shkrimtarit, përkthyesit, dramaturgut, regjisorit, diplomatit dhe publicistit Pëllumb Kulla, i cili mbushi 83 vjeç.

“Krahas kontributeve të shumta në disa fusha në rrafsh kombëtar, në Fier veçanërisht, ai ka meritën e veçantë, se e ngriti Estradën dhe Teatrin Bylis në majat më të larta, duke krijuar personazhe që janë skalitur në kujtesën e publikut në mbarë Shqipërinë”, shkruan në urimin e tij, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, duke i uruar artistit jetë të gjatë.

Pëllumb Kulla punoi për 18 vjet si regjisor i Estradës dhe Teatrit të Fierit.

Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arriti majat e suksesit. Gjatë kësaj kohe shkroi rreth 300 skeçe dhe komedi me një akt, 40 kuplete dhe 23 monologë, shumica e të cilëve u shfaqën në TV.

Nga 1977 deri më 1990, Kulla ishte bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH-së për spektaklin e Vitit të Ri. Paralelisht me punën në Estradë, realizoi dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij.

Në vitet ’80, humori i Kullës kaloi edhe në kinema. Me skenar të tij u xhiruan kinokomeditë “Telat për violinë” dhe “Stolat në park”.

Më 1990 u largua nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë pasi në 1992 u emërua Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn dhe një vit më pas ambasador në misionin shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).

Është vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Moisiu i është akorduar titulli “Mjeshtër i Madh” (3 dhjetor 2003)./KultPlus.com

Bebe Rexha arrin të ketë mbi 50 milionë dëgjues brenda një muaji në Spotify

Bebe Rexha është një prej artisteve shqiptare më të suksesshme në mbarë globin. Kënga e saj “I’m Good (Blue)” në bashkëpunim me David Guettan ishte një prej projekteve muzikore më të suksesshme në arenën ndërkombëtare vitin e kaluar.

Kënga po vazhdon të jetë një prej këngëve më të dëgjuara edhe këtë vit, pasi aktualisht është kënga e katërt në Top 100 të ‘Billboard’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

33-vjeçarja ka arritur të thyejë një tjetër rekord në karrierën e saj, duke arritur për herë të parë mbi 50 milionë dëgjues brenda një muaji në platformën më të madhe të muzikës në botë, Spotify.

“Bebe Rexha arrin 50 milionë dëgjues mujorë në Spotify për herë të parë në karrierën e saj”, ka njoftuar faqja e fansave të këngëtares.

Me këtë shifër ajo arrin të hyjë në listën e shumë pak artisteve femra në histori që e arrijnë këtë sukses.

Aktualisht ajo është artistja e 31-të më e dëgjuar në botë, në platformën e muzikës Spotify. / KultPlus.com

Harrimi

Poezi nga Sabri Hamiti

Fundi i fundit âsht nji fillim
Koha nuk e kursen askënd
Jeta pa skaj bahet nji trillim
Ndodh veç ajo që mbahet mend

Në qiellin blu fluturon nji shpend
Sheh prej nalt zallin që shkrumohet
Edhe kërkon nji copëz vend
Veç për gjurmën që nuk harrohet

Pluhun e hi i qull nji lot
Nji shêj për verën në qivur
Mbi faqen shëmtue e shkrue dikur

Ka me pasë nji herë e nji mot
Me kryet ulun me lypë shend
Tue i vorrue vitet me rend

Kukuta e Sokratit, 2018 / KultPlus.com

110 vjet nga lindja e Mehmet Shehut

Mehmet Shehu ishte njëri ndër personalitetet më të njohur të Shqipërisë socialiste.

Në mesin e shumë personaliteteve komuniste shqiptare, që nga Ali Kelmendi e deri te rënia e regjimit komunist të Shqipërisë në vitin 1991, figura e Mehmet Shehut në vazhdimësi ka qenë në vendin e dytë, ashtu sikur ishte Enveri në vendin e parë, qysh prej formimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1941.

Mehmet Shehu lindi më 10 janar të vitit 1913 në fshatin Çorrush të Mallakastrës, vdiq (në vetvrasje) më 18 dhjetor të vitit 1981 në Tiranë. Ishte politikan shqiptar, Kryeministër i Shqipërisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Më pas vazhdon Shkollën Teknike, të cilën e mbaron më 1932.

Shkon në Napoli, Itali për të studiuar në Kolegjin Ushtarak. Përjashtohet për ide revolucionare nga Kolegji. Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu, punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve. Titullohet në vitin 1937.

Në dhjetor 1937 shkon në Spanjë ku merr pjesë në brigadën e XII ndërkombëtare e quajtur “Garibaldi” në nder të heroit të bashkimit të Italisë. Brigada   ishte i përbëre nga vullnetarë të shumë vendeve të botës. Mehmet Sheu komandonte batalionin e IV të saj.

Më 1939 pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqendrimi. Kthehet në Shqipëri në gusht]] 1942. Lidhet me PKSH dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës. / KultPlus.com

103 vjetori i vdekjes së Sali Nivicës, njëri ndër gazetarët që themeloi ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’

Sot bëhen 103 vite që nga vrasja e gazetarit dhe atdhetarit Sali Nivica, një ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me seli në Shkodër, shkruan KultPlus.

Ai ka themeluar gazetën “Populli”, në të cilën artikuloheshin fuqishëm përpjekjet dhe aspiratat e kombit shqiptar, duke u mbështetur fuqishëm në Programin Politik të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Sali Nivica ka redaktuar edhe gazetën “Zgjimi” si dhe ka qenë korrespondent i gazetës “Liria”, që botohej në Janinë.

Sali Nivica ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të afërt me Hoxhë Kadri Prishtina, Kel Marubi, Gjergj Fishta, Bajram Curri, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Viçens Prenushi, Ndre Mjeda e atdhetarë të tjerë të kohës.

Gazetari Sai Nivica u vra në moshën 30 vjeçare, më 10 janar 1920 në Shkodër nga armiqtë e Shqipërisë./ KultPlus.com

130 vjet nga lindja e historianit, Xhevat Korça

Më 10 janar të vitit 1893, në qytetin e Korçës, u lind mësuesi, përkthyesi, politikani dhe historiani Xhevat Korça.

Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes dhe ndoqi mësimet në gjimnazin Zosimea në Janinë. Studimet universitare i ndoqi në Vjenë në Fakultetin e Filozofisë dhe ishte një nga studentët që i paraqitën letrën presidentit amerikan Willson në lidhje me çështjen shqiptare.

Me kthimin në atdhe u emërua mësues në qytetin e Shkodrës dhe drejtor i Gjimnazit të Shkodrës. Në aspektin politik, ai ishte një nga mbështetësit e Lëvizjes së Qershorit dhe përkrahës i Nolit, dhe për këtë arsye u detyrua të largohej nga vendi pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet. U vendos në Beograd për disa vjet, ku shërbeu edhe si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitet, më tej emigroi në Vjenë, Graz dhe Fiume (Rijeka), dhe për disa kohë ishte edhe anëtar i KONARE-s.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939, kthehet në atdhe dhe më 1942 mori postin e ministrit të arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës, ku ndihmoi në lirimin e disa patriotëve shqiptarë me profesion mësues, të internuar nga italianët. Ishte një nga themeluesit dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, duke dhënë kontributin e tij shkencor. Xhevat Korça ka dhënë një kontribut të madh dhe në fushën e përkthimeve, një pjesë e madhe e të cilave ruhen në dorëshkrim në AQSH. U dënua nga Gjyqi Special në prill të 1945 me vdekje, por që iu konvertua në burgim të përjetshëm. Ndërroi jetë në Burgun e Burrelit në korrik të vitit 1949.

Imazhet ilustruese të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave janë nga një letër që Fan Noli i dërgon Xhevat Korçës në lidhje me përkthimet e tij dhe probleme të tjera. / KultPlus.com

Brazilianët me manifestime masive pro demokracisë: Bolsonaro të burgoset

Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në manifestime pro-demokracisë në Brazil, në një kundërpërgjigje të ashpër ndaj mësymjes së institucioneve shtetërore prej mbështetësve të ish presidentit Jair Bolsonaro. Shumë ishin veshur me të kuqe, ngjyra e partisë së punëtoreve të presidentit Da Silva; të tjerë mbanin në duar pankarta me shkrimet: “Nuk ka amnisti për organizatorët e puçit”, dhe kërkonin ndëshkimin e përgjegjësve.

Në qytetin më të madh në vend, Sao Paulo, turma kërkoi burgosjen e ish-liderit. “Ishte një përpjekje për grusht shteti kështu pres që ligji të veprojë kundër të gjithë personave përgjegjës. Jam këtu për të luftuar për këtë”, thotë një protestuese.

Rreth 1500 vetë u arrestuan lidhur me trazirat e së dielës në kryeqytetin Brazilit. Ngjarja ndodhi një javë pasi presidenti Luiz Inácio Lula da Silva bëri betimin, pas zgjedhjeve të muajit tetor që përçanë Brazilin. Të hënën, 77- vjeçari, i njohur si Lula, vizitoi godinat e dëmtuara të kongresit, pallatit presidencial dhe gjykatës së lartë, duke dënuar aktet terroriste e me zotimin për të ndëshkuara autorët.

“Ishte një përpjekje për grusht shteti, ata u dëgjuan teksa thërrisnin grusht shteti. Rreth 1500 persona janë në burg dhe do të qëndrojnë atje deri sa të përfundojnë hetimet”, tha Lula Da Silva.

Ish-presidenti Bolsonaro, i cili nuk i ka pranuar rezultate e zgjedhjeve duke folur për manipulime pa paraqitur prova, ishte larguar drejt shteteve të bashkuara në janar, para betimit të Da Silvës. Të hënën, ai ushtrua në një spital të Floridas, me dhimbje të forta abdominale. Në skenat dramatike të së dielës, mijëra protestues me bluzat e kombëtares së futbollit, kaluan barrierat e sigurisë dhe pushtuan kongresin, gjykatën e lartë dhe pallatin presidencial, duke shkatërruar e plaçkitur godinat. Lula u detyrua të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, para se policia të rimerrte kontrollin e institucioneve shtetërore. /a2news/ KultPlus.com

Hapet sezoni në Teatrin e Operas dhe Baletit, “Oscar” me muzikën e filmave amerikane

Një udhëtim i jashtëzakonshëm përmes kryeveprave muzikore të kinemasë së shquar amerikane çel sezonin artistik në Teatrin e Operas dhe Baletit. Orkestra simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dirigjuar nga Giovanni Pompeo dhe shoqëruar nga violinisti i Teatrit të Salernos, Ettore Pellegrino, sjell për artdashësit koncertin simfonik me krijimtarinë e ikonës së kulturës muzikore amerikane, John Williams.

“Publiku është i njohur më së miri me filmin, si “Indiana Johns”,” Superman”, “I vetëm në shtëpi “, apo “Pirati i karaibeve “por “Natë Oskarësh në Tiranë është një koncert, është një spektakël, ku muzika e filmave bëhet protagoniste, jo vetëm në kinematografi por në skenë. Tingujt e muzikës janë të ndërthurur përmes një skenografie ku shfaqen edhe skena nga filmit në të njëjtën kohë që luhet muzika nga orkestra. Muzika e filmit është cilësuar si zhanër minor. Në fakt nuk është kështu , jo vetëm fama, por edhe madhështia kompozitorëve si John Williams, e Enio Moricone, e lartësuar këtë art duke bërë që shpesh muzika të çon te filmi.”

Dirigjenti i cili ka bashkëpunuar me orkestra të famshme evropiane si” La scala” shpreh vlerësime për muzikantët tanë dhe tregon vështirësinë e përshtatjes me një repertor të ri.

“Është nder dhe kënaqësi të drejtoi orkestrën e teatrit te Operas dhe Baletit në Tiranë, për herë të parë. Një orkestër vërtetë e mrekullueshme dhe me një nivel të lartë internacional. Kanë qenë shumë të përkushtuar për të jetësuar një repertor të ri, nuk ka qenë shumë e lehtë për artistët, pasi janë mësuar më shumë me një repertor romantik, klasik, por rezultati final është i mrekullueshëm.”

Muzika e filmave fillimisht ka nisur në skena të vogla në Evropë, tashmë ky cikël është përqafuar edhe nga skenat e mëdha klasike si ajo e La scala dhe opera të tjera në europë. Kalendari artistik i muajit janar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit përmban katër koncerte simfonike. “Not’te da Oscar” është i pari për këtë vit në skenë për publikun e kryeqytetit. Me kolonat zanore të sagës “Star Wars”, “Harry Potter”, “Schindler’s List”, “Superman”, “Home Alone”, “Pirates of the Caribbean”./abcnews.al/ KultPlus.com

Pas festave

Poezi nga Julio Cortázar

E si kishin shkuar të gjithë
e mbeteshim veç ne të dy
mes gotash të zbrazëta dhe tavllash pis,

sa bukur të merrje vesh se ishe
këtu si rrjedha e ujit të ndenjur
e vetme me mua buzë natës,
dhe se s’ndaleshe, ishe më shumë se koha,

ishe ajo që nuk shkoje
sepse e njëjta nënkresë
dhe e njëta vakësi
do t’na bënin zë sërish
t’i jepnim zgjim një dite të re,
së bashku, gazmorë, të pakrehur.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Miley Cyrus paralajmëron këngën “Flowers” (VIDEO)

Disa ditë para publikimit të këngës së saj më të re “Flowers”, Miley Cyrus ngacmoi fansat duke shpërndarë një video të saj duke e kënduar këngën në dush.

Në video, këngëtarja 30-vjeçare e “Malibu” shihet topless në dush teksa këndon së bashku me atë që në dukje është teksti i këngës së saj të ardhshme.

“Flowers” lansohet për publikun të premten (13 janar), përmes studios së re incizuese me të cilën këngëtarja e ka filluar bashkëpunimin, “Columbia Records”. / KultPlus.com

FOTO: VIJAT MOHINDRA/NBC VIA GETTY

Me fotografinë e masakrës së familjes, Izet Kelmendi bën thirrje për bojkotim të produkteve serbe (FOTO)

Janari i vitit 1999 i mori tre pjesëtarë të familjes. Izet Kelmendit, forcat serbe ja masakruan të atin me dy vëllezërit, njëri 10 dhe tjetri 12 vjeçare.

Kjo masakër ndaj familjes Kelmendi ka mbetur e fiksuar përgjithmonë përmes fotografisë të cilën Izeti e ka ndarë me ndjekësit e tij në facebook duke bërë thirrje që të bojkotohen produktet e Serbisë.

Në fotografi shihet një traktor ku në pjesën e vozitësit janë burrë dhe grua, të masakruar, Hysen dhe Sanie Kurti, nga fshati Tërmjan, ndërsa në pjesën lart është Shabani 44-vjeçar, Besimi 12-vjeç dhe Haxhia 10-vjet, familja e Izetit, të vrarë më 24 janar, 1999.

Kelmendi kërkon me urgjencë bojkotimin e produkteve serbe, duke sjellë para publikut një fotografi që flet shumë mbi atë se çfarë ka përjetuar populli i Kosovës nga regjimi serb.

“Vllazen edhe motra ky rasti osht masakra e rakovines ktu permi tall osht i vram baba jem dhe dy vllaznit e mi 10 vjeq dhe 12 vjeq e ne traktor mrena jan burr dhe grua qe i lan 6 thmi pa bab e pa nan kjo osht ni arsye per mi bojkotu prodhimet ser*e”, shkruan Kulmendi. / KultPlus.com

Celine Dion përjashtohet nga lista e këngëtarëve të Rolling Stone

Celine Dion është përjashtuar nga lista e 200 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave të Rolling Stone.

E publikuar në ditën e Vitit të Ri, lista varion nga Aretha Franklin te Rosalía dhe artistë të tjerë të njohur. Por disa në mediat sociale po bëjnë thirrje për atë që ata e konsiderojnë si një gabim të Titanikut – mungesën e Dion në listë.

“Me gjithë respektin, të mos përfshish Celine Dion, padyshim teknikja më e mirë vokale e të gjitha kohërave, në këtë listë është tradhti”, shkroi në Twitter producenti Jamie Lambert.

Gjithashtu pati ankesa edhe për mungesën në listë të emrave si; Dionne Warwick, Diana Ross dhe Sting.

“Para se të filloni të komentoni, mbani në mend se kjo është lista e këngëtarëve më të mëdhenj. Nuk është lista e zërave më të mëdhenj”, thuhet në artikull.

“Talenti është mbresëlënës; gjenialiteti është i jashtëzakonshëm”.

Dion së fundmi njoftoi se do të shtyjë disa data të turneut në Evropë. Lajmi vjen pasi u diagnostikua me një çrregullim neurologjik që nuk e lejon atë “të këndojë ashtu siç jam mësuar”. Gjendja që ka, sindroma e personit të ngurtë, është “një sindromë e rrallë, progresive. Ajo prek sistemin nervor, veçanërisht trurin dhe palcën kurrizore”, sipas Institutit Kombëtar të Çrregullimeve Neurologjike. / rtv21 / KultPlus.com

Kryeministri Kurti ndanë të arriturat e Qeverisë për vitin 2022 në fushën e trashëgimisë kulturore, kulturë dhe sport

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka ndarë të arriturat e Qeverisë për vitin 2022 në fushën e trashëgimisë kulturore, kulturë dhe sport, shkruan KultPlus.

Sipas Kurtit, viti që shkoi ishte vit i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, promovimit të artit dhe integritetit të sportit. E këtë deklaratë të tijën, ai e mbron duke pozicionuar të gjithë të arriturat në këto fusha.

Postimi i plotë i Kurtit:

2022: Qeveria për Trashëgimi kulturore, kulturë dhe sport

Viti që shkoi ishte vit i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, promovimit të artit dhe integritetit të sportit sepse:

Dyfishuam mbështetjen për skemën e granteve për komunitetin e artit dhe trashëgimisë kulturore;

Ngritëm në 65 numrin e monumenteve të shpëtuara falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve;

Përmes akteve nënligjore të trashëgimisë kulturore vendosëm standarde të licencimit të operatorëve, përcaktimit të perimetrit të aseteve, gërmimeve arkeologjike, projekteve të konservimit;

Nisëm procesin e licencimit të federatave të sportit – dhjetë federata u licencuan deri në fund të vitit 2022;

Mbështetëm organizimin e disa ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë;

Ndamë bursa studimi për profile deficitare në art, sport dhe trashëgimi kulturore;

Bashkorganizuam me sukses Bienalen nomade “Manifesta 14”, gjatë 100 ditëve të së cilës u regjistruan 800 mijë vizita në 25 lokacione ku u ekspozuan vepra artistike të 103 artistëve nga 30 shtete;

Themeluam institucionin e Operës së Kosovës, duke përmbushur një premtim programor dhe një kërkesë shumëvjeçare të komunitetit artistik;

Opera e Kosovës vuri në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqja më e madhe operistike e luajtur ndonjëherë në Kosovë;

Pasuruam koleksionin shtetëror të artit duke blerë mbi 100 vepra të artit nga artistët vendorë;

Lansuam programin 5-vjeçar me vlerë 12 milionë euro “Kosova Shtet i Xhudos” me synim të promovimit dhe shtrirjes së sportit të xhudos në gjithë vendin;

Miratuam Projektligjet për Kinematografinë, të Drejtat e Autorit, Anti-Dopingun, si dhe koncept dokumentet për kulturën, rininë dhe për sportin;

Dyfishuam buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për vitin 2022;

Nënshkruam marrëveshje të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë, Francën, Izraelin, Hungarinë, Turqinë, Bavarinë (Gjermani);

Fuqizuam bashkëpunimin kulturor me Shqipërinë me fokus në produksione të përbashkëta artistike dhe projekte të trashëgimisë kulturore;

Ndamë afër 15 milionë euro përmes skemave të mbështetjes direkte në kulturë, rini dhe sport për 1492 përfitues;

Teatri Kombëtar i Kosovës u anëtarësua në Rrjetin Evropian të Teatrove;

Përfunduam 8 ndërtesa të infrastrukturës për sport, kulturë dhe rini, ndërkaq 17 tjera janë në ndërtim e sipër;

Komiteti Paralimpik i Kosovës u pranua në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar./ KultPlus.com

”SpaceX Dragon” zbret nga ISS për t’u kthyer në Tokë

Një aeroplan kapsulë e ”SpaceX Dragon” është shkëputur nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) për të kthyer tonelata të tëra nga materialet kërkimore në Tokë, deklaroi agjencia amerikane e hapësirës NASA.

Anija kozmike kaloi rreth një muaj të lidhur me postin hapësinor orbital përpara se të shkëputej në orën 17:05 (2205 GMT).

Kapsula do të ulet nesër në brigjet e Floridës.

NASA tha se kapsula po mbante tonelata me materiale kërkimore.

Ndër artikujt që kthehen në Tokë janë një jelek i veçantë i krijuar për të mbrojtur astronautët nga doza të larta rrezatimi dhe një studim mbi efektin e ekspozimit ndaj mjedisit hapësinor të vajit të  ullirit ekstra të virgjër.

Misioni i karburantit, i cili u nis nga Toka në fund të nëntorit, ishte i 26-ti i kryer nga ”SpaceX” në bashkëpunim me NASA-n.

Ndër furnizimet e dorëzuara ishin panelet diellore, një shumëllojshmëri e veçantë domatesh për të përmirësuar dietën në dispozicion të ekuipazhit në misionet e gjata dhe të ashtuquajturit ”Mikroskopi Hënor”.

”Ky i fundit është një komplet për diagnozën mjekësore gjatë fluturimit që përfshin një mikroskop portativ dore dhe një pajisje të vogël, të pavarur për ngjyrosjen e mostrave të gjakut”, tha NASA.

Misioni i parë i ”SpaceX” për furnizimin me ISS u zhvillua në vitin 2012./ atsh / KultPlus.com