Gati gjysma e shqiptarëve rrezikojnë të bien në varfëri në vitin 2023

Një në katër shqiptarë jetojnë në mospasje deri në mjerim. Kjo do të thotë se ata e kanë të pamundur të ushqehen mirë, të ngrohen, duke mos mundur madje as të kurojnë as sëmundjet më të lehta.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave INSTAT tregojnë se në vitin 2021 ishin 622 mijë shqiptarë nga rreth 621 mijë në 2020 që jetuan nën kufirin e varfërisë. Harta e të varfërve është zgjeruar kështu me mbi 1 mijë individë.

“Mua më vjen keq… kam dhimbje pasi situata po agravohet nga viti në vit. Fakti që shumë shqiptarë nuk duan të jetojnë në Shqipëri tregon se vendi po bëhet i pabanueshëm”, thotë për A2 CNN sociologu Zuhdi Dervishi.

Ndërkohë është gati gjysma e popullsisë që rrezikon të rrëshqasë në varfëri këtë vit. Ky tregues është sa 2-fishi i mesatares së Bashkimit Europian dhe ndjeshëm më i lartë se në vendet e Rajonit, raporton A2 CNN.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gati 44 për qind e shqiptarëve marrin të ardhura mujore sa për të plotësuar nevojat më bazike, ekuilibër që rrezikon të prishet nga rritja e çmimeve.

“Rritja e vrullshme e çmimeve e përkeqëson menjëherë situatën ekonomike të shqiptarëve. Duhet theksuar se po rriten çmimet e elementeve jetike”, vijon sociologu.

Për sociologët, niveli i lartë i varfërisë është përgjigjja e pyetjes: Pse largohen Shqiptarët?

“Më kujtohet një shprehje e Heinrich Heine, një poeti të madh gjerman i cili e ka përjetuar vetë emigracionin. Ai thoshte: Ç’më duhet një Atdhe që më katandis si një luftëtar të rreckosur?”, përgjigjet Dervishi.

Të dhënat nga INSTAT nga matja e të ardhurave dhe niveli të jetesës për vitin 2021 tregojnë gjithashtu se gati 26 për qind e familjeve që kanë fëmijë rrezikojnë varfërinë, duke mos mundur t’u ofrojnë këtyre të fundit një jetesë të denjë. / KultPlus.com

Ndërtimi i vetëbesimit, çelësi i fuqizimit të grave

Në shoqërinë e sotme, gratë po fitojnë gjithnjë e më shumë fuqi dhe ndikim si në jetën e tyre personale ashtu edhe në atë profesionale. Ndërsa gratë vazhdojnë të thyejnë barrierat, është e rëndësishme të njihet rëndësia e vetëbesimit në suksesin e tyre, shkruan KultPlus.

Vetëbesimi është themeli i fuqisë së një gruaje dhe i lejon asaj të besojë në veten dhe aftësitë e saj. Pa vetëbesim, gratë mund të frenohen nga dyshimet dhe frika e tyre, dhe ato mund të kenë më pak gjasa të ndjekin qëllimet dhe ëndrrat e tyre.

Një nga faktorët kryesorë që kontribuon në vetëbesimin e një gruaje është aftësia e saj për të vendosur kufij dhe për të mbrojtur veten. Kjo do të thotë të mësosh të thuash jo kur diçka nuk përputhet me vlerat ose qëllimet e saj dhe të qëndrosh në mbrojtje kur ndihet e mosrespektuar ose e keqtrajtuar.

Përveç vendosjes së kufijve, vetëbesimi përfshin edhe të qenit rehat në lëkurën tuaj dhe të pranoni veten ashtu siç është, kjo nënkupton të refuzosh presionin e shoqërisë për t’iu përshtatur standardeve të caktuara të bukurisë.

Vetëbesimi përfshin gjithashtu të qenit elastik dhe të mos lejoni pengesat ose dështimet të përcaktojnë vetëvlerësimin e dikujt. Është e rëndësishme që gratë të kuptojnë se dështimi është një pjesë e natyrshme e jetës, të mësojnë nga gabimet e tyre dhe të ecin përpara me besim.

Si përfundim, vetëbesimi është një komponent kritik i fuqisë së një gruaje dhe i lejon asaj të besojë në veten dhe aftësitë e saj.

Duke vendosur kufij, duke përqafuar cilësitë unike të dikujt dhe duke qenë elastike, gratë mund të rrisin vetëbesimin e tyre dhe të arrijnë qëllimet dhe ëndrrat e tyre. /KultPlus.com

Emërohet drejtor artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti shpalos për KultPlus vizionin e tij për të ardhmen e teatrit

Jeta Zymberi

U deshën më shumë se tri vite që Teatri Kombëtar i Kosovës të bëhet me drejtor artistik. Është regjisori Kushtrim Mehmeti ai i cili ditën e djeshme është emëruar në këtë pozitë udhëheqëse me një mandat katër vjeçar, shkruan KultPlus.

Drejtori artistik pritet që brenda këtij vendi që është si një pasqyrë që reflekton shoqërinë dhe përvojën njerëzore tek audienca, të sjell eksperiencën e tij, pasi ka punuar më parë si regjisor në teatro, ka sjell performanca dhe instalacione të ndryshme.

Si drejtor artistik, Kushtrim Mehmeti pritet të jetë përgjegjës për përzgjedhjen dhe blerjen e veprave të reja për prodhimin e teatrit, si dhe udhëheqjen e ekipit krijues në zhvillimin e këtyre produksioneve. Ai do të punojë gjithashtu për të nxitur marrëdhëniet me dramaturgët, regjisorët, aktorët dhe profesionistët e tjerë të industrisë dhe do të luajë një rol kyç në angazhimin dhe ndërtimin e një publiku të larmishëm për teatrin.

Takimi mujor i udhëheqësve artistik, ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare, identiteti teatror kombëtar, krijimi i kritikës teatrore, plotësimi i ansamblit rezident, skena alternative, prezantimi në çdo qytet të Kosovës, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare e shumë e shumë pika të tjera tejet të rëndësishme janë pjesë e plan programit që Mehmeti synon t’i realizojë gjatë mandatit të tij në krye të kësaj pozite.

Në një intervistë për KultPlus, Mehmeti shpalos vizionin e tij për të ardhmen e teatrit, duke u shprehur se marrja e kësaj pozite sa është privilegj është edhe përgjegjësi, por beson shumë në vullnetin e tij të madh për të mirën e teatrit.

“Pas një procesi të gjatë, një pune me teste e intervista, e lodhshme por e përballueshme, u mor vendimi për emërimin tim në këtë pozitë. Më shumë sesa privilegj është përgjegjësi, e sidomos kur Teatri Kombëtar i Kosovës që tri vite nuk ka Udhëheqës Artistik por funksionon me UD. Më pret një punë e madhe që të realizohet platforma ime, por kam vullnet e besim që do ta jap më të mirën për vendin ku që nga fillimi i studimeve kam besuar e ëndërruar për të”, shprehet Mehmeti për KultPlus.

Mehmeti kësaj detyre po i hyn me një mision të qartë, kultivimin e vlerave skeniko-artistike teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Krijimi dhe prodhimi i shfaqjeve teatrore profesionale, duke i bërë ato të arritshme për publikun në mënyrë që t’i argëtoj, edukoj dhe sfidojë. Publikimi i veprave të caktuara teatrore nga konkurset e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe repertorit të vet, me prioritet drama kombëtare në përputhshmëri me ligjin mbi të drejtat e autorit”, thotë Mehmeti.

Sa i përket politikave artistike teatrore, Mehmeti shprehet se bashkërendimi i politikës artistike me të gjitha institucionet eminente kulturore është një nga nevojat e kamotshme të kulturës.

“Problemet shoqërore, temat, dukuritë dhe zhvillimi i përbashkët i artit për nga cilësia e niveli artistik është një hap drejt ngritjes të secilit institucion kulturor. Për ta arritur këtë duhet fillimisht të hartohet politika artistike në nivel vendi nga udhëheqësit artistik te institucioneve gjegjëse, pastaj ato të mirëmbahen në takime minimalisht mujore në të cilat trajtohen realizimi i politikes artistike, mangësitë e problemet që hasen gjatë realizimit, dhe gjetjet, të arriturat e dështimet që secili institucion i ka pasur gjatë kohës.”

Ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare

Një tjetër prioritet i Mehmetit pritet të jetë zhvillimi i dramës kombëtare. Sipas tij, teatri e merr formën si institucion kulturor kur fillojnë të shkruhen tekstet.

“Në rrethanat tona socio-kulturore sot me shume se kurrë kemi nevoje të merremi me Identitetin tonë kulturor e kombëtar të merremi me vlerat tona identitare ashtu siç ka bërë Teatri Klasik, të merremi me brendësin e njeriut shqiptar ashtu siç ka bërë Teatri Modern, pavarësisht që ka pasur disa tendenca te teksteve tona kombëtare t’i afrohet Teatrit Absurd, ne ende se kemi një tekst të tille ku flet për humbëtirën dhe për asgjënë tonë”, thotë Mehmeti i cili konsideron tutje që dramës shqipe i duhet edhe një Laborator i dramës.

Regjisorë botëror të konfirmuar

Brenda repertorit artistik vjetor të teatrit pritet të parashihet përzgjedhja e një regjisori të konfirmuar botëror i cili veç tjerash do të rriste edhe nivelin e ansamblit rezident duke sjell edhe forma të reja por edhe nivel artistik teatror.

“Regjisorët vendor kanë nivel të kënaqshëm dhe përballojnë edhe produksione të mëdha teatrore, por si nevojë e sjelljes së teknikave te reja teatrore por edhe e frymës së re teatrore. Freskimi vjetor i repertorit të teatrit me regjisor eminent do të krijonte një klimë gare më të madhe edhe tek regjisoret vendor, do te ishte një stimul për njohjen e formave te reja të punës me aktorin por edhe me shfaqjen dhe trajtimin e saj.”

Krijimi i kritikës teatrore

Që një shfaqje të jetojë gjatë e ndoshta përherë, i duhet me patjetër edhe një kritikë e mirëfilltë teatrore. Në këtë pikë, Mehmeti flet për nevojën e padiskutueshme të kritikës teatrore.

“Ka humbur interesimi që të shkruhet për teatër, kjo ka ndodhë pak edhe për faktin se ata që kanë bërë kritikë të mirëfilltë teatrore, i janë nënshtruar edhe një lloj trysnie nga regjisorët që kanë punuar shfaqje. Ne nuk guxojmë ndoshta që të porosisim kritikë teatri por ndoshta do të mund të stimulonim duke e krijuar Çmimin për kritikën më të mirë të vitit.  Do të mundohemi që të krijojmë një atmosferë tek komuniteti që kritika na ndihmon e nuk na kundërshton, do të krijonim një kulturë ballafaqimi me veten e punën tonë pas premierës.”

Plotësimi i ansamblit rezident

Teatri Kombëtar i Kosovës i ka së paku 30 aktorë në ansamblin rezident. Që disa vite TKK nuk ka arritur që të plotësoj numrin minimal që e parasheh ligji, statuti e rregullorja, ndaj një ndër punët që Mehmeti mendon se duhet bërë me prioritet, është edhe plotësimi i numrit minimal të ansamblit rezident.

“Sot kemi ndërrim të gjeneratave dhe në tregun artistik ka një kohë që ka aktor/e që do ti jepnin një freski dhe rritje të nivelit artistik teatrit me futjen e tyre brenda ansamblit rezident. Tutje, teatri viteve të fundit ka paguar shumë bashkëpunëtorë të jashtëm dhe me plotësimin e ansamblit do të kursej edhe për nga ana ekonomike (financiare).”

Miratimi i orarit mujor të provave, plotësim ndryshim i rregullores për ansamblin rezident, prezantimi i regjisoreve paraprakisht, konferenca për media e recensioni për çdo vepër para hyrjes në repertorin vjetor dhe identifikimi i shijes së publikut, janë pikat tjera që Kushtrimi i paraqet në planin e tij udhëheqës.

Laborator teatror

Krijimin e Laboratorit teatror, drejtori i ri e sheh si një domosdoshmëri.

“Laboratori është i domosdoshëm jo vetëm si mënyrë për të krijuar shfaqje, por gjithashtu edhe si një vend pune i përditshëm ku aktorët mund të vazhdojnë të mësojnë dhe të rriten nga ana njerëzore, shpirtërore dhe profesionale.”

Skena Alternative

Teatri vendoset gjithkund, nuk ka hapësirë që nuk bënë për teatër. Skena alternative është nevojë e kohës e kur marrim parasysh që Teatri Kombëtar i Kosovës tani gjendet në rinovim të plotë kjo nevojë shumëfishohet.

“Kemi shumë ndërtesa e hapësira të lëna në mëshirën e fatit, ndaj gjitha ato kanë potencialin të shndërrohen në ambiente kulture. Pastaj veç hapësirave të pa shfrytëzuara ka edhe hapësira që kanë nevojë për promovim dhe asgjë më mirë se një shfaqje e sidomos kur ajo vije nga Teatri Kombëtar nuk mund ta bëjë promovimin.”

Prezantimi në çdo qytet të Kosovës, prezantimi në shkolla për rolin dhe punën e aktorit, udhëtimet e teatrit, revista vjetore, monografi, kritika vjetore e shfaqjeve të TKK-së e lexime skenike, janë të tjera plane që Mehmeti parasheh t’i realizoj gjatë mandatit të tij të plotë.

“Disa nga këto pika janë punë imediate dhe rezultatet e punës shihen menjëherë kurse disa tjera janë politika afatgjata të cilat mund të kontribuojnë vetëm pas disa mandateve tjera. Gjithashtu gjatë punës mund të dalin ide të reja apo probleme të cilat duhet të trajtohen”, përfundon kështu Mehmeti i cili këtë fillim të ri po e pret me shumë entuziazëm dhe me vizon të qartë për punën që e pret. / KultPlus.com

Kushtrim Mehmeti

Drita Ademi publikon një vëllim me poezi në gjuhën gjermane “Lich Mit Regen”

Autorja Drita Ademi ka botuar një vëllim me poezi në gjuhën gjermane, “Lich Mit Regen” të përkthyer si “Dritë me shi”, shkruan KultPlus.

Ky është libri i pestë i autores, derisa “Licht mit regen”, u botua nga Anthea Verlag në Berlin.

Libri është një vëllim poetik, derisa poezitë e autores Drita Ademi janë vlerësuar lartë nga autorë dhe lexues gjermanofolës.

Botimi i “Licht mit Regen” shënon një moment të rëndësishëm dhe pritet që të përqafohet nga adhuruesit e poezisë në mbarë botën. /KultPlus.com

Osmani: Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha sot se interesimi i satelitit rus, Serbisë, për destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor është më i madh se kurrë më parë, përcjell KultPlus.

Në një takim me deputetin David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë Bashkuar, Osmani tha se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale.

“Por, interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale”, citohet të ketë thënë ajo.

Presidentja Osmani shtoi më tej se Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e aleatëve sikurse Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që të bëhen hapa përpara në forcimin dhe konsolidimin e mëtejmë të pozitës ndërkombëtare si dhe në luftimin e tendencave destabilizuese ruso-serbe.

Theks të veçantë, Presidentja Osmani i kushtoi rëndësisë së mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, si prioritete imediate.

Në takim është biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë ku Presidentja Osmani ka përsëritur faktin se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, e cila po përballet me obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë.

Ajo gjithashtu u shpreh se është me rëndësi që Mbretëria e Bashkuara ta vazhdojë trashëgiminë e saj të mbështetjes ndaj Kosovës jo vetëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm. /KultPlus.com

Dyfishim vizitorësh në Qendrën e Muzeumeve në Berat

Vizitueshmëria në muzetë e Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, është dyfishuar.

Drejtori i QKMB, Agron Polovina, tha për ATSH-në se për vitin 2022 vizitueshmëria ka qenë 49 588 vizitorë vendas dhe të huaj, që krahasuar me vitin 2021, është pothuaj 200 % dhe që i afrohet nivelit të vitit 2019, përpara se të niste pandemia e Covid-19.

Rrjedhimisht, janë rritur edhe të ardhurat e Qendrës së Muzeumeve të Beratit. Në krahasim me 2021, të ardhurat kanë pësuar një rritje prej 227% ndërsa krahasuar me vitin 2019, kanë një rritje prej 131%.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. /atsh /KultPlus.com

Vdes në moshën 58 vjeçare, futbollisti Gianluca Vialli

Ish-sulmuesi i Italisë, Gianluca Vialli, ka vdekur në moshën 58-vjeçare. Vialli, i cili luajti për Chelsean gjatë një karriere të shkëlqyer përpara se të bëhej menaxher i klubit, ishte duke u trajtuar për kancerin e pankreasit, përcjell KultPlus.

Vialli e filloi karrierën e tij në Cremonese, klubi i tij i lindjes, përpara se të luante në Serie A për Sampdoria dhe Juventus, dhe përfundoi karrierën e tij si lojtar në Chelsea përpara se të fillonte karrierën edhe si trajner. Ai shënoi 16 gola në 59 paraqitje për Italinë dhe u shfaq në skuadrat e Azzurrit në Kupën e Botës gjatë viteve 1986 dhe 1990.

Javët e fundit u njoftua se Vialli do të largohej nga detyra e tij si shef delegacioni me ekipin italian për t’u fokusuar në trajtimin e tij për kancerin pankreatik.

Ai ishte ribashkuar vonë në formacionin e Italisë me trajnerin kryesor, Roberto Mancini, ish-partneri i tij në sulm në Sampdoria, dhe Vialli shpresonte se ai do të ishte në gjendje të rifillonte rolin e tij në ekipin kombëtar.

Vialli njoftoi se i ishte nënshtruar radioterapisë dhe kimioterapisë në nëntor 2018, pasi ishte diagnostikuar me kancer një vit më parë. Fillimisht atij iu dha e qartë në prill 2020, por në dhjetor 2021 ai njoftoi se sëmundja ishte kthyer. /KultPlus.com

Fenomeni i rrallë i motit godet Kaliforninë

Kalifornia nuk u prek nga vala e ftohtë e motit që goditi SHBA-në gjatë Krishtlindjeve, por moti i keq në SHBA nuk ka të ndalur. Vendi u prek nga shirat e dendura, erëra të forta dhe borë në male.

Sinoptikanët thonë se kjo është vetëm një nga një valë e motit të ashpër që ka goditur Kaliforninë ditët e fundit, ata parashikojnë më shumë për të ardhur.

Meteorologët flasin për një ” ciklon bombë ” të kombinuar me një ” lum atmosferik “, domethënë një rrymë ajri të lagësht që bart avujt e ujit në distanca mijëra kilometra. “Lumenjtë” e ajrit sjellin reshje në Kaliforni, por nëse ato janë jashtëzakonisht intensive, siç është ajo që po regjistrohet në shtet këto ditë, shiu dhe bora në male arrijnë nivele të paprecedentë.

Kombinimi i “bombës” dhe një “lumi” të fortë është ajo që i shqetëson ekspertët në Kaliforni.

Stuhitë shkaktohen kur një masë ajri me presion të ulët takohet me një masë me presion të lartë. Rrjedha e ajrit është nga presioni i lartë në presion të ulët, kjo shkakton erëra.

Në bombën ciklonike ka rëndësi se sa shpejt bie presioni në masën e ajrit me presion të ulët. Sa më shpejt të bëhet kjo, aq më të forta janë erërat. / Express / /KultPlus.com

103 vjet nga lindja e Sandër Prosit, ikonës së filmit dhe teatrit shqiptar

Më 6 janar të vitit 1920 lindi në Shkodër, Sandër Prosi, i cili do të bëhej më vonë një prej aktorëve ikonë të filmit dhe teatrit shqiptar, personazhet e të cilit kanë mbetur në kujtesën e brezave dhe në arkivën e artë të kinematografisë.

Njeriu që i dha drejtim frymës së kohës, me kredo në gjendjen e edukimit të artit nëpërmjet filtrit të së vertetës dhe kënaqësisë. Njeriu që i bëri të gjithë për vete me urtësinë që e karakterizonte; zërin dhe sytë e paqtë.

Aleksandër Prosi, njeriu që i dhuroi i pari teatrit ndërsjelljen gjegjëse të gjëndjeve: planeve logjike dhe monologjeve të brendshme.

Udha për te njeriu është e vështirë, por Sandri e gjeti shtegun për të mbetur i pavdekshëm tek të gjithë vdekatarët. Ai kristalizoi individualitetin e tij të spikatur në mbi 100 role. Gama e gjerë e personazheve të cilat ai jetëzoi kanë mbetur aty; jo vetëm në arkivën e artë të Teatrit Kombëtar, por dhe në sirtarin sekret të kujtesës sonë emocionale.

Në shënimet e tij të fëmijërisë, shkruante: ‘’Më pëlqen të ndjek filmat. I adhuroj! Sidomos ato të Charlie Chaplin. Më pëlqen shumë kinemaja. Ëndërroj të bëhem violinist…’’

Lindur në Shkodër më 1920. Pas mbarimit të gjimnazit në Tiranë nga ku merr dhe pjesë në dramën ‘’Vilhem Teli’’, do të shkonte në Austri për të ndjekur studimet për stomatologji. Por duket se i la në gjysmë, për të përfunduar atë çka donte: Artin.

Ndaj dhe kthehet për të marrë pjesë në konkursin që asokohe mbahej në Teatrin Popullor më 1947 dhe e fiton atë, për të nisur kështu me përgjegjshmëri profesionin e aktorit, kontributi i të cilit përçon dhe sot mesazhe të qarta duke na bërë thirrje mes rikuptimësimesh; edukimin e të bërit dhe të qenët artist. Nga ku në fakt, sot, druaj kjo tokë nuk pjell më…

Të gjithë filmat e tij, i kemi parë. Janë rreth 30, por shumë prej kolegëve dhe artdashësve veçojnë: ‘’Përballimi’’ – 1976, ‘’Udha e Shkronjave’’ -1978, ‘’Gjeneral Gramafoni’’- 1978, ‘’Njeriu me top’’ – 1977, ‘’Nëntori i dytë’’- 1982, ‘’Dora e ngrohtë’’- 1982, me interpretime të një mjeshtërie të lartë njërzore, filmike dhe skenike.

Në teatër ka shkëlqyer në rolin e Otellos. Nuk iu deshën pak, por plot katër vjet për të arritur magjinë e këtij personazhi, duke punuar veçmas me vetveten, për të arritur ndjesitë komplekse të kësaj figure. Shumë teatro në fakt, e trajtojnë si tragjedi të xhelozisë, por Sandri rezulton ndryshe; duke i mëshuar nderit dhe besës, veçori këto që e ndoqën deri në fund të jetës, duke e lënë dënimin e pabesisë për në fund.

Ka interpretuar gjithashtu në “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Fytyra e dytë”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Familja e Peshkatarit”, “Epoka para Gjygjit”, “Revizori”, “Xhaxha Vanja”, etj… / KultPlus.com

“I vetmi njeri që nuk bën kurrë gabime është njeriu që nuk bën kurrë asgjë”

Më 1919 shënohet viti kur ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Theodore Roosevelt, vdiq, shkruan KultPlus.

Theodore Roosevelt ishte presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Roosevelt ka fituar edhe çmimin ”Nobel” për paqe.

Gjurmët e këtij presidenti, vazhdojnë të jetojnë akoma me historinë e madhe të Amerikës.

Në vijim, KultPlus ju sjellë disa nga thëniet më të njohura të tij.

Bëni atë që mundeni, me atë që keni, atje ku jeni.

Eshtë e vështirë të dështosh, por është më keq që të mos jesh përpjekur kurrë të kesh sukses.

Besoni se mundeni dhe jeni në gjysmë të rrugës për atje.

Kur të arrini në fund të litarit tuaj, lidhni një nyjë dhe mbajuni fort.

Njerëzve nuk u intereson sa dini derisa të dinë se sa përkujdeseni.

Asgjë në botë nuk ia vlen të kesh apo ia vlen të bësh nëse nuk do të thotë përpjekje, dhimbje, vështirësi … Unë kurrë në jetën time nuk kam pasur zili një qenie njerëzore që bëri një jetë të lehtë. Unë kam zili shumë njerëz që bënë jetë të vështira dhe i udhëhoqën mirë.

I vetmi njeri që nuk bën kurrë gabime është njeriu që nuk bën kurrë asgjë.

Të edukosh një person në mendje por jo në moral do të thotë të edukosh një kërcënim për shoqërinë.

Të dish se çfarë është e drejtë nuk do të thotë shumë nëse nuk bën atë që është e drejtë.

Mbani sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë.

Në çdo moment të vendimi, më e mira që mund të bësh është gjëja e duhur. Gjëja më e keqe që mund të bësh është asgjëja.

Guximi nuk është forcë për të vazhduar më tej; por të vazhduarit më tej kur nuk keni më forcë.

Fol butë dhe mbaj një shkop të madh me vete; do shkosh larg. / KultPlus.com

Shqipëria turistike në një prej guidave prestigjioze franceze

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila theksoi se “guida është format praktik, i dedikuar për të gjithë udhëtarët francezë dhe udhërrëfyesi ideal për ta njohur Shqipërinë, duke iu shtuar kështu promovimit tonë për gjithë botën frankofone”.

Ministrja Kumbaro tha se “72% më shumë vizitorë francezë mikpritëm në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021”.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. / KultPlus.com

141 vjet nga lindja e një prej figurave më të shquara kombëtare, Fan Nolit

6 janari shënon ditën kur lindi Theofan Stilian Noli, në vitin 1882.

Diplomat, shkrimtar, politikan, përkthyes, dikur edhe kryeministër i Shqipërisë, Fan Noli lindi në İbriktepe të Turqisë.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patriarkana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, nuk u mor me bujqësi, por shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.

Noli përktheu mjaft autorë amerikanë dhe evropianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.

Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ngelet një letrar i madh.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend, më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. / KultPlus.com

Burimësitë etike të të menduarit filozofik sipas Karl Jaspers         

Nga: Karl Jaspers
Përktheu: Arben Haxhiymeri

Historia e filozofisë, si një formë e të menduarit metodik, zuri fill këtu e dymijë e pesëqind vjet më parë, ndërkohë që si formë e të menduarit mitik, fillesat e saj i vërejmë shumë kohë më parë. Sidoqoftë, fillesa është diçka krejtësisht e ndryshme nga burimi: fillesa është historike dhe u ofron pasardhësve një sasi të caktuar të dhënash në lidhje me punën intelektuale të kryer më parë, ndërkohë që burimi është gurra prej nga e përfton ekzistencën për t’u dhënë pas të menduarit filozofik. Vetëm lidhja e drejtpërdrejtë me burimin është gjithë sa i jep të menduarit filozofik të kohëve tona një kuptim thelbësor, ndërkohë që, nga ana tjetër, është po kjo lidhje që na bën të mundur të kuptojmë të menduarit filozofik të së shkuarës. Ndërkaq, ky burim na shfaqet i llojeve të ndryshme. Më së pari, ndjesia e habisë shpie në lindjen e pyetjeve dhe në formimin e ideve dhe pikëpamjeve të ndryshme; ndjesia e pasigurisë dhe dyshimi që njeriu ushqen në lidhje me shkallën dhe vërtetësinë e njohurive që ka arritur të përftojë shpije në lindjen e analizës kritike dhe procesit të vërtetimit; frika dhe ndjesia e të qenit i veçantë e shpije njeriun drejt sipërmarrjes për të njohur vetveten. Le të përpiqemi ndërkaq që të qëmtojmë nga afër këto tre burime.

Së pari: Platoni pohon se të menduarit filozofik buron nga ndjesia e habisë. Falë syve, “kemi mundësinë të marrim pjesë në shfaqjen e mrekullueshme që ofrojnë yjet, dielli dhe kupa qiellore”. Kjo shfaqje “na shtyu që t’i hyjmë vrojtimit të kujdesshëm dhe të thelluar të mbarë gjithësisë; pikërisht prej këndejmi zuri fill dhe u zhvillua të menduarit filozofik, më e çmuara ndër tërë dhuntitë që hyjnitë u dhanë vdekatarëve”. Ndërkaq, Aristoteli pohon: “Në të tashmen, sikundërse edhe në të shkuarën, njerëzit filluan që të jepen pas të menduarit filozofik për shkak të ndjesisë së habisë: në fillim ndiheshin të habitur përballë gjërave të çuditshme me të cilat haseshin; më pas, dora-dorës që përparonin, filluan që të ngrinin pyetje në lidhje me probleme shumë herë më të thella dhe më të mëdha: për shembull, rreth problemeve që lidheshin me dukuritë e hënës, me dukuritë e diellit dhe të yjeve të tjerë, apo rreth problemeve në lidhje me zanafillën e mbarë gjithësisë”. Ndjesia e habisë e shtyn njeriun që të vihet në hulumtim të njohjes.

Gjatë kohës kur ndjejmë habi, në një formë apo tjetrën bëhemi të vetëdijshëm për mungesat që kemi në fushën e njohjes. Kështu që, pa një pa dy, vendosemi në hulumtim të njohjes, dhe fjala është për një hulumtim thjesht dhe vetëm për hir të njohjes, dhe jo “për të kënaqur apo për të përmbushur një nevojë të rëndomtë”. Gjatë kohës kur jepet pas të menduarit filozofikë, njeriu zgjohet, duke u çliruar nga pesha dhe vargonjtë e nevojave të përditshme. Ky zgjim zë fill në mënyrë krejt të natyrshme gjatë kohës kur njeriu sodit pa kurrfarë interesi gjësendet, qiellin, botën, dhe fillon që të pyesë veten: “Çfarë është vallë e gjithë kjo? Prej nga vjen vallë e gjithë kjo?”. Gjatë kohës kur përpiqet që t’i japë një përgjigje pyetjeve të kësaj natyre, njeriu nuk synon që të vjelë ndonjë përfitim material apo praktik, por thjesht që përgjigjet në fjalë të jenë sa më të kënaqshme dhe të qëndrueshme.

Së dyti: fill sapo arrijmë të davarisim ndjesinë e habisë dhe mahnitjes përmes njohjes së asaj çka është në vetvete objekti që shkakton vetë habinë, në një mënyrë apo tjetrën vërejmë të nxjerrë krye dyshimi. Natyrisht, tashmë kemi arritur që të kristalizojmë një mori idesh apo pikëpamjesh të caktuara, por ende nuk jemi në gjendje të themi nëse këto ide apo pikëpamje do të vijojnë të jenë të qëndrueshme dhe të vërteta edhe pas kalimit të tyre në sitën e analizës kritike. Perceptimet shqisore kufizohen dhe kushtëzohen nga shqisat tona, dhe pikërisht për këtë arsye mund të na shtyjnë në të shumtën e herëve drejt disa përfundimeve të gabuara; nga çdo këndvështrim që t’i shohim, këto perceptime nuk përkojnë me realitetin që ekziston në vetvete dhe jashtë nesh, në fund të fundit, me realitetin e pavarur nga perceptimet tona. Kategoritë që përdorim janë ato të të kuptuarit tonë njerëzor. Këto kategori i vërejmë shpeshherë të ngecin keqas në një rrjetë të dendur kontradiktash të pazgjidhshme. Kudo dhe kurdoherë një pohim i kundërvihet një pohimi tjetër. Gjatë përparimit që bëjmë brenda domenit të të menduarit filozofik, ne vendosemi vazhdimisht përballë dyshimit dhe përpiqemi që të vështrojmë, të trajtojmë dhe analizojmë në mënyrë rrënjësore gjithçka nën dritën e këtij dyshimi; gjatë këtij procesi analitik, dikush mund të ndalet dhe të kënaqet thjesht me një qëndrim skepticist, i cili e shtyn, nga njëra anë, që të mos pranojë asgjë dhe, nga ana tjetër, ia pret udhën në mes, duke i hequr çdo mundësi për të bërë qoftë edhe një hap të vetëm përpara; ndërkaq, një tjetër mund të mos kënaqet me një qëndrim të tillë, arsye për të cilën vendos që të vijojë hulumtimin e tij më tej dhe më në thellësi. Ndërkaq, pyetja që shtrohet krejt natyrshëm në këtë rast, është: a ekziston vallë një përftesë e sigurt dhe e qëndrueshme, një ide apo një pikëpamje përfundimtare, si të thuash, e cila të jetë në gjendje që të qëndrojë larg çdo dyshimi dhe t’i qëndrojë paepur çdo lloj qasjeje kritike?

Shprehja tashmë e njohur e Descartes-it “Mendoj, pra ekzistoj”, shfaqej për të një përftesë apo një përfundim më se i sigurt, pavarësisht se ai vetë u përpoq që ta vështronte gjithçka tjetër me dyshim. Arsyeja është më se e thjeshtë: edhe në rast se përpjekja jonë është e destinuar që të dështojë, edhe në rast se vetë dështimi shfaqet i një natyre të atillë, që i kapërcen paq të gjitha mundësitë dhe aftësitë e të kuptuarit tonë, sërishmi duhet thënë se e tërë kjo nuk na pengon aspak në të kuptuarit e të vërtetës së thellë që lëviz pas tij; më konkretisht këtu, të faktit se përpara se t’ia dalë apo të dështojë në një sipërmarrje të caktuar, njeriu lipset më së pari të ekzistojë. Dyshimi metodik na shtyn vetvetiu drejt analizimit kritik të mbarë njohurive, të ideve apo pikëpamjeve të përftuara; prej këndejmi, besojmë se del mjaft qartas në pah se të menduarit e mirëfilltë filozofik nuk mund të ekzistojë pa një qëndrim rrënjësisht dyshues. E megjithatë, gjithë sa shfaqet e nevojshme në këtë është përpjekja për të vëmë në pah se në ç’mënyrë dhe deri në ç’pikë na lejon kjo vënie-në-dyshim që të ndërtojmë një themel të sigurt në lidhje me njohjen.

Së treti: gjatë kohës që përpiqemi që t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona rreth njohjes së gjësendeve që gjenden në botën brenda të cilës jetojmë; gjatë kohës kur jepemi pas vëniesnë-dyshim si një mënyrë për të arritur tek njohja e sigurt dhe e përpiktë, në të vërtetë ne gjendemi dhe lëvizim në brendësi gjësendeve; aso çastesh nuk vramendemi rreth vetvetes, rreth qëllimeve, lumturisë apo shëlbimit tonë. Në këtë lënie-pas-dore apo harresë ndaj vetvetes, ne ndihemi të kënaqur me arritjen e kësaj njohjeje. Ndërkaq, kjo lloj sjelljeje ndryshon rrënjësisht në çastin kur ne bëhemi të vetëdijshëm apo ndërgjegjësohemi për ekzistencën e vetvetes brenda gjendjes në të cilën ndodhemi.

Epikteti, një mendimtar i shkollës së stoicizmit, pohon se “të menduarit filozofik lind dhe zhvillohet në çastin kur bëhemi të vetëdijshëm rreth dobësisë dhe pafuqisë sonë.”. Po si mund t’ia dalim vallë mbanë, nëse ndihemi dhe jemi vërtet të pafuqishëm? Përgjigjen që Epikteti dha në lidhje me këtë pyetje, mund ta përmbledhim me këto fjalë: gjithçka që gjendet jashtë mundësive dhe fuqive tona, është e nevojshme që ta vështrojmë si diçka që nuk ka kurrfarë lidhjeje me ne, dhe kjo për shkak të vetë natyrës që shfaq, ndërkohë që, nga ana tjetër, gjithçka që varet nga ne, shprehimisht këtu, përmbajtjen dhe formën e shtrimit të ideve, është e nevojshme që ta drejtojmë gjithnjë e më tepër për nga qartësia dhe liria përmes forcës së të menduarit. Dhe tani le të përpiqemi që të hedhim një vështrim të shpejtë rreth gjendjes ekzistenciale në të cilën ndodhemi ne, qeniet njerëzore. Njerëzit vërejmë të lëvizin gjithmonë brenda disa gjendjeve të caktuar ekzistenciale. Me ndryshimin e tyre, gjendjet ekzistenciale na vendosin vazhdimisht përballë një morie mundësish për të organizuar jetën tonë. Në rast se i lëmë të na rrëshqasin, mundësitë në fjalë humbasin, ikin dhe nuk kthehen më. Në jo pak raste, njeriu mund të përpiqet që të ndryshojë gjendjet ekzistenciale në të cilat ndodhet. Porse, nga ana tjetër, lipset që të themi, madje, edhe që t’i mëshojmë fort faktit, se ekzistojnë jo pak gjendje ekzistenciale të cilat në të vërtetë mbeten në thelb krejt të pandryshueshme, pavarësisht se mund të ndryshojnë në pamjet e tyre të përkohshme apo se forca tronditëse dhe ligjësitë e tyre të brendshme mund të qëndrojnë në errësirë: një ditë do të vdesim, apo se në këtë jetë është e pamundur që të mos hasemi me vështirësi apo vuajtje, apo se në këtë jetë na duhet shpeshherë që të përpiqemi dhe të ndeshemi me gjithfarë problemesh, apo se në të shumtën e herëve gjendemi në mëshirë të fatit, apo se në një formë apo tjetrën biem vazhdimisht në gabim etj. Të tilla gjendje themelore të ekzistencës sonë i cilësojmë si gjendje të fundme ekzistenciale. E shprehur paksa më ndryshe, fjala është për ato gjendje ekzistenciale të cilat jemi të pafuqishëm që t’i ndryshojmë apo t’u rrëshqasim, si me thënë.

Së bashku me habinë dhe dyshimin, vetëdija apo ndërgjegjësimi në lidhje me këto gjendje të fundme ekzistenciale është burimi më i thellë dhe më i pasur i të menduarit filozofik. Në jetën tonë të përditshme, shpeshherë mëtojmë t’u rrëshqasim, t’i anashkalojmë të tilla gjendje të fundme ekzistenciale, duke u përpjekur të mbyllim sytë dhe të jetojmë mend sikur syresh nuk ekzistojnë. Kështu, për shembull, shpeshherë përpiqemi të lëmë në harresë faktin se një ditë do të vdesim, apo faktin se kemi gabuar më se një herë, apo faktin se shpeshherë gjendemi në mëshirën e fatit. Në të shumtën e herëve mëtojmë që t’u bëjmë ballë vetëm atyre gjendjeve dhe situatave që shfaqen konkrete, të përditshme, duke u përpjekur t’i vëmë syresh nën “hyqmin” dhe “interesin” tonë; shpeshherë përpiqemi të reagojmë ndaj tyre duke thurur plane dhe duke vepruar sipas një mënyre a tjetre brenda botës në të cilën jetojmë, duke u shtyrë vazhdimisht nga interesat e jetës sonë të përditshme.

Ndërkaq, sa i përket gjendjeve të fundme ekzistenciale, ndaj syresh shpeshherë reagojmë ja përmes anashkalimit dhe lënies në harresë, ja përmes dëshpërimit dhe rilindjes, në ato raste kur arrijmë t’i ngërthejmë të tilla gjendje: arrijmë që të bëhemi vetvetja përmes një ndryshimi të brendshëm në vetëdijen apo ndërgjegjshmërinë tonë në lidhje me qenien si e tillë. Ndërkaq, gjendjen ekzistenciale të qenieve njerëzore mund ta përkufizojmë fare mirë duke ndjekur një drejtim tjetër; më konkretisht, duke e vështruar si një përftesë që mundësohet nga qëndrimi skepticist që shfaqim në lidhje me ekzistencën e botës materiale. Në të shumtën e herëve, dhe në mënyrë mjaft të mefshtë e të gabuar, botën materiale e vështrojmë si të ishte vetë qenia si e tillë. Gjatë kohës kur gjendemi në situata të këndshme, i gëzohemi jo pak fuqisë që vërejmë apo ndjejmë brenda vetes, tregojmë një lloj mospërfilljeje dhe një besim të verbër tek vetvetja, dhe nuk vështrojmë si të mirëqenë asgjë tjetër përpos se të tashmen në të cilën gjendemi. Ndërkaq, kur gjendemi në situata dhembjeje, dobësie dhe pafuqie, ndjejmë të mbërthehemi keqazi nga dëshpërimi. Porse, në rast se arrijmë të dalim gjallë nga një situatë e tillë, përpiqemi që ta hedhim pas krahëve apo që ta varrosim në harresë një situatë të tillë, për t’iu dhënë sërishmi një hedonizmi të shfrenuar. Një përvojë e tillë, pavarësisht kësaj ane negative, ka arritur të formësojë jo pak prirjet dhe mprehtësinë e qenies njerëzore. Jetesa nën trysninë e rrezikut dhe kanosjes e shtyn njeriun që të vihet në kërkim të sigurisë. Përmes nënshtrimit të natyrës dhe bashkëjetesës me qeniet e tjera njerëzore, njeriu përpiqet ta bëjë ekzistencën e vet sa më të sigurt. Njeriu vendos pushtetin e tij mbi natyrën me qëllim që kjo e fundit të kthehet një shërbëtore e tij; përmes shkencës dhe teknologjisë, njeriu përpiqet që ta shndërrojë natyrën në burim shfrytëzimi.

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, lipset të themi se ende gjallon një element i gjithë sa shfaqet e pallogaritshme dhe e paparashikueshme; një element i tillë gjallon deri edhe në vetë sundimin që njeriu ka vendosur mbi natyrën, arsye për të cilën vijon të shfaqet si një kanosje e vazhdueshme, përballë të cilës përfundimi na shfaqet gjithnjë një dështim i plotë: ligji i egër i jetesës përmes punës rraskapitëse, mplakja, sëmundja dhe vdekja janë disa dukuri krejtësisht të pashmangshme. Natyra që kemi arritur të nënshtrojmë nuk shfaqet e dobishme dhe e shfrytëzueshme përpos se në disa raste tejet të veçanta, duke na dhuruar një ndjesi të vagëllimtë të një sigurie të pjesshme dhe tejet të përkohshme; ndërkaq, lipset thënë se të tërë rastet e tjera sundohen egërsisht nga një pasiguri e mbrame. Sakaq, njerëzit përpiqen të krijojnë dhe organizojnë jetesën në bashkësi me qëllim që t’i presin hovin luftës së pafundme të të gjithëve kundër të gjithëve; në fund të fundit, përmes marrëdhënieve dhe ndihmesës së ndërsjellët, nuk mëtojnë përpos se të arrijnë një siguri për jetën. E megjithatë, pavarësisht këtij mëtimi, lipset të vëmë në dukje se edhe në këtë drejtim ekziston një kusht i pakapërcyeshëm: drejtësia dhe liria nuk mund të sigurohen dhe vihen në jetë përpos se në ato raste kur ekziston një shtet në të cilin çdo qytetar shpalos karshi qytetarëve të tjerë një prirje solidariteti të tërësishëm, absolut, si me thënë; vetëm në të tilla raste, në qoftë se një qytetar bëhet pre e një padrejtësie, të tërë qytetarët do të ngriheshin kundër saj si të ishin një trup i vetëm.

Një shtet i tillë, siç na mëson edhe historia, nuk është parë kurrë një herë në këtë botë brenda të cilës jetojmë. Një ndjenjë e tillë solidariteti, që i lidh njerëzit me njëri-tjetrin në çaste fatkeqësish apo nevojash, nuk është vërejtur deri më sot përpos se tek disa grupe tejet të kufizuar, madje, shpeshherë, thjesht dhe vetëm tek disa individë fare të pakët në numër. Asnjë shtet, asnjë institucion fetar, asnjë shoqëri nuk është në gjendje që të na ofrojë një siguri absolute për jetën dhe ekzistencën tonë mbi këtë planet që quhet tokë. Një siguri e kësaj natyre ka qenë për një kohë mjaft të gjatë një nga ndezullitë më trëndafilore të mbarë historisë së qenieve njerëzore; në të shumtën e herëve, gjendjet e fundme ekzistenciale ja u anashkaluan, ja u hodhën pas krahëve për t’u varrosur në heshtje dhe në harresë të mbrame. Ndërkaq, në lidhje me pasigurinë dhe luhatjen e përgjithshme që na shpërfaq bota brenda të cilës jetojmë, lipset thënë se ekziston një lloj kundërpeshe, apo një anë tjetër e medaljes, nëse mund të shprehemi kësisoj: në këtë botë ekzistojnë jo pak gjëra që meritojnë të vështrohen si të mirëqena, që meritojnë t’u zëmë besë se janë të tilla, si me thënë; kështu, për shembull, ekziston toka që na mban sipër, ekziston streha dhe atdheu, etërit dhe të parët tanë, vëllezërit, motrat dhe miqtë, bashkëshortët dhe bashkëshortet.

Po ashtu, ekziston një themelësi e kristalizuar dhe e çimentuar si e tillë nga tradita dhe zhvillimet historike të mbarë njerëzimit: gjuha amtare, besimi fetar dhe përvoja shpirtërore, puna, përpjekjet dhe lëvrimet apo përftesat e njerëzve të mendimit, e poetëve dhe e krijuesve dhe lëvruesve të sferave të artit. E megjithatë, pavarësisht vlerave dhe rëndësisë që mbart, lipset thënë se kjo traditë nuk është aspak në gjendje që të na dhurojë ndjesinë e sigurisë, apo të na sigurojë ekzistencën apo jetesën e përditshme mbi këtë planet, arsye për të cilën nuk mund ta vështrojmë assesi si një burim sigurie apo si një pikëmbështetje e qëndrueshme dhe e sigurt. Një nga arsyet e gjithë kësaj qëndron në faktin se kjo traditë shfaqet, më së pari, krijim i njeriut; Perëndia nuk gjendet në asnjë cep të botës dhe as përzihet me punët e saj. Për këtë arsye, tradita në fjalë, e vështruar në tërësinë dhe të tërësishmen e saj, qëndron krejt e hapur ndaj diskutueshmërisë, shfaqet fort e diskutueshme në tërë sa mbart dhe shpalos në vetvete. Prej këndejmi, nëse mbështetet tek kjo traditë, nëse i mban sytë e mbërthyer vetëm tek ajo, njeriut i shtrohet si detyrë që ta hulumtojë brenda vetes sigurinë për jetën, qenien, forcën tek e cila duhet të mbështetet etj. Në këtë drejtim, ekziston një paralajmërim, me fort gjasa, madje, nga një zë autoritar: nuk duhet ta vështrojmë si të mirëqenë asgjë që është pjesë e kësaj bote brenda të cilës jetojmë, e kemi të ndaluar, si me thënë, të kënaqemi dhe të mjaftohemi me të gjithë sa vërejmë brenda realitetit të dukshëm, brenda botës materiale.

Një paralajmërim i tillë na shpërhap drejt një realiteti apo çështjeje tjetër. Gjendjet e fundme ekzistenciale – vdekja, rastësia, ndjenja e fajësisë, pasiguria në lidhje me botën brenda të cilës jetojmë – na vendosin gjithnjë përpara një dështimi. Çfarë mund dhe duhet të bëjmë vallë përballë këtij dështimi të tërësishëm dhe të pashmangshëm, të cilin, nëse tregohemi të çiltër, e kemi të pamundur të mos e pranojmë si të tillë, apo ta mohojmë dhe ta hedhim pas krahëve? Këshilla që na jep stoicizmi, shprehimisht këtu, ideja sipas të cilës në të tilla raste është e nevojshme të tërhiqemi apo të strehohemi brenda lirisë sonë, e cila përkon me mendjen dhe të menduarit e pavarur, një këshillë e tillë, pra, personalisht mendojmë se tingëllon fort pak e përshtatshme dhe e pamjaftueshme. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se stoicizmi thjesht gënjeu apo mashtroi vetveten, pasi nuk arriti që ta qëmtojë siç duhet dhe në mënyrë të tërësishme dhe rrënjësore dobësinë dhe pafuqinë njerëzore. Stoicizmi nuk ia doli mbanë që të kuptonte siç duhej faktin se të menduarit është një proces i varur, sikundërse nuk arriti të kuptonte, nga ana tjetër, se, e vështruar në vetvete, mendja e njeriut është e zbrazët, dhe se përmbajtja e saj qëndron në varësi të plotë nga gjithë sa vendosim ne brenda saj; po ashtu, stoicizmi nuk arriti të marrë parasysh ekzistencën e mendjeve të tjera, apo ekzistencën e asaj dukurie apo realiteti të mundshëm që njohim si çmenduri.

Kësisoj, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj mbështetjeje apo ndjenje ngushëllimi; pamësia e të menduarit të pavarur është krejt e paqëndrueshme, për aq sa vetë mendja është e zbrazët, nuk mbart asnjë lloj lënde të mëvetësishme. Po ashtu, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj shprese, për aq sa pamësitë dhe bindjet e tij botëkuptimore nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar një shndërrim apo një revolucion të brendshëm, sikundërse nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar plotinë e vetvetes me anë të dhurimit të kësaj vetveteje një vetveteje tjetër përmes forcës së dashurisë. Prej këndejmi, stoicizmi nuk i lë kurrfarë shtegu të lirë as pritshmërisë, as shpresës se mund të arrijmë ndonjë rrugëdalje fatlume nga gjendja në të cilën ndodhemi. E megjithatë, pavarësisht nga gjithë sa parashtruam më sipër, lipset thënë se, i vështruar në thelbin, natyrën dhe prirjet që shpërfaq, stoicizmi mëton vërtet që të depërtojë në suazat e të menduarit pastërtisht filozofik, forma e tij e të menduarit shpërfaqet filozofike në kuptimin më të pastër dhe më autentik të fjalës.

Çdo njeri që ka arritur të përjetojë në mënyrë sa parake, po aq edhe burimore, gjendjet e fundme ekzistenciale, ka arritur, më së pari, që të zbresë deri në thellësitë e honshme të vetvetes, për të kërkuar atyre zonave, përmes dështimit dhe pranimit të tij si i tillë, vetë udhën dhe përmasën e qenies si e tillë. Ndërkaq, lipset të themi se vetë forma e përjetimit të dështimit në fjalë ka qenë me të vërtetë vendimtare për mendimtarin skepticist: një dështim i tillë, falë natyrës rrëshqitëse që shpërfaq, mund të vijonte të qëndronte i fshehur, larg vetëdijes apo ndërgjegjes së mendimtarit, dhe një gjasë e tillë do ta kishte shtypur keqazi, do ta vithiste në shtjellat e një dëshpërimi të mbramë, ndërkohë që, në rastin kur arrin ta pikasë dhe ta kuptojë drejtë, njeriu mund ta vështrojë një dështim të tillë në sy dhe ta thadrojë mirë në mendje dhe në vetëdije si shenja e kufirit, e cakut të pakapërcyeshëm të jetës dhe ekzistencës së vet; ndaj këtij kufiri, apo caku ekzistencial, njeriu mund të mëtojë disa rrugëdalje apo zgjidhje imagjinare, siç mund të mëtojë që ta pranojë dhe ta njohë si të tillë, me çiltërsi dhe qetësi shpirtërore dhe mendore, duke mbyllur gojën dhe duke mëtuar të kultivojë artin e heshtjes përpara të pashpjegueshmes.

Prej këndejmi, lipset thënë se forma se si i qaset dhe e përjeton një dështim të kësaj natyre përcakton në thelb natyrën dhe prirjet e të gjithë sa njeriu do të jetë në vetvete, sikundërse edhe të gjithë sa do të mëtojë që të shpalosë tek të tjerët. Në rastet kur përballet me gjendjet e fundme ekzistenciale, njeriu haset ja me asgjënë, ja parandjen gjithë sa ekziston me të vërtetë dhe në të vërtetë, pavarësisht natyrës rrëshqitëse dhe të përkohshme që shpërfaq ekzistenca e vetë botës brenda të cilës jeton. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se edhe vetë dëshpërimi, nisur nga fakti që shpërfaqet si një realitet i mundshëm dhe zë vend brenda botës sonë, në të vërtetë synon diçka tjetër dhe lëviz drejt një hapësire të përtejme, transcendentale, një hapësirë që gjendet përtej vetë botës. E shprehur me fjalë të tjera, qenia njerëzore mëton gjithnjë të vihet në kërkim të shëlbimit, të shpëtimit të vetvetes. Një shëlbim të tillë kanë rrahur të ofrojnë tërë besimet e mëdha universale (të mbarëhapësirshme dhe të mbarëkohshme), të cilat mbështeten fuqimisht tek realiteti i shëlbimit.

Tipari dallues i besimeve në fjalë qëndron tek prirja dhe misioni përkatës për t’i ofruar njeriut një siguri objektive në lidhje me të vërtetën dhe me realitetin e shëlbimit. Rruga drejt të cilës na shpërhapin besimet (fetë) e mëdha universale na shpijnë drejt një kthese vetjake në rrafshin etik dhe shpirtëror. Një kthesë të tillë të menduarit filozofik nuk është në gjendje të na e sigurojë. E megjithatë, pavarësisht kësaj, i vështruar në natyrën dhe thelbin e vet, të menduarit filozofik priret nga mëtimi për të shkuar përtej botës së gjësendeve, pothuajse njëlloj siç ndodh në rastin e hulumtimit të shëlbimit. Për të bërë një përmbledhje të gjithë sa jemi shprehur deri këtu: burimi i të menduarit filozofik lipset kërkuar tek habia, tek dyshimi, dhe tek ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë. Sidoqoftë, lipset thënë se të menduarit filozofik zë fill me tronditjen e thellë që qenia njerëzore përjeton përsëbrendshmi, dhe është pikërisht një tronditje e tillë ajo që e shtyn njeriun të ndjejë nevojën për t’i vënë vetes një qëllim apo synim. Ndjenja e habisë ishte gjithë sa i shtyu Platonin dhe Aristotelin që të hulumtonin për natyrën e qenies si e tillë. Luhatshmëria dhe natyra e pasigurt që shfaqnin gjësendet e shtynë Descartes-in që të hulumtonte për gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje. Vuajtjet dhe lëngatat që sillte jeta e përditshme i shtynë stoicistët që të hulumtonin për të gjetur rrugët që të shpinin drejt paqes dhe qetësisë së shpirtit dhe të mendjes.

Çdocili prej këtyre mëtimeve mbart të vërtetën përkatëse brenda vetes, të ndërveshur gjithnjë përmes pikëpamjesh dhe konceptesh historike dhe gjuhës. Ndërsa përpiqemi që t’i përvetësojmë të tilla forma të të menduarit filozofik, dora-dorës arrijmë të depërtojmë deri tek burimet dhe shtysat parake të të menduarit filozofik, syresh që vijojnë të gjallojnë ende brenda nesh. Të vështruar në natyrën dhe thelbin e tyre, këto burime dhe shtysa parake priren vazhdimisht të hulumtojnë për një themelësi të sigurt, të depërtojnë thellësive të qenies, për të rrokur kësisoj përjetësinë. E megjithatë, mund të ndodhë që, për ne, asnjë prej gjithë sa u shprehëm më sipër nuk është burimi më themelor, zanafilla më tërësore dhe më tërësuese. Kur qenia zbulon apo shpalos vetveten duke ngjallur brenda nesh ndjesinë e habisë, shpeshherë përballemi me një lloj frymëzimi apo gjallërimi, si të thuash, porse, nga ana tjetër, shpeshherë ndihemi të grishur të tërhiqemi nga bota e gjësendeve, për t’iu dhënë qashtërsisht një magjie metafizike. Ndërkaq, për të arritur gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje është çështje e njohjes shkencore, pikërisht asaj njohjeje përmes të cilës përpiqemi t’i japim një drejtim të caktuar vetvetes dhe jetës sonë brenda botës në të cilën gjendemi.

Vështruar nga ky drejtim, sjellja dhe qëndrimi që stoicizmi shfaq ndaj botës që gjallon jashtë është thjesht kalimtar dhe nuk vlen përpos se në rastet kur përballemi me ndonjë fatkeqësi, apo kur përpiqemi që t’i shpëtojmë rrënimit të tërësishëm, porse, pavarësisht kësaj, stoicizmi vijon të shpërfaqet i zhveshur nga çdo lloj përmbajtjeje apo shenje jete. Sidoqoftë, lipset thënë se këto tre shtysa, habia që na shpie drejt njohjes, mëdyshja që na shpie drejt sigurisë, dhe ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë, e cila na shpie drejt vetvetes, këto tre burime apo shtysa parake, pra, nuk përkojnë edhe aq me arsyet që na shtyjnë në kohët tona t’i jepemi të menduarit filozofik. Në kohët tona, që sa vijnë e po karakterizohen gjithnjë e më tepër nga një kthesë historike rrënjësore, në këtë epokë rrënimi të pashoq, kur rrugëdaljet fatlume mbeten ende të errëta, tre shtysat parake që trajtuam më lart vijojnë ende të mbeten të vlefshme, por të pamjaftueshme. Vlera dhe efikasiteti i tyre shfaqen të kushtëzuara, varen nga komunikimi mes njerëzve.

Në të kaluarën, mes njerëzve ekzistonin një mori lidhjesh të forta e të pamohueshme; ekzistonin bashkësi të qëndrueshme, institucione, ide dhe pikëpamje universale. Vështruar nga ky drejtim, madje, edhe njerëzit që jetonin të tërhequr, gëzonin deri diku mbështetjen e të tjerëve për këtë zgjedhje të tyre. Një nga simptomat më të dukshme të shpërbërjes nëpër të cilën po kalon mbarë shoqëria e kohëve tona vërehet qartazi në faktin se njerëzit sa vijnë dhe e kuptojnë gjithnjë e më pak njëri-tjetrin, takohen dhe ndahen me një lloj mospërfilljeje dhe pavramendjeje, aq sa mund të thuhet pa drojë se në kohët tona nuk ekziston më një bashkësi njerëzore e sigurt, një bashkësi që të mbështetet mbi ndjenjën e solidaritetit dhe ndershmërisë. Në kohët tona, gjendje në të cilën ndodhet mbarë njerëzimi, e cila ka ekzistuar përgjatë tërë historisë njerëzore dhe thuajse në çdo cep të lëmshit të dheut ku ka gjalluar jeta njerëzore, një gjendje e tillë universale, pra, sot duket se shpërfaqet e një rëndësie tejet të veçantë, madje, vendimtare. Më konkretisht, në kohët tona ndihen mjaft fuqishëm dilemat mes mundësisë dhe pamundësisë për t’u bërë njësh me Tjetrin në suazat e të vërtetës; besimi im, pikërisht në çastin kur ndihem i sigurt, fillon të bjerë ndesh dhe të përplaset egërsisht me besimin e njerëzve të tjerë; në kohët tona, në çdo vend dhe si kurrë më parë, vërejmë të gjallojnë një mori përpjekjesh të pashpresa për të arritur në një bashkim mes njerëzve, porse disa syresh shuhen shpejt, ndërkohë që disa të tjera synojnë ja nënshtrimin, ja asgjësimin e Tjetrit; ndërkaq, plogështia dhe kënaqësia pasive i shtyjnë njerëzit e zhveshur nga çdo lloj bindjeje ja drejt një bashkimi apo solidariteti të verbër, ja drejt sulmesh dhe fyerjesh po aq të verbra dhe të egra kundër njëri-tjetrit.

Një gjendje e tillë nuk mund të anashkalohet lehtë, pasi nuk është aspak e parëndësishme; do të kishte qenë e tillë vetëm në rast se do të kishte ekzistuar një e vërtetë që do të më bënte të ndihesha i plotë dhe i vetëmjaftueshëm brenda vetmisë apo jetës së tërhequr. Vuajtja që ndjej kur komunikimi me të tjerët është i papërsosur, apo kënaqësia e qashtër dhe autentike që më jep një komunikim i përsosur, nuk do të shfaqeshin aspak të tilla, në rast se në vetminë time do të ndihesha tërësisht i sigurt për të vërtetën. Porse, e vërteta është krejt ndryshe: në çdo vend dhe në çdo kohë, jam i shtrënguar të jem në një bashkëlidhje ekzistenciale me Tjetrin, pasi vetëm, në vetminë time, jam thjesht asgjë. Komunikimi i ndërsjellët që arrijmë të ngërthejmë, jo thjesht dhe vetëm nga të kuptuarit tek të kuptuarit, nga mendja tek mendja, por, më së pari dhe mbi të gjitha, nga ekzistenca tek ekzistenca, është e vetmja rrugë që na shpie drejt kuptimit dhe vlerave universale, në fund të fundit, drejt atij kuptimi dhe drejt atyre vlerave që nuk varen nga një njeri i vetëm, përkundrazi, janë të pavarura prej tij dhe gjallojnë përtej tij. Atëherë, nëse i vështrojmë nga ky drejtim, mëtimet për të gjetur përligjet e rastit, apo mëtimet për t’u hedhur në sulme dhe diskutime janë mjete jo për të fituar dhe vendosur pushtetin mbi Tjetrin, por për t’u afruar sa më tepër me Të. Fjala është për një debat, për një rrahje mendimesh që udhëhiqet nga parimet e dashurisë vëllazërore, ku çdo njeri ia dorëzon armët Tjetrit.

Siguria në lidhje me qenien e qashtër dhe autentike nuk qëndron tjetër përpos se në këtë formë komunikimi të hapur, ku liria qëndron ballë për ballë një tjetër lirie, lirisë së Tjetrit, duke u bashkuar lirisht me të në një formë diskutimi që nuk mbështetet në ide apo bindje të parafabrikuara, por, përkundrazi, vë në pikëpyetje gjithçka. Vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, shpaloset me tërë vërtetësinë e vet e vërteta tjetër; vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, arrijmë të jemi vetvetja; për më tepër, vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, nga thjesht dhe vetëm gjallesa, shndërrohemi në formësues dhe përmbushës të jetës si e tillë. Perëndia nuk e zbulon vetveten përpos se në mënyra dhe forma të tërthorta dhe vetëm përmes dashurisë së njeriut për njeriun; siguria e tërësishme dhe tërësore është e veçantë dhe, mbi të gjitha, e varur, e kushtëzuar nga e Tërësishmja.

Parë nga ky këndvështrim, qëndrimi dhe pikëpamjet e shprehura nga stoicizmi shfaqen të zbrazëta dhe të ngrira, pa kurrfarë jete. Rrënjët e këtij qëndrimi filozofikisht themelor që mëtova të shtjelloj deri këtu qëndrojnë të ngulura fuqishëm dhe në thellësitë e vuajtjeve dhe tronditjeve që sjell mungesa e komunikimit, sikundërse edhe tek nevoja që ndjejmë për ngërthimin e një komunikimi të qashtër dhe autentik dhe për mundësitë që lipsen stisur për t’i lënë një hapësirë sa më të gjerë diskutimit vëllazëror, i cili i hap udhën e nevojshme bashkimit të qashtër dhe të njëmendtë të një vetveteje me një vetveteje tjetër. Një synim e tillë filozofik e pikasim të rrënjosur edhe tek tre burimet apo shtysat e të menduarit filozofik që përmendëm më lart, të cilat lipset të merren parasysh dhe të trajtohen gjithnjë dhe pashmangshëm nën dritën e kuptimit dhe kahjeve – paqësore apo armiqësore – që shpalosin në drejtim të komunikimit mes njerëzve.

Prej këndejmi, mund të pohojmë me plot gojë se habia, mëdyshja, dhe përjetimi i gjendjeve të fundme janë me të vërtetë burime dhe shtysa parake të të menduarit filozofik, por, megjithatë, burimi më zanafillor i të menduarit filozofik qëndron tek vullneti dhe tek prirja për të ngërthyer dhe për të qenë i hapur ndaj komunikimit të qashtër dhe autentik, i cili përfshin në vetvete gjithë sa shprehëm më lart. Një vullnet dhe një prirje të tillë e vërejmë mjaft qartazi në faktin se filozofia – të tërë format e të menduarit filozofik – mëton të shfaqet një formë komunikimi; në fund të fundit, ajo shpreh vetveten, idetë dhe pikëpamjet e saj, dhe kërkon që zëri i saj të dëgjohet dhe idetë dhe pikëpamjet e saj të përcillen nga një vend në tjetrin, nga një brez në tjetrin, deri edhe nga një njeri në tjetrin. Kjo kahje për të qenë e përcjellshme, e komunikueshme, përbën vetë thelbin e të menduarit filozofik, dhe shfaqet i pandashëm nga e vërteta. Kështu që, për t’i dhënë fund këtij kapitulli, lipset të vëmë edhe një herë tjetër në pah, dhe t’i mëshojmë fort faktit se komunikimi është qëllimi më thelbësor dhe më parësor i të menduarit filozofik, dhe se tek komunikimi gjallojnë tërë rrënjët e qëllimeve dhe kahjeve të tjera të filozofisë, të tilla si: ndërgjegjësimi në lidhje me qenien si e tillë, ndriçimi i shpirtit dhe i ekzistencës njerëzore përmes dashurisë, apo arritja e qetësisë dhe paqes shpirtërore. /VirtualSophists / KultPlus.com

Rekuiem fëmijërisë

Poezi nga Sibel Halimi

Tri hallat e mia
braktisën kujtesën
ia dhuruan historisë me plot dashuri
zbrastësi çdo udhëtim i tyre
ndalur në kohën dhe hapësirën plotë hata e mjegulli

Tri hallat e mia
Nuk njoftën fytyrën e fëmijëve të tyre
Çdo ditë është takimi i tyre i parë

Tri hallat e mia
Stinët i futën dhe i fshehën
në valigjen e viteve
që i lëvizin njëtrajtshëm
Tokën, braktisur njerëzve
që lumturinë harruar kanë

Tri hallat e mia
I mbijetuan të tashmes
Duke lënë gjithçka rrugës së mëndafshtë të kujtesës

Tri hallat e mia po lozin, fisnike, të buzëqeshura, të brishta
shtrirë në dhomë fshehurazi mbajnë n’gji ikjen

…Në pasqyrë po e sodisin fytyrën
në vathë i valëvitet hareshëm vetëm fëmijëria

Tri hallat e mia
Vetëm në ecje mbajnë veten
Tanë jetën me ikë dikah nga koha.\KultPlus.com

AIDSSH: Censura ra më 5 janar 1991, pas dekadash shtypjeje

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit risolli sot në kujtesë 5 janarin 1991, ditën e botimit të gazetës “Rilindja Demokratike”.

Më 5 janar 1991, pas rreth pesë dekadash shtypjeje dhe censure të ashpër komuniste, mungesës së të drejtës për të folur, shkruar, ndarë idetë dhe opinionet pa u përballur me ndëshkimin, u botua numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, e cila u kthye në një tribunë refleksionesh mbi regjimin komunist e të shkuarës dhe mbi demokracinë e shumëpritur të së ardhmes.

Që në fillimet e instalimit të diktaturës, qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Mediet ishin të kontrolluara nga pushteti i kohës. Për përmbajtjen ideologjike të tyre kujdesej Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë për propagandën, shefi i sektorit të shtypit apo Drejtoria e agjitacion-propagandës.

Shtypi i shkruar dhe mediet, Televizioni dhe Radio ishin në shërbim të propagandës së shtetit.

Shtëpitë botuese, gazetat dhe revistat që botoheshin para ardhjes së komunistëve në pushtet u mbyllën. Revistat me emër si “Hylli i Dritës”, “Përndjekja Shqiptare”, jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese.

Një komision letrar në Lidhjen e Shkrimtarëve, hartoi listën e veprave të ndaluara prej autorëve shqiptarë të paraluftës. Në listën e të librave që u hoqën nga qarkullimi dhe autorët e ndaluan, u përfshinë dhe emrat më të njohur të kulturës shqiptare, si Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani etj.

Organet e shtypit u vunë në kontroll të Partisë Komuniste, më vonë Partia e Punës. Shtypi qendror përfshinte organin zyrtar të shtypit të Partisë,  “Zëri i Popullit”, si dhe gazeta të tjera “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Mësuesi”, “Drita”, “Luftëtari” dhe “Sporti Popullor”. Shtypi lokal përfshinte 27 gazeta. “Zëri i Popullit”, si organ qendror, si dhe gazetat lokale në dispozicion të komiteteve të Partisë së rretheve, ishin një element i rëndësishëm në propagandën e regjimin totalitar shqiptar.

Censura u shtri në të gjithë fushat e artit dhe jetës publike, me kontroll të rreptë mbi median, artin, letërsinë, kulturën dhe muzikën. Artistët dhe gazetarët u bënë objekt i përndjekjes dhe persekutimeve, si në rastin e Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion, kur udhëheqja e kohës dënoi festivalin dhe trupën artistike si një festival që përhapte kulturë borgjeze, duke dënuar, burgosur dhe dërguar në internim, një pjesë të madhe të trupës artistike.

Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, gazetari Trifan Gjika, Havzi Nela poetë, janë disa nga emrat që spikatën në fushën mediatike. Po liria e shprehjes në media e poezi i çoi ata drejt persekutimit, burgimit dhe vdekjes. Shumë të tjerë, piktorë, skulptorë, dramaturgë, aktorë, këngëtarë e përkthyes u përndoqën dhe burgosën për lirinë e shprehjes së tyre.

AIDSSH publikoi dokumentet që ish-Sigurimi i Shtetit krijoi (ka shumë të tillë) gjatë survejimit të emisioneve të Radio-Televizionit Shqiptar, në të cilën zëvendësimi i një dokumentari për Brigadën e 22-të Sulmuese me një emision shkencor për fëmijët konsiderohet “një skandal i madh politik”./ atsh/ KultPlus.com

Vendet që duhen vizituar gjatë vitit 2023

Evropa ka gjithmonë diçka për të ofruar. Dhe nëse jeni në dilemë se cilin vend do të vizitoni, ne po ju ofrojmë disa destinacione për t’ju ndihmuar të eksploroni kontinentin e vjetër.

Vendet evropiane kanë pasur kohë për të përsosur planifikimin urban dhe për të vënë nën kontroll transportin publik prandaj kjo e bën lëvizjen shumë të lehtë.

Udhëtarët mund të shijojnë një sërë pamjesh në një hapësirë ​​relativisht të shkurtër kohe. Nga arkitektura te qytetet unike dhe nga festivalet tek jeta e natës, nuk do të jeni aspak të kufizuar në zgjedhjet tuaja.

Gjithashtu, kufijtë e hapur të zonës Shengen bëjnë të mundur udhëtimin në pjesën më të madhe të Evropës me një vulë të vetme pasaporte në hyrje dhe dalje. Kjo përfshin shumë vende brenda Bashkimit Evropian si dhe vende bashkëpunuese si Zvicra.

Përmes këtij materiali po prezantojmë disa nga destinacionet më të mira në  kontinentin e vjetër dhe çfarë e bën secilin vend  kaq të veçantë.

Qyteti Hallstatt është një nga një nga vendet më të bukura në Austri, i cili po njeh mjaft popullaritet gjatë viteve të fundit. Qyteti alpin, i vendosur në bregun perëndimor të liqenit Hallstatt në rajonin malor Salzkammergut, është shtëpia e më pak se 1000 banorëve, që ofron një pamje të  jashtëzakonshme të Alpeve Austriake. Disa nga banorët më të dashur të qytetit janë mjellmat që kanë bërë shtëpinë e tyre në dhe rreth liqenit Hallstatt.

Zogjtë e famshëm u sollën në fund të shekullit të 19-të nga Perandoresha Elisabeth e Austrisë dhe bashkëshorti i saj, Franz Joseph i cili dikur zotëronte një vendpushim veror në këtë vend.

Ky qytet i vogël i fton vizitorët të humbasin në rrugët e tij shumëngjyrëshe, duke ofruar izolim dhe qetësi që nuk do ta gjeni në  qyetet e mbipopulluara në Evropë.

Nuk ka dyshim se qyteti i Pragës është një nga më madhështorët e Evropës. Pra, nuk është për t’u habitur se sa i zhurmshëm është kryeqyteti çek gjatë muajve të tij të ngrohtë.

I vendosur në zemër të Evropës, kryeqyteti i Republikës Çeke është një destinacion i preferuar për udhëtarët që janë të apasionuar pas qyteteve të  vjetra dhe arkitekturës. Ky qytet i madhështisë dhe kulturës së botës së vjetër mund të duket edhe më i bukur nën petkun e dëborës.

Ketu mund të vizitoni Kalanë e Pragës, e cila shërbeu si rezidencë për mbretërit dhe presidentët çekë. I gjithë kompleksi është i madh, aq sa  ka hyrë në Librin e  Rekordeve Guinness si kompleksi më i madh i kështjellës antike në botë.

Katedralja e Shën Vitit apo ura e Karlit i japin mundësinë çdo vizitori të prekin copëza nga e kaluara.

Por Praga mund të jetë fare mirë edhe një destinacion argëtues për shkak të festave dhe birrave të famshme. Nuk duhet shmangur as tregu i famshëm evropian i Krishtlindjeve, ku çdo vizitor mund të shijojë frymën festive të qytetit me pije sezonale si vera e nxehtë dhe pijet lokale.

Kryeqyteti baltik Talin është një qytet  përrallash. Mundësia për të bërë patinazh në akull në këtë vend është një mënyrë mjaft e mirë për të përballuar temperaturat e ulëta. Por nëse nuk ku pëlqen kjo zgjedhje mund të zgjidhni një sauna ose një spa të mirë.

Sigurisht, ekziston gjithmonë mundësia për t’u ulur në një bar apo kafene dhe për të parë borën që bie nga dritarja. Për të prekur kulturën e vendit mund të konsumoni ushqim në të ashtuquajturin Sheshi i Bashkisë së Talinit që ka  qenë zemra e qytetit për më shumë se tetë shekuj. Këtu stafi shërben me kostume dhe muzikantë që luajnë melodi të vjetra.

Por Talini është plot me hapësira të gjelbra ku vendasit dhe vizitorët mund të pushojnë, të kalojnë kohë dhe të shijojnë kafen e tyre. Ndër shumë parqe të mrekullueshme i veçantë është edhe ai i Pallatit Kadriorg i porositur nga Pjetri i Madh për të nderuar gruan e tij, Katerina.

Një përzierje e pemëve dhe livadheve të zbukuruara me kujdes sipas stilit  italian, francez dhe holandez bën që çdo cep i këtij parku të ofrojë një ndjesi tjetër.

Abisko është një fshat i vogël në pjesën veriore të Suedisë dhe shtrihet brenda Rrethit Arktik. Peizazhi është i mrekullueshëm, i përbërë nga male dhe pyje të bukura që ruajnë bukurinë e tij në të gjitha stinët gjatë gjithë vitit.

Në Abisko mund të shihni për të ashtuquajturat dritat  e veriut, një spektakël i vertetë ngjyrash. Qielli është i kthjellët në shumicën e ditëve të vitit, kështu që për të parë  këtë fenomen natyror duhet që qielli të jetë  i pastër dhe kjo është pikërisht  ajo që ofron ky fshat suedez.

Për më tepër, vendndodhja e Abisko bën që ky vend  të jetë i përsosur për të pare këtë fenomen natyror. Të shohësh dritat e veriut është me të vërtetë një përvojë magjike dhe mbetet magjepsëse sepse është  një përvojë ndryshe çdo here.

Budapesti është mjaft i famshëm në ditë të ftohta për ujërat e tij termalë. Një nga pseudonimet që ka kryeqyteti hungarez është “Qyteti i banjove termale” për shkak se në  kryeqytet ka rreth 120 të tilla.

Të parët që i përdorën ishin romakët dhe ende mund të shihni copëza nga historia në  një prej banjave publike të quajtur Thermae Maiores.

Të radhës që shijuan burimet e nxehta ishin osmanët dhe çuditërisht, disa nga banjat që ata ndërtuan janë funksionale edhe sot. Në fillim të shekullit të 20-të, Perandoria Austro-Hungareze ndërtoi disa nga banjat më ekstravagante.

Historia e gjatë e Budapestit mund të shihet fjalë për fjalë në stilet arkitekturore të ndërtesave që të lënë pa frymë. Stili barok vërehet në shumë fasada. Kjo është një nga format më të përhapura të arkitekturës në Budapest dhe dy nga shembujt më konkretë të këtij stili janë Kisha e Shën Anës dhe Pallati Mbretëror.

Artdashësit nuk duhet të humbasin Muzeun e Arteve të Bukura, Galerinë Kombëtare Hungareze apo Muzeun e Artit Bashkëkohor Ludwig. Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, Hungaria nuk  përdor euron, kështu që çmimet janë dukshëm më të ulëta se në vendet e tjera të BE-së që kanë monedhën e përbashkët.

Barcelona në dimër ka përfitimet e veta. Si fillim, qyteti është pak më i ngrohtë se kudo në Evropë, kështu që të kalosh kohë jashtë nuk do të jetë aq e vështirë.

Plus, vizita në  këtë stinë bën që të shmangni numrin e lartë të turistëve që  vijnë për të parë Barcelonën. Kështu do ta keni më të lehtë të vizitoni vende të tilla si Casa Batlló ,një nga monumentet më të famshme në Evropë.

Cilat do qofshin arsyet tuaja për të vizituar Barcelonën në dimër, duhet të bëni një shëtitje përgjatë La Rambla. Lagja gotike në veçanti është e denjë për t’u eksploruar dhe shtëpitë atje janë shumë të ndryshme nga dizajni i shtëpive të tjera në Spanjë, veçanërisht ato në jug, siç janë ndërtesat andaluziane në Sevilje.

Një arsye tjetër për të vizituar qytetin në dimër janë çmimet. Duke qenë se ka më pak turistë në këtë stinë të vitit dhe kërkesa është më e ulët, do të mund të gjeni shumë më tepër oferta dhe të shijoni vendet më emblematike në mënyrë më ekonomike.

Nuk është patjetër nevoja që ta laheni në plazhet spanjolle për t’i shijuar ato. Ka fusha volejbolli dhe futboll pranë ku mund të bashkoheni me vendasit për një ndeshje.

E meqë jemi tek plazhet, riviera jonë shqiptare po promovohet gjithnjë e më shumë nga mediat e huaja. Lonely Planet, botuesi më i madh i udhërrëfyesve turistikë në botë, i cili zbuloi së fundmi destinacionet më interesante për t’u vizituar gjatë vitit 2023 futi në listën e saj edhe Shqipërinë.

“Në disa vende mund ta nisësh ditën në mal dhe ta përfundosh në det. Bukuria natyrore e Shqipërisë do t’iu lërë pa frymë. Shqipëria mund të fitojë një vend në listën tonë më të mirë në udhëtim për t’u çlodhur, por kur ecni nëpër malet e saj, pa dyshim që do të keni më shumë kohë për t’u lidhur me njerëzit që jetojnë atje”, përshkruan udhërrëfyesi global.

Lonely Planet ka sugjeruar një udhëtim katër ditor me disa ndalesa. Për udhëtarët që duan aventurën duhet që ta nisin me Shkodrën, me një nga qytetet më të vjetra në botë. Një ditë e bukur mund të nisë me një vizitë në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi. Përmes këtij muzeu mund të shihen imazhet e jetës së fshatit një shekull më parë.Pas konsumit të ushqimeve tradicionale dhe shëtitjeve, nuk duhet humbur vizita në Kalanë e Rozafës, për të cilën askush nuk e di se sa të vjetra janë themelet e saj.

Nga Shkodra mund të shkohet në Valbonë, jo më larg saj është edhe Thethi. Bujtinat në këtë vend janë me një stil tradicional. Në mëngjesin e ditës së katërt nuk duhet të mungojë një udhëtim në Syrin e Kaltër.

Megjithatë cilidoqoftë destanacioni juaj rëndësi ka të udhëtoni pasi siç shprehej edhe shkrimtari Hans Kristian Andersen të udhëtosh do të thotë të jetosh./ KultPlus.com

Jetoj brenda syve të tu

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
Humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?
Për të djeshmen time ti mund të pyesësh një lumë,
dy lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.
Krejt e kotë.
T’i lëmë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme./ KultPlus.com

DRTK Shkodër inspekton projektet e konkursit “Art në Hapësira Publike”

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se ka nisur puna për inspektimin në terren të projekteve fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike”, koordinuar nga Ministria e Kulturës në mbështetje të artistëve të skenës së pavarur.

Aktualisht ka nisur puna me instalimin e veprës artistike “Zabel” me autor Sadik Spahinë, në rrethrrotullimin në dalje të Koplikut.

Përzgjedhja e 3 veprave, mes 132 propozimeve të artistëve vendas dhe nga vende të ndryshme të botës, dedikuar hapësirës në rrethrrotullime në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, shënon një moment të rëndësishëm sa i përket arredimit urban por edhe shërben për të përcjellë një imazh tjetër portës hyrëse veriperëndimore të vendit./atsh/ KultPlus.com

Kujtimet e Kolë Verrit për Pater Anton Harapin

KUJTIMET E KOLË VERRIT PËR PATER ANTON HARAPIN, SESI U STREHUA NË DUKAGJIN DHE DITËT E FUNDIT TË TIJ PËRPARA DORËZIMIT

Në periudhën e pandemisë Covid-19 (kur i gjithë vendi ishte në karantinë) hapa dosjet e punës dhe më ra në dorë një fletore me kapakë të blertë dhe sipër shkruhej: Kolë Verri (Pepa). Si nuk e kisha marrë në dorë?! U habita me veten time. Puna që bëra me librat për persekutimin e femrës në Shqipëri gjatë viteve 1945-1991, nuk më dha mundësi të merresha me këtë material. I kërkoj të falur z. Kolë Verri për vonesën…

FATBARDHA MULLETI SARAÇI

MESHA E FUNDIT

Vjeshtë 1945- Banorët besimtarë të Dukagjinit po përgatiteshin për të festuar natën e Shën-Kollit.

Në të gjithë krahinën dukeshin re të zeza, po shtoheshin për ditë dhe priteshin që shtërngatat komuniste të vazhdonin njëra mbas tjetrës, sejcila ma e pashpirtshme se tjetra.

Brigadat (e të pafeve) komuniste mbasi kaluan nëpër Shalë dhe Shosh, po i drejtoheshin bajrakëve të Pultit duke bërë shantazhe dhe reprezalje, në këtë krahinë të papërkulur edhe në kohën e pushtimit otoman si dhe të sulmeve shoviniste serbo-malazeze ndër shekuj.

Më 5 dhjetor 1945 në natën e Shën- Kollit- Shytan Lulashi kaloi nëpër katundin Kir dhe ndaloi tek frati i këtij fshati, mbasi ishte vllai i Patër Gegë Lumaj, i cili ishte arrestuar nga forcat e ndjekjes dhe donte të dinte mos ka ndonjë lajm për të.

Në këtë kohë pritej se do të vinin forcat e ndonji brigade nga mali i Shoshit, prandaj duhej larguar nga ai vend Patër Anton Harapi, i cili kishte ardhur nga Shkodra deri tek kisha e fshatit Prekal dhe Lulash Noshi e dërgoi në kishën e Kirit për strehim.

Shytan Lulashi e mori me vete Patër Anton Harapin. Pra natën e Shën Kollit Patër Anton Harapi vjen në Plavra të Planit.

***

Plavrat janë në të djathtë të bregut të fshatit Kir.

Kanë qenë gjashtë shtëpia dhe banorët e saj ishin: Gjek Deda, Let Putani, Martin Leka, ndërsa Shytan Lulashi dhe kushëriri i tij ishin banues të përhershëm bashkë me

shtëpinë tonë. Prekë Marashi, si dhe Prek Ndoj gjysëm i përhershëm këto ishin tre kullat e Plavrajve, pak të shmanguna nga shtëpiat e tjera të fshatit Plan.

Të nesërmen u bashkuan Shytan Lulashi, Mark Kola dhe Prek Ndou, të cilët menduan se vendi më i mirë për të strehuar Patër Anton Harapin është shtëpia e Prek Marashit dhe kështu ditën e Shën Kollit Patër Anton Harapi erdhi në shtëpinë tonë (Prekë Marash Verri).

Na lajmëruan se po vinin forcat e ndjekjes dhe duhej ta largonim Patër Antonin nga shtëpia bashkë me bagatit në mal.

Ai u vesh me një gazhup (lëkur deleje) dhe në kokë vendosi një kësulë si dhe u pajis me kmesë (një llojë spate) dhe vazhdoi të ecte mbas dhive. Në mbrëmje kthehej në shtëpi dhe ngarkohej me dru të thatë, si vepronin barinjtë e tjerë.

Gjatë largimeve në mal zakonisht e shoqëronte Gjoni, mbasi Ai ishte çobani i dhive, ndërsa unë isha çobani i deleve.

Qëndrimi në Plavra u bë në shtëpinë tonë, sepse kulla ishte më afër malit dhe ishte mundësia më e mirë për tu larguar. Dimri ishte shumë i ftohtë, bora ishte mbi dy metër dhe mundësia për t’u larguar ishte e pamundur.

Për t’u siguruar nga kontrollet e shpeshta që bënin forcat e ndjekjes, hapëm një bodrum në vathën e lopëve, që ta kishim të gatshëm për çdo çast.

Një ditë janari bora kishte filluar si gjithnjë në këto anë. Mbasi bora pushoi dhe kishte ngrirë, na lajmëruan se po vinin forcat e ndjekjes për kontroll për armët pa leje.

Në këtë kohë ishte e pamundur me u nis për në mal dhe u detyruam me hapë bodrumin, i cili ishte si varr dhe i sikletshëm me jetue në të, mbasi duhej të qëndronte disa orë i mbyllur në dhé (nën tokë), i mbuluar me rrasë guri dhe sipër mbuluar me pleh.

Erdhën forcat e ndjekjes e kontrolluan sa me kalu rradhën, mbasi mësuan se një pjesëtar i familjes sonë ishte partizan.

Në kohëm e parë forcat e ndjekjes caktuan që çdo familje do të caktonte një familjar të shkonte me forcat partizane ( për t’i shërbyer pushtetit). Në këtë kohë caktuan Prekën, por mbasi ishte kryetar i familjes, morën Lekën në vendin e tij.

Forcat e ndjekjes pasi hëngrën e pinë, u larguan në anën tjetër të lumit Kir. Sa u siguruam që nuk ka ndonjë rrezik, erdh Mark Kola, larguam plehun, hoqëm rrasën e gurit dhe e ngjitëm lartë të strehuarin. E gjitha kjo vazhdoi dy orë e gjysëm.

Gjatë qëndrimit në bodrum tregon Patër Anton Harapi:- Kam kaluar çaste të tmerrshme, nga një anë kisha frikë se mos kishin ndonjë dyshim dhe do të zbulohej e nga ana tjetër i futun në vorr për së gjalli, se dhe era e plehut banin punën e vet.

Kjo punë përsëritej sa herë na lajmëronte Prek Ndou, i cili në ato fillime bënte detyrën e Këshillit të fshatit Plan.

Në kohën që në shtëpinë tonë erdh Patër Anton Harapi u lajmërua dhe Frati i Planit, që në atë periudhë ishte Patër Daniel Gjeçaj. Ai erdhi e takoi, por vinte rrallë. Ai dërgoi rrobat që i nevojiteshin për me çue meshë në shtëpinë tonë.

Kryesisht meshën e çonte për tre familjet tona, ndërsa rrallë shkonim dhe në kishën e fshatit, që të mos kuptohej mungesa e jonë.

Gjatë muajit maj që ishte muaji i Zojës, në katundin tonë çohej meshë në çdo mbrëmje, kjo ishte dhe për Patër Anton Harapin, si detyrë shpirtërore, me çue meshë, pavarësisht nëse kishte besimtarë apo jo.

Ne (si familje) shkonim në meshën e fshatit në mënyrë që të mos kishte ndonjë dyshim të çastit.

Mesha e fundit në shtëpinë tonë asht çue nga ana e Patër Anton Harapit në fundin e muajit maj 1946, dhe kanë marrë pjesë: Mark Kola, Prek Ndou, Shytan Lulashi familjarisht dhe familja e jonë Verri (Pepa).

Z.Kolë tregon:- Kishte gjashtë muaj që shtëpia jonë ishte bërë Kishë dhe çdo natë kishte meshë. Në këto meshë ka marrë pjesë dhe frati i Planit Pater Daniel Gjeçaj, i cili pas disa vitesh u arratis jashtë shtetit (jetoi si mërgimtar deri në vdekje, varrimi i tij u bë në Shkodër me të gjithë nderimet e duhura nga populli i Qarkut Shkodër, kuptohet pas vitit 1991).

Me datën 4 qershor 1946 po afrohej buza e natës dhe Çun Ndout i kishin mbetur delet në mal dhe doli me i kërku. Gjatë kohës që po kërkonte delet, sheh se në vendin e quajtur Mbas Kryqja kishin ardhur forcat e ndjekjes dhe po pritnin që të errej dhe të vijonin urdhërin për veprim.

Ato kishin ardhur nga fshati Kir-Pogë dhe i ishin drejtuar Planit. Kishin marrë me vete një udhërrëfyes për deri në Kodër- Kujës pak më lart (rreth njëzet minuta) mbi shtëpinë në Plavra.

RRETHIMI

Mbasi u err, ra nata, forcat e ndjekjes që ishin parë në muzg kanë dalë në Kodër-Kujë, kanë marrë një anëtar të Këshillit për të treguar rrugën, për të zbritur tek shtëpia e jonë, që ishte pranë pyllit me verra, një pyllë shumë i dendun.

Në bazë të të dhënave që kishin, janë shpërndarë, për me i qendrue rezistencës, që mund të kishin nga të rrethuarit.

Shtëpia e jonë ishte e para në zbritje të pyllit për në Plavra.

Është bërë rrethimi i shtëpisë dhe janë drejtuar tek dera e shtëpisë, duke kërkuar hapjen e saj.

Derën kemi vonuar me e hapë, mbasi urdhëresat e komunikuara thonin që pa qenë prezent Kryetari i Këshillit, të mos i hapej dera kërkujt.

Gjatë kësaj kohe Patër Anton Harapi zbriti nga një shkallë e vogël dhe është futur në bodrum, e mbuluam me rrasën e gurit, sipër i hodhëm pleh dhe kashtë misëri, ndërsa lopa që ishte aty është ulur dhe ka fjetur sipër bodrumit.

Në këtë kohë, vëllai im Preka është shtrirë në shtratin ku flinte Patër Anton Harapi.

Një anëtar i Këshillit që i shoqëronte ka thirrur pas dere në ballkon dhe kërkonte të hapej dera, se jeni të rrethuar nga forcat e ndjekjes.

Nana ime Pashka ndezi pishën (kjo ishte drita jonë në të gjithë krahinën) dhe hapi derën.

Kanë hyrë brenda në shtëpi dhjetë deri në njëzet partizanë me armë në dorë.

Kontrolluan nëpër shtëpi, kanë hapur arkën e rrobave të nënës, kanë vrojtuar vathën e lopëve e të dhive, se delet ishin jashtë.

Morën me vete vëllain tim, Prekën, dhe janë drejtuar për në qendër të fshatit që ishte Kisha e Planit.

Sa po u larguan forcat rrethuese ka ardhur Mark Kola bashkë me Gjonin, kanë hapur bodrumin, nxorrën fratin, të cilin e kanë çuar mbi shtëpi, në pyllin e verrave.

Gjatë natës e kanë torturuar Prekën, kanë bërë me të çfarë i ka ardhur në mendje. E kanë torturuar shumë. Ai nuk ka treguar asgjë.

Në mëngjes Patër Anton Harapi ka thënë :- Due me u dorëzue vullnetarisht, tue marrë parasysh se nuk kam ba ndonji të keq ndaj Atdheut dhe askujt, veçse kam predikue tanë jetën paqe dhe dashuni për njerëzimin.

Sa u dha lajmi se Patër Anton Harapi është dorëzuar, nga forcat e ndjekjes krisi pushka tek Kisha e Planit dhe në të gjithë krahinën ishin shpërndarë forcat ndëshkimore komuniste.

Ne këtë kohë kanë arrestue Prekë Marashin, nanën tonë Pashkë Zefi, gjithashtu kanë arrestue Prek Ndoun që ishte i pari i bajrakut të Planit, si dhe Mark Kolën djalin e axhës të Shytanit dhe patër Gegës.

Të nesërmën janë kthyer forcat ndëshkuese në shtëpinë tonë, kanë arrestue dy vëllezërit Gjonin e Prelën si dhe motrën Lulën, ndërsa unë- Kola, në rrëmujë e sipër

munda të largohem, pasi ato e kishin mendjen me plaçkitë, duke marrë dhen, dhi dhe katër derra.

Qendra e Dukagjinit ishte larg, me ecë në këmbë duhej tetë orë.

Prek Marash Verrin e kishin torturuar tmerrësisht, s’ishte në gjendje të ecte, e kanë hipur në mushkë, për ta dërguar në Degën e Punëve të Brendëshme, që në atë kohë ishte në Kodër Shëngjergj.

Edhe Patër Anton Harapit i siguruan një mushkë për transport (si i moshuar). Rrugë automobilistike nuk kishte.

Të tjerët i kanë lidhur dhe i kanë ruajtur me armë gjatë gjithë rrugës, sepse po atë ditë janë arrestuar dhe familje të tjera në fshatin tonë dhe kështu ishte bërë një karvan i gjatë, që të shtinte tmerrin. Një rrugë e mundimëshme nga Plani deri në Kodër Shëngjergj. Gjatë periudhës që qendruan në hetuesi të Dukagjinit janë përdorur të gjitha torturat e mundura.

Më vonë i përcollën të lidhur dy nga dy me litarë nga Kodër Shëngjergji deri në Theth, aty i priste karvani i shoqëruesve me makina.

Gjatë udhëtimit që zgjati tetë deri në dhjetë orë i kanë sharë. (Ishte një grumbullim i detyruar nga forcat e ndjekjes).

Sapo janë paraqitur në Shkodër janë veçuar nëpër hetuesi të ndryshme, sepse Shkodra ka pasur shumë burgje në atë kohë.

Shkodra u kthye në qytet më shumë burgje…

Mbasi përfundoi hetuesia i nxorrën në gjyq.

Patër Anton Harapin e veçuan nga strehuesit.

Gjyqi dënoi:- Prek Nduen me vdekje, me pushkatim.

-Prek Marash Verrin dhe Mark Kolën Plavrën i dënuan me 101 vjet, ndërsa nanën tonë Pashka Zef Verri 30 vjet burg, ndërsa Gjon, Prel dhe Lula Marash Verrin i kanë mbajtur në paraburgim tetëmbëdhjetë muaj, pastaj i kanë liruar si të mitur, dmth ishin minorenë.

***

Unë Kolë Verri kur vuaja dënimin në Kampin e Punës, një ndër komandantët e kampit me gradën kolonel kishte qenë komandant i një njësie të repartit në Dukagjin, tregonte mënyrën e rrethimit të zonës operative.

Ai thoshte:- “Patër Anton Harapi kishte organizuar të gjithë zonën e Dukagjinit dhe kishte lidhje me grupet e rezistencës së Dukagjinit duke pasur dhe përkrahjen e shumë ushtarakëve të kohës së Zogut, për të luftuar forcat komuniste.”

Këto i thoshte dhe në prezencën time, sidomos kur vinin udhëheqësit e kohës nëpër veprat që ndërtonim ne të burgosurit politikë.

Ai vazhdonte të thoshte :- “Kam bërë luftë të tmerrshme me tradhëtarët e vendit, sidomos në Plavra të Planit, për të kapur Patër Anton Harapin.”

Të gjitha ishin vetëm mburrje, se në të vërtetë nuk është shprazur asnjë pushkë për arrestimin e Patër Anton Harapit. Ai ishte dorëzuar vetë në qershor 1946.

***

KUSH ISHTE PATËR ANTON HARAPI

Lindi në Shirokë, Shkodër, më 5 janar 1888. Studimet e larta i vazhdoi në Tirol, Salzburg e Shvarc, Austri për teologji. Studioi në fakultetin teologjik të Universitetin të Innsbruck dhe për filozofi në Universitetin e Vjenës.

Shërbeu në Grudë, Hot e Triepsh. Së bashku me banorët e kësaj treve përgatiti kërkesën me dyqind nënshkrime dhe me 14 nëntor 1918 ia dorëzuan Fishtës dhe Gurakuqit, për t’a transmetuar në Konferencën e Paqes në Paris, që të mos lejohej kalimi i këtyre trojeve Jugosllavisë.

Ishte dashamirës me njerëzit që takonte, ishte ndër klerikët më të ditur, orator i shquar, që nderoi Kishën dhe Atdheun, me fjalë, vepra e shkrime.

Ishte njeri nga katër “regjentat”, që u emërua në krye të shtetit gjatë pushtimit gjerman. Këtë vendim e mori me pëlqimin e autoriteteve kishtare.

Strehohet në zonën e Dukagjinit dhe nga dhjetori i vitit 1945 deri me 5 qershor 1946 u strehua në Plavra, në familjen e z.Prekë Marashi dhe zonjës së shtëpisë Pashka Zefi.

Gjykohet dhe dënohet me vdekje.

Fjala e fundit e tij:

Zoti Kryetar, Ju falemnderës që po m’epni rasën me thanë fjalën t’eme të fundit. Nuk shembet Shqypnija pse gjykohet me vdekje Patër Anton Harapi, kshtu ma merr mendja se nuk prishet Shqypnija po mos gjykohet me vdekje Patër Anton Harapi.

Ka dyzet vjet që po mundohet për kët Shqypni, për me ja çue nalt nderën, me i mbrojtë të drejtat e saja t’shejta dhe me i ngrejtë nalt gjuhën dhe letërsinë e sajë.

Në rrugën tonë kena has keqbasë e ngatrrestarë, por nuk i kena vu në plumb, as në konop, por kena pasë tolerancë Zotni kryetar…

Unë u futa në gojën e atyne ujqëve të tërbuem siç ishin Hausdingu dhe Fitzami, por jam i lumtur që prej çapenjve t’tyne kam shpëtue me mija jetë Shqyptarësh.

Rroftë Shqipnia dhe Patër Anton Harapin.

Në çastet e fundit xhelatët që e ekzekutuan në zallishte…, i kish bekuar.

Njollosja e kujtimit ishte një nga armët më të mprehta, që përdori komunizmi shqiptar kundër tij, ashtu sikundër atyre martirëve-të vdekur a të gjallë- të cilët guxuan të mos i nënshtroheshin.

Botoi shumë shkrime në “Hylli i Dritës”(1930-1936) si “Urti e burrëri ndër banorët e Cemit”, tek “Shna Ndou”; shkrime me burime nga psikologjia popullore dhe tek “Ora e Maleve” ishte inisiator dhe kryetar nderi i saj. Shkroi:Valë mbi Valë, Shkrime në prozë. Përktheu veprën e Anton Herget “Edukata ose mirërrijtja e fëmivet (1925).

Në 2003 –Në Prishtinë tek “Shpresa & Konica” u botuan veprat e Pater Anton Harapit, në pesë vëllime. Veprat e Harapit për Harapin titulluar “Shqyptari dhe bota e tij”, “Valë mbi Valë”, “Andrra e Pretashit”, “Vlerë shpirtërore”, dhe “Të tjerët për veprat e Harapit”.

Simbas Pater Anton Harapit: Marëdhëniet shoqërore nuk ecin në rrugë të drejtë, komunikimi dhe bashkëveprimi, si pasojë e egoizmit të tepruar, shndrrohet në fanatizëm, në idhujtari të ideve personale.

Pater Anton Harapi vertetonte se Religjioni nuk është i dëmshëm për shoqërinë as për organizimin e shtetit dhe formon mendje të mprehta.

Për çështje të tre elementave fetarë në Shqipëri ai pohon:” Shqiptarët po qenë vërtetë të qytetëruar e nacionalista të sinqertë, po besuan për nji mend në një zot të vërtetë, nuk kanë se si mot të rrojnë (jetojnë)vëllazërisht shoq me shoq dmth me njeri tjetrin. Duhet të dallojmë dallimin e thellë ndërmjet fanatikut e njeriut me karakter.

Njeriu me karakter ngul këmbë për parim të arësyeshëm, që mund të kuptohet prej tjetrit, sepse ka si cak arsyen, ndërsa arsyeja e fanatikut nuk ka kurrëfarë caku.

Prandaj për të jetuar paqësisht së bashku, pohon Patër Antoni, nuk do me thënë me heqë besimin, me bindjen se tue hequr besimin, shrrënjosin fanatizmin, si armiku kryesor i shoqërisë njerëzore.

Nuk mjafton me thënë se jemi besimtarë, vetëm se kemi trashiguar fenë prej të parëve, por duhet të justifikojmë besimin përballë vetes dhe mandej këtë besim ta kemi shtyllë kryesore të jetës. Kjo është kultura fetare sipas tij, duke nënvizuar se njeriu me ndërgjegje

fetare, është dhe qytetar i mirë, i ndërgjegjshëm, i devotshëm, që mbron pasurinë e përbashkët, nuk vjedh as nuk dëmton.

Elementi tjetër, që krijon kulturë fetare e bashkëveprimi ndërmjet përfaqësuesve të feve të ndryshme, është nderimi ndaj bindjeve të të tjerëve.

Pse e pranoi Regjencën

Këtë detyrë e pranoi që të pushojë lufta civile në Shqipëri, të mos vriten vllai me vlla, të krijohet një forcë shtetërore për të ruajtur Shqipërinë nga shkatërrimi. E pranoi detyrën për me i shërbye idealeve të jetës së tij, binomit Fe e Atdhe.

Ai nuk e mori detyrën e Regjentit në emër të karrierës personale apo titull personal. I gjithë aktiviteti i tij politik u krye me pelqimin e autoriteteve fetare.

Komunistët e pushkatuan Patër Anton Harapin, pse e shikonin si pengesë serioze në marrjen e pushtetit e sidomos për mbajtjen e tij, derisa të realizonin veprën e tyre shkatërrimtare.

Lum kush studion veprën e tij !

Këshillat e Umberto Eco që do t’ju bëjnë të reflektoni për jetën tuaj

Shkrimtari i njohur botëror Umberto Eco i la “amanet” nipit të tij para vdekjes disa letra dhe këshilla të cilat juve do t’ju bëjnë të reflektoni shumë për jetën tuaj.

“I dashur nip, nuk do të dëshiroja që kjo letër krishtlindjesh të tingëllonte shumë e sheqerosur (deamicisiana, term sipas librit të autorit De Amicis “Zemra”) dhe të kujtonte ty këshilla për dashurinë ndaj të afërmve tanë, për atdheun, për botën, apo gjëra të ngjashme. Nuk do t’ua vije veshin dhe në momentin e vënies në praktikë (ti i rritur dhe unë i thyer në moshë), sistemi i vlerave do të jetë kaq shumë i ndryshuar sa mundet që rekomandimet e mia të duken jashtë kohe.

Kështu që do të preferoja të ndalesha në një rekomandim të vetëm, të cilin do jesh në gjendje që ta vësh në zbatim edhe tani, teksa je zhytur në iPad-in tënd; por as nuk do të bëj gabimin që mos të ta këshilloj këtë gjë, jo për faktin se do dukesha një gjysh harraq dhe nopran, por sepse atë e bëj edhe unë.

E shumta mund të të rekomandoj, që nëse rastësisht në internet, kalon nëpër ato qindra faqet porno që tregojnë në mijëra mënyra raportin mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se ai është seksi, edhe ashtu i shfaqur shumë monoton; kjo sepse bëhet fjalë për një inskenim, i cili synon të të detyrojë të mos dalësh nga shtëpia dhe të shohësh vajzat e vërteta.

Nisem nga parimi se ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd. Por shikoji vajzat, në shkollë apo aty ku shkon për të lozur, sepse janë më të mira ato të vërtetat, sesa ato femrat televizive; dhe një ditë do të të japin kënaqësi shumë më të mëdha sesa ato online.

Besoji atij që ka më shumë eksperiencë sesa ty(dhe nëse do të kisha parë vetëm seksin në kompjuter yt atë nuk do kishte lindur kurrë dhe ti kush e di ku do ishe, përkundrazi nuk do ishe fare). Por nuk është kjo, ajo për të cilin doja të të flisja, më tepër sesa për një sëmundje që ka goditur brezin tënd dhe madje edhe atë të djemve më të rritur sesa ty e që ndoshta shkojnë në universitet.

Kjo është humbja e kujtesës. Është e vërtetë se nëse të shkon në mendje të dish se kush ka qenë Karli i Madh apo ku bie Kuala Lumpuri nuk të duhet veçse të shtypësh ndonjë tast dhe menjëherë interneti do të
ta thotë.

Bëje këtë gjë kur duhet, por pasi ta kesh bërë, mundohu të kujtosh çfarë të është thënë për të mos qenë i detyruar që ta kërkosh për herë të dytë nëse do të jetë e domosdoshme, qoftë edhe për një punim në shkollë. Ka rrezik që ndërkohë që ti mendon se kompjuteri mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen e të nxënit vetë.

Do të ishte njësoj sikur, duke ditur se për të shkuar nga një rrugë në tjetrën, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të zhvendosesh pa u lodhur(që në vetvete është shumë komode dhe bëje sa herë që nxiton) mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, bëhesh pastaj “i aftë tjetërsoj”, siç thuhet sot për ata që janë të detyruar të lëvizin me karrocë me rrota.

Dakord, e di që merresh me sport dhe kështu vë në lëvizje trupin tënd, por të kthehemi te mendja jote. Kujtesa është një muskul si ata të këmbëve, të cilën nëse nuk e ushtron rrudhet dhe ti transformohesh (nga këndvështrimi mendor) me një tjetër lloj aftësie, pra, që të flasim qartë, një idiot. Për më tepër, sikurse për të gjithë ekziston rreziku që me plakjen vjen edhe Alzheimeri, një nga mënyrat që të shmanget ky incident i pakëndshëm është të ushtrosh memorien.

Dhe ja cila është dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër. Mirë do ishte të bëje ndonjë garë edhe me miqtë e tu për të parë se kush mban mend më shumë. Nëse nuk e pëlqen poezinë atëherë bëje këtë me formacionet e futbollistëve, por kujdes, sepse nuk duhet vetëm të dish se kush janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, pse jo edhe të skuadrave të së shkuarës(mendo që unë mbaj mend formacionin e Torinos në kohën kur avioni i tyre, me të gjithë lojtarët në bord, u përplas në Superga: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj..). Bëj gara të kujtesës, ndoshta edhe për librat që ke lexuar(kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit> Lord Trealëney, kapiteni Smollet, doktor Levesey, Long John Silver, Jim…).

Provo njëherë nëse miqtë e tu do të kujtojnë dot se kush ishin shërbyesit e tre muskëtjerëve dhe të D’Artgnan(Grimaud, Bazin, Mousqueton dhe Planchet)..Dhe nëse nuk do duash të lexosh “Tre muskëtjerët(dhe nuk e merr me mend se çfarë do kesh humbur) atëhëre bëje, ku di unë, me një nga historitë që ke lexuar. Duket një lojë(dhe është e tillë) por do ta shohësh sesi koka jote do të popullohet nga personazhe, histori, kujtime të çdo lloji. Do ta kesh pyetur veten se përse dikur kompjuterët quheshin tru elektronik.

Ndodhte sepse ata konceptoheshin mbi modelin e trurit (tonë) tënd; por truri ynë kë më shumë lidhje sesa një kompjuter. Është një lloj kompjuteri që e mban me vete, që rritet dhe forcohet përmes ushtrimit, kurse kompjuteri që kë mbi tavolinë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësinë e veprimeve dhe pas disa vitesh do ndërruar.

Ndërkohë që truri yt mund të zgjasë deri në 90 vjet dhe në këtë moshë(nëse do ta kesh ushtruar) do të kujtojë më shumë gjera nga ato që kujton tani. Dhe falas. Është pastaj kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo me gjërat që ke lexuar, por me ato që kanë ndodhur para se ti të lindje. Sot, nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë fikse, kur filmi fillon dhe sapo fillon dikush të kap si të thuash nga dora dhe të tregon se çfarë ndodh.

Në kohët e mia mund të hyje në kinema në çdo moment, e kam fjalën edhe në mes të spektaklit, arrije aty ndërkohë që po ndodhnin disa gjëra dhe përpiqeshe të kuptoje se çfarë kishte ndodhur më parë(pastaj, kur filmi fillonte nga fillimi, kuptohej nëse ishte kuptuar çdo gjë si duhet-përveç faktit se nëse filmi na kishte pëlqyer mund të rrije ta rishikoje edhe atë pjesë që ishte parë tashmë). Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia.

Ne vijmë në jetë ndërkohë që shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vjetësh dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se ne të lindnim. Kjo për të kuptuar më mirë se përse sot ndodhin shumë gjëra të reja.

Tani, shkolla(përveç leximeve të tua personale) duhet të të mësonte të memorizoje atë që ka ndodhur përpara se ti të lindje, por shihet se ajo nuk ia arrin siç duhet kësaj gjëje, pasi shumë të hulumtime na thonë se të rinjtë e sotshëm, edhe ata të mëdhenjtë që shkojnë në universitet, nëse ta zënë kanë lindur në 1990-ën nuk e dinë(dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë ka ndodhur në vitin 1980(dhe këtu nuk e kam fjalën për ata që ka ndodhur 500 vjet më parë). Statistikat na tregojnë se nëse i pyet disa se kush ishte Aldo Moro të përgjigjen se ishte kapua i Brigadave të Kuqe-në fakt ai u vra prej Brigadave të Kuqe.

Nuk flasim për këto të fundit, që mbeten misterioze për shumëkënd, e megjithatë ishin prezent diçka më pak sesa 30 vjet më parë. Unë kam lindur më 1932, dhjetë vjet pas ngjitjes në pushtet të fashizmit por e dija deri edhe se kush ishte kryeministri në kohën e Marshimit mbi Romë(po ky çfarë është?) Ndoshta shkolla fashiste më kishte bërë ta mësoja emrin e tij, për të më shpjeguar sesa budalla dhe i keq ishte ai ministër(“Faka zemërpula”) të cilin fashistët e kishin zëvendësuar.

Dakord, por të paktën e dija. Pastaj, të heqim shkollën mënjanë, një i ri i sotshëm nuk e di kush ishin aktorët e kinemasë të 20 vjetëve më parë, ndërkohë që unë dija kush ishte Francesca Bertini që luante në filmat pa zë 20 vjet para se unë të lindja. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të ngjeshura në dollapin e shtëpisë sonë, por pikërisht, edhe unë të ftoj të shfletosh edhe revista të vjetra sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se ti të lindje.

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse në shumë raste, ajo që ka ndodhur të jep një shpjegim se përse disa gjëra ndodhin sot dhe në çdo rast, njësoj si për formacionet e futbollistëve, kjo është një mënyrë për për pasuruar kujtesën tonë.

Ki parasysh se këtë nuk mund ta bësh vetëm mbi librat dhe revistat, mund të bëhet shumë mirë edhe në internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të çatuar me miqtë e tu por edhe për të çatuar (nëse mund të shprehemi kështu) me historinë e botës. Kush ishin hititët? Po kamisardët? Dhe si quheshin tri karavelat e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? Po arka e Noes a mund të ketë patur një timon? Si quhet paraardhësi i kaut? A kishte më shumë tigra 100 vjet më parë? Çfarë ishte perandoria e Malit? Dhe kush fliste për Perandorinë e të Keqes? Kush ka qenë Papa i dytë në histori? Kur u shfaq Topolino? Mund të vazhdoja në pafundësi dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi.

Të gjitha këto duhen kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh plak dhe do të ndihesh sikur ke jetuar 1000 vjet, sepse do të jetë sikur ti të kishe qenë i pranishëm në betejën e Vaterlosë, të kesh asistuar në vrasjen e Jul Çezarit, apo të kesh qenë disa hapa larg nga vendi ku Bertoldi i quajtur i Ziu, teksa përziente substanca për të gjetur mënyrën e prodhimit të arit, gabimisht zbuloi barutin dhe hodhi veten në erë(dhe mirë iu bë). Të tjerë miq të tu, që nuk do të kenë kultivuar memorien e tyre, do të kenë jetuar një jetë të vetme, të tyren, që duhet të ketë qenë kush e di sa melankolike dhe e varfër në emocione”. / KultPlus.com

Nelson Mandela, hero – simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit

Ish-presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela vdiq më 5 dhjetor të vitit 2013, në moshën 95-vjeçare. Mandela qe njeriu që ndihmoi për ta çliruar Afrikën e Jugut nga dhuna dhe urrejtja.

Për shumëkënd, Nelson Mandela ishte një hero – simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit. Ai cilësohej shpesh si njeriu i thjeshtë, karizmatik dhe besnik, si njeriu që kujdesej për të tjerët.

Nelson Mandela u lind më 18 korrik, 1918, dhe u rrit në Transkei – një ish-territor zezak afrikanojugor. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Nelson Mandela ndoqi universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

Qeveria e ndaloi organizatën në vitin 1960, por ajo vazhdoi të veprojë fshehurazi. Nelson Mandela vazhdimisht i shmangej policisë dhe detyrohej të jetonte larg gruas së tij të dytë, Winnie, e cila më vonë u bë gjithashtu aktive në lëvizjen e anti-aparteidit.

Kur Kongresi Kombëtar Afrikan vendosi të ndërmerrte veprime të forta për t’i dhënë fund aparteidit, zoti Mandela u bë drejtues i krahut ushtarak të organizatës, duke ndërmarrë një fushatë sabotimesh kundër ushtrisë së Afrikës së Jugut dhe objekteve qeveritare.

Në vitin 1962, 44 vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Dy vjet më vonë ai u dënua me burgim të përjetshëm në ishullin Robben pranë brigjeve të Kejptaunit. Mandela kaloi 18 vjet në këtë burg famëkeq, duke refuzuar një ofertë të qeverisë për lirimin e tij, nëse hiqte dorë nga lufta e armatosur e Kongresit Kombëtar Afrikan. Ai doli nga burgu më 1990, pasi qëndroi gjithsej 27 vjet, kur qeveria e bardhë e presidentit Frederik de Klerk legalizoi të gjitha partitë politike dhe liroi shumicën e të burgosurve politikë.

Në vitin 1991, zoti Mandela u zgjodh kryetar i Kongresit Kombëtar Afrikan, ndërsa më1994, kur Kongresi fitoi zgjedhjet e para shumëracore, ai u bë presidenti i parë zezak i vendit, në moshën 75-vjeçare.

“Kurrë, kurrë dhe kurrë më kjo tokë e bukur nuk do të përjetojë shtypjen e njeriut nga njeriu,” deklaroi Mandela gjatë marrjes së mandatit.

Herman Cohen ishte Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Afrikën nga viti 1989 deri më1991. Ai thotë se shumica e zezakëve të Afrikës së Jugut i mbanin sytë te Mandela si njeriu i cili mund t’ua bënte jetën më të mirë:

“Ai kishte një qasje të veçantë, karizmatike. Ai u bë simbol në luftën kundër aparteidit dhe ishte e natyrshme që do të zgjidhej si presidenti i tyre i parë.”

Presidenti Mandela shpalli se do të qëndronte në këtë post vetëm për një mandat. Zoti Cohen thotë se gjatë pesë viteve si president, zoti Mandela fitoi respekt ndërkombëtar për ripajtimin e vendit:

“Mandela iu përkushtua kryesisht mobilizimit të afrikanëve për të punuar për zhvillimin ekonomik. Duke patur një arsimim të mirë, ai u bë gjithashtu një lloj zëdhënësi në skenën ndërkombëtare.”

Nelson dhe Winnie Mandela jetuan një kohë së bashku pas lirimit të tij nga burgu, por shpejt marrëdhëniet e tyre u ftohën dhe ata u divorcuan. Në ditëlindjen e tij të 80, zoti Mandela u martua me Graca Machel, e veja e ish-presidentit të Mozambikut, Samora Machel.

Zoti Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.

Si president, zoti Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.

“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.

Dy vjet më vonë, sida shkaktoi vdekjen e njërit prej djemve të tij.

Në vitin 1999, në moshën 85-vjeçare, Nelson Mandela tha se do të tërhiqej nga jeta publike. Megjithatë, ai vazhdoi të luftojë për të drejtat e fëmijëve.

Në një vend të rrënuar nga konflikti racor, Nelson Mandela është parë si një udhëheqës i jashtëzakonshëm – si njeriu që e çliroi Afrikën e Jugut nga dhuna dhe urrejtja duke e bërë një vend me më shumë paqe dhe mirëkuptim. /KultPlus.com

Sot 232 vite nga vdekja e Volfgang Amadeus Mozart

Disa minuta pas nesnatës, në të cekur të 5 dhjetorit të vitit 1791, pas një lëngimi të beftë hekakeq dhe një vdekje e ngërthyer në mister, ndahet përgjithmonë nga jeta Volfgang Amadeus Moxart, klasiku i zëshëm.

Në 35 vitet e jetës së tij përplot rrëmet dhe ngjitjes për nga apogjeu, Moxarti kompozoi më shumë se 600 punime muzikore, të cilat arritën një nivel të epërm. Shpirti i tij krijues dhe muza e etur e talentit të pazakontë, nuk ndali në asnjë stacion të mëdyshjes, hutimit, trazimit, lëndimit e kacafytjes më veten dhe botën, derisa kaploi kreshtën më të lartë të virtuozitetit.

Kontributi i vyer i këtij gjeniu, “.. këtij fenomeni të pashpegueshëm” siç mëton Gëte, e shtriqi frymëmarrjen e tij të perëndishme mbi krejt çfarë rrokte arti i deri asokohshëm i muzikës. Prej operas deri te koncertet për piano, violinë, frymorët e drurit, masterpjesëve korale e deri te simfonitë, ai i hukati me frymën e yjësisë së gjeniut, duke i’a lënë botës, e rrekur ti qaset asaj, sikundër thotë vetëm 15 vite nga shuarja e tij, një muzikant i oborrit të atokohjes: “… një meteor në horizontin muzikor për daljen e të cilit ne ishim ende papërgatitur”. Gjithqysh të kataloguara në galerinë e Moxart figurojnë 626 kompozime, ndër ta 24 vepra teatrore, 51 simfoni, 19 mesha. Partiturat e tij kërkuan 33 vëllime që të mund të botoheshin. Vetë i madhi Bethoven duke komentuar një piano-koncert të Moxartit në Do minor, shpërtheu: “Ah, ne kurrë nuk do të mund të bëjmë diçka të tillë!”

Mozart vdiq duke i ikur botës dhe muzikës si një i dëbuar dhunshëm. Ndahet për të lënë një boshllëk dhe trishtim nga pas. Asokohja ende nuk e kishte kuptuar se do të ndahej përgjithmonë me një magjistar të artit të dehjes shpirtërore, më daltën më të mprehtë që bota e muzikës kishte mëkuar një përmendore kaq shtatlartë, një hyjni tokësore kaq të shëlbyer.

Ceremonitë mortore u mbajtën në pasditen e 6-dhjetorit. Arkivoli u çua përpara Kapelës së Kryqit të Dumos së Shën Stefanit, pranë të ashtuquajturit “Altari i Capistran”. Pati një lloj funerali modest. Lamtumira e fundit i’u dha në varrezat e Shën Markut. Kufoma e tij nuk është gjetur asnjëherë./ Albert Vataj / KultPlus.com

Epidemia e kolerës së vitit 1916 në Grudë të Malsisë së Madhe në rrëfimin e Atë Anton Harapit

Tek libri ‘Andrra e Prêtashit’, i botuem në Romë në vitin 1959 prej sivllaut të tij Danjel Gjeçaj, me shtypajt që Ernest Koliqi kishte marrë me vete në vitin 1943 prej Institutit të Studimeve Shqiptare, frati shirokas rrëfen nji episod të përjetimit të epidemisë së kolerës së vitit 1916 në Grudë të Malsisë së Madhe.R.SH. – Vatikan.

Epidemia e kolerës së vitit 1916 në rrëfimin e Atë Anton Harapit, nga Ardian Ndreca:

Tek libri Andrra e Prêtashit, i botuem në Romë në vitin 1959 prej sivllaut të tij Danjel Gjeçaj, me shtypajt që Ernest Koliqi kishte marrë me vete në vitin 1943 prej Institutit të Studimeve Shqiptare, frati shirokas rrëfen nji episod të përjetimit të epidemisë së kolerës së vitit 1916 në Grudë të Malsisë së Madhe.

Rrëfimi i tij ka vlerë si për me kuptue psikologjinë e malsorit që kur përhapen epidemi të atilla, ngujohet dhe s’pranon kurrsesi me rrezikue të tjerët, por edhe për me kuptue sensin e detyrës meshtarake që e çon Atë Anton Harapin me rrezikue vetveten, tue mos ngurrue me i ndejtë pranë pjestarëve të bashkësisë që janë prekë prej sëmundjes. Shtëpia e Lulashit në Pikale të Grudës asht izolue krejtsisht, aq sa edhe ujin ia çojnë fqinjët e ia lanë tek dera, vorfnia e skajshme ban të vetën, mungesa e çfarëdolloj ndihme mjeksore e randon gjendjen. Thirrjes së fratit “a don miq” i zoti i shtëpisë i përgjegjet se duhet të largohet sa ma parë prej andej se mund t’i “prâhet” (ngjitet) lëngata. Atëherë Patër Antoni, që e njeh mirë psikologjinë e malsorit, e prekë në telat e krenisë: “- Po si kështu, i thom, me t’u dhimbtë nji kafe e nji cingare duhan për Fratin?” dhe malsori ia pret: “Manà t’ishem shëndosh me rob, nuk pat me m’u dhimbët grimë as dashi i kumbonës, por mbasi Zoti, me këtë lëngatë më dau me gjith rob prej robnís tjetër, nuk ke çë bâ as ti ndër né, por nisu e shko, more zotní”. Edhe pse i pashkollë e i pashetitun, Lulashi ka nji respekt të thellë për jetën e tjetrit, sa vepron kundër rregullave të mikpritjes tue ia mbyllë derën.

Kuarantina për të ka nji kuptim të qartë: nëse jeta jeme ka humbë të paktën mos të rrezikoj bashkësinë! Çmimi i nji sakrifice të tillë asht i naltë, pse nuk ekziston asnji strukturë mbështetëse. Vendi asht në luftë, trupat austriake, siç shkruen Dr. Kadri Kërçiku tek nji monografi i mirënjohun e vitit 1962 rreth gjendjes së shëndetësisë në zonën e Shkodrës kishin ndërmarrë disa masa profilaktike, por vullneti i tyne i mirë nuk mbërrinte deri në majet e maleve shqiptare. Mbas ngulmimit të meshtarit, ma në fund Lulashi ia hapë derën dhe e grishë buzë votrës. Përshkrimi që Atë Anton Harapi i ban odës malsore asht ai i nji paradhome të ferrit dantesk: “Oda e tmerrshme prej vetit ishte mbushë me tym, sa me të qitë lotët prej syvet; kalamajt, të sëmuet, vikatshin sa ku mujshin, e âma, shtrî sa gjanë gjatë, mbulue me nji rubë të madhe, qi s’ishte as çarçaf as bataní, gulfa-gulfa qitëte vnér prej goje me të këputë shpirtin; në nji tjetër skaj të odës, nji burrë kund 40 vjeç, hapë kambë e krahë, ra në kokërr të shpinës, kishte qitë sytë kokërdhok, kah dyndë vneri, donte me e qitë, e s’ishte punë me shpërthye; atje mâ përtej prap nji djaloç i lám në vnér, gjimonte; afër kishte të motrën, e cila, zbé në fëtyrë e bâ verdhë si çapini, veç se nuk kishte dhanë shpirtin, se kishte dekë e shkue”. Mbasi frati kryen shartet e fesë përshëndetet me të zotin e shtëpisë në derë, e ky i fundit plot miradije i thotë: “T’a dijtë Zoti, more zotni, se sot m’a ke vjeftë gjysën e Pogdoricës … se edhe me më dekë robt, tash s’po ko’ dert kurr’i grimë, kaq m’asht ba zemra kotec për ketë punë”.

Ndjesia e solidaritetit që dikush ia tregon përtej çdo “conatus sese conservandi”, atij tensionit të ligjshëm që na shtyn me ruejt vetveten, ngushëllimi i fjalës së mirë, besimi se Zoti s’i ka lëshue doret, bajnë që malsorit t’i këndellet shpresa e lmekun. Mbas disa ditësh, vijon rrëfimin Atë Anton Harapi, Lulashi i vjen në derë me nji tas me qumësht në shenjë mirënjohjet, tashma kuarantina ishte hjekë prej shtëpisë së tij. Lulashi dhe njerëzit e tij e kanë marrë veten dhe asht ai vetë që spjegon gjendjen e randë shpirtnore në të cilën ishte ndodhë: “Kurr mâ ngusht nuk kjeçë se atë ditë, kur m’erdhe ti, e kurr mâ mirë se sot nuk kam kenë. Un për veti i pata xanë të shkuem e të mbaruem, as s’isha ma ngusht për ta se për salikime të tyne; droja se po më jesin mbi dhé, as s’po gjindet kush me m’ua ba vajin as gjamën… Kemi kërçikun e vogël, moré zotní, a jo për ma tepër, por erdha sa me të pá e me t’u falë nderës me nji cirkë tambël”.
Mirënjohja ma e thellë shprehet me pak qumësht, as vorfnia ma ekstreme nuk pengon kend me e shprehë këtë ndjenjë fisnike që hijeshon shpirtin njerëzor. Rreziku ka kalue, ajo që ka mbetë asht konfirmimi i mirënjohjes ndaj françeskanëve që s’e kanë braktisë kurrë popullin e vuejtun e të izoluem të maleve tona. Tek malsori krenar asht e gjallë edhe vetëdija se njeriu asht i pafuqishëm ndaj forcave të natyrës. Nji përvujtni e pazakontë për nji mendësi që jetën e barazon me nderin dhe humbjen e këtij e cilëson si diçka ma të keqe se vetë humbjen e jetës. Ajo që na ban përshtypje ende sot kur lexojmë këto faqe asht bindja dhe urtia e malësorit për me e pranue kuarantinën si mënyra e vetme për me i shpëtue lëngatës ngjitëse, edhe tue e dijtë se izolimi kur nuk ekzistojnë mjetet ma elementare të mbijetesës asht heroizëm dhe vetëmohim i skajshëm. Historia e epidemive, tue nisë prej përshkrimeve të Tukididit në luftën e Peloponezit në vitin 430 p.K. e deri më sot, na mëson se këto evente të kobshme e riformatojnë shoqnín njerzore, jo vetëm tue krijue për nji farë kohe imunitet, por tue i dhanë mundësinë me kuptue ma mirë se kush jemi dhe sa vlejmë! Kur njeriu e njeh njeriun nëpërmjet prizmit të frikës së nji pandemie, gjithçka që vjen mbrapa ndriçohet ndryshe, disa gjana zhvleftësohen, të tjera marrin vlerën e vërtetë.

Marrë nga e pёrjavshmja letrare kulturore ‘Ex Libris’,  21 MARS 2020. NUMËR 71. / KultPlus.com

Kushtrim Mehmeti zgjedhet drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës


Regjisori Kushtrim Mehmeti sapo është emëruar drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në bazë të Ligjit për Teatrot Nr. 04/L-106 Neni 10 paragrafi 1.7 dhe Neni 13 paragrafi 3 dhe 7, Statutit të Teatrit Kombëtar të Kosovës Neni 10, paragrafi 1.7, si dhe të Rregullores Nr. 04/2016 për Punën e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës Neni 3, paragrafi 8 si dhe nenit 12, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datën 4 Janar 2023 unanimisht merr këtë vendim:

Kushtrim Mehmeti emërohet Udhëheqës Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me mandat katër (4) vjeçar.

Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Kryesuesja e Këshillit Drejtues të TKK-së.

ARSYETIM

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar pas përfundimit të procedurës së rekrutimit, testimit me shkrim si dhe intervistës me gojë të kandidatëve për pozitën e Udhëheqësit Artistik në TKK, vlerëson:

Kushtrim Mehmeti me 74.65 pikë,

Sokol Plakolli me 54.73 pikë;

Bazuar në vlerën e pikëve, Këshilli Drejtues Teatrit Kombëtar emëron Kushtrim Mehmetin – Udhëheqës Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe rekomandon Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave.

Këshillë Juridike: Kundrejtë këtij vendimi palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në afat prej 15 ditësh nga pranimi i vendimit në komisionin përkatës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com