DRTK Shkodër inspekton projektet e konkursit “Art në Hapësira Publike”

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se ka nisur puna për inspektimin në terren të projekteve fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike”, koordinuar nga Ministria e Kulturës në mbështetje të artistëve të skenës së pavarur.

Aktualisht ka nisur puna me instalimin e veprës artistike “Zabel” me autor Sadik Spahinë, në rrethrrotullimin në dalje të Koplikut.

Përzgjedhja e 3 veprave, mes 132 propozimeve të artistëve vendas dhe nga vende të ndryshme të botës, dedikuar hapësirës në rrethrrotullime në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, shënon një moment të rëndësishëm sa i përket arredimit urban por edhe shërben për të përcjellë një imazh tjetër portës hyrëse veriperëndimore të vendit./atsh/ KultPlus.com

DRTK Shkodër riprodhon një artefakt antik për ekspozim në muze

Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit Shqiptaro-Polak në Shkodër është një mbishkrim latin që daton në shekullin I pas Krishtit, zbuluar në sterën 2 (ndërtime mesjetare) në Kështjellën Rozafa.

Zbulimi ka të bëjë me një dedikim që lidhet me emrin zyrtar të qytetit colonia Scodranorum.

Për shkak të pamundësisë së aksesit për ta vizituar, në sit, këtë objekt që qëndron gjatë gjithë kohës i mbuluar nga uji, u bë e mundur riprodhimi i një kopjeje të tij.

Falë bashkëpunimit të Misionit Shqiptaro-Polak dhe DRTK Shkodër, u realizua riprodhimi i mbishkrimit, punuar mjeshtërisht nga specialisti i DRTK Shkodër, Petrit Bilali, dhe ekspozimi i kopjes për vizitorët në pavijonin e antikitetit në Muzeun e Kështjellës, shoqëruar dhe me informacionin përkatës për vizitorët.

Misioni Shqiptaro-Polak i cili në vitet 2011-2017 hulumtoi në gjurmët e Shkodrës antike, nxori në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e tij, sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët e tij. / atsh / KultPlus.com