‘Boll me ken shkodran të tana i ban’

Një ecje nëpër sheshin e bukur të Shkodrës, të mbetet gjatë në mendje. Ajo që të tërheqë më shumë këtu është pamja e bukur e sheshit e rrethuar nga katër anët me malet e bukura shqiptare, me pikë vrojtimi nga kalaja e Rozafës.

Ndërsa një thënie që e gjen pothuajse pranë çdo dyqani, dhe e dëgjon shpesh nga vendasit është “Me ken shkodran të tana i ban”.

Flamuri i përkufizimit “Me ken shkodran, të tana i ban”, më shumë se një valvitës mburrjeje mbetet një detyrë për t’i bërë të gjitha, si shkodran, me sa më shumë modesti.

Shkodra ishte qendër e madhe dhe plot jetë. Një nga qytetet më të lashta në krejt gadishullin, bashkëkohëse e Romës antike. Shkodra me gjithë furtunat që i kishtin kaluar përsipër e ruante peshën dhe hijen e saj. Hijen e pushtetit të dikurshëm të padronëve të saj, derës së famshme të Bushatllinjve, shpatëndëshkuese e krejt sulltanëve në Gadishullin e Ballkanit, madje më larg, gjer në Hungari e në Kretë, hijen e fesë katolike, kuvendet e kishat e së cilës nuk ishin më pak të fuqishme, dhe së fundi hijen e maleve, atë hije të rëndë tragjike që me mijëra kanale e udhë misterioze zbriste nga Malësia e Madhe, nga Bjeshkët e Nemuna, nga krejt Rrafshi verior i Shqipërisë, për të plotësuar, për të zëvendësuar apo për të korrigjuar diçka në statusin shpirtëror të këtij qyteti. Por nuk ishin vetëm këto.

Përveç kështjellës dhe kishave, kullave, kambanoreve dhe minareve, Shkodra kishte jetë kulturore, biblioteka, arkiva mesjetare, zyra konsujsh, revista letrare që shpërndaheshin në të gjithë vendin.

Ajo kishte intelektualë, sallone ku fliteshin e diskutoheshin gjithfarë problemesh, gra të bukura dhe histori të ndërlikuara dashurie, dyqane ku shiteshin libra, disqe e parfume të Parisit, aventurierë, skandale, maniakë nga ato që pjell qytetërimi etj. /KultPlus.com

Gratë në Berlin tani do të mund të notojnë “topless” në pishinat publike

Gratë në Berlin tani mund të notojnë topless në pishinat publike të qytetit nëse dëshirojnë.

CNN shkruan se përveç se u përshëndet si një hap përpara për barazinë gjinore në kryeqytetin gjerman, masa e prezantuar këtë javë përkthehet edhe si Freikorperkultur,  në kulturën gjermane do të thotë gjuha e trupit të lirë, e cila i ka rrënjët në fund të shekullit të 19-të.

Autoritetet e Berlinit morën masa pasi një notare tha se ajo ishte penguar të frekuentonte një nga pishinat e qytetit pa mbuluar gjoksin në dhjetor 2022. Gruaja paraqiti një ankesë në zyrën e ombudspersonit të qytetit në Departamentin e Senatit për Drejtësi, Diversitet dhe Kundër Diskriminimit.

Autoritetet ranë dakord që gruaja kishte qenë viktimë e diskriminimit dhe këtë javë thanë se të gjithë vizitorët në pishinat e Berlinit, duke përfshirë gratë lejohen të shkojnë topless.

Kjo ngjarje pason edhe një incident të ngjashëm në një park ujor në Berlin në verën e vitit 2021. Gruaja franceze Gabrielle Lebreton kërkoi kompensim financiar nga qyteti pasi rojet e sigurisë e urdhëruan të largohej nga lokali kur ajo refuzoi të mbulonte gjoksin.

Ajo ishte me djalin e saj pesëvjeçar kur ndodhi aksidenti. Duke folur për gazetën gjermane Die Zeit në atë kohë se pse ajo besonte se ishte diskriminim gjinor, tha: “Për mua – dhe unë ia mësoj këtë djalit tim – jo, nuk ka një ndryshim të tillë. Si për burrat ashtu edhe për gratë, gjoksi është një karakteristikë dytësore seksuale, por burrat kanë lirinë të heqin rrobat e tyre kur është vapë dhe gratë jo.

Qeveria e Berlinit konfirmoi masën në një deklaratë për shtyp të enjten. “Si rezultat i një ankese për diskriminim, institucionet e notit në Berlin në të ardhmen do të zbatojnë rregulloret e tyre në mënyrë të barabartë gjinore”, thuhet në deklaratë./Opinion.al

Atika Ameti,13 vjeçja që prezantoi kreacionin  e saj te parë në  Skopje Fashion Weekend

Atika Ameti nga Shkupi  është dizenjatorja më e re në moshë e cila u paraqit me kreacionin e saj të parë në kuadër të Skopje Fashion Weekend.

Ajo është vetëm 13 vjeçare nxënëse e kalsës së 8-të në shkollë fillore dhe paralelisht me mesimet e shkollës ka një vit që ndjek shkollën e artit dhe modës në Institutin Izet Curi.  Për ta kurorëzuar punën e saj në këtë institut ajo ka krijuar kreacionin e saj te parë duke u prezantuar si studentja më e re në grupin e studentëve nga Insitiuti Izet Curi të cilët prezantuan koleksionet e tyre mbrëmë.

Rethanat, kushtet dhe përfitimet nga ky profesion e shtuan vullnetin dhe motivin e Atikës vajzës 13 vjeçare që të ndjekë  traditën e biznesit  shumvjeçar si dhe  profesionin e nënës dhe gjyshës së sajë, të cilat me vite kultivojnë traditën e krijimit e veshjeve tradicionale shqiptare dhe fustanave të nusërisë.

 Gati 1 vit Atika ndjek shkollën e artit dhe modës në Institutin Izet Curi,  përveç asaj me shum vullnet dhe pasion pa hezituar gjatë ditëve të lira nga shkolla ajo shkon në puntori për të ndjekur  punën e nënës.

“Pasioni nuk imponohet e as nuk obligohet, thjesht në familjën tonë pasioni trashigohet. Na bën krenar fakti se asnjëher ne nuk ja kemi imponuar  si profesion, duke mar parasysh se është ende e vogël për të menduar për studimet e saja, mirpo  interesin për kër profesion e ka shprehur  shum herët madje  ajo ka vendosur që në të ardhmen  të ndjekë shkollën e artit në kët drejtim”- u shpreh babai I Atikas- Orhan Ameti.

Atika do te vazhdojë me krijimin e modeleve te tjera për ta kompletuar koleksionin e saj të parë dhe kështu duke u bërë edhe kreatorja më e re nga Shkupi që i shtohet botës së modës./ zhurnal

Kush janë personazhet që janë të ndaluar të marrin pjesë në Oscars

Oscars këtë vit do të bashkojë yjet më të shquar në industrinë e argëtimit nën çatinë e Teatrit Dolby, i cili ka qenë vendi i ceremonisë që nga viti 2002. Megjithatë, marrja e një ftese për këtë ngjarje nuk është garanci për çdo personazh të famshëm të Hollywoodit.

Në të kaluarën, disa emra të mëdhenj e gjetën veten të ndaluar të marrin pjesë në Oscars. Will Smith është më i fundit. Aktor goditi me shuplakë komedianin Chris Rock gjatë Oscars, pasi ai bëri shaka për gruan e Will, Jada Pinkett Smith. Çmimet Oscar njoftuan menjëherë se Will nuk do lejohet të marrë pjesë në asnjë ngjarje të organizuar nga Akademia për dhjetë vitet e ardhshme.

Richard Gere u ndalua për 20 vjet. Në vitin 1993, Richard denoncoi qeverinë kineze gjatë paraqitjes së tij në Oscars, ku ai duhej të prezantonte vetëm cmimin për Regjinë Artistike. Aktori shprehu zhgënjimin e tij për konfliktin e vazhdueshëm të Kinës me Tibetin dhe sugjeroi që Kina të tërheqë trupat e saj dhe të lejojë Tibetin të jetë i pavarur. Akademia e konsideroi këtë deklaratë shumë të diskutueshme dhe e ndaloi të merrte pjesë në Oscar për dy dekada.

Carmine Caridi, aktori i The Godfather Part II, u bë personi i parë që u përjashtua fare nga Akademia. Në vitin 2004, ai u kap duke prodhuar kopje të ekraneve paraprake të filmave të nominuar. FBI e hetoi aktorin pasi u zbuluan se kopjet e The Last Samurai, Mystic River dhe Master and Commander: The Larg Side of the World ishin gjurmuar tek ai.

Bill Cosby u ndalua pas akuzave për sulm se*sual, ndërsa regjisori Roman Polanski u përjashtua në vitin 2018 pasi ai u akuzua për abuzimiin e një vajze 13-vjeçare. Harvey Weinstein u ndaluanë 2017 pasi u akuzua për  sulm se*suale./Lapsi.al

Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. 

Presidentja Osmani ka vlerësuar angazhimin proaktiv të Greqisë në rajonin tonë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit grek për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Në këtë frymë, Presidentja Osmani, duke u thirrur në vlerat e përbashkëta euroatlantike, ka kërkuar që mbështetja greke për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike të vazhdojë. Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka theksuar se integrimi i plotë ndërkombëtar i Kosovës, përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Këshillin e Evropës, do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme në rajon.  

Tutje, Presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Dendias për mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në votimin e fundi të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe për avokimin e vazhdueshëm për t’i dhënë fund këtij procesi. 

Në takim është diskutuar edhe për raportet Kosovë-Greqi, me ç’rast Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të mëtutjeshëm të  marrëdhënieve dyanëshe, duke përmendur nevojën e rritjes së shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimit në sfera të ndryshme të interesit të përbashkët.  

Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë. / KultPlus.com

Rama pret arkitektin britanez Ian Ritchie, i dhuron Hyjneshën në Fron

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka pritë arkitektin britanez Ian Ritchie, njëherit mentor i Ramës, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e kryetarit Rama.

Patëm kënaqësinë dhe nderin e madh të mirëpresim në Prishtinë, mentorin tim dhe heroin e dizajnit, arkitektin britanez, Profesor Ian Ritchie.

Puna e profesor Ritchie-t është e rrënjosur në ndarjen e vlerave njerëzore, përtej dobisë dhe estetikës, duke inkurajuar arkitektët të mendojnë për rolin shpirtëror të arkitekturës në sferën publike për të përmirësuar cilësinë e jetës.

Në shenjë vlerësimi dhe admirimi për veprën e jetës së tij, ia dhuruam Hyjneshën në fron.

Një pjesë e procesit të projektimit të profesor Ritchie-t është shkrimi. Ai përdor gjuhën dhe imazhet e pasura për të identifikuar ndjenjën dhe thelbin e asaj që mund të bëhet çdo projekt vlerë shoqërore

që ai ndërmerr. Poezia e tij ka krijuar arkitekturë të jashtëzakonshme dhe duhet njohur për atë që është – poezi e shkruar në tulla dhe gurë.

Jemi mirënjohës që pranuam librin e tij më të fundit të botuar nga Akademia Mbretërore e Arteve “Linja”, me poezi që ai ka shkruar më parë dhe gjatë punës në disa nga institucionet më të vizituara dhe më të rëndësishme në botë, si: Akademia Mbretërore e Muzikës në Londër, “The Spire” në Dublin, Stratford upon Avon’s Shakespeare Company Courtyard Theatre, Gjykatat e Skulpturave dhe Piramida të Luvrit, “La Vilette Cite des Sciences” në Paris, Muzeu i Artit Modern “Reina Sofia” dhe shumë të tjera.

Profesor Ritchie ka fituar më shumë se 70 çmime, duke përfshirë Çmimin “Iritecna” për Evropën dhe the Commonwealth Association of Architects Award for the Advancement of Architecture, dhe është përzgjedhur katër herë në listën e ngushtë për Çmimin Stirling të Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanikë (RIBA).

Ai i ofroi Ekipit të Drejtorisë së Urbanizmit të Prishtinës idetë dhe sugjerimet e tij, dhe ne jemi shumë më reflektues, të ndritur dhe të motivuar si rezultat i vizitës së Mjeshtrit në qytetin tonë.

#prishtinaeperjetimeve/ KultPlus.com

A guxoj ta prek me gisht Sarandën

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Saranda Bogujevcit

Isha në Rockuzinë bar
me një mik të mirë
(ende dua të besoj
që e kam mik të mirë)
i cili po përpiqej ta shkruante
historinë e re të Kosovës
Dëgjohej muzikë me të cilën isha rritur
birra ishte e ftohtë ashtu si e do Zoti
rrugët e qytetit ishin përplot me njerëz
dielli i muzgut në Prishtinë
me forcat e fundit që i kishin mbetur
vazhdonte të buzëqeshë
Kur më pyeti miku
a po e njeh këtë vajzën e ulur pranë teje
mbeta i habitur
Është Saranda Bogujevci
e mbijetuara e masakrës së Besianës
Oh Zot
e mbaja mend vajzën
që i humbi katërmbëdhjetë anëtarë të familjes
vajzën e vogël
trupin e së cilës e kishin përshkuar
plot gjashtëmbëdhjetë plumba
por që kishin refuzuar
t’ia shuajnë jetën
Mbeta i ngrirë
duke e shikuar
gojëhapur
dhe e dëgjova veten
duke e pyetur mikun
A guxoj ta prek me gisht Sarandën
ajo buzëqeshi
ende pa ma kthyer përgjigjen
miku i habitur
e zgjata dorën dhe e preka në krahë
tmerrin
luftën
fluturimin e plumbave
granatave
lëvizjet e thikave
mbi civilë
I preka edhe sorrat e majmura
gjatë luftës
dhe si me pahir
edhe këto të majmura pasluftës./ KultPlus.com

Fjalët e fundit që shkroi Martin Camaj, pesë ditë para se të shuhej

Albert Vataj

Fjalët e fundit që shkroi Martin Camaj pesë ditë para se të shuhej, më 12 mars të vitit 1992 në moshën 67-vjeçare

Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve.

Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: Ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.

Martin Camaj

7 Mars 1992./ KultPlus.com

Shkova në Tiranë 6 ditë e netë, derë më derë shazoten e nuk ma dhanë lejen me shkue me vorros tem vlla

Nga Ilir Seci

Me 12 Mars 1992, në Lenggries të Bavarisë, Gjermani, në moshën 66 vjeçare, ndrroi jetë poeti Martin Camaj. E shoqja e tij Erika njofton familjen e Martinit në Shllak. I vllai i Martin Camajt, Gjergji, shkon në Tirane dhe mundohet me marre nji vizë per me shku në vorrim të vllaut.
Nuk i hapet asnji rrugë…
Miku jem Aleksander Pali, që jeton në New York më diftonte për këtë rast. Leka, (si e thrrasim Aleksander Palin), e ka njoftë mirë vllaun e Martin Camajt, Gjergjin. Mbas arratisjes spektakolare të familjarëve të tij, Aleksandër Palin e internojne në Shllak dhe aty njihet mire me Gjergj Camajn.

Në Mars 1992 mbas dekës së poetit Martin Camajt, i vllai i poetit, Gjergji ia nisë nji letër Aleksandër Palit, i cili mbas vitit 1991 kishte shkue në Amerikë, dhe ndër tjera në letër i shkruente :
-“Leka, vdiq Martini . E shoqja nisi haberin se po e len nji javë mbi dhê deri sa të shkojnë dikush prej nesh. Shkova në Tiranë 6 ditë e netë, derë më derë shazoten e nuk ma dhanë lejen me shkue me vorros tem vlla…
I vllai i poetit, Gjergji kjan hall me mikun dhe e përfundon letrën tue thanë:
-“Paskena kenë ma mire tue na hangër dreqi se sa zojgjtë e tij, se kenkan shumë…”

Kush i ka jetue ato kohnat rreth vitit 1992 mundet me e marre me mend sa i zorshëm dhe sa i dhimbshëm ka kenë zhgënjimi i nji malsori të vuejtun e të hjekun nga lufta e klasave që i ishte ba për 47 vjet me rradhë, kur i asht thanë se s’mund shkonte as me shti në dhê të vllanë…E ka ana tjeter thuhej se Shqipnia ishte ba demokraci tashma… Vllau i poetit e pa sa demokratike ishte ba.
Tue ditë sa e çnjerëzueme ishte shoqnia mbas-diktatoriale, nuk mundem mos me hamendësue se me nandëdhetë e nandë për qind me atë njoftim që ia ka nisë Erika Camaj kunatit, kushedi kush e ka marrë vizën gjermane. Shans i artë për ato rrjetet mafioze të shitjes së vizave./ KultPlus.com

Kadare: Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e Martin Camajt, e prisja me padurim këtë takim

H. D. – A e keni njohtë Martin Camajn dhe çfarë marrëdhëniesh keni pas me të? Çfarë ideje keni për krijimtarinë e tij letrare?

I. K. – Kam pasur fatin ta takoj për herë të parë Martin Camajn, në tetor të vitit 1981, në Frankfurt. Pas mbarimit të një konference shtypi, m’u afrua një burrë i pashëm, i cili, pasi më foli shqip, tha emrin e vet: Martin Camaj. E njihja, pa dyshim, nëpërmjet revistës “Shejzat” të Koliqit dhe atij iu bë qejfi që ia thashë këtë. Biseduam një copë herë në këmbë, midis zhurmimít të zakonshëm te një mjedisi të tillë. Pas vendosjes sime në Paris, një mik i përbashkët gjerman, Werner Daum, që kishte qenë diplomat në Tiranë, më solli të falat e Martin Camajt, si dhe dëshirën e tij për t’u takuar përsëri, në kushte fare të tjera tani. Për fat, sapo kisha lexuar dy novelat e tij të gjata “Rrungajat e marsit” dhe “Pishtarët e natës”, të cilat më kishin pëlqyer mjaft dhe Werner Daum më tha se ishte i lumtur t`ia njoftonte këtë gjë Camajt, baslıkë me kënaqësinë time për t’iu përgjigjur ftesës së tij. E lamë takimin pas disa javësh,’ngaqë do të ndodhesha në Munih, ku ai banonte, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh. Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e tij bashkë me Daum-in. E prisja me padurim këtë takim, kur vetëm disa ditë përpara tij, erdhi lajmi i pikëllueshëm se Martin Camaj nuk ishte më i kësaj bote.
Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.

Kadare, intervistë me ”Hylli i Dritès”.KultPlus.com

“Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht: Gruaja është e paprekshme”

Faik Konica qe një nga figurat më të shquara të çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar, shkruan KultPlus.

Më 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi revistën e përkohshme të quajtur “Albania”, e shkruar pjesërisht në shqipe dhe pjesërisht në frëngjisht. Më 1903 u largua nga Brukseli dhe u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik.

Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Sot KultPlus kujton një nga thëniet e tij, ku tregon pikëpamjen e shqiptarëve ndaj grave.

“Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht e të provuar në jetë: gruaja është e paprekshme. Edhe në gjakmarrjen dhe në luftërat më të egra gratë nuk janë qëlluar”, kishte thënë Konica.
Faik Konica vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar./ KultPlus.com

Mbi 1 mijë e 700 vizitorë në dy muajt e parë të vitit 2023 në Muzeun “Onufri”

Muzeu Ikonografik “Onufri’ në Berat në dy muajt e parë të vitit ka shënuar fluks të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina tha për Atsh-në se “në dy muajt e parë të vitit 2023 kemi pasur 1762 vizitorë që rezulton në rritje prej 173 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Sipas tij, vizitorët janë vendas, por dhe të huaj kryesisht spanjollë, italianë, francezë etj, shkruan Atsh. Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1.500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Beratit dhe Myzeqesë.

Lule

Martin Camaj

21 korrik 1925- 12 mars 1992

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.
Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri./ KultPlus.com

Copernicus: Evropa përjetoi dimrin e dytë më të ngrohtë

Sistemi i gjurmimit satelitor “Copernicus” i Bashkimit Evropian (BE) njoftoi se sipas periudhës referuese 1991-2020 në Evropë, dimri që po lëmë pas ishte i dyti më i ngrohtë nga të gjithë dimrat në kontinent.

Sipas një deklarate me shkrim nga “Copernicus”, ky dimër ishte “stina e dytë më e ngrohtë e regjistruar për Evropën”, me temperatura shumë mbi mesataren në pjesë të Evropës Lindore dhe pjesë të Evropës Verilindore.

Në shkurt 2023, temperaturat mesatare të ajrit në shumicën e pjesëve të Evropës ishin më të larta se periudha e referencës 1991-2020. Kushte dukshëm më të ngrohta se mesatarja janë vërejtur në Norvegji dhe Suedi, në zonat përreth Detit të Zi përgjatë Rusisë dhe në rajonin e Svalbardit.

Mbretëria e Bashkuar kishte gjithashtu “shkurtin e pestë më të ngrohtë që nga viti 1884”. Nga ana tjetër, disa pjesë të Тurqise , Gadishullit Iberik dhe Kaukazit kishin temperatura më të ftohta se mesatarja mujore./KultPlus.com

Para se të vish

Poezi nga Alda Merini

Para se të vish
Sillmë tre trëndafil të kuq
Para se të vish
Sillmë një Gishtëz të madh
Sepse duhet të qep zemrën
E më sill një qetësi të gjatë
Të madhe si një Telajo dashurie
Para se të vish
Jepi një shqelm murit përball
Sepse aty brenda është një spiun
Që ka parë në fytyrë dashurinë time
Para se të vish
Mbylle lehtë derën
Dhe nëse unë jam duke qarë
thërrit Violinat më të mira
Para se të vish
Thuamë që tashmë ke ikur
Sepse unë do të trembesha
Dhe para se të ikësh
rresht së përshëndeturi
Sepse unë shumë gjatë nuk do të jetoj…. / KultPlus.com

Tom Hanks, më i miri nga më të këqijtë në Razzies për rolin në filmin ‘Elvis’

Në filmin “Elvis” të vitit 2022, paraqitja e Tom Hanksit si i ish-menaxher real i Elvis Presleyt, kolonel Tom Parker, është mizore, e korruptuar dhe sipas rezultateve të çmimit Razzie 2023, meriton çmimet për aktorin më të keq në rol dytësor dhe për paraqitje të kombinuar në ekran.

Përpara festës për filmat më të mirë të sezonit gjatë ceremonisë së Oskarit të dielën, Razzie Awards shpalli më të këqijtë të shtunën.

Pavarësisht trashëgimisë së aktorit të “Forrest Gump” në rolet fituese të Oskarit, shumë kritikë dhe fansa e dënuan performancën e tij në “Elvis”, veçanërisht theksin e tij.

Duke u bashkuar me Hanksin, drama biografike “Blondie”, me Ana de Armas në rolin e ikonës së Hollivudit, Marilyn Monroe, “fitoi” Razzies për filmin dhe skenarin më të keq. De Armas, megjithatë, është në garë për aktoren më të mirë për rolin në Academy Awards të së dielës.

Gjithashtu një Razzie e mori edhe Jared Leto, i cili portretizon Michael Morbius, dhe Adria Arjona, e cila portretizon Dr. Martine Bancroft, në filmin “Morbius”. Të dy fituan për aktorin më të keq dhe aktoren më të keqe me rol dytësor.

Me Razzie u “nderua” edhe Colin Farrell për rolin e tij në “Banshees of Inisherin”.

Dhe në fund, Razzies e vlerësoi veten si aktoren më të dobët pasi nominoi aktoren 12-vjeçare Ryan Kiera Armstrong për paraqitjen e saj në “Firestarter” për një Razzie. Pas pretendimeve për bulizëm, Armstrong më vonë u hoq nga lista e Razzies.

Razzies, që është vetëquajtur si “kushëriri i shëmtuar i Oscarit”, nisi në vitin 1980 si organizim i quajtur “Golden Raspberry Awards”, i krijuar nga të diplomuarit e shkollës së filmit UCLA dhe veteranët e industrisë së filmit, John J.B. Wilson dhe Mo Murphy.

Më shumë se 1,100 anëtarë të Razzie nga e gjithë SHBA-ja nga mbi 10 vende tjera votojnë për çmimet, sipas faqes së internetit Razzie./ KultPlus.com

11 zakonet e çuditshme të adhuruesve të librit

Për ata që duan të lexojnë, libri është një objekt shumë i çmuar dhe si i tillë duhet të mbrohet nga çdo gjë dhe nga kushdo. Nga ana tjetër, leximi ka nevojë për momentet e tij dhe atmosferën e duhur. Kjo është arsyeja pse adhuruesit e librit kanë zakone dhe mënyra sjellje të veçanta.

Dashamirët e librit kanë obsesione të vërteta në marrëdhëniet e tyre me librin dhe leximin. Por tek e fundit, kush nuk ka obsesione? Për ata që duan të lexojnë, libri është një objekt shumë i çmuar dhe si i tillë duhet të mbrohet nga çdo gjë dhe nga kushdo. Nga ana tjetër, leximi ka nevojë për momentet e tij dhe atmosferën e duhur. Kjo është arsyeja pse adhuruesit e librit kanë zakone dhe mënyra sjellje të veçanta.

  1. Nuhasin libra që lexojnë

Adhuruesit e librave e dinë se këto kanë një aromë të mirë, gjë që nxit nuhatjen e tyre intensive. Qoftë letra apo boja, librat (sidomos të vjetrit) kanë një aromë shumë të veçantë.

  1. Shpenzojnë shumë parave për blerjen e librave

Shumë pak adhurues të librit janë në gjendje të hyjnë në një librari pa blerë më shumë sesa një libër. Të kuptohemi: blerja e librave nuk është një gjë e keqe, por mund ta lini portofolin tuaj të “marrë frymë”, duke i kujtuar vetes se ka shumë biblioteka publike.

  1. Përditësojnë vazhdimisht listën e librave që duan të blenë

Renditja dhe përditësimi i rafteve të librave të sapo blerë është një gjë shumë normale për adhuruesit e librave. Ashtu si në komodinën e tyre, renditja e tyre shndërrohet në një praktikë thuajse obsesive.

  1. Përfitojnë nga çdo moment për të lexuar

Për ta çdo vend apo kohë është ideale për të lexuar. Nga trenat tek autobusët tek leximi gjatë ecjes në rrugë. Por sapo adhuruesit e librave kthehen në shtëpi, ata nuk humbasin asnjë rast për të krijuar një situatë super relaksuese për t’u kënaqur me leximin. Si për shembull mbushja e vaskës me ujë të nxehtë dhe rrethimi i saj me qirinj aromatikë.

  1. E krahasojnë librin me serialin televiziv

Diskutimi me miqtë përqendrohet pothuajse gjithmonë tek serialet televizive të bazuara në librat tuaj të preferuar. Sigurisht, adhuruesit e librit nuk humbasin asnjëherë shansin për të mbrojtur variantin letrar, dhe pse librat nuk mund të zëvendësohen nga filmat dhe serialet televizive.

  1. Gjykojnë vazhdimisht bibliotekën e të tjerëve

Dashamirësit e librit dinë të mos e gjykojnë një libër nga kopertina e tij. Por nuk humbin asnjëherë rastin për të gjykuar njerëzit nga librat që kanë në bibliotekën e tyre private.

  1. Gjejnë justifikime për të qëndruar në shtëpi dhe për të lexuar

Adhuruesit e librit duan të kalojnë kohë me miqtë, por në të njëjtën kohë preferojnë shumë të qëndrojnë në shtëpi dhe të lexojnë një libër.

  1. Bëjnë gati disa libra për t’i marrë me vete kur udhëtojnë

Ndonjëherë, qoftë vetëm për një fundjavë, duhet të largohen për diku, por për adhuruesit e librit kjo gjë nuk e ndal dëshirën e tyre për të lexuar. Në valixhen e tyre nuk duhet të mungojnë asnjëherë librat e preferuar që do të lexohen gjatë pushimeve.

  1. Nisin të lexojnë një libër teksa janë duke lexuar një tjetër

Kush thotë se librat duhet të lexohen njëri pas tjetrit? Sigurisht, disa nga momentet e rrëfimit mund të fillojnë të ngatërrohen me njëri-tjetrin, dhe kërkohet më shumë kohë për të përfunduar të dy librat. Por pavarësisht kësaj nuk ka asnjë arsye për të mos lexuar dy ose më shumë libra në të njëjtën kohë.

  1. E përdorin çdo gjë si faqe-shënues

Faturat dhe deklaratat bankare mund të jenë faqe-shënuesit tuaj. Me siguri edhe faqe-shënuesit më të sigurt në botë, e përdorin herë pas here kartën e tyre të kreditit ose kartën e biznesit. Madje disa dashamirës të guximshëm të librit, mund ta kenë zakon që thjesht të kujtojnë numrin e faqeve të tyre.

  1. Lexojnë gjithë natën për të përfunduar një libër

Çdo adhurues i librit e di se si është të shtrihesh në shtrat duke ia ngulur sytë librit, dhe duke e lexuar deri në orën 3 të mëngjesit, në pamundësi për të fjetur pa mësuar fundin e tij. /libreriamo/ KultPlus.com

‘Si s’pate pak mëshirë, me m’lanë në kohë ma t’mirë’ (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha konsiderohet si ikona e muzikës shqiptare e cila ndër vite ka krijuar këngët më të njohura shqipe.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Këtu po i sjellim disa nga këngët më të famshme të cilat ndër vite vazhdojnë të dëgjohen dhe të mbesin të pavdekshme për gjithë publikun.

“Baresha” është kënga më e njohur që ka sjellur emocione të fuqishme dhe që vazhdon të dëgjohet me ndjenja krenarie. Zëri i jashtëzakonshëm i Bilbilit të Këngës Shqipe përcillet me pamjet me të bukura të natyrës së Kosovës.

Nexhmije Pagarusha është e njohur edhe për këngët e saj pa karakter patriotik. Njëra nga to është “E dehur jam”, një baladë dashurie e cila ka qenë dhe vazhdon të mbetet ndër më të preferuarat e publikut. E njëjta është ripërpunuar dhe kënduar nga shumë artistë.

“Ani mori nuse” është një tjetër këngë shumë e njohur e Nexhmije Pagarushës e cila i takon korpusit popullor dhe folklorik të muzikës shqiptare.

Duhet përmendur se Nexhmija, kjo grua e rrallë dhe legjendë e artit e kulturës shqipe, pos si këngëtare është njohur edhe si aktore në disa filma dhe shfaqje teatrore. Megjithatë, ajo kulmoi në këngë dhe ishte e magjishme në notat e larta muzikore. / KultPlus.com

Kujtesa e palëkundur bashkë me tavolinën, Ferdonija si simbol i dhimbjes, guximit dhe këmbënguljes

Flonja Haxhaj

Tavolina e nënës Ferdonije Qerkezi, me gjashtë pjatat e saj me gjellë, pesë prej tyre të paprekura, u zhvendosën për disa ditë në Prishtinë, për të përcjellë një dhimbje të madhe që ajo përjeton tash e 24 vite, që kur forcat serbe ia morën me forcë bashkëshortin dhe katër djemtë, e që atëherë s’i pa më, shkruan KultPlus.

Rutina e saj e përditshme, nuk dalloi për këto mbi dy dekada. Ajo ballafaqohet e vetme çdo ditë me të njëjtën dhimbje. Me sy kah dera ajo pret me shpresë për më të dashurit, ndonëse për dy djemtë e saj ajo të paktën gjeti qetësi dhe ka dy varre ku t’i vajtojë pasi në vitin 2005 u gjetën eshtrat e tyre.

E për të përcjellë këtë dhimbje të përditshme të Qerkezit dhe të shumë familjeve të tjera që presin akoma me shpresë për familjarët e tyre, më 8 mars, në Muzeun Etnologjik në Prishtinë, Artan Korenica hapi ekspozitën ku u dha edhe premiera e filmit ‘Tavolina’.

Filmi 12-minutësh ‘Tavolina’, paraqet një ditë të Ferdonije Qerkezit.

Aktorja Arta Muçaj e cila është përzgjedhur nga Artan Korenica për të portretizuar figurën e Ferdonije Qerkezit dhe një ditë të saj rutinë, thotë për KultPlus se përveç si sfidë në vetë ajo shprehet e privilegjuar që është përzgjedhur ta luajë këtë rol.

“Jam e privilegjuar që kam qenë pjesë  e filmit ‘Tavolina’, sepse të luash një personazh që është real është shumë më e vështirë se sa të bësh një rol fiktiv. Po flasim për një grua, një nënë që për dy dekada  e më shumë kalon nëpër një dhimbje të madhe duke pritur çdo ditë se mos ndoshta do gjenden më të dashurit e saj, burri me katër djemtë, te cilët armiku ia mori  gjatë luftës me dhune nga shtëpia”, u shpreh Muçaj, e cila më tutje thotë se shpreson të ketë arritur ta përcjelllë sa do pak nga ajo dhimbje që Ferdonije Qerkezi ka në shpirt.

“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë që nga momenti kur kam hyrë në shtëpinë e saj ku mban gjithë gjërat e familjareve dhe ku shtëpia është muze. Më është dashur ti prek që nga këpucet e tyre, rrobat, shtratin, që nuk mund ta shpjegoj çfare energjie kam ndjerë, më dridhej i gjithë trupi”, rrëfen Muçaj emocionet e para të ballafaqimit me jëtën e Ferdonije Qerkezit.

Ndërkaq, përveç filmit, në dhomën kryesore të Muzeut, janë të paraqitura fotografi të shumë njerëzve që kanë humbur familjarët në Luftën e Fundit në Kosovë. Fotografitë që flasin vetë, i përshkruan me një fjalë një detaj, pritja.

Dikush babanë, dikush bashkëshortin, djemtë e shokët, brënga për më të dashurit e tyre i mundon tash e 24 vite.

Ju kujtojmë që ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 mars, ku të gjithë të interesuarit mund t’i shohin fotografitë dhe filmin ‘Tavolina’./ KultPlus.com

Dikur viktimë e luftës, sot nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Bogujevci: Kur u kandidova për deputete, vendosa vathët e mamit

Intervistë e realizuar më 2021

Është e ulur në ulësen e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, ka vetëm 36 vjet, me 7 vjet e ka përjetuar ndjenjën e të qenit nga vendet e treta, duke u strehuar si azilante në Suedi, me 13 vjet, trupin e saj e shpuan 16 plumba, me sy pa vdekjen familjarëve, po me 13 vjet e përjetoi statusin e refugjates në Angli, ka gjashtë operacione, krahun e majtë nuk e ka plotësisht funksional, deri sa mbërthen kopsat e një këmishe apo të një fustani i merr më shumë kohë se sa grave të tjera, i rekomandohet edhe një operacion i radhës, dhe përderisa udhëheqë seancat e Kuvendit të Kosovës, fshehtas merr një jastëk me vete, që të pushojë dorën, sepse nëse nuk e praktikon një metodë të tillë, trupi i saj nuk e përballon një lodhje nga dhimbja që ia shkakton krahu, dhimbje që ia kujton luftën, serbet, vdekjet e më të dashurve dhe sfidat që ia sollën po ata serb, që i gjuajtën me mitralozë në shtëpinë ku ishte rritur Saranda Bogujevci, shtëpi që e kishte si një idil të fëmijërisë, e që tenton ta ruaj me atë dashuri, sikurse para luftës.

Ardianë Pajaziti

Përderisa më pret në takim, sytë e saj janë plot buzëqeshje, qëndrimi i saj është plot forcë, dhe mënyra se si ulet tregon shumë për këtë grua, një mënyrë e uljes sikurse forcon kontaktin me tokën, me rrënjët, tokë në të cilin prehet nëna, dy vëllezërit e saj, gjyshja e familjarë të tjerë, por që nëpërmjet këtij kontakti, ajo sikur lëvizë edhe njëherë prej karriges, për të treguar se sa e gatshme është që të punojë për këtë vend.

Më lutë që ta kursejë me pyetjet, është kohë e fundvitit, dhe sipas saj nuk dëshiron që të ngarkohet edhe më shumë. I premtova që do të jem e kujdesshme, por më pas e kuptova se nuk më duheshin edhe aq shumë pyetjet. Saranda nuk po ndalej, sikur kishte pas nevojë që këtë rrëfim me shumë dhimbje, ta tregojë edhe një herë, edhe dhjetë herë, edhe 1000 herë, edhe… Është rrëfim që edhe nëse nuk e flet, e ka brenda saj, brenda takimeve me miq, brenda takimeve të punës, brenda ëndrrave.

Fëmijërinë e vlerëson si pjesën më të bukur të jetës së saj, periudhë që kur flet, i shkëlqejnë edhe sytë. Kur flet për atë periudhë, sikurse ngjallet shpirti fëmijëror brenda saj, dhe energjia e saj është dukshëm më e theksuar.

“Si fëmijë kam qenë shumë e lumtur. Jam rritë në bashkësi familjare, unë si fëmijë mbaj mend që ka jetuar me ne edhe stërgjyshi, gjyshi, gjyshja, babi, mami, unë me dy vëllezërit e mi, axha me gruan dhe fëmijët e tyre, dhe një axhë tjetër që ishte më i ri. Ishte një familje që na ofronin shumë dashuri, dhe na plotësonin kushtet me aq sa mundin për atë kohë”, tregon Saranda, e cila për të treguar se sa ishin të lidhur si familje, tregon edhe detajin se vetëm për të qenë me një klasë me vajzën e axhës, vajzën e dajës, djalin e hallës, ajo kishte hyrë në shkollë një vit më herët, dhe klasën e parë e kishte nisur me vetëm gjashtë vjet.

Por lumturia e shkollës për këta fëmijë, sikurse për shumë nxënës të asaj periudhe sikur po zbehej. Saranda bashkë me nxënësit e tjerë, qysh në klasën e parë patën fatin që hyrjen në objekt shkollor ta përjetojnë vetëm sa për tu njoftuar me njëri tjetrin, por më pas, ata u detyruan të vazhdojnë shkollimin në një kopsht të fëmijëve, që Saranda edhe sot e quan foshnjore, për shkak se serbet në atë kohë nxorën nga objektet shkollore të gjithë fëmijët shqiptarë.


Saranda Bogujevci dhe një pjesë e familjes Bogujevci, foto nga fëmijëria

Si fëmijë shkuam të jetonim në Suedi, ishim pa fat, nuk na dhanë leje qëndrimin

E vogël fare, menjëherë pas gjysmëvjetorit të parë, babai i saj i nxjerrë nga puna, në atë kohë inxhinier në Obiliq, kishte marrë vendim që bashkë me familjen të migronin në Suedi.

Saranda Bogujevci, si e vogël nuk e kishte të qartë se pse po i bënin ato lëvizje, veç mban mend se atje qëndruan një vit e gjysmë, dhe përgjatë kësaj kohe kishte shkuar edhe në shkollë.

“Nuk e kam kuptuar pse jemi në Suedi, nuk e kam kuptuar as pse u kthyem prapë në Kosovë. Isha e vogël dhe nuk i kuptoja këto lëvizje”, rrëfen Saranda për KultPlus, por se ajo dhe familja e saj janë trajtuar si një familje nga vendet e treta, e ka të freskët edhe sot.

“Shkonim në shkollë, por në fakt nuk ishte shkollë e rregullt. Na mësonin në kampin e azilantëve, dhe më kujtohet se si na patën dërguar njëherë në një shkollë të rregullt, na dërguan që të shohim se si funksionon një shkollë e rregullt”, kujton Saranda atë periudhë, ku krejt familja ishte e izoluar brenda një kampi të azilantëve, prindërit pa të drejtë pune, dhe pas një viti e gjysmë, kujton Saranda që i kthyen sërish në Kosovë, duke mos ia dhënë lejen e qëndrimit.

“Fatkeqësisht ishim të pa fat” fshan Saranda, e cila me këtë fshamë, sikur e thotë me zë, se gjithçka do të ishte ndryshe, nëse shteti suedez do ti lejonte qëndrimin.

Saranda më pas tregon se si janë kthyer sërish në Podujevë, se si ka vazhduar shkollën po në të njëjtën klasë, dhe për përpjekjet e familjes që ta bënin sa më të lehtë situatën e vështirë që po krijohej në Kosovë, përpjekje që e vlerëson edhe sot kjo grua, që përgjatë karrierës politike ka udhëheqë me Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, për një mandat ka qenë deputete, dhe tash ka pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës.

Dhe përderisa biseda shkonte e ofrohej në datën 28 mars të vitit 1989, datë që edhe ka ndryshuar gjithçka brenda kësaj familje, Saranda sikur e ndjen se po vjen një moment më i vështirë për të mbledhë forcat për këtë pjesë të rrëfimit. Përvjelë mëngët e këmishës, një këmishë ngjyrë hiri, e ku zbulohen shenjat e plagëve të luftës, që i ka mjaftë të dukshme në dorën e majtë.

Ishte vetëm 13 vjeçe, dhe në shtëpinë e Bogujevcëve nuk ishte vetëm familja e saj, por edhe familje të tjera që kishin ardhë për tu strehuar, me idenë se janë më të sigurte brenda qytetit.

Bombardimet kishin filluar më datën 24 mars, dhe pas asaj date edhe lëvizjet e policëve dhe ushtarëve serb ishin më të shpeshta dhe më agresive.

“Pas fillimit të bombardimeve, situata kishte fillu me ndryshu, ishte shumë më e tensionuar. Edhe pse, në ishim shumë të entuziazmuar që kishin filluar bombardimet”, kujton Saranda.

Përpos entuziazmit të fillimit të bombardimeve, Saranda e kujton edhe periudhën e vështirë të asaj kohe, ku kujdesi duhej të ishte shumë më i shtuar.

Kujton kohën se si kanë fjete me tesha, në tokë, ku nuk ka pas drita, ku nuk kanë guxuar të lëshonin ujin, dhe se kur ka pas rrymë, me një shpejtësi të madhe kanë përgatitë ushqim për krejt ata anëtarë, për të vazhduar drejt një të nesërme enigmë.

Ndalesa e një autoblinde para dyerve të shtëpisë së familjes Bogujevci, ku ishte strehuar edhe familja Duriqi, por edhe të tjerë, kishte vënë në alarm gratë dhe fëmijët, dhe nga shtëpia që ishte buzë rrugës, ishin tërheqë në shtëpinë që gjendej në fund të oborrit të kësaj familje. Saranda thotë se lëvizjet e serbeve i shihnin edhe në shtëpitë e fqinjëve, pasi që oborret nuk kishin mure, dhe se mund të shihnin se si policët nxirrnin familjet shqiptare nga shtëpitë e tyre.   


E plagosur me gjashtëmbëdhjetë plumba

Jam shtirë si e vdekur, po trupat që kam pas përpara, i kam pa krejt, bashkë me Gencin, djalin e axhës

“Ushtria hyri në shtëpi, na gjetën në shtëpinë e fundit. Ata nuk patën hy prej derës kryesore, po prej oborreve të kojshive. Po nëpër oborre na kanë nxjerrë në rrugë, dhe prej aty na kanë dërgu në drejtim të stacionit të policisë. Na kanë lëvizë ashtu si turmë, përderisa lëviznim, herë e kam pas afër mamin, e herë gjyshen, dhe ashtu duke na lëvizë prapë na kanë kthy në shtëpi, aty ka ndodhë”, tregon Saranda, e cila për një moment heshtë.

Me 16 plumba në trup, dhe me vetëm 13 vjet, Saranda Bogujevci pa gjithçka nga afër. Gjyshen dhe njërin nga vëllezërit e kishte parë se janë të vrarë, e mamin dhe vëllain tjetër i kishte pas prapa, dhe nuk e kishte kuptuar menjëherë se çfarë kishte ndodhë me ta. Bashkë me djalin e axhës, Gencin, që në atë kohë ishte vetëm gjashtë vjeç, kishin parë gjithçka.

“Jam shtirë si e vdekur, po trupat që kam pas përpara, i kam pa krejt, bashkë me Gencin, djalin e axhës. E kemi pa gjyshen, e kam pa vëllain e vogël, vajzën e axhës, renë e hallës së babit, djalin e madh të Enver Duriqit,  kurse mami dhe vëllai i madh kanë qenë prapa meje, për ata nuk e kam ditë nëse kanë vdekë, apo kanë shpëtu. Pasi ka përfundu lufta e kam mësu që edhe mami edhe vëllai i madh nuk kanë shpëtu” tregon Saranda Bogujevci, e cila përderisa kujton këto pamje, shtrëngon duart me njëra tjetrën dhe vazhdon rrëfimin se tek në korrik të vitit 1999, kanë arrite me e gjete varrin se ku ishte varrosur nëna dhe vëllai i madh. Në mbrëmjen e 28 marsit, në shtëpinë e familjes Bogujevci u vranë 16 persona, prej foshnjave e deri në 70 vjeç, po vuajtja fizike dhe shpirtërore për të mbijetuarit veç sa kishte filluar.

Vetëm vajza e axhës Liria ishte dërguar për shërim në Beograd, kurse të tjerët në Prishtinë. Përgjatë krejt periudhës së bombardimeve, fëmijët e mbijetuar të familjes Bogujevci: Saranda, Fatosi, Jehona dhe Genci po trajtoheshin në spitalin me personel serb, me ndonjë infermiere të paktë shqiptare, e me ndonjë rom, ku këta të fundit shërbenin në sanitari.

Përderisa e kujton qëndrimin në spital të Prishtinës, Saranda rrëfen për një porosi të një infermiereje shqiptare, që më vonë e ka kuptuar mesazhin e saj. Ajo i kishte thënë që mos të fliste asgjë, sepse të gjithë e kuptojnë gjuhën shqipe.

“Ishim të rrezikuar, sepse si personel, para medieve na paraqitnin si fëmijë që kemi pësuar nga bombardimet e NATO-s, është edhe një video ndërkombëtare se si na raportojnë se jemi fëmijë të lënduar nga bombardimet e NATO-s. Por duke refuzuar që të deklarojmë ashtu, por në anën tjetër ishim shumë në rrezik, ne zgjodhëm të thoshim se, ‘kemi dëgjuar një zhurmë, dhe më nuk mbajmë në mend asgjë’”, tregon Saranda.

Fëmijët e mbijetuar të familjes Bogujevci, të gjithë me plagë të rënda, deri në përfundim të luftës kanë qëndruar në spitalin e Prishtinës, në shumicën e kohës me kujdes jo adekuat, e ku sipas Sarandës, ka pas një numër të vogël të personelit që kanë pas kujdes profesional.

Dhe pas përfundimit të luftës, këta fëmijë, jo të kuruar dhe me shumë probleme fizike, kthehen në shtëpinë e tyre në Podujevë, pikërisht në shtëpinë ku ndodhi edhe tmerri i 28 marsit. Saranda kujton se para se të shkojnë në shtëpi, familjarët e tyre nga rrethi i gjerë, kanë shkuar dhe e kanë ambientuar shtëpinë, sikurse që janë kujdes për këta fëmijë, për ti ushqyer e larë.

“Në familjen tonë, shkuan gratë dhe fëmijët, ne që mbijetuam mbetëm me baballarët, dhe në gjendjen që ishim, me shumë plagë, na duhej kujdes intensiv, por që nuk na mungoi, sepse na ndihmoi familja”, thotë Saranda, e cila kujton se si pasojë e plumbave të shumtë, me vite të tëra nuk ka qenë e aftë që të pastrohet, e edhe kur ka filluar, pastrimin mund ta bënte vetëm me një dorë.

“Më është dashtë shumë kohë se si të mësohem që të pastrohem me një dorë, si të mësohem të funksionoj me një dorë. Por me kohë e kam kriju pavarësinë, dhe shumë punë jam mësuar ti kryej vetëm me dorën e djathtë”, vazhdon rrëfimin Saranda, e cila është falënderuese për shtetin anglez, shtet që e strehoi në shtator të vitit 1999.  

Nuk mund të mbërthej kopsat dhe nuk mund të pastrohem me dorën e majtë

“Në shtator të vitit 1999 kemi shku në Angli, unë me babin dhe axha me fëmijët. Mua dhe Jehonën, vajzën e axhës, na kanë dërgu drejt në spital, dy muaj nuk kemi dalë hiq nga spitali, sepse gjendja jonë nuk ishte e mirë. Deri më tani i kam gjashtë operacione në pjesën e dorës, ku operacioni i parë ka zgjatë për 13 orë”, vazhdon rrëfimin Saranda, e cila kujton se edhe pse kanë dalë prej spitalit, jeta e tyre ishte bërë imune me personel mjekësor. Kishin filluar shkollimin, po orari i tyre i shkollës ishte i përshtatur edhe me disa orë fizioterapi, e kthim të herëpashershëm të intervenimeve. 

“Deri në vitin 2003 ka vazhduar kjo rutinë e intervenimeve, pastaj edhe në vitin 2008 e kam pas një operim, kemi takime me mjekët në baza vjetore, dhe së fundi më është propozuar edhe një operim tjetër, por jam duke e mendu, proces shumë i mundimshëm, dhe nuk di a ti nënshtrohem apo jo”, thotë Saranda, e cila nga të gjithë fëmijët e familjes Bogujevci, ajo e specifikon Lirinë, si më të lënduarën. E plagosur në fyt, për tetë muaj është dashur të ushqehej direkt prej stomakut, por që sipas Sarandës, tashmë e ka kaluar. Kurse ato që vuajnë edhe më tej problemet shëndetësore, janë Saranda me Jehonën, dhe që të dyja nuk i kanë në funksion të plotë duart e majta.

“Ka plot gjëra që nuk mund ti bëj, po nuk e kam kufizuar vetën për këtë shkak, nuk hezitoj as të kërkoj ndihmë”, thotë Saranda, e cila kujton edhe për vonesat që i shkaktojnë kopsat e kamishave dhe fustaneve, por edhe udhëheqja e seancës, e që ka gjetë një metodë, ajo merr me vete një jastëk, që ta çlodhë dorën, përderisa seancat e Kuvendit të Kosovës janë të gjata.

Ekspozita e fëmijëve të familjes Bogujevci në Beograd, ishte i pranishëm edhe kryeministri i atëhershëm Ivica Daciq

Nuk jemi aty ku kemi pas mundësi me qenë, por unë luftoj për fuqizimin e këtij vendi

Dhe fëmijët e familjes Bogujevci, që panë vdekjen me sy, përpos që u përballën në gjykatë me vrasësit, edhe pse të vegjël në moshë, ata, mbi supet e tyre morën edhe një mision tjetër. Masakrën në shtëpinë e familjes Bogujevci vendosën ta prezantojnë edhe nëpërmjet një ekspozite, ekspozitë që fillimisht ishte hapë në Prishtinë, e më pas është prezantuar në Tiranë dhe në Beograd.

Saranda thotë se kjo ide ishte e krejt familjes, po ka rastisë që vetë Saranda të prezantohet në emër të familjes.

Në vitin 2011, fëmijët e familjes Bogujevci këtë ekspozitë e kanë prezantuar në Prishtinë, në vitin 2012 në Tiranë, në vitin 2013 në Beograd, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i atëhershëm Ivica Daciq. “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, është ekspozitë që i ka katër pjesë: dhomën e ndejës, trungun familjar, spitalin dhe gjykimin.

“Është një tregim për ne, se si kemi jetu si familje, çka ka ndodhë gjatë luftës, përjetimet që i kemi pas në spital, dhe pjesëmarrja jonë nëpër disa gjykime”, thotë Saranda Bogujevci, e cila këtë ekspozitë e ka bërë sa ishte duke jetuar në Angli, dhe kjo ekspozitë kishte bërë që vizitat ti bënte më të shpeshta dhe më të gjata në Kosovë.

“Për shkak të ekspozitës, më shpesh vija në Kosovë, edhe pse, edhe para ekspozitës, bashkë me familjen kemi ardhë çdo verë. Por pas këtyre qëndrimeve më të gjata, pata fillu me mendu, se nëse është e mundshme me u rikthy në Kosovë. Megjithatë u ktheva pa plan, në fund të vitit 2013, i kisha disa projekte që edhe ishin arsye pse isha në Kosovë. Lëviza Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet lokale në Prishtinë, dhe në atë kohë, Blerta Zeqiri u pat emru drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, më pyeti nëse mund ta ndihmoj, dhe pranova me idenë se do të rri prej katër deri në gjashtë muaj, e në fakt, në maj të këtij viti që po hyjmë, më bëhen tetë vjet”, tregon Saranda Bogujevci, e cila prej atëherë është aktive në shoqërinë kosovare, por edhe me një mision më të veçantë, që ta bëj Kosovën ashtu si do të dëshironin të rënët e familjes së saj, por edhe të gjithë të rënët e Kosovës.

“Nuk jemi aty ku kemi pas mundësi me qenë, por unë luftoj për fuqizimin e këtij vendi, për një shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, drejtësi, sepse, ne si popull më së miri e dimë se si është të bëhet e padrejtë”, porositë Saranda.

Sot udhëheqëse e seancave të Kuvendit të Kosovës, e dje viktimë e luftës e me shumë vdekje brenda familjes, për të kujtuar më të dashurit e tyre, ajo shpesh vesh rrobet e mamit të saj, sidomos në raste më solemne.


Kandidate për deputetet në vitin 2017, me vathët e mamit dhe këmishën e saj

“Kam vathët dhe unazën e mamit, që i ka pas në trup po atë ditë kur e kanë vra. Vathët dhe këmishën e mamit, i kam edhe në fotografinë kur jam kandidu për herë të parë si deputete, në vitin 2017, edhe në seancën e fundit e pata një shall të mamit. I përdori gjësendet e mamit, sepse më ka inkuraju shumë. Për të, shkollimi ka qenë me shumë prioritet, sepse e ka ditë se çfarë do me thënë vajzë në shoqërinë tonë, dhe jo rastësisht unë sot e kuptoj dhe mundohem me avoku për çështje të barazisë gjinore, për shkak se unë jam rritë me një familje, ku roli i vajzave dhe grave ka qenë shumë i rëndësishëm”, përfundon Saranda Bogujevci, e cila insiston që krejt kjo cka ka ndodhë me shqiptarët, asesi nuk duhet harruar, por insiston edhe në faktin tjetër se duhet të punohet shumë, për të ardhmen ë të rinjve të këtij vendi.


Gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës

Duke e bërë jetën e vetme në Prishtinë, përderisa pjesa tjetër e familjes vazhdon të jetoj në Angli, Saranda Bogujevci vazhdon punën e saj si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, por e njëjta është edhe shumë aktive në shumë organizime kulturore në vend. Historinë e familjes së saj e mban vath në vesh, dhe përpos medieve vendore, përjetimin e saj shumë shpesh e dërgon edhe në mediet më prestigjioze. Saranda Bogujevci vazhdon të jetë zëri i vuajtjeve të popullit shqiptar, por më shumë zëri i të sotmes, ashtu sikurse janë edhe dy duart e saj, e majta me të shkuarën, dhe e djathta me të sotmen. / KultPlus.com

Një historian holandez zbulon thesarin mesjetar duke përdorur detektor metali

Një historian holandez gjeti një thesar unik ari mesjetar 1000-vjeçar, i përbërë nga katër varëse veshësh ari, dy shirita fletësh ari dhe 39 monedha argjendi, Muzeu Kombëtar Hollandez i Antikiteteve (Rijksmuseum van Oudheden ) njoftoi të enjten për këtë zbulim.

Lorenzo Ruijter, 27 vjeç, i cili i tha Reuters se ka qenë në kërkim të thesarit që kur ishte 10 vjeç. Ai e zbuloi atë në vitin 2021 në qytetin e vogël verior të Hoogwoud, duke përdorur një detektor metali.

“Ishte shumë e veçantë zbulimi i diçkaje kaq të vlefshme, nuk mund ta përshkruaj. Nuk e prisja kurrë të zbuloja diçka të tillë”, tha Ruijter, duke shtuar se ishte e vështirë ta mbash sekret për dy vjet.

Ekspertëve të Muzeut Kombëtar të Antikiteteve iu desh kohë për ta pastruar, investiguar dhe datuar objektet e thesarit dhe tani kanë zbuluar se monedha më e re mund të datohet rreth vitit 1250, gjë që i bëri ata të supozonin se thesari ishte varrosur atëherë./ KultPlus.com

Një poezi

Poezi e shkruar nga Charles Bukowski (1920-1994)

një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…/ KultPlus.com

‘Një mungesë e gjatë’, Luan Rama sjell romanin me historinë e vërtetë nga Lufta e Parë Botërore

Shkrimtari Luan Rama në një takim në Korçë ka bashkëbiseduar rreth krijimtarisë së tij duke u ndalur tek romani i fundit “Një mungesë e gjatë”.

Me stilin e veçantë ai sjell në këtë roman një histori të vërtetë të ndodhur në Korçë gjatë Luftës së Parë Botërore ku regjimenti i ushtrisë franceze ishte si aleat duke zbuluar mjeshtërisht fakte rreth marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Francës.

Në këtë roman, Rama arrin të japë kontraste te forta mes jetës dhe luftës e kostove të saj, e që në thelb përcjellin mesazhin e humanizmit që sipas tij duhet të jetë në vëmendje edhe për shkak të zhvillimeve aktuale duke u ndalur tek lufta në Ukrainë.

Romani është përkthyer edhe në gjuhën frënge nga Sebastien Gricourt, i cili ka punuar edhe gjatë luftës në Kosovë dhe pohon se çdo luftë le gjurmë të dhimbshme

Shkrimtari Luan Rama, gjatë krijimtarisë së tij, ka arritur të zbuloje gjurmë historike dhe kulturore qe kane ndikuar ne marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Francës duke u përqendruar tek qyteti i Korçës./KultPlus.com

Pse njerëzit nuk buzëqeshnin në fotot e vjetra

Të gjithë pak a shumë i kemi lidhur fotot me buzëqeshjen. Ndoshta kjo është për shkak se ne mendojmë se dukemi më mirë kur kamera kap një anë më të këndshme prej nesh. Në veçanti, ne besojmë se një foto e buzëqeshur pasqyron mirëqenien tonë, një mendim mjaft i zakonshëm tani që mediat sociale janë të moderuara. Por nëse kapim fotot e vjetra të shekullit të 19-të apo të 20-të, e kuptojmë menjëherë se atëherë nuk ishte kështu. Por për çfarë shkaktohet kjo? Pse njerëzit, të paktën shumicën e kohës, nuk buzëqeshin në fotot e vjetra?

Pse nuk buzëqeshin në fotot e vjetra?

Ka disa teori që mund të japin një shpjegim të mundshëm për këtë. Sado e çuditshme të duket, në fotografitë e vjetra subjektet, pavarësisht moshës, klasës shoqërore, gjinisë, rrethanës apo gjendjes psikologjike, nuk buzëqeshnin kurrë. Ata duket se kanë fytyra të ngrysyra gjatë gjithë kohës, ndërsa herët e tjera duket se nuk kanë fare emocion. Vështrimi i tyre ishte i ngulur në hapësirë.

Por çfarë ndodhte në të vërtetë? Sipas priftit francez, John Baptist Delasalle, dhëmbët e pambuluar ishin një shenjë e pahijshme. E njëjta gjë besohej në epokën viktoriane. Por, një ndryshim i vogël në këtë teori, i jep një tjetër dimension arsyes pse njerëzit fshehin dhëmbët. Kjo për shkak se dhëmbët e tyre ishin të keq dhe për këtë arsye shmangnin shfaqjen e tyre, shkruan abcnews.al

Një tjetër teori është se njerëzit që pozonin për foton ishin të rraskapitur me të drejtë. Koha që duhej të qëndronin në këmbë ose të qëndronin në vend ishte objektivisht e mjaftueshme për t’i bërë ata të humbnin durimin. Kjo sigurisht me kamerat e reja që u shfaqën në vitet 1900, është diçka që ndryshoi. Shkrepja “perfekte” nuk kërkonte më shumë kohë.

Sado e çuditshme që mund të na duket që njerëzit nuk buzëqeshin në fotot e vjetra në krahasim me sot, padyshim që ka një shpjegim logjik pas kësaj. Megjithatë, këto foto gjithmonë do të kenë pak… mister./abcnews.al/ KultPlus.com