Censurohet filmi ‘The French Connection’, irritohen fansat

Fansat e filmit klasik, “The French Connection”, janë zemëruar pasi që një skenë e filmit është censuruar pa paralajmërim.

Ata janë befasuar kur pas dhjetë minutave të filmit kanë parë diçka që është hequr nga drama e Ëilliam Friedkinit.

Skena në fjalë përmban një dialog midis personazheve, Popeye dhe Cloudy, ku përdoret një fyerje në baza racore.

“Ata e kanë vandalizuar një vepër arti. Ky është vandalizim nga ana e korporatave pavarësisht se si e rrotullon gjuhën korporata në fjalë”, ka thënë njëri prej fansave./KultPlus.com

Thënie brilante nga Miguel de Cervantes

Miguel de Cervantes (1547-1616) ishte shkrimtar spanjoll, romancier, poet, dramaturg dhe ushtarak.

Njihet botërisht ngaqë është autori i romanit “Don Kishoti i Mançës”, një nga kryeveprat e letërsisë botërore të të gjitha kohërave.

Gjeni më poshtë disa nga thëniet e tij të urta:

Kështu janë femrat për natyrë, përbuzin ata që i dashurojnë e dashurojnë ata që i përbuzin.

Ku rron smira nuk mund të ketë virtyt.

Predikon mirë ai që jeton mirë.

Tridhjetë priftërinj me gjithë ipeshkvin në krye, nuk mund ta detyrojnë gomarin të pëllasë kundër dëshirës së tij.

Mund të ketë dashuri pa xhelozi, por jo dashuri pa frikë.

Nuk ka dashuri të çuar dëm.

Mbi majat më të larta godet rrufeja, e ku i bëhet më shumë rezistencë bën dëme më të mëdha.

Nëse nuk e shijon fatin kur e ke, mos u anko kur të mos e kesh.

Një fjalë në çastin e duhur vlen më shumë se njëqind në çastin e gabuar.

Fatkeqësitë e gjejnë fatkeqin edhe po të fshihet në skajin më të largët të tokës.

Mos kërko leje për të marrë diçka që mund të marrësh pa leje.

Secili është ashtu si Zoti e ka krijuar, e shpeshherë edhe më keq./KultPlus.com

Diana Çuli  sjell “Të pandarat” nga Simone de Beavoir në Panairin e Librit në Prishtinë  

Romani “Të pandarat” i Simone de Beavoir, ishte një tjetër roman që mblodhi adhuruesit e librit në Panairin e Librit që po mbahet në Prishtinë, dhe për këtë libër në panelin e diskutimit ishte vet përkthyesja e këtij libri  Diana Çuli, e cila ishte e shoqëruar edhe nga drejtuesit e këtij Panairi, Edon dhe Besian Zeneli, shkruan KultPlus.

Çuli  qysh në fillim ka treguar se ky roman është një roman me figurë simbolike të feminizmit dhe barazisë gjinore. 

“Është një roman i shkurtë autobiografik, me histori personale, ku dy shoqe të vogla në mes të dy luftërave botërore,  Andrea dhe Silvia përballen me paragjykimet, seksizmin, rrethanat e vështira kohore të cilat ishin prezent në atë kohë në Evropë”, u tha mes të tjerash në këtë takim letrar. 

Shtjellimi i radikalizmit katolik të familja e Andreas, një familje ekstreme katolike, ku  askush nuk guxon të dalë jashtë kontestit fetar dhe trysnia e nënës së Andreas por me butësi, duke e kushtëzuar në mënyre të tërthortë e bëjnë këtë vepër akoma më shumë të dëshiruar për lexim, edukim dhe luftën kundër dhunës, radikalizmit e paragjykimeve në baza gjinore. 

Diana Çuli, më pas tregoi se ky libër është libri i tretë me radhë që ka përkthyer nga krijimtgaria e Simone de Beavoir.

“Është libri i tretë i Simones  që është përkthyer nga unë. Simone de Beavoir shënoj fillimin e valës së dytë të feminizmit. Një libër që flet për miqësinë dhe barazinë gjinore”, ka shpejguar Çuli.  

Diana Çuli është shkrimtare, përkthyese dhe studiuese e njohur e letërsisë shqipe, e vlerësuar me çmime në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare 

Libri “Të pandarat” u promovua në Afmiteatrin e Pallatit, hapësirë kjo që ka grumbulluar shumë shkrimtarë, përkthyes e lexues në një vend të vetëm tash e sa ditë./ KultPlus.com

Ndryshimet klimatike po detyrojnë peshqit të braktisin habitatin e tyre

Në brigjet e Kinës juglindore, një specie e veçantë peshku e quajtur Bombay po shtohet. Ky është një peshk i gjatë dhe i hollë me një nofull të veçantë, të hapur dhe një strukturë si pelte. Kur anijet kërkimore peshkojnë në shtratin e detit, ato tani kapin mbi 200 kg peshk xhelatinoz në orë, pothuajshe dhjetëfish më shumë se një dekadë më parë. “Është diçka e tmerrshme,” thotë studiuesi i peshkimit në Universitetin e Kolumbisë Britanike, Daniel Pauly.

Arsyeja e këtij pushtimi masiv, thotë Pauly, janë nivelet jashtëzakonisht të ulëta të oksigjenit në këto ujëra të ndotura. Llojet e peshqve që nuk mund të përballojnë më pak oksigjen kanë ikur, ndërsa peshqit Bombeit, pjesë e një nëngrupi të vogël speciesh që është fiziologjikisht më e aftë të përballet me më pak oksigjen, është zhvendosur aty.

Peshkimi po i bën disa njerëz të lumtur, pasi Bombey është krejtësisht i ngrënshëm. Por fluksi ofron një vështrim në një të ardhme të zymtë për Kinën dhe për planetin në tërësi. Ndërsa atmosfera ngrohet, oqeanet në mbarë botën po bëhen gjithnjë e më të privuar nga oksigjeni, duke detyruar shumë specie të migrojnë nga shtëpitë e tyre të zakonshme. Studiuesit presin që shumë vende të përjetojnë një rënie të diversitetit të specieve, duke përfunduar me ato pak specie që mund të përballojnë kushtet më të vështira. Mungesa e diversitetit të ekosistemit do të thotë mungesë elasticiteti. “Deoksigjenimi është një problem i madh,” thekson Pauly.

Oqeani ynë sa vjen edhe bëhet më i ngrohtë dhe i privuar nga oksigjeni dhe jo vetëm që do të mbajë më pak lloje peshqish, por peshq më të vegjël dhe më shumë baktere që prodhojnë gaz serrë, thonë shkencëtarët. Tropikët do të zbrazen ndërsa peshqit do të lëvizin në ujëra më të pasura me oksigjen, thotë Pauly, dhe ata peshq të specializuar që tashmë jetojnë në pole do të përballen me zhdukjen.

Studiuesit ankohen se problemi i oksigjenit nuk merr vëmendjen që meriton, me acidifikimin dhe ngrohjen e oqeanit që ka rrëmbyer pjesën më të madhe të titujve të lajmeve dhe kërkimeve akademike. Vetëm këtë prill, për shembull, artikujt theksonin se ujërat sipërfaqësore globale ishin më të nxehta se sa kanë qenë ndonjëherë, një mesatare tronditëse prej 21C (70F) . Kjo padyshim nuk është e mirë për jetën detare. Por kur studiuesit marrin krahasojnë tre efektet – ngrohjen, acidifikimin dhe deoksigjenimin – ndikimet e oksigjenit të ulët janë më të këqijat.

“Kjo nuk është aq e habitshme,” thotë Wilco Verberk, një eko-fiziolog në Universitetin Radboud në Holandë. “Nëse ju mbaron oksigjeni, problemet e tjera janë të parëndësishme.” Peshku, si kafshët e tjera, duhet të marrë frymë.

Rënia e oksigjenit shkaktohet nga disa faktorë. Së pari, ligjet e fizikës diktojnë që uji i ngrohtë mund të mbajë më pak gaz të tretur sesa uji më i ftohtë (kjo është arsyeja pse një sode e ngrohtë është më pak e gazuar se ajo e ftohtë). Ndërsa bota jonë ngrohet, ujërat sipërfaqësore të oqeaneve tona humbasin oksigjenin, përveç gazrave të tjerë të tretur./KultPlus.com

Veliera ‘Sea Cloud’ me dhjetëra turistë amerikanë viziton Durrësin

Në portin e Durrësit u ankorua sot veliera “Sea Cloud” me turistë të huaj në bord.

Autoriteti Portual Durrës ndau pamje nga vizita e velierës, e cila vjen prej më shumë se 10 vitesh në Durrës.

“Dhjetëra turistë amerikanë erdhën sot me velierën turistike “Sea Cloud”, për të vijuar turin e tyre njohës në vendin tonë. Shumë prej tyre u nisën drejt Krujës dhe Tiranës, ndërsa të tjerët do të vizitojnë qendrat historike dhe arkeologjike të Durrësit”, theksoi APD.

Veliera “Sea Cloud”, me një personel prej 58 personash, është e gjatë 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas./ atsh/ KultPlus.com

Në Panairin e Librit në Prishtinë u diskutua për romanin “Gruaja e kolonelit”, për gruan e shtypur nga dashuria

Romani “Gruaja e kolonelit” ishte një ndër romanet që u promovua gjatë ditës së sotme në Panairin e Prishtinës që po mbahet tash e sa ditë, dhe se për këtë roman përpos që u diskutua në pika të shkurtëra për përmbajtjen e librit, Petrit Ymeri foli edhe për rëndësinë dhe rolin e lexuesit, shkruan KultPlus.

Drejtori i Shtëpisë Botuese “Dituria” që edhe ka nxjerrë këtë libër ka thënë para të pranishmëve se “Lexuesi është edhe subjekti edhe objekti ” 

Ndërkohë, për romanin “Gruaja e kolonelit” nga Rosa Liksom,  u tha se është një libër që na rrëfen për çështjen e një gruaje që dashurohet në burrin e gabuar.

“Ajo dashurohet në një kolonel komunist, i vrazhdë, “playboy”.  Lufta botërore, dhuna e kolonelit të pasur, Finlanda e shtrydhur në mes Rusisë dhe Gjermanisë, të gjitha këto shtjellohen në këtë roman”, u tha para të pranishmëve në promovimin e këtij libri.  

“Figura e kolonelit është një mishërim tipik i kohës, i nacionalizmit-nazist. Një personazh me një natyrë të egër dhe të vrazhdë, shfrytëzon dashurinë e sinqertë të një gruaje të thjeshtë për dhunë dhe kënaqësi vetjake. Në roman ka edhe elemente të tjera si përshkrimi i natyrës, përfshirja e problemeve dhe nevojave të shoqërisë , jo vetëm në rrafshin individual por edhe në atë kolektiv, që shoqërohet me një degradim moral e psikik, duke e shtyrë të kërkojë një fat tjetër të jetës, një djalë të ri”, u tha më pas rreth këtij romani.  

 “Gruaja e kolonelit” është një roman tërheqës i retrospektivës dhe kogja edukues për perspektivën. / KultPlus.com

Vdes aktori i njohur, Pat Cooper

Aktori Pat Cooper, i njohur më së shumti për rolet e tij në filmat “Analyze It” dhe “Analyze It Again”, ka vdekur në moshën 93-vjeçare.

Cooper ka lindur në vitin 1929 në Brooklyn, Nju Jork. Ai filloi të performonte në klubet lokale dhe filloi karrierën e tij në The Jackie Gleason Show në 1963.

Ai ka punuar në shumë klube duke bashkëpunuar me shumë artistë të rëndësishëm si Frank Sinatra, Ella Fitzgerald, Tony Bennett dhe të tjerë.

Ai luajti kryesisht në komedi, duke përfshirë hitet e mëdha Break It Down dhe Break It Again me Robert De Niro dhe Bill Crystal, duke luajtur Salvatore Masiello./KultPlus.com

Zëri i shiut

Poezi nga Ernest Hemingway

Po ti cili je? pyeta shiun që zbriste ëmbël,
Dhe, çudi të thuhet, m’u përgjigj, e përkthej si vijon:
jam Poema e Tokës, tha zëri i shiut,
përjetë ngrihem e pakuptueshme nga vendi e deti i
padepërtueshëm,
lart drejt qiellit, nga ku, në formë fluturake
ndryshuar tërësisht, por ende e njëjta,
zbres për të lag toka të thara skeletike,
shpërfaqjet e pafundme të pluhurit të botës,
dhe atë në to, që pa mua do të ish vetëm farë, latente, e palindur;
dhe përherë, ditë e natë, i kthej jetë, vetë origjinës sime,
e bëj të pastër, e qendis;
(Sepse kënga, e dalë nga vendi i saj i lindjes,
pas plotësimit, bredharake,
i intereson asaj ose jo,
kthehet në kohë me dashuri.)

Përktheu: Faslli Haliti / KultPlus.com

Artistët francezë dhe orkestra e FA sjellin veprën “Skicë Simfonike”

Mbrëmë në orën 20:00 në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit do të mbahet koncerti “Udhëtim muzikor”. Euronews Albania, ishte pjesë e provave gjenerale. Artistë të rinj të orkestrës simfonike të Forcave të Armatosura, do të luajnë së bashku me dy artistë francezë.

“Skica Simfonike” është vepra e kompozitores Diana Ziu, vepër e cila do të luhet sot për herë të parë.

“Mendoj që përkrah një repertori shumë të rëndësishëm, është një respekt, nder për mua. Bëhet pak lajm drejt muzikës simfonike sepse artistë ka. Mendoj që nuk është vonesë, por qasje, një lloj kalendari që duhet të bëhet,” – u shpreh Ziu.

Gërshetimi i veprave shqiptare dhe ato të huaja, sollën në Shqipëri violonçelistin Aurelien Sabouret dhe violinistin Frederic Laroque.

“Duhet shumë disiplinë, shumë qëndrueshmëri, pikërisht njësoj si parimet që ushtarakët përdorin dhe ne si muzikantë mundohemi të bëjmë muzikë, e të bërit zanat, fat që ndajmë muzikës së bashku,” – u shpreh violinisti Federic Laroque.

Ata tregojnë përjetimet e të luajturit me artistë më të rinj.

“Është kënaqësi që ndaj skenën me kolegun tim, por dhe më këta të rinj, që të përcjellin një energji pozitive. Do doja shumë të rikthehesha e të luaja përsëri në Shqipëri,” – tha violinçelisti Aurelien Sabouret.

Nën dirigjimin e Eno Koço, si dhe të dy dirigjentëve të rinj Harlen Nikolli dhe Laert Qazimi, sot në mbrëmje do të keni mundësi të shijoni disa nga simfonitë më të bukura të luajtura ndonjëherë në vendin tonë./KultPlus.com

‘Sonte hesht qyteti, shiu do të fillojë, kërkoj shikimin tënd në errësirë’ (VIDEO)

B.B. Poqi ka realizuar shumë këngë dhe shumë albume të cilat u bënë hite të mëdha në rajonin ku flitet shqip.

Këngëtari dhe autori i shumë këngëve, i cili fillimisht formoi bendin “Babillon“ me të cilin i incizoi disa këngë si “Babillon“, “Ti je një iluzion“, “Edhe një natë si kjo“ dhe e fundit “Diku pranë shtëpisë time“, më vonë ai u nda nga bendi dhe vazhdoi karrierën si solo këngëtar.

Sonte po e rikujtojmë njërën nga këngët e famshme të tij, “Ti je një iluzion”. /KultPlus.com

Nëndetësja britanike e humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore gjendet në detin Egje pas 81 vitesh

Nëndetësja e humbur britanike “H.M.S. Triumph”, fati i vërtetë i së cilës ishte i mbuluar me mister, që kur anija dhe i gjithë ekuipazhi i saj u zhduk në vitin 1942, më në fund u zbulua në shtratin e detit Egje’ nga studiuesi grek Kostas Toktaridis dhe ekipi i tij, pas një kërkimi që zgjati afërsisht 25 vjet.

Nëndetësja ishte zhdukur pa lënë gjurmë, me të gjithë 64 anëtarët e ekuipazhit në bord, rreth 81 vjet më parë, në mes të Luftës së Dytë Botërore.

Përpjekje të ndryshme për ta gjetur atë ishin bërë në periudha të ndryshme nga ekipe nga Mbretëria e Bashkuar, Malta dhe Rusia, por të gjitha pa sukses.

Më në fund i takoi Toktaridisit dhe ekipit të tij për të zgjidhur misterin e zhdukjes së saj, pas një kërkimi që filloi për herë të parë në 1998.

“Ishte misioni më i vështirë dhe më i shtrenjtë që kam kryer ndonjëherë në jetën time,” tha Toktaridis për ANA-n.

”Historia e nëndetëses është shumëplanëshe dhe unike në kronikat detare, pasi është e lidhur në mënyrë të pandashme me rezistencën kombëtare dhe shërbimet sekrete të kohës, që vepronin gjatë pushtimit”, shtoi ai.

”Çelësi për zbulimin e sekretit që kishte mbetur i fshehur për më shumë se tetë dekada, ishte hulumtimi duke përdorur burime parësore historike. Duhej të bëhej një studim i gjerë i arkivave si në BM, Gjermani, Itali dhe Greqi”, shtoi ai./KultPlus.com

Sezoni i katërt i “Emily in Paris”, gjithçka ndryshe nga çfarë keni parë deri më tani

Ka kohë që nuk kemi asnjë lajm për sezonin e katërt të “Emily in Paris”. Fatkeqësisht, ne jemi ende duke pritur për informacione për publikimin e sezonit të katërt, por ka pasur disa zhvillime të fundit për t’u kujdesur. Sezoni i tretë u shfaq premierë në dhjetor 2022 dhe fansat do të jenë të kënaqur të dëgjojnë se sezoni i katërt i “Emily in Paris” do të publikohet këtë vit ose vitin e ardhshëm.

Seriali mori një rinovim me dy sezone për një sezon të tretë dhe të katërt në janar 2022, pak pasi sezoni i dytë u shfaq premierë në Netflix në dhjetor 2021. Edhe pse seriali nuk u pëlqye shumë nga kritikët, ishte një komedi romantike e preferuar nga fansat. Ndërsa fansat parashikojnë se çfarë do të ndodhë më pas pas asaj finale të sezonit të tretë mahnitës, ne zbulojmë më shumë në sezonin e katërt.

Sezoni i parë i “Emily in Paris” u publikua në tetor 2020, dhe sezoni i dytë dhe i tretë u publikuan në dhjetor dy vjet më vonë. Prisnim që sezoni i katërt të ndiqte shembullin dhe gjithashtu të dilte në fund të vitit 2023 përpara lajmeve për vonesat e prodhimit për shkak të grevës së shkrimtarëve. Data e publikimit do të varet nga afati kohor i xhirimeve dhe nëse sezoni i fundit nuk fillon deri në fund të vitit 2023 ose potencialisht edhe në fillim të 2024, ne nuk do të shohim episode të reja deri në pranverën e vitit 2024. Tani që prodhimi është zyrtarisht E vonuar për shkak të grevës së shkrimtarëve, të gjitha gjasat janë që sezoni i ri të zhvendoset në 2024.

A është Emily në sezonin 4 të Parisit sezoni i fundit?

Netflix nuk ka njoftuar se ky do të jetë sezoni i fundit. Megjithatë, meqë disa fansa janë lodhur nga rinovimi i dy sezoneve që po filmohen së bashku, kjo mund të nënkuptojë se ky është sezoni i fundit. Por shumë seriale të tjera origjinale të Netflix kanë marrë rinovime për dy sezone ose sezone të njëpasnjëshme dhe kanë vazhduar të filmohen.

Çfarë mund të ndodhë në sezonin e katërt?

Në momentet e fundit të sezonit të tretë, Camille e lë Gabrielin në altar dhe zbulon paktin që ajo dhe Emily bënë. Papritur dalin në dritë ndjenjat e Emilit dhe Gabrielës për njëra-tjetrën, të cilat vazhdojnë t’i shmangen. Alfie gjithashtu largohet nga Emily, duke mos dashur të jetë zgjedhja e saj e dytë.

Kur Emily dhe Gabriel diskutojnë sinqerisht ndjenjat e tyre për njëri-tjetrin pas dasmës, Gabriel trondit Emily se Camila është shtatzënë. Sezoni i ri i “Emily in Paris” është i sigurt se do të jetë plot me konflikte që lindin nga dinamika e re e komplikuar mes Emily, Gabriel dhe Camila./abcnews.al/ KultPlus.com

Na ikin nënat

Poezi nga Jevgeni Jevtushenko

Na ikin nënat, ikin në qetësi
ikin në majë të gishtave,
urtë dhe pa zhurmë.

Ne hamë e pimë,
të shkujdesur,
bëjmë gjumë,
i tmerrshmi çast na zë në befasi.

Na ikin nënat,
jo shpejt, jo papritur,
na duket si papritur,
po është ndryshe.
Ato largohen dalëngadalë, çuditshëm,
mot e për mot nga pak duke u çapitur.

Një ditë si na shkrepet me nxitim,
ditëlindjen ua festojmë gjithë bujë.
Ky kujdes i vonët
vrimë në ujë,
as nënave,
as tonit shpirt s’i sjell shpëtim.

Na ikin nënat, vazhdimisht na ikin,
ne ua zgjasim dorën në ëndërr,
na del gjumi.
Po duart tona në ajër përpëliten,
ku është ngritur si i qelqtë muri.

Vjen çasti i tmerrshëm,
porse është vonë.
Vështrojmë e me zor i mbajmë lotët,
se si në rreshta të heshtur,
rreshta që qortojnë,
largohen nënat tona përgjithmonë.

(Përktheu nga rusishtja: Drita Lazri. Revista “Akademia”/ KultPlus.com

74 vjet më parë u themelua Arkivi i Shtetit Shqiptar

Arkivi i Shtetit shqiptar u themelua më 8 qershor të vitit 1949.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në vazhdën e procesit inovativ të digjitalizimit të dokumentacionit arkivor, ka çelur një sërë Këndesh Arkivore. Në përmbajtje të zotimit për të ofruar mundësi të njëjta hulumtimi, Salla e Studimit në Tiranë është binjakëzuar jo vetëm anembanë vendit, por edhe në Kosovë, në Greqi dhe në Italinë e Jugut.

Gjithashtu ka marrë trajtë projekti inovator, Muzeu Arkivor, i cili pritet të hapë dyert së afërmi. Ky muze do të jetë një qendër shumëfunksionale edukimi, duke ndërthurur novacionin me historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.

Vitin e shkuar, DPA-ja uli tarifat e dokumenteve dhe të imazheve, duke i mundësuar çdo studiuesi kryerjen e hulumtimeve me çmime të volitshme. Pas një periudhe të gjatë mungese dhe me një premisë periodike, DPA-ja u kthye në funksionin e botueses me 6 publikime të reja, që trajtojnë tematika historike dhe të lëmit të arkivistikës.

Vit pas viti, mbahet Konferenca Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që mbledh arkivistë e studiues të trojeve për të diskutuar mbi sfidat dhe praktikat e përbashkëta të dy institucioneve arkivore, DPA dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), raporton atsh.

Kalendari i aktiviteteve të institucionit është i ngjeshur me ekspozita mbi figura, ngjarje dhe përvjetorë me rëndësi në historinë e vendit, duke shpalosur pjesërisht dokumente të papublikuara më parë. /Shqip.com / KultPlus.com

Shpallen fituesit e fondit për përkthimin letrar nga shqipja në gjuhë të huaj

Në prani të ministres së Kulturës Elva Margariti, autorëve dhe botuesve, u ndanë sot vlerësimet për veprat fituese për fondin e përkthimit letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj.

Ceremonia e shpalljes së fituesve u zhvillua ne mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit.

Përkthimi i librit shqip në gjuhë e kultura të tjera vijon të mbetet një prioritet për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Nga 24 aplikime, juria e kryesuar nga Ben Andoni dhe anëtarë Irena Prici dhe Esmeralda Kromidha, vlerësoi për t’u mbështetur finaniciarisht nga QKLL, 6 autorët dhe veprat e mëposhtme:

  1. “Vrasje në kryeministri” nga Diana Çuli
  2. “Fëmijët” nga Luljeta Lleshanaku
  3. “Ridënimi” nga Fatos Lubonja
  4. “Në kërkim të këmishës së humbur” nga Arian Leka
  5. “Ajo e errëta” nga Enkelejd Lamaj
  6. “Në besë të tatuazhit tënd” nga Andreas Dushi. /atsh / KultPlus.com

Ismail Kadare, “Qytetar Nderi” i Fushë Kosovës: Këto çaste do të ngelin të paharrueshme në jetën time

Shkrimtari shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare, është shpallur “Qytetar Nderi i Fushë Kosovës” nga Kuvendi Komunal dhe kryetari i Komunës Burim Berisha.

Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt sot në Gjimnazin “Hivzi Sulejmani” ku i pranishëm ishte edhe vetë shkrimtari.

Pasi ju dorëzua certifikata “Qytetar Nderi” nga kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, Kadare është shprehur falënderues ndaj këtij nderimi.

“Ju falënderoj të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbledhje të bukur që tregon jo vetëm fuqinë e shqiptarisë, por fisnikërinë e këtij kombi i cili është një nga kombet kryesore të Evropës. Jam shumë i lumtur për këtë festim prekës që tregon se me sa këmbëngulje njeriu shqiptar e ka ngritur në qiell dashurinë e tij, fisnikërinë e tij, qytetërimin evropian. Këto çaste do të ngelin të paharrueshme në jetën time”, është shprehur Kadare.

Kadareja ka tre ditë që po qëndron në Kosovë pasi erdhi si i ftuar nderi në Panairin e Librit “Prishtina 2023”. / KultPlus.com

Pandemia përkeqësoi shëndetin mendor në Europë

Përkeqësohet situata e shëndetit mendor ne Evropë. Më shumë se 1 në çdo 6 persona vuan nga të tilla shqetësime, ku në një popullsi prej rreth 447 milionë banorë, 87 milionë kanë një problem të tillë. Jo vetëm, por edhe kostot e mosveprimit përllogaritet të jenë 600 miliardë Euro çdo vit.

Këto janë statistikat e bëra të ditura nga Komisioni Evropian, ku theksohet se duhet një strategji e mirëfilltë, pasi pas pandemisë situata në kontinentin tonë është në përkeqësim të mëtejshëm.

Dhe për më tepër, shkaku i dytë i vdekjeve tek të rinjtë është pikërisht vetëvrasja, çka duhet të vërë në alarm të gjithë shoqërinë dhe autoritetet, raporton Klan News.

Por edhe në nivel global vërehet i njëjti trend. Duke cituar raportin e fundit të OBSH, që është edhe më i mirëhartuari dhe i ploti që nga vitit 2000, rezulton se mbi 1 milliard njerëz vuajnë nga shqetësime mendore. / KultPlus.com

Premiera e Transformers: Rise of the Beasts në CineStar Megaplex mblodhi një numër të madh të njerëzve

Vetëm pak ditë pas hapjes, kinemaja më e madhe dhe më moderne në Kosovë mblodhi një numër të madh të njerëzve me rastin e shfaqjes speciale të filmit të shumëpritur Transformers: Rise of the Beasts.

Të pranishmit shijuan dy orë produksion filmik superior.

Në gjashtë filma plotë adrenalinë të publikuar gjatë 16 viteve të fundit, Transformers i ka prezantuar shikuesit e filmave me disa nga robotët më mahnitës në historinë e zhanrit fantastiko-shkencor/aksion. Nga Autobotët heroikë dhe Decepticons diabolike tek Dinobotët e egër dhe Constructicons shkatërruese, këta gjigantë të dashur kanë mahnitur imagjinatën e fansave të panumërt në mbarë botën, duke rezultuar në një fenomen global me arkëtime totale prej 4.8 miliardë dollarësh. Tani, me Transformers: Rise of the Beasts, saga e jashtëzakonshme e përqon emocionin në një nivel tjetër duke zbuluar Maximals, një grup i ri i kafshëve të Transformers që do të emocionon audiencën dhe do të kënaqë fansat e serialit televiziv të animuar klasik të viteve ’90 “Beast Wars: Transformers.

I vendosur shtatë vjet pas ngjarjeve të përshkruara në Bumblebee të 2018-ës, Transformers: Rise of the Beasts duket se krijon ekuilibrin e përsosur mes veprimit të lë pa frymë dhe emocionit të vërtetë.

Pikërisht në CineStar Megaplex, ky lloj filmi shfaqet veçanërisht falë formateve më të mira si Ultimate by Dolby Atmos, eXtreme ose RealD Ultimate 3D, si dhe nga fundi i Qërshorit do të mund ta shikoni dhe në formatin 4DX dhe Screen X.

Mbrëmë ka pasur edhe një shfaqje speciale për fansat e quajtur CineFan, ku më fatlumët kanë fituar dhurata nën ulëse. CineFan quhajmë fansat e CineStar të cilët shikojnë filmin për herë të parë dhe kinemaja i shpërblen me surpriza e dhurata të veçanta.

Për ata që duan të shohin Transformers: Rise of the Beasts në një sallë më të qetë dhe private, filmi gjithashtu shfaqet edhe në Gold Class, trajtimi luksoz i CineStar ku mund të hani darkë edhe gjatë filmit.

Dhe tashmë këtë fundjavë, CineStar Megaplex vazhdon me programe fantastike – nga e premtja deri të shtunën, 10 dhe 11 qershor, do të mund të shijoni një repertor me mbi 40 filma në ditë, si dhe Family Weekend për familjet dhe fëmijët, ku biletat për familjet janë nga ato më të lirat. Sa i përket argëtimit, facepainting dhe maskotat ju presin nga ora 15:30! Për të gjithë të vegjlit që shikojnë një film duke filluar nga ora 11 deri në 11:59 gjatë Mini Mornings, popcorni i vogël është falas! Disa filma vizatimorë do të shfaqen në sallën shumëngjyrëshe KIDS numër 12, e cila ka një dizajn të veçantë dhe ku tingulli është përshtatur për më të vegjlit.

Zbuloni më shumë informacion në rrjetet sociale të kinemasë si Instagram dhe Facebook dhe në web faqen cinestarcinemas-ks.eu. / KultPlus.com

Kushtrim Sheremeti kandidat në garën për të qenë përfaqësues i tifozëve të Liverpool në gjithë Evropën

Kushtrim Sheremeti është listuar nga LFC si një nga katër kandidatët potencialë në garë për të qenë përfaqësues i tifozëve të Liverpool në gjithë Evropën, shkruan KultPlus.

Lajmin e kanë bërë të ditur faqja e tifozërisë së ekipit futbollistik të Liverpool në Kosovë – Kosova Reds, aty mu Mehmeti është kryetar.

Kosova Reds ka bërë gjithashtu thirrje që të votohet Sheremeti, në mënyrë që të përzgjedhet, duke votuar në këtë link.

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe aktori Kushtrim Sheremeti e ka konfirmuar këtë lajm për KultPlus.

Sheremeti në këtë garë është bashkë me tre kandidatë të cilët janë nga Holanda, Danimarka dhe Serbia. / KultPlus.com

Mbrëmja e solistëve solli në Chopin Piano Fest edhe tingujt e fizarmonikës, një interpretim mjaft i rrallë në vendin tonë

Vjollca Duraku

Me mbrëmjen e solistëve është shënuar edhe koncerti i parafundit i festivalit Chopin Piano Fest Prishtina. Risia e mbrëmjes ishte performanca me fizarmonikë e cila dha tinguj të padëgjuar deri më tani në festival, pasi interpretimi me këtë instrument në vendin tonë është mjaft i rrallë, shkruan KultPlus.

Si zakonisht hapjen e koncertit e bëri drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha, e cila u uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe e informoi publikun për pikat të cilat do të interpretoheshin.

Më pas, me tinguj muzikor, hapjen e festivalit e bëri fizarmonicisti Shkumbin Miftari i cili interpretoi veprat Gernika të Gorka Hermosa-s, Tango të Astor Piazzolla-s dhe Dark Eyes-  Charles Magnate, i cili publikut në sallë u dhuroi tinguj të lartë duke u pasuar me pauza, tinguj të ulët, e herë ritme konstante shumë të bukura për veshët e dëgjuesve.

Pika pasuese e mbrëmjes u prezantua nga pianistja Njomza Xhaferi me veprat M. Ravel- Gaspard de la nuit: Ondine, F Chopin-Andante Spianato et Grande Polonaise Brilliante op.22. Kjo pikë interpretuese filloi me tinguj të qetë të cilët krijoheshin vetëm me dorën e majtë të pianistes. Tingujt u duk sikur u kompletuan kur në lojë u kyç edhe dora tjetër e pianistes Xhaferi.

Ndërsa të tretët në radhë të performancës ishin flautistja Nina Shala dhe pianistja Lirika Pula Kasapolli me veprat e  Alfred  Casella- Barcarolla et Scherzo dhe Gaubert: Madrigale dhe Sicilienne. Pianoja në këtë rast kishte rolin më shumë të shoqëruesit. Ishte flauti ai i cili e kishte barrën kryesore që e bënte veprën të kishte peshë. Tingujt e lehtë që dhuronte flauti në prapavijë me disa lule të bukura të skenës, krijonin imazhe mendore të një parku mbretëror.

Pas këtij interpretimi pikën e fundit para publikut e dhuruan Njomza Kastrato dhe Dite Hysaj me Piano Duo të cilat interpretuan pikat e  M.Raavel-Ma mére I’Oye dhe A.Piazzola- The Fo të dyja njëkohësisht në një piano. Kjo pikë ishte mjaftë e veçantë pasi në piano interpretonin katër duar me një harmoni të shkëlqyer.

Pas përfundimit të pikës interpretuese të gjithë artistët dolën në skenë dhe e përshëndetën publikun në sallë me përulje, e të cilët gjatë gjithë kohës duartrokisnin.

Pas koncertit pianistja Lirika Pula-Kasapolli për KultPlus ka thënë se për të ishte kënaqësi interpretimi në festival, pasi Chopin Piano Fest është një prej festivaleve më dinjitoze.

“Ishte një kënaqësi shumë e madhe për të luajtur para publikut të Chopin Piano Fest, një prej festivaleve më dinjitoze, i cili është i organizuar në mënyrën më të mirë. Ne ishim me fat që u ftuam për të performuar në këtë mbrëmje”, ka thënë Kasapolli.

 Ndërsa pianistja Njomza Kastrati, gjithashtu ka falënderuar drejtoreshën Lejla Pula për ftesën për pjesëmarrje në festival i cili i kishte lënë shumë mbresa.

“Është shumë ndjenjë e mirë. Është hera e parë për mua që kam luajtur në Chopin Piano Fest. E falënderoj profesoreshën Lejla, e cila na ka ftuar dhe me këtë jemi shumë të kënaqura. Është ambient i ngrohtë dhe është shumë interesant.

Ajo më tutje e shpjegoi edhe teknikën e punës me të cilën interpretoi me Piano Duo “Quhet piano me katër duar, dhe ka shumë vepra të shkruara për të. Pjesa e parë ishte nga Raveeli, kurse pjesa e dytë nga Piazzola. Ne me Ditën bëjmë duo që disa vite. Këtë program pothuajse e kemi luajtur edhe me një koncert tjetër. Por, është si teknikë pak e vështirë shkaku i punës dhe angazhimeve tjera në jetën e përditshme. Mirëpo jemi mësuar me njëra tjetrën dhe është impresionuese puna së bashku”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa drejtoresha artistike e Festivalit Chopin Piano Fest, Leja Pula, për KultPlus ka thënë se është shumë e lumtur që kanë arritur ta realizojnë një mbrëmje aq të bukur siç ishte Mbrëmja e Solistëve, në të cilën u paraqitën muzikantë të cilët janë duke e ndërtuar karrierën e tyre.

“Më vjen shumë mirë që arritëm ta realizojmë këtë mbrëmje shumë të bukur. Janë solistët shqiptarë që na sollën vepra të ndryshme, me ngjyra të ndryshme dhe të karaktereve të ndryshme. Ishte një atmosferë e mrekullueshme këtu dhe po më vjen mirë që në skenën tonë të Chopin Piano Fest të paraqiten edhe këta muzikantë të cilët po e ndërtojnë karrierën e tyre si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit”, u shpreh drejtoresha Lejla Pula.

Ajo më tutje bëri të ditur se fizarmonika ishte risia e mbrëmjes, dhe ndihej shumë e lumtur pasi kishin arritur që skenës në Prishtinë t’i sillnin një instrumentist i cili ka arritur suksese të mëdha në skenat ndërkombëtare.

“Fizarmonika është vërtetë një instrument  i cili nuk dëgjohet shumë shpesh në skenën tonë. Është një artist i mrekullueshëm i cili ka studiuar në Tiranë dhe i cili ka mbërritur suksese shumë të mëdha në garat ndërkombëtare, dhe jemi shumë të lumtur që si organizatorë kishim rast që ta prezantojmë atë në skenën tonë”, ka shtuar drejtoresha e festivalit.

Ajo më tutje potencoi dëshirën e saj që Prishtinën ta shndërrojë në një qendër muzikore botërore gjatë festivalit Chopin Piano Fest.

“Unë si drejtoreshë artistike kam dëshirë që Prishtina të shndërrohet në një qendër muzikore botërore gjatë muajit të Festivalit të Chopin. Shpresoj që e kemi arritur këtë synim të cilin e kemi pasur”, ka përfunduar Lejla Pula.

Festivali Chopin Piano Fest, koncertin e radhës dhe të fundit të kësaj maratone të muzikës klasike do ta prezantojë më 9 qershor në të cilin do të performoi pianistja Avery Gagliano, e cila në vitin 2020 ishte fituese e çmimit të parë të Konkursit Ndërkombëtar të Pianos në ShBA. /KultPlus.com

Dita Botërore e Oqeanit

Në kalendarin e Organizatës së Kombevë të Bashkuara 8 qershori njihet si Dita Botërore e Oqeanit.

Oqeanet mbulojnë mbi 70% të planetit. Ato janë burimi ynë i jetës, duke siguruar ushqimi për njerëzimin dhe për organizmat e tjera të gjalla në planet.

Oqeani prodhon të paktën 50% të oksigjenit të planetit, është shtëpia e shumicës së biodiversitetit të Tokës dhe është burimi kryesor i proteinave për më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën. Oqeani është çelësi për ekonominë globale dhe llogaritet se deri në 2030 do të jenë rreth 40 milionë njerëz të punësuar nga industritë e bazuara në detet.

Kombet e Bashkuara tërheqin vëmendjen se oqeanet kanë nevojë për ndihmë megjithëse sjellin tërë këto të mira materiale e jomateriale.

Me 90% të popullatave të peshqve tashmë të varfëruara dhe 50% të shkëmbinjve koralorë të shkatërruar, ne po marrim më shumë nga sa oqeanet mund të japin. OKB bën thirrje të punojmë së bashku për të krijuar një ekuilibër të ri me oqeanin që nuk e shterron më bujarinë e tij, por përkundrazi i rikthen gjallërinë dhe sjell jetë të re.

Tema e Ditës Botërore të Oqeanit për vitin 2023 është “Planeti Oqean: baticat po ndryshojnë” . OKB-ja po bashkon forcat me vendimmarrësit, udhëheqësit indigjenë, shkencëtarët, drejtuesit e sektorit privat, shoqërinë civile, të famshëm dhe aktivistë të rinj për të vënë oqeanin në vend të parë, pasi “planeti Oqean” është mushkëria e planetit Tokë. / KultPlus.com

Historia e mësueses e cila ia arriti t’i bënte nxënësit e saj të besonin në vete vetëm me një veprim

Ky artikull frymëzues për herë të parë u botua në revistën “Reader’s Digest” disa vite më parë. Bëhej fjalë për historinë e një mësueseje të jashtëzakonshme, Helen Mrosla, e cila ia arriti që t’i bënte nxënësit e saj të besonin te vetja vetëm me një veprim.

Sot, po e shpërndajmë me ju këtë mësim kaq të vyer, i cili nuk do t’ju lërë dhe aq indiferentë.

Një ditë, një mësuese matematike nga Minnesota përgatiti për nxënësit e saj një mësim shumë interesant. Ajo u kërkoi nxënësve të rendisnin në një copë letër emrat e të gjithë shokëve të klasës. Më pas u kërkoi që të mendonin për gjënë më të bukur për secilin prej shokëve dhe ta shkruanin përkrah emrit të tyre.

Në fund të mësimit, çdo nxënës mbante në dorë letrën e vet. Ishte e premte. Gjatë fundjavës mësuesja lexoi të gjitha fletët. Emrin e secilit nxënës e shkroi në një fletë të veçantë dhe bashkoi të gjitha mendimet e bukura që kishin shkruar fëmijët. Të hënën tjetër i dha çdo nxënësi letrën e vet.

Fëmijët ishin kaq shumë të kënaqur sa klasa gumëzhinte nga komentet: “Me të vërtetë mendojnë shokët kështu për mua?!” “Nuk e dija se ndokush do më pëlqente kaq shumë!”. Ata nuk i diskutuan rezultatet gjatë orës së mësimit, por mësuesja e dinte se ia kishte arritur qëllimit të saj. Nxënësit besonin në vetvete.

3Vite më pas, një nga këta nxënës, Mark Eklund, u vra në Vietnam. Funerali u mbajt në Minnesota, kështu që shumica e shokëve të klasës së Markut bashkë me mësuesen ishin të pranishëm në ceremoninë mortore.

Pas funeralit, shumica e shokëve të klasës u mblodhën në shtëpinë e tij bashkë me mësuesen Helen Mrosla. Prindërit e Markut ishin aty duke pritur ngushëllimet dhe babai i tij i tha mësueses: “Duam të të tregojmë diçka” – dhe nxori nga portofoli një copë letër të palosur. “Ia gjetën këtë letër Markut ditën kur u vra. Faleminderit shumë për këtë që keni bërë. Siç mund ta shihni, Marku e ka ruajtur si një thesar të çmuar.”

“E dija pa e parë fare se letra ishte ajo e shumë viteve më parë, në të cilën kisha renditur të gjitha gjërat e bukura që çdo shok i Markut kishte shkruar për të”, – tha mësuesja në një intervistë. “Në atë moment, ish-nxënësit e mi, që ishin të pranishëm në shtëpinë e Markut filluan të nxirrnin nga portofolët letrat e tyre.

Charlie më buzëqeshi dhe më tha se e mbante listën e tij në tavolinën e punës. Ndërsa gruaja e Chuck-ut tha se kjo letër ishte në faqen e parë të albumit të fotografive të dasmës së tyre. Pothuajse të gjithë nxënësit e kanë ruajtur letrën e tyre.

Ishte i vetmi moment kur u ula dhe fillova të qaj. Qava për Markun dhe për të gjithë shokët e tij që nuk do ta shihnin më kurrë atë.

Jemi kaq shumë të ngarkuar me ritmin e ditës dhe i përkushtohemi kaq shumë detyrimeve tona, saqë harrojmë se një ditë do të vdesim. Dhe nuk e dimë se kur do të vijë kjo ditë.

Ndaj, ju lutem, thuajini njerëzve që doni dhe i keni për zemër se sa të veçantë dhe të rëndësishëm janë për ju. Thuajani para se të jetë shumë vonë.” / KultPlus.com

Ricky Martin: Shumë i lumtur të njoftoj se do të jem në Tiranë

Këngëtari i njohur i muzikës latine Ricky Martin do të performojë për herë të parë në Tiranë. Ylli botëror i cili po zhvillon turin e tij “Ricky Martin Symphonic”, do të ndalojë dhe në vendin tonë.

Lajmin e konfirmoi vetë këngëtari i cili në rrjetet sociale shkroi: “Po!!! Shumë i lumtur të njoftoj se do të jem në Tiranë, Shqipëri më 20 korrik me koncertin tim simfonik dhe Orkestrën Kombëtare të Tiranës. Shpresoj që të gjithë të mund të më bashkoheni në koncertin tim të parë në Shqipëri”.

Përpara koncertit të Ricky Martin, një tjetër këngëtar po aq i njohur dhe i dashur për publikun, do të performojë në Tiranë. Enrique Iglesias do të jetë në sheshin Skënderbej në fund të muajit qershor duke nisur kështu Javën Kulturore Spanjolle.

Lajmin për koncertet e dy prej figurave më të rëndësishme të muzikës latine e dha edhe kryeministri Edi Rama. / KultPlus.com

Lamtumira e vonuar e Dostojevskit për George Sand, “krijuesen që ndezi pasionin në etjen shpirtërore për përsosmëri dhe dëlirësi”

Më 8 qershor 1876, romancierja, dramaturgia, kritikia letrare dhe aktivistja e zjarrtë e çështjeve sociale dhe politike, e madhja, Amantine-Lucile-Aurore Dupin, e njohur si George Sand, mori frymën e saj të fundit pesë javë para ditëlindjes së saj të shtatëdhjetë e dytë. Gjatë karrierës së gjatë dhe të begatuar krijuese, ajo kishte prekur miliona lexues dhe kishte ndikuar breza të tërë shkrimtarësh. Midis tyre ishte edhe autori i dashur rus Fjodor Dostojevski, një djalë i ri në kohën e debutimit letrar të Sandit, i cili kishte formësuar thellësisht ndjeshmërinë e tij si shkrimtar.

Kur lexoi për vdekjen e Sand në gazetë, Dostojevski u nxit për të shkruar një nga lavdërimet më të ngrohta në historinë e letërsisë, në të njëjtin nivel me kujtimin e Borges nga Susan Sontag dhe Robert Frost nga JFK . Më në fund u përfshi në “Ditarin i një shkrimtari”, i njëjti koleksion i mrekullueshëm që na dha Dostojevskit se pse nuk ka njerëz të këqij dhe arritjen e tij në kuptimin e jetës në ëndërr.

Me qëllimin “thjesht për t’i thënë disa fjalë lamtumire të ndjerës në varrin e saj të freskët”, Dostojevski ankohet që numri më i fundit i periodikut të tij kishte dalë në shtyp pak para njoftimit të vdekjes së Sand:

Nuk pata kohë të them as edhe një fjalë për këtë vdekje. E megjithatë, vetëm pasi kisha lexuar për të, kuptova se çfarë do të thotë ai emër në jetën time; sa kënaqësi, sa nderime më ka ngjallur në atë kohë kjo poeteshë dhe sa gëzime, sa lumturi më ka dhënë! Unë po i hedh poshtë të gjitha këto fjalë pa hezitim, sepse ky ishte fjalë për fjalë rasti, shkruan ai në “Ditarin i një shkrimtari”.

Duke pasur parasysh idealizmin e Sand-it si një “shërbim që i bëhet njerëzimit në tërësi”, Dostojevski konsideron se sa shumë të tjerë u prekën nga puna dhe shpirti i saj po aq sa ai:

Imagjinoj se, ashtu si unë, atëherë një djalë i ri, të gjithëve në ato ditë u bëri përshtypje pastërtia sublime e personazheve dhe idealeve të Sand, dhe sharmi modest i tonit të rreptë e të rezervuar të rrëfimit – dhe një grua e tillë që vesh pantallona dhe përfshihet zjarmshëm në dëfrime!

Duke vënë në dukje se Sand u bë më e popullarizuar me publikun rus sesa edhe Dikensi, Dostojevski – i cili kishte shërbyer tetë vjet në një kamp burgu siberian për leximin e librave të ndaluar – e konsideron joshjen e saj të veçantë për frymën kombëtare në një kohë despotizmi të ashpër ideologjik në Rusi, kësisoj ai shkruan:

Lexuesi arriti të nxirrte edhe nga romanet gjithçka nga e cila ruhej… George Sand ishte një nga përfaqësuesit më të shkëlqyera, më të ashpër dhe më të drejtë të asaj kategorie të njerëzve të rinj perëndimor bashkëkohorë, të cilët, kur u shfaqën, filluan me një mohim të drejtpërdrejtë në ato ofrime “pozitive” që përfunduan aktivitetet e revolucionit gjakatar francez – më saktë, evropian – të fundit të shekullit të kaluar.

Puna e Sand-it, argumenton ai, dëshmoi idenë se “rinovimi i njerëzimit duhet të jetë radikal dhe social” dhe ishte një element qendror jo vetëm i emancipimit të grave, por i lëvizjes më të gjerë socialiste drejt lirisë. Dostojevski shkruan: Predikimet e saj nuk kufizoheshin në asnjë mënyrë vetëm për gruan… George Sand i përkiste të gjithë lëvizjes dhe jo thjesht predikimeve të të drejtave të grave. Vërtetë, duke qenë një grua vetë, ajo natyrisht preferoi të portretizonte heroina në vend të heronjve, dhe, natyrisht, gratë e gjithë botës tani duhet të vendosin shenja zie në kujtesën e saj, sepse një nga përfaqësueset e tyre më të larta dhe më të bukura ka ndërruar jetë, dhe Përveç kësaj, një grua pothuajse e paprecedentë për shkak të fuqisë së mendjes dhe talentit të saj – një emër që është bërë historik dhe që është i destinuar të mos harrohet…

Në një ndjenjë trefish prekëse kundër faktit bashkëkohor që librat me protagoniste femra rrallë marrin vlerësim letrar, Dostojevski e konsideron idealizmin e dhembshur që i bëri heroinat e Sand-it kaq gjerësisht tingëlluese dhe magjepsëse.

Heroinat e saj, shkruan Dostojevski, përfaqësonin një lloj pastërtie morale kaq të lartë, saqë nuk mund të konceptohej pa një kërkim të jashtëzakonshëm etik në shpirtin e vetë poetes; pa rrëfimin e detyrës më të plotë; pa kuptimin dhe pranimin e bukurisë dhe mëshirës, durimit dhe drejtësisë më sublime. Vërtet, krah për krah me mëshirën, durimin dhe njohjen e detyrimeve të detyrës, ishte krenaria e jashtëzakonshme e kërkimit dhe e protestës; megjithatë ishte pikërisht ajo krenari që ishte kaq e çmuar sepse buronte nga e vërteta më sublime, pa të cilën njerëzimi nuk do të mund ta ruante kurrë vendin e tij në një lartësi kaq të lartë morale. Kjo krenari nuk është inat quad même, bazuar në idenë se unë jam më i mirë se ti dhe ti je më i keq se unë; jo, kjo është thjesht një ndjenjë e pamundësisë më të dëlirë të kompromisit me të pavërtetën dhe vesin, megjithëse – e përsëris – kjo ndjenjë nuk përjashton as faljen e plotë dhe as mëshirën.

[…]

Në një vajzë fshatare bashkëkohore, ajo ringjall befas para lexuesit imazhin e Joan of Arc historike dhe justifikon mundësinë aktuale të asaj ngjarje madhështore dhe të mrekullueshme. Kjo është detyrë tipike Georgesandesque, pasi askush përveç saj midis poetëve bashkëkohorë nuk mbart në shpirt një ideal kaq të pastër… Një personazh i drejtpërdrejtë, i ndershëm, por i papërvojë, i një krijese të re femërore është paraqitur në foto, e cila zotëron atë dëlirësinë krenare, e cila as nuk ka frikë, as nuk mund të kontaminohet nga kontakti me vesin – edhe nëse ajo krijesë do të gjendej aksidentalisht në gropën e vesit. Mungesa e sakrificës madhështore (gjoja e pritur në mënyrë specifike prej saj) e trondit zemrën e vajzës rinore dhe pa hezitim, pa kursyer veten, pa interes, vetëmohues dhe pa frikë, ajo befas ndërmerr hapin më të rrezikshëm dhe fatal. Ajo që ajo sheh dhe ndeshet, aspak nuk e ngatërron apo e frikëson atë; përkundrazi, ajo rrit menjëherë guximin në zemrën rinore, e cila në këtë moment, për herë të parë, e kupton masën e plotë të forcës së saj – forcën e pafajësisë, ndershmërisë dhe pastërtisë; dyfishon energjinë, zbulon shtigje të reja dhe horizonte të reja për një mendje që deri në atë kohë nuk e kishte njohur veten, një mendje energjike dhe e freskët ende e pandotur me kompromisin e jetës.

Me siguri, thekson Dostojevski, arketipi i Sand-it për gruan-protagoniste të guximshme dhe të pavarur nuk u ndesh pa rezistencë nga ata që këshilluan kundër “helmit të ardhshëm të protestës së gruas, emancipimit të gruas”. Por vetë përkushtimi i saj për të shqetësuar normat kufizuese të epokës dhe për të parashikuar një version më të gjerë të njerëzimit është gjithashtu ajo që e bëri Sand të pavdekshëm:

George Sand… ishte një nga parashikuesit më të qartë (nëse lejohet ky term i lulëzuar) i një të ardhmeje të lumtur që e priste njerëzimin, në realizimin e idealeve të të cilit ajo kishte besuar me besim dhe madhështi gjatë gjithë jetës së saj – kjo sepse ajo vetë ishte në gjendje ta konceptonte këtë, ideale në shpirtin e saj. Ruajtja e këtij besimi deri në fund është zakonisht fati i shpirtrave të lartë, i të gjithë miqve të vërtetë të njerëzimit… Socializmin e saj, bindjet, shpresat dhe idealet e saj, ajo e bazoi në ndjenjën morale të njeriut, në etjen shpirtërore të njerëzimit dhe dëshira e tij për përsosmëri dhe pastërti, dhe jo për vogëlsira meskine, Gjatë gjithë jetës së saj ajo besoi absolutisht në personalitetin njerëzor … duke e ngritur dhe zgjeruar këtë koncept në secilën prej veprave të saj.

[…]

Për sa i përket krenarisë së kërkimeve dhe protestës së saj – po e përsëris – kjo krenari nuk e përjashtoi kurrë mëshirën, faljen e ofendimit apo edhe durimin e pakufishëm të bazuar në dhembshurinë për vetë shkelësin. Përkundrazi, në veprat e saj George Sand ka qenë i mahnitur nga bukuria e këtyre të vërtetave dhe në më shumë se një rast ka portretizuar personazhe të faljes dhe dashurisë më të sinqertë. / Përgatiti: Albert Vataj / KultPlus.com