Nëndetësja britanike e humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore gjendet në detin Egje pas 81 vitesh

Nëndetësja e humbur britanike “H.M.S. Triumph”, fati i vërtetë i së cilës ishte i mbuluar me mister, që kur anija dhe i gjithë ekuipazhi i saj u zhduk në vitin 1942, më në fund u zbulua në shtratin e detit Egje’ nga studiuesi grek Kostas Toktaridis dhe ekipi i tij, pas një kërkimi që zgjati afërsisht 25 vjet.

Nëndetësja ishte zhdukur pa lënë gjurmë, me të gjithë 64 anëtarët e ekuipazhit në bord, rreth 81 vjet më parë, në mes të Luftës së Dytë Botërore.

Përpjekje të ndryshme për ta gjetur atë ishin bërë në periudha të ndryshme nga ekipe nga Mbretëria e Bashkuar, Malta dhe Rusia, por të gjitha pa sukses.

Më në fund i takoi Toktaridisit dhe ekipit të tij për të zgjidhur misterin e zhdukjes së saj, pas një kërkimi që filloi për herë të parë në 1998.

“Ishte misioni më i vështirë dhe më i shtrenjtë që kam kryer ndonjëherë në jetën time,” tha Toktaridis për ANA-n.

”Historia e nëndetëses është shumëplanëshe dhe unike në kronikat detare, pasi është e lidhur në mënyrë të pandashme me rezistencën kombëtare dhe shërbimet sekrete të kohës, që vepronin gjatë pushtimit”, shtoi ai.

”Çelësi për zbulimin e sekretit që kishte mbetur i fshehur për më shumë se tetë dekada, ishte hulumtimi duke përdorur burime parësore historike. Duhej të bëhej një studim i gjerë i arkivave si në BM, Gjermani, Itali dhe Greqi”, shtoi ai./KultPlus.com

Dokumente zyrtare të një nëndetëseje britanike gjenden në një pijetore

Dokumente zyrtare në lidhje me një nëndetëse të Marinës Mbretërore Britanike, me vlerë 1,3 miliardë paund (1,63 miliardë dollarë) dyshohet se u gjetën në një pijetore.

Gazeta “The Sun” raportoi se dosjet që mbanin detaje rreth “HMS Anson” ishin lënë në pijetoren “The Furness Railway” në Cumbria.

Dokumentet tregonin funksionimin e brendshëm të nëndetëses.

Marina Mbretërore ka thënë se “dokumentet ishin burime të përgjithshme dhe nuk përmbanin ndonjë informacion të klasifikuar”.

Një burim i tha “The Sun” pijetorja ishte e mbushur plot me klientë kur u zbuluan dosjet.

“HMS Anson” është e pesta nga nëndetëset e reja ofensive të klasit “Astute” që i bashkohet flotës së Marinës Mbretërore.

Anijet janë të afta të gjuajnë raketa tip “Tomahawk” dhe përshkruhen si “nëndetëset më të mëdha, më të avancuara dhe më të fuqishme ofensive të përdorura ndonjëherë”.

Një zëdhënës i Marinës Mbretërore tha se “këto janë dokumente të përgjithshme trajnimi që nuk përmbajnë informacion sekret. Megjithatë, ne i marrim të gjitha çështjet e sigurisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të hetojmë rrethanat e zbulimit të tyre”./KultPlus.com