50 vjet nga vdekja e Pablo Nerudas, historia e një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX

Le të zbulojmë se kush është Pablo Neruda. Historia e një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, i cili. Ka marrë çmimin prestigjioz Nobel për letërsinë.

Pablo Neruda është padyshim një nga personazhet më me ndikim të shekullit XX. Përveç që ishte një pikë referimi e letërsisë së Amerikës Latine, ai ishte politikan dhe diplomat dhe luftoi për Kilin, vendlindjen e tij. Poeti lindi në Parral, me emrin Ricardo Eliécer Neftalí Reyes Basoalto, më 12 korrik 1904. Prindërit e tij. José del Carmen Reyes Morales dhe Rosa Neftalí Basoalto Opazo, ishin punonjës hekurudhe dhe mësuese. Nëna e tij vdiq nga tuberkulozi kur Pablo ishte ende fëmijë.

Interesimi i Pablo Nerudës për letërsinë dhe poezinë erdhi me adoleshencën dhe mbi të gjitha falë inkurajimit të poetes Gabriela Mistral, e cila ishte profesorja e tij. Edhe pse babai i tij ishte kundër këtij pasioni, nga mosha gjashtëmbëdhjetë vjeç poeti filloi të botojë shkrimet nën pseudonimin Pablo Neruda. Emri u zgjodh në nderim të shkrimtarit Jan Neruda, me origjinë nga Republika Çeke, dhe për të mos lejuar që babai i tij ta pengonte të realizonte ëndrrën e tij. Në moshën njëzet e tre vjeç, pasi kishte botuar tashmë vëllimin e parë në vargje të quajtur Crepuscolario, Neruda u transferua në Birmani.

Iu desh të lëvizte për të ndjekur një karrierë diplomatike si konsull. Në vitet e kaluara në Azinë Juglindore ai u martua me bankieren holandeze Maryka Antonieta Hagenaar Vogelzang dhe vazhdoi të shkruajë poezi. U kthye në Kili pasi kishte mbajtur rolin e konsullit në Buenos Aires, Barcelonë dhe Madrid. Në vitin 1945 ai u bë senator i Partisë Komuniste të krahinave kiliane të Antofagastas dhe Tarapacás. Për shkak të një mosmarrëveshje me Presidentin Videla ai u detyrua të largohej nga vendi në 1949 dhe të jetonte në mërgim.

Më 21 tetor 1971 ai u bë poeti i tretë i Amerikës së Jugut, pas profesores Gabriela Mistral dhe Miguel Ángel Asturias, i cili u dekorua me Çmimin Nobel për letërsinë. Rreth dy vjet më vonë, kur qeveria e Augusto Pinochet u krijua në Kili, Pablo Neruda vdiq në Santiago de Kili më 23 shtator 1973. Vdekja e tij është ende e mbështjellë me mister: raportet zyrtare thonë se ai vdiq për shkak të një tumori, por shumë besojnë se poeti ishte viktimë e një vrasje të urdhëruar nga Pinocheti. /KultPlus.com

‘Ka shumë më tepër mënyra për të vrarë sesa për të bërë dashuri’

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Pas një nate
në tokën ku vazhdojnë të çelin lulet e fëmijërisë
ku vazhdojnë të kalben ëndrrat
mes lisave të përgjumur
fillojnë të zgjohen sorrat
dhe dielli i një qielli tjetër
(nën të cilin kuptohet
se ka shumë më tepër mënyra për të vrarë
sesa për të bërë dashuri)
Një burrë
derisa po kthehej në shtëpi
nga turni i natës
ndeshet në park
me një prostitutë lakuriq
të vdekur
që kishte të tatuazhuar në kërdhokull
emrin e një shqiptari nga Kosova
E gjora
nuk i kishte dy javë
që kishte dalë nga përralla / KultPlus.com

Margariti: Mirëmbajtje Teqesë së Melanit në Libohovë, monument kulture i kategorisë së I

Teqeja e Melanit në Libohovë, monument kulture e kategorisë së I, është e përbërë nga një kompleks objektesh të ndërtuara mbi akropolin e qytetit të vjetër.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se “gjatë kësaj jave specialistët e DRTK Gjirokastër, në bashkëpunim me bashkinë e  Libohovës dhe komunitetin fetar të Teqesë së Melanit kanë ndërhyrë në tre monumente të rëndësishme për nga vlerat arkitekturore, historike e fetare: teqe, ujësjellës e kala”.

“U punua për sistemimin dhe largimin e humusit, prerjen e bimësisë si dhe përmirësimin i hapësirave rreth këtyre monumenteve të kategorisë I”, tha Margariti.

E vendosur në një pozicion të veçantë historik dhe gjeografik, Teqeja e Melanit shërben si qendër fetare dhe pelegrinazhi për besimtarët myslimanë bektashi si dhe për vizitorë vendas e të huaj./ KultPlus.com

Presidentja Osmani premton mbështetje për studentët shqiptarë në SHBA

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar studentët shqiptarë në Universitetin Columbia në New York, ku ka premtuar mbështetje për studentët, duke thënë se janë shtylla e së ardhmes sonë.

Osmani ka shkruar në X, se kishte një pasdite frymëzuese me studentët brilantë të shoqërisë shqiptare në Columbia.

“Studentët tanë janë shtylla e së ardhmes sonë. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë që secili prej tyre të ketë mundësinë të shkëlqejë dhe të dhurojë sepse kur mendjet tona të reja lulëzojnë, Kosova lulëzon”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve të Shenjave

Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve të Shenjave është një mundësi unike për të mbështetur dhe mbrojtur identitetin gjuhësor dhe diversitetin kulturor të të gjithë personave që nuk dëgjojnë dhe përdoruesve të tjerë të gjuhës së shenjave.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka shpallur 23 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare të Gjuhëve të Shenjave me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e gjuhës së shenjave në realizimin e plotë të të drejtave të njeriut të njerëzve që nuk dëgjojnë.

Sipas Federatës Botërore të të Shurdhërve, ka më shumë se 70 milionë njerëz të shurdhër në mbarë botën. Më shumë se 80% e tyre jetojnë në vendet në zhvillim. Së bashku, ata përdorin më shumë se 300 gjuhë të ndryshme të shenjave.

Gjuhët e shenjave janë gjuhë të plota natyrore, strukturalisht të dallueshme nga gjuhët e folura. Ekziston edhe një gjuhë ndërkombëtare e shenjave, e cila përdoret nga personat e shurdhër në takimet ndërkombëtare dhe joformalisht kur udhëtojnë dhe shoqërohen. Ajo nuk është aq komplekse sa gjuhët natyrore të shenjave dhe ka një leksik të kufizuar.

Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara njeh dhe promovon përdorimin e gjuhëve të shenjave. Ajo bën të qartë se gjuhët e shenjave janë të barabarta në status me gjuhët e folura dhe detyron shtetet palë të lehtësojnë mësimin e gjuhës së shenjave dhe të promovojnë identitetin gjuhësor të komunitetit të Shurdhërve. / KultPlus.com

Së shpejti vjen premiera ‘Dashnorët vdesin duke qeshur’ me regji të Ben Apollonit 

Së shpejti vjen premiera e komedisë “Dashnorët vdesin duke qeshur” në teatrin Avdush Hasani në Podujevë, shkruan KultPlus.

Autor i shfaqjes është Osman Goranci, ndërsa vjen nën regjinë e Ben Apollonit. 

Në shfaqje luajnë aktorët si: Ryva Kajtazi, Muhamet Zeka, Valire Haxhijaj Zeneli, Sindi Çitaku Azemi, Gani Morina dhe Yzeir Meha.

Asistente e regjisë: Adelina Halitjaha

Skenografia: Artan Hasani

Kostumografe: Egzona Kadriji

Dizajner i ndriçimit: Skender Latifi

Mjeshtër i ndriçimit: Jeton Berisha

Punëtor skene: Arton Mustafa

Premiera e shfaqjes vjen më 4 tetor, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Standard&Poors vlerëson Shqipërinë: Nga ‘perspektivë e qëndrueshme’ në ‘pozitive’

Agjencia Standard&Poors ka vlerësuar në ngritje perspektivën e Shqipërisë. Sipas raporti të kësaj agjencia vendi ynë konfirmohet nga “perspektivë e qëndrueshme” në “pozitive”. Në të njëjtën kohë, agjencia ka rikonfirmuar vlerësimin e vendit në “B+”.

“Perspektiva pozitive” sipas agjencisë pasqyron pikëpamjen e saj se parametrat fiskale të vendit do të vijojnë të përmirësohen përtej pritshmërive të agjencisë, nëpërmjet përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar financat publike. Për më tepër, pavarësisht një ngadalësimi të partnerit kryesor tregtar të vendit, BE-së, agjencia parashikon që parametrat e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë mund të përmirësohen më shumë se ç’pritej, ndërsa ekonomia globale rimëkëmbet dhe sektori shqiptar i turizmit vazhdon të zgjerohet.

Agjencia parashikon se pas një moderimi të rritjes për këtë vit në 3%, kryesisht për shkak të kërkesës së huaj më të ulët nga Evropa, rritja pritet të rimarrë shpejtësi pas vitit aktual 2023, duke u mbështetur edhe në lehtësimin e kushteve financiare dhe rritjen e aktivitetit ekonomik global.

Sipas agjencisë, vitet e fundit, Shqipëria është përballur me një sërë goditjesh, përfshirë një tërmet në vitin 2019.

“Pavarësisht kësaj, qeveria ka bërë përpjekje të forta për të konsoliduar financat publike. Si rezultat, agjencia pret që defiçiti buxhetor të konvergojë në rreth 2% të PBB deri në vitin 2026 dhe borxhi publik të reduktohet në 58.3% në 2026 nga 64.5% që rezultoi në 2022, duke qenë në përputhje me rregullat fiskale të balancës primare dhe të reduktimit të borxhit publik të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit (OBL). Megjithatë, agjencia vëren se konsolidimi fiskal do të varet edhe nga rimëkëmbja e qëndrueshme e rritjes ekonomike dhe vijimësia e reformave strukturore”.

Agjencia vëren se inflacioni ka rënë, duke arritur në 4% në gusht, në rënie të ndjeshme nga 7.2% që rezultonte në janar, si dhe ajo parashikon që inflacioni do të jetë mesatarisht 4.7% për vitin 2023, pastaj do të bjerë gradualisht në nivelin e targetuar prej 3%, në sajë edhe të forcimit të lekut. / KultPlus.com

Vjeshta

Poezi nga Ndre Mjeda

Dhe ju po shkoni,
Bylbyla, kshtu!
Po tretni këndynaj,
Dallndysha, ju!

Dekën mendova
Se m’vjen kurdo;
Se m’leni vetun
S’mendova, jo

Por ma fort zemrën
Ma bren nji idhnim:
Çerdhen qi i leni
Kujdesit tim.

Ndoshta, kur t’ktheni
Mue vorri m’mba,
E ju kërkoni
Çerdhën qi s’a./KultPlus.com

Papa Françesku: Migrantët nuk e pushtojnë Evropën

Papa Françesku ka thënë të shtunën se qeveritë perëndimore duhet të kujdesen më shumë për migrantët që e kalojnë Mesdheun, sepse “ata që e rrezojnë jetën e tyre në det, nuk janë pushtues, ata kërkojnë mirëpritje”.

Papa ka thënë përgjatë një vizite në qytetin francez Marsejë se migrimi është “realitet i kohës sonë, një proces që përfshin tri kontinente në Mesdhe dhe përgjigja duhet të jetë largpamëse, përgjigje evropiane”.

Deklaratat e Papës – të bëra para presidentit francez, Emmanuel Mcron, Qeveria e të cilit planifikon marrjen e masave më të ashpra kundër migrimit – i pasojnë qëndrimet e tij të së premtes, kur ka thënë se “njerëzit që rrezikojnë të përmbyten në valë, duhet të shpëtohen”.

Mënyra sesa Evropa është duke u marrë me numrin e madh të migrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, është në krye të agjendës politike evropiane prej javës së kaluar, kur mijëra persona kanë arritur në ishullin italian Lampeduza, brenda pak ditësh.

Papa i ka komentuar edhe disa politika të brendshme të Francës, përfshirë projektet e Macronit për vdekje të asistuar dhe përfshirjen e të drejtës për abort në Kushtetutën e shtetit.

Kreu i Selisë së Shenjtë ka paralajmëruar se njerëzit e moshuar rrezikojnë “të flaken tutje, nën pretekstin për një vdekje ‘të ëmbël’, e cila është më e ‘njelmët’ sesa ujërat e detit”.

Sa i përket abortit, Papa ka thënë se fëmijët e palindur, “refuzohen në emër të një të drejte të rreme për përparim, e cila në fakt është tërheqje për nevojat egoiste të një individi”./REL/ KultPlus.com

“Mjekra”, poezia e Agollit dedikuar Agim Vincës

Poezi nga Dritëro Agolli

Mjekra

Mikut tim të mirë, Agim Vincës

Ç’janë këto valë të bardha në flokë e në mjekër,
Ato s’t’i kam parë kur ishe i ri,
Mos vallë t’i sollën nositët e vjetër
Tek krahët përplasën në Dri’?

Mos vallë andej nga Mali i Thatë
Një shtërg i vonuar qëndroi
Dhe hodhi një pendë nga bishti i gjatë
Kur ty fillikat të vështroi

Dhe penda valë ngriti në mjekrën e ngratë?

Stamboll, 3 korrik 1998 / KultPlus.com

Mbretëria e Bashkuar paralajmëron për rreziqet e paraqitura nga AI

Zëvendëskryeministri i Britanisë tha të premten se bota nuk mund të përballojë të “binte në kurth” në debatet nëse AI është një mjet për të mirën apo për të keqen.

Oliver Dowden tha se do të jetë një mjet për të dy, por ka nevojë për të punuar në të “me shpejtësi të madhe”.

Inteligjenca artificiale është “një sfidë që është tashmë me ne sot, dhe që po ndryshon, pikërisht tani, të gjitha të nesërmet tona. Ajo do të ndryshojë gjithçka që bëjmë … mënyrën se si jetojmë,” tha Dowden në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të OKB-së në New. York.

Ai e përkufizoi AI si “transformimin më të madh që ka njohur bota” dhe tha se detyra e qeverive për këtë çështje duhet të jetë ta kuptojnë, ta kuptojnë dhe të kërkojnë ta qeverisin atë, por duhet bërë “me shpejtësi të madhe”.

Dowden tha se bota i ka parë tashmë rreziqet që mund të paraqesë AI: “Adoleshentët që hakojnë detaje bankare të individëve … terroristët që synojnë sistemet qeveritare … kriminelët kibernetikë që mashtrojnë opinionet me falsifikime të thella dhe robotë … madje edhe shtete që shtypin popujt e tyre.”

“Nuk ka të ardhme në të cilën kjo teknologji nuk zhvillohet me një ritëm të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Duke vënë në dukje se Britania e Madhe do të presë një Samit të AI në nëntor, zëvendëskryeministri tha se qëllimi i takimit është të arrihet një kuptim i përbashkët i “këtyre rreziqeve më ekstreme dhe se si bota duhet t’i përballojë ato … dhe në të njëjtën kohë, fokusimi në mënyrën se si AI mund të përdoret për të mirën publike.”

Samiti do të zhvillohet në nëntor. 1 – 2 në Bletchley Park, Buckinghamshire, një nga vendlindjet e shkencës kompjuterike, tha qeveria muajin e kaluar. / KultPlus.com

Tony Drum Studio shënon 10 vite, organizon koncertin me emra të njohur të skenës vendore e të huaj

Mbi 50 bateristë do të performojnë së bashku për të shënuar 10 vite të plota të Tony Drum Studio. Koncerti vjen nën emërtimin “10 Years On The Beat”, me ç’rast prezantohen 100 artistë vendorë, me mysafirë nga Evropa, shkruan KultPlus.

Mysafire speciale për koncertin festiv, është artistja nga Italia, Elissa Piloti. Piloti është bateriste si dhe profesoreshë e baterive, e konsideruar si më e suksesshmja në Itali. Gjatë karrierës së saj gati 30 vjeçare, ka performuar me emra të njohur, si me kitaristin e Michael Jackson – Jennifer Batten, si dhe Ryan O’Donnell.

Në mesin e këngëtarëve që do performojnë janë edhe Teuta Kurti, Hekuran Krasniqi, Troja Bicurri, Sokol Latifi, Arbër Krasniqi, Dafina Bytyqi, Shpend Lleshi, Fitore Gjonbalaj, Besiana Behluli. 

Koncerti mbahet më 25 Shtator, duke filluar nga ora 20:00 në sallën AMC Hall, në Prishtinë. / KultPlus.com

Nesër fillon sezoni i ri i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës 

Nesër në koncertin e hapjes do të jenë prezentë dy muzikantë të jashtëzakonshëm të cilët do t’i bashkohen Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës për një hapje po aq të jashtëzakonshme.

Violinistja emblematike Aiman Mussakhajayeva nga Kazakistani, do të ngjitet në skenën e Prishtinës për të interpretuar koncertin për violinë nga Aram Khachaturian. Mussakhajayeva jo vetëm që është një violiniste virtuoze, por gjithashtu një artiste dhe personalitet shumë dimensional. Mes të tjerash, ajo mban titullin “Artist për Paqen” nga UNESCO-ja dhe “Muzikantja Ndërkombëtare e Vitit 2003” sipas “Cambridge International Biographical Center” dhe këto janë vetëm dy nga shumë titujt prestigjiozë që ajo i posedon.

Po ashtu, për herë të tretë, do të mirëpritrt edhe mjeshtri zviceran-francez Antoine Marguier, themeluesi dhe dirigjenti i përhershëm i Orchestre des Nations dhe drejtues i shumë orkestrave me nam.

Maestro Marguier do të drejtojë orkestrën në një performancë mbresëlënëse dhe përveç koncertit për violinë nga Khachaturian në program do të interpretohen edhe Simfonia Nr. 4 nga Johannes Brahms. 

Koncerti mbahet në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Sot, dita e parë e vjeshtës

Të shtunën fillon stina e vjeshtës, por kjo ditë do t’i ngjasojë më shumë një ditë tipike vere, pasi që temperaturat do të jenë të larta. Në këtë ditë do të ndodhë ekuinoksi vjeshtor, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës. 

Vranësira të pakta mund të paraqiten vetëm përreth relievit malor, ku dhe shkalla e lagështisë do të jetë më e lartë.

Sa i përket presionit atmosferik parashihen vlera të larta, ndërsa parametri i erës do ta mbajë drejtimin e verilindjes dhe veriperëndimit e lehtë deri mesatare. 

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius.

Të dielën paraqiten kushte krejtësisht tjera meteorologjike, pasi që qielli do të mbulohet me vranësira të mesme dhe të ulëta duke krijuar kushte për reshje shiu dhe shkarkime rrufesh. Shtrirja e reshjeve si zakonisht nuk do të jetë e ngjashme në gjithë territorin, por përgjithësisht sasitë do të jenë mesatare deri të larta. 

Sa i përket situatës termike parashihet të ketë rënie në të dy vlerat ekstreme. 

Minimalet do të lëvizin ndërmjet 11-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 21-25 gradë Celsius. 

Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë dhe lokalisht e fortë. / KultPlus com

Spanja e heq fjalën “gra” nga ekipi kombëtar i futbollit

Duke e hequr shprehjen “futbolli i grave” nga emri i ekipit të vet kombëtar, Federata e Futbollit e Spanjës (FFS) shpreson se do të dëshmojë se ka bërë “ndryshim konceptual” në mënyrën sesi e sheh sportin.

Mbetet të shihet nëse vendet e tjera do ta ndjekin shembullin e Spanjës.

Spanja e bëri këtë ndryshim për të pasur barazi më të madhe, pas një marrëveshjeje mes shtëpisë së futbollit në vend dhe ekipit që e fitoi Kupën e Botës 2023, e cila u arrit pas shumë mospajtimeve qëkur ish-presidenti i federatës, Luis Rubiales, e puthi me zor në buzë futbollisten Jenni Hermoso gjatë ceremonisë së trofeut, kur Spanja u bë kampione e botës në Australi muajin e kaluar.

Emri i ekipit të grave është quajtur tradicionalisht “de fútbol femenino” – apo në shqip “futbolli i grave”.

Por, nga tani e tutje, ekipet kombëtare të burrave dhe grave do të njihet të dyja zyrtarisht si “Selección Española de fútbol”, apo në shqip “Ekipi kombëtar i Spanjës në futboll”.

“Më shumë se një ndryshim simbolik, ne duam që kjo ta përfaqësojë një ndryshim konceptual, dhe pranimin se futbolli është futboll, pavarësisht se kush e luan atë”, tha presidenti i përkohshëm i FFS-së Pedro Rocha.

Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, ka mbajtur bisedime joformale në të kaluarën për mënyrën sesi vendet mund ta zgjidhin çështjen e emrit, por nuk ka dhënë ndonjë propozim zyrtar.

Vendet e tjera, si Anglia dhe Shtetet e Bashkuara, kanë krijuar barazi duke iu referuar atyre si ekipet kombëtare të “burrave” dhe “grave”.

Por barazia është më e vogël kur bëhet fjalë për turnetë e mëdhenj.

Gara më elitare dhe prestigjioze e burrave quhet thjesht Liga e Kampionëve. Gara e njëjtë e grave, megjithatë, quhet Liga e Kampionëve e Grave.

Njëlloj, Kampionati Evropian i burrave i vitit të ardhshëm quhet Euro 2024. Gara e njëjtë e grave më 2025 quhet Euro e Grave.

Kupa Botërore e Grave në Australi dhe në Zelandë të Re u mbajt disa muaj pas asaj të burrave, emri zyrtar i të cilës ishte thjesht FIFA Kupa e Botës./rel/ KultPlus.com

Përse nuk vjen

Poezi e shkruar nga Mikai Eminesku

Shoh dallëndyshet që ikin larg,
Dhe gjethet që u zverdhën pak.
Mbi vreshta tutje bryma ra,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

Eja në krahë të të mbaj,
Të t’admiroj e të vdes pastaj.
Dhe ta vë kokën që më dhëmb,
Mbi gjoksin tënd, mbi gjoksin tënd!

A të kujtohet koha vallë,
Kur të dy bridhnim në livadhe.
Kur unë të ngrija pupël në erë,
Me mijëra herë, me mijëra herë!

Në botë gjenden femra plot,
Që sytë i kanë zjarr e lot.
Të arta qofshin ato gra,
Si ti nuk ka, si ti nuk ka!

Ti dritë do sjellësh e kthjellim,
Në jetën time, shpirtin tim.
Ti mbi çdo yll ke bukuri,
E dashur moj, e shtrenjtë ti!

Vjeshta tani mbi fushat zverdh,
Rrafshnaltat i shkretoi përreth.
Po bien fletët ca nga ca,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

Kënga e re e Ed Sheeran është frymëzuar nga seriali ‘Friends’

Ed Sheeran ndau një moment nga kënga e tij të re “American Town” në rrjetet sociale.

Në një video që ndau me miqtë e tij në internet, ai ia prezantoi duke i kënduar shoqes së tij Courteney Cox në kuzhinën e saj teksa tha se ishte frymëzuar nga seriali i dashur “Friends”.

Courtney, Courtney, Courtney, unë e shkrova këtë këngë të frymëzuar nga “Friends””, tha Sheeran në video, duke filluar me refrenin referuar “një vajzë angleze në një qytet amerikan“.

Ndërsa, aktorja u shpreh se i pëlqente shumë dhe bëri shaka se do të kërkojë të drejtën e autorit.

Vihet re se Sheeran dhe Cox kanë qenë miq për më shumë se 10 vjet, kur ajo e prezantoi atë me partnerin e saj Johnny McDade në 2013.

Albumi i ri i këngëtarit ‘Variantet e vjeshtës’ do të publikohet më 29 shtator dhe nesër (23 shtator) ai do të performojë në stadiumin SoFi në Inglewood në Los Angeles. Është ndalesa e fundit e turneut të tij në Amerikën e Veriut, siç raportohet nga Billboard./KultPlus.com

Tirana pret Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor nën drejtimin e koreografit me famë botërore, Angelin Preljocaj

 Tirana do të mirpresë Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor, një ngjarje e madhe kulturore që do të sjellë një bashkim të artit të kërcimit nga e gjithë bota në kryeqytetin e Shqipërisë.

Festivali është organizuar nga Qendra për Art dhe Kulturë Harabel, D18 Paris dhe Balkan Youth Link Albania, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Ky është edicioni i dytë i festivalit dhe do të zhvillohet nga 23 shtatori deri më 22 tetor në Tiranë.

Festivali, nën drejtimin artistik të koreografit të mirënjohur, Angelin Preljocaj, synon të pozicionojë Tiranën si një qendër të spikatur për kërcimin bashkëkohor ndërkombëtar, duke krijuar një platformë për kompanitë e njohura të kërcimit dhe balerinët e talentuar. Përveç shfaqjeve, festivali do të ofrojë edhe seminare, angazhime publike dhe një program paralel me ngjarje arti.

Duke ia besuar programimin Nicole Saïd dhe Ajola Xoxës, ky event dinamik dhe i pasur kulturor do të sjellë shfaqje nga kompani të njohura kërcimi nga e gjithë bota, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Festivali premton një formacion të jashtëzakonshëm koreografish magjepsëse dhe shprehjesh artistike nga kompani të njohura si Balet Preljocaj, La Veronal & Marcus Morau, Blenard Azizaj dhe Fondazione Nazionale de la danza/Aterballetto.

Ky festival do të promovojë diversitetin dhe inovacionin e kërcimit bashkëkohor dhe do të nxisë shkëmbimin kulturor dhe rritjen artistike në rajonin e Ballkanit. Për studentët dhe kërcimtarët e rinj nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, do të ofrohen kurse kërcimi falas që do të drejtohen nga koreografë nga kompanitë partnerë ndërkombëtare.

Gjithashtu, festivali prezanton një program paralel të ngjarjeve të artit, përfshirë ekspozita dhe një punëtori të dedikuar për fëmijë. Ekspozitat do të prezantojnë veprat e artistëve pamorë shqiptarë, ndërsa punëtoria do të inkurajojë fëmijët të eksplorojnë shprehjen e tyre artistike përmes pikturës, punimeve artizanale, ushtrimeve të gjuhës së trupit dhe lojërave interaktive.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor në Tiranë është një mundësi e shkëlqyer për të shijuar lëvizjen, kreativitetin dhe frymëzimin, ku bashkohen artistët dhe të apasionuarit e kërcimit nga e gjithë bota në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm kulturor./atsh/KultPlus.com

Magjia e Alpeve Shqiptare, mbi 130 mijë vizitorë këtë gusht

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shifrën e lartë të vizitorëve që gjatë muajit gusht zgjodhën të shihnin mrekullitë e Alpeve Shqiptare.

“Magjia e Alpeve Shqiptare, që këtë gusht priti mbi 130 mijë vizitorë, të cilët zgjodhën të udhëtonin drejt majave madhështore, luginave si parajsa, shtigjeve e lumenjve duke konfirmuar se turizmi malor është në ditët e tij më të mira dhe harta e atraksioneve për t’u zbuluar sa vjen e zgjerohet”, shkroi Rama.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.

Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat.

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Bukuria mahnitëse e Alpeve pasqyrohet në ujërat kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj., si dhe në liqenet akullnajore të tilla ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj. Ato ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline, e cila ndryshon çdo moment, të atyre që shijojnë bukuritë e shumta të kësaj hapësire./atsh/KultPlus.com

Reagimi fantastik i Rita Orës kur në ekran shfaqet Dua Lipa (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora mbrëmjen e kaluar ishte e ftuar në emisionin e prezantuesit Andy Cohen, bashkë me DJ Diplo.

Dyshes iu bënë disa pyetje, ku ata duhej të përshkruanin miqtë dhe kolegët e tyre me vetëm një fjalë.

Mes shumë artistëve në ekran u shfaq edhe fotoja e këngëtares tjetër me origjinë shqiptare, Dua Lipës për të cilën Ora reagoi menjëherë.

“E bukur”, u shpreh ajo.

Në ndërkohë Diplo tha “shqiptare”, gjë kjo që bëri që Rita të entuziazmohej dhe të brohoriste me krenari.

Dy artistet janë komentuar vazhdimisht për raportet e tyre “jo të mira” mes vete./KultPlus.com

Distria Krasniqi e argjendtë në Azerbajxhan

Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin, që po mbahet në Azerbajxhan.

Distria në finale u mposht nga japonezja Kisumi Omori, në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Përndryshe, Distria në xhiron e parë ishte e lirë, në xhiron e dytë ajo mposhti me Wazaari, garuesen nga Brazili, Jessica Pereira.

Në çerekfinale mposhti me Ippon në sekondat e para, garuesen nga Maroku, Soumiya Iraoui.

Distria në gjysmëfinale mposhti me tri dënime për Ippon në vazhdime, garuesen italiane, Odette Giuffrida, nënkampione olimpike nga Rio 2016./KultPlus.com

Sot 30 vite më parë u shfaq për herë të parë seriali ikonik “Friends”

Kanë kaluar saktësisht tridhjetë vjet nga premiera e serialit më të suksesshëm të Sitcom, “Friends”.

Episodi i parë u transmetua më 22 shtator 1994 në NBC, me 6 miq në Nju Jork. Që atëherë, seriali ishte i vendosur të thyente çdo rekord shikueshmërie.

Epilogu u shkrua më 6 maj 2004 dhe episodi i fundit u shikua nga 52.5 milionë shikues amerikanë.

Kjo e bëri atë finalen e pestë më të njohur të serialeve në historinë e televizionit botëror dhe episodin më të njohur televiziv të viteve 2000.

Deri më sot, Joe, Monica, Rachel, Ross, Chandler dhe Phoebe “shfaqen” çdo ditë në miliona shtëpi, me fansat që shikojnë episodet e shfaqjes pa pushim./KultPlus.com

Momenti kur Avni Rrustemi shpjegonte në gjyqin e tij arsyen e vrasjes së Esat Pashës

Nga Aurenc Bebja, Francë – 20 Janar 2017

Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esat Pasha po dilte nga hotel « Continental », i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën « Castiglione ». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.

Si rrjedhim, gazeta franceze, « Le Matin », ka botuar, në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi proçesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të « Seine-s ». Gazeta e përshkruan autorin 27 vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20 vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurtë kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht « klishetë ».

Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze : 

« Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.

Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.

E veja e Esat Pashës përfaqësohet , si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.

Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.

Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.

I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim « lirimin e Epirit ».

***

Z. Drioux : Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esat Pashën ?

Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të !

Z. Drioux : Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do të ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.

***

Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esat Pashën.

…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esatiste ». Në vijim niset për në Paris.

***

Z. Drioux : Çfarë burimesh financiare keni ?

Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.

Z. Drioux : Nga vijnë këto para ?

Avni Rustemi : Nga vëllai im.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.

***

Rustemi e përgjonte Esatin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esati. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.

***

Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.

Z. Drioux : Dhe pastaj, ju qëlluat ?

Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës !

Z. Drioux : Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI ! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esati ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.

***

Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit :

Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.

***

Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esatit.

***

Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.

Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.

***

Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esatit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin ?

***

Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.

Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esatit. Z. Edouard Julia e konsideron Esatin si një mik të Francës.

***

Z. Julia : Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve. Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esatin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Esati, a nuk e dorëzoj Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij ? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë. »

***

Ekspertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.

Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.

Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-le-matin-1920-kur-avni-rustemi-shpjegonte-ne-gjyqin-e-tij-arsyen-e-vrasjes-se-esat-pashes/?fbclid=IwAR0qyRzYoA0-C9YdMscPqFbn0PK5228q1IAk-p6rH0wnJbcxisl3-7c6Gqk

Krijuesi i ‘Game of Thrones‘ padit ChatGPT për shkelje të të drejtave të autorit

John Grisham, Jodi Picoult dhe George R.R. Martin janë ndër 17 autorët që paditën “OpenAI” për “vjedhje sistematike në një shkallë masive”.

Në dokumentet e paraqitura të martën në gjykatën federale në Nju Jork, autorët pretenduan “shkelje flagrante dhe të dëmshme të të drejtave të autorit të regjistruara të paditësve” dhe e quajtën programin ChatGPT një “ndërmarrje masive tregtare” që mbështetet në “vjedhjet sistematike në një shkallë masive”, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

Padia citon kërkime specifike të ChatGPT për secilin autor, të tillë si ai për Martin që pretendon se programi gjeneroi “një përmbledhje shkelëse, të paautorizuar dhe të detajuar për një prequel” të “A Game of Thrones” që titullohej “A Dawn of Direwolves” dhe përdori “të njëjtat personazhe nga librat ekzistues të Martinit në serinë “A Song of Ice and Fire”.

Në një deklaratë të mërkurën, një zëdhënës i OpenAI tha se kompania respekton “të drejtat e shkrimtarëve dhe autorëve dhe beson se ata duhet të përfitojnë nga teknologjia AI”.

“Ne po bëjmë biseda produktive me shumë krijues në mbarë botën, duke përfshirë Shoqatën e Autorëve, dhe kemi punuar në bashkëpunim për të kuptuar dhe diskutuar shqetësimet e tyre rreth AI”, thuhet në deklaratë.

Në fillim të këtij muaji, një grup i vogël i autorëve që përfshinin Michael Chabon dhe David Henry Hwang paditën OpenAI në San Francisko për “shkelje të qartë të pronës intelektuale”./KultPlus.com