Mall i Atdheut

Mall i Atdheut (shkruan F. Konica).

Kur vete njeriu, i lirë dhe i vetëm, larg Atdheut, viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit , e një mijë gjëra që vihen re nër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën, e të bëjnë jo ta harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë te ajo aq dendur mendja… Më tutje, si ngopen sytë së pari ndyshime, gazi shuhet pak nga pak. S’di se ç’të mungon, s’di se ç’të duhet.  Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e pik-së-pari here-herë, pastaj më dendur, e më në fund shpesh e po thua kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e i shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e ku u rritëm, ku qanim foshnja e ku loznim djem, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit e dëshira, e etja e gjuhës s’onë, ta shtrëngojnë e t’a dërmojnë me të vërtetë zemrën.

Ah! malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ay Shqiptar që se ka pasur në dhe të huaj!

Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura fjalë, ajo fjala më e vogla, na sjell, kur’ vjen nga Shqipëria, një gas të parrëfyeshëm, sa na sjell një copë t’atdheut.

E ky mall është më i nxehtë te ne të mjerët, se s‘kemi shpresë t‘a shohim Shqipërinë; jemi te dënuar, për dashuri t‘atdheut, të rrojme tej e këtej nër dhera të huaj, e veç të bëhemi tradhëtorë e të poshtërit e të poshtërve, s’ kemi për të puthur tokën e Shqipërise edhe shumë vjet, ndofta kurrë./ KultPlus.com

Gërvalla me ministrin izraelit flasin për mundësinë e udhëtimit pa viza mes dy vendeve

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njofton se ka pritur në takim ministrin Izraelit të Turizmit, Haim Katz, me të cilin tha se u diskutua për zhbllokimin e turizmit dhe mundësinë e udhëtimit pa viza mes dy vendeve.

Postimi i saj i plotë:

Më herët sot mirëprita në Kosovë Ministrin Izraelit të Turizmit, z. Haim Katz. Ne patëm diskutime produktive rreth zhbllokimit të potencialit të plotë të sektorit tonë të gjallë të turizmit dhe eksplorimit të mundësisë së udhëtimit pa viza midis vendeve tona./ KultPlus.com

Roth: Nuk e di nëse vizat janë çështje mes Scholz dhe Macron, koha për t’i hequr është tani

Deputeti dhe kreu i komisionit parlamentar gjerman për punë të jashtme Michael Roth gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në Prishtinë, ka folur edhe për çështjen  e liberalizimit të vizave.

Duke e komentuar deklaratën e Presidentit të Francës  Emannuel Macron i cili heqjen e  vizave e lidhi me procesin e dialogut, duke e lënë të hapur mundësinë që ato të liberaliziohen, Roth ka thënë se tani është koha që udhëtimi i kosovarëve të ndodhë.

“Jam i bindur se tani është koha për liberalizimn e vizave për njerëzit këtu në Kosovë. Suspendimi nuk është ide e mençur dhe e mirë. Nuk e di nëse kjo çështje, një çështje kundërthënëse dhe e ndjeshme ndërmjet dy qeverive (Francës e Gjermanisë), por i jam mirënjohës Kancelarit dhe Presidentit francez që morën përgjegjësi dhe zotim personal për t’i zgjidhur problemet në terren” ka thënë Roth.

Duke folur rreth çështje së liberalizimit, Roth ka thënë se BE i ka zhgënjyer kosovarët.

“E di që shumë njerëz këtu në Kosovë janë të zhgënjyer dhe kanë humbur durimin sepse BE jo gjithmonë ka luajtur një rol të drejtë kur është fjala për Kosovën. Vetëm sa për ta ilustruar me një shembull, liberalizimi i vizave. Ka qenë shumë e padrejtë dhe shpreh keqardhje për këtë, që njerëzit në këtë vend është dashur të presin kaq gjatë për liberalizimin e vizave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kushtet dhe kriteret shumë vitë më parë. Dhe kjo është arsyeja që shumë njerëz në këtë vend nuk i besojnë BE’së, nuk na besojnë ne” ka thënë Roth./Express/ KultPlus.com

Kurti e priti në takim Krajën, folën për hartimin e enciklopedisë shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademikun Mehmet Kraja.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se në këtë takim është folur në lidhje me hartimin e enciklopedisë shqiptare.

“Në takim u theksua rëndësia e projektit madhor mbi enciklopedinë shqiptare, i nisur nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët të vitit të kaluar. Akademiku Kraja shprehu përkushtimin e tij dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për hartimin e Enciklopedisë shqiptare, teksa e njoftoi kryeministrin me punën dhe arritjet kryesore të Akademisë”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com

Më fal trëndafil

Poezi nga Rifat Kukaj

Ç’po të buzqëshin petalet
Trëndafil bukurosh,
Si re të buta mbi male
Petalet që më shohin prore
Më ngjyrën rozë
Si npër qepallat qumështore

Më fal o mik për ngrysjen
Time dhe drithërime…
Unë do të t’shoh dhe verën tjetër
Po kurrë me sytë e nënës sime. / KultPlus.com

“Baresha” e famshme e Nexhmije Pagarushës ishte shkruar nga Rifat Kukaj

Data 7 shkurt e vitit 2020 mori “Bilbilin” e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushën.  

Vdekja e Pagarushës, ishte një ndër humbjet më të mëdha që ka përjetuar arti shqiptarë, por pasurinë artistike që ajo la pas do të jetojnë e ta mbajnë gjallë përgjithmonë.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu atje kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 kur është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Betovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Nexhmije Pagarusha ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit. 

Disa nga këngët që Nexhmija ju dha jetë përmes zërit të saj e shpirtit artistik janë: “Baresha”, ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, ”Ke selvitë”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Çil njat zemër plot kujtime”, “Dallëndyshe”, “Një lule”, “Zambaku i Prizrenit” e shumë të tjera.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

KultPlus, kujton sot mbretëreshën e muzikës shqiptare, përmes këngës “Baresha”, një këngë e pavdekshme që qëndron stoike përkundër prurjeve të reja. / KultPlus.com

‘Gjatë vitit të kaluar kishim 7.5 milionë hyrje, sivjet i arritëm në 8 muaj’

Eksperti për çështjet e turizmit, Besnik Vathi ka deklaruar se 7.2 milionë turistët e huaj që kanë vizituar Shqipërinë është një shifër e lartë. Mirëpo, sipas tij, do të ishte më shumë në favor të ekonomisë së vendit tonë në rast se ky turizëm do të ishte i organizuar dhe jo individual.

“Kjo shifër është e lartë, por mund të ishte dhe më e lartë sepse turizmi që ne kemi pasur ka qene më shumë turizëm personal, se sa turizëm i organizuar. Prandaj them, që edhe shpenzimet do të ishin shumë më të larta, nëse do të ishte i organizuar. Jo thjesht se është turizëm low cost, po është turizëm individual, pasi turistët nuk konsumojnë të gjithë potencialin që ofron Shqipëria në kushtet kur ky turizëm është më shumë individual, siç thash”, u shpreh ai në “Sheshi i Dollarit”.

Më tej, Vathi theksoi se ne gjatë vitit të kaluar kemi pasur 7.5 afërsisht milionë hyrje dhe ne i kemi mbërritur këto hyrje, deri më tani në 8 muaj.

“Siç thash, mundësitë janë shumë më të larta, për të ngritur shifra shumë më të larta. Ndoshta, diku te 25-30% mendoj unë, më të larta se sa viti i kaluar. Mund të jenë si të ardhurat, ashtu dhe numri i hyrjeve në Shqipëri. Po siç thash, ne gjatë vitit të kaluar kemi pasur 7.5 afërsisht milionë hyrje dhe ne i kemi mbërritur këto hyrje, deri më tani në 8 muaj. Ndërkohë, nuk i kemi mbërritur në të ardhura. Pra, siç shihet duhet të ishin shumë më të larta, megjithëse në këtë shifër nuk është futur kulmi i sezonit turistik”, shtoi ai./ KultPlus.com

Vdes në moshën 79-vjeçare Ian Wilmut, krijuesi i Dolly dhe “babai” i klonimit

Shkencëtari britanik Ian Wilmot, ekipi i të cilit bëri histori duke qenë i pari që klonoi një gjitar, delen Dolly, ka vdekur në moshën 79-vjeçare, njoftoi sot Universiteti i Edinburgut, ku ai punonte.

Dolly ishte gjitari i parë që u klonua duke përdorur një qelizë të rritur, një përparim teknologjik në kërkimin mjekësor. Ian Wilmut udhëhoqi ekipin në Institutin Roslyn, Universiteti i Edinburgut, që klonoi Dolly-n në vitin 1996.

Ky kërkim novator “transformoi të menduarit shkencor në atë kohë,” tha në një deklaratë Peter Matheson, një zyrtar i lartë në universitet.

Wilmut vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe që nga viti 2018 është fokusuar në kërkime rreth këtij çrregullimi degjenerativ të sistemit nervor qendror.

Me metodën e klonimit të përdorur në Dolly, qentë u klonuan në vitin 2005 në Korenë e Jugut dhe majmunët në vitin 2018 në Kinë./balkanweb/ KultPlus.com

Perla e Ohrit, shkëlqimit të së cilës nuk i ka rezistuar as mbretëresha Elizabeth

Perla e Ohrit e famshme në gjithë botën është bërë nga luspat e peshkut Plashica, specie endemike e peshqve në Liqenin e Ohrit.

Aftësitë për të bërë Perlën e Ohrit mbeten një traditë e fshehtë familjare që trashëgohet brez pas brezi. Familja Talevi konsiderohet si një nga të paktat që ruajnë me zell traditën dhe recetën e vetme për prodhimin e kësaj bizhuterie të bukur dhe unike.

Sekreti mbahet me kujdes për gati një shekull. Ohridi njihet gjërësisht dhe dallohet pikërisht për cilësitë unike të perlës që vjen nga punimet artizanale të këtij qyteti. Në pazarin e vjetër e Ohrit, mund të dëgjoni shumë histori lidhur me perlën.

Shumë njerëz të famshëm nuk kanë mund t’i rezistojnë shkëlqimit të kësaj perle. Mbretëresha Elizabeth, ish Ministrja e Jashtme Anna Lindh e Suedisë dhe shumë emra të tjerë të famshëm kanë mbajtur perlën e Ohrit. /KultPlus.com

Tetori i tri premierave, Teatri Kombëtar i Kosovës zbulon repertorin e muajit që vjen

Teatri Kombëtar i Kosovës sapo ka zbuluar repertorin e muajit tetor, dhe vetëm në muajin e dhjetë të këtij viti do të prezantohen tri premiera, projekte teatrale që pritet të sjellin shumë publik, shkruan KultPlus.

Në fakt premiera e parë do të jetë më 30 shtator, për t’iu rezervuar edhe gjashte repriza në muajin tetor, e bëhet fjalë për shfaqjen “1984” e që vjen para audiencës prishtinase me regji të Igor Mendijsky.

Premiera tjetër është rezervuar për datën 13 dhe bëhet fjalë për shfaqjen “Best Europian Show” që vjen me regji të Haris Pashoviq, e që në muajin tetor do të vjen edhe me katër repriza.

Kurse premiera e fundit që do të vjen në vjeshtë, është shfaqje që nuk përkon me stinën. Është shfaqja “Ditë vere” që vjen me regji të Kaltrim Balaj e që premierën do ta ketë më 18 tetor.  Kjo shfaqje do të reprizohet edhe pesë herë brenda muajit, kurse në repertor ka edhe projekte të tjera teatrale që do të prezantohen brenda atij muaji./ KultPlus.com

Bibliotekarë nga Bullgaria vizitojnë Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë

Bibliotekarë nga Biblioteka Publike “Petko Raçev Slavejkov”, në Bullgari, vizituan Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

Ekipi bullgar, i cili u mirëprit nga zv/drejtorja e BKSh-së, dr. Etleva Domi, shfaqi interes të veçantë për të njohur historikun e krijimit të BKSh-së dhe veprat më të çmuara e trashëgiminë kulturore të shkruar që ruhet në arkivin e saj.

Ata, gjithashtu, vizituan edhe Qendrën “Sotir Kolea”, duke parë nga afër sallat e specializuara të leximit të gjuhëve europiane të shndërruara në mjedise moderne leximi si dhe Qendrën e Restaurimit dhe të Konservimit.

Në emër të Bibliotekës Publike “Petko Raçev Slavejkov”, Bibliotekës Kombëtare iu dhuruan disa botime, të cilat u ekspozuan në hollin e saj. / atsh / KultPlus.com

‘Vera Andrron Detin’, hap javën e filmit në Mitrovicë

Java e filmit në Mitrovicë, në terasën e 7Arte, do të hapet sot me filmin ‘Vera Andrron Detin’ me skenar të Doruntina Bashës dhe regji të Kaltrina Krasniqit.

Sinopsisi: ‘Përditshmëria e qetë e Verës (64) çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyn Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazish gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Filmi shfaqet dot me fillim nga ora 20:00. / KultPlus.com

QKK dhe PriFest me memorandum bashkëpunimi për organizimin e koktejit dhe ndarjes së çmimit “Development Award”

Sot u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Festivalit të Filmit “PriFilmFest”, me qëllim të bashkëpunimit/partneritetit me festivalet vendore.

Ky memorandum ka për qëllim organizimin e koktejit në emër të QKK-së dhe ndarjen e çmimit “Development Award”, për projektin më të mirë të Kosovës, mbështetur nga QKK në PriFest. / KulPlus.com

Presidentja Osmani në takimin Bërdo-Brione: Është interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga Bashkimi Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionen, në sesionin e përbashkët ka mbajtur një fjalim, në të cilin ka theksuar se Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit dhe rrisin standardet e jetesës për  të gjithë qytetarët, pa dallim.

Përderisa aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës po shqyrtohet nga Asambleja Parlamentare, është me rëndësi që Kosova të ecën përpara edhe me statusin e kandidatit në BE, në përputhje me zotimin e BE-së për perspektivë anëtarësimi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Që nga takimi i fundit i këtij procesi, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka shënuar hapa të ndjeshëm suksesi në disa aspekte.

“Kosova është një partner i besueshëm, një fqinj i mirë dhe një partner që punon shumë. Prandaj, mundësia për një lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve tanë në zonën Schengen, është gjithashtu një mundësi e madhe për t’ua vërtetuar këtë të gjithëve në BE”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe përparimin në indekset ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut, fushën e teknologjisë informative, etj.

Në një pjesë të fjalimit të saj, duke qenë edhe tema të takimit të sivjetëm të liderëve, Presidentja Osmani foli edhe për efektet e ndryshimeve klimatike dhe tha se Kosova është përcaktuar për ta ardhmen e gjelbër të saj. Presidentja tha se tranzicioni i gjelbër është mundësi e mirë për gjenerim të vendeve të punës, rritje të produktivitetit dhe sigurim të energjisë.

Ndërkaq në raport me perspektivën e të rinjve të Kosovës, Presidentja Osmani tha se më shumë se gjysma e popullsisë së Kosovës është nën 30 vjeç, ndaj sipas saj  ndërtimi i një mjedisi ku mundësitë për zhvillim social dhe ekonomik janë lehtësisht të disponueshme, janë prioritet në mënyrë që ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë. / KultPlus.com

7 arsye pse duhet të zgjedhni UNI – Universum për të studiuar JuridikTop of Form

Studimi i Juridikut në UNI – Universum International College është një zgjedhje e shkëlqyer për shumë arsye të rëndësishme. Në këtë artikull, do të shpjegojmë disa prej arsyeve kryesore pse është e rëndësishme të zgjidhni këtë fushë të studimit në këtë institucion të lartë:

1. Cilësi e lartë e arsimimit: UNI është një institucion i njohur për cilësinë e arsimimit të ofruar. Profesorët e kualifikuar dhe kurrikula e pasur në Juridik sigurojnë një përvojë të pasur të mësimit që do t’ju përgatisë për një karrierë të suksesshme në fushën e ligjit.
2. Mundësi karriere: Juridiku është një fushë që ka shumë mundësi karriere në tregun e punës. Pas diplomimit, ju mund të bëheni avokatë, gjyqtarë, këshilltarë juridikë, dhe shumë profesione të tjera që kërkojnë njohuri të thella juridike.
3. Përgatitje globale: UNI është një institucion i përgatitur për të trajtuar temat globale të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Kjo është e rëndësishme në një botë të globalizuar ku çështjet juridike janë të ndërthurura me ngjarje dhe zhvillime ndërkombëtare.
4. Ndikimi në shoqëri: Studimi i Juridikut ju jep njohuri që mund të përdorni për të ndikuar pozitivisht në shoqërinë tuaj dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe drejtësinë.
5. Fusha e gjerë e specializimeve: Juridiku është një fushë e gjerë, dhe UNI ofron shumë mundësi për specializime. Mund të zgjidhni të studioni drejtësinë penale, të drejtat e njeriut, financën juridike, dhe shumë fusha të tjera për të zhvilluar një ekspertizë të veçantë.
6. Rrjeti i profesorëve dhe alumni: UNI ka një rrjet të fuqishëm të profesorëve dhe alumni të cilët mund t’ju ndihmojnë në gjetjen e mundësive profesionale dhe në zhvillimin tuaj personal dhe profesional.
7. Përgatitja për provimin e avokatit: Nëse keni synime për të bërë avokaturë, UNI ju ofron përgatitjen e duhur për provimin e avokatit, duke ju ndihmuar të arrini qëllimet tuaja në këtë fushë të veçantë.

Përgjithësisht, studimi i Juridikut në UNI – Universum International College është një mundësi e shkëlqyer për të zhvilluar njohuritë juridike dhe për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në fushën e ligjit. Kjo fushë e studimit ofron një shumëllojshmëri mundësish dhe një rrugë të sigurt drejt një të ardhme të ndritur profesionale.

Pajisu me diplomë të njohur nderkombëtarisht, nga UNI – Universum International College i cili menaxhohet nga Arizona State University.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në facebook dhe instagram.

Kërkime arkeologjike në zonën Vagalat/Dobër

Gjatë muajit gusht u realizua projekti “Kërkime arkeologjike në zonën Vagalat/Dobra, fusha e Livadhjasë dhe Lugina e mesme e Pavllës” nga Instituti i Arkeologjisë në bashkepunim me Universitetin e Oksfordit.

Akademia e Studimeve Albanologjike bën me dije se këtë sezon gërmimet arkeologjike u përqendruan në dy sektorë. Vijimi i kërkimeve në zonën e poshtme të kodrës, pranë murit të taracimit, çka nxori në dritë një strukturë që me shumë gjasa duhet të lidhet me kompleksin e tempullit antik.

Sektori i dytë, në zonën e epërme, e cila është eksploruar gjatë viteve ’80 të shekullit të shkuar nga prof. Dhimitër Çondi. Kjo zonë karakterizohet nga struktura që i përkasin fazës së fundit të përdorimit të kodrës, e cila datohet në periudhën mesjetare. Paralelisht u punua për rilevimin dhe dokumentimin fotografik ajror të sitit dhe zonës përreth.

Krahas specialistëve nga të dy institucionet, në kërkime morën pjesë studentë nga Universiteti i Oksfordit dhe nga Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, Universiteti i Tiranës./ atsh / KultPlus.com

Izraeli dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje për turizëm

Ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka nënshkruar Deklaratë të Përbashkët në fushën e turizmit me ministrinë e Turizmit nga shteti i Izraelit.

Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet Kosovës dhe Izraelit duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit në përputhje me parimet e respektit reciprok dhe barazisë.

Ministrja Hajdari, ka thënë se na kjo marrëveshje është shanca për të eksploruar në fusha të reja bashkëpunimi, shkruan KultPlus.

“Ministrja Hajdari, tha se ky është një shans i jashtëzakonshëm për të eksploruar shumë fusha të reja bashkëpunimi, përfshirë pjesëmarrjen në ekspozita, panaire, konferenca, dhe ngjarje të tjera që do të promovojnë bukuritë natyrore dhe kulturën e të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

Tutje, Deklarata e Përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës.

“Deklarata e Përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm me theks në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet fillestare që operojnë në industrinë e turizmit e poashtu edhe shkëmbimin e të dhënave dhe statistikave që do të përmirësojnë përvojën e udhëtimit për të dyja vendet”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Po ashtu, Deklarata e Përbashkët është bërë e ditur se parasheh edhe nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të lidhura me turizmin si dhe në fushën e edukimit turistik./KultPlus.com

Shqipëria turistike, “Tirana Photo Festival” mbahet nga data 9-17 shtator

Fotografia në lëvizje është tema e edicionit të 6 – të të Festivalit të Fotografisë “Tirana Photo Festival”, i cili u çel më 9 shtator do do të vijojë deri më 17 shtator në Tiranë, pranë Liqenit Artificial.

Tirana në Lëvizje përkon edhe me statusin e Tiranës këtë vit, si “Kryeqyteti Europian i Sporteve 2023” .

Festivali i Fotografisë së Tiranës është aktiviteti më i rëndësishëm i fotografisë në Shqipëri dhe qëllimi i tij është të promovojë Shqipërinë përmes fotografisë, si dhe të edukojë të rinjtë me artin e fotografisë.

Në këtë festival, që organizohet me mbështetjen e agjencisë së turizmit dhe agroturizmit  do të ekspozohen 100 foto.

Festivali vjen si një udhëtim edhe me aplikacionin TEA, që vijon me evente të ndryshme në të gjithë Shqipërinë.

Aplikacioni TEA krijoi mundësinë e kapërcimit të kufijve duke u kthyer në një guidë frymëzuese për miliona turistë, që e bënë këtë aplikacion pjesë të pushimeve dhe eksperiencës së tyre unike në Shqipëri.

TEA u bë një pasaportë virtuale për të zbuluar Shqipërinë turistike të kulturës dhe traditës.

Udhëtimi me TEA-n vazhdon të shtojë shijimin e natyrës, agro-turizmeve dhe trashëgiminë e vyer kulturore, që bart vendi ynë. / atsh / KultPlus.com

Letra e mësueses për prindërit: Rreth atij fëmije që ngacmon, godet fëmijën tuaj

Nga: Amy Murray

I dashur Prind

E di që jeni i shqetësuar. E di që çdo ditë fëmija juaj vjen në shtëpi me një histori të re rreth atij fëmijës tjetër. Atë fëmijë, që gjithmonë është duke ngacmuar, sharë, goditur ndoshta edhe duke ‘kafshuar’ fëmijët e tjerë. Atë fëmijë që gjithmonë i duhet të mbajë dorën time në korridor. Atë fëmijë që ngjitej në gardhin e oborrit, pikërisht në momentin kur unë i thoja të mos e bënte. Atë që derdhi qumështin e shokut në dysheme me qëllim. Dhe më pas, kur unë i kërkova ta pastronte, boshatisi të gjithë letrën e kuzhinës, po prapë me qëllim.

Ju jeni i shqetësuar se mos ky fëmijë po bëhet pengesë në proçesin e të mësuarit të fëmijës suaj. Ju jeni i shqetësuar se mos ky fëmijë po më shpenzon shumë kohë dhe energji. Jeni i shqetësuar se mos ndonjë ditë ky fëmijë lëndon me të vërtetë dikë tjetër. Dhe se ky “dikush tjetër” mund të jetë fëmija juaj. Jeni i shqetësuar se mos fëmija juaj mbetet mbrapa ngaqë unë nuk e vë re që ai po ‘lufton’ të mësojë si mbahet një laps. E di dhe këtë.

Fëmija juaj nuk është perfekt, por në përgjithësi i ndjek rregullat. Është i aftë t’i ndajë lodrat me të tjerët në mënyrë paqësore. Ngre dorën kur do të flasë. Punon kur është koha për të punuar, dhe luan kur është koha e lojës. Mund t’i zë besë se do të kthehet sërish pa bërë dredha kur merr leje për të shkuar në tualet.

E shikoni që edhe unë shqetësohem gjatë gjithë kohës. Për të gjithë fëmijët. Kujdesem për majën e lapsit të fëmijës tënd, për mënyrën si e shqipton një gërmë një fëmijë tjetër, për atë që në çantën e të cilit nuk ka ushqim, si dhe për atë që është i turpshëm. Shqetësohem se mos xhupi i Gavin-it nuk mban dhe aq ngrohtë sa duhet , edhe kur babai i Talitha-s i bërtet asaj kur ajo e shkruan shkronjën “B” mbrapsht. Shumica e udhëtimeve me makinë dhe dusheve të mia janë të mbushura me shqetësim.

Por unë e di që doni t’ju flas për atë fëmijën tjetër. Sigurisht sepse fakti që Talitha e shkruan shkronjën “B” mbrapsht, nuk do t’i shkaktonte fëmijës suaj një sy të nxirë. Edhe unë dua t’ju flas për atë fëmijë, por ka shumë gjëra që nuk mund t’jua tregoj.

Nuk mund t’ju tregoj që u adoptua nga një jetimore kur ishte 18-muajshe.

Nuk mund t’ju tregoj që është i uritur gjatë gjithë kohës pasi ka alergji nga shumë ushqime

Nuk mund t’ju tregoj që prindërit i ka në mes të një divorci dhe për këtë i është dashur të qëndrojë me gjyshen, për të cilën kam filluar të shqetësohem se mos ka filluar pijen.

Nuk mund t’ju tregoj që ilaçet e astmës e acarojnë atë.

Që mamaja e saj është prind i vetëm dhe se këtij fëmije i duhet të qëndrojë në shkollë më shumë se gjithë të tjerët e të flejë më pak se shumica e të rriturve.

Që ka qenë dëshmitar i dhunës në familje.

Që i takoj prindërit e kësaj fëmije çdo javë, dhe që të dy ata shpërthejnë në lot në këto takime.

Nuk mund t’ju tregoj që shpenzon një pjesë të madhe të kohës përpara lap-topit tim sepse thotë që “më bën të ndjehem më mirë kur dëgjoj zemrën tuaj edukatore”.

Nuk mund t’ju tregoj që kam ndjekur me përpikmëri rastet e agresivitetit të fëmijës në tre muajt e fundit, dhe ka arritur t’i rrallojë nga 5 incidente në ditë në 5 incidente në javë.

Që me lot në sy , u jam lutur kolegëve të stafit për t’i kushtuar më shumë vëmendje e të sillen më mirë me këtë fëmijë, edhe kur ky i fundit ka goditur dikë tjetër në sy të edukatores.

Ka kaq shumë gjëra që nuk mund t’jua tregoj rreth këtij fëmije. Ka edhe të mira.

Për shembull, nuk mund t’ju tregoj se në klasë ka si profesion ujitjen e luleve, dhe se një ditë qau zemërthyer kur një nga lulet u vyshk.

Që çdo ditë i jep puthjen e mëngjesit së vogël dhe i pëshpërit në vesh se “është rreze drite” për të.

Që di më shumë për vetëtimat se sa meteorologët.

Nuk mund t’ju tregoj që shpesh kërkon ndihmë për të mprehur lapsat gjatë kohës së lojës.

Që shkul ndonjëherët flokët e shoqes më të mirë.

Që kur sheh ndonjë shok klase duke qarë, vrapon drejt tyre me lodrat më të mira.

Çështja, i dashur prind, është se unë mund të të flas vetëm rreth fëmijës suaj. Pra, ajo çfarë mund të të them është vetëm kaq : Nëse në një farë pike, fëmija juaj, apo i ndonjë prindi tjetër, shndërrohet në këtë fëmijë për të cilën fola, unë në asnjë mënyrë nuk do ta diskutoj me prindërit e tjerë të klasës. Do të komunikoj me ju vazhdimisht, me qetësi e kënaqësi. Do të sigurohem që t’i japim zgjidhje të gjitha problemeve, dhe nëse më lejoni do t’ju shtrëngoj duart kur të qani. Do të jem avokate e juaja dhe e fëmijës suaj. Do të sigurohem që fëmija juaj më marrë dashuri kur të ketë nevojë. Do të jem zëri i fëmijës suaj në komunitetin e shkollës. Pavarësisht se çfarë ndodh të të jem në kërkim të gjërave të bukura e të veçanta rreth fëmijës suaj. Dhe kur një tjetër prind të vijë tek unë, me shqetësime rreth fëmijës suaj, do vazhdoj t’u them të gjithë këtë që ju thashë dhe juve.

Me shumë dashuri,

Mësuesja

(Kjo letër është publikuar edhe në Washington Post) / KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila krahas krerëve të shteteve të tjera të rajonit po merr pjesë në takimin Bërdo-Brione në Shkup, ka zhvilluar një takim me nikoqirin e takimit, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Presidentja Osmani në këtë takim, rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme e të qëndrueshme me Maqedoninë e Veriut dhe potencoi se të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në strukturat euroatlantike.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke falënderuar këtë shtet për përkrahjen e deritanishme.

Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike Kosova mund të arrijë avancim përmbajtësor në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe se ecja përpara e vendit tonë në këtë rrugë i kontribuon edhe paqes dhe stabilitetit afatgjate në rajon.

Presidentja Osmani e njoftoi homologun Pendarovski lidhur me hapat e ndërmarrë nga Kosova për deeskalimin e situatës në veri të vendit dhe theksoi nevojën e një përgjigjeje të unifikuar kundër përpjekjeve destablizuese të satelitëve të Rusisë si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar.

Në këtë takim, ndër të tjera, të dy presidentët, theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve të tyre dhe shprehën përkushtimin e ndërsjellë për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal. / KultPlus.com

11 shtatori, Ambasada amerikane sjell portretet e 3 shqiptarëve që humbën jetën

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, kujtoi sot 11 shtatorin e vitit 2001, duke sjellë edhe foto e kujtime të shqiptarëve që humbën jetën në kullat binjake të goditura nga terroristët.

“Kurrë nuk harrojmë. Sot kujtojmë dhe nderojmë rreth 3000 njerëzit që humbëm më 11 shtator 2001. Kujtojmë gjithashtu heronjtë që dolën dhe unitetin që pasoi atë ditë të tmerrshme. Ne qëndrojmë së bashku për të kujtuar, në qëndrueshmëri dhe me shpresë”, shkruan sot ambasada amerikane në rrjetet sociale.

Në mesin e shumë burrave, grave dhe fëmijëve që humbën jetën në atë ditë fatale, ishin tre shqiptarë: Simon Dedvukaj, Roko Camaj dhe Mon Gjonbalaj.

Simon Dedvukaj ishte më i riu nga tre shqiptarët (26 vjeç) që humbën jetën tragjikisht më 11 shtator. Lindur dhe rritur në Bronks, Nju Jork, Simoni e mbante gjithmonë pranë zemrës trashëgiminë e tij shqiptare, duke shfaqur një interes të thellë, të cilin vëllezërit e motrat e tij e krahasonin me një enciklopedi të historisë shqiptare.

Roko Camaj kaloi gati gjysmën e jetës së tij pezull me litarë mbi 1300 metra mbi tokë teksa punonte jashtë Qendrës Botërore të Tregtisë. Shumica e 43600 dritareve të Qendrës Botërore të Tregtisë pastroheshin duke përdorur një pajisje të posaçme që zvarritej lart e poshtë çdo kulle, por dritaret në katet e sipërme të Kullës Jugore duhej të laheshin me dorë. Kjo ishte puna e Camajt dhe ai e donte shumë. “Jemi vetëm unë dhe qielli. Unë nuk shqetësoj askënd dhe askush nuk më shqetëson”, kishte thënë Camaj, sipas një libri për fëmijë të shkruar për të.

Mon Gjonbalaj, një punëtor mirëmbajtjeje në ABM Janitorial Industries, vishte një uniformë çdo ditë në punën e tij në Kullën Jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Ai shpesh vinte një orë më herët për të ndarë një filxhan kafe me kolegët e tij, të cilët i vunë nofkën “Jambalaya” (një pjatë e njohur ushqimore Cajun nga Jugu i SHBA) për shkak të mbiemrit të tij të ndërlikuar shqiptar që tingëllonte i ngjashëm. Edhe pse po i afrohej moshës së pensionit në vitin 2001, Mon nuk ishte ende gati të linte punën e tij. / atsh / KultPlus.com

Mediat serbe kërkojnë dënimin e Dakut, u pengon tatuazhi për Katanën

Mirlind Daku bëri bujë me golin ndaj Polonisë dhe festën e madhe. Ai hoqi fanellën e Shqipërisë dhe kështu u zbulua tatuazhi në shpinën e futbollistit – guri i thyer në kufirin Kosovë – Shqipëri dhe “Katana 138” kushtuar komandantit Agim Ramadani.

Mediumi kroat “Dnevnik” ka shkruar se shfaqja e këtij tatuazhi ka penguar media të ndryshme në Serbi. Ato kanë kërkuar dënimin e sulmuesit gjilanas.

Daku golin ua ka kushtuar të gjithë atyre që luftuan për çlirimin e Kosovës dhe kështu mundësuan që shqiptarët nga të gjitha trevat të luajnë për Shqipërinë./ Insajderi / KultPlus.com

Mbyllet edicioni i 10-të i Koko Fest, ndahen çmimet për artistët dhe shfaqjet e vëna në skenë

Koko Fest, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë mbylli me sukses edicionin e tij të 10-të.

8 Shfaqjet e këtij festivali dhe të ftuarit, i dhuruan publikut emocione dhe argëtim.

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë në Korçë tashmë prej 10 vjetësh i sjell Korçës dhe publikut korçar, veprat më të bukura të komedisë.

“Shfaqjet fantastike, aktorët e talentuar dhe publiku artdashës i dhuruan këtij edicioni emocione të jashtëzakonshme.

8 netë, 8 shfaqje nga trupa teatrale nga brenda dhe jashtë vendit dhuruan të qeshura pafund”, shkruhet në faqen online të Bashkisë Korçë e cila mbështet këtë festival.

Çmimet e ndara në këtë edicion ishin:

1.Shfaqja më e mirë ” Nata e dymbëdhjetë ” Teatri A.Z.Çajupi” me regji nga Dimitri Milonas.

2.Regjia më e mirë- Erion Isai

3.Aktori protagonist- Bujar Ahmeti

4.Aktorja protagoniste- Olta Daku

5.Aktori joprotagonist-Kejdi Gishto

6.Aktorja joprotagoniste- Paola Kodra

7.Artisti i ri- Franci Bregu

8.Artistja e re- Yllka Lota

9.Çmimi i karrierës- Viktor Zhusti

10.Çmimi i publikut- Gentian Zenelaj. / atsh / KultPlus.com

Edhe filmi “Housekeeping for beginners” fitues në Festivalin e Filmit në Venedik

Festivali i Filmit në Venecia këtë vit mirëpriti jo pak nga regjisorët, aktorët e producentët shqiptarë.

Kujtojmë që Erenik Beqiri me filmin “A Short Trip” fiton çmimin e filmit më të mirë të shkurtë “Best Orizzonti Short” në festivalin prestigjioz të filmit në Venedik. Me këtë çmim, Beqiri me filmin e tij gjithashtu fituan nominimin e festivalit për garën e filmit të shkurtë në European Film Awards 2023 (EFA).

Filmi si produksion francez dhe me kastë të aktorëve nga Shqipëria dhe Kosova, ka hapur rrugën edhe për suksese të tjera të shumta.

Ndërkaq, filmi “Housekeeping for Beginners” nga Goran Stolevski me bashkëproducente nga Kosova Blerta Bashollin, u shfaq premierë më 6 shtator në Venecia Orizzonti, i cili fitoi çmimin “Queer Lion”, poashtu në Festivalin e Filmit në Venedik.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka uruar regjisorët, aktorët dhe gjithë ekipet e filmave për këtë sukses.

Filmi i parë pjesëmarrës nga Kosova në Festivalin e Venedikut ishte “Ballkoni” nga regjisorja Lendita Zeqiraj në vitin 2013.

Ndërsa në vitin 2021 filmi “Vera Anderron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit fitoi çmimet ‘Inclusion Edipo Re’ dhe çmimin për ‘Autoret gra nën 40 vjet’. / KultPlus.com