Muzeut Kombëtar i dhurohet PENA me të cilën u nënshkrua vendimi i liberalizimit të vizave

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i dhuroi dhe dorëzoi Muzeut Kombëtar të Kosovës, penën me të cilën u nënshkrua vendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Këtë dhuratë e pranoi zëvendësuesja e drejtorit të Muzeut, Vjollca Aliu.

“Paraprakisht, pena e nënshkrimit të vendimit final mbi liberalizimin e vizave, i datës 19 prill 2023, i ishte dhuruar zëvendëskryeministrit Bislimi nga eurodeputeti dhe ish raportuesi për Kosovën mbi këtë proces pranë Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë në fund të muajit të kaluar. Ky objekt, pritet të ekspozohet më tutje në Muzeun Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Roth: Nuk e di nëse vizat janë çështje mes Scholz dhe Macron, koha për t’i hequr është tani

Deputeti dhe kreu i komisionit parlamentar gjerman për punë të jashtme Michael Roth gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në Prishtinë, ka folur edhe për çështjen  e liberalizimit të vizave.

Duke e komentuar deklaratën e Presidentit të Francës  Emannuel Macron i cili heqjen e  vizave e lidhi me procesin e dialogut, duke e lënë të hapur mundësinë që ato të liberaliziohen, Roth ka thënë se tani është koha që udhëtimi i kosovarëve të ndodhë.

“Jam i bindur se tani është koha për liberalizimn e vizave për njerëzit këtu në Kosovë. Suspendimi nuk është ide e mençur dhe e mirë. Nuk e di nëse kjo çështje, një çështje kundërthënëse dhe e ndjeshme ndërmjet dy qeverive (Francës e Gjermanisë), por i jam mirënjohës Kancelarit dhe Presidentit francez që morën përgjegjësi dhe zotim personal për t’i zgjidhur problemet në terren” ka thënë Roth.

Duke folur rreth çështje së liberalizimit, Roth ka thënë se BE i ka zhgënjyer kosovarët.

“E di që shumë njerëz këtu në Kosovë janë të zhgënjyer dhe kanë humbur durimin sepse BE jo gjithmonë ka luajtur një rol të drejtë kur është fjala për Kosovën. Vetëm sa për ta ilustruar me një shembull, liberalizimi i vizave. Ka qenë shumë e padrejtë dhe shpreh keqardhje për këtë, që njerëzit në këtë vend është dashur të presin kaq gjatë për liberalizimin e vizave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kushtet dhe kriteret shumë vitë më parë. Dhe kjo është arsyeja që shumë njerëz në këtë vend nuk i besojnë BE’së, nuk na besojnë ne” ka thënë Roth./Express/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Nga 1 janari, qytetarët do të udhëtojnë lirshëm, kjo është meritë e të gjithëve

Parlamenti Evropian ka miratuar sot vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën, përmes një seance plenare, shkruan KultPlus.

Pas këtij vendimi të shumëpritur nga kosovarët, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili është shprehur se kjo është meritë e të gjithëve, e veçanërisht e qytetarëve të Kosovës.

Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Liberalizimi i vizave ndodhi sot.

Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën shengen.

Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë.

Falënderojmë eurodeputetët, Parlamentin Evropian dhe shtetet e Bashkimit Evropian për votën, vendimin dhe mbështetjen. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Liberalizimi i vizave është meritë e popullit të Kosovës

Përmes një seance plenare, Parlamenti Evropian ka miratuar sot vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Për këtë vendim ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila është shprehur se ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.

Postimi i plotë i presidentes Osmani:

Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.

Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha.  / KultPlus.com

Miratohet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

Përmes një seance plenare, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Pas këtij hapi pason nënshkrimi i tekstit që garanton liberalizimin e vizave për Kosovën, përcjell teve1.info

Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në datën e funksionalizimit të sistemit ETIAS por jo më vonë se 1 janari 2024, pra, edhe nëse ky sistem nuk hyn në funksion deri në atë datë.

Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave nënkupton që qytetarët e Kosovës do të kenë kohë të qëndrojnë 90 ditë në Zonën Shengen, në një periudhë prej 180 ditësh. / KultPlus.com

Eurodeputeti Waitz: Sot është ditë gëzimi për Kosovën, BE u vonua me vizat

Parlamenti Europian sot do të japë dritën jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Para seancës, eurodeputeti austriak, Thomas Ëaitz, ka thënë se sot është një ditë e gëzuar për Kosovën, derisa ka kritikuar BE-në për vonesën në këtë proces.

“Sot është një ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas vitesh bllokadë në Këshill, Parlamenti Europian më në fund do të miratojë sot liberalizimin e vizave për vendin më të ri në Europë. Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është i vonuar”, ka thënë ai.

Waitz, i cili vjen nga Të Gjelbërit dhe mori mandatin pas dotëheqjes së Ulrike Lunacek, bashkë me të , kanë luftuar që ky hap të ndërmerret përfundimisht.

EP Plenary session – European Climate Law

Eurodeputeti austriak tha se Të Gjelbërit kanë qenë duke avokuar për vite dhe do të vazhdojnë që të mbështesin rrugën europiane të Kosovës.

Parlamenti Europian pritet që sot ta miratojë dosjen për liberalizimin e vizave për Kosovën nga ora 12:00.

Ky institucionet i BE-së vazhdimisht ka përkrahur lëvizjen e lirë për kosovarët. /Express/ KultPlus.com

Ministrat e BE’së e kalojnë në lexim të parë heqjen e vizave për Kosovën

Këshilli i Ministrave të BE-së sot ka miratuar në lexim të parë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës.

Heqja e vizave për Kosovën do të zbatohet që nga data kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në fuqi ose nga 1 janari 2024, cilado që të vijë e para, raporton Gazeta Express.

Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Europian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së. / KultPlus.com

LIBE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Komiteti i Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) sot ka votuar pro liberalizimit të vizave.

48 eurodeputetë votuan me 48 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime, raporton Gazeta Express.

Për këtë LIBE ka njoftuar edhe në Twitter.

Pas votimit në LIBE duhet të ndodhë edhe votimi në Parlamentin Europian, që tashmë është dëshmuar pro heqjes së vizave edhe më herët.

Për këtë nga Parlamenti Europian më herët kanë thënë për Gazetën Express se janë disa data kur ky institucion do ta hedhë në votim çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Seanca e radhës fillon të hënën më 16 janar, por kjo mund të jetë shumë shpejt pas votimit në Komitet. Mundësitë e ardhshme janë datat 1 ose 2 shkurt dhe 13 ose 16 shkurt”, ka thënë një zëdhënëse e PE’së për Express.

Pas votimit në PE, radha u vjen votimeve nga ambasadorët e BE’së dhe Këshillit të Ministrave me shumicë të thjeshtë.

Tutje, akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian.

Pastaj, vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar.

Ndryshe, Presidenca suedeze e Bashkimit Europian ka premtuar se do ta vazhdojë ritmin e paraardhëses së saj çeke për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për hapat e radhës, Presidenca suedeze pati dhënë zotim se do të kryhen në muajt e parë të këtij viti.

“Është një marrëveshje politike mes Këshillit dhe Parlamentit Europian. Formalitetet e mbetura në lidhje me rregulloren pritet të ndodhin në muajt e parë të Presidencës së Suedisë”, ka thënë ditë më parë për Express një zyrtare për shtyp nga Presidenca e Suedisë në BE. / KultPlus.com

Ambasadorët e BE-së miratuan liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian përmes Twitter-it ka bërë të ditur se Ambasadorët e Bashkimit Evropian miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së.

Në këtë njoftim thuhet gjithashtu se ky hap mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave.

“Ambasadoret e BE-së sapo vulosën liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky është hap i fundit për këtë vit dhe hap i cili mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave. Në muajt e parë të vitit tjetër mbetet vetëm votimi formal në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe Këshillin për Punë të Brendshme”, ka shkruar Shasha. /KultPlus.com

Parlamenti dhe Këshilli i BE-së arrijnë marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën

Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur të mërkurën marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të Parmantit Evropian.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Në emër të PE-së negociata i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten nga Holanda.

“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhet në këtë njoftim.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

“Më në fund qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë për pushime, vizita familjare apo për arsye biznesi në BE, pa pasur nevojë të aplikojnë për viza. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, tha Reuten./REL/ KultPlus.com

Lajmi i fundit për vizat: Ambasadorët e BE-së i japin dritën jeshile liberalizimit

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Presidenca Çeke tani do t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza.

“Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm para për udhëtim pa viza për Kosovën dhe tash shpresojmë të arrijmë marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media të publikuar të mërkurën në uebfaqen e Këshillit Evropian.

Drafti ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe. Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024./ Insajderi / KultPlus.com

Vendimi për vizat së shpejti, hyrja në fuqi në nëntor 2023

Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.

Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023. / REL /KultPlus.com

Von der Leyen: Kosova i ka plotësuar kushtet, sistemi ETIAS është i ndarë nga kriteret për liberalizim vizash

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave. Von der Leyen ka thënë se Komisioni qëndron prapa qëndrimit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Ajo gjithashtu ka thënë se do të bëjë çmos për të bindur edhe Këshillin Evropian për të adresuar këtë çështje sa më shpejt dhe në mënyrë konstrutkive, shkruan Gazeta Express.

“Sa  përket vizave. Kosova I ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. E Kemi thënë edhe në 2018 e kemi përsëritur. Janë plotësuar të gjitha standardet. Jemi plotësisht në anën tuaj”, ka thënë Von der Leyen, raporton Express.

“Do të bëjmë përpjekje ta bindim të gjithë këshillin që kjo temë të adresohet shumë shpejt në mënyrë konstruktive”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë për sistemin ETIAS ka thënë se është çështje e ndarë nga procesi i liberalizimit të vizave.

“ETIAS është i pavarur nga ky proces. Është proces shumë i rëndësishëm për BE-në. Ne do të kërkojmë përmes këtij instrumenti teknik që të gjithë që futen në BE të aplikojnë përmes këtij sistemi që do të jetë i pavarur nga kriteret e vizave.

Me këtë do të kemi transparencë në lëvizje. Do të vlejë për të gjitha vendet e BE-së”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Osmani takon ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë lidhur me liberalizimin e vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar takimet me ambasadorë të vendeve të ndryshme të BE-së, të akredituar në Kosovë lidhur me liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sot, ajo takoi ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë.

Në takim me ambasadorët, presidentja Osmani falënderoi Kroacinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Hungarinë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, përfshirë takimin e fundit të grupit teknik punues të Këshillit Evropian.

Presidentja Osmani ka theksuar se është më rëndësi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, në procesin e liberalizimit të vizave deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet heqjen e vizave, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

Sipas presidentes Osmani, vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente, ndaj liberalizimi i vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.

Në të njëjtën linjë, presidentja Osmani kërkoi vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës edhe në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës, në të cilin mund të mbrohen, promovohen dhe avancohen të drejtat dhe liritë e njeriut. / KultPlus.com

E konfirmon edhe ministri i Jashtëm austriak: Liberalizimi i vizave për Kosovën është afër

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, pas takimit që ka pasur sot në Vjenë të Austrisë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media është shprehur optimist se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodh një të ardhme të shkurtër.

Schallenberg, tha se Austria ka mbështetur Kosovën gjithë, edhe para luftës së Kosovës, në kohën kur diktatori Sllobodan Millosheviq shtypte Kosovën.

“Na nevojitet edhe nga ana juaj bashkëpunimi dhe besoj se jemi në rrugë të mirë. Nga 24 shkurti bota jonë ka ndryshuar, pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe pasojat e saj ndjehen edhe në Ballkan. Ne jemi të kënaqur që Kosova ka marrë qëndrim shumë shpejt në këtë çështje. Ne të gjithë e dimë se duhet të jemi kujdesshëm”, tha ai. Sipas tij tash është një koha që të marrim vendime të rëndësishme për Ballkanin.

“Brukseli po diskuton statusin e vendit kandidat për Bosnjë dhe Hercegovinë dhe për liberalizimin e vizave për Kosovën. Është e pakuptueshme pse ka zgjatur aq shumë procesi i liberalizimin e vizave për Kosovën. Të gjitha shtete e Ballkanit i takojnë BE-së. Unë shpresoj se për një kohë të shkurtër të ndodh liberalizmi i vizave për Kosovë”, tha ai në një konferencë për media sa bashku me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Po ashtu, ai ka përmendur normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Është një shpresë që të gjendet një gatishmëri për kompromis”, tha ai.

Kurse Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka falënderuar Austrinë për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës. “Mbi 90 për e popullit të Kosovës, e mbështetësin rrugën për BE dhe NATO, ne jemi evropian. Austria është e mirëseardhur në Kosovë, unë dëshiroj të ftoj konkretisht të vini në Kosovë dhe të investoni atje”, tha ajo.

Gërvalla tha se Serbia nuk e ka respektuar në rastet të ndryshme, sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Gjatë verës kemi pasur një zhvillim prej qeverisë sonë ka pasur një tentim për të vazhduar rregullimin e marrëdhënieve dhe të hyjmë në një marrëveshje me Serbinë, po ajo nuk ka funksionuar”, theksoi ajo.

Sipas saj shteti fqinjë, Serbia ka bërë kërcënime ndaj Kosovës. “Serbia ka sjellë ushtrinë e saj afër kufirit. Edhe ambasadori rus ishte në kufi ku ka inspektuar ushtrinë serbe, kjo situatë është tejkaluar me ndihmën e NATO-s”, theksoi ajo.

Kryediplomatja e Kosovës, tha se nuk duhet të fokusohemi vetëm në çështje të vogla në dialog. “Ne duhet të i dimë e se pse po dialogojmë. Për neve dhe partnerët tanë si SHBA, Gjermaninë etj, është e qartë qëllimi është njohja reciproke”, tha Gërvalla. / Express / KultPlus.com

Ministrja e Gjermanisë për Evropë: Liberalizimi i vizave për Kosovën, do të ndodh këtë vit

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodh këtë vit, kështu deklaroi Ministrja për Evropë e Gjermanisë, Anna Lührmann.

Lührmann shtoi se procesi i liberalizimit të vizave mund të ndodh para vitit të ri.

Muajin e kaluar Franca, Gjermania dhe Polonia, kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët thanë se mbështesin plotësisht BE-në që udhëhoqi dialogun Kosovë-Serbi dhe kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugët e tyre respektive evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.

Lidhur me këtë, anëtari i Komisionit të Integrimeve Evropiane, Agon Batusha, për RTV21 ditë më parë tha se shpresojnë të marrin lajme pozitive pas 13 tetorit.

Sipas tij, deklaratat e shteteve të BE-së janë pozitive, pro liberalizimit te vizave, por deklarata që më së shumti bënë përshtypje është deklarata e përbashkët e Francës Polonisë dhe Gjermanisë./ Express/ KultPlus.com

Edhe zyrtarisht, liberalizimi i vizave për Kosovën në rend dite më 13 tetor

Presidenca çeke sot edhe zyrtarisht ka konfirmuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në rend dite të grupit punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian që do të mbahet me 13 tetor.

Në rendin e ditës për takimin e këtij grupi punues shihet se pjesë e diskutimit do të jetë tema e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për ekspertët vlerësohet se kjo datë do të jetë mundësia ideale që Kosova të marr liberalizimin e vizave, sidomos pas reflektimit që ka patur Francë në këtë procec.

Në rast se konfirmohet mbështetja me 13 tetor, më pas do të vazhdohet me procesin në të cilin përsëri do të përfshihen edhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni.

Formalisht procedura mund të përmbyllet deri në fund të vitit./Indeksonline/ /KultPlus.com

Liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetor

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, konfirmojnë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel për REL.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar qasjen në këtë dokument dhe aty shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet./ KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit nga kryetari i Senatit Çek, adreson çështjen e liberalizimit të vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Çeki është takuar me kryetarin e Senatit Çek, Miloš Vystrčil.

Në takim me kryetarin Vystrčil, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës e konsideron Republikën Çeke si aleate të rëndësishme, me të cilën ndajnë vlera dhe vizion të përbashkët për paqe, prosperitet dhe integrim euroatlantik.

Presidentja Osmani ka adresuar çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe avancimin e agjendës evropiane të Kosovës në mandatin e Çekisë, e cila aktualisht udhëheqë me presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Kosova ka nevojë për rrugë të qartë drejtë BE-së gjatë Presidencës Çeke. Mbështetja për procesin e liberalizimit të vizave duhet të jetë në agjendë, sepse është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

Në takim, Presidentja Osmani ka kërkuar edhe përkrahjen e senatit çek për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që parlamentarët luajnë në këtë proces, sidomos në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Presidentja Osmani ka diskutuar me kryetarin Vystrčil për rëndësinë e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe e më pas në NATO. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale, sikurse edhe në forcimin e diplomacisë parlamentare ndërmjet dy vendeve. / KultPlus.com

Dukagjin Lipa fton qytetarët që të ngrenë zërin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Dukagjin Lipa ka ftuar qytetarët që të thënë me zë të lartë “Visa Free Kosovo”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrejte sociale, Lipa ka thënë se njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të ngecur integrimi, Kosova është vendi i vetëm që nuk ka viza.

Postimi i tij i plotë:

“Sunny Hill Festival ju fton të bërtisni me zë të lartë #SETMEFREE për një #VisaFreeKosovo! Njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të ngecur integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë lirisht kufijtë pa viza. Por ndërsa BE vendos kufij rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatat tona të gjalla për t’u VENDOSUR TË LIRË. #SETMEFREE FOL ME ZË TË LARTË. EJANI TË BASHKUAR. BASHKOHUNI THIRRJES!”, thuhet në postimin e Dukagjinit.

Një nga festivalet më të mëdha në rajon, Sunny Hill, ka qenë i fokusuar që të ngre zërin për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke vendosur një reklamë të madhe me mbishkrimin: SET ME FREE apo “më lërni të lirë”. /KultPlus.com

Emisari gjerman: Kosova të mos dorëzohet, liberalizimi do të ndodhë

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, ka folur për samitin BE-Ballkani Perëndimor, mbajtur dje në Bruksel.

Lidhur me pritshmërinë e këtij samiti për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos për Kosovën, Sarrazin theksoi se ka pritur rezultate, sepse, sikundër tha ai, në Gjermani është punuar shumë për liberalizimin e vizave.

“Por betejën nuk do ta ndalim”, tha ai.

Mes tjerash në magazinën informative “Lajmet e Fundit”,  theksoi se Këshilli i Evropian ka dhënë perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Tutje, ai foli edhe për liderët e Ballkanit Perëndimor, të cilët janë ndierë të zhgënjyer nga samiti i BE-së, që, sipas tij, nuk e ndien të arsyeshme t’i kundërvihet gjykimeve të tyre, duke shtuar se duhet bërë çdo gjë të ecet drejt BE-së.

Ndërkaq lidhur me idenë e ndarjes veç e veç të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut,  për të ecur drejt BE-së, Sarrazin shtoi se Gjermania nuk përkrah këtë ide.

“Ne jemi për hapjen e negociatave për të dyja vendet sa ma parë të jetë  e mundur”, theksoi ai.

Sarrazin foli edhe për ‘Ballkanin e Hapur’, duke sqaruar se ai vjen nga një vend që nisi me ‘Procesin e Berlinit’, por që për ‘Ballkanin e Hapur’, nëse nismat e tilla janë gjithëpërfshirëse e që çojnë në BE, atëherë duhet mbështetur.

Ai më tej sqaroi se nismat e tilla nëse do të ishin me hapa të mesëm nuk do të ishin të domosdoshme.

Me këtë rast ai përmendi tregun e përbashkët, si ide e ofruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, pastaj çështja e kufijve, që këto ishin edhe ide në ‘Procesin e Berlinit’.

Sarrazin foli edhe për marrëveshjen për energjinë mes Kosovës e Serbisë, si një hap pozitiv, duke inkurajuar liderët e të dyja vendeve të vazhdojnë me këtë hap.

Sarrazin duke folur për vendet e BE-së që hezitojnë të marrin vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, tha se ka nga ato që ndryshojnë qëndrim, duke marrë si shembull Holandën. Ai inkurajoi zyrtarët kosovarë që të mos dorëzohen.

“Shpresa është gjithmonë aty, duhet të jetë gjithmonë, po e shihni se qëndrimet po ndryshojnë, si p.sh Holanda. Gjermania do të jetë e  përkushtuar të punojë  me aleatët tanë që ky proces të kryhet ashtu siç e meriton Kosova”, tha mes tjerash, Sarazin.

Diplomati gjerman mohoi idenë e ndërlidhjes së dialogut Kosovë-Serbi me liberalizimin e vizave, duke theksuar zëshëm se ndërlidhja e tillë është absurde.

 “Nuk shoh asnjë lidhje mes këtyre dy çështjeve, janë procese me kritere të qarta. Që të ngarkohet ky proces me kritere politike, vret idenë evropiane. Nuk ka ndërlidhje, do të ishte çmenduri  të bëhet kjo”, tha Sarazin.

“Çështja  e anëtarësimit në BE është e ndërlidhur me dialogun e jo me liberalizimin e vizave”.

“Kancelari im është një njeri shumë i mençur”, tha në fund Sarazin./RTK/ KultPlus.com

Rama: Ajo që po ndodh me Kosovën është çmenduri, nën pushtim lëviznin pa viza, sot në liri nuk munden

Me tone të ashpra, gjatë konferencës për shtyp pas samitit në Bruksel, kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo që po ndodh me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën është një çmenduri dhe një turp.

“Një tjetër peng marrje është ajo e Kosovës. Është popullata e vetme në Evropë që nuk mund të lëvizë lirish. Imagjinojeni,. Ara ishin në diktaturën jugosllave dhe mund të lëviznin lirisht. Dhe që kur u liruan, çlirimtarët e tyre nuk i lejojnë të lëvizin lirisht. Kjo është e turpshme.  Unë u thashë dhe ndihem i keqardhur që u ndjeva si të nevojshme, që Serbia është në realitet krejtësisht tjetër. Flasim për një vend ku popullariteti i Putinit është 80% dhe opinioni nuk është i prirur të vrapojë drejt Brukselit por jashtë çdo pritshmërie, edhe times, se sinqerisht nuk e prisja. 3 herë janë harmonizuar me Bashkimin Evropian dhe perëndimin kundër Rusisë, duke votuar edhe për përjashtimin e Rusisë nga këshillit i të drejtave të njeriut. Unë nuk e kuptoj çuarjen e gjërave në kufi në raport me kërkesat për sanksionet. Serbia nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufi jep efektin e kundërt! Dhe koston do ta ketë agjenda evropiane e Serbisë dhe popullate e rajonit”, tha Rama./express / KultPlus.com

Kryeministri i Irlandës takohet me presidenten Osmani, shpreh mbështetje të plotë për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), është mbajtur sot Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, shkruan KultPlus.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka mbajtur sot një fjalim të fuqishëm para liderëve ku me theks të veçantë foli për liberalizimin e vizave duke ju drejtuar shefave të BE-së: Unë jam e vetmja në tryezë që duhet të marr vizë.

Gjatë ditës së sotme, presidentja e vendit u takua me shumë personalitete të cilët shprehen hapur përkrahjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kryeministri i Irlandës, Micheal Martin ndau edhe një fotografi me presidenten Osmani në rrjetet sociale duke theksuar mbështetjen e Irlandës për Kosovën në rrugëtimin e saj për tu bërë pjesë e familjes më të madhe në botë.

“Takim i ngrohtë dhe konstruktiv me presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani. Përsëris mbështetjen e Irlandës për Kosovën në rrugëtimin e tyre si pjesë e familjes më të madhe evropiane”, ka shkruar kryeministri Martin. / KultPlus.com

Gazetari i njohur gjerman për presidenten Osmani: E qartë si kristali, argumentuese, e strukturuar, pozitive dhe e përsosur retorikisht

Gazetari i njohur gjerman Markus Preiss ka komentuar paraqitjen e presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka thënë nëpërmjet Twitter se kushdo që dëshiron të shoh se si bëhet një komunikim shumë i mirë politik, duhet ta shoh paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

Markus Preiss është shef i studios së televizionit gjerman ARD në Bruksel. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tij.

«Kush dëshiron të shoh se si bëhet komunikimi shumë i mirë politik, duhet ta shoh paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor. E qartë si kristali, argumentuese, e strukturuar, pozitive dhe e përsosur retorikisht»./ KultPlus.com