Java Kulturore e Azerbajxhanit, Veliaj pret delegacionin azer: Projekte konkrete mes Tiranës dhe Bakusë

Java Kulturore Ndërkombëtare e Azerbajxhanit ka çelur siparin në Tiranë. Përmes një morie aktivitetesh artistike, mjaft koncerte, ekspozita, por edhe eksperienca kulinarie, kanë sjellë këto ditë kulturën azere në kryeqytet.

Gjatë një takimi me një delegacion të kryesuar nga zv/ministri i Kulturës së Azerbaixhanit, Farid Jafarov, që ka mbërritur në Tiranë për këtë qëllim, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj tha se, bashkëpunimi më i mirë mes vendeve është ai që bën bashkë njerëzit përmes artit kulturës dhe sportit.

“Unë jam shumë i lumtur që, pas vizitave të zotit Rama dhe zotit Aliyev, Presidenti i Republikës gjithashtu ka qenë në Azerbajxhan, ne tani ta çojmë bashkëpunimin në një nivel tjetër. Një mënyrë për ta bërë këtë, përveç liderëve tanë kombëtarë, është bashkëpunimi midis njerëzve, midis qyteteve, midis bashkive, midis organizatave dhe grupeve të ndryshme kulturore. Kështu që, mezi pres të hapim një faqe të re, teksa udhëheqësit tanë kombëtarë e kanë shtruar rrugën, është detyra jonë që të fokusohemi në projekte konkrete, si mes Tiranës dhe Bakusë, apo edhe mes grupeve dhe organizatave të ndryshme, që përfaqësojnë qytetet tona, dhe të vijojmë të fokusohemi në projekte të veçanta. Jam vërtet krenar për çdo urë që lidhet mes Bakusë dhe Tiranës”, tha Veliaj.

Zv/ministri Jafarov, nga ana e tij, nënvizoi faktin se, kulturat e dy vendeve tona kanë mjaft pikëtakime të përbashkëta.

“Megjithëse vendet janë mijëra kilometra larg, ne kemi shumë pika të përbashkëta kulturore dhe vlera që ndajmë bashkë, si toleranca dhe bashkëjetesa paqësore. Kjo nismë erdhi kur vitin e kaluar Kryeministri i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Edi Rama, vizitoi Azerbajxhanin dhe u miratua nga Presidenti i Azerbajxhanit, Shkëlqesia e Tij, z. Ilham Aliyev. Ne si Ministri dhe ju si kryetar Bashkie po bëjmë gjithçka që kjo Javë Kulturore të jetë e paharrueshme për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe për të gjithë vizitorët e Tiranës. Mendoj se ka shumë potencial për të bërë më shumë dhe ne do të shtjellojmë gjërat për t’i konkretizuar, se si të ecim përpara, sepse ka një vullnet dhe interes të madh nga Azerbajxhani për kulturën shqiptare dhe për kombin shqiptar,” u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com

‘Sonte kurrkush s’na pa me duart bashkuar, ndërsa nata e kaltër binte mbi dhé’

Poezi nga Pablo Neruda

Vjersha X

E humbëm sërish këtë muzg.
Sonte kurrkush s’na pa me duart bashkuar
ndërsa nata e kaltër binte mbi dhé.

Kam parë nga dritarja ime
të kremten e perëndimit mbi kodrat larg.

Ndonjëherë, si monedhë
digjej një copë diell mes duarve të mia.

Më kujtoheshe me shpirtin shtrënguar
nga ai trishtim që ti ma njeh.

Asokohe ku ishe?
Mes cilësh njerëz?
Ç’fjalë ishe duke thënë?
Përse më vjen gjithë dashuria befas
kur ndihem i trishtë e të ndiej të largët?

Ra libri që gjithnjë merret në muzg
dhe si një qen me plagë m’u rrotullua këmbëve manteli.

Gjithnjë, gjithnjë largohesh vonë
atje ku rend muzgu tek shuan shtatore.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Kushi: Kongresi i Elbasanit, gur themeli i historisë së arsimit, gjuhës dhe kulturës shqiptare

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përkujtoi sot 114 vjetorin e Kongresit të Elbasanit.

Kushi e cilësoi këtë Kongres si, një gur themeli i historisë së arsimit, gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Ajo u shpreh mirënjohëse që sot Elbasani vazhdon të ruajë traditën shekullore në fushën e arsimit dhe kulturës.

“U përulemi me respekt të gjithë atyre patriotëve që morën pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare”, shkroi Kushi në një postim në rrjetet sociale.

Në Elbasan, 114 vjet më parë u mbajt Kongresi ku u vendos për hapjen e shkollës së parë të mesme shqipe kombëtare, e cila i hapi dyert e saj për herë të parë më 1 dhjetor 1909, me 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria.

Kongresi i Elbasanit që nisi punimet më 2 shtator 1909, shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar.

Ky kongres i hapi rrugën shkollimit laik në trevat shqiptare dhe vendosi për themelimin në qytetin e Elbasanit të një shkollë të mesme pedagogjike, e cila u quajt Shkolla Normale, për përgatitjen e mësuesve që do të punonin në zhvillimin e arsimit kombëtar./atsh/ KultPlus.com

Programi i Filharmonisë së Kosovës për muajin shtator

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajnë dy koncerte brenda muajit shtator. 12 dhe 24 shtator, në Prishtinë e Pejë mbahen dy performancat e Filharmonisë për këtë muaj.

Më 12 shtator, Kori i Filharmonisë së Kosovës me dirigjent Memli Kelmendi, do të performojnë në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në Prishtinë, teksa me 14 shtator do të jetë i pranishëm në Kishën Katolike, “Shën Katerina” në Pejë.

Më 24 shtator, në Sallën e Kuqe në Prishtinë, Orkestra e Filharmonisë nën dirigjimin e Antoine Marguier, do të ofrojë përformancën e fundit të muajit shtator. / KultPlus.com

Suedia tërheq ftesën që ia bëri ambasadorit rus për ceremoninë Nobel

Fondacioni i Nobelit e ka revokuar vendimin e tij për ta ftuar ambasadorin rus në Suedi, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel, pas kritikave të ashpra që ka pranuar nga politikanët suedezë.

“Ne kemi vendosur ta përsërisim përjashtimin e vitit të kaluar – që nënkupton se nuk do t’i ftojmë ambasadorët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel në Stokholm”, ka thënë fondacioni të shtunën.

Në të njëjtën kohë, organizata e ka mbrojtur vendimin paraprak për përfaqësuesin e Moskës.

Në deklaratë është thënë se është konsideruar “e rëndësishme dhe e drejtë që të ftohen sa më shumë njerëz për t’i shpërndarë vlerat dhe mesazhet për të cilat ndahet Nobeli”.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson e ka kritikuar ftesën për ambasadorin rus dhe disa politikanë tjerë suedezë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në ceremoni, nëse aty do të jetë përfaqësuesi rus.

Çmimet Nobel për Letërsi, Mjekësi, Fizikë, Kimi dhe Ekonomi, do të ndahen në Stokholm, më 10 dhjetor.

Çmimi Nobel për Paqe do të ndahet në të njëjtën ditë nga Komiteti norvegjez i Nobelit në Oslo./REL/ KultPlus.com

50 vite nga vdekja e shkrimtarit të parë të fantazisë, J.R.R. Tolkiene

A e dini se J.R.R. Tolkien nuk i konsideronte “Kryezoti i unazave” dhe “Hobit” si veprat e tij të shkëlqyera, pasi për të ato ishin thjesht histori argëtuese?

Ishte pa dyshim shkrimtari i parë i fantazisë, që shkroi histori siç i shohim edhe në ditët e sotme. J.R.R Tolkien ishte nga të paktët autorë, që transformoi botën duke pasur një ndikim të madh tek shkrimtarët e letërsisë imagjinare, duke bashkëlidhur krijimtarinë e vet me botën reale dhe duke u dhënë shpresë njerëzve në kohë lufte.

John Ronald Reuel Tolkien lindi në 3 janar 1892 në Bloemfontein, Afrika e Jugut. Emri Tolkien besohet të jetë me origjinë gjermane, që nënkuptonte marrëzisht i guximshëm, ose tmerrësisht i zgjuar. Kur ishte 4 vjeç, i vdiq i ati nga ethet reumatike dhe ai shkoi të jetojë me nënën në Birmingham të Anglisë, së bashku me vëllanë e vogël, Hilari. Nuk kaloi shumë dhe, në vitin 1904, nëna e tij u diagnostikua me diabet dhe vdiq në nëntor të po atij viti. Djemtë u dërguan në shkolla me konvikt dhe Atë Morgen, një prift katolik, i mori nën kujdestari.

Kur John Ronald ishte 16-vjeç, ra në dashuri me Edith Bratt, një tjetër jetime, por Atë Morgen nuk e aprovoi, kështu që iu desh të priste deri në moshën 21-vjeç për t’i propozuar. Ndërkohë, ai ndoqi shkollën e “King Edward” në Birmingham dhe Kolegjin Exeter, Oxford në vitet 1915-1919. Gjatë qëndrimit në kolegj, u martua me Edith Bratt më 22 mars 1916.

Kur ishte 28 vjeç, u shkëput përkohësish nga mësimdhënia dhe mori pjesë në Betejën e Sommes, një nga pesë betejat më të mëdha dhe më të përgjakshme në historinë e njerëzimit, si dhe në konflikte të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Betejën e Sommes luftuan mbi 3 milionë ushtarë, si rrjedhojë më shumë se 1 milionë u plagosën ose u vranë. Pas luftës iu rikthye mësimdhënies, duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës duke dhënë anglisht dhe letërsi angleze, në Universitetet e Leeds, i specializuar në anglishten e vjetër dhe të mesme. Për t’u argëtuar, ai shkroi libra të zymtë dhe të pikëlluar, të cilët përfundimisht u bënë “Silmarillion”. “Hobit” mendohej të ishte një libër zbavitës për fëmijët e tij, ndaj kur e botoi, botuesi i kërkoi një vazhdim.

Të paktë janë ata shkrimtarë të aftë, që mund ta lidhin krijimtarinë e tyre me jetën reale. “Hobit” u bë i njohur në mbarë botën dhe u përkthye në më shumë se 50 gjuhë të ndryshme, duke u shitur më shumë se 100 milionë kopje në të gjithë botën dhe është libri i gjashtë më i shitur në historinë njerëzore, ndërsa “Kryezoti i unazave” zë vendin e 3-të.

Tolkien e kishte shkruar “Hobit” si histori zbavitëse për fëmijë për një aventurier të vogël që shkoi dhe vodhi arin e një dragoi, duke hasur në rreziqe të shumta gjatë rrugës. Ishte menduar që t’i bënte fëmijët për të qeshur dhe ngazëllyer. Për herë të parë libri u botua gjatë mesit të Luftës së Dytë Botërore dhe pati një domethënie të veçantë për familjet që kishin anëtarë të dashur të familjes në luftë. Në njëfarë mënyre u dha shpresë, se të gjithë do të ishin mirë dhe të dashurit e tyre do të ktheheshin të sigurt dhe të shëndoshë.

Po ashtu “Hobit” frymëzoi edhe luftëtarët, pasi ata panë se si personazhet kishin kapërcyer pengesat sfiduese, i zemëroi teksa panë se si Bilbo dhe xhuxhët luftuan dragoin dhe bëri që ta mirëpritsnin veprën. Një tjetër arsye që bëri që ata të lidheshin aq mirë me librin, ishte fakti që luftëtarët po përballeshin me vështirësi njëlloj si personazhet, prej nga u frymëzuan nga shpresa që karakterizonte personazhet për ta transferuar atë në jetën reale.

“Hobit” dhe “Kryzoti i unazave” jo vetëm që frymëzuan luftëtarët, por edhe lexuesit anembanë. Këto libra janë padyshim mirëfilli fantazi, gjithsesi kjo nuk ua zbeh aspak efektin që përhapin tek lexuesi. Personazhet e librit lidhen me botën reale në kaq shumë mënyra: ata duhet të vazhdojnë dhe luftojnë përmes sfidave, dhe ata kanë sukses në shumë prej këtyre sfidave. Por më e rëndësishme është që personazhet e ndryshojnë tërësisht linjën e tregimit në një mënyrë që librat e tjerë nuk e bënë. Personazhet mësojnë mësime dhe ndërsa vazhdoni të lexoni, personazhet mësojnë më shumë rreth historisë së Tokës së Mesme.

Ky koncept mahniti lexuesit, sepse nuk ishte përdorur kurrë. Disa nga këta lexues vazhduan të krijojnë muzikë, lojëra dhe libra të tjerë bazuar në këto histori. “Kryezoti i unazave” ishte një gur i fortë për lojëra si “Dungeon” dhe “Dragon”, i cili përfshinte shumë nga lojërta fantastike që u shfaqën në Tokën e Mesme. Muzikanti i parë që solli në jetë këngë nga librat ishte Donald Swann, i cili mori gjashtë poezi për t’i shndërruar në tekste këngësh, me lejen dhe miratimin e J.R.R Tolkien etj.

Librat e J.R.R Tolkien ishin disa nga historitë më me ndikim të shkruara ndonjëherë për shkrimtarët letërsisë triller në të gjithë botën. Personazhet e librave në vend që të mbeteshin në vendnumëro, u rritën dhe ndryshuan me kalimin e kohës, të njëjtën gjë bëri edhe bota e tyre. Autori i dha një histori “Kryezotit të unazave” dhe “Hobit” me betejat e ndërmarra, dimrat e vështirë apo një vit veçanërisht prodhimtar në krijimin e birrës. Kjo tregimtari e bëri historinë që po ndodhte të dukej shumë më e vërtetë.

Bota në librat “Hobit” dhe “Kryezoti i unazave” është një botë plotësisht e sajuar, me gjuhën e vet karakteristke. Autoei shpiku dialekte të shumta që për këto libra, njëherazi edhe për argëtim, veçanti që e tërheq lexuesin dhe u krijon mundësinë ta gjejnë më lehtë lidhjen midis tyre dhe librit. Tolkien nuk i populloi librat e tij me aventura çudibërëse dhe të çuditshme si shumë shkrimtarë të letërsisë fantastike në atë periudhë, ai u dha personazheve një qëllim dhe qëllim të vërtetë.

Në ditët e sotme, shkrimtarë nga e gjithë bota marrin parasysh gjithçka që i bëri të veçantë tregimet e J.R.R. Tolkien, qoftë ajo gjuhësore, historia apo komplotet e personazheve, për t’i përfshirë ato në shkrimet e tyre.

J.R.R. Tolkien ishte një pionier i botës së fantazisë dhe frymëzoi njerëz në të gjithë botën që të ndjekin dhe të arrijnë ëndrrat e tyre. J.R.R Tolkien është krijues i modelit të ndryshimeve, sepse formësoi librat që lexojmë sot me kaq endje.

Që nga vdekja e tij më 2 shtator 1973 në moshën 81-vjeç, ndikimi i John Ronald Reuel Tolkien, i njohur si J.R.R. Tolkien vijon të rritet. Filolog, profesor dhe shkrimtar, Tolkien ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës së tij “legendarium”-it, fjalës që ai i referohej krijimtarisë vendosur në Tokën e Mesme dhe zonave përreth. Tolkien kaloi më shumë se 50-vjet duke shkruar poemat dhe trillimet e legendariumit të tij; rezultati është një krijimtaria e gjerë dhe jashtëzakonisht mbresëlënëse. / KultPlus.com

Bukowski: Unë kam qenë i bekuar me një jetë të mjerë, kjo është e gjitha

10 thënie nga Charles Bukowski për të shkruarit.

 “Të shkruash nuk është aspak punë… Dhe kur njerëzit më thonë se sa e dhimbshme është të shkruash, nuk e kuptoj sepse është njësoj si të rrokullisesh nga mali që e njeh. Është çliruese. Është e këndshme. Është një dhuratë dhe paguhesh për atë që dëshiron të bësh.”

“Nëse do të provosh, shko deri në fund. Përndryshe, as mos filloni. Kjo mund të nënkuptojë humbjen e  dashurave, grave, të afërmve e ndoshta edhe të mendjes suaj. Mund të nënkuptojë të mos hani për tre ose katër ditë. Mund të nënkuptojë të ngrihesh në një stol parku. Mund të nënkuptojë burg.”

“Si shkruani, si krijoni?” Jo, u thashë atyre. Ju nuk provoni. Kjo është shumë e rëndësishme: të mos provoni, as për Cadillacs, krijimin apo pavdekësinë. Ju prisni, dhe nëse nuk ndodh asgjë, prisni edhe pak.”

“E dini se çfarë më intereson? Çfarë do të shkruaj nesër mbrëma. Kjo është gjithçka që më intereson, poezia e radhës, vargu tjetër i ndyrë. Ajo që është e kaluara është e kaluar, nuk dua të merrem me të, ta lexoj dhe të luaj me të, dhe të kënaqem me të. Ka ikur, ka përfunduar. Nëse nuk mund të shkruash rreshtin tjetër… Epo, je i vdekur.”

“Unë kam qene i bekuar me një jetë të mjerë, kjo është e gjitha. Një jetë e ndyrë për të shkruar.”

“Jetoni pak dhe blijini vetes një makinë shkrimi.”

“Të mos shkruash nuk është mirë, por të përpiqesh të shkruash kur nuk mundesh është më keq.”

“Shkrimtarët janë njerëz të dëshpëruar dhe kur pushojnë së qeni të dëshpëruar, pushojnë së qeni shkrimtarë”.

Ai pyeti: “Çfarë e bën një njeri shkrimtar?” “Epo,” thashë, “është e thjeshtë. Ose shkruan në letër, ose hidhesh nga një urë.”

“Kur shkruani, fjalët tuaja duhet të shkojnë kështu – Bim! Bim! Bim! Çdo rresht duhet të jetë plot me një lëng të shijshëm, me shije. Duhet të jenë plot pushtet, duhet të të bëjnë të kthesh një faqe.” / Përktheu Taunita Xhukolli / KultPlus.com

Mbi edukimin estetik të njeriut

Letra e nëntë nga Friedrich Schiller

… Arti, ashtu si shkenca, është i çliruar nga gjithçka që është pozitive dhe nga gjithçka konvencionale në natyrën njerëzore; madje, që të dyja, janë po njëlloj të pavaruara nga vullneti arbitrar i njeriut. Ligjëvënësi politik mund ta bllokojë zonën e saj, por nuk mund të sundojë aty brenda. Ai mund ta syrgjynosë mikun e së vërtetës, por e vërteta qëndron këtu; ai mund ta poshtërojë artistin, por nuk mund ta shtrembërojë artin. E pa dyshim, nuk ka asgjë më të zakonshme se sa të shohësh shkencën dhe artin t’i shërbejnë shpirtit të shekullit dhe shijen krijuese të marrë ligjin e vet prej shijes gjykuese.

Aty ku karakteri bëhet i prerë dhe ashpërson vetveten, aty ne shohim që shkenca i ruan kufijtë e saj rreptësisht dhe se arti i vë rregullit zinxhirë të rëndë; aty ku karakteri plogështohet dhe prishet, aty shkenca do të synojë të pëlqejë dhe arti të argëtohet. Për shekuj të tërë filozofët tregohen të shkathët si artistët, për të zhytur poshtë në thellësitë e njerëzimit të zakonshëm realitetin dhe bukurinë; ato fundosen brenda tyre, por dalin përsëri lart dhe fitimtarë me forcën jetësore të pashkatërrueshme që i karakterizon.

Artisti është pikërisht biri i kohës së vet, por është keq për të, nëse ai njëkohësisht është edhe dishepull apo i përkëdheluri i saj. Një hyjni mirëbërëse e shkëput foshnjën brenda kohëve nga gjiri i nënës së saj, e ushqen atë me qumësht të një moshe më të mirë dhe e lë të piqet derisa të arrijë moshën madhore nën qiellin e largët grek. Pastaj, kur të jetë bërë burrë, e rikthen në shekullin e vet me një fytyrë krej të huaj për të; por jo që ta gëzojë këtë shekull me pamjen e vet, por që i tmerrshëm, si i biri i Agamemnonit, ta pastrojë atë. Megjithatë, sido që të jetë, ai lëndën do ta marrë nga e tashmja, ndërsa formën do ta huazojë nga një kohë më fisnike, madje përtej të gjitha epokave, prej unitetit të saj absolut, thelbësor e të pandryshueshëm. Në të, prej eterit të pastër të natyrës së hyjnores rrjedh burimi i bukurisë, i pamolepsur nga degjenerimi i brezave dhe epokave, që rrokullisen thellësive të turbullta të vorbullave të saj. Fantazia, mund ta çnderojë, ashtu siç edhe mund ta fisnikërojë këtë lëndë, por gjithësesi forma e vet e dlirë ka për t’i shpëtuar gjithmonë kapriçiove të imagjinatës. Romaku i shekullit të parë i ishte përgjunjur perandorit të vet, përpara se statujat e perëndive të ngriheshin në këmbë; tempujt ishin të shenjtë për syrin, atëherë kur perënditë i shërbenin prej kohësh të qeshurave dhe arkitekturat fisnike të pallateve, që mbulonin si mburojë bëmat e turpshme të një Neroni e Commodus-i, ishin një protestë e hapur kundra tyre.

Njerëzimi e humbi dinjitetin e vet, por arti e ka shpëtuar dhe ruajtur atë në ato mermere të skalitur në mënyrë aq kuptimplote; e vërteta vazhdon të jetojë ende brenda iluzionit, por nga ky model, më vonë mund të prodhohet sërish prototipi i saj. Ashtu si arti fisnik jetoi më gjatë se natyra fisnike, po ashtu ai ia kalon asaj edhe në gjininë frymëzuese, që formon dhe zgjon vazhdimisht shpirtra. Përpara se e vërteta dritën e saj ngadhënjyese ta depërtojë në thellësitë e zemrës, poezia arrin t’ia kapë këto rreze, duke bërë që dhe majat e njerëzimit të shkëlqejnë nga një dritë lëbyrëse, teksa nata e zymtë dhe ende e lagësht qëndron si e varur nëpër lugina.

Por si e ruan veten artisti nga degjenerimet e kohës së tij, që e rrethojnë nga të gjitha anët? Le ta lëmë atë t’i ngrejë sytë drejt dinjitetit të vet, dhe drejt ligjit; le ta lëmë të mos i përkulë ato ndaj fatit dhe nevojës. Po njësoj, le ta lëmë të lirohet menjëherë nga puna e zbrazët, e cila dëshiron ta stampojë gjurmën e vet në një moment të shkurtër e fluturak, dhe të çlirohet prej ëndërrave të një entuziazmi të padurueshëm, i cili përdor masën e absolutes kundrejt produkteve të pavlerë të kohës; pra, le ta lëmë artistin të braktisë realen për të gjykueshmen, sepse kjo është pikërisht fusha e tij, në mënyrë që të orvatet t’i japë kështu udhë lindjes së një ideali që unifikon të mundshmen dhe të domosdoshmen. Më pas, le ta lëmë atë të stampojë iluzionin dhe të vërtetën me shëmbëlltyrën e një ideali të tillë; le ta lëmë ta ushtrojë atë si në lojën e imagjinatës ashtu në veprimet e tij më serioze, shkurt, në të gjitha format e tij ndjesore dhe shpirtërore, për ta lejuar së fundi ta projektojë qetësisht veprën e vet kah një kohe të pakufi.

Por jo çdonjërit, të cilit i ndriçon në shpirt ky ideal, iu dha e njëjta qetësi prej gjenisë së tij krijuese – bashkë me atë temperament të madh e të durueshëm – aq fort të nevojshëm për të skalitur mbresat e një ideali mbi mermerin e flashkët dhe memec e për t’ia besuar atë duarve besëplote të kohës. Mirëpo ky instinkt hyjnor dhe kjo forcë krijuese, shumë e zjarrtë për të ndjekur këtë udhëtim të shpeshherë e hedh menjëherë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi të tashmen, mbi jetën aktive, duke u orvatur të transformojë lëndën e paformë të botës morale. Kjo fatkeqësi e vëllerërve të tij, madje e tërë species njerëzore, i flet me zë të lartë zemrës së njerëzve që ndjejnë, e poshtërimi i tyre ngjan akoma dhe më i ulët; entuziazmi ndizet dhe dëshira përvëluese, në një shpirt të mbarsur me forcë dhe zjarr, shkon me padurim drejt akteve dhe veprimit. Por, a e ka kqyrur vallë ky inovator vetveten, për të parë nëse këto parregullsi në botën morale fyejnë arsyen apo lëndojnë jo më pak sedrën e tij? Nëse nuk arrin dot ta përcaktojë menjëherë një gjë të tillë, atëherë atë do ta njohë tek impulsiviteti me të cilin ai ndjek një qëllim apo një efekt të caktuar. Instinkti i pastër moral drejtohet kah së domosdoshmes, për atë nuk ekziston kohë, e ardhmja bëhet e tashme, porsa duhet të krijohet patjetër nga e tashmja. Para një arsyeje pa kufij drejtimi është njëkohësisht përfundim dhe rruga përshkrohet sapo zgjidhet. paqtë, veten

Kësisoj, një miku të ri të së vërtetës dhe bukurisë, i cili dëshiron të dijë prej meje, pavarësisht qëndresës që vë përballë koha, se si duhet ta kënaqë zjarrminë fisnike të zemrës së vet, unë do t’i përgjigjesha: Drejtoje botën tek e cila vepron kah asaj ç’ka është më e mira, sepse vetëm kështu rrjedha e paqtë e kohës do të sjellë rezultate. E këtë drejtim asaj do arrish t’ia japësh, vetëm atëherë kur duke mësuar, do mundësh t’ia ngresh mendimet në shkallën e së domosdoshmes dhe së përjetshmes; pra, nëse me veprimet ose krijimet e tua, do ta shndërrosh të domosdoshmen dhe të përjetshmen në objekt të instinkteve të tua. Ndërtesa e marrëzisë dhe e arbitraritetit do të bjerë, ajo duhet të bjerë, tashmë ajo ka rënë, porsa ti të jesh i sigurtë që ajo po anohet; Gjithësesi, është e rëndësishme që ajo të anohet jo vetëm te njeriu nga jashtë, por edhe brenda tij. Në heshtjen e turpshme të karakterit edukohet e vërteta ngadhënjyese, ajo del jashtë teje nëpërmjet bukurisë, duke mos qenë vetëm mendimi shërbenjësi i saj, por edhe ndjenja në rrokjen e mrekullueshme të pamjes së saj. E me qëllim që të mos ndodhë ta marrësh modelin prej realitetit të jashtëm, të cilin më pas lipset ta pajisësh përsëri, mos guxo të futesh në shoqërinë e tij të dyshimtë, derisa zemrës tënde t’i keshë siguruar një shpurë ideale. Jeto me shekullin tënd, por mos ji krijesa e tij, ndihmoji bashkëkohësit e tu, por vetëm për atë që kanë nevojë, jo për atë që lavdërojnë. Pa ndarë fajet, ndaj dënimin e tyre me një nënshtrim fisnik dhe përkulu me liri zgjedhës që ata e mbartin dhimbshëm pa ditur në i’u duhet apo jo ta mbajnë. Nëpërmjet guximit këmbëngulës, me të cilin t’i përbuz fatin e tyre të mirë, do t’ju vërtetosh se nuk është rruga e burrëcakërisë ajo që të bën t’i nënshtrohesh vuajtjes së tyre. Merre me mend, se si mund të jenë, nëse do të arrish të ndikosh mbi to, por merre me mend, se si janë, nëse ti do të përpiqesh të veprosh për to. Kërko t’ua miratosh vuajtjen nëpërmjet dinjitetit, por fatin llogaritua sipas jovlerës së tyre; kështu fisnikëria jote, nga njera anë do të zgjojë edhe tek ata fisnikëri, kurse nga ana tjetër, qëllimi yt nuk do të reduktohet aspak në hiç për shkak të padenjësisë së tyre. Serioziteti i parimeve të tua do t’i përzërë ata prej teje, por brenda lojës së tyre ata do të vazhdojnë t’i durojnë të tilla parime. E kjo sepse shija është më e dlirë se zemra e tyre, e është pikërisht nëpërmjet shijes që lipset të rroken këto ikanake të dyshimta. Më kot ti do t’ua sulmosh maksimat, më kot do t’ua mallkosh bëmat; Gjithësesi, ti mund të mund të provosh dorën tënde krijuese mbi përtacinë e tyre. Dëboua nga argëtimet arbitraritetin, mendjelehtësinë, ashpërsinë, se në këtë mënyrë e pa e vënë re, do t’i largosh edhe nga veprimet, madje më në fund edhe nga pikëpamjet e tyre. Kudo ku t’i gjesh, rrethoji me forma fisnike, të mëdha, të pafajshme; shumëfishoji rreth e rrotull tyre simbolet e përsosmërisë, derisa pamja e jashtme t’u triumfojë mbi realitetin dhe arti mbi natyrën.

Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com

‘Ki besim dhe kthehu tek unë, të premtoj aty më ke’

Nga Leonard Cohen

Kur heshtja duket aq e zhurmshme
dhe ti ndjen se vetëm je
ki besim dhe kthehu tek unë
të premtoj aty më ke.

Kur maja të duket e lartë
dhe zbritja është i vetmi kthim
zgjati duart dhe thirrmë
për ty jam gjer në amëshim.

Kur dyert janë mbyllur
dhe ti ndjen trishtim
unë do të të kthej buzëqeshjen
do të bëj të ndjesh gëzim.

Kur të kesh humbur çdo fuqi
dhe të jesh duke rënë
unë do të të ngre dhe jap shpresë
Të ndihmoj të qëndrosh në këmbë.

Dhe kur më në fund të vijë dita
që i lumtur buzë detit të ecësh
kur unë të ndjehem vetëm
shpresoj që ti të më presësh.

Por deri sa ajo ditë të vijë
dhe deri sa ti dritën të gjesh
dëgjoje zemrën, beso në mua
përjetë këtu do më kesh! / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga bregdeti i jugut

Shqipëria po shënon këtë vit një “boom” në turizëm, ndërsa renditet e treta në botë për rritjen e numrit të turistëve sipas Organizatës Botërore të Turizmit.

Riviera Shqiptare, e cilësuar shpesh edhe si Karaibet europiane, ka tërhequr në vijimësi vëmendjen e mediave të huaja, të cilat kanë promovuar Shqipërinë turistike duke e vendosur në radarët e destinacioneve që nuk duhen humbur.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Jonit, i cili edhe këtë vit ka qenë destinacion kryesor për turistët e huaj që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri.

Vija e gjatë bregdetare nga veriu në jug, malet, sitet kulturore, por edhe traditat e kulinaria po tërheqin çdo vit e më shumë turistë, ndërsa në mediet ndërkombëtare Shqipëria promovohet si një destinacion ende për t’u zbuluar.

Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin Shqipërinë konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT).

Raporti i fundit i INSTAT-it tregon se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë muajit korrik shënoi rritje me 26.2 %, duke arritur në 1 770 724, pjesa më e madhe e të cilëve europianë.

Referuar INSTAT-it, numri i shtetasve të huaj që vizituan vendin tonë me origjinë Europën, gjatë korrikut llogaritet 1 694 657.

Nga Amerika u regjistruan 45 821 shtetas, ndërsa lindja e Mesme 14 805 shtetas.
Vetëm gjatë këtij sezonit turistik veror, nga majii deri në fund të korrikut numërohen 3 482 836 shtetas të huaj që vizituan vendin tonë./atsh/KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë bizhuteri të lashta të hundës, të bëra nga kocka njerëzore, mes rrënojave Maya në Meksikë

Arkeologët që punojnë në rrënojat e Palenque, një qytet antik në shtetin juglindor meksikan të Chiapas, kanë gjetur një stoli të hundës së Majave shekullore, të gdhendur në mënyrë të ndërlikuar, të bërë nga kocka njerëzore. Artefakti i lakuar, i cili ka pak më shumë se 6 centimetra i gjatë dhe 5 centimetra i gjerë (ose afërsisht 2.4 me 2 inç), ofron një pasqyrë të traditave të lashta funerale; besohet se është veshur nga priftërinjtë gjatë ceremonive në të cilat ata mishëronin hyjninë Maja K’awiil, i njohur gjithashtu si Zoti K, i cili lidhet me rrufetë, pjellorinë dhe bollëkun.

Është gjithashtu një shembull i rëndësishëm i ndjeshmërisë artistike të Majave, tha në një deklaratë Arnoldo González Cruz, drejtor i Institutit Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë (INAH), i cili kreu gërmimet.

Ornamenti është bërë nga një fragment i tibisë distale, një kockë që ndihmon në formimin e kyçit të kyçit të këmbës dhe përmban gdhendje që simbolizojnë komunikimet ceremoniale me perënditë dhe paraardhësit. Figura qendrore është një burrë Maja, i paraqitur në profil i veshur me një mbulesë koke dhe një gjerdan me rruaza, dhe me glyphin Mayan për “errësirë” në krahun e tij. Ai shoqërohet nga një kafkë dhe mban një pako që është një ikonë e zakonshme në skenat e varrimit të Majave, sipas González Cruz.

Ekipi i INAH e gjeti objektin gjatë kryerjes së punës konservuese në Pallatin e Palenque, një kompleks i përpunuar në qendër të qytetit parahispanik dhe Parkut Kombëtar të Palenque, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kocka u varros në atë që arkeologët besojnë se ishte një depozitë rituale, e varrosur midis viteve 600 dhe 850 të erës sonë për të përkujtuar përfundimin e një ndërtese. Me të ishin vendosur fara, kocka kafshësh të vogla, tehe obsidiani dhe copa të mëdha qymyrguri.

Kur vishej, stoli do të ishte ulur në urën e hundës, duke krijuar një vijë të vazhdueshme nga balli deri në majë të hundës. González Cruz tha se kjo ka të ngjarë të ishte një përpjekje për t’i bërë jehonë kokës së zgjatur të K’awiil, i cili shpesh portretizohej si personifikimi i një kalli misri.

Ky është zbukurimi i parë i hundës i këtij lloji që arkeologët kanë gjetur në Palenque, megjithëse përshkrime artistike të figurave që mbajnë pjesë të tilla shfaqen diku tjetër në vend – të gdhendura në kapakun e sarkofagut të mbretit të famshëm të majave të shekullit të 7-të Kʼinich Janaab Pakal në shtëpinë e tij. dhoma e varrimit në Palenque, për shembull, dhe gjithashtu shfaqet në një pllakë ovale që përshkruan Pakalin dhe nënën e tij./cnn/KultPlus.com

Vdes miliarderi i njohur, djali i tij vdiq në aksident me Princeshën Diana

Mohamed Al Fayed, ish-bosi i Harrods, djali i të cilit Dodi u vra në një aksident automobilistik së bashku me Dianën, Princeshën e Uellsit, ka vdekur në moshën 94-vjeçare, shkruan BBC.

I lindur në Egjipt, ai ndërtoi një perandori biznesi në Lindjen e Mesme përpara se të zhvendosej në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 1970. Al Fayed kishte mbetur kryesisht jashtë vëmendjes së publikut në dekadën e fundit, duke jetuar në rezidencën e tij në Surrey me gruan e tij Heini.

Pasi djali i tij i madh Dodi vdiq në një aksident me makinë së bashku me Princeshën Diana, Al Fayed kaloi vite duke hetuar rrethanat e vdekjes së tyre.

Mohamed Al Fayed ishte pronar i klubit të futbollit Fulham nga viti 1997 deri në vitin 2013./abcnews.al/KultPlus.com

Kërkimet shkencore, aktiviteti në strehën shkëmbore të Lepenicës intensiv që në periudhën mesjetare

Instituti i Arkeologjisë, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë dhe Escola Superior de Conservación e Restauración de BBCC de Galicia, në Spanjë po zhvillojnë projektin kërkimor shkencor “Lepenica: dokumentimi dhe vëzhgimi arkeologjik në një strehë me art shkëmbor parahistorik (Shpella e shkruar, Lepenica)”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se rezultatet paraprake të gërmimeve tregojnë se aktiviteti në strehën shkëmbore ka qenë intensiv jo vetëm në periudhën prehistorike, por edhe në atë antike e mesjetare.

Sipas saj, faza finale e këtij projekti që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, do të përqëndrohet në restaurimin dhe konservimin e pikturës shkëmbore./atsh/KultPlus.com

‘Mitrovica International Jazz Days’, përmbyll edicionin e parë të festivalit me fituesit e katërfishtë të çmimit Grammy

Në koncertin përmbyllës të “Mitrovica International Jazz Days”, në qytetin e Mitrovicës, sonte do të performojnë fituesit e katërfishtë të çmimit Grammy, Bill Laurance (Mbretëri e Bashkuar) dhe Michael League (SHBA) si dhe Daphna Levy(këngëtare izraelite) &Tamir Miler, dhe UP Youth Jazz Ensemble,shkruan KultPlus.

Sonte në ora 20:00  “Mitrovica International Jazz Days”, do të fillojë koncerti i tretë me radhë dhe njëkohësisht edhe përmbyllës i edicionit të parë të festivalit, i cili filloi më 28 gusht.

Edicioni i parë i festivalit, pati një program me fitues të çmimeve Grammy si dhe ikona të muzikës Jazz, ku në koncertin hapës interpretoi artisti fitues të çmimit Grammy, ikona e muzikës xhaz Richard Bona (Kamerun/SHBA).

Kurse nata e dytë e festivalit u pasua me një koncert nga Ganna Ensemble, Enrico Morello ‘Cyclic Signs, Karen Asatrian & Andrej Prozorow, Elina Duni& Rob Luft. /KultPlus

KultPlus sot shënon një dekadë, sjell ekspozitën kult me figurat ikonike të RTP-së

Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus do të shënojë përvjetorin e dhjetë të themelimit, ceremoni e cila do të shënohet me një ekspozitë kult me figurat ikonike të Radio Televizionit të Prishtinës, i cili vazhdon të mbetet pishtar i medieve në Kosovë.

Ekspozita, e titulluar “Shuni se lajmet”, është një rrëfenjë nostalgjie për kohën e lajmeve të RTP-së, një periudhë që i ka shoqëruar shumë prej nesh për vite të tëra. Me kujtimet që kthehen mbrapa në kohë, ekspozita do të sjellë përpara syve tuaj fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Këto figura të shquara kanë pasur ndikim të thellë në të folurën dhe informimin e komunitetit tonë.

Kuruar me kujdes nga Ardianë Pajaziti, drejtore e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, ekspozita “Shuni se lajmet” pothuajse është si një kuti e kujtimeve që na çon mbrapa në rrugëtimin e dhjetë vjetëve të KultPlus. Ky është një rrugëtim që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës.

“Ky 10 vjetor është tejet i veçantë për ne andaj edhe kemi organizuar një event po aq të veçantë. Përmes ekspozitës “Shuni se lajmet” jemi duke sjellë përpara syve të publikut një kapitull të rrugëtimit të mediave kosovare. Ky kapitull ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si komuniteti ynë është informuar dhe ka ndjekur ngjarjet aktuale. Dhjetë vjet e kaluara janë një periudhë e madhe për KultPlus-in, me sfida dhe suksese të shumta në rrugëtimin për të promovuar artin dhe kulturën. Kjo ekspozitë shënon një fitore të re dhe një arritje të veçantë për mua dhe ekipin tim të përkushtuar”, shprehet Pajaziti.

Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk do të mungojë as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ne sjellim përpara jush një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.

KultPlus vazhdon me të njëjtën pasion dhe përkushtim për të promovuar artin dhe kulturën, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj. Ndaj, ju miqtë e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, jeni të ftuar të na bashkoheni në këtë mbrëmje të veçantë, ku do të rikthejmë kujtime, festojmë arritjet dhe bashkëndajmë emocionet.

Le të jemi së bashku sonte, nga ora 19:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për të shënuar një dekadë të dedikuar artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë.

Ky event mbështetet nga Komuna e Prishtinës, Stone Castle, Frutomania, The Vidasus Distillery dhe Uji i Alpeve. / KultPlus.com

Bethovenfest 2023, vjen me moton ‘Muzikë për jetën’

Me 70 koncerte, 30 vende koncertesh dhe themelimin e një orkestre në Bon fillon Festivali i Beethoven-it në Bon “Beethovenfest 2023”. Motoja sivjet është: “Muzikë për jetën”.

Sikur Bethoveni të kishte jetuar sot, me siguri që do të ishte një tip progresiv – për këtë është i sigurt Stiven Uollter, drejtor artistik i Bethovenfest. “Gjithsesi Beethoven ka qenë një njeri, që shikonte gjithmonë përpara, edhe pse i lidhur shumë me traditën. Ai nuk do të kishte mbetur kurrë vetëm te ‘mbrojtja e monumenteve të traditës’, vetëm duke u riprodhuar”.

Këto impulse tipike të Beethoven-it do të donte t`i vazhdonte Steven Walter, i cili po organizon për herë të dytë me ekipin e tij të ri festivalin në Bon. „Mund të jesh pa problem, ashtu si Beethoveni, pak i rrëmbyer dhe kurajoz”.

Motoja e festivalit të sivjetshëm është “Muzika për jetën”. “Tre festivalet e para nën drejtimin tim trajtojnë tri çështje të mëdha sociale”, thotë regjisori Walter në një intervistë me DW. Në vitin 2022 motoja ‘Të gjithë njerëzit’ kishte të bënte me larminë dhe diversitetin. Vitin e ardhshëm, 2024, do t’i përkushtohemi temës së ‘demokracisë’. Dhe këtë vit nën moton ‘Jeta’ bëhet fjalë për qëndrueshmërinë dhe marrëdhënien e njeriut me natyrën, si ka qenë dhe si është.”

Muzika e Beethovenit pushton Bonin dhe zonën përreth

Guximi dhe inovacioni janë padyshim në rend të ditës, kur projektohet një festival në një peizazh kulturor, që ështëende i dobësuar nga pandemia. Është fjala për të rimenduar dhe çuar më tej formatin klasik të një koncerti simfonik, duke e zhvilluar me vende dhe formate të reja. Deri më 24 shtator në Bon dhe në zonat përreth do të zhvillohen më shumë se 70 koncerte, në 31 vende, disa prej të cilave janë mjaft të pazakonta, si salla fabrikash të vjetra, kështjella apo salla festive. Një trilogji e simfonive të nënta nga Dvorzhak, Bruckner dhe Beethoven me Tonhalle-Orkester të Zyrihut dhe Orkestrën Simfonike gjermane të Berlinit (DSO) do të nisë maratonën e koncerteve.

Edhe brezi i ri i muzikantëve do të jetë aty: një pikë kulmore e festivalit është koncerti debutues i orkestrës oneMusic nën drejtimin e dirigjentit izraelit Yoel Gamzou. E themeluar si pjesë e projektit Beethovenfest Fellowship, orkestra e re e ka bërë mision të saj, që të interpretojë të paktën 50 për qind të pjesëve si kompozime të reja, të krijuara nga kompozitorë, që vijnë nga sfonde muzikore shumë të ndryshme si muzika pop apo elektronike. Në këtë mënyrë muzikantët duan të punojnë për një të ardhme të gjallö dhe tö qëndrueshme të sektorit të tyre.

Formate të reja, partnerë besnikë

Në formatet e reja të zhvilluara nga Beethovenfest dhe DW (në bashkëpunim me ARD Kultur) zë vend seria e videove “Tiny House Concert”, në të cilën intendanti Steven Walter fton në një Tiny House pranë Bonit artistë të rinj të njohur, për të shkëmbyer ide dhe për të bërë muzikë. “Seria e videove ka për qëllim një audiencë ndërkombëtare nga mosha 18 deri në 50 vjeç, të interesuar për kulturën, që pëlqejnë të kapërcejnë kufijtë dhe të thyejnë traditat,” thonë krijuesit. Episodet e para mund të shihen në kanalin YouTube “DWClassicMusic”.

Klasikja në portofolin Beethovenfest është projekti campus, i cili ka udhëtuar në gjysmën e botës që nga fillimi i tij në vitin 2001dhe tani do të mbahet për të 22-tën herë. Këtë vit nö fokus është Afganistani dhe Irani.

Koncerti do të zhvillohet në auditorin e universitetit të Bonit më 14 shtator 2023 në orën 19:30 dhe së bashku me disa koncerte të tjera të përzgjedhura të festivalit do të përcillet në kanalin YouTube DW-Classical Music./RTK/KultPlus.com

India nis misionin e parë drejt Diellit

India do të nisë misionin e saj të parë vëzhgues drejt Diellit, vetëm disa ditë pasi vendi bëri histori duke u bërë i pari që u ul pranë polit jugor të Hënës.

Aditya-L1 do të niset nga baza e nisjes në Sriharikota të shtunën.

Ajo do të jetë e vendosur në një distancë prej 1.5 milionë km nga Toka – 1% e distancës Tokë-Diell.

Agjencia hapësinore e Indisë thotë se do të duhen katër muaj për të kaluar këtë distancë.

Misioni i parë i Indisë me bazë në hapësirë për të studiuar objektin më të madh të sistemit diellor mban emrin Surya – perëndia hindu e Diellit, i njohur gjithashtu si Aditya.

Dhe L1 qëndron për pikën Lagrange 1 – vendi i saktë midis Diellit dhe Tokës ku do të vendoset anija kozmike indiane, raportoi BBC.

Sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës, pika Lagrange është një pikë ku forcat gravitacionale të dy objekteve të mëdha – të tilla si Dielli dhe Toka – anulojnë njëri-tjetrin, duke lejuar një anije kozmike të “rri pezull”.

Sapo Aditya-L1 të arrijë këtë “pikë parkimi”, do të jetë në gjendje të rrotullohet rreth Diellit me të njëjtin ritëm si Toka. Kjo do të thotë gjithashtu se sateliti do të kërkojë shumë pak karburant për të funksionuar.

Kongresi i Elbasanit, 114 vjet nga hapja e shkollës së parë të mesme shqipe

Në Elbasan, 114 vjet më parë u mbajt Kongresi ku u vendos për hapjen e shkollës së parë të mesme shqipe kombëtare, e cila i hapi dyert e saj për herë të parë më 1 dhjetor 1909, me 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria.

Kongresi i Elbasanit që nisi punimet më 2 shtator 1909, shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar.

Ky kongres i hapi rrugën shkollimit laik në trevat shqiptare dhe vendosi për themelimin në qytetin e Elbasanit të një shkollë të mesme pedagogjike, e cila u quajt Shkolla Normale, për përgatitjen e mësuesve që do të punonin në zhvillimin e arsimit kombëtar.

Aty u vendos për sistemin e shkollave shqipe, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe për drejtshkrimin e gjuhës amtare. Si shembull u dha përdorimi i dialektit të Elbasanit, meqënëse përafronte më tepër me dialektet e tjera. Kongresi i Elbasanit hodhi bazat më të rëndësishme të zhvillimit të arsimit kombëtar.

Gjithashtu u punua për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.

Gjithashtu u vendos  të ngrihej në Korçë shoqëria qendrore shkollore “Përparimi” e cila do të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e shkollës normale, do të punonte për hapjen e shkollave të tjera shqipe, për botimin e librave dhe teksteve shqipe. Në Kongres u kërkua që shoqëria “Përparimi” të njihej zyrtarisht prej qeverisë turke.

Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshem lëvizjes kombëtare e në mënyrë të veçantë luftës për përhapjen e shkollave dhe te shkrimit shqip./atsh/KultPlus.com

TKOB vuri në skenë 83 vepra të shquara, 36 prej të cilave premiera

Teatri i Operës dhe Baletit ka sjellë për dashamirësit e artit muzikor në periudhën janar-qershor, 83 vepra të shquara, prej të cilave 36 ishin premiera e 47 ishin rivënie, ndër to 13 shfaqje kanë qenë sold out.

Shifrat u bënë të ditura nga drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, Abigeila Voshtina, në ceremoninë e zhvilluar me rastin e çeljes së sezonit të ri artistik të TKOB.

Sipas saj, këto shfaqje janë vënë në skenë falë një trupe artistike profesionale e përkushtimit të pashoq të këtij teatri ndaj artit dhe artdashësve.

“Nuk flasim për këto arritje pa lartësuar dhe nderuar trupën tonë artistike, ata që janë shpirti dhe motori i secilës shfaqje që prek skenën tonë. E që me talentin e tyre, artistët arrijnë të shndërrojnë fjalët në emocione dhe notat në ndjesi të bukura. Janë pikërisht ata, bashkë me përkushtimin e stafit administrativ, të cilët na udhëhoqën në një udhëtim artistik të jashtëzakonshëm përgjatë sezonit të kaluar, duke afruar në Teatër 14 mijë artdashës”, theksoi Voshtina.

Duke e cilësuar një erë të re për jetën artistike në vend, drejtoresha e TKOB, Voshtina u shpreh se “përqafuan teatrin dhe punën tonë, shumë artistë me famë ndërkombëtare siç ishte ardhja e legjendës së dirigjimit Zubin Mehta, masterclass-i i Ermonela Jahos, ardhja e Inva Mulës për Karnavalet e Korçës si dhe masterclass-i nga Anna Pirozzi”.

Voshtina e vuri theksin edhe tek themelimi i një sektori më vete, siç është ai i Produksion.

“I ngritur me përkushtimin e një stafi të tërë të cilët kanë qëndruar orar pa orar për të ndërtuar shfaqje dinjitoze e për të vënë standarde të reja artistike”, shtoi ajo.

Voshtina bëri të ditur se “iniciuam edhe programe të reja për të fuqizuar edukimin përmes artit, siç tashmë bëhet 1 vit nga fillimi i programit “Opera për fëmijë dhe familje” dhe Kori i Zërave të Bardhë. Sollëm te parin program profesional muzikor në Shqipëri, Akademia Teatrale, nuk e nisur me masterclasse muzikore me Ermonela Jahon dhe Anna Pirozzin e vijuar me masterclasse kërcimi me Leonard Ajkun, Remi Malko e Giuseppe Piconne”.

“Kjo nuk sfidon asnjë institucion por vjen si një nevojë dhe eksperiencë e mirë e parë edhe në vende të tjera, që ndihmon të gjithë ato që kanë aspirata për të ushtruar dhe rritur cilësinë artistike. Patenta ndërkombëtare i kemi afruar akoma më tepër në TKOB, siç janë artistet me famë ndërkombëtare, të cilët vinë dhe japin kontributin e tyre që tashmë njihen në gjithë botën. Kemi përforcuar përgjatë gjithë vitit bashkëpunimet tona me entitetet brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Nisur me Konservatorin e Salernos, Konservatorin e Foggias, Orkestrën e RTSH-së, e me Orkestrën e Forcave të Armatosura”, tha Voshtina.

Por, theksoi Voshtina, gjithashtu jemi krenuar edhe me përfaqësimin e artistëve tanë në rajon e në botë.

“Përmend së fundmi debutimin e Ivana Hoxhës në Varna, debutimin e Artur Verës me operën Skënderbeu në Kosovë, me pjesëmarrjen Xhieldos në Meshën e Paqes dhe me përfaqësimin e Arturit, Bledit e shumë të tjerëve në konkurse ndërkombëtare”, tha Voshtina./atsh/KultPlus.com

Viti i ri shkollor në Kosovë nisi mes debateve mbi furnizimin me tekste

Qindra mijëra nxënës në Kosovë të premten filluan vitin e ri shkollor mes debatesh e pakënaqësish mbi mënyrën e furnizimit me tekste shkollore.

Ndonëse ka 15 vjet që ministria e Arsimit në Kosovë i shpërndan falas tekstet shkollore, këtë vit kjo ministri vendosi që t’i kompensojë prindërit me të holla pasi t’i kenë blerë ato.

Kompensimi për blerjen e teksteve shkollore do të bëhet nërpërmjet platformës digjitale ‘ekosova’ ku për nxënësit nga klasa e parë deri në të gjashtën do të ndahen nga 80 euro, ndërkaq për klasët nga gjashtë deri te e nënta do të ndahen nga 30 euro për materiale të tjera meqë tekstet shkollore i kanë të siguruara nga viti paraprak.

Kjo formë e furnizimit me tekste shkollore është kritikuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Këshilli i Prindërve të Kosovës dhe partitë opozitare në vend, që ndër të tjera kanë shprehur shqetësimin mbi mundësinë e keqpërdorimeve nga libraritë.

Përfaqësues të ministrisë së Arsimit janë zotuar se në bashkërendim me Autoritetin e Konkurrencës, do të shmangin çfarëdo keqpërdorimi me çmimet e teksteve shkollore.

Ministria e Arsimit njoftoi të enjten se deri tani numri i aplikimeve ka shkuar në mbi 115 mijë, duke theksuar se platforma për kompensim do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit shtator.

Ministria tha se njëkohësisht ka nisur një proces të rishikimit të të gjitha teksteve shkollore me synim përmirësimin e cilësisë në arsim.

Ekspertë të arsimit në Kosovë në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin për probleme të shumta që sipas tyre e karakterizojnë sistemin arsimor të vendit. Ata theksojnë se vlerësimet ndërkombëtare nxjerrin në pah se nxënësit në Kosovë janë 7.8 vite prapa në cilësi nga bashkëmoshatarët në vende të tjera./VOA/KultPlus.com

Java Kulturore e Azerbajxhanit, koncert, ekspozitë dhe kulinari në Tiranë

Java Kulturore e Azerbajxhanit solli mbrëmjen e djeshme  në kryeqytet një sërë aktivitetesh.

Në sheshin “Skënderbej” u zhvillua performanca e Orkestrës Shtetërore të Dhomës së Azerbajxhanit, “Gara Garayev”, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Artistët e orkestrës “Gara Garayev” sollën për të pranishmit muzikën e dhomës të ndërthurur me elementë tradicionalë.

E emëruar sipas kompozitorit të njohur azerbajxhanas Gara Garayev, historia e kësaj orkestre lidhet ngushtësisht me veprimtarinë e kompozitorit, i cili solli një model të emancipuar muzikor në Azerbajxhan.

Në Muzeun Historik Kombëtar artdashësit vizituan ekspozitën “Heydar Aliyev-100”.

Ndërsa në sheshin “Skënderbej” dhe në shëtitoren “Murat Toptani”, u prezantua kulinaria e Azerbajxhanit, veçanërisht ëmbëlsirat tradicionale.

Java Kulturore dedikuar kushtuar kulturës së Azerbajxhanit do të vijojë me aktivitete të tjera  deri në 3 shtator./atsh/KultPlus.com

Lokacioni i ri, shkas për shtyrjen e festivalit “Street Party Prishtina”

Street Party Prishtina 2023, edicioni i katërt, shtyhet për datën 16 shtator 2023, për shkak të vendimit zyrtar të Komunës së Prishtinës (Shërbimeve Publike) për mbajtjen e eventit në lokacionin e ri në rrugën “George Bush”, tek Katedralja.

Tema e këtij edicioni është, “Për qytetin tonë!” si festë e krijimtarisë, artit e muzikës të Prishtinës.

Street Party Prishtina edicioni IV ka për qëllim promovimin e muzikës, artit dhe inovacionit për audiencën vendore dhe ndërkombëtarë ku ndikon në ngritje të kapitalit kulturore në shoqëri e gjithashtu krijim të kontakteve të reja ndermjet artisteve dhe inovatoreve për bashkëpunime potenciale, dhe në aspektin turistik ku do të promovohen vlera të ndryshme kulturore dhe artistike.

Street Party Prishtina do të ofrojë kënd falas për artistë të rinj (piktorë, skulptorë, fotografë, punime artizanale, instalacione, arte abstrakte, etj) dhe inovatorë, ku gjatë eventit mund të promovojnë, të shesin produktet e tyre.

Në të njejtën kohë kjo do të shërbejë si një platformë për promovimin e krijimtarisë së tyre dhe mundësi për bashkëpunime potenciale. /Telegrafi /KultPlus.com

“Prek n’rrush, shijo n’ven” – hapet festivali i njohur Hardh Fest

Sot është bërë hapja e panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë, pra, ka filluar festivali “Hardhfest”, shkruan KultPlus.

HardhFest, i cili tanimë është një festival tradicional në Kosovë, mbledhë njerëz nga shumë vende të rajonit për të shijuar verën e shijshme në Rahovec.

Edicioni i 22-të i festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, nisi me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”.

I gjithë ky festival mbahet në vendin e njohur të Kosovës për rrush dhe verë, Rahovec, nga datat 1-3 shtator. /KultPlus.com

Shkëlqimi i Rrahmanit në Evropë (VIDEO)

Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, po vazhdon shkëlqimin e tij në Ligën e Rumanisë me ekipin e Rapidit të Bukureshtit, shkruan KultPlus.

Së fundmi, Rrahmani ka realizuar edhe dy gola të tjerë në ndeshjen e tij ndaj Dinamos së Bukureshtit.

Pas debutimit që pati me dopietë, matadori kosovar arriti që të shënojë edhe një herë tjetër në një episodë të ngjashme.

🎥 VIDEO: GOOL 35’ https://shorturl.at/erAH0

🎥VIDEO: GOOL 82’ https://shorturl.at/jryB

Rrahmani ka luajtur fillimisht te Malisheva, pastaj te Ballkani me të cilin u shpallën edhe kampion, për t’u transferuar në fund në Rapid. /KultPlus.com