Është publikuar një këngë e padëgjuar më parë e ikonës së muzikës reggae, Bob Marley.
Kënga quhet “Selassie is the Chapel”, dhe ajo është e disponueshme për publikun 40 vjet pas vdekjes së këngëtarit.
Ky incizim ishte bërë në vitin 1968, dhe tash do të dalë përmes produksionit të parë të Marleyt, JAD Records, dhe tani mund të dëgjohet në të gjitha platformat./KultPlus.com
Muzeu i Luvrit ka njoftuar se do të rrisë çmimet e biletave, gjashtë muaj para Olimpiadës, kur Parisi pritet të presë edhe më shumë turistë se zakonisht.
Tarifa e hyrjes në Luvrin nga 15 janari do të jetë 22 euro, ndërsa nga viti 2017 ka qenë 17 euro.
Luvri është muzeu më i vizituar në botë, me 86,000 metra katror hapësirë të hapur për publikun. Muzeu u vizitua nga 7.2 milionë njerëz vitin e kaluar.
Muzeu fitoi 76.5 milionë euro në arkë vitin e kaluar. Kjo mbulonte vetëm një të katërtën e kostove operative të saj, ndërsa pjesa tjetër financohej nga kreditë e Ministrisë së Kulturës dhe mjete të tjera, përfshirë edhe patronazhin.
I hapur në 1793 në një ish-pallat mbretëror në zemër të Parisit, Luvri është një nga atraksionet kryesore turistike të Parisit.
Ai paraqet koleksione jashtëzakonisht të pasura, të cilat variojnë nga qytetërimet e Mesdheut dhe Lindjes së Mesme disa mijëvjeçarë para erës sonë deri te artet e bukura të shekullit të 19-të.
Vizitorët vijnë nga e gjithë bota për të admiruar, ndër të tjera, Mona Lizën e Leonardo da Vinçit (fillimi i shekullit të 16-të), Venus de Milo (shekulli II para Krishtit) ose antikitetet egjiptiane në gjendje të shkëlqyer./KultPlus.com
Pas një viti në të cilin ajo mposhti çdo rekord me filmin e saj “Barbie”, regjisorja, skenaristja dhe aktorja amerikane, Greta Gerwig do të kryesojë jurinë e Festivalit të 77-të të Kanës, i cili do të zhvillohet më 14-25 maj 2024.
40-vjeçarja, është gruaja e parë që e bën këtë që nga aktorja Cate Blanchett në vitin 2018, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.
Duke reaguar ndaj njoftimit, Gerwig tha: I dua filmat – më pëlqen t’i bëj, më pëlqen të shkoj tek ata, më pëlqen të flas për ta. Kana ka qenë gjithmonë kulmi i asaj që mund të jetë gjuha universale e filmave. Duke qenë në vendin e cenueshmërisë, në një teatër të errët të mbushur me të huaj, të shikosh një film krejt të ri është vendi im i preferuar për të qenë. Jam e habitur, e emocionuar dhe e përulur që shërbej si presidente e jurisë së Festivalit të Filmit në Kanë. Mezi pres të shoh se çfarë udhëtimesh na pret të gjithëve!
Nominimi i Gerwig vulos atë që ka qenë vitet më të shquara për regjisorët dhe industrinë e kinemasë. “Barbie” kryeson nominimet për “Golden Globe” të vitit të ardhshëm./KultPlus.com
Gjenerali George Washington para 240 viteve ishte komandanti i Ushtrisë Kontinentale dhe më 4 dhjetor të vitit 1783, u takua me oficerët e tij të lartë në një tavernë të Nju Jork-ut për t’u lënë lamtumirën.
Oficerët ishin të emocionuar ngaqë Gjenerali Washington nuk ishte vetëm komandanti por edhe heroi i tyre.
Historianët thonë se disa nga oficerët e këshilluan që ta shpallte veten sundimtar të Shteteve të Bashkuara. Ata e siguruan se do të kishte edhe mbështetjen e ushtarëve.
Washingtoni e hodhi poshtë idenë si të gabuar. Dhe shtoi se nuk dëshironte asgjë tjetër veçse të kthehej në plantacionet e tij në Mount Vernon në Virgjinia.
Megjithatë, katër vjet më vonë ai doli përsëri në skenë jo si sundimtar fuqiplotë por si presidenti i parë i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /KultPlus.com
Ndahet nga jeta shkrimtari, poeti dhe pedagogu i mirënjohur Musha Vyshka, në moshën 81-vjeçare.
Lajmin e bënë të ditur familjarët e tij. Vyshka lindi në Elbasan, më 28 qershor të vitit 1942. Jeta e tij profesionale dhe artistike ishte shumë e gjerë.
Shkrimtari u diplomua në degën “Gjuhë-Letërsi” në Tiranë, në vitet 1960-1964. Që nga krijimi i Institutit Pedagogjik të Elbasanit Vyshka ishte pedagog i Letërsisë. Ai gjithashtu ka ushtruar profesionin e gazetarit. Në vitet 1981-1991 ishte Kryetar i Degës së Shkrimtarëve të Elbasanit dhe libretist në Teatrin “Skampa”.
Më pas më 1992-ën u kthye në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, shef katedre i Letërsisë deri më 2002-shin, aty kur doli në pension. Për më tepër, ai ishte gjithashtu themelues i gazetës “Fjala e lirë”, anëtari Këshilli Bashkiak i Elbasanit më 1992-1996.
Musa Vyshka më 2022-ën është nderuar me titullin “Nderi i qarkut të Elbasanit”./KultPlus.com
Gjysmë shekulli më parë, më 14 dhjetor 1972, astronautët e NASA-s Eugene Cernan dhe Harrison Schmidt i thanë lamtumirë Hënës, duke shënuar fundin e historisë së misioneve të drejtuara në satelitin tonë natyror. Dy vite më parë, në fund të fundit, planet për vazhdimin e programit “Apollo” ishin anuluar. Dy astronautët u kthyen në dhomën e kontrollit, ku Ronald Evans, anëtari i tretë, i priste dhe filluan udhëtimin e kthimit.
Përvjetori i së mërkurës është gjithmonë i zymtë për entuziastët e eksplorimit të hapësirës, pasi shënon shembjen e një ure të ndërtuar me zgjuarsi, teknologji dhe shumë para që lidhi përkohësisht Tokën me Hënën. Përvjetori i këtij viti është më optimist. Artemis 1, misioni i parë i programit me të njëjtin emër, iu afrua Hënës, kreu orbita rreth saj dhe u kthye i sigurt duke u zhytur në Oqeanin Paqësor më 11 dhjetor, në të njëjtën datë që gjysmë shekulli më parë Schmidt dhe Cernan ishin në Hënë për herë të fundit.
Rruga për në ‘Artemis 3’
Artemis 1 pa pilot do të pasojë Artemis 2, i cili do të rrotullohet rreth Hënës me një ekuipazh prej katër vetash përpara se të kthehet në planetin tonë, duke i hapur rrugën Artemis 3 për të transportuar astronautët në sipërfaqen hënore. Mesazhi është i qartë: “Ne do të kthehemi në Hënë”.
Në vitin 1972, lufta në Vietnam, lufta kundër varfërisë dhe skepticizmi publik për eksplorimin e hapësirës nuk lejuan vazhdimin e programit Apollo. Veçanërisht e rëndësishme është puna që “shëtitësit e fundit të Hënës” i lanë trashëgim komunitetit global. Mostrat e mineraleve që ata mblodhën me ato të misioneve të mëparshme formuan gurin e themelit për zhvillimin e shkencës hënore. Që atëherë, komuniteti shkencor ka pritur ditën kur njeriu do të kthehej në Hënë, siç do të ndodhë me programin “Artemis”.
Megjithë kalimin e gjysmë shekulli, debati për nevojën e kthimit, si për arsyen, ashtu edhe për mënyrën, në Hënë vazhdon ende.
Kur ekuipazhi i Apollo 17 filloi udhëtimin e tyre të kthimit atë dhjetor veçanërisht të ngrohtë të vitit 1972, delfinët po notonin në lumin Yangtze, bretkosat e arta po hidheshin në pyjet tropikale të Kosta Rikës dhe jetonin dy rinocerontë të bardhë veriorë. Pesëdhjetë vjet më vonë, kur “Artemis 1” kthehet në Tokë, planeti ynë është disa gradë Celsius më i ngrohtë dhe ne jemi rritur me katër miliardë./KultPlus.com
Threads, aplikacioni i ri i pronarit të Facebook, Meta, ka mbërritur edhe në Bashkimin Evropian të enjten, disa muaj pasi u lëshua në tërë botën në korrik, njoftoi shefi ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg.
Platforma e re, e cila është pjesë e Instagramit, lejon njerëzit të regjistrohen duke përdorur llogaritë e tyre në Instagram.
Threads u themelua me qëllim për t’i bërë rivalitet rrjetit social X, dikur i njohur si Twitter, pasi ky i fundit i zemëroi shumë përdorues dhe reklamues kur u ble nga Elon Musk vitin e kaluar.
“Sot po e hapim Threadsin në më shumë vende në Evropë. Mirë së vini të gjithë”, shkroi Zuckerberg në Threads.
Threads u lëshua në 100 vende në fillim të këtij viti, por jo edhe në BE. Zyrtarët e Meta cituan qartësinë rreth rregullatorit si arsye e vonesës së mbërritjes së rrjetit social në Evropë.
Meta ka qenë vazhdimisht nën mikroskopin rregullator të BE-së, posaçërisht për shkak të shqetësimeve për mënyrën se si i përdor të dhënat e përdoruesve për t’i shërbyer reklamuesve.
Më shumë se 100 milionë njerëz i ishin bashkuar Threadsit brenda një jave të lëshimit të tij në treg, pa përfshirë ata brenda BE-së.
Meta tha të mërkurën se njerëzit në BE mund të krijojnë tani profile në Threads të lidhura me llogaritë e tyre në Instagram, por mund edhe ta përdorin aplikacionin pa profil për të kërkuar, shpërndarë dhe madje për të raportuar përmbajtje, pasi kompania pranoi t’u përmbahet rregullave të BE-së.
Ata, megjithatë, nuk mund të postojnë apo të ndërveprojnë me përmbajtjen në Threads pa qenë të kyçur me llogarinë e tyre të Instagramit.
Instagrami i ka dy miliardë përdorues në gjithë botën./REL / KultPlus.com
Për pak ditë edhe Pallati i Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë do të hapë dyert i rilindur për qytetarët.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama i cili ndau në rrjete sociale pamje nga ambientet e reja të Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri”.
Prej disa muajsh Pallati i Kulturës “Ded Ndue Lazri” po i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë.
Rikonstruksioni përfshin këtë objekt nga themelet, përfshirë sallën e koncerteve, të leksioneve, sallën “Djemtë e detit”, sallën e valles, baletit, etj.
Ndërhyrja në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” do ta kthejë atë jo vetëm në një trashëgimi kulturore, në një shkollë edukimi e kulture, por edhe në një aksesor për turizmin dhe një brand që do të mbështesë artin, artistët dhe kulturën e lashtë të këtij qyteti. / atsh / KultPlus.com
Në trajnimin “What is innovation?” të ofruar nga partneri ynë Arizona State University, studentët e UNI-Universum International College mësuan më shumë se çfarë do të thotë të jesh #inovativ, si ndikon inovacioni në shoqërinë tonë, si zgjerohet inovacioni përtej disiplinave dhe mënyrat për të praktikuar inovacionin në jetën e tyre. Për më tepër, ata u futën më thellë në konceptin e inovacionit, vlerësuan teknologjitë dixhitale në zhvillim, si Quizlet dhe Canvas, zhvilluan dhe gjetën zgjidhje për kornizën për inovacionin në kontekste të ndryshme, Principled Innovation.
Për ASU-në dhe UNI-n, inovacioni nuk është vetëm një fjalë; është një mentalitet, një përkushtim për të sfiduar status quo-në dhe një përkushtim për të gjetur zgjidhje kreative për problemet komplekse. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, studentët nuk po fitojnë vetëm një certifikim; ata po fitojnë mjetet për të bërë një ndikim domethënës në botë, duke mishëruar shpirtin ambicioz dhe vizionar të Arizona State University..
Rruga që u përdor nga ushtarët e UÇK-së që në këmbë të bartnin armatime për në Kosovë dhe ku ranë dëshmorë 41 ushtarë të UÇK-së, u shënjua si shteg garash për motoçiklistët dhe ecjesh për alpinistët dhe për bjeshkatarët.
“Shtegu i Lirisë” projekt i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u përurua sot në 25 vjetorin e rënies së 41 dëshmorëve të lirisë.
Kjo nismë vjen nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së së Degës së Hasit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim si dhe nga Federata e Motoçiklizmit e Kosovës. Ata sot e zbuluan pllakën për fillimin e projektit Shtegu i Lirisë “Pashtriku”, nëpër të cilin nga viti i ardhshëm, motoçiklistët do të garojnë duke u nisur nga Kruma për të kaluar në Cahan dhe nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit, te vendi ku ranë 41 dëshmorët e UÇK-së.
Të gjithë ata që duan t’i kujtojnë 41 dëshmorët e UÇK-së të rënë më 14 dhjetor 1998, do të mund të shkojnë dhe të ecin në “Shtegun e Lirisë”. / KultPlus.com
Është hapur konkursi i gjashtë i tregimit të shkurtër Biber. Tregimet e shkurtra mund të dorëzohen nga autorë që shkruajnë në gjuhën shqipe, maqedone, boshnjake, malazeze, kroate ose serbe.
Tema e konkursit
Sikurse në konkurset e mëparshme Biber, edhe tema e këtij konkursi është e zgjeruar. Përveç tregimeve të cilat tematizojnë pajtimin në kontekstin e pasojave të luftës dhe të dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, kësaj radhe do të merren parasysh edhe tregimet të cilat mund t’i ndihmojnë mirëkuptimit më të madh ndërmjet njerëzve, zbutjes së urrejtjes dhe kapërcimit të paragjykimeve, pastaj tregimet kundër luftës, tregimet të cilat ballafaqohen me të kaluarën, me kapërcimin e pasqyrimeve të armikut, tregimet për dhembshurinë ndaj tjetrit, tregimet e guximshme të cilat marrin guximin të ecin me këpuca të „armikut“, tregimet të cilat i lëviizin kufijtë dhe na i hapin rrugët për të ndërtuar një të ardhme më të qartë, më të sigurtë e më të lirë për të gjithë.
Konkursi mbetet i hapur deri më 26. 05. 2024.
Përzgjedhjen e tregimeve të pranuara do ta bëjë juria e përbërë nga: Tanja Stupar Trifunoviq, Almin Kaplan dhe Jasna Dimitrijeviq. Së paku njëzet punime të përzgjedhura do të botohen në një përmbledhje shumëgjuhëshe.
Autorët/et e tri tregimeve më të mira do të shpërblehen me këto çmime: 1. çmimi i parë 1.100 euro 2. çmimi i dytë 850 euro 3. çmimi i tretë 600 euro
Vendimi i jurisë do të bëhet publik në nëntor 2024.
Aplikimi në konkurs bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike, nëpërmjet formularit të aplikimit. Kjo siguron anonimitet, derisa tregimet të hapen pasi juria të ketë marrë vendim.
Tregimet duhet t’i përgjigjen temës së konkursit.
Tregimi nuk bën të jetë më i gjatë se 9.000 karakterë (me hapësira).
Tregimi duhet t’i përshtatet formës së tregimit të shkurtë. Format tjera (ese, poezi, dramë, artikuj medialë, etj.) nuk do të merren parasysh.
Tregimi duhet të jetë i shkruar në boshnjakisht, kroatisht, malazezisht, maqedonisht, serbisht dhe shqip (nënkuptohen edhe emërtimet e tjera nga ky grup gjuhësor, p.sh. serbokratisht).
Dokumenti që përmban tregimin duhet të emërtohet sipas titullit të tregimit.
Tregimi duhet të mos ketë qenë i botuar, qoftë ndaras apo si pjesë e një tërësie më të madhe (as në blogë e as në portale).
Tregimi duhet të dërgohet më së voni deri më 26. 5. 2024.
Autoret dhe autorët mund të dërgojnë më së shumti dy tregime të shkurta.
Me pjesëmarrje në konkurs autoret dhe autorët pajtohen që, nëse hyjnë në rrethin e ngushtë, tregimi i tyre të botohet në përmbledhjen Biber.
Tregimet që hyjnë në përmbledhje nuk mund të botohen para daljes nga shtypi të përmbledhjes, pa pëlqimin e ekipit Biber.
Nëse tregimi nuk i përmbush kushtet e konkursit, ai do të diskualifikohet. / KultPlus.com
“Arti dhe Moda” është ekspozita e radhës e piktores Diella Valla e cila përmbledh skica të modës dhe piktura të realizuara gjatë viteve të fundit.
Ekspozita e cila hapet më datë 18 dhjetor në KultPlus Caffe Gallery, do të përfshijë rreth 30 punime, në këtë mes disa skica të modës dhe disa piktura të formateve të ndryshme.
Ekspozita do të prezantojë talentin dhe krijimtarinë e piktores Diella Valla, duke sjellë para publikut një bashkëveprim unik mes artit pamor dhe modës.
Skicat e modës, ngërthejnë në vete ndërlidhjen me pikturën duke shpalosur motive të mozaiqeve, pikturave të piktorëve të mëdhenj botërorë dhe atyre shqiptarë si dhe frymëzime nga brende të ndryshme të modës.
Përqafimi i mozaikëve dhe frymëzimet nga moda janë thelbi i veprave të kësaj ekspozite, duke ndriçuar lidhjen e thellë midis këtyre dy formave të shprehjes artistike.
Esat Valla është kuratori i kësaj ekspozite i cili ka ndihmuar në krijimin e këtij koleksioni të veçantë.
Ekspozita do të hapet më datë 18 dhjetor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.
Ekspozita është e financuar nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Seriali i shumë shikuar britanik “The Crown” i cili pasqyron jetën e Familjes Mbretërore në Britaninë e Madhe, ka publikuar tashmë sezonin e gjashtë të tij.
E ky sezon është më i veçantë për shqiptarët e Kosovës, pasi në politikat e shtjelluara në tematikën e serialit është Lufta e fundit në Kosovë (1997-1999).
Në episodin e gjashtë të quajtur “Ruritania”, aktori Bertie Carvel mund të shihet teksa portretizon ish-kryeministrin britanik Tony Blairin në serial, duke mbështetur vendimin e NATO-s për të nisur një fushatë ajrore 78-ditore kundër forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999.
“Milosheviç është një diktator monstruoz, që kryen persekutimin sistematik dhe të dhunshëm të civilëve të pafajshëm. Ju këmbëngulët që Perëndimi të mos qëndrojë më në këmbë derisa të ndodhë gjenocidi dhe masakrat”, dëgjohet mes të tjerash duke u thënë fjalimin e Blairit në serial, i cili e njeh botën edhe më mirë me krimet makabre të Serbisë të kryera në Kosovë, përcjell Telegrafi.
Episodi shoqërohet me pamje të vërteta të incizuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku mund të shihet persekutimi i shqiptarëve nga reperesioni serb dhe shenjat e gjenocidit që ky shtet bëri në Kosovën e fundit të viteve 90.
Në serialin “The Wcorwn” gjithashtu theksohet se si djemve të lindur në Kosovë pas luftës ndonjëherë u jepej emri Toni ose Tonibler, për nder të Blair dhe rolit të tij.
“The Crown” është një serial i zhanrit dramë i regjisorit Peter Morgan, dhe është pjesë e gjigantit Netflix.
Seriali tregon jetën e Mbretëreshës Elizabeth II nga vitet 1940 deri në kohët moderne. Seriali fillon me një vështrim të brendshëm të mbretërimit të hershëm të mbretëreshës, e cila u ngjit në fron në moshën 25-vjeçare pas vdekjes së babait të saj, mbretit George VI.
Me kalimin e dekadave, zbulohen intrigat personale, romancat dhe rivalitetet politike që luajtën një rol të madh në ngjarjet që formësuan vitet e mëvonshme të shekullit të 20-të. / KultPlus.com
Netflix series The Crown features NATO intervention in Kosovo.
"Milosevic is a monstrous dictator, carrying out the systematic & violent persecution of innocent civilians."
"You insisted the West no longer stand by while genocide & slaughter take place."pic.twitter.com/omjHtWzVNU
Një ngjarje e veçantë u mbajt sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. Një kapitull i ri u hap sot për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar me promovimin e tetë librave në formatin braile dhe formatin akustik, të cilët kanë qenë të botuar vite më parë në formatin tipik, libra këta të autorit dhe bashkëautorit, Betim Bregovina, shkruan KultPlus.
Hapësira e KultPlus Caffe Gallery u mbush përplot dhe në mesin e tyre një numër i madh ishin nxënës të Shkollës “Nexhmi Mustafa” të cilët me shumë entuziazëm po prisnin nisjen e kësaj ngjarje.
Filloreta Hyseni, asistente e projektit “Vargjet flasin” hapi këtë ngjarje duke u uruar mirëseardhje të gjithëve. Ajo theksoi rëndësinë e projektit “Vargjet Flasin”, i cili synon të mundësojë qasjen dhe përdorimin e letërsisë për personat e verbër dhe ata me shikim të dëmtuar.
Në këtë ngjarje të posaçme, përurimi i librave në formatin braile dhe akustik u dedikua jo vetëm personave të verbër dhe ata me shikim të dëmtuar, por gjithashtu lexuesve të tjerë që preferojnë apo do të preferojnë të përdorin formatin akustik për lexim.
Ky projekt shërben si një hap i rëndësishëm drejt shpërndarjes së letërsisë në një mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të arritshme për të gjithë. Përmes kësaj iniciative, “Vargjet Flasin” synon të bëjë fjalën shkruar një përvojë të përbashkët për të gjithë lexuesit, pavarësisht vështirësive të tyre.
Në këtë përurim, fjalë fillimisht e mori Enver Ulaj – redaktori dhe lektori i dy veprave të autorit, “Malli i murosur” dhe “ Flas me heshtjen”.
“Jam shumë i lumtur që jeni sot këtu, në një ambient kaq familjar në mesin e miqve. Unë kam 20-të vite në arsim dhe vitin e parë të punës kam qenë mësimdhënës së shkollën për të verbër në Pejë dhe në gjeneratën e parë e kam takuar Betimin. Betimi dhe të tjerët po bëjnë shumë në këtë fushë. Betimi që në atë kohë është marr intenzivisht edhe me letërsi po edhe me art figurativ ku ka hapur edhe ekspozitë. Ne i gëzohemi suksesit të Betimit dhe gjithë tjerëve që e kanë ndjek këtë rrugë të cilët janë edhe frymëzim për këta nxënës që sot janë të pranishëm këtu”, tha Ulaj i cili fjalën e mbylli duke thënë: “Betim, ne krenohemi me ty”.
Fjalën tutje e mori drejtoresha e Shfmu “Nexhmi Mustafa”, Xhevrije Osmani e cila tha se Betimi bënë punë të mirë kudo që shkon.
“Qe një vit që Betimi është pjesë e stafit të shkollës sonë, tek ne ka ndryshuar gjithçka për të mirë, falë tij. Andaj, nuk po dyshoj që ka bërë një punë shumë të mirë edhe në këta libra. Betimit i uroj shumë suksese dhe i them se është fat për ne që është pjesë e shkollës tonë”, u shpreh Osmani.
Pas këtyre fjalëve, u ftuan disa nga nxënësit e pranishëm që të lexojnë poezi nga librat e autorit, ku me plot emocion ata i dhanë ambientit një atmosferë të bukur dhe frymëzuese.
Krejt për fund, fjalën e mori autori Betim Bregovina i cili fillimisht falënderoi nxënësit e shkollës “Nexhmi Mustafa”, mësimdhënësit, miqtë e familjarët që ishin prezentë në këtë ngjarje. Tutje ai u shpreh i emocionuar për këtë moment të veçantë, duke ndarë me publikun historinë e punës së tij në fushën e shkrimit letrar për mbi dy dekada.
“Projekti “Vargjet flasin” është një përmbledhje e krijimtarisë sime modeste letrare prej vitit 2004 deri në vitin 2018. Unë ndihem jashtëzakonisht i nderuar si autor dhe bashkëautor që në këtë përurim të librave braile dhe akustik i cili i dedikohet shokëve dhe shoqeve të mija të komunitetit, ata që më njohin dhe ata që nuk më njohin, po shpresoj që ky do të jetë një kontribut i vogël në provën për të realizuar shtrimin e rrugën për gjithpërfshirjen e nxënësve”, tha autori.
Pas këtyre momenteve, në një koktej rasti, të gjithë u takuan me njëri tjetrin për një bisedim më të afërt rreth punës së Betimit dhe librave në fjalë.
Projekti “Tingujt flasin”, është i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, së fundmi ka qenë e ftuar në podcastin e famshëm amerikan të ‘Dear Media Studio’.
Në këtë podkast ndër të tjera ajo ka folur edhe për origjinën e saj, Kosovën.
Teksa iu përgjigj pyetjes për rrënjët e saj shqiptare, Ora tha se është e lindur në Kosovë, shtet ky që dikur ishte pjesë e Shqipërisë.
“Unë jam lindur në Kosovë, Shqipëri. Mirë, tani është Kosovë por dikur ishte pjesë e Shqipërisë. Dhe pastaj u shpërngula në Londër kur isha një vjeçe”, tha Ora.
Pas potencimit të moderatores së podkastit tha se ka shumë shqiptarë të famshëm në industrinë e muzikës botërore, Ora u pajtua plotësisht dhe u shpreh se ndihej shumë krenare për të arriturat e tyre.
“Po është bukur t’i shohësh. Kur unë fillova në vitin 2012, nuk kishte. Kështu që tani ne kemi Dua Lipën, Bebe Rexhën dhe është e mrekullueshme”, deklaroi Ora.
Në 25- vjetorin e rastit “Panda” është vendosur pllaka shënjuese për këtë rast, në lokalin që në tetor të këtij viti Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.
“Në kulmin e terrorit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, në hapësirat e këtij lokali, më 14 dhjetor 1998, përmes urdhrave të sigurimit të shtetit të Serbisë, u ekzekutuan gjashtë të rinj serbë. Për këtë rast të inskenuar nga autoritetet serbe, u burgosën gjashtë të rinj shqiptarë të pafajshëm, të cilët u maltretuan rëndë nga policia serbe. Ata u shpallën të pafajshëm, por dëmi i shkaktuar nga pasojat e torturave në burgje është i pariparueshëm”, shkruhet në pllakë.
Me këtë rast, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me zëvendësministrat e drejtësisë Blerim Sallahu dhe Vigan Qorolli, si dhe Drejtorin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, vizituan hapësirat e lokalit “Panda”.
U theksua se si 25 vjet më parë nga sulmi terrorist i Serbisë në atë lokal u vranë gjashtë të rinj serbë, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekje për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë. Më pas, në Pejë i arrestuan më shumë se 150 shqiptarë. Të rinjtë Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami, të moshave nga 17 deri në 22 vjeç, u burgosën padrejtësisht dhe torturuan në burgjet serbe./Klankosova.tv/KultPlus.com
Radio Televizioni i Kosovës u ka bërë ftesë produksioneve vendore dhe bashkëproduksioneve e huaja që të aplikojnë në konkursin publik për blerjen e të drejtave transmetuese televizive për filmat e metrazhit të gjatë dhe të shkurtër në kuadër të projektit ‘MARATONA E FILMIT KOSOVAR’, përmes të cilit synohet plotësimi i kërkesave të audiencës për netët festive të Programit Festiv të Vitit të Ri 2024, në RTK.
Vlera e përgjithshme e paraparë për blerjen e filmave të përzgjedhur është 20,000 €.
Afati i fundit per aplikim 17 dhjetor, 2023!
Kriteret e aplikimit dhe detajet e tjera:
-Cilësia e skenarit, përmbajtjes, projektit ose program i regjistruar;
– Interesi publik lidhur me përmbajtjen e programit;
– Origjinaliteti i ideve;
– Çmimi, mënyra dhe kushtet e pagesës;
– Shtrirja e të drejtave të cilat jepen;
– Referenca e aktorëve, regjisorëve, kameramanëve, skenaristëve;
– Referenca e producentit të pavarur (përmbushja e rregullt e detyrimeve kontraktuale etj.)
Lidhur me të drejtat e autorit, RTK ka sqaruar se për prodhimin e pavarur fitues do të zotërojë të gjitha të drejtat për transmetimin televiziv të filmave në kanalet e saj transmetuese televizive, transmetimin premierë dhe ritransmetime sipas marrëveshjes.
– Formular aplikimi për prodhimin e pavarur audiovizual; shkarko formularin
– Leja e Produksionit për producentët e pavarur, lëshuar nga QKK;
– Certifikata e biznesit dhe numri fiskal;
– Deklaratë me shkrim, përmes së cilës producenti i pavarur vendor merr përsipër detyrimet në lidhje me të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me filmin, për transmetimin televiziv të veprës.
– Deklaratë me shkrim përmes së cilës producenti i pavarur vendor vërteton se nuk ka proces gjyqësor civil me RTK-në;
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet e aplikimit nëpërmjet postës elektronike: [email protected]
Aplikimi është i hapur deri më 17.12.2023, në ora 23:59/KultPlus.com
Për herë të parë në Kosovë, do të organizohet Festivali i muzikës dhe artit, dedikuar fëmijëve me nevoja të veçanta.
Profesoresha e artit muzikor në Qendrën Burimore “Përparimi” në Prishtinë, Blerina Kallaba – Pacolli, ka thënë që ky projekt do të ndiokojë në zbulimin e talentëve të rinj.
“Kam kënaqësinë të ju njoftoj për festivalin e muzikës dhe artit që u dedikohet nxënësve me nevoja të veçanta. Ky festival i kësaj natyre organizohet për herë të parë në vendin tonë dhe ka për qëllim përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në aktivitetet kulturore, synon bashkëpunimin e nxënësve të shkollave të rregullta dhe qendrave burimore e organizatave të ndryshme dhe gjithashtu ndikon në zbulimin e talentëve të rinj të fëmijëve me nevoja të veçanta”, ka shkruar ajo.
Festivali do të mbahet më 19 dhjetor, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./KultPlus.com
Së shpejti do të promovohet libri me poezi i autorit Bajram Lani, me titull “50 TË DIELAT E PRISHTINËS”, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Copëzat e Prishtinës të mbledhura si një mozaik, vijnë në një përmbledhje me poezi nën titullin “50 të dielat e Prishtinës”.
Autori Bajram Lani, gazetar dhe redaktor në RTK-Radio Kosova, ka zgjedhur që të dielën e 51-të ta bëjë promovimin e librit me 50 të dielat e tij, që janë të diela dhe përditshmëri e secilit që jeton dhe punon në kryeqytet.
Pesëdhjetë poezitë me titull të njëjtë, janë shkruar të dielave në mëngjes, në kohën kur secili teksa pi kafe për t’u kthjellur nga gjumi, e kthjell edhe mendjen dhe më lehtësisht i sheh të metat dhe përparësitë, shprehitë dhe dukuritë, të bukurën dhe të shëmtuarën që e karakterizon kryeqendrën e Kosovës.
Andaj edhe libri “50 të dielat e Prishtinës”, promovohet të dielën, më 17 dhjetor 2023, në orën 12:00 në KultPlus Caffe Gallery, në vendin që i jep zë artit të shkruar dhe fytyrë artit pamor. Në vendin, i cili ju fton që ta ndani një pjesë nga e diela juaj për t’ia kushtuar “50 të dielave të Prishtinës”. Mirë se vini!/KultPlus.com
Sot janë bërë 25 vjet nga sulmi terrorist i Serbisë në lokalin “Panda” në Pejë, ku autoritetet serbe patën inskenuar vrasjen e të rinjve serbë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është shprehur se Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë.
Tutje, kryeministri është shprehur se shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb edhe pas një ҫerek shekulli. Sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99.
Ky është reagimi i plotë i kryeministrit:
Më 14 dhjetor 1998, autoritetet serbe inskenuan vrasjen e të rinjëve serb në kafiterinë “Panda” në Pejë.
Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë.
Pas këtij rasti, më shumë se 150 shqiptarë u arrestuan në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishe 22 vjeç, ndërsa më i riu 17.
Ata u burgosën në Pejë, ku u torturuan në mënyra ҫnjerëzore. Në qershor 1999, me rreth 400 të burgosur të tjerë, u dërguan në burg në Leskovc të Serbisë.
Në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të gjashtit të pafajshëm. Ata u dënuan me nga një vit burg për shkelje të rendit publik. Një muaj më pas, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, pesë nga ta u liruan. Behar Bajri u mbajt në burg deri më 6 dhjetor 2000.
Përderisa të rinjtë shqiptarë të burgosur padrejtësisht ende i vuajnë pasojat e torturave brenda burgjeve serbe, në Serbi ende askush nuk është dënuar për këtë rast.
Prindërit e të vrarëve kanë kërkuar që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dëshmojë lidhur me deklaratat e tij. Ai kishte thënë se “krimi në “Panda” nuk është bërë nga shqiptarët”.
Shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb edhe pas një ҫerek shekulli. Sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99.
Kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës. Dëshmon për lidhjen e ngushtë mes mosnjohjes të së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohjes së pavarësisë sonë. / KultPlus.com
Nëse kërkoni një frymëzim për përvojën tuaj të ardhshme luksoze të udhëtimit jashtë vendit, atëherë mos kërkoni më larg se këto perla evropiane, shkruan në një artikull revista britanike “Luxury Lifestyle Magazine” (LLM).
Deti Adriatik, i vendosur midis Gadishullit Italian dhe Gadishullit Ballkanik, është një perlë me bukuri natyrore.
Ujërat e tij të pastër kristal i bëjnë thirrje udhëtarëve nga të gjitha cepat e globit për të eksploruar mrekullitë e tij.
Por nuk është vetëm deti që magjeps; janë gjithashtu vendet që rrethojnë brigjet e tij.
Rajoni magjepsës është një shesh lojrash për udhëtarët që kërkojnë përvoja të paharrueshme.
Nga bregdeti magjepsës i Kroacisë te eleganca e përjetshme e Italisë, xhevahiret e fshehura të Shqipërisë te bukuria e Malit të Zi, historia e pasur e Bosnjë-Hercegovinës te ishujt e Greqisë dhe peizazhet piktoreske të Sllovenisë, secili vend ofron joshjen e tij unike.
Shqipëria
Adhuruesit e natyrës do të mahniten nga peizazhet e larmishme të Shqipërisë.
Nga Alpet e mrekullueshme shqiptare në veri deri te plazhet e pacenuara të Rivierës në jug.
Bëni një shëtitje të qetë nëpër male ose relaksohuni në brigjet e izoluara me rërë, zgjedhja është e juaja.
Adhuruesit e historisë do të kënaqen duke eksploruar rrënojat antike dhe vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të shpërndara në të gjithë Shqipërinë.
Qyteti i Beratit me arkitekturën e tij osmane dhe Gjirokastra me kështjellën e tij imponuese janë destinacione që ofrojnë pamje të së kaluarës së Shqipërisë.
Eksploroni vendin në brendësi për të zbuluar fshatra tradicionalë ku koha duket se ka ndaluar.
Përjetoni drejtpërdrejt kulturën shqiptare ndërsa shoqëroheni me vendasit, provoni kuzhinën e shijshme tradicionale dhe njihuni me zakonet e vjetra.
Për ata që kërkojnë aventura, Shqipëria ka shumë për të ofruar.
Filloni me aktivitetet sportive ujore përgjatë vijës piktoreske bregdetare ose bëni ecje nëpër parqet kombëtare të mbushura me kafshë të egra.
“Luxury Lifestyle Magazine” ka renditur shtatë vendet perfekte për udhëtarët që kërkojnë një eksperiencë të paharrueshme të mbushur me elegancë dhe hijeshi:
1-Kroacia 2-Italia 3-Shqipëria 4-Greqia 5-Mali i Zi 6-Bosnjë-Hercegovinë 7-Slloveni/atsh/KultPlus.com
Nga sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare dedikuar njërës nga femrat më emblemike të Kosovës, Edi Shukriu.
Edi Shukriu ishte akademike dhe njëra nga arkeologet dhe historianet e para, por edhe emër i njohur dhe i çmuar në lëmin e letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.
U lind në Prizren 1950. Shkollimin fillor e të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit 1972, ku po ashtu i përfundoi edhe studimet master në vitin 1979. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës 1990.
Në Muzeun e Kosovës ka punuar nga viti 1974 deri në vitin 1979, dhe vazhdoi me angazhimin në Universitetin e Prishtinës, në cilësinë e profesoreshës në Degën e Historisë për arkeologjinë dhe historinë e lashtë.
Në vitin 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Nga viti 2014, u emërua anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg.
Më 17 janar 2023 ndërroi jetë në Prishtinë, duke lënë në trashëgimi vepra të shumta nga arkeologjia, historia dhe letërsia.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e trashëgimisë kulturore, u dekorua me çmimin “Dea Dardanica” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), si dhe me çmime të shumta për krijimtari letrare./KultPlus.com