Mbyllet ‘Film Flaka’, u prezantuan gjashtë filma

Për tri ditë me radhë, më 18, 19 e 20 janar, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, janë prezantuar 6 filma artistik e dokumentar, prodhime të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK).

Në natën e tretë, sipas programit janë shfaqur dy filma. Ai i shkurt artistik, “Tisa” me regji të Valter Lucaj, si dhe filmi dokumentar “Rojtari i Bjeshkëve”, me regji të Antoneta Kastrati.

Subjekti i filmit “Tisa”, përshkruhet me sa vijon: Beni është një adoleshent i talentuar në futboll. Ai është i lumtur në trekëndëshin e tij shoqëror, me shokun e tij Gëzimin, i cili gjithashtu luan futboll, si dhe me të dashurën Emën, të cilën që  të dytë e pëlqejnë!

Rrugëtimi jetësor i Benit bëhet dramatik kur ai merr një ftesë për një (s’)provë në një ekip futbolli francez! Rrjedha e përmbajtjes së filmit përcillet me elemente narrative, me tekst të ngjeshur, dialogje simpatike, ndërsa kthesa dramatike – kulmi ndodhë në  momentin kur Beni pritet të ikën për të vazhduar karrierën në  Francë!

Fati i tij, përkundër talentit, është në duartë e byrokracisë permanente të “instaluar” nëpër zyret të përfaqësive dilomatike, si atyre vendor ashtu edhe procedurave byrokratike e diplomatike.

Për pasojë, Beni detyrohet që, në vend të rrugëve legale, të ‘provojë’ ato alternative – ilegale!.

Filmi i dytë i mbrëmjes, “Rojtari i Bjeshkëve”, i punuar nga regjisorja Antoneta Kastrati, pasqyron orvatjet dhe tratativat e  vazhdueshme të një rojtari të bjeshkëve, për t’i shpëtuar ato.

Me përshkrime vizuele të peisazheve të natyrës, përfshirjes dhe përshkrimit të kohëpaskohshëm narrativ, si dhe deklaratave nga personazhe të intervistuara, pasqyrohet tentativa e vazhdueshme e luftës për të shpëtuar malet e Rugovës nga prerja dhe shkatërrimi mjedisor.

Derisa kupton historitë e rinisë së kryepersonazhit, (Fatosit), herë – herë të paraqitur në reminishencë, publiku kupton njëherit historinë e frustrimit të tij me politikën e pasluftës, ndjenjën e tij të strehimit në male, dhe përfundimisht lidhjen shpirtërore e vendosmërinë për t’i ruajtur pyjet.  

Skenat e realizuara në mjedise urbane e rurale, të ndërlidhura, si dhe përshkrimet e degradimeve të pyjeve, shfaqin pikëllimin e paskaj të tij, sidomos kur hasë në drunjë që duhet të presin kohë  të gjatë për t’u rritur, ndërsa aq pak ndjesi për përkujdesje mjedisore, e akoma më pak përkujdesje për t’u ruajtur nga degradimet si dhe djegiet pamëshirshme.

Paraprakisht, në  kuadër të “Film Flaka 2024”, janë prezantuar 4 filma tjerë, poashtu të shkurtë e dokumentarë, kryesisht prodhime nga QKK, si: “Pa Vend”, me regji të Samir Karahoda; “Daullet e Rezistencës”, punuar nga Besa Luci; “Kanarinat e Dinë: nga Kaltrina Krasniqi, si dhe filmi “Një Muaj”, i realizuar nga regjisori, Zgjim Terziqi.

Drejtori i Drejtorisë  për Kulturë, Rini e Sport në Gjilan, Kushtrim Zeqiri, ka thënë enkas se “Film Flaka” është realizuar me iniciativë  vetanake, pa kosto apo Thirrje Publike, duke u shprehur i kënaqur me rrjedhën e filmave dhe prezantimeve.

“Përgjatë këtyre tri ditëve patëm rastin të shohim 6 filma, nga dy në secilën natë. Rëndësia e “Film Flaka” është se rikthen për aderues të filmit pas disa vitesh, krijimet filmike të autorëve vendor. Për “Film Flaka” nuk ka pasur Thirrje Publike. Ajo ka ardhur si iniciativë e DKRS-së, që me ndihmën e QKK-së, është  mundësuar shfaqja e filmave.”, ka thënë Zeqiri.

“Flaka e Janarit 2024”, me shtyllat përkatëse që e karakterizojnë tradicionalisht, vijon pjesën teatrale “Talia e Flakës 2024”, duke filluar nga 23 deri më  28 janar.

Ndërsa pasohet me festivalin për fëmijë “Xixat e Flakës”, pjesën letrare në prozë e poezi “Pena e Flakës”, garat e enigmatikës, pjesën artistike/muzikore “Fest Flaka”, si dhe një mori aktivitetesh tjera që i përcjellin ato kryesore, deri më 31 janar 2024./rtk/KultPlus.com

18 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

Sot janë shënuar 18 vite që nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova është lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia kanë pushkatuar të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e ka kryer në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 ka qëndruar në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ka ndjekur interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai ka doktoruar në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është mar rëqë nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës,është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004./klankosova/KultPlus.com

Zjarr dhe akull

Poezi nga Robert Frost

Ca thonë bota do marrë fund në zjarr
Në akull thonë të tjerë.
Prej shijes që dëshirës i kam marrë
Anoj nga ata që zgjedhin zjarr.

Ama, nëse lypet të fiket dy herë,
Them se mllefin e njoh mirë unë
Siç di se për të hedhur diç në erë
Akulli do bënte punë
Mjaftueshëm me vlerë.

Përktheu: Edon Qesari KultPlus.com

Jennifer Lopez paralajmëron projekt të ri filmik

Artistja e mirënjohur botërore, me origjine latine, Jennifer Lopez, ka publikuar një trailer të ri, raporton CNN.

Pas publikimit tw tij në rrjetin social Instagram, Lopez është shprehur shumë e emocionuar dhe e entuziazmuar dhe ka thwnw se po ndan me fansat një projekt shumë domethënës për të.

“Nuk kam qenë asnjëherë kaq nervoze, e emocionuar, e frikësuar dhe shumë e lumtur të ndajë diçka si kjo me ju, pas kaq shumë vitesh. Historinë e udhëtimit tim që nga ‘This is Me…Then’ deri tek ‘This is Me…Now’, kjo është gjëja më personale e imja që kam bërë ndonjëherë në jetë. Eksperienca muzikale do të vazhdojë deri më 16 shkurt kur albumi im ‘This is Me…Now’ do të lansohet dhe ‘This is Me..Now: Një Histori Dashurie’ puna që bëra me Amazon, do të shfaqet në Prime Video. Shikojeni trailerin…TANI”, ka shkruar Lopez.

Por ky trailer është shumë kaotik dhe askush nuk po e kupton se çfarë është duke paralajmëruar saktësisht këngëtarja, film, album, album vizual, film biografik ku luan vet rolin e saj, apo ndonjë mënyrë e re për ta reklamuar albumin në stil dokumentari biografik.

Traileri flet për jetën e këngëtares se si ka ardhur deri tek suksesi i albumin “This is Me…Now”, fejesa, martesa, marrëdhëniet intime, albumet, etj.

Megjithëse po duken shumë të painformuar, fansat janë treguar shumë të interesuar ta dinë se çfarë është kjo që ka paralajmëruar Lopez.

Ata kanë shkruar kritika shumë të mira.

Sipas tyre më në fund J.Lo po e tregon jetën e saj, që shfaqet në shumë dimensione, në këtë lloj projekti filmik në të cilin luajnë shumë yje të njohur të Hollywoodit si Fat Joe, Sofia Vergara, Jenifer Lewis, Jay Shetty, Neil deGrasse Tyson, Sadhguru, Tony Bellissimo, Trevor Jackson, Paul Raci, Bella Gagliano, Brandon Delsid, Ashley Versher, Malcolm Kelner, Alix Angelis, Danielle Larracuente dhe Matthew Law.

Në këtë lloj filmi do të shfaqet edhe burri i saj, artisti i mirënjohur Ben Affleck, i cili ishte temë kryesore e albumit të saj “This is Me…Then”, që Lopez e pati publikuar në vitin 2002. / KultPlus.com

Baldwin përballet me akuzë të re për të shtënat fatale në sheshxhirim

Një juri e madhe në New Mexico e ka paditur Alec Baldwinin me një akuzë të re për vrasje nga pakujdesia në me xhirimet e një filmi në tetor 2021.

Akuzat e mëparshme kundër aktorit fitues të çmimit Emmy u rrëzuan prillin e kaluar, vetëm dy javë përpara se të fillonte një gjyq penal kundër tij.

Prokurorët vendas që atëherë kanë ndarë fakte shtesë nga testet mjeko-ligjore mbi armën e përdorur në të shtënat, raportoi BBC.

Baldwin po praktikonte të gjuante me një pistoletë Colt .45 përpara se të filmonte një skenë për filmin Rust. Por arma shtiu, duke gjuajtur për vdekje kinematografen Halyna Hutchins dhe duke plagosur një tjetër.

Aktori ka insistuar në pafajësinë e tij. / KultPlus.com

Kraki: Filmat që tregojnë pjesë nga jeta e Oppenheimer përjetohen, përbrendësohen, ritregohen e adhurohen



Shkruan: Nezir Kraki

Oppenheimer 2023 / The Imitation Game 2014
(Kritikë e krahasuar)

Derisa anglezi Alan Turing, babai i « makinës që mendon », në një vend sekret tentonte dekodimin e Enigmës gjermane gjatë Luftës së Dytë, matanë Atlantikut, në të njejtën kohë, një tjetër gjeni, Robert Oppenheimer, babai i bombës atomike, edhe ai në vend e mision sekret, e mendonte përfundimin e asaj lufte me një goditje të vetme.

Këto dy itinerare jetësore të këtyre dy mendjeve të njëhershme që formësuan të jetuarit e të menduarit mbi Tokë, tregohen, sipas meje, pa iu tradhëtuar esenca të vërtetës historike, në dy nga më të mirët filma biografikë prej që fotografia është bërë e gjallë, gati një shekull më herët. Këta dy filma kanë gati dhjetë vite largësi kohore në realizim e publikim por që të dy flasin për dy mendje gjeniale që jetuan në të njejtën kohë, patën të njëjtin armik, u përdorën dhe u linçuan nga idiotë të politikës në të njëjtën mënyrë, u harruan për një kohë dhe u rikthyen post mortem në mendjet dhe respektin e secilit.

Prandaj filmat që tregojnë pjesë nga jeta e amerikanit Robert Oppenheimer (Oppenheimer 2023 – Christopher Nolan) dhe nga ajo e anglezit Alan Turing (The Imitation Game 2014 – Morten Tyldom), s’munden të jenë filma normalë, që shikohen, pëlqehen e harrohen. Jo ! Këta dy filma përjetohen, përbrendësohen, ritregohen e adhurohen. Janë tregime me pamje të gjalla që shikuesin e teleportojnë jo në skenën ku luhen por në ngjarjen dhe në ndjesitë e asaj kohe. Shikuesi është në film, jo përballë tij. Pse këta dy filma janë kaq depërtues sipas meje? Sepse në ta dhe me ta shfaqet gjeniu njerëzor në kapacitetet e tij të pakufishme për shpëtim e për shkatërrim. Shfaqet ajo vija e hollë deri në padukshmëri e cila i jep drejtim fatit njerëzor individual e kolektiv në momente që shënjojnë kohën e hapësirën. Nuk e di a i duhej njeriut bomba atomike e Oppenheimer por e di që pa « makinën që mendon » të Alan Turingut këta rreshta do shkruheshin sot veç në letër.

S’do mend se këta dy filma bëhen monumentalë edhe falë mishërimit besnik dhe magjistral të dy gjenive shkencorë nga dy gjeni të lojës teatrale, irlandezi Cillian Murphy si ‘babai i bombës atomike’ dhe anglezi Benedict Cumberbatch në rolin e ‘babait të makinës që mendon’. Makina që mendon apo që mëson/imiton ishte elaboruar nga Alan Turing si teori shkencore disa vite pas dekodimit të Enigmës, makinës gjermane të mesazheve të koduara. Në eloborimin e tij Turing fliste për ‘inteligjencën artificiale’ qysh në atë kohë. Historianët e Luftës së Dytë sot pajtohen me faktin se dekodimi i Enigmës nga Alan Turing ka mundësuar shpëtimin e qindra mijëra jetëve dhe ka përshpejtuar debaklin nazist në momentin kur Hitleri do i vërsulej Londrës.

Megjithatë, Lufta e Dytë do kryhej me « goditjen atomike » të Robert Oppenheimer e cila në 20 sekondat e saj të parë mendohet se vrau 200 mijë njerëz në Hiroshima. Vite më vonë, në një intervistë ku dëgjohet të flet frëngjisht, vetë Oppenheimer shprehet i ‘habitur’ nga përmasat shkatërrruese të krijesës së tij atomike « Kur kemi bërë testime në shkretëtirat e Amerikës nuk e kemi menduar me saktësi sa impakt në jetën e njerëzve do kishte lëshimi i bombës. Misioni ka qenë ndërpreja e luftës, jo vrasja… ».

Shikojini e rishikojini këta dy filma e bashkë me ta futjuni pak rrugicave të historisë së shkruar, me apo pa vullnetin e tyre, nga tipa si këta dy me të cilët jetojmë dita-ditës. Krijesa e Oppenhaimerit do vazhdojë të mbetet kërcënimi më i madh real mbi kokën e njerëzimit edhe për shumë shekuj ndoshta derisa makina që mendon e Turingut është e pranishme në çdo aspekt të jetës sonë dhe, për fat të keq, është duke shkuar drejt krijimit të « njeriut të ri », me mendje mbinjerëzore por pa ndjesi.

*Këtë kritikë e kam shkruar si klient i sjellshëm i artit të mirëfilltë dhe si ithtar i vakive historike që na sqarojnë veten tonë. Jam i vetëdijshëm që nuk i ndjek rregullat e kritikës së filmit por unë nuk jam kineast. Paralelen në mes dy filmave e kam tërheq ditën kur e kam shiku Oppenheimer në kinema. Atë ditë e kam shkru këtë tekst dhe sot e kam korrigju për postim. / KultPlus.com

Presidentja Osmani nesër në Akademinë Përkujtimore për Ibrahim Rugovën

Në orën 09:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të bëjë homazhe te varri i ish-presidenti Ibrahim Rugova, në 18 vjetorin e vdekjes, në lagjen “Velani” të Prishtinës.

Ndërkaq, si njofton Presidenca, në orën 11:00, Osmani merr pjesë dhe mban fjalim në Akademinë Përkujtimore në 18 vjetorin e vdekjes së Rugovës në Teatrin e Qytetit në Gjilan. / KultPlus.com

Turizmi ndërkombëtar pritet të rimëkëmbet plotësisht në 2024

Turizmi ndërkombëtar pritet të kthehet në nivelet e tij para pandemisë këtë vit, pas shifrave të forta të vitit 2023, njoftoi sot Organizata Botërore e Turizmit.

“Pritet që rritja e lidhjeve ajrore dhe rimëkëmbja më e fortë e tregjeve dhe destinacioneve aziatike të mbështesin rimëkëmbjen e plotë deri në fund të vitit 2024”, tha agjencia e OKB-së në Barometrin e parë Botëror të Turizmit të këtij viti.

Turizmi ndërkombëtar në vitin 2023 arriti 88 për qind të nivelit të tij para pandemisë me 1,3 miliard turistë, vuri në dukje agjencia.

Lindja e Mesme i parapriu rimëkëmbjes, duke u shfaqur si rajoni i vetëm që kapërcen nivelet para virusit me 22 për qind turistë ma shumë se në 2019.

Rajoni më i vizituar në botë, Evropa, ka arritur 94 për qind të niveleve para pandemisë, falë kërkesës ndërrajonale dhe udhëtimeve nga SHBA-ja.

Afrika dhe Amerika u rimëkëmbën me 96 për qind të vizitorëve para pandemisë, ndërsa Azia dhe Paqësori arritën 65 për qind të niveleve të vitit 2019 pas rihapjes së disa tregjeve dhe destinacioneve.

Të ardhurat nga turizmi ndërkombëtar arritën në 1,4 trilion dollarë në vitin 2023, 7 për qind më pak nga 1,5 trilion sa ishin në 2019, sipas vlerësimeve paraprake nga agjencia.

Të ardhurat totale të eksportit nga turizmi (përfshirë transportin e pasagjerëve) janë parashikuar në 1,6 trilion dollarë në 2023, gati 95 për qind e 1,7 trilion dollarëve nga 2019.

Vlerësimet paraprake treguan se kontributi ekonomik i turizmit ishte 3,3 trilion dollarë në vitin 2023, ose 3 për qind e prodhimit të brendshëm bruto global. / KultPlus.com

“Katrori magjik”, poezia që Ali Podrimja ia kushtoi Adem Demaçit

Poezi nga Ali Podrimja

Katrori magjik
(Adem Demaçit)

Tani gjendesh
brenda katrorit magjik
dhe kërkon Kosovën në hartën e vezullimeve
Jugu e Lindja Veriu e Perëndimi
katër kapakë të mbyllur
të një ëndrre
Tej grilave përcjell fluturimin e dallëndysheve se besimi
drejtpeshimi i lirisë
Ciatje gjarpërinjsh rreth gishtit të ngritur nga Zoti
Dhe pika e gjakut vizaton Diellin
Katrori magjik
është fatal
po qe se bie brenda tij
Në cilën anë do të zgjohet Kosova. / KultPlus.com

Shëtitje me kuaj në borë, Rama ndan pamjet nga Korça turistike

E konsideruar si Parisi i vogël i Shqipërisë, Korça ofron destinacione tërheqëse për vizitorët edhe përtej zonës urbane, me fshatrat karakteristike që nxisin turizmin alpin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamjet sa elegante, aq edhe dinamike, të shëtitjeve me kuaj që dhurojnë fshatrat Polenë dhe Lavdar në Korçë.

Polena ndodhet 9 km në perëndim të qytetit të Korçës, në të djathtë të rrugës Korçë – Ersekë.

Fshati qëndron si një ballkon natyral në këmbët e kodrave përmbi fushë, 850-900 m mbi nivelin e detit, duke u bërë atraksion turistik jo vetëm për kulinarinë e zonës dhe lakrorin tradicional, por edhe për natyrën tërheqëse për vizitorët.

Ndërsa fshati Lavdar ofron një tjetër tërheqje për vizitorët me Kishën e Shën Triadhës. / KultPlus.com

Punime mirëmbajtjeje në Parkun Arkeologjik Antigone në Gjirokastër

Parku Arkeologjik Antigone në Gjirokastër njohu këto ditë ndërhyrje mirëmbajtjeje ndërsa sezoni i dimrit shfrytëzohet nga punonjësit e DRTK për sistemimin e sajtit arkeologjik.

Prej disa ditësh specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër po punojnë për ngritjen e mureve, sistemimin e mjediseve rreth monumenteve në Agora dhe bllokun e banesave.

Parku arkeologjik Antigone, Andrianopol, është një ndër pikat më të vizituara nga turistët gjatë udhëtimeve të tyre në luginën e Drinos.

Antigonea është një nga qytetet antike më të mëdha të territorit të Shqipërisë dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik i Luginës së Drinosit.

Brenda mureve fortifikuese të shek. III, vendbanimi ka një sipërfaqe prej 45 ha, ndërsa territori i parkut arkeologjik është mbi 90 ha.

Emrin qyteti e ka marrë nga Antigona, gruaja e parë e mbretit Piro./atsh/ KultPlus.com

Universiteti Western Balkans vlerësohet me “Çmimin e Ekselencës” nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë

Universiteti Western Balkans është vlerësuar me “Çmimin e Ekselencës” nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në natën gala të ndarjes së çmimeve të “CCIT Awards” 2024, me motivacionin për modelin e ri që ky universitet ka sjellë në arsimin e lartë në Shqipëri, duke integruar teorinë me praktikën dhe duke i integruar studentët me tregun e punës që gjatë viteve të studimit.

Të ftuar në këtë event ishin përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, të bizneseve, akademikë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla i dorëzoi çmimin Presidentit të WBU Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se Universiteti Western Balkans po sjell përvojën më të mirë perëndimore në Shqipëri për të siguruar një arsim cilësor në vend dhe për pregatitjen e të rinjve për tregun global të punës.

Ky event ka si qëllim nderimin dhe vlerësimin e sipërmarrjeve për standardin, cilësinë pa kompromis, besueshmërinë dhe përgjegjshmërinë që ata kanë në treg./ KultPlus.com

‘Bie borë e trazon dhenë, zbardhet shtegtari saora’

Poezi nga Boris Pasternak

Bie borë, bie borë.
Yj’ të bardhë të fërfëllazës –
elbaroza pret në dorë –
tej parvazit të dritares.

Bie borë, gjithçka – përndezë,
gjithçka turret në flatrim: –
shkallinat e shkallës së zezë,
dhe kthesat në kryqëzim.

Bie borë, pa pushuar,
sikur bie jo flokë-flokë,
po mbi një mantel t’arrnuar
kup’ e qiellt zbret në tokë.

Kryeshkallës,që nga sheshi,
me një pamje çatrafili,
tinës, si në kukafshehti,
zbret nga papafingo qielli.

Sepse jeta – gjatë nuk pret.
Kërshëndellat – vrik, një timtë.
Intervali – grimë e shpejtë:
Viti i Ri – beh sa hap sytë.

Bie dendur, mizëri.
N’ato gjurmë, në një hap,
me at’ temp, at’ përtaci
apo me at’ shpejtësi,
Koha nget e ikën vrap?

Një nga një vitet, ndoshta,
shtrohen siç bie dëbora,
a si fjalët në poemë?
Bora bie, bie bora,

bie borë e trazon dhenë:
zbardhet shtegtari saora,
gand habi janë bimë e pemë,
kthesat kryqëzimesh flenë.

Përktheu: Agron Tufa / KultPlus.com

Në vend të përshëndetjes

Poezi nga Azem Shkreli 

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.

Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.

Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.

Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.
Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.

Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur./ KultPlus.com

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me mbi 787 mijë turistë në vitin 2023

I cilësuar si një nga parqet Kombëtare më të vizituara për turizmin natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë, (birdwhatching) Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në destinacionin e mijëra turistëve vendas e të huaj.

Drejtori i Administratës Rajonale Zonave të Mbrojtura Qarku Fier, Fotjon Prençe tha për ATSH-në se “nga janari deri në dhjetor të 2023 u vizitua nga 787 510 turistë, nga të cilët 603 920 vendas dhe 183 590 të huaj”.

“Vizitorët vendas e të huaj kanë treguar një interes të lartë për vëzhgimin e shpendëve në park, i cili është i mbrojtur më së miri nga moratoriumi i gjuetisë. Një nga vëzhgimet më interesante është edhe fluturimi i flamingove, mbi lagunën e Karavastasë këte vit ka patur një koloni prej 4600 individësh”, theksoi Prence.

Prence tha se “gjatë fundjavës që lamë pas në park u zhvillua edhe Censi i Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues në të gjitha ligatinat ujore të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, ku parku është ligatina më e madhe në vendin tonë dhe me numrin dhe llojet me të shumtë”.

“Gjithashtu gjatë vizitës në park mund të zhvillosh disa lloje aktivitetesh përveçse të njihesh me informacionin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta në Qendrën e Vizitorëve si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve,  piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare, vëzhgim bimësh endemike, subendemike”, shtoi ai.

Në park janë evidentuar rreth 25 lloje gjitarësh, rreth 29 lloje zvarranikesh dhe amfibesh (duke përfshirë edhe breshkën e detit ) si dhe rreth 264 lloje shpendësh. Gjithashtu flora përbëhet nga rreth 250 lloje bimësh. Qendra e parkut ndodhet pranë plazhit të Divjakës, afërsisht 1.2 km në jugperëndim të hyrjes së parkut.

Plazhi i Divjakës është një rrip prej rëre të bardhë që kufizohet me një pyll pishash mesdhetare dhe përbën një destinacion të kërkuar plazhi për mijëra turistë./atsh/KultPlus.com

30 vite më parë vdiq aktorja Audrey Hepburn

Audrey Hepburn (4 maj 1929  – 20 janar 1993 ), ishte aktore e filmit dhe e teatrit e shpërblyer me Oscar. Ajo ishte gjithashtu e njohur si një ikonë mode, modele, kërcimtare dhe humanitare.

E lindur si Audrey Kathleen Ruston në Belgjikë dhe ishte fëmija i vetëm i Josepha Anthonya Rustona, bankier irlandez, dhe i baroneshës Elle van Heemstra, anëtare e aristokracisë holandeze ku paraardhësit ishin mbretër francez dhe mbretër anglez. Ajo e kaloi fëmijërinë e saj midis Belgjikës, Anglisë dhe Hollandës.

Hepburn i kushtoi një kujdes të vecantë shtresave në nevojë, kryesisht fëmijëve. Deri në fund të jetës së saj, ajo iu përkushtua punës së saj vullnetare në UNICEF, ku u njoh edhe si ambasadore e vullnetit të mirë.

Ishte po ashtu fituese e Çmimit Academy Award, më 1953.

Disa nga filmat në të cilët mori pjesë janë: Monte Carlo Baby, Laughter in Paradise, One Wild Oat, The Lavender Hill Mob, Young Wives’ Tale, The Secret People, We Will Go to Monte Carlo, Roman holiday, Sabrina, War and peace, Love in the Afternoon, Green Mansions, The Nun’s Story, The Unforgiven, Breakfast at Tiffany’s, The Children’s Hour, Charade, Paris, When It Sizzles, My Fair Lady, How to Steal a Million, Two for the Road, Wait Until Dark, Robin i Marian, Bloodline, They All Laughed, Love Among Thieves (TV), Always etj.

Ajo vdiq më 20 janar 1993 në Zvicër./ KultPlus.com 

Japonia bëhet vendi i 5-të që arrin Hënën

Japonia u bë vendi i pestë që dërgoi një anije kozmike në Hënë. Sipas agjencisë japoneze hapësinore JAXA, anija kozmike SLIM u ul dje rreth orës 17:20 në Hënë dhe komunikoi me dhomën e operacioneve, por panelet e saj diellore nuk po gjenerojnë energji, ndoshta sepse nuk janë në këndin e duhur.

Misioni kishte për qëllim të testonte një teknologji “precize” për mjetet e uljes dhe t’i jepte një shtysë të re programit hapësinor të Japonisë, i cili është përballur me shumë probleme vitet e fundit.

“SLIM punon vetëm me baterinë e vet dhe ne po i japim përparësi transferimit të të dhënave të tij në Tokë”, tha Hitoshi Kuninaka, kreu i JAXA, në një konferencë për shtyp.

Kjo anije, e mbiquajtur “snajperi hënor”, u përpoq të ulej brenda 100 metrave nga objektivi i saj, në vend të shumë kilometrave si anijet e tjera kozmike konvencionale. JAXA thotë se kjo teknologji do të jetë një mjet shumë i fuqishëm për eksplorimin e ardhshëm të poleve të Hënës, ku mund të ekzistojnë oksigjen dhe ujë. Megjithatë, do të duhet rreth një muaj për të verifikuar nëse SLIM i ka arritur qëllimet e veta.

JAXA kërkon të luajë një rol më të madh në hapësirë, në bashkëpunim me SHBA-në dhe të mposht konkurencën e Kinës. Ndër të tjera, ajo planifikon të dërgojë një astronaut në Hënë si pjesë e programit Artemis të NASA-s në vitet e ardhshme.

Deri më sot, vetëm katër vende, ish-Bashkimi Sovjetik, SHBA, Kina dhe India kishin arritur të ulin me sukses një anije kozmike në Hënë.

‘Sa herë që më shfaqesh ti, në shpirt më zgjohen shqetësime’

Poezi nga Aleksander Pushkin

Përse moj hënë argjendore,
ti larg nga retë pa pushim,
përmbi kanatet e dritores,
vërshon të mëkurin shkëlqim?

Sa herë që më shfaqesh ti,
në shpirt më zgjohen shqetësime,
dhe brenga plot me dhembshuri,
dëshirë plot me flakërime.

Oh,ikni,ikni o kujtime!
o dashuri fatkeqe fli!
O,le të mos më shfaqet më,
te perdja e errët ne dritare,
nën dritën tënde argjendore,
fytyr’ e dashur si gjithnjë,
fytyr’ e embël engjëllore
e vashës që s’do ta shoh më.

O embëlsi e dashurisë,
plot ledhatime,plot me gaz,
plot me shkëlqim të lumturisë,
a mund të kthehesh rishmez pas?

I shpejtë porsi një vegim,
me ndrite ti në fluturim;
U zhdukën hijet krejt papritur,
se erdh agimi menjëherë,
dhe ti moj hënë e ndritur
në qiell u mbyte atëherë!
Agimi dritën pse shpërndau?
Nga vash’ e shtrenjtë pse me ndau?./KultPlus.com

Microsoft hakohet nga rusët

Një grup hakerash rus fitoi akses në sistemin e postës elektronike të korporatës së Microsoft dhe aksesoi llogaritë e drejtuesve të lartë, tha kompania të premten në mbrëmje.

Microsoft beson se grupi rus i sponsorizuar nga shteti rus Midnight Blizzard, i njohur gjithashtu si Nobelium, ishte përgjegjës për hakimin, shkruan DeutcheWelle në gjuhën angleze, transmeton Klankosova.tv.

“Deri më sot, nuk ka asnjë provë që aktori i kërcënimit të ketë pasur akses në mjediset e klientëve, sistemet e prodhimit, kodin burimor ose sistemet e AI. Ne do t’i njoftojmë klientët nëse kërkohet ndonjë veprim”, tha Qendra e Përgjigjes së Sigurisë së Microsoft.

Sulmi filloi në nëntor të vitit të kaluar, me hakerat që bombarduan një llogari të veçantë “të trashëguar” (me gjasë të vjetruar) me fjalëkalime të mundshme.

Kompania tha se hakerët mund të shikonin dhe shkarkonin disa email dhe dokumente të bashkangjitura.

Ekipi i sigurisë i Microsoft zbuloi sulmin e fundit më 12 janar, duke shkaktuar mbrojtje që bllokoi aksesin e mëtejshëm nga hakerët./klankosova/KultPlus.com

Rikthehet pas 30 vitesh festivali i humorit në Shkodër, marrin pjesë mbarë trojet shqiptare

Sezoni i aktiviteteve kulturore ka nisur ne Teatrin “Migjeni”. Drejtori Arian Çuliqi pasqyroi disa nga prioritetet, ku risi është organizimi i festivalit mbarëkombëtar të humori, që për Shkodrën është rikthim pas 30 vitesh.

Pas 30 vitesh në teatrin Migjeni të Shkodrës do të organizohet festivali mbarëkombëtar i humorit. Gjatë një komunikimi me mediat, drejtori i teatrit Arjan Çuliqi tha se aktiviteti do të organizohet në muajin Maj.

“Festivali do të mbahet përgjatë 5 ditëve në muajin Maj. Do të ketë disa grupmosha që do të konkurrojnë në disa zhanre të humorit, si stand up komedi, parodi, skeçe. Do të marrin pjesë aktore nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi përpos qyteteve tona të Shqipërisë”, tha Arjan Çuliqi

Çuliqi shprehet se synon të organizojë për këtë festival një trupë të zgjedhur të ndërthurur mes brezit të vjetër me atë të ri.

“Synimi im është të formohet trupa e varietese me talentet e reja që shumë shpejt do të jenë e ardhmja e humorit në vend”, theksoi drejtori i teatrit.

Ndërsa kalendari i aktiviteteve të teatrit Migjeni për vitin 2024 starton me shfaqjet për fëmijë dhe festivalin e të rinjve./Shqiptarja.com/KultPlus.com

Prishtina për herë të 11-të fiton Superkupën e Kosovës

Prishtina ka fituar Superkupën e Kosovës për edicionin 2023-2024, pasi në finale mposhti Ballkanin me rezultat 2-1.

Fillimisht në epërsi kaluan kryeqytetasit me anë të Egzon Sinanit, në minutën e 9’ të takimit. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, pasi më nuk u tundën portat.

Me të filluar pjesa e dytë, prishtinasit e shënuan edhe golin e dytë me anë të Leotrim Kryeziut, në minutën e 46’.

Suharekasit u munduan të kthehen në lojë me anë të Krenar Dulajt, i cili ngushtoi epërsinë në minutën e 79’.

Prishtina e fiton Superkupën e Kosovës për herë të 11-të në histori të klubit.

Për Prishtinën ky ishte trofeu i 30-të në histori nga mëvetësimi i futbollit kosovar në vitin 1991.

Kryeqytetasit kanë fituar 11 tituj të kampionit, 8 Kupa të Republikës dhe 11 Superkupa./Klankosova./KultPlus.com

Pashk Gjeçi, përkthyesi i veprave klasike

Pashk Gjeçi ka qenë poet, publicist, kritik, arsimtar dhe përkthyes shqiptar. U shqua për përkthimet e veprave të autorëve klasikë, si Komedinë Hyjnore të Dantes, Odisenë e Homerit, pjesën e parë të Faustit të Gëtes si dhe Andromakën e Atalinë e Rasinit.

U lind në mëhallën Arra e Madhe në gjirin e një familjeje tregtarësh të vegjël, i biri i Gasprit dhe i Nines (Antonjetës). Pas vdekjes së të atit, Pashku mbeti me të ëmën dhe dy motrat, Nikoletën dhe Margaritën. Pas mbarimit të shkollimit fillor, nisi Kolegjin Saverian gjatë viteve 1930-34.

Me ligjin Ivanaj, shkollat fetare u mbyllën dhe nxënësit kaluan në gjimnazin shtetëror të Shkodrës, 1934-’38. Kishte në klasë nxënës si Arshi Pipa, Lazër Radi, Xhemal Broja, Kolë Ashta dhe në bankë qe me Qemal Stafën – disa prej të cilëve i njihte që nga kolegji i jezuitëve.

Nga mësuesit çmonte më shumë Çabejn dhe Pashko Gecin, ky i fundit i jepte mësim greqishten e lashtë dhe latinishten. Gjatë gjimnazit nisi të sprovohej edhe në përkthime, duke filluar me poezitë e Dantes, Petrarkës, Leopardit; por edhe shkruante vetë, krijimet dhe përkthimet e veta i botonte tek “Cirka” me pseudonimin Surgens.

Në sajë të rezultateve në gjimnaz, ministria e Arsimit i akordoi një gjysëm burse, përmes së cilës nisi Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë më 1938, ku do të gjendeshin edhe miqtë e gjimnazit L. Ljarja, Ashta dhe Radi. Vazhdoi përkthimet, poezitë dhe kritikat, të cilat botoheshin në Shqipëri tek të përkohshmet “Cirka”, “Shkëndija”, “Hylli i Dritës” (ku iu botua edhe një shkrim për Lahutën e Malcís). Më 15 korrik 1942 u diplomua në atë fakultet me rezultate të shkëlqyera, me tezë diplome “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”. I grishur për të punuar asistent-pedagog Gjeçi nuk pranon dhe i nxitur nga Koliqi për të dhënë kontributin e vet në atdhe, u kthye po atë vit.

Ministria e Arsimit e asaj kohe e caktoi në Shkollën e Mesme Femnore në Shkodër, si profesor të letërsisë dhe latinishtes, duke mos i ndërprerë përkthimet që ia niste “Shkëndijës”. Pas Çlirimit u transferua në Durrës, ku mori edhe familjen, dhe nisi të jepte mësim në shkollën e qytetit. Zuri shoqëri me Jusuf Vrionin, dhe ishte zgjedhur të kryente funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për degën e Durrësit.

Më 4 shtator 1947 u ndalua me akuzën “Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit” dhe u dënua me pesë vjet heqje lirie, ky dënim vinte si lehtësim për shkak të deponimeve. Dënimin e kaloi në Durrës, Vloçisht dhe në kënetën e Maliqit gjatë verës – i përmendur nga Ejëll Çoba që s’e linin të punonte ngase qe shumë i hajthëm. U lirua më 1952, vit kur u vendos edhe njëherë familjarisht në Shkodër, ku për të jetuar nisi të bënte punë krahu. Më 1953-’54, TOB-i i kërkoi që të përkthente Traviatën e Giuseppe Verdit.

Më 1954-’58 u caktua si mësues në shkollën tetëvjeçare të Fushë-Krujës, kohë kur ia nisi përkthimit të Komedisë Hyjnore. Më 1959 nisi punë në gjimnazin “Qemal Stafa” në kryeqytet, si dhe me ndihmën e Siliqit iu botuan në revistën “Nëntori” fragmente të përkthyera nga Ferri i Komedisë, ndërkaq pas një viti Ferri u botua i plotë.

Prej bujës së përkthimit që i ishte bërë në gjuhën ruse nga Mikhail Lozinsky (Çmimi “Stalin”, 1946) dhe pragut të 700 vjetorit të lindjes së poetit italian, drejtori i shtëpisë botuese Nasho Jorgaqi pasi Noli nuk e kishte pranuar që ta merrte përsipër përkthimin e veprës, iu drejtua Gjeçit. Më 1962 Komedia Hyjnore u botua e plotë në gjuhën shqipe, me parathënie nga Siliqi, përkthim për të cilin iu dha një shpërblim prej 300 mijë lekësh të vjetra.

Më 1963 ia nisi përkthimit të Odisesë nga greqishtja e lashtë, duke pasë variantet italisht dhe frëngjisht të veprës, për ta bërë më të gjallë shpenzon gati krejt honoraret e Komedisë për të shkuar në Durrës të kundrojë detin.

Më 1964 u martua me Gjystina Kapedanin dhe së bashku u trashëguan me një vajzë, Antonjetën. Mirëpo kushtet e vështira e shtynë çiftin që të ndahej. Më 1965 vazhdoi si mësues në shkollën e natës në Kombinat si dhe në shkollën e gjuhëve të huaja, më pas e quajtur “Asim Vokshi”;1968-1972 dha gjuhë latine në Fakultetin e Mjeksisë. Ndërkohë, më 1969 Komedia botohet në Kosovë. Me ndërmjetësinë e mikut Mark Dema, martohet me Nezaqet Gaganin. Me heqjen e latinishtes nga programi mësimor më 1972, nisi punë si korrektor tek shtëpia e librit shkollor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 iu botua përkthimi i Odisesë me parathënie të Myzafer Xhaxhiut.

Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000′ përkthimet e klasikëve që kishte bërë u ribotuan, ndërsa disa përkthime të tjera që i kishin ngelur në dorëshkrim u botuan së pari, vepra si Fausti i Gëtes (pjesa e parë, 2008), Andromaka dhe Atalia e Rasinit (2010). Ndërroi jetë më 20 janar 2010 në apartamentin e tij tek Shallvaret, në Tiranë./KultPlus.com

Mary Weiss ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare

Mary Weiss, këngëtarja kryesore e grupit pop të viteve 1960 “The Shangri-Las”, ka vdekur në moshën 75-vjeçare, tha kompania e saj diskografike.

“Mary ishte një ikonë, një heroinë, si për të rinjtë ashtu edhe për të rejat e brezit tim dhe të të gjitha brezave”, tha në një deklaratë Miriam Linna, nga Norton Records, shkruan BBC.

Shangri-Las përbëheshin nga dy grupe motrash dhe u formuan në lagjen Queens të Nju Jorkut.

Hitet e tyre përfshinin “Remember” dhe këngën e tyre më të njohur, “Leader of the Pack”.

Grupi përbëhej nga Mary dhe Elizabeth “Betty” Weiss, dhe binjaket Marguerite dhe Mary Ann Ganser./klankosova/KultPlus.com