Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me mbi 787 mijë turistë në vitin 2023

I cilësuar si një nga parqet Kombëtare më të vizituara për turizmin natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë, (birdwhatching) Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në destinacionin e mijëra turistëve vendas e të huaj.

Drejtori i Administratës Rajonale Zonave të Mbrojtura Qarku Fier, Fotjon Prençe tha për ATSH-në se “nga janari deri në dhjetor të 2023 u vizitua nga 787 510 turistë, nga të cilët 603 920 vendas dhe 183 590 të huaj”.

“Vizitorët vendas e të huaj kanë treguar një interes të lartë për vëzhgimin e shpendëve në park, i cili është i mbrojtur më së miri nga moratoriumi i gjuetisë. Një nga vëzhgimet më interesante është edhe fluturimi i flamingove, mbi lagunën e Karavastasë këte vit ka patur një koloni prej 4600 individësh”, theksoi Prence.

Prence tha se “gjatë fundjavës që lamë pas në park u zhvillua edhe Censi i Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues në të gjitha ligatinat ujore të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, ku parku është ligatina më e madhe në vendin tonë dhe me numrin dhe llojet me të shumtë”.

“Gjithashtu gjatë vizitës në park mund të zhvillosh disa lloje aktivitetesh përveçse të njihesh me informacionin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta në Qendrën e Vizitorëve si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve,  piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare, vëzhgim bimësh endemike, subendemike”, shtoi ai.

Në park janë evidentuar rreth 25 lloje gjitarësh, rreth 29 lloje zvarranikesh dhe amfibesh (duke përfshirë edhe breshkën e detit ) si dhe rreth 264 lloje shpendësh. Gjithashtu flora përbëhet nga rreth 250 lloje bimësh. Qendra e parkut ndodhet pranë plazhit të Divjakës, afërsisht 1.2 km në jugperëndim të hyrjes së parkut.

Plazhi i Divjakës është një rrip prej rëre të bardhë që kufizohet me një pyll pishash mesdhetare dhe përbën një destinacion të kërkuar plazhi për mijëra turistë./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Divjakë-Karavasta pol i turizmit natyror, 186 mijë vizitorë vetëm në gusht

Divjakë-Karavasta, 90 km larg Tiranës, është një nga parqet natyrore më të vizituara nga turistët vendas e të huaj për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro duke e cilësuar një pol të turizmit natyror, tha se ” gjatë gushtit Divjakë-Karavasta ka pritur më shumë se 186 mijë vizitorë mes peizazheve të pyllit, lagunës, ngjyrave të shpendëve e duke mos u larguar pa provuar ushqimet e shijshme të zonës”.

Turistëve në këtë park iu ofrohet një guidë prej 5 km, ku ata njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut. Gjatë vizitës në park mund të zhvillosh disa lloje aktivitetesh përveçse të njihesh me informacionin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta në Qendrën e Vizitorëve si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve,  piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare”

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra.

Flamingot dhe shpendët e tjerë ujorë, që popullojnë lagunën e Divjakë-Karavastasë, kanë  tërhequr vëmendjen e medieve botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në këtë park./atsh/KultPlus.com