Kërcnimi

Poezi nga Azem Shkreli

Mbramë…
Ku thehen krahët e gëzimit
E diell’ i jetës tret mbas malit
Hijen tande e pashë
Ngadalë kah unë tue u matë.

Mbramë,
Në cakun e të gjitha caqeve
Ku fjala e kamba ngrihen,
Në përshpëritjen tande tinëzake
Heret, shumë heret e ndjeva
Emnin e vogël t’kurrkushit,
Edhe hijen time kah përpëlitet si gjet i vramë
E pashë ndër dhamb’ t’përgjakun…

Mbramë…

E tash
Shpeshherë po e ndjej
Shushuritjen e kambëve t’tua
Livadheve t’gjoksit tim,
Dhe e dij:
– Dikund…
– Ti po vjen
– Me hapa të mdhej sa vjeti.

‘Nëse e fiton Eleni Foureira Eurovisionin do ta organizojmë një spektakël në Qipro’

Nesër në mbrëmje do mbahet finalja e madhe e festivalit “Eurovision” që këtë vit mbahet në Lisbonë të Portugalisë. Edicioni i këtij viti është i veçantë për shqiptarët, pasi marrin pjesë tre këngëtarë shqiptarë që përfaqësojnë tre shtete të ndryshme.

Këngëtarja e lindur në Shqipëri që përfaqëson Qipron Eleni Foureira është kualifikuar për në finale dhe ministri qipriot i Financave Harris Georgiades ka thënë se nëse Qipro fiton Eurovision ai do të ‘hapë’ arkën e shtetit.
Deklarata e ministrit qipriot ka ardhur pas debateve të qipriotëve se nëse fitojnë Evrovizionin vendi nuk do e përballojë koston e organizmit të këtij evenimenti vitin tjetër.

Kompanitë e basteve parashikojnë 31-vjeçaren shqiptare, Eleni Foureira si pretendente për të fituar Eurovision 2018. Ministri qipriot tha se vajza e tij 10-vjecare është fanse e këngëtares që përfaqëson Qipron.

“Unë shpresoj që të kemi sukses. Sa i përket shqetësimeve, doja të thoja se pjesa financiare nuk është problem. Nëse ne fitojmë, do hapim kasafortën dhe kjo nuk është diçka që unë e them shpesh. Siç kanë bërë shtetet e tjera me organizimin do të bëjmë edhe ne”- ka thënë ministri Harris Georgiades.

Azerbajxhani mban vendin e parë për më shumë shpenzime në organizimin e Eurovision në vitin 2012 ku u shpenzuan 54 milion euro për ndërtimin e Sallës së Kristaltë. Festivalin e ndjekin rreth 180 milion shikues nga e gjithë bota dhe përfitimet për vendin që e organizon janë të mëdha, pasi përveç promovimit të shtetit ka një numër të madh turistësh që e vizitojnë. / KultPlus.com

‘HANA’ i regjisorit Ujkan Hysaj mbështetet nga Agjensia Maqedonase e Filmit

Agjensia Maqedonase e Filmit sapo ka publikuar rezultatet e projekteve filmike fituese të konkursit të tyre të fundit ku projekti filmik HANA i regjisorit Ujkan Hysaj është njëri ndër ta.

HANA me skenar nga Fadil Hysaj dhe producent Kushtrim Koliqi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2017 dhe për temë ka Sarën, një aktore e dhunuar gjatë luftës në Kosovë e që bëhet protagoniste e një filmi të huaj që ka për temë dhunimin. Ndërsa përjeton të njëjtat situata, më në fund arrin të lirojë veten nga trauma e saj.

Ky është i katërti projekt filmik nga Kosova që mbrenda një viti gjejnë mbështetjen nga Maqedonia. / KultPlus.com

Nesër në Prishtinë promovohet ‘Shënime nga bodrumi’ e Dostojevskit

“Shënime nga bodrumi” asht i pari botim nga veprat e Dostojevskit që ka përkthye Nazim Saiti (1941 – 2001). E mbajtun si vepra e parë me të cilën identifikohet ekzistencializmi, asht një evokim i autenticitetit të njeriut që mundet me eksplorue përmbrendësisht t’kenit njeri qoftë edhe në amulli.

Vepra do të promovohet nesër në Soma Book Station, 12 maj, prej orës 16:30.

Përkthimi i kësaj vepre asht ba në kushte edhe ma të skajshme nga ç’kuptohet me amulli: përkthyesi e ka tejbartë nga rusishtja në standardin me bazë gegnishten gjatë kohës që vuente dënimin në Burgun e Burrelit, më 1978.
Prezantimin do ta bajnë Sait Saiti, i biri i përkthyesit, me një sprovë trajtuese të përkthimit në kushtet e një regjimi totalitar – dhe posaçërisht në realitetin e regjimit komunist në Shqipni, tuj përshkrue elemente nga elementët biografikë të përkthyesit dhe qasjet e tij mbi gjuhën.

Përkimi se si Dostojevski “u çmend” prej burgimit dhe ky përkthim vjen po në po atë mënyrë të çmendun, ma shumë se ironik asht diktues i njëfarë fatum-i a kismeti… për të cilin ju ftojmë për një orë në Soma Book Station. / KultPlus.com

Po vdes nanë, sot po vdes

Meti Fidani, kushtuar Marie Tuçit.

Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kanë futur, në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kanë mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n’ thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kanë ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kanë mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku

as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista

Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orrosh, e as Ndërfush
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nan, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes.

(Një e burgosur, e cila ndau qelinë me Marijen dëshmon se nuk kishin ndërresa dhe vetëm një herë të afërmit e Maries u lejuan të sjellin rroba për të, dhe këto ajo i ndau me shoqen e saj.
Një tjetër dëshmitare e asaj kohe, e cila ndau dy muaj të dënimit me të, shprehej se e vetmja mënyrë per tu ngrohur në qeli ishte përqafimi me njëra-tjetrën)

Thatësira

Dritëro Agolli

Të bjerë një shi,
Një shi i madh i paparë,
Të na lajë të gjithëve
Në asfalt, a në arë.

S’e durojmë vapën me miza
Dhe erën e djersës sonë
Të zbritur nga qafa tek kërthiza
Kur dergjemi në dhomë.

Përvëluar prej diellit
Zogjtë cicërojnë në plepat
Dhe lart drejt qiellit
I ngrenë përhumbur sqepat.

Të bjerë një shi…

2006

Magjia e folklorit dhe valleve evropiane vjen në Vlorë

Qyteti i Vlorës mirëpret edicionin e 10 -të “Aulona Inter Folk Festival”, i cili do të nis një festë tre ditore nga 12 maj deri më 14 maj.

Festivali do të zhvillohet në sheshin ”Lungomare”, Skelë dhe do të përfundojë me hapjen e sezonit turistik të vitit 2018.

Për tre mbrëmje qyteti i Vlorës do të jetë nën ritmin e traditës kulturore, me këngë dhe valle popullore nga vende si Shqipëria, Bullgaria, Italia, Letonia, Greqia, Sllovakia, Kina, Kosova.

Ky festival është një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut europian dhe botëror dhe një promovim fantastik i sezonit turistik në qytetin bregdetar.

Festivali organizohet nga Qendra Kulturore “Aulona” në Vlorë, me mbështetjen kryesore të Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Një grua e pjekur

RENACER HUMANO / Përktheu Klodeta Dibra

Nuk shtyp, prek lehtazi.
Nuk ngallmon, është ngasëse.
Nuk është e zgjuar, është e mençur.
Nuk miklon, dëften mprehtësisht udhën.
Nuk ka ngut, pret dekikën e duhur.
Nuk vepron, rrëshqet ngadalë.
Nuk fluturon, lëviz dallgë-dallgë.
Nuk merakoset për sasinë, pëlqen cilësinë.
Nuk shikon, vrojton.
Nuk çapitet, shkon e vjen.
Nuk mëton, thjesht pëlqen të shijojë.
Nuk gjykon, zbërthen.
Nuk ngushëllon, ndez zemrën.
Nuk kërkon, zgjon ndjesi.
Nuk robëron, jep lirì.
Nuk josh, magjeps.
Nuk është ngulmuese, është përzgjedhëse.
Nuk lëshon dritë, është e dritësuar.
Nuk pëlqen ta shohin, pëlqen të dëgjohet.
Nuk parashikon, rrok me mendje.
Nuk flet për seksin, ajo është një mjeshtre në artin e dashurisë.
Nuk është e butë, është e epshme.
Nuk urdhëron, udhërrëfen.
Nuk rilind, është në lulzim të pandërprerë.
E s’fundmi një Grua e pjekur është një e tërë e të gjitha bukurive të gjasshme
sepse është një Grua.

Fituesi i Eurosong 2017 e kritikon këngën e Izraelit këtë vit

Fituesi i Eurovizionit të kaluar, Salvador Sobral, e ka kritikuar këngën e Izraelit këtë vit në Eurovizion duke e quajtur atë të tmerrshme.

Këngëtarit portugez nuk i ka pëlqyer aspak kënga e Izraelit nga këngëtarja Netta dhe “vallëzimi i pulave”.
Netta dhe kënga TOY në fakt është favoritja e dytë për ta fituar nesër mbrëma Eurovizionin.
Në një intervistë për gazetën Publica ai është shprehu se nuk ka dëgjuar asnjë nga këngët garuese përveç të Portugalisë dhe të Izraelit, dhe këtë të fundit e ka quajtur të tmerrshme.

“Fatmirësisht këtë vit nuk kam nevojë që të dëgjojë këngët. Unë kam dëgjuar vetëm këngën e Portugalisë dhe të Izraelit dhe kjo pasi që YouTube më ka detyruar në një mënyrë duke menduar se do të më pëlqente mirëpo kur e kam klikuar kam dëgjuar një këngë të tmerrshme”, është shprehur ai.

Kënga e Izraelit është cilësuar si favorite nga disa sondazhe duke pasur prapa vetës këngën nga Qipro dhe Norvegjia.

Netta nga Izraeli nuk ka komentuar rreth këtij vlerësimi por veç ka dërguar mesazhe dashurie për të gjithë pjesëmarrësit në Eurovizion.
Këngëtari 28 vjeçar Salvador Sobral, do të rikthehet në Eurovizion të shtunën me 12 maj për të performuar në finale. Sobral ia solli fitoren e parë Portugalisë në Eurovizion në tërë historinë e festivalit. / KultPlus.com

Eugent Bushpepa, Ermal Meta dhe shqiponja në Eurovizion

Këngëtarët Ermal Meta dhe Eugent Bushpepa janë fotografuar gjatë festivalit Eurovizion duke bërë me duar shenjën e shqiponjës, simbolit kombëtar shqiptar.

Të dy këngëtarët nesër mbrëma do të ngjiten në Eurovizion për të kënduar për dy shtete, Shqipërinë dhe Italinë.
Ata duket se janë edhe miq të mirë pasi ka pasur fjalë të mira nga ana e të dyve për muzikën dhe stilin që ata kultivojnë.

Meta po bëhet një prej emrave më të njohur në muzikën italiane ndërsa Bushpepa ka marrë vëmendjen e duhur nga tërë kontinenti me zërin e tij të fuqishëm që këtë vit përfaqëson muzikën moderne shqipe në Eurovizion.

@ermalmetamusic A great and a humble artist #esc2018

A post shared by Eugent Bushpepa (@eugentbushpepa) on

Në Instagram, Bushpepa ka postuar fotografinë duke shkruar “Një artist i madh dhe i dashur” – për Ermal Metën.
Nesër mbrëma në finalen e Eurovizionit, Eugenti këndon i 12-ti me radhë ndërsa Ermal Meta do të këndojë i fundit, me numër 26. / KultPlus.com

Nuk e transmetoi performancën e Eugentit, televizioni kinez përjashtohet nga Eurovizioni

Me faktin se Kina nuk e ka transmetuar performancën e Shqipërisë dhe Irlandës në natën e parë të Eurovizionit, kanë pasur edhe ndëshkimet për Mango TV në Kinë.

Transmetuesi kinez natën e parë, me 8 maj, në gjysmëfinalen e parë të Eurovizionit nuk transmetoi performancën e Eugent Bushpepës shkaku i tatuazheve të tij, dhe performancën e këngëtarit irlandez shkaku se gjatë performancës paraqiten dy meshkuj në skenë, më të afërt dhe të relaksuar me njëri tjetrin.

Megjithatë, Mango TV është përjashtuar nga Unioni i Transmetuesve Evropianë dhe kësisoj nuk është më pjesë e familjes së Eurovizionit e nuk do të mundë ta transmetojë festivalin atje.

Mostransmetimi i këngës së Shqipërisë dhe Irlandës në gjysmëfinale është një shkelje e rëndë e rregullave, ka deklaruar EBU – Unioni i Transmetuesve Evropianë që përkujdeset për të drejtat televizive të Eurovizionit.

Në anën tjetër, të dyja këngët janë kualifikuar për në finalen e datës 12 maj. / KultPlus.com

Bebe Rexha thotë se është ngacmuar seksualisht nga producenti i Drake

Producenti i reperit Drake është duke u përballur me akuza për abuzime seksuale ndaj dy femrave, por atyre i është shtuar edhe këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha, e cila ka treguar historinë e saj me anë të postimeve në “Twitter”, transmeton tch.

Bebe ka treguar se producenti Detail e kishte ngacmuar atë seksualisht.

“Ai e provoi edhe me mua, kur isha në fillimet e mia, por dola me vrap nga studio e tij. Karma një Bushtër”, shkroi Bebe Rexha në Twitter.

Kur Eugent Bushpepa këndon këngën ‘Jakup Ferri’ (VIDEO)

Eugent Bushpepa po bën krenarë të gjithë shqiptarët me paraqitjet e tij në Eurovizionin e këtij viti.

Megjithatë, një zë i fuqishëm si Eugenti ka pasur edhe më herët fansat e tij shqiptarë.

Eugenti, i njohur për hitin “Maska e madhështisë”, në vitin 2016-të këndoi në Jalë të Shqipërisë këngën “Jakup Ferri” të cilën sonte po e sjellim për lexuesit tanë.

Bushpepa do të ngjitet në skenën e Eurovizionit këtë të shtune, me 12 maj, në finalen e Eurovizionit, me një këngë të fuqishme me titullin “Mall”.

Në ndërkohë ta kujtojmë faktin se Eugenti e ndezë çdo skenë dhe në secilën paraqitje është i zjarrtë. / KultPlus.com

T’kam e jam nânë!

Ernestina Gjergji Halili.

T’kam e jam nânë !
( Për nânën teme sojnike e nânat si ajo!)

Kam rrokë qillin, tuj prekë tokën,
tuj thânë: T’dù !
Kam ul’ zanin, tuj brrit’ n’ajri,
tuj t’thanë: M’fal !
M’ke fshi lodin, tuj m’njeh fajin,
tuj m’thânë: Mo(s) !
Je keshë n’mu, tuj kjâ n’mushkni,
tuj m’thânë: Ani !
Idhnù n’mù, nderù n’mù,
tuj m’thânë: Çikë !
Knâqë n’mù, g’zu n’mù,
tuj m’thânë: Nânë !
Je çikë e grue, je nânë e zot,
Tuj t’thânë:
Nânë, je tanë ç’ka kam !
Jam çikë e grue, nânë e zot,
tuj m’thânë: Bijë, t’kam nânë !

‘Termokiss’ thërret për klubet që i përkrah me nga 1 mijë euro

Qendra shoqërore “Termokiss” fton të gjithë të interesuarit që të aplikojnë në platformën “#JepiJetë Klubeve të Termokissit”, iniciativë kjo që përmbledhë një nga platformat kryesore që përbëjnë programin e Termokissit.

Klubet janë organizime prej 2 ose më shumë personave të cilët janë të interesuar t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të hapësirës edhe në bashkëpunim me komunitetin Termokiss. Klubet mund të dedikohen në çfarëdo fushe që nismëtarët e vetë e kanë pasion dhe vullnet t’i zhvillojnë, p.sh: muzikë, film, cirk, psikologji, edukim, ndërmarrësi, arte vizuele, sporte etj.

Katër idetë që vlerësohen nga komuniteti Termokiss si më të denjat, do të fitojnë përkrahje prej 1000 eurove për realizimin e ideve të tyre gjatë këtij viti.

Të martën me 15 maj në ora 18:00 zhvillohet takimi informativ ku komuniteti Termokiss shpjegon në detaj procesin e aplikimit dhe implementimit të kësaj platforme.

Për informata më të hollësishme rreth Klubeve të Termokissit, mund të konsultoheni në këtë vegëz.

Gjithashtu për informata shtesë mund ta kontaktoni Termokissin në [email protected].

Pastrohet Ura e Gurit në Prizren

Ditë më parë në Prizren si pasojë e zjarrit ishte dëmtuar Ura e Gurit. Ndërsa pas intervenimit të Komunës kjo urë është pastruar, shkruan KultPlus.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se pas dëmit të papërgjegjshëm nga djegia që i kishte ndodhur ditë më parë njërit prej objekteve më ikonike të qytetit, Urës së Gurit, komuna ka vazhduar me hapa për ta përmirësuar gjendjen.

“Harku i urës që ishte djegur tani është pastruar tërësisht, janë larguar të gjitha mbeturinat që ishin në të, janë larguar kabllot elektrike dhe është bërë izolimi i vendit. Gjithashtu janë larguar edhe grilat e hekurta dhe do t’i shtohet edhe ndriçimi. Ura e Gurit shumë shpejt do t’i kthehet pamjes që e meriton ta ketë”, thuhet në njoftimin e komunës.

Kujtojmë se duke marrë në konsideratë vlerat e mirëfillta të trashëgimisë, Ura e Gurit që nga viti 1948 është vënë në mbrojtje të shtetit. / KultPlus.com

Aktori Mensur Safqiu flet për shoqërimin në polici

Aktori Mensur Safqiu është arrestuar gjatë ditë së sotme për mospërfillje të urdhrave të policisë dhe për bllokim të një rruge njëkahëshe.

Ai është liruar në procedurë të rregullt ndërsa i janë shqiptuar dy fletëparaqitje, njëra për vozitje në rrugë njëkahore dhe tjetra për mosbindje ndaj policisë.

KALLXO.com ka kontaktuar aktorit për të sqaruar ngjarjen e cila dërgoi atë deri tek arrestimi.

Sipas tij, e gjitha filloi deri sa ishte duke udhëtuar me veturë për punë dhe ka hyrë gabimisht në një rrugë njëkahëshe.

“Ka ndodhë në rrugën e “Muhaxherëve”, kam hy në rrugë në njëkahje, ajo ka qenë rrugë dykahëshe dikur, se di çka më ka folë truri që jam hy edhe është blloku komunikacioni. Ishte mëngjes edhe njerëzit e revoltuar për punë edhe unë i revoltuar për punë të mia. Ai (duke thënë) unë kam të drejtë e unë ‘edhe unë kam të drejtë’. Ai ishte pak gjaknxehtë më provokojke edhe mu pastaj, erdhi policia e unë tu mendu që unë kam të drejtë edhe me policinë u silla pak keq edhe më morën deri në stacion. Shkova e dhashë deklaratën, tash jam në shtëpi”, shpjegon rastin aktori Safqiu.

I pyetur në lidhje me disa lëndë të lëngshme të dyshuara të cilat u gjetën në veturën e tij, Safiqu tha se kanë qenë shishe me ujë.

“Nuk ka, ato substanca të lëngshme janë kanë shishe të ujit, ata kanë të drejtë me dyshu çka të donë sepse e panë edhe ata që u silla pak keq”, tregoi Safqiu.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi në lidhje me arrestimin e njërit ndër tre aktorët kryesorë të grupit të njohur të humoristëve kosovarë “Stupcat”.

Në Galerinë Qahili vijnë besëtytnitë e grave shqiptare ndër vite

Alberina Haxhijaj

Gratë në Kosovë me vite besëtytnitë e tyre i kanë shfaqur përmes punimeve.

Vite më parë kur rrobat bëheshin nga gratë e familjes, Dielli dhe Hëna dhe elemente të tjera nuk mungonin në punët e tyre. Madje ato ngulnin këmbë që anëtarët e familjes të mbanin hajmalia, një dhëmb ujku apo një dhëmb qengji, diçka të kaltër, apo një gjarpër të punuar me rruza, e disa edhe fije të kashtës. Gjithë kjo pasi ato besonin që këto do i mbronin anëtarët e familjes të cilët i kishin për zemër.

Mirëpo të gjitha këto elemente jo vetëm që e bënin më të bukur punën e tyre, mirëpo edhe nxjerrnin në pah kulturën e vendit dhe besëtytnitë e popullatës.

Një kulturë që është përcjellë prej gjeneratës në gjeneratë, elemente të ndërlidhura me karakteristika pagane e që i kanë lënë çdo herë mbresa Nexhmi Bardhit, koleksionuesit të punimeve, u prezantuan sonte në një ekspozitë interesante në Galerinë Qahili në Prishtinë.

Qorapa, hajmalia, shami të kokës, dorëza, jelekë, qilima, shoka (kollana), byzylyk të dorës, qafore ishin vetëm disa nga punimet që u prezantuar në ekspozitën “Aura”, shkruan KultPlus.
Ekspozitë të cilën vetë Bardhi e quan ‘ekspozitë të gjysheve dhe nënave tona’, kjo pasi që sipas tij të gjithë mund të kujtojmë nënën apo gjyshet tona teksa kanë qepur punime të tilla apo na kanë treguar për fuqinë dhe mbrojtjen që të ofron dhëmbi i ujkut apo elementet tjera.

“Kjo ekspozitë është kryesisht ekspozitë e gjysheve tona. Është interesante, pasi është vetëm e grave çka do të thotë se historikisht gjyshet tona kanë qenë shtylla e shtëpisë. Këto janë eksponate të punuara me dorë dhe në kohën kur janë punuar nuk ka pasur mjek, rrobaqepës, pra të gjitha punët i kanë bërë nënat tona. Ndërsa kësaj here i kam paraqitur vetëm simbolet e shenjat, e që paraqesin një dashuri ekstreme të nënave ndaj fëmijëve të tyre”, tha Nexhmi Bardhi për KultPlus duke shtuar se këtu paraqiten vetëm 10% e eksponateve që ai posedon.

Karakteristika më e bukur që hulumtuesi ka gjetur është fakti se secila vajzë kur është bërë nuse ka mbajtur ngjyrën e kaltër.
“Ngjyrë e cila për ne është e para. Nuk ka nuse e cila nuk ka pasur një kalavesh të kaltër. Pastaj një karakteristikë tjetër është e që nuk besoj që e kanë të tjerët është edhe fakti se dy ekspozita i kanë bërë gratë e popullit tonë”, tha ai duke sqaruar se gratë shqiptare ekspozitën e parë e kanë pasur kur kanë ekspozuar punimet e tyre para martesës “paja” apo “çejzi” dhe pas martesës kur punëdoret e tyre i kanë ekspozuar në shtëpinë e burrit.
“Kur i shikoni këto eksponate e vëreni që ato ju takojnë krejt Kosovës. Gratë i kanë punuar me dorë dhe janë eksponate të përgjithshme e që më shumë ju takojnë viseve rurale”, sqaron Bardhi i cili tregon se këtë punë e ka trashëguar edhe vetë nga nëna e tij.

Një grua e fortë e cila ka jetuar 91 vite dhe që gjatë këtyre viteve dashurinë për këto punime e ka kultivuar edhe te biri i saj i cili më pas studioi për dizajn dhe punoi si profesor. “Në familjen time nuk ka pasur artist përveç nënës sime e cila me punën e saj për 91 vite ka qenë artiste”, theksonte me krenari ai.

Në anën tjetër me këtë ekspozitë shënohen edhe 5 vite punë që nga themelimi i Galerisë Qahili. Nita Qahili tregoi se kjo ka qenë një rrugë e gjatë mirëpo e cila ka përfunduar shumë shpejtë pasi prapa saj ka pasur rezultate dhe kujtime shumë të bukura.

“Para pesë viteve kemi qenë me stres. E kemi ditë çka po dojmë prej Galerisë, çka kemi me investuar në art mirëpo jo edhe sa ka me funksionu puna jonë. Për këto pesë vjet kemi pasur aktivitete të ndryshme artistike, kemi sjellë artistë ndërkombëtarë, kemi promovuar artistë të rinj, dhe shumë aktivitete të tjera”, tha ajo për KultPlus.
Ekspozita “AURA” do të qëndrojë e hapur në Galerinë Qahili deri më 16 maj. / KultPlus.com

Dramaturgu Jeton Neziraj, Evropiani i Vitit

Dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj është shpallur “Evropiani i Vitit” për 2018 -ën, si individi që ka promovuar idenë dhe vlerat evropiane më së miri në Kosovë.

Ky çmim iu nda nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, që ka krijuar tashmë traditë tre vjeçare për të nderuar përmes këtij çmimi individë apo institucione që promovojnë idenë evropiane në Kosovë. Këtë çmim Nezirajt ia ndau Majlinda Kelmendi që ishte e para që u nderua me këtë çmim para tre vitesh. Në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi u theksua nder tjerash se Kosova ka bërë progres të mirë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, porse ka ende shumë punë për të bërë, sidomos në sundimin e ligjit, transmeton kp.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se sot po shënojnë punën jashtëzakonisht të madhe që BE-ja po bënë në Kosovë. / KultPlus.com

Donart Rexhbogaj vjen me librin e parë me poezi

“NJI Z” quhet libri me poezi i krijuesit të ri, studentit të letërsisë, Donart Rexhbogaj.

Libri ka dalë nga shtypi më datë 7 maj 2018 nga shtëpia botuese “Rozafa”.

Libri përmban gjithsej 84 faqe, i ndarë në 4 cikle:
1. Fjala lindi fjalën
2. Gjetje
3. Udha
3. Nga arka e kujtesës

Përmbledhjen poetike “NJI Z” e mbizotëron dialekti gegë, po ashtu edhe gjuha standarde, të cilat janë të ndara varësisht prej cikleve.

Donart Rexhbogaj u lind në Pejë më 23 nëntor 1996. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Pejë. Është student i vitit të tretë në degën e Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka publikuar shkrime letrare në revista dhe gazeta të ndryshme.

Ky është libri i tij i parë me poezi. / KultPlus.com

Eleni Foureira ‘pushton’ toplistat e rreth 30 shteteve në Europë

Pas performancës së mbrëmshme në Eurovizion, këngëtarja Eleni Foureira ka pushtuar toplistat e disa shteteve në Evropë.

Përfaqësuese e Qipros në këtë Eurovizion – Festivalin e madh muzikor në Evropë, Eleni Foureira është numër 1 në toplistën zyrtare muzikore në Qipro.

Në Greqi ajo është në vendin e dytë, ndërsa në Estoni në vendin e pestë.
Kënga “Fuego” është momentalisht në vendin e nëntë në Suedi, në vendin e dhjetë në Spanjë, në vendin e 33-të në Izrael, në vendin e 35-të në Norvegji.

“Fuego” që u kualifikua për në finale e Eurovizionit me datë 12 maj, është edhe në toplistat e Portugalisë, Belgjikës, Francës, Austrisë, Irlandës, Finlandës, Anglisë.

Vlerësoje veten

Paulo Coelho

Vlerësoje veten për atë që je, sepse ti je dashuri
Nga ato dashuri që i kërkon në çdo gjë e në çdo vend.
Mirëprite atë që je, sepse ti je ai që kërkon të jesh
ai që do të jesh, ti je jeta që krijon jetën tënde.
Pranoje veten, dashuri e dashurisë tënde,
sepse ti je ai që ke gjithmonë nevojë të jesh.
Buzëqeshi dashurisë që dhuron
sepse ti je ajo lloj dashurie që kërkon në çdo vend,
paqe e shqisave të tua.

Ramë Lahaj me masterklasë në Prishtinë: Fillimisht muzika për mua ka qenë eksperiment

Gili Hoxhaj

Tenori i njohur Ramë Lahaj po qëndron këto ditë në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës. Ai sot u kthye përsëri në skenën ku performoi një natë më parë, kësaj here para një publiku që përbëhej kryesisht nga të rinj.

Lahaj erdhi për të ndarë një masterklasë me studentë të artit muzikor.

Para kësaj, ai ishte i hapur për të pranuar pyetje nga të pranishmit, që lidheshin kryesisht me eksperiencën e tij profesionale në skenat më të mëdha botërore. Nuk munguan as pyetjet për fillimet e rrugëtimit të tij dhe mungesën e mbështetjes. Ai tha se mungesa e mbështetjes në fillimet e tij është krejt e arsyeshme pasi që edhe për të muzika ka qenë fillimisht një eksperiment.

“Është krejt e logjikshme që s’kam pasur si të kem një mbështetje më të madhe pasi muzika për mua ka qenë një eksperiment që ka ardhë shumë vonë, shumica prej kolegëve dhe studentëve e dinë që unë kam filluar ta studioj pentagramin në një moshë shumë të vonë, në moshën 21 vjeçare dhe sigurisht që komentet s’kanë pasur si të jenë pozitive”, tregoi Lahaj.

Ai u shpreh se ajo që e pengon më së shumti është që në komunitetin muzikor artistik është krijuar një atmosferë jo shumë mbështetëse për njëri-tjetrin.

“Nëse do të mund ta kisha thënë që edhe të largohet ky mentaliteti i pedagogëve të vjetër që mendojnë se vetëm ata dinë dhe s’ka si të jetë ndryshe. Arti nuk është matematikë, ka shumë mundësi për të eksperimentuar dhe ka forma të reja të eksplorimit të artit”, u shpreh Lahaj sot gjatë ligjëratës në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
Të pranishmit ia rikujtuan edhe rëndësinë që ka ai për imazhin e Kosovës, që shpesh herë e ka dërguar emrin e Kosovës në vendet më të njohura të botës. Lidhur me këtë ai tha se ai nuk është as drita e parë e as e fundit e tunelit pasi që Kosova ka shumë ambasadorë të fushave të ndryshme në botë, për të cilët as që dihet.
“Kam pasur fatin të takoj njerëz të suksesshëm të fushave të ndryshme por sa jemi duke u dhënë ne hapësirë atyre që të na promovojnë sa më mirë, sa jemi duke i promovuar që ta dijmë kë ku e kemi dhe sa janë duke kontribuar”, u shpreh Lahaj sot.

Lahaj tha se ka mbajtur në mënyrë vullnetare trajnime në shkolla të mesme dhe në Universitet, në mënyrë që t’i ndihmojë talentët e rinj kosovarë, për të mos u larguar në tërësi nga Kosova dhe aktivitetet këtu.
“Kam ardhur me dëshirën që dy fjalë të mira të eksperiencës time do t’i ndihmojnë dikujt, kanë me i hapë një rrugë apo një vizion. Dëshira ime më e madhe në botë është që ta transmetoj këtë eksperiencë time”, tregoi tenori i njohur Ramë Lahaj.

Viteve të fundit ai ka performuar në shtete të kontinenteve të ndryshme por thotë se tek shqiptarët dhe në Ballkan, ekziston një veçanti që tek muzika funksionon perfekt.
“Tek shqiptarët dhe në përgjithësi në Ballkan ekziston një lloj nervi, një lloj temperamenti që tek muzika funksionon perfekt. Tek arti funksionon perfekt edhe tregimi njerëzor, mënyra se si je rritur, rrugëtimi yt. Besoj se pak shoqëri të tjera e gëzojnë këtë natyrë të funksionimit të dashurisë dhe lidhjet që i kemi”, tha Ramë Lahaj.
Rrugëtimi jetësor nuk ka qenë i mbushur me momente vetëm të mira, edhe tek Lahaj.
Ai tha se ka vetëm një teori, që të punohet shumë dhe që të mos dorëzohesh pasi çdo rrugëtim ka rënie dhe ngritje. Ai tha se ndryshe po ndodhë me gjeneratat e pasluftës.

Pas ligjëratës, Lahaj priti në skenë studentë të muzikës, të cilët i dëgjonte me kujdes, i përgëzonte, i ndalte, këndonte bashkë me ta dhe i sugjeronte me këshilla e me komente.

Tenori Ramë Lahaj po bën karrierë të bujshme muzikore jashtë Kosovës me paraqitjet e tij edhe krahas yllit të madh Placido Domingo. Ai ka qëndruar këto ditë në Kosovë me ftesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Qendra Kulturore dhe Informative e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Këtyre ditëve ai është dekoruar nga Presidenti – Hashim Thaçi. / KultPlus.com

Ben Blushi përkthehet në italisht dhe ftohet në Sallonin e Librit në Torino

Ben Blushi, një nga autorët më të njohur të letërsisë shqipe do të jetë një ndër të ftuarit e veçantë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, që do të mbahet nga datat 10-14 maj. Lajmi bëhet i ditur nga Botimet Mapo, që lajmërojnë daljen në gjuhën italiane të romanit “Otello Arapi i Vlorës”.

“Ka vetëm pak ditë që botimet Mimesis në Itali kanë nxjerrë në librari botimin italisht të romanit “Otello Arapi i Vlorës” nën përkthimin e Elda Katorri. Botimi i një romani përfaqësues të letërsisë bashkëkohore shqipe është një ngjarje për letrat shqipe, duke patur parasysh hapësirën që kultura dhe letërsia shqipe ka pasur në tregun e librit të vendit fqinj”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e botimeve UET PRESS/Mapo edition.

Në promovimin e librit në gjuhën italiane, në ambientet e Sallonit Ndërkombëtar të Librit priten të marrin pjesë personalitete të njohura të kulturës e njerëz të librit. Prezantimi i librit do të bëhet më 12 maj, ora 10.30 në sallën Internacionale.

“Histori shqiptare në Torino”, me këtë titull histori shqiptare do të rrëfehen në Torino dhe krijimtaria e autorëve të rinj. Autorët e rinj janë : Saimir Muzhaka, përfitues i Fondit të Krijimtarisë Letrare me romanin “Qyteti plak”, Eris Rusi, me vëllimin me tregime “Ëndrra e fundit e natës”, Manjola Nasi me vëllimin me poezi “Një udhëtim e gjysmë”, Elona Çuliq me vëllimin me poezi “Rranjët e kangës” dhe Belfjore Qose me vëllimin me poezi “Aurat e natës”.