Në fillim të majit vjen Festivali folklorik ‘Hasi jehon’

Me 3,4 dhe 5 maj mbahet edicioni i 29 i Festivalit folklorik “Hasi jehon”

Për 29 vjet me radhë fillim maji, në Gjonaj të Hasit, i mbledh organizmat folklorik të gjithë gjeografisë shqiptare, në festivalin “Hasi jehon”, për ta shndërruar këtë eveniment kulturor, në këto 29 vjet, njërin ndër festivalet me fanatikë në ruajtjen dhe kultivimin traditës shqiptare.

Një fragment i përditshmërisë së lashtësisë, dasma, festa, por edhe fragmentet e betejave të kapërcimit të shekujve vijnë në festivalin Hasi jehon, si këngë, si valle, si trashëgimi, të cilin e ruajmë ndër gjenerata si mision të shenjtë.

Edhe këtë vit me 3, 4 dhe 5 maj në Gjonaj të Hasit mbahet festivali “Hasi jehon”, edicioni i 29. Organizmat që kultivojnë folklorin burimor nga e gjithë gjeografia shqiptare edhe në këtë edicion, do të jenë pjesë e dasmës së madhe hasjane.

Haziz Hodaj, drejtor i festivalit “Hasi jehon” njofton se janë përzgjedhur Shoqëritë kulturo artistike nga e gjithë hapësira shqiptare.

“Janë seleksionuar dhe përzgjedhur ShKA-të grupet artistike dhe rapsodët nga gjithë hapësira shqiptare: nga Maqedina, pjesa shqiptare e Malit të zi, Shqipëria dhe sigurisht dominojnë grupet nga Kosova”, njofton Hodaj.

Organizatori i festivalit ShKA “Malësori” ka bërë të gjitha përgatitjet dhe çdo gjë është e gatshme për fillimin e festivalit.

“Është bërë gati programi, renditja e paraqitjes së organizmave pjesëmarrës, ndërsa siç është traditë e festivalit, hapjen dhe mbylljen e festivalit e bënë mikpritësi ShKA “Malësori”

Festivalit i prinë ekspozita e prodhimeve të bukës, kësaj zejeje, me të cilën hasjanë dallohen dhe veçohen jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë shtete.

E veçanta e festivalit Hasi jehon, përveç pjesëmarrjes së Shoqërive Kulturore Artistike, është numri i madh vizitorëve, në Kodrën e pajtimit, për tri ditë sa zgjatë festivali.

PROGRAMI I EDICIONIT TË 29 TË FESTIVALIT “HASI JEHON”

Dita e parë me 3 maj. Në orën 18 hapja solemne. Programet fillojnë në orën 18 e 30

1. ShKA “Malësori” – Gjonaj (hapja solemne)

2. Pallati I Kulturës “Pjetër Bogdani” – Krumë (Has)

3. ShKA “ Bajram Curri”- Krushë e madhe

4. ShKA “Zëri i LLapushës” – Carrallukë (Malishevë)

5. ShKA “Jonuz Ramadani” – Viti

6. ShKA “Bajram Shabani” – Kumanovë

7. AAF “Rugova” – Pejë

Dita e dytë, 4 maj. Programi fillon në orën 18 e 30

1. “ ShKA “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë

2. ShKA “Hajvalia” – Hajvali

3. Shka “Bilal Golemi” – Gjirokastër

4. ShKA “Tingujt e vendlindjes” – Stagovë ( Kaqanik)

5. ShKA “Anadrini” – Dejn (Rahovec)

6. ShKA “Shote Galica” – Drenas

7. Ansambli “Shqiponja” – Shkup

Dita e tretë, 5 maj. Programi fillon në orën 18 e 30

1. ShKA “Muharrem e Xhevat Qena” – Ramajë

2. ShKA “Rapsha” – Drumë (Tuz)

3. ShKA “Bresana” – Bresanë

4. ShKA “Lahuta e Malcisë” – Gjilan

5. AF “Mati” – Burel (Mat)

6. ShKA “Malësori” – Gjonaj (përmbyllje e festivalit)

Ornela Vorpsi boton romanin e ri në Francë

Ornela Vorpsi sapo ka nxjerrë në Francë romanin e saj më të ri me titull “Vera e Olta”, botuar nga shtëpia e njohur botuese “Gallimard”. Subjekti I këtij romani na çon në Shqipërinë e fund viteve 70-të ku një vajzë e re Olta do të tronditet nga zhdukja e papritur dhe e pashpjegueshme e babait të saj. Bashkë me të ëmën Veronikën ato do të përballen me ndjesitë e misterit të kësaj mungese. Veronika është një grua aq e bukur sa nuk ndjehet e sigurt për veten, e bën me mëndje skenarë të ndryshëm për të shkelur kurorën.

Ndërsa Olta është thjesht një vajzë e cila ëndërron lirinë. Ajo përpiqet ta mbajë veten larg dramës që I ka ndodhur dhe të jetë e buzëqeshur përpara të tjerëve, në një vend ku nderohet Kina komuniste… Libri është një kronikë e Shqipërisë para rënies së Murit treguar me sinqeritetin e një vajze e cila me sinqeritet zbulon një botë të rremë.

Duket që romani ka tone autobiografike, por për kritikën franceze Vorpsi është një shkrimtare e thellësive. Librat e Vorpsit janë përkthyer në tetëmbëdhjetë gjuhë dhe janë vlerësuar me shumë çmime të vyer: “Grinzane Cavour”, “Elio Vittorini”, “Premio Rappallo”, “Premio Viareggio”, “Premio Luco Mastronardi”, “Premio città di Tropea”, “Prix méditeranéen des lycéen”, etj. Ornela ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë për të kaluar më 1991 në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, në Milano të Italisë.

Më 1997, Vorpsi migroi në Paris për t’i përfunduar studimet e saj në Universitetin e Parisit VIII.Ajo është po ashtu fotografe e piktore. Ornela Vorpsi ka qenë vlerësuar si njëra prej 35 shkrimtarëve më të mirë evropianë, sipas antologjisë “Best European Fiction”, botuar nga Aleksandar Hemon në vitin 2010.

Ismail Kadare shkruan për një pasdite në Zyrih…

Ismail Kadare

Në fletoret e mia kam shënimet për një pasdite në Zyrih. Madje, edhe titulli ashtu është “Një pasdite në Zyrih”.

Ngjante me një refleks të zbehtë të një pasditeje tjetër. Në të vërtetë, kisha qenë në Zyrih dhe atë pasdite e mbaja mend mirë. Çdo ditë që mbahet mend ka një çast kur kapet kujtesa si me kanxhë. Në Zyrih ai çast ishte kur gidi që më shoqëronte, duke më treguar një shtëpi, më tha: Këtu ka jetuar Gëte. Zot, sikur ta dija, thashë me vete. Ishte e treta shtëpi që më qëllonte të shihja, që kishte lidhje me Gëten, dhe ato, jo vetëm ngjanin me njëra-tjetrën, por në fasadën e tyre kishin diçka që të kujtonin fytyrën e Gëtes, pas moshës shtatëdhjetëvjeçare. Ishte shtëpi ku mund të mendoje se kishte jetuar një shkrimtar i mesëm, por kurrsesi Gëte, gjë që të krijonte një bezdi brenda teje.

Shtëpia ndodhej në Zyrihun e vjetër, jo larg hotelit “Helmhaus”, ku kisha zënë vend. Por shestimi për Gëten do të ishte gjithsesi i paqetë, ngaqë fare pranë gjendej ndërtesa ku dadaistët gjermanë kishin shpallur artin e tyre dhe pak më tej shtëpia ku kishte banuar Lenini, për të cilën dy dadaistë të mbetur gjallë ende, botonin kujtimet e tyre, të dy në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe, me sa dukej, të rrejshme. (Njëri thoshte se Lenini vinte shpesh në mbrëmjet e tyre të zhurmshme për të shfaqur entuziazmin e tij për dadanë, kurse tjetri ngulte këmbë se Lenini, jo vetëm s’shkelte kurrë atje, por i mërzitur prej zallahisë i kishte telefonuar policisë të ndërhynte për të ndërprerë orgjinë.)

Vite më pas këtu duhej të qe vërtitur Aleksandër Solzhenicini, i cili shumë herë duhej ta kishte vështruar me urrejtje tabelën gjermanisht: “Këtu ka jetuar shefi i komunistëve rusë Uljanov Lenini”, ngaqë, me siguri, i qe dukur se pikërisht atje kishte nisur fatkeqësia e tij. Së fundi, si për të plotësuar tablonë, aty pranë ishte një kafene, ku Xhojsit i pëlqente të pinte verë të bardhë dhe ti, pasi e dëgjoje këtë, ishte e natyrshme që të thoshe me vete: si është e mundur që në një vend kaq të ngushtë të ishin përplasur njerëz kaq të kundërt.

Nuk e di pse, por m’u duk se për të qetësuar atë dendësi të pazakontë në tru, më tepër se largimi nga kjo hapësirë, do të ishte takimi me një shkrimtar të gjallë.

A do të shkojmë, siç më premtuat, te Max Frishi? i thashë gidit.

Ai buzëqeshi me aq djallëzi, sa ç’është në gjendje të ketë fytyra e një gidi zviceran dhe, aty për aty, tha: ne jemi ndërkaq dy hapa larg Max Frishit.

I ramë disa herë ziles së shtëpisë së Frishit dhe një fqinjë na tha se shkrimtari, me siguri, do të kishte dalë të blinte qumështin, gjë që ishte i detyruar ta bënte vetë pas ndarjes me gruan, eh, në moshën shtatëdhjetëvjeçare, për perëndi, s’ishte lehtë.

Ndërsa largoheshim, ndjeva lodhje dhe mërzi. Kisha vënë re se ndodhte shpesh të dëgjoja fjalë të hidhura, për të cilat thosha më pas: ku dreqin i dëgjova! Ose, ku e ktheva kokën për ta parë atë shëmti. Dhe gjithmonë mendoja: si nuk isha larguar edhe pak, ose si nuk kishte erë që të mos dëgjoja, ose të ishte natë, që të mos shihja. Por ndërkaq ajo s’ndreqet më dhe ti je i detyruar të tretësh brenda teje shijen e hidhur. A nuk mjaftonte që fqinja të na thoshte se Max Frishi mungonte, dhe ç’ishte e nevojshme të na sqaronte se ndoshta kishte dalë për të blerë qumësht, dhe aq më tepër të shtonte fjalët e tjera për ndarjen nga gruaja?

E ndieja se isha nervoz, herë me të tjerët, po më shumë me veten time. Ndoshta isha unë vetë që e krijoja këtë trazim. Ishte mendja ime ballkanase, së cilës i dukej ndoshta e padenjë që shkrimtari më i shquar i Zvicrës të dilte të blinte qumësht, pasi qe ndarë nga gruaja. E ç’dashke ti, i shfryja vetes, të rrëmbeje hanxharin, apo të ulërije për gabime ideologjike në ndonjë plenum?

Kisha vënë re se nervozohesha përherë kur dikush më prishte atë lloj magjepsjeje që mendja ime krijonte për gjërat. Ja tani po ecnim drejt hotelit “Helmhaus”, emrin e të cilit, duke u nisur nga shqipja, më pëlqente ta mendoja si “Shtëpia e Helmit”, dhe ndonëse e dija se s’mund të ishte ashtu, vazhdoja ta mendoja si një hotel ku mund të të helmonin. E kisha ruajtur me aq xhelozi atë përfytyrim, saqë, me gjithë kureshtjen, nuk e kisha pyetur asnjëherë gidin se ç’do të thoshte ky emër “Helmhaus”.

Mirëpo, atë pasdite zhgënjyese, pikërisht kur unë kisha nevojë për pak riparim, për pak suvatim magjepsës mbi zhveshjen e ftohtë, pra shi atëherë kur s’duhej, pa kurrfarë shtyse, duke hyrë në holl, gidi më tha: e dini se ç’kuptim ka emri i hotelit tuaj?Ishte aq e papritur ndërhyrja e tij, saqë nuk arrita t’i thosha “mos!”, se ndërkaq shpjegimi shfarosës ishte bërë: “Helmhaus” do të thoshte gjermanisht Shtëpia e Helmetës. “Ç’keni kështu? Mos nuk e ndieni veten mirë?”

Fahri Musliu i propozon RTK-së ta transmetojë serinë me Bekim Fehmiun

Gazetari Fahri Musliu i ka propozuar Bordit të RTK-së ta transmetojë serinë ‘Odisea’ ku luan edhe aktori shqiptar Bekim Fehmiu.

Me anë të rrjetit social Facebook ai ka shprehur dëshirën që seria e njohur e viteve 70-të e cila u transmetua në RAI-n italian të fillojë së transmetuari edhe në Kosovë.

Kjo është kërkesa e tij ndaj Bordit të Televizionit Publik të Kosovës:

PROPOZIM BORDIT TË RTK, QË TA SHFAQ SERINË TV “ODISEA”, ME AKTOR BEKIM FEHMIUN

Me qenë se këto ditë, Stafi drejtues i RTK, në praninë e anëtarëve të Komisionit për Mediat të Kuvendit të Kosovës, ka nënshkruar një Marrëveshje bashkëpunimi me Radio-Televizionin Italian RAI, propozoj që mediumi publik i Kosovës ta shfrytëzojë këtë bashkëpunim dhe të kërkoj nga RAI, që t’ia jap në shfrytëzim serinë më të mirë televizive të të gjitha kohëve ODISEA, ku rolin kryesor e luan aktori i mirënjohur shqiptar nga Kosova, BEKIM FEHMIU.

Seria është produksion i RAI UNO i xhiruar në vitin e largët 1968, kurse në fillim të vitit 1970, Televizioni i Beogradit i ka shfaqur të tetë epizodat për publikun jugosllav.
Gjeneratat e reja shqiptare nuk janë të njohura me këtë realizim të shkëlqyer artistik të aktorit Fehmiu, me të cilin rol edhe i hapën dyert e kinematografisë botërore, deri në Holivud, ku luajti me shumë aktor, regjisor e producent të njohur botëror të asaj kohe. Me rezultatet e shënuara Bekimi u bë aktori i pare dhe famshëm shqiptar i filmit bitëror, në shkullin e XX.

RTK nëse e merr të drejtën për shfaqjen e këtij seriali, do të ishte mirë që kjo të ndodh nga 1 Qershori, ditëlindja ose 15 Qershori dita e shuarjes së jetës së tij.

Do të ishte hera e parë që një televizion shqiptar ta shfaq këtë serial kult, dhe me këtë RTK do ta përmbushtje edhe një obligim të vetin profesional për kujtimin dhe afirmimin e personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyer në fushën e kulturës kombëtare apo ndërkombëtare.

Jam i bindur që qytetarët e Kosovës, dhe të hapësirave tjera ballanike,por edhe shqiptarët në mbarë botën, do ta mirëpresnin realizimin e këtij propozimi.

Këto janë dobitë e leximit për shëndetin tonë mendor

Ne mund të lexojmë për qejf, por letërsia është më shumë se sa thjesht zbavitje. Shumë studime tregojnë për efektin shumë pozitiv të leximit mbi shëndetin tonë mental.

Ashtu siç thotë edhe George R. R. Martin tek “A Dance of Dragons”: “Lexuesit i jetojnë njëqind jetë para se të vdesin, përderisa ata që kurrë nuk lexojnë, jetojnë vetëm njëherë”. Këtë thënie e duan shumë lexues sepse është e vërtetë: secili libër i ri është mundësi e re për ta parë jetën përmes syve të ndryshëm.

Doktori i psikologjisë, Joyce Billington shpjegon se si ky fenomen ndikon në shëndetin tonë mental: “Leximi mund të ofrojë modele më të pasura, më të gjera dhe më komplekse të përvojave, të cilat u mundësojnë njerëzve ta shohin jetën e tyre prej përspektivave të rifreskuara dhe me një kuptueshmëri të ripërtërirë”.

Ata që nuk lexojnë zakonisht i shohin gjërat vetëm nga njëra anë e tregimit: pika e tyre e shikimit dhe përspektivës mund të jetë e vetmja që ata e provojnë. Librat i zgjerojnë këto lente, të cilat mund ta çlirojnë stresin dhe pamjen universale të problemeve tuaja personale.

Ne të gjithë kalojmë përmes vështirësive të ngjashme dhe librat janë njëra ndër mënyrat për tu ballafaquar kokë më kokë me këto probleme, shkruan Filozofia.al

Novelat i bëjnë thirrje imagjinatës tonë për tu hapuar për ide të reja: “Trilleri mund të na ndihmojë ta kuptojmë përvojën tonë shoqërore” thotë psikologu Keith Oatley, gjatë diskutimit për lidhjen mes psikologjisë dhe letërsisë.

Kjo edhe ishte vërtetuar nga një studim i cili ishte i fokusuar veçanërisht mbi ndjeshmërin dhe trillerin: “lexuesit e rregullt të trillereve përshkruese janë treguar më të mirë në dy teste të ndryshme të ndjeshmërisë”, për dallim prej atyre që nuk lexojnë. Të qenurit në gjendje për ti parë gjërat nga përspektiva të ndryshme, ju ndihmon të bëheni person më dashamirës.

Njerëzit zakonisht theksojnë se ata nuk kanë kohë për të lexuar, por madje edhe leximi vetëm fundjavave mund të ua sjell juve këto dobi. N

ë studimin e doktorin Billingto, thuhet se madje edhe ata që lexojnë vetëm nga gjysëm ore në javë, kanë treguar se ndihem më mirë me jetën e tyre.

Prandaj, merreni një libër dhe përmirësojeni shëndetin tuaj.

Bill Cosby shpallet fajtor për sulmet seksuale

Aktori amerikan është shpallur fajtor për tri akuza për sulme seksuale.

Aktori, siç raporton BBC, ka qenë në gjyq për sulm dhe drogim të ish-basketbollistit Andrea Constand, në vitin 2004.

Cosby është 80 vjeçar dhe kishte mohuar herë pas here akuzat ndaj tij.

Ai mund të përballet me 10 vjet burgim për të gjitha akuzat e deritashme kundër tij.

Raportohet se akuzat për sulme seksuale kanë ardhur nga dhjetëra gra, por ai i ka mohuar. Së fundmi, është raportuar se ai i ka droguar gratë e më pas ka fjetur me to. / KultPlus.com

Donald Tusk, në Beograd përmend Nikola Teslën dhe historinë e Serbisë

Presidenti i Këshillit Evropian – Donald Tusk, gjatë ditës së djeshme e ka vizituar Beogradin, ndërsa sot po qëndron në Kosovë.

Ia vlen të analizohet pak fjalimi i tij në Beograd, ku ai ka përmendur edhe kulturën dhe sportin në mes të këtij fjalimi dhe me nota të mira ka folur për të parët e Serbisë.

“Në politikë, ju jeni aq kreativ sa Nikola Tesla ishte në shkencë dhe Novak Djokovic ishte në tenis, duke shtuar këtu edhe vallëzimin kolo” ka thënë në këtë fjalim Tusk.

“Ju e keni dëshmuar disa herë në histori se jeni të fuqishëm, kokëfortë dhe të pavarur. Jemi ju të vetmit ata që e shkruani fatin tuaj. Sot është e qartë se e ardhmja e Serbisë nuk do të vendoset as nga Moska as nga Uashingtoni” ka thënë mes tjerash në këtë fjalim Donald Tusk.

“Dua të konkludoj duke e cituar një shkrimtar të njohur, Borislav Pekic, i cili ia kushtoi jetën vlerave demokratike dhe i cili para 30 vitesh e shkroi një tekst me titullin “Dëshira për Evropë” ku tha – “Do të doja që historia e Serbisë të jetë edhe e ardhmja e saj, jo vetëm kujtesa patrotike” – Është koha tani të punojmë së bashku për një Evropë më të bashkuar” ka vazhduar në fjalimin e tij Tusk. / KultPlus.com

Inva Mula dhe Filharmonia e Maqedonisë, të dielën së bashku në Tetovë

Këngëtarja e njohur Inva Mula do të mbajë një koncert në Tetovë.

Një ndër zërat më të mirë shqiptarë me famë botërore dhe pushtuese e skenave klasike më të fuqishme në botë, do të koncertojë bashkë me Filarmoninë e Maqedonisë në Pallatin e Kulturës në Tetovë.

Koncerti do të fillojë në ora 19:00, me datë 29 prill.

Koncertin do ta dirigjojë Gridi Kraja ndërsa Mula do të jetë kësisoj pjesë e edicionit të gjashtë të Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare. / KultPlus.com

Tym cigaresh

Sibilla Aleramo

Tym cigaresh.
Buzëqeshje të lehta.
E sërish tym,
fjolla të lehta,
nga buzët e mia,
çdo mbrëmje
pak minuta,
nga ballkoni i tij,
nga dritarja ime,
fjolla të lehta,
çelin buzëqeshje
dhe zërin s’ma njeh
dhe zërin s’ia njoh,
vetëm,
përmes fjollave të tymit
më pëlqejnë sytë e tij,
i pëlqejnë sytë e mi,
çdo mbrëmje
pak minuta,
një përshëndetje
fjollash tymi
lehtësi e hijshme gjestesh,
pikë e heshtur zjarri
ngrihet mbi kopshtin e përgjumur,
dhe asgjë tjetër,
ja kështu,
ndërsa pranë abazhurit
puna pret,
pak minuta,
çdo mbrëmje
për ca mbrëmje,
fjolla të lehta
fjolla të lehta.

Shqip: Aida Baro

‘Wake me up’ e Avicii kënduar nga mijëra njerëz në Stokholm (VIDEO)

Një kor i përbërë prej 1 mijë personave ka kënduar këngën “Wake Me Up” nga Avicii gjatë një ceremonie të mbajtur kushtuar këngëtarit në një kishë në periferi të Stokholmit, përcjellë KultPlus.

Këngëtarët nga kori “Happy Voices” kanë kënduar në kishën Fildelfia të hënën dhe janë dirigjuar nga dirigjenti Gabriel Forss i cili edhe ka shpërndarë videon nga perfomanca në rrjetet sociale.

Ai ka shënuar në postimin e tij “Faleminderit Tim. Muzika jote çdo herë do të bashkojë njerëzit”.

Dj Avicii është i njohur në muzikë për hitet që ka krijuar. Emri i vërtetë i artistit suedez është Tim Bergling. Ai është gjetur ditë më parë pa jetë në Muscat, Oman. / KultPlus.com

Falmë

ROBERT SHVARC / Përktheu Flutura Kuqani Malo

Oh, falmë, falmë mikja ime
në të lëndova përsëri
at’ plagë që s’don më ngushëllime,
që don të mbetet si jetime,
krenare pa njeri!

Oh, falmë, falmë pse kërkoj
prej teje unë dashurinë
e dhëmbshurisht pse të qortoj
në çastet-vrer, kur shpejt harroj
se ty ta vranë rininë…
Esht’ malli im gjithë pikëllim
që djeg e bren aq pushtetplotë
e kur s’e gjen atë flijim
që e njeh aq fort në shpirtin tim,
i mbeten veçse lotë!

Esht’ zemra ime q’u mësua
çdo rrahje t’sajën ta durojë,
që kurrë s’i tha njeri “të dua!”
që u ndez përherë dhe u shua
pse di të dashurojë.
E pra, më fal e dashur ti,
tani t’kuptoj unë ty më mirë:
çdo çast dhe unë po ndiej mërzi
e shpesh s’kam mall, s’kam dashuri,
s’kam gaz, s’kam më dëshirë!

Oh falmë, falmë mikja ime,
s’do t’i lëndojmë ne kurrsesi
k’to plagë që s’duan ngushëllime,
që duan t’mbeten veç jetime
ashtu si unë, ashtu si ti…

Në kryeqytet shënohet Dita Botërore e Vallëzimit

Alberina Haxhijaj

Dita Botërore e Vallëzimit është një eveniment që festohet në të gjithë botën që më 29 prill të vitit 1982, krijuar nga Këshilli Internacional i Kërcimit dhe UNESCO. E tani është bërë tradicionale shënimi i kësaj dite edhe në Kosovë. Pikërisht për nder të saj, sot në sheshin Zahir Pajaziti është mbajtur një garë jo formale e vallëzimit, e organizuar nga Evolution Dance, shkruan KultPlus.

Fëmijë të moshave të ndryshme ishin mbledhur sot në sheshin Zahir Pajaziti për të treguar dashurinë që kanë për vallëzimin por edhe aftësitë e tyre në këtë pjesë të artit. Dafina Rudi tregoi për KultPlus se si çdo vit promovimi i vallëzimit dhe stileve të ndryshme të tij në Prishtinë mbetet mision i Evolution Dance.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të tubohen sa më shumë njerëz dhe të promovohet vallëzimi. Çdo vit mbledhim shkolla të ndryshme mirëpo karakteristikë për këtë vit është që së bashku me Komunën e Prishtinës do të bëhet një garë jo formale mes pesë shkollave të komunës. Nxënësit e këtyre shkollave kanë përzgjedhur vetë koreografinë por edhe muzikën dhe çdo gjë tjetër”, tregoi Rudi e cila shtoi se për të shpërblyer punën e nxënësve fitues, Evolution Dance do u ofrojë fituesve të tri vendeve të para leksione vallëzimi falas.

Përveç akademive të vallëzimit të cilat janë mike të këtij organizimi që disa vite, në sheshin Zahir Pajaziti performuan edhe nxënësit të cilët ishin bërë gati për garën.

Kështu pas perfomancave që dhanë nxënësit juria e përbërë nga Fjolla Dumani, Majlajdo Gala dhe Florent Abrashi, ndanë çmimet. Vendi i parë shkoi për nxënësit e Shkollës “Ismail Qemaili”, ndërsa çmimi i dytë për shkollën “Xhemajl Mustafa” dhe i treti për shkollën “Meto Bajraktari”.

Në anën tjetër për koreografinë më të mirë u vlerësuan me çmim nxënësit e shkollës “Faik Konica”, ndërsa për interpretimin më të mirë ata nga “Dardania”. Florent Abrashi theksoi për KultPlus se juria vlerëson punën e të gjithë nxënësve pasi që ata kanë dëshmuar që kanë potencial për vallëzim dhe ndarja e këtyre çmimeve nuk duhet që të shihet si garë por më shumë si një motivim.

“Fillimisht është diçka e re edhe për neve dhe shpresoj që kemi me qenë të aftë me japë pikët sa më mirë që është e mundur. Jam shumë i lumtur që kemi një kësi ngjarje me juri dhe me fëmijë, në mënyrë që ata të vlerësohen dhe të çmohet puna e tyre. Pra gjithë kjo është bërë që fëmijët ta shijojnë këtë ditë”, tha ai për KultPlus.

Të lumtur për këtë organizim janë shfaqur edhe fëmijët pjesëmarrës, në mesin e të cilëve ishin edhe Dafina Borovci, Vera Zyqolli dhe Era Ahmeti, të cilat janë bërë mike pikërisht përmes vallëzimit në studion e vallëzimit “Folk Art”.
“Ka vite që merremi më vallëzim dhe kjo është diçka që na pëlqen shumë, dhe që e duam. Ndërsa sot kemi me u paraqitë më këngën “Shape of You” dhe me një valle”, treguan ato për KultPlus.
Kjo ditë përkujton ditëlindjen e Zhan Zhorzh Noverit i cili ishte një nga reformatorët e famshëm të kërcimit. / KultPlus.com

‘shpirti i nji popullit njifet mâa s’mirit prejë Poeziës popullore’

“Poezia, praa, si u paa, (e prandej deshtme ktû me folë pak si gjatë mii burrim t’sajë), âsht jehi i shpirtit t’nierit: pse ajo, n’gurrë t’vet s’âsht tjeter veç se nji fshâme qi ep shpirti, kuur kndellet n’ shkelxim t’rrezeve t’bukuriës. E tujë kênë se shkelximi i bukurtës i tfaqet nierit mas gjênjes s’shpirtit, a se mas zhdrivillimit t’mêndjes e t’shies estetetike t’tii: t’gjith nierzt nuk e kuptojnë bukuriën si nji nji: çiltas duket se shpirti i nji popullit, njifet mâa s’mirit prejë Poeziës popullore.”

Gjergj Fishta (1930)

një natë ma përpara

Poezi nga Entela Tabaku Sorman.

zgjohem në mëngjes dhe e vesh shpirtin
si teshë e zhveshun në dyshemenë e ftohtë
një natë ma përpara
ose më merr gjumi me tesha veshë
si shpirt i ftohtë në dyshemenë e zhveshun
një natë ma përpara
ose shpirti zgjohet në mëngjes dhe më ngre peshë
si teshë e zhveshun në dyshemenë e ftohtë
një natë ma përpara
ose e merr gjumi me mu veshë
në zhveshjen e teshtë të ftohjes së dyshemtë
në ftohjen e teshtë të zhveshjes së dyshemtë
sh
shshsht
shshshpirt!
sa e gjatë kjo natë
ma përpara!

‘Pasqyra e t’rrëfyemit’ i kushtohet Martin Camajt

U bë gati për shtyp numri 6-7 i revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, një numër special që i kushtohet poetit, prozatorit dhe dramaturgut Martin Camaj.

Me një vëllim prej mbi 400 faqesh, në të do të gjeni studime të natyrave të ndryshme, gjuhësore e letrare, të para nën optikën e një kategorie të gjerë studiuesish të fushave përkatëse.

Mbi të gjitha, për herë të parë botohet edhe një letërkëmbim ndërmjet Martin Camajt dhe Prof. dr. Anton Nikë Berishës. Janë plot 17 letra, të shkruara në kohë të ndryshme, nëpërmjet të cilave shpërfaqen disa të dhëna të qenësishme për vetë Martinin dhe veprën e tij, për konceptimin letrar poetik, për shkrimtarët tanë të ndryshëm, për vlerat e letërsisë sonë bashkëkohore, për botën tonë në përgjithësi.

Ndër të tjera, aty përligjet edhe dija e gjerë, informacioni i shumtë, nevoja për komunikim letrar poetik brendakombëtar dhe ndërkombëtar, shpirtgjerësia, fisnikëria dhe mirësjellja që zotëronte Martin Camaj.

Së shpejti, ky numër do të jetë në libraritë kryesore të Tiranës. / KultlPlus.com

14 vjeçarja Elena Halilaj përfaqëson zërin e Kosovës në Maltë

Festivali Ndërkombëtar i Këndimit “Euro Stars” që do të mbahet në Maltë nga data 25 deri më 30 prill të këtij viti, do të ketë edhe një pjesëmarrëse nga Kosova.

Është kjo 14 vjeçarja Elena Halilaj, e cila do të marrë pjesë në mesin e 17 shteteve dhe 120 pjesëmarrësve në këtë festival të karakterit garues.

Ajo ka pranuar ftesë nga organizatori dhe drejtori i festivalit, Martin DeGabriele i cili e kishte parë atë duke përfaqësuar Kosovën vitin e kaluar ne Ohër në një festival ndërkombëtar të quajtur “Tra La La”.

Halilaj ndjek mësimet e solo këndimit dhe violinës dhe është në klasën e tretë të shkollës së muzikës “Amadeus”, ndërsa ndjek edhe mësimet në klasën e tetë në “Don Bosko”. Ky festival i quajtur “Euro Stars” është një mundësi shumë e mirë për këngëtarët e rinj si dhe një privilegj i rrallë për pjesëtarët e industrisë muzikore, shkruan RTV21.

Të gjithë pjesëmarrësit e festivalit kanë pranuar ftesën për të qenë pjesë e tij. Sipas njoftimit zyrtar, misioni i këtij festivali është përkrahja e talenteve të rinj premtues të cilët dëshirojnë të trajnohen dhe të mësojnë. / KultPlus.com

Piktura e Modigliani mund të thyejë rekord në New York

Një rekord i shitjeve pritet që të ndodhë në shtëpinë e ankandit Blockbuster në New York.

Piktura me një grua lakuriqe të cilën e ka realizuar piktori Amedeo Modigliani pritet që të shitet për 150 milionë dollarë në këtë ankand.

Sotheby ka zbuluar të martën se piktura mund të shndërrohet në një nga veprat me çmimin më të shtrenjtë që është vendosur ndonjëherë në ankand.

Ky punim do të udhëheqë shitjen në mbrëmjen e Sotheby kushtuar artit të impresionizmit dhe atij modern, më 14 maj, dhe do të jetë piktura më e shtrenjtë nga vlerësimi i saj në maj.

Rivali i saj i madh do të jetë “Vajza e Re me një shportë me lule” e Pablo Picasso, e cila shitet në Christie si pjesë e Koleksionit Rockerfeller me 8 maj.

Piktura nuk ka të ngjarë të bëhet më e shtrenjta e shitur ndonjëherë në ankand.

Ky titull mbrohet ende nga piktura Leonardo da Vinçit e cila u shit në ankand vitin e kaluar për 450 milionë dollarë. Renditja e dytë është një pikturë nga Picasso e cila u shit për 179 milionë dollarë në 2015. / Kultplus.com

‘Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët’

Nga Ardian Klosi

I shoh të munduar me kryet në hi
Luftojnë të jetojnë s’jetojnë dot pa luftë
Rrëzohen dhe ngrihen dërrmohen prapë çohen
Batakut i ikin të venë në batak
Po gjakun s’e prishin se prapë do luftojnë
Me thonj e me dhëmbë të kapen pas jetës
Me kryet në hi ta gjejnë një copë bukë
Dhe qeshen e qeshen
Mes baltës ngërdheshen
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.

Jetojnë në mes plehut dhe thonë “s’ka problem”
Po nga ta kthejnë kokën do gjejnë veç probleme
Telashe dhe halle një mal me probleme
U ikin me vrap, i ndeshin përballë
U mbyllin një portë, u hyjnë në oxhak
I djegin me flakë, u ngjiten në kokë
Po s’jepen ata dhe kokën e ngrenë
dhe gjejnë pakëz zë për të thënë “ska problem”
Ngrihen shulaten
Sfiliten rropaten
Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët.

Shtëpia e diktatorit Hoxha muze, ajo e Gjergj Fishtës drejt shkatërrimit

Shtëpia e lindjes së diktatorit komunist Enver Hoxha ndodhet në qytetin e Gjirokastrës dhe është restauruar e mirëmbajtur vazhdimisht, pasi është kthyer në Muze Etnografik.

Por në fshatin e vogël Fishtë në Zadrimë të Lezhës, një tjetër shtëpi vuan pasojat e kohës duke shkuar drejt shkatërrimit.

Bëhet fjalë për shtëpinë e fëmijërisë së At Gjergj Fishtës. Kulla dykatëshe e shkrimtarit, e rrënuar dhe e braktisur qëndron larg premtimeve për ta restauruar, duke u shkatërruar pak nga pak. Ndërsa shtëpia muze e diktatorit pret vizitorë, paratë për të restauruar shtëpinë e rilindasit shqiptar nuk gjenden askund.

Restaurohet Pllaka e Kangjellës e cila i përket shekullit VI

Pllaka e Kangjellës e cila daton në shekullin e VI është duke u restauruar nga specialistët e IMK dhe MHK.

Kështu kjo pllakë do të jetë gati për ekspozim së shpejti, shkruan KultPlus.

Muzeu Historik Kombëtar zotëron në fondet e tij një pllakë kangjelle, e cila daton në shek. VI m. Kr. Ajo është gjetur pranë bazilikës B, në qytetin antiko mesjetar të Bylisit, ndërsa për restaurimin e saj ka njoftuar Instituti i Monumenteve të Kulturës në Shqipëri.

“Specialistët e Sektorit të Artit pranë IMK dhe MHK janë duke kryer ndërhyrje konservuese në objektin e dëmtuar. Falenderojmë gjithashtu z. Alban Balla, mjeshtrin e gurit dhe të mermerit, i cili është duke dhënë kontributin e tij të vyer përgjatë këtij procesi. Së shpejti, objekti do të ekspozohet në pavionin e lashtësisë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Ftohen poetët për pjesëmarrje në Takimet Ndërkombëtare Letrare ‘Azem Shkreli 2018’

Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Pejë bën thirrje të gjithë poetëve për pjesëmarrje në manifestimin tradicional Takimet Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli 2018”, i cili mbahet në Pejë më 23 e 24 maj të këtij viti.

Poezia e dorëzuar duhet të jetë e pabotuar dhe të mos jetë më e gjatë se dy faqe kompjuteri.

Juria e propozuar nga Këshilli Organizativ dhe e aprovuar nga DKRS-ja do të seleksionojë poezitë më të mira, të orientuara rreth temës: LIRIA VJEN NGA ZEMRA.
Poetët e përzgjedhur do të jenë pjesë e rëndësishme e aktivitete poetike, kulturore dhe tematike “Gjergj Kastrioti dhe ëndrra e madhe e lirisë në poezinë shqipe”, të cilat do t’iu bëhen të njohura në kohë përmes agjendës së TNL “Azem Shkreli 2018”.

Poezitë e vlerësuara do të publikohen në një antologji të veçantë

Të gjithë poetët e interesuar duhet të dërgojnë poezinë e tyre deri më 31 mars 2018 në adresën [email protected].
Këshilli Organizativ i TNL Azem Shkreli shpallë po ashtu konkurs për çmimin “Bulëzat”, çmim ky i cili për çdo vit jepet për krijues të rinj, në kuadër të manifestimit ndërkombëtar.

Çmimi “Bulëzat” ka për qëllim të nxisë dhe të motivojë krijuesit e rinj, ndërsa të gjitha konkurrentët duhet të mos jenë mbi 18 vjet dhe duhet të kenë një libër të botuar.

Të gjithë të interesuarit mund të konkurrojnë deri më 30 prill, në këtë adresë [email protected]. / KultPlus.com

Prishtina International Vocal Festival hapë konkurs për kompozitorë

Alberina Haxhijaj

Prishtina International Vocal Festival do të nisë edicionin e parë si i vetmi festival që i dedikohet vetëm muzikës vokale.

Festivali do të ketë prioritet promovimin e muzikës vokale në vendin tonë, e në veçanti të nxisë kompozitorët kosovarë për të krijuar muzikë vokale, shkruan KultPlus.

“Në këtë edicion, në festival do të hapet një konkurs vetëm për kompozitorët kosovarë të gjeneratës së re që të shkruajnë vepra korale (SATB me ose pa shoqërim instrumental) ku më pas, veprat fituese do të interpretohen nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, në koncertin përmbyllës të Festivalit, me datë 07.10.2018 në Prishtinë”, kanë bërë të ditur organizatorët e festivalit për KultPlus.

Tutje ata kanë bërë të ditur se rregullat e konkursit janë:
• Vepër për Kor (SATB) a cappella apo me përcjellje instrumentale
• Tematika e lirë
• Kohëzgjatja deri në cca 7 minuta
• Afati i fundit për dorëzim është 30.06.2018.
• Vepra duhet të dërgohet në e-mail: [email protected] si PDF file.

Veprat do të përzgjidhen nga Juria profesionale e Festivalit, ndërsa tri veprat fituese të këtij konkursi, përveç interpretimit që do të bëhet nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, do të botohen në Attacca Edition.

Ky edicion i festivalit do të mbahet nga 2 tetor deri më 7 tetor, 2018. / KultPlus.com

Camila Cabello, Shawn Mendes dhe Dua Lipa do të interpretojnë në Billboard Music Awards 2018

Billboard Music Awards 2018, është vetëm një muaj larg dhe tashmë janë bërë të ditur tre perfomuesit që do të dalin në skenë më 20 maj.

Camila Cabello, Shawn Mendes dhe Dua Lipa është bërë e ditur që do të perfomojnë në ceremoninë e ndarje së çmimeve nga Billboard.

Camila Cabello, Shawn Mendes dhe Dua Lipa, janë emrat e parë të këngëtarëve që janë bërë publik, që do të permormojnë në T-Mobile Arena në Las Vegas.

Mirëpo, akoma nuk është bërë e ditur lista e plotë e artistëve dhe as këngët me të cilat do të paraqiten tre këngëtarët e lartëpërmendur, shkruan Billboard.

Dua Lipa gjendet në top listat e Billboard më këngët “New rules”, “IDGAF” dhe me këngën e fundit në bashkëpunimi me Calvin Harris “One Kiss”./KultPlus.com

Indiferenti

Poezi nga Hose Ierro

Tani do të jemi të lumtur
kur asgjë ç’të presim s’ka.

Le të bien gjethet e thara
le të çelin lulet e bardha,
pa çka!

Le të ndrijë dielli në qiell
Le të bjerë shiu mbi xham
A s’janë të gjitha gënjeshtra
të vërteta të gjitha a s’janë?
Le të mbretërojë mbi botë
pranvera që vdekje s’ka
le të marrë të tatëpjetën jeta
pa çka!

Le të ketë melodi endacake
pa çka!

Ç’na hyjnë në punë meloditë
kur asgjë ç’të këndojmë s’ka.

perktheu Aurel Plasari